• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

SI SHPËTOI AUSTRIA NGA SKENARI ITALIAN NË BETEJËN NDAJ COVID-19

May 18, 2020 by dgreca

Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli New York, Austrinë në betejën ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.

SITUATA E COVID-19 NË AUSTRI 

Situata në Austri është momentalisht stabile, lock-down i hershëm i shtetit më 15.3.2020 e shpëtoi Austrinë nga skenari i vendit fqinj Italisë. I gjithë shteti ishte i mbyllur, duke filluar hapjen graduale shkallë-shkallë. Mbyllja e fabrikave, industrisë, shkollave etj shpëtoi shumë jetë njerëzish në Austri. Shteti austriak deri më 17 maj numëronte:  16 mijë e 269 të infektuar me COVID-19, ndërsi numri i viktimave është minimal, 629 të vdekur. Në krahasim me Suedinë e cila nuk u mbyll, Austria korri megjithatë sukses të jashtëzakonshëm. Rënia ekonomike në Suedi shënohet më së paku 7,5%, ndërsa në Austri 5,5% e sa për numrin e të infektuarve dhe viktimave të  mos flasim të cilat janë shumë fish me të larta në Suedi. Tanimë janë hapur bizneset, restorantet prej 15.5.2020 dhe hotelet do të hapen në fund të majit. Shkollat fillojnë më 18.5.2020 me orar të reduktuar dhe në grupe të ndara. 

SHQIPTARËT NË AUSTRI

Për situatën e shqiptarëve për aq sa jam i informuar ka pasur raste por janë informata jozyrtare.  Kurba e të infektuarve është momentalisht 0,5 % infeksione të reja në ditë dhe diku 0,6 % kurba e të shëruarve në ditë. Shkaqet e vdekjeve janë pneumonia bilaterale por edhe trombozat, insultet në tru si dhe infarktet miokardiale. Sfidat në përballje me pandeminë globale janë të përditshme dhe të paparashikueshme, ka pacientë që janë negativ në testin e Covid-19 ngaqë virusi veçse ka depërtuar në mushkëri duke shkaktuar pneumoni bilaterale. Vazhdimësia e Pandemisë mbetet një e panjohur për të gjithë në ngase nuk e dimë si do të jetë numri i infeksioneve të reja pas hapjes graduale të kufinjëve më 15.06.2020. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT

Mesazhi im për lexuesit e gazetës së nderuar Dielli: mbani distancë më se paku 1 metër, lani duart me sapun dhe veshni doreza në ambiente më pak të njohura psh tek mbushja e makinës me derivate, në supermarket etj dhe mos u besoni informatave që thonë se kemi një medikament apo vaksinë të zbuluar. Do na duhet kohë për ta zhdukur virusin global. Përshëndetje të përzemërta për të gjithë ju dhe diasporën në USA.

KUSH ËSHTË DR.MED.UNIV.OA LEKË ABDYLI 

Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli jeton në Graz, qyteti i dytë i Austrisë për nga madhësia, qytet antik i cili të kujton shumë qytetin e lindjes së doktor Lekës Prizrenin si për nga ngjashmëria me kalanë e qytetit, me lumin përmes ashtu edhe për nga pozita gjeografike në jug të shtetit. Doktor Lekë Abdyli kreu studimet në Fakultetin e Renomuar të Mjekësisë në Graz, specializimin në Mjekësi Interne si dhe subspecializimin në Hematologji dhe Onkologji internistike i përfundoi poashtu në klinikën universitare në Graz të Austrisë. Doktor Lekë Abdyli është Oberarzt Kryemjek në departamentin e Mjekësisë Interne me Hematologji dhe Onkologji në Klinikën e Oberëart. Është përkthyes i licencuar i librit të Mjekësisë Interne nga gjuha gjermane e librit Herold Innere Medizin, literature kjo e cila shfrytëzohet në trojet shqiptare për përgatitjen e provimit të mjekësisë interne. Doktor Lekë Abdyli ka disa publikime dhe abstracte nëpër revista Internacionale në fushën e mjekësisë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Teatri dhe revolta brenda meje

May 18, 2020 by dgreca

Teatri dhe revolta brenda meje (gegnisht)*/

Nga Valentin LUMAJ*/

Dikur, në vitet “90, nji ndër barcaletat qi qarkullojshin ndër studenta, ishte kjo: nji shqiptar në Paris, tuej u mahnit me madhështinë e kullës Ejfel, i thotë nji turistit aty afër: uau sa madhështore, sa kohë mund t’marrin për me e  shkatrrue kyt kullë? Turisti i përgjigjet: po asht vepër artit more gomar, si nuk pyet nji herë sa kohë ka marre me e ndërtue?  Mu kujtue kjo pjesë humorit tek po shikjoja shembjen e Teatrit Kombëtar n’Tiranë. Edhe m’bani me mendue: a thue nuk asht barcaletë ajo, a thue asht e vërtetë, a thue ishte Edi Rama personazhi i saj.  Se, dasht-pa-dasht, për tana t’kqijat qi po u vijnë shqiptarvet, tek ai t’shkon mendja ma s’parit, apo si asht ajo shprehja: “ai asht nana e tana t’zezave”

N’kyt kohë t’karantinës, mundohem qi, për mushkninë teme me e zg-jedh ajrin e pastër pa virus apo tuej e filtrue me nji maskë, kurse per ushqimin e mendjes, tuej lexue noj libër apo tuej pa noj film argtues. Por, sikurse edhe ju, nuk mund t’rri pa pa edhe televizionet shqiptare. Atje lajmet e kqija qi nuk shtrrasin kurrë, e qi nuk ka maskë me i filtrue, ta helmojnë shpirtin. Hajt, thashë, po baj nji prove. Për me i shpëtue ankthit qi ndjellin kto lajme t’zeza, filloj për nji moment me e ushqye vedin me iluzione tuej mendue se Rama ka të drejtë me kyt shkatërrim total qi po i ban ekonomisë, pronës private, jetës’ lirë, lirisē t’menduemit e t’fjalës, shtetit ligjor, pushtetit mediatik, e ma s’fundit edhe tempullit të kulturës, Teatrit Kombëtar. Mendoj për pak, se mbi kto gërmadha, ai ka me ndrëtue Rilindjen e tij të premtueme. Vazhdoj tuej blue kto iluzione, dhe e ndjej se nuk jam ma ai qi jam. Ndiej se rrënimi brenda meje i ndërgjegjes i ka kalue kufijtë e egzistencës teme racionale. Institucioni i mendimit kuk asht ma qendra e arsyes. Nji mendim pa arsyetim, por vetëm për me akomodue ankthin, më shndërron pak-ka-pak në bashkëpuntor dhe bashkfajtor me kyt kriminel.

 Dhe teksa ndiej shpërthimin e adrenalinës, arsyeja nuk pyet ma për mendimin, revolta nuk pyet ma për arsyen dhe ndiej kthimin n’vedvedi tuej thanë me vedi: Pse duhet qi ky horr, mashtrues, bir komunisti e “bir kurve”, me jetue ma fizikisht, kur t’vetmen mjet të egzistencës’ tij fizike ka shkatërrimin, vrasjen dhe vjedhjen. Tham fizikisht, sepse shpirtnisht ai ka vdek. N’kjoft se nuk ka vdek krejt, asht kalbzue në shpirt dhe nuk ndien ma kurrgja veç ndjenjën e unit dhe të egos. Me fjalë t’tjera, asht edhe kufomë, edhe vrasësi gjallë. Vrasës dhe hajn. Kufomë shpirtnisht e dekompozueme dhimbshëm. Vrasës i njeriut t’lirë, vrasës i shpresës, vrasës i çdo areyeje qi ushqen psikikën e tij të mungueme. Hajn i çdo gjaje me vlerë, tuej mendue se kshtu, ai merr pak vlerë; hajn i kohës t’jetes tonë, tuej mendue se kshtu ka me kenë i pavdekshëm, hajn i t’ardhmes tonë tuej mendue se kshtu asht i pa-arritshëm.

Tuej ba kyt eksperiment n’ved-vedi, e kuptoj se cka ka ndodh realisht me shqiptarët e mbetun në Shqipni. Se shqiptarë me dije dhe adrenalinë kanë mbet shumë pak atje, t’pa-aft me ndryshye noj gja. N’Shqipni ka me shumicë shqiptarë t’nënshtruem, me ndergjegje t’rrënueme, njerëz pa pretendime apo t’ardhme. Kthehem mbrapa n’histori n’kohën e Osmanit dhe shikjoj shqiptarët e vërtetë n’tehin e jataganit,  tuej ik maleve apo përtej detit; shikjoj në komunizëm shqiptarët e vërtetë tuej thye kufijt, në gryk t’pushkës apo t’internuem, shikjoj në pseudodemokraci, shqiptarët e vërtetë tuej e kuptue zhgënimin dhe rrenën e madhe të “Shqipnis si Evrova”, tuej ik varg-e-vi e tuej i dhanë zhvillim kombeve t’hueja. 

Kush ka mbet? Ka mbet nji shpurë e pasun në xhep dhe vorfën n’rradake, t’cilët megjithëse jetojnë përjetsisht n’saraje kavalishente, prap nuk gjejnë shërim. Nji shtet sharabajkë, me karrocjerë t’veshun me kmisha aristokratësh, pa fenerë ndriçimit, qi ecin n’terr pa destinacion, qi kudo shohin nji sinjal dritet, e shkelin me kambë pa ndriçue ende, se drita ua vret sytë.

Janë edhe nja dy million t’tjerë, qi ju shkojnë mbas, sikurse delet mbas dashit n’humnerë. Kta jane me shpirt t’mirë, naiv t’sinqertë por mjeranë në ndërgjegje, t’cilët ma shumë se buka thatë i mban kulti i Ramës, Metës, Berishës, Bashës, Nanos, Enverit, dreqit e t’birit… Shikjoj kta njerëz t’pashpresë tuej mbajt nji pankartë me nji meme t’shkrueme: “Une jam Teatri”. Sa domethanëse kjo meme. Vërtet ju jeni “Teatri” qi nuk egziston ma. Ju egzistoni, por pa “Teatrin”, monumentin e fundit të ndërgjegjes tuaj. N’njoft se nuk asht kshtu, at’herë çonju e “shk…. nanën” karrocjerit me gjith sharabajkë, e mos pyetni sa i ban kilja komunistit. 

Ma mir’ nji ditë me dinjitet se nji jetë pa ndërgjegje.

* Nga cikli: Përsiatje mendimesh në kohë krizash

Filed Under: Analiza Tagged With: Valentin Lumaj

COVID-19 DO TË MBETET NË HISTORI SI NJË VIRUS ME VIRULENCË POLITIKE …

May 18, 2020 by dgreca

– Dalin dy pyetje që s’kanë marrë ende përgjigje të saktë: Cili është burimi ekzakt i këtij virusi: Marketi i Gjësë së Gjallë, apo laboratorët e Virologjike të Wuhanit? A do ta lejojë Kina zbulimin e së vërtetës?

 –  A ka një ilaç efektiv, dhe jo të kushtueshëm, që në rast nevoje, mund ta përdorim kundër tij?

– Përse po rekomandohet Remdesivir (RDV) -që është një ilaç anti-viral, shumë i shtrenjtë, dhe me efekte t’pa dëshirueshme anësore, në vend të  Kinina, HCQ (HYDROXYCHLORQUINE),- një ilaç jo i shtrenjtë, antimalarje, efektiv kundra SARS në vitin 2005, rezultativ edhe kundër COVID-19?

SHKRUAN PER DIELLIN NGA AUSTRALIA: DR. ZEKRI PALUSHI

Në kohët që po jetojmë, thënia e George Orwell: “The further a society drifts from truth the more it will hate those who speak it”, (Sa ma shumë shoqëria njerëzore i largohet së vërtetës, aq ma shume ajo do t‘i urrejë ata që flasin për të)- merr një kuptim ma t’madh.

Realisht, ne njerëzit jemi të etur për të ditur me ekzaktësi faktet apo vërtetësinë e ngjarjeve  që kanë ndodhur apo që do të ndodhin, -gjë që asht shumë e vështirë, dhe mendimet për ato gjana që s’mund ti dimë, apo si dimë me ekzaktësi, na i ngacmojnë mendjet, dhe ky ngacmim i vazhdueshëm që na rrin çekiç në tru, na ndikon në jetën tonë të përditshme duke na e vështirsu atë. Ndërkohë, jeta jonë do të ishte ma e kollajshme, nëse do të mësoheshim të toleronim ambiguitetin (interpertimet e ndryshme). 

Kjo shkon veçanërisht në fushën mjekësore, ku nga njëherë asht ma mirë të mos kesh një përgjigje, sesa të keshë një përgjigje të gabuar. Punimet shkencore në Dunning-Kruger effect tregojnë se sa ma pak njerëzit të dinë rreth diçkaje, aq ma t’sigurt ata janë, dhe kjo “siguri” i ban ata të lumtur. 

Këtë fenomen ne e konstatojmë edhe në rastin e COVID-19, -që deri më tash, -(pa marrë në konsideratë ekzagjerimet), ka infektue në të gjith botën, 4.708.435 njerëz, nga të cilët 311.954 kanë vdekur(deri me 17 maj). Prandaj seicili prej nesh dëshiron të ketë përgjigje të sakta për dy pyetje kryesore që janë: -Burimi ekzakt i këtij virusi, (ka ardhë prej Marketit të Gjasë së Gjallë, apo prej laboratorëve Virologjike të Wuhanit)? Dhe a ka një ilaç efektiv, dhe jo të kushtueshëm, që në rast nevoje, mund ta përdorim kundër tij.

Përgjigje të arsyeshme për të dyja kto pyetje duhet të ishin ‘PO’ -megjithatë ne s’do ta kemi të lehtë që t’marrim përgjigjet e pyetjeve tona, kur dimë se Partia Komuniste Kineze dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë ba dhe po bajnë ç’mosin për të MBULUE të VËRTETAT.

Ndërkohë, asht e kuptueshme se marrja e këtyre përgjigjeve do të ishte e randësishme jo vetëm për shuarjen e kuriozitetit tonë, -por ma e randësishme do të ishte se këto përgjigje do t’na tregonin me ekzaktësi origjinën e këtij virusi, mbartësin e tij, dhe rrugët e infektimit. N. q. s i kemi këto të dhana, -atëherë e kemi shumë ma t’kollajshme për të gjetë rrugët e parandalimit apo të ri-ardhjes së tij.

Përgjigjet e sakta të këtyre pyetjeve, do të ishin shumë të rëndësishme edhe për qeveritë. Kjo do t’ju jepte atyre konfidencën e nevojshme për të fillue sa ma shpejt punën në drejtim të ekonomisë, që aktualisht asht në pikën e vdekjes.

Fillimisht ideja se COVID-19, mund të kishte rrjedhur nga një prej Laboratorëve të Wuhanit, u hodh poshtë si një Teori Konspirative’-(falë “Teorisë Konspiracionit”,të Majtit/kripto-komunistët po realizojnë gradualisht, me mjeshtri e fshehtësi planet e tyre), por tashma, zyrtarë të ndryshëm, në pozita të niveleve të larta qeveritarë dhe të inteligjencës, si në Amerikë, Australi, Britani etj,  besojnë se ky virus mund të ketë rrjedhë nga një prej dy Laboratorëve Virologjikë të Wuhanit, -gjë që është duke e shqetësuar shumë Kinën.

Gjetja e së vërtetës në lidhje me COVID-19, do të ishte një goditje e fortë për propogandën e Partisë Komuniste, dhe reputacionin e saj para popullit te vet, dhe botës. 

Prandaj ajo asht duke ba t’pamundurën për  të ç’vendosë vëmendjen e botës perëndimore ndaj kërkesave për gjetjen e s’vërtetës, duke i kërcnue këto me sanksione të ndryshme.

Por çfar do të thuash për komunistët kinez, kur në shumicë, politikanët e krahut të Majtë, në vendet e zhvillume të botës, përfshi dhe Governorin e New York-ut, -Andrew Cuomo, (anëtar i Partisë Demokratike të Amerikës), e quan COVID-19, ‘virus Europian’. 

Tani le t’i rikthehemi analizimit të përpjekjeve që po bahen në Amerikë, në drejtim të mjekimit të COVID-19, -rezultatet e të cilit, influencojnë në të gjithë botën.

Shkurtimisht, në Amerikë po rekomandohet 2 ilaçe që mund të luftojnë COVID-19,

Kinina, HCQ (HYDROXYCHLORQUINE),- një ilaç jo i shtrenjtë, që është përdorë kundra malarjes, -por që ka dhanë rezultate shumë të mira edhe kundra SARS në vitin 2005, e tash po përdoret me sukses edhe kundra COVID-19, si në Itali, Spanjë, Portugali dhe në disa pjesë të Francës. Ndërkohë, -çuditërisht ky ilaç asht refuzue të përdoret në shumicën e Amerikës dhe Britanisë.

Remdesivir (RDV), -që është një ilaç anti-viral, shumë i shtrenjtë, dhe me efekte t’pa dëshirueshme anësore. 

Me 29 Prill, Revista Mjekësore LANCET ka publikue rezultatet të përmbledhura të punimeve shkencore rreth Remdesivir-it (RDV). Aty dalin shumë qartë faktet që ky ilaç jo vetëm që s’punon siç duhet, por 66% e pacientëve patën evente të pa dëshirueshme si, disfunksion të shumë organeve, shok septic, damtime acute të veshkave, ulje të tensionit të gjakut (BP), damtime të melçise dhe insuficience acute respiratore. 

Po çfare dimë ma tepër për Quininen (Hydroxychloroquine-HCQ)?

 Oliver Cromwell, -që njihet ma së shumti për kthimin e Anglisë në republikë dhe pastrimin etnik të Irlandës, -vdiq nga malaria në vitin 1658, pasi ai s’pranoi të mjekohej me ekstratin e një bime mjekësore, të quajtur ‘bark e pemës cinochona’ që rritej vetëm në Peru, e që përmbante quinine. Mqs, kjo bimë ishte sjellë në atë kohë në Europë, nga misionarët Jezuit,  Cromwell-i s’pati besim në të, e ky mosbesim i kushtoi atij jetën.

Siç duket historia përsërit vehten, -pra pas rreth mbi 350 vjetësh.

Në Shkurt, një grup ekspertësh Kinez, të drejtuar nga Zhong Nanshan, -(një shkencëtar që pat qenë i pari që zbuloi një mjekim efektiv për SARS), -publikuan rezultate aq impresive të një studimi për HCQ, sa që e deklaruan si Mjekim Standart për COVID-19. 

Që prej Shkurtit, të paktën edhe 5 studime (trials) të tjera prej vendeve të ndryshme Mediterriane, Afrikane, Latino-Amerikane dhe Aziatike kanë vërtetuar praktikisht se përdorimi i HCQ, ka paksu mortalitetin, ka paksu ngarkesën virale, ka paksu shtrimet në spital, ka paksu progresimin e keqësimeve dhe ka shpejtu kohën e përmirësimit dhe shërimit, -vecanërisht nqs mjekimi fillohet shpejt. Me gjithë këto të dhana pozitive, FDA-s Amerikane i mori dy muj që të lëshonte një Autorizim Përdorimi Urgjent (Emergency Use Authorisation), për ta përdor quininen, – por vetëm për të shtruarit në spitale. 

Ndërkohë, Dr Fauci ka dhanë 70 milion dollar (sigurisht, nga ato të tax-paguesve), për të studjue anti-viralin Remdesivir (RDV), – një studim krejt i pa-nevojshëm, në të cilin asht angazhue edhe OBSH-ja (Organizata Botrore e Shëndetësisë). Për ma tepër, edhe Instituti Virologjik i Wuhanit, (pa zhurmë), më 21 Janar, (para se të publikonte rezultatet e provave të tij sekrete më 4 Shkurt, për rezultatet shumë të mira të HCQ+AZT (Azithromicine), kishte paraqitë një aplikim patente për RDV!!! 

Siç shihet, asnjë prej tyre s’janë të interesuar në efektivitetin e provuem dhe cmimin shumë të arsyeshëm të HYDROCHLORQUININES (HCQ). Ndërsa ato dinë shumë mirë rezultatet e publikuara më 29 Prill, nga Rrevista Mjekesore LANCET,-ku janë dhanë të përmbledhura  punimet shkencore rreth Remdesvir-it (RDV). 

Edhe pas këtyre t’dhanave, Dr Fauci-t nuk ndryshoi mendja, ai bile publikoi rezultatet e studimeve të veta rreth RDV, ku tregonte se pacjentët e tij u përmirësuan 4 ditë më shpejt, ndërkohë që përqindja e mortalitet, s’pati ndonjë përmirësim të randësishëm statistikor. Çuditërisht ai nuk publikoj të dhëna të tjera të studimit të tij, që të tjerët t’kishin mundësi ti analizonin. Kjo nuk e pengoj atë që të deklaronte se RDV mund të jetë  si ‘mjekim standart’ për COVID-19 (‘Standart of care’), -ndërkaq, FDA (Food and Drug Administration) e Amerikës lëshoj një Autorizim Përdorimi Urgjent (Emergency Use Authorization), për përdorimin e RDV, në rastet serioze, për të sëmurët në spitale.

Një Zot e din pse Dr Fauci kambëngul në kët ilac. Por merret me mend, se ai ka mbështetjen e   shumicës së anëtarve të Komisionit që kanë kompetenca të vendosin se cilin mjekim duhet të përdorim kundra COVID-19. Dimë që nga ky Komision, – 9 antarë kan tregue (disclose) lidhjet e tyre financiare me kompaninë farmaceutike GILEAD. Po kështu, nuk janë të  pakët ekspertët mjeksorë e shkencorë që anojnë në favor të propogandimit të RDV, por që në fakt gëzojnë edhe do përfitime financiare nga GILEAD. Për shembull, Dr Jean-Michel Molina and Dr Constance Delaugerre që kanë drejtue një studim (trial), kanë marrë mbi 100.000 dollar. Nëpërmjet të dhanave të publikuara, ata thonë se s’ka evidencë që mjekimi me HCQ+AZT punon në të sëmurët me COVID-19. Në të vërtetë, nëse studimi i tyre tregoi dicka, ai ishte se në 11 pacjentët që ishin të sëmurë shumë randë me COVID-19, e që u trajtuan me HCQ+AZT, vetëm një vdiq, -kjo në fakt është një arritje e shkëlqyeshme kur dihet se 8 prej 11 pacjentve patën edhe sëmundje të tjera shoqëruese si obezitet, cancer dhe infeksione me HIV. Professor Katherine Seley-Radke që pajtohet me Molina, ka shares në GILEAD.

Lajmi ma i mirë, -që ja shtoi menjëherë (16 bilion dollar) vlerat e marketit (market values), Kompanisë Farmaceutike GILEAD, ishte konkludimi i OBSH-së, nga fillimi i këtij viti, kur tha se RDV (remdesivir), ishte kandidati ma premtues për shërimin e COVID-19. 

Ndërsa për popujt tax-pagues, – e vecanërisht të atyre vendeve në-zhvillim,-ku hyn edhe Shqipëria, -konkludimi i OBSH-së, asht një lajm i keq, me pasoja shumë të mëdha.

Do t’ishte interesante të spekullonim se, tash që vëte Dr Anthony Fauci ka hy në quarantinë, -cilin nga keto dy ilaçe ai do të përdorë? -Le të shpresojmë se ai s’do të zgjedhë rrugën e Oliver Cromwell-it. 

Pak fjalë në përgjithësi: Ne shqiptarët njihemi për marrdhanie të mira familjare e shoqërore, dhe ndihmën e dashurinë e shfaqur apo t’pa shfaqur që kemi për njeri-tjetrin, -kto janë favore të mëdha në këtë kohë izolimi të pakuptimtë. 

Personat me lidhje të forta shoqërore kanë 50% ma pak shanse për vdekje të parakohshme. Marrëdhëniet e varfëra shoqërore, mund ta dëmtojnë jetëgjatësinë aq sa e dëmtojnë edhe pirja e 15 cigareve në ditë, -ato e influencojnë jetëgjatësinë më shumë se obeziteti, alcoholi dhe mungesa e ushtrimeve fizike (lack of exercise). 

VETMIA shoqërohet me rritjen e rrisqeve për zhvillimin e sëmundjeve të enëve coronare të zemrës, rritje të Tensionit të Gjakut (high BP), stroke, dementia, ankth dhe depression. Gjithashtu, vetmia mund edhe të na mbysë krejt. Në librat Mjeksore të pas-viteve 1990, shkruhet e përshkruhet në lidhje me TAKOSUBO syndrome, -që ne Shqiptarët do ta quanim “Zemër e plasur”, – një cardio-myopathy me shkaktarë mërzitjen dhe STRESET.

Le t’shpresojmë se ‘Distancimi social’ të mos jetë një trashegimi e COVID-19, -dhe të mos zëvendësojë fjalinë “God bless you” (Zoti ju bekoftë), -që mendohet të ketë origjinën nga Roma, kur ‘Murtaja e Zezë” e (shkaktuar nga Yersina pestis, që infekton kryesisht minjet e zi, dhe pastaj njerëzit), -ishte duke shkatrrue Europën. Teshtitja në atë kohë ishte symptomi kryesore i asaj sëmundje, -prandaj Pope Gregory I, u sygjeroi njerëzve që të përdorin këtë lutje të shkurtë pas çdo teshtitje, – me mendimin se kjo do t’i mbronte prej vdekjes.

Përfundimisht, për mendimin tim, – COVID-19, do të shkojë në histori, dhe do të mbahet mend, -shumë ma tepër si një ‘Virus me virulencë Politike’-se sa për aftësitë e tij infektuese njerëzore. 

E them këtë, duke u bazuar në faktin se, -shumë nga Mediat kryesore nuk e fshefin dëshirën e madhe që kanë për mos-suksesin e Hydroxychloroquine-nes , -kjo për arsyen e vetme se presidenti Trump, ishte nga entusistikët e parë promotues të ktij ilaci (jo pa baza). 

Po kështu, shumë të tjerë në Amerikë, luten cdo ditë që COVID-19 të bëjë sa ma shumë damtime, -duke shpresue se kjo ka për t’shkatrrue përfundimisht shanset e Trumpi-t për tu ri-zgjedhur. 

Shqiptarët mund të jenë populli ma me ekperiencë për të nuhatur ngjarjet e tanishme. Komunizmi na i ka mpreh në maksimum “shqisat” politike, që ne duhet t’i përdorim cdo ditë, -nëse s’duam të biem përsëri në Kurthet Komuniste.

Pjesmarrja e Greta Thunberg-ut, -(një fëmijë me shumë probleme mendore të spektrit autistic), në panelin e ekspertëve të CNN-it, duhet të na kujtojë filmin “Lulkuqet mbi mure”.

Dr Zekri Palushi,

Australi, 17 Maj 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Dr.Zekri Palushi

Fuqia e referencës letrare dhe autoriale në njësimin e Adnan Mehmetit

May 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Gjekë Marinaj, PhD/ Dallas, Teksas/

“Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” është një libër me rreze veprimi më të gjerë sesa një reference tavoline, për lexuesit shqiptarë, të interesuar për ecurinë e letërsisë së diasporës në Amerikë. Ai nuk mund të përkufizohet as vetëm si esencë biografike, apo pasqyrim bibliografik. Këtu kemi të bëjmë me shtresa shtesë oportunitetesh, sepse ballafaqohemi me një hapësirë të pasur referimi, të cilën përmbledhësi dhe njëkohësisht autori i këtij libri, Andan Mehmeti, e ka perceptuar atë më tepër si një burim interaktiv, sesa një rezervuar informacioni statik.
  Ndaj ne, si lexues të tij, si studentë të përhershëm të letërsisë dhe historisë, duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha labirintet grabutiane në favor të idealeve tona, për të qenë sa më të edukuar dhe sa më përçues të kulturës sonë kombëtare, nga origjina për tek platformat nga ku mund të shijohet më tërësisht ajo. Në akord me konceptimin dhe diapazonin e mundësive personale dhe kolektive që kemi, krijimtaritë e formave më të larmishme letrare, që referohen këtu, është mirë t’i trajtojmë si përfaqësuese esenciale të lartësisë dhe si gravitet kolatik i mendimit dhe kulturës mbarë-shqiptare. Ato mund të konsiderohen pa hezitim si dukuri protoniste të drejtpërdrejta të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
  Ndonëse po bëhen gati dy dekada nga dita e themelimit të saj, një pjesë e përmbajtjes bibliografike dhe krijimeve letrare që pasqyron këtu, e kanë gjenezën e tyre para krijimit të këtij institucioni. Ky fenomen vetëm sa e shton interesin e lexuesit, duke fuqizuar faktin se shumica e prurjeve janë “krijime” letrare të formuara brenda orbitës së veprimtarisë së kësaj shoqate.
  Adnan Mehmeti, si president (për disa nga ne si udhëheqës shpirtëror) i këtij grupi të rëndësishëm krijuesish, shpalos edhe një herë identitetin e tij, si novator në jetën e komunitetit letrar dhe intelektual të këtyre shkrimtarëve, poetëve, historianëve, dramaturgëve, gazetarëve, dhe autorëve të formave të tjera të artit letrar. Ai e bën këtë pa zhurmë, më thjeshtë si dhe pa pretendime autoriale. Kjo është mënyra e tij e veprimit. Roli e tij prej katalizatori ofron, shpejton dhe lehtëson rrjedhën e informacionit dhe prodhimtarisë letrare të anëtarëve të shoqatës së tij për tek lexuesi shqiptar dhe i huaj.
  Adnan Mehmeti e bën këtë duke e parë botën e anëtarëve të shoqatës që drejton nga brenda kontureve të realitetit të tyre krijues me vështrim të hedhur jashtë vijave të padukshme, që ndan raportet e krijueseve me lexuesit. Avantazhi i tij si njohës nga brenda i kontributit letrar të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, shndërrohet në mision për ndryshimin e status quosë. Tashmë jehona e punës së shkrimtarëve, nuk mbetet më në heshtjen e një udhëtimi të largët si dikur, ku turbinat politike e shoqërore krijonin interferencë konstante dhe prishin natyrshmërinë e jetës bashkëkohore letrare. Si rezultat, qëllimi tradicional i letërsisë së diasporës nuk është më as në pikëpyetje as në mëshirën e zotit, ndonëse akoma nuk është vënë plotësisht nën autoritetin e një sistemi profesional e të organizuar të botimeve të librave.
  Kjo ka krijuar frymëzim dhe kurajë tek autorët e shumtë, të përfshirë në këtë libër. Vetëbesimi i tyre, për të bërë letërsi, që i qëndron kohës është evident kudo. Po të studiohen me kujdes poezitë, proza, apo fragmentet e formave e tjera letrare, që çdo autor ka përzgjedhur për të përfaqësuar vetveten, vihet re se ekziston një përpjekje e vetëdijshme, apo e pavetëdijshme për ta zhvendosur fokusin e jetës letrare nga fundamentalizmi konservator i së kaluarës, pa i humbur principet themelore në kërkim të cilësisë. Por lirshmëria e fituar krijuese, nuk ka sjellë qetësi të plotë dhe të gjithanshme. Siç vihet re, ajo akoma shkon paralelisht me ritet dhe filozofinë bashkëkohore, në kërkim të përgjigjes së pyetjes, se cili është misioni i vërtetë apo kuptimi i jetës letrare në shekullin e 21-të.
  I njëjti përqëndrim në titujt e librave të autorëve në fjalë, do na ndihmonte për të kuptuar më thellësisht linjat e mendimit në udhëtimin e tyre drejt zbulimit të domethënies së jetës krijuese dhe përshtatjes së saj për lexuesin. Titujt na japin hapësirë të mjaftueshme interpretimi, sepse funksionojnë si të dhëna në ekuacionin e angazhimeve të autorëve në ndjekje të përparimit shoqëror. Një prej konstatimeve të shumta është se krijuesit në mënyrë konstante i mënjanojnë disa nga gëzimet e jetës për të arritur përsosurinë morale si krijues asketikë, duke refuzuar lakminë e vlerave materiale, madje edhe duke sakrifikuar një pjesë të rëndësishme nga jeta e tyre familjare, për hir të besimit që kanë tek fuqia dhe premtimi, që rrjedh nga penat e tyre. Titujt e librave kërkojnë vëmendje, sepse nuk janë tituj rastësisht.
  “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” na jepet si një lloj centurie, që shtrihet përtej faktit se çdo titull përfaqëson një autor dhe paraprin një tekst. Ai bëhet epiqendër e një reference antologjike, që na drejton për tek krijimtaritë letrare, mendimet, njohuritë dhe biografitë e shumë figurave të rëndësishme letrare në Amerikë. Megjithëse paraqiten së bashku si një trup tekstesh dhe janë një degë e trungut të letërsisë sonë kombëtare, materialet që referon libri, nuk mund të konsiderohen tërësisht si pjesë e një tërësie, si kapituj të së njëjtës jetë letrare. Secili autor përbën një entitet të plotë dhe të pavarur. Ata nuk përfaqësojnë një filozofi, apo botëkuptim të qëndrueshëm, por më tepër përvojat, mendimet dhe mësimet individuale në kërkim të formimit të identitetit personal dhe autorial.
  Por, me gjithë respektin që ka për individualitetin krijues, Adnan Mehmeti na sugjeron të mos harrojmë se harmonia dhe respekti reciprok midis krijuesve është një sfidë në vete. Ai ka të drejtë, sepse kur forca e përbashkët e një shoqate letrare merr jetë përtej këndvështrimeve të ngushta, divergjencave apo xhelozive individuale, forca e mendimit kthehet një akt adekuat për të kuptuar më mirë kompleksitetin e realitetit të njerëzve, për të cilët shkruajmë.
  Një tjetër koncept paralel me këtë linjë mendimi është drejtimi i vëmendjes tek fakti se veprimet tona kanë pasoja dhe se të gjithë kemi detyrime morale dhe shoqërore ndaj njëri-tjetrit. Çdo shkrimtar, me apo pa vetëdijen e tij, përfaqëson më shumë se veten e vet në çdo fjalë që shkruan. Ky është një realitet statik dhe i pafuqishëm për të ndryshuar me kohën. Thënë ndryshe, duhet pranuar se nganjëherë qetësia jonë shpirtërore është e rrënjëzuar në faktorë që gjenden përtej mundësive tona, për ta rinovuar apo mbrojtur atë.
  “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”, siguron burimin bazë për shumë tema të rëndësishme të letërsisë së diasporës. Duke u nisur nga numri i madh i autorëve të përfshirë këtu si dhe nga rëndësia e tyre, mund të themi se shumica e temave kryesore, që kanë lidhje me shoqërinë tonë janë të mbuluara denjësisht. Si të tilla, ato nuk mbeten neutrale as në interpretim as në përmbajtje, ngaqë secili autor përpiqet të integrojë esencën e pikëpamjeve personale, në lidhje me shqetësimet bashkëkohore të kombit tonë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gjeke Marinaj PhD

SHEMBJA E TEATRIT KOMBËTAR-VATRA KËRKON VETËPËRMBAJTJE TË PALËVE DHE DËNON DHUNËN

May 17, 2020 by dgreca

-Vatra kërkon, që në këtë kohë Pandemie, kur dyert e dialogut i ka mbyllë Qeveria me shembjen e godinës, në këtë kohë tensionesh e përplasjesh, palët të vetëpërmbahen, të respektojnë rregullat dhe vlerat e Demokracisë./

DEKLARATË E FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/

         Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA” e ka përjetuar me dhimbje shfaqjen e dhunës qeveritare ndaj artistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të pafajshëm, që mbronin kauzën e mosshembjes së godinës të Teatrit Kombëtar në orët e hershme të mëngjesit të 17 Majit 2020. Qeveria zgjodhi kohën e gjumit, 4 e 30 A.M, për ta hedhë në tokë godinën e Teatrit Kombëtar, pa gjetur gjuhën e përbashkët me qytetarët që kundërshtonin shembjen e godinës, që prej 27 muajësh.

          Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë patën kohë të mjaftueshme për të dialoguar me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, por nuk e bënë. Në vend të dialogimit ata preferuan t’i përçanin artistët, duke krijuar dy grupime, njërin që e mbronte Teatrin, e tjetri, që i jepte të drejtë qeverisë për Teatër të ri. Përça e sundo! 

Vatra pyet: Çfarë do të ndodhte nëse teatri i vjetër mbetej si dëshmi e vlerë e së shkuarës, dhe diku tjetër të ndërtohej një teatër i ri, modern, siç pretendon Kryeministri dhe Kryebashkiaku?

Kryebashkiaku pretendon se Teatri nuk ka vlera muzeale, nderkohe qe” Europa Nostra” e ka shpallë Teatrin Kombëtar në Tiranë një nga 7 objektet e trashëgimisë së rrezikuar kulturore të Europës.

Mënyra dhe koha që zgjodhi qeveria për ta prishë Teatrin, kalimi hileqar i teatrit në varësi të Bashkisë,  hedhin hije të forta dyshimi për afera korruptive. Përse u prish natën, dhe perse tash ne Kohen e Pandemise? 

      Qeveria përdori arrogancën dhe dhunën në vend të dialogut. Ajo nuk dëgjoi as ndërkombëtarët, kur këshilluan për dialog. 

Nuk pritën as përfundimin e procesit gjyqsor në Gjykatën Kushtetuse, ku e pat dërguar i pari vendit, presidenti.

    Shqiptarët u bënë dëshmitarë të një spektakli të dhunshëm, kur artistë e gazetarë tërhiqeshin zvarrë prej policisë për të vetmen arsye se donin që teatri të mos prishej! Kjo nuk është Demokraci. Shembja e Teatrit në kohën e Pandemisë, kur vendi përjetonte masa shtërnguse, dëshmon edhe mungesë transparencë, por hedh edhe hije të forta dyshimi mbi qëllimin e vërtetë të ndërtimit me çdo kusht të Teatrit të ri mbi gërmadhat e ndërtesës së vjetër.

Pas prishjes së godinës, shqiptarët ndoqën edhe Presidentin e vendit, z. Ilir Meta, që përcolli akuza të rënda për Qeverinë.

Citojmë nga deklarata e Presidentit: “ urdhërin për prishjen e Teatrit e dha Mafia…Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”!

Kjo deklaratë është e frikshme dhe e dhimbshme. Kush do ta mbrojë vendin nga Mafia? Po, a nuk është Presidenti garanti i Kushtetutës? 

 Ai është betuar dy herë mbi Kushtetutë, kur u ul në karrigën e Presidentit dhe kur doli në shesh për të mbrojtë Kushtetutën. A do të betohet për të tretën here si garant i Kushtetutës dhe nuk do të tërhiqet pas? 

     Kush do ta mbrojë Demokracinë e brishtë shqiptare, që për tri dekada vërtitet rreth kaosit dhe anarkisë? 

Po Parlamenti? Ku është Parlamenti i emëruar i mazhorancës. Ku ishin deputetët e opozitës së re, asaj të emëruar? 

    Opozita e bashkuar ka reaguar fort pas shembjes së Tetarit. Po ku ishte deri dje, kur për 27 muaj Aleanca për Teatrin luftonte për kauzën e mosprishjes së Teatrit?  

      Ku shkuan zotimet e tyre se nuk do të lejonin shembjen e teatrit?

  Të hënën, do të jenë në sheshin e protestës ”Aleanca për Teatrin” dhe Opozita e Bashkuar. Thirrjet për mosbindje civile janë bërë publike në media.

Vatra kërkon, që në këtë kohë Pandemie, kur dyert e dialogut i ka mbyllë Qeveria me shembjen e godinës, në këtë kohë tensionesh e përplasjesh, palët të vetëpërmbahen, të respektojnë rregullat dhe vlerat e Demokracisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra-deklarate

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT