• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

Babëzi që pjell barbarë

March 20, 2018 by dgreca

1 Andon Dede

Nga Andon Dede, Nju York/

Ndërsa lexoj kronikat e përditëshme për artistët që po luftojnë dhëmb për dhëmb me qeverinë për të mos iu prishur Teatri i tyre, ku ata nuk kanë derdhur vetëm djersë pa kursim por shumë më tepër, deri dhe shpirtin, pra, që ai të rikonstruktohet por fasada të ruhet, lexoj  një shkrim për Spaçin. (Gazeta “Shqip”, 20 mars 2018), ku autori, Sulejman Dida, i ka vënë një titull tepër kuptimplotë: “Ta “bëjmë” Spaçin, që të mos e përsëritim atë!”. A ka përkitje apo analogji në mes tyre?! “A je i marrë a shtihesh?!”, mund të më thotë dikush si me humor, dhe jo pa të drejtë. Në vështrim të parë duket se nuk ka asgjë të përbashkët në mes minierës-burg të Spaçit dhe Teatrit Kombëtar, për të cilin ruajnë kujtime e kanë nostalgji jo vetëm aktorët e regjizorët por të gjithë ne, ish-spektatorët. Por, le të mos nxitohemi në përfundime.

Autori i shkrimit që përmënda më sipër, tregon për degradimin e plotë që po ndodh në burgun famëkeq, ku u persekutuan për dekada qindra e mijëra shqiptarë në regjimin komunist. Ai e krahason atë me një plagë të cilën po e mbyll koha me erozionin e pashmangshëm.(e të pamëshirshëm, do të shtoja unë). Që nga viti 1991, – thekson autori, – aty gjithçka është shkatërruar dhe grabitur, ku përveç ndonjë rrëfimi, nuk gjen asnjë gjurmë të persekutimit…

Kemi të bëjmë pra, me një barbari të vërtetë. Gjithçka u prish, u shkatërrua, u vodh, u shit për skrap dhe as që u kujtua njeri të thoshte apo të ulërinte, me sa zë që kishte: “More, a e kuptoni se ç’po bëhet? Nuk po shkatërrohet e nuk po shitet thjesht hekuri i atyre soletave të betonit, por po shkatërrohet e po shitet një copë e rëndësishme e historisë sonë, e kujtesës tonë…”. A thua është e vështirë të kuptohej kjo nga pushtetarët tanë të pas-Diktaturës?

Një parantezë e vogël

Në Spaç unë kam punuar dhe vetë, si teknik gjeolog, pas shkollës së mesme, Politeknikumit. Ne as që na shkonte në mendje atëhere se po përgatisnim burgun e ardhëshëm, një nga më të tmerrshmit që ka njohur jo vetëm vendi ynë, por dhe bota mbarë. Por unë e kujtoj atë kohë në dy pamje: kushtet e punës të minatorëve e sondistëve apo dhe jeta e tyre qe tepër e vështirë dhe e mundimëshme, edhe pse akoma nuk qe kthyer në kamp pune për të burgosurit. Sado e çuditëshme të duket, unë e kujtoj atë kohë edhe me nostalgji: teknikë, inxhinierë e nëpunës të tjerë, përgjithësisht të rinj në moshë e jabanxhij, gjenim dhe krijonim, edhe në ato kushte izolimi të skajshëm, hapësira të gëzueshme me njëri tjetrin.

Pas përmbysjes së Diktaturës dhe mbylljes së burgut, kam lexuar tërë ato shkrime e kronika për tmerret e përjetuara në ato hapsësira që unë i kisha shkelur e i njihja me pëllëmbë. Po revolta e njohur e ’73-shit, që sivjet ka 45 vjetorin, e që u shtyp me sadizëm, duke pushkatuar katër të burgosur e duke ri-dënuar qindra të tjerë, a mund të harrohet? Kam takuar dhe biseduar me shumë syresh…Shkurt muhabeti, a mund të harrohen apo, edhe më direkt, a duhet të harrohen tërë këto apo duhej bërë ç’qe e mundur për ta ruajtur ashtu siç qe dhe siç e shtjellon saktë e bukur autori në shkrimin e mësipërm?!

Një parantezë tjetër

Kam pasur rastin të vizitoj edhe burgun e famshëm të Al-Katrasit, në ishullin e njohur me të njëjtin emër, në San Françisko të Kalifornisë. Madje hyra dhe në qelinë e Al Kapones…Por këto kuriozitete mund të jenë objekt i ndonjë shkrimi tjetër. Gjetkë e kisha fjalën me këtë parantezë: Atë burg e mbylli Xhon Kenedi dhe e ktheu në muze. A nuk kam të drejtë të pyes: të qe kryeministri ynë artist dhe kanakari i tij, Lal Eri i kudondodhur, a thua se do e linin tërë atë ishull pa ndërtuar kulla të larta e pa e kthyer në burime të majme fitimi, siç kanë bërë e po bëjnë me gjithçka tjetër në Tiranë e kudo gjetkë ku kanë pasur mundësi? A nuk na e shëmbën stadiumin, kinema “17 nëntorin” e “Republikën”, lulishten pas Skëndërbeut, (të njohur edhe si “Kafe Gjirokastra”), etj.etj.dhe tani po bëjnë ç’është e mundur që të shëmbin Teatrin?  Por, këtë parantezë e hapa dhe për diçka tjetër. Kam vizituar shumë shtete e qytete, anë e mbanë Amerikës apo edhe malet, kodrat e liqenet përreth Nju Yorkut. Çfarë më ka bërë përshtypje? Që kudo, ruajnë me një xhelozi të habitëshme, gjithçka të vjetër: kam ndeshur në baraka prej drrasash, portale e ura të vjetra me harqe, prej guri, rrugë me kalldrëm etj.etj. Guxo po munde të dëmtosh sadopak ndonjëreën prej tyre…Kurse ne: shkatërro gjithçka, vetëm e vetëm për të fituar para…

Përfundim

Kthehemi përsëri tek tema e shkrimit tim dhe e të nderuarit Sulejman Dida. Bukur e ka dhënë mesazhin ai, ndaj dhe u ndala kaq gjatë: po të harrojmë të kaluarën, ka rrezik që ajo të përsëritet. Ky është një mesazh i madh që na ka ardhur e na vjen gjatë gjithë historisë, jo vetëm tonës por dhe asaj botërore. Mjafton të kujtojmë Gjermaninë, që, duke harruar mësimet e së kaluarës, i dha Botës dy tragjedi të llahtarshme e veshi në zi dhjetra miliona familje. Po “Enveri ynë” që pushkatoi, burgosi e internoi shumë më tepër nga sa mori Lufta?! Po tërë këta “enverë” të rinj, që Tranzicioni i prodhoi me bollëk, a thua se kanë nxjerrë mësime nga e kaluara dhe, sidomos, a kanë nguruar që për të mbushur xhepat, për të ndërtuar kulla e vila, si shejkët, e për të jetuar si mbretër e princër, a ndalen para ndonjë skrupulli? U bënë gati tridhjet vjet që presim ndryshime e më kot: vazhdon e njëjta histori, si nga pushtetmbajtësit ashtu dhe nga ata që mezi presin tu zënë vendin. Ja pse dy shkrimet kanë aq shumë analogji apo emërues të përbashëkët mes tyre: shembja e Teatrit e shkatërrimi i Spaçit janë dy ngjarje që sjellin në mënyrë të ububu-shme një frikë të madhe: nga pushtetarët tanë mund të presim gjithçk!. “More, si flet kështu, kur kryeministrin aktual, si askund tjetër, e kemi një ish-artist,(paçka se të dështuar) dhe një intelektual klasi, (paçka se kontra-pedal e eksentrik)?! Unë do t’ia ktheja se kjo, e bën problemin që shtruam edhe më të dhimbshëm, për të kuptuar se si i tjetërson pushteti e paraja njerëzit, cilëtdo qofshin ata.

Nju York, 20 mars 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Babëzi, që pjell barbarë

Kuvendi i Kosovës në seancë për demarkacionin, Lista Serbe bojkoton

March 20, 2018 by dgreca

 PRISHTINË,20 Mars 2018-Gazeta DIELLI-B. Jashari/ Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është sot pika e vetme e axhendës së vazhdimit të nisur të seancës së jashtëzakomshme plenare të Kuvendit kosovar, e cila ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 të parlamentit 120 anëtarësh./

1 Kuvendi

 KRYEMINISTRI HARADINAJ: VOTA PRO DEMARKACIONIT ËSHTË VOTË PËR SHTETIN E KOSOVËS/

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë seancës së sotme (20 mars 2018)

 të Kuvendit të Kosovës, ka paraqitur dhe ka arsyetuar para deputetëve Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. 
Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj:

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, kabinet qeveritar,
Media, qytetarë të Kosovës.

Kam nderin të paraqesë para jush Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Të nderuar deputetë, përfaqësues të popullit

Kemi kaluar një fazë jo të lehtë për të adresuar para jush një çështje ndër më të rëndësishmet për shtetin. Pas shumë përpjekjesh, bisedash e negociatash me partnerët dhe miqtë e Kosovës, por edhe me Malin e Zi, kemi arritur të gjejmë një formulë të pranueshme për të gjitha palët.

Kemi arritur që edhe ta ruajmë të drejtën për tokën tonë, ta ruajmë fqinjësinë me Malin e Zi dhe partneritetin me aleatët strategjik të Kosovës. Jam i bindur se marrëveshja ndërmjet dy presidentëve dhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror e plotësojnë marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe krijojnë bazë të pakontestueshme ligjore për korrektimin e gabimeve të bëra në procesin paraprak, posaçërisht në drejtim të Kullës dhe Çakorrit, siç është specifikuar edhe në aneks marrëveshjen e presidentëve.
Vota pro këtij projektligji sot më shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës, është votë për perspektivën euroatlantike të vendit, është votë për liri të lëvizjes. I kemi analizuar të gjitha faktet dhe rreziqet dhe ju garantoj se ratifikimi i këtij projektligji me dokumentet përcjellëse nuk e rrezikon territorin e Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Vendimi është në dorën tuaj dhe vota pro këtij projektligji sot është edhe kërkesë e shumicës së qytetarëve. Ju bëj thirrje pa dallim partie apo etnie, apo bindje ideologjike që të votoni pro këtij projektligji.
Ju faleminderit.

 ***

 FJALA E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË LDK-SË,  AVDULLAH HOTI NË SEANCËN E SOTME (22.02.2018)  TË KUVENDIT TË KOSOVËS PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES PËR SHËNIMIN E VIJËS KUFITARE ME MALIN E ZI:

I nderuari Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Qeverisë,

 Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dua të shprehë kënaqësinë që, më në fund, gati tre vjet pas nënshkrimit, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për ta votuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, me këtë shtet fqinj, shtet mik, anëtar të NATO-s, që ka njohur shtetin e Kosovës qysh në fillim, pa asnjë hezitim.Për dallim prej herës së kaluar, seanca e sotme, siç po shihet, do të zhvillohet pa gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj Kryeministrit, deputetëve dhe policisë.Njëri nga ata që nxiste dhunë sot është Kryeministër. Por, ne nuk do ta sulmojmë atë, edhe pse kemi të drejtë morale për ta bërë.Për më tepër, kësaj radhe, si duket, nuk ka plan për të lejuar futjen e gazit në Kuvend.Sidoqoftë, Lidhja Demokratike i gëzohet faktit që Kuvendi i Kosovës sot nuk po bëhet gaz i botës.

 Të nderuar kolegë deputetë,

 Ne besojmë se marrëveshja është e drejtë.Përmes neneve 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, palët obligohen që të rishikojnë marrëveshjen në rast se paraqiten fakte të reja.Pra, formohen Trupa të Përbashkëta për të shqyrtuar faktet e reja.Nëse faktet validohen, atëherë përpilohet marrëveshje e re, dhe shkohet në procedurë të re të ratifikimit.Prandaj, Lidhja Demokratike e ka mbështetur qysh në fillim.

Prandaj, miqtë tanë na kanë mbështetur në këtë proces.Lidhja Demokratike është parti e themeluar nga Presidenti Rugova. Kauza jonë për shtet të pavarur dhe sovran ka nisur para tri dekadash.Asnjëherë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë veprime në dëm të shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht a jemi në opozitë apo në pushtet, të cilën gjë nuk mund ta them për disa parti që janë në Kuvend.

 Të nderuar deputetë,

 Deklarata e Presidentëve, është konfirmim i marrëveshjes, i neneve 7, 9 dhe 11.

 Ndërkaq, marrëveshja është ajo e vitit 2015.Asnjë shkronjë e asaj marrëveshje nuk ka ndryshuar. Por, rrethanat ka ndryshuar. Dhe më vjen mirë që tani po mbështetet nga një pjesë e opozitës së atëhershme.Megjithatë, qytetarët kanë mbetur të izoluar për tri vite. Dhe është vënë në pikëpyetje gatishmëria e shtetit të Kosovës ndaj obligimeve ndërkombëtare.

 Të nderuar kolegë të Lëvizjes Vetëvendosje,

Edhe ju e dini se ratifikimi i kësaj marrëveshje siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.

 Marrëveshja kontribuon në rritjen e dinamikës të proceseve euro-integruese të Kosovës.Marrëveshja hap rrugë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.Në frymën e asaj që thashë më lartë lidhur me nenet 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, unë ju garantoj se ne do të jemi këtu, që bashkë me juve, të sjellim prapë këtë marrëveshje për ratifikim nëse ka fakte të reja.

Pa votën e juaj, ratifikimi i kësaj marrëveshje varet nga Lista Serbe. Prandaj, ju ftoj të na bashkoheni që të shmangim rrezikun e koncesioneve të dhimbshme për Kosovën për të ratifikuar këtë marrëveshje.

Të nderuar kolegë deputetë,

 Kur Lidhja Demokratike e përkrahte këtë marrëveshje, Z.Haradinaj përdorte fjalë fyese ndaj Lidhjes Demokratike dhe Kryetarit Mustafa.

Nuk do të merrem me to. Ato fyerje le të mbesin në ndërgjegjen e tij.Por, çfarë duhet të bëjë Z.Haradinaj pas ratifikimit të marrëveshjes?Unë nuk do t’i referohem zakonit, sepse është i ashpër në këso situata.

 Por, me rregullat e demokracisë, pas ratifikimit të marrëveshjes,

  • Ai duhet të japë dorëheqje,
  • Kuvendi duhet të shpërbëhet,
  • Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja,
  • Sovrani le të vendos se kush e udhëheq Kosovën drejt integrimeve evropiane.Kosovës i duhet një qeveri normale, që punon për qytetarët e jo për politikanët.Kosovës i duhet një qeveri pro-evropiane, civilizuese, me të cilën qytetarët ndihen mirë, të cilën Lidhja Demokratike mund ta sigurojë.Qeveria e Re do ta kthejë debatin në Kuvendin e Kosovës për jetën e qytetarëve, për shëndetësi, për arsim, për punësim, për bujqësi, për biznes, për njohje të reja, për ushtrinë, për integrimin e komuniteteve, për avancimin e agjendës evropiane.Nuk do të ketë debat për fatin e politikanëve, apo për pagat e tyre, siç kemi parë në këta muaj të qeverisjes fatkeqe për vendin.

Të nderuar deputetë,

 Më lejoni që edhe një herë të konfirmoj mbështetjen unanime të deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike për këtë marrëveshje.Të konfirmoj gjithashtu mbështetjen për Deklaratën e Përbashkët të dy Presidentëve, e cila bazuar në këtë marrëveshje, shpreh vullnetin e dy shteteve, që në mirëbesim, të adresojnë kontestet eventuale.Na vjen mirë që koalicioni qeverisës, përfshirë edhe partinë e Kryeministrit, është pajtuar që i gjithë dokumentacioni zyrtarë i Komisionit Shtetëror, i aprovuar në Qeverinë e Kosovës në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, të jetë në dispozicion VETËM për orientim të deputetëve.

 T’i lëmë deputetët, që duke pasur parasysh të gjitha argumentet në këtë dokumentacion, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre.

 Unë ju ftoj që të tejkalojmë dallimet dhe të shohim interesin e qytetarëve.

Faleminderit për vëmendjen.

LËVIZJA VETËVENDOSJE ME  PETICION NË KUVENDIN E KOSOVËS

 Lëvizja Vetëvendosje me 19 deputetët e saj solli në Kuvendin e Kosovës peticionin kundër Projekltilogjit për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

“Qëndrimi i mbi 205 mijë qytetarëve që kishin nënshkruar kundër marrëveshjes për Demarkacion u sollën në Kuvend nëpërmjet deputetëve tanë. Nënshkrimet e peticionit që e kundërshtojnë këtë marrëveshje janë tek Kryeministri dhe para deputetëve. Ato vlejnë 205 mijë herë më shumë sesa nënshkrimi i dyfishtë i Hashim Thaçit për këtë marrëveshje”, shprehet LVV.

LISTA SERBE NUK PO MERR PJESË NË SEANCËN E JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT TË KOSOVËS

Lista Serbe me grupin e vet parlamemtar 10 anëtarësh nuk po merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.Për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk egziston”.“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”,  ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka grupin parlamentar me 10 deputetë në Kuvend dhe 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.

E VESHTIRE PER 80 VOTAT

Duket se ka dështuar edhe këtë herë seanca për votimin e demarkacionit. Qeveria nuk ka mundur as këtë herë që të grumbulloj 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Burime të Klan Kosovës bëjnë të ditur se është arritur një marrëveshje mes spektrit politik, që seanca për Demarkacionin që po vazhdon akoma, të vazhdojë nesër në orën 10: 00. Sipas këtyre burimeve, në seancën e nesërme pritet që sot të përfundojë i tërë debati lidhur me këtë temë dhe nesër të hidhet vetëm në votim çështja e Demarkacionit. Në ndërkohë, në seancën e cila ka nisur pak pas orës 16:00 ishin edhe 20 deputetë të lajmëruar për të marrë fjalën.

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, Kuvendi i kosoves

Sfidat e shqiptarëve dhe mosnjohja e Republikës së Kosovës nga Bosnja

March 20, 2018 by dgreca

Nga Luan –Asllan Dibrani/

“Deri më sot, Kosovën e kanë njohur 115 shtete. Prej tyre 112 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 23 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, 25 nga 29 shtete anëtare të NATO-s etj.Bosnje-Hercegovina është vendi i vetëm nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, e cila krahas Serbisë, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës!Çështja e mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Bosnjës është shume  komplekse me qëndrimin kontaverz të brendshëm! Etnitetet qe e përbejnë atë shtet  janë problemi   kyç i mosnjohjes  nga Bosnja Hercegovina  pavarësinë e Kosovës!

Faktor dominant janë serbët e “Republikës Srpska”, që kanë qëndrim në një linjë të njëjtë me qëndrimet e Beogradit karshi Kosovës!Po është e  kuptueshme, por  pos etnitetit serb,aty edhe faktori boshnjak është  i njëjti,kurrë nuk ka treguar asnjë sinjal,përpjekje se paku nëpër ndonjë  takim  politik,apo edhe ndonjë opinion nga krahu  boshnjak!.

Bosnja dhe boshnjaket  mosmirënjohës dhe injorant ndaj Kosovës!… 

Bosnja  ishte dashur  ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse vet pozicioni i saj i përkufizuar me shtetet  sllave   i servon një izolim  vetes së vet. Mos mirënjohja e saj ndaj shqiptareve me se mire tregon edhe  sakrifica dhe  pjesëmarrja e shqiptarëve  në luftën  e Bosnje –Hercegovinës. Me mijëra luftëtar shqiptar morën pjesë në  atë luftë në krahun  boshnjak  dhe me qindra djem shqiptar vdiqën në atë  luftë  si “qeni në rrush”. Në Bosnje-Hercegovinë,  pos faktorit serb i Republikës  Serbska, ka ndikuar edhe shtetet arabe qe akoma nuk e kanë njohur Kosovën dhe pavarësinë  e saj? Shpesh herë kujtoj ngjarjet e 81-shit në Kosovë,kur nga e gjithë  ish Jugosllavia  u zbarkuan policia dhe ushtria  e të gjitha republikave për t’i shtyp me dhunë   kërkesat e shqiptarëve për pavarësi  e vetëvendosje… Në keqpërdorim dhe dhunë ndaj shqiptarëve  ishin ndër ma te zëshmit, pos serbëve edhe boshnjaket. Është injorante dhe abuzim  për ta gjykuar qëndrimin e Bosnjës,kur ne i kemi pasur  të njëjtat sakrifica  dhe dhunë  nga Serbia si popuj!

E rikujtoj  shokun tim Sadik Jasharin ishte në një dhomë burgu me Izet Begoviqin.

Aty edhe një cigare  ka thënë Sadik Jashari e kemi ndarë  me Izet Begoviqin, me qe kishim një  strategji  të përbashkët me u çliruar nga Serbia. Sot të bëhen 10 vite,pavarësi e Kosovës dhe Bosnja mos ta njeh Republikën e Kosovës  është një  skandal me ne shqiptarët qe edhe sot po e ndjekim rrugën gabuar për ti çliruar vendet e huaja  pa e realizuar  atë synimin e shqiptareve që të jenë të lirë në tokat e veta. Boll shqiptarë ma, mos ndiqni rrugën e Asim Vokshit në luftën e Spanjës dhe qindra shqiptare të përfshirë në luftën e Bosnjës ,por edhe në luftën kroato-serbe!?… Tugjmani edhe deri gjeneralët tanë shqiptarë  i keqpërdori  për interesa të veta duke iu kurdisur  edhe kurtha për  gjenocid në Kroaci kundër serbëve. Ashtu ndodhi edhe në  lutën  e Sllovenisë  ,shqiptarët  ishin faktor  ne veti për ti shporrur forcat serbe. Si fund i një  skandali për ta rrënuar imazhin  e Kosovës ishte përfshirja e shqiptarëve  në luftën  e Sirisë gjë qe ka ndikuar edhe në mos njohjen e Kosovës nga shumë shtet myslimane  në solidaritet me Serbinë siç po vepron edhe një Bosnje e pa qëndrueshme  dhe  injorante ndaj Kosovës!Shqiptarë mblidhne mendjen dhe mos luftoni për të tjerët, por luftoni për veten tuaj dhe bashkoni shtetin tonë qe iu pret t’ja mbledhim këmbë  e duar në një trup…

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, mosnjohja nga Bosnja, Sfidat e Kosoves

PRANVERA PA LULE E RRUGËS SË ARBRIT

March 20, 2018 by dgreca

Dyshoj se nuk do të jetë e fundit…/

Le të gabohem unë…/
Le të festojnë dibranët…/

1 rruga e ArberitDhe një shënim për Gëzim Alpion: Bashkohem me ty kur shkruan: “Është për të ardhur keq që, ky brez politikanësh, duket sikur vepron, vetëm kur përballet me protesta rrugësh”.
Mjerisht kjo gjuhë në Dibër nuk njihet…1 Hap i shtrire

“Zyrtarisht”, me foto e filmime televizive, lopata e parë me dhe në “Rrugën e Arbrit”, është hedhur nga Fatos Nano në pranverën e vitit 2005. Vetëm “një lopatë” me një majë guriçkash marrë anës rrugës së vjetër në dalje të Bulqizës, dhe asgjë tjetër. Mbase, për njohje historike, relikte, nuk është vonë që atje mbi një “gurë ciklopik” nga ata që Skënderbeu u hodhi turqve osmanlinj në betejën e njohur të Fushë-Bulqizës, të gdhendet një basoreliev ku të shkruhet “Këtu nisi për tu harruar Rruga e Arbrit”.
Defterët e mëvonshëm të “hallvaxhinjve pushtetarë”, sipas veprimit “kaç e fug”, përcollën shumë majakazmash e majalopatash mbush me nga një “grusht dheu”, gërshërë e shiritash kuq e blu prerë nën bubullima daullesh e vikama adoleshentësh militantë duargrisur përplasjesh frenetike.
Zëri i dibranëve u ngjir së kërkuari “rrugën e tyre” që në fakt është “rrugë e të gjithëve”, udhë në lashtësi me emrin “Rruga e Arbrit”, udhë ilire që vinte në radhë karvanët nga Durrësi në Shkup e Varna të Bullgarisë,
Një peticion shkruar para 20 vjetësh dhe Rruga e Arbrit stela-stela sot, një peticion, një kërkesë  njerëzore firmosur nga 43 intelektualë dibranë e përcjellë strukturave të shtetit shqiptar të kohës që nga presidenti Berisha e me radhë teposhtës së kaskadës shtetërore deri tek prefekti i qarkut të Dibrës.
E gjeta midis relikteve të jetës time që çuditërisht nuk më ka rënë poshtë  rrugës së gjatë të ikjes dhe qëndrimit tash njëzet vjet në troje të huaja.
Gjeta edhe një dorëshkrim timin të marsit 1996 me titull “RRUGA E DIBRËS” – DREJT DIBRËS  me shënimin: “Alternativa për zhvillimin e zonave malore”.
Nuk mund t’i mbajë në arkivin tim, thjesht se ata i përkasin një hapësire  që lidhet me një trevë e me zëra që nuk kanë pushuar së ngrituri deri në shkallën më të lartë të pentagramit zërin  NDËRTONI RRUGËN E ARBRIT!
Nuk është thjesht një peticion që fillon me “Jemi një grup intelektualësh të rrethit të Dibrës…” është një pamflet historik, një thirrje brezash në shekuj që ecën në këmbë kësaj rruge duke shkruar biografinë e saj.
Citohet Aleks Buda në thënien e tij “Dibra ishte ndër pikat kyçe ku vihej në pikëpyetje ekzistenca e Shqipërisë në dy pjesë”.
Citohet Ana Komnena e cila kur flet për fisin ilir të Albanëve-Arbërve, përmend edhe krahinën Albanon që shtrihej gjatë rrugës midis Durrësit e Dibrës, krahina e Arbërisë, me qafa, rrugë të përpjeta dhe kulla të shumta.
Dijetari italian Antonio Baldaçi për këtë rrugë shkruante: “Qytetërimi Romak kishte zhvilluar një rrjet rrugor në Shqipëri, arteriet kryesore transversale të së cilës ishin Via Egnatia… pastaj ajo midis Durrësit e Dibrës duke kaluar nëpër Mat”
Vaid Kormaku, mësues dhe studiues i pasionuar i Dibrës, citohet si “i pari që përmendi faktin se rruga lidhte Stambollin me Detin Adriatik krahas “Via Egnatia” sipas itinerarit: Gallatë – Stamboll – Adrianopol – Filipopol, për të hyrë në trekëndëshin Sofie – Nish – Shkup, gjatë luginave Morava – Vardar, Lugut të Vardarit – Fushës së Pollogut – Gostivar – Mavrovë – Grykë të Radikës bri katundeve Trebisht – Radostush – Dibër e Madhe – Grykë të Vogël – Grykë të Madhe – Valikardhë – Qafë Buall – Guri Bardhë (Petralba) – Shkallë e Tujanit – Krujë – Durrës.
Intelektualët argumentojnë se “Që në mesjetën e hershme…Krahina e Arbrit ka qenë vendi i kryqëzimeve transversale e horizontale të trojeve etnike të kombit shqiptar – epiqendër e trojeve etnike. Këto rrugë janë kthyer në arterie të rëndësishme që kryejnë lidhjet e kombit në kohët moderne”.
Duke folur me gjuhën e argumentit historik etnik, intelektualët dibranë  deklarojnë se “Vetëm një rrugë dhe pikërisht ajo më strategjikja nuk është kthyer në rrugë moderne automobilistike. Është fjala për Rrugën e Arbrit, të quajtur më vonë Rruga e Katriotëve, Rruga Durrës – Fusha e Tiranës  – Tujan – Qafë Murrizë – Guri i Bardhë – Ura e Vashës – Plani i Bardhë – Qafa e Buallit – Vajkal – Ura e Qytetit (Valikardhë) – Homesh – Dibër.”
Protesta e tyre se… “Nuk ka krahinë që të lidhet me kryeqytetin dhe portin e Durrësit në mënyrën më diskrete dhe qesharake se krahina e Dibrës”… pason deklaratën – argument: “Mos të harrojmë se në qoftë se flasim për zona të populluara dhe bujqësore të Shqipërisë së sotme politike, këto janë pellgu i Korçës dhe Lugina e Drinit të Zi”.
Ata argumentojnë se “Kalimi i Qafës së Murrizit (1120 m.), sikur edhe pa asnjë tunel e shkurton rrugën 75 kilometër…”
Intelektualët nuk e mbajnë për vete idenë e ndërtimit të rrugës tradicionale nëpër Shkallën e Tujanit. Ata deklarojnë se ajo është shtruar për zgjidhje  që në vitin 1929 kur parashikohej ndërtimi i dy tuneleve njeri në hyrje të Shkallës së Tujanit dhe tjetri në të dalë të Shkallës…
Intelektualët argumentojnë se pushteti diktatorial kurrë nuk i dha Dibrës atë që i merrte…kromin, mermerin, pasuritë e mëdha të nëntokës e mbitokës, për të arritur deri në deklaratën e  vitit 1972 të kryeministrit Mehmet Shehu i cili tha se “…përmirësimin e kësaj rruge mund ta shfrytëzonte armiku për agresion mbi Tiranë” (?!)”, një argument qesharak që e la Dibrën me një rrugë me 4 metra gjerësi.
Grupi i intelektualëve Dibranë i kërkonte presidentit Berisha, qeverisë, institucioneve si dhe organizmave shtetërore e shoqërore që varen prej tyre…”T’i kthejë Dibrës rrugën e vet tradicionale që edhe dibranët të lidhen me kryeqytetin e vet më të shkurtër…”
Zëri i intelektualëve dibranë mbeti në “koshin e plehrave” të presidentit të atëhershëm të shtetit shqiptar, kryeministër për tetë vjet më vonë, në “koshin e plehrave” të kryeministrave që pasuan…Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos, Edi Ramës…
Jo vetëm ai peticion, por edhe më i riu, ai i iniciuar nga Gëzim Alpion, Bujar Karoshi e të tjerë, firmosur online dhe me kalem në dorë nga 15 mijë dibranë e bashkëkombës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në të gjithë botën.
Me dhjetëra kanë qenë deputetët dibranë të të gjitha ngjyrave partiake ulur në karriget e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Asnjeri nuk u ngjit në tribunën e Kuvendit me peticionin e shkruar dhe me zërin e dibranëve të incizuar në dorë për të kërkuar me forcë ndërtimin e Rrugës së Arbrit. ASNJERI?!
Rruga e Arbrit është aktualisht stela – stela, arna – arna, pa kokë, pa trup, pa këmbë, pa zë e pa figurë.
Për ndërtimin e saj nuk mjafton nënshkrimi i 42 intelektualëve, nënshkrimi i mijëra të tjerëve. Pushtetarët nuk kanë veshë për të dëgjuar e as sy për të lexuar…
Për ndërtimin e saj është çjerrë me zërin e ngjirur në shkallën sipërore të pentagramit, tash tre vjet, pranverë, verë, vjeshtë e dimër kryeministri Edi Rama, herë me tepsi copa-copa e herë me tepsi bidevi për vete. Premtime, premtime, premtime… Shumë zhurmë, shumë zhurmë…Dhe asgjë.
Erdhi edhe pranvera e parë e tepsisë së madhe…
Me një tender që s’ka as germa për t’i lexuar e as fjalë për t’i dëgjuar…
Erdhi pa lule…
Pranvera pa lule e “Rrugës së Arbrit”…
Dyshoj se nuk do të jetë e fundit…
Le të gabohem unë…
Le të festojnë dibranët…

Abdurahim Ashiku

Athinë, pranverë 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Rruga e Arberit

SOT ËSHTË DITA JONË…

March 20, 2018 by dgreca

NGA  SHEFQET DOBRA/

2Dobra shefqet

SOT ËSHTË DITA JONË; NJË KAFE NJË RAKI!/

Në sektorin Çermë, ishte bërë zakon që, kur merrnin rrogat, burrat shkonin gjithë gëzim te lokali i vetëm që kishin, – i thoshin banakierit: sot është dita jonë, një kafe e një raki! Për dy ditë lokali ishte plot, edhe brigadierët,  ato ditë, ata zinin një tavolinë dhe punëtorët, secili porosiste edhe për brigadierin e tij.  Gjithashtu, nuk mungonte as operativi, Bujar Peza, i cili ulej në një cep pranë derës, edhe për atë, do porositnin dhe, kënaqeshin kur Bujari u dhuronte një gjysmë buzëqeshje. Por disave u dilte nga hundët, ajo që kishin pirë, se në shtëpi, ziheshin me gratë, ngaqë nuk u mjaftonte rroga, deri kur të merrnin tjetrën.

Gjithë ditët e tjera, në lokal kishte qetësi, vetëm pensionistët, shkonin të pinin një kafe dhe kalonin ditën me muhabete. Fjala: -sot është dita jonë- ishte bërë zakon, atë e përdornin edhe ditët e tjera kur ndonjëri shkonte  të pinte kafe, ose më tepër, kur i vinte ndonjë mik që do i jepte një kafe- i thoshte banakierit:  sot është dita jonë, nga një kafe! Asnjërit nuk i shkonte në mend se, edhe kjo fjalë,  ishte e dëmshme.

Ibraim Qosja, punonte te elektropompa ujit të pijshëm në Konjat, prej njëzet e katër orësh, nuk ishte larguar nga puna. Në mëngjes, pasi la punën- sektori ishte mbi një orë e gjysëm larg- rruga më këmbë dhe pagjumësia,  u duk shumë i lodhur kur arriti në sektor. Mendoi të pinte një kafe para se të shkonte në shtëpi; u fut në lokal, brenda ishte qetësi, disa pleq që ishin me nga një filxhan kafe para, nuk po luanin domina e të grindeshin si gjithmonë. Ibrahimi duke qeshur si gjithnjë, që nga dera- i tha banakierit: një kafe dhe një teke, se sot është dita jonë! Pastaj, përshëndeti pleqtë: mirë mëngjes, por ata, veçse e shikuan si të habitur, iu përgjigjën me një zë, si pëshpëritje, sa me zor e dëgjoi Ibrahimi, dhe ulën kokat, kurse banakieri, nuk foli fare. Herë pas here, pleqtë i hidhnin nga një shikim nënë vetulla, sikur po i mërziste me shakanë prej së cilës, gajaseshin ditët tjera.

Banakieri, kur i vuri kafen e rakinë në tavolinë, duke e shikuar drejtë në sy -i tha:- po, sot është tamam dita jote. Ibrahimi  duke qeshur- i tha: – faleminderit gruas që më dha  edhe për sot të pi kafen. Gruaja është i parë shtëpie, ato e kanë hesapin, ne burrat kot mburremi dhe qeshi me të madhe. Kurse pleqtë e shikuan si të habitur,  dy prej tyre, u ngritën, dolën pa i përshëndetur tjerët. Ata çuditeshin me alegrin e Ibrahimit, kurse Ibrahim vriste mendjen: ç’kishin këta sot që rrinë sikur u ka  vdekur ndonjë?  Pasi piu kafenë e rakinë, i përshëndeti por, as një nuk i ktheu përgjigje. Kur shkonte për në shtëpi, qendra dhe rrugët e sektorit, atë ditë nuk kishte lëvizje, rrallë me ndonjë  që ndërrohej në rrugë, pasi e përshëndeste, merrte një përgjigje që, sa me zor e dëgjonte. Ç’kanë këta njerëz sot me mua? mendonte Ibrahimi. Sapo u fut në shtëpi- gruaja kishte ikur në punë- djali u shtri dhe, me njëherë e zuri gjumi.

Atë ditë ishte ditë zije, se kishte ndërruar jetë udhëheqësi, për tetë ditë ishin pezulluar të gjitha argëtimet; nëse ishte planifikuar ndonjë gëzim: fejesë apo martesë, ose të prapësohej ose ta merrnin në shtëpi dhe kaq, të gjithë shqiptarët këto dit, duhet vetëm të qanin. Kishte ndërruar jetë, jo prindi i ndonjërit sido kudo, por, “baba” i të “gjithë” shqiptarëve. Disa i thoshin: babë Enveri disa; xhaxhi Enver. Dmth, të gjithë do qanin: për babën ose për xhaxhin, sido që ta quanin. Por, Ibrahimi nuk dinte gjë.

Sapo e kishte zënë gjumi, trokiti dera.

-Ç’ësht ky që nuk më lë të fle?- tha me vete, Ibrahimi. Hapi derën.

-Hë more pse ma nxore gjumin, sapo kam ardhur nga puna, jam njëzet e katër orë pa gjumë. shoku me kokë ulur- i tha: të kërkon operativ Bujari.

-Pse? – e pyeti.

-Nuk e di! – u përgjigj shoku.

-Ku është, te lokali? Mendoi se e ka ftuar të pinë ndonjë kafe bashkë, të gjithë kujtonin se e kishin shok, ishte privilegj i madh të pijë kafe me të.

-Jo, jo! te dhoma që kanë këtu.

-Epo, mirë, shko! Sa të vishem.

-Po mos u vono, kështu më tha. Këta nuk e dinin se operativi nuk kishte shokë, se ai  ishte më i rrezikshëm se ujku; ujku e ndiqte tufën gjithë ditën, priste  të ndahej ndonjë bagëti nga tufa ta rrëmbente,  kishte raste që pas gjithë atij mundimi, ujku mund të vritej nga bariu, kurse operativet, për të kapur gjahun, nuk mundohej fare, e kërkonte në zyrë dhe viktima shkonte vetë.

Kur vajti të dhoma e Bujarit, dera ishte gjysmë hapur, Ibrahimi e shtyu derën si herët e tjera, kur e ftonte për kafe- dhe, duke qeshur, sapo do e përshëndeste si herët e tjera, papritmas dëgjoi një Britmë: ku futesh kështu pa trokitur, në shtëpinë tënde! Jashtë. Për një moment Ibrahimi, mbeti si i ngrirë në derë, duke e shikuar, mundi të thotë; më.. më… më fal shoku Bujar! Erdha si herët e tjera. U zmbraps dhe trokiti. Nga lodhja dhe pa gjumësia ishte këputur, përçmimi dhe pritja e gjatë, e legjendisi fare. Më në fund dëgjoi Bujarin; hyr! Ishin të dy më këmbë, ballë për ballë, njëri shikonte i habitur pa kuptuar pse sot Bujari po e shikonte me egërsi? Nga sikleti, iu djersit balli. Papritmas dëgjoi, ti thotë: pa më thuaj more -mut muti- ç’e kishe gjithë atë gëzim sot?

Ç’a gëzimi, shoku Bujar? Unë sa erdha nga puna

-Partinë gënjen ti, ëh! E di ti, kush jam unë? Dhe iu afrua

-Jo shoku…. nu….nuk po gënjej

-Ke thënë te lokali: sot është dita jonë! Pse është dita jote sot ?

-Ibrahim qeshi, kujtoj se po bënte shaka Bujari- si gjithnjë shoku Bujar: një kafe një raki, se, sot është dita jonë- i thash klubistit.

-Po pse është dita jote sot, ëh!

-Sot nuk është tamam se, nuk është ditë rrogash- tha duke qeshur- po ti e di që kjo është bërë zakon ta themi edhe herët e tjera.

-Ashtu, si herët tjera ëh?  Na, ta tregoj unë si është dita jote, qen e biri i qenit- ja futi syve, Ibrahimi nuk po kuptonte, shoku … shoku…., po të parën  e pasoj e dyta, e treta e me radhe, Ibrahimi nuk mund ta shqiptonte emrin e operativit. Kur Bujari po rrinte më këmbë, Ibrahimi me lot në sy, mund të thotë: po pse more shoku operativ, pse ma bëre këtë.

-Pse, ça do ti, të përkëdhel, edhe burgun e ke pak, për atë që ke bërë, dhe…

-Po kështu kemi thënë gjithnjë, kur marrim rrogat, kështu thash edhe sot.

-Sot që të gjithë shqiptarë qajnë, për ty qenka ditë gëzimi, ëh?

-Pse shoku operativ, ça ka ndodhur?

-Sot që ka ndërruar jetë udhëheqësi ynë, ti na je zgërdhirë si ato putanat, në lokal, kaq shumë qenke gëzuar, ëh? Ibrahimi e shikoi, i ra kokës me grusht – për të treguar dhimbjen që ndjeu, duke e shikuar, sikur shikonte viktima xhelati. Bujari sot, nuk ishte ai tavolinës që i buzëqeshte kur i shkonte porosia.  A e di se me këtë, u ke bërë qejfin armiqve? Edhe burgun pak ke, me atë që ke thënë.

-Nuk di gjë, të betohem, unë sapo erdha nga  puna, piva kafen dhe rashë në gjumë.

-Nuk ke dëgjuar gjë fare, nuk të tha njeri? Po radion, nuk e dëgjove.

-Po, jo o shoku Bujar, ku pata kohë të dëgjoj radioja, sa u futë në shtëpi rashë në gjumë, të betohem dhe u shkreh në vaj prapë.

-Po e di, se kjo që ke bërë ti, quhet armiqësi? E kapi për jake, e shtyu jashtë: zhduku, mu hiq nga sytë, dhe këto dit, mos u largo nga sektori!- i tha. Gjithë ato ditë- Ibrahimi, priste mos e arrestonin. Tani e kuptoi Ibrahimi se biografia nuk të shpëtonte. Të gjithë në familjen e Ibrahimit ishin të trishtuar, frika e torturoi për shumë kohë, fjalën:- sot është dita jonë,  dhe kur e përdornin tjerët, kishte frikë ta dëgjonte. Kur shikonte Bujar Pezën te cepi i lokalit, sa nuk i binte pika, kur merrte kafen- i thoshte banakierit: çoi shoku Buja…. banakieri i thoshte: mirë, duke buzëqeshur e duke luajtur kokën.  Kafen e pinte sa më shpejt, që të largohej prej aty.

Një ditë kur kthehej nga puna, një shok e pyeti: – o Bimi, pse je dobësuar kaq shume more, ke qen gjë sëmurë? Ibrahimi e shikoi pak- i tha: po, shumë sëmurë, kam qenë.

-Pse, ça pate?

– Si gjithnjë, piva një kafe një raki, nuk di pse, po desh vdiqa, vuajta shumë, aq shumë sa, shpirti ma di.

-Qëllon nga një herë, s’dihet si qëllon trupi i njeriut, ndoshta nuk ta pranon stomaku. Të shkuara! – i tha shoku.

Faleminderit! – iu përgjigj Ibrahimi.

 

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shefqet Dobra, SOT ËSHTË DITA JONË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT