• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE

July 31, 2021 by s p

Shkrimtari Ag Apolloni paraqet para publikut romanin e tij më të ri dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra , dhënë Editorit Sokol Paja, shkrimtari Ag Apolloni shprehet se ky roman dokumentar flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

“NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE”

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda strukturës gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, nëpërmjet figurës së Elie Ëiesel-it (i cili i vizitoi shqiptarët në kampe dhe bëri një raport mbi ta për Shtëpinë e Bardhë) vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës. Nga Ministria e Kulturës në Kosovë dokuromani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është shpërblyer si romani më i mirë i vitit 2020.

ZONJA PREJ ZJARRI, GRUAJA PREJ GURI

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij. 

PASHKA E DOGJI VETEN DHE E DOGJI VDEKJEN

Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura.    

LARG SHKREPSË, KA ENDE SHPRESË

Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthi-min e bijve dhe bijave, mund ta humbin duri-min, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë!  E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë. Kësaj here emrat e tyre ua përcaktuan fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes kaloi oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përkohshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti ferdane, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato mbetën si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?

KUSH  ËSHTË AG APOLLONI?

Ag Apolloni (1982) është shkrimtar nga Kosova. Ka kryer studimet për Dramaturgji në Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku ka doktoruar më 2012. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re, ndërsa nga viti 2013 është kryeredaktor i revistës kulturore Symbol. Po ashtu, është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008.  Veprat: Zomb (poezi, 2009), Historia e një koleksionisti të syve (drama, 2010), Parabola postmoderne (studim, 2010), Paradigma e Proteut (studim, 2012), Ulurima e Ujkut (roman, 2013), Zazen (roman, 2014), Koferi i Konicës (ese, 2016), Hamleti simbas Horacit (dramë, 2017), Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (dramë, 2018), Mesjeta ime (autobiografi, 2019), Commentum 1, 2, 3 (ese, 2019 ), Sandalet e Senekës (poezi, 2020), Një fije shprese, një shkrepëse (roman, 2020). Shpërblimet: “Libri më i mirë poetik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”; “Libri më i mirë kritik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”; “Romani më i mirë i vitit” (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”; “Drama më e mirë e vitit” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”; “Romani më i mirë i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.  

Filed Under: Featured Tagged With: Ag Apolloni, Sokol Paja

ISH-KONGRESISTË AMERIKANË PESË DITË NË KOSOVË

July 30, 2021 by s p

PRISHTINË, 30 Korrik 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

 Ish-kongresistët Amerikanë Peter Roksam e Nick Rahall kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, ku janë pritur në takime nga drejtues institucionalë e politikë. Pjesëmarrja e tyre në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës është përshëndetur edhe me duartrokitje. Në takime janë shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

KRYEMINISTRI KURTI PRITI NË TAKIM ISH-KONGRESISTËT AMERIKANË, NICK RAHALL DHE PETER ROSKAM

 Dy ish kongresistët amerikanë, z.Nick Rahall dhe z.Peter Roskam, janë pritur në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nga kryetarja e Komisionit parlamentar për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis e planifikim hapësinor dhe infrastrukturë, Fitore Pacolli. Kryeministri Kurti i njoftoi ish-kongresistët me prioritetet e programit qeverisës dhe rezultatet e arritura në njëqinditëshin e parë të qeverisjes. Në takim u diskutua për investimet e nevojshme të bizneseve nga diaspora dhe atyre amerikane në Kosovë. Kryeministri tregoi hapat që ka ndërmarrë qeveria për përmirësimin e klimës për investime. Ai falënderoi ish-kongresistët për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ata shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në fushën e mbrojtjes së mjedisit, investimeve në energji dhe infrastrukturë. Ish-kongresistët kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, me ftesë të komisionit parlamentar që e udhëheq deputetja Pacolli, në kuadër të programit “House Democracy Partnership”.

KRYEKUVENDARI KONJUFCA PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E INSTITUTIT REPUBLIKAN NDËRKOMBËTAR

 Kyetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), në përbërje të ish-anëtarëve të Kongresit të SHBA-së, Peter Roksam e Nick Rahall, dhe stafit të zyrës qendrore të IRI në SHBA e Kosovë, Nesti Gjeluci, Maggie Stewart, Erin McMenamin, Marta Onorato dhe Betime Hoxha.  Anëtarët e delegacionit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, pasi shprehën ngushëllime për viktimat e aksidentit tragjik të së dielës në Sllavonski Brod të Kroacisë, e njoftuan kryekuvendarin Konjufca lidhur me veprimtarinë dhe projektet e këtij Instituti, me fokus të veçantë organizimin e aktivitetit pesë-ditor me kryetarët e grupeve parlamentare në kuadër të programit House Democracy Partnership (HDP). Kryekuvendari Konjufca e çmoi lart kontributin e IRI në avancimin e reformave të legjislativit të vendit dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit. Instituti Republikan Ndërkombëtar është themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 1983 për të mbështetur konsolidimin e demokracive dhe sundimin e ligjit në botë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Glauk Konjufca, kosova

Mbi zhgënjimin e Kosovës nga Rama

July 30, 2021 by s p

Mbrëmë e sot, reagimet ishin të shumta në lidhje më vëndimin e Ramës për mini-schengenin – diçka që në të vertetë edhe pritej ta bënte. Ajo që më bëri përshtypje ishte habia e opinionit në Kosovë. Duket se kishin pritshmëri të larta; shumë ndihëshin disi të tradhëtuar. Prandaj, sinqerisht, më erdhi shumë keq që bashkëkombësit nga Kosova janë zhgënjyer me Ramën.
Mbase ai fjalimi i famshëm që pati bërë në Beograd, që kërkoi njohjën e Kosovës së pavarur, krijoi iluzione. Nuk e di se çfarë pritet nga dikush që vjen nga ish-PPSH-ja, partia që me të drejtë mund të quhët çnjerëzore e antikombëtare? Partia që institucionalizoi përçarjet veri-jug, që shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malësisë i quante e çmonte si të huaj d.m.th.
“jugosllavë”. Madje-madje, përgjatë asaj periudhe edhe i burgoste ose pushkatonte ata që arratiseshin për në Shqipëri. Për ata që, naivisht, mund t’i kenë harruar ose shpërfillur rrënjët e partisë së tij e kuptoj që është zhgënjyese, sepse bëhet fjalë për Kryeministrin e shtetit amë. Por për fatin tonë të keq pasardhësit politik të kësaj shtrese e kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë idetë dhe interesat kombëtare. Patriotizmi nuk ka qenë asnjëherë vlerë për ta. E gjithë filozofia e tyre është e bazuar në fuqi, oportunizëm edhe materializëm. Thjeshtë nuk mund të prisni asgjë nga një klasë politike, që nderon e dekoron kriminelët e diktaturës, dhunuesit e popullit dhe xhelatët e figurave më të ndritura kombëtare, të nderojë
vuajtën dhe viktimat në Kosovë. Siç mund të shihët, çështja në fjalë nuk është vetëm politike apo kombëtare, por mbi të gjitha parimore, etike, morale. Pikërisht këtu qëndron problemi, qoftë në raport me politikën e mbrendëshme, qoftë me atë të jashtmën. Mjafton të shihni mënyrën si shoku Rama çqeverisë Shqipërinë. Betonizojnë lumenjtë më të
bukur të rajonit, shkatërrojnë teatret, monumentet historike e mbi to ndërtojnë pallate private, shkollat private ia ‘dorëzojë’ herë gylenistëve e herë erdoanistëve, etj. Që nga ardhja e tyre në pushtet mbi 600.000 veta kanë braktisur atdhenë, shumica e rinisë ëndërron poashtu të emigrojë. Jo më kot për nga numri i azilkërkuesve Shqipëria rradhitet me vëndet si Siria, Afganistani, etj. Të gjitha këto fakte të hidhura flasin shumë. Kjo lloj qeverie nuk mbron dot as interesat e qytetarëve të vet, ndonëse nga kushtetuta e ka për detyrë që të mbrojë edhe ato të shqiptarëve jashtë kufirit. Shpresoj që nostalgjikët e frymës enveriste, që mund të jenë tek-tuk, në rrallët e partive të majta në Kosovë të zënë mënd një herë e mirë, e të kuptojnë se ku qëndron problemi. Po deshën mund ta lavdërojnë apo mbrojnë ish-regjimin, por të mos harrojnë se për ta, njësoj si për pasardhësit e tyre, kosovarët janë vetëm “miq e fqinj,” se „vëllazëri“ kanë me kinezë e dreq të mallkuar.

-Albert Bikaj, politolog nga Malësia, Mal i Zi.

Filed Under: Komente Tagged With: Albert Bikaj, kosova

LDK Oponencë Edi Rames: Njohja e Kosovës para bashkëpunimit pa kufij!

July 30, 2021 by s p

PRISHTINË, 30 Korrik 2021-Gazeta DIELLI/ Lidhja Demokratike e Kosovës dërgoi sot këtë deklaratë per Gazeten DIELLI/

Qëndrimi i kryetarit Abdixhiku dhe LDK-së mbi ‘Open Balkan’  

 “Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’.

Njohja para bashkëpunimit pa kufij!  

Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së.  

 ‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.  

Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim.  

Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon.”  

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdixhiku, LDK, Njohja e Kosoves

IDENTITETI POLITIK DËSHMI E PARIMEVE SHOQËRORE

July 30, 2021 by dgreca

Në gamën e gjerë të identitetëve  bën pjesë edhe identiteti politik dukuri e njohur edhe më parë por në pluralizëm ka dimension të veçantë nga fakti se në mjediset multinacionale në pluralizëm çdo entitet përfaqësohet më subjetkin e vet politik që si mision ka avancimin e pozitës dhe statusit të popullit përkatës. Në këtë aspekt identiteti politik për shqiptarët në Mal të Zi paraqet sfidë të veçantë, në raport me pushtetin si pasojë e pabarazisë qytetare e nacionale në monizëm dhe të modifikuar tash në pluralizëm. 

Nail  Draga

Trajtimi i identitetit politik paraqet çështje me interes jo vetëm sociologjik për çdo mjedis, andaj ka peshë të veçantë në diferencimin e individëve apo grupëve të ndryshme sociale. Nëse në kohën e monizmit trajtimi i tillë ishte i ndaluar, sepse partia-shtet ishte mbi të gjitha, në pluralizëm qytetarët përjetuan frymarrje tjetër, sepse iu ofroua mundësia të zgjedhin subjektin politik sipas preferencës së tyre. Dhe nga ajo kohë kemi të bëjmë me binomin pozitë-opozitë në skenën politike, ku identiteti politik ka të bëjë enkas me mbeshtetjen e një subjekti politik në zgjedhje me qellim për të qeverisur  në mjedisin përkatës. 

Shqiptarët pjesë e skenës politike

Duke ndjekur rrjedhat politike të kohës edhe  shqiptarët në Mal të Zi me miratimin e pluralizmit arriten të organizohen politikisht, duke formuar subjektin e parë nacional në këtë mjedis. Ndonëse këshilli inicues i subjektit politik mbajti mbledhjen e vet në Ulqin me 26 gusht 1990, kuvendi themelues u mbajt me 9 shtator 1990 në Tuz, duke e emërtuar subjektin politik me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi(LDMZ). 

Një veprim dhe organizim i tillë nga  shqiptarët u prit me entuziazëm, ndërsa e kundërta ishte  nga qarqet hegjemoniste  në Mal të Zi, sepse ata mendonin së shqiptarët duhet të mbesin ende nën ombrrelën e tyre politike si në kohën e monizmit. Pikërisht nga një qasje e tillë  nuk kanë munguar reagimet negative në media, duke harruar se monizmi kishte marrë fund dhe së pluralizmi politik ishte një realitet i ri edhe në Mal të Zi, përkatësisht në Jugosllavi, e cila numëronte muajt  e fundit të ekzistimit. Në zgjedhjet e para pluraliste me 9.12.1990, në mënyrë plebishitare shqiptarët  votuan për LDMZ, duke dëshmuar vetëdije politike  dhe identitet kombëtar, ku në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA), fituan katër deputet, nga 12 sa kishte gjithsej ky koalicion. Ishte ky një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës se do të angazhohen për përmirësimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis. Por, nuk shkoj shumë sepse në sajë të egoizimit e ambicieve lideriste me pas u formuan edhe parti tjera(UDSH,PPD,FORCA,ASH,PD etj.), duke qenë numër i lartë për një mjedis dhe popullsi të vogël në numër, që nuk ishte në interes së popullsisë shqiptare.

Interesi mbi parimet 

Në politikë si veprimtari shoqërore kur në rend të parë janë interesat e individëve, apo klanëve të ndryshme që janë pjesë e partive politike, edhe koalicionet e ndryshme jo parimore  nuk paraqesin befasi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse nuk kemi të bëjmë me parimet por me interesat e ndryshme.

Kujtojmë me këtë rast  vitin 1996, kur në nivel lokal në Ulqin  LDMZ arriti të bëjë koalicion me Lidhjen Liberale të Malit të Zi, në vend që të bënte me UDSH-në. Ishte ky sinjali i parë destruktiv, duke eliminuar vlerat dhe parimet kombëtare. Dhe nga ky rast në Ulqin më vonë kemi pasur edhe koalicione tjera jo parimore, si në vitin 2006, koalicioni UDSH-DPS, nga del se në rënd të parë kanë ardhur në shprehje interesat personale e klanore e jo parimet politike  apo kombëtare.

Se votat e elektoratit votues mund të komandohën në drejtimin e duhur për të përcaktuar votuesin dëshmon rasti i votimit të përseritur në dy vendvotime në zgjedhjet lokale në Ulqin(18 shkurt 2018). Kemi të bëjmë me dy  vendvotime(Darzë dhe Komunale) që përcaktuan parti të parë DPS-in, në nivelin lokal, përmes votave të votuesve të UDSH-së. Dhe jo vetëm kaq por UDSH dhe PD me pas kanë mbeshtetur kandidatin e  DPS-it për kryetar të komunës duke ia mundësuar  këtë pozitë  për të parën herë pas 28 viteve në pluralizëm. Ndërsa, po të ishte vullneti politik nga ana e tyre, tri partitë politike nacionale(FORCA, PD dhe UDSH) pasi së bashku fituan 18 këshilltarë, kanë pasur mundësi për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e komunës nga ana e tyre. Por, kur egoizmi e gjelozia është mbi arsyen, nuk mund të ekzistojë qasja parimore, sepse kanë dominuar interesat e ngushta individuale në nivel lokal në raport me pushtetin qendror(DPS), duke dëshmuar se interesi politik është mbi ate kombëtar.

Nuk ka dilemë së ky rast do të mbesë i shënuar si paradoks i llojit të vet në skenën politike në Ulqin, dhe mesazh për brezat në të ardhmën se si nuk duhet të veprohet, sepse Ulqini nuk është pronë e disa individëve apo klanëve  me interesa ekskluzive por i të gjithë atyre qe kanë mbeshtetur partitë nacionale.

Relativiteti i përkatësisë politike

Ka vite që sintagma “përfaqësimi autentik” është bërë pjesë e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, që  ka të bëjë enkas për popujt e ndarë, apo siç quhen këtu popujt pakicë. Dhe është pikërisht kjo sintagmë e cila bën edhe diferncimin politik, pikërisht me përfaqësimin politik i cili është i rezervuar vetëm për partitë politike nacionale. Nuk ka dilemë se janë votat ata të cilat përcaktojnë peshën e çdo subjekti politik,  por, pavarësisht sa do të jetë pesha e tyre politike përfaqësues autentik mbesin subjektet nacionale si në nivel lokal dhe ate qendror. 

Në krahasim me përkatësinë kombëtare, përkatësia politike është relative, ajo është në varshmëri të rrethanave shoqërore, sipas dëshirës dhe interesave të individit. Në këtë aspekt koha e pluralizmit është dëshmi e një konstatimi të tillë, ku as shqiptarët në Malt të Zi nuk janë përjashtim. 

Përvoja e deritashme dëshmon se në sajë të interesave të ndryshme  subjektet politike kanë kriuar koalicione jo parimore, që ka ndikuar në  luhatje të  elektorati votues i shqiptarëve në mbeshtetje të partive nacionale të shqiptarëve. Kemi të bëjmë me dukurinë e kohezionit brenda shqiptarëve, që është rezultat i veprimit të pushtetit për dobësimin  e subjektëve politike shqiptare, duke ulur rolin dhe peshën e tyre politike.  Por, në lidhje me këtë çështje  duhet theksuar dobësinë e subjektëve politike  shqiptare, që janë veçuar me sjellje autokrate dhe të interesave personale e klanëve të ndryshme. Pikërisht një sjellje e tillë ka ndikuar qe individë të ndryshëm të ndërrojnë partitë politike, dukuri e cila është e pranishme edhe te elektorati votues shqiptar.

Nuk ka dilemë se nëse do të vazhdojë ky kohezion  brenda elektoratit votues shqiptar, do të rrezikohet identiteti politik i shqiptarëve, e më këtë edhe pjesëmarrja e përfaqësimi në strukturat qeveritare në nivelin lokal e ate qendror. Fjala është për përfaqësuesit autentik të zgjedhur dhe ata të emëruar, që duhet të jenë profesionist të dëshmuar, por edhe persona me autoritet shoqëror.

Forumi shqiptar në Tuz model i suksesit

Kur ekziton  dëshira për bashkëpunim nuk ka dilemë se suksesi nuk do të mungojë, ku si model duhet të na shërbejë Tuzi. Fjala është për zgjedhjet lokale të mbajtura me 3 mars 2019, për të parën herë për komunën e pavarur të Tuzit, për Malësinë. Të vetdijshëm se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar, duke sfiduar kundërshtarët politikë, pjesëmarrës në këto zgjedhje, u formua FORUMI SHQIPTAR në kuadër të cilit ishin subjektët politike shqiptare që veprojnë në Malësi(Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve).Ky bashkim ishte i qelluar dhe arriti fitore në zgjedhjet lokale, ku u mbeshtet nga një këshilltar i Demokratëve, duke formuar pushtetin lokal dhe zgjedhur kryetarin.

Përfundimisht zgjedhjet lokale në Tuz me 3 mars 2019 dhe fitorja e Forumit Shqiptar, duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për të gjithë ata qe skenën politike e shohin si mundësi avancimi të çështjës shqiptare në Mal të Zi, e jo të interesave dhe të përfitimeve personale.

Moskoordinimi  pengesë për unitet

Ndonëse kanë ekzistuar zëra së para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shqiptarët do të koordinohen me mundësi reale për të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore,  ndonëse në këtë aspekt ka pasur angazhime si nga Tirana e Prishtina e sidomos nga diaspora jonë në SHBA, koalicioni nuk u realizu. Dhe shkaku qendronte në ambiciet lideriste për të qenë bartës i listës, duke mos respektuar realitetin politik brenda vet  skenës politike të  shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe animozitetin e dëshmuar në mes udhëheqësve të partive politike, nuk ka pasur mundësi të realizohet një koalicion i dëshiruar, që do të eliminonte ndarjët edhe të elektorati votues shqiptar. Mëgjithatë dy listat e shqiptarëve fituan nga një deputet; Lista Shqiptare 6.488 vota apo  1.58% dhe Koalicioni shqiptar 4.675 vota apo 1.14%, që gjithsej janë 11.163 vota, duke dëshmuar se elektorati votues shqiptar mbeshtet ende partitë politike shqiptare, pavarësisht divergjencave ekzituese.

Mision avancimi i statusit e jo i interesave 

Në të ardhmën për të eliminuar këto deformime duhet gjetur mundësi për bashkëpunim ne mes subjektëve politike shqiptare, ku një platformë platformë politike për shqiptarët duhet të jetë e obligueshme  për zgjedhjet lokale e ato qendrore. Vetëm  një veprim i tillë do të dëshmonte seriozitet para elektoratit votues shqiptar, me mision avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në  Malit të Zi, e jo të interesave personale e klanëve të tyre.

Mos koordinimi i subjektëve politike të shqiptarëve në sajë të sindromit të liderizmit e  animozitetit të  udhëheqësit e subjektëve politike, ka ndikuar në kohezionin të elektorati votues shqiptar. Pikërisht, nga një situatë e tillë kanë përfituar  subjektët  politike qytetare(malazeze) që është  dëshmuar në zgjedhjet lokale e parlamentare, ku Ulqini paraqet rast për hulumtim.

Përfundimisht  identiteti politik varët në sajë të rrethanave shoqërore duke mbetur  çështje  e hapur dhe si e tillë është relative, ndërsa identiteti kombëtar  mbetet vetëdije dhe ndërgjegje mbarëkombëtare tash dhe në të ardhmën. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Identiteti Politik, Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT