• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

Në kujtim të Faik Konicës

December 19, 2018 by dgreca

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/

“ . . . Faik Konica ka qenë njëri prej bijëve më të shkëlqyer të Shqipërisë, një nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë; eshtë njeriu që na ka zbuluar  flamurin e Skënderbeut. Këta tituj nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër . . .”- Fan Noli-

ok Antoni F Konica

“ I mësuar dhe i ditur se vendi, shteti është më i madh se humbjet apo fitoret politike, se dallonte kombin e shtetin nga loja politike e pushtetit; edhe politika në fjalorin e tij është një lojni, kurse gjuha e kombi e atdheu një esencë, një eternitas.”- Sabri Hamiti

Faik Konica October 1926_The Mayflower log

Faik Konica: “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë”

“Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndergjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.

Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”

Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek shqiptarët idealin e qytetërimit, në emër të përparimit. “Të përhapim mes shqiptarëve të Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale!”

Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes. Është kjo dëshmia që shkëlqen me virtytin e moralit, moralit të veprimit, veprimit të detyrës, detyrës së ngadhnjimit.

Është kjo resposible, që e bënte Konicën luftëtarin më të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingllon aq aktual në ditët tona.

Fjalët e Tij, mësimet Tij, kanë qenë dhe mbeten profetike. Ja një nga profecitë: Shqipëria “U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha!

Do të dritësohemi duke kujtuar fjalët e tij, do të ngrohemi në flakët e zjarrit të dashurisë suaj për Atdheun, do të përpiqemi të ecim në gjurmët e tua.

*   *   *

Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Chikozi, Elia Tromara, Kosta Vasil, bashkove shoqatat e fshatrave dhe themelove Vatrën, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës së shpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.

Në nyjën e parë të Kanunores së Vatrës, shënove si detyrë të parë të sajën: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me  anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës  në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësin’ e tyre . . .”

Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganesh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Cere, G.Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi, etj., brezni pas breznie, deri në ditët tona.

Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto emra janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyeshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim !

*   *   *

Konica, shpirti i demokracisë dhe Vatra

Ndërgjegjja koniciane – esencë shqiptare e shpirtësuar në Europë – aq e pasur në përmbajtjen e saj, duket se një ndër dimensionet kryesore pati demokracinë: demokracinë në ideal, demokracinë në formim, demokracinë në veprim. Prandaj, atdhedashës në zemër, liberal në shpirt dhe demokrat në bindje, siç qe, Konica e quajti veten të përgjegjshëm për të mëkuar e mbrujtur parimësinë dhe edukatën demokratike në shpirtin vatran dhe në atë shqiptar, në përgjithësi.

Përgjegjshmërinë për ta njëmendësuar shpirtin demokratik në ndërgjegjet shqiptare, ai e realizoi në dy rrugë: në punën e drejtpërdrejt në gjirin e “Vatrës”, dhe duke ndikuar në gjendjen e Shqipërisë. Konstatimi i parë që bëjmë në këtë rrafsh është ky: “Vatra” u konceptua dhe funksionoi si organizatë thellësisht demokratike; ajo u formësua si shkollë e mësimit dhe e stërvitjes demokratike. Qe shpirti demokratik i udhëheqësve të saj, sidomos i Nolit dhe i Konicës, që frymëzoi jetën, tharmoi bëmat, jetësoi sukseset dhe skaliti historinë e saj aq të frytshme e pozitive për historinë tonë kombëtare.

Dy janë kushtet e karakterit demokratik të një organizme shoqërore: ligjëshmëria e miratuar demokratikisht dhe rigoroziteti i plotë i zbatimit të saj. Rregullorja dhe zbatimi i saj me përpikmëri kategorike në kohët e arta të jetës së “Vatrës” dhe, në njëfarë mase, edhe më vonë, përbëjnë dëshminë më të qartë e më të plotë të strukturës ndërtimore dhe të veprimtarisë demokratike të kësaj organizate. Në nyjën 73 të Kanunores dhe Rregullores së saj, thuhet: “Çdo njeri që pranon të jetë anëtar i Vatrës zotohet t’i bindet Kanunores dhe Rregullores pa nonjë bisedim”.

Për konkretizim të jetës demokratike të “Vatrës” mund të sjellim këtu ndonjë shembull nga organizimi i kuvendeve. Kuvendi ishte organi më i lartë vendim-marrës i Federatës. Në kuvend zgjidhesh komisioni qëndror që drejtonte veprimtarinë e “Vatrës” në hapësirën kohore mes dy kuvendeve. Kuvendet bëheshin çdo vit, zakonisht në muajin e korrikut, dhe zgjasnin disa ditë. Në kuvend mblidheshin delegatët e zgjedhur nga degët, simbas udhëzimeve strikte të kanunores. Mbledhja hapej nga kryetari i “Vatrës” dhe më pas zgjidhej drejtuesi i kuvendit (chairman-i), sekretari, kontrollorët dhe reporteri. Drejtuesi i kuvendit ishte i plotfuqishëm. Me interes për karakterin e funksionimit demokratik të kuvendit është fakti që në të merrte pjesë komisioni qëndror i “Vatrës”, por pa të drejtë vote, e cila i takonte vetëm delegatëve. Komisioni “munt të marrë pjesë në bisedimet vetëm për të dhënë shpjegime”, thuhet në nyjën 36, f. 8. Drejtues i kuvendit të vitit 1916 u zgjodh Kosta Isak dhe sekretar Ndreko Stavrua. Siç na e tregon Gurrazezi në “Historinë e Federatës”: “Në sesionin e katërt u ashpërsuan bisedimet dhe delegatët kërkuan daljen e zyrtarëve të Vatrës (d.m.th., të komisionit qëndror; sqarimi im, A.Ç.) dhe të Kristo Dakos jashtë nga kuvendi, q’ashtu të bisedojin në qetësi.” Kështu u nxorën jashtë kryetari dhe themeluesi i “Vatrës”, Fan Noli, bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit qëndror dhe Kristo Dako, delegat i degës nr. 10, Southbridge, Mass. Në këtë kohë Noli dhe Dako kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për probleme të ndryshme, sidomos të orientimit dhe veprimtarisë politike të “Vatrës”, dhe Dako kishte ambicie për t’i zënë vendin Nolit. Ata u thirrën të bënin pjesë në mbledhje vetëm mbasi u krijua atmosfera e nevojshme për vazhdimin normal të punimeve. Në fund, kuvendi zgjodhi si kryetar Vatre Kolë Tromarën. Duke folë me admirim për funksionimin demokratik të kuvendeve, Gurrazezi ka shkruar në “Dielli” në v. 1974: “Ahere kish vërtet rregulla parlamentare në Vatrë”.

(E themi këtu, ndër thonjëza që në jetën e “Vatrës” herë pas here i kushtohej rëndësi edhe anës ceremoniale të veprimtarive. Mbas përfundimit të Kuvendit të v. 1917, i cili zgjati 12 ditë dhe u zhvillua në 19 sesione, “Komisioni i vjetër – siç na e tregon Gurrazezi, – i dorëzoi zyrat e Vatrës Komisionit të ri . . . Kur u bë cermonia e dorëzimit të zyrave kryetari i vjetër i dorëzoi Flamurin e Vatrës kryetarit të ri, dhe mbajti një Fjalë të shkurtër. Kryetari i ri u përgjigj kështu: ‘Z. Kryetar: Flamurin që më jipni sot në dorë përpara këtyre zotërinjve dhe shokëve të nderuar është i vetëmi që valon kryelartër dhe i patundur nga fortunat armike dhe nga rebeshi i Luftës Evropiane, i vetëmi dhe m’i shtrenjti Flamur i lirë mi të vetëmen fortesë kombëtare të çelniktë t’ Amerikës. Flamurët dhe fortesat e tjera kombëtare brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë rënë dhe i kemi qarë njërën pas tjatrës pa ngushëllim. Po ky s’ka rënë dhe as që do të unjet kurrë sa kohë që rron një Shqipëtar në këtë Republikë të madhe, edhe Ky Flamur do t’i përmbledhë, do t’i organizojë dhe do t’i udhëheqë forcat kombëtare të arratisura në luftën e shenjtë për të çliruar dhen’ e stërgjyshërve. Lufta e këti Flamuri, e kësaj fortese dhe e ushtarëve trima të saj do të mos pushojnë gjer sa të ngulet shigurisht dhe të rrënjoset i paçkulur në Shqipëri Flamuri i Skendërbeut . . . ”. Shënojmë këtu që kryetari i vjetër qe Kolë Tromara, kryetari i ri që u zgjodh në këtë kuvend qe Fan Noli.).

*   *   *

Nënshtrimi ndaj ligjit të vendosur demokratikisht përjashton qëndrimet revolucionare. Në rregullore i është mëshuar një çështjeje të tillë. Aty thuhet, në nyjën 7: “Një njeri që beson në përmbysjen e Guvernës Amerikane me mjete revolucionare, ose kriminale, ose të pakanunëshme në çdo mënyrë që qoftë, nuk pranohet si anëtar i Vatrës; dhe në qoftë se ka qenë pranuar nga lajthimi ose nga mosdija e një zyrtari, emëri i tij do të shuhet nga lista e anëtarëve.” Dhe në nyjën 8: “Një njeri që ka marrëdhënie me revolucionarë, që i përkrah këta me para ose me artikuj ose me konferenca ose me çdo mënyrë tjatër, nuk pranohet si anëtar i Vatrës edhe sikur vetë të jetë njeri i ndershëm e i urtë dhe faji i tij të jetë vetëm një faj moskuptimi. Në qoftë se një njeri i këtillë u-pranua më parë si anëtar i Vatrës, do të shuhet nga lista e anëtarëve.” Po kështu, në lidhje me gazetën “Dielli”, në nyjën 45 thuhet: “Fryma e gazetës do të jetë përparimtare, po antirevolucionare.”

Konsekuenca në parimet demokratike të organizimit shtetëror dhe shoqëror e ka karakterizuar jetën dhe veprimtarinë e Konicës. Nëse Namik Resuli e pati quajtur atë “i pari toskë që trashëgoi mendësinë e një populli evropian”- Qerim Panariti, botuesi i veprës postume të Konicës: “Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and other Essays”, në Fjalën hyrëse: “Faik Konitza: One Man Crusader”, ka shkruar: “Konica qëndroi në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të mbretërimit të Wilhelm Wiedi-it, … por refuzoi çdo pozitë qeveritare; megjithëse ai ishte udhëheqësi i parë i Shqipërisë dhe eksponenti më agresiv për një Shqipëri demokratike.” Më poshtë, Panariti na tregon se si Konica “duke diskutuar ndër kafene – në këto mjedise të përhershme politike ballkanase – u fliste shqiptarëve mbi të ardhmen e Shqipërisë, sipas metodës së bisedimit sokratik . . .  Kështu në një rast, ai shpenzoi dy orë duke shpjeguar formën angleze të qeverisjes parlamentare.” Megjithëse larg Shqipërisë, Konica dha një ndihmë vërtet të vlertë në vrullin më të fuqishëm të lëvizjes demokratike të vendit tonë, në vitet 1921-1924, duke mbështëtur me penë luftën e opozitës demokratike, të drejtuar nga Noli, Gurakuqi e Vinjau, kundër qarqeve çifligare-konservatore të kryesuar nga Zogu.

Gjatë këtyre viteve, “Dielli” qe ndaluar të hynte në Shqipëri, pikërisht për shkrimet e Konicës. Përmendim këtu diçiturën e një kartuni të Konicës, botuar në “Dielli”, më 2 qershor 1923, lidhur me zgjedhjet parlamentare – (thirrje që tingëllon aq aktuale edhe sot e kësaj dite, kur Shqipëria është bërë lojë e deputetëve ish-komunistë): “Popull! E ke në dorë shpëtimin t’ënt. Në të pëlqen të vuash nga uria, nga sëmundjet dhe të gjitha të ligat, dërgo në Parlament hajdutët dhe larot. Në dëshëron bukë, shëndet dhe prehje, dërgo në parlament njerës të mirë dhe të pastër”.

Për vrasjen flagrante të tribunit demokrat Avni Rustemi, Konica botoi disa artikuj, në njërin prej të cilëve shkroi: “Vdekja e Avni Rustemit, deputet i vrarë në kryeqytet brenda, nënë syt’ e gjykatores ushtëriake dhe të përfaqonjësve të huaj, shtie një dritë të shëmtuar mbi ndodhjen e punëve në Shqipëri.”

Por kur lëvizja demokratike hyri në rrugë të gabuar, mbas vrasjes së Avniut, ai i kritikoi dhe i denoncoi ashpër miqtë e shokët e tij. “Vatra – shkruan Gurrazezi – i dha përkrahjen asaj guverne (është fjala për qeverinë e dalë nga Lëvizja e Qershorit, shënimi im, A. Ç.) gjer në pikën e fundit, jo se e deshi aqë shumë, po vetëm për hatërin e Fan Nolit që e kryesonte, i cili kish qenë udhëheqësi i dashur i Vatrës. Vatra e këshilloj guvernën të bënte zgjedhje të përgjithëshme q’ashtu të quhesh ‘guvernë legale’ e zgjedhur nga populli, dhe jo revolucionare që hipi në fuqi me forcë . . . Këshilla e Vatrës ra në vesh të shurdhër . . .” Dhe më poshtë: “Vërtet Vatra i dha përkrahjen asaj guverne, po dhe organi i saj nuk ia kurseu kritikat kur e desh nevoja. Për shembull, kur u-muar vesh se në Tiranë po bëheshin lëvizje partish politike të ra nga njerëzit që shkaktuan gjakderdhjen e Qershorit, Dielli botoi një artikull të gjatë dhe të fortë kundra atyre njerësve, të shkruar nga kryetari i Vatrës Faik Konitza me titullin: “Komedia e partive, dhe reziku që qëllon në derë të theaters”. Heqim për ribotim nga ay artikull këto radhë: ‘Nuk është nevojë të shikojmë shemblla në histori të shkruar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njeriu, lindin, riten dhe vdesin, – ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vend dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: ‘U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”. (Ky artikull, fragmente të të cilit janë bërë proverbiale në kujtesën shqiptare, u botua në “Dielli” më 6 dhjetor 1924).

Luftën kundër krahut konservator e reaksionar të politikës shqiptare në këtë periudhë, ai e zhvilloi edhe në atdhe, kur Vatra nën drejtimin e tij, botoi gazetën “Shqipëtari i Amerikës” (1922-1924), e cila u përpoq të edukonte shqiptarët me principet dhe respektin e dashurinë për demokracinë amerikane dhe institucionet e saj.

Por edhe në qëndrimet e tij ndaj Lëvizjes Revolucionare të Qershorit, tek Konica u vërejtën lajthitje. Kur në ditët e para të fillimit të kësaj Lëvizjeje, Noli i dërgoi “Vatrës” telegramin: “Ushtëria Kombëtare merr masa për çarmatosjen e bashibuzukëve të Tiranës.”, botuar në “Dielli, më 3 qershor 1924, Konica si kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”, i përgjigjet: “Lutemi bëni të njohur ushtërisë kombëtare simpathitë t’ona prej zemre për veprimin patriotik të saj”. Dhe po ashtu, kur nolistët u futën në Tiranë, Konica dërgoi telegramin: “Boston, 12 Qërshor 1924 – Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtarakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e çkëlqyer…”

Gjithsesi, aq i ashpër dhe arrogant kur shfrynte kundër politikanëve konservatorë, aq tolerant qe në mbrojtjen e parimeve demokratike. Më 11 mars 1924, me rastin e atentatit kundër Zogut, ai i dërgoi këtij të fundit këtë telegram: “Mora vesh lajmin e të shtimunit për vrasjen tuaj. Ndonëse kundërshtar politik, gëzohem për së tepërmi që shpëtuat.”

Marrëdhëniet e Konicës me Zogun më vonë karakterizohen, gjithashtu, nga parimësia demokratike dhe interesat e atdheut. Kur erdhi për herë të dytë në Amerikë për të marrë drejtimin e “Vatrës”, në v. 1921, ai filloi një fushatë të egër kundër Zogut dhe klikës së tij, që mbas 1920-s kontrollonin plotësisht Shqipërinë. Por Konica, që u kishte sugjeruar atdhetarëve shqiptarë që ngritën flamunrin dhe shpallën pavarësinë  “të mos krijojnë një shtet oriental”, “të mos ngrenë një Turqi të vogël në Shqipëri”, “të mos ngrenë një bina të re me qereste të vjetër”, e shihte me dhimbje të thellë në shpirt se “mbeturinat e Turqisë u kthyen në Shqipëri, u shtruan këmbëkryq në kolltuqe dhe filluan të çqeverisin Shqipërinë sikurse kishin qeverisur Turqinë më parë.”

Kur Zogu në vitin 1925 u bë president, Konica u vu në shërbim të tij. Motivacioni: Zogu na mundi ne dhe luftën tonë dhe, si rrjedhim, të vazhdojmë luftën kundër tij nuk ka kuptim dhe, ajo që është më e rëndësishme, nuk është për të mirën e vendit. Për këtë qëndrim, shumë atdhetarë demokratë, antizogistë e antimonarkistë, e denoncuan. Panariti, duke iu qasur këtij problemi, ka shkruar: “Në mbrojtje të tij, njeriu mund të shtojë që ai kishte iluzionin se mund të ishte një faktor frenues i regjimit tiranik të Zogut. Fatkeqësisht, influenca e tij mbi Zogun qe relativisht asgjë. Por, kur u shpall Zogu mbret, ai edhe pse ishte në shërbin të tij dhe vazhdonte të përfaqësonte Shqipërinë në Amerikë, e shprehu haptas pakënaqësinë e tij.

Marrëdhëniet e tij me Zogun dhe vlerësimin e tij për monarkun, Konica i ka treguar në esenë: “Farewell to Zog’s Albania”, botuar nga Panariti në librin: “Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays”. Me interes për problemin që po trajtojmë është biseda mes Konicës dhe Abdyrrahman Krosit, që shoqëroi motrat e Zogut gjatë vizitës në Amerikë, në v. 1938. Ndër të tjera, Konica i thotë: “I thuej mbretit që sido qofshin kritikat e mia për regjimin e tij, ato do të mbetën brenda për brenda rretheve shqiptare; jashtë tyre, unë do të mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe me vullnet, sepse unë e përfaqësoj atë dhe sepse ai është kryetari i shtetit shqiptar. Por personalisht, unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij.” Dhe më poshtë Konica i tregon bashkëbiseduesit arsyet e opinionit të tij ndaj Mbretit, duke e karakterizuar atë me epitetet më të ulëta; për të cilat nuk po zgjatemi; por po shtojmë këtu se për Konicën: “I gjithë mbretërimi i Zogut nuk qe asgjë tjetër përveç një karnival i gjatë me një fund tragjik”.

Dimensioni demokratik i ndërgjegjes së tij e çoi Konicën natyrshëm drejt antikomunizmit. Ai qe kundërshtar kategorik i komunistëve dhe e kuptoi që heret dëmin që do t’i sillnin ata vendit tonë, prandaj ai i denoncoi me forcë. Ai e pati të qartë gjithashtu që mbas kësaj doktrine mashtruese e antidemokratike fshiheshin ambiciet politike pansllaviste. Dhe një nga shkaqet që u prish për disa kohë me shokun e bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Fan S. Nolin, qenë edhe simpatitë e këtij të fundit për komunistët rusë dhe Rusinë e sovjetëve.

*   *   *

Ne e përkujtojmë sot me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, jo vetëm për të mos e harruar, por më së tepërmi për t’u ndriçuar nga mendimi i tij, për t’u ngrohur në zjarrin e dashurisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe për t’u kalitur në vullnetin e bëmave të tij. Ai është e do të mbetet për një kohë të gjatë aktual me evropianizmin e tij luftarak. Ndërgjegjja shqiptare ka dhe do të ketë në të ardhmen nevojën e mësimeve të tij.

“Shpirita” që ai i blatoi “Vatrës” dhe gjithë Shqipërisë do të jetë e pranishme gjithnjë në ndërgjegjen tonë; ajo do të na dritësojë kur ta lexojmë; do ta vlerësojmë kur të dritësohemi prej saj; dhe kur ta vlerësojmë do ta ndjejmë thellë, do ta duam dhe ta bëjmë tonën. Asnjë nuk do të mund të kuptojë vitytet dhe veset e shqiptarit pa e lexuar Konicën, asnjë nuk do të mund të depërtojë thellë në hiset e errëta e të ndiçuara të ndërgjegjes së shqiptarit dhe t’i kuptojë hallet e tij pa e lexuar Konicën, asnjë nuk mund të ketë vizion të qartë evropian për të ardhmen e Shqipërisë pa e lexuar dhe rilexuar Konicën.

Referencat:

Për t’iu shmangur referimeve të shumta, po jap vetëm botimet tek të cilat jam mbështetur për këtë studim:

1.“Kanunore dhe Regullore e Federatës Pan-shqiptare VATRA”. Shtypur në shtypshkronjë të VATRËS në Vjeshtë të Dytë 1926; rishtypur dhjetor 1954; shtator 1995.

  1. Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës Vatra”, botuar në “Dielli” nga dt. 29 mars 1972 deri më 28 nëntor 1975. E papërfunduar.
  2. “Albania: The Rock Garden of Southern Europe and Other essays by Faik Konitza”, Edited and Amplified by G. M. Panariti, 1957.

4.Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra: “Faik Konitza 1876 – 1976”. Botuar në New York, 1976.

  1. Prof. Dr. Jup Kastrati: “Faik Konica” (Monografi); Gjonlekaj Publishing Company, New York, 1995.
  2. “The Albanian Struggle in the Old World and New”, compiled and written by members of The Federal Writers’ Project of The Works Progress Administration of Massachusetts. The Writer Inc. Publishers Boston – 1939.
  3. Qerim Panariti: “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike”, Boston, Massachusetts, 1966.
  4. “Faik Konitza – Selected Correspondence 1896-1942”, edited by Bejtullah Destani, published December 2000 by The Centre for Albanian Studies.
  5. Agjencia e Publicitetit “Klik”: “Fletore për Konicën”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, ne kujtim, TË FAIK KONICËS

Faruk Myrtaj, një mjeshtër i prozës së shkurtër shqipe

December 18, 2018 by dgreca

Aleko-Likaj-5

Shkruan: Aleko Likaj, Bordo, France/

”Këpucë për gjyqin e fundit” është libri më i ri me tregime i shkrimtarit Faruk Myrtaj që këto ditë ka parë edhe dritën e botimit në shqipëri.Me nota thellsisht realiste dhe karaktere të vizatuara dhe të gdhendura si nga një një dorë mjeshtri që di aq mirë të skalisë duke kaluar edhe kufijtë e emocionit në dramat që shpërfaqen nëpër faqet e tregimit të tij, Myrtaj, mbetet përherë një zë i fuqishëm në letrat tona shqipe veçanrisht në këto tre dekadat e fundit. Magjia e rrëfimit të trazon e të bën që ta vuash e përjetosh dramën si ”të zotët e hallit që i ka zënë” në tregimet e tij, dhe që natyrisht dallojnë si nga ana shprehëse, kompozicionale, theksit, intonacionit, gjuhës dhe mesazhit që përcjellin, duke stigmatizuar kështu stilin që është i veçantë e me tiparë dalluese për këtë autor. Mendoj se këto aktualisht bëjnë edhe diferencën në morrinë e zhurmëshme të krijimeve që qarkullojnë sot si lumenjë të vrullshëm jo vetëm nëpër webe e site internetike që kushdo hedh, por edhe në botime të pa kontrolluara dhe pa pikë përgjegjësie që nxjerrin dhe mbushin raftet e librarive nga një pjesë e mirë e entet botuese. Shumë prej tyre nuk u intereson cilësia aspak përpara parave që derdhin ”sevdallinjtë” e njerëz pa asnjë prirje në këtë fushë që duan të evidentohen..

Por kjo është një temë për të cilën gjithmonë ja vlen të diskutohet gjërësisht si një fenomen e që ka kapluar letërsinë, edhe pse në rastin konkret nuk ka të bëjë aspak me rastin në fjalë, ndërsa ne jemi ndalur për të hedhur një vështrim prej lexuesi, krijimit e veprës më të fundit të një autori që ka dhe ka lënë një emër. dhe që kritika e vlerëson dhe e rendit ndër majat e prozës së shkurtër shqiptare

Do ta quaja ”Këpucë për gjyqin e fundit”, një risi. Një risi e bukur që shkon dhe renditet me veprat më të mira të Faruk Myrtajt, jo vetëm për faktin që të emocionon e të mban gjatë gjithë leximit në një lloj përjetimi artistik që të krijojnë zakonisht ndjenjat e çuditëshme brenda vetes sonë, por edhe për gjuhën e qëruar e të pastërt të shqipes që përshfaq vlerat më të mira të saj me një leksik brilant dhe që për hir të realitetit na mungon sot në kakofoninë e shtrembërimet duke filluar që nga punonjësit e mediave e më gjerë në jetên sociale dhe shoqërore që bëjmë . Dhe autori këtê e realizon nëpërmjet frazës ë shkurtër dhe të ngarkuar emocionalisht

Edhe në këtë vëllim Faruku është dhe qëndron tek të njëjtat tema që i preferon e që i shërbejnë si dashuritë e tij, si emigracioni, mardheniet sociale, burgu dhe diktatura, ku ne kete te fundit duke dalë edhe nga korniza e vëndit, por që zë realisht më fushêpamje në planin universal, si një kufizim i lirisë së individit.

Por ashtu siç theksova edhe në fillim të kêtyre rradhêve, ”Këpucë për gjyqin e fundit” është një libër e rrëfim karakteresh. Dhe duket e ndjehet përkujdesja e autorit. Ai dallon. Eshtë njê vizatues i hollë i karaktereve që mbartin emocione të fuqishme…

Nuk ka se si të mos jetë krejt ndryshe dhe të mungojë aty Atdheu, për të cilin shkrimtari emigrant ndjen shumë dhëmbje e dashuri të pamatë. Por këtë here është krejt tjetër. Në dimension të tillë hapje që e jep dhe e pasqyron edhe tek tregimi ”Atdhe për Ciganët”, ku liria nuk njeh kufij. Personazhet ne tregim , ciganët, janë të gatshëm në çdo sistem ”të shndrohen në njumra midis shtetesh ku merrnin pa teklif nënshtetësi të tjera” thotë autori duke na i dhënë ata gjithsesi në njê atmosferë e mjediset e tyre tipike, dhe ku mbretëron daullja, dajret, gërneta… ( bënin muzikë aq të azdisur sa ariu”)

Bien në sy tregimet e karaktereve që zënë hapsirën më tê madhe ne librin ”Këpucë për gjyqin e fundit”

Tek tregimi ”Bejlurçina ime” është fati i intelektualit shqiptar që ishte arsimuar në universitetet e shkollat e perëndimit, por që përfundon në tharrjen e kënetës së Maliqit. Pastaj i kërkojnë të bëjnë përkthyesin ”nga gjuha e atyre që ikën, domethënë armiqve, duke e bërë jetën si të tjerët”

Të njëjtën gjë e ndesh edhe tek tregimi ”Deri në fund Deiv” me Diegon, ku i biri merr vesh se i ati ishte me kancer i vendos dy veta që ta ndihmojnë në përditshmërinë e punën e tij fizike për shoqërinë, por ai i përze për ta përballuar kancerin si njeri që kontribuon dhe beson tek shoqëria tê cilës i shërben

Në një tjetër tregim si tek ”E hodha firmën unë” përveç sfondit ku jepet një shoqëri e shtypur nën komandë, dallojmë karakteret. Drama e krijuesit ku të përkëdhelurit dhe më të besuarit e rregjimit firmosnin e vendosnin për burgun e tyre.

Gani Delvina një i burgosur politik i sapo dalë nga qelia e burgut me rënien e sistemit, i dehur me lirinë tij, vrapon pas metingjeve në sfondin e zjarrtë të atyre ditëve të ndryshimit, por që kupton shumë shpejt se nuk e gjen veten aty. Nuk përfaqsohet.

E megjithatë i ndjek si lirinë e tij.

”C’punë kam unë me ata? Ata janë në tribunë për qejfin e tyre. Unë jam aty poshtë..”.

”Ke shkuar me një femër?” është një tregim dhe rrëfim shumë i ndjerrë për sinqeritetin dhe moshës së fillimit të adoleshencës, ku me nota realiste jepet Farfuria, shoqia e klasës, pylli që të nxirrte pranë shtëpisë së saj si dhe dëshira e ëndëra e shoqëruesit për ta shpëtuar nga egërsirat….Shumë vite më vonë rasti i solli pastaj që të ishin të dy mësues nê të njêjtën qytezë, por që nuk mundën më ta rringrinin shoqërinë e pastërt prej fëmije si të trembur dhe tê paragjykuar nga ambjenti me një pyll në mes.

Tregimi: ”Këpucë për gjyqin e fundit” që mban edhe emrin titulli i vëllimit të kêtij libri me tregime, është ndoshta nga më interesantët. I shkruar bukur dhe konçiz me metafora të fuqishme dhe që të sjell ndërmend Kafkên, pothuajse në të njëjtat mjedise e sfonde gati haluçinantike të kohës, por kurrsesi jo një imitacion, edhe pse është një faj që nuk dihet pse ndodhet e është i tillë që edhe këtu heroi i tij dënohet me egzekutim por jo ”këpucêt alpine të sperkatura me ca buburecë tê kuq”

Ky tregim më kujton dhe më sjell në mëndje ”Turmat e Dimrit” një nga krijimet më të bukura që ka shkruar pena e Faruk Myrtajt nê këto vitet e fundit i cili zbërthen metaforikisht thelbin dhe strukturën e turmës

Interesant është edhe figura e Moit, minatorit dhe përgjegjêsit të turnit, ku në shtresën e gjashtë të nêntokës pohon, e ku me ndryshe se sa aty thellë nën dhé. Kjo ndodh kur personazhin e ”infektuar nga leximet” e dërgojnë që ta edukojë kllasa, por që njeriu i ngarkuar që do të bënte edukimin” i a plas…E kundërta e dijes nuk është padija. E kundërta e mos dijes sot është mashtrimi universal”

Por nuk do të ndalesha gjatë dhe nuk do të merrja përsipër për ti bërë analizën e plotë vëllimit më të ri të autorit

Ajo që më mbet si lexues dhe konstatoj, do të thosha pa mëdyshje se:

Në tregimet e Myrtajt ndjehet me tone të ndezuar dhëmshuria e dashuria e pakufishme për njerëzit e thjeshtë e të ndershëm, që kanë në jetë ideale, e që i shërbejnë dhe i dalin në krah shoqërisë, botën që e rrethon, mjedisin ku lëvizin e gjallojnë. Dhe në fakt ky është heroi. Heroi i ditës…e ne pse i kemi kaq pranë pak i njohim në botën e tyre të brendëshme, por jemi dhe të pa vëmëndshëm dhe individualistë në shumicën e rasteve, për të konstatuar atë që një krijues e shkrimtarë me përvojë si Faruku, i zhbiron duke i skicuar e vizatuar, dhe na i sjell aq mjeshtërisht duke rezatuar në të gjithë dimensionin e tyre real.

Eshtë ky fakti që ata të mbesin në mëndje aq gjatë, dhe që ne pastaj, dashur pa dashur brenda subkoshiencës sonë, na ndodh shpesh që ti krahasojmë me miq , shokë dhe njerëz që ndeshim në udhë, duke i portretizuar me ata.

Kjo nuk është pak për një krijues serioz, me përvojë dhe shumë të talentuar

Në thelb, ajo çka kërkon nga vetja një shkrimtarë dhe misioni i tij i mundur për të përcjell e tejçojë mesazhe jete…

Faruk Myrtaj ka kohë që i a ka arritur kësaj, dhe vëllimi i ri me tregime ”Këpucë për gjyqin e fundit” ,pa dyshim që i bashkohet dhe shkon të rrijë denjësisht përkrah botimeve të tij më të mira në prozë e të vlerësuar në këto dekadat e fundit.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Aleko Likaj, Faruk Myrtaj, një mjeshtër i prozës, së shkurtër shqipe

Trump i shkruan Thaçit: SHBA-të kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës

December 18, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi ka pranuar një letër nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump/

1 Trump Nenshkruan

-Presidenti Trump: Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet/

PRISHTINË, 18 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në këtë letër, Presidenti Trump, ndër të tjera kërkon nga presidenti Thaçi dhe liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.”

Më poshtë mund ta lexoni në tërësi përmbajtjen e letrës së dërguar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Shkëlqesia Juaj

Hashim Thaçi

President i Republikës së Kosovës

I nderuar z. President:

Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i  mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.

Unë, iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet.

Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike.

Sinqerisht,

Donald Trump(Firma)

1 Letra origjinale

Filed Under: Politike Tagged With: Leter Thaçit, Presidenti Trump

VEPRIMTARI NË VLORË

December 18, 2018 by dgreca

1 Vilhelme

Vilhelme Vranari Haxhiraj, fisnikja e Kaninës, Anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York/

Nga Kadri TARELLI/

Në mesin e dhjetorit 2018, në qytetin e Vlorës u organizua ceremoni festive, me rastin e dorëzimit, nga akademiku Eshref Ymeri, të çertifikatës për zonjën Vilhelme Vranari Haxhiraj, si anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York.Në këtë ngjarje të veçantë për qytetin bregdetar, merrnin pjesë intelektualë të njohur, qytetarë të thjeshtë, artistë, arsimtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, sportistë, mjekë, krijues dhe drejtues institucionesh letrare-artistike, miq dhe dashamirë të familjes Haxhiraj, mes tyre edhe një grup krijuesish, nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit.

I gjithë takimi, apo kuvendi, siç e quaj unë, u shndërrua në një spektakël të vërtetë, të drejtuar me mjeshtëri artistike nga Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i zonjës së nderuar Vilhelme. Në foltore e morën fjalën z. Eshref Ymeri, i ardhur posaçërisht nga ShBA për këtë veprimtari me vlera njerëzore, akademike dhe atdhetare. Ai përshëndeti në emër të Akademisë së shkencave dhe të arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York, që më: 30, Tetor, 2018, e pranoi unanimisht znj, Vilhelme Vrana Haxhiraj, anëtare me të drejta të plota si akademike, me motivacionin: “Si autore me shumë kontribute, me krijimtari letrare të bollshme në disa gjini, në studime dhe publicistikë, si brenda dhe jashtë atdheut. Ajo është një vlerë e pamohueshme që nderon kombin”.  Wshtw një vendim dhe shpërblim i mirëpritur, për këtë zonjë të nderuar, në krijimtari dhe studim filozofik, e cila me ndjenja të thekura atdhetarie, ka vënë një gur të rendë në fushën e letrave shqipe.

Më tej vazhduan fjalën: Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve “Petro Marko” të Vlorës, Ahmet Demaj, kryetar i shoqatës “Labëria”, Vlorë, mësuesja Lejla Gorishti, e njohur si redaktore dhe studiuese e krijimtarisë së Vilhelmes, Gentian Banaj nga Fieri, mësues letërsie dhe gazetar i TV. “Apollonia”, mësuesja Vjollca Tytyni, bijë nga Gjakova, martuar në Vlorë, etj. Gjallëri dhe kënaqësi na dhanë, interpretimi i poezive të recituara nga Gentian Banaj dhe poetët durrsak, Agim Bajrami dhe Merita Kuçi (Thartori). Në fund u lexua përshëndetja drejtuar enkas për znj. Vilhelme, nga shkrimtarit dhe analistit Skënder Kapiti, i cili nuk mundi të marrë pjesë në këtë takim.

Unë pata nderin të përshëndes të pranishmit dhe të them pak fjalë urimi, për këtë vlerësim kaq të lartë e të bukur, që i bëhet një zonje vlonjate, poete, shkrimtare dhe studiuese. Vlerësim që na nderon të gjithë ne shqiptarët, kudo që jemi.

Jam i nderuar të flas në këtë kuvend në Vlorën e Flamurit.

Jam i tejet i vlerësuar të flas para akademikëve dhe mendimtarëve të njohur, për vlerësimin që i bëhet “Princeshës së letrave”, znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Shenjtorja jonë Nënë Tereza, diku na porosit: “Unë vetëm, nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë, për të krijuar shumë valëzime”. Unë dua të shtoj, se Vivra (pseudonimi), hodhi shumë gurë në detin e letërsisë, mendimit dhe filozofisë, duke krijuar dallgë të fuqishme, aq sa të nderohet dhe vlerësohet me 24 çmime si në Shqipëri, ashtu edhe në shumë vende të botës, që nga Suedia e ftohtë deri në botën mesdhetare, e më përtej oqeanit. Më së fundi pranohet anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, duke marrë urimin e parë nga senatori i kongresit Amerikan Joseph DioGuardi. Është një vlerësim që, secili nga ne do ta ëndërronte dhe lakmonte, duke e merituar me punë e dije, gjithmonë në shërbim të kombit.

Në vargun e vlerësimeve duhet thënë se, ajo i meriton të gjitha, pasi:

– Është e vetmja autore shqiptare, që futet në 24 antologji, si shqiptare, arbëreshe, italiane, (2010-2012), mes 100 autorëve fitues nga e gjithë bota, më tej në Mal të Zi, Kosovë, Rumani, Angli, Suedi, Greqi, etj.

– Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u përkthye në gjuhën rumune.

– Vivra me studimin e saj, “Rugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj”, e solli filozofin tonë, kaninjotin me dy doktoratura të mbrojtura në Sorbonë, profesor në Universitetin e Bunosajres-it në Argjentinë, dekoruar nga dy presidentë të SHBA, Regan dhe Klinton. Studiuesja Vrana bëri që, filozofi ynë të hyjë në Shqipëri nga “dera ballore”, dikur të mbyllur nga diktatura. Po tutem të bëj vlerësimin e këtyre fjalëve, që kanë brenda krenari dhe shumë dhimbje, trishtim me shumë të panjohura, që dalin vrullshëm nga një shpirt i lënduar, i munduar dhe i trazuar dhunshëm.

– Talenti i saj, e shndërroi në letërsi, vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë. Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj, ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit. Ngacmimi, më mirë cimbisja që dhëmb në shpirt, më çon drejt pyetjeve, që dalin nga gryka e thesit me të panjohura, të habisë, të ulërimës, të pabesisë, paburrërisë dhe mërzisë, ndaj dikur shkrova:

“Vivra je vullkan! Pse shpërtheve vonë?

-Duarlidhur, gjuhë prerë, 50-vjet sëra jonë”.

– Ajo, duke i dhuruar letërsisë shqipe afro 50-vepra, brenda 23 viteve punë, mjaft publicistikë problemore dhe ideore, në shumë media të vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë, renditet nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, mes emrave më të shquar të letërsisë shqipe.

Ne krijuesit në përgjithësi përsërisim shprehjen, se pak rëndësi ka sasia, por më shumë cilësia e veprave. Unë pyes veten dhe ata që e njohin krijimtarinë e “Princeshës” sonë të letrave: cila nga veprat e saj, nuk ka brenda letërsi të bukur dhe art fjale, mendim të thellë, vuajtje dhe brengë, dashuri dhe urrejtje, nderim dhe përçmim, fund e krye psikologji, shkencë dhe filozofi bashkë? Janë veprat dhe vlera e tyre, që Vivra jonë të nderohet me çmimet dhe nderimet më të larta, siç edhe i ka merituar. Të gjitha këto janë gurë të gdhendur në themelet e piedestalit, për të vendosur mbi të përmendoren e saj, si përfaqësuese e emrave më të shquar të letërsisë shqipe.

Kjo veprimtari, më kujton porosinë e Ciceronit, që na vjen nga lashtësia: “O popuj nderoni njerëzit e mëdhenj, se përmes tyre do t’u njohë bota”, fjalë që më ngacmojnë të thur disa vargje, të cilat burojnë vetiu:

Vivra! Fisnike zonjë, po zbret nga Kanina,

Ku fryn fllad i detit, shtrëngata, suferina.

Pena jote shpatë, gjëmim e vetëtima,

Në ballë kuvendi, mes burrash të mençur e trima.

Princeshë nga sëra, mbretëreshë në letra,

Dru i fortë mbive, nga rrënjët e vjetra.

Nuk të theu vuajtja, as dhuna e tiranit,

Shpirti yt i lirë, i dha zjarr vullkanit.

Vlorë, 15 dhjetor 2018.

Filed Under: Kronike Tagged With: Akademia e Nju Jork-ut, Kadri Tarelli, Vilhelme Vranari Haxhiraj

Pedagogëve ilegalë, këtyre dashnorëve të errësirës

December 18, 2018 by dgreca

….Kjo rracë e mbrapshtë shtoi serat dhe hormonet e doktoraturave po me shumicë sa sot vendi ynë ka në një masë fiktive 95% kodoshë që presi tu shërbejnë dhe jo ata t’i shërbejnë vendit. Mos u qeshni me broçkullat e Ramës karshi doktoraturës së Monika Kryemadhit, shikoni së pari rreth vetes tuaj se deri aty është kalbëzimi, pasta shefat tuaj a liderët me metodat e leprit karshi lepurit dhe gomarit për punën e veshëve. Edi Rama ka palosur edhe doktoraturat e tij ”shkencore”, mjaft t’i referoheni rrjetit bankar dhe koncesioneve etj…

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/Dielli

Në internet po qarkullon një dialog mes studentëvet të Kamzës dhe atyre në shesh. Shkurt ata të Kamzës janë zënë gafil nga kërcënimet e pedagogëve dhe ardhja si kuti dhuratë e kryeministrit Edi Rama. Midis të tjerave ata thonë se nuk mund të dalin në protestë pasi nuk lejohen, duhet të dëgjojnë ”dialogun” e kryeministrit. Një dialog që e konfirmon edhe faqja në fb e Ramës dhe ERTV e tij, televizioni më brutal i kohëve të fundit, një tregues që e afron me kuvlinë televizive të viteve të partisë së punës. Dhe ajo çfarë është absurde është makineria e propagandës e cila e quan këtë dialog. Flitet në emër të studentëve etj…, po ashtu siç flitej në emër të popullit në kohën e Enverit.

Unë e kam thënë edhe më parë se diktaturat, këto forma të mbajtjes së pushtetit me dhunë, nuk bëhen vetëm. Enver Hoxha nuk vrau e preu vetëm, por me shokë, me petritat e tij etj. Kësisoj edhe sot Edi Rama, nuk po sundon e shantazhon i vetëm. Eshtë një rracë brenda shoqërisë që kuletën a titullin si profesor e më the e të thashë, e kanë mbi interesat e vendit. Këta janë shtuar shumë këto tri dekada demokraci. Pllisnin e shisnin me shumicë diploma aq sa mundën ritin kërpudhor a fenomenin natyror me dhënie titujsh e diplomash pa brerjen e ndërgjegjes. Pllisnin e pllasin për arsimin shqiptar megjithëse vetë i dërgonin fëmijët e tyre me haraçin më të lartë në katundet e botës, mjaft të diplomoheshin jashtë, si moda më vrastare karshi asaj shtrese prej 140 mijë frymësh që ripej nga blerja e detyruar e dispensave dhe provimet e mbartuara.

Kjo rracë e mbrapshtë shtoi serat dhe hormonet e doktoraturave po me shumicë sa sot vendi ynë ka në një masë fiktive 95% kodoshë që presi tu shërbejnë dhe jo ata t’i shërbejnë vendit. Mos u qeshni me broçkullat e Ramës karshi doktoraturës së Monika Kryemadhit, shikoni së pari rreth vetes tuaj se deri aty është kalbëzimi, pasta shefat tuaj a liderët me metodat e leprit karshi lepurit dhe gomarit për punën e veshëve. Edi Rama ka palosur edhe doktoraturat e tij ”shkencore”, mjaft t’i referoheni rrjetit bankar dhe koncesioneve etj. Janë karvanë me bote ari karshi kënaqësisë suaj perverse karshi asaj doktoraturës së Monës. Pra krimi nuk bëhet i vetëm. Jo, jo, aspak, por me petritët e tij. Dhe ta dini ata janë të shumtë. Kjo një nga arsyet që herë më herë luhen këto lojra me rrethimin e kryeministrisë a konfliktin e dëshiruar me forcat e rendit e plot të tjera. Me mbledhjet urgjente të ”dialogut”. Një turp kombëtar i radhës.

Ja u drejtoj këtë mllef njerëzor pikërisht atyre pedagogëve të tredhur që u impojnë studentëve këto forma të dhunëshme për mbytjen e demokracisë, mbytjen e vendit. Atyre pedagogëve me kostume jeshilë që i tmerron sekretari i partisë, partia etj. Mos u bëni ilegalë, mos vrisni e dhunoni se nuk ju a ka borxh Shqipëria. Vendi që sot konkretisht, konsideron 2018 si vit të Skënderbeut dhe hedh arka me para në blerjen e filmave nga Anadolli. Vendi i dhimbjes a atdheu është dhimbje siç e quan një Fatos poet shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, këtyre dashnorëve, Pedagogëve ilegalë, të errësirës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT