• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

“Komiteti epruer i NDSH-së në Dibër dhe Osman Cami”

October 1, 2021 by s p

Monografi e historianit Qerim Lita

Uran Butka   

Pas botimeve te rëndësishme të historianit Qerim Lita mbi organizatën e NDSH siç janë monografitë “KQ i NDSH-së dhe Azem Morana”, Shkup 2011; “Hasan Bilali veprimtar i NDSH-së, shkup 2020,  referatit  për Komitetet Nacionale Demokrate Shqiptare- dokumente, 2009, si edhe “70 vjetori i Kongresit II (4) të NDSH, Shkup 2017,  autori na paraqitet me monografinë ” Komiteti epruer i NDSh-së në Dibër dhe Osman CamI”, Houston, USA, 2019.

   Këqyret qatësisht se autori  për një kohë të gjatë është marrë me studimin e themelimit dhe të veprimtarisë kasaj organizate nacionaliste e demokrate në trevat shqiptare nën Jugosllavi në vitet 1945-1947, duke na dhënë një kontribut të veçantë në historinë e kombit, si  edhe veprimtarinë e personaliteteve  kryesore, martirë që do të kishin mbetur të harruar e të përbaltur pa përkushtimin kombëtarisht dhe penën e guximshme të studiuesit Qerim Lita.

   Botimi në fjalë nis me një parathënie të thukët dhe të saktë historikisht nga vetë autori, për situatën politike dhe ngjarjet kryesorë të viteve 1943-1944-1945 në hapësirën shqiptare, sidomos në trevat e Maqedonisë përëndimore dhe të Kosovës, ngjarje që i paraprijnë themelimit të NDSH dhe veprimtarisë së mëtejshme të saj, një parashtrim i nevojshëm për të kuptuar kushtet historike dhe arsyet pse lindi, ç’program dhe ç’aktivitet pati kjo organizatë. 

   Ndoshta në vitin 1943 duhej përmendur edhe rrugëtimi i Mid’hat Frashërit dhe i disa krerëve të Ballit Kombëtar që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Mukjes dhe që po i  përcillnin vendimet e tij në Dibrën e Madhe, ku edhe krijuan bashkë me kreret e Dibrës  “Lidhjen Dibrane” dhe vendimet e saj. E theksoj këtë sepse në fakt NDSH, për mendimin tim,  është në veçanti një vazhdim i “Lidhjes Dibrane” dhe në përgjithësi një vijim i Organizatës të Ballit Kombëtar në kushtet e reja  të pasluftës së Dytë dhe të regjimit komunist serbo-maqeqonas në Dribër, por edhe në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të popullsisë shqiptare, lirimin e tokave të okupuara dhe bashkimin me Shqipërinë, sipas parimit të vetvendosjes së kombeve, pra, për një Shqipëri etnike, të ideuar në Mukje dhe në orientimet  e Mid’hat Frashërit. 

     “ Të gjitha direktivat, KQ i NDSH-së i merr nga Greqia përmes Selanikut, e të cilat në Greqi vijnë nga Bari i Italisë, përkatësisht nga Komiteti i Ballit Kombëtar në krye me Mit’hat Frashërin”- citohet dokumenti përkatës në monografinë e Qerim Litës.

   Kanë shkruar për organizatën NDSH edhe historianët Muhamet Piraku, Sabile Çekmezi-Basha, Daut Bislimi, Islam Dobra, Hysen Azemi, por historiani Qerim Lita veçohet, se me punë të vazhduar studimore për mëse një dhjetëvjeçar, e ka trajtuar themelimin dhe veprimtarinë e kësaj organizate në mënyrë të plotë, gjithëpërfshirëse dhe të mirëdokumentuar, duke evidentuar e portretizuar edhe figurat kryesore  udhëheqëse qendrore dhe lokale. Në këtë vështrim, na jepen tërësisht të realizuara personalitetet e Azem Maranës në botimin “KQ I NDSH dhe Azem Marana; Hasan Bilali – veprimtar i NDSH në monografinë përkatëse, Osman Cami në monografinë “Komiteti epruer i NDSh-së në Dibër dhe Osman CamI”, si edhe figurat e tjera të NDSH-së. 

   Siç kuptohet edhe nga titulli i monografisë, Osman Cami na jepet në krye të studimit si jetëshkrim i  shkurtuar, mandej figura e tij ridimensionohet në gjithë historinë e NDSH-se në qendër (Shkup)  dhe në trevën e Dibrës e më gjerë. Meritë e autorit është se nuk e idealizon, siç ndodh rëndom nëpër monografitë e sotme, por e jep realisht dhe thjeshtë nëpërmes dokumenteve arkivorë dhe dëshmive autentike. Ai dhe familja e tij paraqiten në një jetë të dyfishtë e të rrezikuar në Tirane dhe në Dibër, për shkak të regjimeve pushtuese italiane dhe gjermane, por edhe të regjimeve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi, – i burgosur nga partizanët e E.Hoxhës në nëntor 1944, kur ata kryen masakrat e përgjakshme ndaj popullsisë së Tiranës, por edhe i burgosur nga pushteti maqedonas në Dibër, mandej  si një nga  veprimtarët e NDSH-së në Shkup dhe Dibër. Veprimet e tij kondicionohen nga prejardhja e familjes atdhetare Cami, nga të qenit pronar dhe nacionalist, nga përndjekja e familjes Cami prej politikës antishqiptare serbo-maqedonase dhe OZN -ës, më pas UDB-së, duke nisur nga babai, Hamit Cami, i cili, për shkak represionit të vazhdueshëm politik ndaj familjes  Cami, u detyrua ta vriste kapitenin serb, përkatësisht udhëheqësin e xhandarmërisë serbe në Dibër të Madhe . Më pas Hamiti e lëshoi Dibrën e Madhe për t’u vendosur familjarisht në Elbasan, ndërkohë që Osmani vijonte shkollën teknike të Fulsit në Tiranë.

   Këto rrethana familjare, por edhe mbarëshqiptare e kushtëzuan Osmanin ta gjente rrugën e mëtejshme të veprimeve jo individuale, por brenda lëvizjes kombëtare, nga e cila mund të vinte shpëtimi. Në atë kohe në Shkup ishte themeluar Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, jehona e së cilës së shpejti qe përhapur edhe në Dibër të Madhe. Duke u mbështet në dokumentet e arkivave jugosllave, shohim se nga muaji maj i vitit 1945, radhëve të NDSh-së iu bashkëngjit edhe Osman Cami. Anëtarësimi i tij në NDSh-ë erdhi përmes Dr.Qeram Zllatkut, me të cilin më pas do të ishte mik i ngushtë dhe i vlefshëm, që sakrifikoi profesionin e mjekut por edhe jetën e tij për hir të çështjes kombëtare. Kështu Osman Cami u bë luftëtar i lirisë dhe i bashkimit kombëtar. Diviza e tij u bë: “Sytë e mi në varr nuk do të mbyllen, përderi sa nuk krijohet Shqipëria etnike” 

   Në rrethanat kur forcat pushtuese jugosllave kryenin masakra dhe krime të papara ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në tokat Verilindore Shqiptare (Maqedoninë e sotme), me mbështetjen e qeverisë komuniste të Enver Hoshës, inteligjenca e atëhershme shqiptare, e vendosur në Shkup, e pa të domosdoshme themelimin e një organizate ilegale shqiptare, qëllimi final i së cilës do të ishte: “Çlirimi dhe bashkimi i tokave të robëruara shqiptare me Shqipërinë.”  Grupi nismëtar i përbërë prej Azem Maranës, Hasan Bilallit, Mahmut Dumanit, Hysni Qemal Ejupit, Qemal Qazimit, Nebi Veli Jonuzit dhe Nuredin Ibrahimi, në muajin janar të vitit 1945 themeloi Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ndryshe njihet me shkurtesën NDSH-ë . Programi politik i NDSH-së përbëhej prej katër pikave:

    1. Bashkimi i mbarë shqiptarëve brenda kufijve etnikë. 

    2. Demokraci të gjerë me të drejtën e çdo shtetasi në shprehjen e lirë të dëshirës së tij, gojarisht apo me shkrim, nëpër konferenca apo tubime.

    3. Luftë kundër tradhtarëve të vendit, të cilët Kosovën e kanë ndarë nga Shqipëria, e cila çfarëdolloj regjimi që të ketë, nëse është jashtë kufijve të Shqipërisë, ajo është e robëruar.

    4. Formën shtetërore e përcakton kombi pas çlirimit dhe bashkimin me Shqipërinë .

    Meritë e autorit Qerim Lita është se nëpërmes  veprimtarisë së personaliteteve të  NDSH-së,  na jep gjithë historikun e organizatës NDSH, qysh nga themelimi në Shkup, formimin e komiteteve në trevat shqiptare të Maqedonisë, por edhe në Kosovë dhe më gjerë, veprimtarinë politike te kësaj organizate kombëtare, lidhjen me çetat nacionaliste deri në asgjësimin e saj në vitin 1947. Gjithashtu na jep lidhjen me lëvizjet nacionaliste në Shqipëri, bashkëpunimin me lëvisjet e tjera nacionaliste në Kosovë si me “Besën Shqiptare” të Ymer Berishës,  me  Gjon Sereqin dhe Ajet Gërgutin, përfaqësues të NDSH –së në Kosovë, përpjekjet për t’u lidhur me perfaqësues anglo-amerikane etj, por që dështuan, sepse çështjet e pasluftës ishin paravendosur në Konferencat Ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, qysh gjatë luftës dhe në fund të saj.

   Ndërsa themelimin e Komitetit Epruer të NDSH-së në Dibër autori e lidh ngushtë me tre figurat e shquara shqiptare të kësaj krahine: Dr. Qeram Zllatku, Osman Cami dhe Medat Tërshana, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e NDSH në Shkup Halim Oranën, Azem Maranën, Hysni Rudin, Qemal Skënderin, Mahmut Dumanin  etj. Kuvendi themelues i komitetit regjional të Dibrës u mbajt me 12 qershor 1946, në të cilën morën pjesë edhe Osman Cami. Kuvendi zgjodhi për kryetar të komitetit Qeram Zllatkun, ndërsa Shaban Ballancën sekretar, Osman Camin anëtar.  Gjithashtu në kuvend Osman Cami u autorizua që të formojë Komitetin komunal të Strugës. 

    Formimi i Komitetit të NDSH-së në Dibër, ishte me peshë kombëtare, për shkak se komiteti i Dibrës ishte lidhja e drejtpërdrejtë me forcat kryengritëse nacionaliste të Dibres dhe Kosovës si çetat e Shemsi hatibit, Murat Labënishtit, Sulë Holtës, Hysen Trëpezës, Mefail Zajazit, Ajet Gërgutit etj, me çetat e Shqipërisë  si ato të  Muharem Bajraktarit, te Litajve, Cen Elezit, Dan Kaloshit, Ali Maliqit etj  ….

    Osman Cami mori pjese aktive në Kongresin II (IVI të NDSH në Shkup dhe këtë autori Qerim Lita na i jep nëpërmjet aktakuzës së prokurorit  Publik i RP të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski:

    “…I akuzuari Osman Cami në organizatën e lartpërmendur është futur nga Dr. Qeram Zllatku, ku bëhet anëtar i komitetit për rrethin e Dibrës dhe, si i tillë, zgjidhet delegat në Kongresin  II (IV) të organizatës mbajtur  më 1 qershor 1946në Shkup, në të cilin ka paraqitur raport për punën dhe aksionet e çetave balliste në RP të Shqipërisë. Pas kongresit shkoi në Strugë, me qëllim që ta formonte komitetin e të njëjtës organizatë me urdhër të Dr. Qeram Zllatkut. Tok me të akuzuarin Medat Tërshana lidhet me çetën e Shemë Hatipit, e cila vepronte si në territorin tonë, po ashtu edhe në territorin e RP të Shqipërisë, e gjithë kjo me qëllim të realizimit të detyrave të lartpërmendura të organizatës…” .

 Gjatë vitit 1946 Osman Cami ishte një ndër udhëhëqësit kryesorë te NDSH në Dibër, Ohër, Strugë, Gollobordë etj.

   Meritë tjetër e autorit të veprës është se ai e ka mbështetur trajtesën e monografisë në dokumente arkivore të nxjera kryesisht nga arkivat e ish-Jugosllavisë, veçanërisht nga ato të Maqedonisë, arkivat e  Shqipërisë dhe të Kosovëse, duke i dhënë monografisë një karakter shkencor dhe dokumentar.  Mjafton të përmendim, dokumentet juridike, ato të prokurorisë dhe gjykatës, që dëshmojnë për vijën politike antishqiptare  nga ana e Partisë Komuniste dhe pushtetit policor serbo-maqedonas, për përndjekjen dhe gjuetinë e shqiptarëve nga ana e OZN-ës e më pas UDB, për akuzat dhe procesin hetimor e gjyqësor ndaj organizatës por edhe ndaj udhëheqësve e veprimtarëve të saj,  që përmbyllin dramatikisht edhe librin. Akuzat e Prokurorisë ishin tërësisht politike, po ashtu edhe vendimet e  Gjyqit të Qarkut të Shkupit kundër 19 veprimtarëve të KQ të NDSH-së, më 7 shkurt 1947, tek dha vendimin “ në emër të popullit – për vepra penale kundër popullit dhe shtetit” me vdekje-ekzekutim për të akuzuarit Qemal Iskenderi, Azem Marana, Hysni Rudi, Mehmet Bushi; ndërsa Hasan Billali dënohet me humbje të lirisë për 20 vjet,  Dr. Qeram Zllatku me humbje të lirisë prej 20 vjet,  Medat Tërshana me heqje të lirisë për 18 vjet,  Osman Cami, me humbje të lirisë prej 15 vjetësh dhe kështu me radhë me burgime te ndryshme: Mahmut Dumani, Mexhit Zyberi, Hajdar Kurtishi,  Jonuz Balla, Nazmi Emin Azemi, Spiro Harilla, Xhavit Abdulla Selimi, Galip Raufi,  Xhamal Fezli Kasami, Gani Be Mehmet Abdullau, Sherif Memet Aliti.

   Kështu u godit për vdekje kjo organizatë intelektuale si edhe gjithë lëvizjet shqiptare për liri e bashkim kombëtar, si në Shqipëri ashtu edhe në trevat shqipare nën Jugosllavi.

   Autori është konsultuar gjerësisht me literaturën historike shqiptare e të huaj, kryesisht me botimet për Organizatën e NDSH, autorët e të cilëve i ka cituar në vepër. Të dhënat burimore e bëjnë këtë vepër dukshëm të karakterit shkencor. Të rëndësishme janë edhe shënimet biografike dhe historike plotësuese e sqaruese  të autorit në fund të çdo faqeje për ngjarje e personalitete të përmendura në libër, si edhe dokumentet shtojcë në fund të monografisë.

   Nëse mund të bëjmë ndonjë vërejtje, është puna e pamjaftueshme e Shtëpisë Botuese lidhur me korrekturën e tekstit, sepse dalin aty-këtu gabime drejtshkrimore. 

Filed Under: Histori Tagged With: Uran Butka

DISA PIKPAMJE TË AT MESHKALLËS…

October 1, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Në rrethet e rinisë “Shën Gjon Bosko” të themeluem në Shkodër në vitin 1934, si edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rijtë, sidomos kundër ideve komuniste, fashiste, ateiste e antiatdhetare, që po përhapëshin në Shqipni. 

Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue Flamurin tonë Kombëtar, Pader Mëshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste. Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë, atij sllavo-komunist, vepra për të cilat kanë shkrue e do të shkruejnë, se ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne Pader Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndërtue edhe vorrin, ku sot prehen eshtnat e Tij.

Pikëpamjet e Tij politike janë kenë të shprehuna haptas dhe të njohuna prej të gjithëve pa dallim feje. 

Ai ishte kundër çdo lloj diktature. Ishte antifashist, dhe këte, përveç faktit të sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuitë në vitin 1937. Ai qëndroi në mendimet e Tij edhe në Tiranë. Këte e vërteton letra që Ai i ka dërgue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik L. Nigris nga Shqipnia, për pikëpamjet e tij fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta për këte komunistët e quejtën edhe “fashist”!.. 

Ai ishte kundër nazizmit edhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës në refugjion pranë qelës së Tij, kur ata po ndiqeshin nga forcat gjermane. Ishte Pader Meshkalla, ashtu si shumë klerikë të tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjentë të nazistëve gjermanë), sepse u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje edhe ua kanë ndalue reprezaljet e tyne kundër shqiptarve. Kur u ba në 1944 një bombardim në Tiranë, në rrefugjio pranë Kishës u futne me popull edhe dy të rinj komunista… Dikush i kishte pa tue hy dhe njoftoi gjermanët. Ata shkuen me i arrestue. U doli para At Mëshkalla, dhe u foli atyne në gjermanisht, tue i kerkue që, kush asht aty asht në besë të Tij, dhe Ju lut mos me hy mrenda… Ata u larguen, e kështu, shpetuen ata dy të rijtë dhe një çifut i moshuem që banonte dikund afer Kishës së Jezuitve në Tiranë… 

Edhe pse Ai ishte kundër diktaturës komuniste e, këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme, Ai në shumë raste edhe ka nderhy per shpetimin e jetës së të rijve… 

Në vitin 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte Pader Meshkalla Ai që i tha troç, ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur Pader Meshkalla i tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht parimi i parë i ju komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema.”, Mehmeti ju përgjegj: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e duen pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipni!”…Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me muejtë me hjekë një ashkël në kokën e Pader Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa. Përgjegja e preme e Pader Mëshkallës merret me mend cila ishte!.. Nuk i hiqej një lesker shkambit! 

Melbourne, 30 Shtator 2021.

Filed Under: Analiza Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Frtiz Radovani

Poezi nga Ismail Gashi-Sllovia: LAJ FYTYREN ME LOT E MIJ

October 1, 2021 by s p

LAJ FYTYREN ME LOT E MIJ 

Zgjohem në mëgjes

Sikur flasim

Unë e Ti

Luajmë, shkruajmë, lexojmë

Ngjyrosim, vizatojmë e

Recitojmë.

Ti vallëzon “Bareshën”e Nexhmijes

Unë qeshem nga gëzim

Në fund aplaudojë

Ti luan leksionin e Baletit

Dhe vazhdimisht më thua:

Gjysh shikom!

Ti hidhesh në përmasa

Përdrishesh

E lodhur përshëndet

Unë prap duartrokas

Laj fytyrën me lot e mijë.

Në piano

Deklamon

Shikon në pentagram

Me fuqi ritmi

Shpërdan gishtrinjët

Me mimikë fytyre

Gjestikualcion

Shpreh mall e gëzim

E unë laj fytyrën

Me lot e mijë.

Guximshëm shikoje varrin

                            -Rivarrimi i Afrim Zhitisë-

Në funeralin tënd

Ishe edhe Ti

Thellë ngulite shikimin

Ngacmoje shokët-Amanetin

Ngushëlloje prindërit.

Përzgjodhe qefin

Flamurin tënd.

Lagur nga gjaku yt

lotët e nënës.

Varrin stolisën

Thinjat e babë Osmanit.

Me shikim të përlotur

Matëte varrit tënd.

Përball Ti Afrim

Guximshëm shikoje varrin

Përshëndetja e shokëve

Me gusht dheu

Shikimi Yt

Kujtesë historie

Obelisku 

Vërtebror lirie.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia

NË KUJTIM TË MARTIRIT NEZIR SHABAN DELIUT

October 1, 2021 by s p

C:\Users\PC\Desktop\Martiri Nezir Shaban Deliu.PNG

NJERI HUMAN DHE MBËSHTETËS I LUFTËS PËR LIRI

Shkruan: NUHI BYTYÇI

Gjatë xhirimeve të kronikave dhe të emisioneve speciale nga zonat e luftës në Kosovë, kur unë dhe kameramani Abaz Zeka qëndronim në Drenicë, më së shumti kemi qëndruar në Rezallë të Skenderajt, në familjen Deliu, në  odën e Nezir Shaban Deliut. Aty kemi shkuar në një mbrëmje në fund të qershorit të vitit 1998 bashkë me Ramadan Gashin dhe Kadri Kryeziun, të cilët ishin shokë të burgut të djalit të xha Nezirit – Bedri Deliut. Babai i tij, Neziri, nëna Hava, Bedriu dhe vëllai i tij – Shabani, na kanë pritur sikur të ishim jo vetëm pjesëtarë të familjes së tyre, por mysafirë të rrallë. Kjo familje përherë na ka lënë hapur derën e odës, na ka shtruar në odën e vet për të fjetur dhe na ka sjellë ushqim çdoherë që kemi shkuar aty, madje edhe natën vonë kur jemi kthyer nga xhirimet në zonat e luftës në Drenicë. Xha Neziri dhe djemtë e tij – Bedriu, ish i burgosur politik dhe Shabani shpesh nuk binin në gjumë pa ardhur ne dhe pa na shërbyer sipas traditave. Mikpritje dhe bujari të tillë nuk kemi hasur pothuaj askund. Me xha Nezirin bisedoja sikur me babain tim. Ishte njeri shumë i afërt, komunikativ, i mençur, i qetë, sikur të ishte slloven, sepse kishte punuar rreth 20 vite në Slloveni dhe kishte marrë tiparet e mira të sllovenëve. Mua dhe Abazit Nezir Deliu na ka mbështetur dhe inkuarjuar përherë që të punojmë dhe sakrifikojmë për ti bërë imazhet për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë. Xha Neziri ishte optimist se populli ynë do ta fitojë luftën dhe do ta gëzojë lirinë e plotë. Mirëpo, ai vet nuk e gëzoi asnjë ditë lirie.                                                                                                                               Për fat të keq, në mesin e mbi 13.000 civilë shqiptarë, që u vranë nga forcat ushtarake dhe policore serbe ishte edhe Nezir Shaban Deliu. Ai më 5 prill të vitit 1999, kur kishte 67 vjet, bashkë me 98 burra, të rinj  e gra shqiptare, u tubuan në lagjen Dërguti, pikërisht në oborrin e shtëpisë së Hashim Dërgutit në Rezallë të Skënderajt dhe u ekzekutuan në mënyrën më barbare.                                                                            Ishte kjo ndër masakrat më të mëdha të ish-regjimit okupues serb mbi poullatën civile në Drenicë dhe në Kosovë si hakmarrje për humbjet që pësonte ushtria dhe policia serbe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bombardimet ajrore të NATO-s.                                                                                                                                                           Pas kësaj masakre makabre, jam informuar se i zoti i shtëpisë, Nezir Shaban Deliu, bashkë me 98 burra, gra dhe fëmijë të Rezallës, është ekzekutuar nga forcat serbe dhe trupi i tij ende nuk është gjetur, pasi ishte dërguar në Serbi për tu humbur gjurmët e krimit, sikurse kishte vepruar regjimi i atëhershëm serb me mëse 1700 kufoma tjera të civilëve shqiptarë. Kam ndier dhembje të madhe për të, po sikur të më kishte vdekur babai, sepse është kujdesur për mua po sikur të më kishte djalë të vetin.
Pas luftës e kam vizituar familjen e xha Nezirit dhe i kam shprehur ngushëllimet e thella bashkëshortes së tij Havës dhe djemëve e nipave e mbesave të tij për humbjen e më të dashurit të tyre. Ata ishin dhe janë krenarë me martirin e Kosovës së lire, por ndienin dhembje të veçantë për shkak se nuk kishin ku ti bënin nderimet e merituara, nga se regjimi gjenocidal serb kishte bërë krimin e dytë edhe më të madh, kishte zhdukur kufomën e xha Nezirit dhe të mijëra shqiptarëve tjerë. Të mërkurën, më 30 shtator, pas përfundimit të gjurmimeve nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Kosovës dhe të ekspertëve ndërkombëtarë, në Kizhevak të Serbisë, pra pas 22 vitesh dhembje e ankthi të familjarëve të masakruarve në Rezallë të Skënderajt, janë sjellur eshtrat edhe të 7 martirëve të ekzekutuar më 5 prill të vitit 1999 nga forcat serbe.                                                                            Në pikën kifitare Kosovë-Serbi, në Merdare, në ceremoninë e pranimit të eshtrave të tyre dhe të homazheve në nderim të sakrifices së tyre, përveç udhëheqsëve të Republikës së Kosovës, pjesëtarëve të FSK-së, të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve tjerë institucionalë të shtetit të Kosovës, ishin edhe bashkëshortja e xha Nezirit – Hava, motra Afija, djali Shabani, nipi Graniti (22 vjeçar), që nuk pati fat ta njoh gjyshin dhe shumë bashkëvendasë të tij.  I biri Shabani, i cili e  kishte përjetuar shumë rëndë masakrimin e babait të tij dhe të bashkëfshatarëve tjerë sikur ndihet më i lehtësuar me gjetjen dhe kthimin e eshtrave të prindit, kur sërish ia shpreh ngushëllimet e mia gjen force që të jep edhe këtë mesazh: “Me gjithë dhembjen, duhet që me qëndru sa më të fortë këto ditë të vështira dhe uroj që të gjenden të gjithë ata tjerët që janë të zhdukur, sepse vetëm ne e dimë që e kemi përjetu se sa vështirë është ta kesh dikë të zhdukur për 22 vjet me radhë”. Edhe  djemtë tjerë dhe vajzat e xha Nezirit, që jetojnë në Gjermani e shprehin këtë mesazh dhe po përgatiten që të vijnë dhe të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tyre dhe të martirëve tjerë të Rezallës.      

C:\Users\PC\Desktop\Varri i martirit Nezir Shaban Deliut.jpg

Familja Deliu ia ka hapur dhe ngritur varrin Xha Nezirit, por në të mungonin eshtrat e tij. Mirëpo, edhe pa ta ajo ia bënte nderimet e duhura, duke vënë lule dhe kurora mbi të. Tani, kur në Rezallë të Skënderajt të bëhet ceremonia e varrimit me nderimet më të larta ushtarake nga ish-luftëtarët e UÇK-së dhe të pasardhësve të tyre, jo vetëm familja Deliu, por edhe populli i Drenicës dhe i Kosovës e ka më lehtë që ti bëjë nderimet e merituara këtij martiri dhe martirëve tjerë të lirisë të Kosovës.                                                                                                                               Serbia ka përgjegjësi shtetërore që ti hapë arkivat e veta dhe ti gjejë dhe kthej sa më pare edhe 1600 mbetjet mortore të shqiptarëve të zhdukur dhunshëm, si dhe të kërkoj falje për masakrat e bëra mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë, kurse drejtësia serbe dhe ajo ndërkombëtare duhet ti ndëshkojë kryesit e masakrave të tilla. Këto janë parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon. Bashkëshortja e Xha Nezirit – Hava, djemtë: Tahiri, Bedriu, Shabani, Fatoni dhe Ardiani, vajzat: Bahtia, Miridia, Bukuria, Lumnia dhe Shehria, motrat: Mihanja, Hata dhe Afija, vëllai Avdullahu, si dhe shumë mbesa e nipa të tij, familja e madhe Deliu në Kosovë dhe në Evropë,  do ta kujtojnë përherë me krenari xha Nezirin se si të gjithë brezat e kjësaj familje edukohen me vyrtyte humane e kombëtare për të punuar dhe sakrifikuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Me krenari do ta kujtoj edhe unë që pata fatin ta takoj dhe njoh mirë martirin e lirisë së Kosovës, njeriun e urtë dhe të dashur Nezir Shaban Deliun. Xha Nezir, u prehsh në paqe në tokën tënde arbërore, që shumë e deshe dhe qoftë i përhershëm kujtimi për ty dhe të gjithë martirët e Drenicës e të Kosovës! Lavdi!

Filed Under: Histori Tagged With: Nuhi Bytyçi

Mungesë e vullnetit politik për ballafaqimin me të shkuarën

October 1, 2021 by s p

Nail  Draga

Duke marrë parasysh se krimet ndaj popullsisë në sajë të luftërave  në ish Jugosllavi kanë marrë gjykimin dhe dënimin nga Gjykata Ndërkombëtare në Hag, ku  gjenocidi në Srebrenicë mbetën krimi i  veçantë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, individë dhe parti politike të serbëve e mohojnë një vendim  të tillë gjyqësor. Rasti i votimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Kuvendin e Malit të Zi(17.6.2021) dëshmoj se në Mal të Zi vazhdon sindromi serb, ndaj luftimeve të zhvilluara në Bosnjë e Hercegovinë, që u dëshmu me refuzimin nga 19 deputet serb të Kuvend.

Një qendrim i tillë duke mohuar një krim, përkatësisht gjenocid i cili ka ndodhur në korrik të vitit 1995, dëshmon se popullsia serbe në Mal të Zi e cila në mënyrë aproksimative  përbën 1/3 e popullsisë së përgjithshme mbetet  çështje shqetësuese! Dhe nga një qendrim i tillë para qytetarëve  tjerë në Mal të Zi paraqet sfidë për të tejkaluar një realitet shoqëror me pasoja aktuale dhe në të ardhmën.

Pushteti i ri para sfidave të mëdha

Sipas informacioneve që disponojmë  për gjashtë vite për krime të luftës është procesuar vetëm një person,  që dëshmon se në Mal të Zi mungon vullneti politik për denimin e krimeve të luftës. Pjesëtarët e familjeve të viktimave të luftës, presin me të drejtë  se pushteti i ri  do të angazhohet në këtë drejtim, andaj janë para sfidave të mëdha jo vetëm politike. Vetëm me ngritjen e padive ndaj krimeve përkatësisht individëve përgjegjës, sikurse është rasti i Bukovicës, Shtërpcës, Rozhajës, Deportimit të boshnjakëve etj., do të dëshmohej gadishmëri për të dënuar krimet e luftës, si mision për drejtësi ndaj viktimave në këtë mjedis.

Ndonëse në Mal të Zi  nga viti 2015,  është ne funksion Prokuroria Speciale Shtetërore(SDT) që është përgjegjëse për zbatimin e „Strategjisë për hulumtimin e krimeve të luftës në Mal të Zi“ përkatësisht për ndjekjën e autorëve të veprave penale  të krimeve të luftës,  deri më tash mungon mbeshtetja e organeve kompetente, e po ashtu edhe vullneti politik kur është në pyetje kjo çështje.

Vendime politike e jo gjyqësore

E dhëna se në lidhje me procesuimin e krimeve të luftës, prokuroria malazeze ka procesuar shtatë raste, duke ngitur padi dhe ndaj tyre kemi epiloge gjyqësore. Kështu në lidhje me lëndët e „Deportimit“, „Bukovica“, “Husaj-Rozhajë“ të dyshuarit janë liruar me vendim gjyqësor. Ndonëse, në vendet përkatëse kanë ndodhur krime të luftës, me numër të madh të viktimash, është dëshmi transparente, se kemi vendime jo gjyqësore por të politikës ditore. Rezultatet e tilla  nga prokuroria dëshmojnë se në  territorin e Malit të Zi  nuk kanë ndodhur krime të luftës, si dhe të tillët nuk i kanë kryer qytetarët e këtij vendi. Opinioni i gjerë e di se në territorin e Malit të Zi me angazhimin e udhëheqjës politike e shtetërore  kanë humbur jetën njerëzit në luftërat e viteve të 90-ta, në mbrojtje të gjoja Jugosllavisë, e cila ishte në shërbim të ideologjisë serbomadhe. Kujtojmë me këtë rast sulimin në Dubrovnik, Bosnën lindore etj. Në shërbim të kësaj ideologjie ishte edhe udhëheqja politike e Malit të Zi, deri në vitin 1997, kur definitivisht u distancu nga një politikë e tillë. 

Deri sa nga prukoria speciale shtetërore  deklarohen se ka munguar vullneti politik për denimin e krimeve të luftës(1.7.2021) del  qartë se  ky institucion nuk është i pavarur, por është nën ndikimin e politikës(pushtetit), që duhet të jetë shqetësim për të gjithë qytetarët!

Vrasja e kosovarëve në Husaj-Rozhajë (1999)

Ndër krimet e luftës që kanë ndodhur në territorin e Malit të Zi është edhe vrasja e qytetarëve nga Kosova të cilët si refugjatë kanë depërtuar në malësinë e  Rozhajës, pikërisht në vendin Husaj, më 18 prill 1999. Ndaj tyre refugjatëve kanë reaguar pjesëtarët e Ushtrisë Jugosllave, duke vrarë 21 persona dhe dhjetëra të plagosur. Ishte ky një akt kriminal, sepse kosovarët ishin qytetar të zhvendosur nga lufta në Kosovë, për të gjetur shpëtim, por këtu gjetën vdekjën. Ndonëse shpëtuan nga terrorizmi ushtarko-policor  serbë në Kosovë, u vranë nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave(serbo-malazeze). Ndaj këtij procesi janë zhvilluar disa seanca gjyqësore në Mal të Zi, por gjykata të akuzuarit për këtë krim i ka shpallur të pafajshëm(2014), duke dëshmuar së nuk është në favor të drejtësisë, për të denuar krimet e vrasësit e qytetarëve të cilët ishin fajtor se ishin vetëm të një kombi tjetër.

Drejtësia e munguar 

Duke e marrë parasysh se krimet e luftës nuk vjetrohen, është obligim i prokurorisë që të rihapë lëndet e procesuara si të pasuksesshme, sidomos lëndët siç janë „Bukovica“, „Deportimi“ dhe „Husaj në Rozhajë”, sepse gjyqët, nuk kanë pasur forcë për të vërtetuar se kemi pasur rast të krimeve  të luftës. 

Pasi të gjithë të akuzuarit janë liruar, këta lëndë Komisioni Europian(KE) i ka regjistruar si zbatim të gabuar të drejtësisë. Pikërisht duke marrë për bazë një konstatim të tillë, ekziston mundësia përseri të mbahet gjyqi për rastët e „Deportimit“, „Bukovicës“ dhe ate në „Husaj në Rozhajë“, por duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, çështje kjo e cila deri më tash ka munguar. 

Përfundimisht, pa ndryshime ne prokurori e gjyqësi është iluzion të presim ndonjë ndryshim cilësor dhe profesional, sepse këto institucione  kanë qenë te politizuar, përkatësisht nën ndikimin e politikës së ditës. Andaj i mbetet pushtetit të ri të angazhohet në këtë drejtim,  në favor të drejtësisë së munguar dhe barazisë qytetare e nacionale si kudo në botën demokratike.

(29 shtator  2021)

Filed Under: Komente Tagged With: Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT