• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

Nobelisti Peter Handke shpallet person i padëshiruar në Kosovë

December 11, 2019 by dgreca

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke është shpallur person i padëshiruar (non-grata) në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të gjenocidit”, ka shkruar Pacolli.

Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se ai kishte mbështetur zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Turqia, Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina e anuluan pjesëmarrjen ne ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm të Suedisë më 10 dhjetor.

***

Peter Handke dhe ledhatimi i publikut

Në fjalimin e tij për çmimin Nobel, Peter Handke shmang me qëllim temat provokuese e vështron gjërat e vogla. Komunitetit të ndjekësve, që ai ka krijuar javët e fundit, kjo do t‘i pëlqejë, mendon Norbert Mappes-Niedeck.

Nga Norbert  Mappes- Niediek/DW

Për Serbinë asnjë fjalë. E përse vallë? Peter Handke në fjalimin me rastin e marrjes së Nobelit foli për atë që është e rëndësishme për të. Ajo që ka qenë temë e rëndësishme për publikun javët e fundit, qendrimi i tij ndaj luftërave në ish-Jugosllavi, nuk hyn këtu. Vështrimi i poetit kalon pa i parë tragjeditë e mëdha, aksionet kryesore e shtetërore. Ai përqëndron vështrimin tek e vogla, gati e padukshmja, e anashkaluara.

Temat e poetiit janë lulet e vogla mënjanë rrugës dhe zogjtë ndër degë. Lufta, tanket në asfalt, çantat kafe me fishekë: E gjitha kjo nuk është realja. Realja është “bluja alpine” e atdheut të tij Karentisë, (Kärnten) në Austri.

Fjalën e fundit e ka poeti

Handke nuk ka provokuar kësaj rradhe. Por as nuk ka pajtuar me shfaqjen e tij disi të pazakontë, një kundërvënie e mirëvendosur ndaj elokuencës së politikanëve dhe gazetarëve. Pa sharë dhe polemizuar, siç i pëlqen të bëjë në raste të tjera, Handke shfrytëzoi mundësinë për t‘i prezantuar një publiku me influencë programin e tij poetologjik.

Gjithçka mund të na ngrejë lart, ishte mesazhi i tij, kudo gjenden gjërat e vogla, gati të padukshme, të cilat na vënë në kontakt me realen, me hyjnoren. Ajo që ne e konsiderojmë të vetëkuptueshme, nëse ka gjetur rrugën e saj në letërsi, mund të bëhet diçka krejt tjetër. Kjo vlen natyrisht për gjithçka, që duhej të tregohej, edhe për shtatë- deri tetëmijë të vdekurit në Srebrenicë. „E ashtuquajtura botë” mund të diskutojë për të vërtetën dhe gënjeshtrën: Fjalën e fundit e ka gjithmonë poeti. Te luftërat, pikërisht te ky intervenim brutal në realitetin tonë, Handke qe në gjendje të shpjegonte se sa gjerësisht e kupton ai pretendimin e tij.

Pavarësisht debateve

Debatet e javëve të fundit nuk kishin të bënin më me atë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Bosnjë dhe në Kosovë, sa njerëz kanë humbur jetën, kush kishte të dretë dhe kush ishte fajtor. Tema ishte e drejta e poetit për të vërtetën e tij. Pyetje të tilla diskutohen tani edhe larg Akademisë Suedeze – në facebook dhe twitter për shembull, apo ndërmjet zëdhënësit të shtypit të Donald Trumpit në njërën anë dhe gazetës New York Times në anën tjetër. Në dukje e përjetshmja – çfarë rastësie -përkon në mënyrë perfekte në këtë kohë.

Për përfaqësuesit e “alternative facts” çmimi Nobel ishte një fitore e rëndësishme. Mes tyre Handke ka krijuar tani një numër të madh ndjekësish. “Lexuesit e mi” i quan ai ata. Në të vërtetë komuniteti i ndjekësve është më i madh dhe leximi nuk është një nga pasionet e tyre. Por me fjalimin e tij Handke i shërbeu pikërisht shijes së këtyre mbështetësve shumë konservatorë.

Poezia ledhatuese nuk ndihmon

Citatet e gjata nga litania lauretane, vargje të përsëritura që thuhen në procesione, u kanë pëlqyer katolikëve. E që citatet ishin të gjitha në gjuhën sllovene, duhet t‘i kenë pëlqyer miqve të Handkes në ish-Jugosllavi. Suedezët dëgjuan një poezi të nobelistit të tyre Tomas Tranströmer, në suedisht. Sipas fjalëve të Handkes, kush nuk e do poezinë, duhet ta shohë vetën së paku si “një njeri që është në gjendje të lartësohet” duke u larguar nga zhurma e turmës. Autori i veprës teatrale „Sharja e publikut” është kthyer në ledhatues të publikut.

Kush flet ende për përjetimet e tij për luftën, për Serbinë dhe Bosnjën, bën pjesë tek ata „që prishin gëzimin”. „A nuk e keni lënë luftën pas vetes?”, u thotë poeti në mënyrë inkurajuese dhe u rekomandon viktimave të luftës t‘i lënë të vdekurit në vendin e tyre dhe të tregojnë „qetësinë e të mbijetuarve”.

Kjo këshillë qëllimmirë vështirë të pranohet. Se si mund të ndihmojë me të vërtetë letërsia, nuk është treguar tani në Stockholm, por para njëzet vjetësh në Bllace, një vend në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ku në vitin 1999 mbërriten qindramijëra të dëbuar. Dyndja më e madhe e refugjatëve nuk ishte para vendit ku shpërndahej ushqimi, por para çadrës, ku secili mund të tregonte historinë e tij. Kjo temë ishte e vërteta.

Vuçiq: Nobelin për Handken, Serbia e përjeton si për vete

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e uroi shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili të martën pranoi Çmimin Nobel për Letërsi.

“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Çmimin Nobel për ju, ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriqit, kemi edhe një tjetër laureat të Nobelit”, tha Vuçiq, duke aluduar në shkrimtarin serb që fitoi Nobelin për Letërsi më 1961.

Vuçiq po ashtu tha se Handke është shpërblyer me Nobel për “punën e jashtëzakonshme letrare, njohurinë dhe krijmtarinë”, por edhe për “cilësi të pakrahasueshme morale, guxim dhe dinjitet”.

Handke e pranoi të martën Çmimin Nobel për vitin 2019.

Ceremonia në Stokholm u bojkotua nga disa vende – përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën – për shkak të mbështetjes së zëshme të Handkes për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Akademia e Shkencave të Kosovës ka kërkuar që të anulohet Nobeli për Handken.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kosova- Nobelisti Peter Handake-Non Grata

Sulmuesit në New Jersey kishin në shënjestër një dyqan të hebrenjve

December 11, 2019 by dgreca

Policia në New Jersey tha se një dyqan të hebrenjve ka qenë në shënjestër të sulmit të armatosur që la gjashtë persona të vrarë, përfshirë dy sulmuesit.

Ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht motivet e incidentit që ndodhi më 10 dhjetor, por kryetari i qytetit, Steven Fulop, tha se “urrejtja dhe anti-semitizmi” nuk kanë vend në këtë qytet.

Përleshja filloi kur të dyshuarit vranë një polic, pastaj përmes një furgoni të marrë me qira shkuan në dyqan.

Videot e sigurisë treguan se ata sulmuan me armë dyqanin para se të futen brenda.

Sulmuesit u vranë brenda ndërtesës pas një bllokimi prej rreth katër orësh nga ana e policisë.

I pyetur se ku bazohet policia se dyqani ishte në shënjestër, drejtori i Sigurisë Publike James Shea, tha se ata “anashkaluan” shumë njerëz të tjerë që ecnin në rrugë për të sulmuar dyqanin.

Identiteti i sulmuesve ende nuk është bërë publik. New York Times raportoi të mërkurën se njëri prej të dyshuarve kishte bërë postime antisemite dhe anti-policore në internet, por kjo ende nuk është konfirmuar.

Filed Under: Kronike Tagged With: New Jersey-shenjestra -Dyqani i hebrejeve

Kosovë- MPJ me dosje të reja pretendon rikthimin e hetimeve për krimet e luftës

December 11, 2019 by dgreca

Më shumë se 10 mijë dokumente me të cilat pretendohet të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 1998-‘99, pritet që t’i dorëzohen javën e ardhshme Prokurorisë Speciale nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Nga Anton Konushevci*

Këto dokumente, sipas shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli dhe këshilltarëve të tij, janë siguruar së fundi përmes rrugëve ligjore nga burime të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, thanë për Radion Evropa e Lirë, se dosja e dokumenteve është e kompletuar dhe tash është gati për t’u dorëzuar në prokurori.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli tha se në çdo faqe të këtyre dokumenteve ka dëshmi përkrimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Kjo dosje përmban në mënyrë të detajuar, në mënyrë profesionale, shtjellimin e të gjitha ngjarjeve të cilat kanë ndodhur, përfshirjen e akterëve që kanë qenë në zinxhirin komandues dhe atyre që kanë kryer ekzekutimet në masë kundrejt civilëve shqiptarë”, tha Zyberaj.

Sipas tij, rastet e krimeve të cilat kanë ndodhur janë të detajuara ku përfshirën dëshmi dhe ekspertiza të specializuara.

“Janë të bashkangjitura dëshmi të pjesëmarrëseve të policëve dhe paramilitarëve serbë në kryerjen e masakrave”, tha Zyberaj.

Radio Evropa e Lirë ka arritur të shoh disa nga dokumentet të cilat pritet të dorëzohen në Prokurorinë e Kosovës.

Por, ekspertët tërheqin vërejtjen nëse këto dokumente, për të cilat po flet Ministria e Jashtme, do të cilësohen si prova apo informata për organet e drejtësisë. Gjithçka pritet të sqarohet javën tjetër, kur edhe do t’i dorëzohen prokurorisë.

Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, dega në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë, se Fondi për të Drejtën Humanitare, mendon se çdo informatë që dorëzohet në prokurori lidhur me zbardhjen e krimeve të luftës është e mirëseardhur.

“Këto prova të cilat dorëzohen mund të jenë vetëm si informata për Prokurorinë Speciale. Ndoshta, ata kanë mundur t’i parashtrojnë në formë të kallëzimeve penale dhe t’i analizojnë me avokatët e tyre dhe kështu t’i ndërlidhin të pandehurit me incidente dhe viktimat sepse ato prova nëse dorëzohen nga ndonjë procedurë që nuk është në përputhje me proceduarat penale ato mund të shërbejnë vetëm si informata”, tha Alija.

Në anën tjetër, zyrtarët në MPJ, thonë se në dokumente figurojnë emrat e personave të dyshuar për vrasjen e personaliteteve të shquara, ndër të cilët përmendet politikani i njohur kosovar i viteve të ’90-ta, Fehmi Agani, i vrarë në vitin 1999.

“Natyrisht ka edhe raste individuale, dihet një numër i madh i njerëzve që janë ekzekutuar veçanërisht pas marsit të vitit 1999, që janë ekzekutuar në lokalitete urbane e që janë raste të bujshme”, tha Zyberaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosove- Dosje te reja-MPJ- Anton Konushevci

Agron Tufa: U kërkova ndihmë ambasadave, por nuk m’u përgjigjën

December 11, 2019 by dgreca

Prej disa muajsh ish-drejtori i ISKK Agron Tufa kanosej nga ithtarët e regjimit të vjetër. Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër. Tufa i tha DW se “i pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç”./

Nga Anila Shuka/*

Në fillim të dhjetorit u bë e ditur, fillimisht nëpërmjet mediave sociale, se Agron Tufa, deri para pak kohësh drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij të mitur, kishte kërkuar azil politik në Zvicër. Si shkak për këtë  vendim Tufa, laureat i  disa çmimeve kombëtare në letërsi, dha kërcënimet e shumta që kishte marrë nga njerëz të ndryshëm, kryesisht nëpërmjet telefonatave dhe mesazhesh të shkruara. 

Heshtje e ambasadave

Agron Tufa i tha Deutsche Welle-s  se ai në fillim të nëntorit i kishte raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore: “Unë u kam dërguar të gjitha ambasadave kryesore në Tiranë, përfshirë edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, një raport me 16 faqe me një kronologji të kërcënimeve të mia, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, i tha Tufa Deutsche Welle-s. 

E pyetur nga Deutsche Welle, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë,u përgjigj: “Ambasada në Tiranë ka qenë në kontakt me personin në fjalë në funksionin e tij si drejtues i Institutit në fjalë. Deri tani nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”.

Injorim nga prokuroria

Tufa vetë i tha Deutsche Welle-s se ka bërë disa kallëzime penale në lidhje me kërcënimet, por se prokuroria nuk ka reaguar. “Mua nuk mu pergjigjën asnjëherë. As kallëzimeve private, e as nuk morëm përgjigje për kallëzimin e Cajes te Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse u ankuam dy herë”, i tha Tufa DW.

Në qershor të këtij viti, Agron Tufa, në cilësinë e tij si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, paditi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë ish-komandantin e kamp-burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, për  veprën penale “Krime kundër njerëzimit”. 

Sipas burimeve të DW , edhe organet e drejtësisë në Gjermani aktualisht po shikojnë mundësinë e ngritjes së një akuze kundër të njëjtit person, i cili prej shumë vitesh ka marrë shtetësinë gjermane dhe jeton në Bavari. 

Në luftë  me kastën e vjetër

Kërcënimet e shumta që i vinin si mesazhe, Agron Tufa i ka publikuar gjatë tërë kohës në mediat sociale. Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, deri tani (10.12.19) nuk ka arritur t’i kthejë përgjigje Deutsche Welle-s, nëse Agron Tufa ka pasur nevojë për mbrojtje personale,

Siç i tha Tufa Deutche Welle-s, vala e kërcënimeve filloi në prill të këtij viti, kur një grup politikanësh dhe intelektualësh të lidhur me regjimin e vjetër komunist donin t’i merrnin Institutit të drejtën për të pasur si objekt studimi edhe krimet e bëra nga komunistët në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (1939-1944).

Por Tufa i tha DW se ky ishte vetëm një pretekst që u gjet për të mbuluar shkakun e  vërtetë të luftës kundër tij. Tufa tha se në të vërtetë, shkaku ka qenë një kërkesë që bëri ISKK në fund të vitit të kaluar, për të marrë informacione nga të gjitha institucionet shtetërore për numrin e ish-oficerëve të sigurimit në stafin e tyre. “Dy institucione iu përgjigjën pyetjes sonë dhe doli që aty ishin nja 12 oficerë të sigurimit. Ata janë ende në pozicione super të rëndësishme, dy syresh pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK), e cila aktualisht merret edhe me vettingun në Shqipëri”, i tha Tufa DW.

Sigurimi ende në administratë

Sipas Tufës, numri i ish-sigurimsave në administratën e Shqipërisë mendohet të jetë rreth 3000. A mendon se strukturat e vjetra të sigurimit kontrollojnë ende jetën politike në Shqipëri. I këtij mendimi është edhe Jordan Daci, profesor i së drejtës në Tiranë. Sipas tij regjimi i vjetër nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria. “Edhe një pjesë e mirë e të rinjve që janë sot me poste në administratë janë bij dhe bija të ish-nomenklaturës komuniste”, thotë Daci për DW. 

Deputeti Spartak Braho, gjyqtar në kohën e komunizmit dhe ende deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është një nga kundërshtarët më të zëshëm të Agron Tufës. Ai e komentoi kërkesën e Tufës për azil politik në Zvicër edhe para disa ditëve në një artikull botuar në gazetën “Dita”. Gjuha e përdorur të kujton retorikën e diktaturës komuniste: “Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj, se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do ta denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore”, shkruante Braho.

Gjergj Erebara, nga rrjeti investigativ BIRN, i tha Deutsche Welle-s, se beson që Agron Tufa dhe familja e tij ishin të rrezikuar në Shqipëri: “Sulmet e Spartak Brahos ndaj Tufës kanë vijuar prej muajsh dhe Braho ka qenë persekutues në kohën e komunizmit. Pra, Agron Tufa ka arsye të shëndosha të kërkojë azil politik. Ndër të tjera atë e kishin akuzuar edhe si spiun rus dhe donin t’i bënin kontroll për spiunazh”*), tha Erebara. 

Keqardhje ndër intelektualë

Në rrethin e shkrimtarëve dhe shumë aktivistëve që merren me zbardhjen e së kaluarës komuniste në Shqipëri largimi i Agron Tufës  është pritur me shumë trishtim dhe keqardhje.

Keqardhës është shprehur edhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS): “Agron Tufa ka qenë gjithmonë një partner i mirë dhe i besueshëm për ne dhe bashkëpunimi ka funksionuar shumë mirë”, i tha Deutsche Welle-s Florian Constantin Feyerabend, referent për Evropën Juglindore në selinë qendrore të KAS-it në Berlin. “Kjo ngjarje tregon se është ende tejet e rëndësishme që në Shqipëri të vijohet me zbardhjen e së shkuarës komuniste dhe përballjen me të”.

Agron Tufa megjithatë nuk e quan dorëzim largimin e tij nga Shqipëria: “Përkundrazi. I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç. Do jetë kalim ne një cilësi tjetër, ku përgjegjësitë i marr përsipër personalisht, pa u shkaktuar “faturë” të tjerëve”, i tha babai i pesë fëmijëve Deutsche Welle-s.

*P.s.: Citat i përmirësuar-Kortezi-
Deutsche Welle

Filed Under: Interviste Tagged With: Agron Tufa-Interviste-Deutsche Welle-s.

ALFRED PAPUCIU PROMOVOHET NË UNIVERSITETIN E GJENEVËS

December 11, 2019 by dgreca

Kujtim i bukur nga Universiteti Popullor Shqiptar dhe Courrier des Balkans/

Courrier des Balkans në Francë njoftoi se Universiteti Popullor Shqiptar (UPSH) në Gjenevë, organizoi disa promovime librash të shkrimtarit dhe gazetarit, Alfred Papuçiu. Librat titullohen : “Meditime për Shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara”, “Nxënësja e etur e gjuhës romanshë” dhe “Me zemër të pastër”. Në të njëjtën kohë, autori paraqiti librin në shqip “Aftësimi për vetëmjekim i pacientëve me sëmundje kronike” të prof. Jean-Philippe Assal dhe psikologes Anne Lacroix. Në promovimin e librave të Alfred Papuçiut merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, botues, mjekë, përkthyes, piktorë, pjestarë të familjes së autorit, funksionarë ndërkombëtarë, miq dhe dashamirës të shkrimtarit, zviceranë dhe bashkëatdhetarë nga Zvicra, Franca, Gjermania, Kosova e Shqipëria. Fjalën e rastit e mbajti kordinatorja e UPSH, Albana Krasniqi-Malaj, e cila vlerësoi veprën e Alfred Papuçiut, duke krijuar një lidhje të qëndrueshme midis shqiptarëve që banojnë në Zvicër dhe mikpritësve që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë në çdo çast familjet, me krijimin e kushteve të favorshme për banim dhe për afishimin e kulturës dhe gjuhës amtare. Ajo theksoi se, në librat dy gjuhësh të autorit, gjen kujtime të bukura lidhur me integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Më tej, fjalën e mori prof. Jean-Philippe Assal, president i Fondacionit RFEM, drejtor i një projekti me OMS-in, anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (CICR). Ai theksoi se librat e Alfred Papuçiut përmbajnë një sërë takimesh që janë çaste kuptimplote në një udhë jete aq të pasur, me fillim në Shqipëri, vend i prejardhjes së autorit dhe me vazhdim në Zvicër, gjatë këtyre viteve të fundit, ku Alfred Papuçiu ka përfaqësuar Shqipërinë në Kombet e Bashkuara dhe pastaj ka punuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Kohët e fundit, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në Zvicrën romande, si mediator kulturor, funksion që i ka dhënë mundësi të kuptojë më mire kulturat dhe traditat shqiptare dhe zvicerane. Kjo vijë drejtuese ka bërë që Alfred Papuçiu të hulumtojë kulturat, pra këta njerëz që i kanë krijuar me historitë, traditat dhe ndjeshmëritë e ndryshme. Alfred Papuçiu është një mbledhës i madh. Ai na drejton në hapat e para të humanizmit: “Zbulimin e tjetrit dhe ndarjes së gjithçkaje me të”.

Ky promovim dëshmon për dëshirën e autorit Alfred Papuçiu për të na dhënë çaste të bukura, prekëse dhe tepër domethënëse lidhur me humanizmin e zviceranëve dhe mikpritjen e tyre ndaj shqiptarëve të shumtë në Zvicër. Zvicra me vlera demokratike dhe humane paraqitet me vërtetësi nga autori, ashtu sikurse ai thekson se shqiptarët nuk janë barrë për zviceranët, por përkundrazi, e pasurojnë materialisht se punojnë dhe sjellin vlera të tjera me kulturën, gjuhën dhe zakonet e tyre.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Alfred Papuciu-Promovim-Universiteti i Gjeneves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT