• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

DHIMITËR BERATI – BASHKËPUNËTOR I NGUSHTË I AT GJERGJ FISHTËS DHE ERNEST KOLIQIT

September 8, 2020 by dgreca

-Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes-

Nga Frank Shkreli- Ishte fillimi i shtatorit të vitit 1970. Po bëhesha gati që brenda një ose dy muajsh të udhëtoja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me statusin e refugjatit politik.  Në përgatitje e sipër, fillova tu them lamtumirën e fundit miqëve dhe të njohurve të komunitetit shqiptar në Romë dhe në kampet e refugjatëve.  Fillova takimet me Ernest Koliqin, i cili më sugjeroi që para se të nisesha për Amerikë të takohesha me Dhimtër Beratin. Unë nuk e njihja, por Koliqi mori përsipër që të më takonte me të.  Fatkeqësisht, nuk kaluan as 2-3 ditë dhe u hap lajmi i zi në komunitetin shqiptar të Romës se Dhimtër Berati kishte vdekur në një aksident kur një makinë e kishte përplasur nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend, ditën e martë të 8 Shtatorit, 1970.   Fatëkeqësisht, ashtu mbeta pa u takuar me njëriun e fundit të nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndihmësin e vyer të delegacionit shqiptar në Konferencën  Paqës në Paris me 1919 dhe njërin prej personaliteteve më të njohura të diasporës shqiptare, të arratisur nga regjimi komunist. 

Megjithë meritat e mëdha kombëtare, Dhimitër Berati mbetet ndër ata të harruarit ose ndër ata të dëbuarit, siç janë At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e tjerë. Miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për Beratin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, si në fushën politike ashtu edhe në publistikë.  Dhimitër Berati dallohej qyshë në moshë të re për veprimtarinë e tij patriotike, që në fillim të shekullit të kaluar.  Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë.  Si përfaqësues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqësues i komunitetit shqiptar me influencë në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Bukureshti së bashku me Ismail Qemalin due me Luigj Gurakuqin.  Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur. Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme.  

Në faqën e tij të fesjbukut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kujtoi dje Dhimitër Beratin me rastin e 50-vjetorit të vdekjes me disa të dhëna nga jeta e tij që mu dukën tepër të seleksionuara.  Kryeqeveritari shqiptar  Beratin e cilëson si njërin prej bashkëpunëtorëve “të ngushtë” të Ismail Qemalit, ndonëse sikur duket se ankohet për rolin politik  të tij në në vitet e fashizmit, duke thenë se “Berati u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”.  Në të vërtetë, ai ishte më shumë se joshës, se Berati ka shërbyer si Ministër Sekretar i shtetit i Kulturës Popullore, 1941-1943. Duhet të vlerësohet fakti se këto tre vjet që ka shërbyer në qeverinë fashiste, të pakën duket se në sytë e Ramës, nuk ia mohon Dhimitër Beratit  të gjithë kontributin patriotik e publicistik ashtu siç po ndodhë me bashkpuntorët e tij të ngushtë, si Fisha e Koliqi.  Megjith vleërismete positive të Kryeministrit shqiptar për Dhimitë Beratin është gjithmonë e rrezikshme kur një politikan bën vlerësime historike të ngjarjeve dhe personaliteteve sepse do e s’do, është natyra e politikës që disa i trajton si të nenës e të tjerët si të njerkës,  në këtë rast, bazuar në trashëgiminë e ish-regjimit komunist. Ndërsa Fishta, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ende cilësohen si poli-agjentë dhe bashkpuntorë të fashizmit, Dhimitër Berati, megjithëse ka shërbyer në detyra të larta qeveritare në vitet 1941-1943, (lexo ndryshe nga të tjerët) vetëm “u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”, shkruan Kryeministri Rama. S’ka dyshim se Dhimitër Berati duhet të kujtohet në ketë 50-vjetor të vdekjes, qoftë edhe nga Kryeministri, por politikanët duhet të jenë të balancuar dhe objektiv në vlerësimet e tyre, ose më mirë mos të falsin fare.  Nuk ka asnjë dyshim për merita të mëdha kombëtare të Dhimitër Beratit, ashtu siç kanë edhe At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e të tjerë — por të cilët mbeten ende të përjashtuar dhe zyrtarisht ende cilësohen si kollaboracionistë dhe të “Dëbuem” nga Atdheu, do të thoshte Fishta – por me të cilët Dhimitër Berati ka bashkpunuar ngushtë, për ideale të përbashkëta, gjithmonë në mbështetje të interesave të larta kombëtare.   

Në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjëndej Dhimitër Berati përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit në Konferencën e Paqës në Paris, së bashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshir At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e Kombit shqiptar, që përveç trajtimit të tyre çnjerëzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ai bëri ç’mos që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave të historisë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Enver Hoxha nuka ia doli të zhdukte krejtësisht nga historia, megjithëse kjo fushatë kundër tyre vazhdon edhe sot, ndonëse në heshtje. Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe apologjetët e tij sot, nuk ia dolën këtij qëllimi, pasi veprat dhe kontributet e këtyre burrave flasin vet. Historia e vërtetë, që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta vigana të Kombit shqiptar, përfshir Dhimitër Beratin dhe bashkpuntoërt e tij të ngushtë, At Gjergj Fishtën dhe Ernest Koliqin, ndër të tjerë, për meritat e tyre të veçanta dhe për kontributin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të Kombit të tyre. 

Dhimtër Berati ka dhenë një kontribut të shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshirë Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, së bashku me At Gjergj Fishtën, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqët dhe aleatët e tyre historikë aty gjëndej mbrojtësi i këtyre të drejtave, Dhimitër Berati.  
Në shtator të vitit 1970 para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por megjith rolin e tij historik, ishte detyruar të largohej nga Atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme, përfshir atë fashiste.

 Në mërgim, ai ishte bashkpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shëjzat.  Në një shkrim të Dhimitër Beratit në revistën Shëjzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi — edhe ky njëri prej të harruarve të Kombit — në librin, “Nepër Vullajt e Shëjzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”.  Gurakuqi ka shkruar se miqësia midis Fishtës due Beratit, këtyre dy gjigantëve të Kombit, kishte filluar që në vitin 1908 në Kongresin e Bashkimit të Alfabeteve në Manastir dhe ka zgjatë, sipas Beratit, deri sa Fishtën e “Ndieu Perëndia në vjetin 1940”.  Karl Gurakuqi nënvijon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë ndërsa shton në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, se Berati kujton ngjarje të bashkjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin, ka shënuar Karl Gurakuqi.   Prandaj nuk është për tu habitur që Berati vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë”, shkruan Dhimitër Berati, “Gjergj Fishta është poeti — në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët — kur kujtonin Omirin. Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ata dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doktrinë fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shoqënore të njeriut…Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, veprat, “Historija e Skëndërbeut” e Naimit dhe “Lahuta e Malëcisë” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshëme ndaj “Atdheut, si një shënjë dashurie ndaj popullit t’onë”, ka shkruar Dhimitët Berati për Fishtën dhe për Naimin.
Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimtër Berati nuk këthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë ku siç thashë më lartë bashkpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe rëvistën Shëjzat. Ndonëse, në moshë të shkuar Berati merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve, në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Nju Jork dhe Boston të Shteteve të Bashkuara në vitin 1969 për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra.  kMe atë rast pat mbajtur një fjalim për komunitetin anti-komunist shqiptaro-amerikan, të pas luftës së dytë botërore – një manifestim ky, ndër më të shkëlqyeshmit që ka njohur komuniteti shqiptaro-amerikan, sot e kësaj dite – ku ishin të mbledhur arbëreshë dhe shqiptarë të Amerikës pa dallim besimesh, krahinash as rrymash politike a ideologjike.  Ah, sikur të kishim takime të tilla edhe sot! 
Miku dhe bashkëpuntori i tij i ngusht, Ernest Koliqi ka shkruar për këtë burrë të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindasve… dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhun”.
Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet as të anashkalohen meritat e tija patriotike – siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkpuntorëve ti tij të ngushtë — At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi — por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike dhe brez pa brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. 

Frank Shkreli

                   Fotot nga Revista Shëjzat e Ernest Koliqit (XIV, 1970 – 7-9)

Dhimtër Berati në Konferencën e paqës në Paris (1919) me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën  

Dhimitër Berati duke folur në darkën e Vatrës në Hotel Americana në Nju Jork, Nëntor, 1969, 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e paqës në Paris, 1919.

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunetor, Dhimiter berati, Ernest Koliqi, Frank shkreli

PËRPJEKJE BIZANTINE TË KARA ARAPËVE PËR TË DEGRADUAR KOL IDROMENON

September 8, 2020 by dgreca

Pamflet nga  Kolec P. Traboini-

-Foto: Motra tone Nga Kole Idromeno-

 Studiuesit bizantolog e zograf Kara Mustafa Arapit i kemi dhënë një përgjigje që e meriton sëra e tij kur u kërlesh të na mbushte mendjen se “Motra Tone” nuk ishte vepër e Kol Idromenos, por e dikujt që fantazonte ky soj Arapi. Menduam se ai u squll, u zgërlaq e këndell diku me pantallona të shkurtra dhe e mbylli squpin me të cilin birbilonte si më e bukura qyqe behari.  Mirëpo e kishim harruar proverbin “Prej arapit pjell arapi- lesh arapi”. Këtë Mustafa Arapin në kauzën e tij denigruese për Kol Idromenon del e mbron një zonjë që pretendon të jetë studiuese, të ketë marrë edhe titullin Dr., një nga 10 mijë tituj të tillë që ka prodhuar deri në skadencë Shqipëria. Aty ku Kara Mustafaj e ka bërë lesh arapi, nis e shtrohet gërhana e Arapes tjetër. Kjo fare studiuese, një vit më parë, më 2 shtator 2019 në faqet e “Gazeta shqiptare” ka shkarrashkru çfarë i ka ardhur ndër mend, por ne e gjetëm vetëm tani vonë e po marrim mundim t’i gjegjemi në emër të gjithë të afërmeve të Kol Idromenos dhe pasardhësve të vajzave të Motrës Tone.   Sulm zulmin e saj kjo Dr. Arapja e ka lëshuar kundër  Kol Idromenos duke i hequr këmishë e pantallona për ta nxjerr picak, si një mjeran i patalentuar, si një qyq që nuk dinte bënte art. Kështu kuptohen këto përpjekje mjerane prej bizantinësh të kara Arapëve. Kjo përpiqet që nga kuzhina e Arapëve të sjellë argumente kinse “shkencore”, se helbete e kanë vendos me detyrë në Ministri të Kulturës për trashëgiminë kulturore dhe patjetër në Akademinë e degraduar të Shkencave që e kanë nën zap ministri i diktaturës Skënder gjeneral Et’hem Gjinushi. Mjerë kultura e kësaj epoke mjerane. Po çfarë mollois kjo Arapja me shkrimin e vet “Disa konsiderata mbi krijimtarinë e Kol Idromenos”? Kjo turr e vrapja kryekreje  i bën dalje atyre që e kritikonin Kara Mustafa Arapin  me këto fjalë:  “…disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre.” A thua se vetë kjo ka mend jo vetëm për kullën e Arapëve, por për tan botën dhe i teprojnë e ngase ka tepër me gazep, i shpenzon ca energji trunore për t’i zbërthyer pantallonat Kol Idromenos. Kësisoj këngë qyqesh ka vjeshta more shqiptarë. Kola i vdekun tashmë nuk mund të flasë. E ata që e mbrojnë me tituj Prof. e Dr.  janë pak. Na ka mbet neve që jemi në lidhje familjare t’i themi ca fjalë jo vetëm Kara Mustafait, por edhe kësaj Arapes tjetër me doktoratë, që gjasat janë të jenë një familje. Punë e tyre. Ajo që na vë në mendime është, pse ky sulm prej urithësh mbi figurën e Kol Idromenos. Përse ky pasion i verbër për të shkatërruar imazhin e një artisti të madh para të cilit përkulej me nderim Odhise Paskali duke e konsideruar artistin më të madh shqiptar. Mirë po është një fjalë e urtë “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. Kështu kjo tellallja e kulturës mjerane  me titullin doktor lëshohet e shkruan marrëzi pa cak e pa doganë. Kjo arrin deri atje sa merret me nistoret e kaligrafinë e Kol Idromenos. Kjo konfuze arrin deri atje sa të shprehet si profane me titull Dr. “arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.” Dikush mund te thotë se është mendimi i saj. Po është mendimi i saj, por si Kara Mustafai dhe kjo Arapja tjetër janë në një linjë, në një stil, me të njëjtën dorë e të njëjtin qëllim dhe kjo na shtyn të reagojmë e t’i themi si Kara Mustafa Arapit dhe pinjolles së tij “Kadalë beg se ka hendek!”.  Nuk mundeni ju të tjetërsoni portretin “Motra Tone” të Kol Idromenos. Përpjekjet tuaja janë groteske, por të lidhura në aliazh demagogjik kinse po bëni studim të thellë si specialista që na qënkeni. Me çfarë logjike bufi kërkohet të tjetërsohet vepra e një autori të madh si Kol Idromeno me kësisoj paragrafësh ku analizohet firmosja që i ka bërë Idromeno pikturave të veta, sikur ai t’i ketë bërë pikturat në një ditë dhe duhet të jenë rreptësisht të njëjta. Kjo nuk ka në konsideratë se në jetën e tij një artist mund të ketë ngritje dhe ulje të potencialit krijues për shkak të rrethanave në të cilat jeton, apo të tragjedive që përjeton. Çfarë dritë mund t’i jepte Kol Idromeno një  pikture të cilën e punonte në kohën kur i vetmi fëmijë i tij, djali 2-vjeçar Zefi sapo i kishte vdekur. Njerëz që nuk studiojnë jetën e një artisti as mund ta kuptojnë se çfarë ndodhte me ta dhe nuk gjejnë një arsye për ndryshim,  por thonë si profanë se papritur Kol Idromeno artistikisht kishte shterrun, me këtë rast doktoresha Arapi përdor fjalën dekadencë, për të dalë dukshëm e thekshëm si studiuese, de, duke harruar se dekadenca si fjalë ka qenë një rryme artistike para se të hynte në Shqipëri si një zhargon publicistik apo të bisedave të rëndomta “ti je dekadencë e gjallë”. Po aq e ka edhe Dr. Dorina Arapi, më tej se Kara Mustafaj nuk shkon dot. Le të ndjekim logjikën e saj se pse mendon se Nicola Arseni, apo Kol Arsen Idromeno nuk e ka krijuar portretin  “Motra Tone” por e ka bërë ndonjë Kara Mustafa në Venecia. Ja t’ia lemë paksa fjalën doktoreshës Arapi: “…dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”. Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqëndrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove.” E lexuat? E morët vesh. Me këto naivitete analizash të kaligrafisë na mbërrin jo pak, por në mohimin e veprës së Kol Idromenos. Po të shkonte kjo dr. në Rrmaj e ta lexonte këtë farë shkrimi,  përmbys do të ktheheshin eshtrat e Dajës Kolës, se kështu i kemi thënë të gjithë të afërmit kur i referoheshim figurës së tij në biseda familjare. E po të them ty se studiuesi Mikel Prenushi i tha grupit të filmit Kol Idromeno në vitin 1987 se ky skenaristi (dhe u drejtua nga unë), e ka emrin prej Kol Idromenos, ia ka ngjitur Dada Katrinë, vajza e Motres Tone (është dëshmitar operatori Ibrahim Kasapi), me siguri ti si ta lexosh këtë pasazh do të hapësh gojën si bufi në kënetë. Se aq di për jetën e rrethin e Kol Idromenos e jetës së tij.  Ty të mjafton të rrish para një tabloje e të mendosh me skepticizëm bizantin e të shtjellosh terrinë aty ku ka dritë, aq të mjafton, …dhe sa më shpejt sigurisht. Brumbujt nuk rrinë dot pa bërë toptha sa herë shtegut të livadhit kalon ndonjë lopë e lëshon të shkretën bajgë. E atyre lumëmëdhenjëve brumbuj u duhet një stinë për të bërë punën e tyre. Thoni po deshët se bajgat e lopës nuk janë zahiretë e  tyre të dimrit. Për deri sa ata me tituj doktorë që merren me zhvirgjërimin e panteonit tonë të artit e trumbetojnë, e pse jo?!


Filed Under: Analiza Tagged With: Kol Idromeno, Kolec Traboini, Motra Tone

LITUANIA SHUAN ËNDRRËN KUQ E ZI

September 8, 2020 by dgreca

-Liga e Kombeve: Nuk ka ëndërr kuqezi. Lituania shuplake historike Kombetares tonë-

-Gabim foshnjor i mbrojtjes, që i dhuroi golin kundërshtarëve.

– Lituania ishte zot në fushë, edhe pse në 22 ndeshjet e fundit kishte 20 humbje dhe vetëm 2 barazime…

– Rasti i Roshit, mësim për trainerin Reja, për të forcuar disiplinën në ekipin kombëtar.

Përgatiti:Albano KOLONJARI-

Kombëtarja e Shqipërisë e meritoi humbjen përballë Lituanisë 0-1, ku profesionistët kuq e zi luajtën si amatorë. Nëntëdhjetë minuta lojë, vetëm një gjuajtje në kuadrat, tregojnë për varfërinë e lojës sulmuese të skuadrës tonë në këtë ndeshje, që duhet harruar. Një ekip pa ide, dhe pa energji. Një skuadër pa dinamikë, një skuadër qe nuk arriti të ushtronte presion mbi kundërshtarin, dhe mbi të gjitha një skuadër që nuk arriti të “vraponte” në fushën e lojës, duke bërë gabime të shumta gjatë pasimit të topit. Përballë tyre Lituania u duk një skuadër e “madhe”, e freskët fizikisht, me lojtarë që vraponin në fushën e lojës, që pasonin saktë dhe që ushtronin presion lart duke filluar qe nga zona jonë e mbrojtjes, në mesfushë por dhe në mbrojtjen e tyre duke mos krijuar asnjë hapsirë për sulmuesit tanë Sadiku dhe Manaj. Një humbje që të djeg, kur mendon që Lituania në 22 ndeshjet e fundit kishte 20 humbje dhe 2 barazime. Për teknikun Reja fajin e kishte lodhja në “këmbët” e futbollistëve tanë:”Kundërshtari ishte thuajse 2 hapa para nesh,  për sa i përket anës fizike. Në këmbët e lojtarëve u ndie lodhja. Lituania edhe në ndeshjen e parë ndaj Kazakistanit nuk luajti keq, por nuk ia doli të fitojë”. Tekniku Reja i besoi formulës së tij 3-5-2. Në vend të mbrojtësit Veseli, tekniku Reja i beson nga minuta e parë mbrojtësit Mihaj duke luajtur me tre qendra, Gjimishtin, Demarku dhe Mihaj, dhe pak më përpara nga krahët kapiteni Hysaj dhe Trashi. Në mesfushë do të luante për herë të parë me bluzën kuqezi Laci i cili mbështetej nga Gjasula që bente lidhjen e mesfushes me sulmin dhe Abrashi. Në sulm Sadiku dhe Manaj. (duke lënë në stol Cikalleshin dhe Baren).” Më vjen shumë keq për humbjen. I pashë lojtarët shumë të mërzitur. E gjithë bota luan me 3 mbrojtës. Nuk kemi bërë revolucion. Kemi pasur probleme fizike. Në rast se nuk do të bënim atë gabim, mund të flisnim ndryshe. Lodhja u ndje shumë në këmbët e lojtarëve. Në 10 minutat e para të pjesës së dytën,  provuam të ndryshonim rezultatin duke ushtruar presion të vazhdueshëm në portën kundërshtare. Pastaj aktivizova Roshin dhe Uzunin që janë lojtar tepër dinamikë. Për fat të keq, Roshi qëndroi vetëm 5 minuta në fushë dhe pësoi tërheqje. Ndeshja mund të përfundonte edhe me 0-0 për mënyrën si shkoi. U vendos nga një gabim trashanik i joni”. Në këtë ndëshje Shqipëria vinte si favorite, për të qënë në krye të grupit por pas humbjes duket qe tekniku Reja ka tjetër mendim:”Nuk mund të them se jemi favoritë, pasi ka skuadra shumë të mira në grup. Shpresoj të bëjmë më mirë në ndeshjet e tetorit”. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në pjesën e dytë. Gjasula ktheu lehtë një top tek portieri Strakosha, pa llogaritur kundërshtarin pranë.  Sulmuesi lituan Kazlauskas tregohet i vëmëndëshëm,  kontrollon topin dribloi edhe portierin Strakosha dhe me portën e boshatisur dërgon topin në rjetë! Kjo nuk ndodh me një ekip serioz! Reja hedh në fushë Uzuanin dhe Roshin, por ky i fundit pas pesë minutave lojë, largohet nga fusha i dëmtuar? I dëmtuar apo I lodhur? Po të kemi parasysh reagimin e tifozëvë kuq e zi, ai nuk ka respektuar disiplinën, para ndeshjes ka kaluar kohën me të fejuarën. A thua se nuk e ndjen peshën e fanelës së Kombëtares!…Në fushën e lojës edhe sulmuesi me prespektivë Armando Broja, por kuqezinjtë nuk arrijë të bëjnë asgjë.

-“Jam shumë i kënaqur që luajta për herë të parë me Shqipërinë. Pata mundësi të qëndroj me çunat, të cilët janë shumë të mirë të gjithë dhe jam shumë i lumtur për debutimin, por jo për rezultatin”, shprehet Broja pas ndeshjes.

 Pas fitores 0-2 me Bjellorusinë, u mendua tek një fitore e lehtë kundër Lituanisë, dhe kuqezinjtë ëndërronin të kishin 6 pikë në këto dy ndeshje. Por ndodhi e kundërta. Kombëtarja jonë nuk arriti të bëjë hapin e madh. Në takimin tjetër të grupit tonë Bjellorusia fitoi 1-2 me Kazakistanin. Pas ndeshjeve te dyta, renditja e grupit të katër është kjo: Kazakistan 3, Shqipëria 3, Bjellorusia 3 dhe Lituania 3. Në muajin tetor Shqipëria do të luajë dy ndeshje jashtë fushës së saj. Me 11 tetor në Kazakistan dhe 14 tetor në Lituani. Përpara këtyre ndeshje FSHF ka planifikuar edhe një takim miqësor me Armeninë, me 7 tetor.

Humbja me Lituaninë nuk është pritur mirë në ambientin kuqezi. Sulmuesi Armando Sadiku u shpreh:”Reja kërkon që sulmuesit të kthehen prapa dhe të luajnë me fyryrë nga porta. Nuk është mënyra ime e të luajturit, por po bëj maksimimin. Do të doja të shënoja, por nuk kisha freskinë e duhur, pas dy krosimeve të Trashit dhe dy rasteve të tjera nuk arrita tek topi. Nuk pata mbështetje dhe ata e bllokuan shumë mirë mesfushën tonë”.

Gjasula:”Marr përgjegjësinë e humbjes”…

Marr përgjegjësinë e humbjes. Gabova, prandaj humbëm edhe ndeshjen. Besoj se po të mos kisha bërë atë gabim do të kishim fituar ose barazuar. Më vjen keq për ekipin. Sot nuk morrëm pikë prej gabimit tim”. 

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, LITUANIA, SHUAN ËNDRRËN

EDMOND DRISHTI-RRËFIMI I TOGERIT NË NEW JERSEY: NGA ARRATISJA E BABAIT DERI TEK PROTESTAT NË SHBA….

September 8, 2020 by dgreca

EKSKLUZIVISHT PËR DIELLIN: PËRNDJEKJA E BABAIT PREJ SIGURIMIT TË SHTETIT- EDMONDI, NGA MËSUES BIOLOGJIE-TOGER NË POLICI, LIDHJA ME SHQIPËRINË… PROTESTAT NË AMERIKË-GABIMI I NJË POLICI QË “DOGJI” AMERIKËN….

Toger Edmond Drishti rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York  ngjarjet e jetës së tij, nga arratisja e prindërve prej regjimi komunist, deri në sukseset e arritura në Amerikë, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA. 

   Historia e Toger Edmond Drishtit është një ndër historitë më të veçanta në diapsorën shqiptare në Amerikë. I lindur në Amerikë, në shtetin e New Jerseyt në vitin 1969, por që flet gjuhën shqipe shkëlqyeshëm, biri i dy prindërve të arratisur prej regjimit komunist shqiptar, trajneri i futbollit që u bë mësues biologjie e që më pas ndryshoi totalisht në atë të një Togeri të suksesshëm që mbron sigurinë e jetën e qytetarëve në Hoboken në New Jersey. Ashti si babai I tij edhe Edmondi është vatran.

Me ish Kryetarin e Vatres Dritan Mishto ne Festen e Flamurit, organizuar nga VATRA, Nentor 2018-

BAHRI DRISHTI, ARRATISJA NGA SHQIPËRIA KOMUNISTE

Bahri Drishti, babai i Edmond Drishtit u arratis nga Shkodra për në Mal të Zi nëpërmjet urës së Bunës dhe malit Tarabosh më 1963. I ai ishte artist, muzikant, aktor teatri Migjenit ku ka lujtur dhe në një rol marinari me artisten e madhe Tinka Kurti. I zhgënjyer dhe i mërzitur nga zymtësia e regjimit komunist, që i kishte vrarë babain dhe xhaxhain e tij, dhe nga fakti që ishte piketuar prej regjimit për tu implikuar dhe dënuar më pas, Bahri Drishti vendos me çdo kush të largohet nga Shqipëria. I indinjuar për varfërinë dhe shtypjen që të ofronte komunizmi, atij i shtohej çdo ditë e më shumë urrejtja për sistemin dhe dëshira për tu larguar. Komunistët gëzonin çdo gjë, populli i varfër dhe i shtypur asgjë. Noc Bërdica dhe Ali Jegeni ishin shokët e babait të Edmond Drishtit që u arratisën për një jetë të lirë në perëndim. Bahri Drishti pasi la familjen, me dhimbje e lot, mbushi xhepat me granata në mënyrë që nëse do kapej prej komunistëve në kufi, më mirë të vetvritej sesa të binte në duart e rojeve kufitare e aq më keq të sigurimit të shtetit. O vdekje, o liri, ishte fryma dhe motoja që e mbajti gjallë për të realizuar atë që kishte në mendje e në zemër, ikjen prej ferrit dhe tmerrit komunist. Sapo kaloi kufirin shqiptar, Bahri Drishti ra në duart e UDB e cila e liroi pasi një kushëri  i tij që jetonte e punonte  në  Mal të Zi me mbiemer Bajraktari, hyri garant për integritetin e tij. Pas Malit të Zi, Bahri Drishti dhe shokët e tij u zhvendosën  në Austri dhe më pas në Kanada e më pas në USA. Në Kanada tregon Edmond Drishti, babain e ka mirëpritur familja e Mustaf Kulles dhe Avni Kulles. Në vitin 1967 mbërriti në USA dhe ndërtoi jetën me djersë,  pasion e dinjitet. Edmond Drishti tregon se mamaja e tij Zylfije Drishti, është nga Tropoja dhe është arratisur kur ka qenë vetëm 3 vjeçe me familjen e saj, bashke me familjen Hysen dhe Musli Mulosmani. Më pas në Gjakovë ajo u arsimua dhe arriti Profesoreshë në Fakultet të Gjuhëve të Huaja në Prishtinë. Edmond Drishti na tegon se prindërit e tij u njohën në Manhatan, New York  dhe u dhanë jetë 2 djemve të tyre. 

PËRNDJEKJA NGA SIGURIMI I SHTETIT

Sipas tregimit të Edmond Drishtit, përndjekja nga sigurimi ka qenë e tmerrshme për familjen Drishti. Ai shprehet se xhaxhai i tij Osman Drishti ka thënë se nuk ka laps për të shkruar se çfarë kanë kaluar familjaret e tij në Shqiperi prej sistemit komunist, një përndjekje të fortë e të dhimbshme. Sipas Edmond Drishtit, Sigurimi  i Shtetit donte në atë kohë të plekste familjarët e tij si hallën e xhaxhallarët nëpërmjet leterkëmbimeve me Agim Drishtin, por ata u treguan inteligjentë dhe i shpëtuan përndjekjes. Sigurimi i donte me çdo kusht pas hekurave. Në vitet 1982-83 kur në USA po bëhej një plan që babai i Edmond Drishtit, Bahri Drishti sëbashku me Xhevdet Mustafën, do shkonin në Shqipëri për të rrëzuar regjimin komunist, në çastin final Bahri Drishti tërhiqet kur nuhat se Sigurimi i Shtetit ishte kamufluar dhe kishte kontroll të plotë mbi këtë operacion që do kryhej në Shqipëri. I ati i Toger Edmondit, Bahri Drishti ka organizuar disa koncerte në New York , Boston, Michigan, dhe përgjatë gjithë këtyre viteve ka ndihmuar pafundësisht shumë shqiptar brënda dhe jashtë atdheut, sidomos pjestar të komunitetit shqiptar në USA. 

NGA MËSUES BIOLOGJIE NË TOGER POLICIE

Edmond Drishti na rrëfen se ka mbaruar shkollën për Biologji në New Jersey dhe ka qenë trajner futbolli kryesisht me fëmijët e deri te moshat të mëdha. Ishte daja i tij që e shtyu të ndiqte rrugën e policisë si mision për të mbrojtur jetën e qytetarëve.  Gjithashtu Arbeni i vëllai arriti rezultate maksimale. Edmond Drishti u fut në polici në vitin 1997, ku më 23 shtator të këtij viti mbushen plot 23 vjet karrierë, punë dhe përkushtim. Aktualisht është President i Sindikatës së Policisë në Hoboken në New Jersey, i përzgjedhur me vota maksimale si vlerësim i profesionalizmit dhe modelit të promovuar në ekipin profesional të togës së policisë rrugore në Hoboken. Në shkurt të këtij viti Edmond Drishti, ishte e pari që u dekurua nga Shoqata Amercan-Albanian Law Enforcers, si Officeri e Vitit. Kjo shoqatë është krijuar për të mbledhur gjithë Shqiptaro- Amerikanët policë të shtetit N.J.

SHQIPËRIA SIPAS EDMOND DRISHTIT

Edmond Drishti është i lindur në Amerikë dhe flet një gjuhë shqipe të shkëlqyer. Viziton Shqipërinë çdo vit që prej vitit 1991. Dashuria për vendlindjen dhe dëshira për të parë rrugëtimin e përparimin e vendit, e bëjnë lidhjen e jashtëzakonshme dhe të paharrueshme me atdheun. Edmond Drishti shprehet se është për të ardhur mirë që zhvillimet e Shqipërisë kanë qenë të jashtëzakonshme në raport me të qenurit vend komunist dhe kaosin tranzicional të tejzgjatur. Ajo që ai mendon se është problem në Shqipëri është struktura politike e shtetit,  është kaotike dhe ka 100 parti që nuk sjellin asgjë. Aty ka dy rryma të  majtë ose të djathtë. Shqipëria, sipas Toger Drishtit, po të ishte kthyer në Monarki si simbol, sot ndoshta shteti shqiptar do ishte më i fortë dhe qytetarët do ishin më të lumtur në atdheun e tyre. Mendimi  Toger Drishtit është se: ishte e dhimbshme që referendumi iu vodh Mbretit Zog. Sipas Togerit Drishti Shqipëria sʼka edukatë të ligjit. Mblidhen në Parlament dhe votojnë ligje për të shkatërruar ligjet ekzistuese dhe institucionet. Edmond Drishti tregon se nuk ndodh askund në botë si në Shqipëri: pazare pafund, politikanë të pangopur, 30 vjet të njëjtët politikanë, gati gati si Enver Hoxha dhe byroja e tij. Sipas Edmond Drishtit, Shqipëria dhe problemet reale dalin më së miri në pah te Ismet Drishti (çuni xhaxhait të Edmondit), i cili në Televizionin e tij Zjarr T.V ironizon me humor situatën e klimës politike që ekziston sot për sot në Shqipëri. Toger Edmondi këmbëngul se Shqipëria ka djem dhe vajza të shkolluar në universitetet më të mira në botë. Ka klimë fantastike dhe të gjitha llojet  e turizmit. Duhet ndërruar klasa politike e korruptuar që të zhvillohet Shqipëria. Fatet e vendit duhet ti marrrin rinia e shkolluar në perëndim. Ka plot shqiptarë që po shkëlqejnë në çdo vend të botës. Le të vijnë ata me rininë shqiptare ta bëjnë Shqipërinë. Politikanët duhet të dinë të thonë stop, duhet ta kuptojnë kur duhet të largohen. Është një turp i madh sesi ndryshon Kushtetuta e sesi miratohen ligjet në Parlamentin Shqiptar. Është e dhimbshme sesi një individ  i vetëm ndryshon siç  do ai ligjet e vendit. Kjo është e papranueshme në botën perëndimore. Politikanët shqiptarë duhet të ndryshojnë mënyrën sesi e shohin ligjin dhe institucionet e pavarura. Në Shqipëri duhet të ndryshojë ideja se politikani është i përjetshëm dhe mund të bëjë çʼtë dojë me popullin dhe ligjet e vendit. Mos ndëshkueshmëria e të keqes dhe kompromisi me të keqen është ajo që e lë vendin mbrapa. Edukata e ligjit dhe e institucioneve duhet të jetë në parim për çdo qytetar, respekti për ligjin e shtetit dhe të gjithë ata që përfaqësojnë interesat e shtetit, ligjit e qytetarit.

PROTESTAT NË AMERIKË

Edmond Drishti shprehet se vdekja e George Floyd gjatë një arrestimi nga policia, u kthye në një ndër ngjarjet me të bujshme të kohëvë të fundit në Amerikë, që ishte gabimi i një polici që dogji Amerikën. Sipas tij, kjo situatë e krijuar  është jo e drejtë sepse nuk mund të njollosësh të gjithë punën e policisë për gabimin e një polici. Nuk janë aspak të arsyeshme dhe të drejta këto protesta të dhunshme dhe të ekzagjeruara. Policia ka nevojë për mbështetje, jo për sulme. Togeri Edmond Drishti na paraqet të dhënat statistikore të vitit  2019, ku në total  ka patur rreth 375 milion persona që kanë pasur përplasje me policinë në Amerikë, 1 mijë janë vrarë nga policët dmth 0.00004 % ku nga këto 14 kanë qenë njerëz me ngjyrë 0.00003%, dhe nga këto 14 persona kanë vetem 2 vetë ishin pa armë, të gjithë të tjerët kanë qënë të rrezikshëm për sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve. Reagimet në Amerikë kanë qenë tepër të ekzagjeruara. Policia duhet të shihet nga qytetarët si mik, jo si armik, pasi ne shërbejmë ligjin, mbrojmë jetën e qytetarëve, institucionet e shtetit dhe sigurinë publike, mbyll tregimin e tij për gazetën Dielli, Toger Edmond  Drishti. 

Filed Under: Histori Tagged With: Edmond Drishti, Sokol Paja, Toger

Gazetarët e APES: Praktika e akreditimit të gazetarëve nga UNIS hedh poshtë nenin 19 të Kartës së Kombeve të Bashkuara

September 8, 2020 by dgreca

VOAL – Komiteti i APES (Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Zvicër) ka marrë disa ankesa nga anëtarët gazetarë rreth vështirësive të hasura në aplikimin për akreditim në Shërbimet e Informacionit të Kombeve të Bashuara (KB) në Gjenevë. APES kërkoi një takim për të diskutuar shqetësimet me UNIS (United Nations Information Service – Zyrën e Informacionit të Kombeve të Bashkuara, Gjenevë). Më 6 korrik, 2020, presidenti dhe nënkryetari i APES u takuan me Znj. Alessandra Vellucci, Drejtore e UNIS. Në atë takim, ata morën konfirmimin nga UNIS për të paktën një praktikë në kundërshtim me Nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Pas këtij takimi, dejtuesit e APES ia dërguan letrën vijuese drejtores së UNIS.

Zonjës së nderuar Alessandra VELLUCCI
Drejtori i UNIS
Palais des Nations / UNOG
1211 Genève 10
Gjenevë, 27 gusht 2020

Në vijim të takimit tuaj me udhëheqjen e APES më 6 korrik 2020

E nderuar Zonjë Drejtore e UNIS,
E dashur Alessandra,
Në emër të APES, unë ju falënderoj që më pritët në zyrën tuaj me zëvendësin tuaj, Rhéal Leblanc, së bashku me nënkryetarin tonë Peter Kenny më 6 korrik.

Ne duam t’ju falënderojmë që pranuat gazetarë të pavarur të cilët paraqesin tetë artikuj për një të vit të veçantë, tani do të jetë në gjendje të zgjedhë nga një larmi mediash, me kusht që i njëjti material të mos botohet në media të ndryshme.

Ne jemi gjithashtu mirënjohës që ju keni rënë dakord të na lejoni të vazhdojmë takimet tona mujore të Komitetit APES në Dhomën e Shtypit 1, me kusht që të mos ndërhyjë në ciklin e konferencave për shtyp. Ne e vlerësojmë fleksibilitetin tuaj – të mirë për marrëdhëniet OKB-media.

Ju e dini mirë që APES përfaqëson korrespondentët e mediave të huaja në Zvicër. Kjo përfshin punën me autoritetet e ndryshme, pra edhe me ato të Gjenevës Ndërkombëtare dhe ato të qeverisë federale Zvicerane, në veçanti me Departamentin e saj të Punëve të Jashtme (DFAE) përmes të cilit ne kemi një marrëveshje për të shpejtuar lëshimin e lejeve të qëndrimit për anëtarët tanë aktivë të gazetarëve. Pra, ne e dimë që UNIS vlerëson tonat kontribut në mbulimin e mirë të sistemit të KB.

Takimi ynë pasoi kërkesën tonë me shkrim për një takim në 11 Mars. Na u desh ta shtyjmë këtë për shkak të pandemisë, e cila ka prekur të gjithë ne. Për të rikuperuar, ne kërkuam sqarime për disa vendime të UNIS me të cilën anëtarët e APES na kërkuan të merremi.

Pikat e sqarimit:
– 1) Nën drejtimin e të cilit nga KB (Gjenevë ose Nju Jork) u mor vendimi për të zvogëluar numrin e gazetarëve në KB në Gjenevë dhe në cilin dokument bazohet? Ne i referohemi emailit tuaj tek APES më 11 mars. Gjithashtu, cili organ i ACANU miratoi një vendim të tillë, si referuar në korrespondencën tuaj për APES, përfshirë atë të 11 marsit, të cituar më lart?

– 2) Gazetarët e APES kanë vërejtur përpjekje të rritura të kontrollit nga UNIS, duke ngritur shqetësime mbi ushtrimin e profesionit tonë dhe lirinë e shtypit siç parashikohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në vijim. Prandaj, ne do të donim të dinim pse pesë gazetarë profesionistë, të gjithë anëtarët e APES, janë të përjashtuar nga KB ose nuk lejohen më të pasqyrojnë ngjarjet në Palais?

– 3) Ndërsa jemi mirënjohës ju tani njihni dy media: Diva/MB dhe Efsyn/Greqi., nuk e dimë dhe nuk e kuptojmë pse UNIS nuk ka akredituar dy gazetarë që përfaqësojnë ato botime. Ato përfshijnë zonjën Ekaterina Pinchevskaya, e cila besojmë se ka kredencialet. Po ashtu edhe z Pierre Blatner, reporter/fotograf. Për shembull, ne pyesim pse OKB e dëboi atë kur ai bëri një hetim të ligjshëm në lidhje me postimin nga ana e tij të një letre të regjistruar dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të UNOG. Ne vërejmë të njëjtin nëpunës të Zyrës Postare që e raportoi atë tek siguria pasi kërkoi informacione të vlefshme për të gjurmuar letrën e tij të regjistruar, kishte marrë një letër të regjistruar drejtuar APES-it në fundi të dhjetorit 2018 dërguar nga Présence Suisse/DFAE. Kjo letër përmbante kupona me vlerë 17,000 CHF të biletave të trenit që u zhdukën pasi ai nëpunës kishte nënshkruar personalisht për ta, por që anëtarët tanë nuk e kanë marrë kurrë. Procedura jonë është ende në proces.

– 4) Ne u habitëm kur ngritët çështjen e APES-it duke vendosur adresën tonë në selinë e KB në Gjenevë në Vjetarin tonë. Shumë gazetarë dhe zyrat e tyre e bëjnë të njëjtën gjë. Kjo adresë ka qenë në Librin tonë vjetor për të paktën 30 vitet e fundit, kështu që dikush mund të thotë se është diçka e mirëkonfirmuar. Ju folët në ekspozitën tonë fotografike të përvjetorit të 90-të në Palais më 2018 dhe asnjëherë nuk e ngritët këtë çështje më parë. Ne ishim mirënjohës që prezantuat disa nga folësit atje, përfshirë drejtorin e Përgjithshëm të atëhershëm të UNOG në atë kohë, Z. Moller.

Pas diskutimeve:
– 1) Ne vërejmë përgjigjen tuaj që direktivat të cilave ju referoheni në korrespondencën tuaj për të zvogëluar numri i gazetarëve në Palais, erdhën nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i UNOG, Michael Moller. Akoma, ne mbetemi të painformuar se kush e nisi zyrtarisht këtë proces nga ana juaj. Nga ato që keni ngritur në lidhje me ACANU në lidhje me këtë çështje, vëmë re thënien tuaj se qenë Komitetet Ekzekutive të mëparshme dhe aktuale të shoqatës ato që miratuan vendime të tilla.
– 2) Ne kemi një shqetësim serioz në lidhje me metodologjinë e akreditimit të UNIS të cilën e shpjeguam, duke u nisur nga standarde të larta gazetarie, e shohin si një praktikë të gabuar përjashtimin e akreditimit për disa gazetarë.

Për shembull, disa agjenci nuk vendosin emrat e gazetarëve në dërgesat e tyre, të njohura si bylines.

Kjo ndodh veçanërisht për profesionistët e pavarur. Ne nuk duam që UNIS të diskriminojë profesionistët e pavarur, pasi ata përbëjnë shumicën e gazetarëve që mbulojnë KB këto ditë. Ne besojmë se kjo praktikë është arbitrare dhe e paarsyeshme. KB duhet të mbështesë gazetarët që punojnë për organizata të vogla si dhe lojtarët e mëdhenj dhe shtetërorë. Disa nga metodologjitë e UNIS shkaktuan vështirësi të mëdha, një gazetar madje duke humbur lejen e qëndrimit zviceran (z. Akhmad Atef Khazh Ali). Me tutje kolegët që kanë mbuluar Palais për vite me radhë kanë parë se akreditimi i tyre është i përkohshëm dhe nuk lëshohet më për një vit, pa dhënë ndonjë arsye serioze.

Për më tepër, dhe më zhgënjyese, na u tha për një praktikë të UNIS në “hetimin” e gazetarëve, siç pranohet në takimin tonë, duke pyetur për shembull një të intervistuar nëse është një gazetar që konsiderohet një “gazetar i mirë”. Kjo nuk mund të jetë një praktikë legjitime nga një zyrtar i KB. Kjo dhunon të drejtën e punës e lirinë dhe është në kundërshtim me nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Duke vijuar, ne kemi vërejtur që ju nuk keni qenë në dijeni të kësaj praktike. Ne ju pyetëm nëse ju e aprovuat atë, por ju nuk u përgjigjët. Ky është një shqetësim i madh siç kemi deklaruar në takim, ne do të dëshironim të shihnim një ndalim të menjëhershëm të një procedure të tillë.

Ky vit shënon 75 vjetorin e KB. Si rendi shumëpalësh, ashtu edhe liria për të raportuar lirshëm përmes mediave është gjithnjë e më shumë nën kërcënim. Për atë arsye, siç kemi thënë, ne duam t’i drejtohemi KB
rreth qasjes në media në një letër që APES do t’i dërgojë Sekretarit të Përgjithshëm për çështje të përgjithshme.

Siç e theksuam në takimin tonë, ne mbështetemi në ndjenjën tuaj të kolegjialitetit dhe mirëkuptimit para se të procedoni.

Faleminderit që na dëgjuat dhe na pritët.

Urimet dhe përshëndetjet tona më të sinqerta.
Jean MUSY
Presidenti i APES

Peter KENNY

Nënpresident i APES

Filed Under: Analiza Tagged With: Alessandra Vellucci, Jean Musy, Komiteti i APES, Nënpresident i APES, Peter Kenny, Presidenti i APES, VOAL

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT