• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Filmi dokumentar “Mbijetesa dhe shkolla”

October 15, 2021 by s p

Prezantohet edhe në DEA Open Air International Film Festival në Tiranë

Nuhi Bytyçi-Producent i filmit

Filmi dokumentar “Mbijtesa dhe shkolla”, me skenar e producent Nuhi Bytyçi, me regji të Ilir Kabashit dhe drejtor fotografie Bekim Qyqalla, do të prezantohet edhe në kuadër të DEA Open Air Internacional Film Festival që mbahet nga 15 – 19 tetor të këtij viti në Tiranë. Ky projekt filmik i realizuar pas punës intensive më se 2 vjeçare të ekipit profesionist të Kompanisë filmike “IDEA” në Prishtinë dhe që është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nga organizatori i Festivalit është paraparë që të shfaqet të shtunën më 16 tetor në orën 11:00 në ambientet e Universitetit të arteve në kryeqytetin shqiptar në Tiranë.

Të përkujtojmë se  filmi “Mbijetesa dhe shkolla” deri tani ka marrë pjesë me sukses në 21 festivale me renome ndërkombëtare të filmit dokumentar. Në një konkurrencë të madhe ndërkombëtare, filmi është vlerësuar lartë nga juritë profesionale të festivaleve të filmave dokumentarë në vende të ndryshme të botës, ku ka marrë 11 çmimin e parë, duke u shpallur filmi më i mirë dokumentar i metrazhit të shkurtër.

Gjatë muajve të ardhshëm ky film do të prezantohet edhe në disa festivale të njohura në mbarë botën.

Filed Under: Kulture

ORNELLA DAROVA, NJË SUKSES SHQIPTAR NË UNIVERSITETIN E PENSILVANISË

October 15, 2021 by s p

Ornella Darova, doktorante pranë Universitetit të Pennsylvanias, konsulente për Bankën Botërore për rritjen e firmave në Ballkanin Perëndimor, dhe konsulente për OECD mbi çeshtjet e rregullimit dhe konkurrencës në ekonomi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, studimet në Itali dhe Amerikë, eksperiencën në Ugandë dhe Sierra Leone, punën në Bankën Botërore, analizon shqiptarët në diasporë, modelin ekonomik të Shqipërisë dhe krizën e energjisë. Me Ornella Darovën bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

NJË SHQIPTARE KONSULENTE PËR BANKËN BOTËRORE

Ornella është një vajzë shqiptare dhe italiane që adhuron historinë shqiptare dhe ka një lidhje shumë të fortë me të. Kam lindur në Itali, ku edhe kam studiuar, dhe jam diplomuar në ekonomi pranë Universitetit Bocconi. Gjatë masterit kam marrë pjesë në disa projekte shkencore në vende të Afrikës Subsahariane. Kam punuar në Ugandë dhe Sierra Leone duke u specializuar në ekonominë e zhvillimit. Pas masterit jam punësuar pranë Bankës Botërore pikërisht për një projekt në Ballkanin Perëndimor duke patur bazën në Shqipëri: për mua ishte një kënaqësi e madhe profesionale dhe gjithashtu personale të punoja për të shpejtësuar rritjen ekonomike të vendit tim të origjinës. Pas kësaj eksperience fillova doktoraturën pranë Universitetit e Pennsylvania, dhe momentalisht jam në vitin e tretë. Jam sërisht konsulente për Bankën Botërore per një projekt mbi rritjen e firmave në Ballkanin Perëndimor, dhe jam gjithashtu konsulente për OECD mbi çeshtjet e rregullimit dhe konkurrencës në ekonomi. Në Amerikë fillohet pikërisht në vitin e tretë zhvillimi i kërkimit shkencor autonom nga kandidatët për doktoraturë: momentalisht, po përqendrohem mbi tematikat e lidhura me diversitetin gjinor dhe etnik në kontekste arsimore ose profesionale, por mendoj se sëshpejti do të zhvilloj edhe një ide mbi tregun e punës në Shqipëri.

ENERGJIA, GAZI, BURIMET NATYRORE DHE KRIZA E ÇMIMEVE NË SHQIPËRI

Ka disa aspekte për të përmendur, dhe çështja nuk është aspak e thjeshtë, edhe për shkak të faktit që informacioni dhe gazetaria e specializuar në fushën ekonomike në Shqipëri ka disa mangësi dhe qytetarët kanë mundësi të limituara per t’u informuar në këtë fushë. Do të nisem nga energjia elektrike. Duke marrë parasysh bilancin e energjisë elektrike që është publikuar nga Instat për dy tremujorët e vitit 2021, pra të fundit që janë botuar, mund të observojmë që Shqipëria në këtë periudhë nuk ka shfaqur një krizë energjetike të këtij lloji – madje e kunderta: prodhimi neto vendas është më shumë se dyfishuar në krahasim me periudhat korrisponduese në 2019 dhe 2020. Megjithatë, mund të vërejmë disa problematika. E para, dhe kryesorja: nuk ka asnjë strategji të mirëmenduar për diferencimin e burimeve të energjisë, madje thuajse totali i energjisë elektrike prodhohet në hidrocentrale nderkohë që dështimi i termocentralit të Vlorës jo vetëm që nuk ka kontribuar në prodhimin e energjisë, por ka edhe shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë humbje shumë të mëdha që akumulohen si pasojë e nevojës për mirëmbajtje dhe shlyerjes së kredisë së marrë për ndërtimin e tij. Edhe vetë Banka Botërore, dhënëse e kredisë për ndërtimin e termocentralit, ka dalë në përfundimin se borxhet e akumuluara nga KESH, korporata prodhuese e energjisë elektrike në Shqipëri, janë shkaku kryesor i kostos së lartë me të cilën përballet konsumatori. Fakti që KESH, e cila është përgjegjëse për gjenerimin e pjesës dërrmuese të energjisë që konsumohet në Shqipëri, mbart borxhe kaq të mëdha prej dekadash e bën të qartë shkallën e problematikës. Gjithashtu Shqipëria konsiderohet nga organizatat e fushës si një vend me shumë potencial për të prodhuar energji elektrike me burime të rinovueshme, por është e qartë që ky potenciali nuk po shfrytëzohet. Një problem që shtohet është keqmenaxhimi i infrastrukturave: humbjet e rrjetit në transmetim dhe shperndarje janë afërsisht 20% e totalit energjitik, një shifër që në BE dhe ShBA është afërsisht 5-6%. 

GAZI, BURIM NË TË CILIN SHQIPËRIA KA AKSES MINIMAL

Një kapitull tjetër i rëndësishëm është gazi, burim në të cilin Shqipëria ka akses minimal. Edhe në këtë rast, është i qartë dëmi i shkaktuar nga dështimi i termocentralit të Vlorës: i cili nëse do të ishte aktiv, do kishte patur mundësinë e artë për t’u lidhur me fluksin e ri të gazit të  Azerbajxhanit nga TAP, duke zëvëndësuar edhe një pjesë të konsumit të naftës. E fundit, por jo për nga rëndësia, nafta: në fakt, burimi i parë i energjisë së konsumuar në Shqipëri. Shqipëria njihet për çmimet e karburantit më të larta jo vetëm në rajon, por në botë. Ky rekord i Shqipërisë nuk ekziston që dje, por prej shumë vitesh, sidomos nga barra e akcizave, e taksës për qarkullimin, dhe e taksës për karbonin, që vlen të theksohet se reflektohen gjithashtu në çmimin e mallrave të ndryshme, të cilat transportohen me mjete të tonazhit të lartë në Shqipëri në mungesë të formave të tjera të transportit. Mungesa e diversifikimit, çmimet e larta të përkeqësuara nga borxhet dhe infrastruktura e parenovuar, lënë konsumatorin Shqiptar në dorë të fatit dhe të tregut ndërkombëtar. Pra një situate tragjike, i shtohet barra e rritjes së çmimeve globale.

SHQIPTARËT NË DIASPORË SI NJË REFLEKTIM I VLERAVE MË TË MIRA QË KARAKTERIZOJNË POPULLIN TONË 

Fillimisht: numri i shqiptarëve jashtë Shqipërisë është padyshim më i madh se numri i atyre që banojnë në atdhe. Ky fakt mjafton për të treguar sa e rëndësishme është diaspora shqiptare. Por kur konsiderohen edhe emrat që mund të përmenden në diasporën shqiptare, kryesisht midis atyre që kanë marrë pjesë në shoqatën Vatra dhe në gazetën Dielli, pra duke kaluar nga sasia te cilësia, besoj që mund të thuhet me siguri se kontributi i Diasporës është themel. Është e qartë që shumë shqiptaret vlerësohen dhe realizojnë ëndrrat e tyre më tepër jashtë vendit se sa në Shqipëri: për sa kohë kjo të jetë e vërtetë, duket se diaspora do jetë një aset kombëtar me një potencial të madh. Gjithsesi, për të shfrytëzuar këtë potencial, është e domosdoshme dëshira e këtyre shqiptarëve për të dhënë kontributin e tyre edhe nga jashtë: një patriotizëm i shëndetshëm dhe shpresa për përmirësimin e Shqipërisë janë faktor të nevojshëm, që duhen ushqyer nga strategji të mirëfillta dhe të artikuluara. Diasporës i mbetet një detyrë që mendoj se çdo individ i përgjegjshëm duhet ta mbartë gjatë gjithë jetës. Shqiptarët anë e mbanë duhet të shërbejnë si një reflektim i vlerave më të mira që karakterizojnë popullin tonë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se bie mbi ne barra e ruajtjes dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.

KOMPROMIS TË VIRTYTSHËM MIDIS INTEGRIMIT NË SHOQËRINË AMERIKANE DHE KONSERVIMIT TË KULTURËS TONË

Gjatë kohës relativisht të shkurtër që kam jetuar në ShBA, kam vënë re një dëshirë goxha të madhe midis shqiptarëve për t’u bashkuar dhe për t’u organizuar si komunitet. Në universitetin tim, ekziston një shoqatë e studentëve shqiptar; gjithashtu, në shumë universitete e tjerë, ka shoqata analoge. Kam vërejtur edhe prezencën e shoqatave profesionale të shqiptarëve, e shkollave të gjuhës shqipe për fëmijet apo të valleve tradicionale, dhe të manifestimeve dhe festave të komunitetit shqiptar. Edhe pse në Itali ka një diasporë shumë të madhe, kam përshtypjen që atje ekziston një organizim i ngjashëm, por jo kaq i fortë dhe krenar. Në Amerikë diversiteti nuk është aq tabu sa në Itali, dhe komunitetet janë disi më të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e identitetit të tyre. Besoj se këto vlera janë për ti mbështetur, dhe është e rëndësishme që si komunitet të gjejmë një kompromis të virtytshëm midis integrimit në shoqërinë amerikane dhe konservimit të kulturës tonë.  

SHQIPËRIA MUND TË BËHET VETËM NGA SHQIPTARËT

Fatkeqësisht Shqipëria vuan nga kaq shumë ‘sëmundje’ saqë është e pamundur ti përmend të gjitha. Por besoj që zgjidhjet i kemi brenda, jo jashtë. Edhe pse sot Shqipëria vuan nga një mungesë tepër e theksuar vlerash, nga një keqqeverisje që mban cinizmin si krenari, dhe nga korrupsioni i paskrupullt, shqiptarët kanë besën, bashkëpunimin, dhe altruizmin në themelet e kulturës së tyre. Besoj se do ishte më mirë të shikonim më shumë brenda nesh, të analizonim më tepër veten dhe të konsideronim më shumë trashëgiminë tonë, në vend që të presim gjykim apo zgjidhje nga jashtë. Në fund të fundit, Shqipëria mund të bëhet vetëm nga shqiptarët. 

MBESA E VLLEZËRVE DAROVA, MUZIKANTË TË SHKËLQYER, BITËLLSAT E POGRADECIT

Jam mbesa e vllezërve Darova, muzikantë të shkëlqyer, Bitëllsat e Pogradecit. Vëllai i gjyshit tim ka qënë në burg më shumë se 30 vite për agjitacion e propagandë, dhe i gjithë fisi ka vuajtur nga persekutimi komunist. Një persekutim i egër që urrente familjen time siç urrente çdo familje nga elita shqiptare. Pikërisht kjo përbuzje ndaj suksesit, pasurisë, dhe arritjeve individuale ka qënë pjesë karakterizuese e ideologjisë komuniste dhe fatkeqësisht është një ndjesi që shumë individë vazhdojnë ta mbartin, për arsye të ndryshme. Mediokriteti, një farë sigurie dhe stabiliteti janë aspekte që në disa situata janë të dëshiruara nga natyra njerëzore më tepër sesa liria dhe mundësia për përmirësimin dhe rritjen personale, sidomos në kushtet e mungesës së shpresës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Ornella Darova, Sokol Paja

PROPOZOHET KANTONIZIMI I MALIT TË ZI

October 15, 2021 by s p

Në opinion malazias ka kohë që qarkullon  idea   për decentralizimin e pushtetit në Mal të Zi, ne tre nivele, ku me rëndësi të veçantë është riorganizmi  territorial administrativ me formimin e nëntë kantoneve  ndërsa në aspektin zgjedhor formimi i pesë njësive zgjedhore, që paraqet risi dhe mundësi debati nga individë e subjekte të ndryshme qeveritare e  shoqëria civile, sepse çështja e decentralizimit duhet të trajtohet  me profesionalizëm dhe analogji me vendet e ndryshme evropiane

Nail  Draga

Autorët e kësaj iniciative nga OJQ”Inicijativa Direktne Demokratije-IDD” shpjegojnë me pak fjalë rëndësinë e saj për rirregullimin e sistemit politik në Mal të Zi, duke u thirur në Kushtetutën e Zvicrës, që si duket është model edhe për Malin e Zi. Madje ata cekin se  në atë vend  kushtetuta e cila është  bazuar në demokracinë direkte është  miratuar  në vitin 1848,  dhe deri më tash dy herë është verifikuar dhe është avancuar në vitin 1874 dhe 1999, duke dëshmuar seriozitetin në çështjet organizative shtetërore.

Sistemi i tashëm politik me dobësi të theksuara

Në arsyetimin e tyre më tutje cekin se rregullimi i deritashëm i sistemit politik në Mal të Zi ka treguar shumë dobësi, para se gjithash në mundësinë e vogël që qytetarët të ndikojnë direkt  në proceset politike. Elitat politike largohen nga qytetarët  dhe në vend që politikanët  të jenë ekzekutuesit  e vullnetit të qytetarëve, ata paraqitën  si kreator, manipulues dhe uzurpator të vullnetit. Më shumë  thellojnë ndarjet(etnike, religjioze, gjuhësore e politike) përmes të cilave disa përfitojnë ndërsa qytetarët humbin. Rritet distanca etnike dhe çdo distancë tjetër kërcenon që në të ardhmën të shkatërroi shoqërinë.

Qe këto probleme të tejkalohen ndërsa fuqia t`iu kthehet qytetarëve, propozojnë  ndryshimin terësisht  të sistemit politik në shtet.

Pushteti  në tre nivele

Sipas këtij propozimi pushteti duhet  të ndahet në tre nivele: 1.në nivelin e shtetit të Malit të Zi, 2.në nivelin e kantonëve dhe 3.në nivel të komunave. 

1.Shteti-niveli i parë i pushtetit

Organizimi i pushtetit në nivelin shetetëror duhet të jetë i definuar me Kushtetutë, në të cilën duhet të vendosën të gjitha ndryshimet përkatëse sipas modelit të Kushtetutës së Zvicrës, që do të mundësohej  ndarjen e pushtetit në tre nivele dhe decentralizimin e tërësishëm, si dhe bartjen e peshës së fuqisë se politikanëve te qytetarët.

Organi suprem ligjdhënës i pushtetit  në shtet duhet të jetë Kuvendi i Malit të Zi, të cilën do ta përbënin dy dhoma.

1.Dhoma  shtetërore (nacionale) e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe zgjidhën në mënyrë proporcionale sipas numrit të banorëve në pesë njësitë zgjedhore, çdo njësi zgjedhore do të kishte rreth 100.000 banorë.

Risi në këtë propozim janë regjionet përkatësisht pesë njësitë zgjedhore  që do të ishin:

Regjioni 1-Hercegovina e vjetër(Starohercegovacki) 116.355 votues-17deputet, 

Regjioni 2-Bregdeti-malazias(Crnogorski-primorski) 114.574 votues-16 deputet, 

Regjioni 3-Shkodrës(Skadarski) 114.879 votues-16 deputet, 

Regjioni 4-Moraçës(Moracki) 94.277 votues -16 deputet dhe 

Regjioni 5-Limit(Limski) 99.242 votues-16 deputet. 

Të gjithë së bashku në Kuvend janë 81 deputet që zgjidhën përmes listave të hapura.

2.Senati(Këshilli i kantonit)në të cilën kantonët delegojnë përfaqësuesit e tyre, ku së cili kanton zgjedh  dy përfaqësues në zgjedhjet direkte. Duhet të përcaktohet numri adekuat i kantonëve dhe hapësirën e tyre territoriale duke respektuar kontinuitetin historik, traditën, kulturën etj.,duke mos getoizuar grupët etnike  por të integrimi i tyre.

2.Kantonët-niveli i dytë i pushtetit

Në lidhje me nivelin e dytë propozohet ndarja e territorit në kantone e ate në nëntë(9) të  tillë  të cilët janë: 1.Kantoni i Bokës së Kotorrit, 2.Kantoni bregdetar, 3.Kantoni i Zetës, 4. Principata e Malit të Zi, 5.Kantoni i Nikshiqit, 6.Kantoni i Pivës-drobnjakut, 7.Kantoni i Limit-Moraçës, 8.Kantoni i Beranës-Rozhajës dhe 9. Kantoni i Plevlës-Bijellopolës.

Organizimin e pushtetit  në nivelin e kantonit e përcaktohet në sajë të kushtetutës së vet kantonit. Që kushtetuta e kantonit të realizohet në praktikë ate duhet ta miratojë Kuvendi i Malit të Zi, e ai do ta miratojë nëse kushtetuta e kantonit i plotëson dy kushtet themelore: 1.Duhet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi dhe

2.Që qytetarët e kantonit e kanë miratuar në referendum

3.Komuna – niveli tretë i pushtetit

Në këtë propozim çdo vendbanim merr kompetenca të veçanta  sepse do të fitonte statusin e Komunës apo komunës urbane. Komunat më të vogla do të kishin Tubimet e përgjithshme popullore bazuar në traditën malazeze,  ndërsa komunat më të mëdha mund të zgjedhin që të kenë përfaqësuesit e tyre të cilët do ti zgjedhin direkt përmes listave të hapura apo do të kenë kuvendin digjital ku do të merrnin pjesë të gjithë qytetarët.

Arsyetime në favor të propozimit

Në lidhje me këtë formë të ndarjës së pushtetit   nga Iniciativa e Demokracisë Direkte, janë dhënë dhjetë  arsyetime ku mes tjerash cekin se: pengohet getoizimi i grupeve etnike e fetare, qytetarët pamarrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare do të njihnin përkatësinë territoriale atij kantoni dhe do të kërkonin zhvillimin e tij intenziv si shprehje te interesit të përbashkët të gjithë qytetarëve, do të zvoglohej distanca etnike, do të rritet kohezioni ne mes popullsisë, do të arrihet në zhvillimin të ballancuar regjional, do të zvoglohej administrata, do të zvoglohej korrupcioni,do rritej besueshmëria në shtet dhe institucione  etj.

Në fund cekim se iniciativa e tillë  i është drejtuar direkt kryeministrit të Qeverisë, z.Zdravko Krivokapiq,  ku nga ai  presin  të iniconjë implementimin  ligjor të zgjidhjeve të ofruara. 

Deri më tash nuk kemi pasur ndonjë reagim publik ndaj iniciativës së tillë,  nga asnjë subjekt politik, apo shoqëria civile, andaj duhet të presim  në muajt në vijim sepse kemi të bëjmë me një propozim i cili trajton decentralizimin territorial por edhe të pushtetit në Mal të Zi, çështje e cila nuk është trajtuar më heret nga institucionet qeveritare e shoqëria civile.

C:\Users\Labi\Desktop\178158592_189695986323008_2647120672411768815_n.png

Harta nr.1.Ndarja e territorit të Malit të Zi në nëntë(9) kantone

Mund të jetë një imazh i map dhe teksti

Harta nr.2. Ndarja e Malit të Zi në pesë(5) njësi zgjedhore

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

Faik Konica: Unë ua rrëfej Greqinë

October 15, 2021 by s p

Fragment nga libri i Atdhe Gecit, “Çamëria, kthim në histori – mision.

Botuar në gazetën, “New York Times”, më 1940

Prej disa kohësh, për Shqipërinë, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen se: Më 20 Tetor 1827, në jug të Gadishullit Dorik (sot, Peleponezi), ndodhi beteja detare në gjiun e qytetit Navarino (Pyllas, ndërsa sot, Pylos). Në atë betejë, flotat e bashkuara britanike, ruse dhe franceze shkatërruan flotat e bashkuara egjyptiane (në fakt, arvanite muslimane të Ibrahim Pashës, djalit të Mehmet Aliut) dhe osmane. Në Gusht 1828, ushtria franceze zbarkoi në jug të Gadishullit Dorik e hyri në luftime kundër forcave të Ibrahim Pashës. Në periudhën Prill 1928 – Shtator 1829, ndodhi Lufta Ruse-Turke e cila u mbyll me shumë humbje për perandorinë osmane. Për shembull, ajo pranoi autonominë e principatës fetare të quajtur “Servia”.

Të treja ato ngjarje ushtarake e detyruan perandorinë osmane të pranonte Protokollin e Londrës të datës 22 Mars 1828 me të cilin perandoritë e Britanisë, Rusisë e Francës patën vendosur të krijohej principata fetare autonome me emrin “Greqi” brenda perandorisë osmane. Emri “Greqi” rridhte prej gjuhës Shqipe dhe sipërfaqja e shtetit të sapo firmosur qe afërsisht sa 1/6 e Greqisë së sotme. Ishte hera e parë në histori që krijohej një shtet me emrin “Greqi”. Kuvendi III Popullor në 4 Maj 1827 vendosi që kryeqendër të ishte qyteza Nafplion në jug të Gadishullit të Moresë.

Pas pushtimit të Qytetit të Konstandinit prej osmanëve-arabëve në vitin 1453, Patriarkana e atyshme u bë Komiteti Qendror i komisarëve kishtarë lindorë në shërbim të Sulltanit osman. Bashkë me komisarët hoxhallarë ata i shërbyen perandorisë aziatike për të përparuar drejt perëndimit dhe rrënuar Europën. Në shekullin XVIII, komisarët kishtarë lindorë rrëshqitën në lugun e perandorisë kishtare ruse. Popullatat arbërore të jugut të Gadishullit Ilirik dhe priftët e tyre të kishës lindore që nuk pranuan gjendjen e re dhe nuk i bënin ballë dallgëve aziatike-osmane-arabe-mongole u zhvendosën në jugun e Italisë dhe Siçili. Dhe janë aty edhe sot pas 500 vjetësh si një dëshmi e pandërprerë dhe e gjallë me gjuhën, trashëgiminë, kulturën, veshjen dhe artin Shqip bashkë me priftët e tyre që vazhdojnë të kryejnë shërbesat në Shqip dhe të ruajnë gjuhën Shqipe.

Në Kuvendin IV Popullor që u mbajt në datat 11 Korrik – 6 Gusht 1829 në qytezën Argos, pranë Nafplionit, u shtrua pyetja se cila do ishte gjuha zyrtare e shtetit Greqi. Do zgjidhej Shqipja e arbërve-arvanitas apo

gjuha Katharevousa e kishës dhe e organizatës së fshehtë fetare Filiki Eteria të Rusisë? Kisha lindore dhe pas vitit 1814 organizata Filiki Eteria kishin punuar që urrejtja fetare kundër muslimanëve të trondiste vetëdijen kombtare arbërore të arvanitasve të krishterë. Arbanitët ishin vetëm luftëtarë të pashkollë që si komisarë kishin priftët e kishës lindore. Ndërkohë, gjuha Shqipe e shkrojtur nuk qarkullonte as në Europë.

Veç kishës, politikën e brendshme dhe të jashtme e bënin agjentët e Rusisë, Britanisë dhe Francës. Edhe në ato Kuvende Popullore grupimet politike ishin haptas nën emrat Partia Ruse, Partia Franceze e Partia Britanike. Prandaj, ndonëse përfaqësuesit arvanitas të krishterë që flisnin hapur Shqip përbënin dukshëm mbi 80% të Kuvendit IV Popullor, ata nuk qenë regjisorët e teatrit të atij Kuvendi. Si rrjedhim, arbanitët e krishterë të mashtruar dhe pa kuptuar se çfar shkruhej duartrokitën shfaqjen e vënë në atë skenë.

Ai Kuvend vendosi që si gjuhë zyrtare për shtetin me emrin “Greqi” të ishte gjuha Katharevousa e kishës lindore, e përshtatur. Prandaj atë e quajtën gjuha popullore (Dhimotiki), e cila sot është gjuha zyrtare e shtetit Greqi. Ai vendim qe i nevojshëm për komisarët kishtarë lindorë dhe agjentët perandorakë, veçanërisht të Rusisë si bie fjala arvanitasi Jani Kapodistria (Gjon Gjika). Sepse, iu plotësohej gatimi i vetëdijes “kombtare greke” të cilës i nevojitej të ishe i krishterë lindor edhe në emër, të mësoje “greqishten” Dhimotiki dhe të urreje muslimanët, osmanët, turqit, dhe arvanitasit muslimanë. Perandoritë e Britanisë, Rusisë e Francës firmosën Protokollin tjetër të Londrës më 3 Shkurt 1830 që kthente Greqinë si shtet të pavarur dhe me Konferencën e Londrës në Maj 1832 e përkufizuan atë si mbretëri. Princi bavarez 17 vjeçari Otto Friedrich Ludwig u caktua të ishte Mbreti i Greqisë. Britania dhe Banka Rothschild preu paranë dhe ia dha në formë huaje shtetit të ri “Greqi”. Arbërit vazhduan ta flisnin e përdornin Shqip siç patën bërë për 2000 vjet nën perandoritë romake latine dhe lindore ndërkohë që si qytetarë quheshin romakë-romanë-romaioi-romioi. Vendimi për gjuhën që doli prej Kuvendit të vitit 1829 hapi portat e ujit të një propagande që pat filluar të grumbullohej nga mesi i shekullit XVIII në Europën qendrore e perëndimore. Ujë i shumtë pat qenë nisur të mblidhej prej historianit gjerman të artit dhe arkeologjisë Johann Joachim Winckelmann (1717-1768). Ngjyrës së ujit ai i dha emrin “Helenizëm”, pa e kuptuar se fjala që kishte përdorur ELINA-S ishte e gjuhës Shqipe. Edhe pse atë fjalë ia këshilloi me mirësi mbledhësi i famshëm i sendeve të lashta kardinali Alessandro Albani. Edhe pa e menduar se një komb nuk mund të dallohet në terrin e 3000 vjetëve më parë me anë të emrit të një gruaje tek një përrallë Homerike, qoftë e lashtë.

Si narcis, homoerotik e pedofil që ishte, ai krijonte me ëndërrimet e tij, të cilat i botonte, një “Greqi” të lashtë me njerëz të bukur, të gjatë, leshverdhë, sy bojë qielli, të urtë, që përfaqësonin përsosmërinë. Botimet e tij patën ndikim të thellë mbi mendjet krijuese europiane të shekullit XVIII e në vijim, si për shembull, G. E. Lessing, J. W. von Goethe, F. V. E. Delacroix, V. M. Hugo, F. W. Nietzsche, etj. Për pasojë, krijimtaria historike në ëndërrimet e sinqerta rrodhi vaj nëpër piktura dhe ngeci si zbulime nëpër libra. Është e vërtetë se librat e paktë për lashtësinë u shkruajtën e rishkojtën në harmoni me muzikën e re. Për shembull, u ëndërrua një persian i shekullit V p.e.s. të cilin e quajtën “grek” mbas 1000 e 2000 vjetësh me emrin Herodot-us sipas Latinishtes perëndimore dhe Herodot-os sipas Katharevusës lindore. Biles, atë e emëruan edhe “baba të historisë”; për të qeshur, jo shaka.

Gjithë udhëtarët e zyrtarët që shkonin në ata shekuj e vite në ato anë shkruanin në letrat e tyre vetëm për popullatë arbërore-shqiptare. Kur zbriti për herë të parë në Nafplion më 30 Janar 1833, mbreti i caktuar Otto Friedrich Ludwig përpiqej të kthehej në ëndrrat e tija “helene” sepse përqark tij kishte vetëm arbërorë-arvanitas dhe flitej vetëm Shqip. Prandaj politikanët e perandorive Britani-Rusi-Francë duke përdorur edhe piktorët dhe shkrimtarët europianë nxituan të krijonin lumin e propagandës për brenda dhe për jashtë “Greqisë”. Mito-logjisë (Shkencës së Përrallës, e përkthyer) të krijuar nga duar kishtare fillimisht në shekullin V e.s. iu hapën tërë fletët e librit. Megjithatë, një qytetar “grek” nuk mund të jetë njëkohësisht edhe i krishterë ortodoks edhe i lidhur me lashtësinë arbërore të Athinës, e qyteteve të tjera të Gadishullit Ilirik, Detit Egje e Mesdhe. Sepse lashtësia arbërore dhe krishterimi ortodoks janë edhe të paktën 1500 vjet të zhvendosur në kohë edhe dy qytetërime e mendime të kundërt që përjashtojnë njëra-tjetrin. Para vitit 1830 nuk ka patur grekë.

Formimi i shtetit të quajtur “Greqi” pati në rrënjë ribërjen e Perandorisë Bizantine të Krishterë Lindore dhe prandaj si gjuhë shtetërore u caktua Katharevousa e përshtatur (Dhimotiki). Vetvetiu “Greqia” do ishte një zgjatim i Rusisë së Madhe e krishterë ortodokse dhe që do përpiqej të përthithte sa më shumë troje me të krishterë ortodoksë. Agjentët e Rusisë bënë të mundur që në Luftën e Krimesë të viteve 1853-1856 ushtria greke të luftonte përkrah ushtrisë ruse kundër ushtrive britanike, franceze e turke. Edhe sot grekët ortodoksë e njësojnë veten me sllavët rusë ortodoksë dhe të ardhmen e ëndërrojnë bashkë me ta.

Si në Perandorinë e Krishterë Lindore dhe atë Osmane, edhe në “Greqi” popullatat u vështruan nga ana fetare. “Grek” ishte kushdo që kishte pranuar besimin dhe emrin e krishterë ortodoks, kuptonte Dhimotiki dhe urrente turqit, muslimanët, përfshirë edhe arvanitasit muslimanë. Ndërsa emrave të njerëzve, vendeve e fjalëve iu shtuan prapashtesat bizantine -OS dhe -IS. Në atë lloj are, fara e mbjellë nxorri gjethe në vitin 1844 kur kryeministri Jani Koleti parashtroi Idenë e Madhe (Megali Idea). Që atëherë Ideja e Madhe ka qenë qëllimi i shtetit “Greqi” për të përthithur me dhe pa luftë sa më shumë toka e popullata që 1001 vjet më parë patën qenë në vathët e komisarëve kishtarë të perandorisë bizantine. Për 100 vjet, Ideja e Madhe “greke” e ujitur nga Britania-Rusia-Franca e rriti Greqinë gjashtë herë në Greqi të Madhe, siç është sot.

Perandoritë britanike dhe franceze tradhtuan Europën dhe Perëndimin kur në shekullin XIX edhe u bashkuan me Rusinë sllave edhe krijuan një shëmbëlltyrë të perandorisë kishtare lindore të quajtur “Greqi”. Mëkati do shtohej në shekullin XX kur Lidhja Entente Britani-Rusi-Francë do krijonte tre herë në mesin e Europës një shëmbëlltyrë sllave-barbare bizantine të quajtur “Jugosllavi”, domethënë Serbi të Madhe. Edhe ideja për këtë e quajtur “Naçertanije” (Rradhitja e Veprimeve) u shfaq pikërisht në vitin 1844 me autor Ilija Garashaninin dhe u pasurua prej të birit Milutin Garashaninit më 1886. Për 150 vjet, edhe Rradhitja e Veprimeve serbe e ujitur nga Britania-Rusia-Franca e rriti Serbinë deri në gjashtë herë, derisa i filloi thërrmimi në fundshekullin XX.

Paramendoni, si do shkruhej, edhe tani, për lashtësinë nëse në Kuvendin IV Popullor të vitit 1829 të ishte caktuar gjuha natyrore Shqipe e arvanitasve të krishterë? A do të kishte katedra nëpër universitetet perëndimore që do zbulonin “Greqinë e lashtë”? A do kishte doktorata famëmëdha në fushën e Mito-logjisë greke, domethënë në Shkencën e Përrallës greke? Arbanitët-Arvanitas janë shumicë në Greqi. Ata janë, veç qyteteve, edhe në të paktën 900 fshatrat e Greqisë ku flitet hapur Shqip. Ata janë popullatë shtet-themeluese, shtet-formuese, shtet-udhëheqëse. Domethënë se gjuha Shqipe akoma mungon të jetë gjuhë zyrtare në Greqi.

Greqia mbanë një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, ndërsa zëri i pavarur i Shqipërisë nuk ndihet.

Përse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të “paartikuluar”? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës.

Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë. Ata e dinë që unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke, që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim; kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme.

Ata mendojnë se askush tjetër, më mirë se unë, nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se, si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj, ndonëse me lëkundje, vendosa ta thyej heshtjen dhe t’i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.

Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “kontinent”; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën “kontinenti”, me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë.

Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër. Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire.

Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”. Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin “Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë”, do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek.

Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë. Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e krimit për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak! Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine, me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues.

Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni.

Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë.

Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.

Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi, thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë “të zbrazte” Janinën nga banorët e rrënjës.

Natyrisht, zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse “të drejta” të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në formën më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380, dhe në pak vite më parë.

Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t’u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë.Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme.

Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena.

Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore.

Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Ëian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Ëien.

Në traktatin e Ajzenburgut, të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.

Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.

Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane.

Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.

Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip.

Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.

Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore.

Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta.

Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara.

Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat.

Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.

Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti.

Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten.

Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi.

Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie.

Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.

Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.

Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri).

Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?

Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve.

Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje).

I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë. E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë.

Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë.

Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme. Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë.

Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur.

Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes.

Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët?

Fakti është i qartë: Italia ka këtu një përgjigje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

Fragment nga libri i Atdhe Gecit,  “Çamëria, Kthim në histori – mision”

Filed Under: Histori Tagged With: Atdhe Geci, Faik Konica

Në emër të devoshmërisë në detyrë

October 15, 2021 by s p

Andon Dede, New York/

Ne ishim duke xhiruar në fshatin “Agim” të Fierit.  Për të treguar se në Myzeqe kishte vajtur dhe treni, ekipi ynë u nda në dy pjesë: operatori me ndihmësit e ndoqën “heroin” e telereportazhit tonë me kamera në tren, kurse unë do të kthehesha në qytet me makinë.  E lamë për t’u takuar tek stacioni i trenit.  

Kur arrij tek stacioni i trenit, shoh se operatori, Muharremi, po bënte fjalë me një nga punonjësit e stacionit.  Ndërsa Muharremi përpiqej me të mirë, tjetri gjithë zëmërim po ngulte këmbë në të tijën.

  • Si është puna?,- pyes unë duke hyrë drejt e në temë.
  • Po ja, – më thotë Muharremi, – ne deshëm të realizonim nisjen e trenit.  Me që treni ishte gati për t’u nisur, xhiruam atë më parë.  Tani po i lutemi këtij sinjaldhënësit që të ngrejë sinjalin, por nuk do që ta ngrejë.
  • Po pse?,- pyeta unë duke kthyer kokën nga sinjaldhënësi.
  • Thotë se “po nuk pati tren për t’u nisur, unë nuk e ngre sinjalin!”

Dyshova se mos po më bënin ndonjë numur, nga që nuk ma mbushi mëndjen ajo ç’ka tha Muharremi.  Megjithatë, bëra sikur nuk mora vesh:

  • Mirë, hajde e xhirojmë tani!- u thashë të dy palëvë me dashamirësi.
  • Jo, unë nuk e ngre….
  • Megjithëmend e ke?,- s’ m’ u durua mua. -Ia shpjegove ti Muharrem se ne, më pas e

 montojmë në rregull…

  • Ohua, e sqaruar e përsëritur nja njëqind herë deri tani…
  • Po dëgjo, bre burrë i dheut, – ia nisa prapë unë. –  Më beso mua se nuk ka asgjë të keqe…
  • As mos u lodhni kot!- ma preu ai, duke më vështruar në të tillë mënyrë si të desh të thoshte:  “Si nuk e kuptoni se është e kotë ta vazhdojmë më tej këtë muhabet!?”. 

          Si e pashë se qe e kotë vërtet që të vazhdoje më tej me të, ia bëra më shënjë Muharremit që të rrinte i qetë se do shkoja ta sqaroja me shefin e stacionit.  Sinjaldhënësi e kuptoi planin tim dhe shtoi nga ana e vet:

  • Ore, kot e keni! Unë nuk e ngre sinjalin po nuk pati tren sikur kushdo që të vijë!

Ngjita shkallët për tek kati i dytë ku më thanë se qe zyra e shefit të stacionit. Ai kishte ardhur 

nga Librazhdi për të dhënë “përvojën e përparuar”, siç më thanë më pas.  E përshëndes me ngrohtësi dhe i them shpejt e shpejt se si qe puna. 

Ai më  pa me vëmëndje por dhe me një farë qortimi, si të donte të më thoshte: “Nuk e shihni se po punoj, si guxoni të bëni humor, për më tepër qysh në takimin e parë?!”

  • Nuk e kam me të tallur, por me te vërtetë, – ia ktheva unë, – kemi nja gjysmë ore që po merremi  me të.

Ai la stilolapsin që kishte në dorë dhe u çua vrullshëm nga tavolina, si një njeri që është i sigurtë se do t’ia dalë me sukses në atë që do të bëjë.  Zbriti shpejt e shpejt shkallët dhe iu drejtua sinjaldhënësit, duke i folur me emër:

–     Pse po i pengon këta shokët që kanë ardhur të paraqesin punën tonë e po na bëjnë edhe nder!?

  • A më keni thënë se do ta ngre sinjalin vetëm kur të ketë tren për nisje?  E, pra, aty nuk ka tren dhe unë nuk e ngre!
  • More, me të vërtetë e ke ti?! Mua më thanë dhe këta shokët po nuk u besova…
  • Vërtet që ç’ke me të!

  Shefi i stacionit nuk e deshte veten, aq në pozitë të vështirë dukej.  Në këtë moment unë

 nisa ta humb durimin.   “Si ka mundësi të merremi kaq shumë me një njeri si ky?! – thashë me vete.

–     Dëgjo, – iu drejtova me të qetë sinjaldhënësit, por duke e bërë këtë me një sforco të madhe, – ne vërtet deshëm të të bëjmë nder ty, po paske qëne fare, a derëzi!  Po neve na luten të tjerët për t’i nxjerrë në televizor.  Hajde, mirë u pafshim! – dhe i bëra e shënjë grupit të niseshim.

           Përgjegjësi i stacionit, dukej se po përjetonte një situatë të vështirë, tragjiko-komike. Duke na kërkuar falje për atë që ndodhi, na ftoi për një kafe, por ne nuk pranuam se ishim vonë.  U nisëm dhe ndaluam në stacionin e parë të trenit që ndeshëm rrugës, në mos gabohem, në Libojshë.  Punonjësi që xhiruam, na mori me pahir për të na dhënë një kafe, apo edhe me “bisht”, po deshët, siç u shpreh ai.

               –   Bekuar qofshi! – na tha gjithë dashamirësi. –  Nuk më kishte shkuar kurrë në mëndje se do të dilja në televizor.  Faleminderit shumë!  Ua paça borxh…vazhdonte ai, duke u përpjekur ta shprehte sa më bukur e më të plotë mirënjohjen që ndjente.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Andon Dede

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT