• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

Thirrje organeve drejtuese për luftën kundër varfërisë!

May 14, 2021 by dgreca

Nga Silvana BEGAJ/

Demokracia ekziston aty ku askush nuk është aq i pasur sa të blejë dikë tjetër dhe askush aq i varfër sa për t´u shitur (Rousseau)Detyra themelore e një shteti është garantimi i një jete dinjitoze për shtetasit e tij. Fokusi i cdo qeverie, pushteti, duhet patjetër të përfshijë shtresat në nevojë duke quajtur të tillë cdo të papunë, të sëmurë, me aftësi ndryshe, pensionistët etj ,përndryshe nuk kryhet thelbi i punës për të cilën është votëbesuar.Sot, 600 mijë qenie njerëzore janë në prag të minimumit jetik. 600 mijë jetë,600 mijë dinjitete njerëzore të nëpërkëmbura e të trajtuara pa respekt.15% e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri të plotë dhe vetëm 7% prej tyre marrin ndihmë ekonomike. Edhe kjo pjesë merr një ndihmë ekonomike turpëruese e cila shkon nga 37 mijë lekë deri në 45 mijë lekë në pjesën më të madhe.Shoqëria duhet të jetë kontributor për këtë kategori edhe pse është shteti dhe qeveria me autoritetin që i buron nga ligji të bëjë shpërndarjen e drejtë të kontributit financiar. Qeveritë ndër vite, në fondet e shpërndarjes së të ardhurave kanë dështuar në këtë sipërmarrje për t´u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë duke e zhytur vendin në këtë errësirë.Ne ende sot pas 30 vitesh sistem pluralist nuk kemi një përcaktim të detajuar dhe real të minimumit jetik,bazën për një jetë minimale dhe dinjitoze të shtresave në nevojë duke i lënë në mëshirë,varfëri dhe skamje.Duhet patjetër të llogaritet dhe minimumi jetik për fëmijët i cili as nuk është zënë në gojë nga politika e as nuk po planifikohet për të ardhmen.Minimum jetik është shumatorja financiare e një numëri produktesh ushqimore për konsumim që realizojnë minimumin e mbijetesës dhe ruajtjen e shëndetit të popullatës duke shtuar këtu dhe një numër artikujsh jo ushqimor bazik minimal për të përmbushur shërbimet e nevojshme.Sot, minimumi jetik është llogaritur 2 dollarë në ditë.A është i mjaftueshëm ky 2 dollarë në vendin tonë? Përse nuk është ndërmarrë asnjë studim nga INSTAT apo nga qeveria duke e lënë këtë problem të hap më shumë plagë shoqërore?Unë mendoj se: paftësitë ,arroganca dhe padrejtësitë e qeverive, mosndjeshmëria njerëzore dhe moszbatimi kushtetutes për një jetë dinjitoze nuk janë në fokus të tyre sepse interesat personale zotërojnë dëshirën e absurdes dhe sepse ende nuk kemi mekanizma ligjorë detyrues për këtë.Qeveria jep 2 miliard euro për koncesione dhe nuk kujdeset për shtresat në nevojë. Pse të duam një qeveri të tillë që përvec kësaj ka reduktuar dhe numrin e familjeve që marrin ndihmë ekonomike?Por përse duhet saksionuar minimum jetik?Është detyrim kushtetues dhe i të drejtave njerëzore,Është pika ku pragu i pensioneve dhe i pagave minimale do ketë mundësinë e shtimit dhe vetë tregu do të gjej mundësinë e vetrregullimit,Ulet niveli i varfërisë dhe skamjes,Rritet fuqia blerëse dhe fuqizohet tregu,Rritet dinjiteti njerëzor dhe mundësia më e mirë për të mbijetuar,Qeveria mund të operojë dhe në mënyra alternative në ndihmë të kësaj kategorie:Uljen e energjisë elektrike për këto familje sipas masës dhe përqindjes së caktuar e të rregulluar me ligj,Uljen e çmimit për transportin publik si tarifë ose falas,Disa shërbime bazike financiare si përshembull pagesën e një përqindjeje të caktuar të qerasë së banesës etj.Shteti duhet të pajisi me numra personal këdo dhe të ketë detyrim pasqyrën financiare për këdo që në fund të vitit të përllogariten të ardhurat familjare dhe individuale dhe në bazë të kësaj të përcaktohen ndihmat dhe kushtet për marrjen e tyre dhe të mos lihen në dorë të abuzimeve apo dëshirave të komunave dhe administratës.Pa minimumin jetik jemi shumë larg dinjitetit njerëzor, do vazhdojmë të kemi probleme sociale të rënda dhe cdo pasojë që vjen prej saj.Sepse jeta nuk është vetëm të marrësh frymë dhe të presësh pa shpresë për një ndryshim që nuk vjen kurrë! Sepse jeta nuk jetohet duke lejuar blerjen tuaj vetëm ditën e votimeve.Unë, ju, familjet tuaja, Ne sëbashku meritojmë dhe na takon më shumë. Sepse për një jetë dinjitoze duhet një luftë dinjitoze! Dhe në një luftë të tillë nuk shitet e drejta duke pranuar të shitet e ardhmja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Silvana Begaj, thirrje, Ulje e Varferise

E NESERMJA, DJE DHE SOT E NAZARKOS… dhe heroi i paemër…

May 14, 2021 by dgreca

NGA GEZIM BARUTI/

Refleksion Mbi librin e Nuredin Nazarkos “ E nesërmja, dje dhe sot “/

 E mbarova së lexuari këtë libër e pas një pushimi sa për të pirë një kafe, fillova të sjell ndër mend ato që kisha lexuar. Libri ishte i shkruar sipas shijeve të mia madje më futi edhe më thellë. Pasi nëpërmenda disa gjëra të bukura, që kujtesa ime i kish vendosur në një vend më të dukshëm, po vrisja mendjen për personazhin e këtij libri që mund ta quaj një ese, rrëfenjë, novelë, tregim apo thjesht një traktat mbi idealizmin, puritanizmin e virtytet e një njeriu që falë moralit e personalitetit të tij, si edhe dijeve të fituara me një përkushtim e vullnet të hekurt në kohën e leximeve dhe studimeve të tij, ka mundur të sjellë një krijim disi të veçantë për nga mënyra e kompozicionit dhe mjaft intrigues për të na bërë të ndjejmë kënaqësi gjer edhe thellë subkoshiencës sonë. Pra, nuk m`u kujtua fare emri i heroit të këtij libri dhe unë vendosa ta lexoj përsëri. Në leximin e parë të një libri lexuesi kënaqet me vlera që janë lehtësisht të kapshme, ndërsa me leximin e dytë arrin të hapë shtigje të tjera që falin ëndje artistike e estetike të një shkalle më të lartë. Të mos flasim pastaj për një studiues, që nuk do ta hiqte nga xhepi këtë libër derisa ta “shtrydhte” mirë! Autori e nis me një truk librin. Heroin e tij (nuk ia gjeta emrin edhe pas rileximit) na e paraqet si një plak që rikthehet në fshatin e tij për të mos u larguar më prej andej. Ky plak, në një natë të bukur plot yje, bën një retrospektivë të jetës së tij shkollore e studentore dhe vetëm kaq. Lexuesi kupton pastaj heroin e vërtetë, djaloshin e heshtur e mendimtar. Gjatë leximit, madje qysh në faqet e para, lexuesi prezantohet me heroin e ri dhe, hap pas hapi, fillon të krijojë fizionominë e nxënësit që provon jetën e një asketi në internat e deri sa mbaron studimet e tij, të detyruara e të zgjedhura. Sfera e mendimeve të tij është e gjërë dhe e gjithanshme. Vit pas viti ai ka lexuar e përvetësuar shumë gjëra e në shumë drejtime të të nxënit. Atij nuk i pëlqejnë aq shumë ato që serviren rëndom në shkollë e në jetë që, edhe pse të vlefshme, nuk e kënaqin plotësisht ambicjen e tij. Heroi ynë është një i ri shëmbull, krejt i veçantë me të rinjtë e kohës sonë. Është i mbyllur në veten e tij sepse ngado që hedh hapin nuk arrin të gjejë të ngjashmin me veten, që me siguri do të përbënte një binom të patundshëm e imponues. Në vetëdijën e tij ka mjaft lëndë të pastër e të pasur në embrione. Nuk ka fushë ku mëndja e heroit tonë të ri të mos ketë ckërfitur ndonjë brazdë për të mbjellë dhe rritur idetë e tij, mendimet e tij mbi jetën e njerëzit që e rrethojnë e që ai, pasi i ka njohur mirë, kërkon t`i ndryshojë duke iu dërguar kumte prej së largu! Vetmia e tij është njëherësh edhe tregues për shkallën e lartë të njohjes që sa vjen e zmadhohet, falë atij vullnetit për të mos qënë pjesë e një shoqërie që vlerëson paranë e fituar me pa të drejtë, snobizmin, të dukurit, hipokrizinë dhe shtirjen bajate si të vetmin art të atyre që formojnë këtë farë shoqërie. Autori Nazarko, edhe pse me profesionin e historianit, nuk ka bërë veç fare pak histori në këtë libër. Atë e ka rrëmbyer dashuria për ta shfaqur para nesh heroin e tij, pa u munduar t`i presë kostumin që mund t`i pëlqejë lexuesit të rëndomtë. Dhe na e pikturon apo skicon atë ashtu siç është e siç paraqitet në ambjentin studentor, shoqëror e akademik. Madje lexuesi arrin në përfundimin se autori, megjithë dashurinë e madhe për heroin e tij, i ka hyrë në hak duke na i paraqitur si një shëmbull të përkryer modestie. Heroi i tij, njëherësh edhe i yni, me mendimet e tij për shkollën, paranë, shoqërinë, të metat e virtytet e njeriut, mistikën, nënshtrimin ndaj fatit, individualizmin, egoizmin e të tjera “izma” që gëlojnë nëpër rreshtat e librit, na bind se është një enë, që edhe pse nuk i shfaqet diellit në të gjallojnë plot embrione. Mirëpo nuk ka jetë pa pak diell dhe heroi ynë, më shumë se për t`u ngrohur, del nga guaska e tij sepse është rritur tashmë dhe ajo guaskë nuk e nxë. Ai kërkon të mbetet një maturant i dikurshëm, anipse ka mbaruar universitetin. Por është e vështirë! Ambjenti ka ndryshuar tërësisht. Heroi ynë ka njohur tipa e prototipa njerëzish dhe egoja e tij për të mos lëvizur nga istikami e bën që të rezistojë por jo deri në fund. Heroi kërkon të mos ndryshohet asgjë me forcë duke na sjellë ndërmend Tolstoin e pavdekshëm, që e kish lexuar prej kohëve të vetmisë. Atij nuk i pëlqen kjo shoqëri e zvetënuar labirinthesh të errëta. Nuk e mohon këtë shoqëri që nuk arrin të kuptojë mendimet e tij të vyera; sepse ka besim të palëkundur për atë ç`ka i ka caktuar vetes të jetë. Kërkon të jetë një njeri model, pa të meta dhe i vendosur për të mos qënë pre e egos së tij; pra, të mbetet i përkorë në formimin e tij të hershëm prej puritani. Kërkon të ndryshojë botën që e rrethon e është në një dualizëm me egon e tij, kur ende nuk i ka arritur vitet e pjekurisë. Heroi ynë është disi i pazakontë. Monologjet e tij, si një shprehje dhe nevojë prej mungesës së të ngjashmëve me personin e tij, të kujtojnë idealizmin e kulluar rob i të cilit ai kish vendosur të ishte deri në fund. Duke dyshuar nëse ka qënë përherë në anën e duhur dhe të drejtë të kujton, pa mëdyshje, tolstoizmin që fle brënda tij. Vetmia e tij në mendime e në veprime përforcohej sa herë që ai nuk mund të futej në rezonancë me turmën. Ishte dhe mbeti një ëngjëll mes djajsh! Çiltërsia dhe sinqeriteti i heroit të bën për vete kur shprehet për botën femërore. Ai ishte tamam puritan në këtë fushë por mendimet e shprehura tregojnë për përftimet prej hulumtimeve e studimeve të shumta e këtu bie në sy prirja për të mos harruar, pse jo për ta çuar më tej mendimin filozofik, e them me bindje të plotë, të shprehur nga Platoni e Shopenhaueri. Nëse kritika jonë institucionale, krejt apatike qysh se vdiq realizmi socialist, nuk do të kishte harruar për tu shprehur, heroi i librit të Nazarkos do të kundrohej si prototipi i letërsisë së re shqipe; madje edhe vetë libri do të ishte një risi për nga stili i veçantë dhe thurja dhe ai është i tillë, paçka se kritika jonë është e zënë me nxjerrjen në pah të aradhes së madhe të miqve mediokër. Mirëpo tek ne që të glorifikohesh, kurorëzohesh apo të marrësh atë që të takon, duhet të kesh firmosur diku në ndonjë korridor të errët dhe N. Nazarko nuk është aq i vjetër në moshë që të ketë lënë dikund nënshkrimin e tij të pastër të bëhet lak për armiqtë e pushtetit popullor… Por, le të mos e harrojmë heroin tonë të dashur, që ndoshta nuk kam shumë të drejtë ta quaj të paemër sepse më kujtohen thëniet e shumë autorëve që shprehen se kur flitet për njeriun, si specie, flitet për gjithë njerëzit e tjerë, madje po citoj një ndër të shumtët dhe pikërisht Karl Jaspers-in, në mos u gabofsha, i cili thotë tekstualisht: “Kur shkruajmë për njeriun, kemi shkruar për të gjithë njerëzit”. Nazarko ka pasur mundësi që ta pagëzonte heroin e tij por duke e lënë pa emër ka lënë të kuptohet se gjithsecili mund të vendosë emrin e vet; sepse shqetësimi për çështjet morale nuk është vetëm për një njeri apo një periudhë kohe të caktuar të historisë së njeriut mbi tokë por shqetësim i qënies njerëzore si emërues i përbashkët i shoqërisë dhe shqetësim që kapërcen kufijtë e kohës fizike. Mund të shkruhet mjaft gjatë për këtë hero të paemër, që nëse do të njihej mirë në rrethet letrare e artistike do të kishte bërë vërtet emër, por po mjaftohemi më tepër me ndërtimin e brendisë së tij që mund të shërbejë si shëmbull për të ndërtuar një shoqëri krejt tjetër nga ajo që ka provuar ai. Një shoqëri me njerëz plot virtyte, që e duan njëri-tjetrin e ku të mos ketë vend për urrejtje; që të jenë të lidhur ngushtë e pandashëm me të drejtën e të vërtetën; që të jenë të dhënë pas mësimit e dijes, larg zvetënimit e rendjes pas fitimit në mënyrë të pandershme, larg veseve të këqija dhe shthurrjeve pa fre. Pra, është një hero shumë edukativ për kohën që po jetojmë dhe autori e ka ngjyer penën në kallamarin e shpirtit të tij për ta bërë shumë të dashur edhe për lexuesin. Heroi ynë është një talent i padiskutueshëm kur shpalos dhuntitë e tij nëpërmjet atyre monologjeve të brendshëm e atij nuk i mjafton gjithë ajo kohë me të cilën s`ngopet duke punuar; e kjo më kujton një thënie të harruar ndoshta të Shopenhauerit në lidhje me kohën sipas të cilit “njerëzit e zakonshëm shqetësohen vetëm se si të kalojnë kohën; njerëzit që kanë talente se si t`i përdorin ato.” Heroi ynë kërkon të ndryshojë botën, realitetin e hidhur që na rrethon dhe kur nuk sheh asnjë rrugëdalje, gati del nga vetja e tij; madje me ngarkesën brënda vetes, me mendimet e shumta, me të cilat nuk po arrin ta ndryshojë këtë realitet, dyshon nëse ka qënë apo jo i njëmendët e ne na shkon mendja se mos heroit tonë, prej ngarkesës së tepërt mendore mundet t`i ndodhë ajo që iu ndodhi të ngjashmëve të dikurshëm të tij Gogolit, Van Gogut apo Mickieviçit e ndonjë tjetri. Njeriu nuk mund të shprehë lehtë mendimin e tij pa pasur një motiv, një shtysë. Kështu është edhe për heroin tonë. Autori arrin ta shpëtojë duke e bindur dhe pajtuar me veten e tij të dytë, që e shqetëson kaq shumë heroin. Nëse ia nxjerr në dukje mendimet e tij këtë e bën vetëm për t`i ardhur në ndihmë shoqërisë dhe realitetit, që ndoshta do të nisë të ndryshojë sado ngadalshëm. Është me vend të theksoj se siç ka shtysa nga kujtime të bukura apo të zeherta qofshin, ka motive e shtysa edhe më të forta, që shfaqen prej ngarkesash e embrionesh metafizike të cilat duan të shpërthejnë për të gjetur dhe ndriçuar edhe më qartë shpirtra dhe embrione të tjerë të ngjashëm me ta. Janë një zgjidhje krejt racionale monologjet e mrekullueshëm që autori ka shprehur me anë të heroit që nuk ka të ngjashëm për të qarë hallet, në këtë botë që nuk ka nge ta kuptojë askush veç tjetrit që rritet e përgjon brenda tij. “E nesërmja, dje dhe sot” na tregon vullnetin e njeriut për të ruajtur fizionominë e së shkuarës së afërt në konfiguracionin e të nesërmes tjetër e cila do të nënshtrohet aq bukur dhe në perfeksion të plotë nga autori Nuredin Nazarko. Pra, nëpërmjet autorit ne mësojmë se kur në moshën e rinisë, duke qënë krej të dëlirë, të drejtë e të pafajshëm, shfaqim meditime të ndryshme filozofike, jetësore, shkollore, profesionale etj. duhet t`i ruajmë ato e t`iu japim një hov të ri kur të jemi pjekur plotësisht, sepse ato kanë kaluar nëpër atë monopat ku ka lindur e është rritur një shpirt i lirë e plot veti të vyera që do t`i shërbejnë shoqërisë. “E nesërmja, dje dhe sot” paraqet me një figuracion të thjeshtë besimin që duhet të ketë njeriu te forcat e veta mendore e shpirtërore, edhe pse shprehja e tyre e mundon shkrimtarin i cili, bash për këto, e vendos heroin përballë një dualizmi të pastër; besimin te vetëdija plot zhvillime embrionale, shpirtërore e metafizike e heroit të ri përballë një shoqërie dhe realiteti tjetër për të cilin heroi ynë shfaq dyshimin e tij si një ambjent i molepsur që has vështirësi në të kuptuarit me saktësi të mendimeve të tij. Për këtë libër prej 85 faqesh mund të zgjatesha shumë për nga sasia e brumit që mbart por po mjaftohem me mendimin tim të fundit për këtë rëfenjë të një ndërtimi krej të veçantë. Në libër është e pranishme edhe ndonjë e metë e vogël në lidhje me korrektimin dhe redaktimin por pas një leximi plot kënaqësi lexuesi sqimëtar do të dijë ta harrojë duke mos e përfillur vogëlsinë e saj. “E nesërmja, dje dhe sot”është shkruar me një stil të veçantë, të dallueshëm nga sa kemi njohur deri sot. Mjetet shprehëse të gjuhës së përdorur e bëjnë stilin e tij autentik. Ritmi dhe harmonia, disi ndryshe edhe këto, e formulojnë më së miri temperamentin flegmatik dhe personalitetin e shkrimtarit. Mjetet e jashtme teknike të ndërtimit të librit si ritmi i frazës dhe toni i fjalës nuk mungojnë. Ndiehet pak mungesa e metaforës por kompensohet me praninë e thjeshtësisë që është kudo e që mbart me vete shumë më tepër seç do të shprehte një metaforë e munguar. Kjo thjeshtësi e gërshetuar krejt natyrshëm me mjetet e mësipërme na bën që ta ndiejmë gjatë ëndën estetike e artistike që ky libër na fal. “E nesërmja, dje dhe sot”, shkruar nga shkrimtari Nuredin Nazarko, dhe heroi i paemër i këtij libri i vë në ngasje lexuesit e sidomos ata me shpirt të llagartë. E përgëzoj autorin për atë llavë plot erupsion dalë nga shpirti i tij i ndjeshëm e i dëlirë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: E nesermja, Gezim Baruti, Nuredin Nazarko

KRIMET SEBE NE NASHEC TE PRIZRENIT

May 14, 2021 by dgreca

Masakra e ushtrisë serbe e vitit 1913 në familjet Kalaj dhe Manreca në Nashec të Prizrenit/

Shkruan: Nue Oroshi/

Marsi i vitit 1913 për fshatrat e Komunës së Prizrenit ishte një muaj vdekjeprurës ku forcat kriminale serbe kryen dy masakra të tmerrëshme në komunën e Prizrenit.Masakra e parë u krye në Kabash ku u vranë dhe u masakruan 112 shqiptar të Kabashit.Për këtë masakër se bashku me publicistin Enver Sulaj, në fillimin e viteve të nëntëdhjeta, kemi botuar shkrimin e parë në revistën “Qellimi“ me titull “Boria ra të pritet Kabashi“ më  pas, pas vitit 1999 kanë shkruar edhe disa studiues të tjerë.Por për masakrën e Nashecit të vitit 1913 ende nuk është botuar asnjë shkrim.Kjo masakër ishte kryer nga ushtria serbe ku ishin masakruar 19 burra të dy familjeve shqiptare.Për familjen Kalaj nga Nasheci e cila humbi 15 djem për një ditë dhe për familjen Manreca po ashtu nga ky fshat, humbi katër djem në po këtë masakër, marsi i vitit 1913 ishte një muaj i tmerrëshem.Kjo Masakër është kryer në Kodër të Nashecit e cila ishte e njohur më herët si Kodra e familjes Kalaj.Kjo ishte një Masakër e cila i mbështjelli në  zi dy familje por nuk mundi që ti shfaros.Të dy këto familje pas kësaj masakre mbijetuan me sakrifica të mëdha ku edhe sot e asaj dite pasardhësit e tyre jetojnë në fshatrat Nashec,Grazhdanik dhe Atmaxhë por të shpërndarë në Evropë dhe Amerikë.

Sa herë që shkruaj për masakrat serbe mbi popullin shqiptar dhe para se ti shënoj emrat e të vrarëve e të masakruarve në mendje me rri gjithmonë vaji i nënave shqiptare kur e kanë marrë lajmin për vrasjen e burrave dhe djemve të tyre.Më rri në mendje vaji i motrave për vëllezërit e tyre që i menduan t´ia qojnë përpara dhe t´ia rrisin votrën por ja që kriminelët serb nuk njohin ligje të luftës kur janë në pyetje shqiptarët por gjatë tërë historisë kanë masakruar popullin shqiptar në të gjitha mënyrat e mundëshme.Në marsin e vitit 1913 nga familja Kalaj u maskaruan 15 meshkuj kurse nga familjes Manreca 4 po i japim emrat e tyre:

            Familja Kalaj :

1.     GJOKË Dodë Kalaj

2.     LAZËR Dodë Kalaj

3.     MARK Gjokë Kalaj

4.     GJOKË Mark Kalaj

5.     DEDË Gjokë Kalaj

6.     BIBË Gjokë Kalaj

7.     LLESH Prekë Kalaj

8.     SIMON Llesh Kalaj

9.     NIKË Llesh Kalaj

10.                       PJETËR Prek Kalaj

11.                       FRROK Pjetër Kalaj

12.                       NUE Prekë Kalaj

13.                       GJON Nue Kalaj

14.                       MARK Nikollë Kalaj

15.                       ZEF Tunë Kalaj

Familja Manrecaj:

16.                       PREN Manrecaj Spaqi

17.                       PJETËR Manrecaj Spaqi

18.                       GJON Manrecaj Spaqi

19.                       MARK Manrecaj Spaqi

Këto familje edhe më vonë kontribuan kombëtarisht ku vlenë të veçohet kontributi kombëtar i Luigj Nikolla Kalaj i cili ishte udhëheqës i Grupit të Lëvizjes Nacional Demokratike      Shqiptare në rrethin e Prizrenit.Ky grup pas veprimtarisë atdhetare në mes të 20 majit  e deri në 26  maj 1959 u arrestuan. Grupi i Luigj Nikolla Kalaj qe i takonte LNDSH(Levizjës Nacional Demokratike Shqiptare) pas nëntë muajsh hetime  u denuan siç vijon:Luigj Nikolla-Kalaj 9 vjet burgë te rëndë,Destan Bajraktari 4.5 vjet,Vehbi Ukimeri 5 vjet,Vahid Kabashi 4 vjet  dhe Jashar Bajraktari 3.5 vjet.

Luigj Nikolla Kalaj pas përfundimit të burgut për t´iu larguar represioneve komuniste vazhdon jetën në Shkup ku pas vdekjës e lenë amanet që të varroset në varrezat e familjes Kalaj në Nashec ku edhe i pushojnë eshtrat këtij atdhetari të Shqiperisë Etnike.

Një qëndresë heroike në këtë familje e tregon edhe Frrok Kalaj.Frroku gjatë sherbimit në armatë mundohet dhe maltretohet psiçikisht nga një oficer serb, i cili e kishte në plan që ta vriste Frrokun.Me siguri do të ketë pasur njohuri ai oficer për atdhetarizmin e familjes Kalaj.Në një mbremje gjatë rojës Frrokut i vjen në kontroll ai oficer dhe pas tri ndalesave që i thotë ti bëj ai nuk ndalet dhe Frroku e vret oficerin serb dhe denohët me disa vite burgim.Pas kryerjes se burgimit shkon në Francë për të punuar, ku pas pensionimit kthehët për të jetuar serish në Kosovë deri në vdekje.Nuk duhet harruar edhe faktin se në familjen Kalaj për një kohë të shkurtër ka gjetur strehim edhe nacionalisti atdhetar dhe luftëtari i Shqiperisë Etnike Ndue Përlleshi.

Një veprimtar i shquar në këtë familje ishte edhe i ndjeri  Nikë (Boqaj) Kalaj veprimtar i viteve të nëntëdhjeta ku e dha edhe një kontribut humanitar,politik e kombëtar edhe pas përfundimit të Luftës së Kosovës 1999. Vdiq në moshë relativisht të re.Duke mos perjashtuar edhe shumë të tjerë nga kjo familje që dhanë kontribute të ndryshme kombëtare nëpër periudha historike siç është rasti i të riut Gjon Zef (Boqaj) Kalaj i cili plagoset rend pas një bastisje që e bën policia serbe në familjen Kalaj në Grazhdanik.

Pasi  që gjaku dhe kujtesa e të rënëve për mbrojtjen e trojeve shqiptare nuk harrohen do të ishte e udhes që këtyre 19 atdhetarëve shqiptarë t´iu ngritët një memorial përkujtimor si shenjë respekti dhe kujtimi për këta burra atdhetar.Një borxh të tillë në dokumentimin e fakteve e kanë edhe institucionet shkencore e politike në Kosovë, për t´iu treguar pushtuesve serb se asnjëherë nuk do ta harrojmë gjenocidin e kryer mbi familjet shqiptare siç  ishte rasti me familjen Kalaj dhe Manreca nga Nasheci,ku Pjetër Manrecaj-Spaqit një  muaj pasi që masakrohet i lind djali Augustini i cili do rritet pa e parë babain e ti kurrë por që do ta ngritë nga hiri i djegur dhe do ta rrisë e zgjeroj trungun familjar .

Të dyja këto familje Kalaj dhe Manrecaj pas disa kohësh u përtrinë me djem të rinj dhe si shenjë kujtimi të posalindurit i pagëzonin me emrat e familjarve të tyre të vrarë në masakrën e vitit 1913 nga ushtria pushtuse serbe.Mirpo kujtimi nuk duhet t´iu lihet vetëm familjarve duhet të kemi kujtesë institucionale dhe shteterore për të gjitha vrasjet dhe masakrat që i ka kryer Serbia në trojet shqiptare prej vitit 1912 e deri në vitin 1999.

Filed Under: Analiza Tagged With: Masakra e Nashecit, Nue Oroshi

Los Anxhelos- “Active Albanians”- Platforma që bashkon shqiptarët

May 13, 2021 by dgreca

Përgatiti E.B. dhe Marsela Bregu/

Marsel Alickolli…

Organizata “Active Albanians” (Shqiptarët Aktiv) u themelua në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni, nga Marsel Alickolli dhe Mario Ismaili. Fillimisht, faqa e facebookut “Active Albanians Los Angeles” shërbeu si platformë për të organizuar aktivitet për komunitetin shqiptar. Të motivuar për të bërë dicka ndryshe, Mario dhe Marseli organizuan një seri  aktivitetesh në zonën e Los Anxhelosit, si “ekskursione” në Palos Verdes, ditë volejbolli dhe plazhi që rezultuan në një pjesëmarrje të suksesshme. 

Duke pasur parasysh interesin e shtuar dhe numrin e anëtarëve të rinj, “Active Albanians” filluan të organizojnë veprimtari shumë të suksesshme. Ndër më të njohurat janë: “Paint Balling” (Shtator 2019), “Rock Climbing” (Shkurt 2019), Mud Run (Shkurt 2020), Bowling (Nëntor 2019), Hiking (Dhjetor 2018), Surfing (Mars 2019). Aktiviteti me ndikimin më të madh nga të gjitha ishte mbledhja e fondeve gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019.

Anëtarët e ‘Active Albanians’ tregojnë se jeta e tyre është ndikuar pozitivisht si rezultat i drejtpërdrejtë i aktiviteteve të grupit. Rena Kujxhiu, një anëtare e ‘Active Albanains’ shprehet: “Unë tani kam më shumë miq shqiptarë që do i kem gjatë gjithë jetës sime vetëm për shkak të aktiviteteve tona.” Besiana Husted tregon se, “Kjo organizatë më ka lejuar të lidhem me pjesë të vetes që mendoja se i kisha humbur qëkur u transferova në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi rritur në mënyrë aq të ngjashme, sa edhe pse nuk jemi rritur së bashku, duket sikur e kemi njohur njëri-tjetrin që kur ishim të vegjël. Eksplorimi i natyrës dhe aventurat tona na kanë lidhur më shumë ndërsa  mësojmë dhe inspirohemi nga njëri-tjetri. Vjen një moment që e kupton sa jemi shumë fatlumë që kemi të njejtën markë: ‘Prodhuar në Shqipëri’.”

“Jam i lumtur të shikoj rritjen dhe impaktin pozitiv që ka sot Active Albanians në Amerikë dhe jo vetëm. Jemi të përkushtuar t’i shërbejmë komunitetit tonë shqiptar dhe shpresojmë të forcojmë akoma më tepër rolin aktiv në Sh.B.A.,” tha Mario Ismaili, bashkë-themelues i shoqatës “Active Albanians”. 

Intervistë me bashkë-themeluesin e organizatës “Active Albanians” Marsel Alickollin

Mund të na tregoni pak për veten tuaj dhe motivimi i krijimit të organizatës “Active Albanians”?  

Marsel Alickolli: Unë kam lindur në qytetin e bukur të Pogradecit dhe u zhvendosa në Sh.B.A. në vitin 2002. Një nga arritjet kryesore në aspektin profesional ka qenë diplomimi në Universitetin DePaul në Çikago në fushën e financës. Pavarësisht se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm që nga dy dekada më parë kur unë u largova nga Shqipëria, unë gjithmonë kam menduar se ne gjithmonë mund të bëjmë diçka më shumë për të forcuar komunitetin tonë. 

Ideja, në fillim, ishte t’i jepja komunitetit tim Shqiptar një shans për të provuar përvoja të reja aktive pa u shqetësuar për kostot, (ne ndamë pajisje për ski, zhytje, peshkim, sërf) dhe ndërkohë t’i lejoja ata të gjejnë miqësi të reja që zgjasin për gjithë jetën. Grupi “Active Albanians” është një  mundësi e mirë për dikë që të gjejë pasione të reja dhe të sfidojë veten ndërkohë që është pjesë e një komuniteti mbështetës dhe miqësor. Nga ana tjetër, ne kemi një sërë aktivitetesh të ndryshme          (madje edhe ato që përfshijnë të gjithë familjen) dhe roli im është të organizoj një larmi eventesh   ku të gjithë ndihen të mirëpritur. 

“Active Albanians” aktualisht është një organizatë modeste por efektive. Qëllimi im është ta kthej këtë grup në një organizatë jofitimprurëse në mënyrë që të siguroj rritje dhe vazhdimësi në të ardhmen.

Kur u themelua klubi “Active Albanians” dhe misioni i grupit?

Marsel Alickolli: Ideja e krijimit të një klubi që shkonte përtej grupit shoqëror, ishte diskutuar shpesh në takimet tona. Sidoqoftë, në 9 Shtator 2018 u hap faqja jonë e parë zyrtare në Facebook “Active Albanians Los Angeles” për komunitetin shqiptar në Los Anxhelos dhe shtetet rrethuese. Më kujtohet që bashkë me Marion diskutonim se si mund ti përhapnim aktivitetet tona në faqet e tjera shqiptare në Kaliforni, Arizona, Nevada që zakonisht ndanin deri diku të njëjtat aktivitete si ne me audiencat e tyre. 

Qëllimi fillestar i klubit ishte të prezantonte anëtarët e tjerë të komunitetit shqiptar me aktivitetet që nuk ishin njohur më parë, dhe të promovonte aktivitete që të gjithë do të sugjeronin. Kjo ishte një qasje e suksesshme që rriti radhët tona dhe na sfidoi të shtrijmë aktivitetet jashtë shtetit tonë të origjinës. Jam i lumtur të them se qëllimi që ne patëm fillimisht, është tani një mision. Është misioni ynë ta kthejmë organizatën “Active Albanians” në një organizatë të strukturuar jofitimprurëse, një organizatë që mund të marrë jetë dhe t’i japë shumë më tepër komunitetit tonë shqiptar krahasuar me fillimet e saj.

Cila është platforma aktuale e klubit?

Marsel Alickolli: “Active Albanians” tashmë ka tre platforma. Faqja origjinale e “Active Albanians Los Angelos” në facebook, një faqe e re e “Active Albanians DFW” (në zonën e Dallas – Forth Worth) në facebook që synon të organizojë komunitetin tonë fantastik në Dallas, dhe një faqe në Instagram “Active Albanians” që ka si funksion të shërbejë si një pikëlidhje për     të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe pse jo në të gjithë botën. Ne shpresojmë që kur të arrijmë statusin jofitimprurës, të gjitha platformat do të lidhen nën një ombrellë të madhe. Qëllimi është bashkimi dhe fuqizimi i shqiptarve kudo ku ata ndodhen.

Cilët janë disa nga organizatorët kur u themelua klubi?

Marsel Alickolli: Unë dhe Mario Ismaili filluam këtë familje modeste dhe si me magji anëtarët filluan të rriteshin. Disa nga anëtarët përfshijnë: Imir Metushi, Rena Kujxhiu, Nasho Aleksi, Sam    Prapaniku, Irini Duro, Besiana Husted, Klejdis dhe Ervina Rodoni, Erjana Rodoni, Joana Marku, Endrit Agastra, Stela Kantiou dhe shumë e shumë të tjerë.

A mund të na flisni për disa nga aktivitetet që grupi ka organizuar?

Marsel Alickolli: Nëse ka diçka për të cilën kjo organizatë krenohet është spektri i larmishëm i aktiviteteve që ka kryer me sukses deri më tani. Ne nuk mund të harrojmë kohën kur djemtë dhe vajzat e “Active Albanians” shkuan të zhyteshin në zonën e mbushur me leshterikë në La Jolla  Kaliforni. Të kapur dorë për dore ngritën nën ujë flamurin Shqiptar dhe atë Amerikan. Ngjarjet e shumta të skijimit në Big Bear dhe Mammoth, Kalifornia nuk kanë qenë vetëm temë e gjunjëve të mavijosur, qepallave dhe historive rreth zjarrit, por gjithashtu kanë pasur një ndikim jo të vogël tek të rinjve tanë që janë pjesë e “Aktive Albanians.” Janë po këta të rinj të cilët mbajnë në zemër moton tonë shqiptare “kurrë mos u dorëzo” dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre personale dhe profesionale. 

Nëse do të zgjidhja një ngjarje që unë personalisht e mbaj si më të rëndësishmen e të gjithave është mbledhja e fondeve që kemi organizuar gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019. Organizata jonë donte të bënte më të mirën për të ndihmuar vendin që na ka dhënë aq shumë ne të gjithëve, identitetin tonë. Ndërsa platforma dhe anëtarët e “Active Albanians” rritën ndërgjegjësimin në komunitet, ne gjithashtu u angazhuam nje mbledhje fondesh për të ndihmuar në lehtësimin e asaj tragjedie për njerëzit tanë në Shqipëri. Logjistika ngriti disa sfida që  shpresojmë të jenë më pak pengesë kur t’a kalojmë këtë organizatë në një organizatë jofitimprurëse.

Çfarë aktivitetesh të tjera ka promovuar grupi?

Marsel Alickolli: Disa muaj më parë ne morëm një sugjerim nga një prej anëtarëve, Jonida Lika për të organizuar një klasë pikture. Për shkak të këmbënguljes së Jonidës dhe gatishmërisë së saj për të organizuar vetë aktivitetin, u realizua, dhe është eventi i vetëm me vajza deri më tani.

Cila ka qenë reagimi nga anëtarët e grupit dhe të tjerët të përfshirë?

Marsel Alickolli: Gjatë kohës që “Active Albanians” ka qenë një grup aktiv, kam parë dy lloj pjesëmarrësish dhe reagimet e tyre janë paksa të ndryshme. Ka nga ata që qëndrojnë anash dhe brohorisin aktivitetet e suksesshme të organizatës sonë. Ky grup është i ndarë midis atyre që ne i quajmë “tifozat e përhershëm”, “atyre që duan, por nuk marrin pjesë” dhe “të konvertuarit”. Tek nën-grupi i parë hyjnë ata që nuk duan asgjë më shumë përveç se të shohin shqiptarët tanë të bashkohen dhe të përmirësojnë jetën e atyre, gjyshërit janë një shembull i këtij nëngrupi. “Ata që  duan, por nuk marrin pjesë” janë ata që kurrë nuk gjejnë guximin të vijnë në të vërtetë dhe të përjetojnë aktivitetet tona pavarësisht nga dëshira e tyre. “Të konvertuarit” nga ana tjetër janë ata  që janë gjithnjë e më afër të bërit pjesëmarrës në secilin aktivitet.

Përveç këtyre tre grupeve, ata që ja vlen të përmenden janë personat aktivë që bashkohen me ne, dhe në fund të fundit, do të kenë më shumë histori rreth zjarrit për nipërit e mbesat e tyre në një natë të gjatë e të ftohtë dimri në të ardhmen. Historia gjithnjë fillon me, “kur isha unë në moshën tënde.”

Cili është mesazhi juaj për rininë shqiptare sot?

Marsel Alickolli: Kur isha i vogël mezi prisja që të rritesha. Si një i rritur, gjithçka që dua është të jetoj si adoleshent. Nga përvoja ime, 10 vjet nga tani, nëse shikoni pas në kohë gjasat janë shumë të ngjashme se do të zhgënjeheni më shumë nga përvojat që nuk keni pasur se sa nga ato që keni jetuar. Gjyshi im në Shqipëri thoshte: “Gjella me kripë dhe kripa me karar.” Me fjalë të tjera, jeta është plot me përvoja dhe njeriu duhet të jetë në gjendje të dalë, eksperiencojë dhe të provojë sa më shumë, por gjithçka me masë. Ndoshta ky është çelësi i një jetë të lumtur, të përmbushur dhe të shëndetshme.

Filed Under: Featured Tagged With: E.B, Los Angeles, Marsel Alickolli, Marsela Bregu

Durrësi që po harrohet në ekspozitën e piktores Emjona Stasi

May 13, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi*

103 tablotë e piktores Emjona Stasi, që janë ekspozuar këto ditë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” kanë gjetur vëmendjen dhe interesimin e ardashësve durrsakë.

Të punuara që të gjitha në gjininë e peisazhit, tablotë e Stasit i bashkon dashuria për qytetin e saj. 

Rrugicat, muret mesjetare, porta e Kalasë, kanatat e dyerve të hershme, kolonat me kapitele mbi krye, dhe gjithçka që e lidh piktoren me Durrësin janë objekti i penelit të saj.

Brenda ekspozitës Emjona Stasi i rikthehet me shumë sukses temave të preferuara, duke shfrytëzuar talentin në grafikë. 

55 punimet-miniaturë në gjininë e grafikës e risjellin qendrën historike të Durrësit, sikur të ishin kartolina nga qyteti që mund të udhëtojnë në të gjithë globin.

Shqetësimi për peisazhet e Durrësit, që po humbasin ndën hijen e shumëkatësheve, i jep më shumë vlerë pikturës së Emjona Stasit, e cila këtë herë i ka kushtuar një ekspozitë të plotë ruajtjes së  identitetit të qytetit.

Kujdesi për ekspozimin e tablove në grupe të veçanta, sipas gjinive dhe vendeve që e kanë frymëzuar, i japin një tjetër vlerë ekspozitës së Emjona Stasit, që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.

Emjona Stasi, një piktore në profesion të lirë

“Të paktën kështu e ndjej vehten që kur kam dalë në pension – thotë artistja në një intervistë. 

“Jam me fat që kam një profesion të tillë. Tani më pëlqen të punoj çdo ditë dhe kam mbështetjen e bashkëshortit tim, inxhinjer ndërtimi. Xhoxhi  e kupton lehtë punën time dhe gëzon njëlloj me mua për një tablo të bukur-vijon piktorja Emjona Stasi, e cila ditët e fundit ka hapur ekspozitën e saj të gjashte personale.

Emjona ka përfunduar studimet për Grafikë, dhe megjithëse e ka zgjedhur vetë degën, shprehet se në tablotë e saj ka mbetur shumë pak nga pasioni i parë. 

“Ja, thuajse në asnjë punë unë nuk përdor ngjyrën e grafistëve, të zezën – thotë ajo duke u drejtuar nga tablotë. “Më pëlqen peisazhi, pasi jam romantike; por ndjehem mirë edhe me natyrën e qetë, ndërsa duhet të provoj më shumë kompozimin – thotë piktorja, e cila ka paraqitur në ekspozitën e fundit në Durrës 77 tablo të përmasave të vogla e të mesme, pjesa më e madhe punime të viteve të fundit.

Emjona ka lindur në Elbasan, por duke qeshur thotë: “nuk e di se nga jam”. 

I jati oficer në atë kohë ka lëvizur bashkë me familjen, deri sa janë vendosur në Durrës. Një edukatore kopështi në Elbasan i ka këshilluar prindët që ta çojnë vajzën e vogël në Lice. 

“Dega e pikturës në shkollën e mesme “Jordan Misja” fillonte vetëm në ciklin e mesëm, por fjalët e edukatores mu ngulitën – shprehet sinqerisht Emjona, e cila nisi ti shohë ndryshe lodrat me plastelinë apo vizatimet e para. Më vonë Sul Sulovari në Elbasan e Agim Shami në Durrës do të drejtojnë pasionin e vajzës së re drejt pikturës.

Mësuesja e artistëve të rinj

Në një qoshe të galerisë “Nikolet Vasia” një mësues  i ri bisedon me nxënësit-piktorë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” mbi karakteristikat piktorike të autores Stasi. 

Piktorja vlerëson mësuesit e pasionuar, si dhe nxënësit që mbajnë në duar dosjet e vizatimeve edhe jashtë shkollës. 

“Megjithatë, më duket se kanë mbetur pak -shton ajo, duke kujtuar kohën kur në degën e sapohapur të arteve figurative në shkollën artistike të Durrësit gjeti disa nga piktorët më të mirë të qytetit. 

“Do të punoja si mësuese shumë vite përkrah piktorëve Skënder Kokobobo, Nikolet Vasia e Gavril Priftuli – thotë Emjona, e cila deri në vitin 1984 kishte dhënë lëndën e vizatimit në shkollat 8-vjeçare.

Emjona Stasi ka dalë në pension thuajse 7 vjet më parë, por askush nga ata që e sheh nuk e beson këtë. 

Elegante në lëvizje, mjaft e qetë dhe e sigurtë në punën e saj, ajo e ka marrë njoftimin e pensionit, ndërsa përgatiste një nga ekspozitat e saj. 

“Më erdhi keq, pasi ishte janar dhe i ndërpreva leksionet me nxënësit në mesin e vitit shkollor, por me sa duket këto janë regullat – nënvizon piktorja, duke kujtuar se kolegët kanë ardhur ta urojnë për pensionin në galerinë ku u hap ekspozita.

Ekspozita nga Atdheu deri në SHBA

Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Buron Kaceli janë piktorët e parapëlqyer të Emjona Stasit, pa harruar Lumturi Blloshmin, piktoren inteligjente, siç e quan ajo. E më pas edhe zonja të tjera të skulpturës si Mira Kuçuku apo Llambrini Dënaj.

Por Emjona vetë ka vendosur shumë vonë të hapë një ekspozitë personale. 

Që nga viti 1977 ajo ka marrë pjesë thuajse në 50 ekspozita kolektive në qytete të ndryshme të vendit tonë, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA. 

“Është një mundësi për tu njohur dhe ballafaquar me kolegët, të cilët sjellin shumëllojshmëri stilesh – thotë Emjona, duke kujtuar edhe përvojat në kolonitë artistike, të organizuara në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. 

Sipas saj, janë eksperiance shumë të mira, por organizatorët nuk duhet të abuzojnë dhe ta quajnë një mundësi tregu – shton ajo.

Emjonës nuk i pëlqen që të marrë diçka që nuk e meriton. Ajo ka refuzuar çdo ndërhyrje që mund ti jepte një çmim të lartë në konkurset e organizuara, duke iu gëzuar vetëm vlerësimeve të sinqerta. Në këtë pikë ajo ndjen se artistët duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në opinionet për krijimtarinë e njeri – tjetrit. 

“Kjo do të na ndihmonte të gjithëve – shprehet çiltazi piktorja. Më pëlqen të kem një përvojë të tillë në SHBA, atje ku kam pasur rast të hap edhe një ekspozitë me 25 punime. 

“Ishte e thjeshtë, aplikova në një bibliotekë – librari dhe fitova të drejtën që përveç pjesmarrjes në ekspozita grupi të hap edhe një personale, me punët e përgatitura gjatë qëndrimit atje-kujton Emjona.

Emjona Stasi që nga viti 1977 ka marrë pjesë në afro 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.

Mësuese dhe studente

Ndërsa në galeri vizitorët ia lenë vendin njeri-tjetrit, bisedojmë së bashku për hapat e parë në pikturë, për nxënësit e saj, por edhe për vendimet e marra vetëm me një fjali, përballë pedagogëve të saj në Lice dhe Institutin e Arteve, të cilët Emjona vazhdon ti quajë “profesorë”, si në shkollë. 

“Për të hapur një ekspozitë nuk duhet vetëm aftësi, por edhe një çikë inat” i ka thënë Emjonës 10 vjet më parë Thoma Thomai. Profesori i skulpturës u bë shkak për ekspozitën e parë të saj, e cila u hap në galerinë private “Jozef”. 

Megjithëse e konsideron vehten “natyrë të tërhequr”, artistja nga Durrësi i ka marrë vendimet për jetën me një fjali. Kështu e ka bindur pedagogen e skulptures Valentina Balli në Lice për pasionin që kishte për pikturën, e po kështu me fjalët “dua ta meritoj shkollën e lartë” i është drejtuar prof. Naxhi Bakallit para se të hynte në Institutin e Lartëtë Arteve (sot Universiteti i Arteve).

Të njejtën gjë ka bërë edhe kur ka parapëlqyer Durrësin, në vend të kryeqytetit menjëherë pas studimeve të larta.

Ja se si shkruan për të Suzana Varvarica Kuka, studiuese e artit: 

“Emjona Stasi trashëgon dashurinë për natyrën, për botën, si banesa jonë e madhe; adhurimin për ngjyrat, dhe vullnetin për dëshmi figurative. Ajo mban një qëndrim të ri komunikimi me rrënjët tona të artit të fillim shëk. XX, gjë e cila më jep entuziasmin ta quaj “Mio-niana e Durrësit”.

*E falenderojmë gazetarin Gezim Kabashi qe e dergoi shkrimin dhe fotografite per lexuesit e Diellit.

Filed Under: Featured Tagged With: Durresi qe po harrohet, ekspozite, Emjona Stasi, Gezim Kabashi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT