• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Mukwege dhe Murad fitues të Nobelit për Paqe

October 5, 2018 by dgreca

MukegeGjinekologu Denis Mukwege, që trajton viktimat e dhunës seksuale në Kongo dhe Nadia Murad, aktiviste nga Jazidi për të drejtat e njeriut dhe e mbijetuar e skllavërisë seksuale nga Shteti Islamik në Irak, janë fitues të çmimit Nobel për Paqe të vitit 2018.

Nga Komiteti norvegjez i Nobelit thanë se kanë ndarë këtë çmim për shkak të kontributit të tyre për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si armë e luftës.

“Të dy laureatët kanë dhënë kontribut të madh në tërheqjen e vëmendjes dhe luftimin e këtij krimi të luftës”, u tha në njoftim.

Denis Mukwege
Denis Mukwege

Këtë vit ishin 331 të emëruar për çmimin – 216 nga të cilët individë dhe 115 grupe, tha Komiteti i Nobelit.

Mukwege, gjinekolog që trajton viktimat e dhunës seksuale në Republikën Demokrate të Kongos, drejton spitalin Panzi në qytetin lindor Bukavu.

Spitali i hapur më 1999, pranon mijëra gra çdo vit që kërkojnë intervenime pas dhunës seksuale.

Ndërsa, Murad është mbrojtëse e minoritetit Jazidi në Irak si dhe e të drejtave të grave dhe refugjatëve në përgjithësi. Ajo ishte dhunuar dhe skllavëruar nga Shteti Islamik në Mosul më 2014.

Nadia Murad
Nadia Murad

Çmimi Nobel do të ndahet në Oslo të Norvegjisë më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, që ishte themelues i këtij çmimi më 1985.

Çmimi, çdo vit, i ndahet një individi ose grupi që ka bërë më së shumti për të çuar përpara paqen në botë.

Vitin e kaluar, fituese ka qenë Fushata Ndërkombëtare për Eliminimin e Armëve Bërthamore.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjinekologu Denis Mukwege, Nadia Murad, Nobeli i Paqes

Gjyshi im, Flamurtari Vatran, Jaho Sinani

October 5, 2018 by dgreca

1 Jaho Sinani OkNga Ajet Nuro/Në dy periudha të ndyshme historike më është bërë pyetja: Ti, je nipi i Jaho Sinanit ? Në të dy rastet përgjigja ka patur një prapashtesë. Para 1990, të ishe nip i Jaho Sinan Islamit do të thoshe të ishe nip i armikut, ishe i destinuar të ishe i lindur armik. Pas 1990, kuptohet dalëngadalë, njerëzit filluan të rikujtojnë se Jaho Sinani, para se komunistët t’a shpallinin armik, ishte flamurtar i « Vatrës », mbështetës i Fan Nolit, komandant i Çetës territoriale dhe mbështetës i luftës për çlirim. Ai vuri në dispozicion të Shqipërisë dhe luftës së saj për çlirim gjithçka kishte pasuri dhe mbi të gjitha familjen e tij.  Ndaj, mund të kuptohet kënaqësia që pasi njihesh me një të ri tepelenas dhe ai merr vesh se je nipi i Jaho Sinanit, ai shton me habi : – Nipi i Jaho Sinanit, flamurtarit ?! Po, unë jam nipi i Jaho Sinanit.

Kush ishte Jaho Sinan Islami

 Pa dashur të bëj një monografi apo të shkruaj detajet e jetës dhe asaj çka e bënë të pavdekshëm gjyshin tim Jaho Sinani, po radhis disa fakte nga jeta e tij e pasur me ngjarje.

Jaho Sinan Labi, lindi më 1 Janar 1890 në Dukaj të Tepelenës. Biri i një familje të madhe dhe relativisht të pasur, ndryshe nga tradita familjare që mendonte veç bujqësi e blegtori, Jahoja do të dashurohej pas arsimit.

Babai i Jahos, Sinani nuk pranoi të shkonte ushtar për Turqinë dhe u detyrua të bëhej kaçak dhe madje të krijonte edhe një çetë të tillë. Jo vetëm kaq por në edukimin patriotik të Jahos do të ndikonin burra të të tillë të Labërisë dhe gjithë Shqipërisë si Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali apo edhe Tafil Buzi.

 Rinia e tij do të përkonte me ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar por edhe me turbullirat më të mëdha historike. Bëhet fjalë për pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe coptimin e saj prej fqinjëve sidomos shkëputja e Kosovës nga shteti mëmë.

Ndonëse i ri, Jaho do të edukohej nga ajka e rilindasve shqiptarë dhe do të lidhej me ideatorët dhe aktorët e bërjes së shtetit shqiptar. Ai do të luftonte jo vetëm me libra por edhe me armë për pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia.

Është pikërishtë pragu i pavarësisë, kur Jaho me dy  vëllezër të tij vendosin, të detyruar edhe nga gjendja ekonomoke e kohës,  të fillojnë një aventurë që quhet mërgim që ndonëse i rrethuar me legjenda dhe histori të bukura të pasurimit, përsëri ai ngelej një plagë, plagë për familjet e ndara, plagë për ndarjen prind-fëmijë, në shumicëbn e rasteve pa mundur  të rishiheshin.

 Udhëtimi për në Botën e Re, Amerikë u krye në qershor të  vitit 1912. Vëllezrit  Islami u vendosën në Boston, pikërisht aty ku vetëm disa muaj më pare ishte krijuar shoqëria më e madhe që kanë mundur të krijojnë shqiptarët në megrim, shoqëria “Vatra”. Jaho Sininani nuk mund të rrinte larg organizimeve të tilla ndaj bëhet që në fillim një nga aktivistët e organizatës VATRA. Ai do të përfaqësonte shqiptarët e New Bedford në Federatën Pan-Shqiptare Vatra. Ai është konsideruar flamurtar i VATRËS dhe duhet kuptuar roli i flamurit si simbol i përkatësisë kombëtare dhe mbi të gjitha ai ka ndihmuar me gjithçka si Vatrën dhe fushatat e saj për të ndihmuar at’dheun që sapo është shpallur i pavarur. Duke u bazuar në njoftimet e herë mbas hershme të gazetës ALBANIA, jo pa krenari zbulohet se Jaho Sinani (Dukaj) është një nga më zemërgjerët në dhënien e ndihmave financiare. Është pikërisht ajo periudhë kur Shqipëria kishte më shumë nevojë se kurr për të mbijetuar dhe është pikërisht përgjigja e vatranëve që e bënë Nolin të shkruaj me entuziazëm:

“Mbahu, nëno, mos ki frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë”

Njoftimet në gazetën Albania për mbledhjen e ndihmave për Shqipërinë. Jaho Sinani dhe vëllezërit e tij figurojnë mes atyre që ishin më zemërgjerë

Në vitin 1920, bashkë me dy vëllezërit e tij, Jaho Sinani do të jetë mes atyre 300 shqiptarëve që lanë Amrikën për të marr pjesë në luftën e Vlorës.

 Me kthimin e Fan Nolit nga Bostoni për të marr pjesë në jetën politike shqiptare, ai do të kishte mbështetës një mik të vjetër vatran, Jaho Sinanin. Por, kjo përkrahje dhënë Fan Nolit i kishte të gjitha brenda duke përfshir edhe konsekuencat si ajo e hakmarrjes së kundërshtarëve. Kështu, Noli u vu në krye të një lëvizjeje që përmbysi Ahmet Zogun me dhunë por pushteti i tij zgjati veç gjashtë muaj. Me riardhjen e Zogut në pushtet, jo vetëm Noli u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer kurr, por edhe gjithë mbështetësit e tij, përfshi Jaho Sinanin. Është për t’u shënuar se në familjen e Jaho Sinanit ishin të ndar mes partive politike. Kështu, Jahua ishte përkrahës i Nolit ndërsa vëllai i tij, Sherifi, ishte përkrahës i Zogut. Pluralizëm politik familjar… Pushtimi i Italisë fashiste në prill 1939 do t’a rreshtonte Jaho Sinanin në krah të çlirimtarëve sidomos kur trumbetohej me të madhe “Shqipëria mbi të gjitha”. Si komandant i çetave territoeriale ai do merrte pjesë në shumë luftime si në Mogila, Miricë etj. Por, lufta në përfundim të saj do t’i rezervonte Jaho Sinanit një të papritur jo vetëm të pakëndëshme  por më të keqen që mund të imagjinohej. Sigurisht, fitimtarët tashmë kishin ndërruar kapelen dhe parrulla ishte “Pushteti mbi të gjitha” dhe Jaho Sinani do të etiketohej armik.

Jaho Sinani mes fshatarëve të vet

Çfarë mund t’i bënte regjimi Jaho Sinanit, ku do t’ia gjente pikën e dobët? Sigurisht Jaho Sinani ishte nacionalisti 24 karatësh që nuk i duhej më Shqipërisë, madje as pasuria e tij që u vu në dispozicion të çlirimit të vendit nuk i duhej më Shqipërisë. Ato, tashmë regjimi mund t’ia merrte sipas parimit “Hodha lumin, të dh* kalin”. Fatin e Jaho Sinanit do t’a pësonin të gjithë nacionalistët e sërës së tij. Zenel Shehu, një nga shtyllat e luftës çlirimtare në Tepelenë do të pushkatohej se nga “komandanti” i pabesë vetëm e vetëm se Zenel Shehu i kujtoi Enver Hoxhes se “nuk e kishim fjalên kështu” pra nuk luftuam që pas luftës të n’a merrnin tokat të cilat i kishin trashëgim ose i kishin blerë me sakrifica. Jam krenar të them se pikërisht në Tepelenë filloi edhe rrebeliimi i parë kundër regjimit komunist siç ishte kryengritja e Zhabokikës. Në këtë kryengritje do të merrte pjesë edhe nipi i tij Mufiti, i cili edhe do të internohej. E pra, Jaho Sinani do të shpallej kulak, jo vetëm që do t’i merreshin tokat por edhe të vuante për një diçka që duhet të ishte krenari për të gjithë krijimi i pasurisë. Dhe mjeti më i mirë që partia kishte gjetur ishte hedhja në luftë e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit. Për, nëse vegjëlia, ata që kurr nuk kishin patur në jetën e tuyre pak tokë, tashmë kishin partinë dhe e vetmja gjë që partia u kërkonte ishte t’i shërbenin asaj dhe mbi të gjitha të luftonin ish klasën “sunduese”. Në mbështetje të kësaj lufte edhe floklori, krijimtaria në shërbim të partisë. Ja një nga këngët që klasa e re, vegjëlia siç i pëlqente diktatorit t’i përkëdhekte i ngriti Jaho Sinanit me qëllim denigrimin e figurës së tij:

Shkëmbi Dukajt shkëmb i lartë

Mos kujto se s’ke kulakë

Jaho Sinanin me bajrak

Sado që kënga ishte për të përforcuar ndjenjat e urrejtjes ndaj “klasës së përmbysur” ata padashur e ngrenë lartë figurën e Joaho Sinanit. Ata e dinë që edhe duke e shpallur kulak, kanë të bëjnë me dikë që flamurin e kishte shtojcë të hijes së tij. Pra, Dukaj nuk kishte bërë kulak dokëdo por Jaho Sinanin, bajraktarin apo prijësin atë që dha gjithçka kishte për atdheun, atë që, edhe  atë që nuk ua dha, ia grabinën.

Jaho Sinani iku ashtu pa u kuptuar. I vunë një diagnozë të çuditëshme si “ngatërrim zorrësh” dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ai që do të duhej të nderohej me nderimet që i takojnë një luftëtari dhe patrioti, u konsiderua armik. Dhe armiqët at’here shpalleshin dhe askush nuk mund të kërkonte llogari. Partia mbi të gjitha. Ajo parti që e shkatërroi rracën e intelektualëve, nacionalistëve dhe shqiptarëve të vërtetë.

Pas rënies së komunizmit në fund vitin e 1990-s dukjotët të parët do të kujtoheshin për heroin e tyre që jo vetëm nuk dutën t’a nderonin por edhe i kishin rënë më qaf duke e mënjanuar nga shoqëria, nga miqët dhe shokët. Filluan të dalin artikujt e parë. Rifilluan të ribotohen artikujt e “Diellit” dhe gazetave të tjera të kohës për të rinxjerr ne pah figurën e këtij patrioti.

Artikulli i Maliq Liles kushtuar Jaho Sinanit

Nder i kombit!

Artikullin më të ndjerë dhe që shprehte me fjalë të thjeshta atë çfarë i ndodhi Jaho Sinanit e shkroi poeti dhe personaliteti i kulturës, biri i Dukajt, z. Maliq Lila.  Një video mbi veprmtarinë e Jaho Sinanit e ka realizuar poeti dhe regjisori Tepelena Patrit Ruka që do të doja t’a falenderoja për kujdesin e treguar dhe punën kolosale në përgatitjen e një video biografike për një figurë që veproi në dy kontinente dhe në disa regjime e në momente delikate për kombin tonë. Nderimet e vërteta do të vononin ca por do të vinin.  Në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Jaho Sinani  do të shpallej “Nderi i Qarkut Gjirokastër”. Por, nderimin e plotë do t’a merrte në qershor 2017 nga Presidenti Bujar Nishani që do t’a shpallte “Nderi i kombit”.

PS Pasi kisha mbaruar këtë shkrim, pyeta dajon tim Shefqetin se ç’mendonte. Ai nuk mundej të mos më shkruante për një episod që i kishte ndodhur në kohën e diktaturës:

Shefqet Islami me të fejuarën, në kohën që bëhet objekt i biografive të fshatit të lindjes.

Nga vitet 84-85 une u grinda duke kerkuar qe njerzit te delnin nga letargjia e sistemit dhe t’i shikonin gjërat më me realizëm. Shkaku ishte nje biografia ime qe derguan nga fshati per mua ne Yrshek Tiranër. Ftova disa ish partizan e deshmitar te luftes ne fshat. Ata qe erdhen deshmuan per madheshtine e rrjedhes te Jahos. Nje fanatik i regjimit e ish partizan i quajtur Mehdi tha se Jaho ishte njeri si thike me dy tehe “presa” Aty u mor nje vendim qe ta benin historikun e fshatit dhe Jaho te zinte vendin e merituar.Por, nuk ishte e thjesht te dilje nga kthetrat e sistemi totalitar e kur kishe neperkembe “partinë”. Sekretar i byrosë së partisë për  kooperativen e bashkuar Dukaj ishte Gramoz Ruci të cilin nuk e takoja dot  që flisnim pasi  ai fshihej, “shmangej”. Kur u ktheva ne Tirane shkova tek nje partizan i vjeter dhe ish ushtarak i larte Çome Koco Kripa nga Tepelena. Une u shtanga nga qendrimi  i tij në anën e së vërtetës. Ai më tha  se Jaho Sinani i ka dhene shume vendit dhe ne nuk duhet ta harrojme kujtimin e tij. Ne kemi akoma nder dhembe buken qe kemi ngrene tek Jaho Sinani. Kur i thash qe shoku Mehdi R. tha qe Jaho ishte thik me dy presa  Çome Koco Kripa m’a ktheu: “Nje demokrat si Jaho Sinani sigurisht nuk donte kurre te humbisnin jetë njerzish ai e njihte mire luften civile. Jaho donte unitet”. Do të duhej të vinin vitet ’90 që figura e Jaho Sinanit të nderohej.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ajet Nuro, Flamurtari Vatran, Gjyshi im, Jaho Sinani

Dilema e vlerave dhe e kompromisit

October 4, 2018 by dgreca

1 Nail Draga

Në kohën e krizës morale të pluralizmit në fjalorin e përditshëm ka filluar të zbehet koncepti i vlerave të proklamuara si ide dhe vizion shoqëror duke u zëvendësuar me konceptin e kompromisit, që në shumë raste paraqet interesin e individëve apo klanëve të ndryshme duke zhvlerësuar parimet morale e  demokratike.

Shkruan: Dr.Nail Draga/

Periudha e pluralizmit politik në Mal të Zi për rreth tre dekada ofron mundësi të analizave shumëdimensionale, sepse kemi të bëjmë më një periudhë kohore me plot sfida. Madje klasa politike në pushtet në këtë mjedis ka pësuar një metamorfozë si rrallë kund, si në aspektin social e politik që ishte vendimtare për Malin e Zi, deri në pavarësimin e tij të plotë, ndërsa nga ana tjetër kemi politizimin e e të gjithë ambientit shoqëror, që ngjason me atë të kohës së monizmit, që është në kundërshtim  flagrant me demokracinë dhe shoqërinë pluraliste në përgjithësi.

Parimi i interesave

Përvoja deritashme na mëson se kompromiset janë një e drejtë demokratike, dhe së  nuk janë dukuri të panjohura, sepse për të arritur një objektiv ata janë pothuaj të vetmet mundësi reale të momentit. Por, a duhet që të pranohen çdo herë kompromiset, edhe pse në dukje del së arrihet një objektiv. Pikërisht në këtë aspekt kemi të bëjmë me etikën politike e cila është përcaktuese si për individet dhe subjektet politike të cilët marrin vendimet përkatëse. Nëse duhet për t’u qendruar besnik parimeve atëher këtë çështje duhet trajtuar më shumë kujdes, sepse lehtë mund të ndodh që  për hir të interesave të ngushta të dalim jashtë parimeve, duke mbeshtetur koalicionet e panatyrshme politike. Pikërisht, këtu qendron edhe problemi sepse aty ku përfundon morali fillon politika, e cila nuk respekton parimet por interesat, qofshin ata edhe momentale.

Raste të tilla ka kudo, e sidomos kur në pyetje janë  koalicionet në qeverisje si lokale apo qendrore. Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët, ku si shëmbull tipik na shërbën pushteti lokal i Ulqinit, përkatësisht  marrëveshja  qeverisëse e arritur  me liberalet në vitin 1996 e të tjera të ngjajshme më pas që  iritojnë qytetarët e në veçanti votuesit e subjektëve përkatëse.

Por, kompromiset e tilla dëshmojnë qartë se disa individ apo subjekte për të ia arritur qellimit janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin, dukuri kjo e njohur jo vetëm me përmasa lokale, por edhe regjionale.Është çështje tjetër se kompromiset e tilla janë të momentit, sepse në zgjedhjet vijuese, mund të ketë dekompozime tjera, varësisht prej aktorëve politik, të cilët për të mbetur në skenë përdorin çdo mundësi, sepse nuk kemi të bëjmë me parimet apo etikën politike por me përfitimet e mundshme nga pjesëmarrja në pushtet.

Koha e krizës morale

Ka kohë që  dëgjojmë sintagmën „kriza morale“, e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese shoqërore. Jo se kjo sintagmë nuk ka ekzistuar edhe më parë, por  është shqetësuese së në pluralizëm ka humbur kriteri i vlerës, duke u zëvendësuar me antivlerën. Dhe s’ka si të jetë ndryshe se aty ku mbaron morali fillon politika, pra jemi duke jetuar në një shoqëri të politizuar, që i ngjason sistemit të monizmit, ku partia ishte baraz me shtetin, ndërsa interpretimet tjera ishin për konsum të ditës.

Një dukuri e tillë ka të bëjë sidomos me çështjen e punësimeve  në vende të ndryshme të punës ku  nuk  punësohen  individë me përgatitje profesionale dhe vlera të dëshmuara, por në shprehje  vjen përshtashmëria shoqërore,  përkatësisht  përkatësia partiake.  Dhe raste të tilla, ka kudo në vendet e ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk është përjashtim. Madje një dukuri e tillë ka marrë përmasa të mëdha duke u bërë si trend shoqëror. Pikërisht në këtë aspekt, nëse analizojnë emërtimet e drejtorave në institucionet shkollore, shtëpive të shëndetit del qartë se të gjithë janë nga partia në pushtet e ndonjë  rrallë edhe nga pjesëtarët e koalicionit qeverisës. Madje është e kotë të konkurohet edhe nëse je profesionalisht  i  përgaditur dhe më autoritet në kolektivin përkatës, nëse nuk ke mbeshtetje politike. Dhe ajo mbeshtetje paraqet elementin bazë për t’u zgjedhur drejtues  i atij institucioni. Raste të tilla kemi kemi kudo, ndërsa   në fushën e arsimit  dhe të shëndetësisë është  bërë pothuaj dukuri normale.

Injorohet profesionalizmi dhe meritokracia

Edhe pse ekziston  thënia emblematike  „se punës duhet gjetur njeriun, e jo njeriut punën“, jemi dëshmitar se një thënie e tillë  ka kohë qe nuk  përfillet!  Pasi nuk janë duke u përfillur parimet e  profesionalizmi, meritokracisë dhe të kontributeve, vlerave intelektuale  dhe autoriteti shoqëror, nuk është befasi kur dëgjohet së në vende udhëheqëse më peshë janë emëruar indvidë të cilët në situata normale nuk do të kishin një mundësi të tillë. Identik është edhe rasti më përgatitjen e listave për këshilltarë e deputet të subjekteve politike të cilat janë privatizuar e monopolizuar nga indvidë apo klane të ndryshme, duke  dëshmuar një dobësi të vazhdueshme me pasoja në përfaqësimin politik të subjektëve përkatëse

Pa dilemë së kemi të bëjmë me kohen e krizës morale në  pluralizmëm  duke  mënjanuar vlerat e dhënë përparësi antivlerave. Dhe në këtë kohë përfitojnë tipat intrigantë duke realizuar ambiciet e veta, sepse ata  s’e kanë dert se kryejnë edhe veprime kundëretike, kundërnjerëzore e madje edhe kundërkombëtare.

Pasojat e kompromisëve

Dhe nga një mospërfillje të tillë del se janë zgjedhur kuadra të cilët nuk janë meritor për vende përkatëse andaj kemi gjendje aspak të pranueshme për qytetarët dhe të punësuarit në subjektet e ndryshme. Jo vetëm në fushën e arsimit e shëndetësisë, por edhe në veprimtrai të tjera siç janë ministritë, ndërmarrjet publike apo sekretariatet e ndryshme në pushtetin lokal, nuk janë  aspak ma mirë. Dhe  kuadrat e tilla  përveç së përfaqësojnë vetën e tyre ata  poashtu  prezantojnë  edhe subjektin që i ka deleguar në postet përkatëse.

Esdhe pse të rrallë ka pasur raste kur individë të ndryshëm nuk kanë qenë dakord me kompromise të tilla dhe janë tërhequr nga subjekti përkatës. Një veprim i tillë edhe pse me  numër simbolik, dëshmon se ende ka individë që mbrojnë parimet para kompromiseve, duke qenë shëmbull për të tjerët. Duke marrë parasysh së kemi të bëjmë me çështje të ndieshme është e moralshme  që të vlerësohen parimet ku vlerat profesionale të kenë përparësi duke dëshmuar qendrim ndaj çdo veprimi destruktiv me të vetmin qellim për të ruajtur e mbeshtetur sistemin e vlerave e jo të çdo  kompromisi  që janë me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën.

(Tetor, 2018)

Filed Under: Editorial Tagged With: dhe e kompromisit, Dilema e vlerave, DR. NAIL DRAGA

Shqipëria Etnike “oazë” e paprekur e kolonializmit sllav!

October 4, 2018 by dgreca

1 Mehdi_Hyseni

Shkruan: Prof.Dr. Mehdi HYSENI/

***  Më se gjysma e  territorit të Shqipërisë etnike dhe  më se gjysma  e kombit shqiptar, edhe sot, në erën e integrimeve evropiane dhe të globalizmit ndërkombëtar, janë viktima të kolonializmit sllav në Ballkan (XIX-XXI).

Mirëpo, për fat të keq, këtë fenomen të shemtuar anticiviluzes dhe regresiv  mbi shqiptarët dhe  mbi territoret e Shqipërisë etnike në Ballkan, qe 100 vjet e heshtin Shqipëria, Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare. Kështu që, edhe në dekadën e dytë shekullit XXI ka ngelur i patrajtuar dhe i pandëshkuar edhe nga OKB-ja, edhe nga BE-ja, edhe nga OSBE-ja, sepse asnjëherë, askush nga shqiptarët nuk e ka ngritur si problem të tillë para bashkësisë ndërkombëtare, por, vetëm si “çështje të pazgjudhur kombëtare”. Ky është gabimi fatal politik, diplomatik dhe kombëtar i Shqipërisë, që ka ndikuar negativisht në moszgjidhjen e derisotme të PROBLEMIT KOLONIAL shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan (1878-2018).

Kolonializmi u davarit në Afrikë dhe në Azi, por jo, edhe në Ballkan!

Ndodhi kështu, sepse problemi kolonial u shtrua, u trajtua dhe u luftua si i tillë, jo si “çështje e pazgjidhur kombëtare”, siç vepruan dhe ende po veprojnë politikat e gabuara shqiptare në Ballkan, duke mos guxuar, që ta përmendin dhe ta luftojnë ligjërisht kolonializmin shekullor sllav mbi territoret autoktone të Shqipërisë Etnike.

Është e vërtetë se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (9 maj 1945) metropolet e fuqive kolonialiste të Evropës Perëndimore kanë braktisur kolonitë e tyre në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine. Mirëpo, ky fenomen i shkolonizimit të popujve dhe të vendeve të robërura dhe të shfrytëzuara, nuk ndodhi edhe në shkolonizimin e Shqipërisë etnike në Ballkan, sepse shtetet kolonialiste, ankesioniste, ekspansioniste dhe gjenocidale sllave (Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia) asnjëherë nuk pranuan, që të heqin dorë nga plaçka e tyre koloniale e grabitur nga territoret e Shqipërisë etnike (1912-2018).

Ky lloj i kolonializmit të paprekur dhe të pandëshkuar sllav në Ballkan, është rast sui generis i shkeljes së normave dhe të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar!

Prandaj, ky absurd dhe paradoks juridik dhe politik i sistemit shtetëror ndërkombëtar, imponon edhe këto pyetje esenciale:

(1)Pse vetëm në Shqipërinë etnike në Ballkan, edhe në shekullin XXI, Evropa demokratike dhe OKB-ja po tolerojnë sundimin e egër kolonial serbo-sllav (1878-2018)?

(2)Edhe sa shekuj, duhet të kalojnë, që Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, të fillojnë procesin e shkolonizimit të territoreve indigjene të Shqipërisë etnike dhe të shqiptarëve të kolonizuar nga Serbia, nga Mali i Zi, nga Maqedonia dhe nga Greqia?

(3) Pse ky abolim i sundimit kolonial sllav në Ballkan, kur ky fenomen i shëmtuar çnjerëzor është i papranueshëm dhe i dënueshëm për të drejtën humanitare ndërkombëtare?

(4) Pse OKB-ja dhe BE-ja, duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara, nuk i detyrojnë shtetet kolonizatore sllave: Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Maqedoninë, që në mënyrë paqësore, t’i braktisin territoret e kolonizuara, të aneksuara dhe të copëtuara me agresion dhe me gjenocid të shqiptarëve dhe të Shqipërisë etnike?

(5) Pse OKB-ja dhe BE-ja lejojnë, që këto shtete sllave ballkanike ( me bagazhin dhe me hipotekën e tyre kolonialiste), të jenë i vetmi rast sui generis në botë  në shpërputhje me Rendin e Ri Botëror, me të drejtën ndërkombëtare, me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me Kartën e Dokumentit Përfundimtar të Helsinikit (1975), mebi Kartën e Parisit mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (1990), deri kur do të shkelen këto dokumente me vlerë juridike pozitive dhe universale ndërkombëtare nga ana e shteteve të theksuara sllave të Ballkanit?

(6) Si mund të jetë Greqia anëtare e OKB-së, e BE-së, e OSBE-së dhe e NATO-s, kur me spastrim etnik, me terror, me masakra, me deportime të detyrueshme dhe me gjenocid ka dëbuar mbi 2 milionë shqiptarë çamë vetëm për t’ua grabitur shtëpitë, pasuritë dhe tokën e tyre stërgjyshore-ÇAMËRINË së bashku me gjithë EPIRIN ILIRIK-SHQIPTAR?

(7) Pse OKB-ja dhe BE-ja ligjërisht nuk e detyrojnë Greqinë kolonizuese dhe gjenocidale, që të lejojë riatdhesimin e mbi 2 milionë shqiptarëve në Çamërinë e tyre, si dhe t’u njohë të të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore dhe kombëtare, ashtu sikurse Shqipëria, që ua ka njohur të të gjitha të drejtat minoritetit grek në territorin e saj?

(8) Gjithashtu, si mund të jenë anëtare të OKB-së, të BE-së dhe të OSBE-së: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ku asnjëra prej tyre nuk pranojnë që shqiptarëve t’ua kthejnë territoret e tyre, t’ua njohin të drejtën historike mbi to, si dhe t’ua njohin të drejtën e vetëdendosjes. Për më tepër, si mund të integrohen në BE këto shtete sllave ballkanike pa zgjidhur problemin kolonial dhe territorial me shqiptarët e kolonizuar?

S’ka asnjë dyshim se këto pyetje të pashmangshme racionale, do të përsëritën vazhdimisht derisa të zgjidhet përfundimisht çështja koloniale e shqiptarëve në Ballkan. Këtë duhet ta mbajnë parasysh Evropa Perindimore demokratike dhe Kombet e Bashkuara.

OKB-ja ka luajtur rol vendimtar në procesin e shkolonizimit në Afrikë dhe në Azi, por, jo edhe në Ballkan (1945-2018)

Këtë process të çlirimit antikolonial OKB-ja e ka mbështetur në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së saj. Këtë e dëshmojnë me dhjetra e qindra Rezoluta, Deklarata, Protokolle dhe Marrëveshje të Kombeve të Bashkuara për shkolonizimin e popujve dhe të vendeve të ribëruara në kontinentine Afrikës dhe të Azisë. Për arritjen e një suksesi të tillë progresiv për emancipimin dhe për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes popujve dhe vendeve të kolonizuara, OKB-ja ka merita të veçanta historike, politike, humanitare, demokratike dhe paqësore.

Lind pyetja, pse OKB (1945-2018) e as BE-ja, nuk e kanë shqyrtuar problemin kolonial sllav mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike?

Përgjigjja është e thjeshtë, kanë pasur të drejtë, që të mos i qasen këtij problemi kolonial, sepse as OKB-ja e as BE-ja deri më sot (1945-2018), ende nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë a peticion zyrtar nga Republika e Shqipërisë për ta zgjidhur çështjen koloniale shqiptare në Ballkan.

Ky është absurdi dhe paradoksi ynë etik, shkencor, politik, diplomatik kombëtar dhe ndërkombëtar, që asnjëherë në historinë e derisotme (1945-2018) Tirana zyrtare (as shkenca, as politika, as dipomacia e as drejtësia) nuk ka ushtruar kurrfarë kërkese zyrtare në “sportelin” protokollues të OKB-së dhe të BE-së, që të debatohej për shkoonizimin e më se gjysmës së Shqipërisë  etnike dhe të mbi 3 milionë shqiptarëve.

Ky ishte dhe është gabimi dhe faji ynë kolektiv  kombëtar dhe shtetëror, jo faji i OKB-së e as i BE-së, që nuk po reagojnë kundër kolonializmit sllav mbo territoret shqiptare në Ballkan.

Derisa Tirana dhe Prishtina zyrtare e heshtin problemin kolonial sllav mbi shqipatarët dhe mbi gjysmën e Shqipërisë etnike, duke mos kërkuar ndëshkimin e tij nga OKB-ja dhe nga BE-ja, sigurisht se nuk është e logjikshme, që Nj-Jorku dhe Brukseli të ngrejnë “padi” kundër shteteve kolonialiste sllave ballkanike. Këtë, së pari, duhet ta bëjë diplomacia e Shqipërisë, duke paraqitur kërkesën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ashtu sikurse dikur në vitet e 60-ta të shekullit XX, kur Arabia Saudite në çdo session të AP-së së OKB-së ka paraqitur kërkesën e saj për shkolonizimin-pavarësimin e Algjerisë nga Franca. Ndonëse një kërkesë e këtillë e Arabisë Saudite në çdo session të AP-së heqej nga “rendi i ditës”.

Miërpo, së fundi ia vlejti, sepse më 18 mars të vitit 1962 (në saje të Marrëveshjeve të Evianit), Alegjeria fitoi pavarësinë e saj. Për një akt të këtillë, meritat më të mëdha historike, politike dhe diplomatike i ka kryetari i Republikës së Pestë Frënge, Gjenerali i famshëm Chales De Gaulle, i cili më 25 gusht të vitit 1945 çliroi Francën nga nazifashizmi gjerman dhe nga kolaboracionistët frëngë me Philip Petain-in në krye.

Pra, sundimi kolonial sllav mbi territoret shqiptare në Ballkan, nuk mund të flaket me “pallavra” të politikës ditore të kosmopolitëve mafiozë dhe të korrupcionistëve, por, së pari, duhet të shtrohet për debat kërkesa legjitime për luftimin e kolonializmit sllav në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke u adresuar në selinë e OKB-së në Nju-Jork dhe në selinë e BE-së në Bruksel.

Kjo është procedura ligjore, që duhet inicuar Shqipëria e Edi Ramës dhe e Ilir Metes, nëse duan të dalin nga errësira dhe tirania e kolonializmit gjenocidal sllav të Ballkanit jo “pallavrat”  për  integrimin e shqiptarëve të kolonizuar në   federatën sllave ballkanike, si ide e dikurshme e komunistëve titoistë jugosllavë, e cila si e tillë, edhe  dështoi me  formimin e  Kominternit (BIK)  në shtatorin e vitit 1947.

Prandaj, ka ardhur koha, që politika dhe diplomacia shqiptare të mos ushqehen me recidiva negativë të së kaluarës historike  të idesë së falimentuar të Federatës Ballkanike me përbërje krejtësisht sllave (autor  dhe propozues i së cilës Josip Broz Tito), duke u shtirur si kozmopolitë,  duke e mashtruar, duke e shfrytëzuar, duke e poshtëruar, duke e zhvlerësuar, duke e tradhtuar dhe duke e vrarë njëri-tjetrin, me qëllim të   ringjalljes dhe të promovimit të Jugosllavisë së ngordhur të Titos (1990).

Këto ëndrra sllave dhe pansllave, politika dhe diplomacia shqiptare, duhet t’i kenë braktisur njëherë e përgjithmonë, sepse këto janë varri i hapur për shqiptarët dhe për bashkimin e tyre si KOMB dhe si SHTET  unitar Ballkan.  Për më tepër, nëse liderët politikë shqiptarë nuk heqin dorë nga projektet e përbashkëta me kolonialistët  dhe me hegjemonistët sllavë të Ballkanit, nuk do të kenë asnjë gjasë, që  ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se  mbi 3 milionë shqiptarë ende janë viktima shekullore të  gjenocidit kolonial sllav (1878-201).

Në këtë pikëvështrim nuk mund të ndihmojë as Amerika, as Evropa e as OKB-ja, sepse ky është problem i brendshëm shqiptar (1878-2018), që duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, në qoftë se duan ta luftojnë sundimin e huaj kolonialist sllav shekullor (1878-2018).

-Mos u frikësoni, thuani me emër e mbiemër problemin që kemi me Serbinë, me Malin e Zi, me Greqinë dhe me Maqedoninë, e ky është PROBLEMI KOLONIAL i pazgjidhur (që në asnjë formë nuk është çështje minoritare), jo ÇËSHTJA KOMBËTARE, sepse këtë shqiptarët e kanë të zgjidhur që nga shekulli XIX, atëherë, kur e kanë zgjidhur edhe vendet evropiane.

Filed Under: Analiza Tagged With: e kolonializmit sllav!, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, Shqipëria Etnike “oazë” e paprekur

“Vetëvrasje” mafioze në Gardën e Republikës….

October 4, 2018 by dgreca

…. që hedhin hije të forta dyshimi tek krerët e shtetit për derisa nuk shoqërohen as me dorëheqje dhe as me hetime./

–“Vetëvrasjet” në Gardën e Republikës si “eleminime dëshmitarësh” inkriminojnë krerët e shtetit /

Capture-4

Nga Elida Buçpapaj/

Dy “vetëvrasje” në Gardën e Republikës brënda tre muajve! Disa ditë më parë u dha lajmi se në ambientet e Gardës të Republikës u vetvra gardisti 30 vjeçar Arjol Mançe. Pa asnjë lloj hetimi, menjëherë erdhi alibija nga Policia e Shtetit.

Vetëm pak orë pas vrasjes të gardistit 30 vjeçar, që kishte shërbyer edhe në trupat Komando në Afganistan, Policia e Shtetit nxiton të japë versionin zyrtar se i ndjeri Arjol Mançe “kishte kryer aktin e rëndë të vetëvrasjes në kushte të rënduara psikologjike dhe se pak minuta përpara se të vetëvritej, Mançe paska lënë edhe një shënim në librin e shërbimeve të Gardës së Republikës, ku paska paralajmëruar fatin tragjik. Ai thoshte: “Do vras veten, do iki nga kjo botë”, thuhet në versioin zyrtar të Policisë. Arjol Mançe po ashtu ai i dërgon edhe një sms të jatit ku e lajmëron se po vetëvritet.

Kopsitje perfekte nga mjeshtër të krimit, që nuk kanë frikë nga hetimi, pasi çdo qelizë e Policisë të Shtetit është në duart e sigurta të Fatmir Xhafajt!

Ministria e Brendëshme konfirmon “vetëvrasjen” disa orë pas vrasjes, kur do të duhej që menjëherë të niste hetimi dhe të shpalleshin disa pista përveç asaj “të rëndimit psikologjik”, si “vrasje për shkak të detyrës”, “likuidim për larje hesapesh”, “likuidim si dëshmitar” etj.!

Aq më tepër kur është rasti i dytë brënda një periudhë kohore tepër të shkurtër pas “vetvrasjes” të shoferit të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Vetëvrasja e Arjol Mançes si copy paste me atë të gardistit Shkëlzen Qordja.

I njëjti skenar vrasje sikur vrasja e shoferit të Fatmir Xhafajt.

Natën gjatë shërbimit në ambientet e Gardës të Republikës “vetëvritet” 31 vjeçari Shkëlzen Qordja, oficeri i gardës dhe shoferi i Ministrit të Brendshëm.

Gardisti Shkëlzen Qordja para se të ishte shofer i Fatmir Xhafajt kishte qenë shofer i Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë.

Policia e Shtetit asaj kohe njoftoi dyshimin se viktima ishte “vetëvrarë” me armën e shërbimit dhe nuk u hap asnjë pistë hetimi.

Përpara aktit makabër Shkëlzen Qordja i kishte dërguar mesazh nënës të shkretë!

A mund të ishin këto mesazhe drejtuar prindërve të detyruara me forcë përpara likuidimit ?!

A nuk kemi parë filma me mafie që kriminelët i detyrojnë viktimat të shkruajnë letra e të bëjnë telefonata!

A nuk mund të jetë pistë kryesore hetimi që lidhet me “vetëvrasjet” e djemve 30 vjeçarë të Gardës të Republikës ajo e eleminimit të dëshmitarëve  ?

Aq më tepër kur viktimat kanë patur edhe lidhje me emra që janë në krye të shtetit shqiptar?!

Natyrisht që po!

A ka parë më shumë se duhet Arjol Mançe dhe Shkëlzen Qordja, ish shoferi i Agasit dhe Xhafajt ?

“Ndonjëherë duhet të shtiresh sikur nuk kupton për të parë deri ku arrin mashtrimi i disa njerëzve”, shkruante në Facebook Arjol Mançe!

Pa dyshim që “vetëvrasje” të tilla inkriminojnë shtetin shqiptar dhe rrënojnë në shterrim kredibilitetin dhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj Policisë dhe shtetit të së drejtës!

Shteti i vret gardistët natën dhe në mëngjes jep mandatin se janë “vetëvrarë”!

Më së paku, Fatmir Xhafaj, i ndyrë edhe nga historia me të vëllain mafioz që e dorëzoi në burgjet e Italisë pas pilafit, do të duhej që menjëherë të dorëhiqej dhe të kërkonte hetim për shoferin e tij të “vetëvrarë”, sikur do të duhej të kërkohej hetim edhe për rastin e “vetëvrasjes” të Arjol Mançes.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Garda e Republikes, Vrasje mafioze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT