• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

VARREZAT NE SERBI PER TE FSHEHUR KRIMIN NDAJ SHQIPTAREVE

December 4, 2020 by dgreca

-Makolli: Mendojmë se në Serbi ka ende varreza masive-*

– Ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur kanë gjetur mbetje njerëzore në vendin e Kizhevak më 16 nëntor, pas së cilës Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi një urdhër zhvarrosje.

“Në këtë lokacion gjenden eshtrat e njerëzve të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë, të cilët janë transferuar këtu për të mbuluar krimin”, deklaroi të premten Ibrahim Makolli, kreu i Grupit punues të delegacionit të Kosovës për Personat e Zhdukur, gjatë një vizite të vendit ku po bëhen gërmime të mbetjeve mortore në varrezën masive në Kizhevak, afër Rashkës në Serbi.

Në një deklaratë për media, ai tha se procesi duhet të mbrohet nga politizimi.

“Kjo është një çështje humanitare dhe ne do ta trajtojmë në atë mënyrë, por ata që i kanë kryer këto krime duhet të marrin dënimet e merituara,” tha Makolli.

            Përveç Makollit, në këtë vend ishin prezent edhe shefi i delegacionit të Beogradit, Velko Odalloviq, dhe kryetari i Grupit të Punës, Fabian Bourdieu.

Ata vizituan Kizhevakun në Serbinë Jugperëndimore, ku u gjetën eshtrat e civilëve për të cilët dyshohet se janë shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë më 1999, përkatësisht në mes të nëntorit të atij viti.

Makolli tha se beson se ka vende të tjera në Serbi me varreza masive të mundshme.

Sipas tij, hulumtimi i përbashkët ka konfirmuar se janë edhe dy vendndodhje të varrezave masive të mundshme në Serbi – afër Novi Pazarit dhe Sjenicës.

“Shpresoj se xhirimet nga ajri do të ndihmojnë në lokalizimin e atyre vendeve dhe se do t’i shqyrtojmë në të ardhmen së bashku me përfaqësuesit e Serbisë,” tha Makolli.

Odalloviq: Numri përfundimtar i trupave, vetëm pas zhvarrosjes dhe identifikimit

Kreu i delegacionit të Beogradit dhe presidenti i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, deklaroi se ai “nuk mund të deklarojë asgjë me siguri për numrin e trupave në atë vend, por shtoi se mund të supozohej se aty janë mes 15 dhe 17 trupa.

Ai shtoi se vetëm procesi i zhvarrosjes dhe identifikimit do t’i japë përgjigje pyetjes rreth numrit të mbetjeve mortore dhe kujt i përkasin.

Sipas Odalloviqit, kjo është një nga varrezat e zhvendosura në Serbi.

Ai tha se do të punohet në këtë lokacion për sa kohë që lejojnë kushtet e motit, sigurisht në 10 ditët e ardhshme.

Kur punimet ndërprehen, vendndodhja do të mbrohet dhe ruhet në mënyrë adekuate fizikisht, shtoi Odalloviq.

“Ne i qasemi kësaj pune jashtëzakonisht me përgjegjësi. I gjithë procesi do të jetë transparent,” tha ai.

“Përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Kryqit të Kuq, Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe anëtarët e delegacionit të Prishtinës janë të pranishëm në të gjitha fazat, së bashku me ekspertët e gjykatës nga Serbia”, tha ndër tjerash Odalloviq.

Bourdieu: Të bashkuar në punë deri në mbylljen e këtij kapitulli të vështirë

Përfaqësuesi i Grupit të Punës nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Fabian Bourdieu, tha se zbulimi i kësaj varreze thekson rëndësinë e zbulimit të të zhdukurve.

Në javët e ardhshme, ekipet mjeko-ligjore do të punojnë së bashku për të mbyllur një kapitull të vështirë në jetën e shumë familjeve të të zhdukurve, tha Bourdieu.

Snezhana Matejiq, specialiste e forenzikës që drejton ekipin mjeko-ligjor serb, tha se “kjo do të jetë punë e vështirë për shkak të terrenit dhe kushteve të motit”.

“Ne nuk mund ta injorojmë situatën epidemiologjike, por ne do të bëjmë çmos për ta përfunduar atë punë,” tha ajo. Zhvarrosja e trupave në vendin e ish-minierës “Kizhevak”, afër kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, filloi më 30 nëntor.

Aspekti mjeko-ligjor menaxhohet nga një ekip i ekspertëve mjeko-ligjorë serbë dhe ekspertë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe delegacioni i Kosovës i Grupit Punues për Personat e Zhdukur, që është i pranishëm në rolin e vëzhguesit.

Ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur kanë gjetur mbetje njerëzore në vendin e Kizhevak më 16 nëntor, pas së cilës Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi një urdhër zhvarrosje.

Vlerësohet se në këtë lokacion mund të jene mbetjet prej shtatë deri 20 personave, ka deklaruar për REL Matthew Holliday, kreu i Programit të Ballkanit Perëndimor të ICMP më 2 dhjetor.

Ai shtoi se kjo varreza masive është “ndoshta i lidhur me zhvarrosjen në Rudnicë afër Rashkës disa vjet më parë” dhe se viktimat e gjetura në vendin e ri ishin “të lidhura me të njëjtën ngjarje në Kosovë në 1999”.

Në njoftimin e Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur thuhet se vendndodhja “Kizhevak” ka qenë objekt i hulumtimit dhe kërkimeve për pesë vitet e fundit, bazuar në urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Luftës.

*(Kortezi: Nga Iva Martinoviq & Ognjen Zoriq/- Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: Krimi i fshehur seb, Varrezat ne Serbi

DY VËLLEZËR QË NUK U KURSYEN PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE

December 4, 2020 by dgreca

-Është fjala për  vëllezrit, Avdurahman dhe Musa Sherifi (Hysolli), me origjinë nga Sinica e Devollit-

  Nga Fuat Memelli-Boston-

Pak ose aspak është folur e shkruar në median shqiptare për dy vëllezrit, Avdurahman dhe Musa Sherif (Hysolli) me origjinë nga Sinica e Devollit. Është shkruar  një faqe në librin e Ibrahim Memellit kushtuar Sinicës dhe vetëm  për Avdurahmanin. Për këta dy vëllezër kanë patur informacion bashkëfshatarët e tyre , por ata që i njihnin, tashmë kanë ndrruar jetë. Sot ka informacion për ta vetëm nga pasardhësit e familjes si dhe ndonjë fshatar i dhënë pas historisë. Por, le të hyjmë në temë dhe le ta nisim me Avdurahmanin, ose Duron si e thërrisnin shkurt  fshatarët,  pasi  ky ishte edhe vëllai  më i madh.

Ka lindur në vitin 1885 dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Duke parë etjen e tij për dije, prindërit e dërguan me studime në Stamboll ku vazhdoi shkollën e mesme fetare. Pas Turqisë ndoqi universitetin  në Kajro  e Misir. Siç dihet, Misiri ishte një qendër e rëndësishme ku ishin mbledhur figura të shquar intelektualësh shqiptarë. Avdurahmani njihet me ata dhe përfiton mjaft prej tyre, duke u ushqyer me ndjenja patriotike e atdhetare për Shqipërinë. Pas shkollimit kthetet në Sinicë por nuk meret me fenë. Qëndron pak kohë aty dhe shkon në Zvicër në rajonin gjermanishtfolës. Nuk qendron shumë kohë  dhe emigron në Argjentinë. Edhe ky vend nuk e kënaqi. Largohet prej andej e shkon në Amerikë ku zbret në portin e Neë Yorkut e prej andej në Boston. Ai është ndër emigrantët e hershëm shqiptarë që ka ardhur në Amerikë. Emri i tij, Avdurahman Sherif Sinica, ndodhet në Muzeun e Emigrantëve në Neë York dhe është parë nga sinicarë. Në Boston punon në një kompani për ndërtimin e hekurudhave, ku gjatë punës humbet  njërin sy. Njihet nga afër me Fan Nolin dhe shqiptarë të tjerë të përkushtuar për Shqipërinë. Bëhet edhe ai veprimtar  e zgjidhet   sekretar i një dege. Në  shtypin e kohës , ndër të tjera thuhet:” Më 3 dhjetor 1915 u fillua dega Nr. 45 Dickinson. Pleqësia e parë u zgjodh kështu: kryetar z. Avdyl Ahmet Pulaha, sekretar z. Duro Sherif Sinica, arkëtar z. Qamil Hysen Porodina”. (Kalendari i Vatrës 1918.) Në listën e kontributeve për Vatrën ku disa shqiptarë kanë dhënë nga 2 dollarë, Durua është një nga dhuruesit kryesorë me 12,5 dollarë, që për atë kohë nuk kishin pak. Shkon punon edhe në Alaskë  në një hekurudhë për transportin e lëndës drusore, por kthehet përsëri në Bostoni. Në vitin 1937 kthehet në Shqipëri dhe shkon në vendlindje. (Theksojmë se ai kishte shkuar në atdhe edhe në vitin 1923 e qe u rikthye përsëri në Amerikë, siç do flasim  më poshtë.) Në vitin 1937 niset për herë të fundit për në Shqipëri. Nuk mori pension por dëmshpërblim për dëmtimin e syrit. Në këtë  udhëtim mer me vete dy sëndyqë me dokumenta të Vatrës, dhënë nga Noli për t’i shpënë në arkivin  e shtetit shqiptar. Siç dihet në vitin ë 1939 filloi Lufta e Dytë Botërore dhe sëndyqët me dokumenta mbetën në shtëpinë e tij në Sinicë. Pas Çlirimit, në vitin 1946, shkon në zyrat përkatëse në Korçë dhe i thotë se në shtëpi ka dy sëndyqë me doumenta të Vatrës dhe i lutet të vijnë t’i marin e t’i çojnë në arkivin e shtetit, pasi i ka porosi nga Fan Noli. Pas disa ditësh vjen me makinë një grup nga Korça dhe i marin dokumentat në fjalë. Këtë histori e ka treguar djali i Avdurahmanit, Dervishi, i cili ishte mësues. Historinë e dinë edhe fëmijët e Dervishit si dhe disa sinicarë. Mua ma tregoi atë nipi i tij, Albert Hysolli, emigrant në Greqi, i cili është shumë i përkushtuar për Sinicën dhe me shpenzimet e tij ka ndërtuar aty ujësjellësin si dhe punë të tjera. Në vitin 1946 Avdurahmani kërkohet nga Komuniteti Mysliman për t’u bërë myfti i Korçë, por nuk pranoi. Preferoi të jetojë e punojë si bujk në Sinicë. Në vitin  1960 ai ndrron jetë në moshën 75 vjeçare. Në varrimin e tij kishte shumë bashkëfshatarë si dhe nga fshatrat fqinjë. Një ish emigrant nga Dardha i cili kishte qënë me atë në Boston, foli aty dhe tha:”Avdurahmani  është njeriu juaj dhe shoku im. Kam qënë me atë disa vjet në Amerikë por juve nuk e dini kontributin që ka dhënë  aty me shoqërinë Vatra”. Këto fjalë i tregon sot nip i tij nga nëna , Astrit Gupe, sot emigrant në Amerikë, i cili ndodhej në atë varrim.

 Familja ime ka patur miqësi me atë të Avdurahmanit. Ne shinim bashkë grurin dhe të lashtat e tjera. Ende më kujtohet zëri i tij kur ngiste kuajt në lëmë. Unë isha i vogël atëhere dhe nuk e dija vlerën e këtij njeriu që kishte mbaruar universitetin ,që kishte udhëtuar në disa vende të botës e që kishte kontribuar për Vatrën. Nuk e dija që ai zotëronte turqishten, greqishten e vjetër, arabishten , anglishten dhe kishte njohuri për gjermanishten. Vonë, pas viteve 1990, i mësova vlerat e tij.  Sa ishte në fshat, nuk fliste për Amerikën, pasi e dinte që e pësonte nga regjimi. 

 NJË VIKTIMË PËR TË CILËN NUK ËSHTË FOLUR E SHKRUAR  KURRË

Me idetë e tij patriotike e atdhetare, Avdurahmani  edukoi edhe vëllanë e tij më të vogël, Musanë, i cili u vra në moshë të re, kur ishte vetëm 28 vjet dhe i pa martuar. Por, si ndodhi?  Edhe ky, ashtu si i vëllai, Avdurahmani, pas mbarimit të shkollës në fshat, vazhdon një shkollë të mesme  për fenë në Stamboll . Ndërsa i vëllai shkoi në Kajro dhe vazhdoi universitetin, Musai kthehet në fshat. Me ndërmjetësinë e të vëllait, i cili atë vit ishte në Shqipëri me mision të Vatrës, Musaj bëhet shoqërues ( mbrojtës) i delegacionit italian me në krye Enricco Tellinin për përcaktimin e kufijve midis Shqipërisë e Greqisë. Siç dihet Tellini ishte caktuar me detyrën e kryetarit të delegacionit ndërkombëtar, pas Konferencës së Paqes në Paris. Ishte data 23 gusht e vitit 1923, kur gjatë udhëtimit nga Janina për në Kakavijë, i bllokohet rruga ku ishin vendosur drurë nga një grup grekërish prej 7 vetësh,.Pasi ndalon makina, dolën jashtë për të hequr drurët e vendosur në rrugë, shoferi italian Renigo Farenti dhe përkëthyesi shqiptar,Thanas Kraveri, por vriten me breshëri plumbash. Më pas u vra  mjeku Luiggi Corti, e pas tij edhe Enrico Tellini i cili doli jashtë duke qëlluar ndaj bandës por mbeti i vrarë. Qarqet greke u munduan ta përgënjeshtrojnë duke thënë se vrasja nuk ishte bërë nga grekërit, por nga  shqiptarët. Por, si  sqaron edhe Mithat Frashëri etj, kjo ngjarje tragjike, ishte organizuar nga grekërit. Ngjarja tronditi opinion ndërkombëtar e veçanërisht Italinë, si pasojë acaroi mardhëniet Italo-greke. Nuk po zgjatemi te ky atentat, pasi për atë është folur  e shkruar, por dua të theksoj se ndër personat që u vra aty, qe edhe i riu shqiptar. Musa Sherifi (Hysolli), i cili  qe në mbrojtje të delegacionit të kryesuar nga Tellini.Trupi i 28 vjeçarit u masakrua dhe familja nuk e gjeti kurrë. Ai nuk ishte martuar dhe nuk ka as fotografi të tij. .Për Musanë nuk është folur e shkruar kurrë.

 VARR PA ESHTRA

 Kjo ngjarje e rëndë tronditi familjen e  tij në Sinicë, jo vetëm se u vra djali i tyre, por mbeti edhe pa varr. Në këtë situatë, vëllai i tij Avdurahmani, te vorrezat e myslimanëve në Sinicë, ndërton një varr simbolik në kujtim të vëllait. Ishte një varr i rrallë, pa eshtra, i ndërtuar nga dhimbja për vëllanë. Këtë varr e dinte Dervishi, djali i tij, i cili ia kishte treguar edhe fëmijëve të vet. Varrin simbolik e ka parë edhe nipi i dy vëllezërve, Albert Hysolli, i cili e tregon me hollësi këtë ngjarje. Kanë kaluar 97 vjet qysh atëherë dhe varri pak dallohet, por Alberti ka në plan ta rindërtojë atë nga e para, në nderim të Musait që dha jetën tok me delegacionin Italian. Duke parandier rezikun nga qarqet greke, Avdurahmani ndrroi edhe mbiemrin e tij e të familjes, nga Sherifi që e kishte, e bëri Hysolli, mbiemër i marë nga fisi i nënës nga fshati Arzë, pranë Sinicës. Këtë mbiemër mbajnë edhe sot pasardhësit e kësaj familje.. Le të jenë këto rradhë një homazh për dy vëllezrit, Avdurahman e Musa Sherifi .(Hysolli).që nuk u kursyen për çështjen shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: Avdurahman dhe Musa Sherifi (Hysolli), Fuat Memelli, vëllezrit

Si u bëra mik me dy presidentët amerikanë të familjes Bush

December 4, 2020 by dgreca

Rrëfen shqiptaro-amerikani Rifat Tahir Prençi, ish i dënuar politik/

Si më ndihmuan dhe u bëra mik me dy presidentët amerikanë të familjes Bush, at e bir…/

 Nga Dukagjin HATA /

Shqiptaro-amerikani Rifat Prençi endet mes Shqipërisë dhe SHBA dhe tani në moshën 83 vjeçare, kur kujtesa e të kaluarës tek ai po bëhet më aktive se kurrë, ndjek gjurmët e të ndodhurave të jetës së tij, përgjatë një kalvari të pashembullt në rrugën e Golgotës. Në këtë rrugë vuajtje e privimi unik, me 23 vjet burg politik dhe me gjithë barrën e “mëkatave” të pa kryera mbi shpinë, jeta e tij ka pasur vetëm pak vezullime lumturie e kjo ka ndodhur vetëm pas hapjes së Shqipërisë me botën, kur mund të themi se ndriti dhe ylli i fatit të tij. Njohjen me familjen e shquar të Bushëve, me Bushin e Vjetër dhe të Riun, dy presidentët e shquar të SHBA-ve, Rifati e konsideron si kryefatin e jetës së tij, mbushur me plagë e dhimbje. 

Pas disa dekadave, hapja e Shqipërisë mundësoi që për Rifat Prençin të intersoheshin njerëz me ndikim të fuqishëm politik në Amerikë dhe konkretisht George H. W Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në kohën kur i ati, Tahir Prençi, stërvitej në kompaninë 4000, e kishte njohur nga afër, pasi ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, si ish shef i CIA-s. 

-Kush është Rifat Prençi?

-Jam me origjinë nga Dibra, i biri i Tahir Prençit, radistit të famshëm, stërvitur nga CIA amerikanë në kompaninë 4000, në Mynyh të Gjermanisë, ardhur si desantë në Shqipëri në mesin e viteve ’50 dhe kapur me dredhi nga Sigurimi i shtetit, ekzekutuar në mënyrë barbare nga klika e Diktaturës. Jeta ime ka rrjedhë në hullinj të trazuar, për shkak të tim eti, që konsiderohej “armik” nga Diktatura dhe mbi mua, si i biri i tij, ra me egërësi tehu i përgjakur i shpatës së një regjimi të egër e diabolik, që e kishte ndërtuar jetëgjatësinë e pushtetit të vet mbi vuajtjet dhe privimet e atyre që i quante “klasa të përmbysura”. Im atë nuk kishte bërë asnjë krim, përveçse nuk e donte komunizmin dhe për ta përmbysur këtë klikë gjakatare, që kishte ardhur nga stepat ruse, si pushtuese nga brenda e nga jashtë vendit, bashkëpunoi me aleatët historikë më të mëdhenj të popullit shqiptar, aleatët amerikanë. 

Në kompaninë stërvitore 4000, në Mynyh të Gjermanisë, im atë dhe bashkëqëndrestarët antikomunistë shqiptarë, që përgatiteshin për të rrëzuar qeverinë komuniste të Tiranës, instruktoheshin drejtpërdrejt nga CIA. Babai im kishte lidhje të drejtpërdrejta dhe për më tepër kishte miqësi personale me ish shefin e CIA-s së atyre viteve, George H. W Bush, pra me Xhorxh Bushin e Vjetër.

Por, në kohën që ndodhnin këto, unë isha fëmijë dhe nuk e ndieja ende me gjithë egërsinë dhe brutalitetin e vet, peshën dërrmuese të luftës së klasave, që do të më rëndonte për rreth tre dekada si një makth…  

Arrita të rregjistrohem “inkonjito” në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, kam pasur pasion shkencat matematike dhe inxhinierike, pasi edhe në shkollë të mesme, të cilën gjithashtu arrita ta marrë pa dhënë gjeneralitetet e sakta të përkatësisë nga ana e babait, dola me rezultate të shkëlqyera. Duke u ulur në auditoret e Universitetit, mendova se po më hapej një mundësi për t’i ikur rrethit të fatit të trishtë, që më ndiqte si një mallkim për shkak të qëndresës antikomuniste të babait, por në mes të studimeve, kur e zbuluan se i biri i kujt isha, jo vetëm më përjashtuan në mënyrën më flagrante të mundshme nga Universiteti, por më tej do të nisnin ndaj meje sprovat e kalvarit të burgjeve politike, burgjeve ferr të një regjimi burg. Me prova të sajuara e të montuara keq, pa asnjë hetim rreth fajësisë sime, e cila ishte sureale, më përplasën në dhomat e izlomit, në hetuesitë e një kohe të pa kohë, ku iu nënshtrova torturave nga më të egrat e sadiste, që do t’ua kishin zili dhe inkuiziotorët më fanatikë të Mesjetës.

-Ç’do të thotë të jeshë në moshën më të bukur të jetës dhe befas…të të ndahet koha në mes, falë një fataliteti?…

-Është një makth, që duket sikur të kafshon përbrenda si një përbindësh i fshehtë, cinik dhe agresiv. Gjithçka që kisha thurur në mendje dhe shpirt si një ëndërr për jetën rinore qe zhbërë brenda një çasti dhe pati nisur koha e privimeve të skajshme nga gjithçka. Sot është e lehtë të flasësh, por kur e ke vuajtur në lëkurë, sa herë që i rikthehesh, qoftë dhe shkarazi asaj kohe, atyre gjurmëve prej dhimbjeje, ndihesh keq dhe nuk dëshirë të vazhdosh të tregosh…Rrëfimi nuk të çliron, siç thonë, por duhet rrëfyer, duhen treguar krimet e përbindëshme të Diktaturës, që brezat të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në atë epokë gjakatare, që e keqja të mos përsëritet më kurrë.       

-Çfarë ndodhi me ju pas hapjes së Shqipërisë, si përfunduat në Amerikë?

-Hapja e Shqipërisë erdhi si një ogur shprese për shtresën e përndjekjes politike, por shumë shpejt ish të dënuarit politikë do të ndesheshin me vështirësi e pengesa të shumta për t’u integruar në shoqërinë shqiptare. Vujatja e tejaskajshme dhe privimi i gjatë nga të drejtat dhe liritë themelore njerëzore na kishte lënë prapa dhe do të duhej shumë kohë që fëmijët tanë të shkolloheshin e të kapnin kohën e humbur. Nga ana ekonomike ishim të dërrmuar dhe të pashpresë. Gjithë zhurmënaja e integrimit dhe dëmshpërblimit të vuajtjeve tona në burgjet ferr të komunizmit rezultoi një retorikë boshe dhe propogandë elektorale e partive, që zëvëndësonin njëra tjetrën gjatë rrotacionit politik. 

Por le të kthehemi tek pyetja juaj. Për fat të mirë, për mua si person u interesua një njeri shumë i fuqishëm, një lider me përmasa botërore, falë të cilit shkova në vendin e bekuar të lirisë dhe të drejtave qytetare, në simbolin e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjeta vetveten, atë që s’e kisha gjetur në vendin tim…Ai ishte ish Presidenti amerikan George H. Ë Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 1989 deri më 1993, në një periudhë të rëndësishme të shekullit të 20-të, ku ishte dëshmitar dhe protagonist në rënien e Perdes së Hekurt dhe mitit ideologjik të Bashkimit Sovjetik. Xhorxh Bushi i Vjetër, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, më kërkoi dhe përgatiti gjithçka që unë të shkoja në SHBA, ku do të niste për mua dhe familjen time një jetë tjetër. 

-Më pas u lidhët dhe me presidentin tjetër, Xhorxh Ë. Bush, Bushin e Ri, çfarë të ka bërë përshtypje tek ai dhe tek plaku, tek at e bir dhe familja Bush?

– Vajtja në Amerikë hapi për mua një faqe të re të jetës sime, e cila deri atëhere kishte qenë gri, për të mos thënë e zezë. Bushët u intersuan për mua, sikur të isha pjesë e familjes së tyre. Kam hyrje dalje familjare me familjen e shquar Bush, me te cilën ruaj lidhje dhe kontakte të vazhueshme dhe ju kam qenë për vizitë në raste gëzimesh e hidhërimesh, në ditë festash e ngjarjesh përkujtimore, të cilat ata i ndjekin në mënyrë rigoroze. Kam qenë në shtëpinë e Xhorxh  Bushit të Ri kur i vdiq e ëma dhe tani së fundi kur ndërroi jetë i ati, që ishte një lider karizamtik, me një madhështi rrëzëllitëse të përmasave botërore. Më kanë pritur me ngrohtësi e dashuri dhe gjithmonë më kanë pyetur se çfarë mund të bënin për mua dhe familjen time. Të dy, baba e bir, kanë qenë për mua një derë e hapur, edhe pse unë falë shtetit amerikan, për ndërtimin e së cilit ata kanë një peshë dhe kontribut të konsiderueshëm, m’i ka plotësuar të gjitha nevojat dhe kushtet. 

Xhorxh W Bush (mua më pëlqen ta quaj Bushi i Ri) është njeri me shumë humor, të dëgjon me vëmendje dhe bëhet pjesë e kujtesës dhe emocioneve të tua, pjesë shqetësimeve të tua, në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk është fare formal dhe protokollar, është mjaft i ngrohtë në komunikim, i çiltër dhe veprues, me të ndihesh mirë dhe mjaft komod.   

Jam tepër falenderues për çfarë kanë bërë për mua, duke më dhënë një mundësi të madhe që, pas asaj traume të rëndë që kam përjetuar në ferrin komunist, të shijojë Edenin e lirisë dhe vlerave njerëzore në tokën e bekuar amerikane. 

Filed Under: Histori Tagged With: Dukagjin Hata, Dy presidentet Bush, Rifat Tahir Prençi

Pse Shkodra,Lezha,Mirdita dhe Kurbini nuk e kanë asnjë monument të Gjergj Kastriotit

December 4, 2020 by dgreca

Shkruan:Nue OROSHI/

Që nga viti 1992 e deri me tani 2020 kanë kaluar plotë 28 vite kohë.Gjatë këtyre viteve në Shqiperi janë zhvilluar shumë ngjarje në aspektin e ngritjes se kulturës në shumë drejtime.Janë botuar shumë vepra historike, janë ndërtuar shumë monumente por është fatkeqësi që në vendin ku luftoj, veproj dhe udhëheqi luftën Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në Shkodër,Lezhë,Mirditë dhe Kurbin nuk u bë asgjë që se paku një monument t´iu ndërtohet Gjergj Kastriotit.

Dhe kjo nuk është një periudhë e vogël historike por 28 vite tri dekada.Në Lezhë, Fatos Nano mbi vendvarrimin e  Gjergj Kastriotit -Skënderbeut ndërtoj një kishë të madhe ortodokse pa pasur fare ortodoks në Lezhë dhe quditërisht nuk pati reagime.Edhe në Shkodër u ndërtuan monumente të pashallarve osman dhe nuk pati reagime.Është e quditshme se intelektualët nga këto rrethe në vend që të koncentrohën që në këto katër qendra ta sjellin monumentin e Gjergj Kastriotit që nuk e bënë për 28 vite ata po i japin zjarmë që ta kundershtojnë monumentin e Gjergj Kastriotit  në Prizren.E unë ju them pasi që nuk po jeni në gjendje me bërë asgjë në këtë drejtim, selinë e Kastriotëve do ta bartim në Prizren pas ndërtimit të Muranës dhe Muzeut të Mesjetës Shqiptare në Kalanë e Prizrenit.

Duhet të keni se paku respekt për punën 20 vjeçare te Nue Oroshit i cili falë angazhimit ka bërë më tepër se te gjithë intelektualët e këtyre rretheve në ringjalljen e figurave të nacionalizmit shqiptar në këto rrethe duke filluar nga Kapidan Mark Gjon Marku, dhe të gjithë nacionalistët e tjerë të këtyre anëve që zunë vend të merituar në veprat enciklopedike që botoi Shoqata” Trojet e Arbrit” në këto 16 vjet të veprimit të saj duke botuar 20 vepra enciklopedike me 14.000 faqe material shkencor.

Unë isha ai qe ju organizova sesion shkencor për Fishtën, isha ai qe i organizova Imzot Nikollë Kaçorrit nje sesion të veçantë në Durrës,me rastin e 100 vjetorit të kalimit në amshim, dhe  pa harruar edhe at Shtjefën Gjeçovin i cili kohë të gjatë ka shërbyer në këto treva.Për te tre këta korife kombëtar kam botuar libra të veçanta falë angazhimit të  intelektualëve shqiptar nga të gjitha viset etnike shqiptare.Si mirditor i rrënjes Arbërore duke pasur respekt për prejardhjen time  familjare nga Oroshi i Mirdites i respektova këto treva duke mbajtur sesione te veçanta shkencore në Shkodër,Lezhë dhe Rreshen.

Kam realizuar Filmin e vetëm dokumentar me TV Prizrenin që flet për Derën e Kapidanëve të Mirditës, ku se bashku me mikun tim Tomë Mrijaj dhe vëllezerit e mi e kemi kryer edhe pjesën financiare,kurse jam ideator dhe financues se bashku me vëllaun Gjonin i Kënges se Gjomarkajve ku me një tekst të fuqishem të Amarildo Vokrrit dhe me një zë të mrekullushem të Paulin Geges është bërë këngë hit për Mirditën tonë heroike.Dhe deri sa mirreni me kritika të kota në fb apo në ndonjë gazetë ju kisha preferuar që fillimisht Gjergj Kastriotin ta nxirrni nga burgu i Tiranës dhe ta vendosni në Lezhë pikërisht tek vendvarrimi aty ku kishin planifikuar ideatorët e këtij monumenti ish kryetari i bashkisë Franë Frrokaj dhe intelektuali Paulin Zefi.Më pas pasi ta vendosni Gjergj Kastriotin në Lezhë merrni iniciativatë që në Shkodër,Rrëshen dhe Laç ta ngritni nga një monument të Gjergj Kastriotit.

Kur ti kemi të gjitha këto monumente ju bëjmë vizitë të gjithave se bashku dhe më pas ulemi dhe bëjmë analizën se cili nga këto monumente  është më i përsosur artistikisht dhe cili jo.

Deri atëherë nuk mundemi të diskutojmë se unë nuk po shoh asgjë në këto qendra historike shenja të Gjergj Kastriotit.Edhe pse kam parë aty këtu se një pjesë të intelektualëve nga këto vise kanë orientim ideologjik të majtë unë i kam shikuar si vëllezër dhe jam marrë vetëm me vlerat e punimeve që kanë sjellur dhe asnjëherë me orientimet ideologjike të tyre.Duhet të mësoni se para se të kritikoni një punë të kujdo qoftë që e ka kryer ta pyetni vetveten se çka keni bërë ju vet personalisht deri në moshën e pjekurisë apo pleqërisë, që e keni arritur për ndriçimin e vlerave historike në Shqipërinë Etnike.Thuhet një fjalë popullore se ra ky mort e u pa, unë do ta kisha thënë të kundërtën se ra ky gëzim e u pa se në çfarë konceptësh qëndrojnë një pjesë e intelektualëve shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Monumenti i Gjergj Kastriotit, Nue Oroshi, Pse mungon

KUR THRRET ATDHEU, ISH PRESIDENTËT PËRGJIGJEN, SË BASHKU

December 4, 2020 by dgreca

Nga Frank SHKRELI- Kryetari i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve me akronimin CDC, paralajmëroi vendin se për tre muajt e ardhëshëm, Shtetet e Bashkuara mund të përballen me krizën më të madhe shëndetësore që kemi parë deri tani.  Drejtori i CDC, Dr. Robert Redfield u bëri thrirje amerikanëve që të dyfishojnë masat e kujdesit duke vendosur maskën, që të  praktikojnë higjienën duke larë duartë dhe duke ruajtur distancën me njëri tjetrin.  “Realiteti është se Dhjetori, Janari dhe Shkurti do të jenë të vështirë”, duke shtuar se, “në të vërtetë kjo periudhë mund të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit në këtë vend”, paralajmëroi Kryemjeku amerikan.

Këshilltarët e entit qeveritar amerikan, US Food and Drug Administreation (FDA) do të takohen me 10 Dhjetor për të diskutuar nëse do të rekomandojnë përdorimin e vaksinës anti-Covid-19 të prodhuar tanimë nga kompania Pfizer e që thuhet se është 95 % efektive në parandalimin dhe trajtimin e virusit të përhapur anë e mbanë botës.

Problemi është se megjithë përparimin në prodhimin e vaksinës nga Pfizer dhe kompani të tjera, si dhe megjithë provat e bëra deri tani se vaksina është 95% efektshëme, ka shënja se madje edhe përball rreziqeve që paraqet virusi Covid-19 për amerikanët dhe për botën, një përqindje e konsiderueshme njerëzish – të cilët kanë frikë nga efektet negative anësore që mund të ketë vaksina — janë shprehur se do të hesitojnë  ose do të kundërshtojnë të marrin vaksinat kundër Covid -19. 

Të shqetësuar nga ky reagim nga një përqindje e amerikanëve ndaj vaksinës anti-Covid-19,  tre ish-presidentët amerikanë, Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe Barak Obama njoftuan se për të bindur amerikanët se vaksina anti-virus është e sigurt dhe se lufton virusin, kanë vendosur të marrin vaksinën “live” në televizion, menjëherë pasi të jetë aprovuar, për tu përdorur,  nga entet përkatëse të Qeverisë Federale të Shteteteve të Bashkuara, me qëllim për të inkurajuar ata që dyshojnë në përfitimet që vijnë nga vaksina kundër virusit Covid-19.

Former Presidents Obama, George W. Bush, and Bill Clinton pose for cameras during the 2017 Presidents Cup at Liberty National Golf Club in Jersey City, New Jersey.

Familja Bush, historikisht, ka qenë gjithmonë e para për fushata të tilla për të promovuar kauza me rëndësi humanitare dhe shëndetësore, në raste fatkeqësishë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Në të kaluarën, përpjekjeve të familjes Bush u janë bashkanagajitur edhe ish-presidentët e tjerë, përfshir Klintonin dhe Obamën.  Siç ishte rasti, 3-vjetë më parë, kur 5 ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, republikanët Xhorxh H. W. Bush i vjetër, Xhorxh W. Bush i ri dhe demokratët Xhimi Karter, Bill Klinton dhe Barak Obama,  u bashkuan për të themeluar, “Apeli i Një Amerike”, me qëllim mbledhjen e fondeve urgjente për viktimat e uraganit Harvi në shtetin Teksas dhe të uraganit Irma, në shtetin Florida.  Apeli i “Një Amerike” ishte një thirrje e përbashkët nga pesë ish-presidentët amerikanë me qëllim për të inkurajuar bashkqytetarët e vet që të mbështesin përpjekjet për rimbkëmbjen e viktimave të uraganit Harvi në Teksas dhe uraganit Irma në Florida, si pasojë e  fatkeqësive natyrore, që patën shkaktuar vërshime të mëdha shkatërruese,  para tre viteve, në pjesën jugore dhe jug-perëndimore të Amerikës.

Përhapja e virusit Covid-19 këtë vit është një fatkeqësi shëndetësore e përmasave historike, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës.  Është vërtetë një situatë emergjente kombëtare që kërkon mirëkuptim due bashkpunimin e të gjithë elementëve të shoqërisë, sidomos të enteve qeveritare vendimarrëse, por edhe të politikës dhe të figurave kombëtare, siç janë ish-presidentët amerikanë.

Nuk është se këta politikanë të lartë amerikanë – në rolin e tyre dikur si presidentë dhe tani si ish-presidentë – të mos kenë gjithnjë ndryshimet politike dhe partiake midis tyre — por është traditë në këtë vend, që në raste emergjente kombëtare, siç është përhapja e Covid-19, pikpamjet dhe qëndrimet politike lihen mënjanë, duke u bashkuar për të përballur, si është më mirë, sfida të tilla që prekin të gjithë shtetasit e këtij vendi, pa dallim, status shoqëror ose politik.  

Një bashkpunim si ky midis zotërinjve Obama, Bush e Klinton për të ndërgjegjësuar shoqërinë amerikane të marrë vaksinën kundër Covid-19 kur të aprovohet, përfundimisht, nga entet përkatëse amerikane për të treguar publikisht se është e sigurt për tu marrë kundër virusit i ka rrënjët në historinë e herëshme të republikës amerikane.  Kjo nismë nga ish-presidentët amerikanë,  është tipike e politikës amerikane – që tregon se për këto figura të politikës amerikane – qoftë në detyrë, qoftë në pension — interesat e kombit dhe nevojat e popullit përball një fatkqësie shëndetësore dhe sfidash siç paraqet Covid-19  për botën dhe për Amerikën,  janë gjithmonë mbi interesat personale, ekonomike, politike dhe partiake.

Ish-presidentët amerikanë, Bush i riu, Obama e Klinton po bëjnë detyrën e tyre humane dhe patriotike për të ndërgjegjësuar bashkatdhetarët e vet ndaj seriozitetit që paraqet kjo pandemi, nga e cila deri më tani, fatkeqësisht,  në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur vdekjen mbi 250.000 veta.

Frank Shkreli

Hurricane Relief

Filed Under: Featured Tagged With: Atdheu, Frank shkreli, presidentet, se bashku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT