• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

“Ti do t’i mësosh të gjitha pak nga pak”

July 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Albana M Lifschin/Dielli-Jashtë binte një shi i imët. Isha ulur mbi shtratin e gjyshit dhe kisha hedhur një batanije krahëve. Për qark
meje libra. Isha e rrethuar prej tyre si prej qindra ngjarjeve,me dëshirën për t’i përthithur të gjitha njëherësh. Sikur të ishte e mundur! Në to gjeta episode dhe njerëz që s’i njihja, që s’kisha dëgjuar kurrë për ta. Kisha hyrë në botën e “reaksionit”. Njerëz që kishin luftuar kundër qeverisë komuniste të Tiranës në vitet e para të pasçlirimit.
(“Të pasluftës thuaj, se për t’u çliruar s’jeni çliruar kurrë”, më kishte korrigjuar daja). Në libër gjyshi u referohej atyre si ”luftëtarë të lirisë” dhe jo ‘reaksionarë’.
Vazhdova më tej. Lufta. Përçarja. Vendosja e pushtetit të ri dhe lista të tëra të vrarësh antikomunistë. Të vrarët ishin vendosur të ndarë në kolona sipas bajrakëve. Krahas çdo emri ishte data e vrasjes dhe vendi se ku kishte rënë dëshmor. Ata ishin dëshmorë, po emrat e tyre s’i kishim mësuar dhe nuk do t’i kishim mësuar kurrë, sikur të mos… Shkisja dorën nga emri i parë deri tek i fundit, sipas numrit rendor.

Nga bajraku i Oroshit, 40 veta;
nga bajraku i Spaçit, 30 veta;

nga bajraku i Kushnenit, 27;

nga bajraku i Fanit, 39 veta;

nga bajraku i Dibrrit,
55 veta;

nga bajraku i Kthellës (aty ku ishte bajraktar gjyshi), 43 vetë.

Nga bajraku i Selitës, 13 të vrarë në luftën antikomuniste;

 nga bajrakët e Malësisë së Lezhës, 22 vetë.

Pastaj gjyshi vazhdonte me lista të rretheve të Veriut, deri dhe në Kosovë, në një hapësirë prej 21 faqesh.
Kolona të tëra të vrarësh, me qindra. Brigada të tëra luftëtarësh antikomunistë, luftëtarë të lirisë. Një faqe e tërë historike, që kishte edhe ajo dëshmorët e saj. A kishin edhe ata një ditë përkujtimore?

Jo. Atyre nuk u ishte rezervuar vend në altarin e të rënëve. Familjet e tyre ishin kalbur internimeve.
“Ne të gjithë jemi viktima të atij sistemi”, më pat thënë më vonë një profesor i nderuar, me të cilin isha takuar në Nju-Jork. Ishte nga Shkodra dhe kishte bërë vite të tëra burg, sepse nuk kishte pasur të njëjtat pikëpamje me moshatarët e tij komunistë. S’ia harrova kurrë ato fjalë. Njerëzit më të vuajtur janë ata që kanë vision të qartë e të mençur.
“Ti do t’i kuptosh të gjitha pak nga pak…” më kishte thënë daja. Isha ende në hapat e para të njohjes të së vërtetës.
***
Albana MLifschin Nga “Yjet nuk jane te kuq” 2013
Ne foto: Gjon Melyshi,bajraktari i Kthelles-Nje nder udheheqesit kryesore te kryengritjeve anti-osmane ne krahinen e Mirdites.
Pjesmarres ne disa kuvende krahinore te Mirdites,si perfaqesues i bajrakut te Kthelles.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albana M Lifschin, Do ti mesosh te gjitha, Gjyshi

AT SHTJEFËN KURTI, NJËRI PREJ 100 VIKTIMAVE MË TË NJOHURA TË KOMUNIZMIT NDËRKOMBËTAR

July 17, 2020 by dgreca

Nga Fran Shkreli /

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg”Instituti Kombëtar i Kujtesës – Komisioni për Zbulimin dhe Dënimin e Krimeve kundër Kombit Polak”, është një ent qeveritar, përgjegjës për arkivat e Polonisë dhe ç’prej vitit 2007 edhe për lustracionin dhe për zbulimin e krimeve të kryera kundër Kombit Polak.  Misioni i këtij instituti është të ndërmarrë hetime për krimet e regjimeve komuniste dhe naziste në Poloni, të kryera midis viteve 1917-1990 dhe njëherazi dokumenton zbulimet dhe ia shpërndan ato publikut.  Kohët e fundit, Instituti Kombëtar i Kujtesës ka publikuar një listë me emërat e viktimave më të njohura të komunizmit në botë, duke përfshirë në këtë listë edhe priftin katolik shqiptar, At Shtjefën Kurtin, viktimën e pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës, i ekzekutuar nga një skuadër pushkatimi me 20 Nëntor,1971.  Nuk jam i sigurt se çfarë kriteresh ka përdorur Instituti polak që ka seleksionuar këta 100 persona, viktima të komunizmit ndërkombëtar, por ky vendim duhet të shikohet përball faktit se, bazuar në të dhënat e veprës autoritative mbi krimet e komunizmit, “Libri i Zi i Komunizmit”, komunizmi ndërkombëtar ka vrarë 80-100 milion veta. 

Shtjefën Kurti (24 dhjetor 1898 – 20 tetor 1971) ishte një prift katolik shqiptar, i ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë një periudhe të përndjekjes komuniste kundër fesë dhe klerit, nga një regjim anti-kombëtar, i cili ishte i pari dhe i fundit në botë — të pakën deri tani — që i kishte deklaruar luftë edhe Perendisë.  Kurti shërbeu si prift gjatë një periudhe tepër të vështirë për besimet fetare në Shqipëri, një vend në të cilin shtypja komuniste kishte për objektiv përndjekjen dhe mbylljen e kishave dhe xhamive si dhe burgosjen, internimin dhe eliminimin fizik të klerikëve.  Ai, në përgjithësi simbolizon persekutimin e qindra klerikve katolikë dhe të feve të tjera të intrenuar e të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, por prej tani, ai do të njihet edhe si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar, në botë.  

Dy biografë zyrtarë të At Shtjefën Kurtit, nipi i tij Nikolin Kurti dhe bashk-autori Nikollë Loka, në mos qofsha gabim kanë botuar dy monografi për jetën, veprimtarinë dhe për vrasjen makabër të At Shtjefën Kurit, e ku jepen hollësi të pa zbuluara deri tani për jetën, veprimtarinë dhe eliminimin e tij nga regjimi komunist enverist.  I ndjeri At Kurti,  në përgjithësi simbolizon persekutimin e qindra klerikëve katolikë dhe të tjerë të intrenuar e të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, por prej tani, ai do të njihet edhe si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar në botë, i vrarë nga një skuadër pushkatimi. 

Biografët e tij shënojnë se para komunizmit, Dom Shtjefën Kurti ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, sidomos shqiptarëve nën Jugosllavi.  Vlen të përmendet përkujtesa, “Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, e përgatitur prej tij, dërguar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.  Gjithnjë sipas autorëve Nikolin Kurti dhe Nikollë Loka, Dom Shtjefni është arsimuar në Itali dhe Austri, ndërsa gëzonte një reputacion të jashtëzakonshëm në popull, si klerik dhe atdhetar.  Viti 1945 e gjeti Dom Shtjefën Kurtin famullitar në kishën katolike në Tiranë.  Këtu, sipas tyre, fillon edhe përndjekja që nuk ndalet asnjë çast deri në eliminimin e tij.  Më konkretisht, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimit.  Lirohet nga burgu i Burrelit në vitin 1966 dhe arrestohet sërish në vitin 1971 për spiunazh, sabotazh, dhe kryerjen në fshehtësi të riteve fetare.  Madje, historia e tij e ekzekutimit, vetëm për shkak se pagëzoi një fëmijë, ka mbetur në kujtesën kolektive si një nga aktet më absurde dhe më të shëmtuara të komunistëve.  Ai u denua me vdekje dhe u ekzekutua nga një skuadër speciale pushkatimi me 20 nëntor 1971, por sot e kësaj dite nuk janë gjetur eshtrat e tij.  Me 5 Nëntor 2016, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri nga 40 klerikët që u lumënuan si “Martir” dhe u pranua shenjtor i Kishës Katolike.

Albania Is Said to Execute Priest for Baptizing Child

March 28, 1973

The New York Times Archives

VIENNA, March 27 (AP)—The Roman Catholic news agency Kathpress said today that a priest has been reported executed in Albania for secretly baptizing a child.  Albania is Communist‐ruled and religious rites are outlawed.  Kathpress said reports from residents in the Albanian‐Yugoslav border area identified the priest as the Rev. Stephen Kurti, an inmate at a labor camp.  The agency added that the clergyman was reported to have been asked by a woman to baptize her child and was seen doing it.  He was then reported to the authorities…”

 Një paraqitje retrospektive – Komuniteti shqiptaro-amerikan me të mësuar lajmin e vonuar të vrasjes së Dom Shtjefën Kurtit në Shqipëri, nga burime lajmesh amerikane dhe ndërkombëtare, siç është gazeta e njohur New York Times (si më lartë).

Lajmi për ekzekutimin barbar të Dom Shtjefën Kurtit u prit me zemërim dhe hidhërim  të thellë nga komuniteti shqiptar në Nju Jork, pa dallim feje a krahine.  U hodhëm menjëherë në lëvizje për të protestuar këtë krim shtetëror anti-njerëzor dhe organizuam shpejt e shpejt një demonstratë para Misionit të Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (ku “diplomatët” e Enverit na gjuajtën me vezë nga dritaret e tyre) dhe para vet kryeqendrës së Organizatës botërore (OKB), me qëllim për të sensibilizuar opinion amerikan dhe ndërkombëtar për këtë akt makabër të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Morën pjesë përfaqsues nga mbarë komuniteti, i prirë nga Monsinjor Zef Oroshi dhe Imam Isa Hoxha, për të vënë në dukje para botës krimet e atij regjimi, sidomos, kundër klerikëve katolikë, por edhe të feve tjera në Shqipëri.  Ishte ky një lajm që tronditi botën perëndimore në atë kohë, por ishte edhe një zgjim për gjëndjen e mjerueshme, jo vetëm të klerikëve si Dom Shtjefën Kurti.  Vrasja e tij ishte gjithashtu edhe një lajm ilustrues i gjëndjes së mjerueshme dhe diktaturës së egër komuniste, në përgjithësi, në Shqipëri e Enver Hoxhës.  Megjithë mentalitetin prej bunkeri, kur pa se lajmi për vrasjen e Dom Shtjefnit kishte marrë dhenë, regjimi fashisto-komunist enverist u detyrua më në fund të pranonte, nepërmjet gazetës Zëri i Popullit — zëdhënses së besueshme dhe besnike të regjimit dhe të Partisë Komuniste — aktin makabër të pushkatimit të priftit katolik, ndërsa shkruante se Dom Shtjefën Kurti qe dënuar me të drejtë, sipas saj, si “spiun, bandit dhe avanturist”.  Sipas Zërit të Popullit, Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte planifikuar rrëximin e regjimit komunist.”

Përveçse ishte një koment kundër At Shtjefën Kurtit, komenti i Zërit të Popullit, reflektonte situatën në një vend që ishte në konflikt të pa shpresë me vet-veten, një shtet që ishte vet-izoluar nga bota dhe një vend që i kishte shpallë luftë jo vetëm gjithë botës, por kishte shpall edhe Perendinë armik që duhej luftuar me çdo mjete propagande, duke shpallur me ligj Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, pasojat e të cilit, fatkeqësisht shihen edhe sot, jo vetëm në jetën shoqërore në përgjithësis por sidomos në arenën jo tolerante politike. 

Është vërtetë shqetësues fakti se ndryshe nga vendet tjera ish-komuniste, Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë për të gjetur dhe për të identifikuar eshtrat e viktimave të komunizmit ose vendet ku janë hedhur ato pas ekzekutimit, përfshirë edhe eshtrat e At Shtjefën Kurtit, megjithë vëmendjen vendore, ndërkombëtare dhe Vatikanit — që ka tërhequr rasti i tij tragjik gjatë viteve e deri tani, siç tregon edhe përzgjedhja e tij nga Instituti Kombëtar Polak i Kujtesës, si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit.  

Gjithashtu është shumë shqetësues fakti që eshtrat e Dom Shtjefën Kurtit – vrasjen e të cilit komuniteti shqiptaro-amerikan e protestoi para botës pothuaj 50 vjet më parë — e të cilat i kërkon familja e tij edhe sot e kësaj dite, nuk janë gjetur ende, megjithë përpjekjet private të familjes, sipas nipit të tij Nikolin Kurti, për të zbuluar vendin dhe për gjetur eshtrat e axhës së tij. 

Por siç duket, shpresa për të zbuluar të vërtetën nuk vdes kurrë, madje as në Shqipëri.  Përballë refuzimit të qeverisë shqiptare për t’i hyrë kësaj pune tepër të rëndësishme për paqën dhe pajtimin në vend, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me një thirrje që botoi para një jave, fton shoqatat, organizatat e familjeve të personave të zhdukur dhe organizatat e shoqërisë civile të paraqesin një kërkesë/aplikim për Programin Grantet e Vogla të ICMP për Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur/Organizata të Shoqërisë Civile, Shqipëri 2020-2021.  ICMP është një organizatë ndërkombëtare e pavarur, e bazuar në marrveshje ndërkombëtare, me më shumë se 20 vjet përvojë në 40 vende.  Eshtë e vetmja organizatë ndërkombëtare që ka si detyrë ekskluzive të punojë për çështjen e personave të zhdukur.  ICMP ndihmon qeveritë të ndërtojnë institucione të sundimit të ligjit që kërkojnë me sukses dhe paanshmëri personat e zhdukur dhe mbështet përpjekjet për t’iu bërë të mundur familjeve të të zhdukurve të mbrojnë të drejtat e tyre.  Programi i ICMP i Granteve të Vogla (të ICMP Albania 2020-2021), financohet nga Bashkimi Evropian.

HAPJA E THIRRJES PËR PROPOZIME PËR GRANTE TË VOGLA TË ICMP PËR SHOQATAT E FAMILJEVE TË PERSONAVE TË ZHDUKUR/ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE, SHQIPËRI (2020-2021)

Për më shumë hollësi lexuesi dhe familjet e personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit, por edhe të tjerë të interesuar në këtë subjekt, mund të lexojnë më shumë hollësi në linkun më sipër ose në portalin e ICMP.

Fatkeqësisht, gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm jemi mësuar, pasi kemi mjaft arsye të themi kështu, se megjithëse e mirëpritur kjo nismë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, megjithëse e vonuar, shpresojmë që të mos jetë një përpjekje e kotë, kryesisht, për arsye të mos bashkpunimit të organeve qeveritare të Shqipërisë për të zbuluar të vërtetën se çfarë ka ndodhur me personat e zhdukuir në Shqipëri gjatë komunizmit.  Shoqëria shqiptare, por sidomos familjet e të zhdukurve të viktimave të komunizmit, kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën për të afërmit e tyre, që të vihet drejtësia në vend, si edhe të sigurohen dëmshpërblimet që të gjitha shtetet, përfshirë Shqipërinë, kanë një detyrim të respektojnë – nëqoftse duam që Shqipëria të bëhet ndonjëherë një shtet normal me standarde evropiane.  Shpresojmë në suksesin e Programit të ICMP të Granteve të Vogla (të ICMP Shqipëria 2020-2021). Shpresojmë dhe lutemi me familjet e viktimave të komunizmit anë e mbanë Shqipërisë, që presin pa shpresë për 30-vjet, për të mësuar më në fund të vërtetën mbi fatin e keq të të afërmëve të tyre, përfshirë familjen e At Shtjefën Kurtit!  Dështimi nuk është i pranueshëm.

Kujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973

              Ish-Udhëheqësi shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha duke folur në demonstratën e komunitetit shqiptaro-amerikan për të protestuar vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit, para OKB-së, 1973.


                  Demonstrues me pllakarda: “Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi  që ëshët pushkatuar nga regjimi komunist” –“Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirjel të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…”

Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1971

Filed Under: Politike Tagged With: 100 viktimat e komunizmit, At Shtjefen, Frank shkreli

MARTIN CAMAJ DHE KATEDRA E PERJETSHME E ALBANOLGJISE NE N.Y.U.

July 17, 2020 by dgreca

  • NËSE SHQIPTARËT DO TË KISHIN MBAJTË PREMTIMET QË I DHANË CAMAJT DO TË KISHIM KATEDRËN E PËRHERSHME TË ALBANOLOGJISË NË NEW YORK/
  • KOLIQI DHE CAMAJ NUK MUND TË RRËZOHEN NGA PANTEONI I KULTURËS KOMBËTARE AS ME DOSJET E TIRANËS AS TË BEOGRADIT/
  • ERNEST KOLIQI DHE MARTIN CAMAJ, MIQ TË PËRHERSHËM TË VATRËS DHE DIELLIT-/

– GAZETA”DIELLI”, DËSHMI E PËRPJEKJEVE TË PALODHSHME TË PROF. CAMAJ PËR TË HAPË KATEDRËN E GJUHËS DHE KULURËS SHQIPTARE”GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”  NË NEW YORK NË VITET 1986-1989-

 – DËSHMI EDHE NË GAZETËN AMERIKANE  THE NEW YORK TIMES-

NGA DALIP GRECA

Fushata denigruse kundër dy korifejëve të Kulturës Kombëtare Shqiptare Prof. Ernest Koliqi dhe Martin Camaj e nisur nga Auron Tare duket se ka për qëllim që të baltos dy kontributorët e mëdhenj në fushën e Letërsisë, Lingustikës dhe kulturës kombëtare në tërësi. Vatra e sheh këtë nismë të Tares, të promovuesëve të tij, dhe atyre që qëndrojnë pas, si vazhdimësi e ekspeditës antikombëtare për të rrëzuar nga Froni simbolet tona kombëtare. Vala e tërbuar që ka mbjellë shtypi i shkruar, portalet elektronike, media sociale në tërësi,si dhe media vizive në trojet kombëtare, ka vënë në shenjestër,  me dosjerë policeskë të supozuara e të keqinterpretuar, dy personalitetet e shquara. Nëse Tare shkroi 37 faqe hamendësime në studimin e tij të dyshimtë, media i ka shumëfishuar ato, ndërsa studiot televizive, përfshirë edhe emisionet e atyre, që me emra sllavo-rusë, e kanë shpallë Heroin Kombëtar,antihero,  tradhëtar të Kombit,- vazhdojnë t’i japin hapsirë pa limit për të endur rrjetën e shpifjeve me teori konspiracioni. Nuk është e para herë që ndodh një sulm i tillë në rrethana tepër kritike për Trojet e Arbërit. Kështu kanë bërë Taret me shokët e tij me Heroin Kombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu, me Shenjtëreshën Shqiptare Nënë Tereza, me At’ Gjergj Fishtën, me shkrimtarin Ismail Kadare, dhe të tjera figura simbol,që na identifikojnë në Botën Perëndimore.

Martin Camaj ne Seminarin Nderkombetar “Vatra dhe Dielli” 28-30 Nentor 1969.

Për Vatrën, si Ernes Koliqi, ashtu edhe Martin Camaj, mbeten figura të denja të Panteonit të Kulturës Kombëtare, të pazëvendësueshëm dhe të pa rrëzueshëm nga Taret me shokë.

Tares i ka ardhë në ndihmë për ekspeditën e tij ndëshkuese ndaj dy kolosëve të Kulturës Kombëtare edhe fakti se Politika shqiptare(Shteti politik) është treguar  e pazonja për të vlerësuar Prof. Ernest Koliqin, Prof. Martin Camaj dhe shumë figura të tjera Kombëtare me kontribut në Kulturën e Kombit, për shkaqe politik-biografike, i kanë mbuluar me harresë dhe i kanë ndëshkuar dhe tash po i ndëshkon edhe Tare për motive të dyshimta.

Vatra ka pasë fatin e mirë që si Profesor Ernest Koliqin ashtu edhe Prof. Martin Camaj t’i ketë patur mysafirë dhe miq të nderuar, e bashkëpunëtorë të gazetës së saj DIELLI. Janë të shumtë shkrimet studimore, eseistike, analitike, letrare,  të Prof. Camaj në faqet e Diellit, ashtu si nuk mungojnë as artikujt e Prof. Ernest Koliqit.Kolana e veprës së tyre letrare dhe studimore ndodhet e plotë në bibliotekën e Vatrës.

PROF. KOLIQI DHE PROF. CAMAJ, LIGJËRUS NË SEMINARIN NDËRKOMBËTAR TË 60 VJETORIT TË DIELLI

Të dy korifejtë e Kulturës Kombëtare ishin mysafirë në manifestimin e madh Kombëtar Mbarëshqiptar, që u organizua në Boston dhe në New York në 28-29-30 Nëntor 1969 me rastin e 60 Vjetorit të Gazetës DIELLI. Profesor Camaj, që në atë kohë drejtonte Katedrën e Studimeve Shqiptare në Universitetin Munich-ut në Gjermaninë Perëndimore, u paraqit në seminarin 3 ditor kushtuar Vatrës, Diellit, Historisë dhe Kulturës Kombëtare me ligjëratën“Mbi funksionin e Gjuhës së Nolit dhe të Konicës”. Ndërsa prof.Ernest Koliqi u paraqit me ligjëratën ” Fan Noli, përlavdues epiko-lyrik i burrnisë shqiptare.” Në këtë manifestim të madh kombëtar ligjëruan figura të shquara të Kulturës Kombëtare si At Vincens Malaj, Prof. Zef Valentini, Giusepe Schiro Jr., Prof. Stefan Peters(Profesor në Universitetin Amerikan në Washnigton, ish funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme Amerikane), Prof. Louis Solano, pranë Universitetit Cambridge në Harvard University,Dr. Dhimiter Berati, Vicky Kotelly, Profesoreshë e gjuhës frënge në Michigan, Hasan Dosti, juristi i njohur, ish Ministër i Drejtësisë, Kemal Vokopola, nëpunës në degën e Drejtësisë pranë Librarisë së Kongresit në Washington, Ragip Frashëri, në atë kohë përfaqësues në Romë i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara(ACEN), Papas Ignazio  Parrino, Studiues dhe profesor në Universitetin e Palermos, ndihmësiI Prof. P.Zef Valentini, Refat Xh. Gurrazezi , ish editor i Gazetës Dielli për disa dekada, Nelo Drizari, ish editor i Diellit, shkrimtar, piktor, përkthyes, Dr. Hamdi Oruçi etj.

PROF. MARTIN CAMAJ DHE KATEDRA E GJUHËS  & KULTURËS SQIPTARE NË UNIVESITETIN E NEW YORK-ut

Katedra e Gjuhes dhe Kulturesh Shqiptar do te hapej ne korpusin e fakultetit te Shkences dhe Arteve.

 Që kur ishte në manifestimin mbarëshqiptar të 60 vjetorit të Gazetës “DIELLI” e në vazhdimësi Prof. Camajt i lindi ideja për hapjen e një katedre të Gjuhës shqipe në New York. Ideja u bë e nxehtë në vitet 1986-89. Fillimisht bëri përpjekje në Columbia University, por kuotat e pagesës atje ishin më të larta, të papërballueshme nga komuniteti shqiptar. Shkoi dhe në disa universitete të tjerë, duke u përqëndruar në New York, ku jetonte një pjesë e madhe e shqiptarëve me mundësi financiare.

Disa gjurmë të përpjekjeve të tij këmbëngulse gjenden në shtypin e kohës. Gazeta “Dielli” e ka mbajtë lexuesin të informuar gjatë të gjithë kohës dhe ka ruajtë gjurmët e nismës të Prof. Camaj për Kulturën dhe gjuhen Kombëtare Shqipe. Vetëm gjatë vitit 1986 janë tre artikuj të tillë. Në numrin e 16 shtatorit 1986, Dielli hapet në vend të kryeartikullit me shkrimin e titulluar”Një Katedër Albanologjike në Amerikë?” Shkrimi informon lexuesit se ashtu siç ishte shkruar edhe në një numër të mëparshëm ;- gjatë vizitës në SHBA të Prof. Martin Camaj, Kryetari i Katedrës të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Munich-ut në Gjermaninë Perëndimore, i ishte rikthye sërish komunitetit shqiptar duke përgatitë opinionin për hapjen e Katedrës së gjuhës shqipe dhe Kulturës kombëtare në New York. Ajo vizitë e Camajt kishte zgjatë dy muaj e gjysëm. Gjatë asaj kohe ai kishte vizituar shumë universitete, duke hulumtuar mundësitë e përshtatshme , kushtet qe vinin universitetet amerikane për hapjen e një katedre albanologjike(Albanian Studies).

Gazeta e Vatrës informonte se Prof. Camaj dhe intelektuali amerikan Leonard Fox kishin formuluar një paketë propozimesh, të cilin editori i atëherëshëm Dr.Edward Licho, shprehte shpresën që ta botonte sapo ata ta dërgonin në redaksi. Prof. Fox kishte përkthyer në atë kohë në gjuhën angleze Gramatikën e Prof. Camaj” Albanian Grammar” dhe i njihte mirë kushtet e universiteteve amerikane. Nga ana e tij z. Fox kishte studiuar në Universitetin Columbia në  New York dhe kishte punuar shumë kohë si asst.professor.

Gjatë asaj kohe që qëndroi në SHBA Prof. Camaj bisedoi me shumë shqiptarë dhe krijoi opinionin e tij se shqiptarët e mbështesnin masivisht idenë e krijimit të Katedrës albanologjike, dhe do të jepnin ndihmë të pakursyer për të përballuar kuotën financiare që kërkonte universiteti.

Dielli shkruante: Kjo është shenjë e mirë dhe inkurajuse, por kontributin më të rëndësishëm do ta japin vetë shqiptarët.

Dielli e çmonte shumë rëndësinë dhe dobinë e një Katedre Albanolojike në një universitet të mirë amerikan, ku katedra të tilla kishin dhe popuj prej kombsish me numër më të paktë në numër se sa shqiptarët. Gjithësesi Dielli shihte me realizëm edhe vështirësitë që paraqeste krijimi i një katedre albanologjike. Së pari duheshin grumbulluar fondet nga komuniteti dhe kjo ishte sfida më e vështirë, duke mos llogaritur dhe mirëkuptimin mes donatorëve.

Gazeta e Vatrës shkruante se: “nismëtarët e kësaj ideje meritojnë lavdërime dhe përgëzime bashkë me urimet që të dalin me sukses në përpjekjet e tyre. Përsa i përket Federatës Vatra dhe Gazetës Dielli, ne jemi të bindur se do ta përkrahim me gjithë fuqitë tona idenë e ndritur për krijimin e një katedre albanologjike në Amerikë. Vatra dhe Dielli përgjatë të gjithë jetës së tyre kanë përkrahur kurdoherë çdo inisiativë dhe çdo vepër që ka qenë në dobinë e Kombit dhe popullit shqiptar.Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në këtë rast.DIELLI do t’i  ketë shtyllat e veta ta hapura…”

KARRIGIA E PËRJETSHME  E KULTURËS SHQIPTARE NË N.Y.U

Në gazetën Dielli të datës 30 prill 1987 është botuar nga N.Y.U. paketa e propozimit për hapjen e Katedrës të Gjuhës dhe kulturës Shqiptare”A proposal to establish a Chair In Albanian Culture at  N.Y.U.).

Në të shkruhej se Universiteti i Nju Jorkut, universiteti më i madh privat në Shtetet e Bashkuara, kishte kënaqësinë të njoftonte se propozonte krijimin e një karrigeje për Kulturën Shqiptare,( A Chair In Albanian Culture AT  N.Y.U) me ndihmën dhe interesimin e palëve të tjera të interesuara. Sipas paketës të publikuar në gazetën DIELLI, karrigia e Kulturës shqiptare kishte koston 1, 2 milion dollar dhe do të ishte e përjetshme. Ajo do të vendosej  në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive të Lindjes së Afërt në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave të Universitetit.Kryetari përfaqësues do të ishte i përkushtuar në ruajtjen e Kulturës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbi baza të përhershme, duke vënë në dispozicion udhëzimet në gjuhën, letërsinë dhe historinë shqiptare. Katedra e Gjuhës shqipe do të përcillte një kuptim të gjerë të rolit të Shqipërisë në mjedisin ballkanik dhe mesdhetar dhe do të tregonte interes për rëndësinë moderne të kulturës shqiptare. Duke pasur parasysh kontributet që shqiptarët kanë bërë në Shtetet e Bashkuara dhe pasurinë e trashëgimisë së tyre, ishte koha për të njohur kulturën shqiptare në një institucion kryesor të arsimit të lartë, shkruhej në paketën e propozuar.

Paketa informonte se Universiteti i Nju Jorkut ishte i interesuar për ta hapur këtë katedër. Nisma ishte lehtësisht e arritshme edhe për faktin se shqiptaro-amerikanët përbënin një numër të konsiderueshëm në shtetin e New Yorkut e në shtetet përreth. Universiteti kishte krijuar përvojë dhe i kishte kushtet  në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive si për Lindjen e Afërt ashtu edhe Europën Lindore. Ky Departament ishte hapur që më 1966 dhe ofronte gradën Master, Doktoraturë në gjuhë dhe Letërsi të Vendeve të Lindjes së Afërt dhe Diploma universitare për gjuhët e vjetra Lindore etj.Qendra Hagop Kevorkian ishte e specializuar pikërisht për to.

Kjo do të ishte një mundësi e mirë për studentët e interesuar të Katedrës shqiptare për të mësuar gjuhët kryesore të Lindjes së Afërt, të njihnin kulturat e rajoneve të përfshira nga këto gjuhë. Mbi 107 kurse të ndryshme pasuniversitare dhe universitare ofroheshin çdo vit. Në vitet e fundit studentët do të kishin mundësi që të trainoheshin për karriera në mësimdhënie, biznes, shërbim qeveritar etj.

Universiteti i Nju Jork-ut pranonte përmes paketës propozuese se kjo nismë do të kishte rriskun e vet dhe do të përbënte një sfidë për ta financuar plotësisht karrigen e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, por shprehte bindjen se; nëse trashëgimia shqiptare do të ruhej dhe ndahej me shqiptaro-amerikanët dhe të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të ndërmerreshin hapa që në atë moment për të siguruar mbijetesën e saj. Universiteti kërkonte që të mbledheshin 1.2 milion dollarë gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Kontributet ishin të mirëseardhura dhe ekzistonin mundësitë për të marrë një njohje të përjetëshme.

Kontributet që dhuroheshin ishin plotësisht të zbritshme nga taksat sipas Ligjit në Shtetin e New York-ut.

Universiteti jepte dhe alternativë: Kjo shumë(1.2 milion dollarë) mund të sigurohej edhe nga një familje nëse i kishte mundësitë financiare(koha 5 vjet), nëse ndodhte kjo “karrigia” do të emrohej me emrin e dhuruesit(Siç ndodhi kohët e fundit me Katedrën e Albanologjisë në Universitetin DePaul në Çikago, që mbanë emrin e filantropit shqiptar-Hidai Eddie Bregu).

Nëse “karrigia” do të financohej nga shumë donatorë, katedra do të mbante emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ashtu siç veprohet në SHBA, donatorët e dhuratave nga njëqind mijë dollarë ose më shumë, të pagueshëm për një periudhë pesëvjeçare, do t’u shkruhej emri në një pllakë, që do të mbetej përjetsisht aty.

Individët, familjet, ose organizatat që do të jepnin kontribute nga $10 mijë deri në $ 99 mijë, do të renditeshin në një vëllim të ruajtur në Bibliotekën e Qendrës Kevorkian; këto dhurata mund të bëheshin gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Dhuratat me më pak se 10 mijë dollarë, si dhe dhurimet më të mëdha, do të shënoheshin në raportin mbi projektin që do t’u dërgohej të gjithë pjesëmarrësve.

 Në gazetën Dielli për ata që donin të nisnin kontributet jepeshin informacione te sakta, personi konatktues, adresa: (Director of Development for the Faculty of Arts and Science, 25 West Fourth Street, New York, New York 10012), numriiI telefonit, mënyra e pagesës etj.

SHUMAT E LARTA TË PREMTUARA DHE OPTIMIZMI I PROF. CAMAJT

Prof. Martin Camaj i vijoi përpjekjet dhe erdhi shumë herë në New York për të konkretizuar hapjen e Katedrës. Premtimet e shqiptaro-amerikanëve ia kishin ngrohë zemrën. Dielli 28 shkurtit 1988 botonte në faqe të parë, në vend të kryeartikullit, shumat e premtuara.Pa i përmend emrat(10 nga ata kanë ndërruar jetë), statistikat janë këto: Tri familje premtonin nga $100 mijë, 6 familje nga 50 mijë dollar, 5 familje nga 25 mijë dollar, një familje 20 mijë dollar, 8 familje me nga 10 mijë dollar.

Ndërkohë gazeta The New York Times i kishte bërë jehonë nismës të shqiptaro-amerikanëve në numrin e saj të 13 dhjetorit 1987, ku njoftone se shqiptaro-amerikanët kishin premtuar 950 mijë dollar për themelimin e Katedrës të studimeve shqiptare në njerin ndër universitetet më të njohur të Amerikës, New York University.

Në komentin që bënte vetë Prof. Camaj, në letrën që botonte në Dielli me 28 shkurt 1988, shkruante se” Ky lajm u prit me befasim të admirueshëm në rrethet akademike në Evropën Qendrore dhe në Itali, posaçërisht nga lavruesit e disiplinës  albanistike, gjuhëtarë e historian.”

Camaj përcillte ne letrën e tij përgëzimet dhe urimet e nxehta për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, por kryekreje për ata shqiptarë të ndritun që garantojnë shumë:”emnat e tyne do të mbesin të përjetësuem në historinë e kulturës shqiptare! Akt për t’u lavdue edhe për gazetën Dielli, që ashtu si i ka hije, u ba zadhanëse e kësaj inisiative…”.

Camaj sqaronte se burimin për të gjithë ata që duan të dinë me saktësi procedurat dhe rregullat e përgjithshme e të posaçme për Chair Of Albanian Studies mund t’i gjejnë në propozimin e Universitetit të New York’ut:A proposal to Albanian CULTURE AT N.Y.U(publikuar në Dielli, 30 prill 1987).

Udhëzime më të plota ishin botuar në Gazetën Dielli me 28 Nëntor 1987 , në artikullin e profesorit të atij Universiteti, Prof. Carl M.. Kortepeter.

Prof. Camaj konstatonte: Si njeri i degës Albanologjike në një Universitet Evropian, më ban përshtypje posaçërisht gjansia e konceptit dhe perspektiva e shkëlqyshme për zhvillimin e studimeve shqiptare në këtë universitet dhe se këtë zhvillim e ka në dorë komuniteti shqiptar në USA. Kjo do të jetë Katedra e parë e studimeve shqiptare në mbarë kontinentin amerikan, ku gjurmohen dhe mësohen landë humanistike, (gjuhë, letërsi, dhe histori Kombëtare), nga të gjitha kontinetet, ashtë fort i përshtatun që të marrë përsipër landë të studimeve tona në rang e shkallë akademike. Seicili që e ka për zemër mbarëvajtjen e studimeve shqiptare, si tash në fazën fillestare të themelimit të Katedrës, ashtu edhe në të ardhmen, e ka në dorë si askund në botë, me inisiativë vetjake, të tregojë sa e don kulturën e vet. E ka në dorë të japë kontributin për specializimin e shkencëtarëve të rinj, të cilëve nesër do t’ju bjerë barra e mbajtjes në kambë të katedrës, prandaj duhet të krijohen sa më shumë bursa studimesh(scholarship); këta shkencëtarë të caktuar për tu aftësue në degët albanologjike, duhet të dalin nga komuniteti shqiptar-amerikan.

Siç dihet ky projekt dështoi. Po përse? Natyrisht jo për shkak të Prof. Camaj, që i bëri shërbimet deri në fund këtij projekti, por për faj të komunitetit shqiptar, që nuk mbajti fjalën e dhënë. Dielli kontaktoi disa nga personat e përfshirë në këtë projekt me dëshirën e mirë atdhetare për t’i shërbyer Kulturës Kombëtare. Ata dhanë fakte të përjetuara,dhanë opinionet e tyre për dështimin, por ne këtë shkrim nuk po përmendim emra. Qëllimi ishte të sillnim për lexuesin përpjekjet e Prof. Camaj për hapjen e Katedrës.  Shkaqeve do t’ju rikthehemi së shpejti.Nëse bashkatdhetarë të tjerë kanë informacion, kanë qenë vetë pjesë e projektit, ose thjeshtë kanë dëgjuar apo lexuar, ata mund të kontaktojnë me Editorin me telefon ose me emailin:gazetadielli@gmail.com.

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Katedra e Albanologjise en N.Y.U., Martin Camaj

DR. SKENDER VELIU FLET PËR DIELLIN NGA SLLOVENIA

July 17, 2020 by dgreca

SI SHPËTOI SLLOVENIA NGA KATASTROFA COVID-19

Skender Veliu, doktor në repartin e kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm  Splošna Bolnišnica Jožeta Potrča në qytetin Ptuj në Slloveni, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin slloven në betejën ndaj Covid-19. Me Dr. Skender Veliun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SLLOVENIA PËRBALLË PANDEMISË COVID-19

Në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës u paraqit një numër i konsiderushëm i rasteve më pneumoni të panjohur. Shkencetarët erdhën në konkluzion se bëhej fjalë për sëmundje të re infektive të cilën e quajtën COVID-19. Shkaktari i të cilës është virus nga familja e koronavirusëve të cilët shkaktojnë edhe sëmundjet e njohura që më parë – SARS dhe MERS. Për parandalim të përhapjes së virusit është me rëndësi përveç largësisë mbi 1,5m edhe izolimi i kontakteve (pastrimi dhe dezinfikimi i duarve). Virusi fillon të shumohet 24 – 48 orë para fillimit të simptomeve të sëmundjes që domethënë se personi është vektor i virusit edhe pse nuk ka shenja të sëmundjes. Sasia më e madhe e virusit gjendet në hundë, më intenzivisht shumohet në fillim të sëmundjes. Pas 15 ditëve në hundën e të sëmurëve gjendet një sasi e vogël e virusit ndërsa pas 21 ditëve humbet krejtësisht. Inkubacioni zgjat 2 – 14 ditë mesatarisht 4 – 6. Sëmundja mund të shfaqet në 14 ditët e para pas infikimit. Karakteristikë janë dhembjet e muskujve dhe nijeve lodhshmëri, ftohje, në disa raste edhe barkqitje. Simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë trupore dhe kollitje e thatë. Në format më të rënda të sëmundjes paraqitet edhe ndjenja e mungesës së ajrit. Momentalisht nuk kemi në disponim medikamente apo vaksina për shërimin e kësaj sëmundje. Në Slloveni kemi udhëzime nacionale të cilat diktojnë menyrën e shërimit të pacientëve me COVID-19. Përdoren të gjitha metodat dhe medikamentet që janë në disponim dhe që përdoren në vendet e tjera të botës.

COVID-19 NJË INTERPRETIM STATISTIKOR

Sipas informatave të deritanishme 80% e pacientëve e tejkalojnë në mënyrë të lehtë, 15% në menyrë të mesme dhe 5% në menyrë kritike. Vdekshmëria e pacientëve në gjendje kritike është 50%, ndërsa në përgjithësi është vdekshmëria 2 – 4%. Të fëmijët sëmundja kalon në menyrë të lehtë që domethënë se fëmijët nuk janë në grupin e të rrezikuarve përveç fëmijëve të imunokompromituar. Në Slloveni virusi u importua nga Italia ndërsa bartjet sekundare të virusit ndodhën brenda familjeve dhe në disa kolektive pune. Sllovenia është shtet i vogel i cili ka 2.094.060 banorë me dendësi 103 banorë ne kilometër katrorë. Rasti i parë u konfirmua me datë 4.3.2020. Epidemia u shpall në 12.3.2020. Edhe para shpalljes së epidemisë pati aktivitete të shumta drejtuar parandalimit të përhapjes së virusit. Para së gjithash ishin kto rekomandimet për domethënjen e distancës sociale, higjenës së duarve dhe kollitjes dhe rekomandimet që banorët të rin në shtëpi. Shpallja e epidemisë solli heqjen e transportit publik, mbylljen e shkollave, çerdheve, restoranteve, ndalimin e mbledhjes në vende publike, kufizimin e levizjes brenda komunave, mbyllen e kufijve, aeroporteve. Gjithashtu karantinën e domosdoshme pas kthimit nga vendet e jashtme, mbyllja e të gjithë dyqaneve përveç dyqaneve me artikuj ushqimorë. U përcaktuan terminet e blerjes në këto dyqane, sidomos për grupet e rizikuara të popullatës. Dezinfikimi i duarve është tashmë pjesë e jetës, gjithashtu edhe përdorimi i maskave në hapsira të mbyllura. Të infikuarit të cilit nuk kanë nevojë për shërim në spital është i domosdoshëm vetëizolimi në shtëpi. Me masat e lartëpërmendura arritëm që të ndalojmë përhapjen e virusit kështu që në datën 15.5.2020 Sllovenia e tërhoqi shpalljen e epidemisë. Shumë nga masat e lartëpërmendura mbetën në përdorim (distanca sociale, dezinfikimi i duarve, mbajtja e maskave në hapsira të mbyllura). Mundemi të udhëtojmë jashtë shtetit me disa kufizime, pas kthimit prej shteteve të cilat janë në të ashtuquajturën listën e kuqe na pret karantëna 7-ditore dhe testimi për COVID-19.

BARRA E PANDEMISË NË SLLOVENI

Në Slloveni COVID-19 paraqiti problemin më të madh në institucionet ku janë të strehuar të moshuarit. Kemi pasur 3 raste ku numri i të infikuarve ishte tejet i madh por me aktivitete adekvate ia dolem të ndalojmë përhapjen e virusit. Deri me 12.7.2020 në Slloveni kemi evidentuar 1859 raste pozitive me COVID-19. 111 pacientë kanë vdekur dhe janë bërë 116.023 teste. Në institucionet për të moshuarit janë evidentuar 485 raste pozitive. Numri më i madhë i të sëmurëve është në grupmoshën 45 – 54 vjet (314 raste). Më shumë të vdekur ka në grupmoshën mbi 85 vjet (61 rast). Paraqitja e COVID-19 në Slloveni ka pas një ndikim të madh në funksionimit e sistemit shëndetësor dhe kërkon ndryshime dhe adaptacione të shumta. Në kohën e epidemisë kemi pasur 16 pika hyrse ku mjekët familjarë i kanë drejtuar pacientët me simptoma të sëmundjes COVID-19 në testim. Rastet e të infikuarve të cilët nuk kanë pasur nevojë për shërim në spital i kemi drejtuar në izolim shtëpiak dhe me kujdes kemi monitoruar gjëndjen shëndetësore nëpërmjet bisedave telefonike. Në rast të përkeqësimit të gjëndjes dhe nevojës për hospizalizim pacientët e tillë janë drejtuar në spitalet e veçata. Kemi 4 spitale të tilla në të cilat i kemi në disponim të gjitha kushtet për izolimin dhe shërimin e pacientëve të tillë.

FAZAT QË NDOQI SHTETI SLLOVEN NË SHËRIMIN E PACIENTËVE

Në të gjitha spitalet në mënyrë intenzive u pregaditëm për shërimin e pacientëve me COVID 19. Në fazën fillestare Minsistria e Shëndetësisë dha udhëzime për ndërprerjen e të gjitha programeve elektive, kështu që në të gjitha spitalet trajtonim vetëm raste emergjente dhe bënim pregaditje për epidemi me dimenzione më të mëdha. Çdo spital e ndamë në 3 zona. Zona e parë ku trajtohen pacientët pa shenja të COVID-19, zona e dytë ku trajtohen pacientet tek të cilët dyshohet prezenca e COVID-19 dhe zona e tretë ku trajtohen pacientët pozitiv. Më e rendësishmja është triazha në hyrje të spitalit ku çdo pacienti i matet temperatura trupore dhe merrët anketa epidemiologjike. Të punsuarit e kemi të domosdoshme gjatë trajtimit të pacientëve të mbajmë maskë kirurgjike ose mjete të tjera mbrojtëse. Në spitalin tonë me sukses e përdorim edhe dezinfikimin e hapsirave me drit ultraviolete e cila është treguar e sukseshme në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Në sallat operative regjimi higjenik është i rreptë, gjatë operacioneve ku rreziku është më i madh përdorim mjete mbrojtëse individuale. Me masat e lartëpërmendura kemi arritur që ta ndalojmë përhapjen e virusit pas hapjes në jetën publike pas 31.5.2020 u paraqitën raste të reja kështu që në korrik shifet rritja e numrit të infikuarve. Shteti dhe institucionet  shëndetësore pregaditen për valën e re të epidemisë.

VIRUSI KA NDRYSHUAR PËRGJITHMONË JETËN TONË

Në kohën e paraqitjes së sëmundjes COVID-19 jeta e njerëzve dhe sistemi shëndetsor në Slloveni janë ndryshuar rrënjësisht. Ndryshimet bien pasoja serioze për shëndetin e njerëzve mirëqenjen subjektive dhe kualitetin e jetës posaçërisht për disa grupe të banorëve siç janë fëmijët, gratë, të moshuarit dhe të papunësuarit. COVID-19 përveç ndikimeve në shëndetin fizik, vendet e punës dhe të ardhurat rrit shqetësimin e njerëzve gjë që ndikon në kontaktet sociale, besimin tek njeri-tjetri, besimin tek institucionet dhe siguria personale. Hulumtimet tregojnë se njerzit në Slloveni dhe BE në kohën e epidemisë ndjehen pak më keq, më shumë ka pasur punë nga shpia, besimi në BE dhe në qeverinë aktuale ka qenë i ulët, është rritur numri i paraqitjeve të dhunës familjare, është ulur optimizmi i njërzve në lidhje me ardhmërinë. Shkaku i epidemisë janë luhatur temelet e shëndetsisë Sllovene ku perballohemi me infrastrukturën e vjetëruar. Gjithashtu e kemi të parregulluar kujdesin afatgjatë. Ndërprerja e programeve elektive sjellë zgjatjen e pritjes për trajtime të ndryshme. Janë përkeqësuar disa sëmundje kronike, është përkeqësuar situata financiare. Nuk i kemi të qarta të gjitha pasojat të cilat do ti tregojë e ardhmja. Sigurisht na pret rrugë e gjatë me investime në pajisje, kapacitete shëndetsore, infrastrukturale që të mundësojmë trajtimin e sigurtë për të gjithë shtetasit e Sllovenisë. Në nivel individual është e nevojshme ndërgjegjesimi dhe kuptimi i realitetit të ri –  vazhdimisht mbajtja e distancës sociale, rëndësia e higjenës së duarve dhe përdorimi i maskave mbrotëjse.

KUSH ËSHTË DOKTOR SKENDER VELIU

Dr. Skender Veliu ka lindur në vitin 1970 në fshatin Dobri Dol në afërsi të qytetit Gostivar në Maqedoninë e Veriut. Në vendlindje kreu shkollën fillore, arsimimin e mesëm e ka përfunduar në Gjimnazin e Gostivarit. Duke marrë parasysh pozitën e palakmueshme të Shqiptarëve në Maqedoni në atë kohë ka vendosur që studimet ti vazhdojë jashtë vendit. Në vitin 1989 menjëherë pas mbarimit të Gjimnazit regjistrohet në Fakultetin e Mjeksisë në Bratislavë në Sllovaki. Të njëjtin Fakultet e mbaron me sukses në vitin 1995 dhe vazhdon specializimin në Kirurgji po ashtu në Sllovaki. Provimin e specializimit në Kirurgji e mbaron me sukses në vitin 1999. Si specialist i kirurgjisë së përgjithshme vendos të shpërngulet në Slloveni. Para punësimit detyrohet të ekuivalentojë diplomën. Punë kjo që kërkon kryerjen e 10 provimeve diferenciale dhe përsëritjen e provimit të specializimit në Ljubljanë, Slloveni. Prej vitit 2000 punon dhe jeton në spitalin e pergjithshëm – Splošna bolnišnica Jožeta Potrča Ptuj në repartin e kirurgjisë. Preokupim primarë e ka kirurgjinë abdominale – operacionet laparoskopike, miniinvazive. Gjithashtu me sukses i trajton edhe plagët kronike në ambulancën për plagë kronike të cilën edhe e udhëheq. Në dekadën e fundit të karierës profesionale merret edhe me operacionet endovaskulare të enëve të gjakut në ekstremitet e poshtme.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Skender Veliu, Slloveni, Sokol Paja

NGUSHËLLIME PËR ZYRTARIN E POLICISË SË KOSOVËS-ILIR GJOKAJ

July 17, 2020 by dgreca

–Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu u ka shprehur ngushëllime familjes së policit Ilir Gjokaj i cili vdiq pas infektimit me Covid-19.

Për humbjen e jetës së Zyrtarit të Policisë së Kosovës Ilir Gjokaj në këtë kohë të ballafaqimit me pandeminë, kur si mjekët, infermierët dhe ekipet spitalore në vijën e parë të frontit janë heronjtë e betejës edhe policët në përkujdesje për zbatimin e masave e sigurinë e qytetarëve, ngushëllimet më të sinqerta familjes Gjokaj dhe kryetarit të Vatrës Elmi Berisha për djalin e dajës.

Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli -Behlul Jashari/

  • Policia e Kosovës: Ngushëllime për humbjen e jetës së Zyrtarit Policor Ilir Gjokaj

-Zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, më 14 Korrik 2020 kishte rezultuar pozitiv në Covid 19, mbrëmë në orët e vona (16 Korrik 2020) ka ndërruar jetë. Policia e Kosovës ju shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë qytetarëve të Kosovës/

PRISHTINË, 17 Korrik 2020- Gazeta DIELLI/ Konfirmohet zyrtarisht: Zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, mbrëmë në orët e vona (16 Korrik 2020) ka ndërruar jetë. Me datë 14 Korrik 2020 kishte rezultuar pozitiv në Covid 19.

Policia e Kosovës përmes Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore në bashkëpunim me ekipet mjekësore janë përkujdesur në vazhdimësi për zyrtarin policor, dhe tani me rastin e humbjes së tij ju shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Policia e Kosovës – Drejtoria e Përgjithshme, Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun dërgoi sot këtë njoftim:

NJOFTIM  PËR  MEDIA

Prishtinë, 17 korrik 2020

Policia e Kosovës (PK), referuar situatës dhe rrethanave të krijuara që nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it COVID-19. 

Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante. Kujdes të veçantë i ka kushtuar aplikimit të masave mbrojtëse për qytetarët por edhe për vet zyrtarët policor, të cilët ballafaqohen me situata dhe raste të natyrave të ndryshme si reagues të parë.

Që nga paraqitja e pandemisë e deri më sot, 154 zyrtar policor kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prej tyre janë shëruar 77 zyrtar policor, ende aktiv në trajtim janë 76 zyrtar policor, ndërsa fatkeqësisht zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, mbrëmë në orët e vona (16.07.2020) ka ndërruar jetë.

Zyrtari policor i cili ka qenë duke shërbyer në Stacionin Policor në  Gjakovë, nga data 07.07.2020 është lajmëruar në pushim mjekësor për shkak të problemeve më bosht kurrizor, kurse nga data 11.07.2020 është hospitalizuar në repartin pulmologjik për shkak të problemeve me frymëmarrje. Pas testeve të kryera, me datë 14.07.2020 kishte rezultuar pozitiv në Covid 19, ndërsa me datë 15.07.2020 është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë.

Policia e Kosovës përmes DRP Gjakovë, Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore në bashkëpunim me ekipet mjekësore janë përkujdesur në vazhdimësi për zyrtarin policor, dhe tani me rastin e humbjes së tij ju shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

***

MINISTRI I BRENDSHEM AGIM VELIU TELEGRAM NGUSHELLIMI FAMILJES GJOKAJ

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu u ka shprehur ngushëllime familjes së policit Ilir Gjokaj i cili vdiq pas infektimit me Covid-19.

“Më lejoni të shpreh dhimbjen, pikëllimin dhe ngushëllimet e mia tërë familjes, për humbjen e më të dashurit tuaj, zyrtarit policer, z.Ilir Gjokaj. Me pikëllimin më të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të një polici të vyeshëm e të shkëlqyer, i cili fatkeqësisht si shumë qytetarë tjerë anë e kënd globit, humbi betejën me pandeminë Covid-19”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Veliu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Gjokaj, ngushellime, Zyrtar i Policise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT