• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

GAZETARIA, NJË PROFESION I RREZIKSHËM

May 30, 2018 by dgreca

Dhunohet gazetari shqiptar/

Nga Frank Shkreli/

Gazetarët nuk janë ushtarë as policë.  Ushtrimi i gazetarisë mbetet një profesion i rrezikshëm në shumë vende të botës.  Por, mbrojtja e fjalës së lirë dhe e gazetarëve në krye të ushtrimit të detyrës së tyre është thelbi i lirisë së shtypit dhe i lirisë së fjalës. Fatkeqsisht, vrasjet dhe sulmet kundër gazetarëve, sa vinë e shtohen kohët e fundit, anë e mbanë botës.

Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ç’prej vitit 1992, më shumë se 1304 gazetarë janë vrarë anë e mbanë botës. Për më tepër, një statistikë e hidhtë është se 86 për qind e këtyre vrasjeve regjistrohen si të pa ndëshkuara, dmth. askush nuk është dënuar dhe askush nuk është identifikua si përgjegjës për vrasjen e këtyre gazetarëve.  Me keqardhje duhet shënuar se vrasjet, sulmet dhe kërcënimet kundër gazetarëve s’kanë të ndalur, përkundrazi, janë në rritje e sipër, anë e mbanë botës. Vetëm deri tani këtë vit, janë vrarë gjithsejt 27 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Fatkeqsisht, një ndër sulmet e fundit sivjet kundër një gazetari është shënuar, javën që kaloi, edhe në Shqipëri gjatë protestës të opozitës në bulevardin kryesor të Tiranës të shtunën më 26 Maj.  Fjala është për sulmin kundër Kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmin, i cili – sipas medias – mbeti i përgjakur nga dhuna e përdorur nga policia kundër tij.  Sulmi policor kundër gazetarit shqiptar tërhoqi dënimin, ndër të tjera, të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, “Reporterët pa kufi”, si dhe të organizatës vendase, të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, e cila u shpreh se dhuna ndaj një gazetari është e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë.  Ndërkaq, protesta e opozitës, gjatë të cilës u regjistrua sulmi kundër gazetarit të Rilindjes Demokratike, natyrisht tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, megjithse Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez, France 24, e ka quajtur protestën e opozitës si “një çështje e brendshme e vendit, që nuk duhet të zërë faqet e para të mediave ndërkombëtare”.

Një protestë e opozitës, në cilin do vend qoftë, mund ose nuk mund të tërheq vëmendjen e të zëjë faqet e para të gazetave ndërkombëtare, por kur një gazetar përgjaket si përfundim i një sulmi të policisë kundër tij, gjatë një proteste të tillë siç ishte ajo në Tiranë, javën e shkuar– atëherë, do e s’do Kryeministri, ngjarja bëhet lajm ndërkombëtar.  Për më tepër, në çerekun e parë të shekullit 21 — falë botës digjitale në të cilën jetojmë — asgjë nuk mund të mbrohet më nga as të fshihet nga mbulimi i medias ndërkombëtare, ose të konsiderohet vetëm si një çështje e mbrendshme e një vendi.  Këto janë sot standardet e pranuara ndërkombëtarisht. Ka kaluar koha e ankesave për “mospërzierje në punët e mbrendshme” të një vendi ose një tjetri.  Ishte kjo një frazë e preferuar që përdorej dikur nga ish-udhëheqsit komunistë dhe diktatorë të gjitha ngjyrave, për të justifikuar krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj popujve të vet, e që përdoret edhe sot nga udhëheqës autoritarë të tipit Putin, Erdogan e të tjerë, kur kritikohen nga orgnaizata ndërkombëtare, ose qeveri të ndryshme, për sjelljet e tyre autoritare, sidomos në lidhje me shkeljet që i bëjnë lirisë së fjalës dhe mënyrës se si trajtojnë gazetarët në veçanti.

Ndërkaq, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bashkohet   organizatës ndërkombëtare,“Reporterët pa kufij”, që mbron gazetarët kudo në botë, duke kërkuar nga Kryeministri Edi Rama, që të dënojë publikisht përdorimin e dhunës kundë gazetarit Kasmi, javën e kaluar, nga policia e shtetit, duke shtuar se, “Ne vlerësojmë se dhuna ndaj një gazetari, që kishte me vete vetëm një celular, është e papranueshme dhe duhet dënuar”, thekson deklarata e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, ndërsa i urojnë atij shërim të shpejtë.

Ndërkaq, në raportin e fundit të organizatës Freedom House thuhet se liria e medies po përballet me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha si dhe në shtetet tradicionalisht shtypëse ndaj lirisë së fjalës. “Udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin”, citohet nga VOA Shqip, Michael J. Abramowitz, president i Freedom House. “Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik, po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”, citohet të ketë thënë Z. Abramowitz, në raportin e botuar muajin që kaloi nga organizata Freedom House.

Liria e medies po përballet me trysni anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, ndërkohë që gazetarët veprojnë dhe ushtrojnë detyrën e tyre në një mjedis gjithnjë e më armiqësor.  Është detyrë e të gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë liritë bazë të njeriut – përfshirë lirinë e shtypit — duke filluar nga autoritetet qeveritare e deri tek organizatat që mbrojnë gazetarët dhe të drejtat e njeriut, si dhe shoqëria civile dhe shoqëria në përgjithësi, që të mbrojnë dhe të sigurojnë lirinë e fjalës me qëllim për të bërë të mundur një debat publik të hapur, si dhe shpërndarjen e lirë të informacionit, pa kërcënime dhe pa sulme ndaj gazetarëve.  Gazetarët nuk janë ushtarë as policë.  Megjithëse është thënë se pena është më e fuqishme se shpata, celulari, kamera dhe pena e gazetarit nuk janë armë zjarri për tu sulmuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, GAZETARIA, PROFESION I RREZIKSHËM

SOT- VATRA, TAKIM ME Z. SIMON MIRAKAJ- 4 QERSHOR

May 30, 2018 by dgreca

– VATRA, TAKIM ME Z. SIMON MIRAKAJ,ANËTAR I AUTORITETIT PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT-/

1 ok salle1 simon

-FTOHET KOMUNITETI DHE TË INTERESUARIT PËR MARRJEN E FORMULARËVE PËR APLIKIM PËR DOSJET E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT, QË TË BËHEN PJESË E KËTIJ TAKIMI-/

         Njoftohet Komuniteti Shqiptar në NY dhe rrethina se Vatra do të organizojë një takim me z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit Për Informimin Mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, ditën e Hënë, 4 Qershor 2018, ora 6 e 30 PM në Selinë e Vatrës, që ndodhet në adresën:

2437 Southern BLVD

Bronx, NY, 10458

     Përvec Kryesisë dhe anëtarëve të Këshillit të Vatrës  janë të ftuar edhe të interesuarit për Dosjet e ish Sigurimit të shtetit komunist. Z. Mirakaj do të sjellë formularët zyrtar që të intersuarit mund të bëjnë aplikmet për të siguruar Dosjet e tyre.

Takimi është i hapur.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Simon Mirakaj, Takim ne Vater

Hakmarrja

May 30, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Hakmarrja vjen në mënyra të ndryshme, si ndëshkim, dënim, dëmtim i hapur ose i heshtur, i fshehur, dëshirë e hidhur për të lënduar një tjetër për një të keqe të bërë, ose nga smira a zilia për atë që tjetri ka bërë e bën, por ai nuk është në gjendje ta bëjë nga paaftësia ose nga frika. Hakmarrja edhe trashëgohet, fshihet thellë deri në gjen. Shumë nga komunistët e djeshëm a bijtë e tyre intelektualë, sot në poste drejtuese, e kanë bërë hakmarrjen armë kundër armiqve të prindërve të tyre. Për ‘ta lufta e klasave gjenetikisht vazhdon. Dhe këtë e kryejnë në heshtje, fshehurazi, por me sukses. Hakmarrja e tyre ndaj çdo gjëje që u rikujton humbjen e privilegjeve të dikurëshme, në çdo kohë, në çdo vend, nën çfarëdo pretendimi, gjithmonë ka qenë, është  dhe do të jetë zgjidhja e fundit për të rimarrë pushtetin a sunduar. Ata drejtojnë e qeverisin autokratisht sepse duan të hakmerren, dhe duke i trajtuar njerëzit si plaçkë, e përmbushin qëllimin, këtë herë, gjoja se mbrojnë “padronin” e ri, a kapitalizmin.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, Hakmarrja

GRAFOMANËT E HISTORISË QË KUNDËRMON

May 30, 2018 by dgreca

1 malsoret egzekNga KOLEC TRABOINI/ Nëntë burra malësorë katolikë, Nikoll Toma, Zef Teli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjek Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci (ky i fundit nga Hoti) u ekzekutuan me urdhër e firmë të Enver Hoxhës me 19 mars 1945 pa mbushur as 4 muaj nga dita e pushtimit të Shqipërisë nga bishat e kuqe të komunizmit. Seç është një historian nga familja politike e Enver Hoxhës, i përkëdheluri i pushtetit të djeshëm e beniamin i politikanëve-pushtetarë të sotëm, që po na ngjall nostalgji për fantazmat e vjetra të Luftës ku ende tregohen histori me partizanë me virtyte të larta e nacionalistë që hanin pula të pjekura, ani pse ka mbetur fotografia ku Mehmet Shehu me jugosllavët e Brigadës se Parë partizane piqnin jo pula por dhen e dhi  në hell. Dy fjalë do tu thosha atyre të cilët vërtetë kanë para e pushtet disi si shumë, por trutë nuk i kanë në vend të mirë e që nxisin të tillë marrokë grafomanë të historisë. Pa le kur mburremi me fjalime poshtë e lart se ne i kemi shpëtuar izraelitet gjatë luftës. Por ata që i mbrojtën izraelitët gjatë luftës ishin njerëz të thjeshtë. Nuk ishin politikanë.  Nuk kishin dalë as në mal e nuk luftonin as të zhytur në lluce e në moçal. Por tani ata që mbajnë fjalime shpëtimtare deri ne OKB janë bijtë e baballarëve, të cilët kanë një histori krejt tjetër nga ajo që tregojnë me izraelitet. Le të sillemi e vërtitemi si e ku të duam, diellin me shoshe nuk e mbulojmë dot. E kemi vrarë njeri-tjetrin me shumë pasion e egërsi sa mund të thuhet pa droje se më shumë janë të vrarët prej njeri-tjetrit se sa kanë rënë në luftën heroike, legjendare, përrallore, gjëmimtare e tra la-la të tjera me  spekulime politike, se sa në beteja  me pushtuesit. Tani kujt i pickon e vërteta në vend të keq, le të hidhet sa të dojë. Mbase kjo kruarje e spërdredhje u ndihmon të qetësohen e ta shohin historinë me kthjelltësi.  Ajo çfarë ngjau më pas ishte vazhdimësi e kësaj katrahurë, pikërisht shfrimi i fitimtarit mbi të mundurin. Fitimtar ishte shqiptari dhe i munduri po shqiptari se pushtuesit kishin ikur. Veç me pakëz dallim, tërë zjarri e hekuri i armëve, plumbat e baruti, torturat e macja me gra në thes, u përqendruan në Veri, apo, ndoshta do të na thoni se Toger Baba (Hodo Habibi e kish emrin mizori dhe mjerisht ishte nga Kurveleshi i traditave të mira e atdhetare) nuk ka ekzistuar kurrë. Emrin e tij nga defterët e historianët pehlivanë mund ta shuajnë por kujtesën popullore mbi mizoritë ndaj malësorëve kurrë. Lufta civile gjatë Antifashistes( gjëmimtare e gjëmëtarë se bashku) siç kishte nisur u bitis zi e ma zi pas lufte. Këtu keni një firme të Enver Hoxhës, dokument origjinal, ku urdhëron ekzekutimin e këtyre nëntë burrave, Nikoll Toma, Zef Teli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjek Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci. Të gjithë malësorë, të gjithë katolikë dhe i fundit në rend ka qenë vëllai i Nunit tim, Palok Uci, nga Hoti, që u pushkatua në moshën pak më shumë se 20 vjeçare. Vite me vone, pasi bëri burg politik, Nuni im Prenk Uci bëri vetëvrasje. Solla një shëmbull, por Malësia e Shkodra janë mbytur në gjak. Nuk e dimë pse nuk e kanë shkruar e si do ta përballojnë historianët e vërtetë këtë epokë tragjike të historisë sonë qe nuk guxojmë ta harrojmë. Po ja që ka ndonjë historian përdredhan që ka paturpësinë të thotë ne bisedat televizive se, Tepelena ku dërgonin gratë e fëmijët, pleq e plaka malësore të familjeve të arratisurve apo kundërshtarëve të regjimit nga Malësia e Madhe, paska qenë thjeshtë një kamp internimi pa ndonjë trajtim të ashpër, kur atje i linin pa shtresë e mbulesë e të vdisnin për bukë. E mohon mizorinë e diktaturës komuniste, mirë kur nuk thotë se Tepelena në vitet 50 të shekullit të kaluar nën diktaturë ka qenë si konvaleshenca në Durrës ku shullëheshin në diell derrat e byrosë politike e kuadrot e tjera të lartë të nomenklaturës së Partisë së Punës. Për ata që i glorifikojnë trimëritë bëmë-gjëma të komunistëve do të thosha, shkruajeni historinë si të doni, me lule a tullumbace, i hidhni parfum me shumicë, pa harruar të hani fara lule dielli kur ta shkruani, por, seç i vjen një erë, more vëllezër e motra,….kundërmon!

Filed Under: Analiza Tagged With: Grafomanet, Historise, Kolec Traboini

“Populizmi”, nji hap në rrugën drejt “fashizmit”

May 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212 Nga  Sami Repishti, Ph.D./

Në nji Editorial “Cili ashtë problemi i Europës?“(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, Profesor Paul Krugman, i Universitetit Princeton, shkruente:  ”Në se ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë pa dyshim do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive të cilat sollën diktaturat, gjenocidin, dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë, dhe të properitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.

Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin 19. Në Britaninë e Madhe. legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re e tronditun nga luftat e vazhdueshme përforcoi pozitat e kujdesit shëndetsor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore, dhe pruni paqën, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.

Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane, dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J.Trump.

Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashket, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin. Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen. Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue çvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin.

Ramja ekonomike, dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithëshme popullore, dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë anti-europiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “cinque stelle”) në Poloni, ku Partia Ligjë e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”. Në Rumani udhëheqsit kanë dobësue ligjët kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë.

Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “sherimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”,- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo spjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”. Si rrjedhim, thyhet uniteti europian, dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…!

Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këte zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka nderperë, ne fashizëm”. Edhe në SHBA –shkruen nobelisti Krugman- “sot praktikisht sundohemi nga nji parti politike që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pa sprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me kushtetutën – qendrime që përfundojnë në neo-fashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike, dhe nga dalja e vrullëshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!

******

‘Fashizmi”, përshkruhet nga Profesor N.O’Sullivan si“….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale, dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’i nënshtrohet (kërkesave) të shtetit, e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit….Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar.” (“Fascism”, London,1983)

Preokupimi i jonë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumullohet për rreth nesh. Parasiti “fashist” sot paraqitet nepërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetësuese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se.

Por edhe në SHBA fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike. Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vertetë nji kërcënim serioz për paqën në botë, dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.

Në Federatën Ruse despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumëta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri, dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot. Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull.

Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjët e reja të emigracionit, dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qellimshëm ose aksidental.

Në ballafaqim me këte “rrezik” publiku përparimtar amerikan përdorë mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri –tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesëmarrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare.

Ky qendrim përjashton aksionin e dhunëshëm!

Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi. Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinët ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithëshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë, dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!

*****

Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria as Polonia nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qendrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qendrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha. Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen” me citue nji shprehje të Masha Gessen.

Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqsoi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qellim-mirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjsisë, e pa aftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend…në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të nderëshme dhe argumentime profesionale nga të dy palët. Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometueme randë me “pasunimin” e saj nga elementë neo-komunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS.

Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunësia dërmuese sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (qe ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent, dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza, ose të kuqe” me mendimet  e qellimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!

Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë, dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: ”Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”.

Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemrimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumëta nga të katër anët e vendit. Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohëshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqiperi.

Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perendimore, dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore.

Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E. Macron na ngrohë, sidomos në këto ditë  kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet. Le ta presim me krahë hapët.:

“Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë…Po! Ashtë e vertetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi i jonë ma i mirë.”

Europa ashtë shtëpia e jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona se ata që as ndërtuen shtetin as institucionet tona që akoma sot nuk funksionojnë?

Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë.

Filed Under: Histori Tagged With: Europa, Ph.D, Populizmi, Sami repishti, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT