Shkruar nga FEDERICO FUBINI/“Corriere della Sera”/
Përktheu për Diellin: Eugjen Merlika/
Të përcaktuara emërimet në Bruksel, e tretur humbja italiane, është çasti të regjistrohet se kjo e fundit është vetëm një hollësi. Të rejat në këtë ndërrim stine janë edhe e, mbi të gjitha, tjetërkund. Kanë votuar n’Evropë 32 milion njerëz më shumë në krahasim me pesë vite më parë, pak a shumë aq sa venë në kutitë e votimit për zgjedhjet politike në Itali: zgjedhësit kuptojnë që vendimet e marra në Bruksel peshojnë e prandaj kërkojnë t’u shkojë fjala (më pak në Vendin tonë, një ndër të paktit në të cilët pjesëmarrja është në një rënie të lehtë).
Kjo kërkesë për politikën evropiane, natyrisht, mund të marrë aq forma sa janë edhe kulturat. Njëzet milionë të zgjedhësve të gjelbër, në shumicë nën tridhjetë vjeç, janë të bindur se asnjë Shtet i vetëm nuk mund të mbarështojë prblemet – klimë, të shpërngulur subsaharianë – që ata kanë përpara. Tridhjegjashtë milionë sovranistë mendojnë se Brukseli nuk duhet të fusë sqepin në atë se si qeveritë i trajtojnë llogaritë e tyre ose institucionet demokratike. Rreth 120 milionë socialistë, popullorët e liberalët kërkojnë që Vendet të bashkëpunojnë, të bashkojnë pushtete, të njohin rregulla e institucione të bashkërenduara e t’i bëjnë të tjerët t’i respektojnë.
Do të duhej pra të prisnim pesë vjet që sistemi të jetë përpjekur t’u përgjigjet pritjeve. Do të duhej të prisnim një nismë të madhe të përbashkët për investime të gjelbëra, fillimin e një politike evropiane për refugjatët, të denjë për këtë emër, ndërhyrje për të bindur në Varshavë e Budapest të mos manovrojnë gjyqtarët e të mos kërcënojnë mjetet e informimit, një dorë e fortë që të drejtojë Romën për të dalë nga këneta e borxheve dhe nga rritja zero. Një shenjë në këtë drejtim e kemi: drejtuesit e 28 shteteve, për të parën herë, kanë emëruar – vë re Wolfgang Münchau – një skuadër federalistësh. Përfaqësuesi i Lartë spanjoll Josep Borrell, belgu Charles Michel si kryetar i Këshillit evropian, gjermania Ursula von der Leyen në drejtim të Komisionit të Be mendojnë se Bashkimi duhet të marrë më shumë karakteristikat e një Shteti federal.
Është e pranueshme të dyshohet nëse do të ndodhë. Dhe është e lejueshme të dyshohet se Evropa e viteve të ardhëshme do të tregohet një fuqi e ngadaltë. Janë shumë forca që e frenojnë: sfidat sistemit të Polonisë a Hungarisë, të Italisë apo Britanisë së Madhe; ngurrimi i shumë qeverive, përfshirë Parisin, të bashkërendojnë fuqitë e tyre. Por elementi i ri i pasigurisë në stinën që hapet është se Gjermania nuk është më ajo që njihnim. Vendi që sot shpreh udhëheqjen e Komisionit nuk është më ajo Republika nguruese që kujdesohej të dërgonte në Bruksel një personel politik gjerman pak të errët e të dorës së dytë. Këtë herë është ndryshe: Merkeli bëri të kalojë në krye të Komisionit një grua të zgjedhur prej saj. Von der Leyen është një trashëgimtare e saj historike. Ndërmjet saj dhe Kancelares nuk ka asnjë shkallë ndarjeje, suksesi apo dështimi i njërës do të pasqyrohet tek tjetra e mbi të gjitha mbi Vendin e të dyjave.
Dëshirë për të shprehur hapur komandën? Edhe kjo do t’ishte diçka e re. N’Evropë Gjermania ka qënë gjithmonë një fuqi me ndërmjetës. Ka parapëlqyer gjithmonë t’i bënte të tjerët të interpretonin vullnetet e saj, Vëndet e tjera, duke mbetur në rradhë të dytë. Gjermania sillej kështu kur ishte një komb i sigurtë në vetvete e në vendin e saj në botë. I a vlen të pyetet nëse ka ndyshuar ndonjë gjë, sepse duket pikërisht se po. Në rrafshin ekonomik në 2019 Republika federale paraqet njësinë e rritjes më të ulët n’Evropë mbas Italisë. Në rrafshin financiar dy bankat e saj të para janë aq të dobëta sa që janë gjithmonë në qëndër të zërave mbi plane të jashtzakonshme e mbi ngjitje. Në rrafshin industrial Vendi paraqitet në vonesë sa i përket trasformimit teknologjik të automobilave dhe industria përpunuese është në rënie në tetë nga nëntë muajt e fundit. Gjëndja rrezikon pastaj të keqësohet nëse me të vërtetë Donald Trump-i do të verë taksa të reja amerikane mbi automobilët evropianë.
Corriere prej kohësh ka treguar se në këtë stinë të re globale kombi më i fuqishëm i Evropës po futej në një rrugë pa krye: teknologjitë ndryshojnë gjithënjë e më shpejt dhe bota nuk është më “e sheshtë”, si atëherë kur receta gjermane “kurse – prodho – eksporto” ishte më e mira. Një element i ri arrin në politikë, vë re politologu Ivan Krastev: në evropianet partia qëndërsore e Merkelit dhe aleatët e saj bavarezë kanë marrë vetëm 11% të votave të atyre që janë më pak se 25 vjeç; n’Evropë partia popullore është fare pak mbi 20% mes atyre që kanë votuar për herë të parë. Duke mbajtur parasysh ndikimin e votave të para mbi zgjedhjet e tjera të jetës, demokristianët gjermanë dhe popullorët evropianë kanë përballë tyre rrezikun e një rënieje shekullore.
Gjermania dhe sistemi i saj nuk janë më aq të sigurtë ne vetvete sa të mund të qeverisin Evropën nga mbrapa shpine duke u shtirur. Tani nuk duan as të “gjermanizojnë” Vendet e tjera, t’i bëjë t’i shëmbëllejnë asaj në rrafshin politik (Vendet e Evropës Lindore) ose ekonomik (Evropa e Jugut). Në fjalët e Krastevit të cilit i detyrohet ky parashikim, “Gjermania sot nuk është më një fuqi transformuese, është një fuqi konservatore që sheh në Evropën jastëkun e saj mbrojtës”
Në botën e dysisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës, të coptuar mes luftërave tregtare dhe bejlegut teknologjik, Merkel e kupton se Vendi i saj duhet të përtërihet. Duhet t’a bëjë nëpërmjet një tërheqjeje për t’a rimenduar. Ndërkaq nuk don t’i imponojë më shumë Evropës se sa, në mos një paqe, një ndalim rrjedhe që t’i japë kohën e duhur. Sot Gjermania është për të fashitur dhe këputur, jo për t’i imponuar të tjerëve atë që, simbas saj, do t’ishte në interesin e të gjithëve, pra modelin e saj. Nuk është në mbështetje të hopeve përpara të integrimit evropian, që rrezikojnë të krijojnë shumë kundërgoditje. Të marrë drejt për së drejti shkopin e komandës me Ursula von der Leyen i shërben kësaj: të kufizojë nëpërmjet Evropës dëmet që luftërat tregtare e teknologjike mund t’i shkaktojnë një Vendi në kalesë politike dhe ekonomike.
Shënjat e kërkimit të pax europaea janë gjithandej. Gjysëm diktatori hungarez Viktor Orban i a arriti që njëri nga të tijtë të zgjidhet nënkryetar i Parlamentit të Strasburgut. Madje edhe për politikën tuhafe ekonomike të Italisë u vendos për çastin të mos thellohen goditjet. E rëndësishme është që asnjeri të mos t’a çojë belegun në pikën e prishjes, ndërsa Gjermania të ndërrojë lëkurë. Nëse pastaj do të jetë një zhgënjim përvëlues për 32 milionët e evropianëve më shumë, të bindur se vota e tyre do të peshonte, do të shihet mbas pesë vitesh.
“Corriere della Sera”, 9 korrik 2019 E përktheu Eugjen Merlika