• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UNË DHE POETI FERDINAND LAHOLLI

September 25, 2020 by dgreca

SHKRUAN: BAJAME HOXHA-ÇELIKU- Duke shfletuar korrespondencën e vjetër elektronike, papritur më sheh syri një shkrim të lënë përgjysmë shumë vite më parë. Ky shkrim do të kishte me të vërtetë vlerë të shkruhej pikërisht në kohën e duhur, por nuk thonë kot: Më mirë vonë se kurrë. Siç dihet, ne nuk kishim të drejtën e botimeve as në gazetë. Prandaj, kjo ngjarje shtyu ditët dhe u bënë gati tri dekada, duke ndenjur kaq gjatë në kujtesën time, dhe më vonë fjeti në ordinatorin tim. Jo, s’e kisha harruar kurrë si ngjarje të dhimbshme dhe triumfuese njëherësh. Veç kësaj, në një nga romanet e mi e kam përfshirë si ngjarje historike, por jo që dhe unë isha një nga personazhet e saj.

* * *

            Ambasadat ishin mbushur dhe njerëzit rrinin të mbyllur që prej një muaji brenda oborreve të tyre dhe prisnin të lodhur, të rraskapitur nga vapa e korrikut dhe nga mungesa e higjienës se çdo të bëhej më tutje me jetët e tyre. A do të triumfonte më së fundi liria e kërkuar? Shpresa ishte e madhe. Dyert dhe oborret me kangjella të larta, si dhe njerëzit e mbyllur brenda, të jepnin një figurë trishtimi në pamje të parë, pavarësisht se çfarë funksioni pozitiv do të kryenin ato.

Ishin ditë të vështira të një revolucioni,që do të linte pas një sistem diktatorial, i cili kishte sunduar për 45 vjet me poshtërsitë dhe bëmat nga më monstruozet.

Unë po kaloja përballë ambasadës gjermane në trotuarin tjetër, për të shkuar te ajo francezja, që të merrja një vizë për në Belgjikë. Një dajë i mamasë sime më kishte dërguar rastësisht, pak kohë më parë, një garanci dhe unë po e shfrytëzoja me rastin e ligjit që kishte dalë. Isha duke ecur me vajzën për dore, kur një zë i njohur, që vinte nga ambasada Gjermane, më bëri të dridhem. U ndala në vend. Për një copë herë mora frymë thellë. Shikova një herë rrotull se mos kisha pranë ndonjë polic, po rruga e ambasadave në atë mesditë tepër të nxehtë, ishte e boshatisur, vetëm në hyrje na kontrolluan.

Zërin që më thirri, e njoha menjëherë. Kapërceva rrugën dhe me kujdes vajta pas kangjellave. Midis turmës pashë Nandin, Ferdinand Lahollin. Pasi u përshëndetëm, duke shtrënguar duart përmes kangjellave, me lot në sy, më tha:

          – Futuni, Bajame! Ç’pret? 

Në çast dhimbja me lotin m’u përzien tok. Lëshova një vështrim të vëmendshëm mbi Nandin, që e kisha si vëlla të vogël, dhe situatën e krijuar e kalova nëpër mend. Dhe po me atë dhimbje, lëshova njërën dorë të Ferdinandit dhe shtrëngova fort dorën e vajzës sime 10-vjeçare, që e kisha me vete.

         – S’mundem,- i thashë duke tundur kokën në shenjë mospranimi dhe hodha sytë mbi vajzën, që kisha për dore, si për t’i thënë: “Nandi, kam vetëm këtë vajzë me vete, vetëm Aurorën, po të tjerët, ku t’i lë? Ku të lë Klajdin dhe Anën e vogël? Ku të lë Ganiun tim, njeriun e dashur, njeriun e sakrificave të mëdha? Njeriun, me të cilin kam kapërcyer me qindra e qindra hendeqe e rrugë të vështira internimesh, duke u paraqitur tre herë në ditë në apel? Njeriun e ndershëm, që lindi në internim, që ndau me mua jetën, dhimbjen, besimin e hidhërimin, dhe një jetë të tërë mbartëm së bashku mbi supet tona jetën e hidhur, dhimbjen, mallkimin e kohës së keqe, që jetuam nën terrorin komunist, nën atë sistem të kalbur, ku gjithçka na mohuan, gjithçka na e morën: fëmijërinë, rininë, shkollat, përveçse të quajtur njeri s’na i mohuan dot.

          Me gjithë atë urrejtje të madhe që kisha brenda vetes për sistemin, që akoma ekzistonte e që ishte në fuqi, u bëra e fortë, e egër si gjithnjë përballë së keqes. Dhe ashtu si trime, vendosa të kthehem te njeriu im fisnik, tek fëmijët e mi të bukur e të mrekullueshëm!

E dija dhe e kisha ditur gjithnjë se dashuria kërkon sakrifica të mëdha. Dhe ja, momenti erdhi për të menduar mirë mbi ato 67 vite internim-dëbimi, që rëndonin mbi supet e mia dhe të tim shoqi: që nga lindja e tij dhe që nga fëmijëria ime, kur mora rrugët e një internimi të gjatë. Tani karakteri im ishte përballë një prove të vështirë: lirinë apo dashurinë? Është e qartë, kur bëhet fjalë për lirinë e kombit, njeriu i mençur lë pas dashurinë personale, e sakrifikon atë dhe zgjedh lirinë e një populli të tërë; kurse në rastin tim, ishte krejt ndryshe…

Isha zhytur e tëra në ato mendime, kujtime e probleme të hidhura, që më godisnin në tru pa pushim, kur zëri i Nandit më shkëputi fillin e mendimeve, të kujtimeve aq të egra dhe u drodha përsëri:

          – Mirë, mirë, ke të drejtë, familja të meriton dhe ka nevojë të domosdoshme të të ketë ty pranë. Ti je një mama e mirë dhe një grua besnike. Fatkeqësisht, je e destinuar të kthehesh, Bajame! Duhet të shkosh prapë me guximin tënd në kampin e Savrës, në skëterrën e tmerreve.

Edhe ne familjarisht ditë më parë e kishim provuar të kapnim hapjen e ambasadave, por kur arritëm ne, dyert qëndronin të mbyllura e policia ishte bërë gardh. Për këtë, me sa më kujtohet, nuk i fola Ferdinandit, ishte e kotë.

Kur ngrita sytë, pashë Nandin që po hiqte orën e dorës dhe, duke zgjatur dorën drejt meje, më tha:

          -Jepja nënës sime!

Midis të dyve s’pati më dialog, por sy të mbushur me lot e ngashërim. Duke i shtrënguar njëri-tjetrit duart e vrara nga puna e vështirë, i urova me gjithë shpirt jetëgjatësi dhe fat kudo që t’i shkelte këmba. Gjithsesi, ai ishte në kohën e duhur për të prekur lirinë e kërkuar, Perëndimin, Gjermaninë dhe, pse jo, gjithë botën e përparuar.

Prej aty u drejtova te ambasada franceze, e cila mbulonte edhe Belgjikën. Aty ishte ndryshe: brenda telave te rrëzuar pashë me dhjetëra persona: gra, burra, fëmijë, që rrinin shtrirë në heshtje e disa ulur dhe në këmbë. Nuk ishin në rrethim me kangjella të larta, ishin të lirë.

Një i ri, nga brenda telave të rrëzuar, më tha:

Zonjë, kalojeni telin!- Dhe pa pritur përgjigjen time, shtoi: – Futuni, nuk ju pengon njeri! Jemi ne, vetëm ne!

          – Jo,- i thashë, – kam një garanci dhe dua të marr vizë për në Belgjikë.

          – Po ti qenke si ne, futu, ç’pret?! Gjersa ke njerëz jashtë shtetit, patjetër që do të jesh persekutuar rëndë…

          – Hyni! Do të pendoheni, – thirri një bukuroshe, që po afrohej dhe më zuri për dore, duke më tërhequr brenda.- Do të shkojmë të gjithë në Francë! Në Francën e demokracisë së madhe, do të jemi të lirë!

E dëgjoja këtë vajzë të bukur e çapkëne, që më bënte thirrje me zemër në dorë, po ishte e pamundur, nuk e bëja dot!

Jo vetëm ajo, po dhe disa të tjerë nga turma ngulën këmbë që të na shpëtonin dhe ne nga kthetrat e diktaturës, por ishte e pamundur. Sakaq, kishim arritur te shkallët dhe polici na lejoi të futemi në korridor, pasi kishim garancinë. Ambasada nuk më dha vizë dhe as që më priti njeri. Punimet ishin pezulluar, që nga çasti i dyndjes së qytetarëve drejt tyre. Në gjithë atë vapë, iu drejtova ambasadës Hungareze, e cila pa ngurrim më dha vizën.

          Pasdite mora trenin për në Lushnjë. Gjithë rrugës fytyra e Nandit, e vajzës që më bëri thirrje dhe e shumë të tjerëve më kishin mbetur në mendje.

“Kanë të drejtë, kanë të drejtë të kërkojnë një atdhe të dytë, -thosha me zë të ulët. -Shqipëria s’na do! S’na do! S’na deshi për 45 vjet, na përdori për skllevër!

Po ne? Pse qëndrojmë akoma? Mirë bëjnë që po ikin…liria nuk blihet! Ajo fitohet! Fitohet! Dhe ata tashmë me guximin e tyre e kanë fituar!

Ferdinandi është në kohë, është akoma beqar dhe shpejt ka për ta riparuar jetën e tij të re.

          Treni ecte me ngadalë e unë përshkoja fushat e thara e të shkretuara nga thatësira e verës. Ato fusha e kodra, që unë me Nandin i kishim punuar vite e vite të tëra me punë të detyruar, tani qëndronin pothuajse të braktisura.

          Në mes të atij kallaballëku, truri im u kthye përsëri te poeti i vogël, kështu e quaja Nandin, pasi ishte poeti më i ri, më i vogli me moshë ndër ne, por me një talent të madh.

Në kampin e tmerrshëm, brenda në një qerre, kishte lindur dhe po rritej një poet i madh! Ai nuk kishte të drejtë të botonte poezitë e shkruara në copëza letrash të zhubrosura nëpër xhepat e kominosheve të tij, të baltosura gjatë punës së detyruar me orar të zgjatur deri në gjashtëmbëdhjetë orë. E ç’t’i kujtoja më parë Ferdinandit? Ç’t’i kujtoja vetes? Tubin e çelikut apo 100-hektarëshin, duke hapur kanale? Apo… apo…Mynxyrë në të katër anët, sidomos brenda kampit, po edhe jashtë tij. 

          Do të shkoja të takoja nënën e tij, e cila,kur e internuan, ishte nënë e re me katër fëmijë të vegjël: Hyrka, Luani, Ahmeti dhe me Ferdinandin në bark. O Zot! U rritëm së bashku mes atyre vuajtjeve të tmerrshme, u vëllazëruam aq shumë, sa na dukej se të gjithë ishim një familje e vetme.

Njerëzit në tren flisnin pa pushim për viktimat e fundit të sistemit komunist, për grahmat e fundit të tij. Kurse disa të tjerë flisnin e shfrenin me vete. Kavajasit bënin thirrje për një kryengritje të madhe, por kërkonin ndihmën e lushnjarëve.

Kështu, me mendime të tmerrshme e me kokën çorbë, që më ziente nga turbullirat, zbrita në Lushnjë. Po kthehesha me ndërgjegje në ferrin e vërtetë, te e keqja e madhe.

          Rrugën e heshtur për në kampin e Savrës e bëmë në këmbë. Diku e diku dukej ndonjë makinë që kalonte kokë ulur, ndërsa këmbë të riu nuk shikoje më gjëkundi. Ishte shkretuar vendi. Kishte ikur lulja e kombit! Fatkeqësia kishte nisur mbi dhimbje e rënkime të mëdha e, sidomos, të nënave. Të gjithë qenë nisur drejt lirisë së ëndërruar dhe, të ngujuar atje, te ato ambasadat shpresë mëdha, prisnin minutën e nisjes. E lanë atdheun jetim! Ia kthyen shpinën të ngratët, të varfrit, liridashësit, bijtë e bijat e atyre nënave, që qanin nën zë e të tjera nëna i dëgjoje që ulërinin rrugëve. Kur arritëm te ura e bardhë, kufi ky, ku s’kishin të drejtë ta kalonin njerëzit e internuar me apel, gjëja e parë, që vendosa të bëja, ishte të çoja amanetin në vend. Të shkoja sa më shpejt tek e ëma e Nandit për t’i dhënë amanetin, që më kishte lënë i biri. Dhe për t’i treguar se i biri ishte mirë e për të më besuar, unë i kisha prurë provën: orën e dorës së tij.

          Ku kishte gëzim më të madh për një nënë! Aty pashë sytë e saj të shkëlqenin nga gëzimi, nga një gëzim që rrallë herë e takon njeriu në jetë. Pastaj përnjëherë shpërtheu në vaj, duke numëruar hallet dhe vuajtjet e saja të gjata, rrugëve të internimeve, ku e vetme kishte rritur fëmijët si një burrëreshë e fortë. Qava dhe unë bashkë me atë nënë, që kërkonte lirinë e djalit të saj me çdo çmim: edhe larg shpirtit të saj prej nëne, edhe larg syve të saj që ndoshta do të lotonin përjetë. Edhe larg atdheut, se fundi-fundit, s’ishte Shqipëria ajo që nuk na deshi, por një sistem i kalbur në qelizë, që s’ka për t’u përsëritur kurrë më.

          Që nga ajo ditë s’jam takuar më me Nandin. O Zot! Kushedi sa ka ndryshuar! Kushedi sa kam ndryshuar! Kanë kaluar gati 30 vjet! Sigurisht, që ne s’do ta njohim njëri-tjetrin, dhe sikur të jemi ballë përballë një ditë.

Nuk jemi shumë larg, por dhe afër nuk jemi, ndryshe do të ishim takuar ndonjëherë. Të paktën në ndonjë takim letrar të ishim takuar, por dhe kjo mundësi nuk u krijua kurrë. Pata fatin vetëm një herë të jem në Berlin, ku mora pjesë me arsimin shqiptar të diasporës dhe ansamblin popullor që funksionon në Belgjikë. Atë natë pyeta kolegët e mi me banim në Gjermani, nëse ishte dhe Ferdinandi mes tyre, por më thanë, se ai banonte shumë larg që aty dhe s’kishte marrë pjesë.

* * *

          Unë dhe vajza u nisëm për Hungari më 5 gusht të atij viti, ditë kjo kur u nisën dhe shqiptarët, që ishin ngujuar në ambasada.

Atë mëngjes vere në aeroportin e Budapestit kishin dalë të na prisnin nga Brukseli dy djemtë e dajës së nderuar Rexhep Beça, që ndjesë i pastë shpirti aty në parajsë, Abedini dhe Muhamet Baça dhe vajza 10 vjeçe e Abedinit, Aishe. Nuk ishte vështirë për t’u njohur. Gjaku të thërret vetë në drejtim të tij. Sa dolëm nga aeroporti, i thashë Aurorës, vajzës sime:

          – Ja, ata atje janë… Dhe vërtetë nuk kisha gabuar.

Njohja erdhi instinktivisht e lehtë, e thjeshtë dhe shumë e bukur. Qe një takim i përmallshëm, i dhimbshëm e i paharruar për zemrat tona, që ishin të plagosura nga poshtërimi i vazhdueshëm i sistemit diktatorial.

U nisëm me një veturë luksoze gjithë shend e verë drejt ish-Çekosllovakisë, Austrisë, Gjermanisë etj. Mrekullia për ne nisi që në Budapest, në nisjen e parë, aty te bukuritë e valëve të Danubit, që ndanin aq mjeshtërisht Budën me Pestin, në atë bukuri madhështore, ku dëgjuam valsin e Danubit. Aty, te Danubi blu, gjithçka ishte një ëndërr për ne, ishte fantastike!

          Çfarë nuk kishin marrë për të ngrënë e për të pirë! Por vajza ime nuk hëngri dhe nuk provoi asgjë nga të gjitha ato të mira, se gjatë udhëtimit e zuri makina. Më kujtohet si tani, me gjithë lutjet tona e të djemve të dajës dhe të moshatares së saj Aishesë, ajo nuk pranoi të pinte dhe as ta provonte koka-kolën, se nuk e njihte.

Udhëtimi qe i mrekullueshëm dhe zgjati trembëdhjetë orë duke përshkuar autostrada të pa imagjinuara. Sa kaluam kufirin me Gjermaninë dhe u futën në atë Belg, m’u duk se u futëm në një botë tjetër, në botën e përrallave më të bukura. Na ra në sy një shkëlqim i paparë, si gjë më e veçantë deri atëherë në jetën time, u ndodhëm si në botën e lodrave të fëmijëve midis dritave të pafund të makinave. Dritat dhe neonet e ndezura, që në metrin e parë, shkëlqenin muzgun e asaj funddite të paharruar. Aty morëm vesh, se Belgjika ishte i vetmi shtet në botë i ndriçuar qind për qind brenda kufijve të saj. Duke vazhduar udhëtimin, pamë se si neonet e kthenin aq bukur këtë vend, në një qilim violë me lule të verdha. Në të ngrysur arritëm në Namur, qyteti kryesor i Valonisë, ku banonte daja me familjen e tij të nderuar.

          Pritja e ngrohtë dhe dashuria e madhe, që na dhuroi kjo familje fisnike për katër muaj, ishin nga më magjiket, nga më dielloret. si për vajzën time, por dhe për mua e tetë refugjatë të tjerë, që i kishte strehuar për humanizëm në shtëpinë e tyre pa asnjë interes.

Përveçse të gjitha falas, daja Rexhep Beça u blinte dhe paketat e duhanit. Vlen për t’u kujtuar me vlerësim e shoqja e Abedinit, kjo nuse e re, e bukur, 33-vjeçare, Remzia, që nuk u lodh për asnjë cast, duke na ndenjur në këmbë, me të gjitha mundësitë e saj e duke i nxjerrë të larë dhe të hekurosur të gjithë ata mysafirë, të ardhur nga skamja e nga rrëmeti. E shoqja e Dajës, një grua kreshnike 64 vjeçe, u kthye edhe një herë në rininë e saj, duke gatuar për aq shumë veta pa u ankuar njëherë. Tre vajzat e Dajës, Nazmia, Helomja dhe Nexhmia, të martuara, po të reja në moshë, dhanë shembullin e tyre prej patriotizmi, duke respektuar e nderuar jo vetëm ne, por të gjithë refugjatët, që ishin te familja e prindërve të tyre.

Unë në Belgjikë qëndrova katër muaj midis çudirave dhe realitetit. E them këtë, sepse në Shqipëri, sidomos nga vija unë, Namuri e Brukseli ishin qytete të përrallave. Ne që nuk kishim një gjerdan në qafë, ne që nuk kishim një unazë martese në gisht, ne që nuk kishim provuar koka-kolën, ne që s’kishim ngrënë mish asnjëherë në dy vjet, si të mos çuditeshim? Ne s’e kishim provuar ç‘ishte liria, respekti për lirinë e njeriut, ne ishim skllevër brenda vendit tonë , kurse Belgjika shkëlqente nga luksi, nga dyqanet e floririt, bizhuteritë, nga bollëku, nga liria e fjalës etj. A s’ishin kontrast i madh nga vinim ne?

Shpesh më takonte të flisja me ngadalë, sikur do të na të dëgjonte njeri, ndërsa djali i dajës, Abedini, më thoshte duke qeshur: -Fol më fort! Mos ki frikë! Nuk je në Shqipëri. Këtu s’ka spiunë të të fusin në burg për fjalën apo pakënaqësinë që shpreh. Je në vendin e demokracive të mëdha, mbesë!

          A s’ishim në botën e çudirave? Në botën e ëndrrave? Në vendin tonë nuk kishte dyqane e magazina me rroba të gatshme, duhej të blije copën, pa ta qepje, pa le më punime floriri. Për këto e të tjera s’bëhej fjalë fare. E ç’t’i kujtoja më parë sistemit faqezi!?

          Gjatë katër muajve që qëndrova, isha në dilemë të vështirë: të rrija apo të mos rrija, kjo ishte çështja! Të kërkoja azil politik apo jo? Këto pyetje vërtiteshin pa pushim në ndërgjegjen time të goditur, që nga mosha 11-vjeçare.

Para se të nisesha, u takova me Prof. Dr. Lazër Radin. U kunsultova me të dhe më mësoi ca gjëra, që unë nuk i kisha shumë të qarta në raste të tilla. Ai më këshilloi të mos kthehesha kurrsesi më në kamp. por, kur të arrija në Bruksel, pas ca ditësh, të shkoja te ambasada Amerikane e të kërkoja aty azilin politik ose dhe në Belgjikë, se komunizmi ka marrë fund,- më tha,- dhe shpejt të vjen familja.

Ti vetëm shiko përpara! Mos ik me kokën pas!

          Për katër muaj unë s’bëra gjumë në sy. Për tërë natën i thurja planet me veten time, kurse ditën i prishja. Dhe më kujtohej, Penelopa që endte pëlhurën gjithë ditën dhe e prishte natën. Dhimbja për fëmijët po më këpuste. Nga ana tjetër, im shoq ishte i izoluar e s’mund të lëvizte pa u kthyer unë. Prita më kot katër muaj se mos dhe ai nxirrte një vizë për të ardhur me fëmijët, por unë gabova. Mua po më ktheheshin netët në torturë, kurse tim shoqi nuk i kishin dhënë pasaportën. -Të të kthehet gruaja me vajzën, pastaj shohim për ty,- kishin thënë.

          Kështu, më 5 dhjetor, sipas kujtesës sime, mora trenin për në Itali dhe, që aty do të merrja tragetin për në Durrës. Në Itali më priti vëllai im, Luan Çeliku, që kishte ikur me ambasadat dhe që kishte fituar azilin politik. Ai mundi të jepte dhe një intervistë të gjatë në italisht, pasi gjuhën e dinte mirë se, profesori ynë i nderuar, Prof. Dr. Lazer Radi, na kishte mësuar jo vetëm sesi të shijonim muzikën italiane, por dhe si të prezantonim veten, kur të kalonim telat për në jetën e lirë. Në atë botë të lirë, aq shumë të ëndërruar, por jo të dëshiruar, se atë botë mund ta kishim ndërtuar dhe në vendin tonë, thjesht, duke mos instaluar komunizmin. Duke shkuar për te trageti, shikonim me një tronditje të thellë pasagjerët, që kishin zbritur dhe po shkëmbeheshim rrugës. Në mes atyre njerëzve të shumtë, të asaj mbrëmjeje të trishtuar, munda të dalloja një miken time, që m’u duk se ishte me vëllain e saj.

          Ishte muzg. Ajo më njohu menjëherë dhe, e çuditur që unë po shkoja nga ajo kishte ikur me vrap, më foli ashpër:

          – Ne po ikim të gjithë nga sytë këmbët, kurse ti, ti po kthehesh! Qëndro! Për ku je nisur kështu?! Po kthehesh përsëri në internim, në Savër, në atë ferr!

E pyeta për shoqen time të ngushtë, Tefta Çapoj, që ishte dhe kushërira e saj, se a kishte dalë dhe ajo, por ajo më tha:

          -Nuk di asgjë! I kemi humbur lidhjet. S’po dimë fare se ku jemi… në këtë kohë të turbull e të nxituar drejt lirisë, si zor do të lidhemi tani për tani! -e mbylli ajo.

E tmerrshme! Brenda meje po zhvillohej një gjyq, një luftë e fortë shpirtërore si asnjëherë tjetër. Isha drejtuar drejt mbytjes…!

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha(Çeliku), Ferdinand Laholli, UNË DHE POETI

NJERIU I DYZUAR

December 1, 2015 by dgreca

Mbi librin „Schlaflos mit Kleopatra“, ISBN 978-3-940636-34-8, Paranus Verlag, 2015/

NGA FERDINAND LAHOLLI/*

„Schlaflos mit Kleopatra“ (I pagjumë me Kleopatrën) titullohet libri i autorit shqiptar Selajdin Gashi, vënë në qarkullim këtyre ditëve nga shtëpia botuese gjermane „Paranus“. Unë kam fatin e madh ta lexoj librin këtu në plazhin e Golemit, ku sikurse edhe në librin e Gashit rëra është e ngrohtë dhe deti i shqetësuar.

Në këtë libër bëhet fjalë për një çift që është duke kaluar pushimet në bregdet. Burri e di që ka në dorë një libër poetik, por befas hedh pyetjen se ç’është poezia. Në vijim kujtohet se vargje i është dashur të lexojë edhe në kohën studentore. Gruaja është duke lexuar diçka në heshtje, teksa burri orvatet të shijojë rrezitjen. Gruaja ngaherë e zhytur në lexim libri, ndërsa burri duke u munduar t’u ikë gjithsesi mendimeve, që herë e prijnë drejt një dialogu të brendshëm me të dashurën e herë e nxjerrin tek zanafilla e jetës, herë e shpien tek vendlindja e largët dhe herë tek dëshira e madhe për të mos menduar asgjë. Befas të menduarit ka peshën e ferrit. Këtu nuk vlen aspak përcaktimi: unë mendoj, pra jam.

Teksa autorët e tjerë orvaten të dëshmojnë që në faqen e parë mjeshtërinë narrative, Gashi kalon befas dhe shpenguar nga njëri paragraf në tjetrin, ku shohim të ndehen copëra të ndryshme mendimesh pa afëri me njëra-tjetrën. Në dukje të parë kjo mënyrë trajtimi ia vështirëson disi përqëndrimin lexuesit klasik, ia zvetënon dëshirën për të lexuar më tej hipotezat që pranohen si të vërteta dhe realitetin që dyshohet. Por Selajdin Gashi, i cili ka studiuar filozofi, është i bindur edhe në ekzistencën e lexuesit të vëmendshëm e durimshumë. Dhe pikërisht një lexues i tillë vë re se autori është i vetëdishëm në „katrahurën“ stilistike të kapitullit hyrës, ku si brenda një vegimi të butë shihet të ravijëzohet gjithnjë e më ashpër njeriu i dyzuar. Dhe pikërisht dyzimi i njeriut është edhe lajtmotivi i këtij libri, i cili me nisjen e kapitullit të dytë e gjer tek i fundit të mban mbërthyer me zhdërvjelltësinë rrëfyese të ngjarjeve, ku rrafshohet çdo kufi ndarës midis realitetit dhe fantazisë.

Referuar titullit dhe ilustrimit të ballinës nuk është gabim të hamendohet se kemi të bëjmë me një histori apo aventurë dashurie. Por le ta themi hapur: libri ka gjithsesi më shumë peshë se një hamendim i tillë, për më tepër se tematika e veshur me një tis filozofie është një lëndinë pothuajse e pashkelur në letërsinë shqipe. Dyzimi, një tematikë thuajse e parrahur, e që mua megjithatë më duket çuditërisht e njohur, çuditërisht e përjetuar. Dhe është vërtet kështu. Në qershor të po këtij viti isha ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani, ftesë që e pranova falenderueshëm. Teksa drejtoja makinën në udhëtimin drejt qytetit Wuppertal, më dukej sikur po fluturoja, një ndjenjë kjo, krejt e panjohur për mua. Edhe pse ishte shumë ngrohtë, unë dridhesha i tëri. Ia thashë gruas këtë. Ajo kishte mirëkuptim për gjendjen time shpirtërore të quajtur gazmim, ngaqë shpejt do të takohesha me motrat dhe vëllezërit e penës shqipe në mërgim. Por në mbërritjen e atjeshme gjithçka u tjetërsua në kahun e pakuptimësisë: fjala ime ngaherë vitale qe hutuar befas aq shumë dhe u platit tek heshtja, gjatë ndonjë autogrami dora e dridhëruar nuk qe më e zonja ta konvertonte mendimin në fjali, gjatë të folurit mendimi nuk qe më në gjendje të orientohej në hiçësinë çastore të vetes. Në këtë gjendje u njoha me Pal Sokolin, malli poetik i të cilit ka rrenjë atdheu, me Sevëme Fetiqin, vargu i së cilës të prin lëndinave të brishtësisë, me Martin Çunin, harta poetike e të cilit si e dërguar nga koha e Rilindjes, me Sadik Krasniqin, hermetizmi dhe befasia poetike e të cilit ngaherë në shtrat filozofie, me Hasan Qyqallën, entuziastin në dejet e ëndrrës për Kosovën e pavarur, dhe me shumë e shumë të tjerë, pa harruar Selajdin Gashin, që referuar takimit letrar në Wuppertal, sot më duket se kam qenë një produkt i librit të tij „Schlaflos mit Kleopatra“, asaj kohe ende të pabotuar. Se në librin e tij Gashi hedh edhe pyetjen madhore mbi qenësinë tonë: jemi këta që jemi, apo ata që befas i mungojmë vetes?

Rrëfimi realizohet në vetën e parë prej autorit. Kuptohet se në një preferencë të tillë monologu sundon pjesën më të madhe të librit, i cili në tematikën e Gashit nuk bie asnjëherë në duar monotonie. Sa i përket dialogut të paktë e që shfaqet ngaherë vital faqeve të librit, ai përjetohet si një diell i ardhur pas një rrebeshi të gjatë, ardhur për të na bërë ta shohim më qartë veten dhe të tjerët rreth nesh. Për ta parë më ngrohtë realitetin me konture fantazie, me dëshirimin e kthimit tek vetja që s’është. Personazhet dialogues shfaqen enigmatikë, dhe, sa më shumë duket se profilohen, aq më befasues arrijnë tek lexuesi. Sidomos të paharruar mbeten personazhet në psikiatri, pra bashkëvuajtësit e autorit, të cilët me konçizitetin e tyre sa të thjeshtë aq edhe filozofik lartohen para nesh si perëndi të prekshme, aq njerëzorë dhe të dashur, saqë befas ke dëshirën e madhe të jesh si ata: i çmendur.Një libër që të mbush guxim në udhën drejt vetes.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ferdinand Laholli, libri-„Schlaflos mit Kleopatra“, NJERIU I DYZUAR

NGA BOTIMET NË DIASPORË-NJË PREZENTIM DINJITOZ I POEZISË SHQIPE NË GJUHËN GJERMANE

May 23, 2013 by dgreca

FERDINAND  LAHOLLI:ANTOLOGJIA E POEZISË MODERNE SHQIPE- ANTHOLOGIE DER MODERNEN ALBANISCHE  LYRIK/ Shkruan:Shaban CAKOLLI/

Të jeshë përkthyes nuk është diçka e lehtë.Në fillim duhesh të njohish  mirë gjuhën të cilën përkthen,e dyta duhesh të marrish një përgjegjësi  mbi vetën dhe të kesh dhunti për të kaluar vështërsitë  me të cilat ballafaqohesh.Të marrish mbi supe për të përkthyar një libër të dikuj është një përgjegjësi  më e madhe,sesa kur  shkruan veprën tënde.Kur shkruan veprën tënde .je i lirë të lëvizësh nga të dyja anët,por kur  të marrish të përkthesh një libër të huaj,duhesh të bëhesh pjesë e autorit të cilin e përkthen,të shoqërohesh  me te,të pasurohesh me te,të e përkthesh e përshtatësh me vendosmëri,të i përshatish fjalën shqipe aty ku dhe si e ka vendin,pa lënë barbarizma,pa lënë deformime,duke ruajtur besueshmërinë e  atij që po e përkthen.Të deformosh poezinë e dikuj që merr mbi supe të e përkthesh,kjo dallohet qartë,ashtu sikur të heqish diçka nga fasada e një ndërtese të bukur,të cilin deformim  të e dallon syri larg.Secili përkthyes ka stilin e vet,të e zëmë përkthyesi administrativ ka stilin e vet,por përkthimi në stilin letrar dhe poetik,don njohëje dhe kujdes të madh.Ferdinand Laholli,shquhet ndër përkthyesit më të çiltër dhe të talentuar,i cili ka përkthyar kryevepra botërore në gjuhën shqipe dhe gjermane,dhe është më i lexueshmi tek lexuesit  gjermanofolës.

Në këtë maj të këtij viti,po mbushen dhjetë vite të botimit të antologjisë  poetike moderne shqipe ,e cila edhe pas dhjetë vitesh  mbetet njëra nga antologjitë më të mira dhe më të lexuara,të poezisë sonë në gjuhët shqip-gjermanisht.Kohë kjo kur me një vullnet të pashoq,poeti dhe përkthyesi ynë i pati hyrë me zell punës,për zgjedhëjen dhe përkthimin e 93 poetëve tanë nga mbarë hapësira shqiptare,duke ua ofruar si margaritarë të letërsisë tonë,lexuesëve shqiptarë e atyre gjermanofolës.Tek”Antologjia e poezisë

moderne shqipe”Ferdinand Lahollijo vetëm aktualizon edhe njëherë krijimtarinë e autorëve të përfaqësuar,por në të njejtën kohë na jep një pasqyrë të qartë dhe koncize të asaj  që ka mbetur si vlerë me konzistencë.Ferdinand Laholli,është emër i njohur në mbarë hapësirën shqiptare dhe më tej,përveç si autor i disa veprave të sukseshme letrare,z.Laholli është i njohur edhe si përkthyes,i cili ka përkthyar disa vepra të autorëve të sukseshëm gjerman në gjuhën shqipe,si dhe të krijuesëve tanë në gjuhën gjermane.

Ky përkthyes entuziast dhe i talentuar,e ka pasuruar letërsinë tonë dhe ate gjerman,me një botim mjaft të mirë dhe përkthim me saktësi”Antologji e poezisë moderne shqipe,Anthologie der modernen Albanische  Lyrik”.Në 435 faqet e kësaj antologjie,poeti Ferdinand  Laholli i ka përfshirë krijimet poetike të 93 autorëve tanë  nga hapësira mbarëshqiptare,me një angazhim mjaft të madh e një punë të mundimshme,ku për një gjysmë dekade,hartoj,përktheu e përshtati,nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane.

Një punë kaq e madhërishme,me një kohëzgjateje aq të madhe,kishte të vetmin qëllim:afirmimin e krijimtarisë sonë letrare tek populli mik gjerman dhe përgjithësisht tek lexuesit gjermanofolës.Antologjia e poezisë moderne shqipe-Anthologie der Modernen Albanische Lyrik,është njëra ndër antologjitë më komplete,e përkthyar në një gjuhë të huaj.Ndryshe nga shumë hartues e përkthyes të antologjive,të cilët turreshin pas”Emrave të mëdhenj”,Laholli i shmanget  ndarjes së poetëve”të mëdhenj e të vegjël”,por

ai mbështetet tek një kriter tjetër,tek vlera poetike e poezive..Pra z.Ferdinand  Laholli përkthen në gjuhën gjermane poezinë,e jo poetët,krijimet poetike e jo krijuesit.Në eseun “Midis ëndrres e realitetit”,i shkruar nga autori në të dy gjuhët(Shqip-gjermanisht), autori trajton një temë mjaft të ndjeshme,siç është krijimtaria jonë  letrare në kohën e monizmit,atëherë kur kishte emra të mëdhenj të poetëve tanë e që njiheshin  si vjershtarë oborrtarë,nga se cenzura frikëmbjellëse ishte shoqëruesja e çdo autori shqiptar

të mbijetuar,e ata që nuk u bindeshin urdhërave të saj përfundonin në burgje,internime e deri në pushkatime me e pa gjyq.Kështu ishte atëbotë në Shqipëri,e çka mund të flitet për krijuesit tanë të cilët jetonin nën thundrën sllave?Z.Laholli në eseun e tij më tej thotë:Nëse si përkthyes i merr sot në dorë librat poetike të asaj kohe,kur krijuesi në të shumtën e rasteve qe peng i fjalës së detyruar,shihet krejt qartë se tema e Partisë dhe e”njeriut të ri” qenë bërë rutinë.Botimet e asaj kohe,të cilat dëshmojnë hapur

për jolarmi tematike,nuk janë në gjendëje të i ikin   mesatarizmit.Por,poeti Laholli mbetet këmbëngulës në realitetin e asaj kohe dhe vazhdon:Për hirrë të s1% vërtetës së madhe duhet pohuar se nëpër to gjenë edhe krijime poetike me vlerë antologjike,por mjerisht janë shumë pak në numër,sa që nuk të falin dot ngushëllimin,për të mos e quajtur të humbur atë kohë monizmi,sa i përket zhvillimit të gjithëkulturës shqiptare,e veçenarisht zhvillimit të poezisë.Në vazhdim poeti Laholli përshkruan vitet e 90-ta,.kur

populli u zgjua dhe e rrëzoi diktaturën shtetërore,e që nga atëhere fjala gjeti vetën,pra u lirua nga vargojt partiak,kur filloi një kthesë e paparë,një vërshim i paparë autorësh,ku krijimtarinë e atij dhjetëvjeçari e mbarësuan me befasi të këndëshme, me dëshmi moderniteti e bukuri marramendëse.Në këtë kënd hartuesi dhe përkthyesi i antologjisë.z,Laholli,vëren jo vetëm krijimet interesante të shumë autorëve të rinjë,por edhe ndryshimin cilësorë të autorëve të vjetër..Pra,poeti Laholli veneron këto ndryshime,duke forcuar bindjen se poezia e vërtetë nisi të frymoj lirshëm anëekënd hapësirës shqiptare.Tek antologjia e poezisë moderne shqipe,Laholli jo vetëm aktualizon edhe njëherë krijimtarinë e autorëve të përfaqësuar,por në të njejtën kohë na jep një pasqyrë reale,të qartë dhe koncize të asaj që ka mbetur si vlerë me konzistencë.Kjo antologji ofron mundësi të mirë për një vështrim valorizues,me që në te përfshihen poezi të krijuara në disa etapa kohore,poezi që janë krijuar disa dekada më herët,e deri te ato në ditët e  sotëme,si: Poradeci,Mekuli,Shkreli,Kadare,Podrimja,Vinca,Lazër Radi;Luan Starova,e shumë të tjerë.Poezitë e krijuara në etapa të ndryshme kohore e tërheqin vemendjen e lexuesit,si nga aspekti tematik,ashtu edhe nga struktura dhe niveli poetik e artistik i tyre.Pa dyshim një interesim të veçantë për këtë antologji,treguan lexuesit gjermanofolës.Ata na binden se ishin mrekulluar si nga niveli artistik i krijimeve, ashtu nga niveli i përkthimit si dhe pregatitja artistike dhe kompjuterike,me një profesionalizëm të lartë.Botimi i kësaj antologjie,sidomos përkthimi i talentuar në gjuhën gjermane,nderon autorët e përfaqësuar në te,por edhe mbarë letërsinë tonë.Lexuesi gjermanofolës,tani do të ketë një pasqyrë më të qartë e më të plotë mbi nivelin e poezisë dhe letërsisë sonë.Ajo tani po i dhurohet përmes kësaj antologjie,me krijime të pjekura të një niveli të lartë artistik.Për dallim nga hartuesit dhe përkthyesit e deritashëm,z.Laholli nuk vrapon pas emrave, por pas krijimeve me vlera,Ai sikur gjurmon në kopshtin tonë letrar lulet më të bukura poetike,ashtu të freskëta ia ofron lexuesit gjermanofolës me aromën e tyre poetike.Kur lexuesi e merr në dorë këtë antologji,atij i bëhet sikur është hartuar nga një i huaj,i cili nuk e njeh lojën e brrylave,por vetëm nivelin artistik të letërsisë.Duke bërë një prezentim dinjitoz të poezisë tonë në gjuhën gjermane,me plot të drejtë mund të themi se Ferdinand  Laholli,me përkthimin e kësaj antologjie voluminoze ka bërë një punë kolosale,duke afirmuar letërsinë tonë,por edhe duke ngritur ura miqësie,mes popullit tonë dhe atij gjerman,ura këto të ngritura nga një material shpirtëror e cilësor,siç është arti i së bukurës.Antologjia e poezisë moderne shqipe- është zë i ndërgjegjes së krijuesit, i cili arrinë të identifikohet me kolektivitetin e vet nacional,në këtë rast edhe më gjërë,si me fatin dhe tragjikën e tij historike e sociale.

 

                              FERDINAND LAHOLLI

Ferdinand Laholli u lind më 16 qershor 1960 në Gradishtën moçalore, ku familja me prejardhje nga Vidohova e Korçës qe dërguar të përjetonte ferrin e regjimit enverhoxhian, si pasojë e emigrimit të atit të tij në Amerikë. Më pas familja Laholli dërgohet në kampin e internimit Savër, ku për tridhjetë vite vuajti mohimin total të sistemit monist. Si i internuar iu mohua ndër të tjera edhe studimi i lartë. Në moshën 15-të vjeçare dërgon për botim dorëshkrimin e librit të tij të parë, porse botimin e librit të parë në Shqipëri e përjetoi vetëm pas rënies së diktaturës. Më 1990 emigron në Gjermani e sot është autor i një sërë librash. Poezitë e tij janë përkthyer e botuar në gjuhën gjermane, italiane, angleze, suedeze, turke, hollandeze, kerntisht, rumanisht dhe frëngjisht. Është bashkautor i më shumë se 20-të antologjive në gjuhë të ndryshme, autor i 11-të librave për fëmijë e të rritur. Nga viti 2011 drejtues i “Shtëpisë Botuese Laholli”. Pas diplomimit në Institutin Gëte merret kryesisht me përkthime letrare nga letërsia gjermanofone. Gjer më sot ka shqipëruar mbi 20-të libra.

Ferdinand Laholli ist am 16. Juni 1960 in Gradishta, einem Sumpfgebiet Mittelalbaniens, geboren worden. Seine Familie wurde wegen der Flucht seines Vaters in die USA von Korça dorthin zwangsumgesiedelt. Später wurde die ganze Familie in das Savra Internierungslager gebracht, wo er dreißig Jahre seines Lebens verbringen musste. Als Internierter untersagte man ihm unter anderem auch das Studium an der Universität.

Mit 15 Jahren suchte er einen Verlag für sein erstes Buchmanuskript, doch die erste Buchpublikation in Albanien erlebte er erst nach dem Absturz der Diktatur.

1990 emigrierte er nach Deutschland. Laholli wohnt in Bückeburg, schreibt Lyrik und Prosa und veröffentlichte bisher mehrere Bücher. Gedichte von ihm sind ins Deutsche, Italienische, Englische, Schwedische, Türkische, Holländische, Kärntische, Rumänische und Französische übersetzt worden. Veröffentlichungen in 20 Anthologien. Nach dem am Goethe Institut erworbenen Sprachdiplom bemüht er sich, deutschsprachige Literatur in Albanien zu verbreiten. Er hat bis heute über 20 Bücher übersetzt.

Libra të Autorit / Bücher des Autors:

“Mjaft ky paradoks i hidhur” (genug mit diesem bitteren Widersinn) – Tiranë, 1992.

“Në ishullin e vetmisë/Auf der Insel der Einsamkeit” – Tiranë, 1993. Ins Deutsche übersetzt von Robert Schwartz.

“Te kjo vajzë e përgjakur / An diesem blutüberströmten Mädchen” – Tiranë, 1994. Ins Deutsche übersetzt von Robert Schwartz.

“Libri i dëshirave” (Buch der Wünsche) – Tiranë, 1994

“Suicidio delle foglie” (Selbstmord der Blätter) – Frosinone / Italien, 1995. Ins Italienische übersetzt von Shpend Sollaku – Noe.

“Shtrigani i ëndrrës” (ein Hexenmeister in meinem Schlaf) – Tiranë, 1996.

“Urrejtja nuk është dashuria ime” (der Hass ist nicht meine Liebe) – Prishtinë, 1997.

“Paolo” – Tiranë/Albanien, 1999.

“Në Bykeburg bie shi / Es regnet in Bückeburg” – Tiranë, 2000.

“Linda” – Prishtinë / Holzminden, 2005.

“Kur ikën ti” (immer wenn du gehst) – Prishtinë/Hannover, 2006.

Shqipërime nga gjermanishtja të Lahollit:

Lahollis Buchübersetzungen ins Albanische:

Kristiane Allert-Wybranietz: “Frei sein / Të jesh i lirë” – Tiranë, 1996.

Fred Kurer, Ivo Ledergerber, Isuf Sherifi, Mustafë Xhemaili: Kuartet poetik / Ein dichterisches Quartett” – Prishtinë, 2004.

Vështrim nga dritarja e hapur / Blick durchs geöffnete Fenster” – Prishtinë 2005, mit Texten von Autoren: 

Burkart, Erika

Beqiri, Shaip

Kurer, Fred

Xhemaili, Mustafë

Brechbühl, Beat

Xhelili, Vaxhid

Ledergerber, Ivo

Gecaj, Sabit

Schmid, Wanda

Rudi, Xhemal

Storz, Claudia

Sherifi, Isuf

Messmer, Erwin

Berisha, Valdet

Fuchs, Brigitte

Umbricht, Clemens

Salihu, Bujar

Oberholzer, Rene

Aus dem Albanischen ins Deutsche von: Hans-Joachim Lanksch.

Aus dem Deutschen ins Albanische von: Ferdinand Laholli.

Die Macht der Dichter/Pushteti i poetëve” – Band 1 – zweisprachig, Prishtinë/Hannover 2007, mit Texten von: 

Ach, Manfred

Ausländer, Rose

Fichtl, Betti

Fried, Erich

Heine, Heinrich

Kurer, Fred

Ruiss, Gerhard

Schulak, Rosemarie

Windhausen, Wolfgang

Wiplinger, Peter Paul

 

Peter Paul Wiplinger: “Lebenszeichen/Shenja Jete” – Prishtinë/Hannover, 2008.

 

Werner Bucher: „Du bist dein Retter & dein Feind / Ti je shpëtimtari & hasmi yt“ – Tetovë, 2009.

Christine Fischer: „Versteck für himmlische Fische / Strehë për peshq qiellorë“ – Mazedonien, 2009.

Clemens Umbricht: „Zwischen zwei Gedanken / Mes dy mendimesh“- Tetovë, 2009.

Fred Kurer: „Was eigentlich mach ich hier? / Ç’kërkoj këtu në të vërtetë?“ – Tetovë, 2009.

Ivo Ledergerber: “Menschenleben / Jetë njeriu” – Tetovë/Mazedonien, 2009.

Joseph Kopf: „nur eine bewegung von licht / veç një lëvizje drite“ – Tetovë/Mazedonien, 2009.

Beat Brechbühl: „Gedichte für Frauen und Balsaminen/Poezi për gratë dhe lulet mosmëprek“ – Tetovë/Mazedonien, 2009.

Christoph Janacs: „die Unsicherheit der Barke/pasiguria e barkës“ – “Shtëpia Botuese Laholli”, Albanien, 2011.

Wilhelm Pellert: “Ada dhe gjyshja në Togo” – “Shtëpia Botuese Laholli”, Albanien, 2011.

 POEZI NE SHQI NGA FERDINAND LAHOLLI

DHE PRETENDOJMË

Unë kam frikë të dëgjoj 
e të shoh.

Ti ke frikë të dëgjosh 
e të shohësh.

Ata kanë frikë të dëgjojnë 
e të shohin.

Dhe pretendojmë pastaj
se botën mirë e njohim.

 

JEMI HIJE

Jemi hije,
që zvarren
pa ditur 
ku venë.

Mund të ishim
njerëz,
që hije
përzenë.

 

E SOTME

Këmisha e ëndrrave
m’u shqye
nga dielli
i pritjes.
Lëkura
ndjen
përvëlimin
e hiçit.

 

PPSH

Ecën
vrastare
mbi ëndrrat
tona.
Pastaj
na harron fare. 
S’merret
me kufoma.

 

SAVRA

Këtu është frikë të flasësh,
frikë të heshtësh.
Këtu është frikë të buzagazesh,
frikë të zymtosh.
Këtu është frikë të mos kesh frikë.

 

KËTU

Këtu ligji
është syri i vdekjes
ndërë
mbi Shqipëri.
Këtu njerëzit
struken më thellë vetes,
të mos dallohen
prej tij.

 

FRIKA

Frika
na tregon
honet
e gabimit.
Duhet vrarë
vetja,
të shpëtojmë                                         
prej frikës.

 

PENDESA

E përplasa                                                                                                                                     
kokën
për heshtje
e tash
po më dhemb
prej durimit.

                                                 VETËVRASJA E GJETHEVE
Lakmuan
të jenë të arta
e tani po bien njëra pas tjetrës
me ulërimë.(Ne Foto: Ferdinan Laholli)

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ferdinand Laholli, i poezi moderne, nje prezantim dinjitoz, Shaban Cakolli

Artikujt e fundit

  • REZISTENCA ANTIFUNGALE: NJË SHQETËSIM GLOBAL SERIOZ PËR SIGURINË USHQIMORE DHE SHËNDETIN PUBLIK
  • U NDA NGA JETA ‘MËSUESI I MERITUAR‘ SADIK SEJDI LEKA 
  • Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe persekutimi i familjarëve të tij
  • LE TË PIMË…
  • PUBLIÇISTIKA  E  DON LAZЁR SHANTOJЁS  DHE NYJET  E PAZGJIDHURA  TE HISTORIOGRAFISЁ  SHQIPTARE
  • President Biden Signs the Veterans Health Care Legislation
  • ENVERISTAT NUK MUND TË BËHEN HERONJ SHOKU VELIAJ!
  • KANAÇEMBLEDHËSI AMERIKAN
  • Lamtumirë N/Kolonel Sokol Qehaja
  • “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM” 
  • ULQINI PRET BIJTË E VET
  • QEVERIA NË MES TË VOTËBESIMIT DHE ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE
  • NË VËMENDJE, 400 MIJË DOSJET E SPIUNËVE TË (ISH) SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST…
  • SHTETI SEKULAR DHE IDENTIETI YNË KULTUROR DHE KOMBËTAR NË RREZIK!
  • #SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT