• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Kosovë-Kuvendi votoi Pakon e tre projektligjeve drejt Ushtrisë

October 18, 2018 by dgreca

-Pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim u miratuan tre Projektligjet – për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës/

1 Kuvend Kos1 FSK ok1 FSK-ja marshon1 parakalim-FSK-11 Pentago.JPG

-Sot, gjatë debatit, vetëm grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në Ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, që po vijon/

-Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pasluftës/

4Haradinaj FSK

-KRYEMINISTRI HARADINAJ: FSK, NË MANDAT USHTARAK DHE MBROJTËS/

1 Behlul Kuvend

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 18 Tetor 2018/ Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes u miratua pro me 101 vota pak më parë unanimisht nga të gjithë deputetët e pranishëm në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh. Poashtu, pa asnjë kundër e asnjë abstenim u miratua me 98 vota Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa me 96 vota Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pas votimit sot në parim, tre projektligjet shkojnë në shqyrtim të dytë, ku poashtu paralajmërohet votim pro.

Në Kuvendin e Kosovës,  Pakoja e tre projektligjeve drejt Ushtrisë së Kosovës u shqyrtua e miratua nw parim sot në një seancë plenare me 46 pika në axhendën e përcaktuar në 15 Tetor në mbledhjen e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare.

Këto tre projektligje, që ishin pikat 10, 11 e 12, gjatë diskutimit të axhendës e votimit me shumicë kaluan në renditje 4, 5 e 6, me kërkesën e grupit më të madh parlamentar – të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është në opozitë.

Tre pikat e para ishin koha për deklarime jashtë rendit të ditës, koha për pyetje parlamentare dhe miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.

Gjatë debatit, grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, që po vijon.

Tre Projektligjet – për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës u diskutuan në shqyrtim të parë në seancë plenare, pasi në 3 Tetor u votuan me shumicë në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë.

Komisioni përkrahu projektligjet dhe i rekomandoi seancës miratimin e tyre në parim. Deputetë të maxhorancës e opozitës paralajmëruan  votën pro të grupeve të tyre parlamentare edhe në seanca plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa kundër ishte vetëm përfaqësuesi i Listës Serbe.

Në 13 Shtator 2018, qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria ka deklaruar se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Në seancën plenare të Kuvendit të nisur sot një nga pikat e axhendës është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pasluftës.

***

KRYEMINISTRI HARADINAJ: FSK, NË MANDAT USHTARAK DHE MBROJTËS

PRISHTINË, 18 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas votimit sot në Kuvend të Pakos së tre projektligjeve drejt Ushtrisë së Kosovës shkruan:

Me të drejtë një prej ditëve më përcaktuese për vendin në konsolidim të shtetit dhe në rrugën drejt NATO-s. Me votimin në lexim të parë të pakos së ligjeve për FSK-në, deputetët e Kuvendit vulosën të drejtën e shtetit tonë sovran për tranzicionin e FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtës, ofruese e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, forcë multietnike e profesionale, sipas standardeve të NATO-s. Falënderoj secilin deputet veç e veç dhe të gjitha partitë politike nga pushteti dhe opozita, që për temat nacionale po dëshmojnë koncensus dhe unitet politik. Nga tranzicioni i FSK-së përfitojnë qytetarët e komunitetet në Kosovë, por edhe rajoni ynë dhe partnerët strategjikë. RH

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Fsk-ja, kthehet ne Ushtri, Kuvendi

FAMILJA PRISHTA, MYSAFIRE NE VATËR

October 17, 2018 by dgreca

1 bashke1 seiti1 familja ule1 dera3 asllani

Paraditën e së Martës, 16 tetor 2018, selia e Vatrës pati mysafirë familjen Prishta nga Tirana, e cila ndodhet për vizitë në SHBA. Kryefamiljari Seit Prishta, bashkëshortja Sanije, vajza Eri, djali Evarist dhe mbesa, u pritën nga anëtari i kryesisë së Vatrës Zef Balaj, anëtarët e Këshillit Lek Mirakaj e Idriz Lamaj, ish nënkryetari Asllan Bushati, editori i Diellit Dalip Greca, Shkëlqim Lepenica,i pranishëm edhe Adem Belliu i Albanian Culture TV.

Mysafirët i ka prezantuar Editori i Diellit, i cili ndër të tjera u tha vatarnëve: Ne po presim sot një familje të nderuar, të persekutuar nga diktatura komuniste,e cila e përgjaku këtë familje, duke pushkatuar 6 pjestarë të familjes. E kam parë mësusin tim Seit Prishta në pozicione të ndryshme gjatë jetës; si mësuesi im në klasën e 5-6-të, por edhe duek bërë punë të rënda karahu, madje edhe si hamall, ku përplasej sa herë që ashpërsohej lufta e klasave. Kam pasë fatin, që të punojë me të në kohën e pasrrëzimit të diktaturës, ku punuam në komitetin ekzekutiv Pluralist të Lushnjës, ai zv/Kryetar i komitetit, i propozuar nag Partia Demokratike dhe unë si sekretar i atij Komiteti, i propozuar nga Partia Republikane-kaluam caste të vështira të kohëdjegjes e shkatërrimeve të qytetit, më pas e pashë si kryetar i degës së Punëve të Brendshme të Lushnjës, më pas drejtor drejtorie në Institutin e ish të përndjekurëve politikë në Tiranë, përherë konsekuent në qëndrimin e tij dhe të familjes, demokrat i vendosur.

Në emër të Kryetarit Dritan Mishto, mysafirëve ua ka uruar mirëseardhjen anëtari i kryesisë së Vatrës biznesmeni Zef Balaj, i cili ka prezantuar dhe qëndrimet e  Vatrës, marrdhëniet dhe mbështetjen e saj për Demokracinë në fillimet e saj në Shqipëri, lidhjet me Partinë Demokratike, oponencën ndaj gabimbeve të saj për zhvillimet e  fundit etj.

U ka uruar mirëseardhjen mysafirëve dhe i ka përshëndetur edhe Lek Mirakaj, Asllan Bushati, Idriz Lamaj, Adem Belliu, Shkëlqim Lepenica.

Më pas ka pasë një debat të lirë për zhvillimet në Shqipëri dhe për rolin e pamjaftushëm të Opozitës në nxjerrjen e vendit nga kriza që po përjeton Shqipëria. Kritikë kanë qenë diskutantët për zhvillimet e fundit në Shqipëri, për kriminalitetin e  lartë, për varfërinë, për kapjen e shtetit dhe të politikës nga krimi, për humbjen e shpresës dhe zbrazjen e vendit. Rezerva ka pasë edhe për Opozitën, për një largim të PD nga shtresa e ish të përndjekurëve Politikë, të cilët e mbështetën pa rezerva në fillimet e saj, ndërsa sot ndjehen jo plotësisht të papërfaqësuar(sic u shpreh Lek Mirakaj). Po ashtu u shfaqën rezerva për mënyrën e luftës opozitare ndaj Qeverisë, e cila e ka zhytë vendin në krizë, ka rritë mjerimin në vend, është e kapur nga krimi,droga etj, por mënyra e të bërit opozitë po ia lehtëson qeverisjen Kryeministrit aktual, i cili duket se po ndjehet komod me këtë mënyrë të të bërit opozitë.. Gjendja nuk ndryshohet vetëm me akuza e kundërakuza, vetëm përgjime, me deklarata për shtyp etj. Po ashtu u bënë vërejtje për marrdhëniet me opozitës me ambasadën amerikane në Tiranë. Opozita duhet të bëjë më shumë përpjekje për të siguruar mbështetjen amerikane.

  1. Seit Prishta ka falenderuar për pritjen dhe në emër të familjes ka shprehur kënaqësinë që po vizitonte Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës, të cilën e quajti dhe Vatrën e Familjes së tij. Më pas ai spjegoi zhvillimet në Shqipëri dhe luftën e papajtueshme që po bën Opozita, Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha, për të sjellë shpresën e munguar tek shqiptarët, të cilët po e braktisin përditë vendin. Ai nuëmroi plagët e Shqipërisë, ku qeveria dhe krimi janë bashkë, dhe evidentoi pamundësinë e shqiptarëve për një jetë normale.

Në diskutim ndërhyri dhe zonja e Tij, Sanije Prishta, e cila tha se të persekutuarit nuk kanë shpresë tjetër, aleternativë tjetër, vec atë të Partisë Demokratike.

Po ashtu edhe Eri Prishta debatoi për zhvillimet në kampin opozitar dhe mbështeti zhvillimet e lidershipit.

Në fund të takimit editori u ka treguar mysafirëve për historinë e Vatrës në 106 vitet e jetës së saj dhe kontributin e Gazetës Dielli në 11 dekadat e jetës së saj, duek mbetur e vetmja gazetë e Rilindjes Kombëtare aktive edhe sot.

  1. Seit Prishta shkroi në librin e vizitorëve:” Jam i lumtur që vizitova Vatrën, ku plejada e të mëdhenjëve,; Noli, Konica me bashkëpunëtorët e tyre kanë tretur jetën për Atdheun, njohjen dhe ruajtjen e Pavarësisë së Shqipërisë.Përhirime vatranëve të sotshëm që vazhdojnë veprën e tyre…”

Edhe vajza e tij, Eri shkroi: “Jam e nderuar që pata fatin të vizitoj Vatrën Shqiptare! Falenderime për mikpritjen dhe uroj që të vazhdoi misioni vatran dhe zëri vatran të jetë zëri më i fuqishëm i shqiptyarëve të Amerikës, dhe jo vetëm”!

Për mysafirët u shtrua një drekë në restorantin shqiptar Nana’s Kitchen në Morris Park.(Per me shume fotografi shihni ne Facebook)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, FAMILJA PRISHTA, MYSAFIRË NË VATËR

David Phillips: Amerika nuk e ka aprovuar korrigjimin e kufijve

October 17, 2018 by dgreca

Deklarimi që e ka bërë John Bolton për këtë çështje ka qenë plotësisht i panevojshëm. Natyrisht që ShBA-ja përkrah çfarëdo që palët pajtohen. Së pari, duhet të ketë një marrëveshje dhe marrëveshja duhet të jetë e shkruar dhe e detajuar. Duhet të jetë e miratuar nga Kuvendi, dhe duhet të përkrahet nga shoqëria civile. Akoma jemi larg çfarëdo marrëveshjejeje për të arritur në këtë përfundim./

1-david

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, në një intervistë për KALLXO.com thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.
Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, i tha Jeta Xharrës se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.
Deri para pak ditëve, Phillips ka qenë i angazhuar në ekipin e ekspertëve të huaj të Presidentit Thaçi, por ka dhënë dorëheqje duke shprehur hapur mospajtimet me idenë për ndarje të Kosovës.

Jeta Xharra: z. Philips, së fundmi të dy liderët tanë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë qenë në Amerikë. Që nga koha që janë kthyer, ajo çfarë ne dimë është që të dy janë takuar me zyrtarë të lartë amerikanë dhe që të dy kanë thënë gjëra të ndryshme para delegacionit të njëjtë të qeverisë suaj. Si e shihni këtë dhe çfarë mendoni se tregon për Kosovën fakti që presidenti ynë shkon në takim dhe thotë “jam i gatshëm t’i negocioj kufijtë”, përderisa kryeministri thotë “kufijtë janë të paprekshëm, nuk dëshirojmë të negociojmë këtë”.

David Phillips: Së pari unë nuk i kam ndarë të gjitha takimet, takimi me Sekretarin e Shtetit ishte mbajtur vetëm nga z. Ramush Haradinaj. Ka pasur takime tjera të përbashkëta me zyrtarë tjerë të Departamentit të Shtetit. Është me rëndësi që të qartësojmë se cili është pozicioni i ShBA-së, kur (John) Bolton, këshilltari për Siguri Kombëtare, tha që ShBA dëshironte që palët të gjenin një marrëveshje dhe pastaj do ta konsideronin përkrahjen, nuk ka qenë një përkrahje për korrigjim të kufirit apo ndarje.

Jeta Xharra: A jeni i sigurt?

David Phillips: Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile.

Jeta Xharra: Prit, prit, me çfarë zyrtarësh keni folur, sepse presidenti ynë po e thotë të kundërtën e asaj çfarë po e thoni ju?

David Phillips: Nuk do të jap emra, por unë kam shërbyer si këshilltar i lartë për tre presidentë, mbaj lidhje me zyrtarët amerikanë, kam folur me zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane.

Jeta Xharra: Edhe me Administratën e Trumpit? Ajo çfarë di për ju është që keni punuar për qeveritë e Demokratëve. A jeni i sigurt që keni kontaktet edhe me Administratën e Trumpit?

David Phillips: Po, kam punuar për Administratën Demokrate dhe Republikane, jam i lumtur që kam bashkëpunuar me znj. Klinton. Kam folur me zyrtarë në Administratën e Trumpit. Askush zyrtarisht nuk e ka përkrahur ndarjen apo korrigjimin e kufijve. Kështu që nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton.

Jeta Xharra: Më trego çfarë përkrahin ata? Me lejo që ta përkthej për audiencën tonë, nëse Qeveria juaj po thotë që “ne do t’ju përkrahim për atë që presidentët e juaj pajtohen”. A nuk nënkupton kjo që ata janë të hapur për të pranuar korrigjimin e kufijve, ndarjen, çfarëdo që e quani? Në fakt ata janë të hapur, Qeveria juaj është e hapur që të pranojë këtë.

David Phillips: Deklarimi që e ka bërë John Bolton për këtë çështje ka qenë plotësisht i panevojshëm. Natyrisht që ShBA-ja përkrah çfarëdo që palët pajtohen. Së pari, duhet të ketë një marrëveshje dhe marrëveshja duhet të jetë e shkruar dhe e detajuar. Duhet të jetë e miratuar nga Kuvendi, dhe duhet të përkrahet nga shoqëria civile. Akoma jemi larg çfarëdo marrëveshjejeje për të arritur në këtë përfundim.

Jeta Xharra: Në fakt, sot, çfarë dimë është që presidenti Thaçi është i vetmi që po e shtyen këtë marrëveshje, nuk duket që ka përkrahjen e partisë së tij, e cila ka dalë me një rezolutë ku thotë që “nuk dëshirojnë ndryshim të kufijve”. Opozita natyrisht që nuk e përkrah, ka pasur një protestë që ishte përkrahur nga njerëz që nuk e përkrahin këtë opsion. Kështu nuk jam e sigurt nëse dikush tjetër në Kosovë e përkrah këtë opsion. Dhe natyrisht që kryeministri publikisht po e thotë që nuk e përkrah këtë opsion. Kështu, ku na shpie kjo neve si vend dhe në veçanti përballë një administrate të tillë si kjo e ShBA-së, ku të dy liderët tanë shkojnë në Departamentin e Shtetit dhe thonë gjëra të ndryshme?
David Phillips: Pra nuk ka qëndrim të unifikuar në Kosovë, keni të drejtë. Bazuar në intervistat që i kam bërë, nuk do të jap emra, por ka qenë një mostër e gjerë me liderë të partive politike dhe politikanë. Askush nuk e ka përkrahur korrigjimin e kufijve. Pikë! Brenda Quint-it, po ashtu nuk ka qëndrim të unifikuar dhe Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit.
Jeta Xharra: A mund të më thuash edhe një herë se cilat janë qëndrimet e ndryshme të vendeve të Quint-it. Është e qartë se çfarë shohim, por çfarë thuhet në diskutimet e juaja? Njerëz të afërt me presidentin tonë thonë që Quint-i do të ndryshojë qëndrim, gjermanët do të bashkëngjiten për të ndihmuar dhe mbështetur ndryshimet e kufijve. Kjo është ajo çfarë disa ndihmës të Thaçit po na e thonë, po ashtu po punohet me britanikët. A mendoni që kjo do të ndodhë?
David Phillips: Politikëbërja efektive nuk bazohet në dëshira dhe nuk ka asgjë që tregon që Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo ShBA-ja do të bashkëngjiten për të përkrahur propozimin për korrigjim të kufirit. Përpos nëse ka një pikëpamje të fortë midis Quint-it. Nuk mendoj që politikanët e Kosovës do të gjejnë një pozicion të unifikuar. Për fat të keq kjo ka shkaktuar një kaos dhe mosfunksionim. Dhe kjo përshtypje po manipulohet dhe po përdoret nga Beogradi për ta minuar më tej kredibilitetin e Kosovës dhe për të vënë në pikëpyetje nëse opinioni i GJND-së, i cili ligjërisht e autorizoi Kosovën si shtet të pavarur-sovran, është ende i zbatueshëm. Andaj i gjithë ky debat i brendshëm që po zhvillohet dhe të cilin Thaçi është duke e nxitur është duke u përdorur nga kundërshtarët e Kosovës për të minuar vendin. Është koha që ne të kemi një konsensus, që njerëzit të bashkohen dhe të kenë një dialog, të vijnë si një platformë e përbashkët. Kjo mosmarrëveshje publike që e kemi parë së fundmi nuk është aspak në interesin e shtetit të pavarur të quajtur Kosovë e të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare.
Jeta Xharra: Atë që e dimë prej bisedave që i kemi zhvilluar ne dhe ju me burime të ndryshme është që administrata amerikane i ka kërkuar presidentit tonë të “bëhet kreativ”, kjo duket të jetë shprehja që e kanë përdorur “negocioni me Vuçiqin dhe bëhuni kreativ sepse ju keni nevojë për një marrëveshje”. Tash, vendose veten në pozitë të këtij presidenti e më trego çka ishte dashur ai të negociojë tutje, çka kemi na Kosova të japim në këtë “marrëveshje përfundimtare”?
David Phillips: Nëse brenga e Beogradit ka të bëjë me nivelin e demokracisë që në fund do ta afektojë gjendjen e serbëve të Kosovës, nëse ata brengosen për këtë gjë, atëherë kjo është shumë e thjeshtë: mund të bëni decentralizim të plotë me kusht që qeveria e Kosovës i mban kompetencat në çështje të caktuara si në drejtësi, polici, planifikim urban, ambient, financa, i cakton rregulloret që do ta mbrojnë trashëgiminë kulturore që duhet të jetë një praktikë që vlen për gjithë qytetarët e Kosovës.
Jeta Xharra: Z. David, Kosova e ka nënshkruar planin e Ahtisarit si dhe Asociacionin e Komunave Serbe. Po të pyes, a ka tjetër çka të japë pas gjithë kësaj?
David Phillips: Të gjitha këto masa për të cilat fola duhen të zbatohen në plotëni dhe Kosova duhet të tregojë seriozitet në udhëheqjen e një qeverie që është kredibile. Duhet të ritregojë përkushtim ndaj parimeve të planit të Ahtisarit, përkushtim ndaj Kushtetutës së vet dhe duhet ta luftojë korrupsionin.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, David L Phillips, Jeta Xharra, kufije e Kosoves

Kosova duhet ta ketë kryeqytet Mitrovicën

October 17, 2018 by dgreca

–Të mbrosh Mitrovicën do të thotë më tepër se sa të mbrosh një pjesë të Kosovës. Të mbrosh Mitrovicën do të thotë të mbrosh Kosovën./1 Nexhmedin Spahiu– Ky shkrim u botua para mëse dy dekadave dhe është pjesë e librit të autorit “Shqiptarët dhe sërbët në luftën finale për Kosovën” botuar në Tiranë më 1998. Aktualiteti i tij po shpërfaqet tani kur sërisht po sjellët në rend të ditës ndarja e Kosovës-

Nexhmedin Spahiu*

Deklaratat e fundit të Gelbartit, të ngarkuarit amerikan për ish-Jugosllavinë, shënojnë përkrahjen më të fortë të deritanishme në drejtim të synimeve të shqiptarëve të Kosovës. Përkrahja e zgjedhjeve të 22 Marsit 1998 në Kosovë, nga ana e amerikanëve, shpreh momentin vendimtar në konfliktin shqiptaro-sërb rreth Kosovës. Pjesën tjetër të deklaratës së Gelbartitm atë se administrate amerikane i konsideron joreale kërkesat për pavarësinë e Kosovës duhet kuptuar si shprehje sa për t’u hedhur si syve sërbëve.

Kjo pjesë e deklaratës është e parëndësishme për momentin, sepse kjo nuk do të thotë se në një të ardhme jo të largët Amerika nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Madje kjo formulë është aplikuar edhe me rastin e referendumit në Bosnje. Në atë kohë amerikanët përkrahnin integritetin e Jugosllavisë (d.m.th moscopëtimin e saj) dhe poashtu përkrahnin referendumin në Bosnje ku qytetarët e Bosnje e Hercegovinës duhet të deklaroheshin në janë për qëndrim të mëtutjeshëm në Jugosllavi apo për shkëputje prej saj. Menjëherë pas këtij referendumi filloi lufta dhe Amerika e njohu pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës.

Çfarë mund të thuhet për Kosovën tani? 

Pas gjithë këtij ndërkombëtarizimi të çështjes së Kosovës, është mëse e sigurtë se ajo nuk mundtë zhbëhet, siç u zhbë Çamëria, Kraina e Kninit, Zhepa, Srebrenica etj. Natyrisht, as edhe ndonjë zgjidhje e ndërmjetme në formë autonomie nuk është e realizueshme, sepse kjo tanimë është një gjë e sprovuar dhe e ezauruar, një foshnje që lind nuk mund të kthehet më në barkun e nënës.

Kosova tanimë ka lindur si problem ndërkombëtar dhe ajo nuk mund të kthehet më mbrapa e të bëhet problem i brendshëm i Sërbisë. Edhe aleatët më të ngushtë të Sërbisë, si Greqia e Rusia, e pranojnë se Kosova është, të paktën, problem ballkanik. Madje Greqia ka marrë edhe një nismë ndërmjetësimi nga ana e saj, të cilën shqiptarët nuk e pranuan pikërisht që Kosova të mos ngelet në suazat e çështjes ballkanike.

Tek e fundit, asnjë problem në Ballkan nuk u zgjodh përmes autonomive edhe pse kjo shprehje u përdor së tepërmi gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje. Problem i Kosovës është problem kolonial e jo problem minoriteti dhe, deshën apo nuk deshën shqiptarët, sërbët, apo të tjerët, ky problem ka për t’u zgjidhur ashtu siç janë zgjidhur edhe problemet e tjera koloniale në botë.

Kush mbetet rreziku më i madh për Kosovën?

Rreziku i copëtimit të Kosovës, përkatësisht i spastrimit etnik të një pjese të saj, e cila do të jetë më me interes për Sërbinë, dhe prurja e shqiptarëve dhe Bashkësisë Ndërkombëtare para aktit të kryer është rreziku më i madh aktual për Kosovën. Situata aktuale në Kosovë po shkon drejt kësaj. Në vija të përgjithshme sërbët duan pjesën e Kosovës, të cilën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania hitleriane e ndali për vete dhe nuk ia dha aleatës së saj, Italisë, përkundër tendencës së saj për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Pra është fjala për Mitrovicën dhe rrethinën e saj, e cila në atë kohë ishtë me e rëndësishmë për Hitlerin se sa gjithë Shqipëria, Maqedonia, e pjesa tjetër e Kosovës bashkë.

Tani sërbët synojnë ta spastrojnë etnikisht këtë pjesë duke i shtyrë shqiptarët në pjesën tjetër, të cilën pas bisedave të gjata diplomatike me ndërmjetësues të fuqishëm do të detyrohen t’ia njohin pavarësinë. Për këtë nuk flasin vetëm pozicionimet e policisë dhe ushtrisë sërbe në momentin aktual, por edhe veprimtaria e shtetit sërb gjatë këtyre 8 viteve të fundit. Veprimi i pushtetit sërb në Mitrovicë dhe rrethinë të saj ka qenë i amplifikuar dhe shumëpërmasor. Çdo gjë që e pllakosi Kosovën gjatë këtyre 8 viteve, Mitrovicën e pllakosi në mënyrë të shumëfishuar (represioni, eksodi, varfëria etj.), aq sa qytetarët e saj, nga më të pasurit në Kosovë, u shndërruan në më të varfërit e saj. Madje ka kohë që sërbët propagandojnë se Trepça tanimë është shterrur dhe nuk ka ndonjë vlerë. Natyrisht, kjo bëhet që shqiptarët të anojnë nga propozimi potencial që ta lëshojnë atë  pjesë. Shtrohet pyetja:

A duhet shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi të pajtohen që Mitrovica me rrethinë t’u mbetet sërbëve?

Kur të vijë koha e këtyre dilemave do të dalin në skenë politikanë e intelektualë, që do të thonë: më mirë të shpëtojmë diçka se asgjë. Pra, të pajtohemi me fatin që Kosova të mbetet pa Mitrovicën dhe rrethinën e saj, me shpresë se mos bëjmë ndonjë gjë me vonë. E njejta dilemë u paraqit edhe në kohën e Ismail Qemalit: më mirë të pranojmë këtë gjysmë Shqipërie, se mos bëjmë ndonjë gjë më vonë për Kosovë e Çamëri. Pas 30 e ca vitesh Çamëria u fshi nga faqja e dheut dhe gjysmë Shqipëria tjetër nuk u bë e gjallë. Kurse sa i përket paralelizmit për Kosovën, dallimi është që, nëse do të bëhej kjo zgjidhje, Mitrovica dhe rrethina e saj do të mbetej e humbur përgjithnjë.

Çfarë do të thotë Kosova pa Mitrovicën me rrethinë?

Mitrovica me rrethinë paraqet Kosovën atë çfarë paraqet Durrësi për Shqipërinë në çfarëdo lloj preojeksioni. Ajo paraqet në radhë të parë pjesën më ta pasur të saj. Me gjigantin e saj xehtaro-metalurgjiko-kimik, “Trepça”, është e lidhur e gjithë industria e Kosovës. Pavarësia e Kosovës pa Mitrovicën me rrethinë nuk do të ishte asgjë tjetër veçse fiktive. Në një rast të tillë Kosova e mbetur do të përgjërohen për futje të sërishme nën Sërbi, sepse nuk do t’i duhej gjë pavarësia e tillë. Në planin gjeografik, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar ku bashkohen 4 lumenjë, dy prej të cilëve: Ibri dhe Sitnica, janë më të mëdhenjtë në Kosovë. (Prishtina dhe Tirana janë të vetmet kryeqytete në botë që, o nuk kanë lumenjë, o nuk janë bregdetare). Pos Prizrenit, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar që ka kalanë e vet.

Në planin gjeostrategjik, të kesh në dorë Mitrovicën do të thootë të kesh në dorë gjithë Kosovën.

Në planin historik, Mitrovica me rrethinë paraqet pjesën më të plleshme shqiptare, përsa u përket lëvizjeve dhe figurave historike. Në këto treva u lindën dhe u formaun: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta, Shote Galica, Dervish Mitrovica, Rexhep Mitrovica, Ajdin Draga, Nexhip Draga, Ferat Draga, Xhafer Deva, Shaban Polluzha etj.

Në planin shoqëror, Mitrovica paraqet qytetin më të socializuar të Kosovës. Mitrovica është qyteti i dytë në Kosovë (pas Prishtinës) për nga numri i banorëve, por është i pari qytet në kuptimin e qytetarisë, përsa i përket shtresëzimit social e krahinor në Kosovë. Është i vetmi qytet me një klasë të formuar punëtore, e domosdoshme kjo për qytetarizimin e mentalitetit politik. Në Mitrovicë, përveç se bashkohen 4 lumenjë, bashkohen edhe tri krahina: Drenica, Shala dhe Kosova e Vogël, dhe poashtu bashkohen tri nëndialekte.

Në planin politik, Mitrovica nuk arriti të krijojë klan sundues në Kosovë siç arritën Gjakova, Gjilani e Llapi, por tri lëvizjet më të mëdha politike dhe më ekselente në historinë e gjithëmbarshme të popullit shqiptar patën për bazë mentalitetin politik të kësaj treve dhe këtij qyteti: Kryengritja e Hasan Prishtinës e vitit 1912, që është më e madhja në historinë shqiptare (30.000 luftëtarë); 2.Lufta për mbrojtjen e Novi Pazarit (1941), dhe 3. Lëvizja e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, që mblodhi mbi 500.000 demonstrues në Prishtinë (1989).

Si të mbrohet Mitrovica?

Siç u pa më sipër, Mitrovica është kryeqytet i natyrshëm i Kosovës (gjeografikisht, historikisht dhe politikisht). Kosova pa Mitrovicën nuk është më Kosovë. Elektorati i Kosovës jo vetëm që duhet të vetëdijësohet për këtë, por edhe duhet t’u tregojnë sërbëve dhe opinionit ndërkombëtar se është i vetëdijshëm për këtë.

Duhet ta thotë hapur dhe troç se Kosova pa Mitrovicën nuk na duhet gjë. Dhe jo vetëm ta thotë, por edhe ta dëshmojë këtë. E dëshmia më e mirë hëpërhë është shpallja e saj kryeqytet i Kosovës. Madje jo me dekret presidencial a parlamentar, por me referendum, i cili do të bëhej bashkë me zgjedhjet e 22 Marsit.

Ky ndërrim i kryeqytetit për momentin nuk do të kushtonte më tepër se sa transferim i barakës së Prisidencës së Kosovës nga Prishtina në Mitrovicë. Tani kur bisedimet (bashkë me luftën) shqiptaro-sërbe janë të pashmangëshme në praninë e faktorit ndërkombëtar, bërja e Mitrovicës kryeqytet i Kosovës do ta përjashtonte çdo lloj kombinacioni për ndarje të Kosovës. Natyrisht, kjo do të ishte një lëvizje e guximshme e Ibrahim Rugovës dhe klanit të Llapit, por është i vetmi hap politik shpëtimi.

Të mbrosh Mitrovicën do të thotë më tepër se sa të mbrosh një pjesë të Kosovës. Të mbrosh Mitrovicën do të thotë të mbrosh Kosovën.

  • Nga autori do te publikojme nej cikel artikujsh rreth Kosoves,qe ai ia ka derguar redaksise sone. Faleminderit!
  • Kjo analize eshte publikuar ne:

“Blic”, Tiranë, 04.03.1998

“Fokusi”, Cyrih, 04.03.1998

“Bota Sot”, Cyrih, 05.03.1998

“Albania”, Tiranë, 07.03.1998

“Kombi”, Prishtinë, 13.03.1998

“Flaka”, Shkup, Mars 1998

 

Filed Under: Analiza Tagged With: duhet ta ketë, kosova, kryeqytet Mitrovicën, Nexhmedin Spahiu

DY BRIGJE NË NJË ATDHE TË VETËM ARTISTIK

October 17, 2018 by dgreca

                                   1 Sami Libri

                  -Mbresa nga vëllimi me tregime “Propozim në qiell” i Sami Milloshit-/

1 Fuati Samiu

                                                                                     Nga Fuat Memelli/

Sapo kam mbaruar së lexuari vëllimin me tregime “Propozim në qiell”, të krijuesit tashmë të njohur, Sami Milloshi. Pas pesë vëllimeve në poezi ( njëri prej tyre në anglisht), autori hedh hapin e parë në prozë, duke na dhuruar një vëllim me 24 tregime. Libri të intrigon qysh në titull? Ç’mund të jetë vallë ky propozim në qiell? Por, le ta shpjegojmë pak më vonë këtë enigmë. Së pari dua të theksoj se veçanta e këtyre tregimeve, është se shumica e tyre janë “gatuar” me “miell” nga Amerika, ku autori jeton prej afro 20 vjetësh.Tregimet janë përjetime reale. Nuk kanë shumë fantazi autori që ta “shëtisin” lexuesin sa andej-këtej, për të gjetur mesazhin që don të përcjellë. Ato janë nga 4-5 faqe sejcili. Në kohët e sotme kur njerzit nuk kanë shumë kohë të lexojnë, kur kanë edhe internetin në dorë, krijimet e gjata e mërzitin atë. Dhe Samiu sikur është në mendjen e tyre. Ai sikur ka parasysh edhe shprehjen e një  filozofi , I cili thotë: “Shpesh bukuria qëndron në shkurtësinë e gjërave”. Duke qënë poet, ai flet me gjuhën e poezisë, shkurt dhe metafora, të cilat të japin kënaqësi artistike. Në libër gjen copëza të jetës amerikane, të traditës, çiltërsisë së tyre, të shpirtit human amerikan,etj. Në shumë nga tregimet gjen ngjarje që nuk mund të imagjinohen në vendin tonë. Duke njohur atdheun e parë Shqipërinë, ku autori ka punuar shumë vite gazetar, por edhe atdheun e dytë, Amerikën, ku jeton prej afro 20 vjetësh, ai bën paralelizma midis jetës amerikane dhe asaj shqiptare. Po ndalem vetëm në disa nga  tregimet. Te ai me titull  “Funerali i qenit”, mëson jo vetëm dhimbjen e një gruaje për ngordhjen e qenit që e donte si fëmijë (ajo jetonte e vetme) por diçka më tepër se kaq. Kompania ku punonte, si regull jepte 5 ditë lejë të paguar, kur vdekja ndodhte brenda familjes, veç jo për qenin. Por, njerzit me zemër ta madhe , e gjejnë zgjidhjen. Me që regullorja nuk e lejonte , në vend të pronares së qenit, punoi 5 ditë  menaxherja e kompanisë dhe regullorja nuk u shkel. Vërtet një gjest shumë njerëzor.

I veçantë është edhe tregimi “Propozim në qiell”. Një pilot i propozon për martesë stjuardesës në bordin e avionit në fluturim, në sy të gjithë pasagjerëve. E përjetojnë këtë moment jo vetëm dy të dashuruarit, por gjithë pasagjerët. Tek flet për këtë rast, autori bën një paralelizëm të bukur dhe kujton marjen e nuses së tij shumë vitë më parë me një makinë të vjetër “Varshava”. Makina  ngeci dhe u desh ta shtynin  dasmorët që nusja të mbrinte te shtëpia e dhëndrit.

Një tregim tjetër ku gërshetohen ngjarjet amerikane me ato shqiptare, është ai me titull “Unazat e nënës”, një nga më të bukurit e këtij vëllimi. Ishin vërtet unazat e nënës së autorit të librit, e cila kishte ndruar jetë vite më parë. Ai i mbante unazat në portofol, të cilin një ditë e harron në lokal. U interesua te menaxheri ,duke i thënë se aty se aty kishte unazat e nënës, të cilat ishin gjëra të çmuara për të. Menaxheri nuk dinte gjë, por premtoi se do bëjë çmos për t’i gjetur. Pasi sheh kamerat e sigurisë, mëson se portofolin e kishte gjetur nje djallë i ri që endej rrugëve. Menaxheri e gjen djalin dhe i thotë të tregojë të vërtetën, se do ta marë edhe në punë. Djali i tregon se, pasi i kishte marë lekët, portofolin bashkë me unazat e kishte hedhur në liqen. Menaxheri pagoi dy polumbarë të cilët kërkuan në liqen dhe e gjetën portofolin bashkë me unazat. Vërtet një ngjarje e rrallë, të ciën autori e ka saklitur bukur në tregim.

 Po ndalem edhe te një tregim tjetër, te ai me titull “Shtëpia bosh në kat të tretë”. Te ky tregim, autori godet fenomenin e mos hyrje-daleve te komshinjtë , duke mos e ditur se kush banon një kat mbi ta ose anash tyre. Te pallati  qe hapur rubineti  dhe një shtëpi më poshtë ishte mbushur me ujë. Kjo familje dhe të tjerat u shqetësuan por nuk dinin se kush banonte aty. Më në fund e marin vesh se banonte dikush që vinte rrallë aty. U desh të vinte policia, të mbyllte rubinetin, të fikte edhe panelin elektrik se mund të binte zjarr, duke nxjerë jashtë të gjithë banorët. Ishte hera e parë që ata shihnin përballë njëri-tjetrin. Mesazhi që jep autori në faqet e tregimit, është ky: ” Uji që po na mbyste, nuk po buronte nga ndonjë rubinet, por nga dyert e mbyllura për njëri-tjetrin”. Të paktën ne në Shqipëri hyjmë e dalim më shumë të njëri-tjetri, megjithëse pas viteve ’90, kjo traditë është zbehur.

Nuk po ndalem në tregime të tjera, për mos e mërzitur lexuesin, pasi edhe më sipër folëm për shkurtësinë e gjërave. Le t’i lemë  ata t’i shijojnë dhe vlerësojnë vetë . Për tregimet e këtij vëllimi, po citoj edhe mendimin e shprehur nga gazetari dhe publiçisti i njohur, Mehmet Elezi, i cili shprehet :” Sami Milloshi lundron në atdheun e dytë, po aq natyrshëm sa në të parin. I bashkon dy brigjet në një atdhe të vetëm artistik”.

Duke mbyllur këto rradhë për autorin Sami Milloshi, desha ta theksoj se kohët e fundit, ai ka filluar të meret edhe me pikturë. Një pjesë të tyre i ka postuar te faqja e tij në Facebook. Janë plot piktura me tematikë të ndryshme. Sigurisht ai është një piktor amator, por ka derdhur në telajo një pjesë të shpirtit të tij. Së shpejti me këto piktura ai do të hapë edhe një ekspozitë aty ku punon, në Ëheaton College. Kur pasioni gërshetohet me vullnetin, njeriu mund të bëjë shumë gjëra, edhe sikur të jetë më moshën e thinjave. Amerikanët kanë një shprehje :” It’s never too late”. (Asnjëherë nuk është vonë.)

Filed Under: LETERSI Tagged With: DY BRIGJE NË NJË ATDHE, Fuat Memelli, Sami Milloshi, TË VETËM ARTISTIK

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT