• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

BIOGRAFIA E MUSINE KOKALARIT, “SONATA E HËNËS” NGA EGLANTINA MANDIA

August 7, 2020 by dgreca

-Me rastin e 13 gushtit 1983- 37 Vjetori i vdekjes së Musine Kokalari-

Nga Ullmar Qvick *- Më ka mbetur vetëm një tekst për të trajtuar në kumtesën time. Ky tekst është një fletë nga Ditari i Musine Kokalarit. E gjejmë në biografinë e Musinesë, ”Sonata e Hënës” nga Eglantina Mandia (Tiranë, 1995). Këtë tekst më dha për përkthim Natasha Lako në lidhje me Javën e kulturës shqiptare që u mbajt në Pallatin e Kulturës të Stokholmit po atë vit. Pas prezantimit tim të ditarit të Musine Kokalarit u interesua për këtë tekst edhe Shoqata e shkrimtares Selma Lagerlöf dhe më dha një honorar për përkthimin. Një nderim posthum për një intelektuale të vyer, jeta e së cilës u bë vuajtje pa fund…

Musine Kokalari, e para shkrimtare femër në Shqipëri, në fund të Luftës së dytë botërore hapi një librari në Tiranë, dhe pikërisht atje gjendet Musineja më 18 shkurt të vitit 1945, kur ajo do të shkruante në ditarin e vet për Selma Lagerlöf-in, laureate të Çmimit Nobel për letërsi. Një vit më vonë u arrestua Musineja, dhe në korrik 1946 ajo u dënua me njëzet vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si ’sabotatore dhe armike e popullit’. Vërtet ajo ishte një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate Shqiptare, dhe si e tillë ajo guxoi të kritikonte komunistët për sjelljet e tyre dikatoriale dhe terroriste në qeverisjen e vendit. Ajo grua e talentuar u poshtërua, u shkatërrua nga regjimi i Enver Hoxhës, duke kaluar18 vite në burgun famëkeq të Burrelit, dhe që nga viti 1964 deri sa vdiq Musineja në vitin 1983, ajo u detyrua të punonte fshesare në qytetin Rrëshen të Mirditës. Turp i madh dhe një krim që nuk do të falet kurrë!
Më falni për emocionet jo shkencore, por tema të tilla nuk mund të përshkruhen me fjalë të thata.

Ditari i Musine Kokalarit për datën 18 shkurt 1945 fillon me një përshkrim të situatës: ”Dita e vdekjes për 17 veta. Plagë të reja që hapen, lotë që po derdhen. Lotë mjerimi që s’kanë të pushuar, se plagë të reja të tjera do të hapen dhe s’lenë as të vjetrat të mbyllen. Hija e vdekjes mbulon qytetin. Drithma i shkojnë në trup çdo njeri. Ngjajmë me gjethet e pemëve që era i lëkund. Një e nga një po ikin e ikin. Një e nga një po na lënë. Kënga e vdekjes u përhap kudo dhe po hyn shtëpi më shtëpi. Ka më tepër se një mot që ka nisur me të madhe dhe nuk dihet se ku do të vejë dhe ku do të mbarojë. Pse heshtin njerëzia? Pse nxijnë rrugët e Tiranës? Mos vallë zemra ime e zezë, që kullon gjak i sheh kështu? Pse shtëpia më duket e ftohtë dhe çdo gjë pa shpirt? Fytyrave tona çdo ditë e më tepër u shtohet një rrudhë. Çdo ditë më të zbehta dhe me flokë të thinjura, nuset. Plaga e shpirtit çdo ditë ftohet dhe kështu dhëmbja dëgjohet më shumë. Dhëmbja shungëllon në boshllekun e shtëpisë sonë të ftohtë.”

Musine Kokalari kishte një dhëmbje të thellë personale: Më 12 nëntor 1944 u ekzekutuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtaz dhe Vejsim nga komunistët. Kjo vrasje, sipas intelektualit Andrea Varfi, kishte qenë një strategji e caktuar, zëri i së cilës u ndie edhe në Tivar. – Nuk do të dimë kush ishte fajtor drejpërdrejt – Enver Hoxha, Mehmet Shehu ose këshilltarët e tyre jugosllavë. –

Notat e hidhërimit në ditarin e Musinësë natyrisht kanë të bëjnë edhe me këtë ngjarje. Në Ditarin e saj Musine Kokalari tregon se si largohet shpirtërisht nga mjedisi e terrorit dhe ankthit, duke lexuar në librari ”Novela suedeze” të Selma Lagerlöf. Musineja mahnitet: ”Penda e saj nuk shkruan, po i bie telave që tingëllojnë muzikën e ndjenjave të zemrës. Fjalët e saj i ngjajnë poezisë stolisur me mijëra zëra, ku natyra merr pjesë, sheh, këndon dhe qan me njerinë bashkë.” Ajo lavdëron suedezët që paraqiten në veprën e Selmës: ”një këngë e pa prerë, që lidh zemrat e njerëzve të një populli të qetë, që do paqen, kënga e dashurisë…. Pasqyra e gjallë e një populli të thjeshtë, të ndershëm, i lumtur dhe në varfëri, kur zemra është e kulluar si ujët e krojve. Pasqyra e një populli me ndërgjegje, ku edhe fukaraj, që është keq për bukën e gojës, e ruan dhe nderon mikun dhe shokun.”

Në këtë rast dua të vërej, se Musineja interpreton rrëfimin përrallor të shkrimtares për njerëzit në krahinën time të lindjes, Vermlanda, me një idealizim disi të tepruar. Mirëpo, pak më tej, mendimet e Musinesë për popullin tonë bëhen më realiste, kur ajo shkruan për marrëdhëniet midis njeriut dhe natyrës vermlandeze: ”Njerëz që me vetminë e natyrës nuk rrojnë vetëm, se kanë një botë të brendshme të pasur, të cilët edhe në gjënë më të vogël të natyrës gjejnë bukurinë e pashoqe: shushurimën e krojeve, këngën e zogjve, fërshëllimin e erës, që tund degë dhe lëkund gjethë, bukurinë e luleve me erë të mirë dhe dëborën në dimër, që vesh çdo gjë me petkun e saj të bardhë, si nusja atë ditë, që le derën e babait për të vajtur tek shoku i jetës.” Ky citim bën të qartë, se Musineja e ka kuptuar plotësisht mentalitetin e suedezit në lidhje me natyrën, një mentalitet që pjesërisht ruhet edhe sot.

Dhe shënimet e Ditarit të saj mbarojnë me këto fjalë shumë prekëse:”Dashuria – burim i jetës na prek dhe na bën të mendojmë si ajo, na bën të mendojmë që edhe ne, ta kemi një vend-Atdhe si i saja, që na e përshkruan. Dhe në mos është ashtu si duket në shkrimet, ajo ka treguar se si vendi i saj, të gjejë rrugën më të drejtë për të qenë të lumtur. Të punojmë për të mbjellur farën e lirisë, ku respekti i çdo njeriu të jetë gjëja e parë. Dhe individualiteti i mbrujtur mbi baza të shëndosha morali në çdo krijesë është ideal. Një ideal që nuk i largohet realitetit, po që i vjen në ndihmë duke rrojtur me nder dhe me djersën e ballit. Një ideal me virtytet më të larta dhe me ndjenja njerëzore!”

Dhe në këtë rrugë që na tregoi Musine Kokalari jemi ne sot. Sepse idealet e lirisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të individit duhet të jenë aq të gjalla edhe në botën tonë të tanishme. Në Suedi, në Shqipëri, në Kosovë, kudo.

Tani dua të vështroj këtë studim letrar nga pikëpamja e temës së sesionit shkencor të seminarit ”Kritika letrare dhe periodizimi i letërsisë.” Besoj se për një studim specifik letrar, periodizimi nuk mund të ketë shumë rëndësi. Më me rëndësi është të përqëndrosh vëmendjen te rrethanat shoqërore dhe politike në të cilat veproi shkrimtari, rrethana të cilat kanë ndikuar konkretisht në formën dhe përmbajtjen e veprës së tij. Për mua ka qenë i udhës të shqyrtoj edhe korrektësinë faktike në përshkrimin e lëndës, ose si në rastin e Musine Kokallarit, emocionet e ngjallura nga materiali thelbësor (romani i Selma Lagerlöf-it) duke i vështruar në përputhje me realitetin e kohës.

Mirëpo, një faktor që shpesh harrohet është pozita e kritikut letrar si ndërmjetës midis shkrimtarit dhe lexuesit. Pushteti i kritikut është mjaft i madh. Duke shkruar shpesh recensione me vlerësime për librat në revistën e Shërbimit suedez të bibliotekave, unë jam i vetëdijshëm për këtë pozitë, për rëndësinë e kritereve të shëndosha në rolin tim si kritik-recensues. Nga recensioni im varet në shumë raste suksesi (ose mos-suksesi) i përhapjes së librit në shqyrtim nepër bibliotekat e Suedisë, dhe ndoshta kritiku letrar, si faktor subjektiv, mund të ketë më shumë rëndësi se faktorët objektivë (çmimi, lënda, pozita e shkrimtarit, tirazhi etj.).

Musine Kokallari ëndërronte Suedinë, ambientin e bukur dhe të qetë ku jetoi dhe veproi Selma Lagerlöf, por mundësitë e saj për të parë vendin tonë u shkatërruan nga tragjedia e saj personale e cila ishte edhe tragjedia e vendlindjes së saj. Ajo motër e Gjergj Elez Alisë siç e quan Eglantina Mandia, nuk erdhi kurrë në Vermlandë. Unë mendova për të para dy-tri vitësh, kur bëra një vizitë me bashkëshorten time, e cila është me burim kosovar, motrën e saj dhe vajzat tona, për të ushtruar sportin e dimrit pikërisht në atë pjesë të krahinës ku gjendet shtëpia e Selmës. Gratë dhe vajzat u kënaqën në natyrën e bukur vermlandeze, me liqene, lugina dhe male të larta me pyje të dendura, merreshin me slalom sikur në malet e Brezovicës….

Bashkimi midis popujve ka shumë faqe, dihet, dhe me këtë kumtesë jam përpjekur të ju tregoj se si letërsia shqipe ka dhënë një kontribut të vlefshëm për të mirën e miqësisë suedezo-shqiptare. Dhe kjo, më në fund, është edhe një detyrë në duart e kritikut letrar: Në lidhje me përkthime me material jetik letrar nga një vend, kritiku mund të analizojë nëse libri në shqyrtim ka vlerë për ti dhënë lexuesit mbresa, gjykime dhe pikëpamje nga mjedisi i përshkruar. Kjo natyrisht duhet të bëhet nën kontekstin e egos letrare të veprës.

Për kontributin e shkrimtarëve të shqyrtuar në këtë studim për të transmetuar një element pozitiv suedez në botën letrare shqiptare kam pasur një kënaqësi të veçantë të informoj lexuesit suedezë në librin tim dokumentar ”Mera hjältemod än vete” – Më shumë heroizma se grurë – që gjendet në shtyp.

Ullmar Qvick
NORRKÖPING, SUEDI NË GUSHT V.2004(VOAL)

Filed Under: Featured Tagged With: Eglantina Mandia, Musine Kokalari, Sonata e Henes, Ullmar Qvick

AT GJERGJ FISHTA : KUJTOHET E NUK HARROHET PER JETE!

August 7, 2020 by dgreca

Me rastin e 80 vjetorit të vdekje së At Gjergj Fishtës–

Shkruan : Prof.Sami Repishti–

Ridgefield, CT. Gjashtëdhjetë vjet ma parë, me 30 kallnduer 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut “At Gjergj Fishta”, dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës, shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte figurë të madhe të Kombit tonë. 

   Edhe ashtu ngjau! Grupe studentish u grumulluen para Kishës Franceskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej në supe vullnetarësh filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Ishe i magjepsun para nji pamje të ktille e thellësisht i emocionuem!

    Fishten –ashtu e quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni,- e kam njohë që në klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste. Në këte grup, u zgjodh edhe baba i im, i ndjeri Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës. Në mes të dy klerikëve lindi dhe u zhvillue nji miqësi që zgjati deri në fund, 1940 për Fishten dhe 1943 për baben tim. U fikën të dy, dhe fatmirësisht nuk përjetuen katastrofën komuniste në Shqipëri.

   Me 30 dhetor 1965, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes, gazeta DIELLI e Vatrës botoi nji seri shkrimesh kushtue At Gjergjit. Unë shkrova “Kujtime të nji nxanësi”, mendime që po i ripërsëris këtu:

“….At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore –dhe frymëzuese- të popullit tonë, liriku i shquem, dramaturgu i fuqishëm, dhe pa dyshim autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe., At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimeve dhe shembullit të Shën Franceskut, zemra e dhanun pa kushte dashunisë për Shqipni, mendja që synoi pa pushim zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta kur ma shumë se kurrë zjarri i fjalës dhe penda e tij i duhej nji populli të mashtruem në nji atdhe të robnuem…..

    “Ka vdekë Patër Gjergji!” Ndoshta kjo ishte forma ma familjare që në Shkodër e kishim zakon me thanë kur shqiptojshim emnin e Poetit. Ndoshta edhe vetë ky familjaritet i ndiem dhe i përgjithëshëm tregon ma shumë se çdo shprehje tjetër sa afër nesh jetonte Fishta, sa ngushtë me mendimin tonë, dëshirat e shpresat tona jetonte Poeti që përjetësoi epopenë vigane të nji populli që nuk deshti me jetue në skllavëri.

   E kam pa Fishten për të parën herë në vitin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra tradicionale, përcolli në banesën mortore të re trupin ba skelet i këputun të Hasan Riza Pashs. mbrojtësi i madh i qytetit Shkodër nga sulmet serbp-malazeze. Në nji pod të ngritun me nxitim pikërisht mbi trollin ku kishte ra gjaku i të vramit me tradhëti folësit hypën e zdrypen pa muejtë me shkëputë turmën nga Pasha që ceremonia e permortëshme kishte randue mbi to. U desht Fishta atëherë me thanë fjalen e tij. Aty kam pa fëtyrat, me mijëra, drejtue kah ai që i tërhiqte pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta përmbajshin nji mshehtësi të paditun ma parë. Asnji herë ma vonë për mue, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk ashtë paraqitë ma  e qartë.

    Rradhën tjetër kur e pashë, Fishta shtrihej, pa lëvizje, pa za, ndehej pa shpirt mbi podin mortor të vendsoun në mesin e Kishës Franceskane, banesa e tij për shumë vite të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi vendin e qetë për pushimin e përjetëshëm.

   Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi. Mështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq , me të bardhin litar ngjeshë që tre premtimet e bame të Lumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duertë bashkue në nji kryq druni të zi, Fishta që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon. Cila ishte ndjesia që na mbushte zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj? 

    Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjalin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na bajnë, menjifjal, me  qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim, nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht, paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve.

    Por Fishta kishte mbyllë sytë për jetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbar percolli veshun në zi, njeriun që ma  shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsin e nji turme që kurr nuk deshti me njohë peruljen……

Filed Under: Opinion Tagged With: 80 vjetori i vdekjes, At Gjergj Fishta, Sami repishti

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MIKE POMPEO, VIZITË NË EVROPËN LINDORE, POR JO NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË

August 7, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg Të ënjtën, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), nepërmjet një zëdhënsi, njoftoi vizitën javën që vjen, të Krye-diplomatit amerikan, Mike Pompeo në katër vende të Evropës, (11—15 Gusht).  Në njoftim thuhet se Pompeo do ta fillojë turneun e tij diplomatik të nivelit të lartë në Pragë të Republikës së Çekisë dhe do të vizitojë edhe qytetin Pilsen.  Prej aty, ai do të shkojë në Lubljanë të Sllovenisë, pastaj në Austri dhe më në fund në Poloni.   

Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, Sekretari Pompeo do të vizitoj qytetin Pilsen gjatë qëndrimit të tij në Çeki, ku së bashku me Ministrin e Jashtëm të atij vendi, Tomas Petriçek, do të shënojnë përvjetorin e çlirimit të Çekosllavikës Perëndimore nga Ushtria Amerikane, në Luftën e Dytë Botërore.  Ndërsa në Pragë , zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë bisedime me Kryeministrin, Andrej Babis mbi bashkpunimin midis dy vendeve në fushën e energjisë bërthamore dhe për të ashtuquajturën Nisma e Tre Deteve, e cila njihet gjithashtu si Nisma e Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi, një forum ky i 12-vendeve  të Bashkimit Evropian, (Austria, Bullgaria, Estonia, Kroacia, Lituania, Letonia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Republika Çeke dhe Hungaria).  Udhëheqsi i lartë amerikan do të zhvillojë  gjithashtu bisedime me zyrtarët më të lartë çekë, mbi masat për të kundërshtuar veprimtaritë e rrezikshme të Rusisë dhe Kinës komuniste, në rajon.

Pas bisedimeve në Pragë, Pompeo do të udhëtojë për në Lubljanë të Sllovenisë, ku do të zhvillojë bisedime me zrytarët më të lartë sllovenë: me Presidentin Bohur Pahor dhe me Kryeministrin e vendit, Janez Jansa.  Me zyrtarët e Sllovenisë, Mike Pompeo do të diskutojë, sipas njoftimit të DASH, mundësitë e mëtejshme për një bashkpunim edhe më të ngusht midis dy vendeve, në fusha të interesit dhe të shqetësimit të përbashkët, përfshir energjinë bërthamore dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese perëndimore.  Ndërkohë që Kryeministri Jansa, dhe Mike Pompeo do të theksojnë rëndësinë e sigurisë së rrjetit të “informacionit 5G” dhe do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashskët me Ministrin e Jashtëm slloven Anzhe Logar, mbi teknologjinë 5G.

Në Vjenë, më 14 gusht, Sekretari Pompeo do të takohet me Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg dhe me Kancelarin Sebastian Kurz, për të diskutuar mbi Partneritetin Strategjik Sh.B.A.-Austri, për marrëdhëniet e forta dhe në rritje të tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve dhe për çështjet e sigurisë rajonale, thuhet në njoftimin e DASH, për vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Austri. 

Ndërsa në Varshavë më 15 gusht — ndalesa e fundit e turneut të tij në Evropën lindore — Sekretari Pompeo do të takohet me Kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki dhe me Ministrin e Jashtëm, Jacek Czaputowicz, për të diskutuar mbi fushat e bashkëpunimit të fortë SH.B.A.-Poloni, përfshir thellimin e mëtejshëm të lidhjeve të forta në fushën e mbrojtjes, Marrëveshjen e Zgjëruar të Bashkëpunimit të Mbrojtjes, masat për rikuperim nga pandemia COVID-19, sigurinë e rrjetit informativ 5G dhe për përmirësimin e infrastrukturës rajonale të shpërndarjes së energjisë, bazuar në Nismën e Tre Deteve.  Kryediplomati amerikan do të takohet, gjatë vizitës së tij në Varshavë, edhe me Presidentin e Polonisë Andrzej Sebastian Duda.  Në njoftimin e DASH thuhet githashtu se gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë që do mbahet në përkujtim të 100-vjetorit të betejës së Varshavës të vitit 1920, në të cilën forcat polake mposhtën forcat bolshevike sovjetike gjatë luftës polako-ruse, që ka pëfunduar në një fitore vendimtare të ushtrisë polake kundër Ushtrisë së Kuqe Sovjetike.

Përballë kësaj vizite të nivelit të lartë që Sekretarit Amerikan të Shtetit në Evropën Lindore, është e pamundur të mos mendojmë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën dhe se kur ishte hera e fundit që një diplomat i lartë amerikan ose evropiano-perendimor të ketë vizituar dy shtetet shqiptare.  Duhet të shkojmë pak si thellë në historinë e viteve të fundit që të gjejmë ndonjë vizitë me rëndësi të zrytarëve t lartë perëndimorë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Por nuk është aspak për tu çuditur se pse vitet e fundit, Tirana dhe Prishtina nuk janë në agjendën e vizitave të rëndësishme nga perendimorët, siç eshtë kjo vizitë e kryediplomatit amerikan, javën që vjen, në Evropën Lindore.  Nuk është për tu çuditur aspak! 

Për të parë se pse, mjaftojnë vetëm deklaratat e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “ndërhyrjet në punët e mbrendshme” të Shqipërisë nga ndërkombëtarët si dhe deklarata e tij e fundit në kuvendin shqiptar se “komunistët dhe komunizmi shqiptar ishin në anën e duhur të historisë”, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit, në vizitën e tij në Poloni do të kujtojë 100-vjetorin e fitores së forcave polake kundër forcave bolshevike ruse. Kjo, gjithashtu në një kohë që, ndërsa Kryediplomati amerikan gjatë qëndrimit të tij javën që vjen në Lubljanë do të bisedojë për mundësitë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në proceset euro-atlantike — Kryeministri i Shqipërisë fletë për “minishengin ballkanik” me Serbinë dhe për marrëdhënje strategjike me Erdoganin e Turqisë.  Përshir këtu gjendjen jo stabile politike në Shqipëri dhe në Kosovë, është e qartë se nuk duhet të çuditemi se pse perëndimorët po vazhdojnë të shiojnë me dyshim politikën e Tiranës zrytare dhe anashkalojnë Tiranën dhe Prishtinën në vizitat e tyre rajonale.  Fatkeqësisht, duhet të bëjmë pyetjen se përsa kohë do të zgjasë durimi i perendimorëve me një klasë politike shqiptare që nuk ndanë asnjë vlerë perëndimore, por vetëm është e interesuar të ruaj karrigat e veta në dëm të jetës së mundishme të përditshme të shqiptarëve dhe në kurriz të interesave të Kombit, në përgjithësi.

Kam drojë se është tepër vonë që të hedhim kushtrimin për gjëndjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për marrëdhëniet e shqiptarëve me perëndimin, në përgjithësi.  Ka nja 10-vjetë tani që, në mënyrën time modeste, jam munduar të paralajmërojë për disa prirje të udhëheqësve shqiptarë drejt obskurantizmit lindor, jo vetëm bazuar në autoritarizmin e tyre të ushtruar në vend por edhe në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos me vendet Perendimore.  Sa herë kemi dëgjuar vitet e fundit disa udhëheqës shqiptarë të kërcënojnë Perëndimin duke thenë se Shqipëria dhe Kosova “kanë alternativa tjera”, nëqoftse nuk na pranoni kështu si jemi, thoshin ata, kushte ose pa kushte.  Tashti po e shohim se çfarë alternativash paskan pas në mend këta.  

Jeni në rrugë të gabuar!  Shqiptarët kudo qofshin, e që janë të interesuar për marrëdhënie normale dhe miqësore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara – ashtu siç kanë marrëdhënie normale dhe miqësore vendet ish-komuniste (me përjashtim Austrinë jo-komuniste) që do vizitojë javën që vjen Sekretari Popmpeo –duhet të jenë të shqetësuar për gjëndjen aktuale në marrëdhniet e shqiptarëve me Perëndimin.  Marrëdhëniet e ngrira, sidomos,midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën nuk janë në interesin afat gjatë të Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarëve në përgjithësi dhe as të paqës dhe sigurisë në rajon.  

Është e qartë se zhvillimi normal i këtyre marrëdhënieve të Shqipërisë dhe të Kosovës me perëndimorët, është prekur negativisht nga konfliktet dhe mos-stabiliteti politik i mbrendëshëm, por edhe nga flirtimet (e maskuara me kërcënime) me influenca të huaja, historikisht, jo mike të shqiptarëve, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina.  Pa përmendur, në këtë mes, trafikimin e drogës, krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë dhe mungesën e sundimit të ligjit në vend.  Janë këto probleme dhe të tjera si këto, të cilat bëjnë që zyrtarët e lartë të Amerikës — siç është Sekretari Amerikan i Shtetit dhe ata të vendeve të tjera perëndimore — të anashkalojnë Tiranën dhe Prishtinën zyrtare gjatë vizitave të tyre në vendet mike dhe aleate perëndimore në rajon, siç është vizita e kryediplomatit amerikan, javën që vjen, në Republikën e Çekisë, në Slloveni, Austri dhe Poloni.  Interesat afatgjata kombëtare të shqiptarëve nuk duhej të lejonin as të toleronin një gjë të tillë!  Për ngrirjen e marrëdhënieve të shqiptarëve me aleatët dhe miqtë tradicionalë dhe historikë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikush duhet të japë përgjegjësi.  Jeni në rrugë të gabuar!

Filed Under: Politike Tagged With: Jo Shqiperine, Mike Pompeo, Viziton Evropen Lindore

Rrotacioni politik i shëndetëshëm për demokracinë

August 7, 2020 by dgreca

Në vendet demokratike me pushtet të konsoliduar rrotacioni  politik është dukuri normale, që është në favor të demokracisë dhe të pluralizmit, ndërsa përjashtim bëjnë vendet autoritare  me animozitete të brendshme jo vetëm politike, ku Mali i Zi, paraqet rast të veçantë në vendet e ish kampit socialist në  Europën Juglindore

Shkruan: Nail  Draga

Në sajë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në çdo vend demokratik qytetarët me votën e tyre kanë  mundësi për të siguruar një ndryshim të modelit qeverisës, me qellim për të zëvendësuar modelin e vjetër, që në shumë raste është i konsumuar dhe i kompremetuar në sajë të aferave të ndryshme dhe i tejkaluar në rrethanat e reja shoqërore, duke ofruar një model të ri qeverisës me ide dhe kuadra të rinj, duke sjellur risi, shpresë dhe motivim për qytetarët e mjedisit përkatës.

Mali i Zi rast i veçantë në regjion

Nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste në Mal të Zi(9.12.1990) e deri më tash nuk ka ndryshime të pushtetit sepse ate vazhdon ta mbajë gjithnjë e njëjta parti politike(DPS), e cila është vazhdimësi e kohës së monizmit. Kemi të bëjmë me një mjedis specifik i cili veçohet nga vendet tjera të ish kampit socialist në Europën Juglindore. 

Në sajë përbërjës heterogjene të popullsisë, Mali i Zi veçohet nga vendet tjera të regjionit ku politizmi ka marrë përmasa  në shumë aspekte shoqërore. Ndonëse pluralizmi ofron mundësi optimale për zgjidhjën e çështjeve kontestuese, raportët shoqërore në Mal të Zi, kanë rikthim si para tri dekadave kur filloj falemintimi i shtetit të ish-Jugosllavisë. Dhe në këtë dimension dallohet Kisha Ortodokse Serbe(KOS), si përfaqësuese e serbëve në këtë mjedis, e cila me veprimin e saj më tepër i ngjanë ndonjë organizate politike se sa teologjike, ku si shkas është kontestimi nga ana e tyre e Ligjit për lirinë e bashkësive fetare. Organizimi i protestave enkas për këtë çështje, që ata i vlerësojnë si “shetije”, përmes retorikës dhe ikonografisë klero-fashiste,  del qartë se koncepti i politikës serbomadhe vepron në mënyrë perfide edhe në këtë mjedis, më mision ideologjik  me pasoja jo vetëm  shoqërore.

Nga një ndarje e tillë e qytetarëve në Mal të Zi, kryesisht ata të përkatësisë ortodokse dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare në një atmosferë të tillë, ndikon në ndarjët e vazhdueshme në skenën politike(pro malazeze dhe pro serbe), duke mbetur  dukuri e vazhdueshme në këtë mjedis, nga viti 2006 më pas!.

Parlamenti i kontestuar

Por, ky mandat parlamentar(2016-2020) mbetët i veçantë për tre çështje; e para se shumica parlamentare(42 deputet) ishte më e brishta në pluralizëm, e dyta se  me 16 tetor 2016, ditën e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Qeverisë, nga ana e opozitës pati tentim të grushtshtetit, ku me pas   u organizu edhe një proces gjyqësor ndaj disa pjesëmarrësëve të tillë, por ende pa aktvendime gjyqësore(!?)  dhe e treta, pikërisht për këtë shkak  parlamenti u bojkotua nga partitë  opozitare(39 deputet), fillimisht nga të gjitha, ndërsa më pas disa u kthyen në parlament, duke mos i  qendruar besnik marrëveshjes, duke qenë parlamenti më i kontestuar në pluralizëm në Mal të Zi.

Opozita  e përçarë  favorizon  pushtetin 

Animoziteti brenda opozitës është njëra nder faktorët kryesor që deri më tash mungon qendrim i përbashkët për çështje madhore, sidomos kur është në pyetje angazhimi për ndryshime të pushtetit, përkatësisht rrotacionin e tij. Por, për të qenë unik duhet të  ekzistojë një platformë e përbashkët e cila mungon, në vazhdimësi në pluralizëm. Madje, nga një qasje e tillë joserioze, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me “profesionalizmin opozitar”, që është në favor të pushtetit aktual. 

Çështje të veçantë paraqet koncepti politik i opozitës për çështjen e pushtetit nga njëra anë dhe të shtetësisë së Malit të Zi, që vazhdon të jetë me qasje dualiste në ate proserbe dhe promalazeze. Opozita proserbe nuk paraqet befasi sepse ajo ishte e angazhuar në vitin 2006, kundër pavarësisë së Malit të Zi, ku edhe sot qendron në ato pozita. Dhe një qasje të tillë është duke e shfrytëzuar pushteti aktual, që është motiv i vazhdueshëm për të mobilizuar qytetarët, përkatësisht votuesit që kanë mbeshtetur pavarësinë e Malit të Zi. 

Nuk ka dilemë se deri sa të ekzistojë një opozitë e tillë, me qasje proserbe, e mbeshtetur nga KOS-i, me direktiva nga Beogradi kundër pushtetit  përkatësisht nënkuptohet kundër pavarësisë shtetërore, DPS-i nuk ka nevojë të shqetësohet se mund të rrezikohet, duke vazhduar dominimin në skenën politike në Mal të Zi.

Hipokrizia e politikës lokale

Dukuria e korrupcionit politik në Mal të Zi nuk është e re e as e panjohur, duke u paraqitur në forma dhe mënyra të ndryshme, varësisht prej komunave përkatësisht strukturën e tyre heterogjene nacionale e politike. Janë pikërishtet konceptet e ndryshme politike e jo ato programore që ka ndikuar  në  ndryshimin  vullnetit te qytetarëve përmes votës së lirë. Dhe diçka e tillë është duke ndodhur në pluralizëm ku akrobacionet politike, janë bërë dukuri e njohur duke bërë dekompozime në pushtetin lokal në disa komuna në Mal të Zi.

Pikërisht në këtë aspekt  tek ne, një dukuri e tillë ndodhi për të parën herë në Ulqin, kur shumica parlamentare lokale nga zgjedhjet e vitit 2006(Forca, LDMZ, PPD dhe BDSH), në vitin 2007 u dekompozua  sepse tre këshilltarë të PPD-së, dëvijuan  nga pozita lokale, duke kaluar  në radhet e opozitës(DPS, UDSH), duke formuar shumicën e re parlamentare në pushtetin lokal të Ulqinit. Dhe një veprim i tillë ndikoj në dekompozimin e skenës politike të shqiptarëve në Ulqin, me pasoja në funksionim të pushtetit lokal në sajë të interesave personale dhe ambicieve  lideriste të përfaqësuesëve të subjektëve politike. Ishte ky një veprim hipokrit  i personave të cilët politikës lokale  ia mveshën epitetin e korrupcionit politik, dukuri me pasoja  jo vetëm lokale.

Dëvijimi i votës së qytetarëve

Një veprim i tillë quhet korrupcion politik sepse votat janë marrë nga elektorati votues për të ndryshuar gjendjen ekzistuese, përkatësisht për ta dërguar në opozitë DPS-in, e jo për ta rikthyer ate në pushtet, në mënyrë klandestine. Një dukuri identike  ndodhi më parë në Kotorr, e kohë më parë edhe në Budva, ku një këshilltar, gjoja me status “të pavarur”, iu bashkua  DPS-it, dhe formoj shumicën e re parlamentare lokale, çështje e cila mori përmasa korruptive politike tre muaj para se të përfundoj mandati i pushtetit lokal.

Nga dukuria e korrupcionit politik nuk ka dielmë së përfitojnë individët, partitë politike apo klanet e ndryshme. E kundërta do të ishte që individi në këtë rast këshilltari, apo këshilltarët të pakënaqur me subjektin politik që iu përkasin  për çështje të ndryshme në pushtetin lokal të dorëzojnë mandatin, subjektit të cilit i takojnë, duke u zëvëndësuar nga kandidati i radhës, në listën zgjedhore. 

Ndërsa mbajtja e mandatit të këshilltarit përmes votës së lirë, duke u deklaruar si të „pavarur“ është mashtrim i  elektoratit votues, sepse do të ishte korrekte propozimi i shkurtimit të  mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve te reja. 

Por, një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm  ata të cilët qendrojnë pas parimeve dhe kanë kapacitet demokratik, e jo ata të cilët, politikën e shohin si mundësi përfitimi personal. Ndërsa deri kur mund të veprohet në këtë mënyrë në skenën politike mbetet çështje e hapur, sepse ligji aktual zgjedhor nuk parashikon masa ndeshkuese, për devijime të tilla paszgjedhore.

Ndryshimi i pushtetit  vlerë e demokracinë

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, të rregullta apo të parakohshme, paraqet ofertën për qytetarët për të ndryshuar pushtetin ekzekutiv. Dhe një dukuri e tillë ndodhë kudo në vendet demokratike, ku qytetarët  përmes votes së tyre të lirë, vendosin për fatin e tyre. Janë pikërisht zgjedhjet që përcaktojnë së kush do të jetë pozitë, apo opozitë, në sajë të ofertës programore që subjektët politike iu kanë ofruar qytetarëve  për mandatin vijues. 

Një subjekt politik, vetëm apo në koalicion me subjekte të tjera, ofertën e prezantuar, ka mundësi ta realizojë në praktikë, gjatë mandatit katërvjeçar. Dhe kemi të bëjmë me kohë të mjaftueshme për të dëshmuar rezultate në praktikë, ndërsa nëse ata mungojnë do të jenë qytetarët, përkatësisht elektorati votues që do ti ndëshkoj në votime të radhës. 

Në favor të konsolidimit të shoqërisë

Në raste të tilla, opozitës i jepët mundësia për të dëshmuar potencialin organizativ e kadrovik, madje me mundësi reale për të qenë udhëheqëse e qeverisjës. Një rrotacion i tillë i pushtetit nuk ka dilemë së është i shëndetëshëm për demokracinë në mjedisin përkatës. Sepse çdo rrotacion normal dëshmon konsolidimin e shoqërisë sikurse veprohet në vendet demokratike. 

Por,në këtë aspekt  përjashtim bëjnë vendet autokratike, me demokraci jofunksionale, përkatësisht me demokraci hibride, të cilat vazhdojnë të qeverisinë pothuaj në mënyrë identike si në kohën  e monizmit, ku përvoja tridhjetëvjeçare e pluralizmit politik  dëshmon  në mënyrë transparente një konstatim të tillë. 

(Gusht  2020)

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Nail Draga, Rotacioni Politik

KUR NËNË TEREZA, ME FËMIJËT NDËR DUAR, KËRKONTE PUSHIMIN E LUFTËS NË LIBAN

August 6, 2020 by dgreca

Bejruti, Nënë Tereza, pushimi i luftës dhe një dramë–

Nga Prend BUZHALA –

Bejruti pësoi një tragjedi të rëndë, me humbjen e rreth 100 jetëve, me plagosjen e lëndimet e mijëra të tjerëve nga shpërthimet e fuqishme që ndodhën ditën e djeshme. Ngjarje e dhimbshme. Njerëzit vullnetmirë ndiejnë me viktimat e kësaj tragjedie.

1.Libani na e kujton Pashko Vasën si guvernator të tij, kur gjatë shekullit XIX aty kishin shpërthyer protesta e kryengritjet antiturke dhe Fuqitë e Mëdha në marrëveshje me Turqinë otomane e emërojnë guvernator, meqë ky shtet përbëhet nga disa religjione e etni (mysliman, të krishterë, hebrenj, etj). Pas vitit 1948, dmth pas Luftës arabo-izraelite, Libani bëhet vendstrehim i 110 mijë refugjatëve palestinezë, e këtyre pastaj iu shtohen edhe të tjerë pas konfliktit të vitit 1967.

2.Por me Bejrutin e Libanit ndërlidhet edhe një ngjarje, në dukje e parëndësishme, por tejet domethënës. Është fjala për vizitën e Nënës Tereze në Bejrut. Por në çafër kohe po bëhej kjo vizitë dhe me çfarë qëllimi? Meqenëse pas Luftës së Dytë Botërore përjetoi një zhvillim e përparim, ky zhvillim u ndërpre gjatë viteve 1975-1990, kur shpërtheu lufta civile, ku merrnin pjesë edhe fraksione myslimane e të krishtera, pastaj forcat e armatosura palestineze që u vendosën në Liban (Hezbolah etj), e ku ato ndihmoheshin nga Izraeli e Siria. Me një fjalë, të gjithë kundër të gjithëve. Më 1982 Nëna Tereze, në një gjendje të kaosit të tillë të një luftë të pashembullt, arrin në Bejrut përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, për t’i shpëtuar fëmijët hendikapatë, me nevoja të veçanta, nga një spital i shëndetit mental në Kampin e refugjatëve në Sabra. Shtypi i kohës e përshkruan këtë ngjarje:

“Fytyra e saj e rrudhur u përhap me një bujë të madhe, kur hyri në Spitalin Mendor Dar al-Ajaza al-Islamia dhe filloi të përqafojë fëmijët, të grumbulluar në një grup në dysheme.”

Tashmë e afirmuar me Çmimin Nobel për Paqe, më 1979, ajo po kryente një vepër të guximshme. Jo thjesht vetëm për tërheqjen e atyre fëmijëve nga vatrat e luftës, sa edhe për një veprim tejet domethënës: PALËT NDËRLUFTUESE I PUSHOJNË LUFTIMET, SA QËNDROI ATY NËNA TEREZE!

Armët pushojnë, fëmijët tërhiqen.

Se me çfarë përpjekjesh e kontaktesh ajo kishte arritur të hynte e ta kryente veprën e saj, kjo është një tjetër histori më vete! Një shkrimtar libanez (nga radhët e druzëve), dëshmitar i asaj ngjarjeje, thotë se ajo, përmes besimit dhe lutjes, arriti ta fitonte armëpushim për t’i evakuuar fëmijët e të gjitha religjioneve etnive: “Nënë Tereza foli me një prift dhe një oficer, në një vend që mund të jetë një manastir ose një zyrë, për atë që duhet të ndodhë të nesërmen. ‘Unë mendoj se Kisha duhet të jetë e pranishme në këtë kohë,’ u thotë Nënë Tereza dy burrave të ulur para saj. ‘sepse ne nuk merremi me politikë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të pranishëm.’

Ishte kjo një logjikë e shenjtë, natyrisht.

Prifti: ‘Kjo është një ide e mirë, por ju duhet t’i kuptoni rrethanat, Nënë.. Dy javë më parë, një prift u vra. Është kaos atje. Rreziku është shumë i madh.’

Nënë Tereza: ‘Por Ati, nuk është ide. Unë besoj se është detyra jonë. Ne duhet të shkojmë dhe t’i marrim fëmijët një nga një. Rrezikimi i jetës sonë është sipas rregullit të gjërave. Të gjitha për Jezusin. Të gjitha për Jezusin. Ju shikoni, unë kam parë gjithmonë gjëra në këtë dritë. Një kohë të gjatë, kur zgjodha personin e parë (nga një rrugë në Kalkuta), nëse nuk do ta kisha bërë atë herën e parë, nuk do të kisha marr 42,000 pas kjo. Një nga një, unë mendoj … ‘ “ (shënon ai autor që quhet Amal Makarem).

Ishte ky një veprim që u quajt vizitë heroike.

Nga shtypi i kohës: “E pyetur për përshtypjet e saj, Nënë Tereza tha: ” Unë kurrë nuk kam qenë në luftë, por kam parë uri dhe vdekje. Po pyesja veten time, çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë. Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bij të Perëndisë. Pse ata e bëjnë atë, unë nuk e kuptoj. ”

Ky autor përshkruan situatat apokaliptike si të rrathëve danteskë të ferrit të atij gushti 1982. Izraelitët bombardonin pandërprerë nga ajri e nga toka: “Aeroporti Ndërkombëtar i Bejrutit ishte i mbyllur, kishte rreth 500 të vdekur, kryesisht civilë, dhe po aq të plagosur. Në kryeqytetin e rrethuar, furnizimet me ujë dhe ushqime po mbaronin. Shumë lagje ishin pa energji elektrike…. ishin njëqind fëmijë myslimanë spastikë dhe me lëndime mendore, ishin braktisur nga stafi i një jetimoreje të vendosur në pjesën perëndimore të Bejrutit, ishin pa ushqim, pa përkujdesje, pa higjienë. Disa ishin duke vdekur.”

Kontaktet e kësaj Nëne me përfaqësues ambasadash (amerikane etj), përfaqësues libanezë etj. ishin të ethshme, të pandërprera për disa ditë. “Armëpushimi i negociuar nga Philip Habib, por i arritur me anë të besimit, ishte i vërtetë. Një Beirut relativisht i qetë. I gjithë shtypi ndërkombëtar ishte në katin e parë të ndërtesës së KNKK-së….

Një kafe, një gotë ujë, pak sanduiç, Nëna Tereze nuk pranoi gjithçka, tha Amal Makarem. Nuk kishte kohë për të humbur. Konvoji i ICRC me një autobus dhe një xhip të Kryqit të Kuq të Libanit u nis për në jetimoren islamike. Një nga një, siç është bërë gjithmonë me Nënën Tereze, 36 fëmijë spastikë, krejtësisht të dobët, u morën dhe u futën në makina. Disa thonë se ishin 60 fëmijë. Sidoqoftë, sipas një zyrtari të KNKK-së, ‘stafi i infermierisë i kishte braktisur ata. Spitali vetë ishte goditur nga predhat, dhe kishte vdekje. Fëmijët kishin mbetur pa kujdes, pa ushqim. Deri në ardhjen e Nënës Tereze, askush nuk kishte menduar me të vërtetë të merrte përsipër përgjegjësinë për ta”.

Dëshmitari që u përmend më lart, Amal Makarem, thotë: “Çfarëdo gjëje që mund të quhet magjike, e mrekullueshme kjo ishte e mundshme me Nënën Tereze,” i cili ishte dëshmitar i evakuimit me dy faza. “Ajo ishte një forcë e vërtetë e natyrës. Ishte e mjaftueshme që ajo kaloi natën nga lindja në perëndim. Në të kundërt, nuk mund t’i përshkruaj fëmijët që ajo i shpëtoi. Ata ishin me aftësi të kufizuara mendore, por ajo që është e tmerrshme, ishte se ne gjetëm edhe fëmijë normalë në atë grup e që, përmes mimikës, silleshin si fëmijë me mendje të kufizuar. Nëna Tereza i mori në krahë… e ata papritmas u bënë të hareshëm në krahët e saj si lulet, u bënë të tjera qenie, si kur dikush që i jep pak ujë një luleje.”

Kronikat e kohës shënojnë: “Më 21 gusht, u nënshkrua një armëpushim përfundimtar, nën të cilin, pas bisedimeve të mundimshme të mbikëqyrura nga Philip Habib, PLO u largua nga Bejrut. Mjerisht, do të pasonin episodet e përgjakshme, si vrasja e Presidentit të zgjedhur Bashir Gemayel dhe masakrat e Sabra dhe Shatila.”

3.Shpesh miqve ua kam përmendur një dorëshkrim timin me këtë tematikë. E përmenda këtë fakt edhe për një arsye personale: gjatë viteve ’90, në vlugun e lëvizjeve të mëdha të kohës, shpesh, i strukur me libra e dorëshkrime pranë makinës së shkrimit, kisha nisur ta bëja një dorëshkrim për Nënën Tereze me këtë tematikë: për fuqinë e saj për t’i fashitur armët e urrejtjes dhe luftën! Dorëshkrimi u shndërrua në një vepër dramaturgjike, me copëza ende të pa ngjitura. Ishte, mbase, një sugjestion artistik: a mund të ndërhyhej që të shpëtonte Kosova nga katastrofa e masakrat që po e pritnin?! Aso kohe ne ishim në dijeni për interesimet e saj që të shpëtohet Kosova. Dinim për interesimet e saj drejtuar administratës amerikane e Papa Gjon Palit II për shpëtimin e Kosovës. Por lufta shpërtheu, kurse Nëna Tereze kishte vdekur disa muaj përpara! Me rastin e sulmit mbi Jasharët, nga Klina dërguam një apel Papës Gjon Pali II që të shpëtohet populli i Drencisë e të ndërhyjnë ata që e kanë forcën në dorë. Apeli, i nënshkruar nga Pal Canaj dhe unë, i bërë në emër të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi” të Klinës, iu dërgua “Rilindjes”/”Bujkut” dhe Radio Vatikani e radiot tjera e lexuan një javë ditë rresht! Mirëpo, vetë Bill Clinton dëshmon se e kishte mbajtur amanetin e saj për shpëtimin e Kosovës!

(Intermeco: Muaji gusht 1982 personalisht ndërlidhet me një ngjarje timen personale: gjatë atij muaji (ishte i gjashti muaj në izolim total keqtrajtues në burgun politik të Pejës), kisha filluar të pështyja gjak!, për shkak të sulmit në mushkëri. Pasi më morën në seancë intervistomi në ora dy të natës, një inspektor sigurimi, që pretendonte të sillej mirë me mua, më pyet se si jam: “Ja, po pështyj gjak”, i them. Më dërguan te një mjek serb e ai tha: “Nema nishta” (“S’ka kurrgjë”)! Më dërguan te mjeku shqiptar. Kur më pa, ai tha: “Unë nuk e marr në dorë, se shikoni çka i keni bërë!” Ngjarjet rrodhën si rrodhën, histori më vete kjo, por kur u lirova nga burgu, mu desh 10 muaj të qëndroja në spital në vjeshtë 1982. Po atë vjeshtë, pas Bejrutit, Nëna Tereze vjen në Kosovë. E viziton Prishtinën, Zllakuqanin e Klinës, Pejën e për të cilat vizita kam shkruar disa herë… Unë, nga spitali, as që kisha mundësi të lëvizja!).

Se a do të arrij personalisht ta mbaj fjalën; që ato copa dorëshkrimesh të kësaj drame letrare (të ndërthurur Liban- Kosovë), “të kompozohen” në një tërësi” (disa pjesë humbën gjatë luftës) e të botohen, – mbetet të shihet. Për hir të kësaj shenjtërie mbi shenjtërinë – që shpirti e besimi i saj ndikonte edhe në ndalimin e luftës edhe në shpëtimin e jetës së njerëzve…/drita.info 

(Gusht 1982 – gusht 2020)

*Fotografia në ballinë: Nënë Tereza me fëmijë në Bejrut

Filed Under: ESSE Tagged With: Bejrut, Nene Tereza, Prend Buzhala

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT