• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

FLET NGA FRANCA EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN DIELLI DR. VEDAT ELJEZI

May 4, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË FRANCË DHE MASAT QË MORI SHTETI FRANCEZ NË BETEJËN NDAJ COVID-19/

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dr. Vedat Eljezi mjek anestezist-reanimator në Qëndra Klinike Universitare Clermont Ferrand, Francë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

       Në betejën ndaj Covid-19 shteti francez renditet i katërti në botë me të infektuar dhe viktima si shkak i pandemisë botërore. Si Francën po ashtu edhe shumë shtete evropiane, vala e pandemisë i gjeti të përgjumur dhe reagimi me vonesë solli viktima dhe gati sa nuk solli kolaps shëndetësor total. Të dhënat e pasakta nga Kina dhe mosmarrja me seriozitet e valës së shpërthimit të Covid-19 bëri që pasojat në Europë të ishin katastrofike. Sistemi shëndetësor francez sot përballet me mungesa në bazë materiale, në personel shëndetësor, buxhet të pamjaftueshëm për shëndetësinë, mjete mbrojtëse,veshje, maska, pajisje respiratore etj. 

SITUATA NË FRANCË

Mjeku shqiptar, anestezist-reanimator, Doktor Vedat Eljezi tregon se si trajtohen pacientët e prekur me Covid-19 në shtetin francez dhe se nga Franca më në fund vjen një dritë jeshile. Edhe pse ka rritje të numrit të të vdekurve, mund të themi se Franca e ka kaluar tani më pikun e sëmundjes dhe spitalet po zbrazen nga pacientët me Covid-19, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të numrit të pacientëve në reaminacion dhe numrit të pacientëve të hospitalizuar. Franca arriti kulmin e pandemisë dhe të krizës shëndetësore më 8 prill. Izolimi ishte dhe është arma më efikase në luftimin e pandemisë. Në valën e parë të madhe të epidemisë së virusit, izolimi ishte një masë e padiskutueshme. Në Francë izolimi si masë, u mor ndoshta pak me vonesë pasi aksush nuk i besoi valës dhe përmasave të jashtëzakonshme të pandemisë. Sipas statistikave, transmetimi i virusit falë izolimit është ulur me 80%. Izolimi në Francë mundësoi shpëtimin e mbi 60 mijë jetëve njerëzore. Me kalimin e ditëve ne po fitojme njohuri të reja mbi virusinCovid-19. Pavarësisht rrethanave te krijuaranga pandemia,  jeta duhet të vazhdojë, njerëzimi nuk mund të rrijë në izolim total për kohë të pacaktuar. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim kujdesin, po përkundrazi, pas daljes nga karantina duhet shtuar vëmëndja dhe kujdesi në nivel akoma më të lartë.

Izolimi në formën e tij strikte nuk duhet të vazhdojë për kohë të gjatë të paktën për tre arsye :

  1. Pasojave ekonomike negative për çdo shtet dhe individ,  
  2. Gjëndjes së rënduar psikologjike te njerëzit, 
  3. Rritjes së dhunës dhe agresivitet në familje. 

Sistemi shëndetësor francez ishte në krizë përpara se të fillonte pandemia botërore. Reduktimi i buxhetit të shtetit për shëndetësinë, reduktimi i personelit shëndetësor, mbyllja e disa reparteve të reanimacionit, mbyllja e disa spitaleve te periferike sollën sistemin shëndetësorë francez në situatë aspak të favorshme. Goditja e fortë nga vala e pandemisë e nxorri këtë krizë akoma më mirë në shesh. Mirëpo sistemi shëndetësor francez nuk ra, falë punës së palodhëshme të personelit mjekësorë i cili diti të adaptohet në mënyrë të përkryer në këtë situatë të jashtëzakonshme. Megjithëse situata me furnizim me materiale dhe barna ka filluar të përmirësohet jemi akoma larg normalizimit të plotë të situatës. Dua të theksoj edhe problematikën e lënies pas dore të mjekimit të sëmundjeve tjera jo covid, sikurse pacientët që janë në listë të pritjes për tu operuar apo për të marrë mjekim tjetër. Kjo është një listë e gjatë e pacientëve që janë në pritje. Mungesa me materiale dhe barna na bëjnë të jetojmë me ankthin e përballimit të mundshëm të situatës nëse do kemi një valë të dytë të pandemisë nga Covid-19 në javët e ardhshme.

SI KANË REZULTUAR PROTOKOLLET E TRAJTIMIT 

Trajtimi i Covid-19 vazhdon të ngelet simptomatik, pra ne mjekojmë vetëm pasojat që jep infeksioni viral. Aktualisht ne nuk kemi një armë të fuqishme për të bërë trajtim etiologjik, pra të godasim virusin në mënyrë direkte. Aktualisht janë mbi 300 studime klinike kërkimi në botë që provojnë trajtime të ndryshme. 

Dua të theksoj se asnjë trajtim deri tani nuk ka dhënë efekte mjekimi të mjaftueshme për tu konsideruar si mjekim bazë dhe referent për Covid-19. 

PREKJA E SHQIPTARËVE QË JETOJNË NË FRANCË NGA COVID-19

Nuk kam informata të sakta mbi numrin e shqipëtarëve qe jetojnë në Francë që janë të prekur nga infeksioni viral Covid-19. Grumbullimi i këtyre të dhënave është i pamundur në një popullësi 65 miljonëshe sikurse është Franca. Në qendrën ku punoj unë nuk ka pasur asnjë rast me pacient shqiptarë që ka pasë nevojë për reanimacion. Kam patur vetëm disa konsultime nga larg, nga shqipëtarë që jetojnë ne vende të ndryshme të Francës dhe që janë të prekur me Covid-19. 

KONTRIBUTI I FEDERATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË EUROPIAN

Federata e mjekëve shqiptar europian me qëllim të ardhjes në ndihmë dhe informimit të të gjithë shqiptarëve kudo ato ndodhen ka vendosur një platformë on-line në ueb faqen e saj. Mjekët shqiptarë të shpërndarë kudo në europë ju dalin në ndihmë dhe ju shërbejnë vëllëzërve e motrave tona kudo ata ndodhen. Personalisht si mjek kam zhvilluar deri në 5 kosulta në ditë me bashkëkombas për probleme që lidhen qoftë me pandeminë e Covid-19 qoftë edhe për probleme të natyrave të ndryshme mjekësore. 

MASAT E SHTETIT FRANCEZ DHE PËRDORIMI I MASKAVE

Edhe pse me masa të vonuara, prapë se prapë shteti francez e rimori veten dhe tani mund të themi se situata po shkon drejt normalizimit dhe kjo sidomos falë masava të izolimit. Ruajtja e masave barrierë, e ndër ta përdorimi i gjerë dhe i drejtë i maskës, janë një domosdoshmëri për të shmangur një valë të dytë të pandemisë. Mbajtja e maskave dhe kujdesi rigoroz duhet të na shoqërojë me çdo kusht deri në zhdukjen përfundimtare të pandemisë. Çdo gabim apo neglizhim i këtyre masave ka shumë shansë të rezultojë me ripërhapje të gjerë dhe të shpejtë të infeksionit në kushtet e daljes nga karantina ku edhe kontaktet janë të shtuara. Mbajtja e distancës ndër personale dhe përdorimi i maskës është mjet i pakontestueshëm i parandalimit të përhapjes së virusit. Shteti francez do sigurojë maska për ata që s’kanë mundësi ti blejnë dhe kjo maskë do jetë e detyrueshme për ata që frekuentojnë ambjentet e transportin publik, për nxënësit nga klasa e pestë e lart dhe profesionet që kanë kontakte direkte me fëmijët e vegjël. 

TESTET SEROLOGJIKE NË LIDHJE ME COVID-19 

Gjithçka që na mundëson të kuptojmë më shumë per këtë pandemi është e mirëseardhur. Testet serologjike jane diçka shumë interesante dhe për mendimin tim do kenë rëndesi shumë të madhe për të ndjekur ecurinë pandemisë dhe për të kuptuar gjëra që ne akoma nuk i dijmë. Me lejoni të shpjegoj me dy fjalë çfarë janë realisht dhe për çfarë do të shërbejnë. 

Pas kontaktit me virusin, organizmi jonë fillon të mbrohet duke prodhuar antikorpe që është çelësi i mbrojtes sonë imunitare, diçka e përkryer si sistem. Për tu mbrojtur nga agjentët patogjen, organizmi jonë prodhon antikorpe apo me emër tjetër njihen si imunoglobulina. Imunoglobulinat janë dy llojesh, IgM që zhvillohen të parat në fazën akute dhe IgG që zhvillohen më vonë. Këto antikorpe do të na mundësojnë të kuptojmë kush ka qenë në kontakt me virusin (i sëmurë apo asimptomatik); si do evoluojë imuniteti i një të prekuri në kohë; a do zhduken këto imunoglobulina pas disa muajsh gjëqë mund të mundësojë kthimin e infeksionit. Duhen afërsisht 15 ditë që titri i imunoglobulinave të jetë i mjaftueshëm që testi të jetë plotësisht i besueshëm. Testi serologjik nuk e zëvendëson aspak RT-PCR që ka për qëllim zbulimin e gjenomit të virusit, pra prezencen e virusit te nje person simptomatik apo asimptomatik. Ne këtë fazë prodhimi i imunglobulinave ndoshta akoma nuk ka filluar. Të dy këto analiza janë komplementare të njëra tjetrës. Testet stereologjike janë diçka fantastike për të vëzhguar ecurinë e pacientit 15 ditë pasi që është prekur me virusin Covid-19.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË SHBA

Të dashur bashkatdhetarë, njeriu është në vazhdimësi në luftë me sëmundjet. Ne nuk duhet të jetojmë me frikën dhe panikun e sëmundjeve por duhet të kujdesemi dhe të jemi të vëmendshëm ti largojmë ato sa më shumë. Mesazhi im është:“mbrojeni vetëveten dhe të tjerët nga Covid-19 duke respektuar në mënyre strikte masat kundër përhapjes së virusit dhe kthehuni jetës normale. Kontribuoni sa më shumë në ngritjen tuaj intelektuale dhe profesionale, jepni shembullin më të mirë të një shqipëtari të vlefshëm dhe bëni çmos për të ndihmuar bërjen e vendit tonë një shtet te fuqishëm në çdo aspekt. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Vedat Eljezi, France, Sokol Paja

RËNIA E MARKO BOÇARIT, NJË TRAGJEDI NDËRSHQIPTARE

May 4, 2020 by dgreca

Nga Kolec P. Traboini /

Piktori gjerman Peter Von Hess (1792-1871) është i njohur për punimet e tij ku pasqyrohen ngjarjet e luftës për pavarësinë e Greqisë. Vihen re se luftëtaret janë pothuaj të gjithë arvanitas, çfarë e përcakton veshja por edhe emrat e tyre si Marko Boçari, Andrea Miauli, Laskarina Bubulina e tjerë. Vërehet se, ndryshe nga  studiuesi tjetër gjerman Jakob Philipp Fallmerayer  qe vinte ne dukje kontributin shqiptar dhe vinte në dyshim lidhjet e grekëve të rij me ata të lashtë, ky piktor nuk shënon përkatësinë e luftëtarëve, por thjeshtë i konsideron grekë. Mesa duket pikturat e tij nuk kanë lidhje dhe aq shumë me realitetin e kësaj kryengritje. Në një pikturë ka venë shënimin “Palikarët grekë” kur në të nuk ka asnjë grek e asnjë palikar tjetër veç shqiptarëve veshur me fustanellat e tyre të bardha karakteristike. Pra tjetër ishte realiteti e tjetër interpretimi.  Dëshira për të lidhur grekët e rinj me të lashtit ishte një aventurë e iluministëve europianë dhe një grotesk i vërtetë,  siç e cilësonte Fallmerayer. Mjafton të përqendrohemi në një prej punimeve të tij për të kuptuar se ai nuk kishte njohje të thella për çfarë kishte ndodhur në luftën për pavarësinë e Greqisë dhe cilët ishin forca kryesore dominuese në ato luftëra. Dihet se rënia në betejën në Karpenisi të Marko Boçarit është bërë subjekt i shumë punimeve të piktorëve europianë. Edhe Peter Von Hess ka një të tillë. Kuptohet se figura e Marko Boçarit është trajtuar realisht me veshjen e tij karakteristike shqiptare. Por ai që qëllon mbi Marko Boçarin nuk është i përcaktuar saktë. Mesa duket piktori gjerman më shumë është mbështetur në tregimet e të tjerëve apo në shkrime të asaj kohe duke marre prej tyre njoftime që nuk përkonin dhe aq me realitetin apo ai i ka keqkuptuar ato. Në pikturën që e bashkë shoqërojmë me këtë shkrim vihet re se ai që qëllon mbi Marko Boçarin është një luftëtar zezak. Kjo nuk është e vërteta historike. Dihet, dhe shkruhet gjithashtu, që Marko Boçarin e ka vrarë në betejë shqiptari Lleshi i Zi, luftëtar nga Mirëdita. Duket se të dhënat që ka marrë piktori Peter Von Hess kishin të bënin me një luftëtar të zi dhe jo një luftëtar që kishte epitetin të tillë. Nga ky keqkuptim ai ka realizuar në pikturë një  luftëtar zezak që qëllon mbi shqiptarin suljot Marko Boçari, çfarë nuk kishte të bënte me realitetin, as në pamje e as në veshje. Duke mos e njohur historinë e vërtetë të kryengritjes është e natyrshme që ta pasqyronte atë jo krejt saktë, prandaj nuk gjendën të shënuar në asnjë vepër të tij arvanitët-shqiptarët, për të cilët historianët seriozë me të drejtë thonë se, 95 për qind të heronjve të luftës për pavarësinë e Greqisë ishin shqiptarë. Por mjerisht një pjesë e shqiptarëve ishin të rreshtuar në anën tjetër të frontit nën shërbimin e ushtrisë pushtuese turko-osmane. Ndaj në shumë luftëra vramë njeri-tjetrin, derdhëm gjakun tonë në beteja që shkonin në favor të shteteve të tjera ballkanike. Kjo ishte një tragjedi të cilën e kemi vuajtur thellë si popull, por edhe e kemi paguar shumë shtrenjtë në histori.

Filed Under: Histori Tagged With: KPLEC TRABOINI, Renia e Marko Boçarit

HISTERIA PËR KARANTINËN E TVSH!

May 4, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Në rrjetin social u festua me histeri glorioze 60 vjetori i TVSH, institucionit më të zi të informimit të diktaturës, i cili konsiderohej nga regjimi  i rëndësisë të veçantë, sikur vetë KQPPSH. Edhe selia e RTSH gjendej në kuartierin gjeneral të udhëheqjes komuniste.

E qartë se në kohë karantine, njerëzit i kap nostalgjia për vitet që ikin tutje dhe nuk kthehen më bashkë me vitet e jetës së tyre, dakord!

Por bashkë me nostalgjinë a nuk kishte vend për një reflektim, për një ndjesë ose për të pohuar të paktën të vërtetën se nga ajo ndërtesë përhapej propaganda më trushplarëse, filmat më skematikë dhe idiotë, koncertet ku kompozitorët digjeshin kur notat në pentagram kërcenin pak me ritëm apo kur këngëtarët guxonin të vishin diçka apo të bënin një xhestikulacion pa marrë leje nga partia.

Shqiptarët duhet ta dinë se në TVSH e kohës të diktaturës, punonin njerëz që kishin besimin e plotë të partisë të punës, që kishin lidhje direkte ose indirekte, të tërthortë apo të përdrejtë.

Do të thoni se i gjithë populli ishte besnik i partisë, por partia nuk i besonte, sepse aty zbulonte armiqtë e saj dhe prandaj për të ruajtur kontrollin dhe terrorizuar deri edhe psikën e shqiptarëve, operonte me shpatën e egër të diktaturës të proletariatit e luftës të klasave, me ushtri, polici, sigurimin e shtetit dhe me superstrukturë.

Gazetarët që punonin në aty, si aparatçikë ishin në kontakt direkt me aparatin e KQPPSH, edhe redaksitë e tjera programin e kishin të aprovuar nga lart, bujqësia i bënte jehonë kooperativave, kultura skemës të njohur antikombëtare të politikave përçarëse. TVSH mbante të njëjtin qendrim të egër, kërcëllitës, vëllavrasës!

A ju kujtohet se programi i TVSH fillonte në orën 18:00 të mbrëmjes dhe përfundonte rreth orës 22:00!

A ju kujtohet se çfarë thatësire shpirtërore përcillte ajo kuti, nga ku censurohej historia, kultura prangosej, bujqësia kolektivizohej,  sikur i kolektivizohej edhe truri i shqiptarëve.

Kur thuhej TVSH nënkuptohej partia dhe vice versa! TVSH ishte arma e propagandës komuniste që vriste guximin njerëzor.

Ju lutem, kush ka punuar në atë institucion ato vite, le të thotë shqip se ishte i privilegjuar, ose se ishte me fat, ndryshe nga shqiptarët e tjerë që kishin probleme në biografi, të cilëve nuk u lejohej kurrë t’i ngjisnin ato shkallë apo të shfaqeshin në atë ekran!

Për çfarë mund të krenohen punonjësit e TVsh ? Që u bënë zëdhënës të një regjimi mizor ?

Natyrisht që nuk mund të vepronin ndryshe. Nuk kishin shans!  Ata bëheshin më fanatikë se edhe vetë udhëheqja!

Por të paktën të heqin dorë nga deliri i madhështisë si ishët e institucionit trushplarës të popullit shqiptar që mbrohej me polici dhe ushtri sepse prej asaj kutie përhapej propaganda indoktrinuese e regjmit stalinist.

Natyrisht ka nostalgji kolegësh, kjo është e justifikuar, por si nuk ka asnjë reflektim, si nuk ka asnjë ndjesë për audiencën, që i mohohej e drejta të shihte atë që dëshironte, të shprehte atë që mendonte, të tregonte të vërtetën sikur ishte!

Ndërsa diktatura vriste, burgoste, internonte, nga TVSH si krahu i djathtë i regjimit, shpërndahej helmi dhe vreri!

Të mos flasim pastaj se në sa e sa gjuhë të Radios shpërndaheshin rrenat e regjimit dhe si denoncohej kapitalizmi dhe Perëndimi!

Të kujtosh sot me brohërima kohën e trushplarjes, të burgosjes dhe izolimit të shqiptarëve është e frikëshme!

Tani që jetojmë prej më pak se dy muaj në lockdown – karantinë dhe ndihemi me të drejtë të izoluar, e kemi për detyrë të denoncojmë lockdown-in dhe karantinën 40 vjeçare të diktaturës, padyshim edhe me ndihmën e TVSH!

Po e përmbyll me një dialog midis Winston Smith dhe O’Brien tek viti 1984 i George Orwell që shpreh në mënyrë kuintesenciale thelbin e autokracie dhe levave të saj:

“Winston Smith: A ekziston vërtetë Vëllai i Madh?
O’Brien: Natyrisht që ai ekziston.
Winston Smith: A ekziston ai si ti dhe unë?
O’Brien: Ti nuk ekziston.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Histeria, Karantina, TVSH

AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI

May 3, 2020 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI/

                                                    Nga Frank Shkreli/

3 Maji shënoi ditëlindjen e Heroit Kombëtar, Agim Ramadani.  I lindur me 3 Maj, 1963, ai sot do mbushte 57 vjeç.  Çdo vit kjo ditë është shënuar me manifestime tradicionale kulturore në sheshin e lirisë në fshatin Zheger të Gjilanit, aty ku edhe ka lindur heroi. Shënohej kjo ditë në vendlindjen e tij dhe jo vetëm në vendëlindjen e tij por edhe në Mirditë, nga ku thuhet se ai dhe familja e tij kanë origjinën – për të nderuar dhe kujtuar veprën e tij heroike për çlirimin e trojeve shqiptare.  Siç duket, për arsye të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, sivjet nuk u mbajt ndonjë manifestim për të shënuar ditëlindjen në vemdlindjen e tij ku kishte kryer edhe shkollën fillore, të mesme.  Pasi kreu shkollën e mesme, Agim Ramadani vazhdoi mësimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ku siguroi përvojë ushtarake, të cilën e përdori me mjeshtri më vonë, në luftën për çlirimin e Kosovës, anë e mbanë zonës së Rrafshit të Dukagjinit.

Nga biografia e tij lexojmë gjithashtu se ai kishte dezertuar nga ushtria ish-jugosllave dhe me familje është larguar për në Zvicër ku kishte gjetur strehim.  Por, ndonëse e kishte rregulluar jetën në Zvicër me statusin e emigrantit, në vitin 1998 atij nuk i rrihej dhe iu përgjigj thirrjes së Atdheut duke u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse iu desh të linte pas bashkshorten Shukrijen me tre fëmijë.

Perëndia i kishte falur atij talente edhe për për art, letërsi, humor e aktrim.  Por mbi të gjitha, Agim Ramadani është njohur në luftë si një strateg i dalluar ushtarak, shumë i dashur dhe i pëlqyer nga ushtarët e tij, me të cilët, historia do shënojë se ai së bashku me bashkëluftarët e vet, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar.  Shokët e tij kanë thënë se Agim Ramadani ishte njeriu i parë që hoqi, me duart e veta, piramidën kufitare në Kosharë, midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.  Fatkeqësisht për të, për familjen e tij, për Kosovën dhe për mbarë shqiptarinë, pas aktit heroik të thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, Heroi i Kombit Shqiptar, Agim Ramadani ra heroikisht në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare – për të mos vdekur kurrë – si njëri prej heronjve më të njohur të historisë moderne të Kombit shqiptar. 

Sot me 3 Maj, 2020, bashkshortja Shukrije e kujtoi të dashurin e saj dhe Heroin e Kombit, në 57-vjetorin e lindjes së tij me një deklaratë të fortë dashurie e kujtese, por dhe mjaft kritike ndaj gjëndjes aktuale në Kosovë, duke thënë se ideali i dëshmorëve si Agim Ramadani, është shkelur dhe harruar.  Në një shpërthim emocional por plot të arsyeshëm, që siç duket i referohet bisedimeve rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve — si pjesë e të ashtuquajturit dialog midis Kosovës dhe Serbisë – Zonja Shukrije Ramadani, kujton ditëlindjen e të dashurit të saj në një postim në faqen fejsbuk duke thënë se,  “Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë më anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë, e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra juaj”, shënon ndër të tjera Shukrije Ramadani në postimin dedikuar bashkshortit të saj, aq prekës sa që meriton të botohet i tërë: “Për ditëlindjen tënde — si ta uroj ditëlindjen shpirti im?!  Në lulen e rinisë me gjakun tënd lave ëndërrat tua për Shqipërinë e Bashkuar. Shumë gjëra u bënë ndryshe që 21 vite të mungesës sate!  Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj.  Po harrojnë se gjaku i derdhur ecë lirshëm damarëve të tokës së lashtë pellazge e cila nuk falet aq lehtë, se frymon dhembje, krenari e trimëri!  Ti prekësh ata damarë, e prek shpirtin e epokave të qëndresës.  Ndoshta më mirë që na u mbyllën rrugët kah ju, e.lulet u vyshkën në duar, se do të habiteshe me pamjen e përçudnuar të botës njerëzore që do të vizitonin”.  “Njerëz pa fytyra, veç me sy.  Kishin ardhur aq shumë sy e ua kishim prishur qetësinë.  Ti ke ditur t’i lexosh sytë e njerëzve, të zbulosh të fshehtat e tyre e thikat pas shpine, që t’i ruanin.  Po tash janë shumuar thikat shpirti jem, në çdo anë secili therë secilin, e fshehet pas maskave të liderëve.  Ideali u shkel e u harru, si të zhdukurit e luftës.  Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës.  Asesi s’po e gjejmë kush është Diogjeni, kujt t’ia besojmë shpirtin kur dreqërit me rroba engjëjsh po vishen e mbi kokat tona daullet e patriotizmit i rrahin në emër të dheut e atdheut.  Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon! Pusho i qetë shpirti im, se t’i vetëm ditëlindje ke! Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme” përfundon bashkshortja e Agim Ramadanit kujtimin e saj në këtë ditëindje të dashurit të saj të renë heroikisht për çlirimin e Kosovës.

Siç thashë më lartë, viteve të kaluara janë gjetur mënyra për të shënuar denjësisht ditëlindjen e Heroit të Kombit, Agim Ramadani, përfshir mitingje kulturore madje edhe në Mirditë, nga ku thuhet se rrjedhë familja e Agim Ramadanit dhe në vendlinjen e tij në Zheger të Gjilanit janë mbajtur rregullisht manifestime tradicionale në kujtim të këtij heroi.  Përveç kujtimeve në mënyrë unikale, një manifestim i tillë tradicional kulturor është mbajtur dy vjet më parë, më 3 maj, 2018 në sheshin e lirisë të fshatit Zheger të Gjilanit, në përvjetorin e lindjes së legjendarit Agim Ramadani e ku morën pjesë Ansambli Mirdita “Mjeshtër i Madh” dhe artisti i Kombit Reshat Arbana, të ardhur nga Shqipëria: https://www.youtube.com/watch?v=X1XipE-3fSc

Ishte me atë rast, që bashkshortja e legjendarit Agim Ramadani, Zonja Shukrije Ramadani me mirënjohje të thellë, para mijëra vetave pjesëmarrës në atë manifestim, falënderoi organizatorin e tij manifetsimi, Besnik Pacin nga Mirëdita, duke iu drejtuar me këto fjalë: “I dashuri vëlla, kënaqësinë që na ofrove sot duke na nderuar me grupin e mrekulluellueshëm nga Mirdita dhe me të Madhin Reshat Arbana, është e papërshkrueshme.  Pak është të them faleminderit, por nuk mund të mos them që sot prania e mirditorëve më dha ndjenjen e Bashkimit Kombëtar.   Më ofroi ëndërrën e realizuar të Agimit.  Ne ishim bashkë sot dhe bashkë përkujtuam Agimin tonë.  A nuk është kjo liria për të cilën u flijua Agimi ynë.  Ai sot festoi bashkë me ne, në sheshin e lirisë. Qofshi me jetë të gjatë e të lumtur e këndofshi për lumturinë dhe dashurinë e gjeneratave të reja”, është shprehur ajo me përmallim. Ndërsa, njëkohësisht, në përshëndetjen e saj drejtuar artistit të madh Reshat Arbana, ajo do të fliste për lidhjen e bashkshortit të saj — legjendarit, Heroit të Kombit, Agim Ramadani — me zërin e interpretimit të vargjeve të Fishtës së Madhe nga artisti i Madh i Kombit, Reshat Arbanës.  Ajo zbuloi, me atë rast, dashurinë e bashkshortit të saj për poezitë e Fishtës duke thënë se para se të nisej për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës.“Deshta me ju lanë një kujtim, kur e pashë të Madhin Reshat Arbana kur erdhi.  Agimi kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh.  Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha, shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut..Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë.  Dhe sot kur e shoh para nesh Reshat Arbanën, u them të drejtën se u emocionova pa masë” u ka thënë të pranishmve Shukrije Ramadani, se si bashkshorti i saj dhe Heroi i Kombit, Agim Ramadani, mbushej me frymëzim nga vargjet e At Gjergj Fishtës. 

Sa doemthenës ky kujtim i Shukrije Ramadanit, që e ndanë me të gjithë ne — respektin që kishte bashkshorti i sa Agim Ramadani për Poetin Kombëtar, At Gjergj Fishtës, i cili, siç shkruan At Danijel Gjeçaj, “qau me lotë gjaku kur padrejtësitë e të mëdhejve dhe dhuna e të fortëve ndau prej trupit të Atdheut, Kosovë e Çamëri, Hot e Grudë, Plavë e Guci”.

Mjerisht. At Gjergj Fishta, gjithnjë, “ashtë i mbuluem me mëni tradhëtie në Atdhe”, ka shkrua Gjeçaj.  Duke lexuar fjalët e Shukrije Ramadanit, “Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon”, në kujtimin sot të bashkshortit të saj, mu kujtua një shkrim i At Daniel Gjeçajt për Fishtën e Madh: “Perse, sakt Fishta, po të çonte kryet prej vorri, kish me na mallkue dhe me namë mal të thatë kish gjaku i Deshmorve, që krah për krah ranë flije që Bashkimin kombëtar me e ruejt.. se prej fjalorit të shqipes, Bashkimin duen me e shlye dhe në lojë vemë burrat që për ‘të veprojnë…”. Ndërkohë që sipas Shukrije Ramadanit sot, “Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës”.

Në 57-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, vet Agim Ramadani do t’i ankohej Perendisë me fjalët e frymëzuesi të tij, Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës: 

                    “O Perendi, a ndjeve? 

                    Tradhtarët na lanë pa Atdhe

                    E ti rrin e gjuen me rrufe,

                    Lisat nepër male, kot” (Gjergj Fishta)

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Ramadani, At Fishta, Frank shkreli

5 gjëra që jam duke mësuar gjatë COVID 19-karantinës

May 3, 2020 by dgreca

Nga Manjola Barçi-Kozi*/

Shënimi i Editorit të Diellit: Ky shkrim i mësueses që jep mësim në New York, Manjola Barçi- Kozi nuk është publikuar vetëm pë “Like”. E rëndësishme është ta lexoni dhe të shfaqni mendimin dhe përvojën tuaj.Eshtë kërkesë edhe e mësuese Manjolës. Lexim të këndshëm:

                 Rreth një muaj e gjysëm më parë shkollat në NY u mbyllën. Me këtë rast edhe unë nuk shkova më në punë. Nuk shkova fizikisht në ndërtesën e shkollës, por punën e vazhdova dhe e vazhdoj nga shtëpia. Nga këtu ku jetoj më duhet rreth 50 minuta që të shkoj në ndërtesën e shkollës por unë ngrihem shpejt–ora 4:30 e mëngjesit më gjen zgjuar. Në fakt më pëlqen shumë të fle në mëngjës dhe të zgjohem në 4:30 nuk është kënaqësi për mua. Por besoj në faktin që jam një profesioniste dhe para se të filloj punë duhet ta pasaqes veten si të tillë-me një fjalë me zgjimin në mëngjes deri në ora 6 që dal nga shtëpia kujdesem për veten. Pastaj duhet të shkoj herët në punë sepse pas orës 7 nuk gjej dot më as parking. Sakrificë e madhe thotë mamaja ime…

E shkruajta këtë parathënie për të justifikuar faktin që përreth dy javëve të para më pëlqeu të punoja nga shtëpia. Në fund të fundit, nga ora 4:40 deri në 7:30 që zgjohesha nga gjumi i thonin edhe tre orë të tjera qetësi. Jo trafik, jo nxitim, dhe si përfundim më pak stres. Ose të paktën kështu mendova… 

Ka gjëra në jetë që sado të vjetër të jemi nuk i kuptojmë deri sa ti provojmë vetë mbi kurriz. Në fund të fundit bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër, sepse pa dyshim edhe plehu (kuptohet me gjithë përbërjen e tij) është më i shumtë…

Dhe kështu gjithçka vazhdoi. Këtu e mbyllyr në shtëpi po mundohem të bëj gjthçka që mundem. Por edhe po mundohem të mësoj diçka nga kjo përvojë. Këto janë 5 nga  gjërat që kam mësuar nga kjo situatë … Deri tani bëhet fjala. Sepse, jam e sigurt se do të mësoj shumë më tepër nëse kjo karantinë vazhdon….

Mësimi # 1

Është shumë e vështirë të mësosh fëmijët e tu. 

Është shumë e vështirë të mësosh fëmijët e tu gjithë ditën, çdo orë mësimi, të gjitha lëndët. Ju lutem,   nëse ka ndonjë që nuk pajtohet me mua, më njoftoni, dhe ju lutem me tregoni sekretin. 

Epo, si mësuese që je do të thonit ju, unë të paktën duhet të jem në gjendje t’i mësoja vetë fëmijët e mi!  Në fund të fundit nëse nuk mund të mësoj të mitë, si mund t’i mësoj fëmijët e të tjerëve? Si mund të më besojnë  prindërit e tjerë nese nuk mundem ta bëj këtë? Ok, gjykomëni sa të doni por qenka e vështirë. Jo për faktin se nuk kam njohuri, jo për faktin se më mungojnë strategjitë, madje as sepse  nuk kam durim. Kjo është për shkak se ata nuk dëgjojnë! 

Manjola, do të thoni ju. Je shqiptare apo jo? Një shpullë (apo dy) do t’i sillte në vijë! E vërtetë, shqiptare jam por fëmijët pretendojnë se janë Amerikanë, apo jo? Dhe siç themi ne shqiptarët-siç është vendi bëhet kuvendi. Kundërargumenti: Unë jam nëna – unë jam gatur për t’i dashur, për ti kuptuar, dhe jo për ti bërtitur dhe për ti dhënë urdhra. Larg qoftë për ti futur nga një shpullë!  Dhe kështu që unë vazhdoj t’u flas e flas fëmijëve të mi, si një papagall i zellshëm,  që të mbarojnë detyrat, që të mësojnë apo lexojnë, nganjëherë me zë të ulët, pastaj me të bërtitura kur më ka ardhur në majë të hundës–por ata prapë bëjnë të tyren…Derisa mësuesit e tyre u telefojnë dhe si me magi gjithçka kompletohet. Zoti i bekoftë mësuesit kudo që janë… !

Mesimi # 2 

Është shumë stresuese agonia e parashikimit të asaj që mund të ndodhë.

Ndërsa shtrihem  për të fjetur shumë netë mendoj se si do të përfundoj ky  makth. Kush e ka radhën të shuhet sot? Po nesër? Mendoj për fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrën, gjithë të afërmit dhe them—epo edhe vetja më dhimbet apo jo?  Si ta përballoj këtë stres? Hajde Manjola do të thoshte ndokush. Më një pije mundësisht si shqiptare që je, dhe i harron të gjitha. Epo unë nuk pi – ose të paktën nuk pi gjatë orarit të punës, kështu që vendosa të shoh psikologun(vizitë virtuale sigurisht). Mendoj se e meritoj të them se u promovova–më parë kisha një psikolog tani një psikiatër. Kështu bëra. Psikiatri më vuri në Zoloft për rreth një muaj, derisa nuk munda më. Nuk isha unë! Nuk mund të ndieja asgjë. As për të qarë nuk qaja dot. As një pike loti po ju them. A e imagjinoni dot një shqiptare që të mos qajë, të mos mërzitet, apo të bërtas sa ta dëgjoj komshia??  Më në fund ndalova. Dy javë më vonë lëshova një pikë lot pas kaq shumë kohësh. Halelujah! Telefonova gjithë dynjanë dhe u dhash lajmin a mirë…

Mësimi # 3

Sa të hapësh dhe të mbyllësh sytë mund të humbësh gjithçka. 

Edhe pse nuk dua e gjej veten shpesh duke menduar se si, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, mund ti humbësh të gjitha.  Shëndetin, punën, makinën që nuk mundesh më ta përballosh sepse ke humbur punën që paguante për të… Dhe pastaj LIRINË. Ah, liria e bekuar! Kush do të dëshironte të jetonte pa të?! Mundohem ta bind veten se kjo gjendje është vetëm e përkohshme. Je e lirë të dalësh patjetër, çfarë të pengon-i them vetes. Por prapë ndihem si një zog i mbyllur në kafaz. Dera është e hapur por unë prapë rri ngujuar. Po e jap lirinë time me dëshirë! Lirinë për të dalë kur të dua dhe nga të dua, pa u trembur nga askush dhe asgjë, pa u fshehur pas një  farë maskë apo dorëza, të çilat  jam e lumtur që i bleva para se ky ferr të lirohej, gjë që më çon tek ajo që doja të thoja: Sa e lehtë është të humbësh gjthçka, dhe më e frikshme është kur mendon se jo vetëm natyra mund të jetë krimininele por ne njerëzit vetë. Dhe nëse pas kësaj eksperience makabre nuk hapim sytë, dhe mësojmë nga ç’po katandisim, herën tjetër do të jetë shumë vonë… tepër vonë.

Mësimi # 4

Qenka shumë e vështirë të rrish para kompjuterit gjithë ditën. 

Koha e teknologjisë. Sa të lumtur jemi që po e jetojmë. A mund ta imagjinoni më të jetoni sikur edhe një ditë pa telefonin celular? Apo pa laptopin? Epo me fat jemi! Nga ora 8:00 e mëngjesit -2: 30 pasdite unë  duhet të qëndroj para kompjuterit  tim. Në ora 8:00 am mbledhje kolektivi në google. Nga ora 8:30 deri ne 10:30 postoj detyrat e nxënësve për gjithë ditën. Nga ora 10:00 deri ne 11:30 marr pjesë në takimin e parë me nxënësit. Nga 12:00 deri në 1:00 takimi i dytë vijon. Dhe pastaj në ora 1:00 mbledhje kolektivi përsëri. Në 1:30 deri në 2:30 mbledhje me kabinetet e ndryshme ditore. Aspak nuk kam për qëllim të ankohem se po punoj, vetëm se po përshkruaj rutinën ditore. Pastaj, më dhemb shpina, gishtat më lëshojnë miza dhe zëri më është ngjirur nga të ulëriturat gjithë ditën. Pastaj dua të përmend edhe sytë. Sytë e mi të dobët … kam syze tani në çdo cep të shtëpisë, nuk mund të lexoj më pa to, shkronjat dhe aplikimet ne telefonin dhe tabletin tim janë të zmadhuar deri në maksimum. 

Vendosa të hulumtuj. Çfarë po ndodh me mua? Mosha bën të vetën themi ne, po kaq shpejt vallë? Nga hulumtimi i zellshëm, mësova se duke qenë para një ekrani shpeshherë, sytë punojnë më shumë se ç’duhet. Si rezultat mund të zhvillojmë simptoma të lidhura me shikimim. Disa nga këto simptoma sipas Shoqatës Optometrike Amerikanë janë: Presion në sy, dhimbje koke, shikim i turbullt, sy të thatë si dhe dhimbje në qafë dhe shpatull, midis të tjerave. 

Shikimi i një kompjuteri apo ekrani dixhital shpesh i bën sytë të punojnë më shumë. Si rezultat, karakteristikat unike dhe kërkesat e larta vizuale të shikimit të pajisjeve kompjuterike dhe digjitale të ekranit i bëjnë shumë individë të ndjeshëm ndaj zhvillimit të simptomave të lidhura me vizionin. Shumë nga simptomat vizuale të përjetuara nga përdoruesit janë vetëm të përkohshme–shoqata përmend–dhe do të bien pas ndalimit të punës së kompjuterit ose përdorimit të pajisjes dixhitale. Sidoqoftë, disa individë mund të përjetojnë aftësi vizuale të vazhdueshme, siç është vizioni i paqartë në distancë, edhe pasi të ndalet puna në një kompjuter. Zot na ruaj!!! Edhe fillin nuk e fus dot më përmes gjilpërës–i them mamasë time ta bëjë.  

Mësimi # 5

E kuptoj se tani më shumë se kurrë kam nevojë që gjërat të kthehen në normalitet

Tani që gjërat janë ndryshe nga zakonisht e kuptoj që dua më shumë se kurrë që ato të kthehen në normalitet. Le të çohem në 4:30 të mëngjesit, le të shkoj në punë në orën 7 edhe pse një orë para se fillon mësimi. Kam dëshirë të udhëtoj shtigje të aftërta apo të largëta, të shkelura apo të pashkelura pa u frikësuar se larg qoftë virusi e ka ndotur. Kam dëshirë të përqafoj motrën, nipin, mbesën time pa  u dërguar një puthje nga larg–poshtë maskës së puthitur fort. Kam dëshirë të takoj një shoqe dhe të shijoj një margarita, një të premte mbas pune, mbas një jave të lodhshme. Kur gjithçka të jetë kthyer në normalitet, nuk do mendoj shumë se cilën nga këto gjëra do bëj më parë-vetëm do ti bëj me një vlerësim që nuk besoj se e kam pasur ndonjëherë…

Epo edhe këtij përçmimi që na ka gjetur, me emrin virusi corona do ja vemë vulën, siç thotë një shprehje.Dhe kështu le të bëhet! Këtë pranverë do ta kalojmë me karantinën, me të ndenjurit brenda, me të ndenjurat gjithë ditën para kompjuterit, me të mësuarit gjithsëcili fëmijët e vet… Edhe për këtë të fundit shqetësohem si një edukuese e brezit të ri, dhe një prind gjithashtu. Sa shumë mangësi do kenë fëmijët tanë në edukimin e tyre këtë vit!  Por pastaj më kujtohet shprehja:  Më mirë një gomar i gjallë sesa një doktor i vdekur! Shpresoj që do të dalim më të fortë nga kjo situatë, dhe për më tepër do të mësojmë të vlerësojmë çfarë kemi, sepse ndoshta vetëm ndoshta, ndonjë ditë do na duhet prapë të mbyllim sytë dhe kur ti hapim, asgjë nuk do të jetë më si më parë. 

  • Komentoni më poshtë: Cilat janë disa nga gjërat që ju po mësoni gjatë kësaj karantine? (Publikoi Dielli online www.gazetadielli.com)

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, Manjola Barçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT