• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

Granoff: Njerëzit po “votojnë me këmbë”…

May 20, 2018 by dgreca

Granoff: Njerëzit po “votojnë me këmbë” dhe po ikin nga vendi, ndaj duhet bashkëpunim/

! Granof

Zëri i Amerikës: Zoti Granoff! Cilat janë projektet dhe angazhimet tuaja dhe të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në Shqipëri?

Michael Granoff: Si fillim ju falenderoj për ardhjen dhe është një kënaqësi e veçantë për mua të flas me ju për “Zërin e Amerikës” sepse zëri juaj shkon si në Shqipëri ashtu dhe në Amerikë dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme në fakt si për njerëzit në Amerikë ashtu dhe për njerëzit në Shqipëri, për të kuptuar më mirë se çfarë Fondi and Fondacioni ynë kanë bërë dhe jam i lumtur për mundësinë për të folur për të.

Fondacioni ynë së fundmi ka disa projekte të rëndësishme, për të cilat ne kemi punuar gjatë qëndrimit tim këtu. Njëri nga projektet ka të bëjë me piramidën në mes të Tiranës që siçdihet, është monument i një diktatori të tmerrshëm, dhe ka një historik të keq. Ne do ta përdorim për të siguruar edukim teknologjik pas-shkollor për fëmijët. Ky është kombinim i projekteve të një programi të krijuar në Armeni nga një arkitekt i famshëm dhe programit tonë, bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Ato bashkohen për ta kthyer piramidën nga monument i një kohe të vështirë në një monument të asajçfarë Shqipëria mund të bëhet, duke ecur përpara. Ky është vetëm një nga shembujt e projekteve të rëndësishme që ne do të bëjmë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ju keni një përvojë më shumë se 20 vjetësh në Shqipëri. A keni ndonjë koment për klimën e biznesit aktualisht; besoj se keni marrë lajme nga kolegët lidhur me polemikat për taksa dhe tarifa të reja?

Michael Granoff: Në përgjithësi, unë mendoj se mjedisi i biznesit në Shqipëri, ashtu si mjedisi i biznesit në çdo shtet, është një përzierje e gjërave pozitive me ato negative, dhe një përzierje e sfidave dhe mundësive. Dhe unë mendoj se e njëjta gjë qëndron edhe në Shqipëri. Nëse sheh mundësitë, Shqipëria ka një popullsi të shkolluar shumë mirë, të cilët janë ambiciozë, të talentuar, përshtaten dhe duan të punojnë, dhe mendoj se mund të shihet që ka shumë mundësi për zgjerim të bizneseve. Nëse diskutimet e hyrjes në BE kanë sukses, atëherë do të hapen linja dhe kanale komunikimi me Europën në përgjithësi dhe do të sigurohen më shumë mundësi për biznes. Sfidat në disa mënyra nuk janë të reja: korrupsioni, zbatimi i ligjit, transparenca në bërjen e biznesit, mungesa e kapitalit dhe mungesa e më shumë investimeve të huaja në Shqipëri, pra nuk ka shumë kapital për ta mbështetur. Ne duhet të punojmë më mirë me shkollimin e fëmijëve shqiptarë, që ata të jenë sa më të përgatitur për të punuar në të ardhmen, e kjo është një sfidë për çdo shtet. Prandaj nuk mendoj se klima është veçanërisht e keqe në një lloj mënyre, por në fakt mendoj se është në rregull, sepse Mendoj se kjo është çfarë njerëzit e biznesit gjithmonë duhet të bëjnë: të shohin mjedisin dhe vendet ku ata mund të sjellin diçka të re në treg dhe të kenë sukses. Unë nuk mendoj se është e thjeshtë të fillosh një biznes, dhe kjo s’është e thjeshtë në asnjë vend. Por a është e mundur? Patjetër që po, është e mundur. A mund të krijosh diçka të rëndësishme këtu? Patjetër që mundesh. Këto janë sfidat, me të cilat njerëzit e biznesit duhet të përballen.

Zëri i Amerikës: Pse Fondacioni punon shpesh në fusha të ashtuquajtura jofitimprurëse, çfarë ju shtyn në këtë drejtim?

Michael Granoff: Kjo përputhet me qëllimet e programit. Qeveria amerikane krijoi një fond ndërmarrjesh për të nxitur zhvillimin e sektorit privat, në fillimet e viteve 90, dhe madje përpara se komunizmi mbaroi në Europë. Kur fondet mbaruan, marrëveshja me qeverinë amerikane ishte që të merrej përfitimi dhe të krijoheshin fondacione jofitimprurëse, që do të punonin në këto shtete në një bazë të përhershme, duke mbajtur të njëjtat qëllime për zhvillimin e sektorit privat në mënyrë jofitimprurëse. Pra fondacioni po investonte drejtpërdrejt nëpër kompanitë, duke u munduar të zhvillojë sektorin privat. Fondacioni në njëlloj mënyre është një investim në njerëz. Pra, po shohim çdo mundësi që kemi në mënyrë jofitimprurëse, të aftësojmë njerëzit që të ndërtojnë një ekonomi më të mirë në sektorin privat. Kjo ishte arkitektura që u krijua dhe fondacioni ynë ishte aq i suksesshëm, sepse ne krijuam një kapital dhe potencial të madh për të bërë shumë gjëra në anën jofitimprurëse. Dhe ne sapo kemi filluar. Ne jemi aktivë vetëm për 7 – 8 vjet duke investuar pa fitim dhe mendoj se ne kemi angazhuar më shumë para se gjithë përmasa e fondacionit. Fondacioni në fillim ishte 30 milionë dollarë dhe ne kemi mbledhur më shumë se 40 milionë dollarë në mënyrë jofitimprurëse. Dhe këto 40 milionë dollarë kanë tërhequr 80 milionë dollarë të njerëzve të tjerë për të investuar. Pra ne kemi krijuar më shumë se 120 milionë dollarë investim në njerëz në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Një nga këto projekte tuaja është rritja e lidershipit në shkolla. A mund të na tregoni më shumë detaje?

Michael Granoff: Unë mendoj se të gjithë e dinë që nëse duam të përmirësojmë edukimin e fëmijëve duhet të përmirësohet mënyra se si shkolla funksionon, të fuqizosh dhe trajnosh mësuesit, duhet të sigurohesh që drejtorët janë më të mirëtrajnuar. Duhen bërë gjithë këto nëse duhet të përmirësojmë sistemin shkollor. Dhe këto nuk janë gjëra të thjeshta për t’u bërë. Një nga gjërat që mendoj se fondacioni ka arritur të bëjë është që jo patjetër të rikrijohen metoda apo te krijohen modele që s’kanë ekzistuar asnjëherë, por të zgjedhë më të mirat e botës dhe të përpiqet t’i sjellë ato këtu. Dhe rezulton që ishte një program i krijuar në Izrael që ishte mundësuar nga fondacioni Rotchild, me të cilët ne kemi marrëdhënie, te cilët janë të fokusuar në trajnimin e mësuesve dhe drejtuesve dhe të përmirësojë cilësitë e tyre. Dhe ka provuar që është një program shumë i suksesshëm në Izrael dhe ne i kemi lidhur te dy me njëri tjetrin. Njerëzit tanë kanë qenë në Izrael për të punuar me njerëzit e programit atje. Ato kanë shprehur shumë interes për të ndihmuar çfarë ne bëjmë dhe ne kemi krijuar një strukturë për të krijuar një qendër për të promovuar trajnimet për mësuesit dhe drejtuesit në Shqipëri. Dhe unë shpresoj që gjatë muajve të ardhshëm do të aprovohet nga parlamenti dhe të ketë një ndërtesë ku mund të zhvillohet. Dhe kur shikon se çfarë e bën edukimin më të mirë në gjithë botën, faktori numër një është përmirësimi i cilësive të mësuesve. Siçne e dijmë nga rinia jonë, asgjë tjetër nuk e bën diferencën më mirë se të pasurit e një mësuesi të mirë. Asgjë tjetër nuk e bën diferencën më mirë se të pasurit shkolla me drejtorë të mirë. Dhe nëse ne mund të përmirësojmë cilësitë e mësimdhënies dhe administrimit të shkollës ne do të shkojmë drejt rrugës së përmirësimit të cilësisë së edukimit këtu.

Zëri i Amerikës: Ju keni në duar edhe një tjetër projekt mbi trashëgiminë kulturore. Përse është fjala më konkretisht?

Michael Granoff: Ne jemi takuar në një ditë shumë interesante. Parlamenti votoi të enjten për të aprovuar një ligj të ri për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri për të cilën ne kemi punuar me kryeministrin dhe ministrin e kulturës për shumë vite. Ky ligj do të ndryshojë mënyrën se si ana e trashëgimisë kulturore do të mbrohet, financohet dhe zhvillohet në Shqipëri në një mënyrë që mendoj se është shumë e veçantë edhe mes shumë shteteve të tjera. Ato do të mbështeten, menaxhohen nga një bord lokal dhe paratë që do të vijnë te ato do të qëndrojne për ta promovuar atë dhe kjo ishte dicka që ju desh vite për tu zhvilluar, jo aq e thjeshtë për t’u aprovuar nga qeveria, pra të lejojë që paratë të përdoren vetëm për ktë anë kulturore dhe unë në fakt isha në parlament për të parë votimin. Ne fakt një votë historike për ta aprovuar këtë. Gjithashtu tregoi për faktin se çfarë duhet të bëjë këtu fondacioni që të jetë i suksesshëm. Kur ne filluam projektet unë nuk mendova se ne duhet të përfshiheshim në shkrimin e legjislacionit. Por ne e bëmë në mënyrë qe të krijonim infrastrukturën dhe arkitekturën e duhur për këto gjëra dhe ishte një sfidë e vërtetë të shkruaje ligjin. Ky ligj ka 175 pjesë në vete dhe është ndoshta një nga ligjet me të mëdha të aprovuara në këtë shtet në një kohë të gjatë, por ishte gjithashtu një mundësi për të ndërtuar fondacionin për të ardhmen. Demokracia nuk është të mbahen zgjedhjet, por është të ndërtosh institucionet, të cilat do të zgjasin në atë politikë, që janë ndërtuar. Duke krijuar ligje si ligji i trashëgimisë, po krijohet fondacioni për të mbrojtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, që është aq e rëndësisshme në karakterin e vet jo vetëm për sot. Duke e parë për 10, 20, 30, 50 vite më vonë, unë mendoj se arsyeja që trashëgimia kulturore e Shqipërisë do të jetë mbrojtur dhe krijuar për shkak të ligjit që u miratua sot.

Zëri i Amerikës: Si mendoni ju cfarë duhet të bëjë Shqipëria, sidomos në këtë periudhë jo të lehtë për Ballkanin dhe Europën për të tërhequr investime të huaja?

Michael Granoff: Gjëja e parë që mendoj se njerëzit këtu në Shqipëri duhet të kuptojnë është që Shqipëria në përpjekjet që (duke menduar) të tërheqë investorët e huaj, duhet të mendojë si një kompani. Nëse mendon si një kompani, gjëra e parë që të shkon në mendje është kush janë konkurrentët e mi. Vërtet çdo shtet në këtë rajon dhe në botë po konkurron për investime të huaja. Ato po krijojnë programe, struktura për të konkurruar për kapitalin. Kapitali nuk vjen thjesht sepse njerëzve iu pëlqen ideja; duhet të konkurosh për të si çdo kompani, që duhet të konkurojë për të. Nëse Shqipëria është serioze në përpjekjen për të tërhequr investimet e huaja në një mënyrë domethënëse, duhet të konkurojë kundër fqinjëve të saj apo njerëzve larg saj dhe duhet të dalë me një strukturë, që i tërheq njerëzit që të vijnë; një plan biznesi dhe detyrash, që tregon se çfarë do të bëjmë për tokën, taksat, njerëzit, kapitalin dhe për gjithë gjërat që Shqipëria mund të sjellë dhe që të tjerët s’munden. Në biznes gjëja më e rëndësisshme është diferencimi. Pse je ti më i mirë se tjetri. Shqipëria duhet të mendojë për investimet e huaja në këtë mënyrë. Duhet të bëjë një studim se çfarë po bëjnë gjithë shtetet e tjera në rajon dhe të gjejë një mënyrë si të bëjë më shumë nga ato çfarë po bëjnë të tjerët. Nëse mendon në këtë mënyrë, si një projekt biznesi në shkollë, atëherë mendoj se Shqipëria do të jetë më e suksesshme në tërheqjen e investimeve të huaja.

Zëri i Amerikës: Një tjetër temë janë debatet për punësimin dhe papunësinë. Njerëzit janë pa punë në masë të konsiderueshme, por qeveria thotë se “punë ka, por nuk ka profesionistë”. Ju si mendoni se duhet ta përballojë Shqipëria këtë vështirësi të re?

Michael Granoff: Ky është një problem domethënës. Një nga gjërat që ne mësojmë në jetë është që nëse ti nuk përballesh me problemin tënd, nuk mund ta zgjidhësh atë. E dyta është që shumica e njerëzve mendojnë se problemet e tyre janë të veçanta, p.sh. në Shqipëri. Por ky është një problem me të cilin po përballen shumë vende madje dhe shumë vende në zhvillim, ku qëndron, siçnjerëzit e quajnë, një mungesë të aftësive. Kjo ndodh dhe në Amerikë, atje ka shumë të papunë dhe gjithashtu vende pune të lira, sepse është mungesa e aftësive. Pra ka njerëz që po kërkojnë punë, por nuk kanë aftësitë për t’u përballur me punët e së ardhmes apo të së sotmes. Pra sfida e sektorit privat dhe qeverisë është se si ta ndërtojnë atë urë, si mund t’i trajnojnë njerëzit që t’i fitojnë ato aftësi, të bëjnë punët e së ardhmes dhe të sotmes, sepse ato nuk janë punët e së shkuarës. Kjo është një pyetje e vështirë për Shqipërinë por dhe kudo. Mund ta shohësh në shtypin e Amerikës, që është e njëjta pyetje që njerëzit janë duke u ndeshur gjatë gjithë kohës. Ka diçka që mund të bëhet menjëherë që është si mund t’i marrësh njerëzit, t’i trajnosh apo të sjellësh bizneset në vende ku mund t’i punësojnë ato dhe duhet ta mendosh këtë problem në të ardhmen. Pra çfarë aftësish duhet t’u mësoj fëmijëve sot që ato të jenë të përgatitur për punët në të ardhmen. Një nga arsyet që unë mendoj se projekti që ne do të zhvillojmë te piramida është kaq interesant është sepse në një lloj mënyre ti mund të gjykosh suksesin e Shqipërisë në të ardhmen duke parë fëmijët e saj sot. Nëse mundemi t’u japim fëmijëve këto aftësi, Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të mirë. Dhe nëse jo, atëherë Shqipëria do të vuajë e do të luftojë derisa ta arrijë. Kjo është e vërtetë këtu, dhe ne shumë vende te tjera, përfshirë Amerikën.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë njerëzit kanë nevoja për punë dhe pagesa të ngutshme. A janë pagesat më të larta një rrugë për të ndryshuar gjendjen?

Michael Granoff: Në përgjithësi, ne duhet të mendojmë për zgjidhje afatgjata të problemeve. Një shprehje e vjetër thotë që nëse ti i jep nje burri një peshk ai e ha për një ditë, por nëse i mëson të peshkojë, ai mund të sigurojë ushqim për gjithë jetën. Zgjidhjet afatshkrurta si për shembull “qeveria të paguajë njerëzit”, bëjnë që asaj do t’i mbarojnë paratë shumë shpejt. Ka përgjegjësi nga sektori privat, sepse ka nevojë për njerëz të kualifikuar dhe duhet të bashkëpunojë me qeverinë në partnershipet publike private për të krijuar mundësi punësimi për njerëzit. Kjo është një përgjigje afaktshkurtër, sepse biznesi ka interes, ka nevojë për njerëz të kualifikuar dhe qeveria mund të gjejë punë. Këto gjëra kanë potencial të mirë për të kontribuar pozitivisht, jo për të zgjidhur problemin, sepse këto probleme janë të vështira për t’u zgjidhur. Suksesi afatgjatë vjen ndryshe nga fakti se sa të vendosësh që të bësh pagesa. Për të qenë të qartë, ajo është ndryshe nga çfarë ne quajmë në aglisht “the social safety net”. Ne krijojmë një rrjet të sigurtë social, si shoqëri bëjmë të mundur që njerëzit të mos vuajnë nga uria apo që njerëzit të kenë një lloj niveli të kujdes shëndetësor. Kur vjen puna tek mirëqenia, a ka qeveria një obligim për të siguruar që qytetarët e tjerë mos të vuajnë në këtë mënyrë? Po. Por mirëqenia nuk është një zgjidhje e problemit ekonomik. Është vetëm një mbrojtje humane e shoqërisë. Ne të gjithë duhet të sigurojmë një rrjet të sigurisë, si në Amerikë dhe në Shqipëri. Por a është kjo një arsye për të krijuar mundësi ekonomike për të ecur përpara? Jo unë mendoj se ne duhet të bëjmë më shumë se aq në këndvështrimafatgjatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Granof, në fund të bisedës, cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë, si mund të marrin pjesë më shumë në ekonominë dhe demokracinë e vendit dhe të mos largohen

Michael Granoff: Pyetja juaj është një pyetje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, Amerikën dhe në përgjithësi ne kemi dëshmuar që Mungesa e besimit tek institucionet, shkollat, tek qeveria, biznesi, tek sistemi i drejtësisë është një problem serioz, me të cilin ne përballemi si në Shqipëri edhe në Amerikë. Në disa mënyra mund të thuhet se situata në Shqipëri është e rëndë për shkak të emigracionit. Pra janë shumë shqiptarë të zgjuar dhe të aftë, të cilët kanë humbur shpresën tek mundësitë e këtushme dhe ata po “votojnë me këmbë”. Ata po votojnë për ta lënë vendin. Kjo nuk është një rrugë e qëndrueshme për Shqipërinë për t’u zhvilluar në të ardhmen. Shqipëria duhet t’i përgjigjet këtij problemi me vizion dhe mundësi për njerëzit, që të rinjtë dhe të aftët të mos vendosin të lënë vendin, por edhe ata që e kanë lënë vendin të vendosin për t’u kthyer sërish. Ndoshta nuk ka ndonjë sfidë më të madhe për Shqipërinë se sa kjo për ta përballuar, nëse mund ta bëjë këtë. Mendoj se përgjegjësia për ta bërë këtë qëndron te çdokush. Edhe fondacioni ynë ka një përgjegjësi dhe ne mendojmë për këtë gjatë përgatitjes së programeve. Universitetet kanë një përgjegjësi për t’u përballur me këtë, qeveria dhe biznesi gjithashtu. Ky është një problem shumë i rëndësishëm dhe çështja është se si të sigurojmë mundësi dhe shpresë për njerëzit që ndryshimi mund të vijë, që gjërat mund të lëvizin në një drejtim pozitiv dhe që ata duhet të qëndrojne dhe të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre këtu, në një mënyrë pozitive për ta dhe fëmijët e tyre. Në një farë mënyre ajo do të jetë në fund të fundit një test për të gjithë ne; është një sfidë e rëndësishme; mendoj se është një lente që të gjithë ne duhet të shohim përtej saj se çfarë po bëjmë, kur mendojmë se çfarë fondacioni mund të bëjë, qeveria duhet të shikojë përmes kësaj lente. E kam biseduar këtë me drejtues biznesesh këtu me kryeministrin dhe me ministritë, me të cilat ne kemi të bëjmë, me opozitën. dhe mendoj se Për të patur nëse do të ketë një ndryshim, njerëzit duhet të bashkohen në një vizion dhe të rinjtë ta shohin atë si mundësi për ndryshim dhe bazuar tek kjo, të marrin vendimet e jetës.

Filed Under: Politike Tagged With: duhet bashkepunim, Michael Granoff, njerzit po ikin

Nje qasje me serioze per ndertimin e shtetit funksional te Kosoves

May 20, 2018 by dgreca

Krijimi i nje Keshilli Kombetar, nevoje e domosdoshme dhe e perngutshme/

Nga Sadik ELSHANI/

Ne keto dhjete vite si shtet i pavarur Kosova eshte duke u ballafaquar me nje mori sfidash per ndertimin e nje shteti funkcional e demokratik. Kjo nuk eshte Kosova qe e kemi enderruar, kjo nuk eshte Kosova e synimeve, perpjekjeve, lufterave tona shekullore per liri e pavaresi. Armiqte tane u munduan te na shkulnin rrenjet tona nga toka jone, na mohuan qenjen tone, na rrembyen pronat, na burgosen e na vrane, na bene njeqind te zeza, por nuk arriten te na thyejne shpirtin, te na mbysin shpresen. Edhe ne ditet me te erreta te historise sone, populli kishte shprese se do te vije edhe dita jone, do te vije liria e demokracia. Pas perpjekjeve mbinjerezore, lufterave te panderprera, erdhi edhe ajo dite – Kosova u shpall shtet i pavarur. Por siç ndodh shpesh ne jete, pas nje pritje te gjate, pas nje dehje shpirterore, duken edhe shenjat e zhgenjimit. Ndoshta nga pritshmeria e madhe, por edhe nga shume faktore te tjere: joserioziteti yne, joperkushtimi dhe joshjet vetjake (personale), krimi i larte, korrupcioni ne te gjitha nivelet, pasurimi i paligjshem i drejtuesve te shtetit, nepotizmi, etj. Te jemi te qarte, Kosova dhe populli i saj jane ne nje pozite me te lakmueshme se ndonjehere me pare ne historine e tyre – e kane hequr zgjedhen e rende te skllaverise serbe. Por çeshtja qendron ketu, se ende nuk jemi ne poziten ku duhet te ishim ne kete dhjetevjecar te shtetit te pavarur te Kosoves. Shenjat, parashikimet jane te vrera, rruga eshte e mjegulluar.

Veprimet e politikaneve tane te te gjitha ngjyrave dhe drejtimeve politike, qeveri – opozite, me veprimet e tyre te papergjegjshme, sjelljet e tyre te papjekura te nivelit te kalamajve, jane duke e mbytur kete shtet foshnje. Veprimet e tyre te pamatshme e te rrezikshme jane veteshkaterrimi, vetevrasja e ketij shteti te ri. Ate qe nuk arriten te na bejne te tjeret, armiqte tane, ne po ia bejme vetes sone, po ia vjedhim, po ia mbysim shpresen vendit tone, popullit tone. Eshte zbehur shpresa, po humb besimi ne shtetin e Kosoves dhe nje pjese e mire e qytetareve te saj jane duke e kerkuar fatin e tyre, shpetimin e tyre jashte Kosoves. Pavaresia e nje vendi eshte kurorezimi i te gjitha perpjekjeve per liri e pavaresi, por duhet te kemi parasysh se ajo eshte vetem hapi i pare ne rrugetimin e gjate e te pambarim per te ndertuar nje shtet te lire, demokratik, funkcional e te qendrueshem. Paaftesia jone per te ndertuar institucionet funkcionale demokratike shteteroere, duket se po deshmon se ne jemi duke vuajtur nga “Sindromi i Stokholmit”, sepse jemi mesuar keq qe pushtuesit tane te na ndertojne institucionet, te na ndertojne administraten. Kuptohet, sipas interesave te tyre e ne demin tone.

Klasa e sotme politike kosovare, partite politike pa nje program, platforme te qarte, pa nje orientim kombetar, nuk jane te afta, te pergatitura ne nivel te duhur per t’u ballafaquar me sfidat e shumta qe eshte duke perjetuar Kosova sot. Udheheqesit tane nuk i rrezatojne, nuk i perfaqesojne, nuk i paraqesin vlerat kombetare e njerezore te popullit tone. Ata nuk jane duke punuar per interest e popullit, por vetem per interest e tyre vetjake (personale) dhe te klaneve te tyre. Udheheqesit e kompromituar, e te korruptuar, te nje mendesie provincial e pa nje kulture politike e te nje niveli te ulet intelektual, askush nuk i merr seriozisht, askush nuk i respekton. Rrjedhimisht edhe shtetin qe ata e drejtojne askush nuk e merr seriozisht. Me sjelljet e tyre per çdo kritike, ata sikur jane duke e mohuar edhe shtetesine e Kosoves. Kuvendi qe duhet te jete nje Tempull i Shenjte i Demokracise, eshte shnderruar ne nje fushbeteje, arene gladiatoresh ku hidhet gaz lotesjelles, ku deputetet shahen e rrihen me njeri – tjetrin. Njerez te tille nuk jane perfaqesues te popullit te shumevuajtur te Kosoves, por te llumit te shoqerise kosovare. Zgjedhjet e parakohshme nuk jane zgjidhje e problemeve te Kosoves. Me te njejtit aktore te dobet nuk mund te behet nje shfaqje e mire dhe me te njejtit politikane te korruptuar nuk mund te ndertohet nje shtet i forte e i qendrushem. Prandaj, nevoitet angazhimi i te gjitheve. Edhe populli nuk eshte i pafajshem, sepse dikushn eshte duke i votuar keta udheheqes, nuk jane duke na pikur nga qielli. Hapi i pare, zgjohu e voto, ndergjegjesohu, sepse zgjedhjet kane rrjedhoja qe ndikojne ne te gjitha sferat, lemite e jetes publike e private. Te rinjte, nje pjese e tyre te pergatitur ne universitetet perendimore, duhet te angazhohen ne jeten publike e politike dhe te sjellin pervojen e tyre perendimore, te sjellin nje fryme te re, nje qasje te re, nje stil te ri drejtues qe bazohet ne vlerat e verteta dhe jo ne lidhjet farefisnore e klanore.  Te rinj mbi kurrizin e te cileve nuk rendojne akuza te renda per krime e korrupcion. Ketu kam ndermend at ate rinj te kategorise se Lumir Abdixhikut e shume te tjereve. Problemet e shumta te Kosoves te grumbulluara me dhjetevjeçare (dekada) te tere, nuk ka kush qe i zgjidh per nje kohe te shkurter, por udheheqesit me punen, vepren e tyre duhet te tregojne se jane duke bere perpjekje, se jane duke punuar me ndershmeri per zgjidhjen e ketyre problemeve, duke patur gjithnje ne qender te vemendjes interesat e qytetarit.

Eshte nje thenie afrikane qe thote: “Per te rritur nje femije duhet nje fshat i tere” (“It takes a village to raise a child”). Po per te ndertuar nje shtet? Duhet angazhimi, perfshirja e te gjitheve. Ne kete drejtim eshte mire qe te perfshihen, angazhohen edhe intelektualet, shkencetaret, institutet shkencore, shoqeria qyterare dhe organizatat joqeveritare. Me shume sy shohin me shume, me shume mendje sjellin gjykime me te thella, me te gjithanshme, me gjitheperfshirese. Duhet te krijohet sa me shpejte Keshilli Kombetar, nje Keshille serioz, roli i te cilit do te ishte kryesisht keshilledhenes, i perbere nga intelektualet, ekspertet tane te te gjitha lemive, sepse ceshtjet jane te nderlikuara dhe te natyrave te ndryshme. Ne kete keshille mund te perfshihen edhe miqte tane te huaj qe gjerat i shohin pak me ndryshe dhe nuk jane te ndikuar nga politika e dites dhe qarqet e caktuara politike. Sidomos ne bisedimet me Serbine duhet te jemi shume te kujdesshem, sepse veprimet e perngutshme e te pamatura do te kene pasoja katastrofike afatgjate per Kosoven dhe popullin e saj. Politikanet tane te pranishem tani ne skenen politike te Kosoves jane te papergatitur, te paperkushtuar per t’i ballafaquar me sukses keto sfida. Ne keto çeshtje duhet te perfshihet edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosoves, jo per t’u marrur me politiken e dites, por me çeshtjet madhore, kyçe te Kosoves – rol keshilledhenes shkencor e profesional. Prandaj, formimi i ketij Keshilli Kombetar eshte nje nevoje e domosdoshme dhe e perngutshme qe do te luante nje rol keshilledhenes te rendesishem, ndersa vendimet perfundimtare do t’i marrin organet perkatese te percaktuara me kushtetuten e vendit.

Angazhimi me serioz i te gjitheve dhe krijimi i ketij Keshilli Kombetar do t’u dergonte nje porosi te qarte miqve dhe armiqve tane, popullit tone se, ne jemi serioz per te ndertuar nje shtet funkcional, te forte e te qendrushem dhe do t’i bejme te gjitha perpjekjet per ta mbrojtur ate.

Philadelphia, 19 maj 2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Keshill Kombetar, Sadik Elshani, shetet funksional

Ky është një turp i madh, është grabitje!

May 20, 2018 by dgreca

FATURA E PËRSHPIRTSHME E MUAJIT/
NGA XHEVAIR LLESHI/
Një faturë tatimore e ujit e një muaji (prill 2018) është një tabelë me shumë zëra. Dhe kjo të bën të mendohesh mirë. Ju do të donit të dinit zërat: Uji i pijshëm në m3 3, 65 lekë, shuma me TVSH 234 lekë; Uji i përdorur (100%)(!) 39.60 lekë; Tarifa e shërbimit (edhe tarifa e shërbimit me TVSH ?!); Vlerë ujëmatësi, aksesorë (hë për hë 0 lekë); Vlera e kundërvajtje (tani për tani 0 lekë); Vlerë libreze (po ashtu sot për sot 0 lekë); Vlera e faturuar për UKT, totali 510 lekë. Kësaj liste i shtohen taksat vendore për çdo familjar: Tarifë pastrimi në muaj 420 lekë (pa TVSH), Taksa për ndërtesën në muaj 100 lekë; Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore !!! 150 lekë (!), Taksa të tjera 0 lekë, Kompensim/Subvencion 0 lekë… Shuma totale 1180 lekë. Shtesa e pensionit 0 lekë! Shtesa pagash 0 lekë!…
Këtu s’ka asgjë të re. Të gjithë familjarët shqiptarë e njohin mirë këtë faturë. Vini re «Uji i përdorur» është një TVSH e dytë dhe nuk dihet pse shënohet! Ndërsa taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore 150 lekë është e padrejtë, shkelje ligjore – derisa arsimi në Republikën tonë është falas!
Të kesh një shtëpi të madhe ose edhe të vogël duhet të paguash. Le ta kesh ku të duash, le të jesh edhe i zoti apo praktik, nuk pi ujë fare; ti thjesht je popull dhe kjo s’pi ujë fare, ndonëse flasin në emrin tënd dhe vënë taksa me emrin tënd. Taksat tona të tjera ato duhet të shkojnë tek infrastruktura shkollore, që kullon nga rrjeta e grisur e buxhetit të shtetit. Taksat s’kanë të bëjnë asfare me atë që të del në krahë, as me numrin e fëmijëve që ke… Taksa është një: e ujit! E ujit që të fut në burg. Plus taksa e pastrimit! Plus taksa e banesës! (E pse edhe e banesës? A nuk janë pjesë e banesës, të gjitha: uji, pastrimi, energjia?…) Ky është një turp i madh, është grabitje!
Gjithçka i del dhe i tepron shtetit. Po atëherë pse i duhen kaq shumë pará?
Por instinkti i shfrytëzimit është i pagabueshëm. Ne e shohim me sytë tanë që i bëjnë rrush e kumbulla, ndonëse nëpër letra shkruajnë libra, ekspozita, rrugë, pastrim (lukunia e njerëzve të panumërt në pastrim-gjelbërim!).
Na duket sikur i kemi zgjedhur jo për të na zgjidhur halle e për të na bërë punë, por thjesht pë të na zhvatur e për të shtuar dhjamin e tyre…

Filed Under: Komente Tagged With: është grabitje!, Ky është një turp i madh, Xhevair Lleshi

PAPULI

May 20, 2018 by dgreca

Tregim Nga Avdulla Kënaçi/

Midis pasagjerëve që zbrazeshin papushim, si një lumë i rrëmbyer, në dalje të aeroportit të Torontos, binte në sy një burrë rreth të gjashtëdhjetave, shpatullgjerë, flokëzbardhur, i cili edhe pse i ngarkuar rëndë, ecte serbes sikur të kishte kaluar aty edhe herë tjetër.  Askujt nuk i shkonte ndërmend se ai dilte rishtas jashtë vendlindjes së tij. Ky ishte udhëtimi i tij i parë, domosdo edhe fluturimi i parë me avion. Ndyshe nga pasagjerët e tjerë, ai i besonte më shumë forcës, shpatullave të tij se sa rrotëzave të vogla të bagazheve. Njërën nga valixhet e kishte hedhur në sup dhe tjetrën e mbante varur në dorën e djathtë. Dy-tre zezakë të cilët tek dalja prisnin klientë me karroca njërrotëshe shtratngushta, të ngritura si pushkë, i ishin lutur ta mbartnin për dhjetë dollarë, por ai nuk u besoi. U përpoq të gjente një karrocë dore të lirë, ashtu siç e kishte këshilluar e bija në telefon: hodhi vështrimin nga të katër anët, por nuk vuri re asnjë. Gjatë gjithë rrugës nuk kishte ndeshur njeri tjetër të fliste shqip. Në çdo intervistë me policë apo stjuardesa, vend e pa vend, ai nxirrte vetëm ca letra të shkruara në anglisht ku prezantohej kush ishte dhe për ku shkonte. Ato ia kishte përgatitur e mbesa studente në Tiranë. Komunikimi me të huajt ishte pjesa më e sikletshme e atij udhëtimi. Në dalje të aeroportit nuk premtonte koha. Aaskush nuk ia kishte ngenë, të gjithë nxitonin. Djersët i pikonin çurg prej ballit, rrëshqisnin mbi qerpikët e gjatë duke ia turbulluar shikimin, por ai ngutej të dilte sa më parë nga kjo “furrë” që po ia zinte frymën. Ishte i gëzuar që askush nuk ia hapi e ia kontrolloi bagazhet. Ndryshe nga çfarë e këshilloi e bija që “të mos merrte asnjë lloj ushqimi veç kokës së tij”, ai i mbushi valixhet me djathë kaçkavall, vaj ulliri, mjaltë, madje edhe tarhana, të gjitha prodhime fshati bio. Fluturonte nga gëzimi që do të çmallej me të bijën, nipin e mbesën që i kishte parë vetëm para dy vjetësh. “Kushedi sa do të jenë rritur, a do më mbajnë mend?”, mendoi fëmijët dhe kur jashtë xhamave të asaj godine gjigande pa dritë dielli, u dha edhe më me nxitim këmbëve. Zilja e telefonit po i binte pandërprerë, por ai nuk e kishte dëgjuar. Uli valixhet në trotuar dhe nga mikrofoni i vockël dëgjoi zërin e ëmbël të së bijës, Gentës:

-Mirëseardhe në Kanada, baba, si të shkoi udhëtimi?

-Si nuk ka më mirë, bija ime, asnjë kontroll nuk më bënë.

-Po, pse, çfarë kishe ti për të kontrolluar?

-Ushqime, vetëm ushqime, ç’do të kisha tjetër?

-Ah, mor baba, gjithë jetën ke bërë siç të ka thënë koka jote. Neise, flasim. Tani shiko shtyllat prej betoni që ke përpara dhe më thuaj numrin ku ndodhesh?

-Jam tek 34-ta.

-Aty mos luaj, për pesë minuta ne të gjejmë atje.

Josif Koromania u mbush thellë me frymë, fshiu ballin e djersitur dhe sytë iu njomën nga lotët. Në vesh i buçiste ende zëri i dashur i së bijës. Qysh pas vdekjes së gruas, jeta e tij u fokusua tek Genta. U bë nënë e baba për atë. Në çastet e fundit, kur e shoqja po jepte shpirt, ai i kishte premtuar se do bëhej harbi që së bijës të mos i mungonte asgjë: do ta dërgonte në çdo shkollë që ajo do të dëshironte, do ta vishte më mirë se sa shoqet e saj, madje kishte ndërmend ta arsimonte jashtë shtetit. Genta, e sjellshme, e dashur, e bukur si një ëngjëll, ndryshe nga i vëllai, nuk u kishte hapur kurrë telashe në familje. Ia vlente të jetoje për të. Ishte e dhënë pas mësimeve si askush tjetër. Edhe në vitin e zi 1997, studente në vit të katërt, ajo u largua e fundit nga konvikti. Gjatë luftës së Kosovës u aktivizua si përkthyese me dy punonjës të OKB-së të cilët e ndihmuan për t’u vendosur në Kanada ku mund të regjistrohej në një univesitet. I theri në zemër largimi i saj, por realiteti dëshpërues në Shqipëri ia mbylli gojën. Vonë, ai mësoi se e bija punonte pastruese në ca zyra në Toronto dhe në të njëjtën kohë vazhdonte universitetin për ekonomi. “Zot i madh, bija ime pastruese dhe mua nuk më tregoi asgjë?”, tha i habitur kur e mori vesh. Por ajo ishte e lindur për shkollë, për mësime. Në Universitetin e Torontos Genta doli e para, me medalje ari, midis qindra studentëve të tjerë. Aty u njoh me një djalë me origjinë nga shqiptarët e Maqedonisë, i lindur në Kanada, student në arkitekturë. Përpara se sa t’i jepte fjalën për martesë, ajo e mori “boy frendin” në Tiranë dhe ia prezantoi babait duke i thenë: –Fol, bisedo me të, quhet Dardan, më thuaj mendimin tënd dhe së bashku vendosim në se ai është njeriu i përshtatshëm që unë të krijoj familje?

-Bijë e babait, xhani im, ku di unë më shumë se sa ti, vetëm i zi të mos jetë, unë njoh vetëm fshatrat çfarë përmban kjo lugina e lumit Osum, ndërsa ti ke parë e bredhur gjithë botën. Të ka pëlqyer ty, më ka pëlqyer mua, me sot e me nesër jam, jetën do ta gëzosh ti. Më thua duhan nuk pi, raki nuk pi, i zi nuk është, bixhos nuk luan, kaq më duhet mua. Aq më mirë se qenka edhe shqiptar.

Josif Koromania u dha bekimin për martesë dy të rinjve dhe përpara se sa të shkelnin shtëpinë e tij, u propozoi të shkonin në varrezat e fshatit që t’ia jepnin lajmin e mirë edhe së ndjerës grua. Ishte krenar që i kishte qëndruar besnik fjalës së dhënë në prag të vdekjes së saj. Genta ishte rregulluar si s’ka më mirë, mbeti në Kanada, ashtu siç ka edhe zemrën e saj behar, të kulluar si qelibari.

Dhe ja tani, nga mesi i muajit maj, kur i kishte mbyllur mbjelljet e pranverës në fshat dhe punët në vijim ia kishte besuar të birit, pas shumë lutjesh e kërkesash, po e vizitonte të bijën në vendin ku ajo kishte ngritur folenë. Nuk e mendoi se do të ishte kaq e thjeshtë të mbrrinte i vetëm nga Tirana në Toronto. Ishin dymbëdhejtë orë fluturim larg fshatit të tij. Gjendej në një kontinent tjetër, në Amerikën e Veriut. U rrotullua nga të katër anët e horizontit, asnjë mal nuk i zuri syri, vetëm fusha dhe pyje. “Vend i bekuar”, mendoi i kënaqur.

***

Në mbëmjen e ditës tjetër, pasi ishte shplodhur mirë, Josif Koromania ia kishte nisur bisedës për shtatë palë qejfe me dy vogëlushët, Zanën pesë vjeçe dhe Korabin nëntë vjeç. Ishte i lumtur që ata flisnin aq bukur shqip. Nuk ngopej së vështruari mbesën që i ngjante si dy pika uji gjyshes së saj të ndjerë. “Sikur të gëzonte edhe ajo kështu si unë”, mendoi, kur ja, në gjysëm errësirë i duk se pa përjashta dritares një njeri me maskë në fytyrë që po kalonte nga dera e kopshtit. “Hajduti”, i vetëtiu në tru dhe duke i habitur fëmijët, rrëmbeu qerin e mishit në aneksin e kuzhinës dhe ia dha vrapit përjashta, zbathur. Fëmijët menduan se ai po sajonte një lojë dhe u ngjitën lart, në katin e sipërm duke qeshur me zë të lartë. Njoftuan të atin i cili punonte në kompjutër nga që e ëma mbyllte bilacin tremujor dhe ende nuk ishte kthyer nga zyra:-Papu pa një monstër dhe doli ta vrasë…, – cicëriu Zana duke iu marrë fryma.

-Jo, pa një zombie, Papuli është hero, nuk ka frikë, –  tha Korabi. I ati buzëqeshi, priti pak, por kur gjyshi nuk po kthehej, u shqetësua. Doli në dritaren nga ana e kopshtit dhe vuri re se ai endej cep më cep me dërrasën e drurit në dorë sikur kishte humbur diçka.

-Çfarë po kërkon gjysh? – e pyeti ai që nga kati i dytë i shtëpisë.

-Nuk di se nga më humbi, nga porta e kopshtit hyri një njeri me maskë, – u përgjigj ai seriozisht.

-Eja brenda të ta shpjegoj unë si qëndron puna, o gjysh, mos u shqetëso, nuk ishte asgjë, – i tha dhëndërri duke qeshur.

Si një fëmijë i zënë në faj, kokëulur, hyri brenda. Përmbi çorape i ishin ngjitur fije bari jeshil, por ai nuk i vuri re. Priste shpjegime nga dhëndërri:-Dëgjo Papu, pas verandës, nga ana e kopshtit, shtëpia jonë ka një derë që komunikon me bodrumin. Aty banon një vajzë zezake. Ka gjashtë vjet që bodrumin ia kemi dhënë asaj me qira. Atëherë nuk ishim mirë ekonomikisht, por tani na vjen zor ta nxjerrim përjashta. I marrim një qira të vogël, simbolike dhe ajo është shumë e kënaqur. Pasi mbaroi shkollën dyvjeçare për shefe kuzhine, ka hyrë në zanat dhe në këtë orë kthehet nga puna. Vjen nga një vend i vogël e i varfër nga ishujt Karaibe, ështe emigrante. Të gjithë zezakët në errësirë nuk dallohen dhe duket sikur kanë vënë maska, por do të mësohesh, – e sqaroi ai. Josifit i erdhi për të qeshur me këtë marrëzi që bëri, por u përmbajt. Zana e vogël i kishte kapur një këmbë të pantallonave dhe po e pyste me insistim duke ia tërhequr pas vetes:

-E kape monstrën Papu?

-Më iku, ia mbathi vrapit sa pa në duart e mia dhogën e mishit.

-Papu, ti nuk ke frikë as nga monstrat as nga zombit?

-Kurrë, asnjëherë engjëlli im, mos kini frikë fare, tani e kanë marrë vesh që kam ardhur unë t’u mbroj juve dhe nuk do të guxojnë të afrohen në shtëpi, – i tha ai duke i shpupurisur me ëmbëlsi flokët e saj të butë si mëndafsh.

Aty nga mesnata u fut në shtrat, por gjumi nuk i afrohej mbi qepalla. Nuk qënkej aq e lehtë të mësohesh me jetën e Kandasë. E bija, kur dëgjoi ngjarjen, nuk qeshi fare. “Babi ka merak për shtëpinë, por ne duhet t’ia kishim thënë se kemi një qiraxhie, është faji ynë”, tha ajo. Josifit iu kujtuan tre zezakët e aeroportit që bënin punën e hamallit. Ndryshe nga ne në Shqipëri, këtu paska zezakë, madje e paskemi një në bodrum, mendoi. I janë dashur lekë vajzës për të paguar kredinë dhe mua nuk më ka thënë gjë fare, ndaj kanë lëshuar bodrumin me qira. Deri sa zezakët vijnë e punojnë këtu, duhet të jenë të varfër në vendin e tyre, si puna jonë. E po njerëz janë edhe ata. Qofshin mirë aty ku janë. Vallë ka shqiptarë që janë martuar me zezakë? – lëshoi këtë pyetje dyshuese në errësirë, por nuk mori përgjigje sepse nuk e dëgjoi askush.

***   

Më në fund, gjatë ditës, duke pastruar e sistemuar kopështin, e pa zezaken duke dalë nga dera “sekrete” e bodrumit. Ishte një vajzë e gjatë, me trup të drejtë dhe fytyrë të rrumbullakët, kacurrele. Ishte qamet e zezë, si fundi i kusisë. Gjithçka e zezë me përjashtim të dhëmbëve dhe retinës së syrit. Ishte si ata minatorët që dikur dilnin nga galeritë e qymyrgurit. Ajo iu afrua, i tha emrin e saj: Xhinella. I zgjati dorën duke shpërveshur një palë buzët të trasha, por ai dinte vetëm dy fjalë anglisht “hai dhe Papa”. Dhe vetëm ato tha. Kurrë nuk kishte takuar një zezake kaq afër. Ndjeu në pëllëmbën e tij kallot e duarve të saj. “Paska punë të rëndë”, mendoi. I erdhi keq. Vallë t’i kishte treguar dhëndërri se si ndaj të ngrysur ai e ndoqi pas me dhogën e prerjes së mishit në dorë?

Në mbrëmje u mblodhën të gjithë së bashku. Fëmijët kërkonin me domosdo vëmendjen e tij. Donin të dinin për qenin dhe pulat në fshat. Korabi i kishte fiksuar një më një të tetë pulat dhe këndezin pikalosh, madje i mbante mend me emra. “E ruajt zoti këtë djalë, edhe unë vetë që i kam rritur ato pula, ua kam harruar emrat, ky jo. Po rritet brez i zgjuar. Këta kanë lindur me shkollë, kanë mendjen e një të madhi”, i tha dhëndërrit. Ai pohoi me krye. Zanës së vogël nuk ia varte kush dhe nisi të përplasë këmbët në dysheme.

-Engjëlli i gjyshit, aty poshtë këmbëve të tua ështe një njeri dhe ti si vajzë e mirë nuk duhet ta besdisësh atë, – për herë të parë ai qortoi mbesën e bukur si kukull duke ngritur lart gishtin tregues.

Genta dhe i shoqi u panë në sy. Ata kurrë nuk i kishin qortuar fëmijët për zhurmën, madje kishin harruar se poshtë tyre jetonte një njeri tjetër. Xhinella nuk ishte ankuar në asnjë rast për gjullurdinë që mund t’i vinte nga sipër kokës. Këtë ua kujtoi i sapoardhuri nga Shqipëria. Fëmijët gati çdo ditë vraponin nëpër dhomë, përplasnin këmbët, kërcenin, festonin herë pas here me moshatarët, loznin me lojra elektronike, tërhiqnin zvarrë karriket, por askush nuk i kishte qortuar. Babai kishte të drejtë. Aty poshtë jetonte një njeri. Duhet të ishin më të vëmendshëm, kjo ishte sjellje njerëzore.

-I hodha një sy kopshtit, – vazhdoi Josifi – asnjë pemë frutore, të gjitha të egra. Pastaj çfarë ju duhet gjithë kjo lëndinë, vetëm bar jeshil, ju nuk keni as bagëti, as lepuj e as pula. Toka duket e majme e pjellore.

 E bija buzëqeshi dhe iu përgjigj aty për aty:-Baba, ti flet sipas mentalitetit shqiptar, madje atij të fshatit. Ky është një kopësht dekorativ, për relaks, si punë miniparku. Ato pemët e egra që thua ti, mbahen për bukuri, për lulet, ato shkurret rrëzë gardhit, kur vjen vjeshta, janë një mrekulli, gjethet u skuqen si zjarr. Shpesh, në kopësht, sidomos gjatë verës, ne me miqtë tanë organizojmë parti dhe të gjithë na e lëvdojnë kopshtin se si e mbajmë e kujdesemi për të. Në se do të kishim pemë frutore, kokrrat do piqeshin, do binin përdhe, do tërhiqnin kafshë të egra e ato që do të kalbeshin me siguri do grumbullonin miza. Na del më mirë t’i blejmë frutat e perimet se sa t’i prodhojmë vetë. 

-Po fakti që kini mbajtur e mbani qiraxhinj tregon se kini qenë ngushtë.

-Në fillim po, lindëm djalin dhe unë nuk shkoja në punë, me rrogën e burrit na duhej të përballonim edhe kredinë, edhe gazin edhe energjinë, edhe ushqimin, edhe benzinën, edhe siguracionet, – ia shkoqiti ajo.

-Baba, mos na e ki merakun, të ftojmë të vish të jetosh këtu me ne. Ke dhomën tënde, banjon tënde… nuk do të mungojë asgjë. Genta merr dyfishin e rrogës sime. Menaxhon llogarinë e dy kompanive të mëdha. Miliona dollarë shkojnë nëpër duart e saj. Nuk i ka shkuar kot shkolla dhe as sakrifica jote. Merr rrogën e një kryetari bashkie, – sqaroi me imtësi dhëndërri.

Josif Koromania u ndje krenar për të bijën, i erdhi mirë për atë fjalën “Nuk i ka shkuar kot shkolla dhe as sakrifica jote”. Ia vlente të jetoje për këtë vajzë. U mallëngjye, desh iu mbushën sytë me lot, por u përmbajt. Kroi zërin, duhej të fliste diçka, por çfarë?

-Unë mor bir, në duart e Gentës dua të vdes, por ky nuk është vend për mua. Puna më mban gjallë. Në fshat kam me çfarë të merrem. Në Greqi ka rënë kriza e djali im atje herë është me punë e herë pa punë. Atë po ndihmoj tani. Leverdinë unë e kam me prodhimin e vajit të ullirit, rrushin dhe domatet që rrit në sera. Domatet e mia dalin të parat dhe tregtarët m’i marrin tek dera e shtëpisë. I kam të gjitha prodhime pa hile, bio. Nuk di të bëj hile unë. Ta pjestoj fitimin për 12 muajt e vitit më del një rrogë më e madhe se sa ajo e drejtorit të shkollës 8-vjeçare. Unë pa punë vdes, marr fund. A do më jepni një mundësi për këto tre muaj që jam këtu?

-Po shplodhu, rehato kockat, o Babi, ke punuar tërë jetën. Në se të duhen lekë, unë ta lidh një rrogë vjetore aq sa merr drejtori i shkollës.

-Tani për tani mua më duhet të pres një rrip toke aty në fund të kopshtit tuaj. Mbase nuk ju prish punë. Di unë çfarë mbjell aty, – u lut ai. Genta pa të shoqin në sy, nuk dinte se si të përgjigjej, por i shoqi i ra shkurt:

-Hallall të qoftë, nesër shkojmë në Homdipo të zgjedhësh çfarë lloj veglash pune të duhen. Fruta, perime këtu ka në të katër stinët e vitit, nga nuk na vijnë, por me që ti mërzitesh të rrish duarlidhur, merre atë copë tokë dhe bën çfarë të duash me të. Në fund të fundit kopshti është për relaks dhe ti ashtu ndjehesh më mirë, duke punuar, ama jo për të na kursyer.

***    

Të nesërmen, dhëndërri sa u kthye nga puna, e thirri që jashtë dhe u nisën për të blerë veglat e punës. Ajo që ata e quanin “homdipo” ishte një magazinë e madhe sa një aeroport. Një korridor i gjatë me lloj-lloj veglash. Josifi zgjodhi një bel, një kazëm, lopatë dhe një sopatë të vogël.

-Po sopatën pse e do? – pyeti i habitur dhëndërri.

-Me siguri lëndina ka rrënjë peme, me këtë dua t’i pres. Më bën përshtypje si e kanë amballazhuar kështu presën e sopatës.

-Sepse nuk duhet ta prekin fëmijët, ajo pas punës pastrohet dhe varet lart, në murin e garazhit ku nuk mund ta arrijnë.

-Këta janë ustallarë, i kanë parashikuar të gjitha, hajde shtet hajde, a ke kohë t’i hedhim një sy e të shohim çfarë shitet këtu?

-Pse jo, por na duhen nja dy orë, prit t’i bëj një telefonatë Gentës.

U ranë kryq e tërthor tërë seksioneve. Josifi u ndal më shumë tek materialet e ndërtimit. Pa dhe preku me dorë lloj-lloj dërrasash, krahasoi çmimet me ato të Shqipërisë dhe i dilnin më të lira. Pyeste për llojet e gozhdëve, vidave, parketin, bojrat dhe më në fund tha:

  • Këtu mund të blesh materiale të gatshme për të ndërtuar një shtëpi të tërë, ah sikur të ishte kjo magazinë e madhe në Shqipëri. Ka të tjera si u thoni ju, homdipo?
  • Ky është një sistem amerikan dyqanesh në tërë Amerikën, ka vetëm një pronar, mund të ketë me mijra si kjo. Druri është i lirë sepse Kanadaja ka miliona hektarë me pyje. Është vendi i parë në botë për prodhimin e drurit, grurit e bitumit…, – i tha dhëndërri.
  • Shtet që ka menduar për hallet e njerëzve, shtet me rrënjë të thella, me rregulla e me ligje. Shiko sa lehtësira ka krijuar vetëm me këta artikuj që shet këtu. Shtëpia është themeli i çdo familje dhe shtëpinë e gjen këtu brenda. Kaq më duhet mua. Të marrësh vesh se si është vera, nuk ka nevojë të shkulloç një fuçi, mjafton të pish një gotë. Mua më del të shoh këtë magazinë të madhe ndërtimi që ju e quani “homdipo” e të mund të gjykoj se si është shteti, – i vuri kapak bisedës.

Të nesërmen ai u ngrit herët, me yllin e mëngjesit, ashtu siç bënte në fshat. Ia kishte filluar me vrull qilizmës në fund të kopshtit.  Toka nuk kishte gurë, por vetëm rrënjë pemësh. Kazma ishte e re dhe rrënjët e holla i priste me një të goditur, por atyre më të trasha u vinte hakut sopata e vogël që në fshat i thoshnin “cekure”. Fëmijët u shqetësuan kur në mëngjes nuk e gjetën gjyshin në kuzhinë, por e ëma ua tregoi se kui ndodhej, përtej derës së verandës prej xhami. Ata nuk e kuptonin pse Papuli “po prishte barin” dhe asaj iu desh një copë herë për t’ua shpjeguar se çfarë kërkonte të bënte ai me atë kazmë të madhe. Përpara se sa fëmijët të niseshin për në shkollë dhe të rriturit për në punë, pa e penguar, të gjithë e përshëndetën. Ai ua ktheu përshëndetjen me kazmën lart si në ato monumentet prej bronxi të klasës punëtore në komunizëm.

Dielli ishte ngritur lart në kupën e qiellit nja dy hostenë dhe ai vazhdonte të rrëmihte në fund të kopshtit. Xhinella hyri e doli disa herë në bodrum dhe i bëri përshtypje se si Papuli (emrin e kishte dëgjuar nga fëmijët) nuk kishte pushuar për asnjë minut. Nxorri nga frigoriferi një lëng portokalli dhe ia çoi për të shuar etjen. Ai e falënderoi në shqip. E rrëkëlleu gjithë shishen me një frymë. Zezakes iu kujtua babai i saj aty larg në ishull. Edhe ai punonte në fermë me mëditje, në pronat e një bosi amerikan. Kështu e kthente shishen me ujë apo lëng frutash, me një frymë. Ndërsa babai i saj, kur punonte, xhvishej nga mesi e lart, ky nuk e hiqte nga trupi një kanotierë prej leshi merinos. Ndoshta kjo ishte një veshje tradicionale në Shqipëri. Buzëqeshi duke zbuluar një radhë dhëmbësh fare të bardhë, si qelibar.

Mbasidite, kur gjithë pjestarët e shtëpisë u kthyen në shtëpi, e gjithë toka në fund të kopshtit nxinte dhe në cep të saj ishte bërë një pirg i madh me rrënjë pemësh.

  • Oh, baba, duhet të jesh lodhur shumë, si e mbarove sot të gjithën?
  • Veglat janë gjysma e punës, i bleva siç i desha dhe nuk më turpëruan. E di me sa oreks e kam ngrënë drekën, por buka nuk më mjaftoi. Kur punoj unë dua një bukë në ditë, – i tha ai i kënaqur.
  • Ua, kush ta kursen ty bukën, por ha gjellë sa të duash, në frigorifer ke tërë ato lëngje e fruta.
  • Genta, mos na hapet problem me fqinjin, ka prerë rrënjët e pemëve të tyre, mos vallë u thahen? Janë kinezë, Papul dhe shkojnë e ankohen drejt e në bashki, në sy nuk të thonë asgjë, – tha dhëndërri i merakosur kur vuri re gjithë atë tog të madh rrënjësh.– Dëgjo bir, e mendova edhe atë, por janë pemë të mëdha e nuk thahen, pastaj toka është e jotja, kush të kërkon llogari se çfarë bën me tokën tënde? Kam parë në televizion se kur një aeroplan hyn pa leje në qiellin e një shteti tjetër quhet “shkelje e hapësirës ajrore dhe ka sanksione, ka gjoba”. Ata nuk duhet të kishin lejuar pemët e tyre të hynin në territorin tonë, – tha ai shumë serioz, por të gjithë ia dhanë të qeshurit me atë justifikimin e hapësirës qiellore.

Josif Koromania ishte i lumtur që po bëhej i dobishëm. Pasi tokën e punuar e la “të piqej” në diell për një javë, i hyri për së dyti, por këtë radhë punoi me bel. Vegla zhytej poshtë e hynte thellë si në gjalpë. Mbushte grushtin me baltë, e thërrmonte me mollëzat e gishtrinjve dhe i këndonte këngë të tipit ninullë, pastaj thoshte i kënaqur; “Ku ka si kjo tokë?”. Dhëndërri e çoi tek një fermer italian i cili shiste fidanë me kubik. Ai zgjodhi domate zemërkau, kastravecë anglezë, barbunja italiane, sallatë dhe disa lloj erëzash. Bleu pleh pylli dhe brenda ditës i mbolli të gjithë fidanët. Plehun nuk e kurseu, për çdo rrënjë zbrasi gati gjysëm thesi. “Pak me vonesë jemi, por do t’ia dalim”, tha me vete.

Gjithë ditën e kalonte në kopësht, herë prashiste, herë plehëronte e herë ujiste. U gëzohej bimëve që zhvilloheshin aq të shëndetshme. “Kanadaja paska klimë të freskët, tamam si në Korçë, qenka vendi i domates, po ia kalojnë edhe lartësisë së gardhit.”, mendonte. Korabi, i nipi, pasi bënte mësimet, dilte me të në kopësht dhe pyste për çdo bimë. Nuk i mjaftonin shpjegimet e gjyshit dhe bënte kërkime të tjera në internet. Disa herë e kishte zënë ngushtë. Një ditë i tha: “Gjyshi, ke harruar t’u heqësh domateve gjethet parazite”. Kishte të drejtë i vogli. Ndërsa Zana me një ibrik të kuq plastik nuk lodhej “së ujituri”. “Le të dijnë, le të mësojnë fëmijët për bujqësinë, nuk u bën keq, nuk them të bëhen bujq, por le të dijnë”, u thoshte prindërve. Vapa e korrikut shtërngohej dhe kokrrat e domatave sapo vinin e zmadhoheshin. Edhe barbunjat po piqeshin, por kastravecët ishin më të shpejtë se të gjitha prodhimet e tjera.

***   

Sa kishte nisur vjeljen e dorës së parë të kastravecëve kur Arapka e thirri së largu. Kështu i thoshte zezakes: “Arapkë”. Ajo kishte dalë tek dera e bodrumit dhe bënte ca shenja të çuditshme me këmbë e duar. Nuk mund ta kuptonte, por kërkoi Korabin për ndihmë. “Papul, i është bllokuar lavamani dhe po i rrjedh ujët në dysheme, kërkon ta ndihmosh”, i përktheu i nipi. Ashtu siç ishte, me duar gjithë baltë (dorezat i kishte alergji dhe nuk i vishte kurrë) u gjend brenda në bodrum. Uji i pistë kishte vërshuar mbi tapet. Si mund t’ia dilte pa asnjë vegël ustai? Bashkoi dy pëllëmbët e duarve duke i bërë njësh dhe i përplasi me forcë mbi sipërfaqen e ujit në gropën e lavamanit. Xhinella dhe i nipi po e ndiqnin me kureshtje. Si mund ta hapte ai lavamanin pa përdorur asnjë vegël? Një herë, dy, tri, katër, pesë dhe lavamani për çudi u hap. “Sikur i bëri magji”, mendoi Xhinella. “Nuk ka punë që nuk bën gjyshi im, ah sikur të dinte të fiste anglisht”, i tha Korabi me mburrje duke rrudhur vetullat me një lloj pezmi.

Papuli lau duart pastaj pa e pyetur Arapkën, mblodhi me nxitim kutullaç tapetin dhe e nxorri në verandë ku e shpalosi tej e tej.

-I thuaj Arapkës se tapeti duhet larë, është gjithë baltë, kushedi sa ka kështu, dëgjove Korab? Po e shtroj këtu mbi dërrasat e verandës, ndihmoje me zorrën e ujit të kopshtit ta lajë duke e ndrysur me këmbë, pastaj ta hedhë mbi gardh që të thahet. Unë po kthehem të t’harr domatet.

Xhinella e ndoqi Korabin si një qingje manare. Të ishte për të, nuk do të guxonte t’u thoshte të zotërve të shtëpisë të përdorte dyshemenë e verandës dhe zorrën e ujit, por Papuli nuk pyet njeri. Ai është i prerë, jep urdhëra që vlejnë edhe për atë. Kshte veshur ca pantallona të shkurtëra dhe një bluzë të hollë që i mbulonte gjoksin përgjysëm. Përsëriti me mend çfarë përktheu Korabi: duhet të përplaste këmbët mbi tapet dhe vogëlushi të lëshonte ujët me presion mbi të. Ashtu bëri. Ujët zbrasej nga zorra me furi dhe sa më shumë Xhinella përplaste këmbët, aq më shumë ngjyra e tapetit kthehej në origjinë. Vajzës i erdhi turp që këtë gjë nuk e kishte bërë më parë. Pasi tapeti nuk nxirrte më ujë të ndotur, Korabi gjoja gabimisht ia derdhi ujët mbi pulpa. Ajo qeshi me të madhe, si në një gudulisje. Pastaj djaloshi guxoi ta ngrerë zorrën më sipër. Sa më lart ngjitej Korabi me çapkënllëkun e tij, aq më shumë shpërthente në të qeshura Xhinella, në fillim me zë të ulët, pastaj nuk u përmbajt më. Hiqej sikur i shmangej rrjedhës së ujit, por në të vërtetë i pëlqente loja që bënte djaloshi. I shkoi gjer në fund pas qejfit të tij. Ishte gusht, ditë e nxehtë dhe me vapë. Korabi e ngriti më lart zorrën e ujit.  Vajza zezake u qull e tëra, nga koka tek këmbët. Rrobat i kullonin ujë. Kaçurelat i binin mbi ballë dhe bluza e hollë i ishte ngjitur pas gjoksit duke i vizatuar qartë dy gjinj të bëshëm si dy kunguj. Papuli i ndiqte me bisht të syrit dy të rinjtë dhe u hoq sikur nuk e kishte mendjen tek ata. I vinte mirë që i nipi gjeti një lodër dhe ishte aq i gëzuar duke qeshur me gjithë shpirt. E qeshura e tyre mbushi kopshtin me hare. “I ka ardhur vakti për burrë Arapkës, shpirt njeriu ka edhe ajo, por Korabi im është i vogël”, mendoi plaku dhe buzëqeshi nën hundë. Pastaj gjeti një mënyrë origjinale për t’i ndaluar ta vazhdonin më tej lojën: U afrua me dorën e parë të prodhimit të vjelë. Kur e panë të vinte drejt tyre, si djali, ashtu edhe zezakja e pushuan të qeshurën. Ai veçoi dy kastravecë, ndër më të medhenjtë për t’ia dhënë dhuratë vajzës.

-Korab, jepja Arapkës këta dy kastravecë peshqesh nga unë dhe t’i hajë të gjallë, pa qëruar lëkurën se këta nuk janë si të dyqanit, jane të freskët, bio. Nesër do nxjerrim edhe domatet e para. Ua, çfarë tokë e mirë qënka kjo, por edhe unë ia kam bërë hyzmetin.

Në mbrëmje Korabi u tregoi prindërve gjithë ngjarjet e asaj dite. U tha se gjyshi është një “handman”, nuk ka punë që nuk bën, ai nuk di vetëm të rrëmihë dheun e të kultivojë perime, por edhe të çbllokojë lavamanë pa përdorur vegla. “Unë do bëhem si gjyshi, një “handman”, tha serbes. Kështu i vuri kapak tregimit.

-Paskeni bërë mirë që e keni ndihmuar Xhinellën, gjynah e shkreta, ajo nuk ka njeri tjetër më afër se sa ne, – tha Genta.

-Djathtas, tek hyrja, vura re një fuçi të madhe kartoni, e lartë sa unë më këmbë, çfarë ishte ajo? – pyeti me kërshëri Papuli.

-Ajo është një vend-grumbullim për veshje. Gati në çdo dy-tre muaj Xhinella e mbush me rroba të falura dhe e dërgon në vendlindjen e saj. Është besimtare e madhe dhe çdo të diel shkon në kishë, aty i falin lloj-lloj rrobash, pak të përdorura, por ka edhe të reja fare. Edhe ne i kemi dhuruar. I poston me rrugë detare, i bie shumë lirë. Fuçia mbyllet hermetikisht dhe futet në kontejnerë. Për dy-tre javë arrin në destinacion, – tha dhëndërri.

Plaku u prek nga çfarë mësoi rreth jetës së zezakes. Iu kujtua Shqipëria e viteve 1990 kur nga e gjithë bota vërshuan ndihma humanitare. Të parat që mbrritën ishin veshjet, pastaj mielli, makaronat dhe orizi. “Paska vende të tjera edhe më afër Amerikës që vuajnë sikundër kemi hequr edhe ne”, mendoi duke fërkuar mjekrën.

Sa më shumë shtërngonte vapa, aq më shumë piqeshin prodhimet e kopshtit; të lakmushme për syrin e kujtdo, shumë më të shijshme e të mira se sa ato të tregut. Fqinjët habiteshin me gjithë atë prodhim të mbarë. Papuli nuk harronte asnjë ditë t’i jepte “racionin” zezakes. Ai e konsideronte si pjestare të familjes. Xhinella e lexonte në sy respektin dhe përkujdesjen e tij (zezakët janë shumë të ndjeshmëm ndaj sjelljes së racës së bardhë) dhe nuk rrinte pa ia shpërblyer: herë i nxirrte lëng frutash të ftohtë e herë i çonte ëmbëlsira që i gatuante vetë. Ia shpinte drejt e në fund të kopshtit, atje ku ai me zell të tepruar u shërbente bimëve. Ajo e kishte turnin e punës mbasdite, kështu ata çdo paradite ishin vetëm në kopësht. Kur takoheshin, secili fliste gjuhën e vet. Xhinella për shembull i thoshte se ai i ngjante nga zelli për punë babait të vet, ndërsa ai, duke mos e kuptuar, ia kthente se vdes për ëmbëlsira, sidomos për bakllava dhe përsheshin me lëngun e mishit të gjelit të detit.

***   

Një mëngjes, aty nga fillimi i shtatorit, si e bija, ashtu edhe dhëndërri e porostitën Papulin të mos dilte nga shtëpia: po afrohej një tufan i rrezikshëm, shi dhe breshër. Era do të frynte me shpejtësi me mbi 100 kilometra në orë. Nuk duhej qëndruar as nën kurorën e pemëve e as në strehat e shtëpive. Ishte e rrezikshme. “Janë frikacakë dhe qeveria për të qenë brenda, i zmadhon gjërat”, mendoi fermeri Josif Koromania pa i besuar këshillat e tyre…

Aty nga ora njëmbëdhjetë paradite, papritur qielli u nxi nga ca re të zeza si tymi i oxhakut të furrave prej qymyrguri. Kurorat e pemëve lëkundeshin gati duke prekur dheun, shtyllat dridheshin sikur i kishe futur nën rrymë elektrike trefazore. Pastaj erdhi një shi i rrëmbyer, shi me gjyma që binte pjerrtas. Papuli i trembej vetëm breshërit e jo shiut, ai mund të rrafshonte perimoren, megjithëse në një fare mënyre ajo mbrohej nga gardhi me dërrasa, nga ana e kinezëve. Sytë nuk i shqiste për asnjë çast nga bimët të cilat ishin në kulmin e prodhimit. Era u shtua dhe ai vuri re se gardhi po lëkundej si një fletë kartoni. Doli jashtë, vrapoi në mes të erës e shiut, rrëmbeu një ele hekuri, shtyu me forcë gardhin dhe e mbështeti mbi hekur. Kaq ishte. Xhinella po e shihte me shqetësim nga pjesa e sipërme e derës së bodrumit, pikërisht nga katrorja prej xhami. “Gjithëçka bën është e rrezikshme, me sa duket andej nga vjen Papuli nuk e njeh rrezikun e stuhisë që vjen nga Gjiri i Meksikës”, mendoi. Nuk u gabua në parandjenja: një copë llamarine u shkëput nga ulluku i shtëpisë dhe i fluturoi sipër kokës duke e goditur me pabesi. Aq e fortë ishte shpejtësia e asaj cope metali sa e rrëzoi përtokë. Xhinella doli me vrap, e ngriti Papulin në duar dhe gati i ra të fikët kur pa se nga sipër kokës i rridhte një rrëke gjaku. E tërhoqi me shpejtësi për shpatullash drejt hyrjes së shtëpisë. Hoqi bluzën e saj dhe ia ngjeshi mbi plagë. Me dorën tjetër nxorri celularin dhe i ra numrit 911. “S’kam gjë, s’kam gjë, mos u shqetëso, ma njom me raki”, thoshte Papuli duke treguar një shishe mbi sergjen. Gjaku nuk i ndalej. Xhinella mendoi se ajo ishte një shishe uji dhe ia dha, por ai nuk e piu. Bëri pëllëmbën e dorës si gropë, e mbushi me atë lëng që kundërmonte dhe ia hodhi plagës. Era e alkolit u përhap në gjithë shtëpinë. Përjashta u dëgjuan sirenat e makinave të policisë, ambulancës dhe zjarrfikses, fiks 11 minuta pas telefonatës. Policët hynë me vrull, kërkuan identitetin e të plagosurit. Xhinella u tha se quhej Papul, ishte vizitor, babai i pronares së shtëpisë dhe ajo ishte qiraxheshë. Ndërkohë stuhia kishte kaluar dhe perimet kishin shpëtuar. Dy djem të fuqishëm e ngritën peshë të plagosurin duke e transportuar me shpejtësi drejt ambulancës, por Xhinellën nuk e lejuan ta shoqëronte. Ajo duhej t’u përgjigjej disa pyetjeve të policëve. Duke ndjerë erën e alkoolit që kishte mbytur ajrin e dhomës së pritjes, pyetja e parë e policëve ishte:

-Ka pirë alkool, është rrëzuar e pastaj është plagosur ky zotëria?

-Jo, asnjë pikë – u përgjigj e vendosur Xhinella – doli në kopësht në kulmin e thunderstorm (stuhisë) dhe e goditi një llamarinë në kokë.

-Çfarë bënte në kopësht gjatë atij moti të keq?

I vuri një mbështetje hekuri gardhit të mos binte mbi perime.

-Ku është sendi që e goditi, llamarina?

-Në mes të kopshtit, – u përgjigj Xhinella. Ata e fotografuan objektin.

-Ok, na jep kartën tënde të identitetit, –  i thanë.

Me duar të dridhura ajo u nxorri pasaportën me vizë të skaduar para tre vjetësh.

E gjithë familja, duke u marrë me Papulin, e harruan Xhinellën. Mjekët thanë se megjithëse plaga ishte e thellë, nuk kishte humbur shumë gjak, ndihma e parë ka qenë vendimtare dhe infeksioni ishte eliminuar. Për siguri i bënë vaksinën e tetanozit. Pas tre ditësh Papuli doli shëndoshë e mirë nga spitali, por Xhinellën nuk e gjeti. Në bodrum, mbi tavolinë ishte bluza e saj me gjak të ngrirë, pikërisht ajo bluzë me të cilën ajo ndali hemorragjinë nga plaga e tij, pas aksidentit. Ajo ishte larguar përgjithnjë nga bodrumi, pa dhënë asnjë shpjegim.

***   

Pas dy javësh tek dera e kopshtit u duk një burrë i sjellshëm, por civil. Ai u prezantua si oficer i policisë kufitare dhe tregoi në gjoks dinstiktivin. Papuli i tha me shenja se nuk dinte anglisht. Mirpo ai i zgjati telefonin dhe nga ana tjetër e receptorit u dëgjua një zë vajze që fliste shqip. Ajo i tha se ishte përkthyese dhe se aty kanë ardhur dy oficerë të policisë kufitare. Papuli rrotulloi kryet dhe në anë të rrugës pa një makinë dhe një grua brenda saj me një kompjuter përpara. Mendoi mos ishte Xhinella, por jo, ajo një grua brune. Përkthyesja vazhdoi: “Po të tregojnë një foto, po të pyesin në se e njeh dhe në se ajo vajzë është aty?”. Papuli e pa me vëmendje letrën e policisë stampuar në kënd të saj një portret me ngjyra. Njohu menjëherë foton e Xhinellës. Nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por u bëri një kundërpyetje:

-Çfarë, kjo është kriminele dhe ju po e kërkoni?

-Jo, në asnjë mënyrë. Jo, zotëri, ajo duhet të paraqitet për t’u deportuar sepse ka shkelur tre vjet vizën. A nuk banon këtu?–Unë nuk njoh asnjë vajzë të tillë. Jam mysafir tek ime bijë dhe pas një jave kthehem në vendin tim. Në shtëpi nuk banon askush tjetër veç familjarëve tanë. Po të dëshironi, hyni e kontrolloni.

-Të besojmë, – i tha polici i zonës kufitare dhe u largua i menduar.

Josif Koromania nuk e kishte zakon të gënjente, por kjo përgjigje që i dha policisë kufitare ishte më e pakta që mund të bënte për engjëllin e zi me emrin Xhinella. U lut që “skifterët” e kufirit të mos e gjenin dot…

Fund

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Avdulla Kenaci, PAPULI, Tregim

Prolog për të bukurën dhe fjalën artistike

May 20, 2018 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Qenia dhe qenësia e artit qëndron tek kutpimi dhe vlerësimi i vlerave estetike dhe fillimisht e kryesisht tek kuptimi dhe vlerësimi i së bukurës.

Janë dhënë shumë përkufizime për të bukurën, por edhe është mohuar mundësia për ta përkufizuar atë. Platoni, i pari filozof që trajtoi probleme të estetikës, si filozof moralist që ishte, e trajton artin si pjesë të etikës, dhe shkon deri atje sa të identifikojë të bukurën me të mirën dhe të vërtetën. Aristoteli: “E bukura është simetri, proporcion, harmonizim i pjesëve tek e tëra”. Për Kantin, “E bukur është ajo cilësi me anën e së cilës një objekt na kënaq, pa përfillur dobinë e tij, na josh në një soditje të pavullnetshme dhe na bën të përjetojmë një lumturi të painteres.” Fichte e konsideronte si virtyt moral. “E bukura, po aq sa e vërteta, është qëllim në vete.” Hegeli, pothuajse si Aristoteli, e shihte të bukurën si unitet të pjesëve, përparësi të formës ndaj përmbajtjes dhe si manifestim ndijimor i idealit metafizik. Për Benedetto Crocen, e bukura nuk është fakt fizik dhe nuk u përket gjërave, por aktivitetit të njeriut, energjisë së tij shpirtërore, ajo nuk ekziston në natyrë; natyra është e bukur vetëm për atë që e shikon me syrin e artistit, tek i cili e ka burimin e bukura. Ai e ka përkufizuar shkurt: “E bukura është shprehje”. Shkrimtari i shquar francez, Anatole France ka thënë: “Unë besoj se ne kurrë nuk do të dimë me saktësi pse një gjë është e bukur. Askush nuk ka qenë i aftë të ma tregojë me përpikëri një gjë të tillë . . .  Sa për mua, unë ndjek ndjenjën time për të bukurën. A mund të gjej njeriu një udhërrëfyes më të mirë? . . . Nëse do të më duhet të zgjedh mes së bukurës dhe së vërtetës, unë nuk do të lëkundem, do të zgjedh të bukurën. Nuk është asgjë e vërtetë në këtë botë, veç së bukurës.”

Studimi i natyrës të së bukurës ka vazhduar prej shekujsh që nga antikiteti grek dhe vazhdon sot e kësaj dite; çdo filozof dhe estet që ka lavëruar në këtë fushë na ka dhënë një përkufizim të vetin. Megjithëse janë dhënë sa e sa përkufizime për të bukurën si dhe për kategoritë e tjera dhe për problemet më të ndryshme të estetikës, çështja e trajtimit të tyre mbetet dhe do të mbetet gjithnjë e hapur. Estetika si bijë e filozofisë i shtron problemet dhe jep zgjidhje që nuk janë kurrë përfundimtare. Është në natyrën e saj që filli i Arianës nuk mund të na nxjerrë nga labirinti. Kjo, ndoshta, e ka shtyrë historianin e shquar të filozofisë Wil Durant të thotë në veprën e tij “Kënaqësitë e filozofisë”: “Nuk është për t’u çuditur që librat më të pagdhendur në botë janë ato që janë shkruar për të bukurën”.  

Rëndësore për estetikën është çështja: a ka karakter objektiv a subjektiv e bukura. Përderisa e përjetojmë nëpërmjet kënaqësisë që na jep dhe e krijojmë, ajo ekziston, – është cilësi objektive e sendeve dhe dukurive, arsyetojnë një palë. “E bukura është në syrin e shikuesit”, ka thënë Margaret Hungerford, duke mohuar objektivitetin e saj. Ideali i së bukurës ndryshon nga njeriu tek njeriu, nga një popull tek një tjetër, nga një racë tek tjetra, dhe në këtë prizëm qëndron subjektiviteti i saj. Gjithsesi, një gjykim estetik mund të merret si objektiv nëse një ideal i njëjtë bukurie përfshin një masë sa më universale të njerëzve.

*   * *

Letërsia është arti i fjalës. Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit. Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë kreativ artistik i njeriut, nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve. Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë. Duke perifrazuar në njëfarë mënyre Heidegger-in, mund të themi që për çdo dukuri njeriu krijon një fjalë të veçantë, e cila pastaj bëhet simbol i asaj dukurie. Croce, filozofi estet, e ka trajtuar artin thjesht si intuitë; por ai ka thënë gjithashtu se intuita dhe shprehja janë e njëta gjë, çka do të thotë se na nuk mund të njohim diçka pa e emërtuar atë. Dhe ky veprim është thjesht vepër arti.

Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës, nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e krijues, jashtëzakonisht fleksibël, realizohet komunikimi i ideve dhe koncepteve abstrakte si dhe transmetimi i tyre nga një brezni në tjetrën. Fishta ka shkruar: “Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës, as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”

Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë, çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letersia artistike, të çon drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. “Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit . . . ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre”, ka shkruar De Rada në ‘Parime të estetikës”. A nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e saj, poezia që zë kryet e vendit.

Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në një strukturë tekstore.

Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo “dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të shprehur çdo gjë:

“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,

O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,

O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .

Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,

Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,

Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”

Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:

“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,

O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.

Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së zjarrtë ? ”

Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”, pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Milivoj Solar ka thënë: “Çdo tekst shpjegohet në kuadrin e një konteksti”. Estetika ka parashtruar dhe argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste, sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve kontradiktore.

*   * *

Grupi i studiuesve amerikanë të “Kritikës së re”, në fillimin e viteve ’40 të shek. të kaluar, parashtroi dhe futi në zbatim të zbulimit të vlerave estetike të veprës letrare praktikën e “Close reading”, që këtu në një përkthim ad literam do të thotë “lexim i hollësishëm”, një metodë serioze studimi që konsiston në një shqyrtim sa më të hollësishëm që të jetë e mundur të rrafsheve më të ndryshme të veprës letrare, në kuptimin se si vepron një tekst artsistik, si i krijon kuptimësitë dhe efektet në nivelet më të imta të tij. Vetëm nëpërmjet një shqyrtimi të tillë të hollësishëm të shumëkuptimësisë së tekstit letrar, në të gjitha rrafshet e tij, mund të arrihet në zbulimin e realitetit artistik që krijon shkrimtari në veprën letrare. “Kritka e Re” u mbështet kryesisht tek mësimet teorike të Ivor Armstrong Richards, lidhur me vlerat e veçanta që i jepte ai analizës së tekstit letrar me pjesëmarrjen aktive të lexuesit. Ai botoi veprat: “Kuptimi i kuptimit” (së bashku me C. K. Oden, 1923) dhe “Parimet e kritikës letrare” (1924).

Në këtë vazhdë, studiuesit Rene Wellek dhe Austin Warens, në veprën “Një teori mbi letërsinë” (1942), polemizuan për vlerën e dy drejtimeve për t’ju afruar analizës së veprës letrare: rruga a mënyra ekstrinseke dhe intrinseke (terma latine të përdorura më parë nga Croce, por jo krejtësisht me kuptimin që i dhanë dy studiuesit e përmendur më lart). Drejtimi i parë, ekstrinsek (“nga jashtë”) niset nga çështje të tilla si biografia e autorit, mjedisi shoqëror, rrethanat e jashtme, premisa psikologjike, filozofike, etj.; ndërsa drejtimi i dytë, intersek (“nga brenda”), që Wellek e Warens e morën si të qenësishëm, thelbësor, niset nga ekzaminimi i përbërësve formal të veprës artistike, vlerave estetike të tekstit: gjuhës, stilit, imazheve, figuracionit, simbolikave, etj. Ata argumentuan me analizat e tyre epërsinë e studimit të drejtimit intrinsek ndaj atij ekstrinsek.

Lidhur me përvojën e lexuesit në interpretimin e veprës letrare, punoi edhe fenomenologu polak Roman Ingarden, i cili argumentoi që teksti letrar “konkretizohet” në aktin e të lexuarit. Këtë tezë e zhvilloi më tej Wolfang Iser nëpërmjet të “mbushjes së zbrazëtive” nga ana e lexuesit gjatë procesit të leximit. Simbas Iser-it, lexuesi duke lexuar tekstin, krijon supozime kuptimore, të cilat, me avancimin në lexim, i vlerëson si të drejta ose të gabuara. Kështu arrihet në analizën e drejtë të tekstit.  

Nga fundi i viteve ’60 të shek. të kaluar, shërbime të mëdha teorike i bëri analizës së tekstit teoria e “estetikës receptive”. Sipas kësaj, vepra letrare, duke qenë një fenomen historik dhe jo dukuri transhedentale a “e pakohshme”, kërkon qëndrimin kritik vlerësues të lexuesit, pa të cilin ajo “nuk është e kompletuar”. Një metodë e tillë shqyrtimi i veprës letrare, erdh si aplikim i “përgjegjshmërisë së lexuesit”, teori e propozuar nga Hans Robert Jauss, i cili, në vitin 1967, solli në sofrën e teorive estetike idenë e “horizontit të pritjes”, sipas së cilës çdo lexues i qaset veprës letrare, e shqyrton, e kupton dhe e vlerëson atë në bazë të  personalitetit të tij, formimit të tij psikologjik, botëkuptimor e teorik letrar dhe përvojës së tij jetësore, estetike e letrare, që formësohet nga marrëdhëniet e tij me letërsinë artistike dhe teoriko-letrare. Horizontet e pritjes ndryshojnë me kohën. Në periudha të ndryshme historike, horizonti i pritjes i lexuesit është i ndryshëm.

Në këtë rrjedhë diskutimi, analizën e veprës letrare në linjën e estetikës receptive e çoi deri në skajin më ekstrem Roland Barthes me esenë polemike “Vdekja e autorit” (1968), duke absolutizuar vlerën e tekstit dhe të receptimit të tij nga lexuesi, në dëm të autorit. “Është gjuha (teksti) që flet, jo autori”. Dhe tekstin e lexon, e kupton dhe e vlerëson vetëm lexuesi. “Njësia e tekstit qëndron jo në origjinën e tij, por në destinacionin e tij”. Dhe destinacioni është lexuesi. “Ky destinacion nuk mund të jetë më gjatë personal: lexuesi është pa histori, pa biografi, pa psikologji; ai është thjesht dikushi që mban bashkë në një fushë të vetme elementet prej të cilëve është formuar teksti”; dhe “Lindja e lexuesit do të ndodhë vetëm me vdekjen e autorit”. Në dukje paradoksale, në të vërtetë kemi të bëjmë me trajtime ekstreme të këtij problemi, siç ka ndodhur vazhdimisht me problemet estetike, për të cilat Sean Burke, në veprën “Autorësia prej Platonit tek të mëvonshmit – një lexues”, ka shkruar: “Çështjet kanë qenë ngritur në shumë gjuhë dhe fjalorë gjatë historisë së mendimit perëndimor, dhe çdo përpjekje për t’i vendosur ato në një mënyrë a në një tjetër, ka shërbyer vetëm në ripërtrirjen e debatit, duke e hedhur atë drejt një zgjidhjeje tjetër”.

Numri i madh i shkollave teoriko-letrare i krijon mundësi kritikës të bëjë analiza nga më të ndryshmet, të cilat nuk është e thënë që të çojnë gjithnjë në rrugë të drejtë, d. m. th. në përfundime objektive. Në historinë e kritikës sonë letrare, e kemi të qartë gabimin e Krist Malokit në vlerësimin e poezisë së Lasgushit: duke u mbështetur me fanatizëm në parimet e analizës psikanalitike dhe kulturo-historike, ai shkoi deri në mohimin kategorik të poezisë së poetit tonë të madh. Megjithëkëtë, duhet të kujtojmë edhe këtë:  mbi bazën e shpjegimeve të Freud-it për nënvetëdijen është hedhur dritë rreth temave dhe teknikave të disa shkrimtarëve, duke përfshirë, ndërmjet modernistëve, James Jouce, Virgjinia Wolf, Marcel Proust. Gjithsesi, u duhet ruajtur zbatimeve kategorike të premisave teorike të shkollave të ndryshme letrare.

Për kritikën letrare, Mitrush Kuteli, një gur i rëndë i themeleve të saj në kulturën shqipe, ka shkruar: “Kritika letrare duhet të jetë analizë objektive e cilësive dhe e mungesave, e bosheve dhe e ploteve, e dritave dhe e hijeve të një vepre”. Kritika letrare e sotme shqipe, në përgjithësi, është e njëanshme; ajo u përket cilësive, ploteve dhe dritave. Edhe kështu – çka është dobësi e saj – ajo ka vlerat e veta, nëse vërtet është objektive dhe e argumentuar në cilësitë, plotet dhe dritat e veprave letrare.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, dhe fjalën artistike, Prolog për të bukurën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT