• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

May 21, 2020 by dgreca

Nga Sokol PAJA/*

 “Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt.

Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Ferri komunista, mbijetesa, Saimir Maloku, Sokol Paja

Vlora më 1912 dhe 1920

May 21, 2020 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit te Luftës së Vlorës, maj 1920-maj 2020/

Nga Mid’hat Frashëri*/

Vlorë, një emër paskëtaj i lidhur me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

Dy data 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur, që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë vend përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit.

Shumë herë fati i një njeriu, i një kombi, varet prej një të papandehur dhe më kot kërkojmë shkaqet e ngjarjes, pyesim si dhe pse u bë kështu. Ato janë ngjarjet, që rrjedhin befas, papritur, që i kanë rrënjët në faktorë të padukur. Po edhe disa ngjarje të tjera janë drejtësisht fryti i një dëshire dhe i një vullneti, që i bën, që i mejton dhe që i do. Thamë se fati është i verbër. Në kushtet e dyta fati e ka hequr shaminë, që i mbyll sytë dhe sheh, shikon, kupton.

Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit.

Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhesh veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve.

Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes.

Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje.

Mbarimi i Dymbëdhjetës qe pak befas, e papritur, mbase dhe një grimë para kohe. Dhe në gaz e në turbullim të një ngjarjeje të lumtur, që nuk pritet, ndërgjegjja kombiare nuk gjeti kohë të kristalizonte aspiratat e saj, të merrte gjerësinë e fatit, të ndjente dhe të shijonte lumturinë e re. Ishte një ide, një ideal, një dëshirë e qëndruar pak në erë, e pazbritur fare në dhê.

Intervali dymbëdhjetë-njëzet është mbushur me të bëra të këqija dhe të zeza, po mbase jo të palogjikshme. Logjika është e pamëshirë dhe më tepër akoma kur komenton punën që ka rrjedhur, ngjarje të cilave u njohim shtytkat. Kështu që në tetë vjet mjerime, në qoftë se kjo jetë nga nisja dhe  në fund njeh “mjerime”, gjemë një shpjegim. Po të shpjeguarit, edhe me logjikë qoftë, s’e ndalon njeriun nga fatkeqësia dhe nuk ia praps dot as keqardhjen e turpin. Çdo të shpjeguar nuk fal, nuk e lan fajin. Komentimi nuk ecën bashkë me harrimin, mbase bën zgjimin, se në i gjettë shkaqet e një ngjarjeje (dhe ngjarjen fatkeqe njerëzit e quajnë faj dhe turp), sheh dhe mënyrat, mjetet e të prapsurit të së keqes, e të pjellit të ngjarjeve fatbardha.

Të parët dhe të gjykuarit me gjak të ftohtë është një lumturi, por bashkë me të edhe një pafatësi. Është një gëzim shpirti, si edhe një pikëllim zemre. Sido që të jetë, është një qetësi fryme dhe kush ka qetësinë, di të presë, të durojë, të ushqejë shpresën, se fundi i gjykimit është puna. Në debat të ndalimeve, të vështirësive, të veprimeve të zeza, e sheh njeriu se një punë dhe një veprim i lumtur mund dhe prish të palumturin. Puna, aktiviteti, të ushqen shpresën. Si mekaniku që njeh makinën dhe e ndreq, sado e prishur që të duket, ashtu edhe ai që analizon, ai që sheh dhe përkëdhel çarqet e panumërta të kësaj makine, që i themi jetë, e di se me punë, me durim, me palodhje e me papikëllim, sistemi i makinës mund të vihet në lëvizje në drejtimin, që duam.

Duhet një shkaktar, një që të dojë ta ndreqë makinën.

Ky shkaktar u bë Vlora. Shkaktar jo i fatit, befas, pa ditur, pa pandehur, pa dëshirë, po shkaktar i mençur, i ndërgjegjshëm për atë që duan, që dinë ç’bëjnë, që ka përgatitur kushtet, që ka mprehur vullnetin, në durim e në heshtje, të vendosur për fitim a për vdekje, që ka parë çdo rrezik, ka peshuar pse-në dhe si-në e shortet, duke mos kapsitur syrin, me gjak të ftohtë ka hyrë në zjarr dhe ka dalë me fitim në dorë.

