• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Komuniteti shqiptar mburret me policёt shqiptaro-amerikanё

July 28, 2019 by dgreca

Kevin Veizaj, njё tjetёr oficer policie amerikano shqiptar nё Washington D.C./

Gazeta Dielli- Njё tjetёr polic Amerikano- Shqiptar nisi shёrbimin nё Metropolitan Police Department of the District of Columbia (MPDC). Kevin Veizaj ka pёrfunduar studimet nё Akademinё e Policisё dhe pas graduimit nisi shёrbimin nё radhёt e policisё nё District Of Columbia .

Kevin nuk ёshtё i vetёm oficer policie nga trungu i familjes sё tij. Ai vjen nga njё familje oficerёsh. Xhaxhai I tij, Helidon Veizaj ёshtё njё ndёr oficerёt e devotshёm, qё ka shёrbyer deri nё rang  nёndrejtor qarku policie.Tek Kevin janё bashkuar: Shkolla, aftёsitё profesionale dhe trashёgimia familjare. Pёrvoja dhe trashёgimia janё mё tё hershёm; Babai I tij, Gjinal Veizaj ka shёrbyer si oficer policie nё repartin special. Ёshtё nga tё parёt oficerё tё policisё tё shtetit qё lanё Shqipёrinё pёr Amerikёn. Daja i Kevin,  ish kampion i NYC Golden Gloves , shkaktoi emocione kur dhuroi njё palё doreza me autograf, ku i uronte nipit suksese, por i kёrkoi nipit qё krahas punёs tё thellojё studimet dhe tё pёrfundojё edhe  Masterin nё Georgetown University. 

Komuniteti shqiptar i uron Kevin shёrbim tё suksesshёm dhe i dёshiron atij sukses nё detyrёn e lartё nё shёrbim tё qytetarёve ameirkanё. Elton Shametaj, oficer i policisё sё Nju Jork-ut,dhe aktivist i njohur pёr komunitetin shqiptar,tha pёr Gazetёn “DIELLI” se ndjehet i gёzuar qё po shtohen radhёt e policёvё shqiptarё. Belis Kasafi dhe Agron Kaci ,nё  emёr tё organizatёs sё Policёve Amerikano-shqiptarё i uron sukses Kevin dhe shpreson se ai do ta cojё mё tej traditёn familjare.
Po ashtu edhe organizata “ American Albanian Law Enforcement Association” e uron oficerin e ri dhe i dёshiron atij suksese dhe mirёseardhje nё radhёt e policisё. Tash numri i policёve shqiptarё nё Amerikё  ёshtё i ndjeshёm.

Federata Vatra dhe Gazeta Dielli e urojnё policin shqiptaro-amerikan duke i dёshiruar atij dhe tё gjithё policёve shqiptaro-amerikanё, suksese nё detyrё. Komuniteti shqiptar mburret me policёt shqiptaro-amerikanё, tё cilёt kanё krijuar edhe shoqatat e tyre dhe ndjehen pranё komunitetit nga vijnё. Faleminderit qVeizaj, nje tjeter officer policie americano shqiptar ne Washington D.C.

Nje tjeter police American Shqiptare nise sherbimin ne Metropolitan Police Department of the District of Columbia (MPDC). Kevin Veizaj ka pёrfundoi studimet nё Akademinё e Policisё dhe pas graduimit nisi shёrbimin nё radhёt e policisё nё District Of Columbia .Kevin nuk ёshtё i vetёm oficer policie nga trungu i familjes sё tij. Ai vjen nga nje familje oficerёsh  xhaxhai Helidon Veizaj kan qene nendrejtor qarku policie . Pёrvoja dhe trashёgimia janё mё tё hershёm; Babaj Gjinal Veizaj k qen officer policie ne repartin special te Briskut ёshtё nga tё parёt oficerё tё policisё tё shtetit qe lan shqiperin per Americen. Daja I kevin  ish kampion I nyc golden gloves I dhuroj  nje pale doreza me autograf ku I uronte nipit suksese the kras punes te mbaroj the masterin ne georgetown university. 
Komuniteti shqiptar i uron Kevin shёrbim tё sukseshёm dhe i dёshiron atij sukses nё detyrёn nё shёrbim tё qytetarёve ameirkanё. Elton Shametaj, oficer i policisё sё Nju Jork-ut,dhe aktivist i njohur pёr komunitetin shqiptar,tha se ndjehet i gёzuar qё po shtohen radhёt e policivё shqiptarё. Belis  Kasafi dhe Agron Kaci ne  emer te organizates s e policёve  Amerikano-shqiptare i uron sukses kevin dhe shpreson se ai do ta cojё mё tej traditёn familjare.

Po ashtu edhe organizata “ American Albanian Law Enforcement Association” e uron oficerin e ri dhe i dёshiron atij mirёseardhjen nё radhёt e policisё. Tash numri i policeve shqiptare ne Americ  eshte i ndjeshem.

Federata Vatra e uron policin shqiptaro-amerikan duke i dёshiruar atij dhe tё gjithё policёve shqiptaro-amerikanё, suksese nё detyrё. Komuniteti shqiptar mburret me policёt shqiptaro-amerikanё, tё cilёt kanё krijuar edhe shoqatat e tyre dhe ndjehen pranё komunitetit nga vijnё.Ata na nderojnёdhe mbajnё lartemrin e Kombit tone!

(Korresp i Diellit)

Filed Under: Featured Tagged With: Elton Shametaj- Policet Shqiptar ne SHBA-Kevin Veizaj

DOBËSI TË EVROPËS

July 28, 2019 by dgreca

Shkruar nga FEDERICO FUBINI/“Corriere della Sera”/

Përktheu për Diellin: Eugjen Merlika/

            Të përcaktuara emërimet në Bruksel, e tretur humbja italiane, është çasti të regjistrohet se kjo e fundit është vetëm një hollësi. Të rejat në këtë ndërrim stine janë edhe e, mbi të gjitha, tjetërkund. Kanë votuar n’Evropë 32 milion njerëz më shumë në krahasim me pesë vite më parë, pak a shumë aq sa venë në kutitë e votimit për zgjedhjet politike në Itali: zgjedhësit kuptojnë që vendimet e marra në Bruksel peshojnë e prandaj kërkojnë t’u shkojë fjala (më pak në Vendin tonë, një ndër të paktit në të cilët pjesëmarrja është në një rënie të lehtë).

            Kjo kërkesë për politikën evropiane, natyrisht, mund të marrë aq forma sa janë edhe kulturat. Njëzet milionë të zgjedhësve të gjelbër, në shumicë nën tridhjetë vjeç, janë të bindur se asnjë Shtet i vetëm nuk mund të mbarështojë prblemet – klimë, të shpërngulur subsaharianë – që ata kanë përpara. Tridhjegjashtë milionë sovranistë mendojnë se Brukseli nuk duhet të fusë sqepin në atë se si qeveritë i trajtojnë llogaritë e tyre ose institucionet demokratike. Rreth 120 milionë socialistë, popullorët e liberalët kërkojnë që Vendet të bashkëpunojnë, të bashkojnë pushtete, të njohin rregulla e institucione të bashkërenduara e t’i bëjnë të tjerët t’i respektojnë.

            Do të duhej pra të prisnim pesë vjet që sistemi të jetë përpjekur t’u përgjigjet pritjeve. Do të duhej të prisnim një nismë të madhe të përbashkët për investime të gjelbëra, fillimin e një politike evropiane për refugjatët, të denjë për këtë emër, ndërhyrje për të bindur në Varshavë e Budapest të mos manovrojnë gjyqtarët e të mos kërcënojnë mjetet e informimit, një dorë e fortë që të drejtojë Romën për të dalë nga këneta e borxheve dhe nga rritja zero. Një shenjë në këtë drejtim e kemi: drejtuesit e 28 shteteve, për të parën herë, kanë emëruar – vë re Wolfgang Münchau – një skuadër federalistësh. Përfaqësuesi i Lartë spanjoll Josep Borrell, belgu Charles Michel si kryetar i Këshillit evropian, gjermania Ursula von der Leyen në drejtim të Komisionit të Be mendojnë se Bashkimi duhet të marrë më shumë karakteristikat e një Shteti federal.

            Është e pranueshme të dyshohet nëse do të ndodhë. Dhe është e lejueshme të dyshohet se Evropa e viteve të ardhëshme do të tregohet një fuqi e ngadaltë. Janë shumë forca që e frenojnë: sfidat sistemit të Polonisë a Hungarisë, të Italisë apo Britanisë së Madhe; ngurrimi i shumë qeverive, përfshirë Parisin, të bashkërendojnë fuqitë e tyre. Por elementi i ri i pasigurisë në stinën që hapet është se Gjermania nuk është më ajo që njihnim. Vendi që sot shpreh udhëheqjen e Komisionit nuk është më ajo Republika nguruese që kujdesohej të dërgonte në Bruksel një personel politik gjerman pak të errët e të dorës së dytë. Këtë herë është ndryshe: Merkeli bëri të kalojë në krye të Komisionit një grua të zgjedhur prej saj. Von der Leyen është një trashëgimtare e saj historike. Ndërmjet saj dhe Kancelares nuk ka asnjë shkallë ndarjeje, suksesi apo dështimi i njërës do të pasqyrohet tek tjetra e mbi të gjitha mbi Vendin e të dyjave.

            Dëshirë për të shprehur hapur komandën? Edhe kjo do t’ishte diçka e re. N’Evropë Gjermania ka qënë gjithmonë një fuqi me ndërmjetës. Ka parapëlqyer gjithmonë t’i bënte të tjerët të interpretonin vullnetet e saj, Vëndet e tjera, duke mbetur në rradhë të dytë. Gjermania sillej kështu kur ishte një komb i sigurtë në vetvete e në vendin e saj në botë. I a vlen të pyetet nëse ka ndyshuar ndonjë gjë, sepse duket pikërisht se po. Në rrafshin ekonomik në 2019 Republika federale paraqet njësinë e rritjes më të ulët n’Evropë mbas Italisë. Në rrafshin financiar dy bankat e saj të para janë aq të dobëta sa që janë gjithmonë në qëndër të zërave mbi plane të jashtzakonshme e mbi ngjitje. Në rrafshin industrial Vendi paraqitet në vonesë sa i përket trasformimit teknologjik të automobilave dhe industria përpunuese është në rënie në tetë nga nëntë muajt e fundit. Gjëndja rrezikon pastaj të keqësohet nëse me të vërtetë Donald Trump-i do të verë taksa të reja amerikane mbi automobilët evropianë.

            Corriere prej kohësh ka treguar se në këtë stinë të re globale kombi më i fuqishëm i Evropës po futej në një rrugë pa krye: teknologjitë ndryshojnë gjithënjë e më shpejt dhe bota nuk është më “e sheshtë”, si atëherë kur receta gjermane “kurse – prodho – eksporto” ishte më e mira. Një element i ri arrin në politikë, vë re politologu Ivan Krastev: në evropianet partia qëndërsore e Merkelit dhe aleatët e saj bavarezë kanë marrë vetëm 11% të votave të atyre që janë më pak se 25 vjeç; n’Evropë partia popullore është fare pak mbi 20% mes atyre që kanë votuar për herë të parë. Duke mbajtur parasysh ndikimin e votave të para mbi zgjedhjet e tjera të jetës, demokristianët gjermanë dhe popullorët evropianë kanë përballë tyre rrezikun e një rënieje shekullore. 

            Gjermania dhe sistemi i saj nuk janë më aq të sigurtë ne vetvete sa të mund të qeverisin Evropën nga mbrapa shpine duke u shtirur. Tani nuk duan as të “gjermanizojnë” Vendet e tjera, t’i bëjë t’i shëmbëllejnë asaj në rrafshin politik (Vendet e Evropës Lindore) ose ekonomik (Evropa e Jugut). Në fjalët e Krastevit të cilit i detyrohet ky parashikim, “Gjermania sot nuk është më një fuqi transformuese, është një fuqi konservatore që sheh në Evropën jastëkun e saj mbrojtës”

            Në botën e dysisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës, të coptuar mes luftërave tregtare dhe bejlegut teknologjik, Merkel e kupton se Vendi i saj duhet të përtërihet. Duhet t’a bëjë nëpërmjet një tërheqjeje për t’a rimenduar. Ndërkaq nuk don t’i imponojë më shumë Evropës se sa, në mos  një paqe, një ndalim rrjedhe që t’i japë kohën e duhur. Sot Gjermania është për të fashitur dhe këputur, jo për t’i imponuar të tjerëve atë që, simbas saj, do t’ishte në interesin e të gjithëve, pra modelin e saj. Nuk është në mbështetje të hopeve përpara të integrimit evropian, që rrezikojnë të krijojnë shumë kundërgoditje. Të marrë drejt për së drejti shkopin e komandës me Ursula von der Leyen i shërben kësaj: të kufizojë nëpërmjet Evropës dëmet që luftërat tregtare e teknologjike mund t’i shkaktojnë një Vendi në kalesë politike dhe ekonomike.  

            Shënjat e kërkimit të pax europaea janë gjithandej. Gjysëm diktatori hungarez Viktor Orban i a arriti që njëri nga të tijtë të zgjidhet nënkryetar i Parlamentit të Strasburgut. Madje edhe për politikën tuhafe ekonomike të Italisë u vendos për çastin të mos thellohen goditjet. E rëndësishme është që asnjeri të mos t’a çojë belegun në pikën e prishjes, ndërsa Gjermania të ndërrojë lëkurë. Nëse pastaj do të jetë një zhgënjim përvëlues për 32 milionët e evropianëve më shumë, të bindur se vota e tyre do të peshonte, do të shihet mbas pesë vitesh.

            “Corriere della Sera”, 9 korrik 2019     E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika- Dobesite e Europes-Fubini

MBROJTJA E TEATRIT KOMBETAR DHE LARGIMI I EDI RAMES

July 28, 2019 by dgreca

Shtëpia e Edgar Allan Poes 222 vjeçare mbrohet nga shteti ndryshe nga Teatri Kombëtar që në 80 vjetorin e ndërtimit rrezikon të shembet nga shteti !/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Një mikja ime e dashur në New York kishte vënë në rrjetin social foton e shtëpisë së Edgar Allan Poe-s, autorit të Korbit përkthyer nga Fan Noli, të Eurekës, poemës në prozë mbi Big Bang-n, kozmogoninë;  të Eldorados, që ka në qendër kalorësin në kërkim të qytetit të artë, të begatisë, që edhe kur vdes hija e tij vazhdon ta kërkojë këtë qytet që nuk e ka gjetur deri sot askush.

Edgar Allan Poe njihet edhe si mjeshtër i narracionit të shkurtër, horrorit dhe është nga shkrimtarët më të mëdhenj Amerikanë. Ai lindi në Boston më 19 janar 1809 dhe vdiq në Baltimora më 7 tetor 1849, ndërsa një pjesë të mirë të jetës e kaloi në shtëpizën që njihet me emrin Edgar Allan Poe Cottage dhe ndodhet pjesën veriore të Parkut, që mban edhe ky emrin e poetit, në Bronx, New York.

Mikesha ime e afërt që jeton në New York e kishte fotografuar shtëpizën e Edgar Allan Poe dhe pastaj kishte komentuar: “Këtu në park – ku ndodhet shtëpia e Edgar Allan Poe – Edgar Allan Poe Cottage, në Bronx, New York, është një vend shumë i mirë ku mund të ndërtohen dhjetë a njëzet pallate, por nuk i ka bërë kush!”

Bën ironi mikja ime e dashur, në përgjigje të çmendurisë dhe babëzisë kriminale që e ka kapluar kryeministrin shqiptar në ikje, të cilit ia ka marrë shpirtin e mendjen qoftë largu e ka vendosur  të shembë Teatrin Kombëtar, “si mbeturinë fashiste”! Por harron se “mbeturina fashiste” janë të gjitha ndërtesat në qendër të Tiranës, korpusi i Universitetit, Akademia e Arteve, kryeministria, selitë ministrore, bashkia e Tiranës etj.

Kryeministri ciniko-shallvaregjërë e kthen në zero kontributin treçerek shekullor të Artistëve shqiptarë dhe llogarit vetëm 4 vite, duke konfonduar në mënyrë të djalltë Duçen me ndërtesën! Mendoni se ku do të kantandisej Roma po të shembeshin ndërtesat e kohës së Musolinit prej 1922 deri më 1943, nëse do të shkonin pas mendjes të korruptuar e të çmendur të Edi Ramës.

Teatri ka mbushur 80 vjet këtë vit, por në vend të festimeve, Artistët i kanë dalë në mbrojtje ta shpëtojnë nga shembja, edhe duke u tërhequr zvarrë nga policia e kryeministrit të tërbuar, që  lejet e ndërtimit i jepte duke marrë “pizzo”. Në zhargonin italian “pizzo” quhet zhvatja që mafia i bën biznesit. Edi Rama ka marrë pizzo për 15 vjet sa ishte kryetar bashkie, por pizzo-ja në shkëmbim me shembjen e  Teatrit Kombëtar i ve kapakun si kulmi i të gjithë aferave korruptive të kryeministrit me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të lidhur me mafien.

Me logjikën e mafies kryeministri në ikje i është qepur edhe Teatrit Kombëtar, që sot e mbrojnë jo vetëm të gjallët, por edhe të gjithë ata artistë dhe artiste që kanë interpretuar në skenën e tij. Teatri Kombëtar duhet të rikonstruktohet me standartet bashkëkohore, por duke ruajtur gjithçka si ditën e inaugurimit në vitin 1939.

Ndryshe nga barbari në ikje, Amerikanët e mbrojnë shtëpizën e Edgar Allan Poes. Shtëpia është e zakonshme nga arkitektonika, fare e thjeshtë por me vlera të çmuara kulturore. Ajo e ruan pamjen që ka patur kur poeti banonte aty. Shtëpia ndodhet në park, ku mund të ishin ndërtuar plot billdingje dhe ndoshta mund të ketë patur shumë biznesmenë amerikanë t’ia kenë vënë syrin, por nuk ka mundur kush që t’ia prishë qetësinë vilëzës së poetit, që rri aty, në pritje të vizitorëve, në pritje të viteve e shekujve, e mbrojtur prej vitit 1975 nga Bronx County Historical Society, si pjesë e Institucionit te Besueshmërisë Historike – Historic House Trust.

Në këtë shtëpizë poeti ka jetuar me të jëmën, Marien dhe Virxhinian, gruan e tij të dashur që iku nga jeta shumë herët. Poemën “Annabel Lee”, përkthyer edhe kjo mjeshtërisht nga Fan Noli, Edgar Allan Poe ia ka kushtuar pikërisht Virgjinias.

Shtëpia besohet se është ndërtuar në vitin 1797, pra është 222 vjeçare, por askujt nuk i shkon mendja që ta shembi, përkundrazi. Nëse dikush do ta bënte, natyrisht që ose do të përfundonte në çmendinë ose në burg, pasi kjo shtëpi është pjesë e trashëgimisë kulturore të Amerikës dhe amerikanëve.

Dhe jo vetëm kaq. Ka disa Muzeume të Edgar Allan Poe-s. Për shembull, në Baltimore, shtetin Maryland, është kthyer në muzeum shtëpia ku ja jetuar poeti në vitin 1930. Edhe kjo shtëpi muzeale është pjesë e Historisë Kombëtare. Një tjetër muzeum i Poes është në Richmon, shtetin Virxhinia. Poeti nuk ja banuar në ndërtesën që është kthyer në muzeum, por ka mjaftuar fakti që ka jetuar një kohë në Richmon për ta kthyer atë kohë në thesar të kulturës dhe pikë të Referimit të Historisë Kombëtare, për të mos u harruar dhe për t’u kujtuar nga gjeneratat që vijnë.

Gjysma e shqiptarëve nga shteti amë  jetojmë në Perëndim dhe askush nuk i prek ndërtesat me vlerë historike apo kulturore, përkundrazi qendrat e qyteteve konservohen, vetëm rikonstruktohen, si kulturë materiale arkitektonike e identitetit kombëtar. Perëndimi do ta kishte shumë lehtë që t’i shembte qendrat e vjetra të qyteteve dhe të ndërtonte rokaqiejë modernë, por Perëndimi nuk është as mafioz, as i çmendur dhe as me ndergjegje sadiste si edi rama, largimi i të cilit nga politika është obligim kombëtar, sikur obligim kombëtar është edhe mbrojtja e Teatrit Kombëtar.

Fotografia e Irma Dega

Edgar Allan Poe Cottage

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj-Mbrojtja e Teatrit-Largimi-Edi Rames-Edgar Poe'

Dorëheqje e gabuar e Haradinaj

July 28, 2019 by dgreca


Nga Alfons GRISHAJ/

Mediat dhe opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar u njohën me dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj. Pothuajse në mënyrë unanime ai u përshëndet nga  mediat shqiptare, prononcimet në FB, portalet private etj… duke u quajtur “një hero”, një njeri me përgjegjësi dhe vetëdije të lartë, i cili sa herë ka “nevojë” Haga për investigime dhe pyetje ekstra… ai  jep dorëheqje.  Pikërisht këtu  nis dhe zanafilla  e kritikës time… 
Oh what times! Oh what customs ! (Ciceroni)
Ramush Haradinaj, një luftëtar i thekur lirie, nuk duhet të binte në grackat e  anti-shqiptarëve dhe “eminencave gri” që falen në Serbi.  Tashmë ai e kishte përvojën dhe nuhatjen e politikanit të rritur në aksione  dhe diplomaci.  Populli i Dardanisë dhe Kuvendi saj  i dha dhe  një mandat tjetër për t’i shërbyer atdheut në mënyrë të zgjuar e rigoroze, për t’a nxjerrë  nga  kolapsi, korrupsioni dhe pazaret e ndyra të ish bashkëpunëtorëve të tij, të cilët bënin… dhe bëjnë akoma rolin e protagonistëve paqësorë dhe politikanëve profesionistë, por, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veç ca servilë, dallkaukë dhe puthadorë të këmbanave të vjetra antikombëtare.
Haradinaj me veprimin e vet, dhe mbase dhe këshillat e këqija, i bëri një dëm të konsiderueshëm popullit të vet duke hapur portat e kështjellës për kalin trojan. 
Lidhur me akuzën, Haradinaj ia dha mundësinë disa herë Gjykatës  Hagës (për të cilën ruaj respekt, por që çuditërisht, ky Tribunal që guxon të thërrasë Haradinaj disa herë, nuk guxon të arrestojë një ushtar të vetëm amerikan që është i akuzuar si Haradinaj!), dhe “gjuetarëve të shtrigave” për të bërë investigimet e nevojshme të specializuara. Gjithashtu, ia dha  dhe privilegjin armiqve të tij për fabrikimin  e akuzave fallso. Dhe pse Karla Del Ponte, do e përkufizonte si kriminel lufte, dhe trysnia e  mekanizmit dinak të qarqeve jomiqësore ishte e madhe, ai  mori pafajësinë. Vuçiç, do e quante lëvizjen e fundit (dorëheqjen) të Haradinaj: “Mashtrim Politik!” Por prapa kuintave nuk ndajnë të njëjtin mendim udhëheqësit e qeverive europiane,  të cilët e kanë përshëndetur për sy e faqe qëndrimin e Haradinaj, por që në fakt janë dashnorët e Vuçicit. 
Duke e njohur këtë realitet të trishtë alternativ e subjektiv, armiku e quan “Mashtrim Politik”, kurse “miqtë” që bëjnë orgji me armikun e brohorasin?! Ky është kulmi i prostitucionit politik. Litari në dy skajet e humnerës ka qenë gjithnjë ura jonë për të kaluar në Europë. Flip-flapet e politikanëve europianë i kanë kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Nëse këto politikanë e quajnë vendimin e Hagës të padrejtë, përse nuk dalin hapur në mbrojtje të Haradinaj? Dihet botërisht dhe nga kalamajtë se për një akuzë që merr pafajsinë dy herë nuk mund të bëhen më investigime të tjera, sepse tregohet mungesë profesionalizmi dhe serioziteti. Në prag të kësaj thyerje, Gjykata e Hagës, do të merrte emrin,  Mejhana e Krrabës. Kjo mungesë serioziteti e institucionit të Hagës, duhet të sillte si pasojë injorimin total të riakuzës nga Haradinaj, por ai nuk e bëri! 
Mendoj se, koha e eksperimenteve dhe heroizmave ka mbaruar. Mekanizmi i zhvillimit të një shteti nuk është si mulliri, që mund ta ndalësh sa herë që bluhet mielli. Po e ndale mekanizmin e shtetit, pushon zhvillimi, ndalet ora dhe mbretëron kaosi. Ky burrë duhet ta dijë mirë këtë. Nuk bëhen eksperimente në një laborator pa lëndën kryesore dhe eproveta. Çdo eksperiment i tillë sjell dështim të shkallëzuar. Si mund ta lësh vendin tënd në amulli për të plotësuar kapriçot e të huajve? Ç’është kjo mendjelehtësi?! Sepse kështu i bie  që sa herë t’i teket b… matrapazëve  të huaj, ne duhet të ulim pantallonat dhe t’i themi:  hajdeni o burra se këtu na keni! 
Detyra ndaj atdheut është gjëja më e shenjtë që për asnjë moment nuk duhet të përzihet me pasionin dhe reaksionin personal, partiak, dhe pazaret e të huajve, sepse atëherë  dalim të gabuar, për të mos  thënë  tradhëtojmë veteveten dhe kauzën e shenjtë ndaj atdheut. Përgjegjësia ndaj kombit dhe popullit tënd nuk është uni naiv, por thelbi i shtyllës imperative që buron nga ndërgjegja dhe përgjegjësia kombëtare, që, në asnjë rrethanë apo moment  nuk mund të  tjetërsohet në aksiomë politike personale. Këtë duhet ta dijë çdonjeri që hyn në politikë dhe që kërkon të udhëheqë popullin e vet drejt lirisë dhe prosperitetit. 
Haradinaj gaboi! Gabimi i tij duhet t’i vlejë çdo shqiptari si mësim… që përpara se t’i shërbejë drejtësisë së shitur dhe urisë së verbër ndërkombëtare duhet t’i shërbejë me devocion dhe besnikëri detyrës së dhënë nga populli, pastaj të ushqejë oreksin e portave të dallaverëxhinjve që në shekuj na nënçmuan, biles  na quajtën dhe “Njerëz me bisht”! 
Sikur ne te ishim me të vërtetë pjesë e Europës dhe ajo të na donte aq fort… do na pranonte kështu siç jemi. Ateherë  do ishim të detyruar të kryenim çdo obligim ligjor dhe moral. Po Europa kërkon të na imponojë standarte që fatkeqësisht dhe ajo vetë nuk i disponon realisht. 
Vëzhguesit “inteligjentë” ksenomanë mund dhe të më vërsulën: “Hej lum miku,  kohët kanë ndryshuar!”.
Unë u them atyre që koha është e njëjtë! Diplomacia vazhdon pikë për pikë skenarët e vjetër… dhe oreksi i qarqeve antishqiptare ka mbetur po i njëjti. Ka ndryshuar vetëm një realitet që e injorojmë ne vetë të parët: shqiptarët janë më të fortë, janë bërë mal!  Një fjalë e urtë japoneze thotë: “ Mali nuk lëviz!” Pas kësaj thënie të urtë japoneze i bie që, kush të jetë i interesuar  për malin, mirë se të vijë tek mali, në të kundërt… nuk flitet më për të tillë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Alfons Grishaj-Dorehqja e Gabuar-Ramush Haradinaj

“DARSIA”, VENDBANIM I FISIT ILIR TË DAORSËVE

July 27, 2019 by dgreca

Harun Greca 1942-2016/

“DARSIA”, VENDBANIM I FISIT ILIR TË DAORSËVE, GJURMË JETE 3200-1500 VJET PARA KRISHTIT/

– Në gjurmë të historisë s ë  Darsisë  së  Lushnjës dhe Peqinit nga Lashtësia deri më 1944 përmes shfletimit të librit”DARSIA” shkruar nga studiuesi Harun Greca. Shfletimi bëhet si homazh për Mësuesin tim, kolegun, kushëririn si dhe në respekt e nderim të  Darsisë nga vij.

– Në këtë libër enciklopedi autori përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, duke u mbështetur në qindra dokumente arkivore, në të dhënat arkologjike, etnografike, gjuhësore si dhe në Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat që janë zhvilluar në Darsi, përfshi edhe marshimin e ushtrisë së Jul Ç ezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e  jetesës së tyre, zakonet dhe traditat,pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit, arsimimin, qëndrën dhe pjesmarrjen në luftra, bujqësinë dhe blegtorinë etj.

– Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.

                                     ***

Harun Greca, djali i xhaxhit tim, i bir i Tahirit dhe Behijes, u lind më 1942 në Gjuzaj, komuna Ballagat, Lushnje. I arsimuar me vështirësi për shkak të izolimit të zonës, ai arriti të kryente studimet në shkollën e mesme në Tiranë, dhe ta plotësonte me korrespondencë arsimimin e lartë falë vullnetit dhe pasionit për studime. Universitetin e Tiranës e përfundoi me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë, në degën Gjuhë dhe Letërsi. E kam pasë mësuesin tim të parë që në fillesat e arsimit fillor, ndërsa më pas edhe koleg e këshillues. Haruni shquhej në fushën e studimeve dhe ka një kontribut të jashtzakonshëm në historikun e arsimit të Lushnjës, por në mënyrë të veçantë në Darësi. Edhe si mësues, edhe si drejtor shkolle, ai meritoi respektin dhe mirënjohjen e nxënësëve, prindërve dhe mësuesëve. Janë me dhjetëra breza nxënësish që kanë marrë mësime prej tij.

Haruni ndërroi jetë me 28 Qershor 2016 në Tiranë. Shkolla 9 vjeçare e Gjuzajt, ku ai dha më shumë se tri dekada kontribut, sot mbanë emrin e tij: Shkolla 9 vjeçare”Harun Greca” Gjuzaj. Haruni së bashku me bashkshorten e tij, Liri(ndjesë pastë), rritën dhe edukuan 3 fëmijë shembullorë, Leonorën, mësuese për shkollat e Mesme, Alabanin- mjek reanimator në Tiranë, Silvanën -Pedagoge në Universitetin Shtetëror.

Krahas kontributin si mësues, drejtues shkolle, Haruni la pas artikuj të shumtë studimorë në organet e shtypit pedagogjik, por dhe librat e botuara:

1-Darësia

 2- Mësonjëtoret e Draësisë

3- Gjuha Shqipe 9-, tekst mësimor për klasën e nëntë të shkollës 9 vjeçare dhe

4- “Gjuha Shqipe 9”, Libër ndihmës për mësuesit (bashkautor).

I ndjeri studues, një ndër kontributorët më të spikatur të arsimit në Darësinë e Lushnjës, dhe jo vetëm, na ka lënë pas si një vlerë e veçantë, një libër historik me vlera jo vetëm për darsianët, por edhe çdo lexues e në mënyrë të veçantë për studiuesit, librin”DARSIA”.

  Në një farë mënyre historia e krahinës rebele kishte mbetur ilegale në kohën e diktaturës edhe për shkak të dominionit nacionalist gjatë viteve të Luftës së Dytë botërore, por dhe të gjurmëve biografike që ajo la pas. Për rrjedhojë të ngjarjeve krahina mbeti pa infrastrukturë, pa investime, pa ujë të pijshëm, pa rrugë automoblistike. Bijtë e kësaj zone deri vonë nuk ksihin shkollë të mesme, dhe izolimi i privonte për të zbritur në qytetin e Lushnjës për të vijuar arsimin e  mesëm. Darsia u ndëshkua edhe për shkak të  biografisë së saj antikomuniste. Por autori , kur e shkroi librin, nuk i vuri si qëllim vetes të merrej me biografinë e krahinës dhe me 45 vitet e lëngimit të saj; ai përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat, përfshi edhe ushtrinë e Julçezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e  jetesës së tyre, zakonet dhe traditat,pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit etj, arsimimi, qëndresa dhe pjesmarrja në luftra, bujqësina dhe blegtoria etj…. Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.

KU NDODHET DARËSIA?

Para se të japim burimin e emërtesës së krahinës le të prezantojmë vendodhjen e Darsisë sipas librit “DARSIA” botim i vitit 2010 nga Shtëpia Botuse”Globus R”, libër me 310 faqe i ilustruar me fotografi, harta, gjetje arkologjike të lashtësisë, vizatime, dhe burime të shumta bibliografike e arkivore.

DARSIA, shkruan autori, e ndodhur në zemër të Shqipërisë, ngritur mbi gjunjë mes dy fushave; të Myzeqesë dhe asaj të Peqinit, e banuar 3200-1500 vjet para Krishtit, e gjelbëruar përjetësisht prej ullinjëve shekullorë, e përshkuar kryq e tërthorë nga rruga më moderne e kohës, EGNATIA, me banorët e saj punëtorë, krijues e të talentuar, me ekonomi e kulturë të zhvilluar, ka qenë zonjë mbi zonjat.

Gjeografikisht, Darsia është vazhdim i zonës kodrinore të Dumresë, ka të njëjtin reliev, klimë e bimësi, por përbën njësi të veçanta sa i takon të dhënave në fushën e shkencës së etnografisë(në tradita, në mënyrën e jetesës, në kulturën materiale, artistike, shoqërore e shpirtërore). Në Veri kufizohet me Peqinin e Rrogozhinën në Shkumbin, në lindje me Dumrenë në Trash, Pekisht, Rrasë, Çerragë, Kosovë e Vogël e Stan Karbunarë. Jë Jugë dhe në perëndim me fushën e Myzeqesë në autostradën Lushnje-Rrogozhinë deri tek ura mbi Shkumbin. Përfshihet në rrethin e Lushnjës dhe të Peqinit dhe përbëhet nga dy pjesë: Darsia e Lushnjës dhe Darsia e Peqinit. Ajo ka pamjen e shumkëndshit të çrregullt, shtrirë e mbështetur në Myzeqe dhe Dumre dhe laget e freskohet në ujrat e rrjedhshëm të Shkumbinit.

Relievi përgjithësisht është kodrinor. Ka vetëm pak fushë në të majtë të rrjedhës së Shkumbinit dhe disa lugina në brendësi të saj. Majat më të larta të kodrave janë: Karthneku 325 m mbi nivelin e  detit, Mollasi 299 m, Shkujka në Shegas 282 m, Mollagjeçi në Ballagat 275 m, Sopi i Bardhokut në Kurtinë 239 m, dhe Balaj 230 m. Dikur të veshura me drurë e shkurre, plot bukuri e hijeshi, por sot përcëlluar, djegur e zhveshur. Sëpata dhe zjarri i shfarosën. Vetëm në faqet, poshtë tyre, riten shkurre të llojeve të ndryshme.

Në dy anët e krahinës, lindje dhe perëndim, duke filluar nga lartësitë e kodrave, rrjedhin përrenj të shumtë, të gjatë e të shkurtër, të cilët në të kaluarën shkonin ujëplot, dimër e verë.Të tillë numërohen: Lunja në Karbunarë, përrenjtë ën Shezë e Vashaj, në Manasufaj e jazxhijas, në Shegas e Dushk, në Gramsh e Zhamë, në Kasharaj e Garunjas, Përroi i Lushnjës dhe lskarica në Gjuzaj etj.

E gjitëh krahina, nga lashtësia deri ën ditët tona, ka qenë e banuar në vazhdimësi prej banorëve autoktonë. Gjatë rrugëtimit të shekujve kanë ndodhur largime dhe ribanime të herëpashershme, që dokumentohen prej gjetjeve e mbeturinave të shumta arkologjike, nga dëshmitë e ndryshme dhe dokumente shkresore.

VENDBANIMET E DARSISE

Vendbanimet janë fshatrat: Allprenaj, Balaj, Ballagat, Biçakaj, Çelhakaj, Dushk, Garunjas, Golem, Gramsh, Gjocaj, Gjuzaj, Gjyshaj, Hasmashaj, Hajdaraj, Hysgjokaj, Jazxhias, Karthnekë, Kasharaj, Kurtaj, Kurtinë, Kupas, Karbunarë, Lekaj, Manasufaj, Murriz, Mollas(Murtajas), Rrumbullakë, Sallbegaj, Skilaj, Shezë, Shegas, Thanasaj, Vashaj, Xibrakë, Zgjanë, Zhamë dhe lushnja qytet(dikur fshat).

Qendrat kryesore janë: Sheza, Htsgjokaj, Ballagati, Karbunara, Gjocaj, Golemi e Dushku. Njësitë administrative nga të cilat varen historikisht janë Lushnaj e Peqini.

  Veprimtaria kryesore e banorëve ka qenë bujqësia dhe blegtoria. Kultivohej më shumë, më lashtësi e mesjetë, gruri e vreshtaria, pas tyre, në shekullin e XVIII, misri. Përhapje të gjerë ka pasur rritja e deleve, dhive e kuajve. Sipërfaqja e zonës mbulohej kryesisht me drurë lisi, shkoze dhe blini, që manin një faunë të pasur me shpezë e kafshë ët egra të llojeve të ndryshme. Në pyje, korie e lëndina jetonin në koloni shpendët si:qukapiku, çota, fuga, shkurtëza, turtulli, dudia, pëllumbi i egër, gjeli i egër, thëllëza, shpatorja, mullenja,  gargulli, etj, por ehd ekafshë të egra si: lepuri, iriqi, kunadhja, vjedulla, dhelpra, çakalli, ujku, derri i egër etj.

Banesat, në fillimet e para, ndërtoheshin kryesisht me drurë, por më vonë edhe prej guri ranor, jo shumë rezistent. Banorët ishin mjeshtra për ndërtimin e tyre.

Në shekuj Draësia, për shkak të pranisë së egnatias, ka shërbyer jo vetëm si nyje strategjike militare, pr edhe të asaj  ekonomike, kulturopre e tregtare.Nëpër të kaluan ushtri të panumërta, tregtarë, shtegtarë, ushëtarë, të varfër e të pasur, dijetarë dhe varrmihës, dishepuj të Krishtit e Idhtarë ët tyre, që shpërndanë e mbollën Krishtërimin. Majat e kodrave, dendësiht të populluara e të urbanizuara, u kthyen shpesh në rolin e kullave observuse, mbrojtëse e sulmuse dhe rrugët në lumenj me prurje të shumta trupash të armatosura.

Po pse krahina e mori emrin Darësia?

(Vijon)-Pergatiti: Dalip Greca

Filed Under: Histori Tagged With: Harun Greca-Daresia-Daorset

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT