• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

Kujtoj Martirin e parë t’ vramë në 1945…

December 7, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

Leter e Don Lazër Shantojës drejtue At Fishtës (1932):

A u bie në mend?
N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…Ishi pështetë për parani të dritores s’odës s’ Uej e më hudhët prej andej nji citat latin, sikur i hidhet fëmijs nji kokërr bádem. Ashtu si tue qeshë. Ju më lavduet n’at mëngjez të vokët vjeshte s’dij tash bash mirë ç’artikull, e un U çova në qiell për nji shembëlltyrë krejt origjinale qi kishem këndue ndër ato dit në “Hyllin”. Shkruejshi për ata ministrat t’onë t’asaj kohe…qi nuk ishin të zott me marrë përgjegjësi për fjalë e veprime të veta, mësa shtyllat e telegrafës për fjalë qi përshkohen nëpër telat lidhun për to. E m’a pritët: “Asinus Asinum fricat”! 

A u bie në mend?
E mbramja herë, kujtoj, se u ndeshme së bashku, n’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije.

E ajo ndeshje e fundit më kujton sod, o Fishtë, ndeshjen e parë me Jue, kur un, letrar atëherë me shpërgaj, U avita për të parën herë me të pimët e nji të vogli, me bindjen e nji neofiti. Në shkollën franciskane, në sallën e Drejtoris, n’at kryekuartjerin t’Uej prej kah Ju, rrethue nga oficirat e atij shteti madhuer në zhgun, ma e shuma rritë e edukue prej Jush, filluet luftat e lumnueshme kundra të huejve, zbuluet bukurit e vizaret e gjuhës shqipe, e bat ket me dalë nga stanet e kolibat tue e njitun mbretneshë në kathedrat e mësimit publik.

Më that: “Po ku je? Un tashma po plakem. Ku jeni ju të rijt?”   Kush ka pasë rasën fatlume me ndejë me Jue, ka mujtë me e ndigjue shpesh herë ket motiv prej gojës s’Uej t’ambël. Po plakem! Dam m’u plakë nji poet, P. Gjergj, as? Rrezik! 

U mundojshi njimend me veshë në varjacjone të ndryshme të humorit t’Uej të pashterrshëm, at motiv në mol: kallxojshi për vjetet e ujkut e për ato të qenit: rrahshi gjoksin e né mbram, si me dashtë me i dhanë vetes me at gjest force nji ngushllim të ligësht, e thojshi: 

“Paj, a s’jam tekembramja nji djalosh… pesdhetë vjetësh?”

E qe, Fishtë, se tash do kohë nji numër i veçantë i “Hyllit” më lajmonte, se në rabushin e jetës s’Uej koha kishte pre me briskun e saj mizuer edhe dhetë viza tjera. 

Gjashtëdhetë vjetësh pra…Djalosh?! 

E këndova, e përpina at numër. Por a e dijni? Nuk m’a mbushi kurrkund synin. Nji suazë tepër e vogël e e vorfën për nji kuadër aq të madh e të pasun. Nji symfoni beethoviane ekzekutue nga nji orqester zumaresh e kavallash. Nji modesti e kuptueshme ndalonte mjerisht tubën e vëllazënvet t’Uej t’Urdhnit, me marrë pjesë n’at kremtim letrare nji largësi qi nuk asht harresë ndaloi nji tubë tjetër vëllaznish t’Uej, në shpirt e n’art m’u shprehë mbi Jue e për Jue n’at rasë. 

Vrojta dhe nji mungesë tjetër n’at koncert. M’u duk se aty ishte harrue nota ma e bukur, ma e lumnushme e Jueja. Ajo notë qi U ban me kenë ça jeni: Fishta i jonë! Kush e këndoi atë notë, kush e spikati? Un nuk kam menden me përsritë o me kritikue këtu gjykimet e tjervet mbi Jue. Due vetëm t’U shtie në mend nji fjalëz të Goethes. Sa pare bajn ma në fund gjykimet e tjervet mbi nji poet? Gjykimi ma i mirë e i parrejshëm asht gjithmonë ai qi poeti vetë i ep vetes. E qe çë mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. E thotë me dy fjalë të shkurta, për  ata qi s’dijnë ça asht arti, të pakuptueshme. Goethe nuk lavdohet pse ka mbërrijtë me shkrue Faustin, por pse i ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: ein bisschen gutdeutsch… Këtu, Fishtë, rri edhe të tanë madhnija e Juej si letrar. Kjo asht nota qi U karakterizon. Kush këndon nji shkrim t’Uejin, në dashtë të jenë vargjet e Lahutës, në dashtë rradhët e nji artikulli, ai këndon shqip. Kurrkush ma mirë se Ju nuk dijti me e përdorë ket material të poetit, gjuhën. Në té asht i njeshun të tanë mysteri i personalitet t’Uej e i sendevet që Ju këndoni. Gjuha e Juej, fjalët, frazat, perjudhat janë erë e tokës së Shqipnisë, janë ngjyrë e qiellit të saj, lule të livadhevet t’Atmes, janë gurgullima e lumejve e fërshëllima e pyjeve të saja, trajta e maleve e e kodrinave të vendit. Aty lëvisë ritmi i gjakut shqiptar, tingëllon zani i qinde-e mijvjetve, pasqyrohen fytyrat e kreshnikvet e idealet ma të nalta të prisave e të fatosavet t’onë. Nji qi nuk asht shqiptar, qi nuk e ndien veten të tillë; qi nuk asht rritë e s’ka jetue me ket popull, ai mundohet kot: nuk U kupton. Ju jeni të papërkthyeshëm. Për me pérkthye shkrimet t’Ueja, duhet me shkrue brij tyne të tané historin, të tanë psyhologjin të atij populli të maleve t’ona. Titullin e poetit populluer në Shqipni e meritoni vetëm Ju. Munden tjerë, e pse jo?, me U a dalë ndoshta në lirikë, në dramë, në romanx, në fletorizëm, n’ato degë të ndryshme ndër të cilat dahen pema e leteratyrës; në poezinë popullore, n’artin e gjuhës Ju jeni e do të mbeteni i vetëm. Në vetmin’ e të mëdhajve, të gjenive. Të paarritshëme të pakapërcyeshëm. Nji! S’asht nevoja me kqyrë e me peshue gjithmonë ça Ju shprehni në këtë gjuhë. Unë, po Ua thom rrumbullak, nuk jam nji asijsh qi i pëlqejnë të tanë veprat t’Ueja, En bloc, mbyllasyzash. Shijimin t’em artistik bje fjala e knaqin shum herë katërmdhet vargjet e nji soneti të Mjedës shum ma tepër se katërdhet vargjet e ndonji melodrami t’Uej. Por këta s’do me thanë gja. Gjuha e Juej asht n’ vetvete art, kryeveper arti. E ban të tillë ndertesa e saj, muzika, ngjyra, veçansija. Ata qi janë mundue me shkrue mbas falsarigës s’Uej, kanë dështue deri tash gjithmonë. Kanë mbledhë, në gjasim të çamerdhokvet të shkollavet, fraza mbi fraza, i kanë shprazë të gjitha për nji herë, njenen mbas tjetret në faqen e parë të një artikulli, porsi shprazet nji babunë dardhash t’egra në nji gropë për me u ndukë, e në faqen e dytë të tij, hiç ma larg, të kanë dalë në frazeologjin e stilit stereotipik të fletorizmës, të kanë shkrue mbi eksigencat e jetës e mbi nevojën me marrë pozicion e prej kullosave të pastra të bjeshkave kanë ba nji salto mortale në bulevardet plot pluhun të metropolevet moderne e kanë thye qafën! 

Ata qi n’at numër të veçantë të “Hyllit” shkruen mbi Jue e mbi veprën t’Uej e harruen kët notë a nemose nuk e spikatën. Lypet ndoshta edhe nji farë distance për me e ndie e për me e shijue si duhet. Disa eleganca muzike nuk mund të shijohen me veshë tu grykat e trumbetavet të bombardonavet. Duhen ndëgjue larg. E na qi tash sa vjet jemi të dënuem me jetue larg popullit t’onë me gjinde e në dhe të huej, ku veshët s’na i prekë kumba e gjallë e zanit të tij, as kur këndon as kur qan, por hera-herë ndoj jehonë e rrallë e zbet e e vdekun, na jemi ndoshta për kët punë ma sensibil, ndiem ma fort e ma hollë. S’asht vetëm malli për tokë, asht dhe ai për gjuhë qi na zatetë, malli për trup e për shpirt të Shqipnis. Nji mik i emi, qi ishte shtrëngue me ndejë shum kohë në Belgrad pa pasë shoq shqiptar, ngitte me kërkue sharraxhit e bozaxhit e Kosovës për me hjekë mall e me folë shqip me ta. Jam edhe un tash nji vjetë në hallin e atij miku. As flas, as ndie tue folë shqip tash sa kohë. Ça baj? Marr Lahutën, marr nji vjershë t’Uejen, cilendo, këndoj me za të naltë shqip e, a ma besoni, qaj… Nuk qaj pra  fort kollaj un kur këndoj shqip. Mbushem ma tepër për maraz kur shoh ça shkruhet e si shkruhet shqip.Kur shoh matrapazat në lulishtat e poezis e n’oborret e prozës s’onë, kur shoh cuba tue vjedhë ndër ata të Parnazit karabusha për me i a qitë mbandej si laradasha të përzhitun shqip kombit e m’u quejt aktorë e me krrucë ndoshta edhe ndoj grusht verdhukë. Jo, jo, Pater Gjergj, nuk qaj un kollaj kur këndoj shqip. Por gadi gjithmonë kur këndoj fjalën t’Uej. E në qetin e atij vaji të shpërthyem nga bukurija e gjuhës s’Uej, e gjuhës s’onë, kuptoj sende qi asnji histori, asnji psyhologji nuk do t’ishin të zojat me më zhvillue. Atëherë kuptoj se si nji popull kaq i shkretë, kaq i salvuem, kaq i sprovuem, ban se ban hije mbi tokë e nuk ndigjon me vdekë. Atëhërë kuptoj se pse zemra e nji Plaku, mbi të cilin rrahin tallazet e detit të botës, moliset e pse syt e Tij derdhin lot kur shofin para vetes nji tubë burrash e grash shqiptare. Kuptoj atëherë edhe lotët e Pios së XI.

                     “Shejzat”, vjeta V, nr. 11-12, nanduer-dhetuer 1961.

Shkruen Prof. Ernest Koliqi, në vitin 1961…

“Kemi fatin e bardhë t’u paraqesim lexuesvet nji margaritar të çmueshëm, nji shkrim të pa botuem t’orziut Don Lazër Shantojës mbi Fishtën. Asht nji letër e hapun të cilën shkrimtari me at styl të gjallë e të hollë të vetin i drejtonte poetit nga La Motte (Jura Bernois, Zvicër) ku aso kohe (1932) e kishin hjedhun dallgat e mërgimit e ku ushtronte ofiqin e famullitarit. Arsyena të lidhuna me kushtet e tija si i mërguem banë qi letra të mbette pa u shtypë. Nji miqësi vëllaznore na lidhte me Shantojën, e themelueme në dalldi të përbashkët letrare. Shum shkrime të të ndiemit Mik ruejmë me kujdes plot nderim në kartotekën tonë private tue pritë rasën e volitshëme me i botue në vëllim. 

Letra mbi Fishtën na duket se në kët Numër të Vaçantë e ka vendin ma të përshtatun”.

Shenim F.Radovani: E s’ besoj se ka vend ma të pershtatshëm se ky, sot në Vitin e At Gjergj Fishtés 2020. Nga botimi i Prof. Ernest Koliqit kuptohet se Arkivi i Tij, ruen vlera të mëdha. 

Fatkeqsi e madhe se kush po e drejton sot të shkreten Shqipni! 

Melbourne,   Dhjetor 2020.

Filed Under: Histori Tagged With: Fishta, Fritz radovani, Lazer Shantoja

JETA

December 7, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vdekja është fjalë e rëndë, ndjell lloj lloj mendimesh, por duhet thënë se duhet përmendur, edhe kur s’ndodh, është mësim i fundit  jetës. Si një udhëtim, kur anija është në spirancë, nëse shkon në breg për të marrë ujë, mund të zbavitesh duke mbledhur guacka ose gjëra të tjera, por mendimet dhe vemendja duhet të jenë drejt anijes, se po të thërrasë kapiteni, duhet t’i lësh të gjitha, që të mos kesh nevojë të mbartin si dele; po kështu në jetë, në vend të guackave, njeriu grumbullon e çfarë s’grumbullon, në shumë gjëra bëhet i pa ngopur, nuk diskutohet; por nëse kapiteni thërret, duhet t’i lërë të gjitha, të vrapojë drejt anijes, dhe të mos shikojë prapa. Nëse është plak, të mos shkojë kurrë larg nga anija, që të mos mungojë kur ajo të niset. Pra, mos kërko që ngjarjet të ndodhin siç dëshiron; por dëshiro që të ndodhin ashtu siç ndodhin, dhe gjithmonë do të jesh në vendin e duhur në kohën e duhur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, jeta

SOFRA E DIELLI-DITËLINDJA E AT GJERGJ FISHTËS

December 7, 2020 by dgreca

BAJAME HOXHA-ÇELIKU/

DITËLINDJA E AT GJERGJ FISHTËS/

Binjake, toskërishtja dhe gegërishtja, /

Janë dy krahët e shqipes që fluturojnë./

Më t’bukur emër s’do të kish Fishta,/

Shqiptar rrënjosur shekujsh në embrion./

Buka e kulturës e gjuhës sonë amënore,

Gegë, toskë ky komb të puthi në ballë.

Të ngriti në piedestal kjo tokë arbërore,

O At Gjergj Fishta, të bëri të gjallë!

At, të dhanë titullin e madh, dhe shtëpia, 

Plot ndere u ngrit monument kulture!

Se në çdo gur të saj gdhendej Shqipëria,

E ti kryelarti që kurrë s’u përkule!

Ajo penë e fortë mbeti shkëmb në lartësitë,

Valëvitet si flamuri ndër ne dhe sot. 

As dallg’ e furishme kur rrënonin stuhitë,

Çuditërisht penën s’ta rrëzuan dot.

At Gjergj Fishta, na le pasuri të paçmuar,

Vargje brilante plot ajër e frymë.

Na le gjerdane, thesare të pagëzuar, 

Gjuhën Gege e derdhe në himn. 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha-Çeliku, Ditelindja e Fishtes

Të rikujtosh vitet e burgut komunist, vlen në çdo kohë

December 7, 2020 by dgreca

–Reflektime nga leximi i romanit të shkrimtarit Shpend Sollaku Noè “Filius Hostis ovvero Il figlio del  nemico” (“Biri i armikut”) –

Nga Nini Mano/ 

Romanin e fundit të sapobotuar nga Shpend Sollaku Noe, shkruar në gjuhën italiane “Filius Hostis ovvero Il figlio del  nemico” (“Biri i armikut”) e lexova me një frymë. Në të ka aq shumë Berat, aq episode, që brezi që u rrit në Shqipërinë komuniste i ndjeu në cdo hap, duke humbur aq shumë jetë lirie. 

Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e shtetit komunist dhe ne, dëshmitarët e asaj periudhe të përfshirë në përditshmërinë tonë, në luftën për  jetesë, i kujtojmë shumë pak, pse jo, edhe aspak.  Dhe kështu, si padashje, jemi duke bërë gabimin e madh, sepse një histori që harrohet, rrezikon rikthimin akoma dhe më të egër të pasojave të atij sistemi, që na dëmtoi përditë e ngapak. Por ja që ka disa shkrimtarë si Shpend Sollaku Noè, që i risjellin të gjalla, të dhimbshme, që përveçse na prekin kujtesën tonë, na bën të mundur arsyetimin se çdo gabim dhe krim, jetuar aso kohe, duhet të rithuhet me zë të lartë. Historia e popullit tonë që ka kaluar në periudha të dhimbshme, pikërisht tek harresa e ka tragjizmin e vet. Kështu ka ndodhur ndër shekuj dhe nëse do të vijojë njëlloj, ripërsëritjet nuk do të vonojnë.

Romanin “Biri i armikut” po e quaj roman-ditar jete, një kronologji qytetare, sepse autori ja ka dalë të ngërthejë  fort dhe bukur copëza jete, ndjesi të asaj kohe, pasqyruar në jetë të ndryshme personazhesh. Në cdo faqe që lexoja, sikur jetoja ditët tona të asaj kohe në Berat, ku gjithcka zjente nën rrogoz, ndërsa kujtime shoqesh dhe shokësh që vuajtën, më erdhën para syve.  

Mosdhënia e një të drejte studimi në shkollën e lartë aso kohe, ishte nisja e dënimeve për atë që goditej. Për një të ri 18 vjecar, ishte nisja e periudhës së frikës, përndjekjes, revoltës dhe dënimit të pashmangshëm. Kështu ndodhi me Venetik Kazazin, personazhi kryesor në roman, rreth të cilit përsillen  fate të tjerë djemsh  e vajzash, familjet e të cilëve jetuan përndjekjet politike dhe dënimet e formave nga më të ndryshmet. Ai sistem këtë kishte qëllim: të ngulte frikën që të tulateshe, të mos ngrije zërin ndaj padrejtësive, përndryshe, dënimin e kishe mbi kokë.  

Shkrimtari Shpend Sollaku ka përfshirë shumë aspekte të asaj periudhe dhe ja ka dalë. Kronologjia e kohës përfshin rininë më të pafajshme të moshës 17-18 vjeçare, që përballet me mungesën e të drejtës për ta jetuar jetën siç i takon. Çdo përpjekje prindërore për t’ia arritur një të drejte të tillë në roman përshkruhet me shumë gjallëri faktesh mes mundjes dhe pamundjes, mes një injorance të verbër krejtësisht deri lart në Byronë Politike, deri tek udhëheqësi satrap i kohës, ku më së shumti, gjithcka varej nga humori i zgjimit në mëngjes të tij. Sado që ka dhe skena sarkazme në këtë drejtim, revolta e mungesës të së drejtës, mbizotëron teksa lexon faktet e tilla. 

Kushdo që ka provuar mosdhënien e të drejtës për studimet e larta, e ndjen në kockë atë dhimbje, që nuk ikën. Kam qëlluar në biseda me personazhe të tillë gjatë këtyre viteve, që ndonëse ja kanë dalë të bëhen të suksesshëm pas 90-tës në jetë, plagën e mosdhënies së të drejtës së studimit e kanë një plagë që pikon dhimbje shumë fort edhe sot e kësaj dite. Sepse askush nuk mund ta pranojë se dallimi mes të aftit dhe të paaftit që përfitonte shkollimin e lartë vetëm falë biografisë së “mirë” për sistemin komunist, përbën një padrejtësi që nuk harrohet. Dhe në një moshë 18 vjeçare, kushdo që e pati këtë fat, në fakt u bë më vëzhgues dhe kritik për sistemin politik, sepse gjykon cdo veprim që rëndon të ardhmen. Por përvec tyre, në roman përfshihen dhe një kategori tjetër të rinjsh, kryesisht nga familje pa anëtarë partie, të cilëve u jepej e drejta e studimit për degë që nuk i kërkonin, edhe pse mund të ishin fatlum. Por në këtë kategori futeshin dhe bij komunistësh, për të cilët sistemi i kohës kishte kategorizimet e veta, sepse jo të gjithë kishin të njëjtën devotshmëri bindjeje ndaj shtetit.  

Për vajzat që mbeteshin pa studimet e larta, puna me turne në fabrika ishte e ardhmja, ku zhgënjimet edhe nga dashuri të pamundura, shkatërronin jetët. Ndërsa për djemtë, vinin tre vitet e detyrueshme në ushtri dhe personazhit të romanit i ra t’i bënte në ishullin e Sazanit, vendi-burg i vërtetë i sigurisë së lartë. Por me dallimin që ndërsa burgjet në tokë rrethoheshin me tela, burgu i ishullit ishte rrethuar me ujra të pakapërcyeshme. Për më shumë, largësia e detyrueshme dhe e kontrollueshme nga radarët, krijonte një mbytjeje të shpirtit, gati pa u kuptuar. Kushdo që ka kryer ushtrinë aso kohe, e di mirë se ato tre vjet përbëjnë humbjen e një periudhe të shtrenjtë të jetës, ku kuptoje se duhet të përballoje një “armik imagjinar” tek mendja e sëmurë e udhëheqësit, që nuk mbrriti kurrë në prag. Por nga ana tjetër, sistemi komunist duke zgjedhur këtë lloj rruge, forcoi vëzhgimin pas jetesës dhunuese dhe arsyetimeve mes ushtarëve, që përgjithësisht vinin nga shtresat e dënuara nga politika komuniste, për një botë qesharake imagjinare, ku lufta bëhej gati me mullinjtë e erës. 

Duke lexuar këtë roman me titullin domethënës “Biri i armikut” , njeh aspekte të jetës së asaj shtrese të dënuar, ku dhimbja nuk shkëputej nga e përditshmja me aq shumë fate tragjike të personazheve të ndryshëm. Secili prej tyre përbën një histori dhimbjeje, që ngushtonte hapësirat e jetës. Sepse askush sot nuk mund ta kuptojë se si vepronte Sigurimi i shtetit me grupmoshën e 20-vjecarëve për t’i tërhequr në veprimtari spiunllëku tek shokët dhe shoqet e ngushtë. Ne që e jetuam atë kohë, pas viteve 90-të kemi mësuar aspekte të ndryshme, kur shoqja, apo shoku i klasës, kryesisht bij komunistësh, që u përfshinë në këto veprimtari, na spiunonte ne, pa ditur gjë. Ndër ta, edhe nëse gjendej ndonjë që guxonte ta shprehte nën zë këtë fakt, vetëm rriste pasigurinë dhe frikën.       

Romani “Biri i armikut”  përbën tërheqje për tre kategori lexuesish. Së pari për brezin që e jetoi atë kohë me aq shumë pengesa lirie, ku mosha e rinisë piqej dhe ndryshej pa kuptuar asgjë nga jeta që ikte. Për të rinjtë e sotëm ky roman përbën një mundësi për të njohur marrëzitë e asaj jete , që ndrydhte gjithcka dhe për të kuptuar se sistemet diktatoriale pjellin vetëm krime dhe fatkeqësi njerëzore me mungesën e lirisë. Në grupin e tretë përfshij të huajt, të cilët përmes këtij romani, mund të njohin jetën në një shtet të vogël në jug të Europës, ku jeta mbyllej me një ndrydhje të frikshme, të trembur nga gjithcka. 

Besoj se ky roman duhet të përkthehet edhe në gjuhën shqip, si njëmundësi rikujtese për një sistem që shkatërroi njeriun dhe fatet e secilit prej nesh. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Biri i Armikut, Nini Mano, Shpend Sollaku Noe'

Akuzat ndaj lufëtarëve të Kosovës nga Prokurori Special, viktima gjunjëzohet para kriminelit

December 6, 2020 by dgreca

Përgatiti:cEneida Jaçaj/New York/

   Akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit etj, për një sërë krimesh njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-2000, të ngritura nga zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë, është një nga ngjarjet më të trishtuara që pas luftës Kosovë-Serbi. Prokurori i Specializuar i Hagës nxori një aktakuzë prej 10 pikash për të lartpërmendurit dhe për një grup më të gjerë të cilët ishin pjesë e UÇK-së gjatë luftës, për një sërë krimesh kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura etj. 

Një njeri me një SNQ normale, në kuptimin parësor logjik, sigurisht që do të ishte kundër torturave çnjerëzore dhe vrasjeve, nga cilido qoftë. Por lind pyetja: a mund të barazohen krimet e UÇK-së me vrasjet makabre dhe çnjerëzore të Slobodan Millosheviçit?! 

Këto akuza të pretenduara nga Prokuroria Speciale mbi ish luftëtarët UÇK-së, a mund të justifikohen para tankeve dhe mitrolozëve të Millosheviçit, që nuk kurseu as fëmijë dhe as gra shtatzëna?! Serbët në tokë të huaj dogjën, vranë e plaçkitën çfarë gjetën para, e donin të bënin ligjin në dhe të huaj. Sa trima u vranë për liri, e sa nëna veshi me të zeza dora gjakatare e serbit, që loti ende nuk u është tharë edhe sot që Kosova ka fituar pavarësinë?! Kosova e lirë u ngrit mbi gjakun e luftëtarëve të saj, mbi luftën e lavdishme që bëri UÇK-ja me trimat e saj, por sigurisht edhe nga mbështetja e madhe që ofroi SHBA.

   Mbaj mend vitet 1998-1999, kur gra, burra, fëmijë e të moshuar, të ngrënë dhe të pangrënë, me torbet në krah, lanë shtëpi e katandi, e morën rrugën duke bërë natën-ditë e ditën-natë drejt Shqipërisë e viseve të tjera, për t’i shpëtuar dorës së kriminelit famëkeq Millosheviçit. Këto akuza të Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit e të tjerëve, përdhosin luftën e Kosovës, gjunjëzojne viktimën para kriminelit! Edhe nëse janë bërë krime, kanë ardhur si pasojë e luftës për çlirimin e vendit. Sigurisht që kanë qenë momente të vështira për ushtarët e UÇK, momente tensioni, të cilët mund të jenë detyruar të kryejnë edhe krime, por janë të justifikuara dhe nuk mund të barazohen me krimet e serbëve. 

Nëse këto akuza do të faktoheshin dhe Thaçi me shokë do të dënoheshin, Serbia do ta përdorte si avantazh në favorin e saj duke shtuar pretendimet për territore, dialogu Kosova- Serbi do të minohej dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, as që do të mendohej. 

   Duket sikur Gjykata e Specializuar e Hagës është ngritur me qëllim për të goditur shqiptarët e Kosovës. Këtë dyshim e ka ngritur edhe drejtori i Komitetit për Punë të Jashtëme, Eliot Engel, i cili tha se gjykata ka si juridiksion edhe mbi autorët serbë të krimeve, por nuk e ka ushtruar atë juridiksion përkundër faktit se krimet e shumta janë kryer nga forcat serbe. Madje, ai i ka kërkuar Drejtësisë Amerikane të hetojë punën e kësaj gjykate dhe të ndërpresë marrëshëniet nëse zbulon se po heton vetëm shqiptarët. Pra, do të ishte më e ndershme dhe e drejtë të hetoheshin së bashku; edhe shteti serb të jepte llogari për krimet makabre, vrasjet, pasi së pari ishte vetë ky shtet që pretendonte territore në një shtet tjetër, dhe krimet më të shumta janë bërë vetë nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

   Do të ishte e udhës që shtetet e fuqishme të ndërgjegjësonin Serbinë, për të kërkuar falje për krimet në Kosovë, dhe jo sot në mënyrë të befasishme të dilnin disa akzua ndaj luftëtarëve të Kosovës, për të përdhosur e hedhur baltë mbi luftën heroike për çlirimin e shtetit më të ri. Këto akuza jo vetëm që i shërbejnë Serbisë, por vinë edhe si një shuplakë tinëzare dhe e pabesë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nëse Thaçi dhe gjithë bashkëluftëtarët do të dënoheshin, çfarë kuptimi do të kishte më pas lufta e Kosovës, po trimat si Adem Jashari që dhanë jetën për liri?! Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme! 

UÇK-ja ishte një faktor unifikues në vite krenarie dhe sakrifice, dhe kjo luftë u zhvillua kundër shtypjes së forcave të presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Thaçi dhe gjithë bashkëluftëratë e UÇK kanë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Shpresoj që SHBA-të, si një faktor kyç në pavarësinë e Kosovës, të reagojnë duke e parë sa më drejtë atë çka po ndodh në Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe t’i rikthehet edhe një herë respekti, dinjiteti UÇK-së, që në fakt gjatë këtyre muajve fatkeqësisht është përdhosur dhe nëpërkëmbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuzat, Eneida Jaçaj, Hashim Thaçi, viktima

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT