NGA GEZIM BARUTI/
Refleksion Mbi librin e Nuredin Nazarkos “ E nesërmja, dje dhe sot “/
E mbarova së lexuari këtë libër e pas një pushimi sa për të pirë një kafe, fillova të sjell ndër mend ato që kisha lexuar. Libri ishte i shkruar sipas shijeve të mia madje më futi edhe më thellë. Pasi nëpërmenda disa gjëra të bukura, që kujtesa ime i kish vendosur në një vend më të dukshëm, po vrisja mendjen për personazhin e këtij libri që mund ta quaj një ese, rrëfenjë, novelë, tregim apo thjesht një traktat mbi idealizmin, puritanizmin e virtytet e një njeriu që falë moralit e personalitetit të tij, si edhe dijeve të fituara me një përkushtim e vullnet të hekurt në kohën e leximeve dhe studimeve të tij, ka mundur të sjellë një krijim disi të veçantë për nga mënyra e kompozicionit dhe mjaft intrigues për të na bërë të ndjejmë kënaqësi gjer edhe thellë subkoshiencës sonë. Pra, nuk m`u kujtua fare emri i heroit të këtij libri dhe unë vendosa ta lexoj përsëri. Në leximin e parë të një libri lexuesi kënaqet me vlera që janë lehtësisht të kapshme, ndërsa me leximin e dytë arrin të hapë shtigje të tjera që falin ëndje artistike e estetike të një shkalle më të lartë. Të mos flasim pastaj për një studiues, që nuk do ta hiqte nga xhepi këtë libër derisa ta “shtrydhte” mirë! Autori e nis me një truk librin. Heroin e tij (nuk ia gjeta emrin edhe pas rileximit) na e paraqet si një plak që rikthehet në fshatin e tij për të mos u larguar më prej andej. Ky plak, në një natë të bukur plot yje, bën një retrospektivë të jetës së tij shkollore e studentore dhe vetëm kaq. Lexuesi kupton pastaj heroin e vërtetë, djaloshin e heshtur e mendimtar. Gjatë leximit, madje qysh në faqet e para, lexuesi prezantohet me heroin e ri dhe, hap pas hapi, fillon të krijojë fizionominë e nxënësit që provon jetën e një asketi në internat e deri sa mbaron studimet e tij, të detyruara e të zgjedhura. Sfera e mendimeve të tij është e gjërë dhe e gjithanshme. Vit pas viti ai ka lexuar e përvetësuar shumë gjëra e në shumë drejtime të të nxënit. Atij nuk i pëlqejnë aq shumë ato që serviren rëndom në shkollë e në jetë që, edhe pse të vlefshme, nuk e kënaqin plotësisht ambicjen e tij. Heroi ynë është një i ri shëmbull, krejt i veçantë me të rinjtë e kohës sonë. Është i mbyllur në veten e tij sepse ngado që hedh hapin nuk arrin të gjejë të ngjashmin me veten, që me siguri do të përbënte një binom të patundshëm e imponues. Në vetëdijën e tij ka mjaft lëndë të pastër e të pasur në embrione. Nuk ka fushë ku mëndja e heroit tonë të ri të mos ketë ckërfitur ndonjë brazdë për të mbjellë dhe rritur idetë e tij, mendimet e tij mbi jetën e njerëzit që e rrethojnë e që ai, pasi i ka njohur mirë, kërkon t`i ndryshojë duke iu dërguar kumte prej së largu! Vetmia e tij është njëherësh edhe tregues për shkallën e lartë të njohjes që sa vjen e zmadhohet, falë atij vullnetit për të mos qënë pjesë e një shoqërie që vlerëson paranë e fituar me pa të drejtë, snobizmin, të dukurit, hipokrizinë dhe shtirjen bajate si të vetmin art të atyre që formojnë këtë farë shoqërie. Autori Nazarko, edhe pse me profesionin e historianit, nuk ka bërë veç fare pak histori në këtë libër. Atë e ka rrëmbyer dashuria për ta shfaqur para nesh heroin e tij, pa u munduar t`i presë kostumin që mund t`i pëlqejë lexuesit të rëndomtë. Dhe na e pikturon apo skicon atë ashtu siç është e siç paraqitet në ambjentin studentor, shoqëror e akademik. Madje lexuesi arrin në përfundimin se autori, megjithë dashurinë e madhe për heroin e tij, i ka hyrë në hak duke na i paraqitur si një shëmbull të përkryer modestie. Heroi i tij, njëherësh edhe i yni, me mendimet e tij për shkollën, paranë, shoqërinë, të metat e virtytet e njeriut, mistikën, nënshtrimin ndaj fatit, individualizmin, egoizmin e të tjera “izma” që gëlojnë nëpër rreshtat e librit, na bind se është një enë, që edhe pse nuk i shfaqet diellit në të gjallojnë plot embrione. Mirëpo nuk ka jetë pa pak diell dhe heroi ynë, më shumë se për t`u ngrohur, del nga guaska e tij sepse është rritur tashmë dhe ajo guaskë nuk e nxë. Ai kërkon të mbetet një maturant i dikurshëm, anipse ka mbaruar universitetin. Por është e vështirë! Ambjenti ka ndryshuar tërësisht. Heroi ynë ka njohur tipa e prototipa njerëzish dhe egoja e tij për të mos lëvizur nga istikami e bën që të rezistojë por jo deri në fund. Heroi kërkon të mos ndryshohet asgjë me forcë duke na sjellë ndërmend Tolstoin e pavdekshëm, që e kish lexuar prej kohëve të vetmisë. Atij nuk i pëlqen kjo shoqëri e zvetënuar labirinthesh të errëta. Nuk e mohon këtë shoqëri që nuk arrin të kuptojë mendimet e tij të vyera; sepse ka besim të palëkundur për atë ç`ka i ka caktuar vetes të jetë. Kërkon të jetë një njeri model, pa të meta dhe i vendosur për të mos qënë pre e egos së tij; pra, të mbetet i përkorë në formimin e tij të hershëm prej puritani. Kërkon të ndryshojë botën që e rrethon e është në një dualizëm me egon e tij, kur ende nuk i ka arritur vitet e pjekurisë. Heroi ynë është disi i pazakontë. Monologjet e tij, si një shprehje dhe nevojë prej mungesës së të ngjashmëve me personin e tij, të kujtojnë idealizmin e kulluar rob i të cilit ai kish vendosur të ishte deri në fund. Duke dyshuar nëse ka qënë përherë në anën e duhur dhe të drejtë të kujton, pa mëdyshje, tolstoizmin që fle brënda tij. Vetmia e tij në mendime e në veprime përforcohej sa herë që ai nuk mund të futej në rezonancë me turmën. Ishte dhe mbeti një ëngjëll mes djajsh! Çiltërsia dhe sinqeriteti i heroit të bën për vete kur shprehet për botën femërore. Ai ishte tamam puritan në këtë fushë por mendimet e shprehura tregojnë për përftimet prej hulumtimeve e studimeve të shumta e këtu bie në sy prirja për të mos harruar, pse jo për ta çuar më tej mendimin filozofik, e them me bindje të plotë, të shprehur nga Platoni e Shopenhaueri. Nëse kritika jonë institucionale, krejt apatike qysh se vdiq realizmi socialist, nuk do të kishte harruar për tu shprehur, heroi i librit të Nazarkos do të kundrohej si prototipi i letërsisë së re shqipe; madje edhe vetë libri do të ishte një risi për nga stili i veçantë dhe thurja dhe ai është i tillë, paçka se kritika jonë është e zënë me nxjerrjen në pah të aradhes së madhe të miqve mediokër. Mirëpo tek ne që të glorifikohesh, kurorëzohesh apo të marrësh atë që të takon, duhet të kesh firmosur diku në ndonjë korridor të errët dhe N. Nazarko nuk është aq i vjetër në moshë që të ketë lënë dikund nënshkrimin e tij të pastër të bëhet lak për armiqtë e pushtetit popullor… Por, le të mos e harrojmë heroin tonë të dashur, që ndoshta nuk kam shumë të drejtë ta quaj të paemër sepse më kujtohen thëniet e shumë autorëve që shprehen se kur flitet për njeriun, si specie, flitet për gjithë njerëzit e tjerë, madje po citoj një ndër të shumtët dhe pikërisht Karl Jaspers-in, në mos u gabofsha, i cili thotë tekstualisht: “Kur shkruajmë për njeriun, kemi shkruar për të gjithë njerëzit”. Nazarko ka pasur mundësi që ta pagëzonte heroin e tij por duke e lënë pa emër ka lënë të kuptohet se gjithsecili mund të vendosë emrin e vet; sepse shqetësimi për çështjet morale nuk është vetëm për një njeri apo një periudhë kohe të caktuar të historisë së njeriut mbi tokë por shqetësim i qënies njerëzore si emërues i përbashkët i shoqërisë dhe shqetësim që kapërcen kufijtë e kohës fizike. Mund të shkruhet mjaft gjatë për këtë hero të paemër, që nëse do të njihej mirë në rrethet letrare e artistike do të kishte bërë vërtet emër, por po mjaftohemi më tepër me ndërtimin e brendisë së tij që mund të shërbejë si shëmbull për të ndërtuar një shoqëri krejt tjetër nga ajo që ka provuar ai. Një shoqëri me njerëz plot virtyte, që e duan njëri-tjetrin e ku të mos ketë vend për urrejtje; që të jenë të lidhur ngushtë e pandashëm me të drejtën e të vërtetën; që të jenë të dhënë pas mësimit e dijes, larg zvetënimit e rendjes pas fitimit në mënyrë të pandershme, larg veseve të këqija dhe shthurrjeve pa fre. Pra, është një hero shumë edukativ për kohën që po jetojmë dhe autori e ka ngjyer penën në kallamarin e shpirtit të tij për ta bërë shumë të dashur edhe për lexuesin. Heroi ynë është një talent i padiskutueshëm kur shpalos dhuntitë e tij nëpërmjet atyre monologjeve të brendshëm e atij nuk i mjafton gjithë ajo kohë me të cilën s`ngopet duke punuar; e kjo më kujton një thënie të harruar ndoshta të Shopenhauerit në lidhje me kohën sipas të cilit “njerëzit e zakonshëm shqetësohen vetëm se si të kalojnë kohën; njerëzit që kanë talente se si t`i përdorin ato.” Heroi ynë kërkon të ndryshojë botën, realitetin e hidhur që na rrethon dhe kur nuk sheh asnjë rrugëdalje, gati del nga vetja e tij; madje me ngarkesën brënda vetes, me mendimet e shumta, me të cilat nuk po arrin ta ndryshojë këtë realitet, dyshon nëse ka qënë apo jo i njëmendët e ne na shkon mendja se mos heroit tonë, prej ngarkesës së tepërt mendore mundet t`i ndodhë ajo që iu ndodhi të ngjashmëve të dikurshëm të tij Gogolit, Van Gogut apo Mickieviçit e ndonjë tjetri. Njeriu nuk mund të shprehë lehtë mendimin e tij pa pasur një motiv, një shtysë. Kështu është edhe për heroin tonë. Autori arrin ta shpëtojë duke e bindur dhe pajtuar me veten e tij të dytë, që e shqetëson kaq shumë heroin. Nëse ia nxjerr në dukje mendimet e tij këtë e bën vetëm për t`i ardhur në ndihmë shoqërisë dhe realitetit, që ndoshta do të nisë të ndryshojë sado ngadalshëm. Është me vend të theksoj se siç ka shtysa nga kujtime të bukura apo të zeherta qofshin, ka motive e shtysa edhe më të forta, që shfaqen prej ngarkesash e embrionesh metafizike të cilat duan të shpërthejnë për të gjetur dhe ndriçuar edhe më qartë shpirtra dhe embrione të tjerë të ngjashëm me ta. Janë një zgjidhje krejt racionale monologjet e mrekullueshëm që autori ka shprehur me anë të heroit që nuk ka të ngjashëm për të qarë hallet, në këtë botë që nuk ka nge ta kuptojë askush veç tjetrit që rritet e përgjon brenda tij. “E nesërmja, dje dhe sot” na tregon vullnetin e njeriut për të ruajtur fizionominë e së shkuarës së afërt në konfiguracionin e të nesërmes tjetër e cila do të nënshtrohet aq bukur dhe në perfeksion të plotë nga autori Nuredin Nazarko. Pra, nëpërmjet autorit ne mësojmë se kur në moshën e rinisë, duke qënë krej të dëlirë, të drejtë e të pafajshëm, shfaqim meditime të ndryshme filozofike, jetësore, shkollore, profesionale etj. duhet t`i ruajmë ato e t`iu japim një hov të ri kur të jemi pjekur plotësisht, sepse ato kanë kaluar nëpër atë monopat ku ka lindur e është rritur një shpirt i lirë e plot veti të vyera që do t`i shërbejnë shoqërisë. “E nesërmja, dje dhe sot” paraqet me një figuracion të thjeshtë besimin që duhet të ketë njeriu te forcat e veta mendore e shpirtërore, edhe pse shprehja e tyre e mundon shkrimtarin i cili, bash për këto, e vendos heroin përballë një dualizmi të pastër; besimin te vetëdija plot zhvillime embrionale, shpirtërore e metafizike e heroit të ri përballë një shoqërie dhe realiteti tjetër për të cilin heroi ynë shfaq dyshimin e tij si një ambjent i molepsur që has vështirësi në të kuptuarit me saktësi të mendimeve të tij. Për këtë libër prej 85 faqesh mund të zgjatesha shumë për nga sasia e brumit që mbart por po mjaftohem me mendimin tim të fundit për këtë rëfenjë të një ndërtimi krej të veçantë. Në libër është e pranishme edhe ndonjë e metë e vogël në lidhje me korrektimin dhe redaktimin por pas një leximi plot kënaqësi lexuesi sqimëtar do të dijë ta harrojë duke mos e përfillur vogëlsinë e saj. “E nesërmja, dje dhe sot”është shkruar me një stil të veçantë, të dallueshëm nga sa kemi njohur deri sot. Mjetet shprehëse të gjuhës së përdorur e bëjnë stilin e tij autentik. Ritmi dhe harmonia, disi ndryshe edhe këto, e formulojnë më së miri temperamentin flegmatik dhe personalitetin e shkrimtarit. Mjetet e jashtme teknike të ndërtimit të librit si ritmi i frazës dhe toni i fjalës nuk mungojnë. Ndiehet pak mungesa e metaforës por kompensohet me praninë e thjeshtësisë që është kudo e që mbart me vete shumë më tepër seç do të shprehte një metaforë e munguar. Kjo thjeshtësi e gërshetuar krejt natyrshëm me mjetet e mësipërme na bën që ta ndiejmë gjatë ëndën estetike e artistike që ky libër na fal. “E nesërmja, dje dhe sot”, shkruar nga shkrimtari Nuredin Nazarko, dhe heroi i paemër i këtij libri i vë në ngasje lexuesit e sidomos ata me shpirt të llagartë. E përgëzoj autorin për atë llavë plot erupsion dalë nga shpirti i tij i ndjeshëm e i dëlirë.