Shpesh një punë e vogël, një shkak i vogël pjell një fryt të madh. Këtu kemi një punë të madhe, një shkak të madh, që i jep lindje një pune të madhe.

Edhe kështu njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën. Njëzeta e fortë, më trime se e pushtetshme, e merr dymbëdhjetën, e nxjerr nga gjembat dhe greminat, e ngre në këmbë dhe i thotë: EC.

Dymbëdhjeta solli famë në këtë Vlorë. Njëzeta nderoi Vlorën. Vlora nderoi njëzetën.

Njëzeta i tha Shqipërisë: je e lirë, dhe këtë liri ja ke hua vetvetes. Nuk ke miq dhe dashamirë, po ke veten tënde. Dhe kur ke veten tënde, mos ki më frikë. Këtij urdhri, qe e pamundur mos t’i bindet njeriu; Shqipëria u mëkëmb, u forcua, u mbajt dhe eci. Fuqinë, shëndetin, shpirtin dhe gjëllimin e mori nga vullneti i saj.

Nderim, respekt dhe venerim për këtë vend!

Një dëshirë e kaq dhjetë vitesh po shtynte kombin drejt një të ardhmeje të re, drejt një jete të bërë dhe të shpënë për të mbarën, për dobinë, për interesin dhe për shkëlqimin e vendit. Një dritë ishte hedhur mbi udhën që po ecnim dhe ajo dritë rrëfente një udhë të re. Kandili qe ndezur dhe busulla e dëshirës kishte gjetur një pol, herë e ndritur, herë e zbehtë, shpesh herë në rrezik që të shuhej. Busulla e humbiste polin dhe udhëtari e lidhte udhën si anija pa timon, si barka pa vela. Yllit, që rrëfente qëllimin, re të zeza  e mbulonin shkëndijën dhe tallazet e valës bëheshin kanosëse.

Atij kandili i desh hedhur vaj, që të dilte flaka përmbi tymin dhe të ndriste rrugën. Edhe në qoftë se djersa bën pjellor çdo send, këtu djersa u mbyt me gjak dhe u ngjall me vullnet.

Venerim, respekt dhe nderim për ata njerëz!

***

Në këtë qytet të bërë vërtet “shqiptar”, çdo shqiptar ndjen një kryelartësi dhe një mburrje, kërkon të zbulojë shkaqe të reja për lëvdatë, burime për mburrje dhe në çdo çap, që bën zemra, bën një lutje, që ta gjejë këtë qytet më të lavdërueshëm dhe më të lulëzuar se nga çdo tjetër. Në ç’punë hyn ajo therori, ajo burrëri, po qe që një punë e palodhshme s’erdhi t’i jepte çdo ditë një shkëlqim të ri.

Edhe me këtë dëshirë në zemër nxitoj të bëj një vizitë të shpejtë. Tetë vjet jete turbullimi i kanë sjellë pak nderim fizionomisë së qytetit: këtu atje sheh ca shtëpi të reja, disa dyqane të modernizuara, një shesh tregu të rregulluar, një ndërtesë qeverie të mbajtur mirë, një kujdes prej bashkisë në pastrim të rrugëve dhe në ngritje të godinave të rrëzuara.

Mësoj se një kopsht qyteti, një park i vogël po përgatitet në këtë klimë të butë, këtu që rron ulliri, lulëzon limoni dhe portokalli, këtu që eukaliptusi, kaktusi dhe palmat me gjithë shoqet e tyre të vendeve të nxehta, gjejnë një diell mbrojtës dhe gjelbërim prurës, padyshim një park i kujdesur mund të bëhet një model bimësh dhe një kënaqësi për syrin e për shpirtin. Po pse të paralajmërojmë, le të presim mbarimin. S’është me të thënë, është me të bërë.

Ja spitali: mjeku më rrëfen udhën, më bën nderimet si një zot shtëpie, më rrëfen të sëmurët, sallat e operacioneve, depozitat, farmacinë … dhe tekdo një pastërti e kujdes mbretëron, tekdo sheh njeriu shenjën e një dashurie për mjeshtërinë, një dëshirë për shërbim.

Mësoj se flitet për formimin e një muzeu dhe mbrëmë që luajtur një pjesë teatri prej një trupe amatorësh.

Një muze! Të donin, sa lëndë të begatshme mund të mblidhnim! Të kishim dashurinë e së shkuarës dhe të na dhembte pak më tepër për të lënat e stërgjyshërve! Por pa u ngjitur në paranikët tanë të vjetër, pa vajtur në “antikat” e Pojanit dhe të kaq viseve të tjera, balta e të cilave mbulon qytete të moçëm, vetëm plaçkat, kujtimet dhe mbeturinat e këtyre dhjetë viteve të fundit sikur të mbledhim, vetëm për të mos harruarit e viteve 1912 dhe 1920 sikur të kujdesej muzeu i Vlorës, do të bëhej një koleksion prej më të vlefshmëve për ne.

Duke shëtitur mejtohem. Dhjetë vjet. Kujtimi është akoma tepër i ri për t’u harruar. Sa ndryshim, që atëherë e tëhu: n’atë kohë gjindja kishte një ç’interesim për çdo send që prekte punët e shoqërisë. Tani çdo gjë e Shqipërisë e intereson dhe e zgjon. Zgjedhjet e deputetëve, zgjedhjet e bashkisë janë bërë me një zell, që dëften se detyrat qytetare janë kuptuar mirë.

Ndërgjegjja kombëtare kur zgjohet, i jep një fisnikëri njeriut, si çdo dashuri dhe çdo frymë, që fisnikëron punët e të mortmit. 

Por fisnikëria ka dhe detyra të rënda. Është gjë e rrallë dhe fort e madhe që të jesh fisnik, por dhe sa gjë e rëndë që të dish të mbash shkallën e asaj fisnikërie.

Sa barrë e rëndë bie tani mbi supet e kësaj Vlore, nga e cila të gjithë presin mbarimin e punëve të mëdha, zbukurim dhe lulëzim! Zgjimi i ndjenjës kombiare sjell entuziazëm dhe ky hov i zemrës e bën njeriun të përparojë, të naltësohet, të mos qëndrojë pa arritur kulmin e udhës, që ka zënë. 

Dymbëdhjeta nuk zgjoi entuziazëm, nuk tronditi dejet, nuk flaku poshtë këtë atmosferë vdekjeje, që mbështillte çdo njeri të dënuar për prishje. Edhe mbeti në shpirtra e në zemra si gjumë i somnambulit. 

Njëzeta nuk mund që të mos zgjonte entuziazëm. Jo, një punë e tillë nuk mund që të mos njihte detyrat që i ngarkoheshin. Do të qe më i madhi mëkat në botë përgënjeshtrimi i atyre shpresave të mëdha, që zgjoi Dymbëdhjeta. Vlora që bëri një hap kaq të madh dhe të shkëlqyer, nuk mund më të kridhet n’ errësirë.

Edhe sa punë akoma për të mbaruar! Sa çape të tjerë për të hedhur! 

*Ky fragment është nxjerrë nga “Një udhëtim nga Trieste ne Vlorë” 12 tetor 1922, një udhëpërshkrim i Mid’hat Frasherit (Lumo Skendo), njëherësh edhe një meditim historik, filozofik dhe artistik për dy ngjarje madhore te  historisë së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ( 28 Nëntor 1912) dhe Luftën e Vlorës ( 21 maj 1920), që solli çlirimin dhe pavarësinë e vërtetë e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj.

Uran Butka

Filed Under: Histori Tagged With: Mit'hat Frasheri, Vlora 1912-20

MAJI 1996-, PRANVERA E PRANISË AMERIKANE NË KOSOVË

May 21, 2020 by dgreca

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë/

-Para 24 viteve, në 22 Maj 1996,  Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi në kryeqytetin e Kosovës/

-Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996/

-Në 12 Janar 1996, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në Prishtinë/

-Diplomatët Amerikanë në Kosovë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – në 12 Shkurtin 2002 editorial dhe fjalë përshëndetëse në festën e 57 vjetorit,  intervistë ekskluzive në prag të 2005-tës të jubileut të 60 vjetorit/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  22 Maj 2020/ Para 24 viteve, në majin 1996 ishte pranvera e fillimit të pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Atëherë, zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën  (Michael McClellan) në 22 Majin e vitit 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Dhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë kështu vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 Janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Hapja e Përfaqësisë Amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 12 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në 4 Korrik 2019 Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes që u mbajt për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur edhe u zhvillua  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

Ndërkohë, Ushtarët Amerikanë mbështesin KFOR-in qe 21 vjet. Trupat Amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Tradicionalisht në Kosovë festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 12 viteve në 17 Shkurtin hiatorik 2008.

Diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan), për të cilin kam raportuar që nga dita e parë e ardhjes në 22 Maj 1996 duke qenë edhe në konferencat e tij për shtyp, ishte edhe në festën e 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, ku e kam shumë mirëpritur si kryetar i Këshillit Drejtues e kryeredaktor i gazetës, e ku ishin edhe Shefi i Zyrës së Gjermanisë, Michael Schmunk  shefi i Zyrës së Shqipërisë Vladimir Prela dhe shumë pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve edhe simboli i rezistencës kombëtare shqiptare Adem Demaçi.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis (John Menzis), Shef i Misionit – Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis. 

Në akadminë solemne të  festës së gazetës  tradicionale e historike të Kosovës Rilindja në emër të Zyrës Amerikane dhe Ambasadorit Amerikan  John Menzis përshëndeti diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan).

Ai fillimisht tha: “Zonja dhe zotrinjë, është nder i madh për mua të marrë pjesë në përvjetorin e 57-të të ‘Rilindjes’. Në emër ta ambasadorit Menzis, të SHBA-ve në Kosovë, ju përgëzoj për punën tuaj që keni bërë në gazetën e parë në gjuhën shqipe në Kosovë…”

Diplomati Amerikan Mekllellën pasi foli edhe për përvojat e vendit të tij dhe rolin e rëndësishëm të gazetës Rilindja dhe mediave tjera në Kosovë,  u shpreh se,  “…sikurse Ambasadori Menzis në artikullin e ballinës së ‘Rilindjes’, mediat po ashtu duhet të mbështesin vizionin demokratik për përpjekjet e sundimit të ligjit në tërë Kosovën”

Dhe, duke përfunduar  fjalën në festën  e 57-vjetorit të gazetës Rilindja diplomari i parë Amerikan në Kosovë, Mekllellën theksoi:

“Zonja dhe zotrinjë, në emër të Ambasadorit John Menzis dhe të Zyrës së SHBA-ve, ju uroj këtë përvjetor të lartë e të rëndësishëm. Edhe pse ‘Rilindja’ është më e vjetra në Kosovë, ajo është e re në zemër dhe në rolin e saj në Kosovë, është e freskët dhe plot jetë. Jam shumë i lumtur që mund ta them ketë: Në të ardhmen do të përpiqemi të bashkëpunojmë me ‘Rilindjen’ edhe shumë dekada në Kosovë”.

Diplomati Amerikan Mekllellën citohej kështu në raportin e gjerë të gazetës nga festa me titull “’Rilindja’ – laborator i gazetarisë shqiptare në Kosovë”.

“Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në numrin special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg (Filip Golldberg) që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citoja diplomatin amerikan në ballinën e gazetës Rilindja e në titull të intervistës,  ku Ambasadori Amerikan Godlberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.

“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati Amerikan Godlberg në intervistën ekskluzive që për gazetën Rilindja e zhvillova i shumë mirëpritur në Zyrën Amerikanë në Kosovë.

Intervista pas 8 pyetjeve e përgjigjeve përmbyllej kështu:

“9.    RILINDJA: Z. Golldberg, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë, që e vlerësojmë edhe si përkrahje për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, e cila për shkaqet që dihen ndodhet në situatën çfarë është, dhe që Jubileun e vet të 60-vjetorit në Vitin e Ri 2005 pret ta ketë edhe festë të ridaljes. Kemi nderin dhe kënaqësinë të Ju ftojmë në këtë festë, e cila urojmë të ndodhë sa më shpejt.

GOLLDBERG:  Dëshiroj të falënderoj “Rilindjen” që ka kërkuar intervistë nga unë, e edhe më shumë dëshiroj që lexuesve tuaj t’u them URIME FESTA (e thotë në shqip). Dhe, ju uroj juve dhe gjithë njerëzve në Kosovë Kërshëndellat  dhe Vitin e Ri dhe vitin 2005 plot paqe, përparim dhe shpresë për të ardhmen.”

Nën kryetitullin “Kosova pret Vitin e Pavarësisë” gazeta Rilindja në ballinë botonte edhe foto e shkrim nga takimi i fundvitit 2004 që kisha me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe të 600 vjetorit të Kryeheroit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.

**********

Speech on the Occasion of 57 Years of “Rilindja” Newspaper in Kosovo

By: Michael McClellan
Public Affairs Officer, USOP
Delivered 12 February 2002
Pristina

Ladies and Gentlemen, it is a great honor for me to be here with you today on the occasion of Rilindja’s 57th anniversary. On behalf of Amb. John Menzies and the entire U.S. Office Pristina, I congratulate each and every one of you for the work and success that the first and oldest Albanian-language newspaper in Kosovo has had in publishing continuously since 1945.

In the United States, our system of government has three branches – the Executive branch, that is the White House and the various Departments or Ministries, the Congress, composed of the House of Representatives and the Senate, and the Judiciary, that is the federal courts and the Supreme Court. But we often speak of the press as being the “fourth branch” in the sense that it speaks for the people in watching over the functions and activities of the three branches of government.

Here in Kosovo, the role of the media as the “watchdog of government” is more important than ever. Once the people have expressed their democratic will in the elections, it is up to the media and civic organizations to work day-to-day to ensure that the voice of the people continues to be heard and to hold the elected leaders responsible to the people who put them in office. But, as Amb. Menzies said on the front-page of today’s Rilindja, the media must also uphold the democratic vision of society and support efforts to establish the rule of law and civil society throughout Kosovo. In other words, the media must be a watchdog not only on the government, but also on those elements of society that would seek to undermine the democratic values that Kosovars are working so hard to establish.

The role of Rilindja and other media in Kosovo is vital, perhaps more so today than ever before. The media must be a forum for the exchange and expression of responsible opinion and a means for educating the population about the practices and values of democracy and civil society. As building blocks of society, the media play a vitally important role in establishing good, responsible institutions of self-rule in Kosovo.Again, ladies and gentlemen, on behalf of Amb. John Menzies and the U.S. Office, I congratulate you on this highly important anniversary. Even if Rilindja is the oldest paper in Kosovo, it is still young at heart and its vision of its role in Kosovo should always be fresh and vigorous and full of life. I am very happy to say that it is.

Thank you for your kind invitation to join you on this special occasion and we look forward to many more decades of cooperation with Rilindja in Kosovo!

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Kosove, Maj 1996, Pranvera Amerikanen

SHEMBJA E TEATRIT KOMBËTAR, VRASJE E HISTORISË

May 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Hazir Mehmeti, Vjenë/Historia e një qyteti, veçan një kryeqyteti, nuk mund të jetë histori pa pjesën e saj, të lojës teatrore shekujve. Çdo epokë ka rrjedhat e saj me të cilat karakterizohet me të gjitha aktivitet e jetës. Edhe, me artin në përgjithësi dhe skenën e teatrit ku defilojnë artistë nga më të ndryshëm, bashkë me ta edhe mençuria e dramaturgëve shqiptarë e botërorë, aty defilon mençuria e filozofëve botërorë, aty ushqehen emocionet e njeriut, kënaqësitë e brengat e tij deri në lot përjetimi. Teatri ishte gjithmonë Tempull Shpirti shekujve. E kujtojmë këtu Lekën e Madh i cili gjatë gjithë marshimit të tij deri rrëzë Himalajeve me veti mbante aktorët dhe teatrin në krahun e djathtë të tij. Ai ndërtonte teatro sapo e zotëronte një vend që në ditën e parë, andaj sukseset i kishte të brumosura në frymëzimet shpirtërore të kohës. Themelet e atyre teatrove ruhen me xhelozi me gjithë historinë e aktorëve të tyre. Akili e Odiseu nuk do ishin të tillë, as Shekspiri me Otellon e tij pa historinë teatrore shekujve. Teatri është tempull i cili nuk rrënohet asnjëherë dhe në asnjë rrethanë.  Në ato mure janë të skalitura emrat e fjalët e aktorëve, djersa e tyre, janë të skalitura përjetimet e shikuesve moshash të ndryshme. 
       A është kështu edhe me Teatrin Kombëtar të shembur tani në një ditë pranvere! Arsyetimet e Kryeministrit Edi Rama janë pa bazë, cinike dhe qesharake. Aty fshihet inati  i tij mendjemadh dhe antikombëtar. Ai e din mirë historinë e teatrit, historinë e aktoreve e aktorëve, por ai jeton vet me “madhështinë” e tij egoiste.   Derisa në gjithë botën ndërtohen teatro të reja pranë atyre të vjetrave, biblioteka të reja pranë atyre të vjetrave historike, muze të rinj pranë atyre të vjetër, parlamente të reja pranë atyre të vjetra, në Shqipëri jo,  nuk ka hapësirë për histori. Ka hapësirë, mjerisht, për tempuj dogmash fetare aty pranë teatrit, ka vend aty pranë godinave të vjetra turke, greke, sllave e gjithfarë mbeturinash nga pushtuesit e kombit. Dhe kjo mu në kohën e tij, të Edi Rames si Krye bashkiak. 

      Edi Rama dhe stafi i tij kanë treguar se nuk e duan kulturën, artin dhe nuk punuan për te që ta ngritin imazhin e nëpërkëmbur të shqiptarëve, veçanërisht Shqipërisë nga vet politika e shqiptarëve dje. Kjo, mjerisht, vazhdon si traditë e hidhur, njollë e zezë në bazamentin e agresivitetit shqiptar  i cili gërryen në qenien e secilit shqiptar kudo që jeton.   Ku janë këshilltarët e kulturës të kryeministrit, apo janë vetë kapo sahanlëpirës edhe mbi krimin ndaj historisë së kulturës shqiptare. Ata nuk do duhej të drejtonin ekskavatorin e tyre shkatërrues që me rrezet  e para të agimit pranveror i cili u pluhuros keq mes kryeqytetit shqiptar.  Çfarë do shkruhet për historinë e teatrit të ri në librat e historisë mbi historinë e shembur të një Teatri. “U ndërtua nga i madhi  Edi Rama!” Historia fillon me Edi Ramën! Kështu ishte dje me Enver Hoxhen dhe mësuesit e Edi Ramës. “Historia fillon me Enver Hoxhën!”. Pak para tij: “Historia fillon me Ahmet Zogun!”.  Sipas këtij “marshimi” shqiptar do vjen historia e një “princi” tjetër që nuk i ha palla çka ka ndërtuar paraardhësi i tij, as Edi Rama. 
       Lakenjtë për rreth nuk ia prishin Edi Ramës, ai është babai i kafshatës së tyre, ani pse e ngjyer në krim. Historia është e pamëshirshme, këtë nuk e kuptojnë vetëm diktatorët me injorantët përreth. 

           Teatri Kombëtar shkoi bashkë me historinë e tij, nuk do ngritët më asnjë herë. Një satrap kulture dhe mbret i kokainës erdhi në pikë për dritë në Jug të Evropës. Bile tani do bartë pluhurin e Teatrit Kombëtar në karrigen e OSCE, aty ku çmohet historia, vlera e kulturave të vjetra e të reja. OSCE e kupton Z.Rama si njeri të një kombi të vogël me histori të vjetër e të vështirë shekujve. Përndryshe, Edi Rama do duhej larguar me gjithë pluhurin e tij nga karriget që ai nuk i meriton.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Hazir Mehmeti, Shembja e Teatrit

Ndryshe nga autoritetet e Tiranës, Shkupi reflektoi!

May 21, 2020 by dgreca

NGA Frank Shkreli*/

Ndryshe nga Tirana zyrtare që turpërisht dhe brutalisht shembi Teatrin Kombëtar mu në mes të Tiranës, Shkupi zyrtar reflektoi më në fund – falë presioneve të ndryshme –mbi vendimin e marrë më heret për shlyerjen e gjurmëve të familjes së Nenë Terezës në sheshin e Shkupit, qendra shpirtërore e shqip-tarëve kudo në botë. ”Na vjen mirë që autoritetet e Shkupit reflektuan pozitivisht dhe zgjodhën rrugën e shtegdaljes, duke i lënë hapësirë dialogut dhe zgjidhjes me konstruktivitet të problemeve të paraqitura.  Fillimisht, u premtua se do të hapet një qasje që do të shërbejë si shteg për pelegrinazh në pllakën përkujtimore që shënon vendndodhjen e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës, dhe kjo u bë me vendosjen e zhavorit, pastaj edhe të disa pllakave, por krejt këto, në funksion të gjetjes së zgjidhjes sa më adekuate”, – është shprehur Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani.  “Ne shpre-sojmë”, shtoi ai, “se ky projekt do të përfundojë brenda pak ditësh dhe se kryetari i Shkupit, z. Shilegov, do ta mbajë fjalën, duke rivendosur shenjat e themeleve të shtëpisë së lindjes së Nënës Terezës dhe hapjen e një shtegu për pelegrinazh”, theksoi ai për median. Ndërkohë, që ditët e fundit në Tiranë, autoritetet e qeverisë shqiptare zhdukën përgjithmonë, në mënyrë të turpshme, një pjesë të historisë kulturore të Shqi-përisë, duke hedhur për tokë Teatrin Kombëtar në mes të Tiranës, disa ditë më përpara në Shkup, bashkia e atij qyteti kishte marrë vendimin për të shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës në Sheshin e Shkupit.  Gjëja e përbashkët që ndajnë këto dy ngjarje të tmershme antishqiptare është shlyerja e identitetit, historisë dhe kulturës shqiptare në trojet shekullore të Kombit.  Por ndryshe nga autoritetet e Tiranës zyrtare, autoritetet e Shkupit zyrtar, pas presioneve të ndryshme, duket se janë tërhequr nga vendimi i tyre origjinal për të zhdukur gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës dhe familjes së saj, në qendër të Shkupit.  Kështu, të pakën njofton në portalin e tij Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, nëpërmjet një deklarate të Drejtorit të këtij enti, Dr. Skender Asani. 

Unë e kam ndjekur nga larg këtë zhvillim shqetësues në Shkup, si një sulm jo vetëm kundër Nënë Terezës, por edhe si një përpjekje nga Shkupi zyrtar për të vazhduar politikën për shlyerjen e gjurmëve të kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar në atë qytet të vjetër shqiptar.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-duket-se-po-trashen-punet-rreth-truallit-te-shtepise-se-nene-terezes-ne-shkup/

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-a-e-di-kush-cka-po-ndodh-ne-shkup-me-shtepine-e-nene-terezes-2/

Ndonëse nuk besoj se këto dy zhvillime të kenë qenë të bashkërenduara, objektivat për shembjen e tyre, në thelb — dashtë e pa dashtë – përfundojnë në zhdukjen e gjurmëve të identitetit shqiptar në trojet e Arbërit.  Ndonëse nuk dimë se kush janë kompanitë e përzgjedhura për të ndërtuar “teatrin e ri” në Tiranë, sipas zyrtarëve maqedonas, parcelën në sheshin e Shkupit e ka blerë kompania Amadeus Group nga Shqipëria, gjatë periudhës së qeverisjes së Gruevskit.  Autoritetet maqedonase janë cituar të kenë thënë më herët se lokacioni i blerë në sheshin e Shkupit nga firma shqiptare “do t’u kthehet qytetarëve”, pikërisht ashtu siç pretendojnë edhe autoritetet e Tiranës, pas shembjes brutale të Teatrit Kombëtar, gjithçka në emër të popullit, por pa e pyetur popullin.  Dikush duhet të shpjegojë dhe të japë përgjegjësi se si, pse dhe në llogari të kujt, vet shqiptarët, me veprimet e tyre —të drejtpërdrejta ose tërthorazi — janë të angazhuar në skema të tilla për zhdukjen e gjurmëve të historisë, të identitetit dhe të kulturës shqiptare, jo vetëm në Tiranë e Shkup, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Këto dy raste, njëra në Tiranë e tjetra në Shkup, pasqyrojnë qartë një mungesë flagrante mos vullneti të angazhimit në mbrojtje të monumenteve, personaliteteve dhe lokacioneve të ndryshme historike shqiptare, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor.  Por, ekziston një ndryshim i madh midis reagimeve të Tiranës dhe Shkupit në lidhje me këto dy raste.  Ndërsa Shkupi po “reflekton”, Tirana zyrtare nuk ka përfillur aspak shqetësimet e grupeve të interesit, artistëve e të tjerëve, që ishin në favor të Teatrit, në një formë ose një tjetër – dhe vendosi më në fund ta hedh në erë, hajnisht, herët në mëngjes, ndërkohë që u arrestuan një numër protestuesish në proces të shembjes së Teatrit, duke arrestuar shumë prej tyre që kundërshtonin shembjen e Teatrit, përfshirë gazetarë.  Reagimi i autoriteteve të Shkupit ishte krejt ndryshe në lidhje me protestat ndaj shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nënë Tere-zës në Shkup.  Si rrjedhim i presioneve dhe protestave nga grupe të interesit ndaj vendimit për të shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës në sheshin e Shkupit, autoritetet e Shkupit rishqyrtuan vendimin e marrë më herët dhe vendosën ta tërhiqnin përballë protestave.  Drejtori i (ITSHKSH), Dr. Skender Asani deklaroi të martën, së bashku me përfaqësuesit e një numri organizatash që mbajnë emrin e Nënë Terezës, se Shkupi zyrtar ka REFLEKTUAR mbi vendimin e mëparshëm dhe se autoritetet kanë premtuar të rivendosin, “Hapjen e shtegut deri te pllaka përkujtimore e Nënë Terezës, që ishte bllokuar më herët: “Qyteti i Shkupit ka reflektuar dhe ndonëse bëhet fjalë për një pronë të privatizuar padrejtësisht dhe në kushte të tjera, është arritur të gjendet një zgjidhje, duke mundësuar hapjen e një shtegu për të vendosur lule te pllaka përkujtimore e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza, si dhe për përcaktimin e vijave të themeleve të shtëpisë Bojaxhiu”, ka thënë për median, Dr. Asani.

Dr. Skender Asani duket optimist me vendimin e autoriteteve të Shkupit për t’u tërhequr nga vendimi i tyre i mëparshëm, ndërsa u shpreh se “Shpre-sojmë që mos të ketë nevojë të shtrohet më kjo çështje” dhe u angazhua se në të ardhmen do të përpilohet një propozim që do t’u dorëzohet institucioneve përkatëse të kulturës që kjo zonë të shpallet e mbrojtur dhe ajo të mos mund të rrezikohet më nga askush në të ardhmen.  Sepse sipas tij, “Figura e Nënë Terezës është pasuria më e madhe shpirtërore që mund ta ketë një shtet, si ky i yni për faktin se ajo prej këtu doli në botën e madhe, ku i shpërfaqi të gjitha vlerat më kulmore të humanizmit dhe solidaritetit, prandaj kërkojmë që institucionet tona të gjejnë një modalitet ligjor për ta shpallur trashëgiminë e saj shpir-tërore e materiale, aset kombëtar nën mbrojtjen e shtetit”, pasi Nënë Tereza tha ai, është “personaliteti që e ka nderuar më shumë se askush tjetër qytetin tonë në botë”. Eh, sikur edhe në Tiranë të mbizotëronte fryma e dashurisë, tolerancës, mirëkuptimit dhe e respektit për njëri-tjetrin, vlera këto që promovonte Nënë Tereza sa ishte gjallë, jo vetëm midis shqiptarëve kudo, por edhe në botë.  Eh, sikur të ndodhte kjo, edhe Tirana zyrtare dhe klasa politike shqiptare në përgjithësi, ndoshta do të kishte një dashuri më të madhe ose të paktën një tolerancë sado të vogël ndaj njëri-tjetrit, kur vjen puna tek ruajtja dhe respekti ndaj trashëgimisë së përbashkët historike të identitetit kombëtar, kulturës dhe gjuhës, e mbi të gjitha të veprohet në interes të Kombit dhe jo në favor të interesave të ngushta personale e partiake, në kurriz të shkuarës dhe të ardhmes së brezave.  Të paktën mos ia mbyllni derën një reflektimi pozitiv mbi situatën e krijuar aktuale dhe idesë se si të dilet prej saj, para se të jetë vonë!  Fatkeqësisht, nuk di nëse e shihni, por hapësira për një mundësi të tillë po zvogëlohet, ndërsa atmosfera e radikalizmit po rritet dita ditës, drejt së cilës ju vet po kontribuoni jo vetëm me fjalë, por edhe me veprat tuaja të papërgjegjshme, siç është hedhja në erë e Teatrit Kombëtar, ditët e fundit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Ndryshe Shkupi, teatri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT