• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

IDETË DHE PARIMET E ATË GJERGJ FISHTËS PËR ORGANIZIMIN E KOMBIT E TË SHTETIT SHQIPTAR

December 6, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Më 30 dhjetor të këtij viti mbushen plot 60 vjet vjet nga ndërrimi jetë i Atë Gjergj Fishtës. Kishte lindur 69 vite më parë, më 1871. Fëmija, që e bëri të pavdekshëm në kujtesën historike të shqiptarëvet emrin e fshatit ku lindi, pati fatin të pagëzohej me emrin Zef nga poeti e meshtari arbëresh Atë Leonard de Martino. Ky pagëzim prej një poeti, ndoshta, ishte një rastësi profetike e një paralajmërim i atij personaliteti madhor të fëmijës, që do të bëhej një nga personazhet më në zë të letërsisë e historisë shqiptare, para e mbrapa krijimit të Shtetit të pavarur. Personalitet shumë përmasor që arrin maja në poezinë epike, që mbetet i paarritshëm n’atë satiriken, ndër më të spikaturit në lirikë e dramaturgji, me një ndihmesë madhore në publicistikë e në jetën politike e diplomatike, një nga themeluesit e njerzit e mëdhenj të arsimit kombëtar, Atë Gjergj Fishta hyri me të gjithë peshën e tij të stërmadhe në historinë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.

Gjithë jeta e tij, fatmirësisht e gjatë për treguesit e kohës, qe një dëshmi e gjallë e forcës së dyshes “Fe e Atdhe” që, për epokën dhe prirjet vetiake të personazhit, ishte Ylli polar që ndriçonte rrugën e Shqipërisë, e cila luhatej mes fundit të një epoke të gjatë pushtimi otoman, që kishte kushtëzuar katër shekuj e gjysmë të jetës së saj të hirtë, e çeljes së një tjetre, e cila kishte një lindje tepër të vështirë, mes pasigurish, cungime trojesh, ndarjeje të kombit, armiqësish të jashtme e mendësish frenuese të mbrendshme. Kësaj epoke historike i dhuroi veprën e tij të gjithanëshme, që nga poezitë e para tek “Albania” e Faik Konicës deri tek kryesimi i Kongresit të Manastirit për alfabetin e shqipes, nga mesha e parë në kishën e Troshanit tek drejtimi i shkollës së Fretërve, nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Shkodrën e administruar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit tek veprimtaria në Komisinë Letrare, e cila vuri bazat e shkencës gjuhësore shqiptare, nga pjesëmarrja në Dërgatën e Qeverisë së Durrësit në Konferencën e paqes në Paris tek veprimtaria e dëndur në Parlamentin e parë shqiptar, nga takimet me Papën Benedikti XV, për të kërkuar ndihmën e tij për Korçën e Gjirokastrën, pjesë të pandashme të Shtetit shqiptar tek vizita në SHBA, për të siguruar njohjen e atij Shteti nga diplomacia e atij Vendi të madh.

Në gjithë ata vite të gjata veprimtarie atdhetare nuk e hoqi kurrë zhgunin e françeskanit e nuk reshti së shkruari në gjinitë e ndryshme letrare, duke i lënë trashëgimisë letrare shqiptare e katolike një nga thesarët më të çmuar të gjithë historisë së tyre. Vepra e tij, e përmbledhur dhe botuar në dhjetë vëllime vetëm në vitin 2012, më shumë se njëqind vjet mbas botimeve të pjesëve të ndryshme të saj, tregon se sa mosmirënjohëse dhe e padrejtë, deri në kriminalitet, qe Shqipëria e “dreqit të kuq” kundrejt krenarisë së kombit. Tre breza shqiptarësh nuk i njohën as emrin atij që bota e huaj e kishte vlerësuar si “Homeri i Ballkanit” e që e kishte nderuar me çmime e medalje, që nga Turqia deri tek Austro – Hungaria,  Vatikani e Greqia. I pari poet shqiptar, i pranuar si antar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve, një Shoqatë botërore e themeluar në New York, me përfaqësues nga 60 vende, e mbylli jetën e tij, si i vetmi antar shqiptar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë.

Asnjë nga këto merita të shquara të Gjeniut të Kombit nuk e penguan regjimin kundër kombëtar të komunistëve shqiptarë, të hidhte në lumin Drin eshtrat e tij e të varroste në harresën e shoqërisë emrin e tij të ndritur, duke e mbiquajtur “shovinist”, “fashist”, “obskurantist”, simbas oreksit të komunistëve jugosllavë.

“Dersa t’mundem me ligjërue

E sa gjallë me frymë un jam,

Kurrë , Shqypnî, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’përmendë kam.”

Kjo ishte besojma e Atë Gjergj Fishtës, së cilës i qëndroi besnik gjatë gjithë rrugës jo të lehtë të jetës së tij. Shqipërisë, Poeti i saj kombëtar, i shërbeu me të gjitha dhuntitë e rralla të natyrës së tij, me shpirtin rebel e mëndjen e hollë, me talentin rrezatues e logjikën e ftohtë, me burrërinë e malsorit dhe urtësinë e birit të Shën Françeskut. Por cili ishte mendimi i fratit e i poetit, i politikanit dhe i dijetarit, i oratorit dhe mësuesit për Vendin e tij, si e shihte ai gjëndjen e atëherëshme dhe t’ardhmen e tij? Ishte ky argumenti i shumë shkrimeve, që zuri vendin kryesor në jetën e tij të gjatë publicistike. Në këtë këndvështrim Fishta pasoi dhe parapriu shmë përfaqësues të inteligjencës e të kulturës, të cilët, për nevoja të ngutëshme të jetës politike, i dhuruan kësaj të fundit një pjesë të mirë të kohës, të vullnetit e t’aftësive të tyre. Zhvillimet historike të kombit tonë, me të veçantën e tyre, i ngarkuan mbi shpinë njerëzve të kulturës, të fesë apo t’artit, barrën e ringjalljes, jo vetëm kulturore, por edhe politike të kombit. Prandaj pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë u kthyen edhe në veprimtarë politikë. Atë Gjergj Fishta ishte njëri ndër më të shquarit e asaj plejade atdhetarësh, që i solli freskinë e kulturës perëndimore evropiane jetës politike shqiptare.

“Prandej detyrët qi nieri ka per t’vu mi shekull janë kto : Feja, Atdheu, Gjindja e Dija. Feja, pra, e dashnia e Atdheut e e Gjindies e Dija jânë njato vegla qi e bâjnë nierin t’lum n’ket jetë edhè n’jetë t’amshueme ; pse neper kto nieri kryen detyrët, prej t’cillave rrjedhë t’gjith lumnia e tij….”

Në numrin e parë të Hyllit të Dritës, një nga monumentet më të arrira të publicistikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të pavarësisë e të robërisë, Atë Gjergj Fishta përcaktoi vlerat madhore, që janë shtyllat, mbi të cilat mbështeten ngrehinat e kombeve, historia e tyre dhe vendi që do të zenë në ecjen e përbashkët të qytetërimit. Nuk është e rastit që, në këtë shkallëzim vlerash, feja është në rradhën e parë. Në të gjithë krijimtarinë e tij publicistike ai do të kthehej herë pas here mbi atë argument, madje edhe nëpërmjet polemikash të fuqishme. Ai ishte një katolik i vendosur, që ushqente idenë se besimi në Krishtin shpëtimtar dhe doktrinën e tij, ishte një nga mjetet më të fuqishme, që ndihmonte moralizimin e jetës së një populli. Urdhërimi kryesor i Jezuit: “Duaje Zotin mbi gjithshka, duaje t’afërmin si vetveten”, është themeli më i qëndrueshëm për  harmoninë e dashamirësinë mes antarëve të një bashkësie e për paqen e bashkëjetesën  ndërmjet popujve të ndryshëm. Kuptohet se pse regjimi komunist dhe kultura e tij e nxinë, përtej çdo përfytyrimi, emrin dhe veprën e françeskanit të madh, mbasi ata kishin në bazë të ideologjisë së tyre vepruese urrejtjen dhe “luftën e klasave”, të cilat nuk njihnin kufij, as në kohë dhe as në hapësirë.

Por feja, në gjithë pozitivitetin e saj në jetën e çdo populli, nuk mund të shkëputet nga koncepti i bashkësisë së njerëzve në të cilët ajo predikohet dhe zbatohet. Atdheu, toka e njerëzve që i bashkon gjuha, doket, zakonet, historia, është trualli mbi të cilin ngrihet jeta e përbashkët, një lloj shtëpie e stërmadhe, në të cilën secili do të gjejë strehën e tij. Nëse feja, kryesisht, është pjesë e jetës shpirtërore, më shumë e prirur të pushtojë sferën vetiake, Atdheu, si shtëpia e përbashkët, mbetet në qendër të vëmëndjes dhe interesit të përgjithshëm, në të cilin lindin e rriten projektet, ëndërrat e synimet. Atdheu është gjindja, njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë, është ajo bashkësi e madhe, që i ngjet detit në të cilën derdhen të gjithë lumenjtë që i ngjasin  bashkësive të vogla, krahinavet, qyteteve, fshatrave, lagjeve e deri tek indet e para të shoqërisë, familjet. Tre konceptet lidhen organikisht me njëri tjetrin, për të përqafuar më pas të katërtin, që është Dija, e cila shërben si një lidhëse e fuqishme, pa të cilën ndërtesa e kombit është e paracaktuar të mbetet e mangët dhe rrezikon të shëmbet.

Një komb, për t’u futur në rrugën e përparimit, ka nevojë të besojë tek Zoti për barazpeshat e tij morale e shpirtërore, të ketë si synim lartësimin e idesë s’Atdheut e zhvillimin e tij, i cili duhet të shkojë me të njëjtin hap me mirëqënien e gjindies, të qytetarëve t’organizuar në familje e bashkësi më të mëdha, në harmoni e bashkëpunim me njëra tjetrën e të verë në bazë të punës së tij mëndjen, në të gjitha shfaqjet e saj të larmishme e të pafund, dijen e grumbulluar nga përvoja e brezave dhe e popujve të ndryshëm, kulturën që mbetet pasuria m’e madhe e trashëgimisë njerëzore.

Fishta filloi të botojë Hyllin e Dritës në vitin 1913, fill mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të Shtetit shqiptar. Problemet me të cilët ballafaqohej Shqipëria foshnje ishin të shumta e të ndryshme. Armiqësia që rrethonte atë prej fqinjëve dhe përkrahësve të tyre dhe fakti që, për herë të parë, në historinë e saj mijëvjeçare, krijohej një Shtet i bashkuar, i jepnin shkas përhapjes së një fryme mosbesimi n’aftësitë vetqeverisëse të shqiptarëve. E formuluar si një teori keqdashëse në librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, i botuar në dy gjuhë kryesore evropiane, frëngjisht dhe gjermanisht, nga një serb me origjinë shqiptare Dr. Vlladan Gjorgjeviç, ish Kryeministër i Serbisë, teza mbi paaftësinë shtetformuese të shqiptarëve, qarkullonte jo vetëm në rrethet politiko – diplomatike, por edhe në shtypin evropian. Si edhe të tjerë bashkatdhetarë të dijshëm, drejtori i “Hyllit të Dritës” mori përsipër kundërshtimin e  kësaj teze. E kreu nëpërmjet një artikulli të gjatë me titullin “A janë të zott shqyptarët me u mbajtë shtet m’vedi?” Me logjikën e fortë e kulturën e thellë, pa lënë mënjanë edhe shpotinë karakteristike, ai polemizon me fletoret franceze që “i a kanë dhânë alemit e polemit, se shqyptarët nuk janë t’zott me u ndertue e me u mbajtë shtet m’vedi, porse u duhen lshue sllavve t’Ballkanit n’dorë per me i zbutë e me i gjytetnue.”

Argumenti kryesor i mendimit të Fishtës është ndërtesa morale e shqiptarëve si popull. Është e vërtetë që “populli shqyptàr nuk çfaqet n’histori si nji kòm i organizuem e i pershîmun marë permrêna çarkut t’nji njinìs komtare…”, por arsyet janë jo “barbaria”, që i veshin keqdashësit dhe kundërshtarët, por një seri motivesh historike, politike e topografike, të cilat kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve në Ballkan. Ai nuk i kurseu kritikat, edhe shumë të forta kundrejt bashkatdhetarëve të tij, por në një përplasje argumentash e rrahje mendimesh me gazetat franceze, nuk vihet t’i nxjerrë në pah ato, por të kundërshtojë prirjen për ligjësimin e akuzave të përfolura në mjediset kundër shqiptare në drejtim të poshtërimit të tyre. Përbërja shpirtërore e shqiptarëve, ligjet e botës së tyre morale mbështeten mbi “trinomin tagruer : mos me i bâ dhȗnë kujë, me i dhânë sejcillit shka i perket e me veprue gjithmonë me nder.” Ky është qytetërimi i vërtetë, që nuk shfaqet në vepra të mëdha arti apo shkence, por që pasqyron thelbin e moralit e të bashkëjetesës njerëzore, atë “humanitas” të cilin e kanë predikuar njerëzit e shquar, që nga profetët e deri tek gjenitë e fushave të ndryshme. Ka edhe ndërmjet shqiptarëve barbarë e kriminelë, siç ka në të gjithë popujt, por e përgjithëshmja është pozitive. Ndërmjet të tjerash Fishta vë theksin mbi frymën demokratike të Kanunit e të ligjeve shekullore të shqiptarëve, duke i përballur ata me shtetet e mëdha e perandoritë e tyre, ku mbretërit kishin fuqi të pakufizuar.

Një tjetër provë, në mbrojtje të bashkatdhetarëve të tij, kryepoeti e gjen në artin e tyre, në poezinë popullore, aq shumë të vlerësuar nga filologu austriak Prof. Gustav Mayer që i shkruan Prof. Zef Schiro-it se “kurr nuk i ka tokue me lexue nji Poezi Popullore mâ t’hîjshme se ate t’shqyptarve.”  “Prandej dy janë objektet mâ t’para e mâ t’perhapuna t’Poezis Popullore : trimnia e dashnìja. Mnyra, pra, mas t’cilles kuptohet e çfaqet nder kangë burrnìja, trimnìja e dashnìja, na dishmon zhdrivillimin e mêndes e ndîesìt e zêmres s’nji popullit… “ Poezia popullore, si pasqyrë e botës së mbrendëshme shpirtërore të një populli, paraqet të gjitha prirjet e tij, të shfaqura ndër shekuj, jo vetëm në drejtim të shijeve estetike por, mbi të gjitha, të botëkuptimit, të filozofisë së tij jetësore, të parimevet që drejtojnë shoqërinë. Në rastin e shqiptarëve, Poezia popullore pasqyron një popull paqësor e të ndieshëm, në të cilin zotërojnë kultet e dashurisë dhe të trimërisë, të konceptuar si vlera themelore në jetën e individit, por edhe të shoqërisë. Autori gjen në trajtimin e tyre të njëjtat përceptime të popujve të qytetëruar. Trimëria nuk është shfaqje e mujshisë apo dëshmi e fuqisë fizike që shkon në dëm të të tjerëve më të dobët, por mjeti për të mbrojtur veten dhe t’afërmit nga rreziqet e jashtëme, në të cilët gjithmonë shqiptari ka parë kërcënimin e tij. Heronjtë e poezisë epike shqiptare luftojnë me bajlozët që kërcënojnë jetën e tyre, të familjeve apo të katundeve të tyre gjithmonë në trojet e tyre, asnjëherë nuk mësyjnë për të skllavëruar popuj të tjerë. Kjo është e vërteta historike e pamohueshme, që mund t’interpretohet nga kundërshtarët dashakeqë si pazotësi, por që vërteton një prirje morale të lëvdueshme, në përputhje me respektin e vlerave njerëzore e të pohimit të tyre. Poeti merr si shembull balladën “Halili e Hajrija”, ku ndërthuren ndjenjat me detyrën, ndëshkimet me dhimbjen, ku triumfon drejtësia dhe e mira, me gjithë çmimet e tyre. Do të mjaftonte vetëm thesari i folklorit, për të shpalosur botën shqiptare e për të rrëzuar, nëpërmjet vlerave të saj, çdo padi apo insinuatë të padrejtë kundrejt një kombi të shqiptarëve, aq më shumë kur ato vijnë nga një tribunë aspak e hijshme si ajo sllave, e ngarkuar me gjakun e pafajshëm të mijëra shqiptarëve të Kosovës.

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Eugene Merlika

REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE – ÇUDI E RADHËS NGA MINISTRI LLESHAJ

December 5, 2020 by dgreca

Dhe, së fundmi një PYETJE dhe një VËREJTJE për ministrin Lleshaj.
PYETJE: Si do të aplikojnë për regjistrimin e adresës ata që nuk kanë dhe nuk i njohin mjetet moderne të lidhjeve për të deklaruar gjithë ata të dhëna që kërkoni? PO ata që janë të paligjshëm? Po ata që tashmë kanë marrë nënshtetësi tjetër?
VËREJTJE: Në Shqipëri, as ti e as unë, as presidenti e as kryeministri, askush nuk ka në xhep “Kartë identiteti”, ka “LETËR NJOFTIMI”.
Mësoje vetë dhe mësoi edhe policët që të na kërkojnë kur vjen rasti “LETËR NJOFTIMI”.
Ia thuaj edhe kryeministrit…

Shkruan:Abdurrahim ASHIKU- Athine-

Një shkrim fluturues përcjell faqeve të internetit. Titull bombastik: “Emigrantët, deklarim të adresës me detyrim”.
Of ma! “Deklarim me detyrim” a thua se po luajmë damë.
Nuk është hera e parë që na venë para alternativës së deklarimit të adresës.
Nuk është hera e parë, veçse kësaj radhe na kanë vënë përpara tabelën e “damës” dhe thonë: “Haje këtë që të them unë”.
Përpara, tash të paktën dhjetë vjet që shkruaj për këtë temë, ishin më të butë. Bënin edhe autokritikë.
Po përcjell njërën, jo atë me titullin “Regjistrimi i emigrantëve dhe autobusit për votim”  kur ministri Tahiri në një takim me emigrantët në Selanik foli për regjistrimin e emigrantëve si një hap të vonuar për një shtet të organizuar i cili e ka mbajtur (dhe e mban frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve”.
E tha në prill 2016…
“Jemi i vetmi shtet në Evropë, deklaronte në fund të vitit 2015 kryeministri Rama, që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit”…
E thoshte këtë në shkurt 2018…
E thoshte këtë kur afro dy vjet më parë, më 19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin: “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në ligj thuhet: “Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…”. 
I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 parashikonte që brenda 6 muajve të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë. Ligji i jepte Këshillit të Ministrave 30 ditë afat nga hyrja në fuqi që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa “autoriteteve përgjegjëse” u jepen 90 ditë nga hyrja në fuqi, që “të njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetdeklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse”…
Si gjithnjë nuk mund të rrinte pa folur (i pari) Kryeministri Rama  i cili u shpreh: 
“Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur e që do të shtrihet në të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët se sa vonë të mund t’i përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demokratik duke i dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë e mos të jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që dhe kjo do të kërkojë kohën e vet”.
Dhe për pesë vjet nuk e gjeti “kohën e vet” kur Kosova në vetëm shtatë vjet shtet e gjeti kohën dhe i regjistroi të gjithë mërgimtarët e saj nëpër botë (!)
Më në fund u krijua Ministria për Diasporën me ministër Pandeli Majkon.
Edhe ai, si çoban i grigjës të ikanakëve tek në të parën dalje publike për regjistrimin e emigrantëve foli:
“Regjistrimi i shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka një rastësi pozitive i cili është plotësimi i afatit 10 vjeçar të dokumenteve te identifikimit. Kjo do të thotë që ato do të ripërtërihen për të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky është një moment administrativ shumë i rëndësishëm. Shtetasit shqiptarë kur të aplikojnë pranë zyrave përkatëse në Shqipëri apo në konsullatën respektive të shtetit ku jetojnë, për tu pajisur me letërnjoftim elektronik apo pasaportë biometrike, të shtetit shqiptar, për herë të parë, apo kur i ka përfunduar afati i vlefshmërisë 10 vjeçare së dokumentit apo është deklaruar i humbur, sipas Kontratës Koncesionare, duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e kërkuara përfshi edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ata jetojnë (sipas formularit përkatës). “Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 913 të datës 21.12.2011 pasaportat jo biometrike nxirren jashtë përdorimit duke filluar nga data 01.03.2012. Nga kjo date pasaportat jo biometrike nuk do vlejnë më si dokument udhëtimi”
Personalisht, disa muaj më parë kur aplikova për Pasaportën dhe letërnjoftimin e ri, kërkova të deklaroj adresën e banimit dhe të plotësoja “formularin përkatës”.
Askush nuk e kishte idenë se për çfarë flisja…
Në shkrimin e përcjellë në shkurt 2018 sugjeroja:
Të gjithë emigrantët legalë, në të gjithë vendet e botës, janë të regjistruar në amzën e shtetit ku punojnë dhe jetojnë.
Të gjithë, pa përjashtim, janë të detyruar që të tregojnë vendbanimin në adresë të plotë. Të gjithë janë të detyruar që në rast ndërrimi të vendbanimit, brenda dy muajve të deklarojnë vendbanimin e ri. Mos deklarimi shoqërohet me gjobë që të “dhemb në kurriz” dhe në “portofolin e jetesës”.
Të gjithë emigrantët kanë një numër amze  (A.M.K.A , A.M.A. dhe A.F.M. në Greqi) pa të cilët nuk mund të trokasësh në asnjë zyrë e nuk mund të paraqitesh për mjekim e ilaçe.
Shumë e thjeshtë: Një marrëveshje me shtetet ku shqiptarët punojnë e jetojnë, një shkarkim të të dhënave të tyre në “zarfet kompjuterikë” të shtetit shqiptar dhe regjistrimi merr fund për shumë pak kohë.
A është e mundur kjo?
Për mendimin e përparuar të kohës, PO!
Për burokracinë e shtetit tim që ende nuk ka mësuar “shkrim e këndim”, JO!
Tash, shteti ynë, nëpërmjet ministrit të vet të punëve të brendshme përcjell ultimatumin: “EMIGRANTËT, DEKLARIM TË ADRESËS ME DETYRIM” !!!
Dhe në një shpjegim çapraz me shtypje butonash e fjalësh që fluturojnë pa arritur tu kapësh kuptimin, ministri Lleshaj, nën kërcënim policesk del e bën shoun e radhës, shfaqje estrade që tash e dëgjojmë dhe e lexojmë duke qeshur me lot.
Dhe, së fundmi një PYETJE dhe një VËREJTJE për ministrin Lleshaj.
PYETJE: Si do të aplikojnë për regjistrimin e adresës ata që nuk kanë dhe nuk i njohin mjetet moderne të lidhjeve për të deklaruar gjithë ata të dhëna që kërkoni? PO ata që janë të paligjshëm? Po ata që tashmë kanë marrë nënshtetësi tjetër?
VËREJTJE: Në Shqipëri, as ti e as unë, as presidenti e as kryeministri, askush nuk ka në xhep “Kartë identiteti”, ka “LETËR NJOFTIMI”.
Mësoje vetë dhe mësoi edhe policët që të na kërkojnë kur vjen rasti “LETËR NJOFTIMI”.
Ia thuaj edhe kryeministrit… 

Abdurahim Ashiku

Athinë, 4 dhjetor 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Minisitri Lleshaj, Regjistrimi i emigranteve

PSE VAKSINA E KOMPANISË MODENA ËSHTË MË EFIKASE?

December 5, 2020 by dgreca

PSE VAKSINA E ZHVILLUAR NGA KOMPANIA BIOTEKNOLOGJIKE MODERNA ËSHTË MË EFIKASE?/

-FLET PËR GAZETËN”DIELLI” MJEKU INTERNIST, I TRAJNUAR NË EPIDEMIOLOGJINË KLINIKE, ASISTENT PROFESOR NË MJEKSINË KLINIKE NË CORNELL UNIVERSITY –NEW YORK, DR.SKËNDER MURTEZANI-

Dr. Skënder Myrtezani, mjek internist, i trajnuar në epidemiologjinë klinike, asistent profesor në mjeksinë klinike në Cornell University – New York, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon vaksinat anti -Covid, situatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjëndjen në shtetin e New Yorkut, situatën e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut në përballje me pandeminë globale. Gjithashtu Profesor Murtezani shpjegon edhe fenomenin e vetvrasjes te individët e prekur nga Covid-19. Me doktor Skender Myrtezanin bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 


ERDHI VAKSINA E SHUMËPRITUR

Vaksinat kundër covid-19  janë në numër të madh, janë 58 vaksina sot që duan ta marrin rrugën e të arrijnë deri tek njeriu por nga një analizë që kam bërë, 2 vaksina janë më të mirat Moderna dhe Pfizer Biontech. Moderna për mua është një vaksinë më komplete sepse fillimi i bërjes së vaksinës është në Janar të këtij viti, i kanë bërë fazat në mënyrë shkencore dhe nën mbikqyrjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Phizer e ka perdor bërë me të njëjten metodë, përdorimin e asaj pjese të virusit që është mRNA. Kjo është vaksinë gjenetike, pra ky “messenger” urdheron qelizën e gjalle të prodhojë proteinën që është e njëjtë me atë te virusit, dhe trupi ndërton antitrupa, pra e përgatit trupin tonë në rast se bie në kontakt me SARS COV 2 te fitoje luften me virusin ne kete rast SARS CoV 2 pa simptoma ose me shum pak simptoma. Vaksina e Oksfordit është e mirë por nuk e kam studiuar me detaje atë por vetëm vaksinat e Amerikës.

NJERËZIT TREMEBN, A KA EFEKTE ANËSORE TEK INDIVIDËT VAKSINA?

Janë tre faza qe fillojne pas fazes paraklinike në qelizat invitro dhe ne kafshe, ku studjohet  nëse prodhojnë proteinë apo jo, pastaj prej studimit te aftesise se qelizave te prodhojne proteinen e Covid 19 in vitro, vazhdohet invivo por tek kafshet konkretisht tek numri me i madh i studimeve esht me majmunin Rhesus macaque ku ka treguar që mund të prodhohen antitrupa pra hapet rruga qe studimet te behen ne njerez. Vaksinë Moderna është aplikuar në 30 mijë vullnetarë, po ashtu edhe Phizer e ka aplikuar në 30 mijë vullnetarë ne fazen e tretë te studimit te efikasitetit te vakcines. Nga të dyja vaksinat nuk kemi asnjë rast vdekje, nuk kemi asnjë rast të ndonjë komplikimi serioz qe lene vaksinat gjate hulumtimeve klinike para se te dalin ne mbrojtje te publikut.   Kur bëhet faza e tretë krahasohet vaksina me vaksinën e rrejshme që quhet placebo. Është parë që deri në fund të studimit te vakcines Moderna nga 30 mijë kanë gjetur 95  të sëmurë nga covid 19 ku 90 kanë qënë nga grupi placebo dhe 5 nga grupi që kanë marrë vaksinën e vërtete, por asnjëri nga këto të 5 nuk ka kaluar me sëmundje kritike. Pra duke mare vaksinen per Covid 19  edhe nëse e merr semundjen, nuk e merr atë formën që të merr jeten, pra ka efikasitet esht shum i larte. Un per vete dhe per familjen time e kisha mare njeren nga keto dy vakcina pa u menduar dy here. Mendohet, sipas dr. Faucit  që diku në mars apo prill do fillohet aplikimi i vaksinës duke ndjekur prioritetet qe keto dite esht duke i percaktuar CDC (qendra për  kontrollin e sëmundjeve NE Atlanta Gorgia), pra do ti ofrohet personelit mjekësor, punetoreve ne sherbim publik popullates qe jane banojne ne shtepite e pleqeve, grupeve më të rrezikuara dhe me rradhe. Shpresojmë që në shtator të arritet të vaksinohet e gjithë popullsia.

AMERIKA PËRBALLË COVID-19, SITUATA NË NEË YORK 

Situata është e larmishme sot, Amerika është vendi i demokracisë, nuk është e lehtë të kalosh nga një kulturë   s’me intereson asgjë,( I don’t care) apo (Dont tell me what to do” të kalosh tek kultura e re e pandemisë që kërkon sakrificë nga çdo njëri për ta fituar luftën. Kjo është gjendje e nje lufte biologjike por per fat te keq  nuk është trajtuar si e tillë. Duhet trajtuar si luftë biologjike dhe çdo vend të ketë qëndrime, edukim të popullatës, marrje të masave që ta fitojmë betejën me virusin. Këtë sukses e kemi në Indokinë, Vietnam, Tajvan, Australi, Zelandë të Re. Problemi është se nuk kemi studiuar mjaft sesi penetron virusi. Deri tani e dimë që fillon tek hunda, tek goja, tani mendohet edhe tek sytë dhe duhet të mbajmë edhe syze ideja esht që mos ti japim rast CORONES 2 të shumohet. Problemi më i madh është që virusi do njeriun që të mbijetojë, në qoftëse ne nuk i japim rast ai do vdesë. Maska është e vetmja alternativë, tani CDC propozon maskë me dy shtresa, janë maska të reja dhe mendoj që çdo person që punon me industrinë e shëndetësisë duhet të kenë maska N95 ose M3. Amerika asnjëherë nuk ka qënë në top listen e vdekshmerise, por Amerika ka bërë testimet me numer me te madh ne bote, prandaj edhe vendët e tjera të kishin bërë aq testime do dilnin me shume raste pozitive. Nuk është me rendësi ne vendet me ekonomi te ulet të kapen sa me shume raste, por esht shum me rendesi mos të na ikin personat me simptoma që jane grupi qe transmetojnë virusin, ata dyhet te observohen nga qeveria ti izolohen dhe raster e kategorise kritike te transportohen në spital.  Problemi në vendin tonë ka qënë tek kujdesi për ata me covid 19, duhej ne moment të izoloheshin per 3 jave pastaj te ritestohen sipas protokolit.

 Situata sot ne NY, është më mirë se në çdo shtet tjetër te SHBA. NY pasi e pësoi DHE kishte vdekshmërinë më të madhe në botë, pasi nuk u morën masa që fillim ne janar shkurt prandaj marsi e prilli kanë qënë të kobshme per NY. Që nga mesi i marsit unë vazhdova ta promovoj fuqishëm përdorimin e maskës dhe të gjitha mjetet që kisha në dispozicion,qe mendoja se mund te stabilizojne sistemin e imunitetit qe te mos kalojme ne kategorine kritike te semmundjes po edhe po te kolojme te kemi gjasa te te mire te shpetojme. E kame filluar ne faqet e mija te facebook-ut e me vone prej ne 24 marsit me intervista dhe me materiale shtesë informative nga zyra ime ne Queens, i shpërndava masivisht me qëllim që qytetarët të ndërgjegjësohen për rrezikun e madh që kishim në horizont. Sot situata në New York është e shkëlqyer nëse iu referohemi shifrave të mëparshme. Por ky kohezion rrezikohet shumë nga lëvizjet masive të popullsisë për festa e raste, demonstrata kundër qeverisë apo pro qeverisë, festat e ndryshme që rrisin kontaktet mes njerëzve e të tjera si këto do na rrezikojnë shumë nëse nuk kihet një kujdes i madh. Në klinikën ku unë punoj ka disa shqiptarë të infektuar. U bëj thirrje që sidomos komunitetit tone të ketë kujdes të shtuar. Ata duhet të kuptojnë momentin, virusin, fuqinë e tmerrshme te virulences qe esht shkatërruese per trupine e njeriut i lus  të jenë shum’ të kujdesshëm. Nuk bëhet shaka me këtë virus të tmerrshëm, jemi në gjendje lufte dhe ashtu duhet të sillemi, me kujdes ekstrem dhe jo me neglizhencë. Flitet kohët e fundit sipas studimeve se virusi mund të qëndrojë deri në 3 orë në ajër, ndaj duhet maska dhe distanca rigoroze dhe mbi të gjitha vetëdijësimi njerëzor për fuqinë shkatërruese të virusit. 

SHQIPËRIA, KOSOVA E MAQEDONIA PËRBALLË COVID-19

Sjellja e bashkëkombasve tanë gjatë pandemisë ka qenë pak e tepruar ne aspektin e injorimit te masave mbrojtse. Qasja që kemi ndaj njëri-tjetrit dhe marrëdhëniet e ngrohta si shoqëri në vendet tona ka bërë që jo vetëm mos ta frenojmë virusin por ti japim një hov edhe më të fuqishëm shumimi. Vizitat e tepruara familjare, përqafimet, mos mbajtja e distances, mos mbajtja e maskës dhe neglizhenca ka bërë që situata të përcepitojë frikshëm në vendet tona sidomos sot që flasim Maqedonia është me keq se vendet tjera te Balkanit. Në qasjen ndaj virusin duhet të ndryshojmë kulturalisht. Është një domosdoshmëri. Duhet të kemi më shumë disiplinë. Në vendet tona maskat mbahen nën mjekër, në xhep, në makinë apo në dorë. Duhet një fushatë më e fuqishme mediatike dhe duhet më shumë edukim të popullatës me të gjitha mjetet e komunikimit masiv. Duhet një bashkëpunim më i madh mes mjekut, pacientit, institucioneve shtetërore, mediave e çdo indivi që është pjesë e zinxhirit të luftës kundër virusit global. Duhet të punohet fort që popullata të jetë e shëndoshë, ti parandalojmë që të mos sëmurën e të mos perfundojne në spital. Përhapja masive e sëmundjes na rrezikon kapacitete pritëse dhe na çon në kolaps te sistemit shendetsor. Në çdo spital shtetëror dhe privat duhet të ketë të paktën 2 kate të specializuar dhe të gatshëm për të luftuar Covid-19. Shtetet duhet të investojnë më shumë dhe duhet të kenë strukturë të fuqishme përballimi. Sot jemi në një luftë biologjike dhe qeveritë e sidomos partitë politike në vendin tonë duhet të jenë të bashkuara dhe të qëndrojnë në një front përballë të kësaj të keqe globale. Sot duhet të jemi të bashkuar. Vetëm kështu gjithmone do fitojmë ndaj së keqes. 

PSE PO VETVRITEN NJERËZIT E PREKUR NGA COVID-19?

Vetvrasja në spitale dhe sidomos te pacientët e prekur me covid-19 nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Është e turpshme. Aty ku vetvriten njerëz nuk ka menaxhim dhe nuk ka siguri. Nuk mundet që pacienti i sëmurë më covid të bëjë xhiro në katet e spitalit të planifikojë e shikojë me detaje se ku do të vetvritet. Ku janë strukturat spitalore? Çdo pacient që vjen në spital duhet lexuar dhe intervistuar me detaje se nëse ka shfaqje të problemeve të rënduara psikologjike a psikiatrike. Duhet shikuar dhe mbajtur nën vëzhgim çdo pacient që shfaq probleme. Psikiatri duhet të ndërhyjë menjëherë sapo merr informacionin nga infermieri nëse ka donjë depresion apo psikozë te pacientët. Çdo pacient që ka probleme duhet të mbikëqyret nga punonjësit e spitalit që të shikojë dhe sinjalizojë ndryshimet te ky individ. Në Amerikë quhet “one to one” pra çdo të sëmuri me tendence per vetevrasje vendoset që ta mbikqyrë një i shëndoshë, pjesë e ekipit ndihmës të spitalit do te benin pune te mire ne evitimin e vetvrasjeve.  Përveç kësaj që thashë më lart, njerëzit vetvritën nga mungesa e besimit se do ta kalojnë virusin, nga frika e vdekjes, nga paniku që u shkakton virusi, humbja e shpresës, besimi te Zoti do te luante rol positiv. Problemi duhet parë ne kompleksitetin e saj.  Në vendet tona 9 në 10 persona nuk duan më të jetojnë në atdheun e vet, duan te largohen ne perendim. Ka një depresion kolektiv. Në vendet tona Kosovë, Shqipëri, Maqedoni shoqëria është në një depresion te perhershem si pasojë e humbjes së shpresës dhe dëshirës për të gjetur pune qe do e mbaje nje familje dhe me perkushtim do te jetoj aty ku esht gurri i rende në vendin e tyre. Gjendja shoqërore është e rëndë. Situata është komplekse në vendet tona. Për tu kthyer të problemi, duhet që çdo mjek të ketë një kujdes të shtuar te pacientët që marrin ilaçe të forta apo që shfaqin simptome te depresionit, gjëndjen e rënduar apo shenja per ti bere dem vetes. Një gjë që duhet pasur parasysh është që edhe familja dhe spitali ti mbajë në kontakt të vahzdueshëm të sëmurët me depresion, biseda te shpeshta dhenja e kurajos dhe informimi i mjekut nese gjendja nuk permiresohet.. Ajo i çliron dhe i bën të ndjehen mirë pacvientet me gjendje psikiatrike. Ata nuk janë vetëm. Ata janë të gjithëpërfshirë dhe kurajo e miqëve e familjarëve i ndihmon shumë psikologjikisht të sëmurët. Morali i ulët dhe dëshpërimi, depresioni i thelle është fatal për të sëmurët Psiqiatrik. 

KOHA QË MIQTË NDËRKOMBËTAR TI NDIHMOJNË SHQIPTARËT

Situata në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk është ajo që secili nga ne duam. Njerëzit janë të lodhur nga qeverisjet e këqija, shpresa për ndërtim të vendit dhe mungesa e tregut të punës. Miqtë tanë ndërkombëtarë duhet ta ndihmojnë vendin tonë duke ndërtuar si fillim një industri të mjaftueshme që ajo fuqi punëtore ta gjejë vetveten në shtetin amë. Bashkimi Europian dhe Amerika duke pas bashkpunimin tone ne cdo sfere nuk e ka veshtire të ndërtojë një industri apo një sketor punësimi masiv për qytetarët e vendeve tona. Ka një shpopullim të frikshëm. Është e trishtueshme ku 9 në 10 perona duan ta braktisë vendin tonë. Po iku rinia, fuqia vitale e punësimit, vendi mbaron, plaket, shkatërrohet. Qoftë qeveritë, qoftë miqtë tanë ndërkombëtar duhet ta na ndiohmojnë. O sot o kurrë. Europa duhet ta ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve. Nuk është aspak e vështirë që Europa të ndërtojë dy industri të thjeshta me treg punësimi deri në 3 milion banorë në mënyrë që shqiptari të mos punojë në Europë por të qëndrojë në shtëpinë e tij duke u paguar njësoj si në Europë. Vendit tonë po i ikën pjesa më e mirë, më e përgatitur, më e aftë. Ky është një shkatërrim për shtetet dhe kombin tonë. Duhet një strategji mbarë kombëtare sesi të ndalojmë shpopullimin e vendit tonë, gjetjen e një tregu pune konkurues dhe mbi të gjitha njerëzit të ndërtojnë jetën dhe shpresën në vendin e tyre. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Skender Murtezani, Sokol Paja, Vaksina e Modenes

“Filius hostis ose i biri i armikut”- Një afresk dramatik….

December 5, 2020 by dgreca

 “Filius hostis ose i biri i armikut”- shkrimtari Shpend Sollaku Noé- Një afresk dramatik….  

Kritikja dhe editorja T. Frattini rreth romanit “Filius Hostis ovvero il figlio del nemico” (“Filius Hostis apo i biri i armikut”)të Shpend Sollaku Noè-së , të porsabotuar në Romë

 Një afresk dramatik mbi mbi rininë e djegur në komunizëm, mbi raportin ndërmjet autoritetit shtetëror dhe individit, midis pushtetit dhespotik dhe lirisë intelektuale/

Shkruan: Tatiana Frattini-

Nëpërmejt romanit “Filius hostis ose I biri i armikut”  shkrimtari Shpend Sollaku Noé ofron një afresk dramatik rreth fatit të paracaktuar të rinisë me të ardhme të djegur në diktaturat e kuqe të Europës Lindore.  

Një pjesë e madhe e konfliktit, e vështruar ne sytë e një ushtari, zhvillohet mbi një ishull të fortifikuar, vend në të cilin regjimi dërgontë të rinjtë marinarë dhe kambale për të pësuar dhimbjet e dreqedjallit. 

Një pjese të tyre – studentë të shkëlqyer në shkollat e mesme – i ishte mohuar e drejta për të studiuar në universitete, privilegj ky i bijve të nomenklaturës, që duhet të formonin të ardhmen e elitë së kuqe. 

Programe ushtarakë rigorozë, të regjur në propagandë komuniste dhe ambienti i ashpër e jomiqësor, në vend që t’i brumosin djemtë sipas mësimeve të marksizmit, shtyn një pjesë të mirë të tyre drejt vesit, frikës e të pacipërisë. Në sfond të përhershëm –  fati i atdheut të trishtuar, pre i luftës së ftohtë dhe i të pamëshirshmes luftë të klasave.

Gjithçka që paraqitet në këtë vepër të rëndësishme letrare është përjetuar nga autori në vetë të parë, sigurisht e trasformuar në laboratorin krijues. Në qendër të romanit – të rinj beratas. Ngjarjet zhvillohen sidomos në Berat e Sazan, por edhe në Sarandë, Durrë e Vlorë, në fillimin e viteve ‘80.

“Filius hostis – I biri i armikut” bën pjesë në oktalogjinë e romaneve “Bij të Saturnit” tashmë të shkruajtur në italisht nga Shpend Sollaku Noé, që vazhdon gradualisht të shohë dritën e botimit.

Kjo vepër madhore është frymëzuar në ngjarje realisht të ndodhura në më shumë se pesëdhjetë vite dramatike të të shkuarës së afërt të Evropës, duke filluar me Ligjet Raciale të viteve 1938-s për të vazhduar më pas me dikaturat komuniste e më tej. Skena, konflikti dhe personazhet në vazhdim shtrihen nëpër botë, nga Kriza e Kubës (1962) deri në Recesionin botëror te filluar në vitin 2008. Titujt e romaneve të oktalogjisë “Bij të Saturnit” janë: “I treni persi di Atzel Brauner”, “Il pero fiorì a dicembre”, “Filius hostis”, “Il Gancio”, “Scorpius”, “Cavie”, “Walscher”, “Gerda T. nelle braccia dei tre fiumi”. Secili prej këtyre romaneve ka një jetë të tijën, të pavarur, edhe jashtë këtij kompozimi të madh letrar. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Filius hostis, Shpend Sollaku Noe', Tatiana Frattini

PRESIDENTI I “FAX NEWS” KASEM HYSENBELLIU NDËRROI JETË, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN

December 5, 2020 by dgreca

Kasem Hysenbelliu u largua prej nesh përgjithmonë. Një humbje e tmerrshme për familjen, një lajm shumë i trishtë për miqtë, një largim i parakohshëm për botën mediatike dhe një ngjarje e pabesueshëm për kolegët, bashkëpunëtorët e mediat ku drejtoi e punoi. Ikja e befasishme dhe e padrejtë e Presidentit të “Fax News” Kasem Hysenbelliu, në kulmin e veprimtarisë së tij, na ka pikëlluar pa masë të gjithëve. Nga Amerika e largët në emrin tim personal, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe gjithë komunitetit shqiptar në New York, u shprehi ngushëllimet më të thella familjes, miqve e bashkëpunëtorëve të Kasemit, nderimet më të larta për kontributin dhe veprimtarinë e tij të shkëlqyer në media dhe respektet më të veçanta për atë që ai i dha medias ku punoi e drejtoi për vite me radhë. Kasem Hysenbelliu themeloi dhe drejtoi me sukses të lartë në vitin 2017 televizionin informativ “Fax Neës” duke e kthyer në një media serioze dhe prestigjioze në peisazhin mediatik shqiptar. Më herët, Kasem Hysenbelliu drejtoi dhe administroi Televizionin ‘News24’, Gazetën ‘Panorama’ dhe “Panorama Sport”. Sukseset e këtyre mediave më të rëndësishme në tregun e mediave në Shqipëri mbajnë edhe kontributin e lartë të Kasem Hysenbelliut. Në këto momente të vështira e dhimbjeje të pa masë, u shprehim mbështetjen tonë miku im Irfan, ju, familjarëve tuaj, të afërmve, të njohurve tuaj dhe ndajmë dhimbjen e madhe me ju. Në këtë humbje të pazëvendësueshme jemi pranë jush me lutjet tona, me përshpirtshmërinë tonë. Kasem Hysenbelliun do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me zemër të madhe, mbështetësin e madh të gazetarëve, si luftëtar i fjalës së lirë, si largpamës, si një administrator të shkëlqyer dhe mbi të gjitha një njeri shumë të veçantë.

Zoti ju forcoftë miku im Irfan Hysenbelliu për vëllain tuaj të dashur e shumë të çmuar.

Shpirti i Kasem Hysenbelliu pushoftë në paqen e amshuar.

I ndrittë shpirti në përjetësi.

I përjetshëm kujtimi dhe nderimi.

Me respekt

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha, Kasem Hysenbelliu, ngushellime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT