• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

MALI I ZI SIPAS TRADITËS SHQIPTARE

May 10, 2019 by dgreca

Pashko Vasa, SKICË HISTORIKE MBI MALIN E ZI SIPAS TRADITAVE GOJORE SHQIPTARE, Botoi: ALSAR, Tiranë, 2019/

Shkruan: Dr.Nail  Draga /* Në plejadën e personalitetëve të Rilindjës Kombëtare Shqiptare bën pjesë edhe Pashko Vasa,  i cili u dallua me  veprimtarinë e vet në favor të çështjes kombëtare. Në këtë aspekt bën pjesë edhe veprimtaria botuese e cila ishte dëshmi e ngritjës së ndërgjegjës kombëtare, që përkon më  kohën e  Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.  

Ai ishte personalitet shumëdimensional si, publicist, poet, studiues i historisë kombëtare, i gjuhës,  hartues i një alfabeti, një gramatike e një romani dhe poliglot sepse ishte njohës i shtatë gjuhëve të huaja. Pjesën ma të madhe të jetës e kaloi si zyrtar i administratës së Perandorisë Osmane duke qenë përfundimisht guvernator i Libanit, ku edhe vdiq në vitin 1892 në moshën 67 vjeçare.

Vepra “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, është botuar frengjisht  në vitin 1872 në Stamboll në Shtypshkronjën “Lajmëtari i Orientit”, ndërsa kohë më parë në përkthim nga prof.Seit Mansaku është botuar në gjuhën shqipe nga Fondacioni ALSAR nga Tirana. Ndonëse studiues të ndryshëm kanë pasur njohuri për ekzisimin e një vepre të tillë, ajo për opinionin shqiptar ishte e panjohur sepse ishte në gjuhën fërnge, ku si e tillë  i bashkangjitet botimit në shqip, duke ruajtur origjinalitetin e saj. Libri në fjalë si nga titulli dhe përmbajtja është intrigues dhe zgjon kureshtjen të lexuesi për nga forma e prezantimit dhe çështjet e trajtuara. Si të tillë duhet lexuar  e analizuar në kontekstin e kohës, kur lënda është përgatitur për botim, që dëshmon qasjen e autorit për principatën e Malit të Zi, në sajë të të dhënave të disponueshme për kohën përkatëse.

Librin “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, siç pohon vet autori, mbeshtetet në traditat popullore shqiptare, sepse sipas tij, “malazezët dhe fqinjët e tyre shqiptar nuk kanë mundur t’u përcjellin pasardhësve kujtimin e bëmave të tyre me ndonjë formë tjetër, përveç se nëpërmejt të traditave gojore”. Malazezët dhe Shqiptarët, mendon ai, “nuk kanë marrë kurrë mundimin të regjistrojnë ndeshjet që kanë bërë midis tyre. Kohët qenë shumë të vështira për këta dy popuj luftëtarë e trima dhe nuk patën mundësi të shpëtonin nga harresa për një kohë të gjatë dramat politike në të cilat kanë qenë aktorë. Ata e shikonin lavdinë e tyre në grykat e pushkëve.” Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna del se autori nuk ka pretenduar të bëjë në këtë libër një paraqitje të plotë të historisë së principatës së Malit të Zi, por synon të japë në skicë të thjeshtë të historisë së këtij vendi fqinj, duke shfrytëzuar traditat gojore të shqiptarëve: tregimet popullore, legjendat, këngët popullore të përcjellura gjatë shekujve.

Në këtë punim autori fillimisht jep informacione për principatën e Malit të Zi, territorin, popullsinë, aspektet sociale duke filluar nga mesjeta  e vazhduar më pas me qeverisjen nga peshkopët që ishin  binom i pushtetit shpirtëror e ati laik. Po ashtu në libër ka informacione edhe për Bosnjën e sidomos Shkodrën përkatësisht  Shqipërinë veriore, duke shqyrtuar raportët e ndërsjella qoftë në kohë paqeje apo edhe të luftimeve të ndryshme, që ishin rezultat i ambiceve hegjemoniste të qarqeve sunduese të kohës. Një çështje e tillë ka të bëjë sidomos në raportët malazezo-shqiptare kryesisht në zonat kufitare të tyre entitetëve të cilat ishin edhe arena luftarake, të dëshmuara edhe në burimet historike. Nga të dhënat e tilla del se autori ka pasur informacione të mjaftueshme dhe si njohës i mirë i rrethanave shoqërore të kohës, prezanton pikëpamjet e tia, të cilat me pas janë bërë pjesë e diplomacisë ndërkombëtare të kohës, me interes të veçantë në këtë regjion gjeografik.

Ndonëse në shikim të parë  kemi të bëjmë me një libër të vogël për nga numri i faqeve, ai ka peshë të veçantë sepse është i pari në atë kohë, ku temë qendrore ka principatën e Malit të Zi. Ndërsa i shkruar nga një  shqiptar, dëshmon interesimin e autorit për  Malin e Zi, i cili në atë kohë  ishte një regjion gjysëm autonom në kuadër të Perandorisë Osmane.

Këtë libër duhet lexuar  në kontekstin e kohës e cila i takon kryesisht shek.XIX, andaj si i tillë duhet  analizuar dhe komentuar. Të dhënat e tilla në përgjithësi janë sinteza të çështjeve dhe ngjarjeve në principatën e Malit të Zi, andaj në këtë kontekst duhet trajtuar edhe marrëdhëniet e malazëzëve dhe shqiptarëve, si dy popuj fqinj, të cilët  kanë pasur incidente e madje edhe konflikte luftarake varësisht prej rrethanave të kohës në zonën kufitare e cila si e tillë  u definu  nga shek.XIX.

Duke marrë parasysh kohën kur është përgatitur për botim ky libër jemi dëshmitar se  për ca ngjarje të cilat në këtë botim i cekën Pashko Vasa  mungojnë datat, përkatësisht vitët përkatëse, por sot kemi mundësi ti përcaktojmë ato, sepse ekziton faktografi e mjaftueshme historike. Andaj, në të ardhmën iu mbetët studiuesve të analizojnë të dhënat e tilla duke i plotësuar më shënime  të nevojshme në mënyrë që ky botim të jetë me i kompletuar për opinionin e gjerë kulturor.

Duke vlerësuar lart veprimtarinë e përgjithshme kombëtare e kulturore nuk ka dilemë se  Pashko Vasa, ka mbetur në kujtesën kombëtare për dy momente interesante; e para ka të bëjë me pozitën e zyrtarit të Perandorisë, ku me ndërgjegje kombëtare shqiptare nuk ka pranuar të shkonte e të qeveriste krahinën e Kosovës, sepse po të shkonte atje,  e ka thënë publikisht se  “ai do të bëhëj tradhtar, sepse ose do të tradhtonte Perandorinë, ose do të tradhtonte vendin e tij”. Pra refuzoj ofertën e sulltanit, por pranoj të jetë guvernator në Liban.

Ndërsa momenti i dytë ka të bëjë me poezinë e tij “O moj Shqypni”(1880), e cila më të drejt është quajtur kushtrim  kombëtar, që i bëhëj  ndërgjegjes së shqiptarëve për shpëtimin e atdheut  ku vargjet “çoniu shqyptar prej gjumit çoniu/ të gjithë si vllazën n‘nji bes shtrengoniu/ e mos shikoni kisha e xhamia/ feja e shqiptarit ashtë shqiptaria”, kanë mbetur  mesazh i përjetshëm  kombëtar për të gjithë shqiptarët.

Dhe në fund duhet falenderuar botuesin Fondacionin ALSAR nga Tirana për botimin e veprave të tilla nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Urojmë që botime të tilla opinionit ti dhurohen në të ardhmën, duke dëshmuar së ALSAR është duke kryer një mision sa kulturor dhe kombëtar.

                                                                                                                                   *Fjala e mbajtur më rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 27 prill 2019                                                                                                  

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Nail draga-Mali i Zi sipas Tradites- Pashko Vasa

60 VJET PA TY DON DED MALAJ!

May 10, 2019 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

DON DED MALAJ (1917 – 1959)/

●SIKUR  T’ ISHTE  DJE…/

“FESTË TË MADHE KA …SHQIPËRIA, NË ZI E N’ FUTA U MBLUE MALËSIA!”/

24 PRILL 1959 Kur u hap gjyqi në Kinema “Republika” të Shkodres Don Deda tha: “E Premtja e zezê nê Shqipni ka fillue me 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa tê mbarojê komunizmi!” Tre kriminela sigurimi e torturonin per me realizue vrasjen e Tij: Hilmi Seiti, Ali Xhunga dhe Xheudet Miloti…Ishte në gjyq edhe perfaqsuesi i UDB së Titos, ambasadori jugosllav, i ftuem nga Enveri… Don Ded Malaj asht nder Herojt e pathyeshem prej sigurimit të mnershem të shtetit. Po, per qendresen Burrnore të Tij flet gjatë në librin “Çinarët” At Konrrad Gjolaj, bashkvuejtës i Tij dhe Mik deri në vdekje.

Don Deda njihej si mik dhe “bashkpuntor” i Don Kolec Prennushit, nxanës i Don Alfons Trackit, mik i At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, të gjithë kundershtarë të firmosjes së “Statutit të Kishës Katolike të 1951”, pra meqë asnjeni nuk pranonte këputjen e lidhjeve me Vatikanin dhe Papen: Me daten 29 Prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, ndersa Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim. E mesa e Don Dedës, ishte Drandja e vogel 13 vjeçe që u nis per Tiranë me u interesue per Axhen e vet. Me 1 Maji Drandja takoi tek tribuna Nexhmije Hoxhen, e njohun nga Populli me emnin kobra…Drandja i shpjegoi se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”…E shkreta Drande u mundue me e prekë n’ zemer!!..

●Me 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres: “Lutja yte refuzohet.”(Dosja 2199).

11 MAJI 1959 Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit Don Dedës u ruejt nga një Vlla Mysliman, që e kishte në kopshtin e vet…

Sot, në këte 60 vjetor Shqiptarët besoj se me “Rilindjen” kujtojnë edhe thanjen e Madhe Profetike të Don Ded Malaj: “E Premtja e Zezë po vazhdon me komunizmin!”

            UJVARA  E  SELCËS…

SELCA  NA  DHUROI  SHKAMIN  DON DED MALAJ…

●Don Ded Malaj asht le në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj, me daten 16 Nandor 1917, prej ku mbas pak vitesh kanë zbritë në Velipojë, e nen kujdesin e Don Alfons Trackit, u brumos me kulturen Europjane Perëndimore.

Në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali.

U këthye në Shqipni dhe ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit dhe së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku edhe u arrestue në vitin 1958, dhe dha jeten per “Atdhe e Fe”…

Sa lotët janë derdhë per Ty në këte ujvarë tash 60 vjet, o Don Dedë Malaj…!!

            Melbourne, 10 Maji 2019

Filed Under: Histori Tagged With: Ded Malaj- 60 Vjet Pa Ty-Fritz Radovani

VETMI GLOBALE

May 10, 2019 by dgreca

Nga MAURO MAGATTI/

     E përktheu nga “Corriere della Sera”, Eugjen Merlika/  

Nëse është World Economic Forum në Global Risc Report 2019, të nxjerrë në pah“Papërballueshmërinë njerëzore”, ndërmjet rreziqeve kryesore që i shfaqen shoqërive bashkëkohore, është me të vërtetë për të përsiatur e për t’u shqetësuar. Shënjat e “mundit për të jetuar” në rritje, tashmë janë të shumta e vijnë nga burime krejt  të ndryshme.Treguesi i përpunuar nga Pew Research Institute mbi natyrën pozitive ose negative të përvojave të përditëshme shënon një përkeqësim të vazhdueshëm në vitet e fundit. Në 2017, katër të pyetur ndër dhjetë (hulumtimi është ndërkombëtar) pranojnë se jetojnë me shumë shqetësime e stres; 3 në 10 se bashkëjetojnë me dhimbje fizike të shoqëruara nga sëmundje llojesh të ndryshme; 2 në 10 janë të zemëruar. Një prirje që gjen vërtetim në një raport të World Health Organization, simbas të cilit depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë shtuar përkatësisht 54% dhe 42%, nga 1990 deri më 2015. Përgjithësisht, njerëzit me probleme të shëndetit mendor në nivel botëror, tashmë kanë kaluar shifrën rekord të 700 milionëve.

            Të tjera kërkime japin idenë se sa është e përhapur ndiesia e vetmisë në Vendet e përparuara. Të dhënat empirike thonë p.sh. se në Mbretërinë e Bashkuar 22% e popullsisë thotë se e vuan. Një e dhënë që shkaktoi aq shumë zhurmë sa që e shtyu qeverinë e Theresa May-t të krijonte një vend zv. Ministri me një mandat për atë problem.

            Nga ana tjetër, vetmia nuk është gjë tjetër veçse pasqyrim i shndërrimeve të thella strukturore të mënyrës sonë të jetesës: tek evropianët përqindja e familjeve të përbëra nga një njeri i vetëm është dyfishuar gjatë 50 viteve të fundit, me probleme veçanërisht të mprehta në qytetet e mëdha: në Milano arrijmë në 40% të banorëve, në Paris në 50%, në Stokholm deri në 60%. Edhe se e pa thyeshme mbetet qendra e Manhattan-it, ku 90% e familjeve përbëhen nga një njeri! Dijmë se përgjithësisht rrjetet sociale po dobësohen. Një hulumtim amerikan ka vënë në pah se numuri i shokëve për çdo njeri është zbritur mesatarisht nga 2,9 në 1985 në 2,1 në 2004, ndërsa është trefishuar numuri i atyre që thonë se nuk kanë asnjë shok. Dhe ka arsye të besohet se të tilla prirje janë shtuar në 15 vitet e fundit, me që përshpejtimi i jetëve tona e bën gjithënjë e më të vështirë ruajtjen e miqësive të qëndrueshme e të thella.

            Siç këndon Vasco Rossi ajo që duhet t’ arrijmë të bëjmë është të takohemi ndonjëherë për të kaluar së bashku ndonjë çast, mbasi ”secili është i humbur mbas punëve të veta”.

E gjithë kjo përputhet me ndryshimin e klimës shoqërore të shoqërive tona. Siç tregojnë të dhënat e një kërkimi në kah psikologjik, niveli i empatisë (aftësisë për “t’u vënë në rrobat e tjetrit”) është ulur me 48% ndërmjet 1979 dhe 2009. Është një temë e rimarrë ndonjë javë më parë nga Financial Times që ka lëshuar alarmin: duhet kërkuar këtu rrënja e vërtetë e asaj “keqësije” të cilën e shohim të mbijë nga të gjitha anët e kërcënon jetën tonë shoqërore. Në studimin e përmendur, rënia e empatisë i vishet tre faktorëve: shtimi i materializmit dhe konsumizmit që na mëson të kemi marrëdhënie mjetore duke humbur zakonin e tërësisë së pasur e të vështirë të marrëdhënieve njerëzore; thyeshmëria e familjes ku mësohet (jo pa mëdyshje e kundërshti) për të qëndruar me të tjerët, por një nyje problematike ku fuqizohet pasiguria qenësore  e ku shpërthen dhuna; është ajo që quhet “eko – dhoma dixhitale”, pra, prirja e rrjeteve sociale për të ndërtuar bashkësi të njëtrajtëshme e të mbyllura, me pasojën e shtimit të palejueshmërisë kundrejt kujtdo që është apo e mendon në tjetër mënyrë.

E vërteta është se ndodhemi përballë një ndryshimi strukturor të jetës sonë shoqërore që çon në pjekuri proçese të nisura që në vitet 60. Hamëndja thotë se e gjithë kjo prodhon shoqëri shumë të brishta, të vëna në rrezik të monopolizimeve të pushtetit nga ana e të paktëve. Veç asaj një shoqëri vetmitarësh e të zëmëruarish është një depozitë dhune të fjetur që mund të shkarkohet gjithmonë kundër ndonjerit. Simbas World Economic Forum, është ky rreziku për të mos u nënvlerësuar e që duhet luftuar, duke vënë në qendër të rendit të ditës rithemelimin e rrjeteve sociale e të trupave të ndërmjetëm.

Në një hulumtim të më shumë se gjysmë shekulli më parë sociologu i shquar Paul Felix Lazarsfeld, duke studjuar proçeset e ngjizjes e shpërndarjes së opinioneve, tregoi se si udhëheqjet vendore dhe organizatat e ndërmjetme përbënin një faktor të rëndësishëm mbojtjeje kundër depërtimit të mesazheve mediatikë. Ka një lidhje të tërthortë ndërmjet dëndësisë e gjallërisë së rrjeteve sociale dhe qëndralizimit të ndikimit e të pushtetit. Ka ardhur koha të vetëdijësohemi për papërshtatshmërinë e idesë tejet individualiste të lirisë, të lëvruar në dhjetëvjeçarët e fundit. Më parë se sa të shëmbet në të kundërtën e saj. Sado që mund të tingëllojë si paradoksale, liria vetiake është një projekt i përbashkët. Për të lulëzuar ai ka nevojë për shumë elementë, ndërmjet të cilëve mbrojtja dhe rimëkëmbja e rrjeteve të shoqërizimit. Një detyrë e ngutëshme për t’u zbatuar.

“Corriere della Sera”, 30 prill 2019     E përktheu nga “Corriere della Sera”, Eugjen Merlika  

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Mauro Magatti-Vetmi Globale-Eugjen Merlika

GATI PËR PARADËN E 8 QERSHORIT?

May 10, 2019 by dgreca

RRENJET SHQIPTARE MBLODHEN ORGANIZATAT PER PARADEN E QERSHORIT/

Të Enjten në mbrëmje,9 Maj 2019, nën drejtimin e Rrënjëve Shqiptare(Albanian Roots),në Manhattan, u realizua takimi i tretë i organizatave të Komunitetit Shqiptar për Paradën e Qershorit, e cila për të dytën herë i kushtohet çështjes Çame.

Në takim, ku ishte e pranishme edhe gazeta DIELLI me editoren e gjuhës angleze, Rafaela Prifti, u morën një sërë vendimesh, ku veçojmë:

– Marshalli kryesor i Paradës do të jetë gazetari i emisionit”Gjurmë Shqiptare” Marin Mema; të ftuar nderi: Dritan Sejko-President i Shoqatës Patriotike Çamëria-Tiranë;

 Ilir Ademi-President i Organizatës Çamëria-USA…

Marshallë Nderi-Të gjithë të lindur në ÇAMËRI: Sali Bollati, Ahmet Giaffo, Bashkim Braho, Niko Stylos, Gani Mezani, Justin Spiro & Nazo Veliu, lindur në Shqipëri, nga prindër të lindur në Çamëri.

Filed Under: Politike Tagged With: Parada Shqiptare-Rrenjet Shqiptare-Albanian Roots

NDERROI JETE NE LETONI MAJOR KLODIAN TANUSHI

May 10, 2019 by dgreca

KLODIAN TANUSHI/


Ka ndërruar jetë edhe komandanti i kontigjentit shqiptar në Misionin e NATO-s. Lajmi konfirmohet nga Ministrja Shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhacka, ne faqen e saj ne rrjetet sociale. Ajo shkruan: Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim.
Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!

PO, KUSH ISHTE MAJORI, BABA I 3 FEMIJEVE?

Major Klodian Nikolla Tanushi, ka lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.

Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”.

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si : Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni,  Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.

Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.

Filed Under: Kronike Tagged With: Klodian Tanushi-Nderroi Jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT