• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

Diskursi demografik-Shqiptarët emigrojnë më së shumti në rajon

May 22, 2021 by dgreca

Në sajë të dhënave të publikuara  kohë më parë  nga  Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës për  përiudhën  2010-2019 del se nga Shqipëria  kanë emigruar  rreth 499 mijë persona, në një raport të fundit për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor, duke dëshmuar së Shqipëria mban vendin e parë në  regjion.

Nail  Draga

Dukuria e emigrimit të popullsisë, nuk është dukuri  e panjohur sepse i ka përfshi pothuaj të gjitha vendet e regjionit, duke mbetur çështje shqetësuese për popujt e vendeve përkatëse. Në këtë aspekt vendet e ish kampit socialist dallohen për nga numri I emigrimit të popullsisë, që është dëshmi e varfërisë ekonomike të trashëguar nga koha e monizmit, por edhe të pakonsolidimit në periudhën e tranzicionit shoqëror. 

Të dhënat e publikuara kohë më parë nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës ka të bëjë me vendet e ish Jugosllavisë ku përfshihet edhe Shqipëria që në fjalorin politik njihet si Ballkani Perëndimor, duke ofruar të dhëna statistikore për këtë dukuri shqetësuese bashkëkohore. 

Në këtë grup veçohet Shqipëria, në sajë të numrit të emigrantëve që janë  përllogaritur përmes autorizimeve për lejet e qendrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende. Të dhënat ekspertët i kanë marrë nga Eurostat për vendet e BE-së si dhe nga vende jo anëtare të BE-së.

Kështu bëhët me dije se 56% e lejeve janë dhënë pêr arsye familjare, 17.5% për punë dhe pjesa e mbetur raportohet për arsye  studimi apo të tjera.

Në krahasim me vendët tjera  si Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve prej 499.000  që nëse  e krahasojmë me popullsinë në vend paraqet shqetësim për të tashmën dhe të ardhmën e kombit shqiptar. Pasi kemi të bëjmë me të dhëna nga një institucion kompetent të dhënat e tilla duhet të merren seriozisht dhe të analizohen për të gjetur zgjidhje për ndalimin e emigrimit të popullsisë sepse pasojat jan të mëdha.

Varfëria si shkak  i emigrimit

Në lidhje mbi shkaqet e përmasave të tilla të emigrimit  si faktor themelor  ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë,  sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, që është dëshmi e trashëgimisë se mos zhvillimit ekonomik në periudhën e kohës së socializmit.

Nëse si barometer  i zhvillimit ekonomik marrim të ardhurat për frymë të banorëve në regjion del qartë së Shqipëria dhe Kosova janë në nivelin më të ulët, andaj nuk është befasi niveli i lartë i emigrimit të popullsisë.

Sipas të dhënave të cilat disponojmë  për momentin si vend me i kërkuar për emigrantët është Gjermania , sepse ofron mundësi të punësimit me shumë se disa vende tjera, qoftë në mënyrë sezonale apo me kohë më të gjatë.

Nuk ka dilemë se nga të emigruarit vendin e pare  e zënë ata të moshes së re, ku nga të dhënat e publikuara del se për të rin jtë nga Mali i Zi, për periudhën 2010-2019 janë lëshuar 20 mijë leje pune. Nga veprimtaritë bëhet më dije se shumica e lejeve të punës janë të natyrës sezonale për në turizëm, ndërtim, tregti etj.

Në krahasim me vendet tjera të cilat janë marrë në shqyrtim Shqipëria dallohet në lidhje me emigrimin e grup moshave, sepse nga këtu emigrojnë të gjitha grup moshat, edhe pse edhe këtu dominojnë të rinjët, andaj nuk është rastësi së për këtë periudhë nga Shqipëria kanë emigruar pothuaj gjysëm milioni shqiptarë(499.000). Ndërsa nga vendet tjera kanë emigruar nga Serbia 351.730 banorë,   Bosna e Hercegovina 272.155, Kosova 246.540, Maqedonia e Veriut 160.633 dhe Mali Zi  22.080 banorë.

Të rinjët emigrojnë më së shumti

Në motivin e  emigrimit të popullsisë, përveç papunësisë së lartë  si  dhe mungesa e përspektivës  në vendet përkatëse, motiv tjetër është edhe ribashkimi i familjeve dhe arsimi,  përkatësisisht studimi në profilet e ndryshme, mbesin gjithnjë  shkaqet e emigrimit të popullsisë. Ndërsa sa iu përket grup moshave  ekspertët nga Vjena bëjnë me dije se shkalla e papunësisë në grupmoshat e reja (15-19 dhe 20-24 vjeç) në vendet e Ballkanit është shumë më e lartë se në ato më të vjetrat, ku një trend i tillë  nëse nuk do te ekzistojë qasje tjetër nga qeveritë në vendet përkatëse  ndaj kësaj kategorie, do të vazhdojë edhe në të ardhmën.

Duke vlerësuar  të dhënat e tilla nga Instituti Vjenëz,  duhet cekur se Shqipëria  regjistrimin e popullsisë e ka planifikuar ta mbajë në vitin 2020, por për shkak të pandemisë u shty për më vonë. Bëhët me dije se regjistrimi do  të realizohet sa të krijohen kushtet pas pandemisë, ku do të kemi të dhëna më të plota në lidhje mbi emigrimin e popullsisë në botën e jashtme.

https://i2.wp.com/www.monitor.al/images/2021/04/B1.jpg?resize=670%2C420&ssl=1
https://i1.wp.com/www.monitor.al/images/2021/04/TAB-1.jpg?resize=600%2C209&ssl=1

Filed Under: Analiza Tagged With: Emigrimi, Nail Draga

TURQIA QË SFIDON EVROPËN (DHE TJETRA QË SHIKON NGA PERËNDIMI)

May 22, 2021 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO-Perktheu:Eugjen MERLIKA/

Në jetën ndërkombëtare mund të haset shpesh në dy lloje problemesh: ata të përballueshëm dhe ata të papërballueshëm. Të parët, ata të përballueshmit mbajnë të zotuar diplomacinë. Për shembull, shumë tani po bëjnë çmos për të arritur një pushim zjarri ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Asnjëri nuk mendon të “zgjidhë” ndonjë gjë: bëhet fjalë për një konflikt të paracaktuar të vazhdojë për pale sa vjet, nëmos për dhjetëvjeçarë. Por problemi është i “përballueshëm”, në kuptimin që ndoshta do të jetë e mundur t’i vihet një arnë e përkohëshme. Ka pastaj probleme të një tjetër natyre, krejtësisht të patrajtueshme. Askush nuk din si t’i përballojë. Në përgjithësi kërkohet të zhvendosen, të shtiret sikur nuk ekzistojnë. Në shpresën që të jetë historia e ardhëshme, në paparashikueshmërinë e saj pëbërëse të zgjidhë nyjet. Edhe sa kohë ende bota perëndimore mund të shtiret se Turqia – një antar i organizatës së saj kryesore ushtarake (Nato-s), nuk është bërë një armike?

Të përmbledhim, në vija të përgjithëshme, faktet. Turqia bën pjesë në Nato që nga viti 1952. Për dhjetëvjeçarë ka qënë pjesë përbërëse e aleancës perëndimore, një shtyllë. Për pasojë ishte dhe aleate e Izraelit. Kishte një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet vendosjes së saj ndërkombëtare dhe regjimit të saj të brëndshëm. Turqia bashkëkohore u sendërtua nga Mustafa Qemal Ataturku që e deshi laike dhe “evropiane”.

Qe një trashëgim që ushtarakët, struktura e vërtetë mbajtëse e regjimit turk (edhe në periudhat në të cilat ishte demokracia parlamentare), e mbronin dhe e mbanin gjallë. Laicitet në politikën e brëndëshme, filo – perëndimorizëm në politikën e jashtëme. Pastaj gjërat ndryshuan. Turqia islamike, ajo e katandisur në heshtje ose gati në të nën Ataturkun, u hakmorr duke vënë në një qoshe Turqinë evropiane. Partia islamike, hap mbas hapi, duke shkrehur trashëgiminë e Ataturkut, ka nxjerrë jashtë loje ushtarakët (duke i dhënë shtysën përfundimtare mbas grushtit të Shtetit të 2016-ës) ka ri-islamizuar një pjesë të madhe të shoqërisë. Me ri-islamizimin ka mbaruar perëndimërësia turke. Mund të diskutohet nëse ka ndonjë përgjegjësi Evropa: zjarri pengues kundrejt kërkesës së Turqisë për të hyrë në Bashkimin evropian, sigurisht ka dhënë ndihmesën e vet për të dobësuar dhe poshtëruar turqit evropianë në të gjthë dobinë e Turqisë islamike. Por ndoshta ri-islamizimi ka arsye të shumta e komplekse, nuk është vetëm përgjegjësi e Evropës.

Shënja e parë e ndryshimit të vendosjes ndërkombëtare shkon në vitin 2003 kur, duke qënë në qeveri partia islamike, Turqia, për të parën herë që nga mbarimi i luftës së dytë botërore, i u përgjigj ashpër kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe nuk pranoi t’i lejojë ushtrisë amerikane të përdorte bazat e saj në Turqi për të goditur Irakun e Sadam Hysenit.

Por ndoshta viti në të cilin ndryshimi i vendosjes ndërkombëtare, si pasojë e ndryshimit të regjimit të brëndëshëm dhe ri-islamizimit të shoqërisë turke, u bë më i dukshëm ishte 2010: sulmi izraelian mbi një anije turke që, zyrtarisht dërgonte ndihma humanitare palestinezëve (por që, simbas izraelianëve, kishte dhe armë) lajmëroi botën se ishte në zhvillim një përmbysje e aleancave. Mbaronte marrëveshja dhjetravjeçare ndërmjet Izraelit dhe Turqisë. Dobësimi i vazhdueshëm i aleancës turke me perëndimorët përputhej (në mënyrë koherente) me një ndryshim frontesh nga ana e turqëve edhe në Lindjen e Mesme. Mbaronte aventura properëndimore e dëshëruar nga Ataturku, fillonte ajo neo – otomane.

Sot Turqia luan në të gjitha tryezat e mundëshme. Fakti që vazhdon të jetë antar i Nato-s i lejon të mbajë në ruajtje perëndimorët. Në të njëjtën kohë mban marrëdhënie të ngushta me Putinin (me të cilin është shemër në garën për ndarjen e Libisë). Në sajë të këtyre marrëdhënieve mund t’i lejojë vetes të sfidojë (deri tani me sukses) atë Nato në të cilën bën pjesë. Siç e tregoi kur theu solidaritetin atllantik duke blerë raketa nga Rusia. Është financuese e madhe, së bashku me Katarin, i Vëllezërve Myslimanë. Erdogani luan kundër Arabisë Saudite dhe Egjyptit, duke synuar drejtimin e botës sunite, gjë që nuk e pengon të gjejë pika takimi e mirëkuptimi me Iranin shiit, si në këtë çast (por jo që sot) në mbështetje të Hamasit.

Kush mendon se sidoqoftë veprimi turk ka të bëjë vetëm me Lindjen e Mesme e nuk prek Evropën, gabohet rëndë. Së pari sepse ajo që ndodh atje ka pasoja edhe këtu. Mbështetja turke radikalizmit islamik në Lindjen e Mesme nuk mund të mos na përkasë edhe neve. Nëse Mesdheu do të ndahet qëndrueshmërisht ndërmjet turqëve e rusëve, do të jenë duar të ndryshme nga ato evropiane (dhe armike t’Evropës), që do të kenë kontrollin mbi burimet jetike energjetike dhe mbi rubinetat që rregullojnë valët mërguese.

Për më tepër, veprimi turk dhe dëshirat e Erdoganit i kalojnë kufijtë e Lindjes së Mesme, siç kanë treguar tensionet ndërmjet Turqisë e Greqisë për kontrollin mbi burimet e gazit në Mesdheun lindor. Siç dëshmon edhe ndërhyrja masive në zonën ballkanike, ku Turqia kombinon investime ekonomike dhe indoktrinim fetar.

Ende nuk është e gjitha. Mendoni ndeshjen shumë të fortë ndërmjet presidentit francez Emmanuel Macron dhe diktatorit Erdogan. Turqia këtë herë provon me të tjerë mjete. Dy herë (me rrethimet e Vjenës të 1529 dhe të 1683), perandoria otomane kërkoi rrugën për të mësyer Evropën. Tani Turqia kërkon të rrisë ndikimin e saj politik në kontinent duke financuar xhamitë që sponsorizojnë islamin më radikal, për të kushtëzuar nga përbrënda Vëndet evropiane.

Ndonjëherë, siç u tha, është historia, në paparashikueshmërinë e saj, që zgjidh nyjet të cilat njerëzorët nuk dijnë si t’i përballojnë. Ndoshta (kushedi?) Turqia evropiane, edhe se e goditur ashpërsisht nga ajo aziatiko – islamike, shpejt a vonë do të ngrejë kokë. Megjithë “kurën” Erdogan Turqia mbetet një shoqëri e ndarë, kaluar mes Evropës dhe Azisë. Nëse dy Turqitë do të kthehen për t’u ndeshur, kjo do të ketë sigurisht pasoja dhe ndikime edhe në politikën e jashtëme t’atij Vendi. Ndoshta do t’i a zvogëlojë synimet, ndoshta e bën më pak agresiv si në Lindjen e Mesme si kundrejt Evropës. Nëse ti nuk mund të nxjerrësh gështenjat nga zjarri, duhet të shpresosh që t’a bëjnë ata që disa quajnë Providencë e disa Fat.

“Corriere della Sera”, 20 maj 2012   

Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Panebianco-Eugjen Merlika-Evropa-Aleati, Eugjen Merlika, Turqia qe Sidon Evropen

Skandal Diplomatik

May 21, 2021 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/ Foto me Dr. Sali Berishen- 1991/

Sekretari i shtetit Amerikan, shpall non grata ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin e  Shqipërisë, Sali Berisha. 

Sekretari i Shtetit Amerikan , Antony Blinken , shastisi  mbarë opinionin publik shqiptar, duke shpallur “Non Grata” , ish- Presidentit Sali Berisha . Padashur, Blinken bie në një gabim infantil dhe aspak profesional ,  duke bërë  rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit , ku indirekt suprimon Homeland Security, FBI  dhe Presidentin e  SHBA . Vetë gjykatat amerikane nuk guxojnë të bëjnë fajtor të akuzuarin pa provuar fajësinë . Atëherë, si ndodh që Blinken shpall fajtor një personalitet dhe burrë shteti,  aleat të amerikanëve?

O tempora ! O mores ! Kjo ndodh vetëm në “Përrallën e Shllavarisë”…  dhe me të vërtetë më  vjen keq që kjo ndodh  në Amerikë , që për mua dhe shumë ëndërrimtarë , Amerika  mbetet tempull i demokracisë. 

        Kohë më parë, i njëjti person (Blinken) në një   takim me  ish-Kryeministrin Berisha ,   ngriti lart punën e tij , masat e marra  kundër trafikut , korrupsionit  etj. 

Tani , pas dashurisë së gushëkuqëve , ai ia bëri fora .  

Ai nuk denoncon  krimin e vjelljes së votës , drogën , ikjen biblike të shqiptarëve, korrupsionin e qeverisë në pushtet , por merret me Sali Berishën ( një legjendë që respektohet nga 5 milion shqiptarë anë e mbanë globit , duke përjashtuar simpatizantët e PS-së ) , që ka tetë vite larguar nga të gjitha detyrat .  A nuk duket nonsense dhe shumë e vonuar kjo akuzë?!

        A nuk duket kjo  fishy , siç thonë amerikanët, e kjo pikërisht në këtë situatë politike që po kalon Shqipëria? Kujt i shërben kjo ? A nuk kulmon kjo në një lojë të rrezikshme e skandal diplomatik? 

Sali Berisha , miku i disa Presidentëve, Senatorëve , Kongresmenëve. Njeriu që firmosi anëtarësimin në NATO,  ndihmoi  mvetësinë e Dardanisë,  liberalizoi vizat, nxorri jashtë  ligjit Partinë Komuniste të Shqipërisë (ku disa “antikomunistë”  nuk e dinë akoma ),  të bëhet  “Non Grata” ?! 

Jam kurioz të di ,  që pas padisë së z. Berisha , çfarë do paraqesë DASH në gjyq për të bindur trupin gjykues  fajësinë e tij ?! Mendoj se këtë herë ,  Departamenti i Shtetit  është ngutur keq. DASH nuk duhej t’a merrte  të mirëqenë dosjen që  serviren  eksponenetët e Partia Socialiste , të cilën nuk i zë gjumi  duke menduar se po të kthehet Berisha në PD ,  ata  i kanë ditët e numëruara.

Kjo shkarje e dhimbshme , më sjell në mendje ( në kohë të ndryshme),  Charlie  Chaplin  dhe  John Lennon , që u shpallën “Non Grata” nga autoritetet amerikane   dhe më vonë bash këto autoritete u  kërkuan ndjesë . 

I kërkoj Sekretarit të Shtetit , Blinken : Na sjell vetëm një fakt , që ne  demokratët shqiptarë ta “sikterisim” Saliun ! 

Por,  unë besoj se ,  z. Blinken  nuk do mund të na servirë asgjë tjetër përveç çorbës së gatuar keq në zyrat e Partisë Socialiste ( Joint Venture me  Soros),  flamurtarja e korrupsionit vdekjeprurës   në Shqipëri. Blinken gaboi rëndë! Ai nuk duhej të bazohej kurrësesi tek akuzat e pozitës kundër opozitarit. Sepse i pushtetëshmi neo-komunist nuk ka mundësi më të vrasë si dikur , por prodhon mekanizmin e vrasjes së karakterit , SHPIFJEN!  

      Unë mendoj se, titulli apo grada  nuk  është definicion i zgjuarsisë  dhe bindjes, por  produkt i  shkallës së pozicionit . Sapo kjo shkallë të ndryshojë … definicioni shpërbëhet në një  tjetër trajtë dialektike ku përbën sens , orientim , humor apo humbje.  

Veshja sado e bukur të jetë nuk mund të mbulojë defektet e lindura, ndërsa rritja nuk mund të korigjojë aderencat negative  të trashëguara.

Majmunëria është produkt i instiktit dhe kurrë bon sens (savvy) i arsyes. Kur delikti ndërtohet në mënyrë artificiale dhe që nuk ka themel delikuent , sfumohet si shkuma në rërë. 

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Skandal Diplomatik

SIMPOZIUMI DIASPORES, VATRA DHE MASHTRIMI

May 21, 2021 by dgreca

-ORGANIZATORET E VERTETE TE SIMPOZIUMIT JANE NE TIRANE TE DIRIGJUAR NGA NJU JORKU DHE VIRXHINIA,POR TJETER HERE DO TE MERREMI ME TA…

SIMPOZIUMI I DIASPORËS DHE MASHTRIMET ME EMRIN, LOGON DHE VULËN E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS” VATRA”/

Të Shtunën me 22 Maj 2021, nga burime të tërthorta, mësuam se organizohet nëpërmjet Zoom- një Simpozium i fokusuar në çështjet tona Kombëtare. Pa i paragjykuar ligjëruesit Vatra i falenderon për studimet e tyre shkencore dhe i uron sukses Simpoziumit por nuk mund të anashkalojmë mashtrimin e organizatorëve, që shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme emrin dhe Logon e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” , me adresë zyrtare  2437 Southern BLVD, Bronx, NY 10458 -USA dhe me 12 degët e saj në Amerikën e Veriut dhe Kanada. Në pronësi dhe në përdorim të Federatës VATRA është edhe gazeta e saj ”DIELLI”. 

Studiuesit e nderuar janë mashtruar dhe kanë menduar se janë ftuar në emër të Vatrës së vërtetë dhe se nuk janë informuar për egzistencën e fraksionit që është përjashtuar për shkelje të Kushtetutës së Federatës.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i ka paditur në gjyq mashtrusit që kanë rrëmbyer vulën dhe Logon e Vatrës në në mënyrë të paligjshme(kopje nga interneti) dhe e kanë përdorur në publik në media, në rrjetet sociale, kanë bërë ftesa për aktivitete, si në rastin konkret,por edhe kanë grumbulluar fonde në mënyrë të paligjshme…. 

Vatra komunikoi me 10 nga ligjeruesit e ftuar në këtë simpozium dhe mori prej tyre përgjigjen keqardhëse se nuk kanë qenë të informuar nga organizatorët se ata nuk përfaqësojnë Vatrën e vërtetë. Ndjejmë keqardhje për këtë mashtrim.

Njëri prej ligjëruesëve u përgjigj menjëherë se e ka bojkotuar Simpoziumin për shkak të mashtrimit. Për ta respektuar nuk po ia përmendim emrin. Qëllimi ynë nuk është prishja e veprimtarisë, por na vjen keq se këtu janë përfshirë dhe historian të njohur,që mburren për qëndrim kombëtar -një pjesë prej të cilëve e kanë ditur se çfarë përfaqësonin organizatorët, por duke qenë në lidhje miqësie më pjestarë të fraksionit u kanë shërbyer atyre, duke kontribuar në përçarjen e diaspoërs. Na vjen keq se në këtë ndërmarrje janë përfshirë dhe Institucione nga Tirana dhe Prishtina…U bëjmë thirrje atyre që ta përdorin autoritetin e tyre shkencor për ta bashkuar jo për ta përçarë Diasporën, boll po e bën përcarjen qeveria.

Saktësojmë se ky grup është në minoracë dhe vjen nga dy gjysma degësh me anëtarësi familjare dhe një grup i vogël të pakënaqurish. A mund ta quajnë veten Vatër dy gjysma degësh përballë 13 degësh dhe qendrës?

Thashethemet që përhap grupi përcarës për Federatën Vatra se gjoja është pro greke e komuniste është e pabaza dhe dashakeqëse. Për herë të parë Federata VATRA ka një Kryetar nga KOSOVA, Z. ELMI BERISHA po ashtu edhe Presidenti i Nderit AGIM REXHAJ është po nga Kosova, sekretarja është nga Çamëria. Përse u shqetësuan kaq shumë përçarësit e VATRËS tash që në krye kemi Kosovë e Çamëri?

ORGANIZATORET E VERTETE TE SIMPOZIUMIT JANE NE TIRANE TE DIRIGJUAR NGA NJU JORKU DHE VIRXHINIA,POR TJETER HERE DO TE MERREMI ME TA…

FEDERATA PANSHQIPATRE E AMERIKËS VATRA MBETET E PËRKUSHTUAR NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE DHE ASNJËHERË NUK DO TË SHFOKUSOHET NGA KY QËLLIM.

Filed Under: Politike Tagged With: Mashtrimi dhe Simpoziumi

NJË ALBUM PËR DITËLINDJEN AKTORES AISHE STARI

May 21, 2021 by dgreca

Teatri “Moisiu”, një libër-album për ditëlindjen e aktores Aishe Stari/

Nga Gëzim KABASHI*/

Kufizimet nga pandemia e zgjatur e kanë vonuar për një vit festën e ditëlindjes së aktores së njohur durrsake, Aishe Stari. 

Më 21 maj të vitit të kaluar, zonja e madhe e skenës kaloi kufirin e 80 viteve, por ajo e shmangu grumbullimin e shokëve e miqve të shumtë për shkak të Covid 19.

Ndërsa sot, teatri “Aleksandër Moisiu” dhe dhe kolegët e saj kanë përgatitur një surprizë të këndshme për artisten e shquar.

Sapo ka dalë nga botimi libri – album kushtuar veprimtarisë artistike të Mjeshtres se Madhe, Aishe Stari.

Gjithçka dëshmon rrugën artistike, nga hapat e parë në trupën e Varietesë dhe më pas në teatrín e Kukullave, e deri në rolet në teatrín dramatik, në kinema dhe në Televizion.

Vetëm pak orë para takimit festiv në Hollin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, aktorja me karrierë 60 – vjeçare pranon të ndajë me lexuesit, disa nga ndjesitë e saj për profesionin si dhe të tregojë stacionet më të rëndësishme të jetës artistike.

Megjithë paragjykimet e fundviteve 1950 për artistët, Aishe Stari heq dorë nga  dega e Biokimisë që kishte filluar, për ta zëvëndësuar me studimet në degën e aktrimit. 

“Fakulteti më pengoi të largohesha nga Shkencat, dhe u detyrova ti shkruaj Liri Belishovës, që në atë kohë ishte anëtare e Byrosë Politike” – tregon Aishe Stari. I shkruajta, pasi duke qenë grua do ta kuptonte dëshirën time.

Kështu fitova lejen për të ndryshuar degën, për t’iu nënshtruar konkursit dhe për të nisur formimin si aktore në Institutin që sapo ishte krijuar”.

Ajo thotë se trupa e Varietesë në Durrës ka qenë si një familje për të dhe se ka shkuar në punë gjithmonë me kënaqësi. 

“Ndjeheshim mirë të gjithë, sa që edhe unë ngacmohesha me pjestarët e trupës siç ndodh edhe në një shtëpi”.

Vajza nga Durrësi që mban diplomën nr 1 e përfundoi shkollën me diplomantët e parë aktorë Edi Luarasi, Mimika  Luca, Serafin Fanko, Filika Dimo, Albert Vërria, Mario Ashiku, Donika Barçi, Viktor Bruçeti, Mexhide Pupi, Miho Gjini, etj. 

Aishe Stari do të bëhej shumë shpejt “Ylli (Star) i Estradës së Durrësit, siç e quan Flori Slatina (autor i librit – album) për aktoren, që sot feston 81-vjetorin e lindjes.

-Tani mendoj ndryshe, madje jam e bindur që kam qenë me fat, por në vitin 1961, më dukej se kisha përfunduar nga Teatri në Estradë.

Regjisori Gjergj Vlashi insistoi që të aktivizohem me trupën e Varietesë, ku gjeta aktorët Spiro Strati, Enver Likmeta, Ramazan Njala, Sandër Pepa, Aleks Llazari, e më pas edhe Lumturi Dashi, Fadil Hasa, Roland Koça dhe Muharrem Hoxha. 

Fillova me disa imitime fëmijësh në premierën “Stafeta e viteve” dhe më pas me rolet e shumtë. 

Unë isha e vetmja aktore me shkollë në Variete, por kolegët e mij ishin mjaft të talentuar, shumë seriozë me punën, dhe me siguri kam mësuar shumë më tepër unë prej tyre.

–Nëse trupat e tjera kishin aktorë si Tano Banushi apo Skënder Sallaku, çfarë e bënte Varietenë e Durrësit të kishte aq shumë sukses?

-Në shfaqjet tona kishte gjetur vend edhe kupleti, teatri i hijeve dhe ai i xhepit, poezia humoristike, e po ashtu komeditë e shkurtëra nga autorët e huaj. 

Estrada është gjini e vështirë, por të jep shumë mundësi. 

Duhet të krijosh 3-4 role në një shfaqje dhe brenda pak minutash të paraqesësh një figurë.

Nga ana tjetër në trupën tonë regjisorët kanë preferuar një ngarkesë thuajse të njejtë për secilin aktor në çdo premierë.

Kjo e ka larguar prej nesh cmirën apo xhelozinë e sëmurë. 

Ky ishte burimi i harmonisë dhe e ngrohtësisë në trupë.

Falë regjisorëve Gjergj Vlashi dhe Haxhi Rama kemi punuar së bashku si në një familje të madhe.

–Interpretimi i poemës satirike “Pleshti dhe xixëllonja” të Dritëro Agollit ju dha mjaft emër?

-Po, dhe në Takimin e organizuar në Peshkopi jam vlerësuar me Medaljen e Artë. 

Fillimisht më dukej sikur kishte dallim racial në vargjet e saj.

Kur regjisori Gjergj Vlashi më bindi që mund ta realizoj poemën, u mbylla me një magnetofon për disa ditë në kabinën time në teatër dhe kam ripërsëritur dhjetra herë tekstin, por më shumë interpretimin.

-Kur jeni aktivizuar për herë të parë në teatrín dramatik? Po në kinema?

-Pas disa përvojave me komedi në Estradë, roli i parë në teatër mbërriti në vitin 1980, në veprën e Molierit “I sëmuri për mend” (1980). Më pas edhe në shfaqje të tjera deri te “Ëndrra e një nate vere” (2013).

Kam interpretuar edhe në filmat “Dasma” dhe “Udhëtim në pranverë”, por ai që mbahet mend është “Fije që priten”. 

Nuk ishte e lehtë. Më duhej të shkoja për xhirime në Tiranë çdo ditë dhe pastaj të kthehesha në Durrës për shfaqjet e estradës.

Kujtoj se sa jam alarmuar në një rast, kur makina na u prish në Maminas. 

Angazhimi në variete ka qenë arsyeja kryesore se përse kam luajtur shumë pak filma.

Më vonë, pas viteve 1990 jam aktivizuar në kinokomeditë e regjisorit Arjan Culiqi.

Janë të gjitha përvoja shumë interesante e të bukura.

-Si mund ta ruajë një aktor kondicionin fizik? 

-Përmes punës. Unë e dua punën. Atë që më jep teatri, kënaqësinë që më japin spektatorët nuk e gjej askund.

Prandaj jam përfshirë në teatrín e Kukullave, prandaj kam punuar individualisht me fëmijët e kopshteve dhe të shkollave fillore. 

Tani më ka ndërprerë pandemia. Gjatë muajve të izolimit i kam ndjekur me simpati artistët që zhvillonin nëpër lagje koncertet në karantinë.

Edhe unë po pres të rifilloj me spektatorët e vegjël.

Sa do të punoj? Jetën na e ka falur Zoti dhe duhet ta falenderojmë atë.

Për të tjerat nuk kanë të bëjnë vitet. 

Për sa kohë e ndjej veten mirë do të punoj, pasi nuk bëj dot ndryshe.

Teatri është jeta ime.

-Ju uroj jetë të gjatë e të lumtur!

Filed Under: Interviste Tagged With: Gezim Kabashi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT