• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

DOMENIKO

October 30, 2017 by dgreca

TREGIM NGA FASLLI HALITI/

1-Faslli-haliti (2) Viz. S. Kamberi, Piktor i Popullit/

Të nesërmen, herët në mëngjes ne, u nisëm për të bërë dru në pyllin e Gjinerukës, në Spolatë. Xhaxhai na mori me vete mua dhe të birin, Fadilin që ai i thoshte Dili me përkëdheli, kurse mua më quante Koni, ngaqë unë isha i imët sa një kone. Shtratin e qerres e mbushëm me dega  të njoma misri  dhe me pjepra, gjysmat e të cilave i vodhëm në bostanet e Daut Sefës. Kështu bënim gjithmonë kur niseshim në pyllin e Gjinerukës. Mua më pëlqente shumë pylli i Gjinerukës. Sepse ishte i madh, i dendur dhe me lisa të lartë e thana të kuqe të bukura. Ne ishim të vegjël. Xhaxhai me Domenikon prisnin dru me sëpatë, ne i afronim drurët e prera  pranë qerres dhe hanim thana të kuqe.

Domeniko ishte më i ri se xhaxhai dhe e përdorte sëpatën si një druvar i vërtetë.

-Sa bukur që e pret lisin qerratai! – çuditej xhaxhai.

Me siguri në këto çaste ai e krahasonte Domenikon me Xhovanin. Të ishte Xhovani nuk do ta priste lisin kështu me kaq ustallëk. Të ishte ndonjë copë hekuri, po. Atë e ngordhte evgjiti. Po këtë,  ë…hë, ë… hë…Këtu as te thoi i këmbës s’i afrohet Domenikos ai. Ja, sëpatën po, e ka kalitur mirë. Grerëz e ka bërë. Edhe pykat…, i ka qarë. Por befas xhaxhait i kujtohet se sëpatat edhe pykat nuk i kaliti Xhovani, por Nuzo Jevgu…

Kur xhaxhai kërkonte ujë ne, ia çonim katruven menjëherë. Xhaxhai punonte shumë, ishte i ngrysur dhe kishte shumë autoritet. Po ne të vegjlit bezdiseshim nga xhaxhai. Ai kërkonte punë, ne donim të luanim…

Pasi ishte ngarkuar qerrja me dru, xhaxhai u ul dhe drodhi një cigare për vete dhe një për Domenikon. Ballin, qafën dhe kraharorin i kishte gjithë djersë. Pasi piu cigaren na mori dhe na çoi mes disa lisave të gjatë e dushqeve gjethedendur që ishin në majë të kodrës që ne të vegjlit I thoshim mal.

– Hajdeni se do t’ju tregoj një gjë të bukur – na tha dhe, na mori për dore.

Mua m’u bë qejfi shumë. Ishte hera e parë që Xhaxhai po sillej ngrohtë me ne, sidomos me mua që ishte treguar përherë i ashpër ngaqë kisha qejf të gjuaja me llastiqe. Unë e kuptova pse ishte i gëzuar Xhaxhai. Ai ishte i gëzuar ngaqë e kishte ngarkuar qerren dingo me kërcunj. Xhaxhai ishte i vetmi në fshatin tonë që e mbushte oborrin me një mal me kërcunj e dru të tjera të thata. Shtëpia jonë kalonte një dimër të ngrohtë edhe sikur dëbora të arrinte gjer në gju apo, siç thoshte vetë xhaxhai, edhe sikur të binin hekura nga qielli.

-Çfarë do të na tregosh? – e pyeti i biri.

Ndonjë fole me zogj të bukur,- thashë­ unë disi me droje.

-Jo fole me zogj, do t’ju tregoj një gjë edhe më të bukur – tha prapë Xhaxhai.

Unë u gëzova që xhaxhai, nuk më foli me inat, – rri aty ti Koni e mos fol! Por duke na tërhequr për dore, ai na ngjiti pak më lart që të shihnim më mirë. Ah, sikur të sillej gjithmonë kështu xhaxhai me ne, sidomos me mua që s’i hiq llastiqet nga qafa. Në fillim xhaxhai ngriti lart të birin që të shihte përtej drurëve.

-E sheh?,- pyeti të birin

-Cilin?- i tha i biri.

-Folenë me zogj, or budalla, i bërtita unë, djalit të xhaxhait.

– Po detin, or detin  – tha Xhaxhai

-Pse deti është ai atje, po ai është qielli ?,- tha i biri me habi

-Deti, deti, – tha xhaxhai, nuk është qielli. Qielli është lart.

-Sa i madh që qenka deeeeti, – tha shumë i habitur i biri.

Pastaj xhaxhai, më ngriti mua. O, sa u gëzova unë. Xhaxhai po më mbante në supe. Kjo për mua ishte më shumë se të shihja mijëra fole zogjsh e gjithë detet e botës. Xhaxhai kishte qenê shumë i egër, i ftohtë i vrazhdë me mua, prandaj unë isha kaq i gëzuar që sot, ai, po më mbante mbi supet e tij…

-Sa i bukur qenka! – thashë unë me habi, jo pse deti ishte vërtet aq i bukur, por ngaqë xhaxhai po tregohej i afërt me mua, ai po më mbante mbi supe.. Deti paska ngjyrën e kraharorit të peligorgës, thashë unë gjithë gëzim e habi, por befas u pendova që përmenda emrin e një zogu, sepse kjo mund ta zemëronte xhaxhait e mund të më thoshte se ti mendjen te llastiqet e te zogjtë e ke o i uruar…, por xhaxhai vazhdoi të më mbante mbi sup…

– U kënaqët?, na pyeti xhaxhai.

  • U kënaqëm shumë,- i thamë ne, gjithë gëzim.

Ishte hera e parë që shihja det me sy. Kisha parë vetëm limanin e kënetës së Tërbufit dhe liqenin e sfratit që formohej kur fshatarët zinin përroin për të vaditur misrat.

-Domeniko, Domeniko…Deti.Vieni shih detin – thirra unë. Shihe sa i bukur është, si kraharor peligorge.

-Mos e thirr mor Koni, – më bërtiti Xhaxhai. Mos…se…

Unë u çudita me Xhaxhanë. E pse të mos e shikonte Dominiko detin?

Por Dominiko erdhi. Sapo pa detin, ai mbushi kraharorin me frymë dhe psherëtiu: mare, mare… Zvogëloi sytë për të parë më tutje, më larg, më thellë. Ashtu me sy të zvogëluar ai e pa gjatë detin. Po çfarë shihte ashtu, aq i përqendruar ai ? Pse zgjatej ashtu, e qëndronte në majë të gishtave të këmbëve e përpiqej të shihte sa më larg, larg, larg…?

Përtej ishte atdheu i tij, Italia, ishin fëmijët, nëna, babai,  gruaja, vëllezërit, motrat…

Ai i kërkoi një cigare Xhaxhait. Xhaxhai i vuri përpara kutinë e duhanit. Domeniko drodhi një cigare të trashë me shumë duhan. E ndezi dhe filloi ta pinte. Tymi i cigares largohej si një shami e kaltër drejt detit. Domeniko thithte cigaren dhe shikonte detin i shtangur, i ngujuar aty midis lisave dhe dushqeve të pyllit të Gjinerukës. Diçka i fanitej, diçka përfytyronte. Mbase fëmijët, mbase nënën, gruan…Ai shikonte, kurse ne, nuk shinim gjë.

Xhaxhai nuk i foli. Na porositi që dhe ne, të mos i flisnim. E lamë të qetë, me qëllim që të çmallej me përfytyrimet e tija.

– Ejani, na tha me zë të ulët xhaxhai, ejani të shkojmë te qerja. Lëreni të çmallet. Ai e di rrugën. Na  zë. Ejani !

U larguam ngadalë, pa zhurmë. Ruheshim që të mos shkelnim mbi gjethe dhe degë të thata. Domeniko ndezi dhe shoi disa cigare, po sytë nuk i shkuli nga deti. Ai shikonte me sy të picërruar detin. Ishte i pushtuar i tëri nga malli, nostalgjia. Ne nuk e trazuam. Respektuam mallin, nostalgjinë e tij që po e këpuste.

Ajo ishte një nostalgji që duhej respektuar.

Sapo pa detin, Domeniko psherëtiu:

–Eh, mare, mare.

Përtej ishte atdheu i tij, fëmijët nëna, babai, motrat, vëllezërit. Domeniko pyeti Xhaxhanë:

-Larg deti, Italia, zio Raman?

-Shumë larg! – tha xhaxhai.

-Eh, mare,mare, psherëtiu përsëri italiani.

Unë u çudita. Pse psherëtinte kështu Domeniko. Nuk është mirë në shtëpinë tonë ?  Ne e duam të gjithë. Pse iu mbushën sytë me lot ?

Ai pyeti prapë Xhaxhanë:

-Kaloj io not deti ?

-Jo, tha xhaxhai nuk del dot me not matanë!

–Perche, zio, Raman?

-Mbytesh. Italia, larg.

Xhaxhai e donte shumë këtë italian se ishte punëtor i madh e fjalëpakë.  Italiani pa detin. E pa e pa dhe…

Pashë atë të vraponte nëpër pyll, të zbriste poshtë drejt detit me shpejtësinë e një skifteri që ndjek një zog. Ta shihje si vraponte. Ai nuk vraponte, por rrokullisej si një gur teposhtë. Dredhonte mes drurëve që të mos përplasej në ta. Ai vraponte poshtë, poshtë, teposhtë drejt detit duke thirrur mare, mare, mia patria aspetammi!

Pylli i Gjinerukës përsëriste në italisht :

       -Mare, mare, mia patria aspetammi !

-Iku-tha Xhaxhai,- iku. Kam frikë se do t’i bjerë vërtet detit me not e do të mbytet i  uruari! Gjynah. Ishte punëtor i madh. Duart i kishte flori. Gjynah të mbytet, gjynah…!

Pasi u dëgjuan për herë të fundit britmat e italianit dhe jehona e tyre nëpër pyll,Xhaxhai tha:

-Ecni, ikim !

Dhe m’u drejtua mua:

-E more më qafë – më tha. Gjynah ishte punëtor i madh.

Për një kohë të gjatë unë dëgjoja britmat e italianit që xhaxhai e donte aq shumë:  ”mare, mare, mia patria, mia patria!

Në sy kisha rrokullimën e tij prej shkëmbi që s’e ndalnin dot as lisat e mëdhenj as thirrjet e xhaxhait, mos…! Nuk më hiqej nga mendja, nuk e harrova dot për një kohë të gjatë atë rrokullimë njeriu drejt detit.

Ç’e shtynte ashtu italianin Domeniko? Ç’e tërhiqte atë ashtu, drejt detit…?!

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Domeniko, Faslli Haliti, Tregim

Amerikano-shqiptari Filip Giantris u shua në një spital të Tiranës, politika dhe shteti heshtën

October 30, 2017 by dgreca

1 PhilipGiantrisNga Erlet Shaqe/

I madh dhe i vogël mësoi këto ditë kush ishte Adelajda Xhamani e cila humbi jetën në mënyrë; sa tragjike aq dhe të paqartë. Ndër ta edhe unë që s’para e ndjek median shqiptare në përgjithësi dhe atë rozë në veçanti.Kushdo mund të kontrollonte “portale të pakontrolluara” mbi jetën e saj, puthjet që dha, deri tek imtësi intime që njerzit në shoqërinë tonë rrallë herë i shfaqin edhe në momentet më të afërta. Politikanët u vërsulën që të shkruajnë për të me aforizma enigmatike, me shijen një miqësie të vjetër mes tyre dhe saj. Ish i dashuri dhe familjarët e tij, i kërkojnë falje asaj, tani që ajo iku, them iku dhe jo vdiq, të mendosh që ai skishte mundësi ta takonte dhe ti kërkonte falje sa kohë ishte në këtë jetë.Ndërkohë që efekti Adelajda kaploi këdo dhe kudo, dhe s’do flas për të pasi as e kam njohur dhe as nuk ia di bëmat e saj profesionale, qofshin këto rozë apo të ndonjë ngjyrimi tjetër. Por do flas për një personazh tjetër, i cili pati fatin që edhe ai të largohet nga kjo jetë këtë muaj dhe nuk u përmend asnjë rrjesht apo nekrologji për FILIP GIANTRIS, shqiptaro-amerikanin që kontribuoj për zhvillimin e vendit tonë.

***

Filip Giantris u largua nga kjo jetë në datë 19 Tetor këtë vit, në një spital të Tiranës papritur në moshën 74vjeçare, duke lënë pas bashkëshorten, tre femijët dhe nipër dhe mbesa. I lindur në Worcester, Massachusetts në një komunitet të ngushtë shqiptarësh, nga prindër që emigruan në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1920, ku u rrit bashkë me vëllezrit dhe motrat me dashuri të madhe për rrënjët dhe kulturën e tyre shqiptare dhe për Kishën Ortodokse Shqiptare.

Diplomohet në Institutin Politeknik të Worcester në vitin 1965, në inxhinieri civile. Në këtë institut gjithashtu ai ishte anëtar i vëllazërisë Delta Phi Gamma dhe një anëtar i ROTC. Filipi merr edhe gradën si toger i parë pas diplomimit dhe shërbeu në Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane në Vietnam në vitin 1968. Pas kthimit nga Vietnami, ai mori Master në Biznes nga Universiteti i Bostonit.

Pasi punoi për 23 vjet për Metcalf & Eddy Inc. dhe pesë vjet për Bird Corporation. Në fillim të viteve 1990, Philip hapi kompaninë e tij,një kompani konsulente, që shërbeu në të gjithë botën. Në vitin 2000, Filipi vendosi të ngrinte kompaninë e tij konsulente në Shqipëri, Value Add Management Services, një kompani e specializuar në menaxhimin e shërbimeve të sektorit të ujit me një staf totalisht shqiptar, me inxhinierë profesionistë, ekonomistë dhe specialistë të menaxhimit të biznesit.

Përtej qëllimeve të tij profesionale apo për përfitim, kthimi në Shqipëri për të ishte një synim i gjatë dhe premtim që i bëri nënës së tij për të ndihmuar Shqipërinë, atdheun e prindërve të tij. Në të njëjtin vit ai hapi kompaninë Value Add Management Services, e cila u bë forca parë lëvizëse për përmirësimin e standarteve në projekte madhore në fushën e menaxhimit të ujrave në Shqipëri. Paralelisht ai themeloi Shoqatën Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB), ku shërbeu si Drejtor Ekzekutiv në mënyrë vullnetare.

Njohuria e tij unike për çështjet kryesore që përcaktojnë suksesin në sektorin e ujit, për qeveritë në të gjitha nivelet, e ka bërë atë dhe firmën e tij një burim këshillimesh të çmuara për qeveritë e Afrikës së Jugut, Rumanisë, Egjiptit, Izraelit, Kosovës, Malit të Zi, Libanit, Jordanisë , Filipinet dhe sigurisht Shqipërinë.

Filipi ishte i palodhur dhe i pasionuar për punën e tij deri në atë pikë sa ai do ta transmetonte këtë vision te të gjithë. Ai ndikoi në jetën profesionale të të shumë të rinjve dhe profesionistëve të tjerë në Shqipëri dhe në mbarë botën me shembullin e tij të përsosmërisë. Për Filipin, “vetëm më e mira ishte e mira e mjaftueshme”, dhe ai ishte një njeri që gjithmonë mund të gjente gjithçka më të mirë dhe më interesante në çdo gjë dhe gjithçka. Filipi ishte një njeri me integritet të lartë dhe i kaloi këto vlera tek stafi, miqtë dhe familja e tij.

Ai preku aq shumë njerëz me shembullin e tij të vendosmërisë, punës së madhe dhe etikës së biznesit, por edhe me dhembshurinë, kujdesin dhe dashurinë e tij. Ai mishëronte filozofinë: «Ndaj atij të cilit shumë i është dhënë, më shumë pritet nga ai» dhe Filipi kurrë nuk pushoi së ndihmuari njerëzit në nevojë. Veprat e tij filantropike ishin të panumërta. Ai ishte një kontribues i vazhdueshëm i Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe “Shkollën Protagonistët”. Përveç kësaj, ndihmoi për të mbledhur fonde për institucione të ndryshme shqiptare me një fokus të veçantë në fëmijët – jetimoren në Korçë, Shtëpinë e Fëmijëve në Shën Vlash dhe Fondacionin Nënës dhe Fëmijës të Shqipërisë. Ai ishte gjithashtu një anëtar i Bordit të Institutit Harry Fultz.

Në vitin 2010 ai u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me medaljen për “Merita të Veçanta Civile” për kontributin e tij në Sektorin e Ujit.

Filipi ishte një qytetar i botës dhe la një trashëgimi të rëndësishme për familjen, miqtë, kolegët e tij gjithashtu edhe për ne shqiptarët. Ai do të priste që të gjithë ne të vazhdonin trashëgiminë e tij dhe të shkonim: “Lart dhe më lartë!”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Erlet Shaqe, Filip Giantris u shua, në një spital, te Tiranes

100 VJETORI I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE FESTOHET NË “DARDHËN E DYTË”, NË AMERIKË

October 30, 2017 by dgreca

Njëqind vjetori i shkollës shqipe të Dardhës/

6 foto e perbashket1 dita kur u hap shk e Dardh1 Mes Leonidha Cika3 Pjesmarr ne veprimtari4 Pjesmarres7 Franklin Zdruli

Nga Fuat Memelli-Boston/

100 vjetori i shkollës shqipe të Dardhës, e cila u çel në vitin 1917, u përkujtua sivjet në muajin gusht në fshat. U shkrua dhe u fol për këtë ngjarje. Por , shumë dardharë që jetojnë në emigracion, e veçanërisht ata që jetojnë në Amerikë, nuk mundën të shkojnë në vendlindje në këtë përvjetor dhe u mbeti një peng.

8 Sotir Pani10 certifikate9 Certifikate5 moderatori Vaske Bruko

Një “Dardhë e dytë” e emigrantëve të këtij fshati, është në qytetin Uster pranë Bostonit. (Sipas Sotir Panit, në këtë qytet ka 22 familje dardhare ndërsa në gjithë Amerikën, bëhen 60.) Këta dardharë të mbrujtur me shpirtin patriotik të të parëve të tyre, deshën ta përkujtojnë këtë ngjarje edhe këtu në Amerikë. Dhe e përkujtuan bukur!Ditën e shtunë datë 21 tetor, dardharë që jetojnë në Uster, në Boston e qytete të tjerë si dhe miq të tyre, u mblodhën në sallën e kishës “Shën Mëria” për të përkujtuar këtë ngjarje të shënuar. Shumë prej prej ish nxënësve të asaj shkolle, i ka mbuluar bora e viteve. Në sytë e tyre ndrit malli për shkollën e parë dhe vendlindjen që i kanë larg. Organizatorë të veprimtarisë ishin dardharët Vaskë Bruko, Klodi Melka dhe Franklin Zdruli.  Vaska me një ligjërim të bukur, lexoi një përmbledhje të referatit kryesor të mbajtur në Dardhë në konferencën shkencore organizuar nga Bashkia e Korçës dhe Shoqëria Dardhare “Shpresa”. Shkurt dhe qartë, ai shpalosi fakte dhe ngjarje që nga hapja e shkollës e deri në ditët tona.

FRAGMENTE NGA HISTORIKU I SHKOLLËS

Kam përpara një mori informacionesh dhe fotosh  për 100 vjetorin e shkollës shqipe të Dardhës. M’i dhanë ato organizatorët e takimit në Uster si dhe dardharë të tjerë që jetojnë në Shqipëri e nëpër botë. Më kishte folur Niko Balli, kryetar i Shoqërisë Dardhare “Shpresa, kur isha në muajin maj në Sinicë; më nisën plot të dhëna e fotografi edhe dardhari i përkushtuar, Arian Çika që jeton në Tiranë; dardharja Adriana Stefani, e cila me trup është në Kanada ndërsa me zemër në Dardhë; Sotir  Pani, i cili jeton në Boston, por është një “muze i gjallë” për Dardhën e më gjerë. Më vlejtën gjithashtu shkrimet e postuara nga dardhari Kristaq Balli, i cili jeton sa në Dardhë e në Korçë e që bëri një punë të veçantë për muzeun e fshjatit, etj. Unë u mundova ta “sit” këtë bollëk materialesh dhe veçova vetëm disa fragmente prej tyre.

Në Dardhë ekzistonte një shkollë qysh në shekullin e XVIII ku mësimi jepej në gjuhën greke. Rrethanat e përshtatëshme për hapjen e shkolllës shqipe, u krijuan pas shpalljes së Republikës së Korçës në dhjetor 1916. Dardharët e Amerikës të Shoqërisë “Mbleta” në një mbledhje në vitin 1916, përcaktuan si të domosdoshme hapjen e shkollës shqipe në fshatin e tyre. Dardhari Leonidha Çika mori përsipër hapjen e saj. Në vitin 1916 ai kthehet në atdhe për të përmbushur këtë mision. Shkolla shqipe në Dardhë u hap në muajin shtator 1917 me nxënës djem dhe vajza. Një foto historike e Thimi Racit, e ka fiksuar këtë moment. Leonidha gjeti mbështetje nga dardharët e Amerikës si dhe nga patriotët shqiptarë të Korçës si Themistokli Gërmenji, etj. Shkolla e Dardhës përparoi nën kujdesin e dardharëve patriotë si Josif Pani, Kosta Isak, Thoma Zengo, Andrea Ktona, Spiro Konda, Thoma Nashi, Dr. Pandeli Gliozheni, Pero Ponari, Pandi Isak, Petro Laci, Misto Millona, Kosta Çeku, Ili Zdruli, Miti Kotepano, Adham Çeku, Kristo Ktona, Pandi Tollko, Thimi Vishnja, Misto Zengo, Petro Kotepano, Thimi Ktona, etj, që kapërxyen pengesat duke i dhënë prioritet arsimimit në gjuhën shqipe. Kosta Isaku, i shkruante Leonidhës nga Bostoni: “ Me përpjekjet e tërë shqiptarëve dhe me anën e miqve amerikanë, punët zunë të kthjellohen dhe dielli zuri të ndritë edhe për ne. Nata shkoi dhe dita nisi të shkrepë”.Leonidha e mësuesja e parë e vajzave, Julia Ndili (Tromara) e më pas Eftrepi Koçi, bënë çmos për përparimin e shkollës.

Një ngjarje e veçantë në rrugën 100 vjeçare te shkollës shqipe të Dardhës, është ajo e ndërtimit të godinës së saj të re, pasi mjedisi aktual ishte i papërshtatëshëm. Leonidha u shpjegoi situatën dardharëve të Amerikës. Shoqëria “Mbleta” me kryetar Kosta Isak dhe sekretar Thoma P. Zengo, vendosën të ndërtojnë një shkollë moderne. Ata zbrazën “qeset” e tyre me zënë e parë që u bëri Vllazëria “Mbleta”, dëgjuan zënë e çilimijve të Dardhës që dridheshin si purteka nga të ftohtit dhe dërguan 12.000 dollarë ndërsa Shoqria Dardhare “Bashkimi” e Bukureshtit, dërgoi 46.000 lei. U ngrit komisioni i përbërë nga figurat e shquara të Dardhës si Prof, Spiro Konda kryetar, Leonidha Çika sekretar dhe anëtarë Dr. Pandeli Gliozheni, Jasif Pani, Ilo Zdruli dhe Thoma Nashi. Pas një pune të madhe, shkolla përfundoi së ndërtuari në vitin 1924. Në përfundim të saj komisioni i shkruan Shoqrisë “Mbleta:”… Kush e vështron këtë monument, i mbeten sytë dhe mbetet pa gojë. Është një nuse me tel e rënë prej qielli. … Leonidha Çika, dimër e behar, natë e ditë, bëri një punë që nuk matet. Puna e tij është gjigande dhe e paçmuar”. Emigrantët dardharë kontribuan për shkollën e fshatit me urdhër të ndërgjegjes, pasi siç ka thënë Volteri :” Atdheu është vëndi ku rrobërohet shpirti”. Ndërtimi i shkollës së re në Dardhë, u pasqyrua nga gazeta “Shqiptari i Amerikës” dhe “Shqipëria e re “ në Kostancë të Rumanisë.

NJË TUFË LULE QË NUK U VENDOS…

Emri i cili u lakua më shumë në konferencën shkencore mbajtur në Dardhe si dhe në mbledhjen përkujtimore që u zhvillua në Uster, ishte ai i mësuesit të parë, Leonidha Çika. Hygoi ka thënë :” E ardhmja është në dorën e mësuesve”. Dhe mësuesi patriot Leonidha Çika, e bëri realitet këtë thënie. Nipi i Leonidhës, Arian Çika , krahas materialeve për rrugën 100 vjeçare të shkollës, më dërgoi plot të dhëna edhe për mësues Leonidhën. Ishte djali i Vangjel Çikës, i cili kishte mbaruar shkollë në Greqi dhe jepte mësim në ishullin Kos. Edhe Leonidha e bëri shkollën aty. Ai u rrit mes librave që kishte i jati. Veç greqishtes mësoi në mënyrë autodidakte edhe anglisht, turqisht e fërngjisht. Krahas kontributit për hapjen e shkollës shqipe, për ndërtimin e godinës së saj, ai është autor edhe i një pune të madhe  për hartimin e një teksti aritmetike  me 1249 faqe. Teksti  ishte ruajtur me fanatizëm nga pasardhësit dhe u publikua në këtë përvjetor. Ai u përpoq të ecte në rrugën e Mësonjtores së Parë Shqipe të Korçës dhe modelit të shkollave amerikane.

Në vitin 1924, për shkak të mbështetjes fanoliste dhe ndikimit të elementëve antishqiptarë, Leonidha pushohet nga puna. Le familjen dhe nxënësit e niset për në Amerikë me një grup dardharësh. Në vitin 1932  kthehet në atdhe dhe qëndron deri në gjysmën e parë të vitit 1934. Niset për herë të tretë në Amerikë dhe pas 7 muajsh vështirësie pas një aksidenti në dorë, vdes i varfër në moshën 54 vjeçare. Ai u përcoll për në vorreza nga shokët e tij dardharë ndërsa shërbesa fetare u krye nga Fan Noli.

Kjo ishte në vija të trasha jeta dhe kontributi i tij. Por, në këtë përvjetor të shënuar të 100 vjetorit të shkollës shqipe të Dardhës, nuk u vendos dot një tufë lule te varri i tij. Dhe kjo pasi nuk i dihet varri. Kanë kaluar shumë vite, megjithatë mendoj se varri i tij duhet të ishte gjetur, jo vetëm  në këtë përvjetor por edhe më parë. Në Amerikë ka patur e ka shumë dardharë. Në Shqipëri vepron Shoqëria Dardhare “Shpresa” ndërsa në Amerikë është Shoqëria Dardhare “Bleta”. Nëpërmjet këtyre shoqatave, nëpërmjet individëve të ndryshëm, duke bashkëpunuar edhe me Ambasadën Amerikane në Tiranë si dhe struktura të tjera në Amerikë, mund të gjendet. Është në nderin e Dardhës e të dardharëve ( dhe jo vetëm) që ta bëjnë këtë. Do të ishte një homazh për njeriun që i kushtoi mendjen dhe zemrën e tij kësaj shkolle.

DARDHARËT-MODEL  I EMIGRACIONIT

Kam përpara plot përshëndetje të dërguara nga dardharët në këtë përvjetor të shënuar të shkollës shqipe të Dardhës. Edhe këtu po shkëpus vetëm disa copëza prej tyre.

Raimonda Çika (Gjiknuri), Filadelfia, mbesa e Leonidha Çikës

-Dardharët e Amerikës, fizikisht janë këtu por mendjen dhe shpirtin e kanë aty në Dardhën e magjishme. Ata janë bijtë dhe niprit e patriotëve dardharë që punuan fort këtu në Amerikë dhe kontribuan për Dardhën e Shqipërinë. Ata kujtojnë me respekt e mirënjohje mësuesin e parë Leonidha Çika dhe mësuesit e tjerë të Dardhës. Në vendlindje janë shtëpitë tona, është shkolla, janë gëzimet e hidhërimet.

Doc. Petrit Skënde, Uster

-Djemtë e këtij fshati kryen një vepër madhështore. Ata mblodhën dhe investuan një shumë të mdhe për kohën, që të ndërtohej një vepër e madhe në fshatin e lindjes. Këta djem fshati, pa universitete dhe jo të pasur, patën një shtysë shpirtërore , një ndjenjë fisnike që shihnin rrotull tyre në Amerikë e Rumani. Kjo gjë nuk lindi vetvetiu, por mbiu nga ajo traditë që ishin edukuar në fshatin e lindjes.

Bardhyl Panolli, San Diego-Kalifornia

-Ne dardharët krenohemi se shkolla jonë ishte ndër të parat që pasoi Mësonjtoren e Parë Shqipe të Korçës. Hapja e shkollës i mbylli dyert gjuhës greke që impononte Patriakana e Stambollit. Ka mbetur proverbiale përgjigja e pleqve dardharë  ndaj një dhesppot greki cili porosiste që në Dardhë të mësohet vetëm greqisht: “Mirë hirësi të flasim greqisht, por si të bëjmë që ëndrat i shohim në shqip?!” Dardharët u bënë model i emigracionit. Ata u bënë ambasadorë të miqësisë kudo që ishin.

Artur Liolini , kancelar i kishës së Shën Gjergjit-Boston

Neka Doko, punonjëse e librarisë dhe Qendrës Kulturore “Fan Noli”

-Në këtë ditë të shënuar, kisha jonë kujton me nderim e respekt dardharët e ditur e patriotë , basahkëpunëtorë të ngushtë të Fan Nolit si Sotir Peci, Josif dhe Vasil Pani, Kosta Isak, Leonidha Çika, Ilo dhe Julia Tromara, Gaqo Konda(Gjoleka), Goni Katundi etj..Kujtojmë me nderim të paharruarën Rozi Çeku (Theohari) që ka lënë një pasuri të vlefëshme në Bibliotekën “Fan Noli”, ndërmjet të tjerave edhe për Dardhën.

Autori i shkrimit

-Fshati im, Sinica, e cila ndodhet pranë Dardhës, ka patur e ka lidhje të shumta me këtë fshat. Hapja e shkollës shqipe në Dardhë, rezatoi  në fshtrat e Devollit të Sipërm e më gjërë. Pesë vjet pas saj, u hap shkolla shqipe në Sinicë ndërsa dhjetë vjet më vonë, u hap në Arzë. Dardha e dardharët, kanë reazatuar dije e kulturë jo vetëm në zonën tonë  e në  qarkun e Korçës por në gjithë  Shqipërinë. Para dy vjetësh u ndërtua muzeu i Dardhës. Edhe në Sinicë ka nisur puna me rikonstruksionin e shkollës ku do ngrihet muzeu, punë e cila do të vazhdojë në të ardhmen

 Prof. Thanas Gjika, Uster

-Ju sot treguat kujtime të bukura nga jeta 100 vjeçare e shkollës tuaj.Po kaq e këndëshme është të jesh i bashkuar edhe në një bashkësi me përmasa kobëtare siç është Federata Panshqiptare “Vatra”, tek e cila ka dardharë si Doc. Petrit Skënde, Franklin Zdruli, etj që i janë bashkuar degës sonë këtu në Uster. Ftoj edhe dardharë të tjerë të bëhën pjesë e saj.

 Mbresa të bukura nga shkolla e Dardhës, sollën për pjesëmarrësit edhe ish nxënësit e shkollës së Dardhës, Petrika Stefani e Sotir Millona. Ata e dardharë të tjerë, përmëndën me dashuri e respekt një varg mësuesish që shërbyen në vazhdim në shkollën e Dardhës si: Sotir dhe Eftimi Niçi, Dhimitraq Kere, Sotir Vangjel Zengo, Mantho e Dhora Dono,Thoma Naço, Llazi Polena, Dhimitër Ziu, Rahmi Koçibelli, Jorgji Balli, Gaqo Balli, Vangjo Konda, Loreta Laço, Koli Skënde, Mihal Pani, Shadije Batelli dhe Donika Kere, të cilët përgatitën breza të tërë nxënësish që kontribuan në fusha të ndryshme të jetës në gjithë Shqipërinë.

VLERËSIME

Pas shfaqjes së filmit të bukur dokumentar për rrugën 100 vjeçare të shkollës së Dardhës, përgatitur nga TV “Korça”, moderator i veprimtarisë Vaskë Bruko, ndau disa çertifikata “Mirënjohje” dhe të tjera, për personat që kontribuan për 100 vjetorin e shkollës, dhënë nga Bashkia e Korçës dhe Shoqëria Dardhare”Shpresa”. Me çertifikata “Mirënjohje” u nderuan: Vangjo Konda, Shoqata “Bleta” Elvira Stefani, Stafi “Dardha org.”, Dhimitër Skënde, Sotir Millona. Me çertifikatë “Pjesëmarrje” u nderuan: Sotir Pani, Petrit Skënde, Adriana Stefani, Franklin Zdruli,  Klodi Melka, dhe Kristi Pina.

Një foto kolektive e gjithë pjesëmarrësve para flamurit shqiptar dhe atij amerikan, mbylli veprimtarinë e zhvilluar në Uster, në “Dardhën e dytë” këtu në Amerikë. Ajo u filmua dhe fotografua  nga  Ardian Murraj, i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve në Uster.

 

Tetor, 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: 100 vjetori, Fuat Memelli, i Shkolles se Pare, kujtohet ne Boston, ne Dardhe

ALI HAZBIA SALIHI: THEMELUES I FONDIT TË ARTË TË MUZIKËS POPULLORE SHQIPTARE

October 30, 2017 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/Universiteti Winthrop-Rock Hill, South Carolina-U.S.A./

1 Salihi.jpg

Prolog

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës–institucion kombëtar muzikoro-kulturor e informativo-propagandues—u arrit të themelohej ai që mund të quhet Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare.  Nga shumë pikëpamje, themelimi i një fondi të tillë, ishte, pa dyshim, një arritje e shënuar kulturoro-artistike me përmasa kombëtare!  Merita kryesore për këtë i takon Ekipit të Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës, të kryesuar nga Zoti Ali Hazbia Salihi:  Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare pranë këtij institucioni për një periudhë 32 vjeçare.  Duke funksionuar brenda Redaksisë së Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore, Ekipi i Inçizimeve Muzikore, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kishte si veprimtari kryesore të tij regjistrimin e këngëve, pjesëve muzikore instrumentore, valleve popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë.  Përsa i takon veprimtarisë, ai mund të karakterizohet pa asnjë mëdyshje si një grup solid, si një mbështetje e fuqishme për veprimtarinë e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), si një ekip punonjësish të përkushtuar, ndaj detyrave që shtroheshin.  Ekipi ishte i vogël, por vepra që ai kreu ishte me të vërtetë monumentale!

I.Pjestarët e Ekipit të Inçizimeve Muzikore

Ekipi i Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës përbëhej gjithsej nga tre punonjës të përheshëm:  Ali Hazbia Salihi (Redaktor Përgjegjës), Bedri Mara (Teknik inçizimesh), Gani Lika (Teknik inçizimesh).  Kur shkonin me shërbime në rrethe, ekipi kishte edhe një punonjës tjetër:  Ksenofon Kosta (Shoferi i makinës që përmbante aparaturën teknike regjistruese).  Ali Hazbia Salihi lindi në qytetin e Lezhës, më 13 tetor, 1941.  Pë shkak të faktorëve ekonomikë, prindërit e tij, të cilët ishin nga Shkodra, lëviznin vazhdimisht, herë në Lezhë, herë në Shkodër.  Pas çlirimit të vendit (29 nëntor, 1944), ata u vendosën përfundimisht në qytetin e Lezhës, duke qenë se ishte vend më ekonomik sesa Shkodra.  Duke pasur tetë fëmijë, Familja Salihi ishte në gjendje ekonomike bukur të vështirë.  Krahas vëllezërve e motrave të tij, edhe muzikologu i ardhshëm, do të rritej përmes vështirësive të ndjeshme ekonomike!  Pasi mbaroi Shkollën 7-vjeçare, Salihi vazhdoi Shkollën 2-vjeçare të Infermierëve, në qytetin e Shkodrës.  Me përfundimin e kësaj shkolle, fillon punë si Infermier në spitalin e qytetit të Lezhës.  Krahas punës, ai ndjek gjimnazin 5-vjeçar të natës.  Pasi mbaroi gjimnazin, vazhdoi studimet e larta pranë ish-Institutit të Lartë të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), në degën e teorisë së muzikës (1967-71).  Fiton gradën shkencore Baçelor i Arteve.

Tekniku i inçizimeve, Bedri Mara—sot në moshën 94 vjeçare–, rrjedh nga një familje e vjetër qytetare tiranase.  Duke punuar për shumë vite me radhë si teknik inçizimesh, arriti që të bëhet një specialist zëri i klasit të parë.  I qetë në punë, ai ishte vazhdimisht i papërtuar për të ndihmuar artistët popullorë që të mund të regjistroheshin në Radio e Televizion.  Mbi të gjitha, atë e karakterizonte një sjellje aq miqësore!  Tekniku i inçizimeve, Gani Lika–i cili tashmë është ndarë nga jeta–, rridhte, gjithashtu, nga një familje qytetare tiranase.  Ai do të kujtohet gjithmonë sidomos për energjinë dhe entusiazmin e veçantë që kishte në punë!  Ksenofon Kosta, shoferi i makinës që përmbante aparaturën teknike regjistruese, është me origjinë nga Përmeti, por ka lindur në Tiranë.  I ardhur nga një familje ekonomikisht e varfër, ai ishte një punonjës shembullor:  i rregullt, korrekt, i papërtuar asnjëherë!

Emërimi

Ali Hazbia Salihi filloi punë në Radio-Televizionin Shqipar (RTSH), si Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare, në muajin mars të vitit 1970.  Në një mënyrë vërtet të pazakontë, ai u emërua në këtë detyrë dy vite përpara sesa të diplomohej si muzikolog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), në vitin 1972.  Drejtuesit e Radio-Televizionit, prej kohësh, ishin në kërkim të një punonjësi të përkushtuar ndaj jetës së sotme e të ardhme të muzikës popullore shqiptare.  Duke u interesuar në ish-Institutin e Lartë të Arteve, ata mësuan se, një student i zellshëm, i dalluar e punëtor si Salihi, do të ishte pa dyshim njeriu më i përshtatshëm pë të kryer një punë të tillë.  Vetë ish-Drejtoresha e Radio-Tiranës, Zonja Nefo Myftiu, e cila gëzonte respektin e të gjithë kolektivit, në saje të sjelljes së saj dinjitoze, i njoftoi atij emërimin.  Kështu, dy emërime të mëparshme, që u bënë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës—për të punuar përkatësisht në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Burrelit dhe në Fierzë, ku ndërtohej hidrocentrali mbi lumin Drin—u shfuqizuan ligjërisht.  Me diplomimin e tij, në vitin  1972, Salihit iu dha përfundimisht detyra si Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare.

Themelues i Fondit të Artë të Muzikës Popullore Shqiptare

Si Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare pranë Radio-Tiranës, për një periudhë 32-vjeçare, Ali Hazbia Salihi ka meritën e madhe se arriti të themelojë Fondin e Artë të Muzikës Popullore Shqiptare.  Themelimi dhe pasurimi i këtij fondi ishte pa dyshim një proces i ndërlikuar, kompleks, shumë-dimensional.  Ai u bë i mundur duke punuar, për dhjetë-vjeçarë të tërë me radhë, me entergji, entusiazëm e përkushtim të pashoq.  Në ditët tona, Fondi përmban qindra e mijra krijime muzikore popullore:  këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë.  Kështu, Fonoteka u pasurua me krijime muzikore popullore nga të gjitha rrethet e vendit, si asnjëherë më parë, që nga krijimi i saj, në vitin 1938.  (Deri në vitin 1972, kur Salihi u emërua si Redaktor Përgjegjës, ajo ishte dramatikisht e varfër:  regjistrimet, më shpesh, ishin marrë nga pllaka të vjetra gramafoni, koncerte, etj.).  Përmes përmbajtjes së shëndoshë ideo-artistike, pasurisë së stileve muzikorë, nivelit të lartë interpretues e ekzekutues, etj., duke u transmetuar vazhdimisht, për gjysmë shekulli me radhë, Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pa dyshim që i ka shërbyer, midis të tjerash, forcimit të identitetit etnik të kombit shqiptar.  Për këtë arsye themelimi i tij është përshëndetur e vlerësuar që në fillim nga personlitete të artit muzikor shqiptar, studiues e krijues, si:  Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Kozma Lara, etj.

Funksione kryesorë

Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, i themeluar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ka luajtur dhe luan funksione të rëndësishëm, në jetën shoqëroro-kulturore e artistiko-shkencore, të shoqërisë shqiptare.  Midis tyre, lejomëni të përmend:

Së pari, Fondi i ka shërbyer dhe i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprimtarisë së Radio-Tiranës:  Sipas programeve të hartuara, krahas pjesëve muzikore, zanore e instrumentore, profesioniste (kombëtare e ndërkombëtare, serioze e të lehta), mikrofoni i
Radios transmetonte sistematikisht pjesë muzikore, zanore e instrumentore, popullore, të marra pikërisht nga Fondi në shqyrtim.  (Siç dihet, përsa i takon kohës, një proces i tillë, është i pandërprerë:  24 orë në ditë-natë, 7 ditë në javë, 30 ditë në muaj, 365 ditë në vit!)

Së dyti, Fondi i ka shërbyer dhe i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjithashtu, veprimtarisë së Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH):  Mos harrojmë se, në ekran, përdoret gjithmonë teknika e ashtu-quajtur super-pozim.

Së treti, Fondi i ka shërbyer dhe i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe veprimtarisë së radiove të rretheve, që kishte dhe ka Shqipëria, si:  Radio-Shkodra, Radio-Kukësi, Radio-Korça, Radio-Gjirokastra.

Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, i themeluar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ka luajtur dhe luan funksione të tjerë, jo më pak të rëndësishëm, si:

Së pari, Fondi ka shërbyer dhe shërben, si lëndë e parë muzikore, për filma të shumtë dokumentarë.  Duke vënë në qendër të tyre subjekte aq të larmishëm, ata, që të gjithë, pa asnjë përjashtim, kanë përdorur dhe përdorin si muzikë shoqëruese, pikërisht lëndë muzikore të marrë prej këtij fondi.  Midis filmave dokumentarë kushtuar bukurisë së natyrës shqiptare, pasurisë etnografike, vlerave të muzikës popullore, etj., lejomëni që, alfabetikisht, sipas titujve, të kujtoj, p.sh., filma, si:  “Anës Drinit,” “Çamëria ime,” “Dasma shkodrane,” “Folklori i Përmetit,” “Gryka e Valbonës,” “Pllaja e Kolonjës,” etj.  Ndërsa, midis filmave dokumentarë kushtuar figurave të rëndësishme të historisë dhe bashkë-kohësisë së popullit shqiptar, më lejoni që, alfabetikisht, sipas mbiemrave, të kujtoj, p.sh., filma, si:  “Aleksandër Moisiu,” “Millosh Gjergj Nikolla–Migjeni,” “Fan S. Noli,” “Arshi Pipa,” “Andon Zako—Çajupi,” etj.

Së dyti, Fondi ka shërbyer dhe shërben, si lëndë e parë muzikore, gjithashtu, për filma të ndryshëm artistikë, ndonëse vetëm pjesërisht.

Së treti, Fondi ka shërbyer dhe shërben, si lëndë e parë mbështetëse muzikore, për kumtesa, artikuj, studime, punime diplomash, etj.

Përjetësim këngëtarësh e instrumentistësh

Në përpjekjet e tij për të pasuruar Fondin e Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, gjatë një periudhe 32-vjeçare, Ali Hazbia Salihi, midis të tjerash, inçizoi edhe mjaft këngëtarë e instrumentistë të Shqipërisë e Kosovës.  Duke regjistruar zërat e tyre, këngët e tyre, motivet e tyre, ai, në një farë mënyre, i përjetësoi ata.  Lejomëni që të shprehem disi më konkretisht:  Së pari, janë përjetësuar shumë këngëtarë e instrumentistë, popullorë e profesionistë, të kësaj periudhe historike, si:  Fatime Sokoli (“Bajram Curri”);  Ndue Shyti (Pukë);  Bik Ndoja, Ibrahim Tukiqi, Naile Hoxha, Tonin Tërshana (Shkodër);  Fitnete Rexha (Tiranë);  Thabit Rexha (Kavajë);  Novrus Nure—Lulushi (Korçë);  Laver Bariu, Mentor Xhemali, Sulejman Lame (Përmet), etj.  (S’po jap emra këngëtarësh e instrumentistësh bashkëkohorë, të cilët janë të shumtë.)  Së dyti, janë përjetësuar, gjithashtu, këngëtarë shqiptarë me emër të Kosovës, si:  Nexhmije Pagarusha, Shpresa Berisha, Shpresa Gashi, Luan Hajra, Bashkim Paçuku, etj.  (Të shoqëruar nga Orkestra e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), ata kanë interpretuar, midis të tjerash, mjaft këngë popullore shqiptare.)  Së treti, gjatë Festivaleve të Fëmijve, të cilat ishin veprimtari të përvitshme, janë regjistruar sa e sa këngëtarë të vegjël, disa prej të cilëve, më vonë, u bënë artistë të njohur, etj.  Për të kryer një veprimtari të tillë, gjatë tri dekadave me radhë, është mbajtur një lidhje dhe komunikim i vazhdueshëm, me krijuesit dhe interpretuesit, e të gjithë rretheve të vendit.

Sektori i Kasetave dhe Video-kasetave

Për të plotësuar kërkesat e shumta që kishin dëgjuesit dhe amatorët e muzikës popullore shqiptare, pas viteve 1980-të, pranë Radio-Tiranës, u krijua i ashtu-quajturi Sektori i Kasetave, dhe, më vonë, Sektori i Video-kasetave.  Në Sektorin e Kasetave, i cili plotësoi sidomos kërkesa të emigrantëve shqiptarë anembanë botës, u punësuan pesë veta.  Duke qenë se shitja e kasetave bëhej kundrejt një çmimi të caktuar, institucioni fitonte të ardhura.  Megjithse duket e tepërt, sërish e ndjej të nevojshme të vë në dukje se, e tërë lënda muzikore e kasetave, merrej nga Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare.

Vështirësi dramatike

Regjistrimi i këngëve, pjesëve muzikore instrumentore, valleve popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë, ka qenë, ndër vite, një punë mjaft e ngjeshur, e madhe, voluminoze.  (Jo rastësistht, punonjësit me përvojë të radiove, thonë:  “Fizikisht, mikrofoni është shumë i vogël, por, në thelb, ai është një ‘kuçedër’që nuk ngopet asnjëherë!”)  Për të arritur në kohë programet e planifikuara të Radio-Tiranës, herë-herë, punohej me orar të zgjatur, deri në orët e para të agimit!  Intensiteti i punës rritej sidomos në raste veprimtarish të ndryshme muzikoro-artistike–lokale, kombëtare, ndërkombëtare–, si:  festivale, takime, konkurse, dekada maji, etj.  Shpesh, sidomos në rrethe, regjistrimet bëheshin në kushte të vështira, ose mjedise të papërshtatshme, të cilat mund të ndikonin në cilësinë e tyre, si:  vatra kulture, shtëpi kulture, shkolla, biblioteka, etj.  Pastaj, edhe pajisjet teknike të asaj periudhe, ishin të vjetëruarua e të amortizuara!  Me gjithë vështirësitë dramatike, që mund të haseshin, për të arritur nivelin e dëshiruar të regjistrimit, bëheshin gjithmonë përpjekje të mëdha!  Ndërkohë, lindnin edhe shqetësime, vështirësi e probleme të një natyre tjetër.  Nëse, p.sh., për arsye objektive, nuk  mund të plotësohej kërkesa e ndonjë rrethi për të regjistruar grupet folklorikë të tij brenda një periudhe kohe të caktuar, atëherë, një letër me frymë të thellë qortuese, i nisej menjëherë ish-Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë!  Një letër me të njëjtën frymë, dërgohej pa vonesë, edhe nëse një këngë shumë-zërëshe labe, e cila ishte 13 minuta e gjatë, transmetohej disi e shkurtuar, etj., etj.!  Mjerisht, raste të tillë, nuk ishin të paktë!

Pasoja shëndetësore

Të gjithë njerëzit që punojnë me orar të zgjatur në studio inçizimesh, me kohë, nisin të kenë pasoja të tilla shëndetësore, si:  dëmtimi i aparatit të dëgjimit, spondyloartroza, prostati.  Me këtë rast, duhet nënvizuar se, si rregull, për të kapur mangësitë e inçizimeve muzikore, përsa u takon dukurive, si:  intonacioni, metri/ritmi, shqiptimi, ngjirjet, zhurmat, etj., volumi i dëgjimit duhet medoemos që të rritet në nivele të mëdha, deri në 10 herë më shumë, në krahasim me volumin e dëgjimit normal!  Kështu, dëmtohet në mënyrë të veçantë aparati i të dëgjuarit!  Mjekët i quajnë pasojat e mësipërme shëndetësore si diagnoza profesionale.  Sa më shumë që kalon mosha, aq më kritike bëhen ato!

II.Inçizime muzikore në Radio-Gjirokastra

Në majin gusht të vitit 1975, për arsye thjesht politike, mua më shpërngulën nga Tirana, megjithse, para një viti, isha emëruar zyrtarisht si pedagog, pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  Ndonëse u emërova thjesht si Organizator i Punës Kulturore në fshatin Sinanaj–qendër administrative e zonës së thellë etnografike të Lopësit (Tepelenë)–, duke qenë i diplomuar si etnomuzikolog, unë doja që, këngët, pjesët muzikore instrumentore, vallet popullore lopësiote, etj., të bëheshin të njohura në rrafsh zonal, krahinor e kombëtar.  Por si do të mund të përmbushej vallë një dëshirë e tillë?  Pas një pune sistematike një-vjeçare, grupet folklorikë të zonës së Lopësit, arritën që të kenë një repertor muzikor relativisht të pasur.  Rrjedhimisht, u bë e mundur, që, në muajin prill të vitit 1976, ata të inçizohen në Radio-Gjirokastra.  Në saje të punës aq profesionale të redaktorit muzikor, Zotit Dhimitër Jovani, vetë i diplomuar si këngëtar pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), mjaft këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore lopësiote, etj., tashmë u bënë pjesë e fondit muzikoro-kulturor të këtij institucioni.  Inçizimet muzikore në Radio-Gjirokastra përbënin, sigurisht, një ngjarje të shënuar artistike, për popullin e zonës së Lopësit në përgjithësi dhe artistët popullorë lopësiotë në veçanti.  Eshtë me të vërtetë e vështirë për mua që të përshkruaj gëzimin e tyre, kur, përmes valëve të Radio-Gjirokastrës, ata dëgjonin krijime muzikore të zonës …!

Tundu, o mali i Gribës:  Radio-Tirana zbret në Lopës

Ndonëse u gëzova pa masë për inçizimet muzikore që u bënë në Radio-Gjirokastra, unë ëndërroja se, një ditë, këngët, pjesët muzikore instrumentore, vallet popullore lopësiote, etj., do të regjistroheshin edhe në Radio-Tirana.  Qartësisht, një detyrë e tillë ishte shumë më e vështirë sesa e para:  i)  repertori muzikor duhej që të pasurohej;  ii)  niveli artistik i intepretimit dhe ekzekutimit, po ashtu, duhej që, brenda mundësive, të lartësohej;  iii)  pastaj, si do të mundnin vallë grupet folklorikë të zonës së Lopësit, numri i pjesmarrësve të të cilëve ishte i madh (rreth 25 vetë), që të shkonin në Radio-Tirana?!  Çështje të tilla ishin të vështira për t’u zgjidhur!  Nëse dy çështjet e para vareshin nga unë, çështja e tretë—vendi i inçizimit—qëndronte jashtë kontrollit tim.  Duke punuar sistematikisht për muaj të tërë me radhë, si çështja e pasurimit të repertorit muzikor, ashtu edhe ajo e lartësimit të nivelit të interpretimit e ekzekutimit, sipas mendimit tim, pak a shumë, ishin arritur.  Tashmë mua më shqetësonte vetëm çështja e tretë:  vendi i inçizimit. Pasi u mendova me ditë e javë të tëra, më në fund, vendosa që, për këtë çështje, t’i drejtohem pikërisht Zotit Ali Hazbia Salihi:  Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare pranë Radio-Tiranës.  Gjatë bisedës telefonike, Zoti Salihi më tha se nuk do të ishte e nevojshme që grupet folklorikë të zonës së Lopësit të shkonin në Radio-Tirana.  Ai më premtoi se do të veprohej në një mënyrë më të përshtatshme:  Ekipi i Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës, në një të ardhme, mund të vinte vetë në Lopës.  Kur dëgjova fjalët e tij, gëzimi im ishte i madh!  Por as habia ime s’ishte më pak e vogël!   Ndodhi pikërisht ashtu siç më tha Zoti Ali Hazbia Salihi:  Në datën 16 maj, 1977, Ekipi i Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës, mbrriti në Sinanaj.  Dita e ardhjes së këtij Ekipi do të mbetet e paharruar në kujtesën e artistëve popullorë lopësiotë:  të veshur me rrobat e tyre më të bukura, me entusiazëm të paparë, ata ishin të gatshëm që të shfaqnin aftësitë e tyre muzikore interpretuese e ekzekutuese.  Inçizimet u bënë në mjediset e Shkollës 8-vjeçare dhe të Mesme.  Këngëtarët, instrumentistët, valltarët popullorë, me durim, pritën orë të tëra që të inçizoheshin.  Procesi i regjistrimit vazhdoi rreth 6 orë.  Ai ishte, sa i gjatë, aq edhe emocionues!  Sidoqoftë, në këtë ditë, u arrit një ëndërr e vërtetë:  mjaft këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore lopësiote, etj., tashmë u bënë pjesë e fondit muzikoro-kulturor kombëtar.  Vetëm disa ditë më vonë, Radio-Tirana nisi që t’i japë ato në programe të ndryshme me muzikë popullore nga krahina të ndryshme të vendit.  Populli i zonës së Lopësit në përgjithësi dhe artistët popullorë lopësiotë në veçanti u ndjenë me të vërtetë krenarë, këtë radhë, për artin e tyre muzikor, deri tani të panjohur.

Regjistrime në Radio-Televizionin Shqiptar

Në majin mars të vitit 1984, grupet folklorikë të zonës së Lopësit, shënuan një ngjarje tjetër të rëndësishme artistike:  arritën që të regjistrohen në Televizionin Shqiptar.  Këtë herë, ishte redaktorja muzikore, Zonja Marita Zykaj, njohëse e mirë e muzikës popullore labe, e cila drejtoi regjistrimet.  Kështu, duke e parë veten edhe në ekran të televizorit, artistët popullorë lopësiotë, për herë të parë në jetën e tyre, u ndjenë me të vërtetë të vlerësuar në mjedisin shoqëror bashkëkohor!

III.Nënvlerësim, nënçmim, përbuzje e muzikës popullore

Ali Hazbia Salihi, me keqardhje, trishtim e përmallim, vëren se, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, Redaksia e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore pranë Radio-Tiranës, nuk kujdeset sa dhe siç duhet ndaj muzikës popullore shqiptare.  Tashmë Fonoteka e këtij institucioni nuk pasurohet më me këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë.  Hollë-hollë, ndaj muzikës popullore shqiptare në përgjithësi, në plan teorik, mjerisht, sikur vërehet një lloj nënvlerësimi, nënçmimi, përbuzjeje!  Ndërkohë, në rrafsh praktik, mjerisht, muzika popullore shqiptare, nuk nxitet më, nuk regjistrohet më, nuk transmetohet më!  Në ditët tona, nëse gjenden inçizime të muzikës popullore shqiptare, ato e kanë burimin vetëm në studio private.  Regjistrime të tilla bëhen pa asnjë lloj kontrolli artistik, pa asnjë lloj përgjegjësie profesionale, pa asnjë lloj standarti nga çdo pikëpamje!  Brenda melodikës së tyre, mund të ndihen lehtësisht intonacione të huaja, herë-herë sllave, herë-herë orientale!  Kurse tekstet poetikë, më të shumtën e radhës, janë të një niveli artistik dramatikisht të ulët, për të mos thënë tërësisht vulgar!  O tempora!  O mores!  Ndërkohë, shtete të tjerë ballkanikë, si:  Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Bullgari, Rumani, etj., duket sikur i kushtojnë një vëmendje më të madhe sesa Shqipëria, muzikës së tyre përkatëse popullore!

Dixhitalizimi i muzikës popullore

Në ditët tona, Ali Hazbia Salihi, me të drejtë, ndihet i shqetësuar sidomos për fatet e Fondit të Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, pikërisht të asaj pasurie që ai themeloi e pasuroi duke punuar me energji, entusiazëm e përkushtim të madh për 32 vite me radhë.  Ai shprehet se, Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), Zoti Thoma Gëllçi, ka treguar vëmendje ndaj Fonotekës së Radio-Tiranës.  Për të ruajtur cilësinë e shiritave muzikorë, tashmë është siguruar ajri i kondicionuar!  Duke e përshëndetur këtë dukuri, dihet se, jetë-gjatësia e Fondit mund të sigurohet vetëm përmes procesit të dixhitalizimit.  Dixhitalizimi i muzikës popullore–ekzistenca e saj në gjendje elektronike—vjen si një kërkesë themelore për ruajtjen e përjetshme të saj.

Pension i posaçëm

Ndonëse jetoj larg Mëmëdheut, përmes shtypit elektronik shqiptar bashkëkohor, unë kam vënë re se, Qeveria Shqiptare, herë pas herë, iu ka dhënë atë që quhet pension i posaçëm mjaft përfaqësuesve të shquar të artit, shkencës, kulturës, sportit, etj.  Sipas vlerësimit të Qeverisë Shqiptare, tërë këta njerëz, aq të ndryshëm përsa u takon profesioneve të tyre, i bashkon një dukuri themelore:  ndihmesa e veçantë në dobi të kombit shqiptar.  Nga sa parashtrova në këtë artikull, me bindje të thellë, më lejoni të shprehem se:  Ali Hazbia Salihi, njeriu puntor e pa asnjë lloj pretendimi, duke themeluar Fondin e Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në mënyrë fare të natyrshme, e meriton që të qëndrojë midis njerëzve, të cilët gëzojnë të ashtu-quajturin pension i posaçëm, nga ana e Qeverisë Shqiptare.

Epilog

Sa më të vegjël të jenë kombet, popujt, ose grupet etnikë, aq më shumë duhet që të përpiqen për të ruajtur e forcuar identitetin e tyre etnik.  Ashtu sikurse Fototeka “Marubi” e qytetit të Shkodrës konsiderohet me të drejtë si një pasuri me rëndësi historike, artistike e kulturore kombëtare, po kështu, edhe Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, mund dhe duhet konsideruar si një arkiv i veçantë kombëtar me vlera të pazëvendësueshme artistike e kulturore.  Përkrah tyre, qëndrojnë, pa dyshim, arkiva të tjerë, midis të cilëve lejomëni të përmend:  Arikivin e ish-Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit), Arkivin e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit (TKOB), etj.  Një pasuri e tillë kombëtare mund dhe duhet që të dixhitalizohet sa më parë që të jetë e mundur.  Procesi i dixhitalizimit duhet të përfshijë, pa humbur kohë, edhe veprat më të shquara të muzikës profesioniste shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.Ali Hazbia Salihi, themelues i Fondit të Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ëndërron vetëm për tri çështje:  së pari, që, teorikisht, muzika popullore shqiptare, të mos nënvlerësohet, të mos nënçmohet, të mos përbuzet;  së dyti, që, praktikisht, muzika popullore shqiptare, të ketë statusin e saj të merituar në jetën e sotme e të ardhme të shoqërisë shqiptare, krahas muzikës profesioniste dhe asaj amatore;  së treti, që, Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, të dixhitalizohet sa më parë!  Eshtë rasti të kujtojmë se, muzika popullore shqiptare, ka qenë, është, dhe do të vazhdojë që të mbetet në shekuj, si element i pazëvendësueshëm i identitetit etnik të kombit shqiptar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ALI HAZBIA SALIHI: THEMELUES I FONDIT TË ARTË, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, TË MUZIKËS POPULLORE

ME MJESHTRIN MIRUSH KABASHI NË VATËR

October 29, 2017 by dgreca

1 dera ok vet Mirush-Përulem me respekt para këtyre burrave, që sakrifikuan dhe bënë gjithka për të bërë Shqipërinë….2 Mirushi ok

-Mirenjohje VATRES Shqiptare, – tha Mjeshtri Mirush Kabashi, pasi vizitoi Shtëpinë e Vatrës, ku u njoh me historinë 105 vjeçare të Vatrës dhe 108 Vjetorin e Gazetes me te vjeter te Botes Shqiptare, “DIELLI”.1 Mirushi
I shoqëruar nga sekretarja e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA , Nazo Veliu, aktori u ndal pranë çdo stende dhe preku historinë e vatranëve dhe Vatrës, me fushatat e mëdha të Vatrës për të shpëtuar Shqipërinë, siç ishte ajo e 3 Qershorit 1917, ndërmjetësimi pranë Presidentit Wilson për të shpëtuar Pavarësinë e Shqipërinë, Fushata e Huasë kombëtare për të shpëtuar shtetin shqiptar nga falimentimi financiar, vendosja dhe financimi i shërbimit diplomatik në Europë dhe SHBA, marrja e funksioneve të Shtetit prej Vatrës, në kohën e shtetit të vdekur shqiptar, fushata e te shtypurit librat shqip për shkollat e Shqipërisë, dërgimin e Trupave Vullnetare të Vatrës në Shqipëri për të siguruar kufijtë Jugorë të Shqipërisë, Dërgimin e Bandës muzikore të Vatrës në Shqipëri , përpjekja që bën sot Vatra për ruajtjen e kulturës, traditave dhe gjuhës shqipe përmes shkollave shqipe etj.

2 Tek darka
-Kjo është një Histori e gjallë me shumë vlera Kombëtare, që njihet pak në Shqipëri, tha artisti Mirush Kabashi, gjatë vizitës së Tij në Vatër të enjten me 27 tetor 2017.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Mirush kabashi, visitor Vatren

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT