• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

Vjenezi qi solli traditen e këpucëve në Shkoder

October 15, 2017 by dgreca

Kushtue familjes Ingrisch, mjeshtrave të këpucës që erdhën nga Austria./1 Shtjef Ingris nga Ndoc Martini 1901ok                                                                          Shtjefën Ingris nga Ndoc Martini 1901

Nga Pjeter Logoreci –Vjenë/2 deshmi pagezimi

Në Foto:Dëshmi e Pagëzimit/Shpesh herë, për me fillue nji kërkim ose shkrim me temë historike, zakonore apo për ndonji përsonazh, për të cilat lexuesi tregon interesë, kam marrë shkas prej informacioneve të vlefshme, shënimeve  përsonale apo kujtimeve të udhëtarëve e kërkuesve të ndryshëm, që kanë shetitun e njoftë mirë shumë krahina të Shqipnisë, ku kanë ba nji eksperiencë të pashoqe dijesh. Tuj kenë se, jam banues dhe qytetar i Vjenës, si dhe njohës i mirë i lidhjeve e kontributit të Austrisë në Shqipni, u ndala me kuriozitet dhe interes me lexue disa rreshta të atdhetarit At Gjon Karma, që permbajnë të reja nga kërkimet e tija nder male të veriut, të cilat i ka mbledhë në një libër me titull – NDER MALET TONA.3 Familja Shtjefen ingris 1

Në Foto: Family e Shtjefën Ingris/

Ndërsa për studiuesin Karma, shkrimi i tij – KPUCET ME LASTIKE NE SHKODER – ka sjellë nji “histori interesante” të ndodhun në qytetin e Shkodres; mue, ky shkrim, më nxiti kuriozitetin për të ndjekë më në detaje këtë ndodhi, që të njoh historinë e një prej familjeve më të njohuna të këtij qyteti, kryefamiljari i të cilës ka ardhun në Shkoder në fillimet e shekullit të 19-të, nga kryeqyteti i  perandorisë së fuqishme Austro-Hungareze, Vjena.4 Komuna GroBkrut Aust 1917

Në Foto: Komuna GroBkrut në Austri- 1917/

At Gjon Karma kujton:”…heret, edhe në Shkoder, të gjithë kan pasë mathë kpucë të kuqe, të gjana si me kenë lundra. Në kohë të Vezirit qet rruga në Shkoder nji kpuctar prej Vjene, emni Tef Ingris, nisë për Palestinë me krye nji  kusht te Vorri i Krishtit. Kishte me veti nji strajcë plot me vegla kpucësh e kurrgja tjetër. Kahë nuk ka në Shkoder bujtore, del në Gjuhadol e trakllon në derë të Ton Shirokës, pa njohtë pa dijtë, e lutet m´e lanë mbrendë. Në nadje Ton Shiroka e përciellë tu Veziri për me xjerrë leje me vijue udhtimin. Kahë shkojnë rrugës, ndeshen në Filip Cekën qi i pëvetë: Kush â ky mik, Ton? E kahë jeni nisë me shkue?

5 shtjefen Ingris i Riu

Në Foto Shtjefën Ingris i Riu/

Asht nji mik prej Vjene, kpuctar, nisë për Palestinë me krye nji kusht, e po shkojmë te Veziri për leje udhtimi.Filipi bahet me ta e të tre bashkë shkojnë te Veziri. Të ndimen Veziri se asht kpuctar (kundraxhi) siellet e i thotë Tefës: Kushtin ke kur e kryen; rri nja tre muej në Shkoder e m´i godit ushtris kpucë me lastikë, sikur i kan ndër dhena të përjashtme. Un kam me të dhanë hak të mirë, e me ato të holla ke me udhtue për Palestinë ma vonë.Tefës i mbushet mendja edhe pa tjetër ndalet në Shkoder, i punon kpucët ushtris për faqe të bardhë, mandej niset e shkon në Palestinë me krye kushtin e vet. Mbasi shkon tu Vorri i Krishtit, kthen prep e ngulë në Shkoder, kahë i ishte pelqye, e nisë me punue kpucë me lastikë për popull. Atë ditë e mbrapa filluen m´u lanë mbas dore prej shumkuj kpucët e kuqe e m´u mathë kpucët (kundrat) me lastikë. “

Kush ishte austriaku Stephan Ingrisch?

Në nji dokument të familjes, nxjerrë prej  Librit të Pagëzimeve të Famullisë së Shkodres, të datës 23 qeshor 1846, Stephan Ingrisch ose sic e thirrshin shkodranët Shtjefen Ingris, figuron qi ka lindë me 1 shkurt 1809 në Althöflein  të Austrisë, një komunë me rreth 450 banorë (sot), rreth 55 km distancë nga Vjena. Kjo tregohet edhe në dokumentin e lëshuem nga Famullia e Grosskrut në Austri, ku vërtetohet qi Shtjefen Ingris asht pagëzue aty dhe qi familja Ingrisch (Ingris) më vonë u vendos në Vjenë. Qysh në rini Shtjefen Ingris, në vendin e lindjes së tij ushtronte zanatin e këpuctarit, të cilin e trashigoj nga i jati Josefi. Ato qi e njoftën tregonin, qi ai u largue nga Austria për ti shpëtue marrjes ushtar dhe u vendos në Trieste ku përpiqej me ndertue nji tregëti të vogël lëkurash, të cilat familja e tij i prodhonte dhe i përpunonte vetë, tuj kërkue kontakte edhe me tregëtar të tjerë jashtë kufijve të Austrisë. Ndodhi qi gjatë një udhëtimi si pelegrin, për me vizitue Vorrin e Krishtit në Tokën e Shejtë, për ti shpëtue motit të keq dhe furtunës, anija me të cilën udhëtonte Shtjefni, u ndal në portin e  Shëngjinit. Ndërsa pritshin qi moti i vështirë dhe deti të qetësohej, Shtjefni vendosi të vizitonte qytetin e Shkodres. Kishte ndigjue shumë për këtë qytet, qi ishte një qendër e randësishme tregtare prej ku lulzonte tregtia me shumë vende të rajonit dhe për Shtjefnin mund të ishte një rast  i mirë për me krijue kontakte me tregtarët vendas.

Në artikullin “ Edhe një vepër e Ndoc Martinit” të piktorit të njoftun Kujtim Buza, në gazetën Drita të datës 10 prill 1983, në mes të tjerash autori shkruen: “…në Shkoder, (Shtjefni), meqë ishte zanatci i mbaruar, këpucar, merret vesh dhe zgjon interesim. Thirret nga Pashai i Shkodres, i cili i porosit kundrra sipas modelit që punonte ustai. Pashait i pëlqyen dhe i kërkoi tua mësonte zanatin të tjerëve. Shtjefni pranoi. Ndërkohë e bindin të qëndrojë dhe të martohet me një shkodrane….”

Sic tregon At Gjon Karma ma sipër, takimi me Vezirin i ndryshoj Shtjefnit drejtimin e jetës. Ai pasi pranoj ofertën e punës të zyrtarit të naltë turk, ju përvesh punës për me prodhue kepucët për të gjithë ushtarakët turq, tue hapë punishten e tij, ku për me perballue kërkesën e madhe, punësoj edhe disa shegertë. Për nji kohë të shkurtë, Shtjefni u miqësue me popullin e Shkodres prej të cilëve njihej si  “Mjeshtri Vjenez”. Ai ishte njeri i urte, dhe me ide perparimtare e laike. Krahas punës me “kundrat” ai filloj të punonte me kambengulje për me mësue gjuhen shqipe. Ndërkohë ai martohet me Antonian, vajzën e Ndoc (Ton) Shirokës qi ishte bir i një familje qytetare shumë të njohtun shkodrane. Ndoci, i cili ishte kontakti i parë i Shtjefnit në Shkoder, e pat pranue atë në shtëpinë e tij dhe e pat trajtue si pjestar të familjes. Nga cifti Shtjefen e Antonia (Tonja) lindën gjashtë fëmijë, tre djelm e tri vajza: Gjoni, Katerina, Francesku, Angjelini, Roza dhe Amalia. Prej tre djemve te vjenezit Ingris, Gjoni dhe Francesku u martuen, ndersa Angjelini vdiq beqar.

Duhet thanë që Shtjefni në mes të klientëve, që ishin edhe miq e shokë të tij, pat edhe figura të njoftuna të qytetit. Mund të përmendi këtu miqësinë e tij me piktorin shumë të njohtun Ndoc Martini, prej të cilit ka edhe nji portret me laps karboni. Portreti i vjenezit Shtjefen Ingris, qi u gjet në familjen Ingris në Shkoder, sipas piktorit Kujtim Buza, asht i punuem me një teknikë të vecantë të panjohun deri atëherë, në letër vizatimi me dimensione 40 x 50 dhe i perket vitit 1901. Mbasi veprat e piktorit Ndoc Martini janë të pakta, me kambënguljen e Kujtim Buzës, ky punim u dërgue për ekspozim në galerinë e arteve në Tiranë, ku ndodhet dhe sot.

Shtjefen Ingris – i riu

Një figurë tjetër e randësishme e familjes Ingris, që trashigoj mjeshtrinë, sharmin dhe famën e gjyshit, të cilit i mori edhe emnin, ishte SHTJEFEN Gjon INGRIS, Shtjefni i dytë ose i riu, i cili edhe pse i martuem nuk la trashigimtarë. Shtjefni i ri, vazhdoj trashigiminë e familjes, tue i dhanë nji hov të ri zejtarisë në prodhimin e këpucëve. Ai mbasi mbaroj filloren dhe shkollen tregtare në Shkoder, vazhdoj mesimet për mekanik në Itali / Venecia, ku punoj si mekanik në kantierin e portit detar. Shtjefni fliste dhe shkruante mirë në italisht, frengjisht e gjermanisht. Ai u kthye në atdhe për me vazhdue, mbas të atit Gjonit, drejtimin e punishtes së këpucëve. Në historikun e lëvizjeve demokratike në Shkoder, emri i Shtjefen Ingris – i riu, qysh në moshen 20 vjecare ishte shumë aktiv dhe njihet si themeluesi (së bashku me një grup veprimtarësh dhe shokësh) në vitin 1902,  të grupimit të parë të organizuem të zejtarëve me emnin “SHOQNIA NDIHMETARE”, qi ishte shkëndija e parë e një levizje të organizueme sindikaliste. Ky grupim zejtarësh dhe patriotësh shkodranë, ndër to: Gjon Gajtani (kpuctar), Lazer Gurakuqi (shkrues), Kol Maca (fotograf), Kol Bianku (kovac), Pashko Toska (marangon), Gjon Nika (kovac), Gaspër Ashta (kovac), Shtjefën Ingris (kpuctar), Mati Logoreci (msues), etj, organizuen kremtimin e festës së 1 Majit, për të parën herë në Shqipni, në vjetin 1905.

Mbas shpalljes së pamvarsisë, me fillimet e para të shtetit shqiptar në vitet 1913 – 1916, Shtjefën Ingris i riu ishte një sindikalist i njohtun dhe inisiator i organizimit të zejtarëve dhe punëtorëve, tue reformue Shoqninë Ndihmëtare, tue përfshi në këtë lëvizje shumë elementë të ri përparimtar. Ai i organizonte mbledhjet e shoqnisë së punëtorve, të komisionit organizator, në shtëpinë e tij. Me rritjen në numër të anëtarve të Shoqnisë Ndihmëtare të Punëtorve, u  ndie nevoja e krijimit të nji statuti apo rregullorje dhe nji programi afatgjatë. Për këtë, rreth 400 anëtar të Shoqnise u mbodhën në nji nga klasat e shkollës “Parruca” në Shkoder dhe aprovuen statutin / programin e tyne. Duhet theksue që në program u vendos pranimi i anëtarëve pa dallim feje, ndërkohë që në Shkoder populli ishte i percarë.

“Punëtoria e Shkodrës, tue pa se nevojat e tyne bahen ditë për ditë ma të mdhaja, e se gjithnji si zanatet si puntorët janë në teposhte, njohim punë fare njerzore e qytetnore me u mbledhë në nji shoqni ndihmëtare të puntorisë, per me u ba ballë së bashku të vështirave të jetës, e me permirsue gjendjen e vet si ekonomikisht si moralisht, tue i dhanë doren shoqishojt në tana mjetet e mënyrat që të munden”. Kështu fillon Statuti / Rregullorja e Shoqnisë Ndihmëtare të Puntorëve, një eveniment shumë përparimtar për kohën.

Statuti i Shoqnisë ishte një kod i vërtetë pune, për mbrojtjen e punëtorëve:

Art. 1 – Asht ngrehë ndërmjet të puntorive të Shkodrës nji shoqni me emën “SHOQNIJA NDIMTARE E PUNTORISE SE SHKODRES”, me këto qëllime:

Art. 2 – Me i ndihmue shokve të vet, ndër rasa qi smuhen ose vriten tue punue, ashtu qi mos ti mungojë mjeksia e barnat.

  1. Me ngrehë ma vonë, kur financa të gjindet e zoja, nji kashe uhaje për me mujte me i ba ball të vështirave ndër rreziqe.
  2. Me pasë nji zyrë të veten, për me mujtë me gjetë e me vendue në punë.
  3. Me i dhanë shkas istrutionit e qortimit të shokve e fmive tyne, për me u përmirsue si zanatë, si tanë gjendja e mbarë puntorisë.

Të gjithë anëtarët e Shoqnisë, numri i të cilëve u rrit në 800, u paisën me triskat e Shoqnisë dhe merrshin pjesë aktive në organizimet e ndryshme shoqnore. Aktiviteti sindikalist i Shtjefnit vazhdoj deri sa doli në pension. Për ta nderue veprën e aktivitetin e tij, ai u ftue dhe u vendos në vend nderi në Kongresin e parë të Sindikatave Shqiptare. Vdiq dhe u përcoll me nderime, nga i gjithë populli i Shkodres, në vitin 1956. Në kremtimin e 50 vjetorit të Pamvarsisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroj Shtjefen Ingris / të riun,  me URDHERIN E LIRISE të Klasit III-të, për veprimtari patriotike.

Si pioner, qi bani hapat e parë për organizimin e punëtorëve, emni i Shtjefnit zen një vend nderi në historinë e krijimit të lëvizjes punëtore në Shqipni. Në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” të autorit S. Adhami shkruhet: ….

“Qysh në 1902, Shtjefni me shokët e vet themeloi “Shoqërinë e punëtorëve” që kishte karakterin e një shoqërie ndihmëtare të punëtorëve. Të gjitha shoqëritë e tjera punëtore që u formuan me vonë, ashtu edhe grevat e aktivitetet e tjera që u zhvilluen në mënyrë t´organizuar nga elemente më të përparuar të klasës punëtore të Shkodres, janë të lidhura me emrin e Shtjefën Ingris-it.”

Sot, familja Ingrisch / Ingris, e ardhur nga Austria rreth 200 vjet ma parë, asht ndër familjet e njohuna, të nderueme dhe me kontribut të madh për  Shkodren.

Vjene, me 3.10.2017

Filed Under: Featured Tagged With: ne shkoder, Pjeter Logoreci, qi solli traditen e këpucëve, Vjenezi

Maqedonia voton për pushtetin e ri lokal

October 15, 2017 by dgreca

1 Maqedonia votonNga Isuf Kadriu/ Në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare.Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3480 vendvotime.Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur.Zgjedhjet organizohen dhe realizohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, cili ka bërë thirrje për proces demokratik zgjedhor.“KSHZ-ja kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, nga administrata zgjedhore, partitë politike, qytetarët, që të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Qytetarët presin nga KSHZ-ja dhe nga administrata zgjedhore të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike, të cilat janë kusht për përparim të mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Beteja kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit.

Dy partitë forcat i kanë përqendruar në Shkup, që përbën thuajse gjysmën e trupit zgjedhor, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

Tek partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar edhe ajo në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

Gara kryesore mes partive shqiptare zhvillohet për Çairin (komunë e Shkupit), Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe rreth dhjetë komuna tjera rurale. Në Kërçovë nga partitë shqiptare merr pjesë vetëm kandidati i BDI-së pasi partitë tjera janë tërhequr nga gara për të mos rrezikuar siç kanë thënë këtë që të humbet nga shqiptarët.

Zgjedhjet zhvillohet në dy rrethe zgjedhore, por ato mund të përfundojnë edhe me një rreth nëse ndonjëri nga kandidatët fiton mbi 50 për qind të votave, në të kundërtën dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në rrethin e dytë që mbahet pas dy javëve.Procesi zgjedhor mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendor dhe afër 400 të huaj. Numrin më të madh të vëzhguesve e ka asociacioni qytetar “Most”, rreth 2500 që do të mbulojnë 50 për qind të vendvotimeve.Procesi zgjedhor do të zhvillohet nën masa të shtuara të sigurisë. Nga Ministri e Punëve të brendshme kanë bërë të të ditur se të gjithë 3840 vendvotimet do të ketë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.Rezultatet e para nga votimi i sotëm pritet të publikohen nga mesnata, por përpunimi i tyre bazuar nga ciklet e kaluara zgjedhore zhvillohet në formë elektronike dhe çdokush ka mundësinë që drejtpërdrejt në faqen e internetit të KSHZ-së të ndjek shpalljen e rezultateve varësisht përpunimit të të dhënave që arrijnë nga qendrat e votimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Macedonia, Voton sot

Jemi bërë “koloni” e grabitqarëve në shtetin tonë ?!

October 15, 2017 by dgreca

1 Skender Mulliqi

Nga Skënder MULLIQI/ Kemi pritur që të zhvillohemi shumë më shpejt. Me të drejtë shumica kan menduar së Kosova do bëhët pa vonuar shumë një Zvicer në Ballkan.Kemi menduar së do të bëhëmi vend ku nuk do të ketë kaq  shumë deferenca të mëdha shoqërore. Ku nuk do të këtë varfëri , ku nuk do të ketë njerëz duke jetuar më keq së kafshet në këtë fillim shekull.Kemi menduar së pasi që të pavarësohemi nga Serbia do shtohet dashuria dhe respekti për njeri –tjetrin , së do të kemi solidaritet dhe unitet më shumë së kurrë më parë.Të gjitha këto dhe shumë qka tjeter po tretët si flluskë sapuni.Kemi mbetur vendi I vetëm I izoluar në Evropë, kemi mbetur mbrapa të gjithë fqinjëve tanë në proceset zhvillimore  dhe integruese .Madje ,jo vëtem që gjindemi në status- kuo por edhe kemi  procese retrograde.Kemi tendeca të kthimit të sistemit komunist të kompremetuar dhe dehumanizues.Për shumë kohë shqiptarët u sunduan nga regjimet fashizoide serbe të cilët u përpoqën më të gjitha forcat të na shlyejnë si popull nga faqja e dheut. Qëndruam stiokisht para të gjitha sfidave jo të vogla duke ruajtur identitetin kulturor , duke ruajtur gjuhën dhe qenjën tonë kombëtare.E mbijetuam edhe regjimin profashist të Sllobodan Milosheviqit.E fituam pavarësinë dhe lirinë pas 90 viteve të okupimit klasik nga Serbia.Pavarësinë e paguam më qmimin  shumë të shtrejtë.Më së shumti na ndodhën vrasje masovike duke mbrojtur vendin tonë , duke mbrojtur vlerat tona  historike  e kombëtare , duke mbrojtur tokat tona stërgjyshore.E gjithë kjo e patë qmimin e lartë .Pavarësia dhe liria ishte opcioni I vëtem për ta hequr qafe Serbinë hegjemoniste nga qafa, por jo edhe synimi përfundimtarë I shqiptarëve .Qëllimi I të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë është bashkimi I trojeve etnike, padrejtësisht të ndara nga fuqitë e mëdha të kohës më konferenca të ndryshme .Bashkë më miqët tanë ndërkombëtar nuk e lejuam formimin e Serbisë së Madhe .Statuset e tilla politike Kosovën direkt do ta dërgojshin në greminë, dhe në një jetë shumë të veshtirë për shqiptarët.Por, që pak kush e ka paramenduar së strukturat politike të pas luftës në pushtet do tia falin dreqit në të katër anët, duke zhvatur dhe plaqkitur pronon shoqërore, duke vjedhur mundin dhe djersën e popullit të përvuajtur shekuj më radhë.Fenomenet si krimi I organizuar , korrupcioni , vrasjët për motive politike , pa punësia e shkallës së lartë , privatizimi I egër e përfitues e kan lodhur shumë këtë popull ,duke e pru buzë greminës sociale .Jemi bërë koloni e grabitqarëve në shtetin tonë , në tokat tona .Ndryshimet pozitive janë stopuar , nuk po punohet për mirëqenje dhe zhvillim.Po merren vendime jo t ë mira karshi të ardhmës tonë , po merren vendime të dëmshme politike të cilat po prekin edhe statusin politikë të vendit. Të gjitha këto po na ndodhin para syve tanë, e ne po sillemi shumë indiferent sikur kjo po ndodhë në ndonjë shtet tjetër . Kjo është e dhembshme , kjo është e pa falshme nga të gjithë ne , e posaqerisht nuk aryetohet gjithë kjo heshtje e intelektualëve të cilët janë vu në një kënd.Ka qenë çështje krejt tjetër viti 1999 dhe është krejt tjetër viti 2017.Kemi menduar së tash do të kemi një situatë shumë të favorshem politike dhe ekonomike krah vendeve të zhvilliuara të Evropës, së I kemi të gjitha predispozitat .Kosova e sotme është një dështim I madh I kastave politike të cilat erdhën  në pushtetet e pas luftës.Kemi mbetur larg inkuadrimit në strukturat relevante të Evropës.Na kan lodhur akrobacionet politike të njerëzve të pushtetit .Na kan lodhur llafamanit dhe premtimet boshe .Na ka lodhur propaganda e cila është bërë mbytëse.Dhe, natyrisht për të gjithë këto dështime fajtor jemi edhe të gjithë ne.Si shoqëri dhe si individ .Me nuk na ka faj Beogradi . As Millosheviqi.E as Vuqiqi.Gjërat dhe dështimet tona nuk duhet tia faturojmë askujt …

Filed Under: Analiza Tagged With: “koloni” e grabitqarëve, në shtetin tonë ?!, Skender Mulliqi

Bilal Xhaferri-Jetëtragjiku i shkronjës shqipe

October 15, 2017 by dgreca

1-Bilal_XhaferriMë 14 tetor 2017 mbushen 31 vjet nga ndarja e shkrimtarit me origjinë çame Bilal Xhaferri/

Nga Namik Selmani/Boston/

Kemi lindur të dy në Ninat të Konispolit dhe shtëpitë tona murerrëzuar tashmë ishin vetëm një gardh nga njëra-tjetra. Të afërta, miqësore, të buta.  Nga ato shtëpi, ku fqinjët e dinë mirë edhe se çfarë ka gatuar fqinji dhe që e ndërronin ëmbëlsirën menjëherë të ngrohtë…

Një nga pengjet e jetës sime ishte pikërisht ajo që nuk e takova së gjalli, por sa herë shkoj në Sarandë përulem me nderim në varrin e tij.  Dikush e quajti Meteor. Dikush e quajti ”Jetëtragjik”. Dikush e quajti ”rebel”…… Mbase asnjë prej tyre nuk ishte i saktë në atë portret të tij. Ose ishin të gjitha. Ato ishin në atë personalitet që po të formohej. Ai bëri vetëm pak vite jetë dhe krijimtari në Shqipëri. Atë dinjitet të madh shkrimtarit që ai do ta përcillte në brezin kur jetoi dhe në atë brez që jo të gjithë e njohin. Që do ta njohin nesër nëse ata që merren me letrat e shqipes do ta kujtojnë e nuk do ia fshijnë emrin e padiskutueshëm në një letërsi  sa kombëtare aq dhe estetitikisht e parealizueshme për kohën që ai jetoi.Vështroni pak fotografitë e tij! Ato të pakta që bëri në vite. Këtu dhe në Amerikë ku u degdis për 18 vjet! Të gjitha të trishtuar e asnjë e gëzuar. Do ta thoshte këtë më vonë i madhi tregimtar Vath Koreshi Jetoi vetëm 51 vjet. Pak. Në një kohë që Tolstoi Dostojevski apo dhe gjigandë të tjerë  e korrën lavdinë edhe më vonë Por ja, kamxhiku i fatit, i dikaturës e godiste fort. Mbase ky “kamxhik” ishte orakulli i (pa) gabuar i jetës që do të jetonte. Të gjithë i bëri në këtë gijotinë. Gijotinë jete, gijotinë politike. Gijotinë sëmundjeje, vetmie, varfërie. Gijotinë kurbeti të padëshiruar. Gijotona e mosshkollimit. Gijotina e padukshme e një familjeje të tijën që ai nuk e arriti kurrë.  E bashkuar me dhimbjen e madhe çame, mes së cilës ishte personazhi më tragjik, në qendër të uraganit të asaj ulurime Mesdheu, të ullinjve që do të jetonte për një kryepoezi të mbarë letërsisë shqipe “Lamtumirë, Çamëri!” ose ”Baladë çame”. Ai nuk ishte aso kohë pjesa fizike e Marshimit të Gjakut që sajoi egërsia greke, por ishte ai që shihte me sytë e tij këtë dramë. Jo me duart e  tij. Me tërë qënien e tij njerëzore dhe ngjizte që në atë kohë damarin e poetit, të atdhetarit, të njeriut që koha do t’i jepte Medalionin e Dhimbjes. Atë që të japin në jetë Pasaportën e Talentit.  Në moshën 8 vjeç i vdes e ëma. Aso kohë në Çamërinë e përtejkufirit përgatiteshin flakët e zjarrit të Çamërisë. Në moshën 10 vjeç i pushkatohet babai që  kishte  ”mëkatin e nacionalistit”. Aso kohë në rrugët e Ninatit kalonte vargu i dytë i çamëve të dëbuar nga zervistët duke bërë një tragjedi të madhe të pjesës së kombit. Që atë kohë do të jenë ngjizur vargjet monumentale që bënin simfoni të paharruara. Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë. Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore. Dhe kudo toka çame, mbuluar nga retë, rënkon e mbytur në gjak e lot, e mbetur shkretë, pa zot.

E ç’të bënte më në Ninat jetimi jetëtragjik që nuk do ta mbyllte këtu derën e ferrit të jetës, por që do të mbetej një mes ullinjve një njeri i dashuruar me malin Mëllëz me livadhet, me krojet e fshatit? Ah, veç kujtimeve të një fëmijërie tragjike, ai mori nga Ninati një dëftesë për katër klasat që i mori në vetëm dy vjet falë asaj aftësie të jashtëzakonshme që kishte për shkollim.

Kurrizi ende i njomë i shkrimtarit të ardhshëm çam që do të trazonte politikën e një shteti, do të lodhej e do të nxihej me thasë te qymyrit që shkarkonte ditën e natën nga anijet (tragete të kohës) që hynin e dilnin në atë port të vogël të Sarandës në atë gji-vetull që do ta mrekullonin edhe me lindjet e muzgjet detarë.  Ndoshta dhe përshkrimet e shumta të natyrës e merrnin frymëzimin në ato vite.  Në moshën 13 vjeç i duhet të punonte. Edhe Gorkit kështu do i ndodhte larg në vendin e tij. E vogël Saranda për të. Kishte shumë fluturim brenda vetes Bilal Xhaferri. Kishte butësi të plagosur nga jeta. Nga regjimi komunist. Nëse do ia lexonte sistemi, mbase një ditë pas vdekjes së babait të tij, do të vriste dhe atë vetë.

Rruga e jetës do i jepte sprovë të re. Të egër që nuk dihej se kur do të mbaronte forca e saj kamxhikore.  19 vjeç me një valixhe dërrase do shkonte në  Durrës. Nuk mjaftonte mësimi i shkronjëshqipes në fshat. Dhe me kë do të thoni ju. U fut në hambarin e  një benzinate me ullinj për të bërë rrugën më të gjatë që kishte bërë deti në atë kohë Sarandë-Durrës. Dhe do ta bënte këtë gjë në Sukth të Durrësit. Atje ku rrinte me Motrën Antika dhe që të dy shkonin në shkollë. Dhe jo pak po në moshën 19 vjeç do të niste shkollën shtatëvjeçare. Askush nuk mund të besonte se ligjëruesi i jashtëzakoshëm që do të kishte një origjinalitet nga më të spikaturit do të vazhdonte kaq vonë shkollën shtatëvjeçare. Dhe natën. Pa kërkuar lëmoshë.  Në copat e letrave e në pllakat e gurit shkruante poezitë dhe shkrimet e para.  (ah, të kishim sot disa të tilla për një Muze të letërsisë shqipe!). Ato që do i jepnin lavdinë dhe tragjiken e jetës së pajetuar.

E përjashtojnë nga Shkodra ku kishte nisur një shkollë për biografinë të atit.
Punon në Krujë, në Ulëz e mbresat e tij do i hidhte në veprat e tij. Nisi të botonte në revistat “Ylli”, ”Nëntori” në gazetën ”Drita”. Libri me tregime ”Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, librin me poezi “Lirishta e kuqe”, shkruan romanin ”Ra Berati” (Krasta Kraus)

6 vjet krijimtari  e madhe në numër e në cilësi arti. 6 vjet nisje dhe kulm poetik. Një rrugë që mund të lakmohet edhe sot. Një model se si mund të bëje një letërsi të mirëfilltë përballë realizmit socialist që frynte realitetin. Që i bën nder atij dhe mbarë kombit.

Dhe vjen goditja e dytë, Tirana. Një kritikë për romanin e Kadaresë “Dasma“ që edhe ai vetë në një takim që bëri disa vite më vonë në Berat, e pranonte se nuk e kishte bërë në nivelin e veprave të tjera.Po, ishte radha e goditjes.  Një rrokullimë e madhe jete. Tragjike. Që nuk do ta lejonte që të kishte dhe gazin e një familjeje. Një sagë xhaferiane që do ta bënte atë një nga të goditurit e diktaturës si Trebeshina dikur, si Vilson Blloshmin, si Avzi Nelaj e sa të tjerë.

Po binte çomanga e turpit mbi një trup engjëllor. Pse jo dhe e vrasjes. Asgjë nuk ishte e jashtëzakonshme për të. 15 vjet më vonë, do të vinte në Ninat. I malluar i shqetësuar. Edhe unë atëherë nuk banoja më atje që të kisha mundësinë ta takoja nga afër. Tash po shihte kufirin një vendi ku nuk donte të shkonte kurrë, por….duhej. Në familje time vinin të copëzuara fjalët për të. Akoma nuk ishte shfaqur poeti. Po vëllimi me tregime që shteti do e hidhte në karton, lexohej nga dora në dorë. Kësaj radhe ishte lexuesi i thjeshtë që i bënte sfidën shtetit komunist. O zot, kur nisi të shkruante e të botonte ishin me mijëra që e pëlqenin atë talent që kishte vetëm dy klasë të mesme. U arratis në vitin 1968 e për muaj të tërë do të rropatej në kampet e refugjatëve në Greqi me shpresën e madhe që të shkonte në SHBA Pas Greqisë në Amerikë. Në Boston e në Çikago.  Tashmë nuk ishte vetëm çam. As vetëm durrsak. Po ishte një filiz shqiptarie.  Boton revistën “Krahu i Shqiponjës”. Ecën në traditën e Konicës, të Nolit. Të një emigracioni intelektual të Amerikës. Boton tregime, reportazhe, pamflete, skeçe, skenare, vizatime.

18 vjet në Amerikë një biografi e tërë letrare po jo qetësi. Nis sëmundje e beftë e trupit. A thua se një arsye tjetër?? Shumë studiues çamë e joçamë japin mendimin e një vdekjeje të sajuar nga Sigurimi i Shtetit që edhe atje nuk e la të qetë jetëtragjikun e letrave shqipe Bilal Xhaferrin.

Dhe atë ditë vjeshte tetori  të katërmëdhjetës, ai vdes. në spital.Po citojmë disa copëza kujtese dhe vlerësimesh të kritikëve dhe miqve të tij.

Adriatik Kallulli: ”Një herë e gjeta Bilalin në një hotel beqarësh këtu në Tiranë. Ishte muaj krijimtarie. U futa në dhomë dhe dritarja e tij binte nga sahati. Kishte hedhur një batanije krahëve dhe me një gjysmë lapsi po shkruante në fletore mbi një komodinë. Pranë fletores ishte një kothere buke, panine e mbetur përgjysmë dhe e tharë me siguri. Ai vetëm shkruante…”|

Vath Koreshi: “Ai njeri aq i ëmbël dhe i e butë, më dukej sikur nuk dinte të qeshte. Vetëm se i ndriste një hije nëpër fytyrë si qielli kur hapet dhe atje kish më shumë keqardhje sesa gëzim. (Shtator, 2002, Tiranë).

Vetë shkrimtari Ismail Kadare do të thoshte në maj 1996 në një vepër të botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri: “…Unë, Bilal Xhaferrin e kam njohur shumë mirë. Kam qenë një nga ata që e kam ndihmuar deri në fund. Jam interesuar që jo vetëm të botojë, por edhe për jetën e tij materiale. Bilali ka qenë një shkrimtar i talentuar. Bilal Xhaferri është shkrimtar që doli i lirë dhe i pari. Ishte shkrimtar i aftë. Tani ju keni një shkrimtar të shquar, më të shquarin shkrimtar çam. (Maj, 1996, shtëpia botuese “Onufri”)

Më 3 maj 1995 Presidenti i Republikës i jep medaljen ”Martiri i Demokracisë” dhe më 6 maj të atij viti eshtrat e tij sillen në Atdhe, në Sarandë. Në të përcjellje dha ndihmesën e vet Shoqata “Bilal Xhaferri’e drejtuar nga shkrimtari çam Shefki Hysa. Biblioteka e Sarandës mbaj emrin e tij. I sjellim këto kujtime edhe me ish shokun e tij Tasim Besho.  Në vitin 2016 ai mori medaljen “Nderi i Kombit”. Dhe në këtë ditë ndarjeje ai rivjen. Në të gjithë ditët ai është i mirëseardhur. Është pjesa e shpirit të papërkulur çam. Është balada dhe elegjia e saj me atë kurorë vargjesh. “Na e tregojnë drejtimin plumbat, na e ndriçojnë rrugën flakë, që gjithë tokën kanë përpirë. Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive. Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri. Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi… Lamtumirë, Çamëri!”

A mos do të ketë dhe Çamëria fatin e tij tragjik???

 

Boston, tetor 2017

Filed Under: Histori Tagged With: Bilal Xhaferri, i Letrave shqipe, Jetetragjiku, namik Selmani

KOSOVA, JO vend frike për fjalën e lirë

October 15, 2017 by dgreca

PROTESTA E GAZETARËVE NË PRISHTINË-Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend frike për fjalën të lire/

1 gazetaret

 PRISHTINË, 14  Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku gazetarët janë të frikësuar të raportojnë apo thonë fjalën të lirë, ishte mesazhi i një proteste në Prishtinë.

1 Protesta

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i përkrahur nga kolegë gazetarë, anëtarë të shoqerisë civile, profesorë universitarë, qytetarë dhe aktvistë të ndryshëm kanë protestuar sot në Prishtinë. Protesta është organizuar si kundërshtim i sulemeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vend. AGK kërkoi nga sistemi i drejtësisë që të aktivizohet në luftimin e këtzyre formave të presionit ndaj gazetarëve. Kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj theksoi se, ”është momenti i fundit kur të gjitha institucionet duke filluar nga Presidenti, Kryemnistri, Kryetari i Kuvendit, Kretarët e Gjykatave dhe të Prokurorisë të ndihmojnë komunitetin e gazetarëve i cili është i vetëm në luftën për të krijuar ambient të sigurtë për të ushtruar profesionin e gazetarisë”. AGK poashtu kërkoi trajtim më të shpejtë të rasteve të cilat gjenden nëpër gjykata dhe prokurori. AGK rikujton edhe një herë se sulmi i djeshëm ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi është rasti i 20-të, këtë vit, ndërkohë që Kosova në vazhdimësi është duke shënuar rënje sa i përket indeksit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në botë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, JO vend frike, kosova, për fjalën të lirë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT