• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

Amerika ta “disiplinojë” BE-në dhe Serbinë

February 5, 2019 by dgreca

Ndryshe, së shpejti Kosova, do të copëtohet dhe do të përfundojë nën Serbinë kolonialiste dhe neokolonialiste. -Beogradi dhe Moska po përgatisin më të keqen për Kosovën-copëtimin ose kthimin e saj nën Serbinë e dikurshme kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999).

1-Mehdi_Hyseni

 Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

-Bashkimi Evropian (BE)  haptazi qe 8 vjet përmes Dialogut të Brukelit (2011-2019) po i  kushtëzon dhe po i diskriminon shqiptarët, kurse po e favorizon Serbinë, që të përfitojë ndonjë metër territor të Republikës së Kosovës kinse në emër të  “normalizimit” të marrëdhënieve reciproke, të “shkëmbimit”, përkatësisht të “korrigjimit” të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë njëanshmëri të BE-së në dëm të  interesave vitale kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve të Republikës së Kosovës, e vërtetojnë këto fakte të pamohueshme: (i) I detyroi liderët politikë  “ahmakë”,  miopë dhe frikacakë e të paditur të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, që t’ia falnin Malit të Zi  “8200  hektarë” territor si kusht për liberalizimin e regjimit të vizave.

Mirëpo, kjo nuk ndodhi, sepse BE-ja nuk e përmbushi premtimin e dhënë. Megjithëkëtë,  pas kësaj maskarade, nuk ndodhi as “lufta me Malin e Zi”, siç pati paralajmëruar një deputet zëshëm i Kuvendit të Kosovës, që e kundërshtoi këtë “pazar pa para” në dobi të zgjerimit të territorit të Malit të Zi; (ii) BE-ja po ushtron trysni  ndaj Qeverisë së Kosovës, që pa asnjë kusht, të anulojë “taksën e Tarifës Doganore 100%” ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës; (iii) Tash, kushtëzimi më “taze” i BE-së, është kundërshtimi i  “Statutit të Ri për Trepçen”, miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 3 shkurt 2019.

Këtë kundërshtim e bëri zëdhënësja  e Komisionit Evropian, Maja Kociançiq, duke pohuar se ”Çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.”!?

-Eh, ky është provokim i keq, i papranueshëm dhe përzierje direkte i Maja Kocioançiqit në çështje të brendshme të Kosovës, sepse “Trepça” nuk është në agjendën e negociatave serbo-shqiptare të Dialogut të Brukselit (2011-2019).

Këtë provokim të thellë politko-propagandistik antishqiptar të Maja Kociançiqit, me plotë drejtë e përtrollisi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke nënvzuar se “ Deklarata e Maja Kociançiq cenon sovranitetin e Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe, në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që  qartazi kanë për qëllim ndarjen e Kosovës. Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr.”  (https://lajmpress.com/haradinaj-be-se-i-ka-humbur-rruga-ne-oborr/).

Kryeministri R. Haradinaj ka të drejtë ligjore dhe kushtetuese, që  të mos e heqë “taksën 100%” dhe të, mos lejojë vazhdimin e Dialogut derisa Serbia ta njohë Kosovën dhe, derisa BE-ja t’ia njohë liberalizimin e vizave Kosovës.

E kuptoj Serbinë pse e do “Manastirin” Trepça, sepse kjo është sëmundje shekullore e pushtuesve kolonialistë serbë, por nuk e kuptoj sllovenen Maja Kociançiq (Zëdhënëse e Komisionit Evropian), pse ajo kërkon që “Trepça” të jetë objekt dialogimi mes palëve negociuese në Bruksel?

Këtë absurd dhe përzierje direkte të saj në punë të brendshme të Kosovës së pavarur dhe sovrane, nuk e kuptoj, kush është ajo, dhe, kush e ka autorizuar, që të bëjë deklarata të tilla politiko-propagandistike për të “cenuar sovranitetin e Kosovës”, siç ka theksuar me  plot të drejtë kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

 S’besoj që ka ndonjë lider politik, që e hedh Trepçen në pazarin e Brukselit

-Thjesht, për faktin se mbi 2 milionë shqiptarë, do të ngelnin pa punë, pa bukë, pa ekzistencë, pa ardhmëri dhe, vazhdimisht me strajca, me foshnja dhe me djepa në krah, duke braktisur vendin për në shtetet e Evropës dhe të botës. Nëse ndodh që, edhe Trepça  shqiptare t’i falet Serbisë, ashtu siç iu falën “8200 hektarë” territor Malit të Zi, atëherë shqiptarëve nuk u mbetet tjetër vetëm se të marrin Evropën dhe botën në sy, pa destinacion të caktuar, si nomadët e shkretë, ku të ndalë “rrota e qerres” nën qiell të hapur dhe në tokën e huaj, përjetësisht i humbur dhe i tretur për një krodhe buke  të  hidhur  migjeniane  të   Poemës së Mjerimit: “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi, kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin të tanë jetën e vet derisa të vdesin.” (Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni).

  Stop Dialogut, që në shënjestër  ka “manastirin” Trepça të Kosovës !

Liderët e verbër dhe injorantë politikë të Kosovës, pa e pyetur popullin përqafuan Dialogun me palën serbe në Bruksel, më 2011, ku Serbia gjenocidale qe 8 vjet po luan “trakamica” me fatin e mbi 2 milionë shqiptarëve të Kosovës, duke i shantazhuar dhe  duke i kërcënuar me copëtimin dhe me rikolonizimin e  territorit të tyre.

Ndërkaq,  “asët”  e BE-së në përpjekje që sa më parë ta “rehatojnë” Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale në rradhët e saj, pa asnjë arsye mbi 2 milionë shqiptarë të Kosovës-viktima të terrorizmit dhe të gjenocidit serb (1989-1999) , i getoizuan dhe i diskriminuan, duke mos ua njohur  të drjetën e liberaizimit të vizave.

Ky veprim diskriminues, antihuman, antiligjor dhe antidemokratik i BE-së  ndaj shqiptarëve të Kosovës, është në kundërshtim me të gjitha ligjet e konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë  e njeriut.

E pyesim humanizmin, drejtësinë dhe demorkacinë e BE-së, si është e mundur (teorikisht dhe praktikisht) që t’i heqën vizat Serebisë (2009-2019), e cila bëri tri gjenocide (kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, gjatë viteve 1991-1999), e të mos u heqen vizat mbi 2 milionë shqiptarëve të Kosovës-VIKTIMA të maskarave dhe të GJENOCIDIT të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999)?

-Është ky diskriminim, padrejtësi, amoralitet dhe antihumanizëm?!

Fundja, derisa 2 milionë shqiptarë të Kosovës mbahen në geto, pa liberalizimin e vizave, pa kurrfarë bashkëpunimi reciprok politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, logjika e shëndoshë e thotë se vazhdimi i dialogut të Brukselit me palën serbe dhe me ndërmjetsuesen  e BE-së së Federica Mogherenit, është vetëm NJË ZERO E MADHE dhe  me pasoja të rënda për  statusin e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës.

Këtë rrezik potencial e  paralajmëron edhe deklarata absurde e Maja Kociançiqit, e cila si “avokate” e palës serbe kërkoi që “Trepça” e Kosovës, të vihet në “rende dite” të Dialogut Brukselit!?

Pse zëdhënësja e  Federica Mogherinit, Maja Kociançiq po mbështet Serbinë, kur ajo nuk është avokate e palës serbe?!

-Sepse M. Kociançiq nuk e njeh historinë e Kosovës e as të Ballkanit (ndonëse lë përshtypje se ka njohuri të  bollshme të marrëdhënieve miqësore serbo-sllovene, sepse historikisht, sllovenët gjithmonë kanë qenë më të afërt me serbët sesa me fqinjtë kroatë me të cilët kufizohet Sllovenia. Këtë e dëshmojnë edhe martesat e  tyre të përbashkëta),  ndryshe nuk do të përzihej në çështje të brendshme të Kosovës, duke kërkuar, që edhe “Trepça” të bëhej objekt debati në Dialogun serbo-shqiptar të Brukselit (2011-2019).

Sido që të jetë, mosnjohja e historisë së Kosovës, apo sentimenti historik i miqësisë slloveno-serbe, Maja Kociançiq , duhet të dijë të vërtetën se TREPÇA  ndodhet brenda territorit autokton të Kosovës shqiptare, JO të Serbisë së Nemanjiqve dhe të car Llazarit.

Pavarësisht nga shantazhet, trysnitë, manipulimet, diktati dhe kushtëzimet që  po  i bëhen Kosovës nga ana e Serbisë dhe e BE-së, QEVERIA DHE KUVENDI KOSOVËS, duhet të kërkojnë nga AMERIKA, që të ndërpritet Dialogu i Brukselit (2011-2019), sepse Serbia me partnerët e vet  po kërkojnë revidimin e statusit politik të Kosovës, duke  copëtuar territorin verior të saj kinse në emër të “shkëmbimit” të territoreve dhe të “normalizimit” të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ky është mashtrimi, që po shihet nga “aeroplani”. Prandaj,  ai Dialog, duhet të ndërpritet me ndihmën e Amerikës. Ndryshe, Kosova, do të shndërrohet në kaos dhe në krizë politike permanente derisa Serbia t’ia këputë ndonjë copë teritor së bashku me kombinatin metalurgjik “Trepça”.

Kjo është sëmundja e vjetër shekullore e Serbisë,  e cila  si fuqi koloniale dhe gjenocidale  “Trepçen” (ari, argjend, bakër, zink dhe plumb) e ka kullotur jo më pak se 100 vjet (1912-1999).

Ndaj, që të mos ndodhë një rikolonizim dhe riankseim i saj nga ana e Serbisë, urgjentisht nevojitet që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, ta pezullojnë Dialogun e Brukselit dhe, në vend të tij, të kërkojnë nga Amerika organzimin e një Konference Ndërkombëtare për Ballkanin, jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, siç është Dialogu i Brukselit, i cili s’është gjë tjetër veçse  NJË DËSHTIM 9-VJEÇAR.

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerika ta “disiplinojë”, BE-në dhe Serbinë, Prof. Dr. Mehdi Hyseni

KOSOVË-SHQIPËRI, HEQJE KONTROLLEVE NË KUFIRIN E PËRBASHKËT

February 5, 2019 by dgreca

-Drejt nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët/

1 Qeveria.jpg

 -Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019/

-Qeveria e Kosovës i jep statusin investitorit të parë strategjik, investim prej 170 milionë euro/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 5 Shkurt 2019/ Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e pasditës  së sotme, të 88-en, aprovoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrim të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.

Marrëveshja synon heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë në kufijtë e përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe të garantojë lirinë e kalimit të kufirit për qytetarët dhe për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Marrëveshja do të garantojë kalimin në çdo pikë kufitare pa kryer kontrollin e personave, mirëpo në situata të kërcënimit të sigurisë apo situatave të veçanta  mund të rivendoset kontrolli përkohësisht deri në 30 ditë por që mund të zgjatet deri në rivendosjen e gjendjes normale.

Qeveria kosovare në mbledhjen e fundit të vitit 2018, në 28 dhjetor, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë të nesërmen, në 29 dhjetor, në pikëkalimin kufitar Morinë-Vërmicë.
“Qëllimi i Marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, është theksuar me këtë rast.

Në 15 janar 2019 është bërë hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, e cila sic u thekua “është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një stacion tjetër i rrugëtimit tonë të projektuar së bashku në mbledhjen e dy qeverive”.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, në 26 nëntor 2018,  në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.

PROJEKTLIGJ PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme fillimisht është informuar për statusin e hartimit të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas informatës Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës është pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019. Me këtë Projektligj, përcaktohen parimet e punës së Qeverisë e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv, bazuar në parimin e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë, transparencës, si dhe parimin e efikasitetit dhe efektshmërisë.

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e  Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe kufizimet në kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Po ashtu, me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar të rëndësishme aprovimin e tri ligjeve të rëndësishme për reformën e administratës publike nga Kuvendi i Kosovës:  Ligji për administratën shtetërore;   Ligji për zyrtarët publikë;  Ligji për pagat.

Me kalimin e kësaj pakoje, po e përmbyllim një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Axhendës së Reformave Evropiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Këto projektligje konsiderohen si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij dhe të cilat i japin vendit qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit dhe të orientojnë shoqërinë kah Bashkimi Evropian, ku është e ardhmja jonë.

Kabineti qeveritar ka aprovuar rekomandimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “SOWI KOSOVO L.L.C. Vlera e kapitalit të këtij investimi strategjik është 169,093,575.00 euro.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar nismat për:   Aderimin e Kosovës në ICMP, Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur;  Për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime Sociale me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë;  Për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi;   Për negocimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Unionin Ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, HEQJE KONTROLLEVE NË, Kosovë-Shqipëri, KUFIRIN E PËRBASHKËT

KOLË CACAJ DËRGOI $500.00 PËR FUSHATËN E DIELLIT

February 5, 2019 by dgreca

 FALENDERIME BASHKATDHETARËVE QË PO MBËSHTESIN DIELLIN ME RASTIN E 110 VJETORIT. DËRGESAT E FUNDIT:Z. KOLË CACAJ $500.00, SHAQIR SALIHU $ 300.00, ZEF PËRNDOCAJ $ 200.00, RAMIZ MUJAJ $200.00-FUSHATA MBETET E HAPUR!/

1 Kole Cacaj me gruan

 Fushata për 110 Vjetorin e Gazetës Dielli, më të vjetrës gazetë që ende është në botim ne SHBA, gazetës që vjen nga koha e Rilindjes, po vazhdon me sukses.Atdhetari shpirtbujar, Kolë Preka Cacaj dërgoi nga Miami, Florida, një chek me $500.00 të shoqëruar me një mesazh shumë të ngrohtë drejtuar editorit:

I dashur gazaetar, Dalip Greca

Unë Kolë Preka Cacaj, gjendem në Miami, Florida me pushime. Mesova se keni hapur një fushatë për 110 vjetorin e gazetës tonë të dashur “DIELLI”. Po i përgjigjem me $ 500.00 fushatës duke ftuar që edhe të tjerë bashkatdhetarë t’i bashkohen kësaj fushate dhe ta mbajmë gjallë këtë pasuri historike këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U dëshiroj shëndet juve, stafit, të gjithë vatranëve dhe kryetarit Dritan Mishto.

E falenderojmë nga zemra atdhetarin e njohur për bujari e patriotizëm, i cili njihet mirë nga shqiptarët e  Amerikës për investimet në vendlindje, për këmbanoren në Shkodër dhe shumë vepra të tjera atdhesie e bujarie.

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, vatrani Shaqir Salihu, dërgoi chekun me $300.00 të shoqëruar me një letër-mesazh  të ngrohtë:

I nderuar Editor

Me anë të kësaj letre dua të njoftoj se sot po ua nis një kontribut modest për 110 vjetorin e Gazetës”Dielli”. Uën jam lexues i vjetër i kësaj gazete që nga zbritja ime në këtë kontinent më 1970. Gazeta DIELLI duhet të gjejë vend në cdo familje shqiptare në Amerikë, Kanada e në gjithë botën ku ka shqiptarë. Gazeta Dielli për 110 vjet me radhë ka qenë udhërrëfyese e diasporës tonë. Ajo na ka mësuar se c’kemi qenë, c’jemi sot dhe ku do të jemi nesër.Shkrimtari serb Dobrica Qosic ka pasë shkruar një roman me titull’Daleko Je Sunce” që në shqip do të thotë “Dielli është larg.Kjo mund të vlejë për serbët, por për ne shqiptarët, Dielli është afër, Dielli është me ne dhe rrezet e tij gjithëmonë do të na ngrohin. Shkrimtari i njohur shqiptar i shekullit të kaluar, Isak Murati ka shkruar librin me titull”Dielli nuk e humb rrugën e vet nëpër re”. Për këtë ka shkruar dhe gjiganti i letrave shqipe, intelektuali i thekur, Profesor Ernest Koliqi.”Il sole non perde La sua strada nelle nuvole”…

I dashur Dalip

Ju përgëzoj për punën e madhe tuajën për të ruajtur Diellin tonë që mos ta mbulojnë retë, megjithëse Dielli edhe nëpër re nuk e humb rrugën.

Përqafime vëllazërore

Shaqir Salihu..

Vatrani për më shumë se pesë dekada në Vatër, Zef Përndocaj dërgoi me postë një chek me $200.00. Si gjithëmonë bujar dhe kontributor i Vatrës. Faleminderit vatran i dimrit e i beharit, sic shprehej Noli në të gjallë të vet.

Me postën e sotme mbërriti në Vatër edhe Cheku me $200.00, kontributi i vatranit për më shumë se tri dekada, anëtarit të Këshillit të Vatrës, poetit Ramiz Mujaj. Faleminderit vatran!

Të dashur Vatranë

Përgjigjuni dhe ju fushatës për 110 vjetorin e Gazetës tonë të dashur. Të gjithë kontributorët do të regjistrohen në “Librin e Nderit të 110 Vjetorit të Gazetës DIELLI”, që do të botohet me rastin e Ditëlindjes së 110-të të Diellit.

Cheku i paguhet VATRËS

Adresa

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

 

***

FUSHATA KA FILLUAR QE ME 24 JANAR

 

KUJTESE – VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI, NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, DALIP GRECA $200.00,AMBASADOR MAL BERISHA $200.00, SINAN KAMBERAJ $ 200.00, MARJAN CUBI $300.00, DR. PASHKO CAMAJ $300.00, FRANK SHKRELI $200.00, ALFONS GRISHAJ $ 250.00, UKA GJONBALAJ $200.00, MONDI RAKAJ $250.00, ASLLAN BUSHATI $ 200.00- GARA ËSHTË E HAPUR, TREGOJENI SHPIRTIN VATRAN!

Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019,  gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.

Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi  $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00.

Gara pati dhurues edhe në fundjavë. Emrat janë vendosur sipër, në nëntitullin e kronikës.

Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e  bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës

Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.

Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!

Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!

Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të  përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Filed Under: Featured Tagged With: Fushata e Dielli, Kole Cacaj, Ramiz Mujaj, Shaqir Salihu, zef perndocaj

Gjëra të pangulitura

February 5, 2019 by dgreca

1-astrit-LulushiNga Astrit Lulushi/1 epopeja e karkalecaveNjeriu thotë se ka mësuar nga jeta e historia dhe krenohet, por shpesh gabimet përsëriten, çka tregon se mësimi nuk është nxënë. Është pranuar, të paktën fillimisht, se periudha e sundimit komunist u përshkua nga më shumë të këqija sesa të mira, por mënyra se si “ish-ët” (emër i ri në pasdiktaturë) sillen me mendjemadhësi e mosrespekt, hedh dyshim mbi sinqeritetin. Po ashtu, s’mund të quhet i mirë robërimi i një populli, edhe robërimi pa dorashka – burgosjet, internimet, përndjekjet, vrasjet e kundërshtareve duke i shpallur armiq e tradhtarë të kombit, vetëm se nuk pajtoheshin me një parti, ideologji ose flamur. Gjithë këtij marshimi njerëzish fodullë, qorra e triumfues të pashpirt, poeti Uran Kostreci, mbi 30 vjet i burgosur e i internuar politik, i jep një emër: “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (Botimet Onufri, 2011) poemë epike me vështrim alegorik:

U mbush dynjaja
me karkalecë,
ka mall njeriu
përdhe të ecë!

Titulli duket se nuk është i rastit: karkalecat janë “klasë” insek-
tesh duke filluar nga parazitët e deri tek uzurpuesit, shkatërruesit e të mbjellave (kusht mirëqenieje) – nga ku këto insekte ikin vetëm pasi iu digjet toka nën këmbë. Karkalecat janë komunistët, shpjegon Kostreci.

Në bulevarde
e nëpër piaca:
sheh karkalecë
zënë allabraca.

Dhe përshtypja e poetit është pikturë e jetuar, sepse në kohën e rënies së diktaturës, Shqipëria dukej një fushë e thatë, e djegur, e sapobraktisur nga një ushtri e tërë karkalecash parazitë, frikacakë, jetëpirës.

Në vend të lekut
merr medalione,
amurka, yllka,
emulacione.

Vargjet e “Epopesë së karkalecave” zunë fill në mendjen e poetit Kostreci në burg, në vitet 1970, kur gjatë ecejakeve në oborrin e burgut ai përpiqej t’i mësonte përmendsh. Poetë të tjerë të burgosur i regjistronin vargjet e veta edhe ne karta cigaresh, siç ishte rasti i Arshi Pipës, që i përmblodhi ato në vëllimin “Poezitë e burgut” dhe i botoi kur u hodh në arrati në Perëndim.

“Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (për herë të parë së bashku në një libër të vetëm, i ngjan një kundërpërgjigjeje të “Epopesë së B.K.-së”, poemë-propagandë aq e popullarizuar, një nga krijimet e poetit dhe shkrimtarit të realizmit socialist, Shefqet Musarai. “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” përfshin një epokë të gjerë, nga fillimi deri në fundin e diktaturës dhe poeti ironizon:

Tash karkalecë
aty bëjnë pallë,
me nipër, mbesa,
me teze e hallë.

Të majtët e Shqipërisë i gëzohen fitores së të majtës në Francë,
thotë Kostreci, por pa e shoqëruar ketë gëzim edhe me kujtesën se Franca e sotme nuk është e pasardhësve të krimeve e terrorit të gijotinës komunare e antimonarkiste, por e atyre që i dënuan ato krime, u shkëputën përfundimisht prej tyre, u thanë “Ndal, jo më!”, duke hedhur themelet e ngrehinës që sot quhet Republika Franceze. “Po Shqipëria?” pyet Kostreci:

Ç’qe kjo mënxyrë –
mallkon mileti,
ai dhe vdekur
peshqesh… na mbeti!

Poema përfundon me përshkrimin e rënies së komunizmit dhe vendosjen e demokracisë më 22 mars 1992:

Fillojnë greva
e demonstrata,
…
e bëjnë Susakun
të ikë me vrap.

Gjithsesi, mendimet e ndjenjat e shprehua janë esencë, prandaj
mbulojnë më shumë sesa thonë. Por shpesh ato vetëm nëpërmjet artit poetik mund të shprehen plotësisht me fuqinë e tyre – prandaj nuk është e rastit që Uran Kostreci, prozator dhe autor sonetesh, zgjodhi pikërisht këtë formë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Gjëra të pangulitura

KRIMI NE FAMILJE PO MERR JETE NJEREZISH

February 5, 2019 by dgreca

 Nga Gëzim Tushi & Fran Gjoka/*

1 krimi

Është e paimagjinueshme, por ja që ndodh dhe kështu. Akte makabre e veprime të rënda antisociale në aspektin psikologjik, social dhe human. Vrasje të grave në mënyra të ndryshme, dhunë të tmerrshme, që do t’ua kishte zili dhe inkuizicioni! Quo vadis?! Veçanërisht  zonat e varfëra të qytetit apo të fshatit, pothuajse përherë përjetojnë thyerje të strukturave sociale, duke çuar në rritje krimesh. Dhe ndodh që krimi të ketë një sistem koncentrik, me rrathët e “ferrit” që zgjerohen, gjithnjë në ngritje të dhunës dhe terrorit në familje. Njerëz të stresuar, të deziluzionuar, që nuk dinë të respektojnë as normat më elementare shoqërore në strukturën familjare.

Ne duhet ta pranojmë ekzistencën e këtij turpi social. Krimi në familje tashmë për fat të keq në shoqërinë shqiptare ka marrë përmasa shqetësuese, pa frikë mund të themi se është bërë një nga dukuritë tejet shqetësuese për mbarë shoqërinë tonë në tërësi. Rritja e përmasave të dhunës, zgjerimi i veprimeve kriminale në familje dhe shoqëri janë bërë problem i madh kompleks i politikës si të tillë, politikave sociale, ligjore, që kanë të bëjnë me trajtimin e tij nga të dy objektet kryesore të shikimit. Si në aspektin e parandalimit por edhe të rehabilitimit. Natyra sociale e krimit është e lidhur me shumë faktorë ekonomikë dhe shoqërorë, të traditës dhe të zhvillimit, me kulturën dhe tipologjinë e familjes tonë.

Fenomeni i krimit në familje ka ekzistuar edhe më parë, mirëpo jo vetëm që nuk ka qënë në këto përmasa, por edhe pasqyrimi dhe interpretimi i tij si dukuri sociale është trajtuar dhe interpretuar nga pozita ideologjike të caktuara, duke tentuar që të publikoheshin sa më pak të ishte e mundur, duke ruajtur pozitivitetin fals të shoqërisë së indoktrinuar politikisht. Por është fare e vërtetë që dukuria e krimit në familje, pati nje “shpërthim” të vërtëtë sidomos pas viteve 90, kur shoqëria jonë kaloi nga diktatura në demokraci, nga totalitarizmi në liri.

Kjo është arsyeja pse në shumë raste me mëndjelehtësi sociale disa njerëz mendojnë se shkaktare e lulëzimit në këto përmasa të krimit në familje, është liria dhe krimi duket sikur është produkt i tij.

Pavarësisht niveleve të analizës dhe interpretimit, shqetësues është fakti që pothuaj çdo ditë media zhurmëmadhe jep raste të krimit në familje. Vetëvrasje dhe vrasje. Me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ka treva të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet nga një i vdekur apo gati për të vdekur nga vetëhelmimet, hedhjet nga lartësitë ose duke përdorur mjete e rrugë të tjera. Akoma edhe më të shëmtuara janë rastet kur babai vret djalin dhe anasjelltas, vëllai motrën, burri gruan… Ngjarje të tilla po bëhen aq të shpeshta në truallin shqiptar sa që shoqëria, politika, opinioni, shteti dhe institucionet e tjera sikur po mësohen me to. Nuk qarkullon kot mendimi tek qytetarët, sipas të cilit në Shqipëri tashmë asgjë s’na bën përshtypje. Shkurt: Kronikat e zeza na kanë lodhur. Krimi në familje po na rrënon. Po vë në diskutim ekzistencën e familjes dhe pas kësaj të shoqërisë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën e humbur se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politika dhe pushtetbërësit do t’i vënë gishtin kokës për të shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të kohës.

Pas rastit të përditshëm të krimit familjar, që jepen me aq zell nga media, vijnë prej saj edhe shkaqet, motivet: “Ishte në gjendje të rëndë depresive, i sëmurë psikik, i dehur…” Janë të rralla rastet kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumentave“, që s’bindin askënd. Të merresh me pozimin e problemit, me informimin e publikut është njëra prej detyrave funksionale të medias, por jo e gjitha.

Qytetarët dhe shoqëria në tërësi duan të dalin përtej konstatimit, duan analiza dhe konkluzione për problemin. Duan të njihen me shkaqet e këtij krimi makabër, duan të dinë pse-të jo thjeshtë për kuriozitet, por për të marrë masa parandaluese. Në pamundësi për të mënjanuar dukurinë, së pari, për ta zbutur, mund të bëjnë presion mbi shtetin në të gjitha nivelet dhe strukturat e tij dhe mbi të gjitha institucionet e edukimit dhe të arsimit për formën e qeverisjes dhe të drejtimit.

Në këtë kuptim, shkaqet e krimit që jep media janë thjeshtë një përpjekje për të gjetur arsye të paarsyeshme, sepse gjendjet depresive tek njerëzit nuk krijohen menjëherë, se budallenjtë, me përjashtime të rralla, nuk lindin të tillë, por formohen, se pijanecët kronikë e kanë një hall që shkrehen shumë pas alkoolit. Përtej këtyre “motiveve“ vrastare, teje tronditëse e shkatërruese për familjen e sotme, janë shkaqe, motive dhe arsye të tjera me arsye sociale, psikologjike dhe ekonomike, që duan analiza dhe konkluzione që studiuesit e të gjitha fushave dhe gazetarët duhet të merren me to dhe t’i japin rekomandime shoqërisë dhe shtetit për ta kapërcyer fenomenin rrënqethës.

Ndërkaq shkolla nuk e përgatit brezin e ri për të përballuar vështirësitë e jetës, për të kapërcyer konfliktet e brendshme që krijohen tek të rinjtë nga dëshira për një jetë ndryshe dhe pamundësia, për arsye sociale, financiare, psikologjike e traditë e familjes për të arritur një synim të tillë. Kur intensiteti i llojeve të këtyre konflikteve është i lartë, shkakton lodhje të mëdha mendore tek nxënësit, çka nënkupton një mundësi më shumë për të kryer krim. Shkolla, sidomos ajo e mesme dhe me një numër të madh nxënësish, ka nevojë për një psikolog ose sociolog për t’u marrë me shëndoshjen e mendjes të të rinjve të stresuar.

Sipas studimit, “Strategjia kombëtare e zhvillimit ekonomik dhe social”, tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është analfabete. Ky grup i madh social përbën kontigjentin më të pranueshëm për krim. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjellurit dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për parandalimin e krimit familjar.

Presionet, kërcënimet, dhuna në formën emocionale dhe fizike, neglizhimi dhe ndalimi i adoleshentëve nga më të rriturit për ta bërë jetën sipas perceptimit të tyre, paçka se ajo mund të jetë edhe iluzive, janë pararendëse të krimit familjar. Një fëmijë i dhunuar dhe i keqtrajtuar në familje do të sillet e të veprojë si i tillë edhe ai kur të rritet. Dhuna gjeneron vetëm dhunë. Kontingjenti i fëmijëve të dhunuar është më i rriskuar për t’u vetëvrarë, sidomos tipat e ndjeshëm, që preken shpejt, janë më të zbuluar ndaj kësaj forme krimi.

Familja ka nevojë të rikthehet në funksionin e saj vërtet edukues. Papunësia të çon në varfëri dhe kjo e fundit i jep krahë zhurmës, grindjeve, dhunës, vrasjes në familje, por edhe vetëflijimit të kryefamiljarit, kur ai nuk ka mundësi t’i ushqejë, t’i veshë, t’i argëtojë e shkollojë fëmijët. Të papunët përbëjnë pjesën më të madhe të të dënuarve.

Papunësia, për të përballuar kushtet minimale të jetesës, është shtyesi kryesor që çon të zotët e shtëpisë drejt vetëvrasjes pasi zgjidhja është e papranueshme. Aq më tepër që situata në familje me një veprim të tillë nuk lehtësohet, përkundrazi rëndohet.

Në këto raste vrasja nuk ndodh rastësisht, përkundrazi ajo ka një skenar të parapërgatitur nga autori. Në mendjen e vrasësit zhvillohet një luftë e frikë psikologjike e të kundërtave. Gjatë periudhës së përpunimit kriminal, ai shpeshherë rri i mërzitur dhe më vete. Jeta e vetmuar, pa aktivitet dinamik, pa objektiva dhe ideale e varfëron botën emocionale dhe shpirtërore të individit dhe e hedh atë në një jetë boshe. Në këtë kuptim, njerëzit duhet ta jetojnë jetën larg burgut të vetmisë. Shokët dhe të afërmit duhet t’i ndihmojmë për t’u integruar me shoqërinë. Hallet e njerëzve duhen dëgjuar e vlerësuar me shumë kujdes.

Zyrtari, kushdo qoftë ai, duhet të bëjë të pamundurën për t’ja zgjidhur në kohë dhe brenda kuadrit ligjor ankesën që ka parashtruar qytetari. Së paku, ta mbajë me shpresën se diçka do të bëhet dhe për aq kohë sa ai ta kapërcejë krizën momentale nervore.

Zbutja e varfërisë përmes përmirësimit të politikave të punësimit, një farë drejtësie relative sociale dhe investime më të shumta për argëtimin e njerëzve, do të ulnin numrin e rasteve të krimit familjar dhe tentativës për ta kryer atë. Shumë konflikte në familje agravojnë deri në ekstrem dhe bëhen vrasës si rezultat i xhelozisë që ushqehet nga mjedisi përrreth, nga komuniteti i vogël, ku si rregull jetohet me trillime.

Emancipimi i shoqërisë deri në atë masë që askush të mos hyjë në jetën private të individit mbetet detyrë parësore e shkollës, familjes, OJF, institucioneve shtetërore të specializuara etj.

Besoj se nuk ka njeri normal dhe qytetar të përgjegjshëm që të mos pranojë se krimi në familje është një nga format më të shëmtuara, më të këqija të mundshme të krimit, që pasi ndodh shoqërohet pastaj me një varg pasojash zinxhir që ndikojnë në përkeqësimin e jetës së familjes e cila pëson deformime të rënda strukturore, funksionale dhe sociale.Nga krimi në familje krijohet situatë që fëmija humbet babanë ose nënën dhe mbeten jetimë, burri humbet gruan dhe shkatërron përfundimisht familjen, motra humbet vëllanë nga konflikti i tij me babën ose vëllai humbet motrën nga një nxitim dhe gjykim sipërfaqësor dhe nga parime të vjetra morale.

Natyrisht nuk është e lehtë të japësh rekomandime se si mund të parandalohet dhe zbutet krimi në familje, por megjithatë ka ardhur koha për t’i thënë jo krimit, duke mos qënë indifferent përballë tij. Në këtë kontekst do të ishte një veprim politik, social dhe ekonomik kompakt i shtetit, politikës dhe shoqërisë civile, për të krijuar një atmosferë mbytëse ndaj krimit në familje duke siguraur për cdo njeri të pacënuar të drejtën e jetës. Këta aktorë socialë janë natyrisht strukturat përgjegjëse që kanë mundësitë e ndërtimit të politikave antikrim, duke ndikuar jo vetëm në sensibilizimin social dhe emancipimin njerëzor, por dhe në përmirësimin e kushteve materiale dhe të jetës që ndikojnë pozitivisht në zbutjen e shkaqeve që sjellin konflikt dhe më pas krim në familje.

Në këtë kontekst na duhet të kemi një vetëdije të re sociale dhe të pranojmë se krimi në familjë është krimi ndoshta më barbar sepse ndodh midis njerëzve që kanë lidhje gjaku midis tyre, që janë të afërt dhe jetojnë bashkërisht në komunitetin familjar. Shumica e formave të krimit janë me natyrë morale, pasurore, financiare, të lidhura me çështje pushteti dhe autoriteti familjar. Padyshim është e pamundur që me një shkrim gazetaresk të trajtosh tërë problematikën komplekse të krimit në familje dhe ca më pak të japësh zgjidhje përfundimtare rrugëve të parandalimit dhe frenimit të tij.

Në këtë kontekst ka ardhur momenti kur politika, shteti, familja, shkolla, shoqëria civile dhe institucionet fetare të angazhohen seriozisht për të bërë një analizë e plotë të shkaqeve të lulëzimit të krimit në familjen shqiptare. Ne mendojmë se në të njëjtën kohë dhe paralelisht, kjo do të kërkonte një angazhim të madh të strukturave hulumtuese e studimore të shkencave sociale, do të kërkonte angazhim të forcave më të kualifikuara për të parë dhe interpretuar fenomenin e “krimit në familje në një kontekst shumë të gjërë.

*Dergoi per Dielli, Fran Gjoka

Filed Under: Analiza Tagged With: FRAN GJOKA, Gezim Tushi, Krimi ne Familje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT