• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

MOS U DORËZO, AZGAN !

December 4, 2017 by dgreca

Nga Jak PËRPALI/

   1 azganok

 Mora një lajm që më trishtoi…!

 Familja e z. Azgan Haklaj largohet nga Atdheu për të gjetur siguri jete dikund në Perëndim, diku në Francë.

 Ndërkohë kërkova për ta takuar Azganin.

Pak ditë më parë e kisha parë në televizion, në një Festival në Mal të Zi, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Mendova se, po e përmbyllte aktivitetin e tij në drejtimin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH) dhe, ndoshta, i dëshpëruar, po ikte edhe ai Vet duke lëshuar një zbrazti të pazëvendësueshme.

Kjo, duke gjykuar se askush si Azgan Haklaj, për një çerek shekulli nuk ka arritur të krijojë një organizëm të ngjashëm kaq të gjallë me frymën e shpirtit të trashëgimisë së interpretimit të instrumenteve të lashtë, të këngës e valles  popullore shqiptare. I përkushtuar e i respektuar nga interpretuesit e këngëve e valleve të mbartura që nga hershmëria e rracës shqiptare nëpër shekuj.

Kisha bashkëpunuar prej kohe me Azganin si këshillues për tekste të këngëve e për gjithçka tjetër që iu shërbente aktiviteteve që ai i organizonte kudo ku banonin shqiptarët. Kurrë nuk arrita të shquaj tek ai: tërheqje, pesimizëm apo rënie të shpresave.

Azgan Haklaj kishte një ndriçim aq të gjallë sa më mahniste. Ai nuk i përmendte kurrë vuajtjet e rreziqet që kishte kaluar dhe as ato që i kishte të pranishme. Jo. Ai kishte dritë në sytë e tij, në bisedat e tij.

A thue ishte thyer ai Azgan, që kishte dalë në krye përmes kaq kurthesh e ligësish kishte përballuar disa atentate?!

Isha duke ndërmendë, ashtu në përzijshmëri të mugullt, kohën e shtresuar mbrapa, ngjarjet, përballimet dhe po përpiqesha me kapë një fill ku mund të jenë ringjallur qëniet e egra të errësirës me kërcënime ndaj tij dhe familjes së tij.

Ndërkohë e takoj Azganin aty në kafe, te Opera, në Tiranë. E pata të vështirë ta pyes dhe, ngaqë nuk u ndjeva mirë aty i kërkova të ngriheshim pasi kishte shumë të njohur artistë që vinin dhe më ngjante se prania e përshëndetjet e tyre do më pengonin të kuptoja diçka. Sy ndër sy u kuptuem dhe dolëm në rrugë. Ecëm të heshtur aq sa mendohesha për të thënë diçka, po prapë mbetesha i ndrydhur pa arritur ta pyes…!

 Azgani kishte ulur kokën e ecte më i rënduar se kurrë që kur njiheshim bashkë. Një heshtje aq sa s’mund të shkëputesha, aq sa s’mund të flisja, por ashtu, në ecje, arritëm në një kafe të vogël dhe në mirëkuptim të heshtur u ulëm aty. Heshtje dhe trishtim në sytë e tij. E kishte kuptuar çfarë po endja nëpër mendime…

Ajo, egërsia që ishte shfaqur e ç’thurur në ato fillime, në shndërrimet e para, të cilat i besuem demokratike, kishte ecur përpara, ishte rritur, ishte pjekur dhe kishte pushtuar jetën tonë. Ata, që në ato fillime i menduem si çlirime të vuajtjeve tona, duke i ikur diktaturës me vjedhje të rëndomta e spekullime, ishin sythet e një peme kanceroze që do të pushtonte trupin e rrënuar të Shqipërisë. Do të bëheshin kafshët e egra që do të shqyenin gjithçka me forcën e banditëve, që i majmte pushteti i pushtave. Kështu, këta, u bënë zotëruesit e ekonomisë dhe të institucioneve të një shteti. Ata intelektualë, që u bënë qëndrestarë në ideale të demokracisë, u rrënuen apo me kohë u përkulën dhe u nënshtruan. Të tjerë, që u mbajtën pa u thyer, u rrënuen e sot mund t’i takosh të mjerë e të pashpresë. Të tjerë prehen në varreza. Të tjerë e lanë Atdheun para se të endeshin rrugëve të përçmuar apo para se t’i dorëzoheshin varrit, pa arritë me shpjegue se çfarë kishte ndodhur… Shpesh më është kujtuar ajo thënia: “Ja tregoj vetëm gurit të varrit”!

Ti me dhimbsesh miku im, Azgan, sepse me përpjekjet e tua ke qëndrue këtu, në Shqipëri, edhe kur mund’ të të përpinte varri, por tashmë fëmijët e tu dhe nëna e tyre, bashkëshortja jote, nuk mund të mbrohen…!

Më thue se nuk ke ndërmend të tërhiqesh, se do ta drejtosh Unionin Artistik të Kombit Shqiptar. Dhe, ja… Me Ty, dikush, gjithmonë, duhet të qëndrojë deri në fund edhe në kontributin tënd në politikë, por druej se do të zhgënjehesh edhe më tej…!

A e di pse?! Është fryma e ligë që nuk do largohet pa e kryer ciklin e saj. Një mbrapshti e madhe sundon kudo. Një popull në ankth që nuk ka kohë e energji të reagojë. Liri e marrë peng. Shquaj se, asgjë nuk është aq e fortë sa të gjëmojë e të shpojë veshët e ndërgjegjes së një populli të rënë në gjunjë nga klikat ekonomiko-mafioze. Partitë janë trinia e një valleje që luhet duke shkelmuar çdokënd që nuk është në vallen e tyre.

Vërtetë e rëndë shtypja kudo, por prapë po ta them: Druaj se kërcënimi me vdekje i familjes tënde, o Azgan, është drejtpërsëdrejti për Ty, për rrënimin Tënd.

Miku im i çmuar,  Azgan Haklaj, unë e kam të vështirë të ulem e të shkruaj për asgjë, çfarëdo qoftë, në këtë çerdhe të harbuar horrash, por kam fatin që jam futur në shpirtin e poezisë dhe me lëndën e saj mbaj gjallë shpirtin tim. Kam hedhur në fletoret e mija edhe lodhjen time deri pranë shuarjes nga vuajtja e një kohe të marrëzishme dhe shpesh kam menduar se, nëse një ditë-natë mos vinte policia e pasi të më merrte mua do të m’i rrëmbente të gjitha shkrimet e mija dhe do m’i zhdukin ato. Nuk kam mundur të kuptoj përse kjo gjendje, kjo trandje, që ka shuar shpresat në këtë vend !  Kudo vërej fytyra të mbytura në vuajtje, në pamundësi me ja dalë jetës. Kudo frika, për pa u ndjerë kërkund fajtorë. Po, frika është nëse nuk përshtatesh, nëse nuk dorëzohesh më dhe tek e liga!

Këto, miku im, Azgan, t’i kam shprehur vite më parë, por Ti kishe më tepër shpresë. Ja që zhytja në thellësi të së ligës vazhdon. Rrjetat e merimangës bëhen më të shpeshta dhe mbulojnë me mburoja njëra- tjetrën. Ngado që të shkosh rrjetën e ke mbi kokë, gati për të ta hedhur e për të të mbajtur brenda në përpëlitje. Bile, e tërë Shqipëria është brenda një rrjete të thurur mjeshtërisht dhe cilido që nuk e ushqen me përulje do t`i zihet fryma në një rrjetë të vogël brenda së madhes.

Në një hapësirë kaq të madhe drite, që vjen nga Perëndimi është edhe më e rëndë dhe e pabesueshme se do mundte një bandë politike të terrorizonte një popull.

Kjo është çudia si erdhi kështu një diktaturë mjerimi, duke krijuar një popull të paligjshëm në Atdheun e tij.

Kjo është më e dhimbshmja, të ligjshëm janë ata që duhet të ishin duke dhënë llogari para drejtësisë.

Unë e kam shpallur kredon time në poemën “Spitali : “Këtu njerzit kanë frikë të vdesin jo nga vdekja, por nga fyerja e vdekjes”.

Çfarë ti bësh, kështu erdhi dita të largohen të gjithë nga Atdheu ! Jam i bindur nga bisedat e mija me të njohurit se, nëse do kishin mundësi do ta linin përjetë Atdheun dhe kjo tokë do t`u mbetej vetëm horrave. Gjithë mundimi i këtyre viteve nuk të jep kurrfarë sigurie gjithçka mund të rrënohet në çast.

Ti, o Azgan, besoj se e ndjeve rrënimin në ajthin e shpirtit, por nuk je lëshuar e vazhdon të mbahesh, edhe kjo është e mrekullueshme, e besoj por sa pak gjallëri sa shumë tkurrje dhe venitje aq sa të mos i shquash stinët që vjinë e shkojnë!

Po miku im aty ku dhimbja është fatale për një popull, shpresa ka marrë humnerën bash atherë kur shpresohej më tepër, kur ndriçimi i dritës për shqiptarët ishte më afër e më ndjellës se kurrë, kur sytë e vëmendja e perëndimit u kthyen drejt nesh më fort se kurrë më parë, dhe  një e keqe e përbrendëshme në vend që të tkurrej e të thahej u rrit aq me ngulmim sa ngado që të vështrosh e ke të pranishme në momentet, kur koha punonte për ne. Mu aty brenda nesh u gjet kundërkoha, kundërfati dhe detyroi mendjet më të ndritura të lëshojnë Atdheun ndërkohë është kultivuar një pseudoelitë në shërbim të drejtpërdrejtë e të përnenshëm ndaj klasës politiko mafjoze, duke i ndjekë me vëmendje mund të dallosh këto mendje të shkulura se si aktrojnë në teatrin e mafjes. Shqipëria nuk ka mafje përveç asaj politike.

Gjithçka është nën kontrollin e tyre të paligjshëm, nga fshati më i  largët e në qendër të kryeqytetit, ky vend është në duart e njerëzve më të ligj të Atdheut, është shprishur thelbi, ata mbajnë nën kontroll gjithkënd, gjithçka, çdo lek që qarkullon. Andaj Miku im, Azgan, shfytyrimi ndihet kudo edhe njeriu më i thjeshtë , ai që e gjykojmë më të paditur sot të thotë këtu nuk ka të ardhme, sepse nuk ka asnjë vlerë puna e bujkut, e marangozit, e muratorit, e specialistit, sepse nuk ka shije arti kur artisti është në përpjekje mbijetese, sepse zëri i atij që thotë të vërtetën është i pavlerë sepse njerzit kanë frikë nga jeta e nuk jetojnë sepse nëse i shqetson djajtë ata të kafshojnë, të shqyejnë, të thyejnë qafën bile të hedhin dikund në një anë rruge pa shpirt apo të japin një qortim duke të burgosur, sepse ke shkelur dikund apo, sepse ju duhen të burgosur për të trembur të paburgosurit bile edhe burgosjet janë me numët: sot duhen kaq, nesër aq, për të njoftue popullin se burgu është gati.

Ky çerek shekulli po mbulon një gjysëm shekulli diktaturë me një diktaturë tjetër që, as u kishte shkue ndërmend shqiptarëve atë të poshtrimit më të skajshëm të mundshëm. Këtu nuk je askushi sepse njeriu është futur në një fermë si ushqim për ujqërit.

Gjithherë jam ndier në çudi çfarë duan të arrijnë këto qenie njerëzore të kthyera në lubi kundër njeriut, atij që përpiqet të jetojë me dinjitet, të mbajë fëmijët e tij, të bëjë të vlefshëm për veten e shoqërinë, çfarë fshehin në zemër që duan poshtrimin e popullit të tyre, çfare sëmundje kanë trashguar në shpirt që duan të rrjepin çdo lekurë të njeriut, ta lënë lakuriq të pafytyrë të tejdukshëm.

Ti, Azgan, ke qëndruar fort, por kësaj here ndiej një rënie të dritës së shpresës edhe në sytë e tu, më i heshtur se kurrë, një hije ngrirjeje në fytyrë, por nuk të kanë mundur…Ndoshta diçka e tillë të rëndon në shpirt, por ti je këtu e ndeshja do të vazhdojë edhe më e fortë dhe me patjetër majmëria do të qelbet, do t`i mbulojë qelbi kur të pëlcasë cipa e të pacipëve. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe do të ndodhë prapë.

Këta teksa flasin për Nënën e Shenjtëruar Terezë e urrejnë në shpirt, sepse janë në krahun e djallit, janë pushtuesit e pamëshirë të një populli të shumëvuajtur. Por me patjetër fryma e saj është këtu dhe do të rritet. Dhe ne do të jemi këtu me të gjithë ata që e duan jetën dhe njeriun me dinjitet. Vërtetë këtu Shqipëria e gjitha kontrollohet nga celula që, njëkohshëm janë brenda institucioneve dhe jashtë tyre, një organizëm që kontrollon gjithçka dhe vërtitë në mënyrë të pazbërthyeshme. Sido që të kërkosh do të biesh në rrjetën e tyre. As zgjursia, as guximi nuk kanë vlerë, pasi do të të përthithin ashtu me të mirë e me të keq dhe do të gjendesh brenda.

Brenda çdo strukture të administratës shtetrore gjendet struktura e krimit e menaxhuar me përpikmëri për të përthithur paratë dhe për të ushtruar terror mbi pjesën tjetër dhe për t`i burgosur kur ta kërkojë nevoja. Një skemë banditeske mafjoze që të rrënon, të nxjerrë në media gjithçka me skemë, me plan, kështu hajdutët e lubishëm të dërgojnë te hajdutët e tjerë dhe të gjykojnë ata para drejtësisë.

 Më thuaj Azgan çfarë është diktatura?! A thue jemi nën një diktaturë Trio?! Ndoshta nuk të vjen përshtat pasi jeni njëri ndër ish deputetët e së djathtës që sakrifikuat aq shumë në kohë të vështira por unë ti them këto nga përvoja ime në administratën Tatimore të Tiranës. Për trembëdhjetë vite e njëjta valle. Më vjen mirë që shpreson Azgan se e djathta do të vijë ndryshe, e gjithë klasa politike janë në të njëjtën valle.

Në këto caste, që po hedh këtë gjendje të trazuar mendimesh, më gjallohen ndjenjat e më ndërlidhen kohët e them aty në ato muguj që bëjnë me marrë dritë e me sjell atë gjëmim që ka përshkue qënien tënde dhe të banorëve të pallatit ku banoje në Bajram Curri.

 Ti gjithë këto vite në krye të Unionit Artistik Kombëtar Shqiptar ke qenë edhe duke çlirue atë tronditje të asaj nate dhe atë tronditje që kishte marrë në thellësitë e veta e gjithë treva e Tropojës në përgjakje që lanë dhimbje më të rënda se dy apo tre shekuj njëherësh, duke ndjellë një tjetër botë me koncertet me kënge e valle e ndërkohë duke e shtrirë në çdo pëllëmbë toke, ku u krijuen për me ngjallë shpresën dhe me shërue shpirtërat.

Por kësaj here, kur familja Jote Azgan sulmohet po aq ligësisht, ndoshta je duke përjetue diçka edhe më të rëndë, krimi është bërë më i fuqishëm dhe i paparashikueshëm, që të mund t`i vesh pritë e ta shmangësh është thuajse e pamundur.

Tashmë shoqëria është ndarë së pari në dy shtresa, njëra që ka në dorë gjithçka dhe tjetra që nuk ka në dorë asgjë. E para që mbledh të ardhurat nga tatime, taksa, dogana, energjia elektrike dhe i shpërndan si i don zemra me një grup oligarkësh, por në shtresën tjetër nuk vjen asgjë që t`i ndikojë në përmirësimin e jetës. E si nënshtresë, kjo ka edhe lukuninë e kriminelëve përjashta zyrave që kryejnë aktivitetet e tyre me fitimprurje të mëdha në bashkëpunim me kupolën. Në këto rrethana shtresa e dytë, populli normal, gjen atomdet në një qerthull pa rrugëdalje përjashtue me lënë Atdheun ose të bëhen shërbëtorë të së keqes për të mbijetuar. Kushdo që nuk pajtohet dhe reagon është në rrezik. Kjo gjendje kaq e rëndë që po vjen duke u rënduar më tej i ka tkurrur qytetarët shqiptarë saqë duke i vështrue në fytyra duke i parë në rrugë, duke i takue në një dasëm ndjenë kundërmim mortor…

Tashmë nuk ka rëndësi fjala e të diturit e të mjerit e ankesa e të sëmurit. Fjala e kërkujt, përveç një kolonie opinionistësh që lëpihen nëpër media me përdredhje të neveritshme, të shpërblyer edhe për të share, edhe për të lavdëruar. Rrotoll kupolës vërtitet shtresa më e pabesë me popullin. Jargaviten si kërminjët, për të lëshue në dritë dashurinë e thellë për udhëheqësit e partive, ku marrin përfitime apo presin nga opozita të vijë e t`i ngjiten pas si shërbëtorë në hajni.

Miku im, Azgan ! Ti vazhdon të jesh zëri i fuqishëm demonstrativ i Partisë Demokratike.

Miku im, Azgan, e ndiej se bashkshortja e fëmijët e Tu e kanë të vështirë të mësohen me mungesën tënde dhe do të rrinë me drojë e ankth se diçka mund të të ndodhë, por edhe do të ndihen krenarë që vazhdon të mos tërhiqesh. Ti je heroi i tyre, por dhe i demokratëve të Shqipërisë, i farkëtuar si qëndrestari i paepur që vlerson idealet kombëtare dhe vlerat demokratike më shumë se vet jetën tënde.

Miku im, Azgan! Shumë të liga e kanë ndjekur këtë popull, por të gjithë të liqtë do të bien shpejt. Ky popull i yni në këtë tokë të shqipeve do të jenë këtu, me energji të reja, me inteligjiencë të re, me vizione të reja, me një klasë politike të re. Le të shpresojmë te Opozita, tek e Djathta e Bashkuar, për kthimin e saj në pushtet nga mazhorancë morale në mazhorancë politike, që të realizojmë ëndrrën e integrimit në botën e Perëndimit.

 Jak PËRPALI-Poet, shkrimtar, publicist

Filed Under: Opinion Tagged With: AZGAN !, Jak Perpali, MOS U DORËZO

MAQEDONIA, DËNIMET DRAKONIKE NDAJ SHQIPTARËVE

December 4, 2017 by dgreca

-Në bankën e të akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre – trauma të përjetshme./

1 Xhelal Zejneli

Nga Xhelal Zejneli/Para rreth 6 vjetëve, gjyqësia e Gruevskit dhe e qeverisë së tij, për rastin “Monstra” i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të pafajshëm. Dy prej tyre, mbetën jashtë duarve të policisë dhe të gjyqësisë së ish-kryeministrit. Kryeministri i përtashëm z. Zaev ia bëri me dije publikut faktin se nga përgjimet rezulton se në Maqedoni kemi procese gjyqësore të montuara, me prapavijë politike. U dënuan me burg të përjetshëm, njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vrasjet në liqenin e Smilkovës, që ndodhi më 12.04.2012, me ç‘rast mbetën të vrarë pesë shtetas të Maqedonisë, të kombësisë etnike maqedonase. Lidhur me tragjedinë e sipërthënë, shprehën keqardhje të thellë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshi edhe shqiptarët.

Maqedonia e kohës së Gruevskit dhe e qeverisë së tij ishte një shtet thellësisht antishqiptar. Qeveria e tij, me subjektet politike shqiptare në koalicion, i arrestonte shqiptarët, i gjykonte, i torturonte dhe si në asnjë vend tjetër të botës, i dënonte me dënime drakonike.

Të dënuarit e rastit të liqenit të Smilkovës, për dënimet me burg të përjetshëm, pësuan tronditje të thellë shpirtërore, me pasoja të përjetshme. Tronditje të thellë pësuan edhe të afërmit dhe familjarët e tyre. Dhimbja shpirtërore e tyre nuk do të mund të kompensohet kurrë dhe me asgjë.

Tani, gjyqësia e depolitizuar, pafajësisë së tyre sa më parë duhet t’i japë formë të prerë. Pas kësaj, për dënimin e shqiptarëve të pafajshëm, në bankën e të akuzuarve duhet të ulet ish kryeministri Gruevski, bashkë me të gjithë qeveritarët e qeverive të tij antishqiptare. Qeveritë e Gruevskit e shndërruan Maqedoninë në burg për shqiptarët.

Në bankën e të akuzuarve duhet të ulen edhe organet e gjyqësisë dhe të prokurorisë që u shqiptuan dënime me burg të përjetshëm shqiptarëve të pafajshëm, duke u shkaktuar atyre dhe familjeve të tyre – trauma të përjetshme.

Pasi pafajësia të ketë marrë formën e prerë, të dënuarit shqiptarë duhet të kompensohen në aspektin financiar. Me fjalë të tjera, për vitet e kaluara në ferr, pa pikë faji, si dhe për dramën që përjetuan ata vetë dhe familjarët e tyre, të dënuarve të pafajshëm duhet t’u paguhet zhdëmtim apo dëmshpërblim. Kështu veprohet në të gjitha vendet demokratike të botës.

Duhet të zhdëmtohen edhe qytetarët e rëndomtë të cilët, duke qenë të ndërgjegjshëm, dolën në protesta për të kërkuar drejtësi dhe për të luftuar padrejtësinë. Ndonëse kërkuan drejtësi, protestuesit hasën në dhunën e forcave policore të Gruevskit dhe të qeverisë së tij, me subjektet politike shqiptare – partnerë të bashkëqeverisjes.

Subjektet politike shqiptare që ishin partnerë të bashkëqeverisjes që nga viti 2006 deri në vitin 2016, nuk çanin kokën për drejtësi dhe barazi. Preokupim i tyre ishin ruajtja e kolltukëve dhe interesat meskinë – personalë dhe koniunkturalë. Demagogët e tillë – tregtarë flamujsh, nuk janë të denjë të ekzekutojnë himnin kombëtar dhe të ngrenë në qiell flamurin shqiptar. Gjatë bashkëqeverisjes, subjektet politike shqiptare duhet të kenë parasysh faktin që, nga partner koalicioni të mos shndërrohen në  kuislingë dhe në kolaboracionistë.

Drejtësia duhet të ngadhënjejë edhe në rastin e Sopotit si dhe në tragjedinë e Brodecit. Gruevski dhe qeveritarët e tij duhet të ulen në bankën e të akuzuarve edhe për përdorimin shpërpjesëitmor të forcës ushtarako-policore edhe në rastin e Brodecit, duke u shkaktuar tragjedi shqiptarëve.

Që nga viti 1991 deri më sot, pushteti sllavo-maqedonas, i ndihmuar prej kolaboracionistëve shqiptarë, ushtroi dhunë vetëm mbi shqiptarët. Që atëherë, ndaj shqiptarëve u ndoq një politikë diskriminuese, centraliste, monoetnike, represive dhe opresive. Njësoj si në kohën e diktaturës komuniste të Jugosllavisë kominterniste, avnojiste rankoviqiste dhe serbo-komuniste të viteve 1945-1991.

Që nga viti 1991 e këndej, Maqedonia vazhdon të jetë i vetmi shtet në Evropë, me të burgosur politikë. Të burgosur politikë në Maqedoninë dyetnike, janë vetëm shqiptarët. Një shtet me të burgosur politikë, nuk e ka vendin në familjen evropiane.

Pushtetarët sllavo-maqedonas i kanë të ushtruara vrasjet e kurdisura. Në Vreshtat e Rashtakut, më 2 mars 2002, u ekzekutuan me pabesi dhe me gjakftohtësi gjashtë shtetas të Pakistanit dhe një i Indisë, për të cilët thanë se kanë pasur ndërmend të sulmojnë disa nga ambasadat e vendeve të Perëndimit. Në brez të të rinjve të shtrirë për toke, kishin vënë nga një revole, librin e shenjtë të fesë islame si dhe emblemën e UÇK-së.

Të vrarët ishin djem të rinj që kishin përjetuar golgotë, në rrugën e tyre të mundimshme për një jetë më të mirë. Në çastin e vrasjes nga policët e Lube Boshkovskit, këta të rinj pakistanezë ishin të lodhur, të rraskapitur, të pagjumë, të mërdhirë, të etshëm dhe të unët. Për krimin makabër, nuk u përgjigj askush.

Ky farë Lube, pas ndërprerjes së granatimeve ndaj pozicioneve të UÇK-së në malësinë e Sharrit, në mbrëmjen e 25 marsit të vitit 2001, me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare sllavo-maqedonase, u ngjit në një fshat rrëzë Sharrit dhe u tha mediumeve:
“I çliruam fshatarët shqiptarë nga terroristët e UÇK-së”. Është e turpshme për çdo shqiptar të fotografohet në të njëjtin resht me brat Luben, siç kishte ndodhur para do kohësh.

Në asnjë vend të rruzullit dhe asnjëherë në historinë e kohës më të re, nuk janë shqiptuar 746 vjet burg, siç ndodhi me të dënuarit e tragjedisë së Kumanovës. Është detyrë e organeve të gjyqësisë që dënimet drakonike ndaj 35 shqiptarëve të tragjedisë së sipërthënë, t’i suprimojnë dhe duke u bazuar në fakte, rastin ta zbardhin me drejtësi.

Gjatë tërë periudhës së pluralizmit, sllavo-maqedonasit kanë ndjekur ndaj shqiptarëve strategjinë bizantine: duke u krijuar shqiptarëve probleme të paqena, i kanë detyruar ata që të merren me to, me qëllim që të shmangen prej problemeve reale të tyre, sikundër janë ato politike, kombëtare, sociale dhe ekonomike.

Qeveria e Zaevit, meqë ka shumicën, sa më parë  duhet ta miratojë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, madje pa asnjë ndryshim, në mënyrë që t’i mundësojë faktorit politik shqiptar të përkushtohet në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e viseve shqiptare, ekonomikisht të degraduara. Ndryshe, shkollat do të mbeten pa nxënës, universitetet pa studentë. Të rinjtë ndërkaq, “për një jetë më të mirë”, do t’i marrin në sy – rrugët pa kthim.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: denime drakonike, Naqedonai, shqiptareve, Xhelal Zejneli

Atdhedashuria, top që shëmb çdo kështjellë

December 4, 2017 by dgreca

nuri Dragoj

Nga Nuri Dragoj/

Qendra e Studimeve Albanologjike-Instituti i Historisë/

canja

Monografia që i kushtohet prijësit popullor Cane Miftar Smokthinës, na njeh krahas jetës dhe veprimtarisë së këtij trimi, edhe me lëvizjet antiosmane të shqiptarëve në trevat jugore, të cilat erdhën duke u organizuar dhe qartësuar në kërkesa. Autorët e librit, profesor Bardhosh Gaçe dhe Eqerem Canaj, e sjellin personazhin në fjalë në rritje graduale, të pashkëputur nga fshati dhe treva ku u lind, një zonë me banim të lashtë sa vet jeta, ku vështirësitë natyrore, dimrat dhe terreni malor, gërshetohen me ato të krijuara nga qeveria osmane me anë të taksave të shumta, dërgimin e djemve nizam në vende të largëta, zinë që shoqëronte mos kthimin e tyre, problematikat e kohës, mosmarrëveshjet me pushtetarët vendas etj. I shkruar me gjuhë të pastër letrare, rrjedhshëm dhe mjaft tërheqës, të pasur në fjalor e shprehje të vjetra, përdorur nga banorët e fshatit Bashaj, Smokthinës e gjithë Labërisë, ia shtojnë edhe më shumë vlerat librit, duke e bërë atë mjaft interesant. Ai ka vlerë jo vetëm pse zbardh jetën e një figure të shquar të asaj treve, por edhe sepse i shërben brezit të ri të njihet me traditat përparimtare dhe luftarake të të parëve të tyre, ndihmon në pasqyrimin e ngjarjeve dhe plotësimin e figurave të panjohura apo pak të njohura, në një kohë që ndihmesa e tyre ka qenë e çmuar.

Autorët kanë ditur të na japin cilësitë e Cane Miftarit që në moshë të vogël, zgjuarësinë dhe veprimet çapkëne, tendencën për jetë të pavarur, guximtar dhe kokëkrisur deri te ai. Një djalë që kërkon të provojë e eksperimentoj, kureshtar për ujin e pijshëm dhe të fshehtat brenda malit, eksplorues i natyrës dhe mjaft këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të veta, duke filluar me provat e para të kalërimit, rrëzimet dhe ngritjet, dëmtimin e krahut dhe mospërfilljen e dhimbjes, daljen kaçak a firar në mal në moshën adoleshente, peripecitë e shumta me të cilët është përballur, e ku i dihej fundi rrugëtimit të tij. Ndaj dhe i ati merakosej, e ndjek hap pas hapi, e këshillon disa herë dhe më në fund i nënshtrohet vullnetit a fatit të tij, e lë në jetën e vet.

Shkruesit e monografisë janë njohës të mirë të ngjarjeve, të zhvillimeve osmane në tërësi dhe atyre që ndodhnin në Shqipëri, me kulturë të gjerë dhe penë të artë, shkrimtarë dhe poetë për nga mënyra e të shkruarit, njohës të toponimisë, etnografë të kualifikuar, duke na e dhënë të skanuar një periudhë të caktuar kohore, në të gjitha planet. Duke ecur me Cane Miftarin, mësojmë dhe zhvillimet historike, shkaqet e qëndrimeve të ndryshme të kabineteve qeveritare, rrebelimeve, ndarjeve, aleancave dhe ftohjeve, kryengritjeve të organizuara mirë por dhe kurtheve e tradhëtive, që i kanë shoqëruar shqiptarët përherë. Kemi të bëjmë me një burrë të labërisë që nuk pajtohet me padrejtësinë. Duket se Cane Smokthina ka qenë i ditur dhe është pajtuar me thënien e Roussau: “Kush duartroket padrejtësinë,është fajtor më i madh se ai që e kryen”. Sepse në një farë mënyre të gjithë kemi tendencën për mëkate, qoftë si individ, qoftë si shoqëri, dhe siç thoshte Napoleon Boboparti “Virtyti i pare është dashuria për atdhe”.

Në fundin e shekullit të 18, kur Cane Miftari shkollohej, rritej fizikisht e mendërisht, mësoi një pjesë të të vërtetave që lidheshin me Portën e Lartë. Pas vdekjes së Katerinës së Dytë, qenë përmirësuar dukshëm marrëdhëniet e Rusisë me Perandorinë Osmane, pasi ishte rënë dakord që rusët të luanin rol mbikqyrës mbi komunitetet e krishtera që jetonin në territorin e perandorisë. Gati të njëjtin rol luanin dhe francezët. Politikën e Katerinës e ndoqi dhe Pavli i Parë, i cili qe kundër rritjes së ndikimit francez. Për këtë i erdhi në ndihmë ekspedita e organizuar nga Napoleon Bonoparti, kundër Portës së Lartë, e cila i prishi marrëdhëniet midis Francës dhe Perandorisë Osmane. Si kundërpeshë, Stambolli lidhi aleancë me Anglinë dhe Rusinë dhe, në vitin 1798, i shpalli luftë Francës. Ushtria osmane e theu sulmin e Napoleonit, konfiskoi pasuritë franceze dhe gjithë ishujt e detit Jon u pushtuan nga osmanët. Por armiqësia nuk shkoi gjatë, pasi në vitin 1802 u nënshkrua paqja me Francën, së cilës iu njoh e drejta e lundrimit në Detin e Zi.

Nisur nga fakti i dobësimit të Francës dhe kërkesës së Anglisë dhe Rusisë për marrëdhënie të mira, u duk sikur sulltan Selimi i III-të do të sundonte i lumtur, por nuk ndodhi kështu. Ahmet Pashë Zhezari në Palestinë dhe Tajar Pashë Xhanikliu në Anadollin Verior, të nxitur nga Rusia, kërkuan të ishin të pavarur nga Perandoria. Rebelime më të rrezikshme qenë ato të provincave europiane. Çetat e cubave në Bullgari mbillnin trazira pa shfaqur qëllim politik, në një kohë që nacionalistët e rinj, të përkrahur nga Austria dhe Rusia, punonin për pavarësi. Ismail Pashë Tirsanikliu dhe zëvendësi i tij, Mustafa Bajraktari, vendosën sundimin e tyre mbi popullsinë vendase. Të njëtën gjë bëri dhe Osman Pazvanogllu në Bullgarinë Perëndimore dhe Serbinë Lindore. Por ajo që e shqetësonte me të vërtetë qeverinë e Stambollit, ishin lëvizjet e sundimtarit të Janinës, Ali Pashë Tepelena, kryengritjet e të cilit zhvilloheshin në Shqipëri dhe Epir. Ky pasha ndihej sovran i pavarur, në gjithë atë trevë.

Në dekadën e parë të shekullit të 19-të filloi të lulëzonte teoria e nacionalizmit, në kërkim të legjitimitetit politik. Ajo u ushqye gjatë luftrave të revolucioneve franceze dhe u rrit si një alternativë e re ndaj mënyrës së mbizotërimit të mendimit, që bazohej krahas autoritetit të qeverisë edhe në të drejtën hyjnore, e cila u shfrytëzua me kujdes nga politika europiane për të shpërbërë pushtetin osman. Fillimisht ata nxitën popullsinë e krishterë në kërkim të të drejtave të tyre për autonomi.

Në kohën kur Cane Miftari ishte 28 vjeç, sulltan Selimi i III-të urdhëroi vendosjen e një ushtrie të fortë në Edrene, e cila zemëroi nacionalistët që kërkonin pavarësi. Për pasojë ata e rritën presionin ndaj perandorisë. Më 29 maj 1807, pas një përballje të ashpër me jeniçerët, Selimi i III hoqi dorë nga froni dhe ia la atë kushëririt të vet, Mustafait IV. Në atë kohë shpërthyen kryengritjet antiosmane edhe në Serbi, nën drejtimin e Kara Gjorgje, të cilat mbështeteshin nga rusët dhe austriakët dhe vazhduan deri në vitin 1812. Natyrisht, në krah të tyre qenë anglezët, ndërsa francezët vazhdonin të ruanin marrëdhënie paqësore me perandorinë. Mustafai IV u tregua njeri pa personalitet dhe për shkak të paaftësisë së tij, në korrik të vitit 1808, u vra Selimi i III. Mustafa Bajraktari, më 28 korrik 1908, shpalli sulltan një nga djemtë e Abdylhamitit I, me emrin Mahmuti II, i cili mbretëroi deri në vitin 1839.

Mahmuti II, hypi në fron në moshën 23 vjeçe dhe nuk kishte përvojë, por u mbështet te kryeveziri Mustafa Pashë Bajraktari, i cili e kuptoi që Perandoria kishte nevojë për një dorë të fortë dhe ushtri moderne të tipit perëndimor. Sulltani i ri, pasi zhduku njerëzit e afërm të sulltan Selimit III, thirri krerët e provincave për të biseduar mbi reformat, por ndaj tij nuk u bindën Ali Pashë Tepelena, Mehmet Aliu i Egjiptit dhe disa krerë bullgarë, që ishin kundër Mustafa Bajraktarit. Gjithsesi u nënshkrua një marrëveshje që parashikonte: a) ndershmëri e besnikëri ndaj sulltanit dhe vezirit të madh; b) organizimin e një ushtrie të re; c) vjeljen e rregullt të tatimeve; d) qeverisjen e provincave duke respektuar ligjshmërinë etj. Sulltani u zotua se do të merrte vetëm taksat e ligjshme, por kjo marrëveshje nuk u nënshkrua prej tij, me shpresë se do të ndikonte pozitivisht te krerët e provincave. Mirëpo, këta të fundit, kur panë se marrëveshja kufizonte pushtetin e tyre vetjak, ngritën krye. Mehmet Aliu në Egjipt kishte bërë për vete ulematë që ishin keqtrajtuar nga mamlukët. Duke përfituar nga dobësia e qeverisë qendrore të Stambollit, ai mori masa për forcimin e ushtrisë dhe armatosjen e saj me armë të prodhimit perëndimor, duke shfrytëzuar për këtë dijet e oficerëve francezë të mbetur aty.

Autorët e librit e kanë pasqyruar situatën në mënyrë të shkëlqyer. Kur Cane Miftari ishte 30 vjeç e shohim në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, apo Luanit të Janinës, siç na jepet në libër. Gaçe dhe Canaj kanë ditur të na sjellin në mënyrë të përsosur egërsinë e sulltanit ndaj vezirit të Janinës, gjendjen fizike, morale e psikologjike të Ali Pashë Tepelenës në atë periudhë, të prerë si përherë, por të zbutur njëkohësisht, më të dashur me njerëzit që e rrethonin, premtues për heqjen e taksave dhe lëshime të tjera. Diçka po ndodhte. Pashai po plakej, qeveria osmane e kishte rritur presionin ndaj tij, qenë ftohur marrëdhëniet me disa feudalë shqiptarë, sidomos me trimat që ishin në krye të revoltave. Ali Pasha kërkonte të mblidhte sa më shumë prej tyre pranë vetes, të mësonte të vërtetën në qëndrimin ndaj tij dhe t’i bindte ta mbështetnin, pasi ndihej më i kërcënuar se kurrë. Europa e Rusia kërkonin shpërbërjen e osmanëve, ndërsa qeveria perandorake bënte gjithçka për të patur nën zotërim të plotë vilajetet nën administrimin e vet.

Situata vinte duke u acaruar ngado. Rusët mundën të bllokonin trevat danubiane në vitin 1810, shpartalluan osmanët në Ballkan dhe në vitin 1811 nisën bisedimet për paqe. Ndërkohë Napoleoni I-rë mësyu Rusinë dhe në maj të vitit 1812, Traktati i Bukureshtit ua ktheu Vllahinë dhe Moldavinë osmanëve, ndërsa rusët morën Besarabinë. Më 1818 shpërtheu një kryengritje, ku u përfshi dhe Millosh Obrenoviç, e cila përkoi me mundjen e Napoleonit I-rë në Vaterlo (Ëaterloo). Për pasojë rusët e detyruan Mahmutin e II të pranonte Serbinë si principatë vasale.

Në vitin 1814, në Odesa u rithemelua shoqëria Etniki Eterja “Heteria”, që më vonë mori emrin “Shoqëria e Miqve”. Ajo ushqehej me frymën e fanarit dhe në të bënin pjesë një numër i madh klerikësh ortodoksë. Heteria tentoi të krijonte lidhje me Kara Gjorgjin dhe Ali Pashë Tepelenën, por nuk arritën ndonjë përfundim pozitiv, ndaj kërkuan mbështetjen ruse. Në krye të lëvizjes vunë Joan Kapodistrën, njeri i afërt me carin rus. Meqë Kapodistra nuk pranoi, iu drejtuan Aleksandër Ipsilanit, i cili kishte qenë adjutant i Carit të Rusisë dhe i kërkuan të bashkëvepronte me prijsin e serbëve, Millosh Obrenoviç.

Në Greqi përgatitej një kryengritje antiosmane, e cila do të shpërthente kur ushtria osmane të ishte e zënë me luftime në Moldavi e Vllahi nga sulmet e Ipsilanit, dhe në Epir e Shqipërinë e Jugut kundër Ali Pashë Tepelenës. Luftimet morën përmasa të frikshme në More, pasi priftërinjtë luajtën rol aktiv në nxitjen e dhunës. Popullsia greke në atë trevë kishte mbështetur Ali Pashë Tepelenën, por Halet Efendiu, myhyrdar i sulltan Mahmutit II, u inatos me Ali Pashë Tepelënën, sepse nuk po i dërgonte dhurata si më parë. Për më tepër ai kishte shërbyer si mësues i fëmijëve të dinjitarëve grekë në Stamboll. Por dhe Ali Pashë Tepelena nuk qëndroi duarkryq. Ai u informua për një letër që anëtarët e komitetit të kryengritjes së Moresë i dërgonin Dhespotit të Janinës, e thirri dhespotin në zyrën e vet dhe i dha letrën për ta lexuar. Dhespoti vdiq në vend nga frika. Për të hetuar çështjen e vdekjes së tij, Halet Efendiu dërgoi Nikola Moruzin, që ishte njëkohësisht dhe anëtar i shoqatës Etniki Eterja. Në raportin e tij thuhej se raja e Rumelisë qe besnike e Dovletit, ndaj Ali Pasha duhej të ndëshkohej. Pikërisht intrigat e Halet Efendiut dhe Hurshid Pashës çuan në rebelimin e Ali Pashë Tepelenës dhe rezistenca e tij ndaj taborreve osmane qe shumë e fortë. Por, sipas profesor Mehmet Maksutoglu, patriarku u tremb dhe shprehu kritikë ndaj kryengritësve. Kjo bëri që Halet Efendiun, për shkak të dezinformimeve, ta dërgonin në Konja, ku dhe e ekzekutuan. Me vdekje u dënua dhe kryepeshkopi ortodoks Grigorios në Stamboll. Në këto rrethana, qeveria osmane rriti presionin mbi popullsinë dhe mori masa për të rekrutuar të gjitha moshat mbi 18 vjeç, por hasën në kudërshti të shqiptarëve. Kush nuk pranonte të shkonte nizam, merrej me forcë, rrihej dhe burgosej. Për pasojë pati konflikte në gjithë trojet shqiptare. Shumë burra u rebeluan ndaj kërkesave të njëpasnjëshme të qeverisë perandorake, jo vetëm për taksat e larta, por edhe për kërkesat e vazhdueshme për të marrë djemtë ushtarë. Të njëjtën gjë bënte dhe Ali Pashë Tepelena, i cili e donte ushtrinë për t’u mbrojtur.

Kjo gjendje na paraqitet mjaft mirë nga profesor Gaçe e Canaj. Duke përshkruar veprimtarinë e trimit të Smokthinës, del se Ali Pasha vuri re menjëherë trimërinë, zgjuarësinë dhe besnikërinë e Cane Miftarit dhe e dërgoi me një tabor ushtarësh në trevat jugore të Shqipërisë. Duhej të mblidhte ushtarë për pashanë. Miftari përshkoi male e fusha, u përballë me shi e borë, vdekje të shokëve nga moti e sëmundjet, nga ndëshkimet që u jepte vet ai për shkelje të moralit, takoi trima si Tafil Buzi, Mete Jazo, Ali Korça e Veiz Vasjari, lexoi mëdyshjet e shumë njerëzve, mosbesimin e të tjerëve, tronditjen nga themelet të pushtetit të Ali Pashës, për pasojë nuk mundi ta realizonte detyrën që i ngarkoi Luani i Janinës. Trimat qenë ftohur edhe ndaj tij, ndonëse kishin besuar se mbronte të drejtat shqiptare. U kthye duarbosh te pashai. Ai e kuptoi, por nuk e hodhi. E ngarkoi me një tjetër mision në Korfuz, të takonte konsullin francez Pouqueville. Kishte nevojë për mbështetjen e fuqive të mëdha europiane. Por Anglia as që donte t’ia dinte më për të. I premtoi ta strehonte familjarisht, t’i garantonte jetën. Por pashai nuk mund të largohej, pasi ikjen e quante tradhëti ndaj idealit të vet dhe njerëzve që e rrethonin. Franca mbështeste levizjen e të krishterëve për pavarësi. Rusia priste shembjen e perandorisë osmane.

Në prill të vitit 1820, Cane Miftari u kthye nga misioni në Korfuz dhe nga Parga u nis për në Artë. Ishte koha kur Ali Pashë Tepelena përgatitej për luftë. Katër muaj më pas, ushtria osmane organizoi një sulm të madh kundër Ali Pashë Tepelenës dhe në gusht të vitit 1820 rrethuan Janinën. Nga situata e krijuar përfitoi patriarku i Patrës, Germanos, i cili më 25 mars 1821, shpalli fillimin e luftës për çlirimin e Greqisë, duke kryer masakra të shumta mbi popullsinë turke të Moresë dhe sidomos mbi myslimanët e Topolicës. Kështu vepruan edhe jeniçerët e Stambollit, të cilët varën në litar patriarkun e fesë ortodokse dhe disa klerikë. Në revolucionin e vitit 1821, grekët iu kundërvunë myslimanëve dhe për pasojë mijëra burra, gra e fëmijë u masakruan, duke u therur si bagëti. “Nuk ekziston asgjë e gjallë në botë që të jetë më e egër se njeriu”, shkruante Homeri.

Parimi udhëheqës i atij revolucioni qe shpagimi i territoreve që mbaheshin nga myslimanët me frymën e zgjerimit të Greqisë dhe krijimit të një Greqie të madhe me qendër Konstandinopojën, pra një ringjallje e Perandorisë Bizantine. Edhe pse qeveria e Portës së Lartë që ishte myslimane u soll miqësisht me të krishterët, u dha të drejtën e besimit dhe të shkollës, përkundrazi, ortodoksia u soll ashpër me ta, duke ushqyer frymën fetare, se gjoja kjo sjellje ndaj myslimanëve qe dëshirë e Zotit.

Ndërkohë, opinioni perëndimor kundërveproi ndaj masakrave që u bënë ndaj grekëve, pa thënë asnjë fjalë për masakrat ndaj popullsisë myslimane. Ali Pashë Tepelena, i rrethuar për kohë të gjatë, pas shumë luftimeve që zgjatën në kohë, u detyrua të dorëzohej. Ai u vra në rrethim, më 24 janar të vitit 1822. Në këtë mënyrë mori fund edhe përpjekja për të shkëputur Epirin dhe Shqipërinë e Jugut nga Perandoria Osmane.

Guvernatori i Egjiptit, Muhamet Ali Pasha, ishte në kërkim të pavarësisë, ndaj e pozicionoi flotën e vet në brigjet e Moresë, që drejtohej nga Ibrahim Pasha. Forcat greke u shtypën dhe kështjellat u rimorën nga forcat osmane. Kjo nuk u prit mirë nga britanikët dhe rusët. Në të njëjtin front u rreshtuan dhe francezët. Më 4 prill 1827, britanikët u takuan me rusët në Shën Petërburg dhe u shprehën kundër veprimeve të Ibrahim Pashës, duke nënshkruar dhe një protokoll, ku kërkohej shpallja e Greqisë shtet autonom. Ky protokoll nuk u miratua nga Austria pasi ishte perandori, sundonte disa popullsi dhe mund të hapej loja e autonomisë.

Më 6 korrik 1827 u nënshkrua Traktati i Londrës, sipas të cilit, me perandorinë do të kishte paqe vetëm po të pranohej traktati i Shën Peterburgut. Porta e Lartë nuk e pranoi këtë kusht, pasi e konsideroi ndërhyrje në punët e brendshme. Atëherë flota ruse dhe ajo britanike kërcënuan Ibrahim Pashën për t’u tërhequr. Ai nuk u bind. Një muaj më pas, flota britanike, ruse e franceze u bashkuan, dhe mbytën anijet osmane. Kjo çoi në shpalljen e pavarësisë së Greqisë në vitin 1828 dhe një vit më pas qeveria osmane nënshkroi Traktatin e Edrinesë që njihte pavarësinë e shtetit të dominuar nga popullsia e krishterë.

Në revolucionin grek morën pjesë një numër i madh shqiptarësh. Madje shpesh nga historianët thuhet se ai revolucion u bë nga shqiptarët, pasi rreth 70 për qind e heronjëve të asaj lufte janë shqiptarë. Krerët e çetave kryengritëse bënë disa takime me palën greke, për të qenë bashkë në luftë kundër osmanëve, duke marrë garanci për ruajtjen e territoreve në mënyrë reciproke. Pala greke heshtte. Por nga libri mësojmë se përpjekjet e shqiptarëve për largimin e Mehmet Reshid Pashës nuk reshtën për asnjë çast. Porta e Lartë bëri përpjekje për të bindur Iliaz Podën të tërhiqej nga veprimet kryengritëse, por nuk ia arritën qëllimit. Bashkë me Ismail Pashë Vlorën, Beqir bej Vlorën e Cane bej Smokthinën, kryengritjet vazhduan, madje më të organizuara.

Zëvendësimi i Ali Pashë Tepelenës me Omer Pashën e rriti më tej revoltën shqiptare. Kryengritësit deklaruan se nuk njihnin asnjë qeveritar tjetër përveç Ismail beut, nipit të Ali Pashë Tepelenës. Tashmë opozitarët antiosmanë në Shqipëri e ndjenin më shumë nevojën e bashkimit, për të patur unitet mendimi dhe veprimi kundër reformave centralizuese të qeverisë osmane. Kjo bëri që krahinat shqiptare të jugut, Vlorë, Tepelenë, Delvinë, Mallakstër, Kurvelesh, Çamëri, Skrapar, Përmet, Kolonjë, Leskovik, në maj të vitit 1828 të dërgonin përfaqësueit e tyre në Berat, ku u krijua Lidhja shqiptare nën drejtimin e Iliaz e Zylyftar Podës, Ismail bej Vlorës, Shahin Delvinës e tjerë. Në atë kuvend, Cane Miftar Smokthina, përfaqësonte Lumin e Vlorës. Aty u vendos largimi i vezirit të Janinës dhe qeverisja prej shqiptarëve. E vërteta, liria, virtyti janë tri gjërat e vetme për të cilat duhet ta duam jetën, shkruante Volteri. Kështu mendonte dhe Cane Smokthina.

Edhe pse ushtria osmane kreu krime të përbindshme ndaj popullsisë, lëvizja e armatosur antiosmane dhe njëkohësisht antifeudale mori përmasa të gjera, duke u ushqyer me forca nga ushtarët që dezertonin radhët e ushtrisë perandorake. Tradhëtitë nga radhët e bejlerëve, që binin pre e politikës osmane për pushtet, e dëmtoi lëvizjen antiosmane, por njëkohësiht nxori në krye të kryengritjeve trima si Tafil Buzi, Gjoleka, Rrapo Hekali etj. Kjo bëri që krahas Portës së Lartë, të pësonin tronditje edhe qeveritarët vendas.

Kënga thotë: Zuri labi me trumbetë, / Gjolekë s’kemi fishekë, / Hajde bëjmë tatëpjetë, / T’u marrim xhephanetë… Por nuk mungonin dhe shërbëtorët e Portës së Lartë, që vegjetonin në radhët e luftëtarëve. Duket se kjo kategori njerëzish nuk e kanë asnjëherë parasysh shprehjen e urtë popullore: “Atë që nuk dëshiron të ta bëjë tjetri, mos e bëj, edhe atë që dëshiron ta bëjë tjetri, bëje”. Ndaj dhe kënga u drejtohet tradhëtarëve me këto fjalë: Pa dëgjo o beu ynë, / Mbaje mirë terezinë, / Se njerëzia u piknë, / Ikn e muarrë arratinë, / Ca në Vlorë, ca në Delvinë… Kullat e bardha në brinjë, / Kukumjaçet ulërijnë, / Ashtu do t’i bësh dhe tinë…

Studiuesi Gaçe dhe shkrimtari Canaj, na sjellin të plotë realitetin e kohës, përpjekjet për të shtirë në dorë luftëtarë të shquarë nga radhët e kryengritësve, premtimin që u bënin atyre me poste e para dhe pasojat që rridhnin nga besimi i krijuar për shkak të dëshirës për pushtet e lakmisë së përfitimeve monetare. Arritjet e kryengritësve e tmerruan Mehmet Pashën që u detyrua të jepte dorëheqjen, por ajo nuk u pranua, pasi qe menduar një plan i hollë për asgjësimin e krerëve shqiptarë. Në kurthin e ngritur nga Mehmet Reshid Pasha, ra pre dhe Ismail Vlora, i cili u paraqit në Janinë më 5 janar të vitit 1829, sipas kërkesës së guvernatorit, ku njerëzit e tij qenë porositur për ta vrarë duke ngjitur shkallët.

Aty veçohet zgjuarësia dhe karakteri i fortë i Cane Smokthinës, i cili nuk u pajtua me propozimin e Mehmet Pashës dhe iu shmang planit të tij për të vrarë disa nga krerët e kryengritjes. Pati dhe shumë të tjerë që e nuhatën të keqen e madhe. Por ky kujdes zgjati fare pak kohë, sepse në verën e vitit 1830, plani i tyre i fshehtë u bë realitet. Rreth 400 krerë të shquar nga trevat shqiptare u thirrën në Manastir për të marrë ofiqet e premtuara. Ata qenë veshur me kostume kombëtare dhe ecnin kaluar, për të parë fillimisht një stërvitje mësimore të ushtarëve perandorak, armët e të cilëve u kthyen befas nga trimat shqiptarë, duke shtrirë përtokë ata viganë që i jepnin dritë atij stadiumi të zi për ta e gjithë Shqipërinë.

Në të njëjtën ditë, masakër bëri edhe i biri i Mehmet Pashës, Emin Pasha, i cili nisi drejt Manastirit kokën e Musli Beut dhe disa feudalëve të tjerë që ndodheshin në Janinë. Ishin të paktë ata që i shpëtuan këtij kurthi të tmerrshëm. Autorët tërheqin vëmendjen e lexuesit, duke mos lejuar të kalojë fakti i përçarjes, i tradhtisë, pasi ata trima nuk i besuan pushtetarëve osmanë, por të dërguarve të tyre, bejlerëve shqiptarë që luajtën rolin e ndërmjetësit, duke u bërë apel brezave: kurrë më kështu!

Por shqiptarët sërish nuk u gjunjëzuan.

Në vitin 1833 kryengritjet erdhën në rritje, duke u shtrirë në gjithë trevat jugore dhe luftëtarët e udhëhequr nga Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Rrapo Hekali, Shahin Delvina, Beqir Vlora, Cane Smokthina, Bilal Nezha, e të tjerë, bënë që të binte kalaja e Beratit. Kishte të drejtë Sami Frashëri kur thoshte: Atdhedashuriaështë top që shëmb e mposht çdo armik e çdo kështjellë, sado të fuqishme të jenë. Pas kësaj u pranua që pashallëku të qeverisej nga shqiptarë. Në këtë mënyrë, të shtatë kazatë kryengritëse, Vlora, Mallakastra e Sipërme, Berati, Tepelena, Tomorrica, Skrapari e Dëshnica të vendosnin përfaqësuesit e tyre dhe mbikqyreshin nga populli i Toskërisë.

Autorët e librit pasqyrojnë me profesionalizëm zhvillimet e mëvonshme, përpjekjet e Daut Pashës për rikthimin e Beratit nën varësisë e osmanëve, por dështuan përsëri, pasi trevat shqiptare u treguan edhe më të bashkuara. Profesor Gaçe e Canaj tregojnë se kjo kryengritje ishte e veçantë për shkak se shënoi një etapë më të lartë të lëvizjes kombëtare, pati shtrirje më të gjerë dhe përmbajtje të re, pasi në konflikt kemi një ndeshje ballore të masave popullore me qeverinë osmane dhe reformat centralizuese të saj. Për herë të parë ndihet thirrja për çlirim kombëtar dhe shihen qartë elementët e bashkimit të çetave patriotike. Duket se në veshët e trimave shqiptarë kumbonin në vesh fjalët e Skënderbeut, thënë 400 vite më parë: “Fuqitë e Shqipërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla, që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Në qoftë se këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lum të madh e të fuqishëm”.

Natyrisht fitorja përfundimtare nuk qe e lehtë, jo vetëm sepse shqiptarët nuk ishin të organizuar mirë, por mbi të gjithë u mungonte mbështetja nga fuqitë europiane. Megjithatë, pavarësisht nga sukseset e forcave qeveritare, rezistenca nuk u shua, madje u ndez edhe më shumë, sepse krahas urrejtjes për sunduesit që e lanë vendin të prapambetur, ndihej dhe dëshira për pavarësi. Një vit më pas, më 1835, një tjetër kryengritje e fuqishme nisi në Berat, më tej në Fier e drejtuar nga Alush Frakulla. Në Velabisht u mbajt dhe një kuvend i rëndësishëm, për të cilin kënga popullore thotë: Lumi Vlorës nëntë mijë, / Berati me Toskërinë, / Delvina me Çamërinë, / Velabisht ngritën hordhinë… Trimat u ngjitën me shkallë për të marrë kalanë dhe Mete Jazua që mbante flamurin në ballë u godit për vdekje, por Cane Smokthina nuk e lëshoi flamurin, por ia rrëmbeu nga dora dhe e nguli te kroi. Mjaft domethënëse janë vargjet popullore: Mete Jazua gjakëtuar, / Kullën e kuqe ç’e muarë, / U plagos në krahëruar, / Dy plumba përtej e shpuan….-Ngrehu Mete, shih vëllanë, / Të shikosh Cane Miftar, / Se Cane Miftari shkoi/, Nguli bajrakun te kroi…

Më pas kryengritjet antiosmane u shtrinë në gjithë jugun dhe mbërritën deri në portat e Janinës, por më në fund u thyen dhe Tafil Buzi u detyrua të pranonte armëpushimin. Ata u tradhëtuan nga krerët grekë, të cilët e fituan pavarësinë në sajë të luftës së mijëra shqiptarëve nga Vlora, Berati, Përmeti e deri në Artë, ndërsa paria greke nuk e mbështeti lëvizjen shqiptare, madje u përpoq ta sabotonte atë, pasi nuk i interesonte pavarësia e fqinjëve të vetë. Nëse ata do të tregohehsin besnik si dhe shqiptarët, ngjarjet do të kishin përparuar më shpejt në favor të popullit më të lashtë të gadishullit, që ka derdhur gjak më shumë se gjithë të tjerët. E më në fund edhe Cane Smokthina ran ë kurthin e Emin pashait. E thirrën në Vlorë dhe i morën jetën. Populli e qorton trimin e vet: …Vajte drejt në kafene, / Të hodh helmin në kafe, / Të plasnë sytë e s’e pe…

Filed Under: Analiza Tagged With: Atdhedashuria, Bardhosh Gace & Eqerem Canaj, Monografia e Cane miftarit, Nuri Dragoj

Arkivi i Kosovës në Kongresin Amerikan

December 4, 2017 by dgreca

1 Jusuf Azemi

SHSHA në Çikago do të dërgojë në Kongresin Amerikan publikimet e Arkivit të Kosovës/

Skënder Karaçica/

1 Arkivi i kosves
Ende ka hapësirë për publikimet shkencore historike,arkivore,gazetareske dhe të fushës së publicitikës që hedhin dritë për kohën vrastare të regjimit të Serbisë për ,,Tokën e djegur,,të Kosovës,kështu thuhet në kumtesën për opinion të SHSHA-së në Çikago.
Në këtë kumtesë nga Çikago thuhet se publikimet shkencore dhe të orëve historike të kohës nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët dhe Kosova karshi regjimit vrastar të Serbisë në kohën e rëndë(1844-1999),tregon më së miri se deri ku kishte arritur skenari shfarosës deri në shkallën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të përgjakur e të vrarë në mbrojtje të hapësirës së vet kombëtare.
Për të hedhë dritë në tërë katrahurën historike vrastare të Serbisë ndaj Kosovës,SHSHA në Çikago në bashkëpunim me LQSHA Joe DioGuardi në Nju Jork,para do kohe në Bibliotekën e Kongresit e të Senatit në Washington,
dërguan disa ekzemplarë të publikimeve shkencore-historike të autorëve Mr.Jusuf Buxhovi dhe Prof.dr.Nusret Pllana që,si thuhet në këtë kumtesë paraqet rëndësinë historike për informimin e miqëve tanë në Shtëpinë e Bardhë.
Për të shtuar numrin e botimeve të veçanta shkencore në sirtarët e Bibliotekës së Kongresit e të Senatit në Washington,SHSHA do të dërgojë dy botimet e Arkivit të Shtetit të Kosovës ,,The Serb Government,s Crimes in Kosova 1998-1999 si dhe ,,Serbia,s Crimes Against Children in Kosova,,të prof.dr.Jusuf Osmani të botuara në Prishtinë.
Një praktikë e bashkëpunimit të SHSHA-LQSHA me Kongresin dhe Senatin Amerikan në Washngton do të vazthdoj edhe në të ardhëm,në mënyrë që e vërteta historike mos të mbetët pengë e propagandës antishqiptare të Serbisë,që në historinë kombëtare shqiptare gjithherë ka luajtur skenarët,,Vrajë natën e qaj ditën,,-kështu ka mbetur sot e kësaj kohe kujtesa jonë kombëtare për regjimet antishqiptare të Serbisë,thuhet ndër të tjera në kumtesën për opinion të SHSHA-së në Çikago.
 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Arkivi i Kosovës, ne Kongresin amerikan, Skender Karacica

Ambasadori Sem Fabrizi: “BE vështron me vemendje Luginen e Preshevës “

December 4, 2017 by dgreca

BE, Fabrizi ja ngreh veshin Stankovicit në Bujanoc: Leni llafet, Beogradi te krijojë kushte ne Lugine qe qytetaret te ndjehen si ne vendin e vete/

fabbbv-1-1

Bujanoc, 4 dhjetor  -Sic keni njoftuar ne Bujanoc po qendron nje delegacionit i Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, i prire nga ambasadori Sem Fabrizi. Nga kjo vizite e pare e ketij delgacion te larte te BE-së ka per qellim te njihet me situaten reale ne Lujginene Preshevës  dhe per te inkurajuar rajonin me gatishmerine e BE-së për të financuara dhe kontribuar zhvillimin e infrastrukturës, nxitjen e konkurrencës së ekonomisë lokale dhe punë, vende të reja të punës, dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, njofton agjencia e lajmeve“Persheva Jonë”.

Fabrizi pas një takimi me Presidentin e Qeverisë së Sërbisë Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankovic, u tha gazetareve se stabiliteti rajonal, bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik dhe te drejtat e njeriut ne Lugine e Preshevës janë të rëndësishme për BE-në.

Shefi i BE-së Fabrizi ne viziten e pare Bujanoc interesohet për avancimin e të drejtat e shqiptareve në Luginë. Te zbatohet plani shtate pikesh i propozuar nga shqiptaret!

 “BE vështron me vemendje Luginen e Preshevës “, ka thëne sot ne Bujanco shefi i miusonit te BE-së z.Sam Fabrizi i cili per here te pare vizitoi Luginen e Preshevës. Gjate kesja vizite shefi i misionit te BE-së ne Serbi z.Frbrizio sa ka lavderuar proeceset po aq edhe ka kritikuar, duke shprehur shqetësimin per ngecjeve  te te”drejtave te shqiptareve ne Luginen e Preshevës, kane thëne nikociret  nga Bujanoci per agjencine e lajmeve “Presheva jonë” sipas te cileve vetem dy kerkesa jane zbatuar qe 4-5 vite?!

Ambasadorët dhe Bashkimit Evropian ne Serbi Sem Fabrizi ne vBujanco ka thne se BE po ndjek me mjft kujdne ssiziaten dhe zhvillimet ne Luginene Preshvës tazhdim. “Konsiderojme se eshte mjaft e erëndësishme te vazdhoje dialogu dhe zbatimi i planit shtatë pikesh propozuar nga lidershipi shqiptar nga Lugina ne qershorin e vitit 2013..”

“Une jam i kënaqur qe sot këtu po dëgjoj mendimi te ndryshme. Beogradi te krijoj kushte ne Lugine qe qytetaret te ndjehen si ne vendin e vete ” tha Fabrizi sot ne Bujanoc i shoqeruar nga Zoran Stankvic, nje pensioner qe ende udheheq Trupin Koordinues për Medvegjë, Bujanc dhe Preshevë.

Ndryshe Stankovic si gjithnje edhe sot ne Bujanoc me te njejten retorikë, me te njejta shifra dhe te njejten fjalë. “Mbështetja e BE-së është e nevojshme për projekte për të përmirësuar kushtet ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. komuniteti ndërkombëtar ka investuar rreth 35 milionë euro në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dhe përmes Trupit Koordinues ka investuar edhe 60 milionë euro në projektet e infrastrukturës. Ne po punojnë në implementimin e programit të propozimit shtatë pikë mbi partitë shqiptare në këto komuna, Qeveria e Serbisë ka miratuar në vitin 2013”, tha Stankovic.

Filed Under: Rajon Tagged With: Beogradi, Kushtet, Lugina e Presheves, Sem Fabrizi: “BE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT