• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

ME 12 MAJ 1912 U ORGANIZUA DEGA NR.1 E VATRES

May 15, 2018 by dgreca

HISTORIA E VATRES-FORMIMI I DEGEVE- ME 12 MAJ 1912 U ORGANIZUA DEGA NR.1 E VATRES/

1 dega nr 1 Boston

VATRA U THEMELUA ME 28 PRILL 1912, U NJOH NGA SHTETI I MASSACHUSETTS me 13 QERSHOR 1912/

Sipas Rekordit nr. IX që ndodhet në arkivin e Vatrës, procesi i themelimit të Federatës  kishte nisë që me 24 Dhjetor 1911 me takimin e parë në Rathbone Hall, 724 Washington Street, Boston, – me 28 Prill 1912, Komisioni i Bashkimit dhe delegatët në mbledhjen themeluse, pasi panë raportetet e Shoqërive që u bashkuan në Vatër, shpallën:” E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA, prej shoqërivë: Besa-Besën, Flamuri i Krujës”,”Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”(më pas iu bashkuan dhe klube e shoqëri të tjera).

II- Emrohen Pleqësi e përkohshme këta zotërinj:

Sekretar At Fan S Noli, arkëtar Lambi Cikozi, Manager i Diellit Kristo Kirka.

Organizatorët e Degëve të Federatës:

Faik Konitza, Kristo Floqi

Mbikqyrës të Diellit:

Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil

Në mbledhjen themeluse u vendos që Konferenca e parë për të filluar organizimin e degëve të bëhej ditën e Dielë, me 12 të Majit 1912.

Pikërisht të Dielën e 12 Majit 1912 u themelua në Boston Mass, Dega e parë e Vatrës. Mbledhja u mbajt nën drejtimin e At Fan S Nolit, në Phoenix Hall, 724 Washington Street. Në takimin themelues të degës nr. 1 Folën Faik Konitza dhe Kristo Floqi.

Më pas u kalua në zgjedhjen e Pleqësisë së degës, që përbëhej nga:

1- Kristo Kirka-Kryetar

2- Kristo Aristidi-arkëtar

3-Elia Zografi-Sekretar

4-Pleq: Kosta Ratska, Efthim Natsi, Nikolla Caknaqi dhe Petro Lazar.

Shumë shpejt degët e  Vatrës u ngritën në të gjitëh Amerikëne  Veriut. vetëm gjatë muajit Maj 2012 u ngritën 6 degë.

Kalendarin historik të ditëlindjeve të degëve do ta ndjekim në vijim.

Filed Under: Featured Tagged With: 1 maj 1912, dalip greca, dega nr 1 e Vatres

Kosova, e sigurt dhe e mbrojtur

May 15, 2018 by dgreca

 15 05 2018 ZKM 1 (7)-Kryeministri Ramush Haradinaj: Ushtria e ardhme e Kosovës është forca e çdo qytetari që jeton brenda vendit, është partneritet për paqe, për siguri në rajonin tonë/15 05 2018 ZKM 1 (1)-Në Konferencën “Kosova e sigurt dhe e mbrojtur” e organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, morën pjesë ambasadorët e akredituar në Kosovë, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti – gjenerali i FSK-së Rrahman Rama, drejtori i NALT për Kosovën, Gjeneral Ralf Hoffmann, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve në vend/

PRISHTINË, 15 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ “Kosova ka arritur nivelin e zhvillimit, i ka përmbushur argumentet e nevojshme që të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, por duhet të vendos për mënyrën e ecjes përpara”, deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin prezantues për arritjet dhe planet në sigurinë e Kosovës, me theks të veçantë për FSK-në, me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me temë “Kosova e mbrojtur dhe e Sigurt”.Në këtë takim, kryeministri Haradinaj para të pranishmëve ka theksuar se Kosova është e gatshme nga një absorbues i sigurisë, të kthehet në kontribuues të sigurisë, në planin e brendshëm, planin rajonal dhe atë global.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se të gjitha institucionet e vendit janë duke punuar për të shpjeguar gjendjen e FSK-së, të arriturat, veçanërisht të vërtetën se FSK është forcë multietnike, në të cilën shërbejnë edhe serbët e Kosovës, serbët e veriut.

“Është paraparë që ndryshimet Kushtetuese, fuqizimi i mandatit të FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve të neneve kushtetuese. Unë mendoj se argumentet për të marrë besimin e të zgjedhurve serbë, në këtë rast të Listës Serbe, vërtetë janë plotësuar, mirëpo vendimi është politik”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, përmendi faktin se Qeveria ka kaluar nëpërmjet procesit të konsultimit dhe diskutimit në përgjithësi me të gjitha partitë politike dhe komunitetet etnike brenda vendit, duke zhvilluar një dialog me të gjithë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë dhe Qeveria vazhdon ta mbështesë këtë dialog.“Kosova është shtëpia jonë, prandaj dëshirojmë t’ju konfirmojmë para jush përkushtimin tonë, se jo vetëm FSK-ja e sotme, por edhe ushtria e ardhme e Kosovës është forca e çdo qytetari që jeton brenda vendit, është partneritet për paqe, për siguri në rajonin tonë. Kjo është vetëm një plotësim i mandatit të KFOR-it brenda vendit. Ne nuk dëshirojmë të jemi në konflikt me mandatin e KFOR-it. KFOR-i është i mirëseardhur tash e gjithmonë si forcë e sigurisë dhe kjo na ndihmon që të kemi siguri jo vetëm për popullatën në Kosovë, por edhe një kontribut të madh në rajon”, tha kryeministri Haradinaj.

Në Konferencën “Kosova e sigurt dhe e mbrojtur” e organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, morën pjesë ambasadorët e akredituar në Kosovë, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti – gjenerali i FSK-së Rrahman Rama, drejtori i NALT për Kosovën, Gjeneral Ralf Hoffmann, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve në vend./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, dhe e mbrojtur, e sigurt, kosova

“Kur të të shoh të lirë…do të dua edhe më mirë”

May 15, 2018 by dgreca

1-ok-marjana-bulku

Nga Marjana Bulku/

Kur më pyeti dikush se çfarë mendoni për shkollat shqipe në Diasporë përgjigja ime e menjëhershme ishte : është përpjekja më e bukur dhe patriotike që na bashkon përpos të gjitha tjerave që na ndajnë. Dhe kur dua ti shkoj më tej kësaj logjike imagjinoj fëmijët shqiptaro-amerikan të rritur që gjuhën shqipe e kanë po aq fluente sa edhe anglishten . Kjo është mëse e natyrshme për komunitetin rus , sepse patriotizmi apo nacionalizmi i tyre ka pasur doza më të larta krahasuar me ne , a ndoshta familja e ka ruajtur gjuhën si një pasuri e vendeve nga vijnë por sigurisht arsyeja primare është se ata kanë ndërtuar komunitete të forta në këtë tokë të shenjtë që larminë kulturore të vendeve nga ne vijmë e çmon dhe e vlerëson si pasuri.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka luksin por edhe sfidën jo fort të lehtë që pasuritë tonë letrare e kulturore, historike e gjuhsore ti shndërrojë në institucione të vërteta që pasuri të tilla tia trashëgojë brezave si një e drejtë që buron  nga maturimi me të cilën kultura jonë është edhe pasaporta jonë më e mirë .

Krahas adaptimit me jetën amerikane nuk ka investim më të bukur sesa ai gjuhsor për brezat që rriten këtu në mënyrë që ata të  munden të flasin shqip, shkruajnë, lexojnë e studjojnë gjigandët e kulturës shqiptare, historisë, , letërsisë e pse jo tja bëjnë ato prezente edhe këtij vendi që i nderon dhe do akoma më shumë komunitetet kur ato identifikohen përmes kulturës së tyre.

Imagjinata më lejon të shkoj vetëm pak dekada larg , tej , në katedra të shqipes, individualitete shqiptare, studime, publikime dygjuhëshe që jo vetëm do na lehtësonin integrimin por do ishin subjekte me vlerë për nxënës e studentë jo vetëm shqiptar. Rasti i Nanë Terezës, lidershipi i Skënderbeut, madhështia artistike e Ermonela Jahos,e mjaft ekzemplarë të tjerë vlerash shqiptare janë tashmë kauza tonat universale .

Gjërat e mëdha ndodhin brenda mjediseve të vogla, si libri , klasa, familja, shkolla media, televizioni.

A nuk i kemi këto hapësira?

Sigurisht që po.

Sa mundemi ne ti shfrytëzojmë gjithsejcilën prej tyre në funksion të konsolidimit të gjuhës ?!

Unë ndjehem vërtet mirë kur mblidhemi rreth botimeve shqip, personaliteteve shqiptare, që për fat të mirë nuk na mungojnë ,nuk ka emocion më të bukur se kur fëmijët ruajnë gjuhën e prindërve dhe ju flasin gjyshërve gjuhën që i lumturon ata, kur këndohen tingujt 7 notësh me gjuhën tonë 36 gërmëshe.

Nëse mendimet na bëjnë të ndryshëm , artikulimi shqip êshtë çka na bën ta kthejmë kokën drejt simbolit që ashtu si himni e flamuri identifikojnë qenësinë tonë kombëtare.

Janë dhjetra përpjekje fisnike që i kanë çelur tashmë dyert e klasave ku mbi tryeza ngjyrosin abetaret, është për tu falenderuar iniciativa e televizioneve shqiptare që komunitetin e shqiptarëve të Amerikës na e sjell në çdo shtëpi përmes ekranit, janë të panumërta veprimtaritë që shqiptarët zhvillojnë në gjuhën shqipe, por nuk ka mjedis më të sigurt se familja për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Familjet e reja këtë mbase e konsiderojnë sfidë por aty do të ishte shtrati më i sigurt që gjuhës do ti jepte garanci jetëgjatësie.E theksoj këtë sepse të rinjtë tanë kanë një avantazh disavantazhues; adaptimin e shpejtë në vendin pritës çka asimilon gjuhën e vendit nga vijnë. Nëse ky fenomen do prekte botën tonë prej pothuaj 550 mijë shqiptarësh që jetojnë në SHBA, tkurrja gjuhsore dhe pasojat e saj janë të imagjinueshme, por nëse libri, televizioni,individualitetet, shoqata, mediat ,familja por mbi të gjitha shkolla do ndërvepronin siç po duket a ndofta edhe më mirë sesa kaq përmasa gjuhësore e shqipes do të na rivitalizonte në kushtet kur edhe vendi ynë amë përjeton kohë të turbullta.

“I dashur mëmëdhe, të dua dhe kështu siç je , por kur të të shoh të lirë do të dua edhe më mirë”.

Ishin vargje të shkruara në murin e një ndërtese strugane në Strugën tonën dhe jotonën por që mua ma ushqyen mallin me ndjenja të veçanta teksa jetoja ditët e fundit të vizitës time në atdhe.

Marjana Bulku (maj 2018)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: "Kur të të shoh të lirë..., do të dua edhe më mirë", Marjana Bulku

Zgjedhjet si zgjedhë apo Zgjedha e zgjedhjeve

May 15, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

Nga Andon Dede, Nju York/

Një përkitje jo fort e këndëshme kjo e dy termave që përmendëm më sipër, në gjuhën tonë, madje do të thosha ndjellakeqe: zgjedhje dhe zgjedhë, kur duhet të ishte e kundërta: që ato të ishin sa më larg apo dhe ta përjashtonin njera tjetrën. Pse e them këtë? Se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë hapi i parë dhe më i rëndësishmi, pas përmbysjes së diktaturave dhe vendosjes së pluralizmit. Kujtoni vetëm fillimin e viteve ’90, të shekullit të kaluar: Sa u ngazëllyem ne të gjithë për zgjedhjet e para pluraliste?! A ju kujtohet Parlamenti i parë, deputetët e tij, diskutimet që na linin pa gjumë deri pasmesnate? Na dukej një mrekulli e sikur nuk na besohej se i përkiste realitetit tonë, kur kishim parasysh groteskun e zgjedhjeve të Diktaturës, që çoheshim sa më herët, viheshim në radhë dhe hidhnim fletën e votimit në kuti, pa e parë ndofta as emrin e kandidatit…Pyes veten shpesh: si ka mundësi të ishim aq trushpëlarë e pa dinjitet sa të mos reagonim me atë teatër absurd që ia kalonte edhe fantazive të Oruellit?! Por kjo është një çështje tjetër. Kthehemi tek tema që nisëm.

Pse u ndala tek kjo temë apo tek ky problem? Se të ashtuqauajturit “rilindas”, sidomos kreu i tyre, Rama e megafonët e tij të bezdisëshëm, sa herë diskutojnë nëpër portalet e shumta të Televizionit, duan të na mbushin mendjen se populli i votoi përsëri në këtë mandat të dytë nga që pati besim tek ata, edhe pse shumë reforma të tyre kërkuan e kërkojnë një kosto të lartë. A qëndron kjo? Jo vetëm që nuk qëndron por është një gënjeshtër aq e trashë sa mund ta thotë vetëm dikush që i trajton dëgjuesit si dele, edhe më keq se “Enveri ynë”. Këtë e kupton secili që njeh sadopak realitetin e sotëm shqiptar. Nuk e vlen të humbasim kohë për ta argumentuar këtë, se është e qartë si drita e diellit, por megjithtë le të ndalemi sadopak tek “fitorja” e Ramës në qershorin e kaluar.

Jo vetëm Opozita e një pjesë e mirë e analistëve kanë argumentuar bindshëm se ato qenë zgjedhje komplet të blera e të manipuluara, madje me paret e pista të drogës, por këtë e kanë pranuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, herë me gojën plot e herë me gjysëm zëri, sipas interesave të tyre. Ato, me të drejtë, janë konsideruar si zgjedhjet më të shëmtuara dhe më të papranueshme të pluralizmit, produkt i drogës dhe i krimit të organizuar, të bërë njësh me qeverinë dhe policinë e shtetit.

Por, për një moment, le ta zëmë se nga Rama e ekipi i tij u fituan normalisht. Sa ishte pjesëmarrja në zgjedhje? Më pak se gjysma e atyre që kishin të drejtë votimi. Sa votuan për të ashtuquajturit “rilindas”? Përsëri më pak se gjysma. Pra, Ramën e shpurrën e tij e kanë votuar gjysma e gjysmës së shqiptarëve që i bije më pak se çereku i popullit. Jo vetëm kaq, por sa e sa të tjerë nga ata që i dhanë votën, e bënë këtë për arsyen e thjeshtë se janë punonjës të administratës e nuk donin të rrezikonin vendin e punës. Hë, pra, a mund t’i biesh gjoksit për një fitore si kjo?

Parë nga një këndvështrim tjetër, zgjedhjet e kaluara ishin nga më të pamerituarat dhe për shumë faktorë të tjerë. Më shumë se fitore e “rilindasve”, ato ishin një dështim i turpshëm i opozitarëve, sidomos e kreut të tyre, Bashës. Me kompromiset e tij të papërligjura ai tërhoqi nga pjesëmarrja në zgjedhje qindra mijëra votues. Këtë e pranojnë tashmë jo vetëm kundërshtarët e tij por dhe ata që arritën të futen në Kuvend. E ashtuquajtura “qetësi” apo “zgjedhje të rregullta si asnjëherë tjetër, pa incidente e kundërshtime të dhunshme”, nuk qe gjë tjetër veçse indiferenca e imponuar e votuesve, tregues ky që nuk e nderon as opozitën dhe as ata që siguruan shumicën e pamerituar. Këto broçkolla mund t’i hajë ndonjë që nuk merr vesh nga pluralizmi e demokracia, por, të na e thonë ata që mbahen për specialistë, siç qe rasti me një ish-kryetar të KQZ-së, në një bisedë televizive, kjo është për të vënë duart në kokë, aq larg jemi nga sistemi që ëndërruam kur u ndamë nga diktatura e shkuar. Po të nisemi me kriterët që Rama e megafonët e tij, vlerësojnë zgjedhjet e qershorit, unë po e them me gojën plot se ato të Diktaturës qenë më të mirat e mundëshme se në to nuk kishte jo më dhunë e kundështime por as edhe një shprehje sado të vogël pakënaqësie, qoftë edhe për gjumin e ndërprerë më herët se zakonisht, se po të vonoheshe kishe pasoja.

Zgjedhjet e fundit dëshmuan edhe njëherë se, në vend që nga njera legjislaturë në tjetrën të ecim sado pak përpara, ne po bëjmë hapa mbrapa, paçka se ndërkombëtarët do përsërisnin si zakonisht refrenin e tyre bajat se “ato ishin përgjithësish të rregullta, me ndonjë përjashtim të vogël”. Ato qenë, as më shumë e as më pak, një zgjedhë e re në qafën e popullit tonë të shumëvuajtur që një Zot e di nëse do të marrë ndonjëherë frymë i lirë. Themi kështu se jo vetëm zgjedhjet e fundit por dhe ato para tyre, kanë lënë shumë për të dëshëruar. Lufta për pushtet tek ne ka qënë dhe është tepër e ashpër. Kam parasysh disa reportazhe nga zgjedhjet e mëparshme, si, fjala vjen, atë që publikoi A.Patozi, për “betejën” e Vorës: tek njiheshe me atmosferën që përshkruante ai, sikur të hynte frika dhe ty si lexues, mendo pastaj se si e kanë përjetuar atë situatë votuesit: nga çasti në çast të dukej se mund të kërciste pushka.

Është folur e po flitet aq shumë për këto probleme sa që të duket e kotë të shkruash e të flasësh për to. E keqja zë fill qysh tek Kodi Zgjedhor, vazhdon me propozimet e kandidatëve dhe finalizohet me proçesin e votimit. Duket e pabesueshme, por është realitet: të shkosh e të votosh për një person që ndofta nuk ia ke dëgjuar as emrin. Po nga ç’motive të nisesh që ta votosh atë? Nga fjalimet që mban e premtimet që jep? Ato nuk i ha më njeri. Ndaj them se duhet ndryshuar gjithçka me rrënjë, në të kundërt zgjedha e zgjedhjeve do të vazhdojë t’ua marrë frymën shqiptarëve edhe më tej. Tek ky realitet i hidhur e ka burimin ajo krekosje e Ramës për fitoren e sigurt edhe në zgjedhjet e ardhëshme. Unë e besoj këtë: ai, tani për tani, i ka mbyllur të gjitha shtigjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka krijuar tërë mekanizmat e nevojshme për t’i manipuluar apo blerë ato.

Nju York, 14 maj 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Andon Dede, apo Zgjedha e zgjedhjeve, Zgjedhjet si zgjedhë

AUTOCENSURA SI FORMA MË E PËRSOSUR E CENSURIMIT TË SHTYPIT

May 15, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli  /

Muajin që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, përfshirë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, në një përmbledhje të raportit mbi Shqipërinë, njoftoi se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin “Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.   Përsa i takon lirisë së shprehjes dhe të medias, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi më 20 prill se në raportin e DASH mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, thuhet se qeveria shqiptare në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimin e tyre tek media në mënyrë të papërshtatshme, duke cituar drejtë për drejtë raporin e DASH, në të cilin nënvijohet se,“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”, theksohet në raport.  Po ashtu, nënvijon VOA shqip, “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar”, dhe problem mbeti autocensura.

Shembulli më i fundit i autocensurës nga një numër i konsiderueshëm gazetash me rëndësi dhe portalesh në Republikën e Shqipërisë, ndodhi dy ditë më parë.  Kishte të bënte me lajmin mbi deklaratën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndërkohë që po fliste për Shqipërinë – para studentëve të huaj që studiojnë në Turqi – udhëheqsi turk u shpreh se është duke bërë përpjekje gjithnjë e më të avancuara, për të ndërhyrë në sistemin arsimor të Shqipërisë.  Deklaratën e Z. Erdogan, se “Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri”, shumë media shqiptare me të drejtë e cilësuan, fillimisht, si një deklaratë “bombë”, sepse e tillë ishte deklarata e tij, drejtuar një vendi të pavarur e sovran, siç është Shqipëria. “Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Heret a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje”, duke iu referuar lëvizjes “gylen”, që mban emrin e kundërshtarit të tij. “Çdo ditë ne avancojmë. Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore’, shtoi ai.

Se pse dy kundërshtarët politikë të Turqisë po zhvillojnë betejën e tyre, për jetë a vdekje dhe për influence, pikërisht në trojet shqiptare dhe pse lejohen të bëjnë një gjë e tillë, është përgjegjësi politike dhe kombëtare e udhëheqësve aktualë në Tiranë dhe në Prishtinë.  Pasi kishte deklaruar se Kosova është Turqi, tani Erdogani i është këthyer Shqipërisë, ku siç u shpreh ai, “Do marrim kontrollin”.

Ky është një subjekt tjetër, por ajo që desha të theksoj kësaj rradhe është mënyra se si fillimisht u njoftua lajmi që shumë media shqiptare e cilësuan si “bombë”, “tronditës” e të tjera. E lexova me shqetësim këtë lajm ashtu si edhe shumë lexues të tjerë, me disa prej të cilëve edhe komunikova.  Por, pas nja 2-3 orësh vura re se shumë gazeta dhe portale të rëndësishme shqiptare e kishin shlyer këtë lajm “bombë”, siç duket nën presion nga ente që veprojnë në interes të Turqisë dhe Z. Erdogan – ndoshta përfshirë edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë.  Thashë me vete, ja shembulli flagrant i autocensurës nga gazetat dhe gazetarët shqiptarë, ndaj ushtrimit të “presionit direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias”, në Shqipëri, siç thuhet në raportin vjetor të DASH mbi të drejtat e njeriut në botë.

Me përjashtim të gazetës Telegraf në Tiranë e cila e botoi të hënën njoftimin si lajm kryesor në faqen e parë, asnjë prej gazetave më të mëdha në Shqipëri nuk e kishte njoftuar këtë lajm në edicionet e të hënës, ndërkohë që mediat turke e kishin njoftuar lajmin, siç duket pa asnjë problem.  Veprimi i disa prej mediave shqiptare do të quhej në anglisht, si “selfcensorship in action”.  Shembull më të mirë dhe më aktual se ky, të autocensurës në veprim, nuk ka.

Thuhet se disa mediave të caktuara shqiptare iu bë presion ta shlyenin lajmin nga portalet e tyre duke u premtuar atyre fonde për reklama, nëqoftse do e tërhiqnin lajmin “bombë”, mbi deklaratën e Presidentit Erdogan para studentëve të huaj në Stamboll, se do “merrte kontrollin edhe në Shqipëri”.

Nuk e di nëse gazetat dhe gazetarët shqiptarë — që me këtë rast u dorëzuan para presioneve politike ose ekonomike – por të cilët jetojnë në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e lirë, nëse janë të vetdijshëm se një shoqëri nuk mund të ekzistojë gjatë si e tillë, pa një shtyp të lirë dhe pa ndërhyrje të influencave të mbrendëshme dhe të jashtëme.   Liria e shtypit është një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysëm të lirë, siç kategorizohet Shqipëria nga orgnaizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut.   Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet dhe të mbështetet, sidomos nga ndërhyrjet e influencave të huaja, siç është rasti i ditëve të fundit me lajmin mbi deklaratën e Erdoganit.  Mbrojtja e lirisë së shtypit nuk është vetëm e drejtë dhe obligim i autoriteteve qeveritare, por është njëkohsisht edhe përgjegjësi morale e gazetarëve individë dhe detyrim kombëtar dhe profesional i gazetarisë së lirë në përgjithësi.

Por, nëqoftse roli i shtypit të lirë mbrohet ndërkombtarisht, ndër të tjera, me qëllim për të ekspozuar pa drejtësitë, krimin dhe abuzimet nga ana e qeverive dhe zyrtarëve të tyre, atëherë gazetarëve kudo – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën — duhet tu sigurohet një mjedis pune ku të mund të veprojnë në gjëndje sigurie, në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa fyerje nga ata që — në të vërtetë — duhet të jenë mbrojtësit më të fortë të tyre dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi e që është alfa dhe omega e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.Autocensura e ushtruar nga disa gazeta dhe gazetarë, duke shlyer lajmin “bombë”, bazuar në deklaratën e fortë të Presidentit turk Erdogan se do “marrë kontrollin mbi Shqipërinë” — nga disa portale dhe gazeta më të njohura në vend, me disa përjashtime aty këtu — është një pikë e zezë mbi gazetarinë shqiptare dhe mbi ushtrimin e fjalës së lirë në atë vend.  Autocensura është forma më e keqe por edhe më e përsosur e censurimit të fjalës së lirë, sidomos kur ajo zbatohet nen presione politike dhe ekonomike, me urdhër të një fuqie ose autokrati të huaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Autocensura, FrankShkreli, shtypi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT