• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

ATDHETARI RIZA KISHTA…

September 9, 2020 by dgreca

….Në optikën e studiuesit Meçan Hoxha/

NGA KADRI TARELLI- Para pak kohësh e ftova Meçanin për kafe. U tregua i gatshëm. Me këtë rast këmbyem libra, si e vetmja mundësi për të nderuar dhe kënaqur njëri-tjetrin. Ai më dhuroi librin e tij të fundit “RIZA KISHTA. Emër që nuk harrohet”, ndërsa unë, “Koha në vargje”.

Që në fjalët e para, dua të shpreh falënderim dhe mirënjohje ndaj autorit, që ka shkruar e nxjerrë në dritë një libër me vlera lokale (për krahinën e Gramshit), po se po, por edhe me vlera kombëtare. Kam përshtypjen, se kur lexojmë fjalë të tilla të mëdha, na lind mosbesim ose dyshimi për vlerat e vërteta. Mos nxitoni dhe mos u trembni, bëni pak durim dhe më gjykoni kur të arrini në faqen e fundit. Sepse siç pohon Cornela Funke: “Disa libra shijohen ngadalë, të tjerë përpihen me një kafshatë dhe vetëm disa pak të tillë, përtypen për t’i tretur plotësisht”.  

Nuk them se e lexova librin me një frymë, siç shprehen disa, por e kundrova me shumë kujdes dhe interes, duke bërë nën-vizime e duke mbajtur shënime, pasi bën fjalë për histori njerëzore, ku fati i tyre është i ndërthurur me historinë tonë kombëtare, gjatë luftës e më shumë edhe pas saj. Fatkeqësi, por shoqëria qëllimisht dhe pabesisht u nda në dy grupe në kundërshti me njëri-tjetrin, ku pati xhelatë dhe natyrisht edhe viktima. Vetiu më gris pyetja, që s’i jap dot përgjigje: Kujt i shërbeu ky konflikt shoqëror?”. Për të ardhur keq që edhe sot e kësaj dite, vazhdon kjo përçarje që nuk i sjell asnjë dobi kombit në tërësi, por edhe individëve në veçanti e që s’po gjejmë qetësi. Pengojmë njëri-tjetrin, në vend që ta duam, ta ndihmojmë apo ta nxisim për vepra të mira, kur, me apo pa dashje, mohohen vlerat e veprimtarëve të nderuar, në emër të absurdit politik. 

Kush ka njohur krijimtarinë e studiuesit Meçan Hoxha, rreth 10 libra, ku pjesa dërmuese e tyre lidhet me studime të karakterit historik, më jep të drejtë në gjykimin tim, sepse ai jo vetëm është mjeshtër i fjalës së bukur, por më shumë i mendimit të pjekur e të lirë, për të thënë kurdoherë të vërtetën. Këtu ai nuk bën kompromis më askënd, kur bëhet fjalë për këtë parim të shenjtë sa jeta. Ai adhuron filozofin e lashtësisë Aristotelin, që thoshte: “Platonin e kam mik, por më mik kam të vërtetën”. Ky është karakteri i tij, që buron nga fisnikëria dhe tradita, nga kultura dhe qasja që i bën vetes me realitetin tonë të trazuar, pa u ndikuar nga miqësitë, nga bindjet apo qejf-mbetjet. “Më mirë të jesh i torturuar nga e vërteta, sesa i lumtur nga gënjeshtra”, thotë dijetari Seneka.

Të gjitha sa shpreha më lart burojnë nga “respekti për të vërtetën”, siç thotë autori që në hyrje, pasi Riza Kishta, heroi i librit: “Është personaliteti më i përfolur ndër gramshiotët, në Gramsh e më gjerë. Është folur aq shumë që nga viti 1918…….. Veçanërisht shumë është folur pas çlirimit të vendit deri 1990, dhe i është rënë vetëm një avazi të një kënge të pështirë…., e cila është bërë e lemerishme”. 

Është e çuditshme, që edhe pas 30-vjetësh të përmbysjes së diktaturës dhe propagandës marramendëse të luftës së klasave, ende mbeten njerëz me po ato bindje, si receta mjeku, apo si thënie të Biblës dhe Kuranit, që vetëm duhen besuar. Është fatkeqësi që ende ka “skllevër” të atyre mendimeve, kur kanë dalë aq shumë libra dhe dokumente mbi shtrembërimet e historisë sonë, sidomos të luftës NÇL, duke e paraqitur dhe pranuar vetëm bardhë e zi: komunistët “atdhetarë” e ballistët “tradhtarë”, sikur ata nuk ishin nga një gjak e nga një truall. 

Është vërtet e dhimbshme, kur bëhet fjalë për ngjarje dhe veçanërisht për personalitete, si Riza Kishta, që e jetuan kohën, që kanë dominuar kohën me vendimmarrjet dhe që, në një farë mënyre ndikuan mbi rrjedhën e ngjarjeve. Ndaj duhet lexuar dhe nxjerrë mësime për historinë tonë të çoroditur.

Këtu qëndron edhe merita e librit dhe autorit, që sjell para lexuesit dhe opinionit publik, birin e Gramshit Riza Kishta, një personalitet të nderuar, një burrë shteti, autoritet i pa cenuar në veprime dhe në fjalë, të dhënë e të mbajtur në besë burrash, pavarësisht pasojave. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kundërshtarët, mbase nuk e duan, por e nderojnë. Besoj se raste të tilla janë të rralla, por që nderojnë një familje, një fis, një krahinë dhe një popull. Nga shembuj të tillë mësohen, edukohen e udhëhiqen brezat në shekuj.

Një vlerë tjetër që duhet vënë në dukje, është puna e gjatë për rreth 30 vjetësh: “Ende lundroj në lumin ujëplot të Riza Kishtës”, thotë Meçani në bisedë mes shokësh. Një punë e pambarim dhe plot durim, për të grumbulluar material dokumentar e gojor të besuar dhe të ballafaquar, siç ndodh në monografitë, në mënyrë që të jenë sa të vërteta, aq edhe të besueshme. Ndaj unë i quaj kokëkrisur të gjithë ata që marrin përsipër të hartojnë një monografi, sepse veç vështirësive që has në emra personash, data, ngjarje e ndodhi, ku duhet t’i kthehesh disa herë, për të qenë i saktë, në përfundim do të ndeshesh edhe me opinionet dhe mendimet ndryshe, të cilave duhet t’u japësh përgjigje. 

Megjithatë, unë dhe kushdo tjetër, kupton se autori i gjendur para kaq shumë të dhënash, është futur në lëkurën e kohës, aq sa na bën të besojmë se edhe ne si lexues po e jetojmë atë kohë, duke pyetur: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ti dhe të tjerët, para ngjarjeve dhe përplasjeve të mëdha të kohës? Si do t’i përballeshe me kurthet dhe të papriturat e luftës, të “miqve” dhe armiqve? Ç’anë do të mbaje para dilemave të mëdha ideologjike dhe politike që zienin dhe trazonin mjedisin shqiptar? Të bashkoheshe me sllavët armiqtë shekullor, apo të mbroje bashkimin me Kosovën, me administratë, arsim dhe kryeqytet Tirana, si fakt dhe frymë atdhetarizmi, që mbizotëronte te të gjithë nacionalistët, përfshi edhe njerëzit e thjeshtë? 

Nuk ishte e lehtë të gjeje udhën edhe në oborrin tënd. Bashkimi trojeve nuk ishte “gozhdë” për të varur gunën apo xhaketën, por frymë atdhetarie e shqiptarie. Besoj se këtë mëdyshje e zgjidh përfundimisht një thënie të diplomatit Rauf Fico, biri i madh i Gjirokastrës, i vlerësuar aq lart edhe nga bota, që u thërret shqiptarëve si me profeci Dodone: “Dashtë Zoti me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”.

 Vlera më e madhe e këtij libri, por edhe e librave të këtij lloji të botuara së fundi, besoj se është mësimi i historisë pa hile dhe shtrembërime të sajuara apo të stisura qëllimisht. Kam përshtypjen se librat që kanë vetëm dokumentacion, kanë shumë vlerë, por janë të ftohtë. Dokumenti është pa lëng jete, nuk të ngjall ndjesi e përjetime. Thjesht të bind në të vërtetën historike dhe vetëm kaq. Ndërsa libri i Meçanit është shumë i ngrohtë, jo se ai e do dhe e përkëdhel “Heroin”, por e nderon atë, nuk i përbuz kundërshtarët, por i ve para provës, për t’u bindur e për t’i bindur, nga anon e vërteta dhe e drejta. Libri të tërheq ta çosh deri në faqen dhe fjalën e fundit, sepse ndërthuret me ngjarje të tabanit e të vatanit, në konferenca, parlament, fshat e qytet, në odat e miqve dhe në stane, kasolle dhe shpellat e krahinës, te miqtë dhe besnikë të besës, si zakon dhe betim shqiptari.

Në këtë hulli mendimi, cilindo e çudit një fakt i jashtëzakonshëm, kur e lexon: Rizai u arratis, duke kaluar në ilegalitet brenda krahinë së Gramshit, për një vit e gjysmë te miqtë dhe të njohurit e tij dhe nuk u kap nga forcat e ndjekjes, që kontrollonin çdo shteg, ditën dhe natën. Ky ishte nderimi që i bënte vendi, kësaj figure atdhetare dhe autoriteti që gëzonte ai. Cili nuk do e lakmonte këtë vlerësim deri në adhurim, nga populli i vet? Libri vazhdon më tej: Rizai kaloi rreth 14 muaj hetuesi, veç ai e di se ç’ hoqi. Aty provoi torturat e hetuesisë shqiptare, aq sa u mbeti në dorë, duke ndërruar jetë, por nuk u dëshmua asnjë faj që ta baltoste dhe ta damkoste, si armik apo tradhtar i atdheut. 

Vetë libri është një dokument i plotë dhe i qëndrueshëm për historinë tonë kombëtare, pasi ashtu siç rrodhën ngjarjet në zonën e Gramshit, me pak dallime janë zhvilluar kudo nëpër Shqipëri. Nuk mund të hyj në hollësi, le t’i shijojë lexuesi të fshehtat që të mbajnë të mbërthyer deri në fjalën e fundit. Më duhet të nënvizoj një dukuri të asaj kohe: Fjala që përmendet shpesh nga Riza Kishta, si komandant i “Ballit” për krahinën e Gramshit, kur mund të kishte përplasje me armë, është: “Janë djemtë tanë dhe s’duhet të derdhim gjak shqiptarësh”. Ai e nderonte luftën për liri dhe luftëtarët që u ngritë, ndaj edhe shmangu çdo përplasje, kur në të njëjtën kohë, pas Konferencës së Mukjes, komunistët shpallën armik Ballin dhe ballistët, për t’u luftuar pa kompromis. 

Në këtë shteg gjykimi, secili ka të drejtë të meditojë: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ndaj Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, kur u strehua në zonën e Gramshit, zonë që me forca të shumta e kontrollonte Balli? Rizai e dinte, por nuk veproi, e tëra në emër të luftës për çlirim dhe besës ndaj mikut, që vjen në shtëpi. Nuk e përtypte dot turpin, që do të mbante mbi shpinë. Një fisnikëri për t’u admiruar!

Vetë Rizai, ashtu edhe plot nacionalistë në mbarë vendin, ishin për pajtim kombëtar dhe jo vëllavrasje. Pas lufte, mendonin për një shtet demokratik, ku të sundonte ligji dhe drejtësia, jo për ndarje e luftë klasash, si murtaja më e egër që e sëmur dhe e prish një komb. 

Kjo është edhe vlera e këtij libri, që të mëson dhe në të njëjtën kohë të bën të mendohesh e mundësisht të përjetosh ngjarjet. Sepse “E vërteta është e vetmja gjë që mund ta bëjë të madh një popull”, shprehet diku atdhetari i  rilindjes kombëtare Koto Hoxhi.

Riza Kishta lindi, u rrit dhe u burrërua si luftëtar e atdhetar i fisëm, por vdiq si antikomunist i vendosur. Mund të thotë kush, se ku qëndron faji i tij?

Në fund të këtij shkrimi modest, dua të përshëndes autorin, pasi titullit të librit, “Riza Kishta. Emër që nuk harrohet”, i dha kuptimin e duhur, duke e bërë atë të mos harrohet në jetë të jetëve, nëpërmjet futjes tek “Arka e kujtesës”, përkatësisht në një libër monografi. Ky libër e ngjalli dhe e solli Rizain e vërtetë në jetën e vërtetë, si një monument që nuk ka piedestal dhe shesh, por qëndron në ballë të çdo oxhaku nëpër shtëpitë e çdo gramshioti dhe në raftet e librave në mbarë mjedisin ku jetojnë shqiptarë.

Urime autorit Meçan Hoxha, duke shpresuar për libra të tjerë po kaq të bukur letrarisht dhe me vlerë përdorimi shqiptarisht! 

Kadri Tarelli

Durrës më: 07, vjeshta e parë, 2020. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Atdhetari Riza Kishta, Kadri Tarelli, Mecan Hoxha

KRYEMINISTRI HOTI INFORMON QEVERINË PËR TAKIMET E WASHINGTONIT DHE TË BRUKSELIT

September 9, 2020 by dgreca

-Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Avdullah Hoti ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vëmendjen e jashtëzakonshme që kanë për rajonin dhe për Kosovën dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në Ballkanin Perëndimor – Kosovës e Serbisë/

-Kryeministri Hoti: Shumë shpejt do të kemi në Qeveri edhe planin e punës për realizimin e marrëveshjes në Uashington, e cila ishte e suksesshme/

-Konferencë për shtyp – Kryeministri Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit hap i madh drejt njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë/ 

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Shtator 2020/ Kryeministri Avdullah Hoti sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka  njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Uashington – marrëveshjen e nënshkruar nË 4 Shtator 2020  nË Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump,  dhe vizitën në Bruksel, si dhe për takimet e zhvilluara.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se marrëveshja në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi është një hap drejtë arritjes së marrëveshjes se gjithanshme finale mes dy shteteve.

Në aspektin ekonomik, marrëveshja identifikon projekte dhe financime miliardëshe për realizimin tyre, ndërsa në aspektin politik marrëveshja shënon edhe një hap në ndërtimin e identitetit diplomatik të shtetit të Kosovës me njohjen nga Izraeli.

Kryeministri Hoti ka rikujtuar se gjatë vizitës në Uashington janë zhvilluar edhe takime të tjera të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikan, duke veçuar takimin me sekretarin e shtetit Majk Pompeu dhe takimet në MCC. Kryeministri ka thënë para kabinetit qeveritar se shumë shpejt do të kemi në Qeveri edhe planin e punës për realizimin e marrëveshjes në Uashington, e cila ishte e suksesshme.

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin edhe për vizitën në Bruksel dhe takimet që ka zhvilluar atje. Në Bruksel ka pasur takimin e nivelit të lartë më palën serbe për çka do të raportohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Gjatë vizitës në Bruksel janë zhvilluar takime me zyrtarët evropianë për temat që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike dhe për Agjendën e Reformave Evropian.

Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri ka zhvilluar edhe një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku është vlerësuar bashkëpunimi i mirë gatishmëri e dyanshme për të thelluar këtë bashkëpunim në të mirë të paqes dhe sigurisë në rajon.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 29-të, në të cilën ka miratuar tri projektligje, pesë vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik dhe disa vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

KRYEMINISTRI HOTI: MARRËVESHJA E UASHINGTONIT HAP I MADH DREJT NJOHJES RECIPROKE NË MES KOSOVËS DHE SERBISË

Pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Avdullah Hoti, edhe në një konferencë me gazetarë ka njoftuar për vizitat zyrtare që ka zhvilluar në Uashington dhe në Bruksel. Fillimisht, kryeministri Hoti tha se tashmë është bërë publike në faqe të Kryeministrisë marrëveshja e arritur në Uashington, e cila është hap tepër i madh, hap i jashtëzakonshëm drejt marrëveshjes finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohje reciproke në mes të dy vendeve.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vëmendjen e jashtëzakonshme që kanë për rajonin dhe për Kosovën dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në Ballkanin Perëndimor.


“Marrëveshja që është arritur i ka dy elemente kryesore: e para është pjesa ekonomike për të cilën kemi negociuar një kohë, ku përfshihen projekte infrastrukturore siç është autostrada Prishtinë-Merdar, hekurudha Prishtinë-Merdar, fizibiliteti për hekurudhën që lidh Prishtinë me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, ndërtimi i Termocentralit me gaz dhe rrejti shpërndarës i gazit në Kosovë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se krejt këto janë projekte që do të mbështeten nga DFC dhe MCC, dy organizata të Qeverisë Amerikane, projekte këto që kalojnë mbi 1 miliard dollarë amerikan.

Po ashtu, kryeministri Hoti potencoi se është interes i madh i Shtëpisë së Bardhë që këto projekte të fillojnë së zbatuari  menjëherë.

“Unë besoj që për disa muaj ju do të shihni punët konkrete që lidhen me këto projekte”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se tashmë është angazhuar Zyra për Planifikim Strategjik dhe se besonte se në mbledhjen e ardhshme do të jetë në rend të ditës një plan i veprimit, ku specifikohen detyrat konkrete për ministritë përkatëse dhe agjencitë e ndryshme në tërë sektorin publik për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Shtylla e dytë e kësaj marrëveshje, sipas kryeministrit Hoti, është njohja nga Izraeli, të cilën ai e cilësoi si shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

“Çdo njohje është e rëndësishme, pa dyshim, por janë disa që janë vërtet të rëndësishme, për shkak të sinjalit që dërgojnë dhe kjo është njohja e parë në tri vjetët e fundit, që nënkupton se është thyer trendi negativ i njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri Hoti tha se kushdo që ka dyshime se kjo marrëveshje e cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës, ai beson se kjo pikë e marrëveshjes dhe njohja e arritur 22 minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes në Zyrën Ovale, e nxjerr se e ka gabim, sepse, siç u shpreh ai, “me këtë marrëveshje fuqizohet sovranitet i shtetit të Kosovës”.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se ka pasur takime të rëndësishme në Uashington, duke veçuar takimin me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo, nga i cili ka marrë mbështetje të plotë si gjithmonë për orientimet dhe proceset euroatlantike të Kosovës. Kryeministri Hoti tha se Sekretarin Pompeo e ka informuar për procesin e dialogut që është duke ndodhur në Bruksel.

“Jo vetëm se ka koordinim të ngushtë në procesin e dialogut mes Uashingtonit dhe Brukselit, por ka koordinim të plotë në këtë proces dhe kjo neve na jep siguri që të ecim përpara në këtë proces, pa u hamendur fare duke ditur se ne do të shkojmë drejt një marrëveshje përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve për njohje reciproke dhe për stabilizim të plotë të regjionit dhe integrim të plotë euroatlantike”, tha kryeministri Hoti.


Para gazetarëve, kryeministri Hoti tha se ka pasur takim edhe me MCC-në, program ky i nisur nga Qeveria Mustafa për të investuar në punësimin e femrave në efiçiencë të energjisë dhe tash do të fillohet edhe me programin kompakt për të sjell gypin e gazit nga Maqedonia e Veriut në Prishtinë për të shpërndarë atë në familje dhe industri dhe për të ndërtuar termocentralin me gaz këtu në afërsi të Prishtinës, dhe pastaj me Korporatën Amerikane për Financim Zhvillimor, e cila do të financojë pjesën më të madhe të projekteve që janë pjesë e marrëveshjes.

“Unë pres që në javën e fundit të shtatorit të kemi përfaqësuesit e kësaj korporate në Prishtinë për të konkretizuar këto projekte. Bashkë me mua për të gjitha këto projekte në Uashington ka qenë ministri i Infrastrukturës, i cili ka prezantuar detajet teknike të këtyre projekteve para  institucionet përkatëse në Uashington”.

Kryeministri Hoti njoftoi edhe për takimet në Bruksel, të cilat ai i vlerësoi të rëndësisë tepër të madhe.

“Ndjehem i kënaqur që brenda 3 muajsh të qeverisjes kemi arritur të konsolidojmë miqësitë e dëmtuara për një kohë dhe të kthehemi aty ku e kemi vendin, pranë partnerëve tanë, të marrim mbështetjen e tyre për hapat që po i bëjmë drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike”, pohoi ai.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se “është mbajtur takimi i nivelit të lartë me palën serbe si pjesë e procesit të dialogut për të draftuar marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke, jo për diçka tjetër.

“Vlejnë parimet të cilat i kemi miratuar në qeveri dhe janë prezantuar gjerësisht para Kuvendit dhe para të gjitha palëve të interesuara sa i përket procesit të dialogut. Nuk bisedohet në asnjë tavolinë për integritetin territorial, nuk bisedohet në asnjë tavolinë për karakterin unitar të shtetit të Kosovës; bisedohet vetëm për marrëveshjen finale për njohje reciproke, për elemente të marrëveshjes finale”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se ka bërë kërkesë për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, sapo të kthehet Kuvendi nga pushimi.

Përtej kësaj, kryeministri Hoti tha se në Bruksel është takuar edhe me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim. “Është hera e tretë që e takoj Komisionerin, i cili është përgjegjës për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Pritjet janë që në fillim të tetorit, javën e parë të tetorit të bëhet e qartë Pakoja për rimëkëmbje ekonomike e BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej disa miliarda eurosh dhe ne presim që brenda saj të financohen edhe disa projekte të mëdha infrastrukturore që i ka edhe Kosova, që i kemi dorëzuar para një jave me letër zyrtare te Komisioneri”, tha kryeministri Hoti.

Takim të rëndësisë së veçantë kryeministri Hoti e ka cilësuar edhe atë me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, duke thënë se për një periudhë të shkurtë në bazë të komunikimit që ka vendosur para disa javësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, e ka takuar dje në Selinë e NATO-s në Bruksel, duke vlerësuar rolin që ka NATO-ja në ofrimin e sigurisë në Kosovë dhe regjion, sepse prezenca e NATO-s përmes KFOR-it në Kosove jep elementin e sigurisë përtej Kosovës.

“E them me kënaqësi që sot Kosova është shndërruar në një bazë të NATO-s, që do të mbetet këtu përgjithmonë edhe atëherë kur Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe kemi konfirmuar para tij zotimin tonë që të punojmë ngushtë me strukturat e NATO-s në planin për transformimin e FSK-së, ashtu siç është miratuar ai plan dhe zotimin tonë dhe interesimin tonë të palëkundur që sa më shpejt, posa t’i përfundojmë proceset politike nëpër të cilat jemi duke kaluar, të shkojmë me procedura për anëtarësim të plotë në këtë aleancë ushtarake dhe politike të Perëndimit”, tha kryeministri Hoti.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeministri Hoti, Takimet Washington-Bruksel

PRIZRENI DHE KROJET SHUMË SHEKULLORE

September 9, 2020 by dgreca

SHKRUAN: ARGJIRA (ARI) UKIMERI,MA.SC. PEDAGOGE-

KROI DHE XHAMIA E TERZI MAHALLËS–

Xhamia e TERZI MAHALLËS është ndër xhamitë më të vjetra në Prizren. Është ndërtuar në vitin 1721. Gjindet në lagjen e Terzive në Prizren, gjegjësisht në kryqëzimin e rrugës kryesore dhe rrugës anësore, në pjesën ballore xhamia është e orientuar kah veriperëndimi. Duke u bazuar në faktet historike, në fillim kjo xhami kishte 3 emërtime: Xhamia e Terzi Memit, Xhamia e Terzi Memishit dhe Xhamia e Mehmet Mehmet Beut. Ndërsa sot në popull njihet me emrin XHAMIA E TERZI MËHALLËS. Krahas xhamisë, është ndërtuar edhe knjë krua. KROI I TERZI MËHALLËS, shërbente për ritualet e fetare të banorëve të lagjes (për pastrimin e trupave të të vdekurve, për ritual të ndryshme fetare). Mbishkrimi në gjuhën arabe mbi këtë krua, ruhet në Muzeun arkeologjik të Prizrenit. Kroi së bashkuë me xhaminë, sot paraqesin vlerat më të mëdha historike, kulturore, religjioze në vend.

KROJET TOPOKLI – 6 KROJET

6 Krojet janë ndër objektet kulturore më me rëndësi në Prizren. Këto kroje gjinden në hyrje të lagjes së Marashit, përballë shtëpisë së Ymer QysesëGjithësej ka gjashtë cepa të punuar në bronz, dhe një vaskë prej guri. Nuk dihet saktësisht, se kur është ndërtuar, por mendohet që egziston para ardhjes së Perandorisë Osmane në trojet tona. Këto kroje vizitohen nga shumë njerëz, madje edhe uji që rrjedhë aty, ëshë shumë shërues. Qytetarë të asaj lagje thonë s uji i 6 krojeve shëron shumë sëmundje: dhimbjet e koës, sëmundjet reumatologjike etj. Në vitin 1994, janë restauruar këtokroje, duke e kthyer këtë pjesë të vendit në një vend mahnitës për shumë vizitoë

KROI I ESMA HANËMIT

Në bazë të dhënave historike dhe gojëdhënave të ndryshme, tregohet se Esma Hanëm ishte donatore kryesore e këtij kroi, dhe si i tillë e mori edhe emrin e saj. Kroi i Esma Hasëmit, u ndërtua në gjysëmn e shekullit të XIX. Vend-ndodhja e këtij kroi ishte në shehshin Çlirimi i Popullit. Mirëpo, me qëllim të punimeve infrstrukturore, është zhvendosur në oborrin e Muzeut Arkeologjik të Prizrenit, në vitin 1975. Për periudhën e ndërtimit nuk ka të dhëna të saktë. Deri në vitin1975 (viti kur u largua prej vendit  paraprak), ky krua ka shërbyer për nevoja të qytetarëve dhe nevoja higjienik. Ndërsa, sot është një Kura dhe një eksponant shuëm i rëndësishëm për kulturën e Prizrenit. Është i punuar me gurë gëlqerorq të gdhendur me madhësi të ndryshme. Kurse pllanimetria e tij është katrore që përfundon me një kurorë të profiluar thjeshtë, mbi të cilin është mbulesa (turbani) e punuar prej dy pjesëve në formë piramidale të punuar me gurë të gdhendur të profiluar. Në maje të kulmit është vendosur një gjyle metalike. Pjesa e ballores është gdhendur në formë të një kornize të profiluar brenda së cilët gjendet nisha, ku duhet të kishte qenë e vendosur pllaka e mbishkrimit. Vaska është një pjesëshe prej guri gëlqeror. Gjatë kohës së zhvendosjes së kroit në vendin actual,  është ndryshuar lartësia e saj origjinale dhe në vend të tri hapjeve për depërtim të ujit është bërë vetëm një.

KROI I BIMBASHIT

Zona historike e Prizrenit, është pjesa më e bukur dhe më e ndjeshme e qytetit. Në të zënë vend një numër i madh i objekteve kulturore dhe fetare. Përmes këtyre objekteve, tregojet dhe njëherë që Prizreni është qytet multikulturor. Në mesin  e objekteve kulturore është edhe Kroi i Bimbashit. Kroi i Bimbashit, gjindet në pjesën perëndimore të zonës historike të Prizrenit, gjegjësisht mes xhamisë së Iljaz Kukës dhe ish ndërtesës Beledye. Ky krua u ndërtua nga një officer i lartë shqiptar, që ishte pjesë e Perandorië Osmane. Të dhënat historike na tregojnë që  na paraqiten përmes një mbishkrimi nq gjuhën e vjetër Osmane, tregojnë për një donacion që e ka bërë një officer i lartë ushtarak me emër Bimbash, në vitin 1902. Dhe në bazë të këtij kontributi të dhënë, quhet KROI I BIMBASHIT. Si të  gjitha krojet që janë publike, edhe ky krua ka të njëjtin epitet. Poashtu, edhe ky shërben për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve për ujë të pijshëm dhe higjienë mentale. Kroi i Bimbashit, është punuar me gurë gëlqerorë të gdhendur në formë drejtkëndëshi. Planimetria e tij është katrore që përfundon me një kurorë të profiluar thjeshtë, mbi të cilin është mbulesa (turbani) e përbërë prej tri pjesëve në formë piramidale, të punuar me gurë të gdhendur të profiluar. Pjesa e ballores e këtij kroi është gdhendur në formë të një kornize të profiluar brenda të cilit gjenden dy nisha. E para ka formë të hapjes me hark të thepisur dhe shërben për vendosjen e sapunit, kurse e dyta ka formë drejtkëndëshe ku ka qenë i vendosur mbishkrimi. Mbishkrimi është larguar nga kroi gjatë viteve ’70 dhe tani gjendet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të ambientit përreth. Gjatë restaurimit të kroit në vitin 2014 janë gjetur gypat prej qeramike origjinale prej nga ka rrjedhë uji nga përrenjtë që degëzoheshin nga lumi Lumbardhi. Ky krua është i vendosur në veri të Xhamisë “Iljaz Kuka”. Ndërsa në trotuar, ku bëhet kryqëzimi i dy rrugëve, rruga: “Shuaip Spahiu” dhe rruga “Iljaz Kuka”. Kroi i Bimbashit takon tipit të krojeve të mbështetura të cilat janë ndërtuar pranë ndërtesave të vendosura në kënd të rrugëve. Planimetria është pothuajse katrore me dimensione 98 x 90 cm. Të gjitha karakteristikat e krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XIX i përmbajnë këto elemente: trupin me bazë katrore të punuar nga gurë të gdhendur gëlqerorë, kurorën me përfundim (turban) në pjesën e epërme në formë piramidale, të ndarë në tri breza horizontale, vendi ku ka qenë i vendosur mbishkrimi, nisha për vendosjen e sapunit, rubineti prej nga rrjedh uji dhe vaska me planimetri katrore nga guri i mermerit të bardhë.

PASHA ÇEZMA

Pasha Çeshmja është një krua që gjindet në një kodër afër Kalasë së Prizrenit. Ky krua (çezmë), ka qenë pjesë e burgut në periudhën e Perandorisë Osmane. Poashtu, mendohet se çezma në fjalë ishte burgu për eprorë dhe jeniçerë, që dënoheshin me ferman Nga Perandoria Otomane. Në vendin tonë kjo njihet edhe si Çezma e Pashës. Për këtë çezme ka gojëdhëna dhe të ndyshme si: Ndihmon në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të ndryshme, mendime të ndryshme!  Në atë kohë, mendohet se Uji Pasha Çeshmes, ishte nxitës për dashuri, dhe shumë nga të burgosurit e pinin atë, dhe binin në dashuri. Një gojëdhënë tjetër shpjegon se ujit i këtij kroi lidhej ngushtë edhe me kultin e zjarrit e kjo kishte të bënte me ripërtëritjen e natyrës dhe bimësisë  Një tjetër gojëdhënë mbi Çezmen e Pashës, ishte edhe Lisi i Pashës. Sipas pleqërisë në atë kohë, rridhte ujë porsi qumësht, që shërbente për shërimin e fëmijëve që kishin problem në të pamur, Gratë që nuk lindnin (U ndihmonte që të bëheshin Nënë), mbylljen e plagëve të ndryshme etj. etj. Karakteristikë e këtij Kroi të Pashës, sipas banorëve të Prizrenit, shërben për shërimin e sëmundjes “IBRET”. Të gjitha familjet për të patur suksese në jetën e tyre, familje dhe shoqëri, merrnin enët e tyre me vete për të mbushur ujë në këtë krua. Shumë njerëz në Prizren (Pleqë dhe të rinjë), këtë krua e konsidrojnë të Shenjtë – si dhuratë nga Zoti. Vlen të përmendet se Pasha Çeshme ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në kohën kur është ndërtuar Kalaja e Prizrenit dhe Kalaja e Cucave, dhe si e tillë ka shëbryer me pozitivitet.  Një histori për këtë krua tregohet kështu: Një udhëheqës i lartë turk (Në Perandorinë Osmane), ishte dënuar me burg.  Pasi e kishte përfunduar burgun, ishte liruar dhe dërguar në Turqi, në një detyrë të re. , Por udhëheqësi pas 3 muajsh, kishte dëshirë që të pinte përsëri në këtë krua. Më vonë ai mori Fermanin (Urdhërin), që nuk mund të vizitonte edhe njëherë Prizrenin, ai (udhëheqësi) vrau veten. Pas përfunfimit të Luftës së Dytë botërore, në Pasha Çezmë ka patur një vend-banim. Kryesisht banorët ishin nga Luma e Shqipërisë, për shkak të kulltoavë dhe uji i shëndetshëm që ishte.

KROI I QORR AGËS

I ndërtuar në zonën historike të Prizrenit, KROI I QORR AGËS gjindet në kuadër të xhamisë së Haxhi Ramadanit – në lagjen JENI MËHALLA 9LAGJA E RE). I ndërtuar afër xhamisë dhe me një mur të rrethues të xhamisë, në popull njihet si Kroi i Qorr Agës. Bazuar në analogjinë e krojeve publike në Prizren, forma, material dhe teknikat e ndërtimit na tregojnë se ky Krua u ndërtua në fund të vitit të XIX. Nga koha e ndërtimit, e deri në ditët e sotme, KROI I QORR AGËS, shërben si krua i lagjes, për furnizimin me ujë të banorëve të kësaj lagje, dhe për nevojat e mirëmbajtjes së higjienës për besimtarët që shfrytëzojnë xhaminë. Planimetria e Kroit është drejtëkëndëshe që përfundon me një kurorë të profiluar thjeshtë, në formë piramidale dhe të punuar me gurë të gdhendur dhe me gurq gëlqerorë. Në pjesën ballore ka një përpunim-gdhendje të cektë në formë kornize me harqe të shkallëzuara, të profiluara, me gjerësi rreth 7.5 cm. Në mes të kësaj balline gjendet nisha për vendosjen e sapunit, derisa mbishkrimi nuk ekziston dhe nuk kemi informatë se a ka ekzistuar ndonjëherë. Që nga fillimi i ndërtimit, KROI I QORR AGËS është aty, dmth nuk iu është lëvizur vendi asnjëherë. Poashtu, Kroi ka përfunduar me një kurorë të punuar me katër rende tullash prej argjilës së pjekur dhe me një rend gurësh shpuzë, dhe në fund është vendosur një rend tjegulla të luguara. Gjatë një studimi që është bërë para disa viteve, është vërtetiar se kurora që ka tani kroi, nuk është origjinale. Në restaurimet e bëra në vitim 2014, është vërtetuar që kurora origjinale është ndërtuar në shekullin e XIX. Kjo kurorë përbëhej prej 3 pjesëve, pa ndonjë trajtim dekorativ. Por me kalimin e kohës, kurora është tjetërsuar. Vitet e fundit janë rindërtuar pjesët e deëmtuara të këtij kroi. Sikur të gjitha korjet tjera edhe ky është monument culture dhe i përdorueshëm për nevojat e të gjithë qytetarëve.

PRIZREN, SHTATOR 2020

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ARGJIRA (ARI) UKIMERI, Krojet e Prizrenit

U-21- KUQEZINJTË FITOJNË NË FRYMËN E FUNDIT

September 9, 2020 by dgreca

Eleminatoret e Kampionatit Europian-Shpresa të bën me zemër. Kuqezinjtë fitore në frymën e fundit. –

Përgatiti:Alban KOLONJARI-*

Ekipi  U-21 fitoi me rezultatin 3-1 përballë modestëve të Andorrës. Në pjesën e parë kuqezinjtë të bëjnë me zemër. Takimi nis me gol për U-21 të Andorrës. Alaez shënon nga pika e bardhë e penalltisë. Gjyqtari i takimit ndërshkoi me faull brenda zonës mbrojtësin Bajrami që pengoi Rosas Ubach. Goli i pësuar goditi psikologjikisht kuqeznjtë. Takimi i parë në Andorrë kishte përfunduar 2-2, dhe pjesa e parë dha përshtypjen që kuqezinjtë do të ishin në një natë të errët. Gjatë 45 minutave të para, kuqezinjtë kërkuan të barazojnë rezultatin me anë të Kallakut, Mucit dhe Tucit por pa rezultat. Në fillimin e pjesës së dytë Shqipëria U-21 është më kërkuese dhe shfaq më shumë karakter. Goli i barazimit vjen nga mbrojtësi lacian Selmani në të 62-tën minutë. Kallaku kroson nga këndi dhe gjiganti kuqezi shënon me kokë. 1-1. Interesent është fakti që portieri Gentian Selmani dhe mbrojtësi Adolf Selmani janë vëllezër. Në të 85-tën minutë “juventini” Vrioni pas një asistit të Ismajlgecit, godet saktë me kokë duke shënuar golin e dytë 2-1. Goli i përmbysjes i jep frymarje kuqezinjëve. Në të katërtën minutë shtesë, pas një gjuajtje perlë të Kallakut, topi ndalet nga shtylla, Bullari qe ndjek aksionin shënon me portën e boshatisur 3-1. Me këtë fitore Shqipëria U-21 ngjitet në vendin e tretë me 11 pikë. Ne takimin tjetër të grupit tonë Anglia U-21 fitoi 2-1 me Austrinë U-21 me rezultatin 2-1. Pas takimit tranjeri i U-21 Alban Bushi u shpreh se nuk ishte i kënaqur nga niveli i gjykimit në këtë ndeshje:”Që kur jam bërë trajner gjithmonë mendoja se për gjyqtarët nuk do të thosha asgjë. Kam kaq vite në futbollin e luajtur por edhe tani që drejtoj, dhe si ky gjyqtar nuk kam parë kurrë. Ai ka ardhur me qëllim këtu, nuk di çfarë emri ti vë. Për mua ai merr notën  0″. Pas një ndeshje të shkëlqyer me Austrinë, ku kuqezinjtë fituan 5-1, në takimin me Andorrën, Shqipëria fitoi në frymën e fundit dhe me shumë vështërsi.  Për këtë tranjeri Bushi shprehet:“Nuk ka kundërshtarë të vegjël. Andorra luan e organizuar mirë në mbrojtje. Janë lojtarë që luajnë në liga të ulëta spanjolle, por mbrohen mirë. Na shënuan të parët dhe e kishim të vështirë, tentuam gjatë gjithë lojës të luanim nga krahët se ata mblidhen në zonë, krijuam raste, bëmë volum. Dua të falënderoj lojtarët se kemi bërë dy ndeshje në katër ditë dhe ndjehej lodhja. Në  këto ndeshje kemi luajtur me 16 lojtarë të rinj. Shumë prej tyre nuk kanë qenë pjesë e ekipi Shpresa. Ata luajtën mirë dhe me disiplinë. dua të vecoj  mbrojtësin Selmani që është i ri. E kam pasur te klubi im dhe mendoja se ishte e vështirë të bëhej futbollist, por me punë arrihet gjithçka. E marr si shembull. Kallaku është lojtar klasi, ka shumë klas, nuk mendoj se Shqipëria ka pasur ndonjëherë lojtar si Kallaku sa i përket cilësisë, teknike dhe inteligjencës. Ai është rritur se ka qenë dobët fizikisht, e ka marrë veten: Kam shpresë që do të bëhet lojtar shumë i mirë, për kombëtaren . Në këtë takim kuqezintë krijuan një volum të madh loje. Ata gjuajtën 15 herë në drejtim të portës kundërshtare. 9-të gjajtje brenda kuadratit, 4 jashtë saj, dhe dy herë ishtë portieri që bllokoi gjuajtjen e futbollistëve tanë. Gjithsesi fakti që pesë lojtarë u ndërshkuan me kartoin e verdhë, flet për faktin që duhet të përgatiten me shumë psikologjikisht dhe sidomos në marëdhënie me gjyqtarin e takimit pavarësisht nga niveli i tij i gjykimit. 

U-21 

Shqipëri-Andorra 3-1

Austri-Angli 1-2

Ndeshja e ardhëshme 

Kosovë-Shqipëri. 12/11/2020

Angli-Shqipëri 16/11/2020

Anglia 15

Austria 12

Shqipëria 11

Turqia 7

Kosova 6

Andorra 4

U-21

Eleminatoret e Kampionatit Europian.

Shpresa të bën me zemër. Kuqezinjtë fitore në frymën e fundit. 

Ekipi  U-21 fitoi me rezultatin 3-1 përballë modestëve të Andorrës. Në pjesën e parë kuqezinjtë të bëjnë me zemër. Takimi nis me gol për U-21 të Andorrës. Alaez shënon nga pika e bardhë e penalltisë. Gjyqtari i takimit ndërshkoi me faull brenda zonës mbrojtësin Bajrami që pengoi Rosas Ubach. Goli i pësuar goditi psikologjikisht kuqeznjtë. Takimi i parë në Andorrë kishte përfunduar 2-2, dhe pjesa e parë dha përshtypjen që kuqezinjtë do të ishin në një natë të errët. Gjatë 45 minutave të para, kuqezinjtë kërkuan të barazojnë rezultatin me anë të Kallakut, Mucit dhe Tucit por pa rezultat. Në fillimin e pjesës së dytë Shqipëria U-21 është më kërkuese dhe shfaq më shumë karakter. Goli i barazimit vjen nga mbrojtësi lacian Selmani në të 62-tën minutë. Kallaku kroson nga këndi dhe gjiganti kuqezi shënon me kokë. 1-1. Interesent është fakti që portieri Gentian Selmani dhe mbrojtësi Adolf Selmani janë vëllezër. Në të 85-tën minutë “juventini” Vrioni pas një asistit të Ismajlgecit, godet saktë me kokë duke shënuar golin e dytë 2-1. Goli i përmbysjes i jep frymarje kuqezinjëve. Në të katërtën minutë shtesë, pas një gjuajtje perlë të Kallakut, topi ndalet nga shtylla, Bullari qe ndjek aksionin shënon me portën e boshatisur 3-1. Me këtë fitore Shqipëria U-21 ngjitet në vendin e tretë me 11 pikë. Ne takimin tjetër të grupit tonë Anglia U-21 fitoi 2-1 me Austrinë U-21 me rezultatin 2-1. Pas takimit tranjeri i U-21 Alban Bushi u shpreh se nuk ishte i kënaqur nga niveli i gjykimit në këtë ndeshje:”Që kur jam bërë trajner gjithmonë mendoja se për gjyqtarët nuk do të thosha asgjë. Kam kaq vite në futbollin e luajtur por edhe tani që drejtoj, dhe si ky gjyqtar nuk kam parë kurrë. Ai ka ardhur me qëllim këtu, nuk di çfarë emri ti vë. Për mua ai merr notën  0″. Pas një ndeshje të shkëlqyer me Austrinë, ku kuqezinjtë fituan 5-1, në takimin me Andorrën, Shqipëria fitoi në frymën e fundit dhe me shumë vështërsi.  Për këtë tranjeri Bushi shprehet:“Nuk ka kundërshtarë të vegjël. Andorra luan e organizuar mirë në mbrojtje. Janë lojtarë që luajnë në liga të ulëta spanjolle, por mbrohen mirë. Na shënuan të parët dhe e kishim të vështirë, tentuam gjatë gjithë lojës të luanim nga krahët se ata mblidhen në zonë, krijuam raste, bëmë volum. Dua të falënderoj lojtarët se kemi bërë dy ndeshje në katër ditë dhe ndjehej lodhja. Në  këto ndeshje kemi luajtur me 16 lojtarë të rinj. Shumë prej tyre nuk kanë qenë pjesë e ekipi Shpresa. Ata luajtën mirë dhe me disiplinë. dua të vecoj  mbrojtësin Selmani që është i ri. E kam pasur te klubi im dhe mendoja se ishte e vështirë të bëhej futbollist, por me punë arrihet gjithçka. E marr si shembull. Kallaku është lojtar klasi, ka shumë klas, nuk mendoj se Shqipëria ka pasur ndonjëherë lojtar si Kallaku sa i përket cilësisë, teknike dhe inteligjencës. Ai është rritur se ka qenë dobët fizikisht, e ka marrë veten: Kam shpresë që do të bëhet lojtar shumë i mirë, për kombëtaren . Në këtë takim kuqezintë krijuan një volum të madh loje. Ata gjuajtën 15 herë në drejtim të portës kundërshtare. 9-të gjajtje brenda kuadratit, 4 jashtë saj, dhe dy herë ishtë portieri që bllokoi gjuajtjen e futbollistëve tanë. Gjithsesi fakti që pesë lojtarë u ndërshkuan me kartoin e verdhë, flet për faktin që duhet të përgatiten me shumë psikologjikisht dhe sidomos në marëdhënie me gjyqtarin e takimit pavarësisht nga niveli i tij i gjykimit. 

U-21 

Shqipëri-Andorra 3-1

Austri-Angli 1-2

Ndeshja e ardhëshme 

Kosovë-Shqipëri. 12/11/2020

Angli-Shqipëri 16/11/2020

Anglia 15

Austria 12

Shqipëria 11

Turqia 7

Kosova 6

Andorra 4

*Me shume fotografi gjeni ne Facebook -Gazeta Dielli

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari, U-21

SËMUNDJA SILIAKE (Coeliac [si-li-ak] DISEASE)

September 9, 2020 by dgreca

Dielli- Rubrika  Mjekësore-

Shkruan: DR. ZEKRI PALUSHI-Gold Coast–Australi–

Asht një sëmundje auto-imune, që shkaktohet në njerëzit sensitivë ndaj GLUTEN-it,-një proteinë që gjendet në GRURË,THEKËR, ELB dhe TËRSHËRË, – e cila damton shtresën e brendshme të ZORRËS së HOLLË, (small bowel/intenstine), -funksioni i së cilës asht thithja apo absorbimi i substancave dhe mineraleve të domosdoshme për vazhdimsinë e jetës, që ne marrim çdo ditë, me ato ç’farë hamë, e ç’farë pimë.

Zorra e hollë, gjendet në mes stomakut dhe zorrës së trashë, asht e gjatë afërsisht 3 deri në 5 metra, dhe ka një diametër rreth 2.5-3 cm, -ajo ndahet në tre pjesë,-duodenum, jejunum, dhe ileum, dhe asht e veshura nga mbrenda me një shtresë indore, -si velvet. 

Fatkeqësisht, kjo sëmundje, -megjithse takohet shpesh, diagnostikohet vonë, -bile nganjëherë edhe shumë vonë, sepse të sëmurët, në shumicën e rasteve, mund të ankojnë vetëm për një ANEMI me LODHJE të përgjithshme,pa paraqitje shenjash gastro-intenstinale. 

Shenjat e përgjithshme të kësaj sëmundje: -përmblidhen në triadën klasike,

– Lodhje + humbje në peshë + diarea = sëmundje Siliake.

Ndër shenjat e tjera, ma të shpeshtat janë: 

-Zbehje të ftyrës, ulcerime të shpeshta në gojë, dhe probleme me dhambët, ardhje për t’vjellur apo t’vjella, dhimbje barku, gazra, jashtqitje të holla e të yndyrshme, (steatorrohea), krumje lëkure, dhimbje kyçesh etj. 

Kjo sëmundje mund të shoqërohet edhe me Diabetin e tipit të parë (Insuline-dependent), -Dermatitet herpetiforme, OSTEOPOROSEN, dhe sëmundjet autoimmune të TYROIDES.

Si rezultat i ndryshimeve të ndodhura në zorrën e hollë, -keqësohet shumë procesi i thithjes (absorbimit) të substancave ushqyese, mineraleve, dhe vitaminave të shkrijshme në yndyrna (fat-soluble vitamins),- A, D, E dhe K.

Si pasojë e Keq-thithjes (malabsorbimi-t) të karbohydrateve dhe yndyrnave, vijnë humbjet në peshë, lodhje apo mungesë energjish. 

Keq-thithja e HEKURIT, shkakton Aneminë defiçitare të hekurit, -ndërsa keq-thithja e vitaminës B12, dhe Acidit FOLIK, mund të japin aneminë MEGALOBLASTIKE.

Keq-thithja e KALCIUMIT dhe vit D, mund të shkaktojnë OSTEOPENINE (paksim t’ përmbajtjes minerale të kockave), apo OSTEOPOROSEN, (dobësimin e kockave dhe rrezikun e thymjes së tyre).

Keq-thithja e SELENIUM-it, shkakton probleme të rritjes dhe ri-prodhimit, dobësi muskulare, depresion, konfusion dhe ankth.  

DIAGNOSTIKIMI i ksaj semundje,bazohet në triadën e saj klasike(lodhje, humbje në peshë dhe bark/diare),si dhe në testimin serologjik të gjakut ku kërkohen: 

IgA antigliadin antibodies, IgAantiendomysial antibodies (>90% sensitivity dhe specificity, IgA transglutaminase antibodies (>90% sensitivity dhe specificity).

Për të përjashtue diagnozën, mund të përdoret edhe testimi gjenetik, -ku kërkohen Antigenet Leukocitare humane (Human Leucocyte Antigens, – HLA-DQ2 dhe HLA-DQ8).

Por, KONFIRMIMI i diagnozës bahet vetëm nëpërmjët BIOPSISE së Zorrve t’holla (zorrës së vogël), që merret nga një specialist gastroenterologjist, gjatë një procedure GASTROSCOPIKE, që zgjat rreth 10 minuta, -ku pacjentit i jepet një anestezi e lehtë seduese. Pastaj këto grimca shumë të vogla t’mukozës së zorrës, dërgohen në laboratorin histo-pathologjik, ku shifen me mikroskop nga një specialist pathollog, që shef për shenja damtimi të quajtura ATROFI VILOZE (villous atrophy).

Menaxhimi i kësaj sëmundjeje: 

Sëmundja siliake nuk shërohet kurrë, -sepse sensitiviteti ndaj glutenit asht i përjetshëm,-megjithatë, me një dietë STRIKTE,-pa GLUTEN, kjo sëmundje mund të kontrollohet shumë mirë.

Pra, t’mos harrojmë SHMANGJEN me çdo kusht të ushqimeve me përmbajtje GLUTENI,-siç janë GRURI, THEKRI, ËLBI dhe TERSHËRA.

Ushqimet ma t’njohura me permbajtje GLUTEN-i, -jane mielli, buka e zakonshme, makaronat, biskotat, disa pregatitje ushqimesh qe bahen me tershanë, si porrigji(oatmeals),kek t’pregatituna me tërshanë, si dhe disa ushqime që kanë përmbajtje të fshehur gluten-i. Siç shifet, -për t’ju shmangë GLUTENIT, të sëmurët duhet t’përvehtësojnë njohuritë e duhura për të lexuar e interperuar përmbajtjen e ushqimeve që shkruhen në etiketat që i shoqërojnë (food lables), p.sh.: ju duhet të lexoni përmbajtjen e pijeve alkoholike,-cilat janë ato që s’përmbajnë GLUTEN. Dihet se të gjitha birrat e zakonshme përmbajnë gluten.

Në t’sëmurët siliak,-doktorri duhet të kontrollojë nivelin e vitaminave në gjak, si dhe mineraleve, për t’ju shmangë mangësive VITAMINIKE, dhe parandalue OSTEOPOROZËN.

Po kshtu, doktorri juaj  duhet t’ju japë një VAKSINË-Pneumokokale,-kundra PNEUMONIVE.

Përfundoj duke ju kujtuar edhe një herë se kjo sëmundje asht shumë e shpeshtë, me pasoja të shumta, -por që DIAGNOSTIKOHET RRALLË.

Dr. Zekri Palushi, -Gold Coast, Australi

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Zekri Palushi, SËMUNDJA SILIAKE (Coeliac [si-li-ak] DISEASE)

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT