Shkruan: Albana M Lifschin/Dielli-Jashtë binte një shi i imët. Isha ulur mbi shtratin e gjyshit dhe kisha hedhur një batanije krahëve. Për qark
meje libra. Isha e rrethuar prej tyre si prej qindra ngjarjeve,me dëshirën për t’i përthithur të gjitha njëherësh. Sikur të ishte e mundur! Në to gjeta episode dhe njerëz që s’i njihja, që s’kisha dëgjuar kurrë për ta. Kisha hyrë në botën e “reaksionit”. Njerëz që kishin luftuar kundër qeverisë komuniste të Tiranës në vitet e para të pasçlirimit.
(“Të pasluftës thuaj, se për t’u çliruar s’jeni çliruar kurrë”, më kishte korrigjuar daja). Në libër gjyshi u referohej atyre si ”luftëtarë të lirisë” dhe jo ‘reaksionarë’.
Vazhdova më tej. Lufta. Përçarja. Vendosja e pushtetit të ri dhe lista të tëra të vrarësh antikomunistë. Të vrarët ishin vendosur të ndarë në kolona sipas bajrakëve. Krahas çdo emri ishte data e vrasjes dhe vendi se ku kishte rënë dëshmor. Ata ishin dëshmorë, po emrat e tyre s’i kishim mësuar dhe nuk do t’i kishim mësuar kurrë, sikur të mos… Shkisja dorën nga emri i parë deri tek i fundit, sipas numrit rendor.
Nga bajraku i Oroshit, 40 veta;
nga bajraku i Spaçit, 30 veta;
nga bajraku i Kushnenit, 27;
nga bajraku i Fanit, 39 veta;
nga bajraku i Dibrrit,
55 veta;
nga bajraku i Kthellës (aty ku ishte bajraktar gjyshi), 43 vetë.
Nga bajraku i Selitës, 13 të vrarë në luftën antikomuniste;
nga bajrakët e Malësisë së Lezhës, 22 vetë.
Pastaj gjyshi vazhdonte me lista të rretheve të Veriut, deri dhe në Kosovë, në një hapësirë prej 21 faqesh.
Kolona të tëra të vrarësh, me qindra. Brigada të tëra luftëtarësh antikomunistë, luftëtarë të lirisë. Një faqe e tërë historike, që kishte edhe ajo dëshmorët e saj. A kishin edhe ata një ditë përkujtimore?
Jo. Atyre nuk u ishte rezervuar vend në altarin e të rënëve. Familjet e tyre ishin kalbur internimeve.
“Ne të gjithë jemi viktima të atij sistemi”, më pat thënë më vonë një profesor i nderuar, me të cilin isha takuar në Nju-Jork. Ishte nga Shkodra dhe kishte bërë vite të tëra burg, sepse nuk kishte pasur të njëjtat pikëpamje me moshatarët e tij komunistë. S’ia harrova kurrë ato fjalë. Njerëzit më të vuajtur janë ata që kanë vision të qartë e të mençur.
“Ti do t’i kuptosh të gjitha pak nga pak…” më kishte thënë daja. Isha ende në hapat e para të njohjes të së vërtetës.
***
Albana MLifschin Nga “Yjet nuk jane te kuq” 2013
Ne foto: Gjon Melyshi,bajraktari i Kthelles-Nje nder udheheqesit kryesore te kryengritjeve anti-osmane ne krahinen e Mirdites.
Pjesmarres ne disa kuvende krahinore te Mirdites,si perfaqesues i bajrakut te Kthelles.