• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

ATASHEU I PARË AMERIKAN NË SHQIPËRI RRËFEN SE SI NISI BASHKËPUNIMI

March 31, 2021 by dgreca

Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrdhënieve Shqipëri-SHBA-/

Intervistë ekskluzive për Gazetën ”Dielli” me atashe-un e parë ushtarak të SHBA, rezident në Shqipëri, 1992-1996, kolonel Steven Bucci./

Tani me detyrë… Independent Consultant and Visiting Research Fellow for Special Operations and Counter Terrorism at The Heritage Foundation.

Mbasi i kërkuam intervistën, përgjigja e parë e Stevenit ishte: I would be happy to answer your questions. My service in Albania will always be one of my professional and personal high points.

Intervistuan: Shefqet & Herion Kërcelli

1. Zoti Steven, së pari ju falenderoj për mikpritjen që ju treguat në dhënien e kësaj interviste. Doja t’ju pyesja në çfarë rrethana e morët dhe si e pritët Ju, emërimin si atasheu i Mbrojtjes i SHBA, rezident i parë në Shqipëri?

Mr.Steven Bucci:Kur SHBA rihapi ambasadën e saj në Tiranë, pas më shumë se pesëdhjetë vitesh, u vendos që stafi i saj të kishte dhe atasheun ushtarak. Në protokollin amerikan, përfaqësuesi më i lartë ushtarak në një ambasadë quhet Atashe i Mbrojtjes, sepse përfaqëson të Departmentamentin e Mbrojtjes në vendin mikpritës. Unë isha duke përfunduar Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm në SHBA. Ndërkohë kisha shkruar gjerësisht për tensionet në rritje, në rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke u fokusuar në çëshjet që preknin popullin shqiptar. Në atë kohë ishte planifikuar që unë të shërbeja në stafin e SHBA të NATO-s. Ata pyetën për gradën, për specialitetin dhe për kualifikimin tim. Unë jam shtetas amerikano-italian dhe ndërkohë më parë kisha përfunduar Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Greke në Selanik të Greqisë. Ata gjithashtu vunë re punën time në lidhje me rajonin. Pastaj më thanë që po kërkonin një oficer që të bëhej Atasheu i parë i SHBA, rezident në Tiranë. Ata po kërkonin ndonjë që fliste greqisht ose italisht, sepse mund të gjenin folës shqiptarë. Unë flisja greqisht, dhe kisha studjuar Shqipërinë. Mendoj se isha zgjedhja më e mirë e disponueshme. E pranova këtë detyrë, dhe fillova trajnimin tim specifik për këtë emërim të ri e të rëndësishëm. U trajnova për gjuhën në Uashington, gjithashtu edhe trajnim si Atashe nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrotjes. 

2. Çfarë dinit ju për Shqipërinë, popullin dhe ushtrinë e saj.

Mr.Steven Bucci: Siç e përmenda më parë, unë e kisha studiuar Shqipërinë, veçanërisht situatën e saj politike në lidhje me fqinjët e saj, dhe pak prej historisë së saj.Gjithashtu e shfrytëzova kohën time të lirë gjatë trajnimit të gjuhës për të studjuar e mësuar më shumë për vendin tuaj. Mësova që Shqipëria kishte vuajtur përgjatë pesëdhjetë viteve të një diktature komuniste tepër shkatërruese, dhe së fundmi e fitoi lirinë e saj përmes vullnetit të pastër të popullit të saj. Tani ishte duke u përpjekur të gjente vendin e saj të ligjshëm mes popujve të lirë të Europës. Shqipëria kishte shkurtuar në mënyrë drastike masën e ushtrisë së saj, pas dhjetra vitesh përgatitje, që të luftonte edhe NATO-n edhe aleancën e Traktatit të Varshavës. Qeveria e re, e lirë, duhej ti përgjigjej popullit,që donte një orientim perëndimor, dhe një sistem të ekonomisë së lirë. Ndryshimet po vinin shumë shpejt, dhe unë do të kisha shansin të ndihmoja në këtë process.

3. Cilat ishin projektet tuaj të para të bashkëpunimit me ushtrinë shqiptare?

Mr.Steven Bucci:Unë u mirëprita me një ngrohtësi të madhe, dhe shpejt fillova të njihem me atë se, çfarë ishte bërë tashmë nga personeli i përkohshëm, i ndryshëm i dërguar më parë në Tiranë. Pas rreth dy javëve të akomodimit dhe mirëpritjeve zyrtare të ndryshme, sipas protokollit, më ftuan të takoja Ministrin e Mbrojtjes, zotin Safet Zhulali, tek zyra e tij. Kur arrita, u ndesha me mikpritjen tipike shqiptare të mrekullueshme. Fillimisht ministri nxori një skicë shumë të madhe të Departamentit Amerikan të Mbrotjes. Pastaj ai më tha se, donte që unë ta ndihmoja atë të “rindërtonte” Ministrinë e tij të mbrojtjes “që të dukej pikërisht kështu”. Unë i thashë se e kuptoja qëllimin e tij për ta bërë ministrinë moderne dhe funksiononale, që të mund të operonte me ushtritë e tjera perëndimore. Gjithashtu i thashë se, do të isha i nderuar që të ndihmoja me çdo mënyrë që mundesha dhe do të veproja si pika e tij e kontaktit me Departamentin Amerikan të Mbrotjes, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Ne e filluam atë ditë duke evidentuar prioritetet e ministrit dhe zhvilluiam një plan fillestar. Ishte një mbledhje e gjatë, por një sfidë tepër entuziaste. Isha i nderuar që kërkohesha nga vetë ministri, për të luajtur një rol aq të besuar. Ishte e qartë për mua që ministër Zhulali, nuk ishte emëruar për arsye politike, por sepse ai kishte një vizion për ta sjellë ushtrinë shqiptare në një nivel ku ajo mund të mbronte popullin, dhe të luante një rol produktiv në rajon dhe më tutje. Përveç sfidës së madhe që të ndihmonin e të ridizenjonim ministrinë si e tërë, mua gjithashtu më kërkuan që të ndihmoja të krijonim e modernizonim një Regjiment të operacioneve speciale, i aftë të veprontë në çdo terren. Po ashtu krijimin e një Shërbimi Intelligjence Ushtarake të pavarur, që të jepte të dhëna strategjike, në mbështetjen e drejtpërdrejtë të të gjitha aktiviteteve të ministrisë së mbrotjes. Të gjitha këto, ishin detyra të vështira, të cilat donin të kërkoja ndihmë, nga shumë pjesë të strukturave ushtarake amerikane. Një mardhënie e veçantë kishte lindur, bashkëpunimi i të dy palëve ishte aq i hapur dhe i frutshëm. 

4. Cili është vlerësimi juaj për ushtrinë shqiptare gjatë këtyre kontakteve të para?

Mr.Steven Bucci:Dua të them se, lidershipi i gjithë ushtrisë (ushtria, marina dhe forca ajrore) ishin të gjitha pozitive dhe plotësisht të fokusuara në detyrat e tyre, me një dëshirë për të mësuar dhe përmirësuar.Niveli i profesionalizmit ishte i lartë, por shumica kuptoi që vitet e gjata të izolimit, i kishin lënë ata pak prapa teknologjisë moderne, dhe të pavetëdijshëm se si ata mund “të ndërvepronin” efektivisht me ushtritë e tjera. Ishte një kënaqësi të bashkëpunoje me aq shumë ushtarakë të entusiazmuar dhe seriozë, që rriteshin dhe mësonin. Ata gjithashtu donin që të ishin plotësisht një pjesë e Perëndimit dhe NATO-s, veçanërisht të ishin sa më pranë Amerikës. Kur unë i tregova që Amerikës nuk i duheshin klientë, por i duheshin shumë miq dhe përfundimisht aleatë, ata e kuptuan diferencën dhe u përpoqën që të ishin pikërisht të tillë. Ata morën vesh që Amerika nuk kishte synim që të përfitonte nga Shqipëria, dhe prandaj ishin të hapur dhe të ndershëm me mua në çdo mënyrë. Ata ishin të gatshëm të ndanin informacionin, nga i cili përfitonin të barabartë të dyja shtetet.

5. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan disa stërvitje të përbashkëta.Çfarë ju la juve përshtypje nga këto zhvillime?

Mr.Steven Bucci:Stërvitja e parë fare e përbashkët ishte midis një Kompanie Shqiptare të njohjes së terrenit, dhe një skuadër e vetme e elitës së Forcave Speciale Amerikane.Ishte organizuar nën drejtimin e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, i nderuari doktor Uilliam Peri. Pasi kishte takuar ministrin Zhulali, Peri kërkonte që unë të ndërtoja sa më shumë bashkëpunim që mundeshim;-dhe ky ishte vetëm fillimi. Nga ai fillim i vogël, pasuan një seri stërvitjesh të tjera të konceptuar me emrin “Shqiponja Shpëtimtare”. Këto ishin operacione të tipit kërkim-shpëtim, që tregonin mundësitë e dy ushtrive për të punuar së bashku, të bashkëpunojnë në operacione paqeruajtëse, duke ndihmuar njëri-tjetrin, kur personeli kishte humbur ose ishte në rrezik. Këto mund të aplikoheshin në situata ushtarake specifike (pilotët e rrëzuar për shembull), ose mbështetje ndaj fatkeqësisë civile (si rrëshqitjet e dheut, tërmetet). Ata filluan me struktura të vogla, por më pas përfshinë të gjitha shërbimet (Forca Ajrore, Ushtria dhe Marina). Në një shembull, një njësi e plotë e Expeditës së Marinës së SHBA (MEU), solli në breg tre ngarkesa anijesh të Forcave tokësore (disa mijëra), në një zonë trajnimi  në veri të Durrësit. Nga këto stërvitje, ushtarët amerikanët përfituan experience po aq sa homologët e tyre shqiptarë. Më vonë, marrëdhëniet e ndërtuara në këto stërvitje, krijuam mundësi për Korpusin e Marinës Amerikane, që ti kërkojë ndihmë ushtarakëve shqiptarë për të trajnuar një prej njësive që vepronte në Bosnjë, në malet me borë të Shqipërisë së veriut. Ministria e Mbrotjes bëri gjithçka që mundi, për ta bërë trajnimin tepër efektiv. Nga pala amerikane u vlersua si një ndihmë e domosdoshme për operacionet reale të këtij lloji. Shumë stërvitje si kjo pasuan. Një vëllazëri e vertetë kishte filluar. 

6. A mund të na shpjegoni rëndësinë dhe përfitimin e ushtarakëve shqiptarë  që kanë shkuar në SHBA-së për trajnim, arësimim, si dhe vizitat reciproke të nivelit të lartë të Ministrit të Mbrojtes të Shqipërisë dhe Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes?

Mr.Steven Bucci:Në dy vitet e para, dhjetra ushtarakë shqiptarë udhëtuan drej SHBA për shkolla dhe trajnim pranë personelit amerikan. Gjatë asaj kohe, shqiptarët vepruan shumë mirë gjatë gjithë aktivitetit të tyre në shkollat apo repartet ku shkuan. Ata ishin tepër kompetentë, dhe mësuan shumë. Ata vepruan si përfaqësues të mrekullueshëm të kombit të tyre. Një oficer shqiptar u diplomua shkëlqyeshëm tek Shkolla Ranger e Ushtrisë Amerikane, që madje edhe amerikanët nuk e përfundojnë, dhe pak e arrijnë një sukses të tillë. Marrëdhëniet që u ngritën në këto vite, u rinovuan dhe sollën frutet e tyre, kur Shqipëria ju bashkua SHBA në Luftën Globale kundër terrorizmit dhe operacioneve në Irak dhe Afganistan. Dua të veçoj marrëdhënien e ngrohtë që u krijua midis Ministrit të mbrotjes Zhulali dhe Sekretarit të Mbrotjes Peri. Sekretari i Mbrojtjes bëri një vizitë në Shqipëri dhe të dy zbuluan që kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të dy ishin matematicienë, të dy ishin ekspertë shahu, dhe të dy kishin vajza. Kjo vizitë fillestare çoi në një vizitë kthimi, ku Ministri i mbrotjes i Shqipërisë u prit me nderime të plota në Pentagon. Ministri Zhulali kërkoi që Shqiperia të bashkohej përfundimisht me organizatën Partneriteti për Paqe të NATO-s. Për këtë qëllim sekretari i Mbrojtjes i SHBA, më dha autoritetin që të gjeja sa më shumë mënyra për të zgjeruar marrëdhëniet bashkëpunuese mes dy ushtrive.

7. Zoti Atashe, ju mund të jëni vënë në dijeni, se në periudhën prill-qershor 2021, në Europë e Shqipëri, do zhvillohet stërvitja “Defender Europe-2021”, përpos të tjerave, mijëra trupa amerikanë do të operojnë në Shqipëri. Çfarë këshille do ti jepje atyre?

Mr.Steven Bucci:Së pari, unë jam shumë i lumtur dhe i entuziasmuar të shikoj, që marrëdhëniet e mrekullueshme që ne filluam 30 vite më parë, të vazhdojnë në një mënyrë kaq të fuqishme dhe pozitive. Amerikanët vijnë me pritshmëri dhe një eksperience të madhe, duke operuar me një aleat të vërtetë. Ata ashtu si unë, do të provojnë ndjesinë dhe peshën e plotë të mikpritjes e profesionalizmit të vërtetë shqiptar. Terreni dhe kushtet në Shqipëri janë të ashpra, kërkojnë njerëz të fortë, por unë e di se ushtarakët amerikanë do sjellin përvojën e tyre më të mirë, e cila do të përshtatet nga ushtria shqiptare. Presim që të shpalosen sërish mardhëniet dhe miqësia e ngrohtë midis dy popujve dhe ushtrive tona. Besoj se do të jetë një stërvitje e mrekullueshme.

8. Ju keni pasur shumë eksperienca shtesë pasi latë Shqipërinë, çfarë vendi zë jetën tuaj do ti vendosni eksperiencën tuaj shqiptare?

Mr.Steven Bucci:Mbasi mylla misionin në Shqipëri, në vijim të karierës si ushtarak, unë  komandova trupat e Forcave Speciale Amerikane në luftim, më pas Asistent Ushtarak për Sekretarin e Mbrotjes Donald Ramsfeld. (isha në Pentagon për sulmet e 11 shtatorit). U gëzova shumë kur Shqipëria u bë bë anëtare e plotë e NATO-s, një gëzim i ligjshëm ky. Natyrisht si ushtarak kam pasur një karrierë dhe jetë të gjatë për të cilën ndjehem krenar dhe i kënaqur. Gruaja ime dhe unë kemi folur shpesh për kohën që kaluam në Shqipëri, si një nga detyrat më domethënëse që kemi kaluar ndonjëherë. Gruaja ime punonte edhe me personelin mjekësor vendas edhe me atë misionar përgjatë kohës tonë atje. Ne ishim në gjendje të dëshmonim dhe ndihmonim në rilindjen e një kombi në arenën ndërkombëtare, dhe në çdo fushë (liria e shtypit, liria e fesë, liria ekonomike, e të tjera.) Është e vështirë ta përshkruash se si ky vend ndikon zemrën dhe shpirtin e dikujt. Shqipëria është e pasur, duke u mbështetur në popullin dhe historinë e saj. Populli shqiptar e do lirinë, dhe ata punojnë fort për ta ruajtur atë. Ajo dashuri për lirinë, i bën Shqipërinë dhe Amerikën miq dhe aleatë natyrorë. Është lutja ime nga zemra që dy kombet tona të vazhdojnë të rriten së bashku, të punojnë së bashku, dhe të qëndrojnë së bashku drejt së ardhmes. 

Faleminderit mik!

Në kuadrin e kësaj interviste, 

Një falenderrim i veçantë shkon për të gjithë ata ushtarakë shqiptarë dhe amerikanë që bashkuan armët në stërvitjet dhe misionet e para paqeruajtëse.

Filed Under: Featured Tagged With: Kolonel Steven Bucci, Shefqet & Herion Kercelli, Tirane

NGJALLJA E JEZU KRISHTIT: PËRKRYERJA E DASHURISË

March 31, 2021 by dgreca

Shkruan:DON ROBERT KOLA/

“Nën(ë) dhén u-fshehe,/

si një Diell tani,/

dhe i vdekur perëndove/

në varr të zi,/

po u-ngrer i buzëqeshur Shpëtimtar.”/

Ndër të gjitha qeniet që hasim në jetë, vetëm njeriu e ka aftësinë dhe prirjen të besoj në ngjallje. Çka e shtyn atë (njeriun) të besojë në jetë edhe në jetën përtej vdekjes, apo thënë me saktë në ngjallje! S’do mend se përmallimi i njeriut për pavdekësi është një etje e pashuar që përshkon dhe e cilëson shpirtin dhe gjakimin e tij. Pra, dashuria shfaq gjakimin më të thellë të njeriut për amshimin. Çfarë kuptimi do të kishte sikur të përmbushej vetëm gjakimi i shpirtit e jo edhe i mishit dhe trupit të njeriut për amshimin? Sa thellë e hetoi këtë gjakim të njeriut një mendimtar i kohës sonë, kur thotë: “Shpirti im me gjakimet e tij, ashtu si mishi dhe gjaku duhet të shëlbohet […] Ndoshta mund të themi: vetëm dashuria mund të besojë në Ringjalljen. Ose: është dashuria e cila beson në Ringjalljen.” 

Kjo pritje e gjakimit të shpirtit, mishit dhe trupit u përmbush vetëm përmes Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Pikërisht ngjallja e Jezu Krishtit është përkryerja e dashurisë. Ajo e shuguron natyrën njerëzore përmes zjarrit dhe dritës së Lavdisë së Hyjit. Shkëlqimi i dritës së Ngjalljes përshkon natyrën e njeriut dhe mbarë rendi i krijimit ripërtërihet. Së këndejmi, Ngjallja, si tallaz i valës së re, e kredh krijesën në thellësi të pambaruara të lavdisë.

Kjo njëmendësi shprehet veçmas përmes liturgjisë së Kishës. Duke e kundruar misterin e kryqëzimit dhe kraharorin e shporuar të Krishtit, ajo heton larjen – pastrimin e ri që e përfshin tërë kozmosin, sikur një pagëzim i ri.

Në ritet e së Premtes së shenjtë, duke kundruar misterin e Kryqit, ndër të tjera, këndohet në Kishë:

“Posi dallga gufon gjaku,

toka, deti,  yjet e bota

ja po lahen në atë lumë.”

Dhe në vargjet e tjera vazhdohet:

“N’ heshtë kraharorin ja shporuan,

prej kah ujë e gjak si gurra

ra mbi tokë me tallaz t‘vetin

pastroi qiellin e pastroi detin.”

Në himnin e Kishës: “Exultet”, në Vigjiljen e Ngjalljes, Liturgjia ngrihet (shpërthen) në harenë e kremtimit, bashkohet me zërin e koreve engjëllore të përmbushura (edhe ato) me frymën e ngjalljes, dhe kumbon buria e shëlbimit, qoftë në qiell, qoftë në tokë:

“Le të shpërthejnë tani në hare 

çetat engjëllorë të qiellëve

le të galdojnë mbarështuesit e Hyjit;

dhe për fitoren e mbretit kaq të madhërishëm,

le të kumbojë me gëzim buria e shëlbimit.”

Ngjalla është kënga e re përmes së cilës ndodh eksodi i krijesës në Lavdinë e Hyjit. Liturgjia e apokalipsës shquan gjithë doksologjinë e saj rreth “Qengjit të flijuar. ”Ai (qengji) “është simboli i mbretërisë, simboli i shekullit të ri, i mbretërisë përfundimtare, të amshuar dhe të pashkatërrueshme […] Lavdeve të engjëjve rreth fronit dhe të udhëheqësve i bashkëngjitet dhe ai (lavdi) i mbarë gjithësisë. Gjithësia e dukshme bashkohet në lavdërim me gjithësinë e çetave engjëllore, duke brohoritur së bashku:

‘Atij që rri në fron dhe Qengjit:

Bekim, nder e pushtet

në shekuj të shekujve!’(Zb 5, 13).

Edhe gjithësia e dukshme thur lavde në trajtën e brohoritjes, duke u bashkuar me engjëj të panumërt; lëvdon ‘atë që rri në fron’ dhe ‘Qengjin’. Lavdet e filluara nga engjëjt rreth fronit përfundojnë në krijesën e dukshme dhe lavdi i saj përforcohet nga Amen-i i engjëjve.”

Ngjallja e Jezu Krishtit është edhe buzëqeshje e ëmbël e Lavdisë së Hyjit, e cila çel mu në zemrën e krijesës: “Bukuria e krijesës është buzëqeshja e butësisë që Krishti na drejton përmes materies.”

Pra, Ngjallja është lartësimi dhe përkryeja e pambaruar e dashurisë për arsye se “Dashuria qëndron vetëm aty ku ajo ripërtërihet në mënyrë absolute.“ S’ka ripërtëritje të dashurisë pa shenjtëri. Ripërtërija e dashurisë rimëkëmbët vetëm përmes shenjtërisë. Në Prefacionin e Ngjalljes, Kisha këndon:

“Me fitoren mbi mëkatin,

rimëkëmbet mbarë rruzullimi

e në Krishtin na ripërtërihet jeta.”

Vepra e ngjalljes është, po ashtu, edhe më e përsosur së vepra e krijimit. Në Vigjiljen e Ngjalljes, që është nëna e të gjitha vigjiljeve, gjatë lutjeve të shërbesës së Fjalës, Kisha, thotë edhe këtë lutje:

“O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, 

Ti je i mrekullueshëm në të gjitha veprat e tua:

bëj që bijtë e tu që i ke shëlbuar të kuptojnë

se krijimi i botës në fillim ishte vepër e shkëlqyer, 

por më i shkëlqyer ishte, në plotësinë e kohës,

shëlbimi i tyre me flijimin e Krishtit, Pashkëve tonë.”

Në Vigjiljen e Ngjalljes, përmes një predikimi të lashtë që vjen nga tradita e saj, Kisha e shpalos misterin tronditës që ajo e kremton. Me ngjyrime dramatike, Kisha paraqet ngjarjen dhe veprën e shëlbimit, si një breviar që përmbledh gjithë misterin: “Krishti duke marrë për dore Adamin e vdekur, i drejtohet atij: Zgjohu, ti që po fle, ngjallu prej të vdekurish, e Krishti do të shndrisë. Unë jam Hyji i yt, që për ty jam bërë biri yt; që për ty e për këta, të cilët prej teje e patën prejardhjen, tani po flas, e në pushtetin tim po u urdhëroj atyre që ishin në burg: Dilni! Dhe atyre që ishin në errësirë: Ndriçohuni! Dhe atyre që ishin të vdekur: Ngjalluni! Ty po të urdhëroj: Zgjohu ti që po fle! Vërtet, nuk të krijova që të mbetesh i burgosur në Nëntokë. Ngjallu nga të vdekurit. Unë jam jeta e të vdekurve. Ngjallu, vepër e duarve të mia! Ngjallu shëmbëllesa ime, e bërë në përngjasimin tim! Ngjallu, të dalim prej këndej! Ti në mua e unë në ty jemi të një natyre të vetme e të pandashme. Për ty unë, Hyji yt, jam bërë biri yt. Për ty unë Zoti e kam veshur natyrën tënde prej shërbëtori. Për ty unë, që rri përtej lartësive qiellore, kam ardhur në tokë dhe në Nëntokë. Për ty, njeri, kam marrë pjesë në dobësinë njerëzore […] Vështroji, në fytyrën time, pështymat që unë pranova për hatrin tënd, që të të kthej në atë frymë të parë jetëdhënëse. Shiko në faqet e mia shuplakat që durova për ta kthyer përsëri në përngjasimin tim bukurinë tënde të humbur […] Çohu, të largohemi prej këtej. Armiku të dëboi nga toka e parajsës, ndërsa unë nuk të kthej më në  atë kopsht, por të vendos mbi fronin qiellor. Të qe ndaluar të prekësh pemën simbolike të jetës, por unë që jam jeta, të jap vetveten.”

Gjaku i derdhur i Jezu Krishti në Kryq, shfaq planin e shpëtimit të Atit, i cili u pranua nga Ati, jo pse “Hyji e kërkonte, apo pse kishte nevojë, por për shkak të ekonomisë së shpëtimit, nga çasti që njeriu duhej të shenjtërohej përmes njerëzisë së Hyjit (αγιασθηναι το ανθρωπινω τού Θευ τον ανθρωπον).”

Ngjalla e Krishtit është shenjtërorja dhe burimi i shenjtërisë së njeriut. Rruga e shenjtërimit të njeriut është mishi i tij, të cilin ai e mori përmes Mishërimit. Shën Augustini e hetoi këtë të vërtetë në mënyrë të thellë: “Do ta shohim faqe-faqas. […] E Gjoni apostull në letrën e vet shton: Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet ai, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është (1 Gjn 3, 2). Ky është premtim i madh. Në qoftë se e do, ndiqe. Ti thua e dua, por nëpër cilën udhë duhet ta ndjek? […] Po e kërkon udhën? Dëgjoje Zotin që thotë më se pari: Unë jam udha. […] Udha për të shkuar ku? Tek e vërteta dhe jeta. Më se pari të tregon udhën që duhet të marrësh, e pastaj qëllimin që do ta arrish. ‘Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta’. Duke qëndruar tek Ati, ishte e vërteta dhe jeta; duke u shfaqur në mishin tonë, u bë udha.”

Më pak fjalë, Ngjallja është sythi që bulëzon dashurinë e Hyjit në mishin tonë. Në kremtimin e Vigjiljes së ngjalljes, besimtarët ushqehen me misteret e ngjalljes që dikojnë në ta Shpirtin e dashurisë dhe i bën të përkojnë e të njësohen në dashurinë e të Ngjallurit.

“Na ndiko, o Zot, Shpirtin e dashurisë sate,

dhe bën që, ata që i ushqeve me misteret e Pashkëve 

të jetojnë në përkim me dashurinë tënde.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.”

Në kremtimin e liturgjisë, pra, asambleja është vendi: “ubi floret Spiritus” (Traditio apostolicae, nr. 35). Sythi i dashurisë i të Ngjallurit përmes epiklezës së Shpirtit të Shenjtë në liturgjinë e Kishës, tejfiguron dashurinë në shujtën e Mbretërisë qiellore. Eukaristia është përflakje e dashurisë në dritën dhe zjarrin e të Ngjallurit.

Filed Under: Politike Tagged With: Don Robert Kola, Ngjallja e Jezu Krishtit, Perkryrja e Dashurise

MYSAFIRË NGA KOSOVA NË VATËR

March 30, 2021 by dgreca

Sot, e Marte 30 Mars 2021, pata kënaqësinë që të prisja në selinë e Vatrës ne Bronx, New York, bashkatdhetarë nga Kosova. Dr. Besim Muhadri nuk e ka për të parën herë që viziton Vatrën. Ai është mik dhe dhurues i blibliotekës së Vatrës. Edhe këtë herë  kishte sjellë për bibliotekën e Vatrës 3 kopje të librit të tij”Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lek Dukagjinit”, një libër studimor me 317 faqe, ku janë përmbledhë studime rreth jetës të Shtjefën Gjeçovit dhe Kanunit të Lek Dukagjinit. Në libër janë të përfshirë dhe dy artikuj të botuar në gazetën Dielli si: Faik Konitza”Ca Kujtime mbi At Gjeçovin”-Dielli 18 Mars 1930; dhe “Si ia dha Besën Gjeçovi Paskal Giadrit për ta lënë duhanin(Botoi Dielli 6 dhjetor 1929-marrë nga Gazeta shqiptare-Bari) etj. Libri ndodhet tash e tutje në bibliotekën e Vatrës në 3 kopje dhe të interesuarit mund ta tërheqin për ta lexuar.

   Dr. Besim Muhadri kishte sjellë për bibliotekën e Vatrës edhe librat”Rrjedhat e zhvillimit të Arsimit Shqip në krahinën e Hasit” , i shkruar në bashkëpunim me studiuesin Shaqir Lusha; si dhe librin e tij”Maletasit- Burra të Pushkës e të Penës” në 3 kopje.Dr. Muhadri shoqërohej nga profesor Hasan Sadriu, ish inspektor i arsimit në Kosovë.

Anëtari i këshillit të Vatrës z. Ramiz Mujaj shoqëroi gjatë vizitës në Vatër mikun e tij vizitor për të parën herë në SHBA, bashkavendasin prej Rugove z. Bek Lajqi.

Pata kënaqësinë t’u përshkruaja miqëve historinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA që nga mbledhja e parë e 24 dhjetorit 1911, që i parapriu bashkimit të shoqatave shqiptare në Vatër në mbledhjen themeluse të 28 prillit 1912, plot 109 vite të shkuara.

Mysafirët lanë mbresat e  tyre  me shkrim gjatë kësaj vizite në librin e  vizitorëve në Vatër. Vatra është e hapur për çdo bashkatdhetar.

Filed Under: Featured Tagged With: Bek Lajqi, Dr. Besim Muhadri, Hasan Sadriu, Ramiz Mujaj

Ministrja Donika Gërvalla takon Ambasadorin Amerikan Philip Kosnett

March 30, 2021 by dgreca

–Ministrja Gërvalla priti ambasadorin Amerikan Kosnett, Shtetet e Bashkuara janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme. Përkrahja Amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash../

PRISHTINË, 30 Mars 2021-Gazeta DIELLI/

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, tha të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës gjatë mandatit të saj, si drejtuese e politikës së jashtme, jo vetëm në bashkërendimin e politikave në raport me vendet e tjera, por edhe në mbrotjen e interesave të Republikës së Kosovës. 

Ministrja Gërvalla i bëri këto komente pas një takimi shumë të përzemërt që zhvilloi me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, z. Philip Kosnett, me të cilin diskutuan tema të ndryshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimet në vend, raportet ndërfqinjësore, si dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy popujve miq.    

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në raport me Republikën e Kosovës është vështirë i përshkrueshëm me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, tha znj.Gërvalla.

Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale me pandeminë, si dhe nevoja urgjente për rimëkëmbje ekonomike dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.

Sa i përket normalizimit të marëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën për të zhvilluar bisedime përmbajtesore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetuetshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, si zgjidhje e vetme për paqe të qendrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës.  

Filed Under: Kronike Tagged With: Donika Gervalla, Ministrja e Jashtme, Philip Kossnett, priti ambasadorin amerikan

ANTENA

March 30, 2021 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

Antena …përkon me një moment të veçantë të jetës time ,maj -qershor 1993 , e kur ndër të tjera vendlindjes time Peshkopi , do ti vendosej Antena, investim i Këshillit të Rrethit të asaj kohe e ku së fundmi qytetarët do mund të shihnin disa kanale televizive më shumë pas një kohe të gjatë izolimi të shumëfishtë.

…Më vjen në mendje shpesh antena edhe si koncept edhe si objekt . Antena si koncept mbeti gjallë jo vetëm në memorje por edhe në sjelljen tonë duke e deformuar ato , ndërsa e dyta ,objekti antenë do të kujtohet gjithmonë si objekt i munguar apo misterioz, i mbetur në tentativë e padyshim si një relike që na mbajti gjallë kureshtjen tonë naive dhe përherë fëmijnore mbi të panjohurat përtej izolimit tonë shekullor.

Të vetmohuar nga bota përtej nesh e cila e megjithatë ekzistonte me të mirat dhe të këqijat e saj , antena brënda nesh u shndërrua në një “ organ jetësor” nëpërmjet të cilit mund të ndiqje jetën e tjetrit, dëshirat, lëvizjet, ëndrrat për liri apo shijet e fshehta për muzikë, art, kinematografi.

Kjo shtojcë “ organike “ shprehje e varfërisë mendore e intelektuale nisi të zëvendësonte proçese që njeriun e bëjnë thelësisht njeri : si të menduarit, të reflektuarit apo të analizuarit me veten dhe për veten ,pasi vetvetja nisi të zëvendësohej me “ po tjetri çfarë bën, ha , pin , mendon apo ëndërron , pasi për veprime nuk bëhej fjalë pasi ato kishte se  kush ti kontrollonte.

Shndërrimi në mendësi i këtij instikti të nxitur ( aspak të lindur ) do tē linte pasoja të jashtëzakonshme në sjelljet njerēzore duke kushtëzuar shpesh herë edhe veprimet dhe ndërveprimet e tyre.Duket sikur as liria nuk ka efekt mbi individët që jetojnë me këtë shtojcë jo organike që ndjek dhe përndjek tjetrin .Nuk është aspak rastësore xhelozia, fyerjet, imitimet, kopjimet sjelljet euforike, poshtrimi i tjetrit, denigrimi, mohimi, viktimizimi, etj janë të gjitha derivat i  ekzistencës së “ antenës brenda vetes” , asaj që në një mënyrë apo në një tjetër është shprehje e palirisë dhe e varësisë individuale nga ajo kolektive tipar ky që lind inferioritetin dhe e bën njeriun të dobët, pre e veprimeve të tjetrit , përgjues dhe përgojues duke ia zbehur aftësitë krijuese dhe reflektuese të cilat do ta shndërronin atë në më kreativ nëse do ti kushtonte më shumë kohë vetvetes nëpërmjet mendimit, meditimit dhe plot efekteve të tjera që burojnë prej këtyre akteve thellësisht njerëzore.

Për objektin antenë , reliken primitive që na e sillte botëzën fshehtësisht në ekranin gri dhe sytë e etur të ëndrrave tona të fikura mendoj gjatë edhe pse pak është shkruar. Të gjithë e kujtojmë nga një të tillë , e fshehur , prej telash që gërshetoheshin , alumin gjysëm reflektues , në interferencë konstante me realitetin po aq gri e të pabojë si ekranet e kohës, e plot e plot mundime të tjera për shpresë sinjali, figura me xixa, zëra të largët të panjohur , të ndaluar. Disave kjo lloj antene nuk u funksionoi dot  kurrë , sepse ajo tjetra , antena brenda vetes dikujt ( fqinjit, farefisit apo klientit misterioz ) ishte fuqiplotë . Antena, kjo relike e kujtesës tonë kolektive mbeti e largët ndërkohë kur ne e kishim kaq jetike informacionin, kulturën , njeriun me tërë universin e vlerave që zoti ia ka falur qëkurse e krijoi duke i dhënë tiparet e llojit mendimtar dhe krijues,reflektues dhe debatues, kureshtar i arsyeshëm dhe kërkues të drejtash dhe lirish.

Antena ky objekt kërkues  , le të jetë sensor i ndjesive të munguara të njerëzores brenda dhe jasht nesh, i atyre cilësive që jetës i japin ngjyrat e munguara , ato që asaj ia dhunoi koha, njerëzit pre e saj apo viktima të saj . 

Filed Under: ESSE Tagged With: Antena, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT