…. që hedhin hije të forta dyshimi tek krerët e shtetit për derisa nuk shoqërohen as me dorëheqje dhe as me hetime./
–“Vetëvrasjet” në Gardën e Republikës si “eleminime dëshmitarësh” inkriminojnë krerët e shtetit /
Nga Elida Buçpapaj/
Dy “vetëvrasje” në Gardën e Republikës brënda tre muajve! Disa ditë më parë u dha lajmi se në ambientet e Gardës të Republikës u vetvra gardisti 30 vjeçar Arjol Mançe. Pa asnjë lloj hetimi, menjëherë erdhi alibija nga Policia e Shtetit.
Vetëm pak orë pas vrasjes të gardistit 30 vjeçar, që kishte shërbyer edhe në trupat Komando në Afganistan, Policia e Shtetit nxiton të japë versionin zyrtar se i ndjeri Arjol Mançe “kishte kryer aktin e rëndë të vetëvrasjes në kushte të rënduara psikologjike dhe se pak minuta përpara se të vetëvritej, Mançe paska lënë edhe një shënim në librin e shërbimeve të Gardës së Republikës, ku paska paralajmëruar fatin tragjik. Ai thoshte: “Do vras veten, do iki nga kjo botë”, thuhet në versioin zyrtar të Policisë. Arjol Mançe po ashtu ai i dërgon edhe një sms të jatit ku e lajmëron se po vetëvritet.
Kopsitje perfekte nga mjeshtër të krimit, që nuk kanë frikë nga hetimi, pasi çdo qelizë e Policisë të Shtetit është në duart e sigurta të Fatmir Xhafajt!
Ministria e Brendëshme konfirmon “vetëvrasjen” disa orë pas vrasjes, kur do të duhej që menjëherë të niste hetimi dhe të shpalleshin disa pista përveç asaj “të rëndimit psikologjik”, si “vrasje për shkak të detyrës”, “likuidim për larje hesapesh”, “likuidim si dëshmitar” etj.!
Aq më tepër kur është rasti i dytë brënda një periudhë kohore tepër të shkurtër pas “vetvrasjes” të shoferit të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Vetëvrasja e Arjol Mançes si copy paste me atë të gardistit Shkëlzen Qordja.
I njëjti skenar vrasje sikur vrasja e shoferit të Fatmir Xhafajt.
Natën gjatë shërbimit në ambientet e Gardës të Republikës “vetëvritet” 31 vjeçari Shkëlzen Qordja, oficeri i gardës dhe shoferi i Ministrit të Brendshëm.
Gardisti Shkëlzen Qordja para se të ishte shofer i Fatmir Xhafajt kishte qenë shofer i Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë.
Policia e Shtetit asaj kohe njoftoi dyshimin se viktima ishte “vetëvrarë” me armën e shërbimit dhe nuk u hap asnjë pistë hetimi.
Përpara aktit makabër Shkëlzen Qordja i kishte dërguar mesazh nënës të shkretë!
A mund të ishin këto mesazhe drejtuar prindërve të detyruara me forcë përpara likuidimit ?!
A nuk kemi parë filma me mafie që kriminelët i detyrojnë viktimat të shkruajnë letra e të bëjnë telefonata!
A nuk mund të jetë pistë kryesore hetimi që lidhet me “vetëvrasjet” e djemve 30 vjeçarë të Gardës të Republikës ajo e eleminimit të dëshmitarëve ?
Aq më tepër kur viktimat kanë patur edhe lidhje me emra që janë në krye të shtetit shqiptar?!
Natyrisht që po!
A ka parë më shumë se duhet Arjol Mançe dhe Shkëlzen Qordja, ish shoferi i Agasit dhe Xhafajt ?
“Ndonjëherë duhet të shtiresh sikur nuk kupton për të parë deri ku arrin mashtrimi i disa njerëzve”, shkruante në Facebook Arjol Mançe!
Pa dyshim që “vetëvrasje” të tilla inkriminojnë shtetin shqiptar dhe rrënojnë në shterrim kredibilitetin dhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj Policisë dhe shtetit të së drejtës!
Shteti i vret gardistët natën dhe në mëngjes jep mandatin se janë “vetëvrarë”!
Më së paku, Fatmir Xhafaj, i ndyrë edhe nga historia me të vëllain mafioz që e dorëzoi në burgjet e Italisë pas pilafit, do të duhej që menjëherë të dorëhiqej dhe të kërkonte hetim për shoferin e tij të “vetëvrarë”, sikur do të duhej të kërkohej hetim edhe për rastin e “vetëvrasjes” të Arjol Mançes.