• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

VATRA ËSHTË KRIJUAR NJË HERË MË 1912 DHE NUK MUND TË RIKRIJOHET

December 27, 2019 by dgreca

— …Mund të formohen organizata në shërbim të çështjes kombëtare, po Vatra është një e pandarë, Kombëtare dhe demokratike dhe me dt 19 Janar 2020 shkon në Kuvendin e saj me një bilanc suksesesh dhe me bindjen, se si në të kalumen e suksesshme,si në të tashmen e sukseseshme do të vazhdojë në misionin e saj në shërbim të çështjes kombëtare.

– Mirë u takofshim në Kuvendin e Vatrës me dt 19 Janar në Teqen e Baba Rexhepit, fole e shqiptarizmës!

Nga Lek MIRAKAJ/*(me shume foto gjeni ne Facebook dielli vatra

Një ribotim shumë i vlefshëm dhe domethënës.Më pak se një vit më parë të gjith këta vatran e patriotë e ndjenin vehten të nderuar kur vlerësoheshin për kontributin e tyre në shërbim të çështjes kombëtare.Asgjë nuk ka ndryshuar,vetëm se aktiviteti i Vatrës ka qenë edhe më i vazhdueshëm. Kujtojmë promovimin e librave të ish të përndjekurve politikë: si libri i Dine Dines ,Visar Zhitit, shkrimet e Fritz Rodovanit, Evgjen Merlikës e sa e sa të tjerve. Pjesmarja e organizuar në Paradën e komunitetit në përkrahje të çështjes Çame. Demonstrata e organizuar nga kryetari i bijve të shqipes Marko Kepi me kryetarin e Vatrës Dritan Mishto para Misionit Grek në përkrahje të popullsisë Çame.Pjesmarja e organizuar ne Washington DC,në përkujtimin e revoltave të burgosurve në burgun e Spaçit e Qafe Barit, apo protesta para Shtëpisë së Bardhë….Vendosja e kontakteve direkte me Departamentin e shtetit dhe kohët e fundit përcjellja e promemorjes së ish pronarve drejtuar qeverisë amerikane, ku Vatra e konsideroi vehten si bashkëautore. Nëse do të vazhdonim me arritjet që Vatra ka pasur gjatë këtij mandati, lista do ishte shumë e gjatë.Vatra është krijuar në vitin 1912 dhe nuk do rikrijohet, mund të formohen organizata në shërbim të çështjes kombëtare, po Vatra është një e pandarë, Kombëtare dhe demokratike dhe me dt 19 Janar shkon në Kuvendin e saj me një bilanc suksesesh dhe me bindjen, se si në të kalumen e suksesshme ,si në të tashmen e suksesshme do të vazhdojë në misionin e saj në shërbim te çështjes kombëtare.Vatra është e të gjithve. Le të kontribojmë të gjithë me aq sa kemi mundësi, që Vatra ta vazhdojë misionin që i lanë të parët trashëgim.Mirë u takofshim në Kuvendin e Vatrës me dt 19 Janar në Teqen e Baba Rexhepit, fole e shqiptarizmës.

* Lek Mirakaj, ish i burgosur politik, iu bashkua Vatrës sapo erdhi në SHBA në fillim vitet ’90. Ai mbetet një nga anëtarët më akitiv të Këshillit të Vatrës, për gati 3 dekada. Ky koment është bërë në fb në faqen dielli vatra, ku editori i gazetës DIELLI solli në kujtesë festimin e 106 vjetorit të Pavarësisë, ku Vatra nderoi disa prej vatranëve me kontribut në Fedearatë, dhe së bashku me vatranët festuan edhe anëtarët e Autoritetit të Dosjeseve të ish Sigurimit të Shtetit.

***

Lexoje nje pjese te kronikes qe percolli kete event te Vatres.

VATRA, MIRËNJOHJE PËR MË TË MIRËT*

Vatra kishte përzgjedhur disa nga figurat e saj të njohura për t’i nderuar në përvjetorin e 106-të të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe disa prej organizatave të komunitetit, që janë dalluar për qëndrime dinjitoze në prezantimin e çështjes kombëtare në SHBA.
Kush ishin ata?
Grupi i parë i nderuarëve me mirënjohje ishin të përzgjedhur vatranë që kanë më shumë se 50 vite anëtarësi të shkëlqyer në Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe që janë dalluar edhe si qytetarë shembullorë amerikanë.
I pari ishte përzgjedhur një vatarn i kahershëm i anëtarësuar në Vatër që në vitin 1968. Ai është bir i një familje të ndruar nacionaliste mirditore, familje antikomuniste, anëtar i degës së Vatrës në Michigan, Kujtim Qafa, i cili edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetsore kishte kishte sakrifikuar, duke udhëtuar 13 orë me makinë për të qenë në këtë manifestim të Vatrës.Mesazhi i Kujtimit ishte i qartë: Të jemi të bashkuar, të mbështesim kryetarin e Vatrës dhe ekipin e tij dhe ta mbajmë Vatrën në lartësinë e kohës. Unë tha ai, jam republikan me bindje, kam votuar gjithmonë për republikanët,por kur shkoi në Shtëpinë e Bradhë demokrati Obama, e mbështeta atë si shumica e amerikanëve sepse shumica e amerikanëve votuan për të. Kështu edhe në Vatër,mandatin në Kuvend e ka fituar kryetari Mishto.Le ta mbështesim atë dhe të shkojmë përpara….
Lista e të nderuarëve ishte e gjatë: vatrani i kahershëm Lumo Cungu, u nderua me të njëjtën motiv-50 vjet në Vatër dhe u shpall vatran i përjetshëm. Me të njëjtin motivacion, por pas vdekjes, u nderua Mustafë Elezi. Më pas Ndrecë Gjergji, me zë të dridhur nga emocioni falenderoi Vatrën për nderimin, duke e shpallë vatran të përjetshëm. Po në këtë grup ishte dhe një tjetër vatran, Vasel Ujkaj prej Michigani-edhe ai- vatran i përjetshëm.Mirënjohja iu dorëzua kryetarit Mondi Rakaj.
Tek të nderuarit e mbrëmjes ishin përfshirë edhe tre anëtarë të kryesisë së Vatrës; sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, arkëtari i Vatrës-Marjan Cubi dhe kryetari i degës së Queensit Dr. Skënder Murtezani. Nga Këshilli i Vatrës ishin përzgjedhur për t’u nderuar Uk Gjonbalaj dhe Ahmet Hoti.
Nga komuniteti,Vatra kishte veçuar për të nderuar me mirënjohje,Televizionin Kultura Shqiptare, Adem Belliu, Shoqatën Rugova, Këshillin Shqiptaro-Amerikan me president artistin Haxhi Dauti dhe Shoqatën Albanian American Open Hand Association me president Aleksandër Nilaj.
Ndër individët e nderuar ishin përzgjedhur: Marash Mrnaçaj, i cili në krye të familjes antikomuniste arriti të arratisej nga Shqipëria, bashkë me pleq, fëmijë e bagëti, dhe gjatë të gjithë jetës, së bashku me familjen e madhe Mrnaçaj,u shqua në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare, ndërkohë që i biri i tij, Nika, u përjetësua si martir i Demokracisë. Në emër të Marashit, Mirënjohjen e mori, vëllai i tij, Pjetër Mrnaçaj, i cili me fjalë zemre falenderoi Vatrën dhe u bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës ta mbështesin Vatrën dhe të bëhen pjesë e festave të tilla.
Pëllumb Lamaj ishte përzgjedhur prej Vatrës për qëndresën e tij antikomuniste në burgjet e diktaturës komuniste, për veprimtarinë e tij në mbështetje të çështjes Kombëtare, si një zë i fortë kundër ringjalljes së komunizmit dhe denocues i krimeve të diktaturës e promovues i figurave nacionaliste.
Falenderimin e tij Pëllumb Lamaj e bëri përmes një fjale të shkurtër dhe interpretimit të një poezie e shkruar prej tij.
Gjeto Ivezaj ishte një ndër të nderuarit me Mirënjohje prej Vatrës si intelektual dhe veprimtar i dalluar për çështjen kombëtare. I veçantë për mbështetje të Vatrës, për suportin e artistëve shqiptar dhe promovues i kulturës Kombëtare në SHBA, ishte përzgjedhur Demë Balidemaj.
Imzot Noli, Ati i Kishës Autoqefale Orthodokse në SHBA dhe bashkëthemeluesi i Vatrës, thoshte se Vatrën e mbanë gjallë anëtarësia e thjeshtë, ata që japin gjithçka për Vatrën. Katër nga të thjeshtët e zgjedhur për t’u nderuar nga Vatra ishin: Ilir Spata, Naim Gjeleshi, Arif Mata dhe Shpëtim Ndreu.
Ndër zonjat e nderuara nga Vatra gjatë mbrëmjes, e cila u duartrokit gjatë, ishte ,bashkshortja e anëtarit të Këshillit të Vatrës Valentin Lumaj, veprimtar i njohur për fe e Atdhe, – nëna shembullore e pesë fëmijëve, mësuesja e dalluar, zonja Merushe Lumaj.
Janë befasuar përfaqësuesit e familjes Drishti, kur kryetari i Vatrës Dritan Mishto, ka shqiptuar emrin e prindërve të tyre, Bahri e Zylfie Drishti, të cilët rritën fëmijë shembullorë, u lanë trashëgim gjuhën e bukur shqipe dhe kulturën kombëtare. Ishte veçuar për t’u nderuar nëna e tyre e mirë, Zylfie Drishti, e lindur në Tropojë, e shkolluar në Kosovë. Bijtë e Zylfies dhe Bahrisë, oficerët e policisë, Eddi dhe Arbeni, mbetën pa fjalë tek falenderuan Vatrën. Eddi ka folur shqip dhe ka përcjellë mesazhin: Bashkathdetarë, i sillni fëmijët dhe nipërit tuaj në këto festa të shkëlqyera të Vatrës nëse nuk doni që ta humbni identitetin kombëtar.Faleminderit Vatrës!( Mirënjohjet u dhanë gjatë darkës së Flamurit. Më gjërësisht shihni Diellin e printuar Faqe 22-23)

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra eshte krijuar njehere

T’i kam fal ty me tana/ Oh si Elvana nuk ban ma nana!

December 26, 2019 by dgreca


Opinion rreth këngës fituese me titull të pakuptimtë “Me tana” të çmimit të dytë në Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH/
 
Nga Keze Kozeta Zylo/
 
Është e pamundur të rrokësh dhe të diskutosh rreth artit në Shqipëri, por kur bëhet fjalë për një Festival të pervitshëm Kombëtar ja vlen të sakrifikosh kohën flori tënden që mundohen të t’a bëjnë bakër ca surrogato tekstesh dhe që ngjiten me katapultë (tregtish) në majën e olipmpit të çmimeve të artit.  Nuk befasohem me çmimet që nga më të lartat e Kombit që jepen aq lehtaz dhe që në Shqipëri i bie që një në çdo tre veta ka varur ne qafe çmimin kombetar, por befasohem me publikun që i skuqen duartë nga duartrokitjet frenetike, kur dëgjon tekste të pështira, të pakuptimta, deformime sintaksore, perçudnime të gjuhës sonë Hyjnore. 
Ëshë mjerim kombëtar kur humbasin shijet estetike në popull, në shkolla, dhe për rrjedhojë zverdhet dhe “kalbet” fjala elegante e bukur shqipe.  E pamundur ta kuptosh këtë tekst të këngëtares Elvana Gjata tashmë shumë të njohur në Shqiperi dhe më shumë, e cila në festivalin e 58-të  këndoi këngën me titull “Me tana” ku midis të tjerash thuhej: “Ti kam fal ty me tana/ Me tana o me tana/ Dashni më fal/ O kush ka me ma nal…”
Kjo këngë me këtë tekst basardon gjuhën zyrtare, apo dhe gegënishten që është një pasuri më vehte kombëtare.  Quo vadis Kultura Kombëtare!  Festivalet e Këngës në RTSH janë pasuri kombëtare dhe ato duhen mbrojtur me fanatizëm professional e kulturor.  Por unë do t’i mëshoj mos çuditjes sime për çfarë po ndodh me artin dhe kulturën shqiptare, që fatkeqësisht shumë fusha kanë rënë në duartë e tregtareve të ndyrë që s’e kanë për gjë ta shesin si prostitutë rrugësh artin në skenat më të njohura siç është ajo në pallatin e kongreseve apo në Eurovizion.   
Edhe nxënësi më i keq me notën pakaluese nuk do të ma shkruante këtë tekst kaq të ulët të nivelit gjuhësor, kaq të pështirë, banal dhe kaq të pakuptimtë!…  
Ju ftoj ta lexoni këtë banalitet dhe nivel skandaloz si në këto “vargje”: Kohën ndale ndale/ Të shkoj ngadalë ndale/ o me ngadalë ndale/ Na na na na na…
Ky lloj te shkruari që vetëm Elvana dhe soji i Elvanës e kupton të kujton novelisten e famshme amerkane Nelle Harper Lee kur thotë se: “Gjuha e keqe është një fazë që të gjithë fëmijët kalojnë dhe ajo vdes me kohën kur mësojnë se nuk po tërheqin më vëmendjen me të. 
Po Elvana është kaq foshnjore sa edhe pse në një moshë të pjekur vazhdon të ngelet me atë lloj fjalori në varfëri të tesjskajshme dhe të shesi këngën, muzikën, tekstin si ndër më të mirën e vitit…
Festivali i këngës në RTSH nuk është personal, por është kombëtar, nuk është për analfabetët e Gjuhë Shqipe, por është për elitën e fjalës së bukur, nuk është për ahegun në mejhanet me qepë e gjizë dhe nga një gotë raki përpara, por është skenë kombëtare e muzikës së kultivuar.  Festivali i këngës ne RTSH nuk është për anëtar të jurisë të sojit Rita Petro për të cilën kam mbajtur qëndrim ne një shkrim timin, kur u vlerësua para pak kohësh me çmimin “Lumo Skëndo”  Mithat Frasheri mu në zemër të kulturës në palcë të Tiranës nga “kryeqeveriu” shqiptar Rama në bashkëpunim me ish ministren e kulturës Kumbaro të cilët i dhanë autores Petro për librin me titullin “Vrima” çmimin më të lartë “Lumo Skëndo”, me rastin e 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare.  Po sjellë në vëmendjen tuaj disa vargje nga libri “Vrima” e autores Petro dhe anëtare në jurinë e Festivalit të 58-të në RTSH si:  “Tani hiqi brekët ule kokën dhe shih mes kofshëve… Kjo është…? lulja ime”…   Ose po e sjellë në vëmendjen tuaj dhe tekstin e poezisë së hyjnizimit të incestit midis vëllait dhe motrës si: “Kur më prek/ Me duart aq të buta/ Lëkurën ma puçrron…/ Pse kur më puth në qafë/ Drithëroj e tëra/ Njomem atje poshtë?
Cfarë mallkimi kur dëgjon dhe krahason këto këngëtare me artiste të jashtëzakonshme të Kombit tim si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha etj!  
Megjithatë do të thoshte Anjshtajni se “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar; jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, por për shkak të njerëzve që i shohin ata dhe nuk bëjnë asgjë, heshtin”…
Çfare trishtimi kur dëgjon dhe lexon këto tekste surrogate që ashtu si fëmijët kur dëgjojnë për herë të parë fjalët e turpshme dhe i përdorin vend e pavend ashtu dhe këta tregtarë të fëlliqur të artit kanë ngelur në atë nivel mjeran.  Këta kanë ecur ne drejtim tjetër duke arritur të kenë pasuri të patundshme në flori pikërisht nga heshtja jonë e papranueshme.  Dhe kjo është sa e dhimbshme po aq dhe e frikshme, sepse: “Ti kam fal ty me tana/ Oh si Elvana nuk ban ma nana!…
 
26 dhjetor, 2019-të
New York
 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elvana Gjata, Keze Kozeta Zylo

ZHVILLIM I PAPRITUR NË SEANCËN KONSTITUIVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS

December 26, 2019 by dgreca

Speciale e Diellit nga Prishtina/

-Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca propozohet nga lideri i partisë Albin Kurti për kryetar Kuvendi dhe zgjedhjet edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e jo nënkryetarja e saj Vjosa Osmani, e cila në negociatat për bashkëqeverisje LVV-LDK  ishte përmendur si kryeparlamentare e ardhëshme. Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës erdhën pa marrëveshje dy partitë fituese të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 LVV e LDK/

-Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (LVV), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) e Fikrim Damka (komunitetet tjera/

-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti i akredituar në Kosovë Behlul Jashari – raportim nga Kuvendi i Kosovës

PRISHTINË,  26 Dhjetor 2019/ Një zhvillim i papritur ndodhi sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Por, zhvillimi i sotëm i papritur në Kuvend e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.

Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër, edhe pse kjo paraqet problem nëse do ishte shkelje e Kushtetutës së Repubilikës së Kosovës, e cila në Nenin 95 nuk është krejt e qartë se si duhet të procedohet nëse i nominuari i parë për kryeministër i partisë fituese të zgjedhjeve nuk arrinë të ketë votat e duhura për t’u zgjedhur.

Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 4 Kushtetuta  përcakton se  “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i 

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës 

Procedurë”.

Neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i plotë është ky:

“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për 

Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e 

nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.  

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet 

përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 

3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të 

Kuvendit të Kosovës. 

4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i 

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës 

procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall 

zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria 

bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin 

që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 

 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet 

me ligj.”

Në seancën e sotme konstituive, me 75 vota për, kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës u zgjodh deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (Vetëvendosje), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) dhe Fikrim Damka (komunitetet tjera)

 Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit ka shënuar sot edhe konstituimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Zgjedhjes së kryetarit dhe Kryesisë së re i parapriu verifikimi i kuorumit dhe mandateve të deputetëve, nga komisioni i përkohshëm i themeluar nga Kuvendi, si dhe më pas betimi i deputetëve.

Nga Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh 111 deputetët e pranishëm dhanë betimin në seancën e kryesuar nga deputeti më i vjetër Jahja Kokaj dhe deputetja më e re e kësaj legjislature, Fjolla Ujkani.

Në vazhdim, konform rendit të ditës, u procedua me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetar të Kuvendit propozoi deputetin Glauk Konjufca, për të cilin 75 deputetë votuan për, 27 ishin kundër dhe 6 të tjerë abstenuan.

Pas këtij votimi kryesuesi konstatoi se kryetar i Kuvendit zgjidhet Glauk Konjufca.

Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shqiptare. Në pako për nënkryetarë të Kuvendit u votuan Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Në votim morën pjesë 111 deputetë, prej të cilëve 104 votuan për, 1 ishte kundër dhe 3 abstenuan.

Lista Serbe propozoi deputetin Sllavko Simiq, ndërsa deputeti Fikrim Damka u propozua nga komunitetet e tjera pakicë.

Të propozuarit morën besimin e 92 deputetëve, ndërsa 2 të tjerë votuan kundër dhe 2 abstenuan.

Pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mbajti një fjalë rasti, gjatë të cilës falënderoi të gjithë ata që mundësuan themelimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 “Ne qysh në fillim duam t’ju falënderojmë që e themeluat Legjislaturën VII. Ju falënderojmë që na besuat këtë detyrë të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi. Ne ju garantojmë që si Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kryejmë detyrat tona ashtu siç kërkohet, me shumë nder, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës sonë që është në fuqi. I falënderojmë ambasadorët e pranishëm në këtë seancë themeluese të Kuvendit dhe të gjithë mysafirët të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre”, theksoi ndër të tjera kryetari i ri i Kuvendit.

 Kryetari Konjufca falënderoi gjithashtu edhe qytetarët për besimin, përderisa njoftoi për mbylljen e punimeve të seancës konstituive të legjislaturës së re dhe paralajmëroi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të merret vendimi kur do mbahet seanca vijuese.

DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët. I nxisim udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do ti përmbushë mandatin e votuesve. Ne mezi presim që të bashkëpunojmë me qeverinë e re në çështjet urgjente që kanë të bëjnë me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi I ri, Zhvillim I papritur

Për hir të vërtetës

December 26, 2019 by dgreca

Të nderuara Vatrane,  /

Të nderuar Vatranë!/

Do mundohem të jem sa më i thjeshtë në këtë ekspoze, për të sqaruar disa gënjeshtra që kërkojnë të institucianilizohen si të vërteta absolute,  por  në fakt,  s’ janë asgjë tjetër vetëm trillime paranoide dështakësh. Pas kësaj paranoje qëndron  “Udhëheqësi Suprem”  Gjon Buçaj, i cili po mundohet të përdorë keq disa vatranë të mirë.

Si u bë  Dritan Mishto  Kryetar i Vatrës?

Një ditë duke biseduar me Dr. Gjonin, ai  më tha se duhej të largohej nga Kryetari i Vatrës (arsyeja se donte te ishte pranë fëmijëve të vet) dhe se duhej të gjenim një zëvendës tjetër. Unë i përmenda Agim Rexhën dhe Asllan Bushatin, meqë të dy ishin nënkryetarët dhe bashkëpunëtorët e tij . Ai u përgjigj prerë si për Asllanin dhe Agimin: “Nuk bëjnë! Asllani ka qenë komunist dhe Agimin nuk e don askush!” Në shpirt nuk u pajtova me të… për arsyen e thjeshtë se, burri kur flet për bashkëpunëtorët e ngushtë ashtu…, çfarë mendon për ata që i ka më larg! Megjithatë, nga respekti i moshës nuk e kundërshtova, por e pyeta se për cilin mendonte ai. Gjoni ishte i paqartë në vetvete, duke menduar se asnjë në NY nuk ishte i aftë për atë detyrë. Përmenda disa emra të nderuar si,   Elez Biberaj, Harry Bajraktari etj. Ai përsëri solli ca shembuj negativë dhe për ta. Atëherë i propozova, Dritan Mishton. Ai m’u përgjigj tekstualisht kështu: “Ku ta gjejmë, po a e pranon Dritani?” E njëjta pyetje që u bë dhe në takimin e Floridës: “More është nder ta kemi Dritanin anëtar të Kryesisë , por a pranon ai ?” Pra, Dritani shihej nga Gjoni si një personalitet që e mbushte karrigen e Kryetarit (duke qenë i ri, vital, me karrierë dhe kontakte diplomatike) madje si i vetmi që mund ta zëvendësonte atë.

Unë i kërkova të bisedonte ai me Dritanin, meqë ishte autoriteti që do i lëshonte vendin. Pas bisedës me Gjonin, mora në telefon Dritanin për t’i treguar çfarë mendonim për të. Ai me delikatesën e një diplomati m’u përgjigj: “Unë do e ndihmoj Vatrën deri sa të kem fuqi, por plani juaj nuk është në axhendën time, kështu, do të ishte më me vend që të zgjidhni një tjetër, që ka më kontribute në Vatër!” Bisedën ia tregova Gjonit, dhe ai më tha se do fliste vetë me Dritanin. Ata drekuan sëbashku dhe biseduan me njëri-tjetrin dhe siç duket argumentet e Gjonit e kishin bindur dhe ndoshta vënë edhe para një përgjegjësie morale Dritanin që të pranonte  të bëhej Kryetar i Vatrës.

            Ne pregatitëm terrenin për Dritanin, kur, papritmas pak kohë para Kuvendit na doli dhe kandidatura e Mithat Gashit, një burrë i  qëndrueshëm, që jetonte midis dy botëve. Këtë përshypje ma konsolidoi në Kuvendin që u bë NY , ku ai si kryesues i punimeve u dha të gjithëve nga një laps e letër, duke i testuar burrat si të ishin në fillore. Unë dhe Dalip Greca nuk e morëm letrën, kur të gjithë e kishin marrë seriozisht “shakanë” e tij… Ai e vërejti këtë… dhe m’u afrua me buzë në gaz: “Alfons, ti nuk po shkruan asgjë?!” Unë iu përgjigja se  kisha vite që kisha harruar Shkollën Fillore. Ai buzëqeshi me çiltërsi.

Marrëdhëniet midis meje dhe Mithatit ishin shumë të mira, biles, pas Gjonit, me të kam komunikuar më tepër se me askënd tjetër me postë elektronike . Prandaj, mendova që sa ishim ende në kohë, të bënim një zgjidhje për të  mos lënduar asnjërën prej Kandidaturave. Ia parashtrova mendimin tim  Gjonit  dhe iu luta që të qëndronte Kryetar dhe për një vit, duke vendosur të dy kandidaturat në detyrat e zv/Kryetarëve, me qëllim që gjatë vitit… t’i shihnim secilit aftësitë, përkushtimin, vizionin dhe projektin për zhvillimin e Vatrës, që më pas të ishim të qartë në zgjedhjen e kandidaturës së duhur. Siç dukej Gjoni ishte me vrap. Më shpjegoi se ai nuk mund të qëndronte më në NY dhe se do shkonte tek fëmijët, dhe më kundërshtoi sërish: “Jo kush të fitojë le të bëhet Kryetar!”. Unë me durim i shpjegova se shumica e vatranëve kishin vendosur tashmë të mbështesnin kandidaturën e Mishtos, dhe kështu, padashur do digjnim kandidaturën tjetër (për të cilin ruaja respekt) çka do krijonte qejfmbetje… mbase dhe çarje. Dr. Gjoni nuk bëri asnjë hap prapa. Ai kalimthi përmendi babain e Dritanit, duke thënë: “Njerëzit do na sulmojnë për kandidaturën e tij, pasi ai ka pasur babën Prokuror, por ne nuk jemi duke vendosur babën e Dritanit, por një djalë të mrekullueshëm që e njohim prej vitesh dhe që e kemi dhe anëtar Kryesie.”  Komentet janë të tepërta!!!

Gabimet e Kuvendit:

1-Kryetari i Kuvendit u zgjodh në mënyrë arbitrare, pa votuar kandidaturën e dytë  që u propozua nga Kuvendi.

2-Kryetari i Kuvendit ishte në konflikt interesi të hapur, duke pasur parasysh se Kandidatura e Gashit ishte propozuar nga vetë Kryetari i Kuvendit.

3-Delegatëve që mendohej të ishin simpatizantë të Gashit, iu dha e drejta e fjalës nga tre e katër herë, kurse  atyre që mendohej se ishin kundra dhe që kishin nga dy e tre  mandate , iu pre fjala pa e nisur mirë.

4- “Pas debatit për vitet e antarësimit të Mishtos… Gjon Buçaj, u ngrit në Kuvend, duke propozuar kandidaturën e Dritanit për t’a votuar për aprovim ose jo, si kandidaturë për Kryetar të ardhshëm. Kuvendi votoi mbi 90%, pro!”

5-Pas pushimit, Kryetari i Kuvendit, Armin Zoto, i vazhdoi punimet mbrapsht, duke rrëzuar propozimin e Kryetarit Buçaj dhe vendimin e Kuvendit (që ka fuqi absolute vendimarrëse) që aprovoi me vota dërmuese kandidimin e Mishtos.  Këtu drejtimi i Kuvendit rrëshqiti. Akti i papërgjegjshëm i drejtuesit të Kuvendit, i cili injoroi tempullin e fjalës së lirë dhe vendimarrjen legjitime të Kuvendit, çoi në debate të ashpra, deri në propozimin e largimit të Armin Zotos si drejtues Kuvendi.

Post mortum

Pas Kuvendit, tek po hynim për “Darkën e Fundit”, Gjoni në prani të shoqes dhe të bijës më tha: “Jam me propozimin që më ke bërë para Kuvendit, do të bëhem unë Kryetar përsëri!”

Unë ia ktheva, “Po, more të marrsha të keqen! Dritani do të ishte shumë i lumtur për një zgjidhje të tillë ,për arsye se ne ia kemi dhënë si me zor, por tani na duhet që të gjejmë formulën që të mos bëhemi qesharakë.” Gjoni më tha se nuk ishte serioz në kërkesën e tij. Por kur hymë në sallë , kuptova se ai ishte penduar rëndë në “përllogaritjet” e tija . E keqja e njeriut dritëshkurtër është se nuk e kupton kurrë gabimin , por e thellon atë deri në krisje.

Pas asaj që ndodhi nuk kisha çfarë t’i bëja më mikut tim, Gjon Buçaj, i cili në mëngjes, fliste ndryshe, në drekë ndryshe dhe në darkë pendohej për çfarë kish folur në mëngjez dhe në drekë. Ai atë ditë, paralajmëroi hijen e zezë që do e ngrinte vetë kundër Vatrës. Të gjithë ata që kanë qenë prezent në atë sallë e kanë parë puthjen e fundit të Judas Iscariot.

Dhuna denigruese

Përgatitja për të marrë me dhunë Vatrën dhe rrëzuar Kryetarin, i cili  u zgjodh me mbi 70% të votave, ka qenë eksperienca më e neveritshme që jam ballafaquar në tridhjetë vjet demokraci: Emaile, pako ngjyrë turmerik, character assassination, defamation ! O Zot si mund të flenë gjumë këta njerëz që merren me gruan e mikut (bash një zonjë, që familja e saj vuajti nga kolera e kuqe)… në një vend konglomerat, ku demokracia është në shkallën më të lartë? Çfarë janë këta njerëz që shfaqen si pragmatistë, por që në të vërtetë veprojnë si komunistë 100 karatësh?!

Përpjekja për të goditur Kryetarin e Vatrës Dritan Mishto, ka qenë akti më i shëmtuar në historinë e Vatrës, dhe për këtë vë me faj Gjon Buçaj. Aty, Armin Zoto, kërcënoi dhe Frederik Ndocin, Gëzim Nika etj. Zoto u ngrit pa pyetur askënd me dhjetëra herë, duke lujtur perfekt rolin për të cilin i kish besuar  Grand Vulture.

Pas mbledhjes së Këshillit, në zyrën e Dalipit, ai më pyeti përse e mbroja unë Dritan Mishton. I shpjegova se kush ishte Dritani dhe Agata, ashtu siç u shpjegova shkurt  pak kohë më parë në një prononcim për Buçaj dhe anëtarët e Vatrës. Armini më tha: “ A keni dëshirë që unë të jap dorëheqjen!” Unë i shpjegova se jemi vëllezër e motra,  dhe se asnjë nuk është i tepërt në Vatër. Tani duke lexuar prononcimet e tija  më duket se nuk është ai person që biseduam , por influenca  e vaksinës  Buçaj.

            Tre apo katër persona flasin për përçarjen e Vatrës. Kjo është një deshirë e madhe e njerëzve  të vegjël . Po kush janë në të vërtetë ata përçarës ? Gjoni me disa persona në minorancë  po  përpiqen për një gjë të tillë, por pa rezultat! Ata mendojnë se Vatra është pronë e tyre … dhe jo Institucion Kombëtar i trashëguar në breza që, do vazhdojë, përparojë e kalojë kushedi edhe sa Gjonë e gjoniada.

Vatra duhet parë si Institucion gjithëpërfshirës, emancipues e demokratik, si shembull edukimi e tempull patriotizmi në dekada e shekuj, dhe jo si hipotekim familjar. Pretendime fëmijësh të rritur që nuk e kuptojnë misionin e shenjtë të Vatrës,  duhen mëshiruar. Për ta ilustruar këtë, le të marrim një shembull:

           Sikur unë, Kolec Ndoja dhe tjerë themelues të PD,  t’u thonim anëtarëve të rinj të PD-së: “Largohuni ju tani… se ne e krijuam PD!”,  ata do na shikonin me çudi, dhe do të mendonin se nuk jemi në rregull nga mendët e kresë. Sigurisht, për të mos na ofenduar, ata do të na mëshironin në heshtje. Arma më efikase e njeriut të zgjuar kundër çmendurisë… është pikërisht arma e heshtjes që përdori Dritan Mishto, ndaj denigruesve të pabesë, të cilët e ulën në sofrën e Vatrës për t’i ngulur thikën prapa shpine. Mendoj se, pabesia është definicioni i shëmtisë, sepse reflektimi i pabesisë zbulon lakuriqësinë e shpirtit të zi, atë shpirt që është midis territ dhe vdekjes.

Komisioni i vetëpërjashtimit

Të gjithë ata që e kanë lexuar Kanunoren e Vatrës e dinë  pa hyrë në thelb, që ky Komision i 5 Tetorit, është ilegjitim dhe vetëpërjashtues, i cili nuk ka nevojë për votë kundërshtare. Komenti është humbje kohe! Zoti Greca e ka shpjeguar në mënyrë perfekte dhe nuk dua ta përsëris atë. Nuk vlen vjetërsia  e antarësisë së  asnjërit për të justifikuar një  budallallëk të tillë! Komisioni paralel, sipas ligjeve të Vatrës në fuqi (apo dhe ligjeve juridike ndërkombëtare dënohet me ligj),  nuk mund të përdorë  vulën dhe emrin e Vatrës, për arsye se është ilegjitim! Ata mund të krijojnë një shoqëri tjetër, por jo të përdorin logon e Vatrës. Kryesia e Vatrës duhet të hapë një proces ligjor kundër fallsifikatorëve të vetëpërjashtuar. Ky Komision flet për shkelje të Kanunores kur vetë e ka përdhosur Kanunoren prej kohësh në mënyrë sistematike.

Shpërdorimet e fondeve  në Vatër

Para se Gjoni të largohej nga Vatra, e ka pranuar vetë shpërdorimin e parave në arkën e Vatrës. dhe për turpin e drejtuesve të “Fondacionit Vatra”, Kryetarit Buçaj,   dhe stafit të asaj kohe, ky akt u mbulua në errësirë të plotë, duke ia fshehur të vërtetën vatranëve.

Kush fshihet pas këtij shpërdorimi të shumave të konsiderueshme, dhe pse pikërisht bëhet zhurmë nga personat që dyshohen se kanë gisht në këtë abuzim? A mos vallë lufta kundër Mishtos filloi pikërisht këtu, kur ai u zotua se do i nxirrte fundin këtij shpërdorimi të turpshëm? Ka zëra që “Fondacioni Vatra” i drejtuar nga Kaliqi, ka sponsorizuar Kryetarin e Vatrës në udhëtimet e tija Shqipëri , Dardani , Shkup dhe Europë… I mbetet Kuvendit  të Janarit të  hapë Kutinë e Pandorës.

Kuvendi i Vatrës në Michigan

Sa i përket Kuvendit që bëhet në Michigan, ka qenë praktikë tradicionale e Vatrës. Ideja e përçarjes është sa qesharake dhe turpshme, sepse në Kuvendin që drejtoi Gashi në NY, u vendos që Kuvendi i ardhshëm i Vatrës të zhvillonte punimet në Michigan. Por si gjithnjë, Gjoni e shkeli pa i bërë syri tërr, duke e zhvendosur Kuvendin në Florida. Dega e Michiganit e respektoi “vendimin” dhe atë shkelje të radhës e konsideroi si një lapsus moshor. Por pati dhe një arsye tjetër përse dega e Michiganit e quajti si të pavend që të reagonte kundër kësaj shkeljeje. Vatranët e Floridës, ishin vëllezërit e motrat  e vatranëve të Michiganit  dhe mbarë Amerikës.

            Tani, nëse dikush mendon se NY është Vatra… dhe Degët, janë vasale vetëm sa për të paguar kuotat, është gabimi  më i rrezikshëm që ndihmon  të keqen e nisur nga të vetëpërjashtuarit e K 5… apo Pavioni  5 …!

Për sa i përket “rrugaçërisë” dhe epiteteve të sëmura që përdor Armin Zoto, apo ndokush tjetër, ato nuk janë për Vatrën dhe vatranët, por për mistrecët me injeksione diabolike si Zoto, i cili i ka kthyer gjërat tashmë personale dhe për këtë ai, ka për ta pasur në kohë përgjigjen e merituar personale!

Për  tu pasur në konsideratë

Askush nuk mund të thotë se Gjon Buçaj, nuk është patriot, përkundrazi ! Eshtë një superpatriot! Por, superpatriotizmi (jo si ai i Erik Larsen), e asfikson shoqërinë… gjunjëzon e varfëron kombe(jo më shoqata), krijon impakte , që duhen vite për tu ringritur dhe shëruar. Shembuj ka plot në dy gjysmat e kupave të globit, si ai i Bonopartit, Hitlerit etj . Ndërsa patrotizmi real , frymëzon shoqërinë , mirëkuptimin, rimëkëmb shtete , ruan identitetin dhe zhvillon pasurinë shpirtërore si çelës i përjetësisë së ekzistencës së kombeve të qytetëruara. Kështu, dhe boshti i Vatrës , për të ruajtur vlerat universale dhe sensin kombëtar duhet të mbështetet tek patriotizmi real dhe kurr në  ëndrrat e super-ave , që herët a vonë shkasin në prehrin  e kundërvlerave dhe diktatit.

                  Mendoj se inteligjenca në Vatër, apo gjetkë , nuk do që  të dëgjojë më çangën arkaike  të ish-ve destruktiv. Sot , Vatra ka figura të tilla  që mund ta udhëheqë lundrimin e anijes saj në shekullit e Ri , sipas kërkesave dhe standarteve kohore dhe klasike, besa-besë dhe jo besa-vesë!

Zoti e ruajtë Vatrën… nga marrëzia e madhështisë dhe superpatriotizmi !

Filed Under: Emigracion Tagged With: alfons Grishaj, dritan Mishto, si u be

POPULLSIA E ULQINIT NË VITIN 1919

December 26, 2019 by dgreca

-Diskursi Demografik/

Dokumenti për popullsinë e Ulqinit në vitin 1919, që po botohet për herë të parë  paraqet të dhënat nga Komiteti i Mbrojtjës Kombëtare të  Ulqinit  nënshkruar nga Zejnel Gjyli, dërguar Konferencës së Paqës në Paris, duke dëshmuar për  numrin e vendbanimeve, popullsisë, familjet dhe strukturën kombëtare të popullsisë, që janë të dhëna me interes shoqëror e demografik  për Ulqinin dhe rrethinën e tij, sepse  kanë qenë të panjohura  deri më tash për opinionin e gjerë.

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris i ka zhvilluar punimet Konferenca e Paqës(1919-1920), ku janë marrë vendime për popujt e vendëve përkatëse sepse është përcaktuar statusi  i shtetëve në hartën politike të Europës. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë delegacione të ndryshme të vendëve përkatëse, të përfaqësuar nga qeveritarët e kohës apo individë të tjerë, duke paraqitur kërkesat e ndryshme për qytetët, viset apo vendet përkatëse. Një veprim i tillë ishte i ligjshëm sepse mendohej se do të përmirsohej padrejtësia e definuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1912/13). Me një qasje të tillë ka marrë pjesë edhe delegacioni i Shqipërisë në kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.

Por, në sajë të një dokumenti të datës 5 mars  të vitit 1919, f.209,  nga ana e Komitetit të Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit (Poue le Comite de la Defense Nationale de Ulqini), nënshkruar nga kryetari Zejnel Gjyli, ofrohen të dhëna  statistikore me interes për popullsinë dhe vendbanimet e këtij regjioni.

Popullsia dhe struktura kombëtare

Në sajë të dhënave të publikuara del së popullsia e përgjithshme ishte 8190 banorë, ndërsa sipas strukturës kombëtare shqiptarë ishin  6590 banorë apo 80.46%, ndërsa 1600 ishin më përkatësi sllave apo 19.53%. Ndërsa sipas vendbanimeve me i populluar ishte Ulqini me 4861 banorë, ku nga aspekti kombëtar shqiptar ishin 3500 banorë apo  72 %, ndërsa sllavë 1361 banorë apo  28 %. Të dhënat e tilla dëshmojnë se popullsia sllave (pas vitit 1880) ka qenë e vendosur kryesisht në zonën urbane, ndërsa në zonën rurale, pjesëmarrja e tyre ka qenë simbolike, ku në tërësi ishin 239 banorë, apo 14.93% nga popullsia e përgjithshme,  përkatësisht në 8 vendbanime rurale.

Kur bëhët fjalë për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin në vitin 1919, theksojmë me këtë rast se ndryshimi homogjen i popullsisë shqiptare në Ulqin është realizuar pas vitit 1880, kur nga presioni i Fuqive të Mëdha, Perandoria Osmane ia dorëzoj Ulqinin Malit të Zi.

Ishte koha e koncepteve hegjemoniste sepse ndryshimi i strukturës  nacionale të shqiptarëve ishte mision shtetëror i Mali të Zi, ku u realizu në praktikë kolonizimi me popullsi sllave. Kështu në sajë të dhënave nga viti 1881 e deri në vitin 1892, në Ulqin janë vendosur  rreth 400 familje sllave. Ndërsa në të njëjtën kohë nga Ulqini kanë emigruar rreth 413 familje ulqinake, duke u vendosur kryesisht në Shkodër e Durrës në Shqipëri. Por, të dhënat për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin dëshmojnë së në  këtë regjion me gjithë angazhimin nga  pushteti i kohës  për  kolonizimin e këtij mjedisi  popullsia shqiptare ishte dominuese..

Vendbanimet

Në sajë të të dhënave të të dhënave të publikuara  del se Ulqinin dhe rrethinën e tij në vitin 1919 e kanë përbërë  17 vendbanime, të cilët ishin: Ulqini, Bratica, Salçi, Krruçi, Pistulli, Kollomza, Zogaj, Shën Gjergji, Qurkaj, Reçi, Shtoji, Sutjela, Gorana, Pelinku, Mali i Brisë, Mozhura e Krytha.

Nga këto të dhëna del se në kuadër të Ulqinit(mendohët rrethinës së tij) del së ishin edhe dy vendbanime të cilët në kohën tonë nuk janë në kuadër të Ulqinit, e ato janë Gorana dhe Pelinku, që janë në kuadër të komunës së Tivarit. Këto dy vendbanime ishin në kuadër të Ulqinit duke marrë si kriter përbërjen kombëtare të popullsisë si dhe raportët shoqërore në të kaluarën. Të dhënat për  vendbanimet  përkatëse  dhe shpërndarjën  e tyre territoriale dëshmon për  zonën  gravituese, e cila edhe pas 100 vitëve pothuaj është identike, me disa ndryshime minimale në aspektin hapësinor.

Familjet

Sipas të dhënave të prezantuara gjithsej ishin  1560 familje ku sipas përkatësisë kombëtare  nga to 1225 familje ishin më përkatësi shqiptare(78.52%) e 335 me përkatësi sllave(21.47%). Ndërsa sipas vendbanimeve më së shumti familje kishin Ulqini me 880 e nga to 650 shqiptare(78.31%) e 230 sllave(26.13%) si qendër i këtij regjoni, ku më pas nga vendbanimet rurale më numër më të madh të familjeve ishin: Shtoji me 121 familje, Gorana 80, Bratica 65, Shën Gjergji 52, Zogaj 52 etj.

Me interes janë të dhënat për madhësinë e familjeve dhe dallimet në këtë aspekt sipas përkatësisë kombëtare. Nga gjithsej 1225 familjeve shqiptare me  popullsi të  përgjithshme me  6530 banorë, del se një familje mesatarisht kishte 5.37 anëtar, ndërsa për familjet sllave mesatarja e tillë ishte prej 4.77 anëtar, ndërsa në nivel regjioni mesatarja e familjeve  ishte 5.25 anëtar, duke dëshmuar se kanë ekzistuar familje të vogla, që për kohën paraqet çështje për hulumtim të veçantë socio-gjeografik.

Objektët e kultit

Në tabelën e prezentuar  jepen të dhëna për objektët e kultit, sipas vendbanimeve përkatëse. Numri më i madh është i objektëve të konfesionit të përkatësisë islame e ato gjithsej ishin 15 xhami, ku nga to  8 ishin  në qytetin e Ulqinit ndërsa  7 në vendbanimet rurale(Krruç, Pistull, Kollomzë, Zogaj, Qurkaj, Goranë e Krythë).

Ndërsa objektit e kultit kristian gjithsej ishin 7 kisha, e to në Ulqin 2 kisha katolike dhe 3 në rrethinë(Shtoj, Braticë e Salç), si dhe 2 kisha ortodokse në Ulqin.

Përfundim

Nga të dhënat e publikuara del së Komiteti i Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit ka prezantuar të dhëna me interes  shoqëror  duke dëshmuar qasje serioze për çështjet  demografike në kohën përkatëse. Ndonëse të dhënat e tilla nuk  janë nga ndonjë regjistrim zyrtar i popullsisë, ata ofrojnë pasqyren reale të kohës më të gjitha informatat e publikuara. Andaj të dhënat e tilla duhet të përdorën si referencë e domosdoshme  kur do të trajtohen  çështjet demografike  për Ulqinin dhe rrethinën e tij, dhe si të tilla duhet të jenë pjesë e diskursit demografik në statistikën e popullsisë në këtë  mjedis.

Ndërsa mbetët  obligim profesional për studiuesit  tanë që të vazhdojnë  hulumtimet në  dokumentacionin arkivor nga Konferenca e Paqës në Paris(1919-1920), me mundësi prezantimi të çështjeve tjera të panjohura deri më tash për Ulqinin në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi.

(Dhjetor 2019)

Filed Under: Histori Tagged With: Diskursi Demografik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT