• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

Diskursi kulturor- KULTURA GJITHNJË PA QASJE MBARËKOMBËTARE

July 13, 2018 by dgreca

Nënshkrimi i kalendarit  kulturor Shqipëri-Kosovë  për vitin 2018 për të pestën herë, paraqet  vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare. Organizmi i veprimtarive të tilla kulturore mundëson   prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj   veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi. Por, edhe ky  kalendar si ato   të  mëparshmit ka defekte, sepse janë anashkaluar shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës e diasporë  që nuk është në favor të integrimit kulturor mbarëkombëtarë që është synim i kauzës sonë kombëtare.

1 Nail Draga

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara njoftuan se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2018. Kështu  në Prizren në ambientet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, nënshkruan Protokollin  e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.

Përmes këtij akti, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktivitete, i cili është i bazuar në “Deklaraten e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik  ndermjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014..

Bëhët më dijes se në sajë të kalendarit të përbashkët kulturor do të realizohën aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin  e trashëgimisë dhe trajnime dhe edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit, ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahët festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen  shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në fushën e filmit do te jepen premierat e pesë filmave.Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë në Shqipëri.Këto aktivitete  do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimi i  Protokollit paraqet një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare duke e konsideruar si nxitje për veprimtari të tjera në nivel mbarëkombëtarë, ku kultura duhet të jetë model për të tashmën dhe të ardhmen.Organizmi i veprimtarive të tilla kulturore mundëson   prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj   veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi.Andaj,  një akt i  tillë është për t’u përshëndetur, sepse është në favor të bashkëpunimit ndërshtetëror në përgjithësi dhe integrimit kulturor mabarëkombëtar në veçanti.

Anashkalimi i shqiptarëve në Mal të Zi

Por, me të drejt bëhët pyetja ku janë shqiptarët në Mal të Zi,Luginë të Preshevës e Maqedoni, dhe pse ata nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje?  Mungesa e qasjes së tillë  edhe për keto mjedise shqiptare, del qartë se kjo marrëveshje është e mangët dhe nuk mund të gezojë epitetin e sintagmës mbarëkombëtare. Por, pse ka munguar një qasje  e tillë nga ministritë përkatëse nga Tirana e Prishtina, përgjigja duhet të jepet pikërisht nga këta dy adresa.

Mendoj se është dashur në mënyrë taksative të shënohen obligimet në kalendarin kulturor, në rastin konkret  edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu shfaqje të ndryshme nga teatri,  ansamblet muzikore, apo ekspozitat e ndryshme artistike do të ishin të obligueshme të paraqiten para  shqiptarëve në Mal të Zi.

Në Ulqin si kryeqendra e shqiptarëve në Mal të Zi,  gjatë verës organizohen veprimtari  të ndryshme  kulturore  në mes tjerash siç janë: “Panairi i librit”, Festivali “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”, ku të ftuar vazhdimisht  kanë marrë pjesë  trupa teatrale nga Shqipëria e Kosova, por edhe piktor dhe grupe të ndryshme muzikore, kryesisht në sajë të takimeve individuale apo të subjektëve të ndryshme kulturore por jo me institucionet qeveritare.

Duket ndoshta paradoksale por me sa jam i informuar deri me tash nuk ka ekzistuar ndonjë interesim  nga  institucionët përkatëse për ndonjë takim për çështje të tilla as nga Prishtina apo Tirana, nga del se shqiptarët në Mal të Zi thënë më së buti janë  anashkaluar vazhdimisht. Duhet thënë së takimet për çështje të tilla ishin kryesisht  individuale  jashtë institucioneve apo ministrive përkatëse, pra me subjektet e ndryshme kulturore apo nga  shoqëria civile, që kanë treguar interesim dhe gadishmëri  për pjesëmarrje ne veprimtaritë kulturore në Ulqin.

Qasje jo serioze apo mungesë e vullnetit politik

Duke marrë parasysh se  në të kaluarën në sajë të rrethanave shoqërore të kohës, ka qenë e pamundur një angazhim konkret në ketë drejtim,  tash në pluralizëm, pesha bie mbi institucionet  përkatëse  ne lidhje me  bashkëpunimin  ne ketë drejtim.

Andaj, mendoj se ka ardhur koha për  angazhim konkret ne ketë aspekt, sepse intergrimin kulturor nuk do të na bëjnë të tjerët. Inicues të kësaj çështjeje duhet të jetë Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, sepse një veprim i tillë është obligim profesional dhe kombëtar sepse  është i mbeshtetur edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Anashkalimi nga kalendari kulturor  i   shqiptarëve  në Mal të Zi, Maqedoni dhe në  Luginë  të Preshevës dhe ato në diasporë, ndoshta nuk është bërë me qellim, por mungesa e kësaj hapësire kulturore ne kalendarin kulturor të publikuar me 18 qershor

2018 nuk arsyetohet më asgjë.

Andaj ka ardhur koha për një reflektim tjetër  e ate fillimisht në institucionet përkatëse si në Tiranë dhe në Prishtinë, sepse  nëse nuk angazhohemi vet në ketë drejtim punët tona nuk do të na i kryejnë të tjerët. Ndërsa qasja formale në këtë drejtim  thënë më së buti dëshmon joseriozitet profesional të titullarëve në institucionet përkatëse. Sepse, integrimi kulturor mbarëkombëtarë duhet të jetë mision parësor për ministritë përkatëse dhe institucionet shtetërore, ku me një koordinim të veprimeve nuk do të mungojnë as rezultatet konkrete, por fillimisht duhet të ndryshojë qasja dhe mentaliteti i personave përgjegjës në institucionet përkatëse.

Ndërsa deklarata  e ministrave se kalendari është i hapur dhe do të përfshihen te gjitha vendet ku ka shqiptarë, e vlerësojmë si deklaratë te rastit  e asgjë më shumë, sepse po të kishte ekzistuar qasje serioze dhe vullneti politik i pushtetëve, çështja e integrimit kulturor mbarëkombëtar do të kishte  përmasa tjera.

Drejtoria e veprimtarive kulturore mbarëkombëtare kërkesë e kohës

Në lidhje më integrimin kulturor mbarëkombëtar vite më parë kam propozuar që në favor të avancimit të integrimit kulturor është i nevojshëm të themelohet një subjekt i veçantë në kuadër të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Mendoj se subjekti duhet të emërtohej Drejtoria e veprimtarive kulturore mbarëkombëtare, që do të ishte përgjegjëse për veprimtaritë kulturore me karakter mbarëkombëtar.

Subjekti i tillë do të përfaqësohej nga individë kompetentë, që janë dëshmuar me punën e tyre profesionale. Nuk do të thotë se një subjekt i tillë të mos ekzistojë edhe në Prishtinë në kuadër të Ministrisë së Kulturës pranë Qeverisë së Kosovës, por Shqipëria duhet të jetë model për të tjerët, sepse ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve.
Një subjekt i tillë nuk duhet të jetë sa për formë, sepse të tillë ekzistojnë mjaft, por të jetë i veçantë dhe të dallohet me projekte të realizuara në mënyrë praktike.
Vetëm në këtë formë të impenjimit do të bëhet ndarja nga e kaluara, e cila në këtë aspekt ka qenë jo e favorshme dhe në kundërshtim flagrant të identitetit kulturor mbarëkombëtar.
Drejtoria përkatëse  do të bashkëpunonte  me subjektët kulturore nga hapësira mbarëkombëtare nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës e në diasporë, duke përgatitur program pune nga profesionistë të fushave të ndryshme.

Vetëm në këtë formë të organizimit  dhe me mbeshtetje financiare  nga Qeveritë e të dy vendeve tona mund të realizohet në praktikë integrimi kulturor mbarëkombëtar, që është synim i kauzës  sonë kombëtare.

(Korrik, 2018)

Filed Under: Politike Tagged With: Diskursi kulturor, DR. NAIL DRAGA, Pa qasje Kombetare

Mogherini thërret në Bruksel Udhëheqësit e Kosovës

July 13, 2018 by dgreca

Presidenti Hashim Thaci, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, takim me Federica Mogherini/

1 Thaci-Haradinaj-Vesell.jpg

PRISHTINË, 13 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/

 Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës sot pasdite u dërgua per Diellin  kjo komunikatë: Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Frederica Mogherini në Bruksel.

Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i konfirmojnë znj. Mogherini përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Bruksel, Moherini, takim me Udheheqesit e Kosoves

Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut

July 13, 2018 by dgreca

-Edhe nga shtetet e tjera, si Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia, është vlerësuar e domosdoshme që edhe Kosova të lëviz me tutje dhe organizata nga A5 të bëhet në A6/

1 Kosova K Adriatikut.JPG

-Zëvendëskryeministri i Kosovës Hoxhaj flet për suksesin e FSK-së dhe nevojën për tranzicion drejt një ushtrie në takimin me shtetet fqinje (A5) dhe Sekretarin amerikan, James Mattis/

 ZAGREB, 13 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në takimin e veçantë SHBA-Karta e Adriatikut në Zagreb, ku i pranishëm për herë të parë është edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.  Në fjalimin e tij, Hoxhaj ka kërkuar para Sekretarit Mattis dhe shteteve anëtare që Kosova të bëhet me ushtri, meqë është gati dhe plotëson të gjitha parametrat për ta fituar të drejtën e një ushtrie të mirëfilltë.
“Është e rëndësishme ta theksoj këtu se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për t’u transformuar në një forcë ushtarake tradicionale me mandat të mbrojtjes territoriale. Është e drejtë e jona sovrane për ta ndërmarrë këtë veprim. Është një proces i ngritjes dhe përgatitjes profesionale të FSK-së prej fillimit nga NATO dhe shtetet partnere.  Megjithatë, ky proces është në limbo në vitet e fundit. Kosova është shteti i vetëm në Ballkan dhe në Evropë që nuk ka një ushtri për shkak të pengesave të jashtme për ta përmbyllur tranzicionin”, ka thënë Hoxhaj.  Ai ka fajësuar Serbinë për bllokadën politike duke i keqpërdorur deputetët serbë, megjithëse ka paralajmëruar fillimin e procesit të transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura.
“Arsyet e bllokadës janë politike. Serbia po përpiqet ta minoj shtetësinë e Kosovës duke e penguar tranzicionin e FSK-së. Ata përmes deputetëve serb po përpiqen t’i bllokojnë ndryshimet kushtetuese. Së fundi, ata kanë nisur një fushatë të frikësimit dhe arrestimit të pjesëtarëve serb të FSK-së duke e quar numrin në 50 prej tyre që janë larguar. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të lejojmë të prishet karakteri shumëetnik i FSK-së që ka rreth 12% minoritete, më shumë se çdo shtet në rajon. Megjithatë, kjo sjellje e Serbisë nuk është asgjë e re për ne, sepse njëjtë është përpjekur edhe në të kaluarën ta pengojë pavarësinë tonë dhe t’i luftoj forcat aleate të NATO-së. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë këtë përcaktim, ta themelojmë ushtrinë tonë duke i ndryshuar ligjet e nevojshme të Kosovës në respektim të Kushtetutës. Koha është tani. I nderuari Sekretar, ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj që ta përmbyllim këtë proces”, ka thënë Hoxhaj.  Po ashtu, Hoxhaj ka kërkuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut, meqë për disa vite është vetëm si shtet anëtar vëzhgues. Kjo temë, e ngritur edhe nga shtetet e tjera, si Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia, është vlerësuar e domosdoshme që edhe Kosova të lëviz me tutje dhe organizata nga A5 të bëhet në A6.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mattis për herrë të parë po e viziton Ballkanin, duke marrë pjesë në këtë takim të veçantë SHBA-Karta e Adriatikut.Gjatë ditës, Hoxhaj i cili po shoqërohet edhe nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, pritet të takohet shkurt me Sekretarin Mattis./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Karta e Adriatikut, kosova, zv/Kryeministri Hoxhaj

Rikonfirmimi i strategjise transatlantike dhe një sinjal për Ballkanin

July 13, 2018 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/

Përpara disa javësh shkruajta për samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë protagonistët dhe vëzhguesit e jashtëm ranë dakord se samiti ishte një takim miqësor, i mbushur me rrahje shpatullash dhe deklarata inkurajuese dhe se rezultoi në një asgjë të madhe. Përtej fasadës së një takimi të ngrohtë dhe miqësor ishte një samit i dështuar që nuk solli asnjë gjë konkrete dhe pozitive për pjesëmarrësit. Nga ana tjetër, këtë javë kishim samitin e Organizatës së Traktatit të Aleancës së Veriut në Bruksel. Një takim i mbushur me përplasje dhe fërkime intensive ndërmjet vendeve anëtare, por që tregoi se mungesa e fasadës së bukur ndonjëherë, për të mos thënë shpesherë, nuk do të të thotë mungesë substance.

Fasada e samitit u prish nga paraqitja dhe kërkesat e shtruara nga Presidenti Trump ndaj vendeve të tjera të NATO-s për të arritur normat e rekomanduara të shpenzimeve për mbrojtjen. Deklaratat e tij u panë nga shumë komentues si deklarata të cilat vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e aleancës. Trump përgjithësisht nuk ka një retorikë shumë orthodokse. Dhe ai nuk e ndryshoi këtë retorikë as në qasjen ndaj aleatëve të NATO-s teksa i kritikoi gjerësisht ata. Kanali dhe shprehia e komunikimit që Trump zgjodhi për të adoptuar janë të debatueshme, por mesazhi që ai përçoi ishte tejet i kalibruar. Më shumë se aq, ishte një përpjekje për ta fuqizuar aleancën.

Në vitin 2014 në samitin e Uellsit vendet anëtare të NATO-s vendosën që deri në vitin 2024 çdo shtet duhet të akordojë minimalisht 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Përveçse ishte një vendim unanim, deklarata e samitit të Uellsit krijonte një blueprint për forcimin e aleancës me qëllim përballimin e sfidave të mëdha gjeopolitike dhe garantimin e sigurisë së të gjitha vendeve anëtare.

Nuk duhet të jesh një gjeni ushtarak për të kuptuar se plotësimi i kritereve të dakordësuara është një garanci në të mirë të sigurisë. Vazhdimësia e aleancës është e një rëndësie strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për vendet europiane dhe plotësimi i obligimeve të shpenzimeve për mbrojtjen është gurthemeli i ruajtjes së vazhdimësisë. Pikërisht për këtë arsye, të gjitha supozimet se Trump po vë në dyshim ekzistencën e aleancës nëpërmjet presionit dhe sjelljes agresive ndaj vendeve aleate dështojnë në analizimin e motiveve reale për insistimin në arritjen e normave të caktuara. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Përmbushja e kritereve forcon aleancën dhe dekurajon aktivitetet agresive nga aktorë malinjë.

Kërkesa e SHBA ndaj vendeve të tjera anëtare të aleancës për të rritur shpenzimet respektive e ka gjenezën që në administratën e Presidentit Bush. Ishte Presidenti Obama që loboi fuqimisht për të konkretizuar premtimet në shpenzimet për mbrojtjen me objektiva të qarta që duheshin arritur nga të gjithë pjesëtarët. Këmbëngulja e administratës së tanishme amerikane për t’i arritur ato objektiva është një kontinuitet i nevojshëm për të garantuar të ardhmen.

Përtej rikonfirmimit të angazhimit amerikan për sigurinë e përbashkët, samiti i Brukselit dha dhe një sinjal tjetër shumë inkurajues. Me kushtin e implementimit të marrëveshjes së arritur me Greqinë në lidhje me emrin, Maqedonia u ftua zyrtarisht për të hyrë në aleancë dhe për t’u bërë së shpejti anëtari i tridhjetë i NATO-s.

Përveçse një lajm tejet pozitiv për vendet e Ballkanit, ftesa e kushtëzuar për Maqedoninë është dhe një shenjë se aleanca nuk heziton zgjerimin. Hyrja e Maqedonisë në NATO konsolidon prezencën e aleancës në rajon. Tashmë të vetmet vende që mbeten jashtë janë Kosova, për shkak të kushteve specifike që ka, Serbia dhe Bosnja që mbahet peng nga konstrukti kushtetues që lejon krijimin e bllokimeve nga influenca ruse dhe serbe. Reagimi i ministrisë së jashtme ruse që e kundërshtoi ftesën për Maqedoninë duke argumentuar se “vendi po thithej me forcë në NATO” flet shumë për rëndësinë gjeostrategjike të kësaj nisme.

Samiti i Brukselit nuk kishte vetëm përqafime dhe buzëqeshje, por kjo nuk e bëri më pak produktiv. Ky takim rezultoi të ishte tejet substancial si në ravijëzimin e përkushtimit financiar të të gjitha vendeve anëtare në çështjet e sigurisë së përbashkët, ashtu edhe në orientimin strategjik të aleancës. Sigurisht që tani nevojiten hapa konkretë në implementimin e piketave të vendosura gjatë samitit, por është padyshim në interesin e të gjitha vendeve anëtare që t’i përmbushin objektivat dhe të investojnë për një aleancë transatlantike sa më solide dhe të gatshme për të përballuar sfidat e të ardhmes.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, sinjal per Ballkanin, strategjia transatlantike

Shaqiri nënshkruan për Liverpool

July 13, 2018 by dgreca

Liverpooli ka arritur marrëveshjen me sulmuesin shqiptar Xherdan Shaqiri. Kontrata është 13.75 milion funta/

xherdan-shaqiri-liverpool-406x396

Liverpooli ka arritur marrëveshjen me sulmuesin shqiptar Xherdan Shaqiri, shkruan albinfo.ch. Kontrata është 13.75 milion funta, ndërsa kontrolli mjekësor do kryhet të premten. Kjo është prurja e tretë për të kuqtë, ndërsa Shaqiri nënshkruan gjithashtu për herë të tretë me një klub të madh pas Bajern Mynih dhe Inter Milan. Lajmi konfirmohet edhe nga një sërë mediash britanike.

Tashmë shqiptaro-zvicerani mund të shpresojë Champions League dhe do ketë në krah njërin ndër sulmuesit më të mirë të botës: Muhamed Salah.(Albinfo.ch)

Filed Under: Sport Tagged With: për Liverpool, Shaqiri nënshkruan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT