• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maqedonia voton për pushtetin e ri lokal

October 15, 2017 by dgreca

1 Maqedonia votonNga Isuf Kadriu/ Në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare.Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3480 vendvotime.Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur.Zgjedhjet organizohen dhe realizohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, cili ka bërë thirrje për proces demokratik zgjedhor.“KSHZ-ja kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, nga administrata zgjedhore, partitë politike, qytetarët, që të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Qytetarët presin nga KSHZ-ja dhe nga administrata zgjedhore të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike, të cilat janë kusht për përparim të mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Beteja kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit.

Dy partitë forcat i kanë përqendruar në Shkup, që përbën thuajse gjysmën e trupit zgjedhor, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

Tek partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar edhe ajo në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

Gara kryesore mes partive shqiptare zhvillohet për Çairin (komunë e Shkupit), Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe rreth dhjetë komuna tjera rurale. Në Kërçovë nga partitë shqiptare merr pjesë vetëm kandidati i BDI-së pasi partitë tjera janë tërhequr nga gara për të mos rrezikuar siç kanë thënë këtë që të humbet nga shqiptarët.

Zgjedhjet zhvillohet në dy rrethe zgjedhore, por ato mund të përfundojnë edhe me një rreth nëse ndonjëri nga kandidatët fiton mbi 50 për qind të votave, në të kundërtën dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në rrethin e dytë që mbahet pas dy javëve.Procesi zgjedhor mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendor dhe afër 400 të huaj. Numrin më të madh të vëzhguesve e ka asociacioni qytetar “Most”, rreth 2500 që do të mbulojnë 50 për qind të vendvotimeve.Procesi zgjedhor do të zhvillohet nën masa të shtuara të sigurisë. Nga Ministri e Punëve të brendshme kanë bërë të të ditur se të gjithë 3840 vendvotimet do të ketë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.Rezultatet e para nga votimi i sotëm pritet të publikohen nga mesnata, por përpunimi i tyre bazuar nga ciklet e kaluara zgjedhore zhvillohet në formë elektronike dhe çdokush ka mundësinë që drejtpërdrejt në faqen e internetit të KSHZ-së të ndjek shpalljen e rezultateve varësisht përpunimit të të dhënave që arrijnë nga qendrat e votimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Macedonia, Voton sot

Maqedonia shënon 26 vjetorin e pavarësisë

September 8, 2017 by dgreca

….Maqedonia me probleme par mardheniet nderetnike, …16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe të drejtat tjera kolektive të popullatës shqiptare, e cila sipas të dhënave statistikore përbën 25 për qind të popullsisë dy milionëshe…por shqiptaret realist mund te jeni me shume se 30 perqind/1 Shkupi

Njëzetegjashtë vjetori i pavarësisë së Maqedonisë po shënohet me aktivitete të shumta, ndërsa manifestimi qendror është mbajtur me një tubim para Qeverisë me moton “Maqedonia e lirë-jeton e lirë” ku para masës së tubuar kryeministri, Zoran Zaev foli për të kaluarën dhe të ardhmen e vendit, të cilin siç tha e pret e ardhme më e mirë pas krizës nëpër të cilën ka kaluar në veçanti vitet e fundit.

“Sytë e bashkësisë ndërkombëtare i kemi kthyer nga ne, pasi në mënyrë të guximshme nga një vend si gjenerator i krizës e shndërruam në motor të zhvillimit të rajonit. Ekzistojnë gjasa reale që Maqedonia të merr rekomandim të pastër, e më pas edhe datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjasat janë reale që të bëhemi edhe shteti i 30-të anëtar i NATO-së. Maqedonia sërish ka politikanë të përgjegjshëm të cilët e dinë se çfarë i duhet popullit. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë Maqedoninë si një shoqëri për të gjithë”, ka deklaruar Zaev.

Maqedonia pavarësinë nga ish-Jugosllavia e ka arritur pa gjakderdhje. Më 8 shtator të vitit 1991, u organizua referendumi për pavarësi, i cili u bojkotua nga shqiptarët pasi Kushtetuta e definonte Maqedoninë vetëm si shtet të maqedonasve, për dallim nga Kushtetuta komuniste e vitit 1974, sipas të cilës edhe shqiptarët ishin popull shtet-formues me të drejta të barabarta me maqedonasit.

Kushtetuta ishe vlerësuar si gjenerator i shumë krizave që e përcollën Maqedoninë deri në shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, konflikt ku që u mbyll me një marrëveshje paqësore, që çoi në ndryshimin e Kushtetutës me një ridefinim të ri të Maqedonisë, por sërish me probleme edhe 16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe të drejtat tjera kolektive të popullatës shqiptare, e cila sipas të dhënave statistikore përbën 25 për qind të popullsisë dy milionëshe.

Skender Asani, historian dhe drejtor i institutit për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, thotë se shqiptarët në Maqedoni ashtu sikur edhe ata të Kosovë dhe viset tjera shqiptare, ishin për pavarësinë e vendit, por të një republike demokratike me të drejta të barabarta me popullin maqedon.

Ai thotë se referendumi për pavarësi u bojkotua kur qartë dolën tendencat e palës maqedonase për krijimin e shtetit një etnik, me të drejta të cunguara, madje edhe më të pakta se në regjimin e kaluar. Shqiptarët, sipas Asanit, edhe sot e kësaj dite ende nuk kanë realizuar në tërësi të drejtat e tyre, dhe fajtor për këtë, siç thotë ai, janë edhe elitat politike shqiptare.

“Nga ajo periudhë e deri në ditët e sotme shqiptarët nuk arritën që t’i plotësojnë ato artikulime që ndodhën në atë periudhë kur Maqedonia krijohej si shtet. Tani lë për të dëshiruar që elitat politike që nuk realizuan kërkesat e shqiptarëve deri në ditët e sotme”, thotë Asani duke shtuar se Maqedonia mund të ketë të ardhme vetëm me popuj me të drejtat të barabarta.

“Vetëm se me realizimin e kërkesave të shqiptarëve ky shtet mund të ketë një perspektivë të mirë për integrimin në strukturat euroatlantike. Çdo synim tjetër për mosrealizimin e kërkesave për një shtet të barabartë do të jetë në disfavor edhe për maqedonasit por edhe për shqiptarët”, thotë historiani Skender Asani.

Përveç problemeve të brendshme etnike, Maqedonia që nga periudha e pavarësisë është përballur edhe me probleme me fqinjët e saj. Greqia ende nuk e pranon emrin, për shkak se maqedonasit e tanishëm sipas Athinës, nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, por edhe për shkak të kontesteve tjera. Probleme kishte edhe me Bullgarinë për shkak të gjuhës, ndërsa me Serbinë lidhur me kishën. Probleme të hapura Maqedonia nuk ka vetëm se me Kosovën dhe Shqipërinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: 26 vjet Pavaresi, Macedonia

Diskriminimi etnik mbetet sfidë për Maqedoninë

August 29, 2017 by dgreca

Diskriminimet në bazë të përkatësisë etnike dhe politike kanë qenë më të theksuara gjatë vitit të kaluar, bazuar në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë./1 ShkupNga Isuf Kadriu/

Sipas të dhënave, më së shumti qytetarët janë të diskriminuar në marrëdhëniet e punës, shëndetësisë, arsimit, e deri te shërbimet e institucioneve. Raporti ka për bazë të dhënat e grumbulluara nga shoqatat qytetare dhe institucionet në fushat e diskriminimit për vitin e kaluar.

“Në ngritjen e vetëdijes për ekzistimin e diskriminimit më të zëshme janë shoqatat qytetare. Vlerësojmë se është e nevojshme që të ketë aktivitete në rritje nga institucionet në pjesën e parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komitetit të Helsinkit.

Se prania e diskriminimit ka qenë evidente, flet edhe Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

“Diskriminimin më të madh politik ne e kemi gjatë fushatave zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe bëhen diskriminime të ndryshme, si etiketime, fyerje, kërcënime e deri në largime nga puna apo forma tjera të presionit. E gjithë kjo bëhet për fitimin e pikëve politike, por besoj se kësaj forme të dhunës i ka ardhur fundi pasi me nxitje të ndryshme, qoftë etnike apo politike nuk arrihen pikët politike”, thotë Dimovski sipas të cilit që të arrihen rezultate të dukshme duhet ndryshuar, siç thotë, mentaliteti i strukturave të caktuara.

“Vlerësoj se duhet të punohet shumë më tepër në ndryshimin e mentalitetit të atyre që bëjnë diskriminime, qofshin ata politikanë apo strukturat udhëheqëse nga të cilët edhe bëhen më shumë diskriminime, qofshin ato politike apo etnike. Këtu do të veçoja edhe diskriminimin e theksuar në arsim, i cili vlerësoj se mund të pengohet vetëm nëse zvogëlohen kompetencat kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të shkollave, pasi pikërisht nga ata vijnë më shumë diskriminime”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

Shpëtim Pollozhani nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë thotë se diskriminimi nuk i vazhdueshëm dhe jo vetëm nga viti i kaluar. Ai kujton rastin me shoqatën që i takon ku anëtarët e saj asnjëherë nuk janë trajtuar për dëmet që kanë pësuar nga ish regjimi komunist.

“Ishte miratuar një ligj në vitin 2002, me të cilin një herë i është pranuar statusi dhe pastaj janë zhdëmtuar të gjithë ish të burgosurit politik maqedon dhe ata që janë gjallë akoma i shfrytëzojnë benificionet e atij ligji. Ne nuk na përfshinë ai ligj, pasi na thanë se është vetëm për maqedonasit”, thotë Pollozhani.

Ai beson se në Maqedoni përfundimisht do të ketë ndryshim në qasjen e klasës politike. Ky, thotë ai, ndoshta është shansi i fundit që vendi të ecë një rruge të re pa diskriminime të shoqërisë, pasi sipas tij, alternativë tjetër nuk ka.

“Unë mendoj se ka sinjale se duhet të fryjnë era të reja. Shpresoj se kjo garniturë e re politike e maqedonasve e ka kuptuar se me metoda të vjetra bizantine komuniste nuk ecet përpara dhe nuk shkohet në Evropë. Shpresoj të fillohet më zgjidhjen e problemit të ish të burgosurve politikë, me zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pasi edhe ai ka mbetur pezul, me çështjen e gjuhës e kështu me radhë, shpresojmë”, thotë Shpëtim Pollozhani nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë.(RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Issue Kadriu, Macedonia, pakicat etnike

Maqedoni: Qeveri-Kuvend, rritje e transparencës apo marketing politik?

August 17, 2017 by dgreca

Nga Isuf Kadriu/1 Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar nga Kuvendi kontroll më të madh të punës së saj, respektivisht, institucioni ligjvënës të caktojë çdo javë nga një seancë, në të cilën deputetët do të mund të interesoheshin apo të pyetnin anëtarët e Qeverisë për çështje tematike. Kërkesa e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, synon rritjen e transparencës në punën e saj, apo që për çështjet madhore me interes të qytetarëve të jenë të njoftuar ose të dalin me propozime edhe përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvend.

Aktualisht deputetët në bazë të rregullores mbi punën e Kuvendit kanë të drejtën të parashtrojnë pyetje për ekzekutivin, por vetëm një herë në muaj, por seancat e tilla deri më tani ose nuk janë mbajtur ose kanë kaluar në polemika të ashpra mes pushtetit dhe opozitës për çështje kryesisht politike.

Kërkesa e fundit e Qeverisë vjen në kohën kur të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare kanë kritikuar raportet Qeveri-Kuvend, duke konstatuar anashkalimin e institucionit ligjvënës, apo vënien e tij në shërbim të ekzekutivit, që në realitet duhej të ishte e kundërta.

Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja është e mirë dhe është një kopje që praktikohet në disa vende të zhvilluara evropiane, por që këtu të praktikohet nevojitet, sipas tij, përgjegjësi më e madhe e politikanëve apo që nismat e tilla të mos i ndërmarrin për pikë politike, por me qëllimin e sinqertë për ngritjen e nivelit të institucioneve.

“Nëse kjo realizohet, Kuvendi do të kishte kontroll më të madh mbi Qeverinë, por duhet parë nëse kjo do të keqpërdoret nga partitë. Praktika të tilla ka edhe në vende tjera, megjithatë tek ne duhet të ketë një koordinim të mirë, me qëllim që kjo nismë të realizohet sipas idesë së paraparë, e jo të keqpërdoret për pikë politike si nga Qeveria ashtu edhe nga deputetët, konkretisht nga ata të opozitës. Nëse kjo ndodhë,atëherë kjo nuk do të kishte kuptim, apo të përjetonte fatin e mbledhjeve mujore të përballjes së Qeverisë me deputetët”, thotë Andov.

Ismet Ramadani, ish-deputet në katër përbërje parlamentare thotë se raportimi i anëtarëve të Qeverisë para Kuvendit është në të mirë të transparencës jo vetëm në relacionet Qeveri-Kuvend, por edhe të institucioneve tjera të kenë përgjegjësi të raportimit para Kuvendit. Nëse këto mbledhje do të jenë efikase varet nga deputetët dhe Qeveria, thotë Ramadani duke u ndaluar në mbledhjen në të kaluarën të cilat më shumë janë shfrytëzuar për promovime se sa për dhënie të llogarisë.

“Në këtë rast, nëse Qeveria jep llogari pranë Kuvendit, atëherë është shumë e kuptueshme që edhe organet tjera do të jenë shumë më të përgjegjshme sepse një ditë edhe ato do të duhet të japin llogari për punën e tyre. Me këtë besoj se rritet autoriteti i Kuvendit, i cili përfundimisht e merr rolin e vet të cilin e ka edhe me Kushtetutë. Me këtë rritet edhe transparenca e Qeverisë dhe qytetarët do të jenë më të informuar për punën dhe aktivitetet e Qeverisë”, thotë Ramadani duke shtuar gjithashtu se çdo devijim nga ideja e nismës apo tendencat që përmes saj të përfitohen pikë politike do të prishin edhe më shumë imazhin e institucioneve.

Në bazë të anketave të realizuar nga organizata të ndryshme, Kuvendi është ndër institucionet më pak të besueshme, pa anashkaluar këtu edhe Qeverinë. Kuvendi i Maqedonisë shpesh herë është kritikuara apo është quajtur si “makineri votuese” që aspak nuk debaton për propozimet që vijnë nga Qeveria. Në të shumtën e rasteve ato miratohen në procedurë të përshpejtuar, duke forcuar kështu bindjen se deputetët fare nuk e dinë për çfarë kanë votuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Macedonia, Qeveri-Kuvend, transparence

Artikujt e fundit

  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET
  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT