• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

DEMOKRACIA NË KOHË PANDEMIE DHE MAJTIZMI SHQIPTAR

September 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Frank SHKRELI- 15 Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara për të promovuar — me thirrje dhe veprimtari — mbështetjen dhe mbrojtjen e parimeve dhe vlerave të demokracisë, anë e mbanë botës.  Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi këtë ditë duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të ndërtojnë një botë më të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, me respekt të plotë për të drejtat e njeriut.

Në sfondin e pandemisë së koronavirusit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, në mesazhin e tij, nënvizoi rëndësinë e demokracisë si një mjet për të siguruar përhapjen e lirë të informacionit, pjesëmarrjes në vendim-marrje dhe llogaridhënie nga autoritetet, për masat që po merren kundër vitusit COVID-19.  “Ç’prej fillimit të pandemisë”, theksoi Sekretari i Përgjithëshëm, “kemi venë re se masat emergjente në luftën kundër virusit janë përdorur, në shumë vende, për të kufizuar dhe për të penguar proceset demokratike dhe hapësirën e veprimtarisë së lirë të qytetarëve. Kjo është, veçanërisht, e rrezikshme, në vendet ku demokracia nuk ka hedhur ende rrenjë sa duhet dhe ku institucionet demokratike janë ende të dobëta”, tha Guterres. 

Edhe para se të fillonte pandemia, ka nënvijuar ai, shqetësimet dhe moskënaqësitë nga popujt, ndaj autoriteteve anë e mbanë botës, po shtoheshin dhe besimi tek autoritetet publike po pakësohej gjithnjë e më shumë dhe kudo.  Sot, theksoi, Guterres, shqetësimet dhe mungesa e shpresës për një jetë më të mirë, sidomos nga pikëpamja ekonomike, po shkaktojnë protesta dhe trazira shoqërore, anë e mbanë botës. “Është e qartë”, përfundoi ai mesazhin e tij, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë se “Sot, qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të dëgjuar ankesat e njerëzve që kërkojnë ndryshime due që autoritetet të hapin kanale të reja dialogimi dhe respekti për lirinë e papenguar për të protestuar, në mënyrë paqësore”. 

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është themeluar në 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së  e cila ka rithekësuar edhe njëherë se demokracia është një vlerë universale e bazuar në vullnetin e shprehur lirisht të popujve, për të përcaktuar sistemet e tyre politike, ekonomike, sociale dhe kulturore që ata vet dëshirojnë dhe për të vendosur mbi pjesëmarrjen e tyre të plotë, në të gjitha aspektet e jetës së tyre.

Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, edhe Shtetet e Bashkuara theksuan qëndrimin e tyre në mbështetje të demokracive dhe vlerave demokratike. Demokracia është ideal i njohur botërisht dhe respekton liritë, dinjitetin dhe barazinë për çdo njeri.  Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë me 15 Shtator, 2020 theksoi, ndër të tjera, pikërisht, “Të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në proceset e vetëqeverisjes demokratike.  Demokracitë kanë përgjegjësitë e veta para qytetarëve të tyre. Demokracitë respektojnë sundimin e ligjit, mbrojnë jetën dhe pronën private dhe respektojnë liritë, dinjitetin dhe barazinë për çdo person”, është shprehur kryediplomati amerikan, me këtë rast.  

“Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë. Që nga koha kur jemi fëmijë, ne instinktivisht pohojmë aftësinë tonë për tu vetëqeverisur, për të marrë vendime që formojnë jetën tonë.  Si qytetarë, ne e kuptojmë se duhet të jemi të lirë që të angazhojmë edhe të tjerët në debate mbi mençurinë e vendimeve të udhëheqësve politikë, të cilëve u besojmë pushtetin, për të mbrojtur jetën, pronën dhe liritë tona. Dhe, si qenie njerëzore, ne e dimë që nuk mund ta ndërtojmë demokracinë vetëm. Demokracitë janë bashkësi gjithëpërfshirëse të individëve, të cilët janë të lirë të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta që ata kanë përcaktuar lirisht ashtuqë ato të, sepse liria zhbllokon talentet dhe krijimtarinë e të gjithëve”, ka thenë Mike Pompeo.

Sot, bota është prekur rëndë nga një prej krizave më të mëdha të shëndetit publik, të kohërave moderne, ka nënvijuar ai, duke shtuar se “Demokracitë, qeveritë autoritare dhe diktaturat po sfidohen njësoj nga pandemia e koronavirusit, por vetëm demokracitë janë të lira të debatojnë hapur se si të përgjigjen ndaj kësaj pandemie…Prioriteti i parë i regjimeve autoritare, nuk është shëndeti publik”, tha ai, “por mbrojtja e pushtetit të tyre. Ata nuk pranojnë t’u përgjigjen pyetjeve të vështira në lidhje me pandeminë.  Autoritarët mbjellin dezinformim, anashkalojnë grupet më të prekura, zgjërojnë masat e kontrollit dhe mbikëqyrjen masive, ndërkohë që edhe pezullojnë shtetin e së drejtës.  Njerëzit vuajnë kur drejtuesit e tyre janë përgjegjës vetëm para vetes ose ndaj partive që ata kontrollojnë”, ka thenë Kryediplomati amerikan, Pompeo në mesazhin e tij, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020.

 “Qeverisja demokratike nuk është e përsosur, por sigurisht është më e mirë se alternativat e tjera të qeverisjes. Shoqëritë demokratike respektojnë të drejtat e njeriut dhe janë më paqësore, më të begata dhe më të sigurta. Ne qëndrojmë pranë të gjithë atyre njerëzëve kudo, që kërkojnë të jetojnë të lirë, të sigurt dhe me dinjitet, me qeveri demokratike”, ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 2007 u bën thirrje të gjitha qeverive anëtare që të dedikojnë programe kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, në kujtim të 15 shtatorit, si Dita Ndërkombëtare të Demokracisë.  Fatkeqësisht, edhe kjo ditë kushtuar Demokracisë në botë, në vitin 2020, e gjenë politikën shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, të ndarë e të përçarë. Pas 330-vjetë post-komunizëm, ende nuk bien dakort për rregullat e lojës, që kërkon demokracia e vërtetë.   Në vend që në trojet shqiptare të promovohet demokracia e vërtetë, atje vazhdon një ngërç politik me bojkote dhe mosmarrëveshje politike, nga të gjitha palët — nga një klasë politike që po i merr frymën zhvillimit të vërtetë demokratik dhe ekonomik të gjithë shqiptarëve.  Për më shumë, tepër shqetësues është fakti që ekstremistë të majtë të politikës shqiptare, po promovojnë, jo demokracinë e vërtetë, por shprehin nostalgjinë e tyre për regjimin diktatorial dhe për vet figurën e diktatorit famëkeq Enver Hoxha, si dhe për gjoja “meritat” e regjimit të tij.

Fatkeqësisht, kjo është një prej arsyeve se pse Shqipëria ka mbetur në vend numro dhe shumë mbrapa gjithë vendeve të tjera ish-komuniste.  Sepse politikanët dhe partitë që ata përfaqësojnë si dhe historianë/politikanë, me këmishë të bardhë e me kravata, — më të rrezikshmit për demokracinë, do i quante Ronald Reagan — nuk mund të ndahen nga sistemi komunisto-socialist majtist, edukimi dhe tradita e të cilit i ka brumosur ata dhe një pjesë të madhe të kësaj klase politike.  Duke refuzuar qqë të pakëmn të distancohen nga fryma e kësaj ideologjie majtiste mbytëse, e cila ka formuar karakterin e tyre autoritar politik, kjo klasë politike po ia kalon karakterin, mentalitetin dhe botëkuptimin e saj majtist-sllavo-komunisto-socialist edhe brezit të ri të politikanëve shqiptarë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.  

Në botën shqiptare sot — 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit — ka njerëz që përhapin dyshime mbi meritat e zhvillimeve demokratike duke promovuar ide majtiste dhe duke vendosur në pozita kyçe në qeveri, individë të brumosur, jo me ide të majta të një demokracie të vërtetë – themi të llojit të social-demokratëve perëndimorë, por individë që besojnë se e majta ekstreme i ka zgjidhjet për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët. Suksesi i një qeverie — e majtë ose e djathtë – është nëse ajo është e zoja të plotësojë nevojat bazë të qytetarëve të vet për një jetë normale dhe të sigurt, në liri dhe demokraci.  Në këtë pikë, qeveritë shqiptare të së majtës ekstreme, përfshir komunizmin për pothuaj gjysëm shekulli dhe qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit – kanë dështuar mizorisht! Prova numër një: largimi i qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e veta, që vazhdon edhe sot. Trashëgimia e kësja klase politike do të mbetet zbrazja e trojeve shqiptare due jo ndërtimi i një demokracie të vërtetë, pro-perëndimore.

Shpresa ime nuk ka qenë kurrë tek politikat majtiste, qofshin ato të “demokracisë” së sotëme 30-vjeçare, qofshin politikat diktatoriale majtiste të komunizmit 50-vjeçar, të “pushtetit popullor”.  Unë e kisha shpresën tek ai që unë mendoja se do të ishte brezi i ri politikës shqiptare, të rinjë e të reja, të rritur e të edukuar pas shembjes së komunizmit – sidomos ata që janë diplomuar nepër universitetet perëndimore. Sa i gabuar paskem qenë. Nuk dua të përmendi emra të këtyre politikanëve të rinjë sepse lista është e gjatë, por gjithkush i di se kush janë këta, të cilëve po u referohem. Por Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini si përfaqësuese e kësaj gjenerate e merr stafetën.  Kur Zonja Shahini u emërua për ministre, unë në të vërtetë e shikova si një hap pozitiv.  Një e re nga Kosova, shumë mirë thashë me vete, e edukuar në perëndim — megjithëse nuk e njihja.  Nuk di se cilat janë arsyet e largimit të saj nga detyra, por deklarata publike që bëri me bindje të thellë gjatë një interviste në televizion, se ajo ishte më majtiste se vet qeveria Rama dhe se edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të punojë për kauzat e majta, në Shqipëri dhe në Kosovë.  Thashë me vete e hangër dreqi edhe shpresën time në brezin e ri të shqiptarëve të edukuar në perëndimin e lirë dhe demokratik. Fatkeqësisht, edhe kësaj herë, më gënjeu shpresa se ky brez i ri mund të bënte ndryshimin epokal. 

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020 nuk e di nëse ky brez i politikanëve të rinjë shqiptarë është aq i korruptuar materialisht dhe politikisht sa janë padronët e tyre politikë në Tiranë dhe në Prishtinë.  Duket se këta politikanë të rinjë shqiptarë nuk kanë asnjë problem me uzurpimin e plotë të institucioneve qeveritare dhe shtetërore nga një grup ose parti e vetme.  Dhe ketë, pa pikë turpi e quajnë demokraci! Për fat të keq, shënjat janë se këta na qenkan po aq të korruptuar ideologjikisht dhe politikisht, sa edhe klasa politike që këta i shërbejnë — me krenari madje– si mbështetës/e të politikave majtiste eskstreme të shekullit të kaluar, për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – politika dhe ideologji këto të provuara dhe të pranuara tanimë si të dështuara, historikisht, anë e mbanë Evropës dhe botës. Në vend që të punoni për zbatimin e ideologjive tuaja të preferuara majtiste, të dështuara — për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë shqiptare – përpiquni të pastroni politikën e korruptuar shqiptare, pjesë e të cilës jeni edhe ju, tani.  Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – para se të përcaktoheni si politikanë majtistë, pyesni veten se çfarë të mirash i sollën Kombit shqiptar politikat dhe ideologjitë e viruseve të huaja të politikave majtiste ekstreme që iu imponuan shqiptarëve për pothuaj një shekull!? “Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë”, tha në mesazhin e tij Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos tu mbajë peng e kaluara! 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, shqiptarët ende presin realizimin e ëndërrave të tyre shekullore për liri dhe për një demokraci të vërtetë!

Filed Under: Politike Tagged With: Demokracia ne Pandemi, Frank shkreli, Majtizmi shqiptar

Kryeministri Hoti: Udhërrëfyes i dialogut është Kushtetuta e Republikës së Kosovës

September 16, 2020 by dgreca

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë sot pjesë në Tryezën e diskutimit: “Kryeministri i Kosovës përballë platformës së shoqërisë civile për dialog”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.


Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Hoti ka folur për kronologjinë e procesit të dialogut, si dhe për transparencën në këtë dialog, por edhe rrugën që Qeveria e Kosovës do ta ndjekë deri në arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Hoti ka përmendur angazhimet e qeverisë përgjatë tre muajve sa i përket qasjes ndaj dialogut me Serbinë duke theksuar se udhërrëfyes që nga dita e parë kur e ka marrë detyrën për procesin e dialogut është Kushtetuta e Kosovës.

“I kemi rikonfirmuar edhe një herë parimet tona për dialogun duke besuar se këto parime i nxjerrin jashtë loje komplet konspiracionet e shumta për takimet gjoja jopublike që kanë ndodhur mes delegacionit kosovar dhe atij serb:, tha kryeministri Hoti duke shtuar se “integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe se kjo nuk është shtruar asnjëherë para meje në tre muajt e fundit në çdo tavolinë të dialogut që unë kam marrë pjesë”. E dyta, vijoi ai, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, që nënkupton se ruhet karakteri unitar i shtetit, se nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë dhe për të dyja këto parime të procesit të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe parimi i tretë që marrëveshja duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Hoti ka theksuar se ky proces duhet të rezultojë vetëm me njohje reciproke dhe assesi të mos mbetet një proces që e konsumon vetëm veten dhe që nuk prodhon rezultate në fund dhe se produkt i marrëveshjes dhe obligim i BE-së duhet të jetë që ta kalojmë problemin me pesë vendet anëtare që nuk  e njohin Kosovën, mandej shfuqizimi  i Rezolutës 1244 dhe anëtarësimi në OKB, organizata ndërkombëtare dhe hapja e perspektives për Kosovën për integrime euroatlantike, si dhe adresimi i të gjitha çështjeve pa përjashtim.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për takimin e parë të nivelit të lartë më 16 korrik duke thënë se njëra nga temat ka qenë për personat e pagjetur dhe se kanë insistuar që ta fillojnë këtë dialog me personat e pagjetur, për shkak të ndjeshmërisë që e ka, por edhe për çështjet ekonomike dhe se në këtë aspekt është zhvilluar progres.

Ndër të tjera, kryeministri Hoti ka ripohuar se pa e arritur njohjen reciproke me Serbinë, nuk mund të adresohen çështjet e tjera, pasi çështjet e tjera janë derivat i njohjes reciproke.

Duke folur për marrëveshjen e arritur në Uashington, kryeministri Hoti tha se ka elemente kryesisht ekonomike, politike, por edhe të të drejtave të njeriut e edhe çështje të tjera.

“Janë dy komponente që janë shumë të rëndësishme, pjesa ekonomike që është një listë e projekteve kryesisht infrastrukturore, por edhe mbështetje për ndërmarrje të vogla  dhe të mesme edhe që në total vetëm për pjesën tonë të Kosovës shkon në 1 miliard dollar amerikan. Janë disa agjenci në SHBA që e kanë marrë financimin e këtyre projekteve”, tha kryeministri Hoti duke bërë të ditur se në fund të shtatorit pret një vizitë nga përfaqësues të këtyre agjencive për të konkretizuar se si do të lëvizet më tutje.

Në këtë tryezë diskutimi, kryeministri Hoti ka folur edhe për njohjen nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes në Uashington, duke thënë se është thyer një bllokadë që Kosova e ka pasur në njohjet ndërkombëtare tash e tre vjet dhe se njohja nga Izraeli hap një kapitull komplet të ri të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 “Dhe, unë besoj se pritjet e mia janë që gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ne duhet ta mbyllim çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka momentum më të mirë, ka një interesim të drejtpërdrejtë të presidentit të ShBA-së, Trump dhe kryeqendrave të BE-së për këtë proces dhe ndoshta për arsye gjeopolitike që të mbyllet ky regjion i Ballkanit Perëndimor për ndërhyrjet që vijnë vazhdimisht nga Lindja”, tha kryeministri Hoti.


Gjithashtu, Kryeministri Hoti ka thënë se ka bërë kërkesë që të raportojë në Kuvendin e Kosovës, siç edhe kanë kërkuar deputetët që të raportohet pas çdo raundi të bisedimeve.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, ne jemi kthyer në Bruksel, në vazhdimin e dialogut në takimin e nivelit të lartë për të adresuar tash çështje të tjera”, pohoi kryeministri Hoti, i cili, po ashtu, tha se është zotuar që nga dita e parë se për të gjitha temat do të jetë transparent si para shoqërisë civile, deputetëve dhe qytetarëve.


Me këtë rast, kryeministri Hoti vlerësoi se duhet një konsensus politik për të ratifikuar këtë marrëveshje.

Në përmbyllje të kësaj tryeze, kryeministri Hoti iu është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të parashtruara nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeministri Hoti, marrveshja

MËSUESI I PUSHKATUAR PJETËR PALI DHE HAXHIU NGA POSTRRIBA

September 16, 2020 by dgreca

Rrëfim nga KOLEC P.TRABOINI-

Sa i përket të pushkatuarve të Kryengritjes së Postrribës, nga Hoti ka qenë  një mik e i afërt familjar i babait tim që, veç të tjerash, i lidhte dhe profesioni i mësuesit.  Ky ishte mësuesi Pjetër Pali, i cili u lidh me kryengritësit e Postrribës me ndërmjetësimin e Mustaf Jakupin që ka qenë furrtar në Rus Katolik në Shkodër, përballë kishës dhe kishte krijuar një grup në përkrahje të kryengritjes antikomuniste të 9 shtatorit 1946. Me ta ka qenë edhe Gjelosh Vat Maçi, nga Hoti i Ri, sakat ky e punonte nënpunës në Prefekturë, por mesa kujtoj nga tregimet familjare, edhe Gjon Leka, i biri i Luc Gjelosh Lekës dhe vëllai i kompozitorit Zef Lekaj ka qenë i lidhur me ketë kryengritje. Kur është bërë një si punë gjyqi, mësuesin nga Hoti Pjetër Prenush Pali e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan me 2 dhjetor 1947, ndërsa pjestarin tjetër të këtij grupi që siç thuhej ishte ndër kryesorët, drejtuesi i grupit  Mustaf Jakupi, si bani 4 apo 5 vjet burg çuditërisht e lëshuan dhe e mbaj mend në fëmini që vazhdonte të ishte furrtar në Rus Katolik, përballë Kishës. Ishte zijosh hijerëndë dhe kishte miqësi me shumë njerëz. Sa herë e shihja furrtarin me vinte ndërmend tregimi i Dadës Katrinë për mësuesin e pushkatuar Pjetër Pali, e seç me vinte një si dhimbje. Pse kishin pushkatuar pikërisht mësuesin nga Hoti?! Por furrtarin Mustaf Jakupi jo, madje e kishin liruar shpejt dhe vazhdonte të kishte furrën që në atë kohë konsiderohej një burim i mirë fitimi. Edhe Gjelosh Vata e Gjon Lekaj  nga Hoti i Ri kanë bërë burg politik të gjatë.  Nga kujtimet e pakta fëminore për atin tim Palok Traboini është edhe udhëtimi që bënim bashkë me biçikletë për në fshatin Postrribë ku ai kishte miq, me së shumti ish nxënës të tij të cilët e ftonin. Çdo festë Bajrami babai im ishte i ftuar të shkonte te miqtë e vet në Postribë dhe ndër këto festa më merrte edhe mua. Vdekja e babait e ndërpreu këtë miqësi me familjet postrribase. Por ndodhi që më vonë të njihesha me një plak të vjetër nga Postrriba. Mund të ketë qenë nga Mes-Myslimi a Dragoçi por ne të gjithëve matanë urës se Mesit u thoshin postrribakë sepse emri i Postrribës ishte më i njohuri në Shkodër e rrethina. Quhej Haxhi, ishte sakat, një plak i moçëm hokatar të cilin nuk kishte nevojë ta pyesje sepse e fillonte vetë bisedën. E meqë ishim të rinj asokohe na thoshte, “bëji një nder plakut, ik na blej një bukë gruni se kollomoqin nuk e ha as dreqi.” Nuk e di e njihte apo nuk e njihte babain tim, por ai thoshte”Mësues Palokën, po, e kam njohtë”. Ndoshta Haxhiu i shkretë thoshte ashtu për hir të bukës se grunit që shitësja atij nuk ja jepte ani pse rrinte me orë të tëra para dyqanit dhe priste që ne ta ndihmonim të mos ikte me torbat bosh në Postrribë. Gjithmonë kam qenë kureshtar dhe nuk kishin të mbaruar pyetjet që i bëja të moshuarve. Kur e pyeta një herë se a dhimbtë këmba e a merrte ilaçe, ai bëri sikur nuk e dëgjoi  pyetjen. Mesa dukej nuk donte të kujtonte diçka që ishte ma e fortë se dhimbja e plagës. “Ka keq e ma keq”- me tha një ditë.-“ Unë te paktën e kam gomarin po një shoku jem nuk e ka as gomarin e ka mbet në shpi.” Pastaj kalonte me hoka të cilat nuk e di pse na i thoshte dhe çfarë ishte kuptimi i vërtetë i tyre. Fshatarët shpesh kanë një kod të vetin në të folur që ndryshon kuptimin e fjalëve. “Ne mos marrsha sot bukë gruni me vedi do të shkoj puna si atij që shkoi në Domen”- tha një ditë. Dhe qeshi me vete. “Si asht puna e atij domnorit?”- e pyetëmNisi të recitonte ngadalë këto fjalë: “Ku ishe? Në Domen. Çka na solle? Kromen. Drishti qe i pat mendtë hangri ato që lanë qent”. Padyshim që Haxhi fliste në mënyrë të figurshme. Nuk është se i krijonte vete këto shprehje, se ato ishin pjese e zhargonit popullor të krahinës, por mënyra si e thoshte dhe e lidhte me bukën e gojës na vinte në mendime. Haxhiu plak ishte burrë i mençur dhe hokat i bënte kinse për tu dukur se ishte i kënaqur nga jeta. Nuk na u durua një herë pa e pyetur se çfarë kishte pësuar ai shoku i tij fatzi që nuk dilte dot as nga shtëpia. Veç ti shihje sytë e Haxhiut atë çast, si një vetëtimë në qiell të kthjelltë. “Po more rrezikziu. E ngatërruan me do të tjerë fatzi dhe i morën ti pushkatonin. Ishte ditë e të gjithë ata, 16- a 18 burra, si i pushkatuan i lanë aty në një gropë të madhe ku i hodhën veç  pak dhe përsipër që të mos i shqyenin qentë. Ky rrezikzi kishte marrë  disa plumba në trup, por kishte mbet gjallë. Nisi me luajt mes trupave e në një farë kohe vuni re se kishte ra nata. Atëherë mezi doli prej gropës. Ju deshën disa orë sa të shkonte zvarrë deri në shpi të vet. Qeni lehi,  por e njofti të zotin e nisi me kja si kjajn qentë. Njerëzit në shpi nuk po mujshin me dalë jashtë në ërrësinë,  por ma së fundi kur nisi me kris dera, e hapen e thirren “Po kush je ti more?”, Rrezikziu tha jam filani. E kishin kja një herë për së dekuni e tash po e kjanin për së gjalli. E ngritën dhe e futën në shpi, i lanë plagët, i dhanë bukë e nuk po dinin se çka me ba me njeriun që e dinin në vorr të pushkatum. E pleqënuen mirë e mirë dhe nga frika se mos pushkatonin edhe pjestarë të tjetër të familjes, vendosen që të nesërmen ta dorëzonin. Dhe ashtu banë. Kur u mor vesh nga pushteti, u thanë të mos flisnin me askënd e të mos thoshin asgja. Rrezikziun e morën, i banë një gjyq tjetër te mshehtë e meqë e kishin marrë krejt kot, pa asnjë lidhje me kryengritjen dhe nuk i gjetën pushkë,  vendosen ti jepnin 20 vjet burg. Nuk bani veç gjysën e doli sakat prej plumbave që kishte marrë. Gjallë e për gazep asht edhe sot…” Haxhiu i Postrribës na shikonte ne e ne e shikonim atë. Asnjë palë nuk reagonte se nuk donim të vinim njëri-tjetrin në pozitë të vështirë, aq me tepër se këto biseda ishin delikate. Gjithsecili kuptoi aq sa deshi. Aty u thanë e aty u lanë. Haxhiu merrte rrugën drejt verilindjes mbi gomarin e tij dhe hejbet me bukë dhe ne në Gjuhadol vazhdonin jetën në rutinën e përditshme. Gjithmonë pyesja veten, por jo atë, ishte apo nuk ishte Haxhiu njeriu që kishte dalë nga varri. Kjo skene më rrëqethte. Edhe pse kaluan shumë e shume vite,  kurrë nuk mu largua mendimi se  këtë histori treguar për një tjetër rrezikzi e kishte pësuar vetë Haxhiu sakat që vinte nga Postrriba në Shkodër mbi gomarin e tij për të blerë ndonjë bukë gruri  “se kollomoqin nuk kishte dreq që e hante”. Ashtu më ka mbet përgjithmonë në kujtesën time  Haxhiu nga Postrriba. Piktura “Plaku i Postrribës”nga Kol Idromeno

Filed Under: ESSE Tagged With: Haxhiu nga Psotriba, KOLEC P.TRABOINI, Mesuesi, Pjeter Pali

Njё e diel mes shqiptaresh nё parkun e “Manhattan Beach”

September 16, 2020 by dgreca

Shkruan: Luljeta Xhediku, New York/

Kur gratё dhe vajzat shqiptare bёhen bashkё tё duket sikur ёshtё krijuar njё Shqipёri e vogёl nё mes tё New York-ut. Sa bukur ёshtё tё dёgjosh tё flitet shqip, kёndohet dhe vallёzohet nёn tingujt e muzikёs shqiptare e ndёrthurur kjo muzikё me melodinё e dallgёve buzё oqeanit dhe valёvitjen e flamurit kuqezi. Gratё dhe vajzat qё u mblodhёn tё dielёn pёr tё kaluar njё ditё tё kёndshme, pas njё pandemie tё gjatё, nё parkun e “Manhattan Beach” janё pjesёtare tё grupit “Albanian Women in USA”. Ky grup u formua rreth tre vjet mё parё dhe ishte ideja e gazetares nga Shqipёria, Arjola Alldashi.  Njё grup ku gratё shqiptare mund tё njiheshin me njёra-tjetrёn, tё shkёmbenin pёrvojat e tyre nё tokёn amerikane, e cila pёr shumё prej nesh ka qenё ёndёrr. Mё vonё kёtij grupi iu bashkangjitёn  si drejtuese  edhe Alma Muçaj, Aida Gora, Eda Gega dhe Gina Torra. Si fillim ky grup ishte fare i vogёl prej 10 vetash, por sot pas tri vitesh numёron plot 9800 anёtare nga tё katёr anёt e Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs dhe pёr shumё prej nesh ёshtё vёrtet bekim. Misioni i kёtij grupi, pёrveç  njohjes dhe mbajtjes sё lidhjeve me njёra-tjetrёn ёshtё ndihmesa falas nё shkёmbimin e informacioneve tё ndryshme, gatishmёria pёr tё ndihmuar nёnat nё nevojё pёr punё apo qoftё edhe gratё nё situata tё vёshtira shёndetёsore ose financiare, sidomos pёr tё sapoardhurat qё janё nё fillimet e tyre nё Shtetet  e Bashkuara tё Amerikёs, ku ky grup tё ngjan me njё familje tё vogёl. Tё dielёn u zhvillua njё aktivitet i larmishёm ku qёllimi kryesor ishte ruajtja e traditёs sё gatimeve tradicionale shqiptare. Sapo tavolinat filluan tё shtroheshin ndieje aromёn e mrekullueshme tё gatimeve qё amvisat tona i kishin pёrgatitur me shumё dashuri. Tavolina e parё kishte tё veçantё flinё e gatuar nga njё shqiptare e Kosovёs. Nё tavolinёn e dytё ta bёnte me sy njё tepsi e mbushur plot e pёrplot me petulla tё fshira nga Dibra e Korça. Patjetёr qё nuk mungonte byreku, lakrori i shijshёm i Korçёs, tradita elbasanase e shkodrane, japrakёt edhe turshitё, meqenёse po lёmё pas verёn e po i afrohemi stinёs sё ftohtё. Tavolina e tretё ishte e ёmbёlsirave ku vendin kryesor e zinte bakllavaja, e pёrgatitur nga dy vajza nga Pogradeci,  syri mё zuri hallvёn edhe pengjiren me tё cilёn njё shqiptare donte tё pёrcillte traditёn e mamasё sё saj. Tavolina e katёrt ishte e mbushur me fruta e pije edhe ato tё servirura aq kёndshёm ashtu siç  gratё shqiptare dinё t’i bёjnё. Aktiviteti u hap me njё valle pogonishte pёr tё vazhduar me valle tё krahinave tё tjera shqiptare nga jugu nё veri. Mё tej lojёra tё ndryshme qё na kujtonin fёmijёrinё tonё nё Shqipёri, ishim kujdesur qё tё kishim edhe njё top volejbolli me flamurin kuqezi. Tingujt e kitarёs nuk munguan po ashtu. Nё mesin tonё ishin tri parukere tё talentuara qё pavarёsisht erёs qё frynte nuk ngurruan qё t’u jepnin grave dhe vajzave njё model ndryshe flokёsh. Flamuri kuqezi, rrethuar me njё dekor tullumbacesh dhe lulesh tё punuara mjeshtёrisht nga duart e dy vajzave drejtuese tё kёtij grupi posaçёrisht pёr kёtё rast, tёrhiqte vёmendjen e çdo kalimtari dhe sigurisht mbushte plot zemrёn tonё dhe duart kryqёzoheshin pёr tё bёrё shqiponjёn dykrenare dhe sigurisht pёr ta ngulitur nё kujtesё  kёtё ditё. Nuk munguan fotografёt profesionistё shqiptarё, tё cilёt kapnin  çdo detaj me syrin e tyre, kamera e televizionit shqiptar Usalb TV dhe gazetari qё merrte nё intervistё pjesёmarrёset. E veçanta e kёtij takimi ishin fёmijёt, ku zёrat e tyre nё atё park u ngjanin cicёrimave nё gjuhёn e ёmbёl shqipe. Njё surprizё e kёndshme pёr tё gjithё pjesёmarrёset ishte hedhja e njё shorteu nga pёrfaqёsuesja e “Buy to America” e cila ndau tri çmime fituese. U takuam nё kёtё park rreth orёs 11:00 dhe u shpёrndamё plotёsisht vetёm me perёndimin e diellit, pasi dukej sikur askush nuk donte tё largohej  nga shoqёria dhe atmosfera e ngrohtё qё u krijua.

Filed Under: Featured Tagged With: Luljeta Xhediku, mes shqiptaresh, ne Parkun-Manhattan Beach

SFIDAT E SHQIPËRISË PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE COVID-19

September 16, 2020 by dgreca

Profesor i Asociuar Doktor i Shkencave Mjeksore Tritan Kalo, rrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Profesor Kalo analizon gjithçka po ndodh në Spitalet Covid, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave, shpjegon me detaje përdorimin e  plazmës hiperimune nga individë që tashmë e kanë kaluar infeksionin nga Sars-Cov2/Covid-19 dhe apelin ndaj qytetarëve sidomos me rastin e fillimit të vitit shkollor. Me Doktor Kalon bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ËSHTË SITUATA E INFEKSIONIT SARS-COV2/COVID-19 NË SHQIPËRI?

U bënë mbi 6 muaj që prej deklarimit më 8-9 Mars 2020, të rasteve të para të infektimit me Sars-Cov2/Covid-19 në Shqipëri. Në 26 javët e para të Epidemisë janë konfirmuar pozitivë 10406 raste, prej të cilëve janë shëruar 6186 individë si dhe 319 individë e kanë humbur sfidën me infeksionin Sars-Cov2/Covid-19. Grup-moshat më të prekura kohët e fundit janë ato midis 35-55 vjeç, por edhe grup-mosha 65-85 vjeç po ashtu është shumë e prekur. Fillimisht më të prekur ishin vetëm ata që kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese si: Diabeti mellitus, Hipertonia, Pamjaftueshmëria kronike e zemrës, e veshkave, e mushkërive, Sëmundje malinje hematopoetike, etj, por me kalimin e kohës u vu re tendenca e prekjes edhe e individëve pa sëmundje kronike si dhe ulja e pragut të moshës së të prekurve. 

Kuarantinimi i imponuar në fillim të kësaj epidemije, një dukuri e përbotëshme për të kursyer jetë njerëzish, si dhe për t’u dhënë kohë strukturave shëndetsore për mirëpërgatitjen dhe mirëmenaxhimin prej tyre të rastve të të infektuarve rezultoj positive, por në aspektin ekonomik ky kuarantinim i zgajtur tej kufijve të gjashtë javëve sa edhe zakonisht parashihet në të tilla raste, ishte një frenim jo i neglizhueshëm i tij. 

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E TIJ?

Vështirë të flitet me siguri për ecurinë e kësaj Pandemije, por nisur edhe nga Pandemi të tjera si p.sh. Gripi spanjoll i viteve 1918-1920, Sars-Cov1, etj, një dukuri e tillë epidemiologjike zgjat nga gjashtë deri nëtetëmbëdhjetë apo njëzet e katër muaj. Ajo që duhet të kemi të qartëështë fakti se flitet për “profile” të ndryshme kohore të një ngjarje të tillë, për nivele jo të njëjta të përgatitjes së strukturave diagnostike, për struktura të ndjekjes dhe trajtimit të të sëmurëve që evoluojnë pozitivisht me kalimin e kohës, duke mos nënvlerësuar edhe faktorë të tjerë qëndërkohë ndërhynë në ecurinë e kësaj Pandemije. 

ENDE nuk kemi një medikament specifik ndaj Sars-Cov2/Covid-19 për mjekimin më të mirë të të sëmurëve, si dhe ende nuk kemi një Vaksinë të efektëshme për parandalimin e këtij infeksioni. Përgatitja e një vaksine të besueshme dhe të mirë-efektëshme kërkon kohën e saj që varion nga 12-18 muaj. Precipitimi për të hedhur në treg sa më parë një vaksinë të tillë, e ul besueshmërinë në mirë-funksionimin e saj. Interesat komerciale jo të neglishueshme në të tilla raste, nuk duhet të prevalojnë mbi sigurinë e përgatitjes dhe të efektshmërisë së një vaksine të tillë, si e vetmja mënyrë për të këputur përfundimisht zinxhirin e transmetimit të infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. 

ÇPO NDODH ME SHIFRAT E INFEKTIMIT APO TË HUMBJES SË JETËVE?

Me deklarimin e Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19 u krijua përshtypja se do të ishte e mundur “kufizimi” i saj, mundësija e mos prekjes së vëndeve me klimë shumë të ngrohtë e të lagësht dhe ndoshta e prezervimit të shumë vëndeve nga prekja prej këtij virusi sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës. Përshtypjet e para rezultuan të ishin të gabuara, por edhe menaxhimi i kësaj Pandemije jo ai i duhuri prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/ËHO). Ndërhyrja e pavend e politikës në shumë vende nuk bëri gjë tjetër veçse e “lëndoj” mundësinë e mirë-menaxhimit të kësaj Pandemije. Shifrat e infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19 ishin shumë optimiste dhe mjaft domethënëse në raport të drejtë me masat e mara edhe në vendin tonë. Rihapja pas kuarantinimit jo si dhe sa duhet në përputhje me planin katër-fazash të hartuar nga Komiteti i Ekspertëve të ngritur nga MShMS me vendimin e saj të 31 Janarit 2020, ku edhe unë jap kontributin tim, si dhe mos respektimi i duhur i masave higjeno-sanitare nga popullata, detyrimisht do të bënte që si shifrat e të infektuarve edhe numuri i jetëve të humbura të rriteshin. 

Po ashtu në vatrën më të nxehtë të infeksionit, në Tiranë, higjena dhe dezinfektimi i mjediseve publike, i mjeteve të qarkullimit në transportin publik, dhe tani me fillimin e vitit tëri shkollor ku sasia dhe cilësija e nyjeve sanitare në mjediset shkollore le shumë për të dëshiruar, detyrimisht që do të ndikojnë në rritjen e numurit të të infektuarve. Vjeshta sjedh në qarkullim edhe shumë viroza të tjera stinore, përfshirë edhe Gripin stinor çka do të rrisë më tej kurbën e të infektuarve jo vetëm nga Sars-Cov2/Covid-19. Është një dukuri që vërehet sot kudo në Botë. Në shifrat e raportuara edhe mundet të ndërhyhet, POR në realitetin e numurit të të shtruarve, të atyre që ndodhen në terapi intensive apo jetëve të humbura nga ky infektim nuk mundet të ndërhyhet. 

Të bërit shumë Politikë në këtë “Kohë kovidiane”, në mendimin tim nuk sjedh asnjë dobi përkundrazi. Intensifikimi dhe zgjerimi i skemës së vaksinimit ndaj Gripit stinor në vendin tonë, shpresoj dhe uroj të ndikojë për mirë në zbutjen e shifrave të të infektuarve në Shqipëri. 

A ËSHTË E MUNDUR NDJEKJA E DUHUR E TË SËMURËVE SI NË SPITALE EDHE AMBULATORISHT?

Në Shqipëri janë ngritur dhe pajisur tashmë katër struktura spitalore me një kapacitet prej 500 shtretërish, për të ndjekur dhe trajtuar të prekurit nga infeksioni Sars-Cov2/Covid-19. Për momentin janë në funksionalitet vetëm dy struktura: Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT “Nënë Tereza” ose sikundër ai njihet si Covid-1, dhe që ka përballuar deri më tash ngarkesën kryesore në ndjekjen dhe mjekimin e të sëmurëve nga Sars-Cov2/Covid-19, si dhe SUSM “Shefqet Ndroqi” ose sikndër ai tashmë njihet si Covid-2. Këto dy struktura kanë respektivisht 120 dhe 190 shtetër të destinuara për ndjekjen dhe mjekimin e të sëmurëve, si dhe jo më pak se 45 shtretër për trajtimin intensiv të të sëmurëve në këto 310 shtretër.

Mjekët e familjes janë tashmë të përfshirë mjaft mirënë ndjekjen dhe trajtimin e të sëmurëve të prekur nga Sars-Cov2/Covid-19. Eksperienca botërore ka treguar se mbi 70-80 % e të prekurve mundet mjaft mirë të ndiqen dhe trajtohen ambulatorisht. Ka protokolle të mirë-përcaktuara për këtë ndjekje si dhe një mirëkuptim dhe mirëkoordinim me këta mjekë, për të ndjekur si duhet të prekurit nga Sars-Cov2/Covid-19, si dhe vënien në funksionim të Urgjencës Kombëtare ose 127 sikundër ajo njihet nga popullata, kur nevojitet ndihma e tyre në rastet e rëndimit të të sëmurëve dhe adresimin e tyre në mjediset spitalore. 

Në rast përkeqësimi të situatës është parashikuar edhe vënia në dispozicion të Pandemisë i strukturave të Spitaleve Rajonalë si dhe atyre Bashkiakë. 

KURIMI ME PLAZËM A KA FILLUAR NË SHQIPËRI DHE CILAT JANË REZULTATET E TIJA TË DERITANISHME?

Përdorimi I plazmës hiperimune nga individë që tashmë e kanë kaluar infeksionin nga Sars-Cov2/Covid-19, është një mjet I vënë në dispozicionin tonë këto kohët e fundit. Janë donatorët vullnetarë të gjakut ata të cilët testohen nëse kanë krijuar imunitet pas kalimit të sëmundjes, që pas një seleksionimi paraprak mbi bazën e një protokolli të mirë-përcaktuar, shërbejnë si bazë në prodhimin e kësaj plazme. Deri më tash janë mbi 20 të sëmurë, që kanë përftuar nga kjo terapi edhe pse jo pak e diskutueshme në efiçiencën e saj. Publikisht u është bërë thirrje që të gjitha ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë krijuar imunitet ndaj saj, të dhurojnë gjak dhe ai të përdoret për nxjerjen më pas të plazmës hiperimune. Mbi 80 ish të sëmurë i janë përgjigjur deri më tash kësaj thirrje. Jetë që shërben për të shpëtuar jetë të tjera.

APELI I JUAJ PËR QYTETARËT SIDOMOS TANI ME RIFILLIMIN E VITIT SHKOLLOR?

Përkujdesi ndaj vetes dhe kujdesi ndaj të gjithë atyre që gjallojnë rreth jush është çelësi i artë në mirë-menaxhimin e kësaj Pandemije. Higjena vetjake dhe kolektive, distancimi fizik dhe mbajtja e maskave në mjediset e mbyllura apo aty ku ka prani të shumë individëve, përbëjnë tre hallka shumë të efektëshme në këtë kohë kovidiane. Nuk mjafton Puna, Profesionalizmi dhe Përkushtimi ynë, që të përballemi me sukses në këtë sfidë ndaj infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. Duhet në çdo moment edhe Vetëndërgjegjësimi qytetar, që së bashku me Mantelbardhët të mundet me sukses të ia dalim mbanë kësaj “beteje” të gjatë,  me një armik të padukshëm por shumë të rrezikshëm sikundër është edhe infeksioni nga Sars-Cov2/Covid-19. 

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, Doktor i Shkencave Mjeksore, Profesor i Asociuar, Sokol Paja, Tritan Kalo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT