• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

EDITORIAL – VATRA, FLAMURI, BASHKIMI DHE PËRÇARËSIT *

December 3, 2020 by dgreca

Ky është Flamuri që Shoqëria “Bashkimi” ia dhuroi Bandës së Vatrës 2 vite para se të merrte rrugëtimin drejt Atdheut në Misionin e Shenjtë….së bashku me Trupat Vullnetare të Vatrës.

Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA”, me krenari e ka mbajtë lartë Flamurin Kuq e Zi, si simbol të krenarisë Kombëtare, simbol lirie dhe bashkimi, duke u ngritë mbi përçarjet, mbi ideologjitë, kurthet, mbi intrigat dhe xhelozitë, mbi pakënaqësitë individuale, mbi karrierizmin, temperamentet e gjaknxehtësitë e çastit, apo nga duart e zgjatura nga Beogradi,Tirana komuniste me agjentët e dërguar, apo nga panhelenikët e Vorio Epirit… Kjo ka bërë që plagët e përçarjes përgjatë më shumë se një shekullit jetë të Federatës, të mjekohen në kohën e  duhur dhe Vatra sërish është gjendur e bashkuar dhe e ka kryer me devotshmëri e nder detyrën e saj si shërbestare e Kombit prej më shumë se 108 vitesh.

            Çdo 28 Nëntor VATRA, edhe pse e izoluar nga Atdheu,e ngriti dhe e mbajti lart Flamurin Kombëtar, atë me Shqiponjën dy krenare në sfondin e kuq të gjakut të dëshmorëve të Kombit, pa pranuar mbi të as shenjat e fashizmit e nazizmit, as yllin e kuq me drapër e çekan të bolshevizmit,edhe pse mbi shpinë kishte presionet, përndjekjet, kundërvëniet me festimet masive të Misioneve komuniste të Tiranës dhe Beogradit në SHBA, që u diktonin shqiptarëve të festonin me Flamurin me Yll të Kuq !…

            Federata e ka lartësuar Flamurin Kuq e Zi të Gjergj Kastrioti- Skënderbeut 7 muaj para Pavarësisë, dhe e ka orientuar Kuvendin Kombëtar të Vlorës,të 28 Nëntorit 1912, që të vështronte drejt PERËNDIMIT, Jo LINDJES….

AKSIOMA E FEDERATËS: VATRA nuk është pronë e asnjë individi, e asnjë familjeje, e asnjë kombinacioni babe e bij’,dajë e mbesë, nip e gjysh! Është pronë dhe institucion Kombëtar.

       Edhe këtë 28 Nëntor Vatra, ajo ligjorja, me emrin e plotë, siç e pagëzoi Faik KONICA dhe e bekoi Imzot NOLI ”Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA”, është në të njëjtin pozicion duke e mbajtur me krenari Flamurin e  themeluesëve, pavarësisht gurëve që po i hedhin mbi shpinë pa mëshirë një grup i  pakënaqur më shumë prej vetes se prej Vatrës.

        Siç kanë njoftuar disa portale,apo rrjete sociale, i ashtuquajturi Komision i 5 Tetorit na paska krijuar një vatër tjetër! Dhe qenkan lodhur shumë e rropatur në mbi 50 mbledhje ilegale për gjatë një viti! Dhe për çfarë? Për të sulmuar institucionet e Federatës! Bravo! Do ta kishin zili “fitoren e Pirros”, të gjithë ata që e kanë sulmuar për gjatë më shumë se një shekulli!

           Si për ta bërë më qesharake aventurën e përçarjes së Vatrës dhe krijimit të një Vatre të re, Komisioni i paligjshëm,organizoi Kuvend – dhe zgjodhi 31 tetorin, e njohur në Kalendar si “Halloween”,ditë “historike” për të përçarë Vatrën. Pesë tetoristët organizuan Kuvendin me maska, sipas tyre, të autorizuar nga anëtarësia prej 60 vatranësh, që u japkan përkrahje… (Vetëm një degë e Fedeartës Panshqiptare të Amerikë”VATRA”, ajo e Queensit-NY, ka 149 anëtarë, po 12 degët e tjera që janë rreth federatës?). Zotëri, ju jeni frakson, dhe nuk mund të rikrijoni federatën, po-një shoqatë me emër tjetër-, po, – krijojeni kur të doni dhe ia pafshit hajrin! Nëse vazhdoni historia do t’ju gjykojë për aventurën tuaj antivatër.Deri dje kishit si shkak biografitë e ish kryetarit, po tani që për herë të parë në 108 vite histori në Krye të Federatës erdhi një shqiptar i Kosovës, i cili nuk ka CV komuniste? – Ç’patët?

    Në shifrën e pretenduar(60 anëtarë) që ka raportuar kjo e ashtuquajtur vatër- përfshihen edhe  ata që janë anëtarësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Vatrës, pa informuar qendrën,njerëz që nuk kanë haber nga Vatra, madje kanë krijuar dhe një dege të dyshimtë në Staten Island, pa e pyetur fare qendrën, siç dikton Kushtetuta. Zotëri,në cilin nen të Kushtetutës së Vatrës shkruhet se mund të marrësh njerëz nga rruga t’i anëtarësosh në  Vatër, pa njohur frymën e shenjtë të vatrës, dhe më pas t’i vërsulësh kundër saj për ta shkatërruar? Në cilin nen të Kushtetutës shkruhet se një fraksion mund të thërrasë Kuvend?

       Të sulmosh Vatrën është njësoj si të sulmosh faltoret e shenjta!Çfarë ideali Kombëtar e motivon këtë grupim të pakënaqurish, që po e sulmojnë pa mëshirë Federatën? A nuk ndjejnë dhimbje nga plagët që mundohen t’i shkaktojnë ?…Dhimbjeee….

Nuk paskan qenë me shpirt në Vatër, paskan qenë vetëm fizikisht. Nëse do të ishte gjallë Faik Konica, me satirën e tij therse, do t’ua bënte gjyqin në publik, që të mos shihnin rrugë nga të shkonin dhe jo të bënin kuvende!

          Në qendër të kësaj vorbulle është dega e Vatrës në Virxhinia, ku ata jetojnë(e thirrur si dega e Washingtonit), e cila në Kuvendin e 2017, kur dhe nisi divorci, raportoi se kishte një anëtarësi prej 28 persona, por 6 prej tyre nuk konfirmoheshin(shënuar nga vetë dega) dhe 6 të tjerë janë larguar dhe i kanë dërguar anëtarësinë në Qendër.Me sa veta ka mbetur kjo degë që pretendon ta thërrasë veten-Vatra e vërtetë?

 Një tregues tjetër është se 10 anëtarë ishin nga dy familje(6 Buçaj dhe 4 Zotaj), ndërsa dega që i mbanë iso sot, në atë Kuvend raportoi se kishte 14 anëtarë(është dega e Dr. Kaliqit, që nuk ka pranuar t’i japë informacion qendrës për Fondacionin e Vatrës, që e ka kthyer si pronë private- dhe ka mbetur në bordin e kohëkrijimit vetëm Kaliqi dhe ish kryetari)!. Që nga Kuvendi i vitit 2017,  këto degë nuk iu bindën Qendrës, nuk paguan anëtarësi,ndërkohë që dega e Virxhinias publikisht sulmoi Vatrën dhe zyrtarët e saj. Ishte kjo arsyeja që Vatra e përjashtoi këto 2 degë nga Federata, me votë unanime, mbështetur në arsyetimin: “duke analizuar jo vetëm tendencat por edhe aktivitetin e tyre në dëm të aktivitetit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”,  si dhe në fyerjet dhe pengimin e organeve drejtuese të Vatrës të zgjedhura në mënyrë të rregullt ligjore, ashtu si Kanunorja e Vatrës e ka të shkruar në nyjen 39 të saj, si dhe duke u mbështetur në nyjet 40, 52, 53 të Kanunores,  me votë të hapur dhe unanime:

KUVENDI VENDOSI

Të përjashtojë nga THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA (THE HEARTH):

a- Dega Washington DC

 b-Dega Newburgh

            2- Çdo anëtar që ka kryer aktivitetin e tij në këto dy degë, por që nuk ka dëmtuar  dhe penguar aktivitetin e Federatës në punën e saj ka të drejtë të riantarësohet si anëtar i THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA (THE HEARTH) në degën më të afërt apo edhe në qendër.

          Dhe Pesë tetoristët e bënë Kuvendin e paligjshëm të fraksionit të tyre duek mashtruar edhe ndonjë të ftuar. Si mund të bësh Kuvend, kur je përjeshtauar dhe si mund të krijosh një degë të re Vatre, pa marrë leje në qendër, ndërkohë që Kushtetuta shkruan: Nyja 39: Vatra përbëhet nga Degët, të cilat nuk quhen(nuk njihen)pjestare të federatës në qoftë se nuk i ka njohur ose nuk i njeh Komisioni(Sot Kryesia e Vatrës”.! Ndërsa në Nyjen 42, shkruhet: Çdo dege, posa njihet nga Komisioni i Vatrës,i dorëzohet vula e degës, dy fletore për rekorde dhe Lista e anëtarëve. Nëse dega përjashtohet ajo duhet të kthejë gjithçka në qendër! A e kanë lexuar ndonjëherë Kushtetutën e Vatrës ata që kanë ndërmarrë ofensivën kundër saj?

            Pas të ashtuquajturit Kuvend të 31 tetorit,(Ku një organizatë e njohur dhe me peshë në komunitet nuk pranoi të bëhej vegël dhe të shkonte të përshëndeste Kuvendin me maska,-  u ftuan me anë të mashtrimit dhe 3 organizata të komunitetit, 2 prej të cilëve u larguan nga Kuvendi, duke mos pranuar që të bëheshin instrument të përçarjes së Vatrës, me logjikën: Nuk kemi ardhë për ti shërbyer ndonjë fraksioni, ne vlerësojmë Vatrën si federatë),- Sekretari kësaj amalgame, ka nxituar të hyjë në mënyrë të paligjshme në websitin e “Commonweallth”-it në Massachusetts, dhe ka tentuar të bëj regjistrim të paligjshëm të vatrës që polli komisioni 5 tetori, asaj të 60 anëtarëve të pretenduar, duke zhvendosur emrat e zyrtarëve dhe të Kryesisë së Federatës me 12 degë e me më shumë se 600 anëtarë, duke thyer rregullat më elementare amerikane. Federata nuk rrëmbehet me mashtrime të tilla, as me inate e mllefe, zotërinj!…Gjithçka u ndal në kohën e duhur.

         Po pse po kërkojnë ta përçajnë Vatrën me çdo kusht-, kujt i intereson shkatërrimi i saj? Vetë Vatrës dhe historisë së saj-JO! Vatra nuk mund të shkatërrohet me Kuvende të paligjshme, me rrëmbime Logosh e vulash,me raporte fallso në Facebook dhe në rrjetet e tjerë sociale, me tentativa për të thyer pasworde, me tentativa për ta regjistruar paligjshmërisht…, Vatra nuk mund të çohet në shtëpi,Vatra nuk mund të shkatërrohet nga zemrimet e çastit, as nga  qejfmbetjet për shkak mosvlerësimi, as prej ndonjë vatrani, që mburret për kontributet e shkuara dhe e qëllon me gurë vatrën e tanishme,as nga ndonjë vatran, apo nga ndonjë dezertor me porosi prej ushtrisë së Enver Hoxhës, që pa rënë komunizmi(në vitet 80-të)  shkonte turist dhe qëndronte në Hotel Dajti apo Tirana-Hotel, apo shkruante në gazetën e qeverisë së Tiranës në Boston(Liria) për mrekullitë dhe bukuritë e Shqipërisë komuniste….VATRA është pasuri Kombëtare dhe do të mbetet e tillë!

       Pse gjithë ky mllef? Pakënaqësia e dy degëve ka nisë që pas Kuvendit të Qershorit 2017.Ish Kryetari i atëhershëm, kishte krijuar bindjen se kanditatura më e mirë për kryetar Vatre, do të ishte- ish Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë i vendosur prej Qeverisë së Partisë Demokratike në atë post, i shkarkuar me pompozitet dhe arrogance dhe zhurmshëm, në darkën vjetore të Ish Këshillit Shqiptaro Amerikan, shtator 2013. Ai ftoi shpesh për kafe e dreka kandidatin për t’i mbushë mendjen ta pranonte postin,(çuditerisht tash e mohon, por kanë qenë dhe të tjerë në ato dreka e kafe që e dëshmojnë të vërtetën)… mirëpo më pas ai hoqi dorë nga ajo zgjedhje, nuk dha arsye as para dhe as gjatë Kuvendit- nuk i informoi strukturat e Vatrës për arsyet.Në Kuvendin e vitit 2015 në Jacksonville u votua vetëm një kandidaturë , nuk u kërkua e dytë; ndërsa në Kuvendin e vitit 2017, kandidatura e dytë u konsiderua e domosdoshme! Gjithësesi në kuvend u prezantuar dy kandidatura. Kandidatura e ish Konsullit pati pretendime se nuk i plotësonte kushtet e vjetërsisë në Vatër.Kushtetuta në fuqi e Vatrës , ajo e vitit 1926, e riprintuar në vitet 1954 dhe 1995, nuk kërkon kushte vjetërsie për Kryetarin.Kjo spjegon faktin se në të shkuarën Vatra ka ftuar intelektualë jashtë Amerikës për t’u bërë kryetarë të saj, siç ka qenë rasti i Mit’hat Bej Frashërit. Kushtetuta nuk vendos kushte për kryetarin, por për delegatët në Kuvend, të cilët sipas nyjës 30: “Delegat në Kuvend të Vatrës s’mund të pranohet veç se një njeri që ka qenë anëtar i rregullt të paktën 2 vjetët e fundit dhe që ka paguar të paktën 6 këstet e fundit.” A e kishte vjetërsinë prej 2 vjetësh ish Konsulli? Në përgjigje të pyetjes, mjafton të përmendim faktin se në Kuvendin e Majit 2015 në Jacksonville, ai u zgjodh anëtar i kryesisë së Vatrës(pra e kishte se ishte në bordin e Vatrës). Gjithësesi, vetë ish kryetari, kërkoi mënjanimin e kushtit të vjetërsisë,e hodhi në votë dhe miratoi me vendim Kuvendi, që kandidimi ishte i rregullt.Madje pas Kuvendit u bë një darkë madhështore, plot humor, valle, këngë, dhe fotografi, ku të pranishëm ishin të dy; ish Kryetari dhe kryetari i zgjedhur, jo vetëm kaq por u shpërndanë edhe Mirënjohje! Pra Kuvendi përfundoi me traditën e Darkës tradicionale, pse më pas u pretendua se ishte i parregullt!?

         Ka dhe një problem tjetër; që në Kuvendin e vitit 2013 u hodh ideja dhe nisi diskutimi  për ndryshime në Kushtetutë të Vatrës,u propozua të shtoheshin amendamente, mirëpo dukej se Vatra nuk e kishte durimin, as kapacitetet juridike për ta kryer këtë mision, dhe ashtu siç kishte ndodhur dy dekada më parë, dukej se kjo inisiativë do të dështonte.Diskutimi u zvarrit nëpër kuvende të mëpasme, edhe në Kuvendin e 2017, madje edhe në Kuvendin e 2020, por ende nuk ka nje Vendim përfundimtar për ta printuar, dhe as mund të ketë pa u unifikuar projektet ndër vite.Ky projekt as sot nuk ka marrë miratim përfundimtar edhe pse është shtruar në fund të kuvendeve, kur delegatët dremisnin nga lodhja dhe nuk kishin durimin ta dëgjonin kryetarin e Komisionit, dhe gjenin rrugën më të shkurtër, ia delegonin Kryesisë kompetencat, ajo të ndiqte proceduart. Por çudia ndodhi me ish kryetarin e atëhershëm, i cili 6 muaj pasi pat lënë detyrën në kuvendin e 2017-tës, e printoi me insiativën dhe shpenzimet e veta Kushtetutën dhe ua dërgon të gjithë vatranëve sipas listës që ai kishte siguruar nga kompjuteri i abonentëve të gazetës Dielli në Zyrën e Vatrës!. Dhe në mënyrë më të çuditshme nuk përdori adresën e vet në Virxhinia, por adresën e qendrës së Vatrës Bronx, NY, pa shënuar emër dërgusi mbi zarf, por një letër brenda zarfit të firmosur prej ti,ku jepte sqarime! Shumë nga kopjet e kthyera janë ende në Vatër. Ndoshta i gjithë ky nxitim i parapriu veprimeve të mëpasme të Komisionit të paligjshëm” 5 Tetori” për të gjetur”ligjshmëri” në një veprim të paligjshëm.

    Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i ka rreth vetes degët dhe anëtarësinë me gjithë presionet dhe makinacionet që po përdorin përçarsit e Federatës, duke ju dërguar thirrje, ftesa në emër të Vatrës, madje kanë mashtruar edhe ndonjë klerik, duke e ftuar në emër të Vatrës, kanë dërguar emaile, buletine, kanë gjetë strehë edhe në ndonjë portal apo gazette, që i ka për qejf përçarjet dhe i hedh benzinë zjarrit… etj.

Por Vatra ka kaluar situata më të vështira dhe ia ka dale ta ruaj bashkimin.Nuk mund ta shkatërrojnë Vatrën dy degë të përjashtuara nga Kuvendi i 19 Janarit 2020 pse kanë shkelë Kushtetutën e Vatrës apo disa individë, që nuk e dinë as vetë se përse janë të pakënaqur dhe pse po e luftojnë Vatrën. Vatra ndjenë mbështetjen e anëtarësisë aktuale prej më shumë se 220 vatranësh në qendër, mbështetjen e degëve si në Queens New York  me 149  anëtarë, Michigan -85  anëtarë,  dega në Manhattan 47 anëtarë (të përgatitur për t’u anëtarësuar edhe 17 anëtarë të rinj) dega në Hudson Valley-New York 62 anëtarë, dega në Hartford – CT me 23 anëtarë, dega në Jacksonville me 35 anëtarë,  dega në Tampa-Florida me 32 anëtarë, dega në Worcester MA, që u riorganizua këto ditë me anëtarësi të paguar për vitin 2020 prej 23 anëtarësh, dega në Fort Lauderdale-Florida  me 17 anëtarë, dega në Toronto – Canada me 23 anëtarë, me dega në New Jersey me 27 anëtarë, dega në Orlando,dhe është e gatshme dhe një tjetër degë në Florida,si dhe dega e re në Boston, në vendthemelimin e Vatrës historike, ku komisioni prej 13 anëtarësh po bën përgatitjet e fundit. E falenderojmë edhe Shoqatën Besa-Besë në Boston, që ka bërë anëtarësimin e udhëheqjes së saj në Federatën Pan shqiptare VATRA.

           Zotëri të grupit përçarës, Ju e keni sulmuar Federatën me të gjithë mjetet, keni hedhur shumë gurë mbi të, dhe keni shpifur pa limit, ajo  vetëm ka heshtë pasi ka menduar se një ditë do ta kuptonit se jeni futur në rrugë pa krye. Tash u sos durimi prej zullumit tuaj: Shihemi në Gjyq!…

Kaq për këtë herë, ka dhe më për të thënë.

  • Editoriali shpreh qëndrimin zyrtar të Federatës Panshqiptare të Amerikës-VATRA- sipas mendimeve dhe gjykimeve të shprehura në mbledhjen e Kryesisë e organizuar virtualisht në prag të festës së Flamurit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Editorial, Flamuri

Bijtë e Shqipes e ngritën Flamurin edhe ne Pandemi…

December 2, 2020 by dgreca

Shqiptarët në Filadelfia e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e Bashkisë/

NGA SADIK ELSHANI/*

Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia i kushton një rëndësi të madhe festmit të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ka hyrë në kujtesën e kombit tonë si, Dita e Flamurit. Kjo ditë shënohet me organizimin e veprimtarive të ndryshme: Mbrëmjen e Madhe të Flamurit (darkë solemne e koncert), vizita nëpër familjet e bashkatdhetarëve, pjesëmarrjen në Paradën e Ditës së Falenderimeve, ngritjen e flamurit në bashkinë e Filadelfias, etj. Por, këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19 shumë nga këto veprimtari nuk mund të organizoheshin. U organizua vetëm ceremonia e ngritjes së flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë së Filadelfas. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Filadelfias organizon ngritjen e flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Filadelfias.  Edhe këtë vit, në datën 27 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë, por për shkak të pandemisë që u cek më lart, këtë vit kjo ceremoni ishte e modifikuar: numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, duheshin mbajtur maskat; muzika shqiptare jehonte në shesh, por nuk mund të vallëzonim si herave të tjera. Megjithatë, pjesëmarrja ishte e lakmueshme dhe bashkatdhetarët ishin të lumtur të takonin, të uronin njëri – tjetrin, ndiheshin të lumtur, shprehninë kënaqësinë e krenarinë që Shqipëria dhe shqiptarët po nderohen në qytetin e lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, edhe përkundër këtyre rrethanave shqiptarët u mblodhën të bashkuar, ashtu siç na thërret Himni ynë Kombëtar: “Rreth flamurit të përbashkuar….” Për rregullimin e skenës, tribunës festive, si zakonisht, u angazhua zoti Haki Çollaku. Skena ishte zbukuruar me flamurin Kuq e Zi dhe atë amerikan. Gati të gjithë të pranishmit mbanin në duar flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kalamajt, shumica të veshur me veshjet tona kombëtare, gëzoheshin në mënyrën e tyre femijërore. Po ashtu, edhe koha ishte shumë e mirë, pjesërisht me diell dhe e ngrohtë.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe menagjeri i Veprimtarive dhe Projekteve Speciale po në të njejtin department, z. Robert Nonemacker. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess shprehu befasinë e saj të këndshme, që edhe përkundër rrethanave, kufizimeve, numri i pjesëmarrësve ishte i lakmueshëm. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranismëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin dhe specifikat e kësaj veprimtarie: mbajtjen e maskave dhe distancën sociale. Pastaj fjalën e mori z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Nga zyra përkatëse e Bashkisë na kishin njoftuar se këtë vit nuk do të ketë program e as fjalime, prandaj edhe z. Gjoka nuk u zgjat në fjalën e tij, por pasi i uroi bashkatdhetarët për Festën tonë Kombëtare dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme, ai i tha edhe disa fjalë për 28 Nëntorin dhe vendin që zë kjo datë në historinë tonë kombëtare..Pastaj u luajtën himnet kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngritej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua z. Haki Çollaku, veprimtar i dalluar e i palodhur i shoqatës dhe i bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Sipas programit e procedurave të qytetit të Filadelfias për veprimtaritë publike nën rrethanat e pandemisë, zonja Hess nuk mbajti fjalim sikurse herave të tjera, por ajo vetëm i dorëzoi zotit Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte ditën e premte, 27 Nentor, 2020 që të jetë dita e nderimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Ndër të tjera në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë, miqësia shqiptaro – amerikane dhe vlerësohej puna e ndihmesa e shqiptarëvë në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellur kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.

Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri edhe për disa çaste jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqim të mjaftueshëm (bollshëm) e të shijshëm. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit të kaluar. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu edhe këtë vit, në rrethana të modifikuara e të kufizuara, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavaresia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngrehim flamurin tonë Kuq e Zi. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gezuar 28 Nëntorin! Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi.

*Më shumë fotografi gjeni në Facebook: Gazeta Dielli

Filadelfia, 27 nentor, 2020

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, Flamuri 28 nentor, Sadik Elshani

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

December 2, 2020 by dgreca

Ermira Babamusta, Ph.D./
Political Scientist & Author /

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka deportuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri. Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim. 

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj. 

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik. 

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi,  Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”. 

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e  shfaqes shumë  të  kërkuar “Sisters”,  me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj. Për më shumë mund të interesoheni të faqja zyrtare e baletit www.baletikosoves.com si dhe në rrjetet sociale: @nationalballetofkosovo (instagram) dhe @BaletiKombetariKosoves (facebook). 

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqe të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli: Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë. 

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj? 

 
Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të  ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës. 

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt. 

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë? 

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate. 

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës? 

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve. 

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori. 

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë.

Filed Under: Histori Tagged With: Baleti i Kosoves, Ermira Babamusta, Kreshnik Musolli

Arianita bija e Petro dhe Safo Markos…

December 2, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA*/

Portret i pa autorizuar/

Këto shënime i kam hedhur në maj të vitit 2010, kur kam qenë në shtëpinë e Petro Markos. Në një hyrje dy dhoma e një guzhinë e para viteve 90-të, jetonin Safua, e shoqja shumë e sëmurë, Jamarbëri, i biri dhe ky i sëmurë dhe e bija Arianita që na priste. Të më falë Arianita, por nuk mundem të mos them një të vërtetë të dhimbshme, (mbas dhjetë vitesh) dhe të nxjerr një sekret, për të cilin isha betuar që do ta mbaja si të tillë për shumë kohë. Shkova me një shoqen time dhe të Arianitës, sepse kjo do të shiste nja dy piktura të Safos, e detyruar nga gjendja jo e mirë ekonomike. Kisha qenë edhe një herë tjetër në shtëpinë e saj, thjesht për të parë pikturat e Safos ( para se të bëhej ai emision aq i bukur televiziv dhe ekspozita në vitin 2008) që për mendimin tim janë një pasuri kombëtare. Pasi pamë një pjesë të tyre, sepse jo të gjitha janë të varura në mure, iu luta të më shiste ndonjë gjë sado të vogël, boll të kisha një pikturë të Safos, në shtëpinë time. Arianita buzëqeshi hidhur, më pa në sy dhe tha: “Jo! Në çfarëdo situate që të ndodhem, këto vepra të mamasë, unë nuk do t’i shes. Ajo i ka krijuar thjesht për të bër art, jo për t’i shitur. Le të ngelen pasuri e familjes.”

Dhe tani po shkonim të blenim dy piktura. Ç’kishte ndodhur, që betimi ishte shkelur dhe amaneti nuk ishte mbajtur? Në holl ishin ekspozuar disa piktura nga të cilat ne kishim të drejtë të zgjidhnim vetëm dy, që me këmbënguljen tonë të madhe u bënë tre. Ishte e vështirë të zgjidhje sepse të gjitha ishin të përkryera. Shuma që na kërkoi ishte modeste në krahasim me vlerën reale të tyre. Meraku i vajzës së Petro Markos, ishte që t’i shiste në njerëz të besueshëm e që lajmi të mos merrte dhenë se po i shiste për bukën e gojës. Kur ne po i gëzoheshim pikturave të blera dhe po mendonim për transportin, vura re që Arianita po qante me dënesë. U tronditëm pa masë dhe e pyetëm:

“ Pse po qan, çfarë ke, çfarë të ndodhi? ” Përgjigja e saj më la pa frymë dhe nuk mund t’a harroj kurrë:

“Po më duket sikur po jap një pjesë të shpirtit tim, sepse unë nuk dua t’i shes ato. Ju e dini që isha betuar.” U përpoqëm ta ngushëllonim duke i thënë: “ Në shtëpitë tona hyjnë plot njerëz që njohin artin, kulturën, kështu ato do të shikohen edhe nga shumë të tjerë e do të çmohen e vlerësohen më shumë,”

Vajza e Petro Markos, duke më parë me sytë e thellë, ende të bukur, ku pasqyroheshin  thellësitë e detit Jon me gjelbërimin e përjetshëm të Bregut, e lotët nuk po pushonin për asnjë çast tha diçka tjetër:

“ Do t’u kërkoj një gjë, por iu lutem të mos ma merrni për keq! I mbani mirë, dhe i vendosni në vende të dukshme.” Pastaj ashtu, sërish  midis lotësh shtoi: “A mundem ndonjëherë të vij t’i shoh!?” Për një çast m’u duk vetja si një kusar a bandit, e jo si një blerës pikturash e dashamirës arti. E ngushëllova veten se do t’i mbanim ato piktura ashtu si duhej dhe sigurisht që kishin për t’i parë shumë njerëz të tjerë që e duan dhe e kuptojnë artin e pikturës. Pamja e Arianitës, te dera e shtëpisë nuk ka për të m’u hequr kurrë nga mendja. Na përcolli me shikim, pa luajtur nga dera, derisa zbritëm në katin e parë. Me sa kuptova i dukej se kishte bërë një tradhëti, një pabesi, që fshehurazi nënës së vet, kishte thyer amanetin dhe i kishte shitur tre piktura. Pashë në portretin e saj të lodhur fisnikërinë dhe shpirtin human të pathyeshëm, trashëgim nga ajo familje e shquar e Petro dhe Safo Markos dhe kuptova se në familjen e Petro Markos, qëndronte tashmë si heroinë e vërtetë, Arianita. Dy të tjerët kishin nevojë për shërbim. Safo, e dërrmuar nga jeta, lëngonte e sëmurë në shtrat; Jamarbëri trupmadh , ende i pa kërrusur, i bukur si kreshnikët e përrallave, por mjerisht thuajse i alkolizuar. Ai vetë zgjodhi rrugën e poezisë dhe të jetës së ndershme, por diktatura ia theu ëndrrat dhe shpresat në burgjet e saj mesjetare. I prekur nga ajo që pashë shkruajta diçka në gazetë si një thirrje për ta ndihmuar familjen. Pak shpresa kisha se me atë shkrim do të lëvizte ndonjë gjë andej nga zyrat e shtetarëve, (ashtu ndodhi) që e kishin mundësinë të lidhnin pensione apo të jepnin ndihma të vazhdueshme për këto raste. As se do të prekte ndonjë zemër prej guri të parallinjëve të atëhershëm të tenderave, të trafiqeve, të kontrabandës e rryshfeteve,  as të OJQ-ve dhe OJF-ve. Të parët do të thoshnin se nuk ka ligj, se duhet të dalë një ligj i ri, se ai ligj duhet të përfshijë edhe të tjerë, se duhet të japë urdhër ndonjë i madh etj, etj. E njoh mirë këtë race të fëlliqur nëpunësish që për interesin e tyre kthejnë përmbys edhe ligjet e parlamentit. Të dytët po dihet se ç’do të thonë, që është krizë dhe nuk ka para. Të tretët nuk di ç’të them veç që numri i tyre shtohet e shtohet si fara e sinapit. Familja e Petro Markos vazhdoi të jetojë në varfëri dhe nuk di sot (Safo dhe Jamarbëri nuk jetojnë më) se çfarë ka ndodhur me pikturat e Safo Markos. Por di shumë mirë që shpirtrat e Petro Markos, Safos dhe Jamarbërit vërtiten e vërtiten ditë e natë rreth pallatit ku jetuan, pa gjetur prehje e qetësi. Ndoshta është koha që para pallatit ku jetoi e punoi, në anë të bulevardit “Zogu i Parë”,  ku bashkia plot zell “rilindas” po ia nxjerr brinjët dhe po zhduk çdo gjurmë të historisë, të ngrihet shtatorja e shkrimtarit të madh Petro Marko.

*Shkrimi i publikuar me pare ne shtypin e Tiranes u dergua nag autori per Gazeten”Dielli”

Filed Under: ESSE Tagged With: Arianita, e bija e Petro dhe Safo Marko, Gezim Zilja

KUJTESA- Dr. Richard Bartsch, pedagog, shkencëtar, njeri dhe mik shumë i mirë

December 2, 2020 by dgreca

-Me rastin e një vjetorit të ndarjes nga kjo botë të dr. Richard Bartsch (1940 – 28 nëntor, 2019)-

NGA SADIK ELSHANI*/

Këto ditë rastësisht mësova se në nëntorin e vitit 2019 ishte ndarë nga kjo botë dr. Richard Bartsch, për mbi 40 vite profesor i kimisë organike, analitike dhe polimereve në Texas Tech University në Lubbock të Texasit, ku ka arritur njohjen, nderimin si Paul Ëhitfield Horn Profesor, nderimi më i lartë i universitetit për një kuadër pedagogjik (faculty). Lëmitë kryesore shkencore me të cilat është marrë dr. Bartsch janë: Design and synthesis of novel organic molecules for ionic and molecular recognition; separation science; metal ion complexation and separation by multidentate ligands; preparation and application of ionic liquids. Dr. Bartsch është autor i afër 500 punimeve shkencore dhe ka qenë mentor i 54 studentëve të doktoraturës. Ndoshta askush nga lexuesit e këtij shkrimi, madje ndoshta edhe asnjë shqiptar (me përjashtim të atyre që merren me bashkëdyzimet makrociklike, ndarjen e joneve, “host – guest chemistry”). Por, unë kam patur nderin që për tri vite të jem një bashkëpunëtor i ngushtë e prodhimtar (produktiv) i tij. Për të qenë sa më i qartë e më i plotë ky rrëfim për lexuesin e këtij shkrimi, atëherë duhet nisur nga fillimi.

Një rrugëtim profesional e shkencor

Në vitin 1988 kam ardhur në Amerikë për të punuar si bashkëpunëtor shkencor në laboratorin e një profesori në Kansas City. Profesor merrej me biokimi, ndërsa unë jam kimist organik dhe ai ishte i interesuar që unë t’i sintetizoja disa bashkëdyzime për t’i perdorur në disa hulumtime biokimike për te cilat ai kishte nevojë. Nuk po zgjatem më tepër këtu për të mos e lodhur lexuesin me imtësira të tjera shkencore. Meqenëse ai ishte biokimist dhe unë kimist organik, unë pasi i kisha kryer të gjitha detyrimet e mia në laboratorin e tij kisha vendosur që të gjeja ndonjë pozicion tjetër ku mund të merresha kryesisht me sintezat e bashkëdyzimeve organike, lëmi për të cilën jam edhe i specializuar. Nga fundi i vitit 1989 në departamentin e kimisë në Universitetin e Missourit në Kansas City një profesor nga Universiteti i Idahos mbajti një seminar në një lëmi që unë kisha punuar për temën time të diplomës në Universitetin e Zagrebit e më vonë edhe i kisha përdorur disa bashkëdyzime për magjistraturën time (Masters) po në të njejtin universitet. Pas mbarimit të seminarit unë shkova dhe bisedova me profesorin për përvojën time në atë lëmi dhe ai më tha se kishte nevojë për një person që të sintetizonte disa bashkëdyzime për t’i përdorur pastaj në hulumtimet e tij. Ai vetë ishte kimist analitik. Pas një kohe të shkurtër unë shkova në laboratorin e tij në departamentin e kimisë të Universitetit të Idahos në qytetin Moscoë. (Për përvojën time gjatë atyre viteve në Moscoë unë e kam bërë një shkrim: “Një rastësi – një përvojë e bukur profesionale dhe një rajon magjepës i Amerikës”, Illyria, 1 gusht, 2019). Pasi u vendosa në Moscoë profesori më njoftoi për punën, hulumtimet e tij shkencore, planet për të ardhmen, bashkëdyzimet për të cilët ai ishte i interesuar. Më tha se disa nga këto ishin derivate të disa bashkëdyzimeve të sintetizuara nga dr. Bartsch, një profesor në Texas Tech University. Unë gjer atëherë nuk kisha degjuar për dr. Bartsch. Gjatë punës së diplomës sime kam përdorur shumë literaturë dhe isha mjaft i familjarizuar me emrat dhe punën e shumë shkencëtarëve që merreshin me sintezat e bashkëdyzimeve makrociklike, posaçerisht me një grup që në anglisht quhen, “croën ethers” (kurorat eterike ose eteret kurorike), por emrin e dr. Bartsch nuk e kisha hasur, sepse ai kishte filluar të merrej me këtë lëmi kur unë e kisha kryer punimin tim të diplomës. Më vonë për magjistraturën time jam marrur me sintezat e disa derivateve të vitaminës B6. Duke e shfrytëzuar përvojën time dhe pasionin e përkushtimin për sintezat organike arrita që brenda një kohe të shkurtër të sintetizoja një seri të gjërë të këtyre bashkëdyzimeve që jepnin rezultate të kënaqshme për kompleksimin dhe ndarjen e elementeve të serisë lantanide, elementeve të tokave të rralla (Rare Earth Elements), metaleve të rënda dhe disa elementeve radioaktive.

Takimi dhe njohja me dr. Bartsch

Në qershor të vitit 1991 në LaGrande të shtetit Oregon organizohej tubimii rajonal i Shoqatës së Kimistëve Amerikanë për rajonin e veripërendimit (ACS Northëest Regional Meeting) dhe ne kishim vendosur që në këtë tubim t’i paraqisnim rezultatet tona shkencore. Në programin e këtij tubimi e pashë se aty do të merrte pjesë edhe dr. Bartsch. Unë u habiat për të mirë se nuk e prisja këtë pasi ky ishte një tubim rajonal ku zakonisht, kryesisht pjesëmarrësit janë të po atij rajoni – kuptohet, ka edhe përjashtime. Erdhi edhe dita e këtij tubimi dhe ne u takuam me dr. Bartsch, ishim në të njejtin seksion. Paraqitja jonë ishte mjaft dinjitoze, një seri mjaft e gjërë e bashkëdyzimeve të sintetizuar dhe po ashtu përdorimi i tyre në kompleksimin dhe ndarjen e metaleve të ndryshme ishte mjaft mbresëlënës. Pas paraqitjes sonë dr. Bartsch më përgëzoi për rezultatet e arritura the theksoi se puna jonë shumë serioze i kishte lënë një befasi të këndshme. Gjatë atyre 2 – 3 ditëve sa zgjati ai tubim patëm mundësinë që të njiheshim më afër me dr. Bartsch. Ai ishte një njeri me një personalitet të këndhsëm: i qetë, shumë i sjellshëm, i përzemërt dhe shumë i shoqërueshëm – njeri që rrezatonte vlera të larta njerëzor.  Bisedonim për pasionin tone: sintezat organike, përvojat tona shkencore, por edhe temat tjera. Gjatë bisedave tona ai tregoi se po merrte pjesë në këtë tubim pasi që ai ishte nga ky rajon dhe babai e motra e tij ende jetonin aty. Pra, ky ishte një rast i mirë për t’i takuar ata dhe për të rekrutuar studentë të rinj për Texas Tech.

Nja dy – tri javë pas mbarimit të atij tubimi në Oregon, dr. Bartsch më dërgoi njeë letër në të cilën më përgëzonte për punën time dhe mbresat që i kishin lënë të arriturat e mia. Më kishte dërguar edhe broshurën e departamentit të kimisë të Texas Tech që të njihesha me departamentin, universitetin dhe qytetin e Lubbock-ut. Ai kishte dëshirë që unë t’i bashkangjitesha grupit të tij, por unë për arsye familjare dhe angazhimeve të mia në U. të Idahos nuk mundja ta pranoja ofertën e tij. Me dr. Bartsch takoheshim herë pas here nëpër tubime e konferenca shkencore dhe pos bisedave të rastit bisedonim edhe për projektet tona shkencore. Si gjithmone, këto takime ishin mjaft të përzemërta. Në vitin 1996 unë dhe familja kishim vendosur që të largoheshim nga Idaho: unë tani kisha doktoruar, i kisha kryer të gjitha projektet. Një ceshtje tjetër ishte edhe punësimi i bashkëshortes sime. Moscoë është një qytet i mrekullueshëm, por mundësitë e punësimit janë të kufizuara për disa profesione. Ne ishim të ineresuar që të vendoseshim në Philadelphia ose rrethinën e saj, sepse aty dhe në Nju Xhersi ka mjaft kompani kimike, farmaceutike, bioteknologjike. Unë isha i interesuar që nga bota akademike të kaloja në sektorin privat. Lidhjet, kontaktet e mia profesionale ishin kryesisht me botën akademike, prandaj vetëm me dërgimin e rezymeve nuk ishte e lehtë të siguroje një intervistë. Pas disa përpjekjeve për të gjetur një pozicion në sektorin privat vendosa ta kontaktoja dr. Bartsch në Texas. Pasi i këmbyem fjalët e rastit i tregova se përse po e kontaktoja. Oh, sa po më vjen keq, të më kishe thirrur disa ditë më parë, më tha, e kam patur një grant (dhuratë, ndihmë), por i kam premtuar njërit që është duke punuar me një profesor këtu në departamentin tonë, por brenda disa muajve i përfundon kontrata dhe unë kam vendosur që ta pranoj në grupin tim. Në fund të bisedës më tha se do të jemi në kontakt, sepse ka konkuruar për disa grante dhe brenda një kohe të shkurtër e pret miratimin e tyre dhe unë do të jem i pari në listën e tij. Vërtet ashtu ndodhi. Pas disa javësh dr. Bartsch më kishte kërkuar përmes telefonit në fakultet, por në atë çast unë isha në bibliotekë. Për këtë më njoftuan kolegët e mi. Po atë ditë në mbrëmje dr. Bartsch më mori në telefon në shtëpi dhe më njoftoi se tani granti ishte miratuar dhe ai me gjithë dëshirë do të më mirëpriste në grupin e tij. Pasi biseduam për projektet e mundshme dhe disa kushte të tjera unë pranova dhe në fillim të shkurtit të vitit 1997 u ndodha në Lubbock.

Në laboratorin e dr. Bartsch

Dr. Bartsch kishte disa laboratorë për grupin e tij të madh, ku bënin pjesë studentë, studentë në studime postdiplomike (graduate students), postdoktorantë e bashkëpunëtor shkencorë. Laboratorët ishin të pajisur mirë me enë, pajisje e aparatura laboratorike, kimikate, reagjentë, etj. Për shkak të natyrës së punës së tij shkencore aplikative (zbatuese) projektet e tij gjithmonë kanë qenë të financiuara mirë.  Pjesa dërmuese e projekteve të tij financoheshin nga Departamenti i Energjisë i ShBA-ve, fondacioneve të ndryshme shkencore kombëtare dhe të shtetit të Texasit. Po ashtu, ai ka patur edhe shumë projekte që ishin fryt i bashkëpunimit me industrinë dhe Laboratoret Kombëtare të ShBA-ve, projekte që sillnin të ardhura të mira. Dr. Bartsch ishte shumë i kujdesshëm dhe bënte çdo gjë që ne t’i kishim kushtet sa më të përshtatshme për punën tonë. çdo ditë e bënte një xhiro nëpër laboratorët e tij dhe na pyeste se për çka kishim nevojë për projektet tona. Një herë në javë i kishim diskutimet, konferencat tona shkencore individuale gjysëmorëshe ku i diskutonim rezultatet që i kishim arritur gjatë asaj jave, problemet e ndryshme dhe planet për javën tjetër. Dr. Bartsch ishte një njeri mjaft i organizuar, i saktë, i kujdesshëm, drejtues e administrator i shkëlqyer. Ai kujdesej edhe për mbarëvajtjen e Dapartamentit të Kimisë e Biokimisë – për disa mandate, 15 vite, ka qenë kryeshef (chairman) i departamentit. Gjatë qëndrimit tim 3 vjeçar në laboratorin e tij kam patur një punë shkencore mjaft prodhimtare, mbi 15 punime shkencore, pjesëmarrje në tubime e konferenca shkencore. Meqenëse banoja afër kampusit universitar, çdo mbrëmjë, gati çdo të shtunë e të diel shkoja në laborator. Të shtunave paradite vinte edhe dr. Bartsch dhe ne gjenim pak kohë për të diskutuar për punën shkencore, planet për projektet e ardhshme, por edhe biseda të tjera të rastit e me ndonjë tematikë të caktuar. Këto takime, biseda i bënin shumë përshtypje dr. Bartsch. (Më vonë kur u largova nga Lubbocku dhe sa herë që bisedonim në telefon, dr. Bartsch gjithmonë i përmendte ato takime, bisadat tona të atyre të shtunave). Fal përvojës sime në sintezat e bashkëdyzimeve makrociklike, rezultateve të larta e prodhimtarisë së begatshme, dr. Bartsch më ka respektuar dhe gjithmonë më ka trajtuar si bashkëpunëtor të barabartë me të. Kurrë nuk më ka penguar për ndonjë projekt që ishte jashtë atyre që i kishim planifikuar. Nëse mund ta kryesh, vetëm vazhdo, më thoshte.

Po bëheshin tri vite që unë isha në laboratorin e dr. Bartsch dhe koha kishte ardhur që të kërkoja një pozicion tjetër në industry. Familja ime, bashkëshortja dhe dy fëmijët, për shkak të shkollës së tyre kishin disa muaj që ishin vendosur në Philadelphia, ku jetonte e ëma dhe motra e saj. Unë u ndala edhe pak kohë në Lubbock për t’i përfunduar disa projekte që ishin në përfundimin e sipër. Grumbulloja mjaft të dhëna eksperimentale, sepse punimet shkencore mund t’I, shkruaja,  përfundoja më vonë. Dr. Bartsch më tha se në laboratorin e tij unë mund të rrija sa të doja, por edhe unë duhej të kisha para syshë të ardhmen time.Ne e kishim një projekt që ishte i lidhur me një kompani kimike në Nju Xhersi dhe unë i thashë dr. Bartsch nëse mund të bisedonte me drejtorin e asaj kompanie nëse kishin ndonjë pozicion të lirë për mua. Ai më tha se, po atë ditë e kishte një bisedë telefonike me të dhe do t’ia përmende edhe rastin tim. Dhe ashtu ndodhi, unë erdha në Philadelphia dhe e kontaktova drejtorin e asaj kompanie, pas një kohe më ftoi të mbaja një ligjeratë për punën time shkencore. Në ndërkohë deri sa prisja për atë pozicion, unë e gjeta një pozicion të përkohshëm në Drexell University në Philadelphia. Në kompaninë në fjalë u punësova dhe aty i kalova 10 vite. Udhëtimi nga Philadelphia gjer në Sayreville (Nju Xhersi), ku ndodhej kompania, ishte i gjatë, por i përballova për gjithë ato vite. Tani ka vite që punoj në një kompani tjetër në rrethinën e Philadelphias. 

Koha e ndarjes dhe ritakimit

Disa ditë para se të largohesha nga Lubbock-u dr. Bartsch më mori për drekë në një restorant të njohur dhe gjatë asaj dreke reflektuam për qëndrimin tim në laboratorin e tij, punën shkencore, fatet e jetës, etj. Që të dy ishim të mendimit se kur dr. Bartsch e kishte filluar punën në këtë lëmi as që e kishte menduar se do t’i arrinte këto sukses, të ketë një veprimtari kaq prodhuese shkencore. Por, kurreshtja e shkencëtarit dhe puna këmbëngulëse e ben çdo gjë të mundur. Dua të theksoj këtu se dr. Bartsch ishte një njeri shumë i ndjeshëm, i respektonte bashkëpunëtorët që ishin punëtor të mirë e prodhimtarë, ndjente një zbrazëti kur vinte koha që ata/ato të largoheshin nga laboratori i tij. Kur erdhi rasti që të ndaheshim, atij syte gati iu mbushën me lotë. Nuk mundi të ma zgjaste dorën që të përshëndetëshim. Sadik, do të takohemi përsëri, më tha. Edhe pasi u largova nga laboratorri i dr. Bartsch vazhduam të ishim në kontak të herë pas hershëm: biseda telefonike, korrespodencë. Dorëshkrimet e punimeve tona shkencore shkonin nga njëra dorë në tjetrën derisa e merrnin formën përfundimtare. Në qershor të vitit 2011, me rastin e pensionimit të tij, dr. Bartsch organizoi një festë të madhe, ribashkim të grupit, ku ishin të pranishëm shumica e ish studentëve të tij, bashkëpunëtorët shkencorë, postdoktorantët, etj.Ishte ky një rast i mirë për t’u takuar me kolegët e vjetër, për t’i freskuar kujtimet tona, kohën që kishim kaluar në laboratorin e dr. Bartsch, qytetin e Lubbockut. Dr. Bartsch na tregoi se po ballafaqohej me disa probleme shëndetësore, por për momentin po ndihej mirë. Kjo ishte edhe hera e fundit që u takuam me dr. Bartsch.

Qyteti i Lubbock-ut dhe Texas Tech University

Qyteti i Lubbock-ut ndodhet ne pjesen veripërendimore të Texasit dhe ka mbi 260 mijë banorë. Lubbock është i njohur për prodhimin e pambukut. Gati 25% e sasisë së pambukut të ShBA-ve prodhohet në Lubbock dhe rrethinën e tij. PërveçTexas Tech në Lubbock ndodhen edhe disa kolegje të vogla. Qyteti është i rrafshtë pa as edhe ndonjë kodrinë të vockël. Ka parqe të shumta të cilët si karakteristikë të veçantë e kanë se në ta ndodhen liqene të vogla që shërbejnë edhe për grumbullimin e ujit kur bie shi. Për dashamirët e muzikës rock and roll vlen të përmendim se Lubbock-u është vendlindja e legjendës së rock and rollit, Buddy Holly (1936 – 1959). Edhe pse vdiq shumë i ri në një fatkeqësi ajrore, ai mbetet një figurë mjaft e rëndësishme e këtij lloji të muzikës. Lubbock-u nuk shquhet për ndonjë bukuri të veçantë, por përendimet e diellit janë dicka madhështore, magjepse, spektakolare në atë horizont të pafund. Çdo buzëmbrëmje i kam shijuar këto spektakle mahnitëse në qiellin e gjërë të Lubbock-ut.

Texas Tech University është themeluar më 10 shkurt të vitit 1923 dhe sot ka mbi 40 mijë studentë. Studentët vijnë nga të gjitha 50 shtetet e ShBA-ve dhe nga 100 vende të huaja.Universiteti ofron mbi 150 disiplina, përbëhet nga 13 kolegje dhe ka mbi 60 qendra hulumtuese dhe institute shkencore. Shquhet për kampusin universitar të shtrirë në një sipërfaqe të gjërë dhe mjaft të bukur, të ndërtuar në stilin e Renesancës Spanjolle. Biblioteka e pasur e universitetit në fondin e saj ka edhe një numër të mirë të librave mbi historinë dhe letërsinë shqiptare.

I solla këto kujtime, sepse ato tani janë bërë një pjesë e bukur e jetës sime. I solla edhe për ta kujtuar e nderuar dr. Bartsch, një pedagog, shkencëtar, njeri e mik shumë i mirë. I përjetshëm qoftë kujtimi për dr. Richard Bartsch!

Philadelphia, nëntor, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr. Richard Bartsch, Dr.Sadik elshani, Kujtesa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT