• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

Kosovë-Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi drejt ratifikimit

February 16, 2018 by dgreca

-Nënshkruhet deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç/

Thaci-Vujanovc

-Presidenti Thaçi: Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi/

  • Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 16 SHKURT 2018/ Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi shkon drejt ratifikimit edhe në Kuvendin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtypi ka njoftuar se bashkërisht dhe në të njëjtën kohë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Në deklaratë dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në verën e vitit 2015.Presidenti Thaçi pas konferencës për shtyp shkruan: “Sapo prezantova deklaratën e përbashkët, që kam nënshkruar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic.

E falënderoj Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, për mirëkuptimin që ka treguar për marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.Falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, ne kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Tani ka hapësirë të mjaftueshme për të proceduar me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke i hapur rrugë kështu liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Liberalizmi i vizave është dhurata më e mirë që mund të ndodh në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë. Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë ta ratifikojnë marrëveshjen. Urime”, shkruan Thaçi.

Deklarata e përbashkët e presidentëve njoftohet ndërkohë që gjatë dy ditëve të kaluara në Kosovë qëndroi kryeministri i Malit të Zi,  Dushko Markoviç.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha se deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë.

“Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tone”, theksoi ai.

Ndërkohë që Marrveshja për demarkacionin pritet të jetë në axhendë të një seance të Kuvendit, disa nga partitë parlamentare kanë ftuar sot konferenca për shtyp.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban konferencë për media me rastin e arritjes së marrëveshjes për demarkacionin”, thekson njoftimi dërguar nga partia që edhe në opozitë e edhe në pushtet kundërshtonte marrëveshjen për shënimin e kufirit ashtu si ishte.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi. Marrëveshjen e kanë nënshkruar për palën kosovare atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

 Në 4 gusht 2016 qeveria e  Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

 Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

 “Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa.

 Më pas, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

 Në 22 shtator, qeveria e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimindhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor  2017  në një mbledhje  ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e  prezantuar më parë para qeverisë në 4 dhjetor 2017.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u mblodh edhe pse më parë ishte njofuar se  Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror.

“Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.
Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për  Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës  në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.

Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.

 Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë mori  pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit, Shpejtim Bulliqi, tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme.

Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

DEKLARATA E PRESIDENTËVE THAÇI DHE VUJANOVIÇ:

 Deklaratë e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç

1- Duke filluar nga përkushtimi për të ndërtuar dhe promovuar marrëdhënie të mira miqësore dhe fqinjësore.
2 – Duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore , sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë
3- Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushen obligimet që rrjedhin nga Karta e Kombeve të Bashkuara , në veçanti duke pasur parasysh respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësinë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje me Strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor;
4- Republika e Kosovës dhe Malit të Zi kanë nënshkruar në Vienë më 26 gusht 2015 Marrëveshjen e Kufirit Shtetëror (tani e tutje duke ju referuar si “Marrëveshja”);
5 – Duke konfirmuar së në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hynb në fuqi ditën e pranimit të njoftimit të fundit dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike, me të cilën Palët njoftojnë njëra tjetrën që kanë pëmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore , të domosdoshme për hyrjen e saj në fuqi;
6 – Duke rikonfirmuar vullnetin e shprehur në nenin 9 të Marrëveshjes së nënshkruar nga të dy shtetet se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me zbatimin e Marrëveshjes zgjidhen nga Qeveritë e të dy palëve nëpërmjet kanaleve diplomatike;

Republika e Kosovës dhe Malit të Zi me vullnet të mirë duke respektuar fqinjësinë e mirë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve , me respektimin e parimit pacta sunt servanda pajtohen si në vijim:
* Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëeshjen sipas Nenit 12 të Marrëveshjes

* Republika e Kosovës dhe Mal i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se Marrëveshja që ka hyr në fuqi do të formojë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare.

* Palët pajtohen gjatë këtij procesi ,Trupi i Përbashkët Punues do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas marrëveshje.

* Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikoj dhe korrigjoj sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhelepit.

* Kjo deklaratë është përpiluar në gjuhën Shqipe,Serbe dhe Angleze.Në rast të ndonjë mospërputhjeje në interpretim, Marrëveshja e përgatitur në gjuhën Angleze do të mbizotërojë.

***

Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

PRISHTINË, 16 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Është ftuar për sot në mbrëmje, në orën 18:00, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas së cilës u bë e ditur se seanca plenare për demarkacionin me Malin e Zi do mbahet të dielën në orën 18:00.“Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzaknshme, me këtë rend dite: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ishte pika e vetme e axhendës së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

NJOFTIMI ZYRTAR DËRGUAR NGA KUVENDI I KOSOVËS:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.Konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 18 shkurt 2018, në orën 18:00.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, Kosove-Mali i Zi, Thaci-Vujanovic

Qoftë i bekuar shteti i Kosovës përjetë dhe mot!

February 16, 2018 by dgreca

Jubileu i parë i shtetit të Kosovës/

1 Newborn Prishtina

Shteti i Kosovës është një rrëfim i suksesshëm dhe krenar i gjithë kosovarëve. Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë të gjithë ne që kemi privilegjin, nderin dhe përgjegjësinë për të qenë në shërbim të këtij shteti dhe të qytetarëve të tij.

Kryeministri-i-Kosoves-Hashim-Thaçi-ARKIV1-525x350

Editorial i Hashim Thaçit, Presidentit të Kosovës/

Dita më e rëndësishme në historinë e Kosovës është 17 shkurti i vitit 2008. Në këtë ditë u lind shteti i Kosovës dhe kështu të gjithë ne-qytetarët e lirë të këtij vendi, u bëmë me shtëpinë tonë të përbashkët shtetërore, u bëmë shtetas të Kosovës.

Secili prej nesh e kemi një rrëfim tonin individual dhe familjar se çka bëmë atë ditë shumë të ftohtë të dimrit, si i kaluam ato orët para se të mblidhej Kuvendi i Kosovës, në seancën e paharrueshme të tij, si iu gëzuam çastit kur me Deklaratën e miratuar në Kuvend, ne vendosëm për fatin tonë, një herë e përgjithmonë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur.

Ishte ai çasti më i lumtur për të gjithë ne si popull, çast i përjetësisë për qytetarët e këtij vendi që, si rrallë ndonjë vend tjetër në këto anë të Evropës, e ka të mbushur historinë me tragjedi, me vuajtje, me heroizma dhe me dashuri për atdheun.

Me pak fjalë, ju, qytetarët e Kosovës, shfaqët mendimin më të sinqertë, më të bukur, më të dashur, atë 17 shkurt, kur thatë një herë: ‘Bac u kry’, duke iu referuar Komandantit legjendar ,Adem Jasharit, dhe pastaj, ‘Edhe unë kam shtet’, që i rrinte mirë trashëgimisë së Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës.

Dhjetë vjet në jetën e një individi, të një familje janë shumë, gjithsesi shumë, ndërsa në jetën e përbashkët të një populli, të një shteti, ato mund të kenë peshën vendimtare për fatin e tij, ato mund të paralajmërojnë saktësisht të ardhmen e tij, siç është rasti me ne në Kosovë.

Kam pasur nderin më të madh në jetën time, që të dielen e 17 shkurtit të vitit 2008, në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në respektim të një historie të lavdishme të këtij populli, në paralajmërim të ardhmënisë së ndritshme të këtij vendi, të shpall shtetin e Kosovës.

E di mirë që pa qytetarët e Kosovës, pa atë vullnetin e paparë të tyre për të flijuar gjithçka për lirinë e këtij vendi, mbi të gjitha, jetën e tyre, ne kurrë nuk do të mbërrinim te krijimi i shtetit të Kosovës.

Ky shtet është një rrëfim i suksesshëm dhe krenar i të gjithë neve. Secili prej qytetarëve të tij ka hise në bërjen e këtij shteti.

Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë të gjithë ne, që jemi në ballë të institucioneve të Republikës së Kosovës, që kemi fatin, privilegjin, nderin dhe përgjegjësinë për të qenë në shërbim të këtij shteti dhe të qytetarëve të tij.

E di mirë, po ashtu, që ne të gjithë, kurrë nuk do të mbërrinim ta përcaktonim fatin tonë, të bëheshim të lirë dhe ta krijonim shtetin e Kosovës pa ndihmën e madhe politike, ushtarake, ekonomike e, mbi të gjitha, njerëzore dhe miqësore të SHBA-së dhe të shteteve të tjera kryesore perëndimore.

U bëmë bashkë një herë në të gjithë në Kosovë, e pastaj, edhe me SHBA-në, me Evropën, me botën e lirë dhe demokratike, për ta bërë këtë popull, këtë vend, këtë Kosovë, këtë shtet të lirë dhe demokratik.

Liria dhe shteti i Kosovës janë në realitet vlera supreme të qytetërimit evropian dhe perëndimor.

Kosova dhe populli i saj, sot e kësaj dite, janë qytetarët dhe shteti më pro-amerikan, më pro-evropian, më pro-perëndimor në këtë anë të botës.

E për këtë fakt jemi krenarë.

Këto dhjetë vitet e para të ekzistencës së shtetit të Kosovës, mund t’i matim gjithqysh apo mund të ketë shumë njësi matëse për këtë dekadën e parë të shtetit të Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 114 shtete, në mesin e tyre edhe shtetet më të rëndësishme të Perëndimit dhe të Evropës.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi të drejtën tonë për të qenë shtet. Në vitin 2012 përfunduam periudhën e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në vitin 2013 kemi nënshkruar Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke hapur kështu udhë për integrimin e plotë të veriut të vendit në sistemin politik dhe juridik të Kosovës.

Në vitin 2015 nënshkruam Marrëveshjën e Stabilizim Asociimit (MSA-në) me Bashkimin Evropian.

Demokracia në Kosovë ka lëshuar rrënjë të thella dhe ne tani jemi në gjendje t’i mbajmë zgjedhjet e lira vetë, si ato për pushtetin qendror, ashtu edhe ato për pushtetin lokal, të cilat janë shembull për rajonin.

Kemi krijuar institucione të qëndrueshme në të gjitha nivelet. Kemi shërbimin intelegjent, policinë dhe doganën më të mira në këto anë të Evropës. Kemi një FSK të shkëlqyeshme që së shpejti do të marrë detyrat dhe misionin e një ushtrie të mirëfilltë moderne.

Kemi shënuar në vazhdimësi një zhvillim ekonomik që është më i larti në këtë pjesë të Evropës. Kemi avancuar shumë marrëdhëniet ndëretnike në shtetin e Kosovës. Kemi ruajtur të pacenuar trashëgiminë e tolerancës ndërfetare në Kosovë.

Kosova merr pjesë në të gjitha garat sportive në botë. Sportistët valëvisin me krenari flamurin e Kosovës në të katër anët e rruzullit tokësor. Majlinda Kelmendi fitoi medalen e parë të artë olimpike dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios.

Kosova i ka dhënë Evropës dhe botës këngëtare të famshme, ka bërë filma të çmuar në gjithë botën. Lista e arritjeve dhe e sukseseve në shtetin e Kosovës dhe të shtetit të Kosovës, është shumë e gjatë. Kjo na bën të gjithëve krenarë.

Por, edhe kur shënojmë jubileun e parë të shtetit të Kosovës, ne duhet të jemi të sinqertë ndaj njëri-tjetrit dhe të themi që duhet për të bërë edhe më shumë që në Kosovë të fuqizohet rendi dhe ligji, që të sigurohet mirëqenia sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës, që shteti i Kosovës të jetë konkurrent në të gjitha aspektet e mundshme ekonomike në Ballkan dhe në Evropë.

Të gjithë ne e dimë mirë që kemi merituar të ecim më shpejt kah Bashkimi Evropian, që tashmë do duhej të ishim anëtarë të OKB-së dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare, të nënshkruhej Marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Sidoqoftë, e dimë kah do të ecim në javët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kemi vullnetin, vendosmërinë, sigurinë, besimin dhe shpresën që na bashkon të gjithëve në synimet tona.

Jam i sigurt që dhjetë vitet e kaluara kanë qenë vitet më të rënda, më sfiduese, më të vështira për shtetin e Kosovës, por njëlloj kanë qenë vitet e krenarisë sonë të përbashkët.

Jam edhe më i sigurt që ata që jetojnë këtu, në atdheun tonë që është shtet prej 17 shkurtit të vitit 2008, pas dhjetë vitesh apo në shkurtin e vitit 2028, kur ta festojnë ditëlindjen e njëzet të Republikës së Kosovës, do të shohin që Kosova ka ecur para me hapa të mëdhenj, që është bërë anëtare e OKB-së, e BE-së, e Paktit NATO, që ka një demokraci të qëndrueshme, që është bërë një shtet me stabilitet afatgjatë ekonomik dhe social, i cili, mbi të gjitha, ofron dinjitet dhe krenari për qytetarët e vet.

Gëzuar ditëlindjen e dhjetë të shtetit të Kosovës!

Qoftë i bekuar shteti i Kosovës përjetë dhe mot!

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe mot!, Hashim Thaci, Qoftë i bekuar, shteti i Kosovës përjetë

NJI BOTE E RE E PREMTUESE NA PRET: LE TA PERQAFOJME!

February 16, 2018 by dgreca

Me rastin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/

48-repishti-300x212

  Nga   Sami Repishti, Ph.D.*/

Ridgefield,CT. Me 17 shkurt 2018, miljona shqiptarë dhe miq të Kosovës shqiptare festojnë me krenari fitoren e madhe, fryt i sakrificave mbinjerëzore të popullit shqiptar kosovar: Pavarësinë e Republikës së Kosovës! Vëllazën, motra shqiptare kudo që banoni: Gëzuar pavarësia e Republikës së Kosovës!

Në atë tokë të djegun nga agresionet e vazhdueshme; për atë popull të vramë e të sakatuem për ma shumë se nji shekull pa mëshirë, lindi liria e meritueme, u fitue pavarësia e dëshirueme me afshin e zemrës dhe me gjakun e parzmës kosovare: sot, nesër e për të gjithë jetën e jetëve!

I lirë je o vëlla kosovar, e lirë je o motër kosovare –të pavarun, krejt të pavarun, në sherbim të vullnetit të sovranit, popullit kosovar pa dallim, pa përjashtim. -i vrami, i sakatuemi e i coptuemi popull kosovar që sot ngren kokën, falënderon qiellin e përkëdhelë tokën me dashuninë e nji prindi për votrën e tij dhe të parëve të tij, me shekuj e mileniume pa ndërpremje. Gëzohu Kosova shqiptare! E meriton!

*****

Historia e Kosovës ashtë nji tragjedi e shkrueme me gjak, ashtë “nji lum gjaku” i derdhun pa shkak, …. gjak viktimësh të  pa faj!   Që nga fillimi i konfliktit të pafund shqiptaro-serb, 1877-78, shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima ma e persekutueme në Ballkan. Ushtritë e organizueme serbe e malazeze zhvilluen masakra sidomos në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore- skena terrori të papamë. Masakrat serbo-malazeze shoqënoheshin nga nji propagandë intensive për dehumanizimin e shqiptarëve, propagandë e shoqënueme nga thirrje histerike në emën të nji kryqëzate kundër “turqeve” (Çdo ‘mysliman’ quhej ‘turk’ nga serbët). Për dyzetë vjet me rradhë (1878-1918) shqiptarët u ndoqën sistematikisht, u poshtënuen nga kjo propagandë shnjerëzuese e cila i konsideronte “…krijesa të egra që kalojnë natën në pemë tue lidhë bishtin e tyne në degët e drujve.” (KM serb Vladan Gjeorgjeviq). Gazetari serb përparimtar, Dimitrije Tucoviq, shkruente:” ‘Të drejtat historike’ të Serbisë (mbi Kosovën,SR) shkuen edhe ma larg; ata ‘të drejta’ kërkojshin nji Kosovë pa shqiptarë…” Oficeri serb dhe deshmitar okular, Kosta Novakoviq, zbulonte: ”Ekziston dokumentacioni që konfirmon se vetëm gjatë vitit 1912, shqiptarët e masakruem nga ushtria serbo malazeze arrinë shifrën 12.777”.

Me 31 dhetor 1912, The N.Y.Times, me titullin “Nji lum gjaku” raportonte:

”…në marshimin e saj në tokët shqiptare, ushtria serbe nuk u ndal në sulmin e saj mbi popullsinë  shqiptare e pa armë dhe pa mbrojtje, mbi pleq dhe mbi gra, mbi fëmijë dhe mbi foshnje të posalinduna. Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit,SR) deklarojshin se mjeti ma efektiv për paqësimin e Shqipërisë do të ishte asgjasimi total i myslimanëve shqiptarë. Urdhëni i ditës u adoptue në heshtje nga ushtria serbe e okupacionit, dhe u zbatue plotësisht …..”

“Ka pasë njikohësisht edhe krematoriume barbare ku qindëra gra e fëmijë shqiptarë u dogjën për së gjalli…Përsëri, u provue se nji lëvizje rebele popullore, qoftë edhe nga fiset ma primitive ashtë gjithmonë ma shumë njerëzore se praktika e nji ushtrie të organizueme, të cilën shtetet moderne shfrytëzojnë me shtypë rebelimin” .(D.Tucoviq).  Shovinistët serb kanë qenë “Nazistë”.… avant la lettre!

Fondacioni amerikan Carnegie konfirmon:

“….Shtëpi dhe fshate të tana janë  reduktue në shkrum e hi, popullsia e pa armatosun dhe e pafajshme shqiptare ikën en masse, dhunë dhe akte të papërshkrueshme, grabitje, brutalitete të çdo lloji- të tilla kanë qenë mjetet që u përdoren, dhe që përdoren akoma, nga ushtarakët serbo-malazez, me nji qellim të caktuem: me ndryshue karakterin etnik të kësaj krahine, të banueme eksluzivisht nga shqiptarët”.(Report.Carnegie Endowment for Internat. Peace, Washington, DC. 1914)

Kjo valë terrori nuk pushoi mbas mbarimit të L1B; me nji përjashtim. Jehona e krimeve serbo-malazeze tërhoqi vrejtjen e qeverive amerikane dhe britanike. Ndërsa në Paris (Francë) qeveria serbe reklamonte toka tjera shqiptare përtej kufinjve të Kosoves–me premtimin e “misionit qytetnues“(sic!)- në Kosovë vazhdohej pa ndërpremje asgjasimi i popullsisë shqiptare. Me 18 prill 1919, Sekretari i Shtetit amerikan, i shkruente kolegut tij në London, Lord A.J.Balfour:  “…Ambasada britanike në Washington ka informue Departmentin e Shtetit në lidhje me akuzat e masakrimit të shqiptarëve në Mal të Zi. ‘Gusia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e ushtrisë serbe dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket se ka qenë çfarosja (“the extermination”) e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji,

Robert Lansing” (The Paris Peace Conference,1919,vol.XII, 184.018/3)

Ma vonë, gjatë rregjimit monarkist jugosllav (1918-1941), shqiptarët e Kosovës nuk u lejuen me hapë shkolla ose qendra kulturore të çdo lloji; as sherbimet mjeksore e sanitare. Të vorfënuem ekonomikisht, deshprimi i popullsisë arriti kulmin. Vetëm gjatë viteve 1938-41, rreth 400.000 kosovarë, të uritun e të persekutuem emigruen në Turqi në kerkim të nji jete të sigurtë. Diskriminimi dhe persekutimi synojshin me largue popullsinë vendëse dhe me vendosë “kolonët serbë e malazez”. Tokët e shqiptarëve u zaptuen. Bagëtia u sekuestrue ose u ther sistematikisht, taksat u rritën jashtë çdo mundësie për pagesë; dhe akoma ma keq, shqiptarët u banë “free game” (gjuejtje e lirë) për policinë lokale dhe repartet ushtarake, spjegon Milovan Djilas. Ai shton:

”Ligji ra në dorë të matrapazve ma të pa fëtyrë dhe të paskrupulltë të njohun nga të gjithë në të gjithë Jugosllavinë…i gjithë llumi i shoqënisë serbe ekzistonte në trupin administrativ. Ata që dëshirojshin me u pasunue shpejt, mbushën kuadrot e administratës në Sanxhak, Kosovë, dhe Maqedon!”(Memoirs of a revolutionary)

Deputetët shqiptarë në Parlamentin e Jugosllavisë –Nazif Gafurri, Ramë Bllaca, dhe Sherif Voca,- u vranë ….! Akademia Serbe e Letërsisë dhe Arteve përgatiti dy Memorandume (1937 dhe 1944) nga shovinisti Vaso Çubrilovic, dhe nji të tretë nga diplomati serb Ivo Andriq (1941) tue përshkrue metodat ma efektive për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

Në prill 1941, me kolapsin e plotë të ish-Jugosllavisë, Italia fashiste dhe Gjermania naziste pushtuen Kosovën. Nji administratë lokale u ngrit në kambë. Shkolla shqipe u hapen në shumë vende, spitalet filluen me funksionue. Me mijëra vullnetarë ofruen sherbimet e tyne ndertesës së re shtetnore. Për të paren herë në historinë e Kosovës banorët e vendit filluen me pranue barren e detyrës si qytetarë të lirë; ata merrshin në duert e tyne fatin e tyne, në vendin e tyne.

Paralel me këte përpjekje për krijimin e nji administrate vendëse kosovare, nji grup të rijsh kosovarë me tendenca komuniste, dhe të nënshtruem ndaj udhëheqsit jugosllav J.B.Tito, filloi nji rezistencë të armatosun kundër nazistëve. Për forcimin e pozitave të tyne politike, në fund të vitit 1943, grupi pro-komunist mbajti nji Konferencë në katundin Bujan (Shqipëri) dhe vendosi me avancue kërkesen e tyne për nji “bashkim me Shqipërinë” nji anatemë për të gjithë jugosllavët e të gjitha rrymave.  Ngjarjet që ndoqën gjetën këte grup si të vetmin trashëgimtar të pushtetit në Kosovë..…për pak kohë! Parimet e Deklarueme të Konferencës së Yaltës (1945) për Europën e Çlirueme nuk u respektuen nga rregjimi i ri jugosllav.”Të drejtat e të gjithë popujve me zgjedhë formën e qeverisë nen të cilën ata dëshirojnë me jetue…” nuk u përfill. Para nji situate të këtill, lufta e kosovarëve mori nji formë e dimension të ri: lufta për të drejtat demokratike, zgjedhje të lira, në rradhë të parë…. Kjo nuk ngjau edhe për faktin se Shqipëria, atdheu nanë, përqafoi nji qendrim servilizmi ideologjik e politik të neveritshëm ndaj pushtuesve jugosllavë. Kerkesës së Presidentit Roosevelt të shqyrtohet e ardhmja e Shqipërisë, kryeministri britanik, Winston Churchill u përgjegj:

”Unë mendoj se duhet të insistojmë mbi Greqinë dhe jo mbi Shqipërinë, sepse Enver Hoxha ashte nji sherbëtor besnik i komunistëve jugosllavë; prandej, nuk jemi në gjendje me ndërmarrë nji hap në këte drejtim pa dijeninë e Titos”. (Zeri- Prishtinë, 9 shkurt 1991, f.6))

Në Nandor 1944, forcat komuniste të Marshalit Tito pushtuen me forcë Kosovën që rezistoj me guxim të madh në nji luftë që nuk mund të fitohej. Ushtrimi i dhunës së fortë që komunistët jugosllavë përdorën në Kosovë shkaktoi nji kryengritje të armatosun që zgjati afër 6 muej. Rreth 30.000 shqiptarë moren malet të vendosun me mbrojtë premtimet e bame në kohën e luftës: për vetëvendosje mbas disfatës naziste. Besohet se numri i të vramëve shqiptarë arriti  30-40.000 për vitet 1944-48.

Në këto kondita terrori u vendos që Kosova të mbetet njisi autonome “pjesë përbamëse e Republikës Popullore të Serbisë”(Prizren, korrik 1945). Ka arsye me besue që kjo “autonomi” që shgënjeu shqiptarët, ka qenë bërthama e shtetit të ardhëm të Kosovës.

Që nga fillimi deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe (qershor, 1999) ballafaqimi në mes të dy palëve të kundërta mori përpjestime përherë rritëse me rritjen e represionit serb e jugosllav, “… që përdorën masa ekstreme, që në shumë raste ndryshuen shumë pak nga masat e përdoruna prej autoriteteve te okupatorit gjatë luftës”. (Paul Shoup) Këto metoda represive u banë publike veçanërisht mbas demaskimit të kriminelit serb A. Rankoviq(1966), shef i policisë sekrete serbe.

Që nga ajo datë, shpresat dhe aspiratat e ushqyeme nga shqiptarët kosovarë filluen me marrë nji formë ma të konkretizueme dhe treguen veten me demonstrata dhe aktivitete të hapta kundërshtare, në kerkim të nji identiteti politik të pranueshëm e të njohun, eventualisht me pavarësi nga zgjedha serbe…. megjithëse akoma si njësi me të drejta të barabarta në Federatën Jugosllave. (Kushtetuta e vitit 1974) Demonstrata popullore dhe studenteske treguen se situata po keqësohej shpejt, dhe se zgjidhjet pjesore të problemit kishin konsumue kohën e tyne. Rruga ishte tashma e hapun për nji rezistencë që kërkonte pavarësinë e plotë të Kosovës.

Kjo lëvizje për pavarësi të plotë u drejtue me dinjitet e guxim nga klasa intelektuale e Kosovës, me nji udhëheqës paqësor e kambëngulës, Dr. Ibrahim Rugova, apostull i rezistencës aktive e paqësore, ma vonë President i Republikës së Kosovës (1992)-(Unë pata fatin e madh me e njohë dhe me bashkëpunue). Krahas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe “Qeveria kosovare e përkohëshme në emigrim”-Dr.Bujar Bukoshi kryeministër- mbushën mungesën e madhe të nji strukture shtetnore të “shtetit” në lindje…!

Në vitin 1995, përfundoj Konferenca e Dayton-it (SHBA) për zgjidhjen e problemit të Bosnje-Herzegovinës. “Problemi kosovar” u anashkalue, me rezultate katastrofike për shqiptarët. Lindi nevoja për nji rezistencë ma të fortë, qoftë edhe me mjete jo-paqësore, që të bindin bashkësinë ndërkombëtare se “problemi kosovar” duhet të trajtohet menjiherë dhe seriozisht. Në Kosovë, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kryesisht e rinisë, e cila ngjalli nji entuziasëm të ri mbrenda dhe jashtë Kosovës. Me zhvillimin e ngjarjeve, aksioneve ushtarake, dhe nji fushate të fortë propagandistike nga të dy palët e rezistencës kosovare, sidomos në SHBA dhe Europë, “problemi kosovar” zuni vend në tryezat diplomatike. Në Kosovë, vrasja barbare e 51 anëtarëve të familjes Adem Jashari (Prekaz, Mars, 1998)- symbol i rezistences se armatosun,- dhe ofensiva serbe që detyroi ma shumë se nji miljon kosovarë me u arratisë në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, krijoi nji atmosferë urgjente për zgjidhjen e problemit.

Serbët sulmuen katundin Reçak dhe “masakruen” mizorisht 45 fshatarë (njeni 12 vjeçar!). Gjendja e krijueme detyroj Fuqitë e Mëdha me ndërhye. Në Rambouillet (Francë) Sekretarja e Shtetit, M.Albright dhe ambasador R. Holbrooke organizuen nji Konferencë për shqiptarët dhe serbët, pa rezultate të dukshme. Megjithate, kosovarët formuen nji qeveri koalicioni nën drejtimin e Hashim Thaçit, udhëheqës politik i UÇK-së. Kosovarët u kthyen përsëri në Paris (15 mars 1999) mbasi u pranue formula se “vullneti i popullit” don të thotë “referendum” praktikisht pavarësi për shumicën dërmuese shqiptare të Kosovës.

Nji tentativë e fundit për nji zgjidhje të problemit u ba në mars 1999, pak ditë para bombardimit të NATO-s. Gjenerali amerikan Wesley Clark, komandant i forcave të NATO-s gjatë nji vizite në Beograd me bindë Presidentin serb Millosheviq të hiqte dorë nga persekutimi i kosovarëve, pati këte dialog:

-“Milosheviq: Gjeneral, përse kujdesoheni kaq shumë për shqiptarët? Na e lini neve këte problem….Na dijmë si ta zgjidhim. E kemi ba edhe ma pare .

-Gjen. Clark; Si mendoni ju me e zgjidhë, z. President?

-Milosheviq; Na i vrasim të gjithë…!

-Gjen. Clark: Z. President, ashtë pikërisht kjo që na nuk do të lejojmë…”

(Nga kujtimet e Gjen. Wesley Clark)

Serbët refuzuen pjesëmarrjen në bisedime. NATO filloi bombardimin 78 ditor deri në disfatën serbe. Gjatë këtyne 78 ditëve :

“…paramilitarët serbë shumica e të cilëve ishin persona të liruem nga burgu me konditë që të sherbejshin në ushtri, u lëshuen rreth e rrotull Kosovës tue vra, grabitë, dhunue dhe djegë shtëpitë e boshatisuna…. Nji nga pikësynimet e Milosheviqit duket se ka qenë dëbimi i sa ma shumë shqiptarëve kosovarë që të ishte e mundun” (Tim Judah)

Bombardimi i NATO-s u ndal me 10 qershor 1999, dhe trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Kosovarët u kthyen në vatrat e shkrumueme. Numri i viktimave civile kosovare tejkalon shifrën 12.000! Ma shumë se 2.000 femna shqiptare u dhunuen….!

“Ata kurrë mos u harrojshin/Në kangë e në valle por u këndojshin!” (A.Gj.Fishta)

Jashtë Kosovës, shqiptarët pa dallim u mobilizuen dhe ndermorën inisiativën me paraqitë “problemin kosovar” para Botës së Lirë dhe diplomacisë ndërkombëtare, kryesisht amerikane. Kongresi amerikan kaloi shumë Rezoluta me thirrje për ndalimin e terrorit në Kosovë. Ambasadori W.E.Ryerson e vlerësoi këte veprimtari të diasporës shqiptare në Amerikë si vijon:

”….Pa dyshim, krediti për çlirimin e Kosovës ashtë i Sekretares M. Albright për sensin e saj me njohë të drejtën, dhe për aftësinë e saj me bindë bosin (Presidentin Clinton SR) dhe kolegët e saj me veprue, e jo vetëm me fërkue duert. Megjithate, ajo nuk do të kishte dalë fituese sikur ju, dhe të tjerët si ju, të mos kishin punue me durim për edukimin e publikut amerikan, dhe ma me randësi, me edukue udhëheqsit tonë politik, mbi seriozitetin e problemit që krijohej nga shtypja serbe e shqiptarëve (në Kosovë). Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për sukseset e jueja . Ju nuk e kryet këte sherbim vetëm, por unë dyshoj se pa përpjekjet e jueja të gjata udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.”

(Letter. Ryerson to Repishti, 5 shtator 2001)

Narrativa e jonë ka pasë tre boshte kryesore: a) dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë me saktësi e hollësi, b) kërkesën urgjente që këto krime të ndalohen, dhe c) pavarësinë e Kosovës si nji domosdoshmëni historike. Puna e jonë u kunorëzue me sukses!

Nji proces i gjatë i mbarështrimit dhe ringjalljes ekonomike të strukturës kosovare me ndihmën e UNMIK-ut filloi në Kosovë, me hjedhjen e hapave të parë të shtetit/protektorat i OKB-së të Kosovës. Me 17 shkurt 2008, “protektorati” mbaroi dhe u shpall zyrtarisht Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik, sot i njohun nga 115 shtete të botës.

******

Ashtë nji ironi e hidhun e historisë së popullit kosovar: çdo herë që serbët kanë paraqitë “zgjidhje” për problemin kosovar, ata kanë përdorë të njajtin ”ilaç”: “çfarosjen fizike të shqiptarëve në Kosovë”, shprehje që na kujton holokostin e Luftës 2 Botënore, dhe krematoriumet. Nji mendje normale nuk ashtë në gjendje me konceptue, e nji zemër njerëzore nuk ashtë në gjendje me perballue…e ndoshta as me falë këte qendrim kaq anti-njerëzor! E megjithate, vetëm pak ditë ma parë, ministri serb i mbrojtjes deklaroi se Serbia ka blerë raketa që arrijnë ”edhe cepin ma të largët të Kosovës” Çfarosje? Përsëri cfarosje? Ky ashtë sot trashëgimi i tmerrshëm historik i Kosovës. Kjo ashtë panorama që përballojnë sot kosovarët!

Vitet e fundit mbas pavarësisë (2008-2018) kanë qenë vite të vështira për ndërtimin e shtetit të ri. Pa eksperiencë në qeverisje, pa kuadro të nevojshme për administrimin e vendit, pa të ardhuna të mjaftueshme me përballue nevojët e shoqënisë kosovare, udhëheqja kosovare ka ra viktimë e ndasive partiake, bindjeve politike të ndryshme, dhe frymës agresive të elementit “luftarak”. Rezultati ka qenë mbrapambetja e Kosovës në fushën politike, ekonomike, arsimore e kulturore, dhe  smundja e korrupsionit të pafre…kapitalizëm pa mend me fluturim në defrime!

Shoqënia kosovare jeton sot me mungesa të mëdha, dhe funksionon në nji atmosferë të padëshirueshme. Me gjithë të metat objektive që pengojnë zhvillimin, ashtë përshtypja e përgjithëshme se “fajtori” kryesor ashtë faktori “njeri”, dhe se shqiptarët në Kosovë nuk kanë gjetë akoma rrugën e duhun e vullnetin e fortë me tejkalue apelin ideologjik, për hir të interesave kombëtare, sidomos atë të bashkimit shpirtënor sot, e politik nesër …… Nji qendrim i këtill ashtë veçanërisht i theksuem në ditët e krizave politike të njimbasnjishme që Kosova kalon me dame të pallogaritëshme për vendin. Në këto momente, grindjet ideologjike janë krejtësisht të dorës së fundit, dhe nji luks që nuk i nevojitet Kosovës …..varrezë e mijërave dhe shtëpi e vorfnueme e dy miljonë qytetarëve.

Ashtë përshtypja e përgjithëshme se Kosova duhet të krijojë nji identitet kolektiv gjithëkosovar (jo krahinor!), nji besim të përbashkët për të ardhmen, nji bindje që synon bashkimin e të gjitha forcave të vendit. Ideja e bashkësisë ka peshën e vet magjike. Nji identitet i këtill duhet të jetë modern, përtej vlerave tradicionale, diçka e re dhe e ndryshme. Ashtë nji thymje me të kaluemen e ngushtë patriarkale, diçka inteligjente dhe krijimtare, qoftë edhe vlerë e marrun nga kulturat tjera.

Synimi i demokracisë liberale në shoqëninë kosovare duhet të jetë “ndihma” për popullin që kerkon kontrollin e jetës së individit nga individi vetë, e mbrojtjes së tij kundër efekteve të kolektivizimit absorbues. Ky fuqizim individual ashtë versioni modern i pavarësisë. Struktura shtetnore ekziston vetëm e vetëm me mundësue potencialin maksimal të pjestarëve të shoqënisë.  Asgja ma shumë!

Ashtë përshtypja e përgjithëshme se demonizimi i kundërshtarit në Kosovë ashtë anti-demokratik, elementi ma damtues i shoqënisë kosovare. Na duhet nji Kosovë që ndërton të ardhmen e lirë nga hijet e zeza të së kaluemes tragjike.(sous peine de mort!)

Unë mendoj se përparimi i “shtetit” dhe “shoqënisë” kosovare do të vijë vetëm kur çdo qytetar kosovar do të dëshiroj të ardhmen e fëmijve të vet ma shumë se urrejtjen për kundërshtarin…. Dhe këte ditë e uroj me gjithë shpirt.

Dhe jam përsëri optimist! Nji botë premtuese pret popullin e Kosovës; le ta përqafojmë!

———————————————————————————————————–

* Dekorue, nga Presidenti Rugova, me “Medaljen e Artë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (2003). Bashkëthemelues dhe presidenti i parë i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996-98)

Filed Under: Opinion Tagged With: LE TA PERQAFOJME!, NJI BOTE E RE E PREMTUESE NA PRET:, Sami repishti

Para varrit të Skënderbeut

February 15, 2018 by dgreca

Para varrit të Skënderbeut/1 Rafael FloqiNga Rafael Floqi /

Poemth/

O i madhi Skënderbe!/

Kam 550 vjet që qëndroj para varrit bosh,/

duke pritur si sot, më kot përgjigjen/

e një pyetjeje që s’po ma thua dot./

 

O i madhi Skënderbe!/

S’po të pyes, se a të thërriste “Gjergj ! ”,/

Lokja Vojsavë, edhe pse atë mirë e di./

Dhe kush dyshon sot pas kaq shekujsh,/

Se Vojsava se pat për at Gurgurin [1]

Se Pollogu i gjyshit tënd, s’qe Arbëri

Është si ata turqit, që t’i vodhën eshtrat

Për të kërkuar përjetësi me ca hajmali.

 

O i madhi Skënderbe!

Nuk po të pyes, sa herë ke rënë nga kali,

As si e munde të tmerrshmin pers të zi

As se ç’ t’u bënë vëllezërit e mëdhenj,

As si ia bëri zemra Palit, të linte ty kërthi.

As si mundi ai Vojsavën ta qetësonte,

Tek shkulte flokët e çirrte faqet në zi.

Kush asaj lotët mund t’ia ngushëllonte,

Se në Stamboll Kostandini qe vrarë,

E Stanishi qe bërë turk- rrethprerë,

Dhe Rreposhi në Athos, u vesh kallogjer.[2]

Ishte vetëm 8 vjeç, s’e dije ku të shpinin

As sytë e nënës ndoshta s’i mban mend,

Por kishe ëndërr të luaje me Kostandinin.

S’ të pyes, as për fatin e princave peng,

Ç’ ndodhi me ta në oborr të sulltanit ?

Është e hidhur, ndaj s’po ta përmend.

Pse i thoshe emrin “Vaj-qava”, mamit?

 

 

O i madhi Skënderbe!

Nuk po të pyes pse zgjodhe dredhinë,

Për të marrë nga turku Krujën, Ak Hisar,[3]

As në u gëzove, dhe në të ndritnin sytë

kur bajraku me gjysmëhënë përdhe ra,

E flamur i Kastriotit, qiellin skuqi prore,

Dhe as kur shqipja dykrenore mbi kala

Shpalosi flatrat e zeza, ogur për fitore,

S’ të pyes Gjergj, nëse në atë 28 Nëntor

cili qe më i përgjakur flamuri apo qielli?

S’po të pyes për trimëri, as dhe sesa:

Çallma ke vrarë, sa gurmaze ke prerë,

As sa prej tyre këlthisnin “Allahu akber”.

S’ të pyes as si quhej gjoku yt trupmadh ,

As nëse ishte i bardhë, apo i gjithi i zi,

Nuk të pyes, as për 25 betejat e fituara

As, se cili rrethim që më i vështirë, as …

Në se ishte i pari, i dyti, a i treti,

Apo ai që po përgatitej më pas?

As si e mbrojtje Krujën, Danjën, Beratin,

As për Torviollin, Mokrrën, Albulenën,

As qysh, e si u ndjeve kur arbërve u the:

“Lirinë nuk jua solla unë,

por e gjeta këtu ne mes tuaj,

armët nuk jua ngjesha unë,

por ju gjeta te armatosur,

lirinë e kishit kudo, ne kraharor,

ne balle, ne shpate, ne ushtat!”.[4]

Mendoj, se e kishe me gjithë mend,

Apo përpiqeshe të dukeshe optimist,

Se s’deshe të dukej ajo fjalë pa vend,

por sidoqoftë, unë e di, si edhe ti

Se do kesh zbukuruar sadopak disi,

Pasi shqipet janë zogj individualist

Veç njeri zog qëndron lart në një fole,

Ndaj ndoshta të duhej ca frymëzim

Një gënjeshtër e bardhë, për fitore.

 

O, i madhi Skënderbe!

Nuk po të pyes për betejat, aleancat

As për kurthet, grackat, tradhtitë,

As për Topiat, as për Dukagjinët,

As për kushtrimin e Moisut,“ E mbë ta!”

As për Ballabanët, tradhtarët, Jonimët,

As për sulltanët osmanë, Murat e Mehmet,

As, qysh u ndjeve kur të tradhtoi Hamzai,

Që u bë xheloz për Gjonin të pa lerë,

Ani pse luftove me gjakun tënd, atëherë.

As pse, Moisi dibranin shpejt e fale, [5]

T’u dhimbs i përgjunjur me litar në fyt,

Edhe pse u dëshmua qartë, besëprerë?

Po pse mësove që mërisë së një gruaje

T’i ruheshe më shumë se asaj të hasmit,

Se qe faji yt për hakmarrjen e Zanfinës,

Ndoshta dhe për disfatën e  Beratit.[6]

E doje fort Mamicën,  i zgjodhe vetë fatin

Por më shumë se motrën e vogël mbi dhe

Që të mos përçaheshin princat e Lidhjes,

Nga që turku ishte afër Lezhës fare pranë,

Veç një titull pate kapedan mbi kapedan.

Se ti, o prijës s’doje kurorë si mbret,[7]

Mjaftonte përkrenarja dhe Arbëria shtet.

 

S’ të pyes as për luftërat, erën e gjakut,

As për tehun e shpatës , duhmën e ziftit,

Tymin e barutit, gjylet në mure plasur,

As për shkallët e çallmat në zjarr kallur,

As për përzhitjen e mishit dhe kërmës,

As për heshtat, shigjetat, topat e Sulltanit,

As për lebetitjen e halldupëve të trembur,

As për suvarinjtë, akinxhijtë, spahinjtë,[8]

Aq qysh pas bedenash, veç me ujë e zemër,

Plaku Kont Urani mbahej fort me të tijtë.

As se qysh ti me trimat e gardës besnike,

Me mprehtësi të shpatës se të mendjes

I dhe botës në shekuj mësime taktike,

Se sado i vogël një popull, kur kërkon liri

Shemb perandori, me mizëri ushtri.

Se i vogli mund tiranin, veç a tok ?

-Gjithnjë tok, o Gjergj[9] kordhëmadh.

 

S’të pyes, o Skënderbe, zulmëmadh,

as për ankthin e betejës, qetësinë e paqes,

As pse vetëm kur mbushe dyzet e shtatë, [10]

Pranove si me zor të mbledhësh mendjen,

Pasi lufta të joshte më shumë se gratë.

S’të pyes, as si e kalove muajin e mjaltit,

Me Donikën buzë detit tek Kepi i Rodonit,

As se kush i pari pa, hapat e vogla të Gjonit,

As për dyshimin tënd që kurrë s’e hoqe,

Gjoni i vogël ende s’shfaqte trimëri të pa shoqe.

Për këto s’ të pyes, as për të tjera pa vend,

Pasi edhe në s’i di, mund t’i marr me mend.

 

 

O i madhi Skënderbe!

Nuk të pyes as për dredhitë doxhëve venetë,

Dhe as dhe pse, kur qe në Krujë kapedan,

U bëre vasal i Napolit, me dëshirë vetë.[11]

S’ të pyes, as si dhe pse Papët të quajtën,

“Atlet i Krishtit”, dhe pse ti qe bërë synet,

As si e ruajtje Krujën të rrethuar tri herë,

Prej mijëra çallmash, jataganësh, qamet,

Dhe as si t’u bë, që në fund Krujën tënde,

Ish- hasmit Sinjorisë, ia dhurove, vërtet ? [12]

S’të pyes, dhe mos zbrit fare as nga kali,

Drejt rri, si hero, se në luftë dhe në zulmë,

Mbi kodin e bujarit, vlen shpirti i një rebeli,

Më shumë se virtytet, morali a inati,

Siç shkroi më pas tek “Princi” Makiaveli

“S’kanë rëndësi mjetet, por rezultati”.

 

O madhi Skënderbe!

S’ të pyes, si munde Evropën ta shpëtosh,

Edhe pse ajo, vetëm kur vdiqe ty ta diti,

As si luajte shah me fuqitë e mashtrimit,

Dhe si me shpatë dhe letra, pate ç’ ti tregosh,

Dukës së Tarantit, Napolit a Sulltanëve, [13]

Se kush qenë arbrit, Pirro apo Leka i madh ?

Se s’qenë dele, edhe pse mbi krye mbaje një dhi.

Ja pse Papët të deshën ty kryqtar të parë,

Dhe se të shmangeshin ty më shumë se djallit,

Jo pse mbaje një kokore me dy brirë në ballë.

Po sa të deshën aq dhe i druheshin simbolit

Se para se të ishe trim i rrallë, ishe mit për liri.

S’ të pyes, as pse e mbajte në shekuj atë emër,

Gjysma diell dhe gjysma hënë,

Gjysma Evropë dhe gjysma Azi,

Edhe Gjergj, edhe Skënder?

Siç duket, për të na mbajtur tok gjithnjë,

“Gjithnjë bashkë, gjithnjë”, thoshe përherë.

Të jetë kështu, vërtet, me gjithë mend?!

Se s’kemi aq urti, sa të bëhemi bashkë

Arbrit e djeshëm, apo shqipet e sotëm?!

E ka mundësi të jetë ashtu, vërtet?

Ndoshta kjo shpjegon qysh edhe pse,

Dikush sot, të quan një mit të vjetër.

Që duhet zhbërë, qoftë edhe me një perde,

Si për t’i ikur lavdisë së gjokut të bronztë,

Si për t’ia fshehur stërgjyshave mëkatet,

Që s’rrinin dot pa jatagan e kordhë,

A se s’duronin dhunën e të paguanin vergji,

Iu falën gjysmëhënës kishat i bënë xhami.

Ndërsa ca më hileqarë në agim falnin ezanin

E në darkë festonin me ty, Shën Gjergjin.

E vështirë, por disa kumtin ilir të Shën Palit,

E formulën e pagëzimit në kulla e ruajtën

Në emër të atit të birit e shpirtit të shenjtë,

Duke kënduar vetmas rruzare në male,

Pasi kishat ishin shndërruar, ishin shemb,

xhamitë në vend të tyre po zinin vend …

Por ty Skënder këndonin ndonjë herë

Por rrallë fare rrallë u lutën. Ani pse

Gjithë çka ndodhi në pesë shekuj

S’ na bën ne, shqipot as më të këqij,

Dhe kësaj dite as dhe më të mirë.

E dimë, se do të qe më pak e vështirë,

T’i faleshim tok fesë të bijve të Kadmit,[14]

“Lirisë”, asaj që hija jote, në zemra prore

Mbolli në çdo frymë e në çdo kasolle.

Se ne shqipet ndryshe nga të tjerët,

Kur na pyesin për fe themi “ shqiptarë!”

Por ashtu si unë, dhe ti Skënderbe,

Kemi qëlluar një gjindje me huqe

Disi xhelozë, moskokëçarës për fe.

Por për lavdi s’të falim, e duam për vete

Mendo,. me që pesë papë, të quajtën “atlet” .

Nga droja e shpatës fisnike e me lajka,

E të premtuan të jepnin qese plot ar,

Për kryqëzatën imagjinare ndaj turkut.

Po anijet mbetën në dete pa ushtarë

Si logjet e papëve e të Shën Markut.

E di se ti s’u druheshe ushtrive prej Azie,

As që Roma do të kthehej Stamboll, vërtet,

As Adriatikut të shndërruar në një gjol zie,

As që turku do kulloste kuajt në Shën Pjetër,

Dhe as pse Vjena do të quhej Katrahurë,

As pse Sulltani do bënte Papën synet.

Ndaj sot kush e njeh historinë e mitin

E di se ty s’të interesonte lavdia aspak ,

Se ti Fatos, i tuteshe veç fatit të Arbrit

Jo të ishe kalorës kryqtar në kryqëzatë

Ti i druheshe më shumë jetës pa liri,

Ashtu siç na ndodhi kur na le vërtet.

Dhe u desh të presim gjatë, sa gjatë

Sa shumë gjatë për pesëqind vjet .

 

O i madhi Skënderbe !

 

Për ne t’i ishe prijës dhe u bëre e mit

Pse ne një trim tjetër, s’kishim ku ta gjenim

Ndaj kur kishim nevojë për ajër, liri,

Kur dhëmbët i binin të Sëmurit të Orientit

Të zgjuam nga këngët e të thirrëm ty.

S’di pse në histori të fundit mbesim

Radhë e rend si lemë njeri- tjetrit,

gjer atëherë kur t’ jetë shumë vonë

S’ e kemi për gjë për të tjerë të vdesim

E kur vjen veza kujtohemi për veten tonë.

Kështu veç, kur se prisje më ty të thirrëm ,

Me të dy emrat : “O Gjergj, O Skënder”,

Se ti i ndizje peshë djemurinë për nder,

Për një besë, për një gjuhë e një gjak

Nuk qe punë lutjesh, feje jo aspak.

Kjo shpjego sesi,  qysh edhe pse ti,

U linde ortodoks, u rrite mysliman, e vdiqe katolik,

Si për të na lënë të urtin amanet,

Për çdo shqiptar, në mot të mirë dhe të lig,

“Zoti është një”, të gjithëve na përket.

 

O i madhi Skënderbe!

Vetëm një pyetje kam, vetëm një,

Që më mundon mua tash e sa kohë:

“Si munde ti shqiptarët t’i bësh në një mendje

Këtu në Lezhë, në këtë kishë, në Shën Kollë?

 

Sakaq gjithçka heshti, asgjë s’pipëtiu

një kllapi pyetjen sikur e mbërtheu,

Një krisje u dëgjua, e muret u zhagitën,

Një heshtë heshti, një shpatë vringëlliu,

Hingëllimat u mekën, topat u zatitën.

Një makth zu e më pushtoi të tërin,

S’ kuptoja dot, se ëndërr a zhgjëndërr,

E dija se në varr s’kishte asnjë eshtër,

E dija se kisha qe kthyer në xhami,

E dija se xhamia më vonë qe braktisur,

Pasi tre dervishë aty qenë vetëvrarë, [15]

Duke kërkuar më kot përjetësi…

Zhurma oshtiu, zvarrë rrokullisi

Prej rrënjëve të Besëlidhjes së Lezhës

Pas pesë e ca shekujsh, ca gurë si Sizifi…

 

Dikush u kollit, e fytin qëroi një burrë,

Kambana u shkund, trarët u shkërmoqën,

Me ca fjalë pellazge zëri fol troç :

“Bir, tha. U s’e di, as vetë sesi, e se qysh,

Veç një çerekshekulli, munda veç një herë ,

Të bëj atë, që s’e bëri më kurrkush,

I bëra shqiptarët tok në një mendje.

Ndaj them bir, se është vështirë, zor

Të betohem për këtë qiell, për këtë dhe,

Se në mendjen e tij, çdo shqiptar prore

mendon se është përmbi Skënderbe”.

Pastaj zëri u vyshk, e thatë nxori nga fyti

Një kumt pa theks krahine, dialekt,

Ai që trojet e Palit i i kishte në Gegë,

Për t’ na pasur pranë të gjithëve tok

“Princ i Epirit” shkruante tek shqyti.

 

-“Meqë më zgjove pas kaq kohe,- tha ai,

Do të them bir një të fshehtë të madhe,

Që s’ ja kam thënë kurrkujt, gjer tani.

Ajo ndodhi, veç një herë në Lezhë…

U Përpoqa për së dyti, s’munda, për be,

U ndjeva pa forca, e madje u rrëzova

Në prag të kësaj kishe nga kali përdhe.

S’ më mundi, jo, në tri ditë sëmundja

Prej moshës nuk vdiqa, as prej pleqërie,

Por se u ndjeva befas ligsht nga gjindja.[16]

S’vdiqa, nga malaria, nga helmi, a ethet,

Por e lashë botën, gjithë pezm e maraz

Se mjerisht, besë u lypka, aty ku s’ gjendet.

Ika, se shqiptarët s’i bëra dot një mendje,

E duke ikur, lashë- “tok” një fjalë-çelës,

Porosi për të zgjidhur amanetin e gjëzës,

Që ende s’e kuptoni dhe pse aq e lashtë,

“Se shkopinjtë thyhen, veç kur s’janë bashkë”.

 

Ja pse vdiqa, le ta dinë bijtë e shqipes!

E le ta kujtojnë në atëbotë, në amshim.

Të tjerat, janë fjalë kronikash biri im.

Sakaq, zëri Skënderit, u shua, u shterr,

E duke u venit shtoi, “Bëj be, burrërisht,

Sa herë, ia ka futur kot dhe vetë Barleti…

Pastaj, ndër dhëmbë zu mallkoi turqisht,

“Zor, se vjen në din, ky biçim mileti”.

 

 

 

 

Shënime historike

[1] Sipas  historianit Maqedonas  Petreski  Vojsava   ka qenë e bija e Gërgurit, mbretit të Pollogut, i cili pohim është plotësisht i pranueshëm sepse ai ka dokumente shumë të fuqishme se me të vërtetë në kohën për të cilën na flasim, mbret i Pologut ka qenë Gërguri, por emri Gërgur nuk është i origjinës sllave dhe mund të deshifrohet vetëm duke përdorur gjuhën shqipe.

 

[2] Krerët e fisit të Kastriotëve, vijon Barleti, kanë rrjedhur nga Mati, prej një dere fisnike dhe kanë sunduar në Epir me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë, ishte Gjoni ai që spikati për urtësi, rëndësi, e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera, si dhe për bukurinë e rrallë të trupit. Gruaja e tij kishte emrin Vojsavë, atë e bënin jo të padenjë për atë burrë; nga njëra anë i ati shumë fisnik, princi i Tribalëve, aga ana tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës. Asaj mund t’i bëhen lavdërime, ndoshta jo më të vogla edhe për filizat e rinj; me të drejtë, përmenden zakonisht gratë, Mara, Jella, Angjelina, Vlajka, Mamica, nga ana tjetër meshkujt: Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji.

[3] Kështjella e bardhë, kështu e quanin turqit Krujën në turqisht

[4] Fjalët e Skënderbeut para  krutanëve  pasi  mori Krujën

[5] “Motra e Skënderbeut Mamica pati për burrë Muzak Topinë. Muzakë Topia ishte i martuar. Gruaja e tij quhej “znj Zanfina. Ai kishte me të dy fëmijë. Nga këto të dhëna, kuptohet se martesa e Mamicës me Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë kryesorë të vendit. Prishja e martesës së Zanfinës me Muzak Topinë bëri përshtypje të madhe Pas ndarjes, Zanfina u martua me Moisi Golemin  dhe ajo e nxiti atë për të tradhtuar Skënderbeun. Topia pati një fund tragjik në luftë.

[6] Biemmi dhe historianë të tjerë të vjetër shkruajnë se Moisiu erdhi kundër Skënderbeut në krye të një ushtrie osmane ,por u mund prej tij në betejën që zhvilloi në Dibrën e poshtme, më 19 maj 1456. Më pas Moisiu u pendua dhe u kthye tek Skënderbeu. Ai i kërkojë ndjesë publikisht, duke i rënë në këmbë me litar në qafë. Skënderbeu e ngriti në këmbë, i ktheu pronat e sekuestruara dhe e caktoi detyrën e mëparshme.

[7] Gjon Muzaka, i përshkruan kështu: “I lartpërmenduri Zot Skënderbeu qe i mençur dhe trim, i prirë për të bërë mirë dhe qe një Zot i madh ndër të gjithë pararendësit e tij. Pasi u bë kapiten i përgjithshëm i Zotërve të Shqipërisë e që në pak kohë synoi të zotëronte gjithë vendin

[8] Formacione ushtarake të  ushtrisë  Otomane

[9]

[10] Sipas Barletit, Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej t’i zinte vendin”. Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi u shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato zotëronin. Eshtë fakti se kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 47-vjeçar dhe Donikës 23-vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës.

[11] Traktati i Gaetës Traktati u nënshkrua jo vetëm në emër të Skënderbeut, por edhe të “të afërmve të tij baronë në Arbëri: “ … e de soi parenti, baruni in Albania, de la parte altra”, po aty). Ky traktat i njihte Mbretit të Aragonit, Napolit dhe Siqilisë sovranitetin mbi “trojet e të thënit Gjergj” dhe mbi “trojet e Krujës dhe kështjellën”, në shkëmbin të ndihmës që Mbreti do t’i jepte atij (Skënderbeut) në luftën kundërosmane.

[12] Kur po i afrohej vdekja Skënderbeu  e duke parë se i biti ishte në moshë të njome iu dha Krujën Venecianë vë për ta mbrojtur nga turqit gjer kur Gjoni te ishte  në moshë madhore.

[13] Në letërkëmbimin me princin e Tarentit  Giovanni Antonio Orsinimë 1460, mes argumenteve të tjera për ekspeditën në Apulí (Puglia), Skënderbeu i formulonte Princit në fjalw Nuk do të gjesh fisnikëri më antike sesa virtyti. Nuk mund të mohoj që ti nuk je përkrah francezëve të neveritshëm, …. Për më tepër ti përbuze njerëzit tanë. I krahasove shqiptarët me dele dhe duke u nisur nga zakonet tuaja mendon në një mënyrë fyese. Megjithëse nuk ke treguar se ke njohuri për kombin tim. Paraardhësit e mi kanë qënë nga Epiri, vendi i Pirros, forcën e të cilit romakët mezi e duruan. Pirro, të cilin Taranto e shumë vende të tjera të Italisë e kanë frenuar me ushtri. Nuk kam pse të flas për Epiriotët. Ata janë burra shumë më të fortë se sa Tarantinët tuaj, të cilët kanë lindur vetëm për të peshkuar. Nëse doni të thoni se Shqipëria është pjesë e Maqedonisë do të pranoja se shumë nga paraardhësit tanë ishin fisnikë të cilët shkuan deri në Indi, nën komandën e Aleksandrit të Madh dhe mundën gjithë ata njerëz me vështirësi të habitshme. Pikërisht nga ata burra vijnë edhe këta që ti i quan dele ti sot. Por gjërat nuk kanë ndryshuar. Pasi burrat tuaj vazhdojnë të largohen duke vrapuar para bagëtisë….

[14] Sipas mitologjisë bir i  perëndisë Kadmi  ishte Hylliri, Iliri

[15] Pas vetëvrasjes së tre dervishëve kisha e Shën Nikollës  s’u përdor më si xhami

[16]  Në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur”. I pari dokument zyrtar që na njofton vdekjen e tij është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Girardo De Collis. Pasi lajmi për vdekjen e Heroit mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të vitit 1468, ambasadori milanez nuk nguroi, por i shkroi një letër urgjente dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, pikërisht atë ditë, duke njoftuar se: “Skënderbeu u nda nga kjo jetë. Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve ( Monumenta Hungaria e Historica, Nagy-Nyary, 1466-1490, nr. 59, f. 93).

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Para carrot te Skenderbeut, poemth, Rafael Floqi

Kosova njihet edhe nga Barbadosi, shteti i 116-të

February 15, 2018 by dgreca

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Barbados FlagPRISHTINË, 15 Shkurt  2018/ Barbadosi është shteti i 116-të që njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur para 10 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

“Festa e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës sapo ka filluar. Barbados është shteti i radhës që njeh Kosovën. Urime gjithë qytetarëve të Kosovës”, shkruan presidenti i Republikës, Hashim Thaçi në ‘facebook’, në mbrëmjen e sotme.

Ndërsa, kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, shkruan: “Në vigjilen e festës së madhe të pavarësisë, ja edhe një njohje nga shteti i Barbadosit, Urime Kosovë e dashur!!”.

Gjatë 10 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

***

Barbados është një ishull ne bregun lindor te Karaibeve.
Kryeqyteti: Bridgetown
Popullsia: 284,996 (sips regjistrimit te vitit 2016)

Filed Under: Kronike Tagged With: Barbados, Behlul Jashari, njeh Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT