• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

UNË DHE POETI FERDINAND LAHOLLI

September 25, 2020 by dgreca

SHKRUAN: BAJAME HOXHA-ÇELIKU- Duke shfletuar korrespondencën e vjetër elektronike, papritur më sheh syri një shkrim të lënë përgjysmë shumë vite më parë. Ky shkrim do të kishte me të vërtetë vlerë të shkruhej pikërisht në kohën e duhur, por nuk thonë kot: Më mirë vonë se kurrë. Siç dihet, ne nuk kishim të drejtën e botimeve as në gazetë. Prandaj, kjo ngjarje shtyu ditët dhe u bënë gati tri dekada, duke ndenjur kaq gjatë në kujtesën time, dhe më vonë fjeti në ordinatorin tim. Jo, s’e kisha harruar kurrë si ngjarje të dhimbshme dhe triumfuese njëherësh. Veç kësaj, në një nga romanet e mi e kam përfshirë si ngjarje historike, por jo që dhe unë isha një nga personazhet e saj.

* * *

            Ambasadat ishin mbushur dhe njerëzit rrinin të mbyllur që prej një muaji brenda oborreve të tyre dhe prisnin të lodhur, të rraskapitur nga vapa e korrikut dhe nga mungesa e higjienës se çdo të bëhej më tutje me jetët e tyre. A do të triumfonte më së fundi liria e kërkuar? Shpresa ishte e madhe. Dyert dhe oborret me kangjella të larta, si dhe njerëzit e mbyllur brenda, të jepnin një figurë trishtimi në pamje të parë, pavarësisht se çfarë funksioni pozitiv do të kryenin ato.

Ishin ditë të vështira të një revolucioni,që do të linte pas një sistem diktatorial, i cili kishte sunduar për 45 vjet me poshtërsitë dhe bëmat nga më monstruozet.

Unë po kaloja përballë ambasadës gjermane në trotuarin tjetër, për të shkuar te ajo francezja, që të merrja një vizë për në Belgjikë. Një dajë i mamasë sime më kishte dërguar rastësisht, pak kohë më parë, një garanci dhe unë po e shfrytëzoja me rastin e ligjit që kishte dalë. Isha duke ecur me vajzën për dore, kur një zë i njohur, që vinte nga ambasada Gjermane, më bëri të dridhem. U ndala në vend. Për një copë herë mora frymë thellë. Shikova një herë rrotull se mos kisha pranë ndonjë polic, po rruga e ambasadave në atë mesditë tepër të nxehtë, ishte e boshatisur, vetëm në hyrje na kontrolluan.

Zërin që më thirri, e njoha menjëherë. Kapërceva rrugën dhe me kujdes vajta pas kangjellave. Midis turmës pashë Nandin, Ferdinand Lahollin. Pasi u përshëndetëm, duke shtrënguar duart përmes kangjellave, me lot në sy, më tha:

          – Futuni, Bajame! Ç’pret? 

Në çast dhimbja me lotin m’u përzien tok. Lëshova një vështrim të vëmendshëm mbi Nandin, që e kisha si vëlla të vogël, dhe situatën e krijuar e kalova nëpër mend. Dhe po me atë dhimbje, lëshova njërën dorë të Ferdinandit dhe shtrëngova fort dorën e vajzës sime 10-vjeçare, që e kisha me vete.

         – S’mundem,- i thashë duke tundur kokën në shenjë mospranimi dhe hodha sytë mbi vajzën, që kisha për dore, si për t’i thënë: “Nandi, kam vetëm këtë vajzë me vete, vetëm Aurorën, po të tjerët, ku t’i lë? Ku të lë Klajdin dhe Anën e vogël? Ku të lë Ganiun tim, njeriun e dashur, njeriun e sakrificave të mëdha? Njeriun, me të cilin kam kapërcyer me qindra e qindra hendeqe e rrugë të vështira internimesh, duke u paraqitur tre herë në ditë në apel? Njeriun e ndershëm, që lindi në internim, që ndau me mua jetën, dhimbjen, besimin e hidhërimin, dhe një jetë të tërë mbartëm së bashku mbi supet tona jetën e hidhur, dhimbjen, mallkimin e kohës së keqe, që jetuam nën terrorin komunist, nën atë sistem të kalbur, ku gjithçka na mohuan, gjithçka na e morën: fëmijërinë, rininë, shkollat, përveçse të quajtur njeri s’na i mohuan dot.

          Me gjithë atë urrejtje të madhe që kisha brenda vetes për sistemin, që akoma ekzistonte e që ishte në fuqi, u bëra e fortë, e egër si gjithnjë përballë së keqes. Dhe ashtu si trime, vendosa të kthehem te njeriu im fisnik, tek fëmijët e mi të bukur e të mrekullueshëm!

E dija dhe e kisha ditur gjithnjë se dashuria kërkon sakrifica të mëdha. Dhe ja, momenti erdhi për të menduar mirë mbi ato 67 vite internim-dëbimi, që rëndonin mbi supet e mia dhe të tim shoqi: që nga lindja e tij dhe që nga fëmijëria ime, kur mora rrugët e një internimi të gjatë. Tani karakteri im ishte përballë një prove të vështirë: lirinë apo dashurinë? Është e qartë, kur bëhet fjalë për lirinë e kombit, njeriu i mençur lë pas dashurinë personale, e sakrifikon atë dhe zgjedh lirinë e një populli të tërë; kurse në rastin tim, ishte krejt ndryshe…

Isha zhytur e tëra në ato mendime, kujtime e probleme të hidhura, që më godisnin në tru pa pushim, kur zëri i Nandit më shkëputi fillin e mendimeve, të kujtimeve aq të egra dhe u drodha përsëri:

          – Mirë, mirë, ke të drejtë, familja të meriton dhe ka nevojë të domosdoshme të të ketë ty pranë. Ti je një mama e mirë dhe një grua besnike. Fatkeqësisht, je e destinuar të kthehesh, Bajame! Duhet të shkosh prapë me guximin tënd në kampin e Savrës, në skëterrën e tmerreve.

Edhe ne familjarisht ditë më parë e kishim provuar të kapnim hapjen e ambasadave, por kur arritëm ne, dyert qëndronin të mbyllura e policia ishte bërë gardh. Për këtë, me sa më kujtohet, nuk i fola Ferdinandit, ishte e kotë.

Kur ngrita sytë, pashë Nandin që po hiqte orën e dorës dhe, duke zgjatur dorën drejt meje, më tha:

          -Jepja nënës sime!

Midis të dyve s’pati më dialog, por sy të mbushur me lot e ngashërim. Duke i shtrënguar njëri-tjetrit duart e vrara nga puna e vështirë, i urova me gjithë shpirt jetëgjatësi dhe fat kudo që t’i shkelte këmba. Gjithsesi, ai ishte në kohën e duhur për të prekur lirinë e kërkuar, Perëndimin, Gjermaninë dhe, pse jo, gjithë botën e përparuar.

Prej aty u drejtova te ambasada franceze, e cila mbulonte edhe Belgjikën. Aty ishte ndryshe: brenda telave te rrëzuar pashë me dhjetëra persona: gra, burra, fëmijë, që rrinin shtrirë në heshtje e disa ulur dhe në këmbë. Nuk ishin në rrethim me kangjella të larta, ishin të lirë.

Një i ri, nga brenda telave të rrëzuar, më tha:

Zonjë, kalojeni telin!- Dhe pa pritur përgjigjen time, shtoi: – Futuni, nuk ju pengon njeri! Jemi ne, vetëm ne!

          – Jo,- i thashë, – kam një garanci dhe dua të marr vizë për në Belgjikë.

          – Po ti qenke si ne, futu, ç’pret?! Gjersa ke njerëz jashtë shtetit, patjetër që do të jesh persekutuar rëndë…

          – Hyni! Do të pendoheni, – thirri një bukuroshe, që po afrohej dhe më zuri për dore, duke më tërhequr brenda.- Do të shkojmë të gjithë në Francë! Në Francën e demokracisë së madhe, do të jemi të lirë!

E dëgjoja këtë vajzë të bukur e çapkëne, që më bënte thirrje me zemër në dorë, po ishte e pamundur, nuk e bëja dot!

Jo vetëm ajo, po dhe disa të tjerë nga turma ngulën këmbë që të na shpëtonin dhe ne nga kthetrat e diktaturës, por ishte e pamundur. Sakaq, kishim arritur te shkallët dhe polici na lejoi të futemi në korridor, pasi kishim garancinë. Ambasada nuk më dha vizë dhe as që më priti njeri. Punimet ishin pezulluar, që nga çasti i dyndjes së qytetarëve drejt tyre. Në gjithë atë vapë, iu drejtova ambasadës Hungareze, e cila pa ngurrim më dha vizën.

          Pasdite mora trenin për në Lushnjë. Gjithë rrugës fytyra e Nandit, e vajzës që më bëri thirrje dhe e shumë të tjerëve më kishin mbetur në mendje.

“Kanë të drejtë, kanë të drejtë të kërkojnë një atdhe të dytë, -thosha me zë të ulët. -Shqipëria s’na do! S’na do! S’na deshi për 45 vjet, na përdori për skllevër!

Po ne? Pse qëndrojmë akoma? Mirë bëjnë që po ikin…liria nuk blihet! Ajo fitohet! Fitohet! Dhe ata tashmë me guximin e tyre e kanë fituar!

Ferdinandi është në kohë, është akoma beqar dhe shpejt ka për ta riparuar jetën e tij të re.

          Treni ecte me ngadalë e unë përshkoja fushat e thara e të shkretuara nga thatësira e verës. Ato fusha e kodra, që unë me Nandin i kishim punuar vite e vite të tëra me punë të detyruar, tani qëndronin pothuajse të braktisura.

          Në mes të atij kallaballëku, truri im u kthye përsëri te poeti i vogël, kështu e quaja Nandin, pasi ishte poeti më i ri, më i vogli me moshë ndër ne, por me një talent të madh.

Në kampin e tmerrshëm, brenda në një qerre, kishte lindur dhe po rritej një poet i madh! Ai nuk kishte të drejtë të botonte poezitë e shkruara në copëza letrash të zhubrosura nëpër xhepat e kominosheve të tij, të baltosura gjatë punës së detyruar me orar të zgjatur deri në gjashtëmbëdhjetë orë. E ç’t’i kujtoja më parë Ferdinandit? Ç’t’i kujtoja vetes? Tubin e çelikut apo 100-hektarëshin, duke hapur kanale? Apo… apo…Mynxyrë në të katër anët, sidomos brenda kampit, po edhe jashtë tij. 

          Do të shkoja të takoja nënën e tij, e cila,kur e internuan, ishte nënë e re me katër fëmijë të vegjël: Hyrka, Luani, Ahmeti dhe me Ferdinandin në bark. O Zot! U rritëm së bashku mes atyre vuajtjeve të tmerrshme, u vëllazëruam aq shumë, sa na dukej se të gjithë ishim një familje e vetme.

Njerëzit në tren flisnin pa pushim për viktimat e fundit të sistemit komunist, për grahmat e fundit të tij. Kurse disa të tjerë flisnin e shfrenin me vete. Kavajasit bënin thirrje për një kryengritje të madhe, por kërkonin ndihmën e lushnjarëve.

Kështu, me mendime të tmerrshme e me kokën çorbë, që më ziente nga turbullirat, zbrita në Lushnjë. Po kthehesha me ndërgjegje në ferrin e vërtetë, te e keqja e madhe.

          Rrugën e heshtur për në kampin e Savrës e bëmë në këmbë. Diku e diku dukej ndonjë makinë që kalonte kokë ulur, ndërsa këmbë të riu nuk shikoje më gjëkundi. Ishte shkretuar vendi. Kishte ikur lulja e kombit! Fatkeqësia kishte nisur mbi dhimbje e rënkime të mëdha e, sidomos, të nënave. Të gjithë qenë nisur drejt lirisë së ëndërruar dhe, të ngujuar atje, te ato ambasadat shpresë mëdha, prisnin minutën e nisjes. E lanë atdheun jetim! Ia kthyen shpinën të ngratët, të varfrit, liridashësit, bijtë e bijat e atyre nënave, që qanin nën zë e të tjera nëna i dëgjoje që ulërinin rrugëve. Kur arritëm te ura e bardhë, kufi ky, ku s’kishin të drejtë ta kalonin njerëzit e internuar me apel, gjëja e parë, që vendosa të bëja, ishte të çoja amanetin në vend. Të shkoja sa më shpejt tek e ëma e Nandit për t’i dhënë amanetin, që më kishte lënë i biri. Dhe për t’i treguar se i biri ishte mirë e për të më besuar, unë i kisha prurë provën: orën e dorës së tij.

          Ku kishte gëzim më të madh për një nënë! Aty pashë sytë e saj të shkëlqenin nga gëzimi, nga një gëzim që rrallë herë e takon njeriu në jetë. Pastaj përnjëherë shpërtheu në vaj, duke numëruar hallet dhe vuajtjet e saja të gjata, rrugëve të internimeve, ku e vetme kishte rritur fëmijët si një burrëreshë e fortë. Qava dhe unë bashkë me atë nënë, që kërkonte lirinë e djalit të saj me çdo çmim: edhe larg shpirtit të saj prej nëne, edhe larg syve të saj që ndoshta do të lotonin përjetë. Edhe larg atdheut, se fundi-fundit, s’ishte Shqipëria ajo që nuk na deshi, por një sistem i kalbur në qelizë, që s’ka për t’u përsëritur kurrë më.

          Që nga ajo ditë s’jam takuar më me Nandin. O Zot! Kushedi sa ka ndryshuar! Kushedi sa kam ndryshuar! Kanë kaluar gati 30 vjet! Sigurisht, që ne s’do ta njohim njëri-tjetrin, dhe sikur të jemi ballë përballë një ditë.

Nuk jemi shumë larg, por dhe afër nuk jemi, ndryshe do të ishim takuar ndonjëherë. Të paktën në ndonjë takim letrar të ishim takuar, por dhe kjo mundësi nuk u krijua kurrë. Pata fatin vetëm një herë të jem në Berlin, ku mora pjesë me arsimin shqiptar të diasporës dhe ansamblin popullor që funksionon në Belgjikë. Atë natë pyeta kolegët e mi me banim në Gjermani, nëse ishte dhe Ferdinandi mes tyre, por më thanë, se ai banonte shumë larg që aty dhe s’kishte marrë pjesë.

* * *

          Unë dhe vajza u nisëm për Hungari më 5 gusht të atij viti, ditë kjo kur u nisën dhe shqiptarët, që ishin ngujuar në ambasada.

Atë mëngjes vere në aeroportin e Budapestit kishin dalë të na prisnin nga Brukseli dy djemtë e dajës së nderuar Rexhep Beça, që ndjesë i pastë shpirti aty në parajsë, Abedini dhe Muhamet Baça dhe vajza 10 vjeçe e Abedinit, Aishe. Nuk ishte vështirë për t’u njohur. Gjaku të thërret vetë në drejtim të tij. Sa dolëm nga aeroporti, i thashë Aurorës, vajzës sime:

          – Ja, ata atje janë… Dhe vërtetë nuk kisha gabuar.

Njohja erdhi instinktivisht e lehtë, e thjeshtë dhe shumë e bukur. Qe një takim i përmallshëm, i dhimbshëm e i paharruar për zemrat tona, që ishin të plagosura nga poshtërimi i vazhdueshëm i sistemit diktatorial.

U nisëm me një veturë luksoze gjithë shend e verë drejt ish-Çekosllovakisë, Austrisë, Gjermanisë etj. Mrekullia për ne nisi që në Budapest, në nisjen e parë, aty te bukuritë e valëve të Danubit, që ndanin aq mjeshtërisht Budën me Pestin, në atë bukuri madhështore, ku dëgjuam valsin e Danubit. Aty, te Danubi blu, gjithçka ishte një ëndërr për ne, ishte fantastike!

          Çfarë nuk kishin marrë për të ngrënë e për të pirë! Por vajza ime nuk hëngri dhe nuk provoi asgjë nga të gjitha ato të mira, se gjatë udhëtimit e zuri makina. Më kujtohet si tani, me gjithë lutjet tona e të djemve të dajës dhe të moshatares së saj Aishesë, ajo nuk pranoi të pinte dhe as ta provonte koka-kolën, se nuk e njihte.

Udhëtimi qe i mrekullueshëm dhe zgjati trembëdhjetë orë duke përshkuar autostrada të pa imagjinuara. Sa kaluam kufirin me Gjermaninë dhe u futën në atë Belg, m’u duk se u futëm në një botë tjetër, në botën e përrallave më të bukura. Na ra në sy një shkëlqim i paparë, si gjë më e veçantë deri atëherë në jetën time, u ndodhëm si në botën e lodrave të fëmijëve midis dritave të pafund të makinave. Dritat dhe neonet e ndezura, që në metrin e parë, shkëlqenin muzgun e asaj funddite të paharruar. Aty morëm vesh, se Belgjika ishte i vetmi shtet në botë i ndriçuar qind për qind brenda kufijve të saj. Duke vazhduar udhëtimin, pamë se si neonet e kthenin aq bukur këtë vend, në një qilim violë me lule të verdha. Në të ngrysur arritëm në Namur, qyteti kryesor i Valonisë, ku banonte daja me familjen e tij të nderuar.

          Pritja e ngrohtë dhe dashuria e madhe, që na dhuroi kjo familje fisnike për katër muaj, ishin nga më magjiket, nga më dielloret. si për vajzën time, por dhe për mua e tetë refugjatë të tjerë, që i kishte strehuar për humanizëm në shtëpinë e tyre pa asnjë interes.

Përveçse të gjitha falas, daja Rexhep Beça u blinte dhe paketat e duhanit. Vlen për t’u kujtuar me vlerësim e shoqja e Abedinit, kjo nuse e re, e bukur, 33-vjeçare, Remzia, që nuk u lodh për asnjë cast, duke na ndenjur në këmbë, me të gjitha mundësitë e saj e duke i nxjerrë të larë dhe të hekurosur të gjithë ata mysafirë, të ardhur nga skamja e nga rrëmeti. E shoqja e Dajës, një grua kreshnike 64 vjeçe, u kthye edhe një herë në rininë e saj, duke gatuar për aq shumë veta pa u ankuar njëherë. Tre vajzat e Dajës, Nazmia, Helomja dhe Nexhmia, të martuara, po të reja në moshë, dhanë shembullin e tyre prej patriotizmi, duke respektuar e nderuar jo vetëm ne, por të gjithë refugjatët, që ishin te familja e prindërve të tyre.

Unë në Belgjikë qëndrova katër muaj midis çudirave dhe realitetit. E them këtë, sepse në Shqipëri, sidomos nga vija unë, Namuri e Brukseli ishin qytete të përrallave. Ne që nuk kishim një gjerdan në qafë, ne që nuk kishim një unazë martese në gisht, ne që nuk kishim provuar koka-kolën, ne që s’kishim ngrënë mish asnjëherë në dy vjet, si të mos çuditeshim? Ne s’e kishim provuar ç‘ishte liria, respekti për lirinë e njeriut, ne ishim skllevër brenda vendit tonë , kurse Belgjika shkëlqente nga luksi, nga dyqanet e floririt, bizhuteritë, nga bollëku, nga liria e fjalës etj. A s’ishin kontrast i madh nga vinim ne?

Shpesh më takonte të flisja me ngadalë, sikur do të na të dëgjonte njeri, ndërsa djali i dajës, Abedini, më thoshte duke qeshur: -Fol më fort! Mos ki frikë! Nuk je në Shqipëri. Këtu s’ka spiunë të të fusin në burg për fjalën apo pakënaqësinë që shpreh. Je në vendin e demokracive të mëdha, mbesë!

          A s’ishim në botën e çudirave? Në botën e ëndrrave? Në vendin tonë nuk kishte dyqane e magazina me rroba të gatshme, duhej të blije copën, pa ta qepje, pa le më punime floriri. Për këto e të tjera s’bëhej fjalë fare. E ç’t’i kujtoja më parë sistemit faqezi!?

          Gjatë katër muajve që qëndrova, isha në dilemë të vështirë: të rrija apo të mos rrija, kjo ishte çështja! Të kërkoja azil politik apo jo? Këto pyetje vërtiteshin pa pushim në ndërgjegjen time të goditur, që nga mosha 11-vjeçare.

Para se të nisesha, u takova me Prof. Dr. Lazër Radin. U kunsultova me të dhe më mësoi ca gjëra, që unë nuk i kisha shumë të qarta në raste të tilla. Ai më këshilloi të mos kthehesha kurrsesi më në kamp. por, kur të arrija në Bruksel, pas ca ditësh, të shkoja te ambasada Amerikane e të kërkoja aty azilin politik ose dhe në Belgjikë, se komunizmi ka marrë fund,- më tha,- dhe shpejt të vjen familja.

Ti vetëm shiko përpara! Mos ik me kokën pas!

          Për katër muaj unë s’bëra gjumë në sy. Për tërë natën i thurja planet me veten time, kurse ditën i prishja. Dhe më kujtohej, Penelopa që endte pëlhurën gjithë ditën dhe e prishte natën. Dhimbja për fëmijët po më këpuste. Nga ana tjetër, im shoq ishte i izoluar e s’mund të lëvizte pa u kthyer unë. Prita më kot katër muaj se mos dhe ai nxirrte një vizë për të ardhur me fëmijët, por unë gabova. Mua po më ktheheshin netët në torturë, kurse tim shoqi nuk i kishin dhënë pasaportën. -Të të kthehet gruaja me vajzën, pastaj shohim për ty,- kishin thënë.

          Kështu, më 5 dhjetor, sipas kujtesës sime, mora trenin për në Itali dhe, që aty do të merrja tragetin për në Durrës. Në Itali më priti vëllai im, Luan Çeliku, që kishte ikur me ambasadat dhe që kishte fituar azilin politik. Ai mundi të jepte dhe një intervistë të gjatë në italisht, pasi gjuhën e dinte mirë se, profesori ynë i nderuar, Prof. Dr. Lazer Radi, na kishte mësuar jo vetëm sesi të shijonim muzikën italiane, por dhe si të prezantonim veten, kur të kalonim telat për në jetën e lirë. Në atë botë të lirë, aq shumë të ëndërruar, por jo të dëshiruar, se atë botë mund ta kishim ndërtuar dhe në vendin tonë, thjesht, duke mos instaluar komunizmin. Duke shkuar për te trageti, shikonim me një tronditje të thellë pasagjerët, që kishin zbritur dhe po shkëmbeheshim rrugës. Në mes atyre njerëzve të shumtë, të asaj mbrëmjeje të trishtuar, munda të dalloja një miken time, që m’u duk se ishte me vëllain e saj.

          Ishte muzg. Ajo më njohu menjëherë dhe, e çuditur që unë po shkoja nga ajo kishte ikur me vrap, më foli ashpër:

          – Ne po ikim të gjithë nga sytë këmbët, kurse ti, ti po kthehesh! Qëndro! Për ku je nisur kështu?! Po kthehesh përsëri në internim, në Savër, në atë ferr!

E pyeta për shoqen time të ngushtë, Tefta Çapoj, që ishte dhe kushërira e saj, se a kishte dalë dhe ajo, por ajo më tha:

          -Nuk di asgjë! I kemi humbur lidhjet. S’po dimë fare se ku jemi… në këtë kohë të turbull e të nxituar drejt lirisë, si zor do të lidhemi tani për tani! -e mbylli ajo.

E tmerrshme! Brenda meje po zhvillohej një gjyq, një luftë e fortë shpirtërore si asnjëherë tjetër. Isha drejtuar drejt mbytjes…!

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha(Çeliku), Ferdinand Laholli, UNË DHE POETI

EKSKLUZIVISHT FLET NGA PARISI PËR DIELLIN AURORA GJAPI, INXHINIERE E SHËNDETIT DHE SIGURISË NË PUNË

September 25, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË FRANCË DHE PARISI NËN EFEKTIN E COVID-19-


Aurora Gjapi, Inxhiniere e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë në Universitetin Paris Dauphine, Francë, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën e Covid-19 në Francë, ndikimin e pandemisë globale në ekonomi, turizëm dhe shqiptarët në shtetin francez. Me Aurora Gjapin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

Gazetari i Diellit Sokol Paja-

FRANCA PËRBALLË COVID-19

Duke filluar nga fundi i gushtit, numri i rasteve me Covid-19 në Francë vazhdon të rritet. Nga fillimi i epidemisë e deri më tani ka më shumë se 458 061 raste të konfirmuara. Autoritetet janë të shqetësuara nga të dhënat e fundit të bilancit pasi përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 53 vdekje të reja dhe 5616 persona janë në spital, prej të cilëve 919 në reanimacion. Numri total i vdekjeve të shkaktuara nga Covid është më shumë  31 338, prej të cilave 20 778 raste nëpër spitale. Numri i rasteve të konfirmuara është më i lartë për periudhën fund gushti/fillim shtatori sesa fund marsi/fillim prilli. Për tu theksuar është fakti që aktualisht testet realizohen në masë, duke përfshirë kështu jo vetëm personat që shfaqin simptoma të rënda por edhe personat asimptomatik. Në ditët e sotme realizohen më shumë se 1 milion teste çdo javë, kundrejt disa mijërave teste për periudhën e marsit. Virusi është gjithmonë në qarkullim dhe popullsia vazhdon të jetë e rrezikuar. Megjithatë, autoritetet prej më shumë se 6 muaj janë të mobilizuar plotësisht për ti bërë ballë kësaj situate dhe për të mbrojtur vendin nga humbjet ekonomike dhe sociale që po shkakton kjo krizë shëndetësore. 

PASOJAT E COVID-19 NË SHOQËRINË FRANCEZE

Në Francë, ashtu si edhe në shumë shtete të tjera të botës, masat e izolimit drastik hynë në fuqi pa marrë parasysh impaktin negativ që ato mund ti shkatonin shoqërisë në shumë aspekte , si në ekonomi me humbjen ose shkurtimin e vendeve të punës, falimentimin e firmave, ashtu dhe në atë të shendetit mendor me shfaqjen e simptomave të ndryshme përfshirë këtu stresin, lodhjen emocionale, pagjumësinë, depresionin… gjithashtu edhe në rritjen e dhunës, divorceve dhe  shtimin e numrit të vetvrasjeve.

Pavarësisht masave të marra nga qeveria për lehtësimin e situatës si psh këshillime me psikologe me anë të numrave jeshilë, ndihmë ekonomike, etj…një pjesë e madhe e njerëzve u gjenden vetëm dhe pa mbështetje pasi për shkak të izolimit social u shkëputen nga të afërmit dhe miqtë e tyre, gjë që ndikoi në rritjen e numrit të personave depresiv.

Kohëzgjatja e izolimit ishte një faktor më shumë në përkeqësimin e problemeve në familje (30% me shumë raste se në kohën përpara pandemisë).

Duke parë të dhënat aktuale është më se e domosdoshme që masat e distancimit social të vazhdojnë të ndiqen dhe shoqeria duhet të mirëinformohet në mënyrë që impaktet negative të pandemisë të minimizohen. Pavarësisht këtyre masave, duket sikur jeta ka marrë rrjedhën e saj « normale » duke shpresuar që impaktet negative të zbehen sa më shpejt.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË FRANCË 

Në kohë normale, 17 milion turistë të huaj zgjedhin Francën si destinacion për pushimet verore pa përfshirë këtu turistët ditorë që përllogariten rreth 89 milion në vit (shifër e 2019-ës), kundrejt 9 milion francezëve që kalojnë pushimet jashtë territorit francez. Në 2020, 70% e pushuesve francezë kanë zgjedhur vendin e tyre kjo edhe si rezultat i pandemisë. Të dhëna të sakta për numrin e pushuesve të huaj nuk ka por vihet re një rënie e tyre kjo dhe nga politikat e brëndshme të shteteve të ndryshme. Si pasojë e pandemisë, popullsia është e prirur kryesisht për blerje të produkteve elementare. Sektore të ekonomisë si aeronautika, fabrikat e automobilave, shoqëritë organizuese të evenimenteve, hoteleria, moda, …kanë pësuar humbje të mëdha ekonomike, kjo përkthehet me reduktimin e vendeve të punës dhe në disa raste edhe në falementim të firmës.

SHQIPTARËT NË FRANCË

Për situatën e komunitetit shqiptar në Francë mungojnë burime që mund të japin statistika të sakta. Përsa i përket personave me origjinë shqiptare me të cilët jam në kontakt, nuk ka patur asnjë rast të prekur me Covid-19.

PARISI NËN NDIKIMIN E PANDEMISË. ÇPO NDODH NË KRYEQYTETIN FRANCEZ ?

Fatkeqësisht, virusi vazhdon të jetë aktiv por edhe Parisi ka rigjetur aktivitetin dhe gjallërinë që e karakterizon. I vetmi ndryshim është që të gjithë njerëzit duhet të lëvizin me maska. Që në fund të gushtit, maskat janë bërë të detyrueshme në hapësirat publike. Në mënyrë që Parisi të vazhdojë të jetë aktiv është e rëndësishme që njerëzit të respektojnë mbajtjen e maskave dhe distancimin social. Parisi vazhdon të vizitohet nga turistët pavarësisht se numri i turistëve është zvogëluar. Parqet, monumentet historike, muzete, kinematë, baret e restorantet kanë filluar të frekuentohen por sipas vendeve duhen ndjekur protokolle dhe procedura sanitare të veçanta. Si në shumë vende të tjera edhe në Paris, distancimi social sidomos nëpër bare nuk respektohet siç duhet nga të rinjtë. Për momentin është e ndaluar që më shumë se 10 persona të mblidhen në një vend publik, diskotekat janë të mbyllura dhe evenimentet që kanë më shumë se 5000 persona (koncerte, spektakle,…) janë po ashtu të ndaluara.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Shpresoj që diaspora shqiptare në USA të jetë sa më pak e prekur nga kjo pandemi. Fakti që të gjitha shtetet po përjetojnë të njëjtën eksperiencë ndihmon që ne të gjithë së bashku t’ja dalim dhe ta përballojmë këtë situatë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Njeriu ka aftësinë të përshtatet përballë situatave të reja dhe në të gjithë së bashku duhet të triumfojmë mbi këtë virus pa u frikësuar dhe pa përhapur panik. Vazhdoni të kujdeseni për veten dhe të afërmit tuaj, ashtu siç e kanë traditë shqiptarët. 

Filed Under: Featured Tagged With: Aurora Gjapi, Sokol Paja, Universiteti i Parisit

INTELEKTUALËT, DIMENSIONI I MUNGUAR I SUBJEKTËVE POLITIKE

September 24, 2020 by dgreca

Diskursi politik–

INTELEKTUALËT,  DIMENSIONI I MUNGUAR I SUBJEKTËVE  POLITIKE–

Në shoqëritë e ndryshme vazhdimisht kanë ekzistuar persona me dinjitët të cilët janë dalluar nga të tjerët përmes ndershmërisë, guximit qytetar dhe profesionalizmit të dëshmuar. Në një kategori të tillë personash  bëjnë pjesë intelektualët, të cilët kanë krijuar autoritetin e tyre  duke mbrojtur parimet shoqërore e jo duke qenë konformist për interesa personale. Ndonëse një kategori e tillë për nga numri është e vogël, vazhdimisht gëzojnë respektin  shoqëror, duke qenë model  për të tjert, ndërsa përjashtim bëjnë mjediset më mentalitet autokratik apo demokraci të pakonsoliduar. 

Shkruan: Nail  Draga

Me qellim për të mbeshtetur ndryshimin shoqëror të pluralizmit  në vendet e ish kampit socialist në fillim subjektët politike janë  mbeshtetur edhe nga intelektualët, duke mos qenë statist, por e kundërta  duke qenë pjesëmarrës  aktiv, sipas kapacitetit dhe mbeshtetjës në forumet politike.  Por,  më kalimin e kohës prania e tyre ka filluar të zbehët, sepse në subjektët politike në sajë të mos funksionimit të demokracisë së brendshme, autoritarizmit e bajraktarizmit u formuan grupime të ndryshme, të njohura si frakcione, që më vonë pasoj në ndarje duke themeluar parti të reja. Kemi të bëjmë me dukurinë e dekompozimit në  skenën politike e cila është bërë dukuri e kohës kudo në hapësirën etnogjeografike shqiptare, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim.

Sindromi i politikës ndaj intelektualëve

Në sajë të qendrimit  të tyre parimor, dhe në mungesë të respektit të tyre,  intelektual të ndryshëm në heshtje në sajë të edukatës dhe etikës janë tërhequr sepse nuk kanë mundur të pranojnë situatat konfuze dhe grupet e interesave në subjektët politike. Në situatë të tillë nuk ka dilemë së  injorohën  vlerat profesionale, intelektuale dhe autoriteti shoqëror. Madje përvoja e deritashme dëshmon se të tillët subjektëve politike, përkatësisht udhëheqësve të tyre iu janë nevojitur për një kohë të caktuar, deri sa kanë arritur qellimet e tyre. 

Një e dhënë e tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një qendrim utilitar, nga ana e subjektëve politike  përkatësisht  mungesën e respektit, se ka ekzistuar  friga si më parë edhe tash nga autoriteti i tyre profesional dhe shoqëror, sepse të tillët   i kanë trajtuar si konkurent të mundshëm  për stafin udhëheqës së partive  politike. Pra kemi të bëjmë me sindromin ndaj intelektualëve, përkatësisht qendrimin  dhe autoritetin e tyre ndaj rrethanave shoqërore, që bie ndesh me interesat e subjektëve politike në veçanti dhe  pushtetit në përgjithësi.

Zhgënjimi i intelektualëve 

Çdo subjekt politik që ka një strategji të veprimit do të përpiqej që në mesin e tyre  për të pasur përfaqësim intelektual, personalitete më vlera dhe kontribute, që vetëm intelektualët mund ti ofronin. Nga një veprim i tillë do të   përfitonte  subjekti politik  duke pasur vizione dhe alternativa  me të qarta. Por, përvoja e deritashme dëshmon së një numër i konsideruar i intelektualëve janë zhgënjyer, sepse më të arritur objektivat e tyre, subjektët politike në mënyrë përfide  i kanë  mënjanuar ata, nga del se ndaj tyre ekziston një animozitet sepse ata janë parimor dhe të vendosur në qendrimet e parimet e tyre. 

Kemi të bëjmë pikërisht me çështjen e parimeve, që nuk janë të pranueshëm për struktura të ndryshme politike të cilët i kanë devijuar ato, në sajë të  interesave personale apo të klanëve të ndryshme. Një përvojë e tillë është dëshmuar në praktikë pothuaj kudo në kohën e tranzicionit që nuk është në favor të demokracisë dhe vlerave të pluralizmit politik.

Qasje e dyfishtë e subjektëve politike

Por, në sajë të  rrjedhave shoqërore, në pluralizëm jemi dëshmitarë  se subjektët politike kanë qasje të dyfishtë, sepse ndryshe veprojnë sa janë në opozitë e ndryshe kur vijnë në pushtet. Raste të tilla ka mjaft kudo, andaj nuk thuhet kot së pushteti dëshmon  karakterin e personave  në qeverisje. 

Kemi të bëjmë me një situatë të re, sepse me kalimin e kohës   subjektet politike kanë humbur dimensionin intelektual, sepse ka munguar respekti  dhe mbeshtetja e tyre nga subjekti politik në aspektin kadrovik, apo përfaqësues,  për të realizuar objektivat në qeverisje, sepse kanë ardhë në shprehje  interesat personale e klanore e jo ato profesionale  në nivel lokal apo shtetëror. 

Nuk ka si të jetë ndryshe se të tillët  shumë herë janë anashkaluar  për të qenë përfaqësues  madje edhe në këshillat apo komisionet e ndryshme profesionale në nivel lokal apo shtetëror, sepse atyre vendet iu zëjnë të tjerët, të cilët janë afër udhëheqjes partiake, që janë më të pranueshëm, përkatësisht  të degjueshëm. Një veprim i tillë të kujton  kohën e monizmit, madje  duke i tejkaluar në shumë  aspekte, çështje që meriton një qasje të veçantë. 

Veprimet e tilla thënë më së buti  janë aksidentale, sepse intelektualët iu duhën më shumë subjektëve politike, se sa ata atyre, sepse në sajë të kapacitetit të tyre ata  ofrojnë zgjidhje, ide dhe alternativa, që avancojnë çështjet preokupuese në mjedisin përkatës.

Populizmi, militantët dhe matrapazët

Duke marrë parasysh së në shumë subjekte politike aderojnë kategori të ndryshme qytetarësh, duhet theksuar së në fillimet e pluralizmit kemi pasur  të bëjmë me populizmin, dukuri kjo e njohur për vendet më demokraci të pa konsoliduar, ndërsa më vonë kemi pasur një evoluim, që kemi të bëjmë më  kategori të veçantë e ato janë  militantët. Madje këto  vazhdojnë të  jenë ende në modë sepse janë  të zëshëm,  të përshtatshëm dhe praktik andaj  si të tillë janë në pararojë të veprimit politik së bashku më matrapazët, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. 

Në një situatë të tillë nuk ka dilemë së zbehën vlerat intelektuale, profesionale e meritokracia shoqërore sepse në rend të parë janë interesat personale e ato klanore të subjektëve politike. Madje një pjesë e mirë e militantëve janë avancuar sepse  me kalimin e kohës janë pajisur edhe me diploma të fakultetëve të ndryshme, kryesisht ata private, pavarësisht së kanë mungesë të njohurive elementare, por  në sajë të angazhimit dhe “meritave”politike ata punësohen dhe zënë pozita duke dëshmuar së angazhimi politik jep rezultate. 

Politizimi  dukuri me pasoja

Përfundimisht kemi të bëjmë me tranzicionin e tejzgjatur   që veçohet më  krizë politike e morale, ku kuadrat e dëshmuara  me përgatitje shkollore mbesin jashtë procesit të punësimit, përkatësisht të pushtetit, sepse nuk kanë mbeshtetje politike. Raste të tilla ka mjaft kudo në vendet e ish kampit socialist, sepse përkatësia partiake ka më shumë  vlerë së sa diploma universitare, qofshin ata edhe prestigjioze.

Në gamën e gjerë shoqërore, nuk ka dilemë së intelektualët janë në pozitë të pavolitshme, sepse ata më qellim  margjinalizohën, duke mos pasur respektin e duhur, ndërsa e kundërta është me  të vetquajturit intelektual  të cilët me qendrimin tyre  konformist janë të përshtatshëm  për të gjitha pushtetet dhe si të tillë  përmes  subjektëve  politike arrijnë qellimet e tyre personale. Në rrethana të tilla shoqërore, nuk ka dilemë së kemi të bëjmë me politizimin e shoqërisë në tërësi, dukuri e cila ka marrë përmasa shqetësuese duke eliminuar vlerat e dëshmuara, që është fatkeqësi për të tashmën dhe të ardhmën.

( shtator 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dimension i munguar, intelektualet, Nail Draga

MES SHQIPTARËVE TË SHBA-së, DOM ANTON KÇIRA ME NJË INTERVISTË NDRYSHE

September 24, 2020 by dgreca

INTERVISTOI: LEONORA LAÇI-

Kjo intervistë e realizuar me dom Anton Kçirën, vjen pikërisht në kohën, që ai ka kaluar 50 vite të meshtarisë. Fillimisht, po bëjmë një reportazh të aktiviteteve, që janë zhvilluar për 50-vjetorin e meshtarisë.

Kujtojmë lexuesit se për 50-vjetorin e meshtarisë iu bënë festime në Gjakovë/Kosovë dhe Detroit/MI. Aktivitet e pasura u përmbyllen me Akademinë solemne të mbajur po në qytetin e Gjakovës, ku, punimet e referuara u botuan në një libër të plotë. 

Me këtë rast u promovua edhe libri i dytë, me titull: “Dom Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”, me autorë Tomë Mrijajn dhe Klajd Kapinovën, vepër e cila i është përkushtuar atij. Organizatore e këtij aktiviteti ishte Shoqata e Intelektualëve Gjithëpërfshirës. Trojet e Arbërit.

Tema bosht e tubimit kulturor e shkencor ishte: “Dom Anton Kçira Ambasador i shqiptarëve në SHBA”. 

Shoqata Trojet e Arbrit, nën kryesinë e Mrsc. Nue Oroshit dhe këshillit organizator, pa harruar dhe bashkëthemeluesit prof. dr. Muhamet Shatri dhe Sekretarin e Lidhjes sëIII Shqiptare të Prizrenit kontribuesin, studiuesin Tomë Mrijaj i ardhur nga ShBA. 

Sesioni filloi me himnin kombëtar dhe vijoi me poemën kushtuar Kapedanit të Mirditës Mark Gjomarkut, krijuar nga prof. Ernest Koliqi is- Ministër i Kulturës. 

Më pas fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Muhamet Shatri, i cili përshëndeti mysafirët dhe studiuesit. Ai u ndal tek rëndësia e këtij sesioni dhe bëri një apel të hapur, ku ndër të tjera theksoi: “Guxoj të them këtu, përpara jush të nderuar pjesëmarrës, se ato që mohojnë këto figura madhore kombëtare e njerëzore, me vlera që rrezatojnë në mbarë botën, e kanë humbur rrugën e shqiptarisë. Ne, duhet ta kemi të qartë, se pa terësinë e të gjitha feve të popullit tonë, do të zhbëhet edhe shqiptaria. Prandaj, duhet të luftojmë me ngulm, që fara e keqe, sidomos ajo e përskajshmërisë islamike, të mos mbijë dhe të mos lëshojë rrënjë në trojet etnike.”   

Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre perfaqësues të klerit katolik si: Arqipeshkvi i Tivarit Shkëlqësia e Tij mons. Rrok Gjonlleshaj, ish Arqipeshkvi i Tivarit, mons. Zef Gashi, (arqipeshkv në pension), ish ipeshkvi mons. Hilë Kabashi, administrator i kishës katolik në Shqipërinë e Jugut (aktualisht në pension në Gjakovë), studiuesi dom dr. Nikë Ukgjini, famullitar i kishës së dom Ndre Mjeda, Kukel, Bushat, Shkodër etj. 

Patëm nderin të kishim edhe ish ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ku, tha mes tëtjerave: “Më vjen mirë,që i bëhet sesion historiko shkencorë figurës së madhe të klerit katolik në diasporë dhe trojet shqiptare të nderuarit dom Anton Kçirës, në të gjallë të tij, sepse ne kemi nevojë për orientues të shquar si dom Antoni, pasi sesione të tilla, i janë kushtuar figurave madhore si: Shën Nanë Terezës, Ismail Kadares etj. Dhe kjo tregon rendësinë e madhe të tij.” 

Kleriku tjetër i hierarkisë së Kishës Katolike Shqiptare, Shkëlqësia e Tij imzot Hilë Kabashi, ndër të tjeravuri theksin, se: “Harresa, është një armik i madh dhe këto takime janë për tu mos u harruar personi dhe vepra e tij konkrete.”

Ndërsa françeskani pader Nue Kajtazi famullitar i kishës së Gjakovës, tha: “Mirë se keni ardhë në Gjakovë. Gjakova, flet shqip dhe do të flas gjithmonë shqip, ndryshe nga qytete të tjera, që po përziejnë gjuhën, traditat e të tjera, si p.sh. Prizreni. Dom Antonin e njoh shumë mirë. Ai është një figurë e nderuar, që duhet hulumtuar e ne shqiptarët kemi të mirat dhe të këqijat tona, brenda natës të shpallim shenjt, e brenda natës të shpallim djall, brenda natës të shpallim hero, e brenda natës të shpallim armik. Shqiptarët, sot nuk ia dinë vlerën dom Antonit, por në të ardhmen kanë me qenë krenar për te.”

Këto ishin pak nga fjalët e mbajtura të mysafirëve. Pastaj filloi pjesa shkencore, ku pati rreth 20 kumtesa nga studiues të ndryshëm nga mbarë trojet etnike dhe diaspora si; dr. Besim Morina, Eugjen Merlika, Tomë Mrijaj, Pjetër Nikolla, dr. Riza Sadiku, dom Albert Jaku, Fatmir Minguli, Franc Llesh Grishaj, Leonora Laçi, Pal Canaj, Mhill Velaj, Mikel Gojani, Klajd Kapinova, Arben Çokaj, Krist Gjinaj, Lekë Mrijaj, Nue Oroshi, dr. Sali Haxhiu etj.

Referimet e mbajtura sollen mjaft të reja, për veprimtarinë e dom Antonit në Kosovë, por edhe në diasporë, disa nga kumtesat ishin përshtypje nga librat: “Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”, me autor Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova dhe “Dom Anton Kçira sherbestar i Zotit e i Atdheut”, po nga këto bashkautorë.

Dom Antoni ndërtoi jo vetëm një vend kulti në Detroit( ShBA), por Shqipërinë në miniaturë, duke i ndihmuar shqiptarët të mos humbnin traditat e zakonet e tyre për t’ja përcjellë ato dhe fëmijëve. 

Kështu kisha e shën Palit, u bë model për nga rregullat strikte jo vetëm për të respektuar ritet kishtare, por edhe shtëpinë e Zotit. Nga ana e tjetër dom Antoni, minimizoi hakmarrjen mes shqiptarëve emigrantë dhe i ktheu besimtarët shqiptarë më pranë kishës atje. 

Ai krijoi ura lidhese dhe nxiti bashkëjetesën fetare, ku gjithnjë bashkëpunoi pa dallim me klerin shqiptar mysliman, bektashian dhe ortodoks, në dobi të çështjeve të përbashkëta.

Lideri shpirtëror dhe atdhetar dom Anton Kçira, nuk u kursye për shqiptarët e diasporës, dhe pikërisht kjo akademi historiko shkencore pati këtë synim, që të nderoj dhe hedh dritë mbi aktivitetet e shumta kombëtare të tij.

Nga kumtesat e larmishme dhe me profile te ndryshme të lexuar nga referues pa dallim feje, krahine dhe ideje, arrijmë në përfundim, se kisha e shën Palit në Detroit u mishërua me emrin e dom Anton Kçirës. Kisha dhe meshtari i përkushtuar për Fe Atdhe dhe Përparim, ishin të pandashëm në rrugetimin e tyre të përbashkët.

Ajo që duhet theksuar nga ky sesion, është se popullit që ai i ka sherbyer me përkushtim e ka shpallur Ambasador i komunitetit në SHBA, dhe ai nuk ka nevojë për dekorata nga institucionet shteterore të Shqiperisë e Kosovës pasi de facto, ai i ka fituar dekoratat, ka fituar zemrat, simpatinë dhe respektin e atyre, që i ka udhëhequr në rrugëtimin shpirtëror.

Sikurse institucionet fetare shqiptare të kishin nga një dom Anton, më mirë do t’i kishin punët. Dom Antoni në Gjakovë njohu komunizmin sllav, kurse në Detroit atë sllav dhe shqiptar. 

Kur punon fort edhe armiqtë e dashakeqasit i ke të shumtë, por në fund askush nuk mund ta mohojë kontributin e dom Antonit në komunitetin shqiptar në SHBA, por dhe mbështetjen e pakursyer të tij ndaj çështjeve të ndjeshme e problemeve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai e la veprën, kurse detyra jonë është ta evidentojmë dhe t’i japim meritat që i ka.

Sesion i tretë shkencor, u përmbyll me sukses ashtu si dhe të tjerat para tij me fjalën e mbylljes nga prof. dr. Riza Sadiku (studiues i mirënjohur i mërgatës shqiptare të SHBA-së, i cili, u nda nga jeta papritur kohët e fundit).

Prof. Sadiku, ndër të tjera tha: “Të tilla sesione shkencore për personalitete të dalluar kombëtar, duhet të organizohen edhe në të ardhmen, sepse opinioni i gjërë shqiptar nuk është sa duhet i informuar me veprimtarinë e tyre kombëtare, të cilët tërë jetën ia kushtuan afirmimit dhe ndërkombtarizimit të çështjes mbarëkombetare, në veçanti Kosovës, siç është rasti edhe me figurën emblematike dhe personalitetin e dom Anton Kçirës.

Personalitete të tilla të anatemuara dhe margjinalizuara nga sistemet komuniste ka shumë populli shqiptar. Nxjerrja në dritë e veprimtarisë kombëtare të personaliteteve të mirefillta të kombit shqiptar, jo vetëm që është obligim moral dhe njerëzor, por me veprimtarë të tillë të devotshëm pasurohet edhe historia e popullit shqiptar”. 

Profesor Riza Sadiku, vazhdoi fjalën më tej: “Falënderoj Kryetarin e palodhur te Shoqatës Trojet e Arbrit magjister Nue Oroshin, sekretaren e Shoqatës zonjushën Leonora Laçi dhe në veçanti përfaqësuesin dhe koordinatorin e mërgatës shqiptare në ShBA studiuesin Tomë Mrijaj, i cili, për 15 vite e mbanë timonin e organizimit dhe financimit të sesioneve te tilla shkencore.”

Në këtë simpozium ishte i pranishëm edhe kleriku i shquar dom Antoni, i cili, përshëndeti klerikët katolikë të ftuar dhe organizatorët e sesionit shkencorë, duke i falënderuar përzemërsisht. Atij iu dha dhuratë simbolit kombëtar e Heoit Kombëtar, burrshtetit të madh, dhe kryekomandantit dhe strategut të luftës çlirimtare Gjergj Gjon Kastrioti, në emër të Shoqatës nga vetë kryetari Nue Oroshi.

Dy fjalë për librin që u promovua “Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë” me autor Tomë Mrijajn dhe Klajd Kapinovën

Ky libër është i strukturuar në katër pjesë. Kështu pjesa e parë trajton historinë e kishës së re në Detroit dhe figura e meshtarit dom Anton Kçira, kurse pjesa dytë tregon letër – këmbimet, mesazhet. 

Me interes është pjesa e tretë e cila trajton gjerësisht refleksionet e shumë autorëve të shkrimeve të tyre rreth meshtarit, kurse pjesa e katërt ka shtypin periodik dhe shkrimet që i janë përkushtuar dom Antonit dhe kishës së shën Palit Detroit MI. 

Kjo monografi është referenca më e plotë jo vetëm për të njohur veprimtarinë e dom Anton Kçirës për komunitetin shqiptar në SHBA, por dhe për kontributin e tij për Shqipërinë, Kosovën  e trevat shqiptare, si dhe për të ditur për kontributin e diasporës për atdheun.

Historianë e studiues, që do merren me veprimtarinë e diasporës shqiptare në SHBA, duhet ta kenë librin e botuar dhe shpërndarë në diasporë si pjesë të bibliotekave të tyre, pasi rëndësia është e shumanshme. 

Mirë do ishte që të mos lihet në harresë dhe përkthimi në anglisht si vlerë e shtuar e plotësuese që ta kenë librin dhe kongresmen amerikanë, mbështetës të shqiptarëve, e studiues të huaj.

Unë do ndalem tek rëndësia e letër-këmbimit në këtë monografi, të cilat janë të rëndësishme për të njohur më mirë aktivitetin kombëtar e fetar të dom Anton Kçirës; roli i tij për çështjen e Kosovës, për Shqipërinë e dalë nga një sistem totalitar, problemet e rikthimit të besimit në Zot në Shqipërinë ateiste, një mision i vështirë që duhej filluar gjithçka nga zeroja. 

Po ashtu, donacionet e ndryshme për ndërtimin e kishave e rindërtimin e atyre ekzistuese si në Gllogjan-Kosovë, Melgush-Shkodër, Kçirë-Pukë etj., sikurse edhe ndihmat për Kosovën e pasluftës. 

Donacione të bashkuara në komunitet nga dom Anton Kçira, pati dhe në rastin e përmbytjeve në Shkodër në 2010, të cilat ju dërguan Famullisë së Shën Jozefit-Dajç Bregu i Bunës, bëhej fjalë për shumën 20.000 dollarë, pa harruar edhe organizimin e darkave të bamirësisë për tiu ardhur në ndihmë atdhetarëve në nevoj. 

Dom Antoni që me ardhjen në krye të kishës së shën Palit në Detroit, që del dhe nga letrat si datë, 20 nëntori i 1989 në letrën e mirëseardhjes, që i dërgon Arkidioqeza e Detroitit, i përkushtohet fillimisht kishës ekzistuese e më pas ndërtimit të kishës së re, e cila do jetë stacioni më i rëndësishëm për komunitetin shqiptar, por dhe bëhet vend pritje e përcjelljeje për delegacionet e huaja e ato shqiptare nga Shqipëria e Kosova, pa lënë mënjanë mësimin e gjuhës shqipe me klasa të përshtatshme e mësues të kualifikuar, sikurse edhe përkujtimin e festave të rëndësishme kombëtare dhe figurave historike.

Ai ndërtoi jo vetëm një vend kulti, por Shqipërinë në miniaturë, duke i ndihmuar shqiptarët të mos humbnin traditat e zakonet e tyre për t’ja përcjell ato dhe fëmijëve të lindur dhe rritur në SHBA. 

Kisha e shën Palit u bë model për nga rregullat strike jo vetëm për të respektuar rregullat kishtare, por dhe shtëpinë e Zotit, dom Antoni minimizoi hakmarrjen dhe riktheu besimtarët shqiptarë më pranë kishës. 

Urimet, për përurimin e kishës së shën Palit  në gusht të 2010, kanë qenë nga personalitete të ndryshme si: shkrimtari Ismail Kadare, Prof. dr. Anton Kolë Berishaj, Ilir Meta në postin e zëvendës/kryeministrit e Ministër i Punëve të Jashtme, Admira Jorgji e ngarkuar me Punë-Konsulle e Republikës së Shqipërisë etj. 

Gjithashtu letrat janë edhe disa urime për ditëlindjen e tij, letërkëmbimet e shumta  si nga prof. Gjon Sinishtaj, at Antonio Bellusci, ish kryeministri Ramush Haradinaj etj.

Pjesë e librit, është mbështetja që i është ofruar dom Antonit pas përhapjes së video-montazhit, ku i dolën në krah kongresmen e senatorë si dhe punonjës të policisë vendase si: Michael W. Reaves shef i Policisë, i cili, i dërgon letër Arkidioqezës së Detroitit, duke shprehur mbështetjen për dom Antonin, i cili, ishte një emër i respektuar në Detroit dhe jo vetëm, po ashtu dhe nga Kapiten Thomas Fett Departamenti Policisë.

Libri, përcjell mesazhe të forta të bashkëjetesës fetare e largpamësisë së dom Antonit, që bashkëpunoi pa dallim me klerin mysliman në dobi të çështjeve të përbashkëta.

Vepra e re kushtuar meshtarit dom Anton Kçirës, me fakte historike demonstron mbështetjen morale me shkrime nëpër gazeta dhe suportin e intelektualëve qoftë dhe të besimit mysliman apo katolik si: Prof. dr. Riza Sadiku, prof. dr. Mentor Quku, Beqir Sina, Hasan Hasani, Astrit Lulushi, Mr. sc. Nue Oroshi, Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Gjek Gjonlekaj, Prend Buzhala, Klajd Kapinova, Mikel Gojani, Agim Shehu, Faruk Myrtaj, Bardh Nëngurraj, Krist Gjinaj, Lekë Mrijaj, Dalip Greca, Pjetër Domgjoni, Franz Llesh Grishaj, Kastriot Myftaraj, Ilmi Veliu, Bep Kuqani, prof. Sami Repishti, Tonin Mirakaj etj. 

E gjithë kjo mbështetje publike, na tregon qartë respektin që gëzonte dom Antoni në rrethet e intelektualëve, dhe kurrsesi një video montazh nuk mund ta hedh poshtë të gjithë kontributin e tij.

Letërkëmbimet, janë dëshmi e qartë e nuk kanë nevojë për komente, pasi çdo njëri me ndërgjegje e formim të shëndosh mund ta kuptoj të vërtetën, që shkruhet në këtë libër, ku, dom Antoni ka punuar pa u ndalur për kombin shqiptar, pa u kursyer, e në çdo formë, pa pritur dekorata apo fjalë të bukura.

Shpesh thotë:” Mos e bani mizën buall”.Kjo shprehje, tregon thjeshtësinë e tij, pasi ndonëse ka merituar e meriton respekt dhe vlerësim maksimal, disa antishqiptarë deshën ti bënin gjëmën, në fakt më shumë i bënë dëm vetës, sepse i dënoj Zoti, pasi dom Antoni edhe pse luftohej në të gjitha format, qëndroi kryelartë e stoik përballë sharjeve e denigrimeve, sepse ishte i vetëdijshëm sesa ka punuar me ndërgjegje të pastër e me përkushtim për komunitetin shqiptar në SHBA, për Shqipërinë, Kosovën e trevat shqiptare. 

Misionin e tij e ka ndjerë si detyrim moral kombëtar e fetar, që duhet ta bënte çdo kush në vend të tij.

Çdo kush që do të vazhdojë të shpif për dom Anton Kçirën, bazuar në video-montazhin apo thashethemet, më parë të marrë të lexoj me kujdes këtë libër.

Pa hezitim mendoj, se dom Antoni ka qenë Ambasador i çështjes shqiptare dhe i ka shërbyer kauzës mbarëkombëtare për 50-vjet meshtari dhe sot që është në pension në Detroit. 

Dhe përmes disa pyetjeve që ia drejtova, ai na tregon disa detaje të jetës së tij.

Pyetje: Si ishte për ju të riktheheshit në vendin ku u shuguruat për të festuar 50-vjetorin e meshtarisë?! Si e kujtoni ditën e shugurimit?!

 Dom Anton Kçira: Ju falënderoj në fillim për intervistën. 50 vjetorin e artë meshtarak, të cilën e përkujtova në vendlindjen time, ku më 29 qershor 2017, u banë plot 50 vite, që u shugurova në ditën e shën Pjetrit dhe shën Palit në Gjakovë nga Ipeshkvi i Shkupit dr. Smiljan Qekada.

Asokohe kujtoj se oborri i kishës ishte i mbushur plot e përplot me besimtarë, që kishin ardhur me atë rast me marrë pjesë në shugurimin tim si meshtarë.

Kuptohet, se as meshtarët nuk kishin munguar. Aty të pranishëm perveç ipeshkvit ishin edhe: mons. Marjan Glasnoviq famullitar i Pejës, don Dedë Ramaj famullitar i Novosellës, mons. Nikollë Mini famullitar i Prizrenit, don Mark Shiroka famullitar i Velezhës, patër Tvertko Ban famullitar i Gjakovës, frati Emanuel Klaiq në Gjakovë, don Millord Defar famullitar i Bizhtazhinit.

Nga familja ishin; nana, baba, vllau me familjen. Motra kishte ardhur nga New York-u me tre fëmijë: Lekën, i cili, sot asht përfaqësues i Bankës Botërore për Vendet në Zhvillim, Marta dhe Kristina Kadeli, ishin tezet: Gjina me Filipin, Verën, Lajden dhe Bernardinen, tezja Luke me Franin, Simon Shiroka me Netën. Qyteti i Gjakovës ishte blloku prej kallabllekut. Filloi mesha dhe ceremonia e shugurimit, ndërsa pas leximeve liturgjike erdhi koha e shugurimit, ku u shtriva për tokë, në shej se jam gati të vdes për këtë botë. Ceremonia zgjati shumë, sepse përpos litanive dhe lutjet, që ipeshkvi i bani mbi mue, erdhi momenti kur ipeshkvi mi leu duert me vojin e shejt me veshen me teshat e meshës, më dorëzoj kelkun për me thanë se si me thanë meshë, më dha të drejtën me predikue e me rrefye e kështu me tregoi për të gjitha detyrat meshtarake.

Ipeshkvi i shtrini duart mbi mua sëbashku me meshtarët e tjerë. Në vazhdim ishte mesha, të cilën për herë të parë celebrova edhe unë si meshtar i ri.

Pas meshës, fretnit e shtruan nji drekë për meshtarët dhe për familjen time. Pasi u shpërndan populli ra një shi i madh, që edhe toka kishte nevojë për te, njashtu ishte nevoja për meshtarë shqiptarë, tuj qenë se ishin ma tepër kroat dhe slloven, a deri sa shqiptarë ishin vetëm 6 vetë, unë u bana i shtati meshtarë shqiptar. Pas meje ka fillue pleiada e re me: pader Hil Kabashi, don Mark Sopi, don Zef Gashi, don Nue Gjergji, don Lush Gjergji, don Aleksandër Kola, don Gjergj Gjergji, don Prek Jaku, don Gjergj Berisha, don Marjan Uka, don Fran Sopi, don Prek Lazri, don Lush Lazri, don Kolë Thaçi, don Lenc Sopi, don Ambroz Uka, don Anton Nua, don Pashk Dani, don Mikel Sopi, don Lucian Agustini, don Dodë Gjergji, David Gjugja, don Agim Qerkini, don Marjan Dema, Albert Krisa, Albert Dema, don Pren Kola, don Herbert Berisha, don Krist Gjergji, don Izak, don Nikson, don Nue Ballabani etj.

Pyetje: Çfarë ndjesish patët kur ishit i ftuar në jubileun e 25-vjetorit të hapjes së kishës katolike në Pukë dhe të çonit meshë në Kçirë, pikërisht në kishën që ju keni kontribuar me donacione me komunitetin shqiptar të SHBA-së?

Dom Anton Kçira:Më 16 korrik 2017, isha i ftuar nga dom Gjovani, famullitari i kishës katolike, për të kremtuar 25-vjetorin jubilar të hapjes së kishës katolike në Pukë dhe ardhjen e Motrave të Shën Nanës Terezës. 

Përpara se të shkoja në meshën perkujtimore të këtij Jubileut, u ndala tek kisha e Kçirës të cilën e kemi ndërtuar para 23 vitesh, me ndihmën e besimtarëve nga Kosova. Pata fatin të predikoja në këtë kishë, u ndjeva i emocionum nga pritja dhe respektin, që treguan banorët dhe dom Gjovani.

Dom Giovanni Fiocchi një prift italian, i cili, flet një shqipe përfekte, shërben prej 18 vjetësh në Pukë dhe ka bërë një punë të palodhur jo vetëm si predikues i fjalës së Zotit, por edhe si një shembull, sesi duhet punuar dhe shfrytëzuar natyra dhe të mirat e saj për banoret vendas.

Në fjalën predikuese përveç meshes, unë thash këto fjalë: “Shumë prej jush jeni dëshmitart e territ dhe dëshmitarët e dritës. Dëshmitarët e territ, koha e komunizmit pa fe e pa Zot, vuajtjet e juaja të pashpjegueshme të cilat nuk ka fjalë që mundet me i përshkrue ato çka keni vuajt ju për tanë atë kohë të komunizmit, ato i dini vetëm ju që i keni përjetue në lekurën tuaj. Dëshmitarët e dritës jeni ju, të rinjt që keni jetuar demokracinë.”

Në kohën kur unë erdha në Kçirë në vitin 1993, vendi ishte i shkretë, njerëzit ishin si të vdekur, që vetëm shpirtin kishin, e ecnin si hije të njerëzve të vuajtur, e tani me punën e palodhur të dom Gjovanit ju dhe kjo zonë lulëzon. Pas meshës dom Gjovani më çoi në punishten ku baheshin prodhimet vendase. Pasdite në orën 17:00 e pata rastin të takohem edhe me Nuncin Apostolik Monsinjor Charls Braun si dhe ipeshkvin e ri mons. Simonin i porsa emeruem nga Selia e Shejt, ipeshkv i Sapës.

Pyetje: 50 vjetori i meshtarisë suaj patjetër që u festua dhe në kishën e shën Palit Detroit, a e prisnit një gjë të tillë?!

Dom Anton Kçira: Para katër muajve para se me shkue në pushime, ku kishim me e përkujtue 50 vjetorin e meshtarisë, don Fred Kalaj sot famullitari i kishës së shën Palit, më ofroj që ta bajmë një darkë, me rastin e këtij jubileut të artë. E falënderova dhe i thash që s’doja mi qit punë për këtë gja. Pasi u ktheva nga pushimet, më luti që ta bënim një meshë falenderimi me rastin e jubileut dhe e pranova me gëzim. Dy javë më parë e paralajmëroi këtë meshë dhe i’u bani thirrje besimtarëve, që të marrin pjesë në këtë solemnitet të rradhë. Si datë u caktue 1 tetori. Erdhi ora 9:30, por unë nuk vuna re asgja. Ata e kishin përgatit pa rënë në sy, që të më befasonin (suprizë) me ato gjana që i kishin bërë famullitari me Këshillin e Kishës e me Shoqatën e Grave. Fillova meshën dhe i pashë disa fëmijë të veshur me tesha kombëtare, ku secili kishte nga një karajfil në dorë, duke ardhur drejt meje që të m’i dorëzonin lulet. Në shenj të 50-vjetorit i kishin zgjedh 50 fëmijë me 50 lule karajfili.

Meshën dhe predikimin e udhëhoqa unë. Mesha zgjati plot dy orë. Unë fola se kur kam filluar punën dhe në çfarë kushtesh në atë kohë, pa shtëpi dhe pa kishë, ishte fillimi në Bishtazhin në vitin 1968, pastaj në Guci dhe ma vonë në Gllogjan, ku kam fjet në një kasolle me kalin për 9 muaj.

Në mbarim më përshëndeti profesori i Katekizmit Franc Llesh Grishaj mbi veprimtarinë time si dhe don Fredi. Kur dolëm nga mesha Lukë Shkreli kishte përgatitë një tortë të madhe me shenjen e 50-vjetorit, kurse gratë kishin prue ushqime nga ma të ndryshmet kështu që u bë një festim spontan, por shumë i qelluem. 

Këtu u shifte respekti dhe dashnija e besimtarëve, e meshtarit dhe e motrave si falenderim për çka kam ba për kishën dhe për besimtarët në jetën time meshtarake. I falënderova nga zemra të gjithë si famulli, motrat dhe besimtarët dhe u luta për ta që Zoti t’i bekoj!

Pyetje: Dom Anton si ishte për ju takimi me Papa Françeskun që u realizua në mesin e shtatorit të vitit  2018, ndonëse keni takuar më parë edhe papë të tjerë, çfarë pati të veçantë ky rast?!

 Dom Anton Kçira:Takimi me papa Françeskun I, gjatë meshës së shejtë që u kremtua në Kapelen e shën Martës, në Vatikan dhe takimi pas meshës ishte vërtetë diçka e veçantë për mu. Ishte një takim i përzemërt, me emocione dhe i paharrueshëm, një bekim hyjnor për jetën time meshtarake.  

Prandaj, falënderoj Arqipeshkvin e Tivarit imzot Rrok Gjonlleshaj, që më mundësoi takimin e sotëm me papën, të cilin ai e njoftoi edhe për jetën, veprimtarinë dhe dëshmin time meshtarake.  

Papa Françesku I u interesue për jetën time meshtarake, për misionin e veprimtarinë dhe më përgëzoi përzemërsisht. Ai më bekoi e më dha kurajo të shkoj përpara gjurmëve të Krishtit shelbues.  

Ati i Shenjtë më tha: “Je deshmitar i gjallë i dashnis që Krishti ka për çdo njeri, kudo, posaçërisht për popullin e vendit tënd. Zoti të bekoft e të ruajt.” 

Unë, falënderoj Zotin, për këtë dhuratë të bukur, për mirënjohjen dhe bekimin plot domëthënës që pata sot në Vatikan, që s’ka president që mundet me ma dhanë. 

Dua të nënvizoj, se pas një jete mëse 51-vjeçare meshtarie, gjithmonë në mesin e popullit tim shqiptar, në vendlindje dhe në diasporë (në Detroit), komunitetit të shën Palit, takimi me papa Françeskun I dhe bekimi që mora prej Tij, janë dhunti e çmueshme, një lloj shpërblimi dhe mirënjohje për mundimin, vuajtjen por edhe për gezimet, që kam pas gjatë tanë jetes dhe veprimtarisë time meshtarake.  

Po kthehem i lumtur, i pasur me hire e bekime hyjnore, me perqafimin e papës, për të cilin çdo ditë i lutem Zotit të na ruaj në drejtimin e kishës.”

Pyetje: Si e njohët mons. Mark Sopin, Ipeshkvin e Kosovës?!

Dom Anton Kçira: Mons. Mark Sopi, ka qene një vit më i madh se unë. Kështu në vitin 1957, për Zojën në Letnicë, kam pasur rast me njoft Mark Sopin si seminarist në atë kohë sëbashku me disa të tjerë që kishin shkuar në seminarë.

Ndër ta ishin; Ante Cirimotiq, Damjan Kurti, Ivica Collakoviq, Tomë, Nikollë Duckiq, Drago Berishiq, Mark Sopi, dhe Pjetër Mjeda. Pastaj iu bashkangjitën seminaristët e rinj për në Pazin, unë Anton Kçira, Pashk Përnokaj, Franjo Djuric, Nikolla Cibaric, Viktor Cini Mjeda. 

Udhëtimi ishte nga Ferizaj  në Pazin dy net e një ditë e tërë. Rrugëtimi ishte i gjatë, por kishim shoqëri të gjerë dhe kështu kaluam shumë mirë. 

Në vitin 1959 mua më kanë thirrur ushtar dhe kështu jam ngarë nga gjeneracioni i vjetër. Ata më vonë pas maturës kanë vazhduar studimet në Fakultetin e Teologjisë në Zagreb e më vonë don Marku me disa vetë, siç ishte Prek Jaku, i patën dërguar me studime në Romë. 

Na ka ndarë jeta deri që jemi bërë meshtar, unë jam bërë meshtar me 29 qershor 1967, ndërsa Mark Sopi është bërë në vitin 1968. Atë e patën emëruar në Ferizaj, derisa unë kam punuar në Bishtazhin si ndihmës i don Millorad Defarit. 

Në vitin 1968 ipeshkvia e Shkupit kishte mbetur pa ipeshkëv edhe meshtarët e vjetër si; Dom Dedë Rama, don Rrok Mateja, don Pjetër Berisha, don Mark Shiroka, don Milorad Defar, don Nikollë Mini, don Gasper Gjini, don Damjan Kurti, unë dhe don Mark Sopi. 

U angazhuam që të bëjmë një propogandë për një ipeshkëv shqiptar. Në pikëpyetje ishte dr.Don  Gasper Gjini. Në tjetrën anë kishim kundërshtarët, që ishin kroatët e ata luftonin për kandidatin e vet don Luka Cirimotic. Ata ishin më kompakt, kurse ne shqiptarët ishim të përçarë. 

Aty në pikë pyetje ishte edhe don Nikollë Mini, për me qenë, por kjo ishte e mbuluar si gaca në hi. Don Nikollë Mini ishte famullitar i Prizrenit dhe delegat apostolik i Ipeshkvisë së Shkupit. Don Damjan Kurti ishte famullitar i Velezhes e deri sa don Marku ishte famullitar i Ferizajt. Këto të dy i kishte afruar don Nikollë Mini, dhe ai fshehtas e bënte propagandën për vedi, por kjo ishte një gjë e fshehtë askush nuk e dinte. 

Kështu të gjithë mendonim, se puna ishte për don Gasper Gjinin, edhe kështu i përkushtuam kësaj çështje pa sherr, që të angazhohemi për të bërë një delegacion nga të gjitha famullitë e mi dërgu te Nunci Apostolik tek mons. Mario Cagna në Beograd. 

Nga çdo famulli ishin tre vetë. Ishte problem me Zllakuqanin, sepse në këtë kohë ishte famullitar don Anton (Tune) Glasnoviq, por shkova unë me një besimtar nga Bishtazhini dhe bëmë propagandë nëpër Zllakuqan, pa e marrë vesht famullitari asgjë. Besimtari ishte Gjokë Lleshi prej Berdesane.

Don Damjani dërgoi: Gjergj Gjugjen, Gjok Danin dhe Gjok Spaqin ngaVelezha.

Don Nikolla dërgoi: Ndrec Përdeden, Simon Kuzhninin dhe Matej Vuqaj nga Prizreni.

Don Millorad Defar dërgoi: Kolë Radin, Marka Prenin dhe Gjokë Lleshin nga Bishtazhini.

Edhe famullitë e tjera kanë pasur pjesë dhe kanë shkuar tek nunci në Beograd, ku i kanë paraqitë kërkesën për një ipeshkëv shqiptar. Mario Cagna i ka pritur mirë dhe përcjell mirë si diplomatët që dinë me qenë të ëmbël dhe të mirë, por kjo nuk shërbeu.

Kroatët kanë bërë propagandë të madhe në Zagreb në Beograd, tek nunci dhe në Romë, kuptohet duke e nxirë kandidatin tonë edhe kështu vjen te përfundimi i një zgjidhje krejt të tretë, që nuk ka mundur kush ta besonte se do bëhet kjo zgjedhje.

Kur u shpallën ipeshvit e rinj: dr. Joakim Herbut/greko-katolik, edhe mons. Nikollë Preka me titullin “ Sede datus”. Kjo ishte një padrejtësi nga Konferenca Ipeshkvnore e Kroacisë, që ordinari të jetë mons. Joakim Herbut, e deri sa për shqiptarët një ipeshkëv veç për emër gjenerali vikar pa kurrfarë të drejtash. Këtu ka luajtur rol edhe shteti, i cili, ka dashtë të na shkatërronte në aspektin shpirtërorë ne shqiptarëve.

Me 14.12.1989, kam shkuar në Guci, ku mbeta gati një vit, deri sa me ardhjen e ipeshkvit të ri mons. Joakim Herbut dhe mons. Nikollë Prela, më kanë transferuar në famullin e Gllogjanit me 10 nëntor 1970.

Pas dy viteve edhe don Markun e kanë transferuar në Zllakuqan, ku ka shërbyer për dy dekada si famullitar i Zllakuqanit. Don Marku, ka punuar edhe në ndarjen e famullisë e cila ishte e madhe, e përbërë prej shumë fshatrash, por përsëri u formuan dy famullina të reja, ajo e Klinës si edhe ajo e Bidisalcit. Kuptohet, se ishin kohëra të vështira, nuk ishte aspak e lehtë për të bërë një ndarje të tillë.

Don Marku në fillim ka ditur tja kthej dhe qarkoret mons. Joakim Herbutit, që nuk ishte pajtuar me to, më kujtohet viti 1974 ku edhe e pati përjashtuar për disa javë, edhe në këtë kohë kemi shkuar të ankohemi kundra kësaj vepre, don Frano Sopi, don Aleksandër Kola edhe unë don Anton Kçira, deri në Beograd tek Nunci Apostolik e pastaj kemi vazhduar për në Romë, unë dhe don Aleksandri, për tu ankuar për këtë padrejtësi, që e kishte bërë Ipeshkvi i Shkupit, don Markut famullitarit të Zllakuqanit.

Don Marku ka qenë një meshtar i rreptë kështu që disiplinën e kishës e ka dashur, edhe i ka pas vendosur në rregull për atë kohë që ka punuar gati dy dekada.

Në vitin 1989, më kanë emëruar për Detroit edhe kështu jemi larguar për një kohë të gjatë nga njëri-tjetri. Ai ka vepruar në Shqipëri me mons. Damjan Kurtin në Durrës deri sa Selia e Shenjtë e ka emëruar ipeshkëv të Kosovës në vitin 1996. 

Pas çlirimit të Kosovës, kam shkuar gati për çdo vit në banjën e Pejës, ku mons. Mark Sopi ka ardh të më vizitonte, dhe një herë e ka dërguar nipin e vet don Lush Sopin të vinte të më merrte me makinë, që të shkonim në Prizren, ku ishim në një takim me Hashim Thaçin dhe shoqëruesit e tij, në rezidencën e ipeshkvit në Prizren.

Në vitin 2002, kishim shkuar për Zojë në kishën e Letnicës dhe gjatë meshës më përshëndeti me fjalët më të bukura që dinte të thoshte, për veprimtarinë time, për ndihmat që kam bërë për Kosovën, për demonstratat e ndryshme, kështu që disa minuta i përdori për të folur për veprimtarinë time. 

Të nesërmen ishte dita e shën Rrokut, festa e famullisë së Novosellës. Atje mora pjesë, në atë meshë ku ishte një tubim madhështorë nga të gjitha anët e ipeshkvisë së Kosovës. Pas meshës udhëtova me mons. Zef Gashin arqipeshkv i Tivarit në Mal të Zi. 

Pas çlirimit të Kosovës, pasi Serbia e ka parë që Kosova do të bëhet shtet i pavarur, serbët janë lëshuar në propaganda të ndryshme, duke u munduar ti tregonin botës, se Kosova është një vend islamik edhe bota do t’ ja shihte sherrin këtij shteti nëse bëhet shtet i ri. 

Për këtë në fundin e gushtit mons. Mark Sopi, ka qenë i thirrur nga qendra e Caritas-it katolik të Baltimores (SHBA) për vizitë. Me atë rast kemi bërë takime të ndryshme me senatorët e Uashington D.C. 

Me këtë rast mons. Sopi ka vendos të më merrte edhe mua si përcjellës i tij për në Baltimore. Me 5 shtator 2001, në orën 08:48 avioni fluturoi nga Detroiti për në Baltimor, ku mbërritën në ora 10:05. 

Në aeroportin e Baltimores na priti ipeshkvi ndihmës i vendit mons. Newman dhe Drejtori i përgjithshëm i Caritas-it amerikan z. Ken Hacket drejtues i caritasit “Catholic Relief Service”.  Kur kemi mbërrit te rezidenca e Caritasit në hyrje na pritën z. Patrik Bohorty dhe znj. Mayer, që ishte e ngarkuar me detyrë si përgjegjëse për Evropën.

Befasia më e madhe ishte që të gjithë punëtorët e Caritas-it sa ishin, na pritën me lule në duar. Pasi makina u ndal dhe ja hapën derën mons. Markut, kur qe një punëtor afrikano-amerikan me një buqetë me lule në dorë e përshëndeti Ipeshkvin dhe i uroj mirëseardhjen në atë vend e i dhuroi buqetën e luleve.

Punëtorët ishin rreshtuar në dy rreshta dhe ne kalonim në mesin e tyre deri sa ata duartrokisnin, kështu mbërritëm në zyrën e Drejtorit të Caritas-it z. Ken Hacket, i cili, na prezantoi me drejtorët e shoqatës. Mori fjalën e përshëndetjes, duke thënë: “Unë kur kam ardh për herë të parë në Prizren, ju më keni pritur shumë mirë, aq sa keni lënë shtëpinë në dispozicion. Unë nuk po bëj sa keni bërë ju për ne, por vetëm një pjesë të vogël në krahasim me atë çka ju keni bërë për ne. Mirë se keni ardh në qendrën tonë dhe ndjejeni vetën si në shtëpinë tuaj.”

 Pasi jemi ulur kanë filluar pyetjet dhe bisedat miqësore rreth çështjes dhe gjendjes në Kosovë. Pas një pushimi të shkurt në plan ka qenë mesha në kapelën e Caritas-it, ku sëbashku ne të dy me ndihmësin e Ipeshkvit të Baltimores, mons. Newman.

Në fillimin e meshës ipeshkvi i vendit na i drejtoi këto fjalë: “Kemi nderin të kemi sot në mesin tonë ipeshkvin e Kosovës, i cili na ka nderuar me ardhjen e tij në qendrën e Caritasit. Përshëndes përcjellësin e tij don Anton Kçira nga Kosova, që jeton dhe vepron me shqiptarët në Detroit. Kam pas rastin të përcjell vuajtjet e atij populli, që kaloi nëpër një kalvar të pa parë. Jemi të vetëdijshëm se prania e Juaj, si bari i grigjës ka parë dhe përjetuar shumë gjëra, por qofshin të harruara. Mirë se keni ardh!” 

Pas përshëndetjes së ipeshkvit të vendit fjalën e mori Ipeshkvi i Kosovës: “Kam kënaqësinë e posaçme dhe nderin të gjendem në mesin e atyre që kanë bërë dhe bëjnë për shpëtimin dhe zbutjen e vuajtjeve në Kosovë. Mu dha rasti me ardh personalisht me ju dhanë Ju dhe nëpërmjet jush, një falënderim të gjithë atyre, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në lehtësimin e vuajtjeve, që ka pas kohëve të fundit Kosova. Përshëndes ngrohtësisht ipeshkvin Newman dhe Shkëlqesinë Tij kardinalin e vendit, i cili, gjendet përkohësisht në udhëtim. Ju përshendes të gjithë juve që jeni të pranishëm, Qeverinë dhe popullin fisnik dhe bujar amerikan. Nuk është hera e parë që Amerika kujdeset për njerëzit, por Amerika, sikurse ka qëlluar e madhe në sipërfaqe toke, ka qëlluar e madhe edhe me zemër bujare. Unë, sot do të them këtë meshë në shenjë falënderimi, për të gjithë dhuruesit, që na mundësuan kontributin e mundshëm, që populli im të jetoj si njerëz të lirë në këtë botë, duke falënderuar Qeverinë e SHBA, dhe NATO-n për lirinë që gëzojmë sot. Pra edhe një herë Zoti ju bekoftë Ju dhe Amerikën. Rrnoft populli fisnik dhe bujar i ShBA-së, rrnoft Kosova e lirë”.

 E përmbyllim këtë intervistë të shkurtër, duke i uruar shëndet e pensionim të mbarë dom Anton Kçirës.

Filed Under: Interviste Tagged With: Don Anton Kcira, Leonora Laci

Ndodhi Sot-Arrestimi i parë në Kosovë nga Prokuroria Speciale

September 24, 2020 by dgreca

Gjykata Speciale në Hagë/

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten se ka arrestuar Salih Mustafën. Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ky është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë.

Në njoftim thuhet se arrestimi është bërë në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, pas konfirmimit të aktakuzës.

“Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe kjo është aktakuza e parë që konfirmohet.

Në komunikatën e Zyrës së Prokurorit nuk është sqaruar nëse aktakuza ndaj Mustafës është ajo, e cila është paraqitur në shkurt, sikundër që nuk janë dhënë detaje as për përmbajtjen që ka aktakuza.

Pas konfirmimit për arrestimin e Mustafës, EULEX-i përmes një postimi në Twitter njoftoi se “EULEX-i i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike ZSP-së në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës”.

Salih Mustafa njihet si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Në kohën kur Forcat e Sigurisë së Kosovës njiheshin si Trupa Mbrojtëse të Kosovës, Mustafa ka shërbyer atëbotë si shef i departamentit informativ.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza i dorëzohet personalisht të akuzuarit. Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Pas seancës së parë, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmon se çështja është e gatshme për gjykim, ndërsa kryetari i Dhomave të Specializuara formon një panel gjykues, përgjegjës për zhvillimin e procedurave gjyqësore. Ky panel kujdeset që gjyqi të jetë i drejtë dhe i shpejtë.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.(Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Kronike Tagged With: Arrestohet, Hage, Salih Mustafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT