• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Rudina Xhunga si trushplarëse e politikës!

October 8, 2018 by dgreca

2-elida

Nga Elida Buçpapaj/

Kemi mbi dy dekada që e shohim Rudina Xhungën në rolin e trushplarëses. Vetëm kështu i ka siguruar vetes vendin e punës, lluksin duke shijuar qejfin, jetēn, familjen dhe bukuritë e vendit të shqipeve.

Rudina Xhungës nuk i ka shkuar kurrë mendja që ta braktisë Atdheun! Rudina Xhunga është patriote! Lum partia dhe populli që e ka dhe e mba!

Në mbi çerek shekulli karierë, dy herë është ndjerë e kërcēnuar. Sikur tregon me gojën e saj, kur intervistoi Fatos Klosin dhe u ngrys në spital nga frika dhe kur e kërcënoi një sipërmarrës dy-tri javë më parë. Gjithë mediat e mbështetën kur u ndje e kërcënuar nga biznesmeni kriminel, përfshi edhe portali ku autorja e ketyre rradhëve është bashkëeditore.

Pjesën tjetër të karierës Rudina e ka kaluar mbështetur mbi shpatullat e ngrohta. Të nënës politikë!

Vetëm kësisoj mundi të bënte karierën dominuar nga roli si trushplarëse dhe konformiste me pushtetin politik.

Dikund thotë e shkruan ndonë fjalë a kolumnë me vend, ndërsa kusuret i mbështjell me varakun e manipulimit! E ka nga halli që të mos i cënohet lluksi i jetës që e ka fituar si trushplarëse. Ose ngaqë nuk do të mbetet pa vend pune apo të braktisë Atdheun. 20% nga kariera e Rudina Xhungës është dinjitoze 80 % manipulative.

Po të kalojë në Veting, si gazetare Rudina Xhunga do të duhej të ndryshojë profesion. Gazetaria e përjashton manipulimin dhe mospavarësinë politike!

Si trushplarëse, mbi çerek shekulli Rudina Xhunga është vlerësuar nga politika, duke startuar si kryeredaktore e Zërit të Popullit dhe pastaj mbi 20 vjet me një emision të personalizuar. Tani posa e kanë dekoruar me drejtimin e një emisioni të ri dhe Rudina Xhungës i duhet të elaborojē metoda të reja trushplarje.

Trushplarësit meritojnë të refuzohen nga opinioni publik. Jo të mbeten si peshku pa ujë, se trushplarësit nuk janë peshq, janë monstra që e kthejnë opinionin në lejfen duke ua imponuar të gëlltisin, sikur pensionistët ilaçet e skaduar, idiotësitë më idiote të alibive që nuk i besojnë as fëmijët në kopësht.

Trushplarësit thonë: gomari fluturon, Edi Rama është hallvë, shteti i tij është kadaif, ndërsa kriminelët janë ufo që zbresin nga kozmosi dhe rrënojnë shtetin social, Policinë e Shtetit, Teatrin Kombëtar!

Në rastin më të fundit, Rudina Xhunga në unison perfekt me Edi Rama anatemon oficerin Emiljano Nuhu, që sipas saj braktisi vendin e punës. Sipas Edi Ramës dhe Rudina Xhungës mafia, krimi, krimineli, krimi i organizuar, dhunuesit e Xhiseilës janë Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu!

Nuk do të merresha me Rudina Xhungën, sikur kjo të  mos i përkushtohet me mish e me shpirt manipulimit të krimit shtetëror kundër Xhisiela Malokut! Rudina Xhunga trushplan në mënyrë të përbindëshme kur thotë se “rasti i Xhisielës nuk është politik”, por social!

Rudina Xhunga i tjetërson dhe manipulon shkaktarët e katastrofës kombëtare. Ajo do të tërheqë opinionin publik me alibinë e saj diabolike, se sipas saj fajtor i poshtrimit të një jetimeje të shkretë nuk është Edi Rama, as Sajmir Tahiri, as Fatmir Xhafaj, as Taulant Balla, as kryepbashkiaku i Kavajës, as kryebashkiaku i Krujës, as deputeti i Krujës dhe klani i tij që kërcënuan me pistoletë oficerin e policisë të shtetit, por shoqëria që i prodhon apo që nuk i lufton kriminelët. Rudina Xhunga i thotë të zezës të bardhë kur opinioni e di shumë mirë se krimi ka lidhje me politikën dhe se është politika ajo që nuk lejon ndëshkimin e krimit sepse është unisuar me krimin!

Po ndalem tek Xhisiela Maloku, për të demonstruar inkriminimin e shtetit në apoteozë.

Vajza u përdhunua dhe u dhunua nga djali i deputetit të PS; deputeti i PS me klanin e tij në praninë e kryetarit të grupit parlamentar të PS, kryetarit të bashkisë të Krujës kërcënojnë me pistoletë në kokë oficerin Nuhu, i cili, kur sheh se shtetin e ka kundër, largohet nga vendi dhe, kur oficeri e denoncon krimin nga ku është, kundër Emiljano Nuhut përfshihet direkt kryeministri që i betohet dhe e kërcënon se do ta ndjekin si horr këmba këmbës, ndërkohë që Xhisielën e shëtisin në mënyrën më poshtruese nga televizioni në televizion që ajo të përsërisë se nuk është dhunuar kurrë nga djali i deputetit dhe se e ka krijuar gjithçka vetë, e ka shpifur vetë, duke rrezikuar burgosjen për dëshmi të rremë, ndërsa ti Rudina Xhunga edhe pas kësaj maskarade kriminale insiston se Emiljano Nuhu ka braktisur vendin e punës për të fituar azil, ndërsa krimi ndaj Xhiseildës nuk ka të bëjë as me politikën dhe as me shtetin!

Kësisoj nuk bën gjë tjetër, veç i bën autoportretin vetes, si trushplarëse, natyrisht si trushplarëse e politikës!

 

——

PS Më poshtë po sjellim opinionin e Rudina Xhungës ku fokusohet tek oficeri Emiljano Nuhu që sipas saj braktisi vendin e punës  dhe se sipas saj rasti Xhiseila nuk është çështje politike

Lufta ka nisur. Ti me kë je? –

Nga Rudina Xhunga

Dje isha e ftuar në një emision televiziv të ‘News 24’, drejtuar nga Ylli Rakipi dhe u ndjeva si peshku pa ujë.

Drejtuesi më sqaroi disa herë se bëhej fjalë për një çështje politike dhe si e tillë duhej trajtuar.
Unë refuzoj ta shoh si çështje politike rastin “Xhisiela”.
Po ta trajtosh si të tillë, i bie të thirren në zgjidhje vetëm Rama-Basha, ta diskutojnë analistët në studio dhe ta arkivojmë sapo nis çështja “Vrasja te Blloku”. Këto nuk janë çështje politike. Janë çështje kombëtare.
Çështjen ‘Xhisiela’ nuk e zgjidh dot vetëm dëshmia e Nuhut, se ai e braktisi punën dhe vendin.
Këtë nuk mund ta zgjidhin, as vetëm gazetarët e kronikës, as analistët, as moderatorët, as portalet, as gjykatat, aq më pak publiku që bombardohet me informacion që e mpin dhe demotivon. Mbrëmë mendova pikërisht për publikun, gjatë emisionit. Unë isha e ftuar dhe u ndjeva e përjashtuar nga fraza: kjo është politikë. Po publiku si ndihet, po t’i thuash këtë?
Sigurisht i mënjanuar, i paftuar në zgjidhje, se po është politike, e dinë “ata”.
Por jo, nuk është politike, është kombëtare.
Përplasja me krimin, pushtetin e më të fortit, që po iu tek, të përdhunon, të vret dhe ia hedh, është çështje kombëtare. Kjo nuk është më, as vetëm çështje e policisë dhe prokurorisë. Polici e prokurori është njeri si unë e ti. Ka frikë se është i dobët në një shtet, ku ligjin e bën i forti. I forti paguan politikën, grupet e armatosura dhe medien.
Dhe forcohet gjithmonë e më shumë. I dobëti, më e pakta ul kokën, të mbushë lotarinë amerikane.
Dhe kështu po zbrazemi.
Ndaj çështjet e të fortëve e qyteteve, lagjeve e shtëpive tona, nuk janë me çështje politike, janë çështje kombëtare. Është e kotë të fshihemi pas gishtit, në debate që orientojnë politikisht dhe politikanë me alibira tabulatesh. Është më shumë se kaq, është më thjesht se kaq. Është vetëm një pyetje, që duhet t’i bëjmë vetes: Do të lejojmë të na përzënë nga ky vend?
Nëse jo, nëse nuk kemi atdhe tjetër, e kemi detyrim të mos lejojmë të na thonë, kjo është politikë.
Joooo, krimi është çështje kombëtare.
E ushqen nënshtrimi ynë, ndaj atyre që bëjnë drogë, prostitucion, krim dhe korrupsion.
Na duken të zotë, ulim kokën dhe bëjmë sikur nuk e kanë me ne.
Po nëse Nikla është larg, dje erdhi në Bllok, nesër të vjen në shtëpi. Është çasti që nuk ka kthim pas.

Tani nuk ka qytetar, biznesmen, punonjës administrate, gazetar, prind që mund t’i lejojë vetes luksin të mos bëhet palë.
Përballë janë dy mentalitete, dy mënyra jetese, dy lloj njerëzish. Ata nuk janë pushtet e opozitë, por të punës dhe të punëve të pista.
Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë Ramës dhe Bashës, tani është: Ju me kë jeni? Ne nuk e kemi shansin të mos bëjmë pyetje, se palët tani janë përballë. Nuk është Rama dhe përballë Basha, Xhafaj dhe përballë Noka.
Janë ata, që punojnë dhe ata që prostituojnë, janë ata që presin rrogën dhe ata që s’u duhet rroga, janë ata që heshtin dhe ata që vrasin, janë ata që zhvillojnë biznese dhe ata që u vënë gjoba bizneseve, janë ata që besojnë në ndershmëri dhe ndjeshmëri,  dhe ata që tallen me këto e të këpusin kokën, po u preve rrugën, sikur edhe rastësisht.
Gjithmonë ata që bëhen me të keqen, bërtasin më shumë, ndaj duken pak ata që rreshtohen me të moralshmen.
Tani është momenti të numërohemi.
Ndaj ngrije dorën! Ti me kë je? Sepse lufta ka nisur. Dhe nuk është lufta PS-PD. Është lufta e krimit me shoqërinë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Rudina Xhunga, trushplarëse

Atdhesimi i eshtrave te Mithat Frasherit

October 7, 2018 by dgreca

1-MITHAT-BEU-2-800x445-300x167Deklaratë për Shtyp-Ambasada e Shqiperise ne Washington/
ambasada
 
Në fillim të muajit tetor përkujtohet ndarja nga jeta e patriotit të shquar shqiptar, Mid’hat Abdyl Frashërit, në Shqipëri, por edhe ndër bashkëkombasit tanë në diasporë.
Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën me dije se, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 485, date 31 korrik 2018, “Për kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri”, është plotësisht e angazhuar, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, për përmbushjen e amanetit të Mid’hat Frashërit dhe kërkesës së bashkëluftëtarëve dhe familjarëve, që eshtrat e tij të prehen në tokën e të parëve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë i është veçanërisht mirënjohëse pasardhësve të Mid’hat Frashërit për të gjithë ndihmën e dhënë për përmbushjen e kësaj detyre njerëzore dhe atdhetare, po aq sa edhe familjarëve të bashkëpunëtorve të tij, si edhe Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo në Tiranë për propozimin e kësaj nisme.
Jo vetëm në kohën kur u përfshi në përpjekjet e mëdha të Rilindjes kombëtare për emancipimin kombëtar dhe individual të shqiptarëve, por edhe në çdo moment tjetër të veprimtarisë së tij publicistike, diplomatike dhe politike, Mid’hat Frashëri spikati prej orientimit të tij pro-perendimor dhe qasjes vizionare ndaj marrëdhënieve të privilegjuara me aleatët tanë të çdo kohe, sot, partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kontekst, atdhesimi i eshtrave të këtij patrioti të shquar, lipset të jetë një moment përbashkimi, solemniteti dhe krenarie për të gjithë diasporën shqiptare në SHBA, sikundër duhet të kthehet në një shprehje dinjitoze mirënjohje për tokën e bekuar amerikane që i qe banesë e fundit për 69 vjet dhe një moment kremtimi të marrëdhënieve historike shqiptaro-amerikane.
Është jubileu i 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilit Mid’hat Frashëri ju bë kryetar dhe udhërrëfyes, së bashku me At Gjergj Fishtën, dhe shumë atdhetarë të tjerë, që mundëson në kuadrin më të denjë të mundshëm, sjelljen në atdhe të eshtrave të tij. Kjo ngjarje do të jetë një nga më të rëndësishmet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Ceremonitë që do të shënojnë këtë ngjarje, do të zhvillohen në New York dhe në Tiranë rreth datave 12 dhe 14 nëntor 2018. Eshtrat e Mid’hat Frashërit parashikohet të prehen në varrezat monumentale të vëllezërve Frashëri, në kodrat e liqenit në Tiranë, pranë babait dhe xhaxhait të tij, jo larg vendit ku prehen edhe eshtrat e personalitetit tjetër të shquar, Faik Konicës.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në SHBA do të mbajë të informuar në vazhdimësi bashkëkombasit tanë për rrjedhën dhe programin e ceremonive dhe mirëpret angazhimin e diasporës shqiptare për të kontribuar në konceptimin dhe mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, si dhe për të shoqëruar me një frymë vëllazërie, qytetarie, dinjiteti dhe atdhedashurie, virtute që karakterizuan në shkallën më të lartë Mid’hat Frashërin, kthimin e tij në atdhe.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasada shqiptare, Atdhesimi i eshtrave, deklaration, Mit'hat Frasheri

GJYQI EVROPIAN PËR TË DREJTAT E NJERIUT

October 7, 2018 by dgreca

1 Nikë Gashaj

Nikë Gashaj/Sistemi më i zhvilluar i të drejtave të njeriut është vendosur në Evropë dhe ai, para së gjithash, është nën patronazhin e Këshillit Evropian. Këshilli në fjalë është formuar me 1949, kur disa shtete të Evropës Perëndimore të frymëzuara me ide të mëdha për bashkimin Evropian, e kanë vendosur të formojnë një organizatë rajonale me qëllim e arritjes më të madhe të bashkimit të shteteve evropiane mbi baza të demokracisë parlamentare, të pushtetit ligjor dhe të respektimit të plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Së shpejti pas formimit, Këshilli i Evropës e ka miratuar Konventën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore me 1950, në Romë, e cila ka hyrë në fuqi me 1953.

Më vonë, pranë kësaj Konvente janë miratuar dhe 14 Protokolle, të cilat paraqesin zgjerimin e përmbajtjes së të drejtave të njeriut. Ajo është Kontrata e parë moderne, e cila merret me një sëri të tërë të të drejtave qytetare (civile) dhe politike dhe formon organet për mbrojtjen e tyre. Prandaj, eksperienca e tyre në atë fushë është dhe më e pasura.

Me Konventen Evropiane janë formuar dy organe: Komisioni evropian për të drejtat e njeriut (1954) dhe Gjyqi Evropian për të drejtat e njeriut (1959). Përpos tyre, me Konventë kyçen në procedurë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe disa organe të tjera të cilat kanë qenë të themeluara në kuadër të Këshillit Evropian: Komiteti i Ministrave dhe Sekretari i Pergjithshëm i Këshillit Evropian.

Komisioni për të drejtat e njeriut i ka pranuar kërkesat nga shtetet anëtare, individët, grupet e personave ose organizatat joqeveritare, ndërsa i ka shqyrtuar vetëm nëse shteti në të cilin ka pasur të bëjë ka dhënë deklaratën se e pranon një kompetencë të tillë. Komisioni i tillë është paraqitur si ndërmjetësues me qëllim të arritjes së marrëveshjes miqësore dhe vetëm nëse deri te ajo nuk do të vihet, rasti ka mundur t’i dorëzohet gjyqit Evropian. Mirëpo, kompetenca e gjyqit nuk ka qenë e detyruar. Ndërkaq, në fillimin e viteve nëntëdhjetë me rritjen e numrit të nënshkruesëve të Konventës Evropiane është shtuar dhe numri i lëndëve që kanë mbetur të pazgjidhura, prandaj është vënë në pyetje efikasiteti i këtij sistemi. Mu për këtë arsye reforma e tij është bërë e domodoshme.

Në nëntor të vitit 1998, ka hyrë në fuqi Protokolli nr. 11 pranë Konventës Evropiane.

Me Protokollin e ri janë paraparë ndërrime me rëndësi. Para së gjithash, formohet Gjyqi i ri evropian për të drejtat e njeriut, i cili tani do të ekzistojë si organ i përhershëm dhe kompetencat e tij do të jenë të detyrueshme për të gjitha shtetet kontraktuese (heqet e ashtuquajtura kompetenca fakultative e gjyqit). Pastaj, shfuqizohet Komisioni për të drejtat e njeriut. Andaj, të gjitha ankesat për cenimin e të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventë drejtpërsëdrejti i dërgohen Gjyqit Evropian. Me ndërrimet e këtilla individi bëhet palë në proces/procedurë para një gjyqi ndërkombëtar.

Gjyqi Evropian për të drejtat e njeriut ka po aq gjykatës sa ka edhe nënshkrues të Konventës Evropiane, respektivisht numri i gjykatëseve të këtij gjyqi është i njëjtë me numrin e shteteve anëtare të Këshillit Evropian. Shteti propozon tre kandidatë për gjyq, prej të cilëve Kuvendi Parlamentar i Këshillit Evropian e zgjedh një (1) gjykatës për një periudhë prej gjashtë (6) vjetësh. Gjykatësit mund t’i shkarkojë vetëm gjyqi me dy të tretat e shumicës së votave kur ta vlerësojë se më tej nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara, përndryshe, gjykatësit duhet të gëzojnë një autoritet të lartë moral dhe profesional. Ata duhet t’i kenë kualifikimet e nevojshme për kryerjen e funksioneve të larta gjyqësore në shtetin e vet, respektivisht duhet të jenë ekspertë juridikë të dëshmuar e të pranuar. Profesionalizmi, pavarësia dhe objektiviteti duhet të jenë cilësitë kryesore të çdo gjykatësi të Gjyqi Evropian. Ata veprojnë në një cilësi të pavarur dhe nuk e mbrojnë shtetin i cili i ka kandiduar. Mund të konstatohet se në kuadër të Sistemit Evropian të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, më i rëndësishmi është Gjyqi Evropian për të drejtat e njeriut në Strazbur. Ai Gjyq, sikurse thotë M. P. Margulnaud, është: “Rrota kryesore e një mekanizmi të rëndësishëm  të zbatimit mbinacional të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut…”. Shikuar në përgjithësi, Gjyqi ka për detyrë për të siguruar respektimin e detyrave për të cilat në pikëpamje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut i kanë marrë përsipër shtetet përkatëse.

Kompetencate  gjyqit janë të caktuara sipas parimeve vijuese: për të shqyrtuar vetëm ato ankesa që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të përmbajtura në Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose në protokolle pranë Konventës; Gjyqi mund t’i pranojë ankesat nga çdo individ, organizatat joqeveritare ose grup personash të cilët pohojnë se janë viktimë e cënimit të të drejtave të përcaktuara me Konventë dhe me protokolle të saj, të bëra nga ndonjëra prej palëve të larta kontraktuese.

Gjithashtu, procedurën para gjyqit evropian për të drejtat e njeriut mund ta nisin një ose më shumë shtete për vërtetimin e cënimit të të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventë Evropiane. Në të vërtetë, ato janë konfliktet apo mosmarrveshjet ndërshtetërore. Por ato nuk janë aq të rëndësishme, në krahasim me rastet e ankesave individuale. Gjyqi nuk është i autorizuar për t’i shqyrtuar rastet e cënimit të të drejtave të njeriut të cilat kanë ndodhur para se Konventa ka hyrë në fuqi ose para se shteti përkatës e ka notifikuar Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut. Po ashtu, sipas nenit 35 të Konventës, Gjyqi nuk do ta shqyrtojë kërkesën nëse i është dërguar dhe parashtruar gjyqit pas përfundimit kohor pas gjashtë muajsh prej ditës kur është marrë vendimi i prerë apo i plotfuqishëm.

Kompetencat e Gjyqit janë të caktuara në nenin 1 të Konventës në të cilin shtetet “u garantojnë të gjithë personave nën juridiksionin e vet të drejtat dhe liritë në pjesën 1 të kësaj Konvente”. Mirëpo, juridiksioni i një shteti nuk është identik me territorin kombëtar për të gjithë ata çka do të mund të bëjë jashtë territorit të vet shtetëror.

Gjyqi është i autorizuar për ta vërtetuar nëse ka ndonjë rast konkret të cënimit të ndonjë të drejte të njeriut dhe të vendosë mënyrën e kompensimit të të dëmtuarit. Gjyqi i mban mbledhjet në këshilla prej tre gjykatësve, me seanca prej shtatë gjykatësve. Procedura zhvillohet në dy faza.

Gjyqi së pari e vërteton, a i plotson ankesa të gjitha kushtet për pranim. Sapo ankesën ta shpallin të pranueshme, gjyqi u vëhet në dispozicion palëve në konflikt me qëllim të arritjes së marrëveshjes miqësore. Në qoftë se nuk vihet deri te marrëveshja, seanca vazhdon shqyrtimin e lëndës dhe marrjen e vendimit. Në një afat prej tre (3) muajsh prej ditës së marrjes së vendimit nga seanca gjyqësore, secila prej palëve mund të kërkojë që rasti të procesohet para seancës së Madhe Gjyqësore. Për këtë vendos paneli nga pesë (5) gjykatës, respektivisht Kolegiumi dhe ai do ta pranojë kërkesën nëse e vlerëson se me rastin procesohet një çështje  me rëndësi që ka të bëjë me shpjegimin dhe zbatimin e Konventës Evropiane dhe Protokolleve të saj.

Në qoftë se Kolegiumi e pranon  kërkesën, seanca e madhe Gjyqësore do ta marrë vendimin, i cili është definitiv.

Vendimet e Gjyqit janë të prera dhe kanë karakter detyrues. Shteti detyrohet që të marrë masa për kënaqjen e viktimave, kurse aktgjykimi i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili e bën mbikqyrjen e zbatimit të tij. Çështja e zbatimit të vërtetë të vendimit të Gjyqit është padyshim – sikurse thekson Peter Leupretit– çështjë thelbësore. Shteti është i detyruar të zbatojë vendimin e Gjyqit në bazë të nenit 46 të Konventës, i cili e përcakton se shtetet “e marrin përsipër detyrën e zbatimit të vendimit të gjyqit për çdo lëndë të cilat janë palë”. Refuzimi i vendimi të Gjyqit e shpie shtetin në situatë konfrontimi me Komitetin e Ministrave, i cili është  i detyruar të mbikqyrë zbatimin e vendimit Gjyqësor. Gjithashtu, me Statutin e Këshillit Evropian parashihet dhe mundësia e pezullimit ose të përjashtimit nga anëtarësia nëse nuk respekton parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut.

Nga ajo që u tha më lart, rrjedh se pas shumë shekujve të sovranitetit absolut në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, shtetet e Evropës tani janë gjetur në një situatë që “mbi vehten” kanë mekanizma të veçantë ndërkombëtarë gjyqësore dhe të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me format e garancisë kolektive, me të cilat sigurohet se shtetet do t’i sendërtojnë detyrat e veta, të cilat i kanë pranuar me nënshkrimin e një Konvente e cila sipas vokacionit të saj themelor, e ka qëllimin për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Institucionet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë karakter subsidiar apo ndihmës në raport me sistemin shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në qoftë se shteti nuk ka procedurë dhe ilaç juridik efektiv, ose nëse shteti nuk e siguron ilaçin juridik adekuat dhe efektiv, ose nëse procedura e medikamentit juridik në sistemin kombëtar nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, atëherë ia fillon punën e vet gjyqi europian për të drejtat e njeriut si dhe mekanizmat e tjerë.

Prandaj, qëllimi i mekanizmave mbrojtës europianë nuk është në aspektin e marrjeve të vendimeve të vend të shtetit, ato vetëm mënjanojnë lëshimet e bëra të shteteve, nëse deri te ato mangësi vihet në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, e cila është punë dhe detyrë kryesore e organeve shtetërore.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut – sikurse e nënvizon J. H. H. Weiler– është bërë imperativ i përbashkët juridik dhe politik. Ajo qasje e re e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, është bërë sinjal i bindjes se standardi adekuat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajonin europian nuk do të mund të realizohet në mënyrë konsekuente pa u vendosur mekanizmat mbikombëtarë. Ndërsa, respektimi, zbatimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe të detyrave të pakicave kombëtare janë si kusht të integrimeve europiane.

Domethënë, qasja e re nënkupton mundësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga institucionet mbikombëtare. Nga ajo rrjedh – sikurse e theksonJ. Frowein– se qëllimi i Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është pikërisht integrimi i shteteve europiane.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë pranua dhe të atyre që do të pranohen në Këshillin Evropian dhe të cilat e nënshruajnë Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, hyjnë në një pozicion  të ri historik, social dhe politik, sepse të gjitha çështjet më të rëndsishmë të zbatimit të Konventës Evropiane menjëherë  bëhen aktuale. Domethënë,  Vendet e tilla e nënshkruajnë detyrimin se të gjithë individëve/personave nën juridiksionin e vet do t’ua pranojë të gjitha të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore të cilat janë të përmbajtura në Konventën Evropiane dhe në protokollët e saj.  Kjo çështje, në rend të parë, parashtrohet nga këndi i rregullimit dhe efikasitetit bashkëkohor, racionalitetit dhe kompetencës, si dhe objektivitetit (paanshmerisë) të institucioneve të sistemit politik.

Mirëpo, një rëndësi të vogël do të kenë dispozitat kushtetuese të shteteve ballkanike kontraktuese të cilat e proklamojnë primatin e të drejtës ndërkombëtare mbi legjislacionin kombëtar dhe zbatimin e drejtpërdrejt të tij, nëse nuk krijohen kushtet, përkitazi supozimet e nevojshme për zbatimin e saj.

Andaj, rendet shoqërore politiko-juridike të vendeve të Europes Juglindore, me strukturën dhe përmbajtjen e vet dhe jo vetëm me tekstet e akteve pozitive juridike, duhet të jenë esencialisht të harmonizuara me standardet demokratike të Evropës bashkëkohore.

Ajo është me rëndësi qenësore për ardhmërinë e vendeve ballkanike në pikëpamje të evropeizimit dhe të zhvillimit e prosperitetit të përgjithshëm demokratik, ekonomik, social, kulturor dhe politik, si dhe të funksionimit të pushtetit ligjor,  apo të shtetit juridik.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: GJYQI EVROPIAN PËR, Nike Gashaj, te drejtat e Njeriut

TRUMP PRESIDENT DHE KAVANAUGH GJYKATËS SUPREM POR JO SHENJT

October 7, 2018 by dgreca

1 Trump & KAVANAUGH

Nga Asllan Bushati/Asllani-36-231x300Të shtunën më 6 tetor 2018 miku dhe shoku ynë vatranë Zef Ballaj na ftoi për drekë tek Nana’s Kitchen, restaurant  në pronësi të matjanit Landi Kodra në Bronx NY. Të pranishëm në drekë (kuptohet përvec Zefit) ishim edhe Agim Rexhaj, Nënkryetar i Vatrës, Lekë Përlleshi antar i Këshillit Drejtues dhe unë. Zefi  na thotë se ju kam ftuar për  drekë këtu dhe për një kafe tek “Parissien Cafe’”, se sot jam i bindur se  Senati do të miratojë  emërimi e Brett M Kavanaugh  si gjykatës i përherëshëm  në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Për këtë jam shumë i gëzuar dhe e konsideroj një fitore tjetër të rëndësishme  të “Doktrinës Trump”. Por, shtoi Zefi  votimin e drejtpërdrejtë do ta ndjekim së bashku “live” tek fakeja e Dervish Jahjagës. I thamë Zefit njëzëri  mirsetëgjetëm dhe qoftë e bërë.

Kështu nisëm të diskutojmë rreth gjyqtarit Kavanaugh ( dhe më gjërë )se pse për arsye të politikës  së ditës u “ndot” kaq shumë figura e një personaliteti  dhe shtetari shumë  të rëndësishëm. Në këtë kontekst ju tregova miqve të mi një ndodhi të vogël të vitit 1999 ku kisha filluar punë në një kompani mirmbajtje te godina e unionit 32BJ (me mbi 80 mijë antar). Stafi dhe degë të unionit bënin party (darkë me ushqim e muzikë) të paktën një herë në javë. Në këtë kohë i ashtuquajturi skandali Leninski  ku shigjetohej ish Presidenti Klinton ishte i pranishëm deri në kufijt e mërzisë në TV, radio, gazeta e deri tek bisedat në grupe. Në një nga këto party një grup nga stafii unionit prej 5-6 vetash më pyetën mu:”Ju si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare dhe si resident i ri në SHBA si e gjykoni skansalin e Presidentit Klinton me Monika Levinskin?”. Përgjigja ime ishte: Më është bërë tërësisht e neveritëshme. Por ne se ju amerikanët  keni shkuar në kishë dhe keni  votuar Bill Klintonin si shejt, keni bërë gabim se ai nuk është shejt. Por në se keni shkuar në institucionet e shtetit amerikan dhe keni votuar Bill Klintonin si President i SHBA-së keni bërë gjënë e duhur se ai me të vërtetë është president i suksesshëm dhe për ne shqiptarët edhe hero i lirisë së Kosovës.

Këtë deklaratë timen ja kishin thënë presidents së unionit e cila në një rast tjetër më tha se shprehja juaj është vërtetë   një  gjetje  interesante. Disa muaj më pas kur Zonja Hillari Klinton ishte në garë për senatore  dhe erdhi në 32BJ ku u përshëndet me qindra antar ndër të tjerët  përfshi edhe me mu. Në këtë rast presidentja e unionit duke buzëqeshur i tha asaj se ky është  Bushati nga Shqipëri  për të cilin ju fola më parë. Zonja Klinton vetëm buzëqeshi dhe  më tha :”Hi”.

Këtë histori, ja pata treguar Zefit më parë, kur filluan të nxjerrin për Presidentin Trump, gjëra  nga jeta e tij privat  të një kohe të shkuar të  15, 20 apo 30 viteve më pare, të cilat  në gjykimin tim ishin shumë të padrejta. Sepse të gjitha këto i pashë si dashakeqe,  herë-herë të neveritëshme, të pa vërtetuar  e me veprim të fortë psikologjik mbi opinionin e përgjithshëm vetëm për ta ulur poshtë figurën e tij.  Askush nuk ka mundur të argumentojë se Presidenti Trump nuk është i suksesshëm në të gjitha fushat qe ka marrë përsipër në fushatën  e tij zgjedhore. Por  gjithcka bëhet vetëm e vetëm se  duan ta largojnë nga pushteti qe të rikthehen opozitarët. Në këtë rast do të  dëshiroja ta përsërisja deklaratëm time të vitit 1999 për Presidentin Klinton, por me të vetmin ndryshim që në vend të Klinton të thoja Trump duke pyetur amerikanët se : Ju votuat në kishë për Shën Trumpin apo në institucionet e shtetit amerikan për  Presidentin Trump? Në se keni votuar në kishë, Trump nuk ka asnjë pretendim për të qenë shejt, por në  se keni votuat për Trump president ai është shumë i suksesshëm. Kështu ju lutem shumë , lereni atë të eci përpara në realizimin e programit me të cilin fitoi zgjedhet e 2016-tës, se me këtë situatë që po gatuani do të fitojë edhe ato të 2020-tës.

E njejta situatë ndodhi edhe me gjyqtarim Kavanaugh, i cili u baltos në opinionon amerikan  në mënyrën më të padrejtë të mundëshme  me një histori të shtirur e të  pështirë  që kur ishte nxënës  në shkollë të mesme. Ai nuk u gjyku ne opinion për punën e tij shumë profesionale dhe shumë  të suksesshme në disa dekada si  gjyqtar  dhe si shtetar  e intelektual  konseguant në fushën e drejtsisë, por si një objekt dhe si një mundësi, për të goditur Presidentin Trump dhe punën e tij.  Pra shkurt Kavanaugh u përdor poshtërsisht nga politika  për qëllime politike e jo profesionale. Por ai tashmë  i zgjedhur me shumicën e votave të Senatit Amerikan , do të gjykojë në Gjukatën Supreme të SHBA-së  për të gjithë pjesën vijuese të jetës së tij . Urojme dhe dëshirojmë të jetë i drejtë dhe i suksesshëm në punën e tij si gjyqtar, por edhe ai nuk është votuar për shejt  dhe të mos presim se do ti thonë Shen Kavanaugh.

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati, jo shenjt, Kavanaugh, Trump president

Shqiptarët dhe pavarësia

October 7, 2018 by dgreca

VOSSISCHE ZEITUNG (1912) / JA ÇFARË SHPREHU ISMAIL QEMALI NË TRIESTE PARA SE TË NISEJ PËR NË DURRËS/1 qemali Ismail

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Tetor 2018/

“La Presse” ka botuar, të enjten e 21 nëntorit 1912, në ballinë, deklaratën e Ismail Qemalit, dhënë për “Gazette de Voss – Vossische Zeitung” në Trieste para se të nisej për në Shqipëri për evenimentin më të rëndësishëm të vendit tonë.

Çfarë ka shprehur më konkretisht asokohe lideri shqiptar ?/

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Shqiptarët dhe pavarësia

 Berlin, 20 nëntor.Gazeta Voss (Vossische Zeitung) shkruan se kreu shqiptar Ismail Qemali, i cili gjendet në Trieste, planifikon të largohet për në Durrës, me një avullore të Lloyd-it.

Ai tha se sapo të mbërrijë në destinacion do të shpallë pavarësinë e Shqipërisë :“Ne duam ta vëmë Evropën përpara faktit të kryer dhe të krijojmë menjëherë një qeveri të përkohshme.

Shqiptarët, nëse është e nevojshme, do të luftojnë me trimërinë më të madhe për pavarësinë e tyre.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Ismail Qemali, Shqiptarët dhe pavarësia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT