• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

Amerikanët e Tre shteteve injoruan distancimin social

April 29, 2020 by dgreca

…. për  të shijuar spektaklin fluturues të “Blue Angels” & “Thunderbirds” /

Përgatiti: Dalip Greca/

NYC harroi ditën e djeshme, me 28 prill, distancimin social, ku me qindra qytetarë, gati preknin njëri tjetrin në supe, për t’u mrekulluar me spektaklin e qiellit, ku “Blue Angels “ –Ëngjëjt blu, dhe Thunderbirds ( zogjtë e vetimës) krijuan tablo të mrekullushme në qiell. I gjithë ky spektakël i dedikohej punëtorëve të vijës së parë të frontit të betejës kundër COVID-19.

Fotografitë e marra nga i gjithë rajoni tregojnë turma të mëdha të mbledhura së bashku në parqet ujore dhe vendet në New York dhe New Jersey, me sy nga qeilli për të shijuar e fotografuar pamjet.Zyrtarët lokalë nuk mundën të bënin asgjë për t’i penguar që të mos shkelnin distancat.

Ishte thjesht e vështirë, për t’i penguar që të mos grumbulloheshin, tha kryetari i bashkisë në Weehawken, NJ ,Richard Turner.

Turner komentoi se ai dhe stafi ishte përpjekur që të bënte të pamundurën për të minimizuar pasojat, duke mbyllur rrugë, duke dërguar mesazhe alarmi telefonik për banorët, madje edhe policia u përpoq të bënte detyrën, por asnjëjra nga këto masa nuk funksionuan.

Skena të ngjashme u raportuan në pesë bashkitë, ku qindra qytetarë u mblodhën për të ndjekur spektaklin e fluturimit në kundërshtim me rregullat e distancimit shoqëror të koronavirusit.

  • Unë nuk shqetësohem për këtë grumbullim, është shprehur Arthur Moss, 41 vjeç, i cili po e shijonte shfaqjen me miqtë në Parkun Shtetëror Gantry Plaza në Long Island City. E përbashkëta e turmave: qytetarët harruan distancimin social dhe urdhresat e buvernatorëve e kryebashkiakëve dhe shijuan koncertet e Angels Blue dhe Thunderbirds, që fluturuan mbi New Jersy, New York, Pennsylvania…

              Për ta shijuar spektaklin kishin ardhë edhe nga shtete të tjerë të largët, të cilët kanë qenë edhe në vitet e shkuara pjesë e turmave që i ndjekin këto spektakle të mrekullueshëm.

          I tillë ishte qytetari Moss, cili kishte ardhë nga New Orleans, i cili u tha gazetarëve: Është një ditë e bukur dhe unë po e shijoj. Nuk kam maskë se nuk e dija urdhërin e këtushëm të guvernatorit. Kam ardhë nga New Orleans sepse kam parë gjithmonë spektaklin e Engjëve të Kaltër. Unë jam këtu për të mbështetur njerëzit e vijës së parë. 

Një vendase, që e identifikoi veten si Margaret Ann, tha se ajo provoi të respektonte distancimin shoqëror, por e gjeti gati të pamundur,njerzit shtyheshin pranë njeri tjetrit.

Demonstrimi fluturues 40-minutësh mbi Manhattan, Long Island dhe New Jersy, ishte më shumë se sa një spektakël, ku qytetarët harruan rrezikun prej Koronavirusit.

Avionët u pilotuan rreth George Washington Bridge, që bashkon New Jersy-in me New Yokun, aty rreth mesditës të ditës së Martë, pastaj përshkuan hapsirat mbi Newark(NJ), duke iu drejtuar më pas hapsirave qiellore mbi rrokaqiejtë e Manhattan-it të Poshtëm, Brooklyn dhe Queens. Pas kësaj, ata fluturuan në Long Island Sound, duke u vërtitur në rrethin e Westchester County, para se të fluturonin në drejtim të jugut drejt Pensilvanisë.

Thunderbirds u themeluan në vitin 1953, dhe Engjëjt e Kaltër në 1946, në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore.

28 PRILLI, BETEJA NË SHIFRA

28 Prilli nuk ishte ditë e shifrave të ulta për SHBA. U rrit numri i të vdekurëve me më shumë se 1 mijë krahasuar me një ditë më parë, duke regjistruar 2 mijë e 470 viktima, ndërkohë që të infektuarit e rinj u raportuan 25 mijë e 409, duke e çuar numrin e përgjithshëm 1 milion 35 mijë e 396.Edhe New York-u shënoi rreth 150 viktima më shumë se një ditë më parë me rreth 521 të vdekur, ndërsa numri ditor i të infektuarve për shtetin ishte 2 mijë e 330, duke e çuar numrin e të përgjithshëm, në mbi 300 mijë e 334. New Jersy shënoi shifrën më të lartë të javës së fundit me 398 të vdekur, me 2 mijë e 668 të infektuar të rinj, duke e ngjitur shifrën e përgjithshëm të infektuarëve në 113 mijë e 856 deri mbrëmjen e së martës. Michigani është shteti i tretë me më shumë viktima. Të Martë shënoi 160 të vdekur me numër të përgjitshëm 3 mijë e 567 viktima, Massachusetts kishte 150 të vdekur, me numër të përgjithshëm 3 mijë e 153, Illinoisi shënoi 142 viktima të martën, Pannyslavania 200 viktima, California 86, Florida 83, Lousiana 61, Coonecticuat 77, Mariland 71, Ohio 46, Indiana 60, Viginia 34, Gerogia 31, Washingtoni 21, Colorado 30 etj…

New York 28 Prill 2020

Filed Under: Kronike Tagged With: Zogjte e vetetimes

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.(7)

April 29, 2020 by dgreca

Përsiatje kritike mbi të shkuarën tonë historike/

NGA EUGJEN MERLIKA*/

Ajo klasë politike e luftës së dytë botërore, që historiografia komuniste e emëroi për 70 vjet me rradhë si “bashkëpuntore”, “tradhëtare”, “kundërkombëtare”, me gjithë mangësitë  në fushën e marrëveshjeve mes përbërëseve të saj e veprimit politik të përbashkët, megjithë dështimin në planin kombëtar e vetiak, pak për paaftësi e shumë për një fatalitet ngjarjesh më të mëdha  e më të ndërlikuara se mundësitë e përballimit të tyre, betejën për jetëgjatësinë në kujtesën e kombit e ka fituar. Të gjithë pjestarët e saj, bashkëpuntorë me italianët, me gjermanët, me anglezët, në thelb të synimeve të tyre nuk patën kolltuqet apo  fitimin vetiak, interesat e familjes, të  partisë, të krahinës apo të të huajve. Ata patën si busull vetëm një gjë : interesat e Atdheut, në tërësinë e tij territoriale e në bashkësinë e tij shpirtërore e kulturore. U takoi ky mision në një nga periudhat më të këqia të historisë njerëzore, në atë të një lufte botërore me përmasa të papara, që i vuri para një mundësie të ëndërruar për rreth tridhjetë vjet, atë të ndreqjes së një padrejtësie historike, atë të një bashkimi kombëtar. I u kushtuan me mish e shpirt sendërtimit të kësaj aspirate, prandaj gjykimi mbi ta merr formë vetëm në këtë këndvështrim, siç duhet të jetë vlerësimi në Shqipërinë tonë për këdo që dëshira, fati apo rrethanat e bëjnë të merret me jetën politike.

            Ata ishin të gjithë atdhetarë, me A të madhe, ishin me një formim intelektual të nivelit evropian, me një shtat moral të padiskutueshëm, me një vizion politik të hapur, me koncepte të huazuara nga kultura botërore, me prirjen dhe synimin për t’a ngritur sa më lart nivelin kulturor e jetësor të popullit të tyre. Kanë patur të meta, kanë bërë gabime, është fiziologjike sepse askush nuk mbetet i pagabueshëm, por pasardhësit e tyre në administrimin e Shqipërisë, në të gjitha drejtimet, janë vite drite larg tyre. 

            Dhe ata ishin bashkëpuntorë të gjithë rrymave të komunizmit botëror. Lindën  si parti duke kërkuar ndihmën e jugosllavëve, kur Shqipëria kishte bashkuar në gjirin e saj trevat e grabitura nga ata, u rritën nën tutelën e tyre. Me këshillat e ndërmjetësimet e tyre morën nga anglezët ndihmat gjatë luftës, për t’a fituar atë jo kundër gjermanëve e italianëve, por kundër bashkatdhetarëve të tyre nacionalistë. Si shpërblim për fitoren jugosllavëve i dorëzuan trevat e bashkuara, të shoqëruara me mijra jetë kosovarësh të martirizuar në thertoren serbe, ndërsa anglezëve arrogancën në trajtimin e përfaqësuesve të tyre dhe minat në kanalin e Korfuzit. Erdhën në pushtet, duke tradhëtuar interesin kombëtar, e vendosën në Shqipëri diktaturën më të egër që kishte njohur Vendi e, njëkohësisht, atë më mizoren që provoi Evropa e mbas luftës.    

            Qeverisën për 47 vjet, duke ndërruar miqtë a më mirë të themi padronët, duke u larguar gjthënjë e më shumë nga Evropa, në drejtim të komunizmit aziatik të viteve të urisë, nga jugosllavët te sovjetikët, te kinezët, madje morën titulin e nderit si “zëdhënës të Kinës në Evropë”. Ndenjën nën ombrellën e Titos deri sa ai ishte një ndjekës besnik i Stalinit, por kur ai bëri kthesën e tij historike, duke u shkëputur prej kthetrave të Moskës e duke vështruar nga Evropa, e braktisën atë duke i veshur të gjitha të këqijat që kishin mbjellur në Vendin e tyre. Besnikë deri në vdekje të Stalinit e rrugës së tij të krimeve mbi miljona rusë, aq sa, të vetmit në glob ruajtën në qytetet shqiptare bustet e tij deri më 1990, madje duke nxjerrë edhe një ligj të posaçëm për mbrojtjen e tyre në atë vit, pranuan me zor “qiejtë e hapur” të Hrushovit, për t’u prishur me të, mbas disa vitesh, kur ai i kërkoi Enverit e Mehmetit të lironin karriget në dobi të njerëzve të rinj. U bashkuan me Kinën e Mao Ce Dunit deri sa ky i linte njerëzit të vdisnin nga uria e i çonte për riedukim nëpër komuna, në t’ashtuquajturin “revolucion të madh kultural proletar”, që në Shqipëri e kthyen në vandalizëm kundër besimeve fetare e objekteve të kultit, duke fituar çmimin e madh të Djallit si “i vetmi vend ateist  në botë”, me një kushtetutë që i a kaloi dhe asaj të Stalinit. Filluan t’a kritikojnë ”Timonierin e madh” kur ai filloi të luajë ping pong me amerikanët, e mbas një flirtimi me bandën e të shoqes i prishën marrëdhëniet edhe me Kinën kur Ten Hsiao Pini filloi t’i bindë shokët e tij se ashtu nuk shkohej përpara. Atëherë shpikën teorinë e t’ushqyerit me bar e, mbasi i kishin vrarë të gjithë shokët e vjetër të luftës, vdekjes së komandantit i u përgjigjën me kurorëzimin e të vetmit “shok armësh” që kish mbetur gjallë, Urjah Hipit të komunizmit shqiptar, Ramiz Alisë. Ky, simbas historianëve pati meritën se solli demokracinë, dy vjet mbasi kishte rënë Muri i Berlinit. Kjo qe me pak fjalë rruga e jashtëme e socializmit të Enver Hoxhës.

            Ecuria e mbrendëshme është një lumë gjaku që, në pak vite, i hoqi Shqipërisë të gjithë klasën e saj intelektuale, duke filluar nga martirët e Kishës katolike e të besimeve të tjera, tek të gjithë eksponentët politikë antikomunistë e nacionalistë, madje dhe ata që në mënyrë paradoksale i kishin besuar “idealit të çlirimit nga pushtuesit”. Krahas këtyre mijra viktimave lufta e pushtetit të popullit filloi sistematike kundër grave e fëmijëve e pleqve, familjarë të “armiqve”, që fabrikoheshin në vazhdimësi, një luftë që vazhdoi deri në vitin 1991, kur njerëz të detyruar të paraqiten gjithë jetën dy herë në ditë para policit, u lejuan të gjejnë strehim në vende të tjera. Ndërkohë burgjet ishin gjithmonë plot, neni 55 ishte bërë emblema e besnikërisë ndaj regjimit për policë, gjyqtarë, sigurimas, spiunë e funksionarë partie, duke mbushur me forca gjithënjë e më të reja, kampet e punës së detyruar nëntokë e mbi tokë.

            Duke shënuar si të vetmet gjëra pozitive përhapjen e arsimit deri në skajet më të largëta, arsimin tetëvjeçar të detyruar, dhe ndihmën mjekësore të shtrirë dhe në fshatra, nuk mund të le pa përmendur varfërimin skajor të fshatarësisë së kolektivizuar dhe racionimin e ushqimeve, si në kohë lufte, për dhjetëvjeçarë me rradhë. Sa i përket zhvillimit industrial, kaq shumë të trumbetuar nga propaganda e regjimit, ishte i tëri një bllëf i madh. Fabrikat e uzinat ishin me një teknologji të fillimit të shekullit, bujqësia angazhonte 60% të fuqisë puntore të Vendit dhe “mbrojtja” hante në tunele e bunkere shifra të pallogaritëshme të buxhetit të shtetit. Pra në tërësi ishte një sistem krejtësisht i dështuar që mbahej në këmbë vetëm me forcën e terrorit.

            Këtë sistem, krejtësisht mbrapambetës për Shqipërinë, e njerëzit që e krijuan dhe e drejtuan për gati një gjysëm shekulli, duke e kthyer Vendin në simbolin më shprehës të diktaturës, të mbrapambetjes e të varfërisë, historianët tanë ka 80 vjet e këndej që vazhdojnë t’a paraqesin si prodhues të mirëqënies e  të përparimit.  Simbas tyre, ka patur ndonjë teprim në “luftën e klasave”, por dhe ato justifikoheshin me “rreziqet” që kalonte gjithmonë revolucioni. Vazhdon hymnizimi i “Luftës N.-Çl.” dhe i udhëheqësve të saj, që e vunë Vendin “në anën e fituesve”. Krahas kësaj paraqitjeje vazhdon nxirja e pjesës më të madhe të personaliteteve nacionaliste, të cilëve kjo historiografi nuk i njeh asnjë meritë.

            Ka ardhur koha, madje jemi shumë të vonuar, që në kujtesën historike të vihen në vend të vërtetat e të paditen me forcë mashtrimet dhe autorët e tyre. E vërteta është që nacionalistët shqiptarë i kanë shërbyer interesave të Shqipërisë, në kohë dhe rrethana shumë të vështira e Atdheu i tyre duhet t’i jetë mirënjohës e t’i japë vëndin që u takon në Panteonin e vlerave të Kombit. Kjo duhet të bëhet, në rradhë të parë, duke i mësuar fëmijëve historinë e vërtetë, jo me tekstet e morisë së historianëve të regjimit që ende sot mëtojnë të kenë monopolin e së vërtetës, por që në fakt zotërojnë të kundërtën, atë të mashtrimit. Së dyti, Shteti demokratik dhe organet vendore duhet të venë dorë mbi simbolikën e qyteteve, mbi emrat e rrugëve e të veprave sociale e kulturore, duke ndërhyrë në ndryshimin e tyre në dobi të pohimit të vlerave kombëtare. Nuk e di se sa politika është e prirur të veprojë në këtë drejtim, por mendoj se është një detyrë që e shkuara jonë na e shtron me forcë e, nëse duam t’i mbushim mëndjen vetes se po ndërtojmë një demokraci, duhet pa tjetër të vendosim raportin e drejtë mes së vërtetës historike dhe paraqitjes së saj. E, së fundi, uroj që studimi i historisë së Vendit tonë, sidomos i shekullit të fundit, të jetë vepër e studjuesve të rinj, të paindoktrinuar dhe objektivë e pa pasione politike.

            Historia jonë është ajo e një toke “të fshikulluar nga përndjekjet”. Ndoshta ky është përkufizimi më i saktë e më domethënës i fatit tonë historik. Nuk është përcaktimi i ftohtë i një historiani, që nuk bën kurrë bilance dhimbjesh njerëzore, por i një Shenjti, për të cilin ajo mbetet gjithmonë prova e madhe e kësaj jete. Shenjti Vojtila qe njëri nga ne, që në shekullin simbol të dhunës së ideologjive, provoi në vetë të parë përndjekjen. Të vetmen herë që erdhi mes nesh u ul në gjunjë dhe puthi tokën tonë. Ndoshta me atë veprim deshi të qetësojë sado pak rënkimin e brëndshëm të saj.

            Historiani Gibbon, një nga monumentet e fushës së historisë, na ka quajtur “një popull që ka mbrojtur gjithmonë çështjen e humbur”. Nuk është një vlerësim bujar ky i historianit anglez, e nuk di se sa argumenta mund të kemi për të provuar të kundërtën. Sigurisht bustet e Stalinit në sheshet tona deri në vitin 1990 e bunkerët e mbjellë me shumicë në tokën tonë nuk na ndihmojnë n’atë drejtim. Por ndërmjet shprehjes dashamirëse të Papës Vojtila dhe gjykimit të ftohtë të historianit, ndoshta gjëndet e vërteta.

            Lidhur me të duhet të ndalemi para një date me këto shifra : 29 /11/ 1944. Kjo datë në udhëtimin përfytyrues shëmbëllen me një prag humnere si ai, në hyrje të të cilit, thotë i madhi Dante, ishte shkruar me gërma të mëdha : lini çdo shpresë o ju që hyni! Data, në vetvete, përkon me ikjen e ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria e, normalisht, duhet të ishte një ditë e gëzuar,mbasi askush nuk ka dëshirë të shohë uniformat e huaja ushtarake në tokën e tij. Por për ne qe si porta e Ferrit të Dantes. Fitorja mbi fashizmin qe, për popujt e Evropës Lindore, fitorja e robërisë komuniste. Këtë të vërtetë, të mbajtur në kasafortë për më shumë se gjysëm shekulli, do t’a pohonte me zë të lartë një qiraxhi i Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Xhorxh Bush. Ne vazhdojmë ende t’a ruajmë në kasafortë, si ditë “çlirimi” edhe se qe një ditë pushtimi më e keqe se 7 prilli, edhe se qe fitorja e krimit, e padijes, e mashtrimit, e dhunës, e pandershmërisë. Absurditeti më i madh qëndron në faktin se ende sot, mbas 80 vitesh, kur të gjitha këto dhunti të saj i kemi shijuar në tre breza, me pasoja tragjike e të pamatëshme, ata që e sollën atë ditë quhen atdhetarët më të mirë, paçka se mbaruan të gjithë duke vrarë njëri tjetrin, e ata që bënë çmos që ajo ditë të mos vinte quhen ende “armiqtë” e Shqipërisë. Se ku qëndron baza edhe më elementare logjike e këtij arsyetimi nuk kuptohet, ndoshta në thënien e Gibbonit, kësaj rradhe të shtrirë edhe në mendimin, ndoshta në errësirën që, ende, nuk lejon gjykimin e kthjelltë.    

(FUND)

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika, Nacionalizmi 7

VDEKJET NGA KOVIDI, GJITHË GËNJESHTRAT N’EVROPË. JA TË DHËNAT E VËRTETA

April 29, 2020 by dgreca

Nga MILENA GABANELLI  dhe SIMONA RAVIZZA/

Përktheu nga “Corriere della Sera”, 28 prill 2020 – Eugjen Merlika /

Çdo ditë të gjithë Vëndet e Evropës (e jo vetëm) njoftojnë gazetat zyrtare me infektimet e vdekjet. Por, në veçanti mbi numurin e vdekjeve sa janë të besueshëm Italia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Suedia, Zvicra dhe Vëndet e Ulta? Për Gjermaninë dhe Belgjikën nuk është e mundur të dihet, sepse nuk njoftojnë ende të dhënat e nevojshme për t’a zbuluar. Në bazë të statistikave zyrtare, sot Italia është Vendi evropian më i goditur mbas Spanjës. Bilanci dramatik i viktimave, tashmë rreth 27 mijë, është në të vërtetë më i lartë. Për të kuptuar dëmin e vërtetë të virusit mbi Vendin tonë, në krahasim me pjesën tjetër t’Evropës duhet ditur kush thotë të vërtetën dhe sa është reduktuar numëri i vdekjeve. Të dhënat mbi të vdekurit nga Covid – 19, që na njoftohen çdo ditë, bëjnë fjalë për vetëm ata pacientë që kanë një diagnozë të përcaktuar me siguri nëpërmjet tamponit, pra janë më të ulta në krahasim me të vërtetën. E njëjta gjë ndodh edhe në Vendet e tjera evropiane të marrë në shqyrtim. Një përpunim i Institurit për studimin e Politikës ndërkombëtare (Ispi) mbi të vdekurit e regjistruar nga Institutet përkatëse të statistikave kombëtare, që Dataroom shqyrton më parë, na lejon të krahasojmë Vend për Vend, numërin e të vdekurve të këtij viti me atë të viteve të shkuara. Ndryshimi duhet t’i përkasë të vdekurve me Covid-9, por simbas të dhënave të njoftuara gjatë muajve të epidemisë ka një ndryshim të madh. Çfarë do të thotë? Që janë të vdekurit e paregjistruar, pra pacientë që e kanë takuar sëmundjen, por të cilëve nuk u është bërë tamponi dhe ata që kanë ndërruar jetë për pasojat anësore të koronavirusit: nga pacientët me infarkt, iktus, aneurizma, ose të tjera patologji, të pavizituar e të pandihmuar në kohë për shkak të spitaleve plot. Mbasi të jetë përcaktuar ku numër mund të dihet se cilët Vende kanë gënjyer më shumë në njoftimet dhe cilët kanë treguesin më të lartë të vdekësisë për një milion banorë.

Përballja me vitet e mëparëshme

Periudha e marrë në shqyrtim ndërmjet një vendi apo një tjetri, mund të luhatet me ndonjë ditë, por në bazë të përditësimit që secili bën,  gjithmonë analizohen të dhënat e të vdekurve të regjistruara nga Institutet e statistikave kombëtare ndërmjet marsit e prillit 2020, të krahasuara me mesataren e katër viteve të fundit (2015 – 2019). Për të patur një përballje të besueshme, natyrisht nuk mund të krahasohen të dhënat e minutit të fundit. Të harrojmë për një çast gazetat zyrtare e të shohim të vdekurit  e regjistruar nga zyrat e gjendjeve civile. Spanja numëron 68.056 të vdekur kundrejt 39.981 të së njëjtës periudhë të viteve të mëparëshme. Është Vendi në të cilin rritja është më e madhe: 70 % më shumë. Hollanda shënon 50 % më shumë (22.352 kundrejt 14.895). Vazhdon Italia me 78.757 vdekje më 4 prill kundrejt 57.882. Të dhënat e njohura të Institutit të statistikave na thonë se shtimi mesatar në nivelin italian është 36 % (e dijmë mirë se më e goditura është Lombardia me shtesë që arrin deri në dhjetëfish në komunat e zonës së Bergamos). Edhe Mretëria e Bashkuar regjistron 36 % më shumë (63.842 kundrejt 46.877). Pastaj Zvicra me 25 % më shumë, Franca e Suedia me 20 % më shumë. 

Viktima reale dhe vdekje të njoftuara

Kjo shtesë vdekjesh, në gjuhën e statistkës përcaktohet si “tejkalim vdekësie”. Për të bërë një hap më përpara duhet të gjejmë ndryshimin sasior ndërmjet viktimave më shumë që numërohen këtë vit dhe të vdekurit që na njoftohen çdo ditë nga Mbrojtja qytetare dhe autoritetet e Vendeve të tjera. Përballja nxjerr në pah një numër: atë të viktimave të papërfshira nga buletinet Covid-19, ose më mirë nënvlerësimi. Në majë të renditjes është në terma absolutë Britania e Madhe (8.184 më pak), pastaj Spanja (7.326 më pak), Italia (5.547 më pak), Hollanda (3.797 më pak), Franca (3.679 më pak), Zvicra (339 më pak) dhe Suedia (298). Vë re studjuesi i Ispi-t Matteo Villa: “Kështu kuptojmë akoma më mirë se çfarë mungon për një përparim më sistematik drejt Fazës 2: t’arrijmë të ruajmë gjurmët e njerëzve të vdekur është shumë e rëndësishme për të kuptuar si po vazhdon realisht epidemia në secilin Vend”

Mungesa e llogaritjes së vdekjeve të Covid-19

Është e natyrshme që jo të gjitha vdekjet në tejkalim mund të quhen me siguri të shkaktuar nga Covid-19. Por numëri është treguesi më i besueshëm që mund të kemi  mbi përqindjen e vërtetë të ndikimit t’epidemisë mbi popullsinë, t’ashtuquajturave “pasoja anësore”, që përfshijnë pikërisht vdekjet jo nga koronavirusi, por të pacientëve që nuk kanë arritur të kuroheshin më së miri, për arsye të çastit në të cilin spitalet ishin të përlara nga të sëmurët me Covid-19. Këtu marrim në shqyrtim ndryshimin ndërmjet vdekjeve reale dhe atyre të njoftuara jo më në terma absolutë, por në përqindje. Del në dritë renditja e Vendeve me buletinet më pak të besueshme. Mos llogaritja më e madhe është e Hollandës (104 %), mbas saj Mbretëria e Bashkuar (93 %), Franca (41 %), Italia (36 %), Suedia dhe Spanja (35 %) dhe Zvicra (34 %). “Nuk është e vërtetë që Italia nuk llogarit vdekjet shumë më tepër se Vëndet e tjera evropiane – nënvizon Villa – Përkundrazi është e habitëshme të vërtetohet se janë pak a shumë të gjithë në të njëjtën vijë ndërmjet 30 e 40 %, veç Hollandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që janë shumë larg nga të tjerët”. Në përgjithësi e vërteta është që të dhënat e njoftuara janë të nënvlerësuara për 49 %. Shkurt i mungon thirrjes një viktimë në tre.

Ndikimi mbi popullsinë

Të dhënat reale – ose të vdekurit më shumë në krahasim me vitet e shkuara – na lejojnë të dijmë se cili është Vendi evropian me të vërtetë i goditur më shumë për një milion banorë. Spanja 663 vdekje, Italia 586, Mbretëria e Bashkuar 554, Hollanda 524, Franca 482, Suedia 295, Zvicra 246. “Kjo renditje është shumë më realiste se ajo që do të kishim duke përdorur vetëm numërat e njoftuara” përsiat Villa.

Çështja Belgjikë

Belgjika është një rast në vete, madje pothuajse i panjohur. Nuk është e mundur të llogaritet numëri real i të vdekurve të shkaktuar nga pandemia, sepse nuk është përditësuar regjistri me numërin e përgjithshëm të vdekjeve në mars e prill. Por qeveria belge thotë se është më e tejpamëshme në krahasim me pjesën tjetër t’Evropës sepse, brënda 7200 të vdekur Covid të njoftuara, fut edhe sintomatikët e patestuar dhe vdekjet e dyshimta në shtëpitë e pushimit, ku po kryhet një plojë e heshtur. Pothuajse 50 % e të vdekurve. Edhe po t’a marrim këtë numër për të mirë, mbeten jashtë llogarisë gjithë të tjerët. Në fakt edhe po të merret për bazë e vetmja e dhënë e njohur, mesatarja e vdekjeve të viteve 2009 – 2018, mund të shihet për shembull se nga data 7 deri në 13 prill numëri i të vdekurve nga Covid-19 kalon atë të gjithë shkaqeve të tjera të marra së bashku.

Nëse duam t’i përmbahemi buletineve zyrtare të komunikuar nga gjthë Vendet, Belgjika sot  ka numërin më të lartë të vdekjeve të gjithë kontinentit (ndoshta edhe të botës): 597 për një milion banorë, kundrejt 480 të Spanjës e 430 të Italisë. Një e dhënë rrënuese nëse mbahet parasysh që nuk është vetëm një Vend i vogël i Bashkimit (11 milion banorë), por përfaqëson vetë zemrën e Evropës. Brukseli është selia e Parlamentit dhe e Komisionit evropian dhe rinisja fillon edhe që aty. Megjithatë mbi mbarështimin e pandemisë është edhe Vendi mbi të cilin ka më pak njohuri.

Përktheu nga “Corriere della Sera”, 28 prill 2020 – Eugjen Merlika /

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

MODELI SUEDEZ NË LUFTËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SUEDI

April 29, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Florenc Drizarit, gazetar në Stockholm, Suedi, dhënë gazetarit Sokol Paja. /

Suedia ishte i vetmi shtet europian që ndoqi një rrugë ndryshe nga shumë shtete të tjera në Evropë dhe në botë duke i thënë jo masave të forta shtrënguese për sa i përket kufizimit të lëvizjes së njerëzve, bllokimit të kufinjve, apo mbylljes së shumë bizneseve, shkollave, kopshteve etj. Ndër masat që shteti suedez mori për të menaxhuar problematikat e Covid-19 ishin: mbështetje të bizneseve dhe personave që humbën vendet e punës, u ndalua grumbullimi i më  shumë se 50 persona në një vend të caktuar, u ndaluan vizitat në shtëpitë e të moshuarve, mediat u mbështetën me një paketë ekonomike të posaçme, higjienë personale e lartë, distancim fizik i detyruar, shmangie e udhëtimeve të panevojshme, mbështetje financiare ndaj komunave për sigurimin e rreth 20 mijë vende pune sezonale për të rinjtë etj. Shqiptarët në Suedi nuk janë në grupin e më të prekurve nga koronavirusi. Suedia është një vend që ofron informacion të detajuar rreth krizës në disa gjuhë të huaja, megjithëse shqipja ende nuk është një ndër to. Po ashtu Shqipëria nuk është në listën e vendeve që qeveria suedeze nuk rekomandon të udhëtosh, paçka se Shqipëria vetë i ka mbyllur kufinjtë e saj.

Z.Drizari si po trajtohet situata e koronavirusit në Suedi?

Situata është serioze por jo në atë nivel sa të ketë vend për panik. Ekspertët vazhdojnë të japin rekomandimet e tyre dhe nga ana tjetër qeveria i mbështet me vendimet e saj. Autoritetet këtu po menaxhojnë situatën duke u përpjekur të kufizojnë përhapjen e virusit COVID-19, duke mbrojtur grupet që janë në risk si të moshuarit, të sëmurët kronikë etj. Numri i testimeve në vend është rritur dhe aktualisht ndodhen më pak persona nën kujdes intensiv në spitale krahasuar me ditët e mëparshme. Në momentin që po flasim 2355 persona kanë humbur jetën si pasojë e prekjes nga koronavirusi. Pjesa më e madhe e tyre, pra rreth 65 për qind janë të moshës mbi 85 vjeç. Sipas epidemiologut të shtetit, Anders Tegnell, numri i vdekjeve nga koronavirusi ka ardhur në rënie. Ndërsa rajoni më i prekur në Suedi është Stockholmi. Mediat lokale raportojnë se rreth 30 për qind e banorëve të Stockholmit pritet të jenë prekur nga koronavirusi në fillim të muajit maj, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre mund ta kanë kaluar virusin pa pasur simptoma të dukshme. Kjo tregon se kryeqyteti pritet ta arrijë i pari të ashtuquajturin ”imunitet i tufës”. Por një gjë që duhet theksuar sipas ekspertëve është se ndryshe nga sa flitet dhe shkruhet sot në shumë media të ndryshme të botës,” imuniteti i tufës” nuk është qëllimi në vetvete i Suedisë, por është pasojë e përhapjes së virusit. Duhet thënë se Suedia ka një sistem të mirë shëndetësor dhe autoritetet kanë në kontroll përballimin e fluksit të të prekurve në spitale. 

Çfarë masash ka marrë shteti suedez në betejën me Covid-19?

Ashtu siç dihet Suedia ndoqi një rrugë ndryshe nga shumë shtete të tjera në Evropë dhe në botë duke i thënë jo masave të forta shtrenguese për sa i përket kufizimit të lëvizjes së njerëzve, bllokimit të kufinjve, apo mbylljes së shumë bizneseve etj. Një nga vendimet e para këtu ishte informimi i popullsisë mbi rreziqet e pandemisë. Më pas ndoqën një sërë masazh në mbështetje të bizneseve dhe personave që humbën vendet e punës. U ndalua grumbullimi i më  shumë se 50 persona në një vend të caktuar dhe në fillim të muajit prill, u ndaluan vizitat në shtëpitë e të moshuarve, universitetet dhe gjimnazet vazhduan mësimin on linë, ndërsa kopshtet dhe çerdhet ishin të hapura çdo ditë. Përveç masave të marra për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbështetjen e ekonomisë, është miratuar edhe një paketë që mbështet mediat. Gjithashtu është bërë thirrje vazhdimisht që të ndiqen rekomandimet e ekspertëve të Insitutit të Shëndetit Publik për rregullat e higjenës, distancimit fizik dhe shmangien e udhëtimeve të panevojshme. Një ndër masat e fundit që është marrë nga qeveria është rritja e mbështetjes financiare ndaj komunave për sigurimin e rreth 20 mijë vende pune sezonale për të rinjtë. 

Si paraqitet situata e shtetasve shqiptarë në Suedi?

Është vështirë të flasës për të dhëna zyrtare tani se sa shqiptarë janë prekur me COVID-19 dhe sigurisht që ato do të vijnë në kohën e duhur. Por shqiptarët duket se nuk janë në grupin e më të prekurve nga koronavirusi. Suedia është një vend që ofron informacion të detajuar rreth krizës në disa gjuhë të huaja, megjithëse shqipja ende nuk është një ndër to. Po ashtu Shqipëria nuk është në listën e vendeve që qeveria suedeze nuk rekomandon të udhëtosh, paçka se Shqipëria vetë i ka mbyllur kufinjtë e saj. Nga kontaktet që kam këtu dhe nga rrethi shoqëror asnjë nuk e ka humbur vendin e punës si pasojë e gjendjes së krijuar nga koronavirusi. Disa prej të njohurve kanë zgjedhur të punojnë nga shtëpitë e tyre dhe pjesa më e madhe vazhdon punën normalisht. Gjithashtu ka raste të personave që kanë ardhur për të vizituar të afërmit të tyre në Suedi dhe janë bllokuar nga anullimi i fluturimeve dhe mbyllja e kufinjve në shumë vende të Evropës. Por nga një marrëveshje midis dy vendeve në muajin mars qeveria suedeze u ka dhënë mundësinë atyre shqiptarëve që janë prekur nga kjo situatë të zgjasin afatet e tyre të qëndrimit duke aplikuar para skadimit të afatit 90 ditor. Por dua të theksoj se kjo është një situatë që nuk ka prekur vetëm shqiptarët. Një koleg suedez para disa ditësh më tregoi se anuloi pronotimin e tij për të vizituar Shqipërinë për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19. Pra, në kohën që ende nuk kemi shifra zyrtare se sa është numri i këtyre anulimeve ndërkohë që numri i turistëve thuhet se ka ardhur në rritje nga viti në vit, vetëm mund të hamendësojnë për pasojat ekonomike në Shqipëri në muajt e ardhshëm, sepse dihet që turizmi është një degë shumë e rëndësishme e ekonomisë atje. 

Çfarë mesazhi keni për bashkatdhetarët dhe lexuesit e Diellit në SHBA?

Situata është e ndryshme në vende të ndryshme dhe për këtë nuk jam i sigurt nëse aty do të shkonte më mirë modeli suedez apo jo, kjo edhe për faktin se çdo shtet përpiqet të bëjë më të mirën për qytetarët e tij dhe nga një vend në tjetrin ndryshojnë shumë gjëra. Por të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale, të dëgjojnë ekspertët. Të tregohen të përgjegjshëm duke parandaluar përhapjen e virusit tek të afërm dhe persona të tjerë dhe të besojnë se kjo pandemi do të kalojë shpejt. 

Filed Under: Interviste Tagged With: FLORENC DRIZARI

MAHNITJA – BURIM I NJOHJES

April 29, 2020 by dgreca

“Vetëm përmes mahnitjes e mbërrijmë njohjen” – Shën Gregori nga Nisa/

Shkruan: Don Robert Kola/*

Mahnitja syth i misterit /

Mahnitja është sythi i hapur përmes të cilës njeriu përshkohet nga misteri i jetës. Qenësia e njeriut shquhet nga misteri i jetës. Jeta dhe mahnitja janë dy gjinjtë që mbajnë ekzistencën e njeriut. Nga thellësia e mahnitjes, thellohet dhe thellësia e ekzistencës. Jeta e njeriut nuk do të “dergjet për mungesë të së mahnitshmes, por për mungesë të mahnitjes së njeriut.”[1]

Mahnitja është “trajtë thelbësore e njeriut.”[2] Sikur e bukura që është thelbësore për artin, poezia për poetin, kënga për këngëtarin, ngjyra për piktorin, aroma për nuhatjen, drita për shikimin, ashtu dhe mahnitja është trajtë thelbësore e njeriut. Mahnitja ngjiz intuitën që si ag shpërthyes shkrep rrezet e njohjes së kuptimit të fshehtë të krijesës që e takojmë. “Të vësh re praninë e gjërave është veprimi i parë dhe themelor i njeriut që njeh, nga kjo lind kureshtja, lindin pyetjet dhe dëshira për gjurmim. Kjo, ndoshta, në fund të fundit, e shtyn çdo shkencëtar t’i mbajë sytë e hapur dhe të ngulur si një fëmijë në njëmendësinë e gjërave. Ekzistenca e gjërave është objekt i njohjes e jo i paraqitjes. (…) Kjo mahnitje ndaj ekzistencës është kushti për një takim të njëmendtë me gjërat dhe hap mundësinë e njohjes. (…)Të mahniturit nuk ndalet, as në një ndjesi estetike, as nuk ngushtohet në një kureshtje të çastit, por është një proces që ndez dëshirën për të hyrë në raport me botën dhe përcjell (mahnitja) çdo hap dhe çdo hap i kërkimit është si një fillim.”[3] Mahnitja, pra, është “prelud i njohjes”[4] dhe mbahet si: “semen scientiae.”

Mahnitja njeriun e lartëson drejt takimit personal me tjetrin dhe me gjërat që e rrethojnë dhe hap rrugën kah shtigjet e dritës së njohjes personale. “I nxitur nga dëshira për të zbuluar të vërtetën përfundimtare të ekzistencës, njeriu kërkon të përvetësojë njohjet e përgjithshme të cilat bëjnë të mundur të njohurit më të thellë për të arritur njëmendësinë e vetës së tij. Njohjet bazore burojnë nga mahnitjet që shpërthejnë tek ai përmes kundrimit të krijesës: qenia njerëzore është e përshkuar nga mahnitja kur zbulon së është i vendosur në botë, në relacion me të tjerët të ngjashëm me të cilët e ndan të njëjtin fat. Nga këtu nis dhe udhëtimi që do ta bartë drejt zbulimit të horizonteve të njohjes vijimisht të reja. Pa mahnitjen njeriu do mbetej në rrethin e përsëritjes, dhe pak nga pak, do bëhej i pa aftë për një ekzistencë vërtet personale.”[5]

Ajo që e takojmë më së pari për rreth nesh dhe brenda nesh është të qenit. Të hetuarit e pranisë së qenies është hapi i parë i magjepsjes ndaj asaj që është. “Mirëpo çka është një qenie? Nuk duhet shkuar shumë larg: janë këto lule mbi tavolinën time, zhurma atje në rrugë, ajo fytyrë e tendosur dhe e vuajtur e takuar çaste me parë, mendimi që më përfshin, pra, ajo që merr pikërisht qenien për atë që është. Vështirësia për të menduar të qenit, të shpie tek veprim i rrokjes të asaj që është. Asnjë paraqitje nuk mund ta shtrëngojë shpirtin dhe asnjë argument nuk shpie tek ajo dhe i gjithë kuvendimi rreth qenies nuk mund të pretendojë asgjë, pos për të tërhequr mënyrën e ‘shikimit’ dhe ‘takimit’.”[6]

Mahnitja është “intuitë që heton denjësinë e çdo gjëjë.”[7] Ajo përkryen dhe përmbush thelbin e të qenit. “Asnjë takim – me një person apo më ndonjë gjë – që hasim përgjatë jetës sonë, s’është pa një kuptim të fshehtë. Njerëzit me të cilët jetojmë apo i takojmë në çdo çast, shtazët që na ndihmojnë në punën tonë, tokën që e kultivojmë, frytet e natyrës që i vjelim, veglat me të cilat shërbehemi, të gjitha përmbajnë një thelb shpirtëror që ka nevojë për ne për të arritur trajtën e tyre të përkryer, përmbushjen e tyre. Nëse nuk e mbajmë parasysh këtë thelb shpirtëror që përshkon udhëtimin tonë, nëse errësohet relacioni i njëmendtë me qeniet dhe gjërat në jetën e të cilave jemi të thirrur të marrim pjesë, ashtu siç marrin pjesë dhe ato në jetën tonë – të kujtojmë vetëm qëllimet e përcaktuara që i presim, atëherë neve na rrëshqet dore ekzistenca e njëmendtë dhe e përkryer. Kultura me e lartë e shpirtit mbetet krejtësisht e thatë dhe shterpe, po që se nga këto takime të thjeshta, nuk u jepet ajo çka u përket, nëse nuk buron ditë pas dite, një gurgullimë e jetës që e ujit thelbin e shpirtit të tyre; edhe pushteti më i madhërishëm mbetet në thelbin e tij i plogësht, nëse nuk gjendet në besëlidhjen e fshehur të këtyre takimeve – të përvuajtura e me plot dashuri me qeniet që janë larg nesh dhe jashtë nesh, por që janë njëkohësisht aq të afërta me ne.”[8]

Bota e relacionit përbëhet nga tri sfera. “E para, është jeta me natyrën, në të cilën relacioni ndalet në pragun e fjalës. E dyta, është jeta me njerëzit, ku relacioni bëhet fjalë. E treta, është jeta me qenësinë shpirtërore, ku relacioni është i ndërsjellë dhe është krijues i fjalës. Në çdo sferë, në çdo akt të relacionit, përmes çdo gjëje që na rrethon, hedhim një shikim kah ana e Tij e amshuar; në secilën marrim frymën, në secilën ti apelohet në Ti të amshuar, përmes secilës sferë sipas mënyrave të caktuara të tyre. Të gjitha sferat janë të përfshira në të, ai nuk përfshihet në asnjërën. Në secilën shkëlqen ajo prani e vetme. Nga kjo prani ne mund të rrëmbehemi. Mund të rrëmbehemi nga jeta përmes natyrës, botës ‘fizike’, të konsistencës; nga jeta me njerëzit, botës ‘psikike’, të ndjesisë; nga jeta me qenësinë shpirtërore, të botës ‘noetike’, të vlefshmërisë, dhe kështu mund të përshkohet tejdukshmëria dhe kuptimi i tyre.

Secila nga këto sfera mund të bëhet dhe bëhet e rëndësishme, apo të mbesin dhe të pa shndritura, pa marrë parasysh si do t’i quajmë ato, edhe nëse i emërtojmë me emra të shkëlqyer, si kozmos, eros dhe logos. Në të vërtetë, për njeriun kozmosi qëndron, nëse gjithësia bëhet shtëpia e tij, një vatër e shenjtë, ku kryen flitë e kushtimit; për njeriun qëndron erosi, vetëm nëse për të qenia bëhet ikonë e amshimit dhe bashkimi me qeniet e tjera një zbulesë; për njeriun qëndron logosi, vetëm nëse apelon në mister duke vepruar dhe duke e shërbyer shpirtin. Kërkimi i heshtjes që lyp trajta, gjuha dashamirëse e njeriut, shpallja e heshtur e krijesës: të gjitha janë dyer që na udhëheqin kah Prania e fjalës. Mirëpo, kur vjen koha të ndodhë takimi i përsosur, dyert bashkohen në një derë të vetme të jetës reale dhe nuk dihet se nga cila derë ke hyrë brenda.”[9]

Mahnitja shfaq vallen e mistershme të krijesës dhe mban të hapur qenien tonë për të hetuar dhe takuar trajtat rrëmbyese të saj. Misteri që e rrethon krijesën është sa i çuditshëm, po aq dhe i madhërishëm. Prania e qenies e lartëson njeriun të gjurmojë aktin e trajtës së saj, që mbetët një thellësi e pashqyrtueshme dhe e pambarueshme. “Kam në dorë një lule të thjeshtë, diçka tmerrësisht të ndërlikuar: vallen e miliarda miliardësh atomesh (numri i të cilëve kalon numrin e të gjitha qenieve të mundshme që ka ky planet, kalon numrin e kokrrizave të rërës të të gjitha plazheve), atome që dridhen, lëkunden përreth ekuilibrash të paqëndrueshme. Duke e shikuar këtë lule them me vete: a ekziston në gjithësinë tonë diçka e ngjashme me atë që filozofët e lashtësisë quanin ‘forma,’ ose disa tipa ekuilibri që marrin parasysh faktin që objektet të jenë ato që janë, përderisa janë ashtu dhe jo ndryshe. Po asnjëri nga elementet që përbëjnë një atom, asgjë nga ato që dimë nga grimcat elementare, nuk mund të na shpjegojnë përse dhe qysh ekzistojnë këto ekuilibra. Këto të fundit varen nga një shkak që nuk më duket se i përket, në vështrim të ngushtë, gjithësisë sonë fizike.”[10]

Misteri që e rrethon qenien mund të mohohet e të mos përfshihet, por nuk mund të fshehët thelbi i mistershëm që e përshkon qenien. Qenia është e përshkuar me mister. Të thellosh misterin e mahnitjes, do të thotë të njohësh dhe të pranosh aktin e krijimit. “Shoh misterin, kur shoh krijesën.”[11] Prania e misterit të krijesës shfaq trajtat e mahnitshme të saj para nesh. “Duke përdorur fjalën mister, nuk kemi për qellim të veçojmë ndonjë cilësi ezoterike që mund t’i zbulohet vetëm fillestarëve, por misterin përmbajtjesor që e përshkon qenien si të tillë dhe natyrën e saj si krijesë të bërë nga asgjëja përmes krijimit hyjnor, atë që e tejkalon çdo përvetësim njerëzor. Nuk ia dalim misterit vetëm kur arrijmë në kulmin e refleksionit, apo në të hetuarit e ndonjë gjëje të jashtëzakonshme, por në të hetuarit e papritur të asaj që ekziston: qenia, universi, rrjedha e kohës. Këtë e hasim kudo, në një kokrrizë të pluhurit, në një atom apo në hapësirën yjore. Çdo gjë përmban në vete një fshehtësi të madhe: mbase është gjendje e paevitueshme e çdo krijese të jetë e përfshirë në misterin e pambarueshëm. Mund të vazhdojmë të mohojmë misterin, por nuk mund të shmanget as të ikët prej tij.”[12]

Mahnitja akt i shikimit

Mahnitja ndaj misterit të krijesës e tërheq shikimin tonë drejt aktit hyjnor, i cili e shfaq krijesën në dritën e saj të pambarueshme dhe asnjë përfytyrim ndaj krijesës nuk mund të ngrihet saktë pa këtë dritë dhe nuk arrin të përshkojë pamjen e saj magjepse që fal akti i krijimit.

Ajo që shquan mendësinë biblike rreth mahnitjes është pikërisht krijesa. Sipas mendësisë biblike mahnitja: “nuk merret aq me qenien si qenie, por me qenien si krijesë.”[13] E mahnitshmja në kuptimin biblik “është mënyra përmes të cilës gjërat reagojnë ndaj pranisë së Hyjit, s’është një aspekt i fundit i njëmendësisë, apo një veçori që ka kuptim në vetvete. Ajo përfshin diç më të madhe, qëndron në relacion me diçka matanë saj, çka syri nuk mund të shohë kurrë. Nuk mund të thuhet thjesht se e madhërishmja është atje. Nuk bëhet fjalë për një objekt material apo për një cilësi, por për një ndodhi, për një akt të Hyjit. Një bjeshkë nuk mbahet vetëm si një gjë, si një shkëmb i shfaqur natyrshëm dhe i madhërishëm, por është si një dramë. Ajo që është e madhërishme, është akti hyjnor.[14]

Mahnitja, pra, si prag i padukshëm, përshkon aktin e krijimit. “Akti i krijimit përfshin gjithë atë çka mendimi ynë mund t’i përshkruajë çdo akti si i tillë; gjithçka që është e mendueshme falë përvojës sonë përfshihet nën efektet e këtij akti hyjnor dhe s’ka asnjë përfytyrim apo nocion që mund të qëndrojë në lartësinë e tij.”[15]

Mahnitja shquan kuptimin dhe domethënien edhe të simbolit. “Veprimet e mahnitjes janë shenja apo simbole të domethënies se çka ato përmbajnë.”[16] Vatra e mahnitjes është krijesa. “Mahnitja lind nga parabola dhe rilindet përmes profecisë.”[17] Simboli shfaq kuptimin e krijesës, ndërsa profecia përmbushjen e saj.

Mahnitja është edhe një “ndjesi e mprehtë e hapjes ndaj novum.”[18] Qenësia e njeriut del në dritë përmes shikimit dhe përmes kësaj drite të njohjes tejfigurohet të qenët. Mahnitja shquan njohjen që bëhet shikim – prani. “Njohja e një qenie individuale nuk është e shkëputur nga akti i dashurisë përmes të cilës qenia vjen e vendosur në vendin që përbën krijesën të papërsëritshme.”[19] Pra, mahnitja përfshin gjithë realitetin duke e vendosur në aktin e shikimit rrënjësor dhe “i referohet realitetit në tërësi: përfshin jo vetëm çka shohim, por edhe vetë aktin e shikimit tonë.”[20]

Mahnitja hapje ndaj dhuratës

Mahnitja e shquan thellë kuptimin e dhuratës. Përballë një dhurate kërkohet e thuhet jo pa vend: “Merr frymë.” Sa thellë është lakuar në këtë thënie gjithë qëndrimi i duhur sa i përket edhe aktit të mahnitjes së njeriut. “Merr frymë” do të thotë të përmbushësh me parë gjithë brendësinë tënde me dhuratën e frymës – jetës. Dhurata është dhurimi. Ajo s’ka ndonjë qëllim, pos dhurimit.

Një qasje të thellë ndaj mahnitjes si mishërim i dhuratës, e vuri në pah sidomos G. Marcel-i. Rreth saj thotë: “Natyrisht nuk e marr këtu këtë nocion në kuptimin që ka në teologji, por e marr si akt misterioz të pambaruar me të cilën një thelb mishërohet si akt, ashtu siç përvijohet në mendimet e Platonit, ku filozofët modernë priren ta shmangin nga kujdesi i tyre, sa herë që e humbin hirin thelbësor të inteligjencës, që është ai i mahnitjes.”[21]

Sa i thellë del vëzhgimi i G. Marcel-it, sidomos kur flet edhe rreth asaj që mbahet si e mbinatyrshme, por duke harruar hirin që sython përbrenda asaj që është e natyrshme: “Secili prej nesh mund të njohë të krishterë tejet të ‘mbinatyrshëm,’ por, që kanë humbur kuptimin, nuk po themi të natyrshmes, por të hirit që sython dhe fëshfërin përbrenda asaj që është e natyrshme.”[22] Kemi humbur pra, kuptimin e mahnitjes, sepse kemi: “humbur besnikërinë spontane dhe metafizike ndaj botës, në të cilën është e vendosur ekzistenca jonë, apo thënë ndryshe, është thyer lidhja nusërore në mes jetës dhe njeriut.”[23]

Mahnitja është roja e qenësisë së dhuratës. “Nëse themi së dhurata duhet të jetë e privuar nga çdo qëllim, a thua nuk privohet dhurata nga kuptimi i saj? Duhet shkuar matanë qëllimit (siç e hetoi me të drejtë Bergsoni), mbasi dhurata nënkupton pikërisht përhapjen apo thënë me saktë të përhapurit. (…) Ajo çka mundëson që dhurata të jetë e tillë është zemërgjerësia. Zemërgjerësia është dritë që gëzohet për shkak që është dritë.”[24]Dhurata është dritë prej dritës. Në të njëjtën dritë përfshihet dhurata dhe dhurimi. “Veçoria e dritës është shkëlqimi; të më shkëlqejë mua dhe tjetrin, pa dallim në mes meje dhe të tjetrit, mbase ky dallim nuk qëndron: nëse drita është gëzim i të qenit dritë, ajo nuk mund të dëshirojë tjetër, pos që të jetë ajo çka është.”[25]

Mahnitja bën që dhurata të flakërojë në shkëlqimin e dritës së saj. “Relacioni në mes zemërgjerësisë dhe dhuratës është i dyfishtë: nga një anë zemërgjerësia është ajo çka mundëson dhuratën: nuk është shkaku i dhuratës, por është vetë fryma e saj. (…) Dhurata nuk përfitohet: ajo ngallën. Tani kuptohet se përse zemërgjerësia, pos mahnitjes nxit edhe rrëmbimin.”[26]

Dhurata është rrëmbyese, ajo nuk rrëmbehet dhe nuk përmbushet me tjetër gjë, pos me thelbin e asaj që është. Falënderimi dhe mirënjohja është kurorëzimi i dhuratës, që kryhet në fshehtësinë e thellësisë së qenies, duke u puthitur me dhuratën dhe shpërthen magjepsja e cila është tejfigurimi i saj, në vetë thelbin e qenësisë së trajtës rrëmbyese të aktit të dhuratës, ashtu si drita që gëzohet së është dritë.

Shën Tomë Akuini duke kundruar Misterin e Shpirtit të Shenjtë, si Dhuratë sjell një nga përfundimet me të shkëlqyera rreth domethënies së dhuratës: “E quajmë dhuratë, jo pse jepet, por pse është akt që jepet, (quod donum non dicitur ex eo quod actu datur).”[27]

Dhurata jo vetëm që shquhet si dhurim, por ajo “pranohet duke u dhuruar, apo thënë më mirë: dhurimi është mënyra edhe e pranimit.“[28]

Mahnitja është mishërim i dhuratës që e shkëlqen aktin e dhurimit dhe të dhuratës.

Mahnitja – fillim i njohjes

Mahnitja është fillimi i njohjes. Dihet se filozofia mahnitjen e mban për fillimin e njohjes.[29] Ajo fillon me mahnitjen ndaj qenies. Mirëpo, nëse nuk e mban mirëfilli aktin e mahnitjes edhe vëzhgimi i saj ndaj qenies sa vjen e ngryset.[30]

Sikundër që fillimi është premtim i asaj çka përmban mbarimi, fillimi i njohjes përmes mahnitjes qëndron pra, si notat e para të një simfonie, që paralajmërojnë dhe premtojnë përmbushjen dhe përkryerjen e saj vetëm në mbarim, në përsosje. Mahnitja është fillimi i njohjes dhe përkryerja e saj qëndron në njohjen e përsosur. “Fillimi është tërheqja me e bukura dhe kureshtare, në këtë botë. Fëmijëria dhe mëngjeset mbajnë shkëlqimin e gjërave të reja. Ekzistenca është plot ngjyrime. Lindja është gjithmonë një lumturi. Në çdo fillim qëndron një befasi dhe pritje, të cilat, me kohen që kalon, mund të jenë dhe zhgënjyese, por ofrojnë gjithmonë ngrohtësinë dhe gjallërinë. Të njohësh është të hetuarit e shkaqeve. Të kuptosh është të hetuarit e zanafillës. Zanafilla e çdo gjëje është miti më i madh i njerëzve.”[31] Filozofia kërkon njohjen e shkaqeve. Ndërsa, miti kërkon kuptimin e zanafillës.

“Mahnitja dhe magjepsja janë shkëlqimet e para përballë qenësisë së qenies: jo ngulmimi rreth asaj ‘përse diçka është e jo asgjëja’? As krahasimi që nënvizon caqet: ‘si ndodh që disa gjëra janë dhe të tjerat nuk janë’? Është të mahniturit përballë diçkasë e cila nuk përvijohet si diçka ‘prej nga’. Pyetjet ‘përse’ dhe ‘si’ me siguri do vijnë pas, ato bëhen pasi që të mahnitemi së të qenit është dhe se procesi racionalist është i përfshirë dhe tashmë gjendemi në ontologji. Edhe pyetja ‘çka’ do vijë gjithashtu, por nëse ajo përfshihet para se sa të mahnitemi nga të qenit, të qenit do të harrohet shpejt duke u lëshuar vetëm në kërkim të asaj ‘çka’ që e përvijon analizën e asaj çka dhurohet dhe të dhuratës; gjendemi kështu matanë metafizikës, pa qëndruar asnjëherë brenda në ‘meontologjinë’ e mahnitjes së qenies. Mahnitja nuk mbërrihet ndryshe, pos duke u mahnitur ndaj një qenie (një luleje, një fytyre) për çka ato janë; arsyeja dhe dëshira do të përfshihen në fund të çdo mahnitje, por pa e lëshuar asnjëherë mahnitjen ndaj të qenit.”[32]

Me fillimin e shkencës moderne, të pasuar sidomos nga F. Bakon-i, parimi metafizik i finalitetit, mbahej i pa kuptim dhe i pa vlerë, si një virgjër shterpe që i kushtohet Hyjit.[33]Duke analizuar këtë qëndrim në filozofi, që filloj të merr hov me shkencën moderne, E. Gilson-i vuri në pah se shkenca moderne nuk mund të ngrihet mirëfilli, pa “modelin final” që mbërthen pyetjen “përse”, pyetje kjo që përfshin kundrimin dhe metafiziken. Ndërkaq, shkenca moderne, duke përfillur vetëm pyetjen “si”, jo vetëm që mbyllet në botën e gjësendësisë, por pa “modelin final”, as një shkencë nuk qëndron mirëfilli si e tillë.

Problemi i mohimit të finalitetit në filozofi filloi qysh atëherë kur nga Athina, mendësia filozofike aristoteliane, nga rrethanat politike, u zhvendos në Aleksandri. Në Athinë filloi të shmangët vështrimi tradicional i katër shkaqeve të njohura që e shquanin filozofinë e Aristotelit dhe Straton-i (një filozof i asaj kohë) tentonte që të gjitha shkaqet që Aristoteli i përkufizoi në metafizikën e vet, t’i përfshinte në një shkak të vetëm, në atë të: peshësisë. [34] Ky qëndrim ishte si një para prirje drejt përvijimit mekanistik në shkencë, që do ngrihet më vonë nga Galileu, Dekarti dhe Njuntoni. “Shkenca e ka shmangur shkakun final që Aristoteli e përvijonte në ndarjen e njohur të katër llojeve të tyre si: shkakun material, shkakun formal, shkakun veprues dhe i më i rëndësishmi: shkakun final, kuptimi i të cilit nuk nënkupton një proces të mbarimit, jo në kuptimin si një përfundim, por si përsosje të qëllimit dhe të kuptimit. A ka universi ndonjë qëllim dhe ndonjë kuptim? Debati qëndron në mes Aristotelit dhe shkencës.”[35]

Ky debat do të mbërrijë kulmin sidomos me kthesën kopernikane në shkencë, kur ajo nuk e përfill modelin e finalitetit. “Ka vdekur dhe është varrosur bota e finalitetit, një botë statike dhe harmonike të cilën kthesa kopernikane e rrënoi, kur e lëshoi tokën drejt hapësirave të pafund (…) Dija shkencore e liruar nga fantazitë e një zbulese të frymëzuar dhe nga e mbinatyrshmja, përfytyrohet nga shkenca vetëm si një vëzhgim poetik i natyrës dhe njëkohësisht si një proces i natyrshëm natyror, proces i hapur vetëm ndaj prodhimtarisë dhe shpikjes.”[36] Nëse bota dhe krijesa vështrohet vetëm si pushtet, “atëherë jemi krejtësisht të përpirë vetëm nga ethet e arit dhe hyji i vetëm që mund të haset, nuk është tjetër pos një viç i arit. Natyra trajtohet vetëm si një arkë-veglash, një botë që nuk aludon asgjë jashtë saj, pos vetes së saj. Vetëm kur natyra shikohet si mister madhështor, ajo na fton të shikohet edhe matanë asaj.”[37]

Miti dhe shkenca kanë një amzë të përbashkët: natyrën. Dallimi qëndron vetëm në kalimin: “Nga foedera fati në foedera naturae.”[38]

Me R. Dekarti-n, filloi të përvijohet qëndrimi ndaj botës vetëm si koncept i njohjes dhe se ekzistenca e botës së jashtme është e dyshimit. E vërteta e parë mbi të cilën themelohet çdo shkencë nuk është qëndrimi sipas të cilës: “diçka është”, por, sipas atij: “mendoj, pra jam.”

“Toka s’është tjetër pos shtrirje, masë e cila mund të bëhet hesap përmes algjebrës dhe matematikës. Gurët, lulet dhe shtazët, janë vetëm një zmadhim dhe makinë vagëlluese dhe nga trajtat e tyre ndijore, nuk mësohet asgjë. Njeriu s’ka nevojë të mbajë një qëndrim kundrues ndaj natyrës, as të lejojë që arsyeja e tij të marrë përmasat nga njëmendësia e jashtme; i rrëmbyer dhe njëkohësisht i shqetësuar nga varësia e re, ai sforcohet të përvijojë çdo gjë vetëm kah një filozofi efikase, kah matematika dhe praktika. Falë këtyre, duke njohur pushtetin dhe efektin e zjarrit, të ujit, të ajrit, të yjeve të qiellit dhe çdo trupi tjetër që na rrethon, mund të shfrytëzohen në po atë mënyrë sikur i njohim dhe teknikat e ndryshme të zejtarëve tanë dhe duke i shfrytëzuar ato në po atë mënyrë, bëhemi zotërues dhe mëkëmbës të natyrës (…) Nuk është ideja e një zotërimi të natyrës për të cilën mund të qortohet Dekarti, por për arsyen se natyra është e konceptuar, para se gjithash, vetëm si shtrirje e kualifikimit të një burimi të shfrytëzimit dhe jo si një lëndë e burimit të parë të mahnitjes.”[39]

Grushtin vendimtar të vdekjes së një bote të finalitetit e përbën evolucionizmi. “Shumë më tepër se sistemet e Kopernikut a të Njuntonit, transformizmi dhe teoria e evolucionit përbën një revolucion me pasoja vdekjeprurëse për religjionin dhe fenë. Njeriu nuk është i krijuar nga një Hyj, i cili e krijoi atë sipas përngjasimit dhe shëmbëlltyrës së vet, por njeriu vjen nga një proces që nuk i përket as një vullneti të jashtëm, as ndonjë një shkaku, as një qëllimi apo një kuptim minimal të vendosur nga jashtë. I hedhur nga qendra e universit, ai tani zhvishet edhe nga kurora e kurorëzimit të krijimit. Ai është në përngjasimin e atyre majmunëve që është i farefisit të tyre, e jo krijesë i një Hyji dhe assesi si një bir i Tij.

Nëse Darwini ka të drejtë, atëherë në cilin stad të një evolucioni që shtrihet me miliona vite, një shpirt me prejardhje hyjnore, do të kishte mundësi të vendoset në trupin e njerëzve, që ka prejardhje nga shtazët, e ato nga bimët e bimët nga bakteret? Jemi nga primati i shpendëve, i peshqve, i bimëve , i algave, i baktereve i pluhurit. Ku mund të vendoset mëkati origjinal? Nëse majmunët dhe ne, qentë dhe macet, tigrat dhe elefantët, breshkat, algët dhe bakteret, kanë një prejardhje të përbashkët, athua Hyji ka ende ndonjë rol në evolucionin e jetës? A ka ndonjë vend në këtë botë që përvijohet sipas ligjeve të tij? Në çastin kur njeriu e njeh përvujtërinë e zanafillës së tij, ai pushtohet nga krenaria dhe për pikëpamjen teorike të evolucionit, Hyjit nuk i mbetet asnjë vend .”[40]

Shmangia nga metafizika, në fund të fundit, është shmangie nga analogjia që e shquan praninë e Tjetrit. E. Levinas-i vërejti me të drejtë: “Filozofia qysh në fëmijërinë e saj, është e prekur nga tmerri ndaj Tjetrit, i cili mbetët Tjetri, si nga një alergji e pashëruar.”[41]

REFERENCA:

[1] G. K. CHESTERTON, Ortodossia, Brescia 1995, f. 105.
[2] J. HERSCH, Storia della filosofia come stupore, Bruno Mondadori Editori, 2002, f. 1.
[3] M. BERSANELLI – M. GARGANTINI, Solo lo stupore conosce, Bur 2012, f. 65.
[4] A. J. HESCHEL, Dio alla ricerca dell’uomo, Edizioni Borla, Roma 1983, f. 64.
[5] GJONI PALI II, Fides et ratio, nr. 4.
[6] G. LAFONT, Dio il tempo e l’essere, Edizioni Piemme 1992, f. 222.
[7]A. J. HESCHEL, Chi é l’uomo, Rusconi 1976, f. 125.
[8] M. BUBER, Il cammino dell’uomo, Edizioni Qiqajon 1990, f. 61t.
[9] M. BUBER, Il principio dialogico e altri saggi, San Paolo, Milano 1993, f. 132t.
[10] J. GUITTON, Zoti dhe shkenca, Tiranë 2005, f. 80.
[11] R. GUARDINI, L’occhio e la conoscenza religiosa, në Opera Omnia II/1 Morcelliana 2008, f. 540.
[12] A. J. HESCHEL, Dio alla ricerca dell’uomo, Rusconi, Milano 1987, f. 76.
[13] A. J. HESCHEL, Dio alla ricerca dell’uomo, f. 34.
[14]A. J. HESCHEL, Dio alla ricerca dell’uomo, f. 58t.
[15] R. GUARDINI, L’uomo, në Opera Omnia II/1, vep. e cit., f. 252.
[16] A. J. HESCHEL, L’uomo non é solo, f. 51.
[17] P. RICOUER, Storia e veritá, Foggia 1991, f. 103.
[18] P. FLORENSKIJ, Stupore e dialetica, Qudlibet, f. 40.
[19] G. MARCEL, Homo viator, Borla 1980, f. 32.
[20] A. J. HESHEL, L’uomo non e solo, Rusconi, Milano 1987, f. 26.
[21] G. MARCEL, Homo viator, f. 84.
[22] G. MARCEL, Homo viator, f. 187.
[23] G. MARCEL, Homo viator, f. 187.
[24] G. MARCEL, Il mistero dell’Essere, Borla, Roma 1987, f. 293.
[25] G. MARCEL, Il mistero dell’Essere, f. 293.
[26] G. MARCEL, Il mistero dell’Essere, f. 294.
[27] S. TOMASO D’ AQUINO, S. Th. I, q. 38, a 4. Botimi dhe përkthimi në italisht i Etërve dominikanë, ndjek saktë kuptimin që përkon me tërë mendësinë e Shën Tomës, kur tekstin në fjalë e përkthen me këtë saktësim: “Il dono si chiama non perché é dato, ma perché é atto di essere dato.” Shih S. TOMMASO D’AQUINO, La somma teologica, I, q. 38, a 4, Edizioni Studio Domenicano, Bologna. Në filozofi, sidomos duke filluar nga fenomenologjia tek E. Husserl-i, M. Heideger-i, J. Sartr-i, E. Levinas-i, J. L. Morion-i dhe J. Derrida, hasim shkoqitje të ndritura rreth kuptimit të dhuratës. J. L. Morion kësaj teme i kushtoi një studim të veçantë. Shih: J. L. MARION, Dato che. Saggio per una fenomnologia della donazione, Torino 2001, f. 131, n. 180. Si duket është e metë tipike e fenomenologjisë, e cila shqyrton thellë dukurinë, por nuk ndjek aq mirëfilli edhe aktin e të shfaqurit.
[28] G. MARCEL, Homo viator, f. 170.
[29] PLATONE, Teetto, 155d; ARISTOTELE, Metafisica, 12, 982b, 12.
[30] Shih: G. MARCEL, Homo viator, Borla, Roma 1980, f. 84. M. Heideger-i, hetonte se mahnitja nxitet tek njeriu nga: “cytja e zërit të qenësisë.” Rreth saj thotë: “Ndër gjitha qeniet, vetëm njeriu i cytur nga zëri i qenësisë, shquan mahnitjen e mahnitjeve: se qenia është.” M. HEIDEGER, Che cosa è metafisica, në Segnavia, Adelphi, Milano 1994, f. 261. “(…) das Wunder aller Wunde: Dass Seinendes ist.” ID., Was ist Metaphysik?, Klostermann, Frankfurt A. M. 1969, f. 46. Mirëpo, në metafizikën e tij, hetohet edhe një ngrysje ndaj qenësisë që e cilëson kahen e vëzhgimeve metafizike të filozofisë së tij ndaj qenies: “si e hedhur në botë.” Një qëndrim ky që i përket ngjyrimeve gnostike. Rreth këtij argumenti studiuesit e veprës së tij nxjerrin në pah se: “E vërteta e qenësisë mbaron të Heidegger-i, si një ndodhi historike.” Shih: O. PÖGGLELER, Il cammino di pensiero di Martin Heidegger, Napoli 1991, f. 103. E. VÖGELIN, Shkenca, politika dhe metafizika, Tiranë 2000, f. 60-63.
[31] J. D’ORMESSON, Che cosa strana è il mondo, Edizioni Clichy, Firenze 2015, f. 24.
[32] G. LAFONT, Dio il tempo e l’essere, f. 222t.
[33] F. BACONE, De argumentis scientiarum, III, 5., ku veçohet: “causarum finalium inquisitio sterlis est et tamquam virgo Deo consacrata nihil parit.” Cituar sipas E. GILSON, Lo spirito della filosofia medievale, Morcelliana 1988, f. 128. Rreth kësaj çështje faqe të ndritura hasim tek autori i një vepre, sa origjinale, po aq edhe domethënëse për këtë temë. Shih: A. T. TRENDEBELUNG, Logische Untersechungen, 1-2, Berlin 1840; V. MATHIEU, arti. Trendelnebrug, Fridrich Adolf, në: Enciclopedia Filosofica 8 (1979), f. 370-372. Në ditët tonë kjo temë u shqua sidomos nga filozofi i mirënjohur R. Spaemann. Ai nxori në pah se si modeli mekanistik, funksional dhe natyralist i botës është i mangët pa “modelin final.” Shih: R. SPAEMANN, Die Frage Wozu? Geschichte und Wiederentdeckung des teleologischen Denkens, Piper, München-Zürich 1981. Rreth këtij problemi shkroi edhe filozofi i njohur A. N. Whitehead, i cili ndër tjera veçoi: „gjatë epokës mesjetare në Evropë, ishin teologët fajtorët kryesorë që shmangeshin nga finalitetit dogmatik. Gjatë tre shekujve të fundit, ky qëndrim negativ kaloi tek shkencëtarët.” Shih: A. N. WHITEHEAD, Avventure di idee, Milano 1961, f. 189. Mbi tmerrin ndaj metafizikës si “horror metaphisikus,” që shquan filozofinë e Dekarti-it, Hum-it, Kant-it, hasim një paraqitje të veçantë tek filozofi marksist L. Kolakowski. Shih: L. KOLAKOWSKI, Orrore metafisico, Il Mulino, Bologna 2007, f. 24.
[34] Shih: G. DURAND, Verità anagogiche del Cristianesimo, në: Atopon, Psicoantropologia Simbolica e Tradizioni Religiose, anno III (1994), vol. III, f. 13.
[35] J. D’ORMESSON, Il mio canto di speranza, Edizioni Clichy, Firenze 2015, f. 32.
[36] I. PRIGOGINE I. STENGERS, La Nuova Alleanza. Metamorfosi della scienza, Einaudi, Torino 1993, f. 288.
[37] A. J. HESCHEL,Dio alla ricerca dell’uomo, Borla, Roma 1983,f. 54.
[38] I. PRIGOGINE – I. STENGERS, La Nuova Alleanza. Metamorfosi della scienza, f. 280.
[39] F. HADJADJ, La terra strada del cielo. Manuale dell’avventuriero dell’esistenza, Lindau, Torino 2010, f. 22t.
[40] J. D’ORMESSON, Che cosa strana è il mondo, Edizioni Clichy, Firenze 2015, f. 100t.
[41] E. LEVINAS, Scoprire l’esistenza, con Husserl e Heidegger, Raffaello Editore 1998, f. 216.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar e studiues

Filed Under: ESSE Tagged With: Don Robert Kola, MAHNITJA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT