• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

PЁRSHPIRTJA NDЁR VARRET E MOHUARA

October 31, 2018 by dgreca

2Eugjen-Merlika-2008V-1-204x300Nga Eugjen Merlika/

           “Tё lutemi sё bashku, nё çfarёdo gjuhe, nё çfarёdo riti, ёshtё vёllazёrimi mё prekёs i shpresave dhe i dashamirёsive qё njerёzit mund tё gjejnё mbi kёtё tokё”

Madame de Stael(1766 – 1817), shkrimtare franceze/

2 nёndori, nё tё gjithё botёn e krishterё, ёshtё dita e pёrkujtimit tё tё vdekurve. Ёshtё njё ditё kujtimi pёr ata qё janё larguar nga bota e jonё, dikush mё parё e dikush mё mbrapa, dikush fёmijё apo i ri nё lule tё moshёs e dikush i moshuar, dikush i pasur e shumё tё varfёr, dikush me veprimtari tё shquar nё fusha tё ndryshme tё jetёs shoqёrore a kulturore e shumё tё tjerё vdekёtarё qё ikin pa gjurmё, dikush me njё jetё nё tё cilёn ka respektuar urdhёrimet e Perёndisё e shumica tё ngarkuar me mёkate nga mё tё ndryshmet, qё nuk dijnё se çfarё i pёrket pёrtej, tek “vёndi nga s’na u kthye kurrё udhёtari”, siç e quante njёri nga njerёzit mё tё mёdhenj tё tё gjitha kohrave, William Shakespeare.

2 nёndori pason njё tjetёr ditё tё shёnuar tё besimit tё krishterё, atё tё 1 nёndorit, festa e tё gjithё Shёnjtёve. Ka njё lidhje mes dy ditёve, njё lidhje ideale qё ngrihet mbi kohёt dhe hapёsirat, qё ngjall pёrsiatjet dhe mendimet mbi qёnien tonё si krijesa nё kёtё planet, mbi kuptimin e tё jetuarit, mbi tё pёrjetёshmen, tё pakapёshmen, tё pashmangёshmen, sipёrnjerёzoren, mbi atё qё na pret mbasi tё kemi mbaruar misionin tonё nё kёtё jetё.

Lidhja mes dy ditёve ёshtё njё fakt i thjeshtё: tё gjithё Shenjtёt kanё qenё njerёz qё kanё jetuar si ne mbi kёtё tokё, por qё kanё zbatuar e pёrhapur fjalёn e Zotit tek bashkudhёtarёt e tyre, duke na lёnё njё trashёgimi tё pasur qё pёrbёn stolinё mё tё çmuar tё ecjes njerёzore nё mijёvjeçarё, sё bashku me thirrjen qё tё ndjekim shembullin e tyre. Fatkeqёsisht janё tё pakёt ata qё i pёrgjigjen asaj thirrjeje: shumica vegjeton nё shkretёtirёn morale tё njё xhungle njerёzore ku sundon ligji i mё tё fortit…

Tё gjitha kёto pёrsiatje pёrshkuan trurin tim, duke dёgjuar disa herё njё mesazh tё njё miku nё Watsap, duke lexuar atё komunikim tё thjeshtё, por tepёr prekёs, tё shoqёruar me njё muzikё funebre qё dukej se zbriste nga pafundёsia e qiejve. Ai mesazh mё lajmёronte se Memo & kujto.al organizojnё “Pёrshpirtje nё varret e mohuara”, nё ish kampin e pёrqёndrimit, nё Tepelenё, mё 2 nёndor 2018. Bёhet fjalё pёr njё tubim tё mbajtur nga pёrfaqёsuesit e tё katёr besimeve nё Shqipёri, njё pёrshpirtje pёr tё pёrkujtuar 300 fёmijё qё kanё vdekur aty, n’atё vёnd e qё nuk kanё as edhe njё varr, n’atё tokё ku mbizotёroi pёr disa vite dhuna mё barbare, e ushtruar mbi njerёz tё pafajshёm, edhe mbi fёmijё!

Ai tubim, pёr herё tё parё mbas 65 vjetёsh tё mbylljes s’atij kampi dёbimi famёkeq, merr pёrsipёr tё kremtojё njё pёrshpirtje e njё lutje tё pёrgjithёshme pёr shpirtёrat e atyre treqind foshnjave e fёmijёve qё n’atё vend reshtёn sё jetuari, sepse nuk kishin njё copё bukё pёr tё thyer urinё, nuk kishin ilaçe pёr tё shёruar sёmundjet. Madje nuk kishin as nёnat pranё, sepse ato qё pa gdhirё mirё do tё viheshin nё rrjesht, tё shoqёruara nga katilё me uniforma blu, pёr t’u ngjitur nё mal, pёr tё prerё dru e pёr t’i ngarkuar mbi shpinё e pёr t’i sjellё nё kamp nё mbrёmje vonё. Ata fёmijё qё gjithё ditёn pёrballonin dhimbjet e urisё dhe dridheshin nga ethet, nё pafajsinё e tyre shkonin nё botёn tjetёr me fjalёn “nёnё” nё gojё. E tё nesёrmen ato nёna tё shkreta do tё fusnin nё dhe trupat e tyre tё njomё e tё pajetё, pa mundur t’i vinin as edhe njё gur varri pёrsipёr.

“Atyre i u mohuan edhe gurin e varrit. N’asnjё traditё nuk ndodhi kjo. Nё kujtim tё tyre po ngremё kёtё memorial. Le tё jemi sё bashku pёr tё nderuar kujtimin e tyre”, shkruhet nё thirrjen e organizatorёve. Tё premten do tё kujtohen, do tё ndizen qirinjtё, nё pёrshpirtjen pёr shpirtёrat e tyre. Ёshtё njё nismё tepёr e lёvdueshme e pak njerёzve qё nuk reshtin sё mbajturi gjallё kujtimin e tyre, tё tragjedisё sё tyre, tё dramave tё mijra krijesave njerёzore tё mbyllura nё njё fushё tё rretrhar me tela me gjemba, objekte sprovash kriminale mbi trupat e shpirtёrat e tyre.

Projekti i memorialit, i hartuar nga arkitekti Gjon Radovani, shtjellon njё ide shumё tё bukur: njё trekёndёsh i madh, i mbjellё me treqind qipariza, trupat pa varr t’atyre fёmijёve nё rrёnjёt e atyre drurёve tё pёrjetshёm e shprtёrat e tyre nё shtatet e larta qё ngrihen drejt qiellit, tё veshura me ngjyrёn e blertё, simbol i shpresёs e i besimit nё jetёn e pasosur….

Organizatorёt e kёsaj pёrshpirtjeje na ftojnё tё gjithёve, shqiptarё kudo ku jemi, tё marrim pjesё nё tё. Kombi i ynё i shpёrndarё nё tё katёr anёt e globit, do tё jepte njё shenjё madhёshtie nёse, si njё trup i vetёm, do tё bashkohej me mendim e lutje, secili nё besimin e tij, ditёn e premte, mё 2 nёndor, n’ora 15.30, pёr tё ndezur secili njё qiri nё heshtjen kaplluese tё trishtimit e tё shpresёs. Tё gjithё ata qё nuk kanё mundёsi tё jenё tё pranishёm n’atё ceremoni, sa tё thjeshtё aq edhe sublime le t’a kryejnё atё veprim, duke çuar mendimin aty, duke i kushtuar pak minuta njё lutjeje e njё pёrsiatje kujtimit t’atyre treqind fёmijёve pa emёr, viktima  tё pafajshme tё njё diktature qё duhet tё na rёndojё mbi ndёrgjegje, mbasi pёr arsye tё ndryshme, nuk qemё nё gjёndje t’a shmangim, t’a zbusnim, t’a kufizonim nё barbarinё e saj tё pashembulltё…..

Do tё ishin disa çaste dhimbjeje, por edhe krenarie tё ligjёshme, sepse gjejmё nё vetvete forcёn pёr tё kujtuar, pёr tё shpalosur njёzёri vlerat njerёzore tё rroposura pёr gjysmё shekulli, pёr tё ringjallur traditёn e lashtё tё nderimit pёr ata qё nuk jetojnё mё, aq mё shumё pёr viktima tё dhunёs sё njё epoke qё na bёn tё skuqemi nga turpi. Do tё ishte edhe njё pёrgjigje e heshtur e secilit prej nesh, kundrejt tё gjithё atyre qё vazhdojnё tё ligjёsojnё krimin e tё venё nё dyshim, madje edhe tё mohojnё paturpёsisht, shfaqjet e tij mё mizore.

Ideatorёve dhe organizuesve tё kёsaj pёrshpirtjeje mbarёkombёtare i shkojnё nderimet e falёnderimet tona mё tё pёrzemёrta, sё bashku me vlerёsimet mё tё mira pёr punёn e tyre nё fuqizimin e kujtesёs kombёtare pёr tё gjithё ata qё pёsuan dhunёn mё mizore nё tё gjithё historinё e popullit tonё, atё komuniste.

Tetor 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Merlika, PЁRSHPIRTJA NDЁR, VARRET E MOHUARA

Shqiptarët, njëqind vjet pas Konferencës së Parisit

October 30, 2018 by dgreca

Njëqind vjet më vonë, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

xh ibrahimi

Shkruan: XHYLIJE IBRAHIMI/*

Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Rreth njëqind vjet më parë, në janar të vitit 1919, ndizet një dritë e gjelbër në fund të tunelit për këtë popull të lashtë por të përvuajtur, të ndarë e të copëtuar.

Në Paris, më 1919 ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha. Në mesin e tyre ishte edhe presidenti amerikan Uilson, kryeministri i Britanisë, Francës, Italisë dhe të tjerë. Kishte më shumë se tridhjetë vende që kishin dërguar delegacionet e tyre.

SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë… Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.

Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.

Amerikanët ishin kundër kësaj teorie. Xhejms Shotvell, kryetar i Shoqatës së gjeografëve amerikanë, vinte në dukje se zgjidhja e këtyre çështjeve i përket drejtpërdrejt SHBA-së, pasi që shtetet e Evropës dhe monarkitë e Ballkanit nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth këtyre problemeve. Shotvelli ishte i mendimit se çështja shqiptare, është dyfish e rëndësishme për SHBA-në dhe se zgjidhja e saj mund t`i besohet Amerikës, si një forcë që nuk ka interesa të drejtpërdrejta në rajon.

Parisi, vend i vijëzimit të kufijve të rinj në Evropë  

Në Konferencën e Paqes (1919), gjashtë muajt e parë të saj u morën vendime kyçe nga paqebërësit, pas një lufte të përgjakshme, e cila mori shumë viktima, luftë kjo që kishte filluar për pushtet në Ballkan dhe e cila kishte mbërthyer të gjitha fuqitë e mëdha, prej Rusisë cariste, në lindje e deri te Britania, në perëndim. Vetëm Spanja, Zvicra, Holanda dhe vendet skandinave kishin arritur të mos përfshiheshin në këtë luftë. Lufta jo vetëm që shkaktoi humbjen e njerëzve, por shkaktoi edhe humbjen e pasurive, shkatërrimin e industrisë, shkencës dhe teknologjisë, por edhe solli kufij të rinj në qendër të Evropës dhe përmes Lindjes së Mesme.

Pikëpamja e Uilsonit ishte e qartë. Arritja a paqes ishte po aq e rëndësishme, sa edhe fitimi i luftës. Këtë ua kishte borxh popujve të Evropës që thërrisnin për një botë më të mirë. Këtë ua kishte borxh ushtarakëve amerikanë. “Tani është detyra ime të kryej rolin që më takon në përmbushjen e plotë të asaj për të cilën ata derdhën gjakun e tyre”, kishte deklaruar Uilsoni para Kongresit, para se të nisej për në Paris.

Një prej këtyre çështjeve, ishte edhe ajo shqiptare, ngase pa vënien e paqes në Ballkan, nuk mund të kishte paqe në Evropë.

Pretendimet e fqinjëve të Shqipërisë ndaj saj dhe territorit të saj kishin filluar shumë më herët, andaj edhe gjatë punës së konferencës, çështja shqiptare vihej në diskutim ngushtë e lidhur me çështjen e grekëve, italianëve e po ashtu edhe me çështjen serbe. Delegacioni shqiptar, që në fillim të Konferencës së Paqes në Paris hasi në vështirësi dhe u gjend përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat vinin nga çarqet zyrtare të Greqisë.

Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në listën e miqve të Shqipërisë bëjnë pjesë edhe dy njerëzit më të ndritur të Amerikës dhe të botës, presidenti Uillson dhe ish-presidenti Rusvelt. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. Po ashtu, ish-presidenti Rusvelt dukej se ishte jashtëzakonisht i informuar për Shqipërinë.

Një shekull nëpër rreziqe

Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. Me këtë shtyrje u mundësua që kjo çështje t`i paraqitet Lidhjes së Kombeve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris, në momentin kur Shqipëria tashmë ishte bërë anëtare me të drejta të plota e Lidhjes së Kombeve dhe rrethanat ndërkombëtare ofruan zgjidhje dhe perspektivë tjetër për Shqipëri.

U desh shumë punë e mund nga shqiptarët, por edhe nga individë, diplomatë amerikanë e diplomatë të tjerë, misionarë të ndryshëm, që ishin duke shërbyer në shtete fqinje të Shqipërisë, të cilët me shkrimet e raportet e tyre bënë që Amerika të shtrijë dorën e ndihmës edhe për popullin shqiptar, në këtë vend të vogël të Ballkanit

Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.

Njëqind vjet më vonë, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

Forcimi i shqiptarëve në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë, nuk po mirëpritet nga disa shtete fqinje, sidomos nga Serbia dhe aleatët e saj. Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar këtë sfidë, në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

………………………………

*(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare) 

Filed Under: Analiza Tagged With: njëqind vjet, pas Konferencës, së Parisit, shqiptaret, Xhylije Ibrahimi

Presidenti Meta- Ngjarja në Bularat, këmbanë alarmi për të parandaluar gjuhën e urrejtjes

October 30, 2018 by dgreca

Reagim i zëdhënësit të Presidentit të Republikës për vrasjen në Bularat të Gjirokastrës/

letrat per tavolina

Tirane, 30 Tetor 2018- Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi i pyetur sot nga mediat mbi ngjarjen e rëndë të Bularatit, nënvizon se:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar, e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.

Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke.

Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.

Filed Under: Komente Tagged With: koment, ngjarja ne Bularat, Presidenti Meta

VRASJA NE BULARAT DHE KRYEMINISTRI QE SHITET SI PATRIOT

October 30, 2018 by dgreca

– Ujdia e tij me kryeminstrin grek për detin dhe me presidentin serb e atë kosovar për veriun e Kosovës e zbulon faktin se Edi Rama e keqpërdor vrasjen e ekstemistit grek në Bularat të Dropullit.-/

Nga  Enver Bytyçi /

Në Bularat të Dropullit pardje u vra një minoritar e njëkohësisht shtetas grek. Kishin ardhur me qindra grekë, ndër ta ministra, deputetë, shkrimtarë, gazetarë, të cilët po përkujtonin 28 tetorin, atë që ata e quajnë ditën e luftës italo-greke, të zhvilluar në territorin e shqiptarëve. Përkujtuan të vrarët e asaj kohe, ështrat e të cilëve askush nuk i di se të kujt janë. Flamujt e panumërt grekë në territorin shqiptar, parullat për verioepirin, atmosfera dhe fjalimet e shumta në këtë ditë përkujtimore shihen si një lloj agresioni kundër integritetit territorial të Shqipërisë. Por grekët e dijnë se kurrë nuk do të mund të marrin territor tokësor të Shqipërisë. E shumta Edi Rama për hesapet e veta të makutërisë politike do t’u falë atyre një sipërfaqe të konsiderueshme deti. Kjo pamunësi për territore shqiptare i bën shumë grekë, përfshirë politikanë, deputetë, ministra dhe drejtues të lartë të shtetit armiqësorë me shqiptarët. Pafuqia që ndjejnë në shpirt i detyron ata të sillen kësisoj me ne. Dhe sa më shumë kohë kalon, aq më të pafuqishëm ndjehen këto forca ekstremiste ultranacionaliste në Athinë e gjetkë. Prandaj thërrasin dhe bëjnë incidente si ajo e përdorimit të armëve kundër policisë shqiptare ditën e djeshme. Këtë sjellje është produkt i fobisë antishqiptare. Ndërkohë në veri të gadishullit fobia antishqiptare e ekstremistëve serbë na shfaqet si babëzi për të zgjeruar sa më shumë territore tokësore. Në ndryshim nga Athina, Beogradi nuk resht së vepruari për ta realizuar Serbinë e Madhe. Babëzia e Naçertianies shfaqet ende sot me të njëjtën frymë si atëherë kur u hartua (1844), ose si në vitin 1889, kur Mbreti i Serbisë donte të festonte 500 vjetorin e Betejës së Fushë-Kosovës, megjithëse Kosova asokohe nuk ishte pjesë e Serbisë. Ose si në periudhën e Luftrave Ballkanike kur ushtria serbe asgjësoi 25-30 mijë shqiptarë. Si në periudhën midis Luftrave Botërore, kur qeveria e Serbisë shpërnguli qindra-mijë shqiptarë të tjerë. Njësoj edhe si babëzia e viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur u asgjësuan nga çetnikët serbë 30 mijë shqiptarë të tjerë. Ose si në periudhën e Rankoviçit e më së fundi në periudhën e Milosheviçit. Babëzia serbe për territore aktualisht duartrokitet nga presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit po luan patriotin e flaktë këto dy ditë që pas vrasjes së ekstremistit grek, Kostandinos Kaçifas. Kryeministri shqiptar e trajton ngjarjen me ngjyra të theksuara nacionaliste, ndërkohë që askush nuk beson se ai të jetë vërtet i tillë. Një kryeministër që në fshehtësi i bashkohet babëzisë serbe për territoret e Kosovës dhe babëzisë greke për hapësirën detare shqiptare, vështirë të besohet se është i sinqertë në diskursin nacionalist që përdor. Ndërkaq është më afër logjikës të thuhet se diskursi nacionalist i Edi Ramës fsheh aktet antishqiptare të tij, deri në tjetërsimin e territorit. Ujdia e tij me kryeminstrin grek për detin dhe me presidentin serb e atë kosovar për veriun e Kosovës e zbulon faktin se Edi Rama e keqpërdor vrasjen e ekstemistit grek në Bularat të Dropullit. Përveç kësaj ai përpiqet që me këtë vrasje të fitojë pak kohë me shpresë se do t’i kapercejë problemet e shumta me të cilat ballafaqohet. Vrasja e një njeriu, qoftë ky dhe terrorist, kur përdoret nga kryeministri shqiptar për të mbuluar vrasjen e shuarjen e kombit të vet, relativizohet si akt. Shitja e kësaj vrasjeje si rrezik më i madh sesa makutëria kriminale e kryeministrit është vepër shumë herë më e dëshme sesa shfaqja qoftë dhe me armë e një ekstremisti grek. Kjo babëzi e Rilindjes po e zhbën Shqipërinë. Qindramijë shqiptarë emigrojnë jashtë vendit, sepse kanë një kryeministër të babëzitur. Të babëzitur për pasuri, për dhunë, për lavdi, për ego, për pushtet, për mizori ndaj qytetarëve të vet. Por ajo që e bën këtë babëzi neveritëse është propaganda fallco e kryeministrit tonë. Vetëm një fakt: Dje pagova 13.000 lekë të reja për një letër format A4 që ma dha kompania “Shpresa” në Kamëz për një shërbim automjeti. Para gjashtë muajsh kjo letër A4 jepej te drejtoria rajonale e patentave me 700 lekë të reja. Në gjashtë muaj qytetari nxjerr nga xhepi 20 herë më shumë para për një shërbim që kryeministri ynë i babëzitur e ka dhënë me koncension. Dhe del e thotë “Joooo! Shpifje! Ne i kemi ulur taksat për 97 përind të popullsisë!”. Babëzia kryeministrore na vjedh çdo ditë, na grabit çdo orë, na vret çdo minutë, na poshtron çdo sekondë! Dhe të gjitha këto i babëzituri kryeministër i vendit tim kërkon t’i mbulojë me “patriotizmin” e tij të rremë! Bi të gjitha ai me vrasjen e një ekstremisti grek kërkon të mbulojë marrëveshjen e fshehtë me Vuçiqin për tjetërsimin e territorit të Kosovës si dhe marrëveshjen me Tciprasin për faljen e detit Greqisë!

Tirane, 30.10.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, QE SHITET SI PATRIOT, VRASJA NE BULARAT DHE KRYEMINSTRI

VATRA & BASHKËSIA SHQIPTARE FESTA E FLAMURIT ME 30 NENTOR

October 30, 2018 by dgreca

– TË FTUAR NË DARKËN E FLAMURIT EDHE DELEGACIONI NGA AUTORITETI I HAPJES SË DOSJEVE TË KOMUNIZMIT-/

1-Flamuri-qe-u-ngrit-ne-vlore-1912

 

Të dashur bashkatdhetarë, në vijim të traditës 106 vjeçare, Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” dhe Bashkësia Shqiptare do ta festojë Ditën e Flamurit Kombëtar, të PREMTEN me 30 NËNTOR 2018, Ora 6.00 e mbrëmjes. Rezervimi është bërë në ROYAL REGENCY HOTEL në Yonkers, Nju Jork, ku është i zgjidhur edhe parkingu për makinat.

Adresa: Royal Regency Hotel,

165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710

Tel: (914) 233-9486

Festa nis në Orën 6 të mbrëmjes e deri në mesnatë. Për argëtimin tuaj ka menduar artisti i mirënjohur, Frederik Ndoci dhe grupi i tij muzikor me këngëtarë nga komuniteti dhe vendlindja.

       Bashkëdrejtues të Darkës së Flamurit: LEK MIRAKAJ(347-564-5647) dhe DRITAN HAXHIA(646-468-8482)

KOMISIONI, KU MUND TË POROSITNI REZERVIMET:

Marjan Cubi:Tel:914-316-0045

Dalip Greca: 917-254-6103

Marjana Bulku : Tel-347-2099378

Nazo Veliu:347-323-8121

Ahmet Hoti 347-538-1243

Zef Balaj: 917-337-1753

Besim Malota:203-455-7167

Skender Murtezani:646-530-0809

Pashko Camaj: 516-902-0588

Mark Mernaçaj: 914-557-5782

Arjana Elezaj 917-355-1486

Çezar Ndreu 973-819- 8867

Marko Kepi 515-668-2726

Uke Gjonbalaj 718-781-7136

Ramiz Mujaj 917-346-2038

Hyrja: $75.00

Fëmijët nën 12 vjeç $25.00

-Sipas Traditës festës i bashkëngjiten edhe mysafirë nga vendlindja. Këtë herë në Festën e Vatrës dhe Bashkësisë Shqiptare në SHBA i bashkëngjitet edhe një delegacion nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit. Çfarë sjellin ata në këtë mbrëmje dhe në ditët pasuese që do të qëndrojnë me Vatrën dhe Komunitetin? Ju informojmë në ditët e ardhshme.

 

Filed Under: Featured Tagged With: bashkesia shqiptare, Festa e Flamurit, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT