• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

ISH BRSS: JO VAKSËT VIJNË NGA E SHKUARA

November 20, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

Po t’I mbivendoset një hartë gjeografike statistikave mbi vaksinat kundër-Covid, mund të besohet se Bashkimi Sovjetik nuk ka vdekur më 1991. Në Rusi pandemia shkakton 1200 të vdekur në ditë, të vaksinuarit janë 34 %, dhe të vdekurit janë 800.000, një katastrofë në një Vënd që duhet të luftojë kundër rënies demografike.

Në republikat që bënin pjesë në BRSS statistikat janë pak të besueshme, por mendohet se gjëndja është edhe më e keqe. Për shëmbull n’Ukrainë, që mund të ketë vaksinat perëndimore, përqindja e vaksinimit është m’e ulët se ajo ruse. Nëse vështrohet në ish perandorinë sovjetike, në rajonet e Paktit të Varshavës e të COMECONIT, shihet se Vënde që sot janë në Bashkimin Evropian e në NATO duhet të bëjnë llogaritë me dukuri të ngjajshme, veçanërisht në Rumani (të vaksinuar 24,9 % dhe në Bullgari (22%) që, të gjëndur tashmë në Perëndim, nuk kanë asnjë nevojë të besojnë në vaksinën ruse Sputnik V.  

Politologët dhe sociologët janë tashmë të bindur se nuk bëhet fjalë për cilësinë e vaksinës ose për dyshime mbi efektshmërinë e saj. Në këtë pjesë të botës ku mbretëroi BRSS ka mjaft “jovaks historikë”, bij e nipa të kulturës sovjetike, e më parë cariste, në të cilën ishte i detyrueshëm nënështrimi por në fshehtësi ushqehej mosbesimi më absolut kundrejt Shtetit në të gjitha përmasat e tij. Rënia e BRSS ka sjellë fundin e frikës (të sulmuar më parë nga Glasnosti i Gorbaçovit),  por një kulturë shekullore ka mbetur në shoqërinë e “socializmit real” e shfaqet edhe në kontekstin e autoritarizmit putinian e në kaosin ukrainas, me një dyshim të hershëm që ndalon të ndiqen këshillat e pushtetit.

Të merremi vesh: jovaksët  janë edhe te ne e në gjithë Perëndimin. Por përmasat janë shumë të ndryshme, edhe se këto nuk përjashtojnë përsiatjen mbi gjurmët e lëna nga totalitarizmat tona.

“Corriere della Sera”, 16 nëndor 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

SHPALLJA E PAVARËSISË – AKT ME RËNDËSI HISTORIKE

November 20, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Fitoret e shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan, në të mirë të aleatëve ballkanikë. Patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim”. Duhej të mblidhej një kuvend kombëtar që do të parandalonte copëtimin e Shqipërisë dhe do të ruante tërësinë tokësore të saj. Nismën për këtë veprim e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Trepalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej një “komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë vendi; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja e Bukureshtit nuk përcaktoi qartë në do të kërkohej autonomi a pavarësi. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin Leopold Berhtold (Leopold Berchtold, 1863-1942) si dhe me ambasadorin italian. 

Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Por, autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze dhe greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. 

Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Më 19 nëntor 1913 Ismail Qemali deklaroi në Trieste se “…sapo të mbërrinte në Shqipëri do të shpallej pavarësia dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme…”. Në Vlorë tanimë ishte formuar komisioni për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar. Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij arritën në Durrës më 21 nëntor 1912. Bashkë me atdhetarët durrsakë vendosi t ngrinte në qytetet flamurin kombëtar. Kundër këtij veprimi reaguan autoritetet osmane të ndihmuar nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhespot Jakovi. 

Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës dhe të Krujës Ismail Qemali me shokët u nisën për në Kavajë. Që andej kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës. Më 25 nëntor arritën në Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur … “ shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij. 

Më 26 nëntor 1912 ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me të cilën porositeshin t’i mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin në gatishmëri. Ndërkohë ushtria serbe i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi dhe Tirana, ndërsa më 27 nëntor – Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar. 

Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 vetë, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. 

Delegatët të Kuvendit ishin: nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora; nga Shkodra: Luigj Gurakuqi; nga Berati: Sami Vrioni, Ilias Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara; nga Skrapari: Xhelal Koprenca, Hajredini Cakrani; nga Lushnja: Qemal Mullai, Ferit Vokopola, Nebi Sefa; nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu; nga Mati: Ahmet Zogu, Riza Zogolli, Kurt Agë Kadiu; nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Soilliu, Hamdi Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima; nga Durrësi: Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikoll Kaçorri; nga Tirana: Abdi Toptani, Murat Toptani; nga Shijaku: Xhelal Deliallisi, Ymer Deliallisi, Ibrahim Efendiu; nga Kruja: Mustafa Merlika-Kruja; nga Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Dervish Biçaku; nga Peqini: Mahmud Kaziu; mga Gramshi-Tomorrica: Ismail Qemali Gramshi; nga Gjirokastra: Azis Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli; nga Përmeti: Veli Këlcyra, Syrja Vlora; Tepelenë: Feim Mezhgorani; nga Janina: kristo Meksi, Aristidh Ruci; nga Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Aziz Tahir Ajdonati; nga Delvina: Avni Delvina; nga Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo; nga Pogradeci: Hajdar Blloshmi; nga Kosova, Gjakova dhe Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri Pojani, Salih Gjuka, Midhat Frashëri, Mehmet pashë Derralla (i Tetovës), Isa Boletini, Riza Gjakova, Hajdin Draga, Dervish Ipeku, Zenel Begolli, Qerim Begolli; nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Dhimitër Zografi Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo. 

Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor. Për shkak të rrethanave të luftës nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. që ndodheshin në burgun e Beogradit, si dhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës. 

Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze dhe greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.                                       

Kuvendi Kombëtar i Vlorës – Kuvendi i zhvilloi punimet e tij nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Kuvendi mori vendime që ndërlidheshin me hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me njohjen ndërkombëtare të tij. Duhej të zgjidheshin qeveria dhe Pleqësia. Duhej caktuar një përfaqësues që do të shkonte në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Detyra parësore ishte njohja e pavarësisë. 

Kryetar të qeverisë Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin, ndërsa nënkryetar dom Nikollë Kaçorin. Ismail Qemali vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Propozimi i tij u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pas kësaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit. Oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj. me fjalime të zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri. 

*   *   *

Qeveria e përkohshme e Vlorës – Pasi u zgjodh në detyrë të re, I. Qemali dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Në vend të tij u zgjodh myftiu i Dibrës, Vehbi Agolli, ndërsa nënkryetar Lef Nosi. Nga Kuvendi i Vlorës, më 4 dhjetor 1912 doli edhe qeveria e përkohshme. Anëtarë të qeverisë u zgjodhën Luigj Gurakuqi – ministër i Arsimit, Myfit Libohova – ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet pashë Derralla – ministër i Luftës, Abdi Toptani – ministër i Financave, Mithat Frashëri – ministër i Punëve Botore, Petro Poga – ministër i Drejtësisë, Pandeli Cale – ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi – ministër i Postë-Telegrafëve. I. Qemali mbajti edhe portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme. 

Pas kësaj Kuvendi zgjodhi Pleqësinë e cila do të kishte 18 anëtarë. Kryetar u zgjodh Vehbi Agolli. 

Për shpalljen e Pavarësisë, I. Qemali i njoftoi Fuqitë e Mëdha, shtetet ndërluftuese ballkanike dhe qeverinë e Rumanisë. Ai kërkoi largimin e ushtrive të shteteve të Aleancës Ballkanike nga trojet shqiptare. U deklarua qëndrimi asnjanës i shtetit shqiptar në Luftën Ballkanike.

*   *   *

Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo mbylli një epokë luftërash e përpjekjesh shekullore për t’u liruar nga zgjedha e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut dhe për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar synimet e rilindësve. Hapi edhe një epokë luftërash dhe përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga fqinjët grabitqarë, për ta siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik. 

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje, për të vazhduar në Ulqin, në Tivar, në Tuz, në Plavë e Guci, në Hot e Grudë, deri në Malësi.

Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave që i dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar dhe e të gjitha trojeve shqiptare. 

Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo e drejtë buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin dhe me historinë e vet. Këtë të drejtë populli shqiptar e kishte fituar me sakrifica të mëdha në llogoret e luftës. Ishte një e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë. 

Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit (1878) dhe ajo e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore të zinxhirit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare. Shqipëria ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi osman. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë dhe politikë të brendshëm dhe të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke determinuar ritmet e zhvillimit të saj. Ngecja ekonomike dhe shoqërore e Shqipërisë ishte një faktor që e vonoi shtrirjen e forcave organizuese dhe drejtuese të lëvizjes kombëtare që si pasojë e vështirësoi dhe vonoi shpalljen e pavarësisë. Fuqitë e Mëdha gjatë shekullit XIX përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit – serbët, grekët, rumunët dhe bullgarët për t’i formuar shtetet e tyre të pavarura, ndërsa ndaj çështjes shqiptare mbajtën një qëndrim mospërfillës. 

Shqiptarët janë popull me tri fe, me shumicë myslimane. Por i bashkon një ndërgjegje e vetme kombëtare. Ndarja në tri fe, me shumicë myslimane ndikoi që Evropa e krishterë t’i shohë si një popull i huaj për të dhe i afërt me turqit myslimanë. Këtë fakt e shfrytëzonte sidomos Rusia para kancelarive perëndimore. 

Shqiptarët mund ta arrinin qëllimin duke u bazuar në forcat e veta dhe kur të krijohej një koniunkturë ndërkombëtare e favorshme për ta. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike u ndeshën interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Atdhetarët shqiptarë, nga platforma politike për autonomi kaluan në atë të pavarësisë. Kjo u realizua kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga ruajtja e status quo-së në gadishull dhe kur planet e fqinjëve grabitqarë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Trepalëshe. 

Vendimi historik i shpalljes së pavarësisë drejtohej jo vetëm kundër politikës së fuqive të Antantës (Anglisë, Francës, Rusisë) dhe grabitqarëve ballkanikë, por edhe planeve të caktuara të fuqive të Lidhjes Trepalëshe (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë). Austro-Hungaria dhe Italia, në atë kohë ishin për autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit. Pavarësinë e saj e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet. Ata e shihnin popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, drejt Adriatikut dhe si mbështetje për depërtimin dhe shtrirjen e tyre në Ballkan. 

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, siç u pa nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) të gjashtë Fuqive të Mëdha, nuk arriti të bashkonte në një shtetet të vetëm të gjitha territore etnike dhe historike shqiptare dhe popullsinë shqiptare. Megjithëkëtë, shpallja e pavarësisë pas pesë shekujsh robërie nën sundimin osman, përbën ngjarjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar gjatë shekullit XX.

Sundimi pesëshekullor osman në Shqipëri, kishte për pasojë:

– copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve (1913); 

– ngecjen ekonomike të Shqipërisë gjatë gjithë shekullit XX, përfshi edhe lindjen e regjimeve antidemokratike dhe diktatoriale;

– shtypjen e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë – në Greqi, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, përfshi edhe gjenocidin dhe pastrimin etnik të trojeve shqiptare. 

Me formimin e shtetit të pavarur shqiptar u krijuan premisat dhe baza shtetërore dhe politike për ta mbajtur gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të kauzës shqiptare në Ballkan.            

*   *   *

Konferenca e Ambasadorëve (17 dhjetor 1912 – maj 1913) – Me fillimin e konfliktit ballkanik çështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Austro-Hungaria dhe Italia ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur dhe me kufij sa më të gjerë, por nën ndikimin e tyre. Për Austro-Hungarinë Shqipëria do të ishte një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik. Për Italinë, Shqipëria do të ishte si një bazë për depërtimin drejt Lindjes. Në anën tjetër, Rusia përpiqej për shtrirjen e ndikimit të vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje. 

Të shqetësuara për “paqen evropiane”, Fuqitë e Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme. 

Më 17 dhjetor 1912, përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha – Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë u mblodhën në Londër për të shqyrtuar problemet e shtruara nga Lufta Ballkanike (1912). Konferenca u drejtua nga ministri i Jashtëm anglez Eduard Grej (Edward Grey). Që në ditën e parë, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare: e ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i kufijve. 

*   *   *

Grabitqarët ballkanikë (Serbia, Greqia, Mali i Zi) – Që në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, shtetet aleate të Ballkanit i paraqitën Konferencës pikëpamjet e tyre për ndryshime territoriale, që duhej të bëheshin në gadishull pas lufte. Përveç krahinave greke të Thesalisë, Greqia kërkonte edhe vise të Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone të rretheve të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsi vendase. Qeveria serbe përfshinte në listën e kërkesave të saj edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Mal të Zi ngulte këmbë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufij të tij me Shqipërinë të caktohej lumi Mat, ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik. 

Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe Qeveria e Vlorës. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Memorandumi hedhtë poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti se kryengritjet shqiptare kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm n[ çështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan. 

Lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Monarkia e dyfishtë doli në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Ajo synonte ta përdorte shtetin shqiptar si faktor të ekuilibrit të ri në Ballkan. Duhet theksuar se në raste të caktuara, për kompromise në dëm të shqiptarëve ishte edhe Vjena. Ajo i paraqiti Konferencës një projekt-hartë të Shqipërisë. 

Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës edhe nga Rusia, e cila parashikonte një cungim edhe më të madh të tokave të Shqipërisë. Sipas këtij projekti, jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbeteshin Shkodra dhe e gjithë treva veriore e Shqipërisë deri në kufirin me Malin e Zi. Mbeteshin jashtë edhe të gjitha qytetet dhe tokat me popullsi shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit deri në liqenin e Ohrit. Në jug mbeteshin jashtë Shqipërisë Korça, Delvina, Saranda dhe gjithë Çamëria. 

Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca dhe nga Anglia. Në shenjë proteste, Vjena i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej nga Konferenca. Tani Italia u rreshtua në anën e Vjenës.

Shënim: Në vitin 2014, busti i kontit Leopold Berhtold u vendos pranë bashkisë së Shkodrës. 

*   *   *

Konferenca e Ambasadorëve nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik. Ajo vendosi të mos përfillte asgjë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e vendit. Nuk i përfilli aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste të shteteve ballkanike. Me kufijtë që u caktuan në Londër, jashtë Shqipërisë mbeti më tepër se gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra: Kosova në veri, Çamëria në jug, të cilat jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të madh në luftën me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane. 

Më 12 gusht 1913 Eduard Grej deklaroi: “… kjo zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha… kufijtë e Shqipërisë u caktuan kësisoj në të mirë të paqes në Evropë”. Me fjalë të tjera, Konferenca e Ambasadorëve në Londër flijoi Shqipërinë dhe shqiptarët “për hir të paqes në Evropë”. Hipokrizi dhe qyqari e paparë në histori. Pas një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Ç’u bë me paqen?! 

*   *   *

Sot shqiptarët ballafaqohen me çështjen e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Për ta zgjidhur drejtë këtë çështje, duhet të marrin mësim nga e kaluara. Duhet t’ia bëjnë me dije Perëndimit se janë popull perëndimor, madje jo me fjalë por me vepër. Duhet të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Sot e kësaj dite Beogradi, Athina dhe Moska u thonë kancelarive perëndimore: “Mos i mbështetni shqiptarët. Ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian në Ballkan dhe Evropë”. Vlera shqiptare dhe të botës mbarë janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Ismail Kadareja. Aleate e përjetshme e bijve të Ilirisë dhe të Arbërisë është ShBA-ja. Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Shqiptarët duhet të dëshmojnë se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Dielli shqiptar lind në Perëndim,  

Prof. Xhelal Zejneli                       

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

Veprimtaria diplomatike e Midhat Frashërit në mbështetje të Kosovës

November 20, 2021 by s p

Nga Lindita Komani

Nëntor 2021

Mbështetja dhe mendimi për Kosovën. Në një letërkëmbim me Bedri Pejanin, i cili mesa duket i ishte kundërvënë lidhur me qëndrimin që Midhati kishte për Kosovën (letra e Pejanit nuk është e ruajtur), Midhati parashtron në mënyrë konçize qëndrimin e tij për rrugën e vetme sesi Shqipëria mund t’i ndihmojë Kosovës, ndaj edhe i theksonte në këtë mënyrë arsyen se pse ai nuk mund të ishte demagog dhe të premtonte për kosovarët gjëra të pamundura. Ai i shkruante (21 mars 1921):

“Po ti e di se nuk jam demagog prej atyre që rrejnë dhe japin fjalë edhe shpresa të kota. Pra të thom:

1. Kosova asht tokë Shqiptare. 2. Kosova nuk e shpëton Shqipninë, Shqipnia e shpëton Kosovën. 3. Ne dimë me e shpëtue Kosovën, por duhet ma parë me forcue Shqipninë, se anija do nji hu që të lidhet. 4. Për me forcue Shqipninë, duhet që të ketë paqe. 5. Për me pas paqe, duhet me jetue mirë me fqinjët. 6. E shoh nji punë kriminale me u dhanë kosovarvet shpresë të kotë dhe me i marr në qafë. 7. Duhet me i bind Kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyne në rrugë të nomit.”

Mbështetja për çamët. Në një letër të Hajredin Bakos, nga shoqata Çamëria në SHBA (15 janar 1921) kuptohet që anëtarët dhe drejtuesit e saj e kishin Midhat Frashërin si pikë reference për të marrë këshilla mbi bazat e veprimtarisë që duhet të kishte kjo shoqëri. Midhati pra ishte një burim frymëzues si për djelmërinë kosovare sikurse u paraqit në letrën e Mehmet Vokshit ashtu edhe për çamët të cilët qoftë edhe në distancë dëshironin të mbanin qëndrimin e tyre mbi çështjen e Çamërisë. 

Çështja Avni Rustemi. Një nga gjetjet më interesante gjatë leximit është e lidhur me qëndrimin e Midhat Frashërit për Avni Rustemin. Në kohën kur Esad Pasha ishte bërë një rrezik i vërtetë dhe konkret për përpjekjet e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, vrasja e tij ndodhi dhe Avni Rustemi u gjend përballë drejtësisë franceze. Por në këtë përballje Avni Rustemi nuk ishte vetëm, ai kishte mbështetjen e Midhat Frashërit, gjë që shprehet qartë në letërkëmbim me përpjekjet që Midhati ka zhvilluar në shumë drejtime për ta shpëtuar Avni Rustemin nga gjykimi dhe burgosja në Francë.

Në një letër për Arif Dinon, student në Zvicër (25 korrik 1920), Midhati i bën të ditur se e kishte njohur Avniun në Romë gjashtë muaj më parë dhe se e kishte takuar edhe në Paris. Për këtë ishte thirrur madje “nga gjykatësi hetues Z.Driou për të thënë gjithë sa dija për Avniun”. Në një letër të mëhershme për Arif dhe Ali Dinon, ai u kishte kërkuar atyre, që në emër të studentëve shqiptarë të Zvicrës të dërgonin një letër në adresë të ministrisë së drejtësisë dhe kryeministrisë në Francë, ku t’i dilnin krah Avni Rustemit. Të njëjtën gjë ai i kërkoi Asdrenit në një letër të 30 korrikut 1920, ku i shkruante se “gazetat italiane thonë se studentët shqiptarë t’Amerikës i bënë një lutje ministrit të Drejtësisë këtu në Paris, për vrasësin e Esadit, Avni Rustemin”. Ai u mor drejtpërdrejt me koordinimin me avokatin e Rustemit sikurse shprehet në letrën e 12 gushtit drejtuar Asdrenit: “Po të çoj këtu një model si duhet ajo shkresë për Rustemin, se avokati që e mori përsipër punën e tij, e gjen fort të nevojshme. Pra, në e kini për ta bërë, çojeni shpejt me postë si edhe mua një kopje.” Pas njoftimit që kishte çuar në Amerikë me rastin e shpalljes së pafajshëm të Rustemit nga gjykata franceze, Andrea Pandele nga Federata Vatra i dërgon këto rreshta (3 dhjetor 1920) që dëshmojnë edhe mbështetjen e madhe që Vatra dha për Rustemin: 

“I dashur Zot,

Muarmë kabllon tuaj, me anën e së cilës na lajmëronit për Avninë, që gjyqi e nxori të pafajshëm. U gëzuam pa masë për lirimin e trimit tone, i cili çliroi Shqipërinë nga një kuçedër. Sipas porosisë suaj, iu kablluan sot 2000 dollarë (franga 33 058) nga fondi i mbledhur për Avninë. U dërguan me anën e bankës së atyshme Guaranty Trust Co.”

Dhe ja sesi e shprehu Avni Rustemi vlerësimin për Midhatin me rastin e largimit nga Franca (10 dhjetor 1920):

“I ndershmi Midhat be,

Unë sonte do të shkoj. Erdha në Delegasion, po mjerisht nuk ju gjeta për t’ju thënë me shëndet. Ju lë, atëherë, këtë letër si për shenjë të ndjenjave më të shquara q’ushqej për Zotërinë Tuaj, se jinni udhëheqësit e idealit kombëtar dhe Djalëria q’është djalëri, këtë gjë e ka njohur, e njeh dhe do ta njohë; edhe gëzohet e nderohet ajo Djalëri, kur sheh se Dera e Frashërit jua ka lënë Zotërisë tuaj trashëgimin e idealit kombëtar, q’i përkitte në kohërat më të errëta të regjimit despotik.”

Midhati përballë Nolit. Në letërkëmim janë të ruajtura vetëm letra që Midhati i ka dërguar Nolit (21 shkurt dhe 13 korrik 1921). Në to perceptojmë një qëndrim të kujdesshëm dhe vlerësues të Midhatit për Nolin. Megjithatë, duke lexuar edhe letra të tjera për të cilat do të referojmë si vijon, vëmë re që një lloj rivaliteti kishte lindur mes këtyre dy figurave që në vitin 1920 dhe nuk ishte Midhati ai që e kishte nisur atë.

Nëpërmjet një letre të Pandeli Evangjelit për Midhatin (15 tetor 1920), mësojmë se Noli kishte dalë kundër misionit të Midhatit në emër të qeverisë shqiptare për të nënshkruar huanë e brendshme. Evangjeli shkruan: “Na ka ardhur shumë keq për ato që ngjanë me sërën e Peshkopit Noli, të vullnetarëve dhe me propagandën e keqe që bëhet atje.” Dhe pak më poshtë: “Duhet të kemi shpresë se ky incident do të marrë fund dhe do të pendojë armiqtë tanë të përfitojnë nga çarjet tona.” Dhe më tej: “N’është se qeveria e bëri këtë çap, se ashtu e ka dashu nevoja dhe interesi i politikës së sotme të Shqipërisë, duke u ndodhur përpara një dileme të rëndë, atëherë duhet të shkelim edhe ne përmbi zemrat, si mundet që kanë bërë edhe qeveritarët; nuk është për të besuar që atje poshtë, në atë Shqipëri të vogël sundon një qeveri antipatriotike. Në qoftë puna kështu, duhet që për interesin e Shqipërisë dhe ne të tjerët shqiptarë si dhe Peshkopi, t’i durojmë të gjitha hidhërimet.” Një gjë që nuk kishte kuptim, sepse sikurse e dëshmon historia e çdo shteti të botës, bonot e thesarit që lëshohen nga qeveria janë forma bazë me të cilën shteti financon veprimtarinë e vet, sidomos në periudha kyçe siç është ajo e fillimit të veprimtarisë së saj. Ç’të keqe do të kishte sikur sa më shumë shqiptarë nga diaspora në Amerikë të angazhoheshin duke blerë bono të shtetit shqiptar? Përkundrazi, kjo do të konsolidonte lidhjen e tyre si individë dhe diasporës shqiptare në tërësi me shtetin shqiptar dhe do ta bënte më të vetëkuptueshme nevojën për punë serioze nga ana e qeverisë për ta shlyer këtë borxh.

Me një letër të 30 dhjetorit 1920, kryeministri Vrioni e njoftonte Midhatin, i cili që prej një muaji ishte emëruar nga Këshilli i Ministrave si kryetar i delegacionit në Paris dhe kishte zëvendësuar Nolin në këtë detyrë, që “Fan Noli ka mendimin që duhet shkatërruar Delegata e Parisit dhe duhet rishikuar përfaqësimi në Paris e në Londër”. Por edhe Midhati disa muaj më vonë duket se i mbajti qëndrim Nolit pas këtyre dy sulmeve që ai i bëri. Më 16 maj 1921, Midhat Frashëri i shprehte Iliaz Vrionit idenë që Vatra të mos përzihej në politikën e brendshme në Shqipëri, por të përqendrohej tek veprimtaria e saj për promovimin e kulturës shqiptare si dhe të ndihmonte emigrantët e rinj të integroheshin në Amerikë.  

Vajtja e Midhatit në SHBA u shoqërua me entuziazëm shumë të lartë në komunitetin shqiptar që vërehet në numrin e madh të letrave që ai ka pritur nga shumë veprimtarë të Vatrës. Kjo mund të ketë shkaktuar ndoshta pasiguri tek Noli. Si person me ambicie politike që shpejt u dëshmua se ishte e nivelit më të lartë, Noli ndoshta i druhej Midhatit për shkak të prejardhjes familjare që ai kishte. Mendojmë që vendosja përballë e këtyre dy figurave meriton një studim më vete, sepse të dy i kanë përkitur të njëjtit grupim intelektualësh të përndritur që kanë synuar një zhvillim të ri social për Shqipërinë dhe fokus të ri në marrëdhëniet diplomatike, por me përqasje të ndryshme.. 

  1. Rindërtimi i veprimtarisë së Midhatit në Konferencën e Paqes dhe në raport me Lidhjen e Kombeve

Diplomacia ashtu si edhe politika cilësohen si art i së mundurës. Shqipëria që nga Lufta I Botërore nuk doli si vend fitues, por si një vend i pushtuar nga Austro-Hungaria, e kishte pranuar këtë pushtim dhe ishte përpjekur të ndërtonte aq sa ishte e mundur ekzistencën e saj të brishtë që u cënua shumë shpejt pas pavarësisë. Duke i shtuar këtyre rrethanave faktin që fondet në dispozicion për të mbështetur veprimtari lobimi dhe diplomatike ishin shumë të ulta, vlen të theksojmë sesa e jashtëzakonshme ka qenë veprimtaria e intelektualëve shqiptarë kudo ku ata jetonin, për të nxitur mbrojtjen e të drejtës së shqiptarëve për një shtet të pavarur dhe për të arritur të paktën në kufijtë që ishin caktuar pas Konferencës së Londrës në 1913. Shtete si Britania e Madhe dhe Franca që nuk shquheshin si mbrojtëse të Shqipërisë duhet të ndryshonin qëndrim për të. Ndërkohë Austro-Hungaria nuk ekzistonte më si e tillë dhe lavdia e perandorisë që kishte ndihmuar shqiptarët në 1912 dhe 1913 po copëtohej pas humbjes së luftës. Kjo është një arsye e fortë, pse ky libër ka vlerë të madhe dhe duhet të studiohet me seriozitet nga historianë e diplomatë dhe një sintezë e tij në formë të thjeshtësuar të pëfshihet sa më shpejt në librat e historisë për të plotësuar njohuritë që u jepen të rinjve lidhur me vlerën e diplomacisë të atyre tre viteve shumë intensive të jetës shqiptare (1919-1921).

Rrugëtimi diplomatik i Midhat Frashërit nis plot vizion me kontaktimin e personaliteteve të larta politike dhe diplomatike në tre shtete europiane: Britani e Madhe, Francë dhe Itali. Do të njihemi si vijon me emrat dhe përmbajtjen e këtyre shkëmbimeve të rëndësishme.

Pichon dhe Harry Lamb

Vetëm 9 ditë pas mbarimit zyrtar të Luftës së I Botërore, Dr.Turtulli dhe Midhat Frashëri në emër të Vatrës paraqitën kërkesën në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës dhe Foreign Office të Britanisë së Madhe për të fituar të drejtën e vajtjes në Francë dhe Britaninë e Madhe me qëllim parashtrimin e ankesave dhe dëshirave të kësaj organizate pranë qeverive respektive. Ministrit francez Pichot i përmendën Esadin si një person i urryer nga krejt shqiptarët dhe i cili nuk mund të jetë përfaqësues i tyre, ndërsa britanikut Harry Lamb i përmendën faktin që 60 000 shqiptarët që ata të dy përfaqësonin jetonin të lirë si banorë të një vendi liberal. Me këto dy finesa diplomatike fillon veprimtaria madhështore e Midhatit në diplomacinë e periudhës së Konferencës së Paqes dhe fillimit të Lidhjes së Kombeve. 

Kontaktet në Itali

Disa ditë më vonë ai dërgoi letër për kolonelin Castoldi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë (27 nëntor 1918), më vonë për disa deputetë italianë (23 shkurt 1920). Gjithashtu ai zhvilloi letërkëmbim me deputetin e Venecias C.Alessandri (12 mars 1919) nga i cili ruhet edhe përgjigja që e dërguar (30 prill 1919). Në këto letra mbahet qëndrim për Vlorën, Korçën, Gjirokastrën dhe iu bëhet thirrje shtetarëve italianë në emër të parimeve të drejtësisë e lirisë.

Presidenti Wilson

Ndër letrat më të rëndësishme ishte ajo drejtuar në formë telegrafi Presidentit amerikan Wilson (13 maj 1919) nënshkruar bashkë me tre veprimtarë të tjerë me banim në Zvicër, në të cilën i bëhet e qartë presidentit amerikan se shqiptarët i kanë vendosur të gjitha shpresat tek ai, por njëkohësisht mbajnë qëndrim ndaj një pasazhi lidhur me Vlorën në Memorandumin që Wilson i kishte drejtuar Delegacionit Italian. Ata shprehin që po “të sakrifikohet Vlora, do të thotë që pavarësia e Shqipërisë të jetë një iluzion, kjo do të shkonte deri në rrezikimin e ekzistencës së popullit shqiptar” (cit. Telegram 13 maj 1919). Një tjetër telegraf i 10 janarit 1920 drejtuar Vatrës bënte me dije se Midhati i kishte telegrafuar Wilson-it dhe Lansingut për Korçën dhe Gjirokastrën dhe me këtë rast i kërkonte Vatrës që të vepronte energjikisht në Uashington.

Roli i miqve të çmuar britanikë

Vëmendje të posaçme meritojnë tre veprimtarë britanikë: kolonel Audrey Herbert, antropologja Edith Durham, major I.S.Barnes, të cilët me Shqipërinë dhe shqiptarët kishin lidhur një pjesë të ekzistencës së tyre. Përmes angazhimit individual, po aq sa edhe në grup me njëri-tjetrin dhe të tjerë, ata ia dolën që të kthejnë pikëpamjen e qeverisë britanike në favor të Shqipërisë së pavarur me të njëjtët kufij si para Luftës së I Botërore, diçka shumë larg të qënit e vetëkuptueshme. Të tre ishin miq të mirë dhe bashkëpunëtorë të afërt të Midhatit në të mirë të çështjes shqiptare. 

Pengimi për të shkuar në Paris si pjesë e Delegacionit Shqiptar

I përgatitur për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar në Paris, si pjesë e përfaqësimit zyrtar të shtetit, Midhati, në atë kohë pjesë e qeverisë shqiptare, u përball me befasinë e parë të hidhur: pengimin nga kryeministri Turhan Pasha që ai të ishte pjesë e delegacionit. Për këtë ai shpjegohet hollësisht në letrën që i dërgon presidentit të Vatrës, Kolë Tromara (8 mars 1919). Tri ditë para se të merrnin pasaportat me lejet e udhëtimit në Francë si grupi i parë nga qeveria e Shqipërisë i përbërë nga Turhan Pasha, Mehmed Konica dhe Midhat Frashëri, Turhani i tregoi një program të nënshkruar nga anëtarët e qeverisë së përkohshme në Durrës, por që ende nuk ishte firmosur nga Turhani si kryeministër dhe Mehmedi si delegat për punët e jashtme. Sikurse shpjegon Midhati, ky program përmbante disa çështje dhe njëra prej tyre kishte të bënte me rolin që do t’i jepej Italisë në vijim, përkatësisht “Italia duhet të dërgojë trupa në kufijtë shqiptarë dhe gjithë organizuesit e degëve administrative duhet të vihen nga Italia”. Shqipëria pra hynte me kërkesën e saj nën protektorat Italian. Midhati shkruan:

“I thashë Turhanit që nuk kisha kundërshtime ndaj këtij programi, por që nuk mund ta kuptoja nevojën për nënshkrimin e tij, në dritën e faktit që, sapo të ishim në Paris, ne duhej të silleshim në përputhje me rrethanat (me çka nënkuptoja – interesat e vërteta të vendit tonë). Gjithsesi, shmanga hyrjen në debat përsa i përket hollësive, ngaqë nuk doja që mendimet e mia të bëheshin të ditura, për sa kohë që ishim në tokën Italiane, por Turhani nuk më besoi, pasi më kishte qortuar disa herë për pavarësinë time të veprimit dhe të mendimit dhe për mungesë të simpatisë për politikën italiane.” 

Megjithatë, sikurse e përmendëm më herët, këtë kohë të “burgosjes në Romë” Midhati e shfrytëzoi për t’u takuar me konsullin amerikan në Torino, z.Emerson Haven, gjë e cila patjetër që ka pasur efektin e vet.

Veprimtaria publicistike e vitit 1919 dhe ndihma nga jashtë për Delegacionin Shqiptar

Vendosja në Zvicër dhe mospërfshirja prej fillimit në delegacionin shqiptar, i dha mundësinë Midhatit që të përqendrohej në veprimtarinë shumë të dashur prejt tij: shkrimin në të mirë të çështjes kombëtare. Si rezultat i kësaj pune, panë dritën e botimit në frëngjisht libra si: Rivendikimet shqiptare, Rilindja shqiptare, Shqiptarët dhe sllavët, Shqiptarët, Për Shqipërinë, për shpërndarjen e të cilëve u angazhuan edhe shumë shqiptarë e të huaj që mbështesnin të mirën e Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Një veprimtari tjetër e rëndësishme e Midhatit në periudhën që ende nuk i ish bashkuar delegacionit si përfaqësues i Vatrës, ishte mbajtja e letërkëmbimit me përfaqësues shqiptarë në Konferencën e Paqes për të qenë i përditësuar lidhur me çfarë ndodhte jo vetëm në Konferencë, por edhe mes shqiptarëve vetë, të cilët sikurse e paraqitëm më lart me letrat e Mihal Gramenos, ishin të përçarë. Midhat Frashëri ndërhyri nga larg për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe përçarjen mes delegacioneve shqiptare. Për suksesin në këtë drejtim, Mehmed Konica e njofton Midhatin në një letër të 3 gushtit 1919 ku i shkruan:

“Falë sugjerimeve tuaja plot urtësi dhe përpjekjeve të bëra nga Fuad Be, kemi arritur në një pajtim e në një marrëveshje të plotë midis nesh dhe midis krejt delegacioneve shqiptare që ndodhen në Paris.” 

Me përfshirjen e tij si delegat i Vatrës dhe sidomos pas caktimit të tij në krye të delegacionit shqiptar në fund të vitit 1920, Midhat Frashëri ka pasur letërkëmbim të rregullt edhe me drejtuesit e Konferencës së Paqes, Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummod dhe Kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve Jules Cambon. 

Drejtuesit e Konferencës së Paqes

Një letër tjetër e rëndësishme që vlen të përmendet është ajo e datës 9 qershor 1920 drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes dhe për dijeni katë kryetarëve të Fuqive të Mëdha. Në të, duke iu referuar një note të Imzot Bumçit, asokohe kryetar i Delegacionit Shqiptar që ndodhej në Londër, drejtuar Zotit Lloyd George, kryetar i Këshillit të Lartë, Midhat Frashëri kthente vëmendjen tek veprimet e qeverisë greke. 

Një letër tjetër e rëndësishme drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Konferencës së Paqes mbledhur në Londër (Lloyd George, Aristide Briand, Conte Sforza dhe Baron Hayashi) është ajo e 2 marsit 1921, nëpërmjet së cilës Midhat Frashëri u kërkon shkëlqesive që të kenë “mirësinë të këshillojë mjetet për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike” midis qeverisë shqiptare dhe atyre të vendeve respektive që ata përfaqësonin, në po atë nivel që kishin dikur. 

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve Eric Drummond 

Një tjetër letërkëmbim i rëndësishëm me Drummond është ai nëpërmjet të cilit Midhat Frashëri paraqet tek Anëtarët e Këshillit një notë të 3 marsit 1921 lidhur me gjendjen e minoriteteve shqiptare në territorin grek dhe serb. Në këtë notë bëhet një paraqitje e situatës dhe e shkeljes nga ana e qeverisë greke e zotimeve që ajo kishte marrë në Traktatin e Sevrës si dhe e shkeljes nga ana e qeverisë serbe të zotimeve që ajo kishte marrë në Traktatin e Saint Germain. Në të dyja rastet, qeveritë si greke ashtu edhe ajo serbe nuk lejonin ushtrimin e të drejtave si minoritet për shqiptarët në territoret e aneksuara. 

Kryetari i Konferencës së Ambasadorëve

Një tjetër letërkëmbim i rëndësishëm është ai i zhvilluar me Kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris, Jules Cambon në nëntor 1921. 

Më 9 nëntor 1921, z.Cambon i paraqiti zyrtarisht Midhat Frashërit rezolutën e votuar njëzëri nga Asambleja e Shoqërisë të Kombeve në Gjenevë që “mori shënim zyrtarisht “faktin që shteti serbo-kroato-slloven dhe Greqia njohën Fuqitë Kryesore aleate dhe të shoqërizuara si organi kompetent për të shqyrtuar kufijtë e Shqipërisë” si dhe t’i rekomandojë Shqipërisë të pranojë, pas kësaj, vendimin e Fuqive Kryesore aleate dhe të shoqërizuara”. Gjithashtu përmes kësaj letre z.Cambon paraqiti bashkangjitur vendimin, nëpërmjet të cilit Perandoria Britanike, Franca, Italia dhe Japonia kishin përcaktuar, mbi bazën e autoritetit të tyre, kufijtë e Shqipërisë. 

Më 18 nëntor 1921, z.Cambon njofton Midhat Frashërin se Konferenca e Ambasadorëve mbajti shënim deklaratën e Shqipërisë se ajo i nënshtrohet vendimit të Fuqive Kryesore Aleate për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe në vijim “u mor gjithë preokuptim me çështjen sesi të lehtësohet evakuimi i shpejtë i territorit shqiptar”. Konferenca vlerësoi si të domosdoshme krijimin e një zone demarkacioni dhe në vijim të letrës ata paraqesin vendimin sesi do të duket kjo vijë demarkacioni.

Hyrja në Lidhjen e Kombeve 

Përpjekjet për hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishin nisur nga Pandeli Evangjeli me hartimin e një koncepti që ai e kishte dërguar tek kolonel Audrey Herbert. Sikurse Evangjeli e njofton për këtë lëvizje Midhatin në një letër të 15 tetorit 1920, kërkesa e hartuar do t’i jepej sekretarit të Lidhjes, që ishte në Londër.

Dr.Butka bën një përmbledhje të kontributeve në pranimin e Shqipërisë si anëtar shok i Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920 dhe vlerëson që Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan Noli ka meritë për këtë sukses të parë diplomatik. Ndërsa kontributi konkret i Midhatit sipas tij është në punën e gjithanshme që ai kishte bërë në gjithë vendet e Europës, sidomos në Angli, për njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Gjithashtu, një rol të madh ai njeh për mikun e Midhatit, lordin Robert Cecil, i cili propozoi pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (fq.330). Të gjitha këto pohime mund të konstatohen gjatë  leximit të letërkëmbimit të Midhatit dhe veprimtarisë së  tij sidomos me britanikët dhe francezët.

Përgatitja për Konferencën e Ambasadorëve në korrik 1921

E gjithë veprimtaria prej anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhje më 17 dhjetor 1920 e deri në mbajtjen e Konferencës së Ambasadorëve më 8 korrik 1921, ishte në funksion të përfaqësimit sa më solid të kërkesave dhe qëndrimit të Shqipërisë për të arritur maksimumin e mundshëm në rrethanat në të cilat u gjend vendi pas Luftës I Botërore. Gjatë kësaj periudhe përgatitore, ka një letërkëmbim të dendur dhe të rëndësishëm të Midhat Frashërit si kryetar i delegacionit shqiptar me kryeministrin e Shqipërisë Iliaz Vrioni dhe z.Mehmed Konica.

Bashkëpunimi me Konicën në këtë periudhë ka qenë shumë i afërt për të ushtruar sa më shumë ndikim mbi Foreign Office. Duket qartë nga letrat që të dy, Frashëri dhe Konica punonin si një ekip në bashkëpunim me miqtë britanikë, veçanërisht Audrey Herbert, Edith Durham, I.S.Barnes dhe lordin Cecil.

Letërkëmbim me kryeministrin Iliaz Vrioni është i fokusuar tek raportimi që Midhati bënte për gjithë zhvillimet e reja në Paris dhe Londër. Ai kulmon me një letër të 10 korrikut 1921 në të cilën Midhati i raporton me hollësi për pyetjet që iu bënë nga Komisioni i Ekspertëve në Konferencën e Ambasadorëve si dhe përgjigjet që dha ai. 

Konferenca e Ambasadorëve në korrik 1921

Sikurse e përmbledh Dr.Butka (fq.521), Midhati në këtë konferencë “bëri një ekspoze dhe mbrojtje të admirueshme të çështjes shqiptare dhe kërkoi që Statusi i 1913 dhe integriteti i Shqipërisë së pavarur të ishin të padiskutueshëm, si dhe hodhi poshtë pretendimet territorial të Serbisë dhe Greqisë, në një kohë që provoi të kundërtën: rivendikimet e drejta shqiptare dhe vënien në vend të padrejtësive të vulosura me protokollin e Firences më 1913”. 

Para diplomatëve të Fuqive të Mëdha, Midhat Frashëri sikurse i bën me dije kryeministrit Iliaz Vrioni në një letër të 10 korrikut 1921, pohoi se: qeveria shqiptare e kishte gjithë tokën shqiptare nën administrim, veç atyre viseve të zëna nga serbët dhe grekët; kufijtë shiheshin si të paprekshëm; minoriteti grek ishte i paktë në numër ndërsa vllehët bëjnë “cause commune” me shqiptarët dhe nuk kanë pretendime; zona si Nikaj dhe Thethi po pranojnë pushtetin qendror dhe Mirdita po ashtu është pjesë e Shqipërisë. 

Këshilli i Lartë i Konferencës së Ambasadorëve, mbledhur në nëntor 1921

Një tjetër arenë ku Midhat Frashëri shkëlqeu si një mbrojtës i zoti i interesave të Shqipërisë ishte në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit në datat 16-19 nëntor 1921, përshkruar në mënyrë mjeshtërore nga Roger Lévy në një artikull me titullin “Çështja e Shqipërisë”. Sipas Levy, sesioni ishte “një pjesë teatrore me tre akte dhe një prelud”. Shkak për këtë sesion ishte bërë mospranimi nga ana e Serbisë i vijës kufitare të përcaktuar nga komisioni i ekspertëve të angazhuar nga Konferenca e Ambasadorëve.

Vetë fryma e shkrimit të Lévy tregon se shqiptarët përmes Midhat Frashërit kishin arritur të fitonin zemrat e ambasadorëve që shqyrtonin çështjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila nuk e pranonte kufirin e përcaktuar nga Komisioni i Konferencës së Ambasadorëve. Ky përbën një shembull të mrekullueshëm të diplomacisë së suksesshme që mund të bëjnë shqiptarët dhe që kanë qenë ta bëjnë që njëqind vjet më parë. Kjo diplomaci në vitet 1919-1921 pati zërin, fytyrën, mendjen dhe emrin e Midhat Frashërit, të cilin historiografia shqiptare e sabotoi për një kohë shumë të gjatë, me vetëm një arritje: gjymtimin e kujtesës shqiptare lidhur me Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve, një kujtesë që më në fund ka mundësinë e mrekullueshme që të ndreqet përmes letërkëmbimeve të Midhatit, botuar në vëllimin VI të veprës së tij nga Instituti “Lumo Skëndo”.  

Filed Under: Politike Tagged With: Lindita Komani

Dokumente mbi indoktrinimin komunist përmes kulturës letërsisë dhe arteve

November 20, 2021 by s p

Instituti i Historisë

Instituti i Historisë mbyll ciklin me 4 vëllime “Dokumente mbi indoktrinimin komunist përmes kulturës letërsisë dhe arteve” përmbledh dokumente të periudhës 1945-1985 mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien në Shqipëri dhe realizuar me mbështetje dokumentare nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Lidhur me vellimin e fundit 1977-1984 merr vlerë fakti se ndonëse Shqipëria e asaj periudhe kishte krijuar tashmë një mekanizëm horizontal kulturor, me shtëpi kulture, biblioteka, muze dhe elementë të tjerë në pothuajse në të gjithë vendin, të dhënat zyrtare tregojnë se fokusi i tyre thelbësor ishte sistemi horizontal i propagandës dhe kontrollit.Në mënyrë simbolike, situata e ndërhyrjes së thellë në çdo element të lirisë dhe ndjesisë krijuese del në pah në dokumentet e ofruara në këtë vëllim që kanë të bëjnë me kritikat ndaj krijimtarisë së shkrimtarëve të njohur apo akuzave për ndikime të jashtme muzikore tek disa prej kompozitorëve më të njohur të kohës. Botimi ofron fakte domethënëse që publikohen për herë të parë, në funksion të njohjes dhe kuptimit më të mirë të mekanizmit të censurës, kontrollit dhe indoktrinimit edhe të elitës kulturore të kohës. Në këtë vëllim, jo ratësisht, i është lënë vend edhe shkrimtarit Ismail Kadare dhe krijimtarisë së tij, ku zyrtarë të lartë të PPSH, të propagandës, por edhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të institucioneve të tjera, angazhohen intensivisht dhe me gjuhë të ashpër për të ndaluar botimin e disa prej krijimeve të tij. Akuzat se novela “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “është në themel e gabuar ideologjikisht” nuk vijnë vetëm nga drejtuesit fanatikë të propagandës, por edhe emra të njohur të letërsisë dhe artit brenda Lidhjes. Gjuhë të njëjtë kritike, refuzuese për botim dhe me apel që Kadare të thellohet dhe të formohet më mirë ideologjikisht, u përdor edhe në rastin e romanit “Gjakftohtësia”, për skenarin e filmit “Pasha Liman” (Ballë për ballë), ku autori kritikohej se nuk ka krijuar figura punëtore frymëzuese, nuk ka nxjerrë në pah sa duhet vlerat e shoqërisë socialiste, apo se përse i referhet qytetërimit evropian.Të gjitha vëllimet ndodhen në stendën e Panairit 2021 të Institutit të Historisë / Akademia e Studimeve Albanologjike.

Filed Under: Kulture Tagged With: Instituti i Historise

Shënime për librin ”Plumba në Ferr” të Bedri Blloshmit

November 20, 2021 by s p

Nga Lekë TASI

Sot një çerek shekulli nga viti 1991, kushdo që e ka për zemër çështjen thuajse të harruar të viktimave të komunizmit, e ndien veten të vetmuar. Ata që e bëjnë të tyren këtë kauzë duhet të luftojnë kundra mendimit që haptazi o heshtazi mbizotëron akoma se ata që u vranë nga partia paskan qënë me anën e gabuar, dhe jo se donin një Shqipëri normale; vazhdon pra të ketë fuqi teza se në1944 ka pasë çlirim, prandaj ata me ide tjetër duhej t‘i nënshtroheshin regjimit. Kjo nënkupton pasivitet ndaj dhunës, pra të mos luftosh për një shoqëri të lirë, sëpari për liri personale.Të shprehje mendim kundra padrejtësive gjat 45 viteve, të doje të largoheshe nga vendi, këto quheshin tradhti ndaj atdheut, quheshin organizim kundra-revolucionar, dhe dënoheshin me dhjetra vjet burgim. Si pasojë e mbetjes pa u prekur e kësaj teze (atë e shohim në tekste historie, në deklarata dhe në manifestime zyrtare ku nderohen ende figura drejtuese e brigada që ushtruan terror) zëri jonë si kategori sociale e politike mbetet i zbehtë, dhe fort pak i vihet veshi. Kështu shumë prej nesh detyrohen të rregullojnë gjendjen e tyre të sotme, pra t‘i vënë vizën vuajtjeve të kaluara, kujtimi i të cilave mbetet makth.Por lënia mënjanë e kësaj detyre do të thotë t‘i harrosh praktikisht mijërat e viktimave , të mos nderosh qëndresën antidiktaturë, dhe më e para e të gjithave, të pajtohesh me faktin që mijra burra e gra dergjen të groposur diku por nuk kanë ende një varr. Të merresh vetëm me të sotmen personale nënkupton që e kaluara e mbrapësht të jetë e vetmja histori zyrtare, përderisa trimat që i rezistuan me duar e thonj çelikut të organeve të diktaturës, nuk e kanë ende një përmendore ku të nderohen në rang kombëtar, dhe aq më pak konsideratën zyrtare si mbrojtësit e vetëm, të vërtetë, të demokracisë në atë periudhë errësire e tmerri.Kujtesa e shkurtër, grindjet e debatet për gjëra që u mungon kushti, themelor – dhënia e drejtësisë me zë të plotë atyre që u ësht mohuar për 70 vjet – e lënë vendin mbrapa, prandaj dhe zgjidhja e problemeve aktuale në një frymë të tillë, gjysmake, edhe në ardhtë, do të jetë me shumë difekte, pra në masë të madhe çimentim i padrejtësisë.Që një shoqëri të qeveriset me drejtësi, të ketë mirëqënie dhe dinjitet, duhet qytetari të angazhohet në vazhdimësi me atë që ndodh përreth tij, kjo ësht detyrë imperative veçanërisht për ish të përndjekurit. Mungesa e unitetit mes tyre, përjashtimi i tyre nga organet vendim-marrëse, mban në këmbë shumë nga padrejtësitë e kaluara. Historia e ka provuar në raste të panumurta që indiferenca të çon përsëri në rrugën e nënshtrimit dhe në një mbijetesë pa dinjitet.Në vitet e Luftës së Dytë, Blloshmët e Bërzeshtës si shtëpi me influencë në zonën nga do të kalonin komunistët në Veri, provuan të parët pabesinë e tyre.Brigadat me yll të kuq të lidhur me jugosllavët dhe të udhëzuar prej tyre, kur konsoliduan pozitat e tyre, prishën marrëveshjen për mos-vëllavrasje, dhe duke shtënë në dorë me dinakëri 17 pjesëtarë të çetës nacionaliste, ku përfshihej dhe Shefqet Blloshmi, i premtuan vëllait të tij, Hakiut, se nuk do t‘ a ekzekutonin nëse ai do të dorëzohej.Ata e shkelën fjalën, dhe në masakrën që bënë, ndër 17 të ekzekutuarit , 5 ishin Blloshmaj. Pastaj, brënda periudhës Mars 1944- Tetor 1945 u vranë edhe 6 antarë të tjerë të kësaj familjeje sëbashku me të afërt të tyre, pa gjyq e pa asnjë akuzë të bazuar. Partitë komuniste kudo në botë e kanë përdorur terrorin si hap të parë në çdo vend që shkelnin sëpari. Vrasjet masive ishin në strategjinë e tyre paraprake për të nënshtruar krahinat që zotëronin, le të mos ishin ato të rreshtuara me palën kundërshtare.Terrorin komunistët tanë e vazhduan si politikë të ditës më pas në tërë Veriun, me vrasje e dhunime, dhe e mbajtën si sistem pune edhe mbasi e nënshtruan vendin, në kushte paqeje dhe me kushtetutë të miratuar që “garantonte” liritë demokratike; ata pushkatuan e varën në litar deputetë të zgjedhur në listën e tyre, e bënë tradhtar brënda natës një figurë madhore që ishte zgjedhur kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve – ky ishte morali politik i Frontit të tyre Demokratik e Nac. Çlirimtar…Ata kërkonin jo simpatinë e popullit , por nënshtrimin pa kushte të tij. Për çdo shenjë lirie, edhe elementare, që do të manifestonte dikush, ose për faktin që populli ushqente simpati për të, ndëshkimi do t`i jepej i skajshëm.Kësisoj edhe mbas luftës, shtëpi e parë e krahinës- familja e shquar Blloshmi, me origjinë nga heroi i famshëm kosovar Millosh Kopiliqi, trimi që në betejën e Fushë-Kosovës kishte vrarë sulltan Muratin I, pagoi një çmim të rëndë me ekzekutime të shumta, me burgime të gjata, vdekje në burg, internime të familjeve.Kjo barbari përfshiu siç dihet edhe dy djem të rinj, poetë të talentuar, kushërinjtë Vilson Blloshmin e Genc Lekën, që i ekzekutuan me akuza të shtirura tridhjet e ca vjet mbasi diktatori e kishte vendosur sundimin e tij absolut, dhe nuk e kishte të nevojshëm terrorin. Në një faqe të librit që i jepet sot lexuesit, Bedri Blloshmi, i mbijetuari i kësaj familjeje të madhe, përshkruan me një dhimbje që të sëmbon në zemër shkretimin e fisit tij, dhe e konkretizon atë tek dykatshja e madhe e banuar dikur nga njëzet frymë, sot e mbyllur dhe e rrënuar…Por rasti i Blloshmëve, siç del nga dokumentat që ka gjetur e botuar Bedriu në pesë librat e tij, ilustron edhe poshtrimin e skajshëm të krahinës nga klika e Tiranës, imponimin brutal të qendrës mbi organet lokale, hetues, operativë, prokurorë ,gjykatës, policë, dëshmitarë të emëruar, pra heqja e çdo pavarësie atyre që ligjërisht duhej t‘i shërbenin qytetarit por në fakt e tradhtuan me fund atë, disa bile me gatishmëri servile; vënien e inteligjencës në shërbim të falsitetit më trashaman, për tu dhënë gjyqeve të montuara një lustër legaliteti me anë ekspertizash tërësisht në shkelje të ligjit e të intelektit; u mobilizua pra kushdo që i binte në mend partisë, për të dëshmuar veç në dëm të të pafajshmëve të akuzuar.Në këtë ferr siç e quan me të drejtë autori, këta specialistë iu kërrusën me hir e me pahir diktatit të klikës kriminale së Tiranës dhe partiakëve të rrethit, dhe bashkëpunuan me paligjësinë dhe krimin shtetëror. Qëllimi ishte që krahina, dikur me anën e Blloshmëve, ta merrte edhe një sinjal tjetër, edhe pse të kotë, për të qëndruar urtë.U realizua pra ky komplot kundër dy të pafajshmëve me bashkëpunimin e dhjetra personave, që të mpiksej dëshmia se poezitë e tyre paraqisnin rrezikshmëri deri për dënim kapital. Ky fakt e jep qart dekadencën morale të asaj epoke, të cilën poeti Vilson Blloshmi e simbolizoi me finesë artisitke në poezinë e tij “Saharaja”, një metaforë e denjë të na përfaqësonte në një antologji evropiane, nëse do të krijohej, të rezistencës antikomuniste. Por nuk po shohim akoma asnjë shënjë të reformimit të dëshëruar në këtë drejtim, në mënyrë që t‘i njihet merita edhe krijimeve të poetëve disidentë, të vetmet që e japin fytyrën e vërtetë të vendit në ata 45 vjet, kur e vërtëta paguhej me gjak. ..Rekomandimi i KE për denoncimin e krimeve nuk po gjen ende zbatim. Ndaj Bedriu vazhdon i palodhur të merret në kohë të plotë me të kaluarën, ta gërmojë në arkiva e në popull, të intervistojë këdo që e përjetoi, si viktimë apo si persekutor, ai i gjurmon ata kudo , u del përpara dhe e gjen mënyrën për t‘i bërë të flasin.Qëllimi i tij i vetëm është t‘ia tregojë publikut me dokumenta provat e turpshme të asaj gjëme ; ai udhëton kudo ku mund të ketë shenja të ekzekutimeve të fshehta, u bën thirrje edhe atyre që zbrazën plumba mbi të dënuarit pa faj, që të tregojnë pak ndjenjë njerzore duke bashkëpunuar me të dhe me familjarët në gjetjen e eshtrave, normë elementare e shqiptarit, e përmbysur nga klika kriminale që mbushi territorin me varreza të maskuara.Ai vazhdon betejën e tij duke lënë mënjanë edhe hallet e veta, sepse gjëma që punoi sigurimi dhe veglat e tij mbi popullin e paarmatosur e të pafajshëm, në asnjë mënyrë nuk duhet lënë në harresë, sado të mprehta qofshin problemet aktuale. Detyra kryesore e shoqërisë është ndaj të rënëve, ndaj herojve që u ndeshën fizikisht me dhunën, po edhe ndaj atyre që u përpoqën të hiqnin qafe zgjedhën duke u arratisur, janë këto dëshmitë më të vlefshme që nderojnë Shqipërinë.Librat e mëparshëm të autorit, “Fabrikimi i Vdekjes”,”Rrëfime nga ferri komunist”,”Revolta e Qaf` Barit”, “Revolta e Spaçit”, vijon me librin që i jepet sot lexuesit, “Plumba në Ferr”, i cili ka si subjekt 16 raste të këtyre dy kampeve.Janë shembuj rezistence në kushte vështirësie të skajshme, dhe përmbysin versionin që e mban akoma si të vlefshëm shumkush, e që e paraqet të riun e burgosur si të dënuar për shkelje të ligjeve; këta libra e nxjerrin politikën e brendshme të regjimit në tërë egërsinë e tij: një taksë angarie e paprerë, mizore dhe tërësisht arbirtrare mbi popullin, përderisa shkelës i normave kushtetuese ishte organi që burgoste dhe jo qytetari që burgosej; dhe kjo taksë gjaku kishte nisur në pjesë të madhe qysh në luftën partizane, të paraqitur si popullore, por që ish një dhunë mbi popullin që kulminoi me të ashtuquajturin çlirim, të “festuar” qysh ditët e para krahas paradave, me qindra ekzekutime.E provojnë ngjashmëria e praktikës tyre vrasëse në të dy rastet: fshatarët e pushkatuar gjatë luftës, që po u zbulohen varrezat kohët e fundit, dhe mijrat e tjerë të vrarë më vonë gjatë sundimit- ndër dhjetra mijrat e dënuar, të ridënuar në një sfilitje pa fund, ose të eliminuar me plumb nëpër tela ose larg tyre.Por një tipar tjetër i ballafaqimit real diktaturë-popull ësht përqasja morale mes të dënuarve dhe rojeve. Epërsia e të parëve megjithë represionin e egër del sheshit në disa raste, raste që do mbeteshin të panjohura po të mos i regjistronin e botonin B.Blloshmi dhe të tjerë vuajtës-dëshmitarë okularë, me shkrimet e tyre për jetën në burgje e kampe. Kontrasti: trimëri e të paarmatosurve dhe vrapi i të armatosurve për të shpëtuar kokën.Kjo ka ndodhur në Qaf‘ Bar, (siç del në librin e Blloshmit “Revolta e Qaf Barit dhe Terrori Komunist 1943-1990”), ku në thirrjen për ndihmë të një të burgosuri që po e masakronin rojet, Sokol Sokoli e Tom Ndoja (të pushkatuar më vonë) dhe burrit të ndershëm që dha shpirt nën tortura Sandër Sokoli , me tetë të tjerë (të ridënuar) u sulën si vetëtima me grushta e shkelma në ndihmë të tij.Ky ështe rasti kulmor i një rezistence me episode të shumta nëpër hetuesi, gjyqe, burgje e kampe, dhe vlen për të shprehur se edhe nën kërcënimin e sigurt të plumbit, forca morale e malsorit reagoi në çast thirrjes “në dorën tuaj burra !”. Ajo sfidë vdekjes së sigurt ësht lënë në heshtje nga retorika burracake e filmave të shtirura dhe revistave të MPB që i shisnin publikut “heroizma” të sigurimsave gjoja në bashkëpunim me popullin, por që në fakt ka qënë terror i të armatosurve gjer në dhëmbë mbi një popullsi të terrorizuar por kurrë të nënshtruar.Kjo hap çështjen e publikimit të të vërtetave në çdo rrethanë të arqipelagut tonë, sepse nuk janë të vetme këto ndodhi kulminante të Qaf Barit, apo ajo e Hajri Pashajt dhe shokëve të tij Dervish Bejko, Pal Zefi dhe më të riut Skënder Daja në Spaç, ku u ngrit e u valvit flamuri pa yllin komunist e më parë revoltat e Postribës dhe e Malësis së Veriut, po edhe mbrojtja burrnore (shembull ajo e Muzafer Pipës) kundra dënimeve të “porositura” të të pandehurve në gjyqe, mes tyre edhe klerikë, të akuzuar për futje armësh në kishë (!) dhe i mijra kulakëve, për fajin e vetëm pse ishin të aftë të prodhonin për vete…Pra rezistenca ka qënë e përhapur, dhe një kapitull i panjohur e saj ësht ai i strehuesve e familjarëve që i kanë mbështetur të arratisurit duke rrezikuar veten përballë teknikave çnjerzore të Sigurimit. Teknika diabolike, që në aleancë me raskapitjen gjatë dhjetvjeçarëve, shpjegon edhe rastet pse i riu i mplakur brënda hekurave humbte sensin e realitetit, dhe hynte në dialog absurd me mundonjësin e vet gjoja shtet, me sharje o arsyetime e sugjerime tërësisht të pafrytshme, që pa tjetër do pasoheshin nga dënime të pamëshirshme prej pushtetit shtazarak. Autori i trajton këto raste me dhimbshuri ndaj këtyre kolegëve të vuajtjes, sepse e ka njohur vetë ndryrjen e gjatë në hekura, dhe i mirëkupton alienimet psiqike që vepronin mbi ata fatkeqë.Studimi dhe vlerësimi i rezistencës antikomuniste janë detyra të patjetërsueshme nëse duam të jemi shoqëri me një shkallë vlerash prej vendi të qytetëruar ; ato ndihmojn edhe të tjerat, detyrat praktike në zgjidhje të problemeve; përndryshe as ndërgjegja e shqiptarëve, as konsiderata e botës mbi shtetin e shoqërinë tonë, nuk do t‘i quajë zgjidhje ato që bëhen mbi një themel të padrejtë. Bedri Blloshmi në çdo libër që ka botuar, qëllim kryesor ka publikimin e çdo padrejtësie, dhe prandaj ai i përgjigjet me ndihmë konkrete familjeve që prej dekadash janë në kërkim të vendit ku dergjen të dashurit e tyre.Kohën, forcën fizike dhe tërë vëmendjen, ai ia përkushton pikërisht zhbërjes së asaj gjëme, sa të jetë e mundur, duke u kthyer njerëzve normalitetin e zakoneve dhe të respektit për të vdekurit. Ai nxjerr në dritën e diellit atë që komunizmi e fshihte në terrin e natës, ofron përpjekjen e tij, mundin, njohuritë, cilitdo që i ësht mohuar e drejta më e shenjtë, kontakti, i mbrami i të mbramëve, me familjarin e tij të zhdukur, edrejta për të derdhur lot mbi varrin e tij. Në krahun e kundërt, kemi ngurtësinë e shkaktarëve të kësaj tragjedie historike, të rehatuar si veteranë, por të pazbutur edhe sot mbas gjysëm shekulli.Por nuk do të fshihet kaq lehtë gjëma e tyre, duke detyruar njerzit të heqin dorë nga një e drejtë elementare, e drejta për të varrosur njerzit e tyre. Kjo nuk është çështje e së djeshmes, është e së sotmes, me reflekse në të ardhmen. Ata si funksionarë të shtetit, kishin për detyrë të zbatonin ligjin, dhe e shkelën me të dyja këmbët. Dhe jo vetëm e shkelën, por disa e praktikonin repersionin me egërsinë më të madhe, me kënaqësi sadike. Sot ata janë të padënuar ende, as moralisht, bile ndërkohë , duke i qëndruar porosis së vjetër u është shtuar titulli i “nderuar”.Në librin e ri që sheh dritën e botimit sot, Bedriu paraqet rastin e 16 të dënuarve, pjesa dërrmuese fare të rinj, që nisën pa asnjë faj jetën e burgut, të dënuar me akuza të rreme dhe të ridënuar gjatë vuajtjes me afate të gjata. Ata tentuan si të mundnin ta kundërshtonin atë jetë prej ferri ku i hodhën, tentuan të arratiseshin ose folën apo shkruan kundra regjimit, u ngritën në revoltë. Përfunduan të dënuar me plumb në kokë vetëm se kundërshtonin padrejtësinë flagrante, dhe se deshën të ishin të lirë.Natyrisht nuk mund të shtrohet se kishte një rend kushtetues, në të cilin ata mund të apeloheshin. Nuk njihet një rast i vetëm që të jetë digjuar rekursi i të dënuarit. Disa u vrarë me breshëri nga karakolli pa bërë asnjë orvatje ikjeje, brënda telave, ose u zunë nën shkëmb, dhe në vend tu jepej ndihma, u prenë me sopatë. Kjo është historia e vërtetë e Shqipërisë në ato katër dekada e gjysëm dhe e tillë siç ish do të zbulohet herët a von, me të gjitha hollësirat, falë kontributit të dëshmive, ndër të cilat një vend kryesor zë ajo e Bedri Blloshmit.Rrugë tjetër s‘ ka. Prandaj situata sot paraqitet si një ballafaqim kryesisht moral: nga njera anë qëndron detyra për tu dhënë drejtësi këtyre burrave të lirë në shpirt, qoftë mbas vdekjes, atje ku janë në Panteonin e vërtetë shqiptar, nga ana tjetër establishment akademik që e lë mënjanë këtë detyrë duke i mbajtur fajtorë ose shkelës të ligjit këta heronj e dëshmorë , dhe dënimet i quan të nevojshme “për kohën”,, po ashtu dhe cilsimet “i nderuar” që gëzojnë persekutorët e tyre, dhe hero kombëtar të parin e tyre.Detyra jonë përkundrazi, për ta përmbysur këtë pozicion tërësisht fals, detyrë sa morale dhe civile, ka filluar të zbatohet nga këshilla bashkiakë që u japin rrugëve emrat e atyre që rezistuan; ajo shprehet po ashtu nga njerës me kujtesë të pagjumë si Bedri Blloshmi e mjaft të tjerë, që kundra indiferencës –sëmundje e jonë kronike – botojnë libra-dëshmi, dokumenta të dhunës së pararendësve së konformistëve të sotëm.Këto dy manifestime, tabelat emërtuese të rrugëve dhe dokumentimi i paligjësise në libra, arrijnë të detyrojnë autoritetin shtetëror t‘i nderojë me diploma nderi viktimat më të shquara eminente të palës tonë, burra e gra që e donin Shqipërinë rezistuese ndaj fatit robërues që iu dha për kaq dekada. Të tre këto fakte mund të jenë fillimi i procesit që na bën të pranishëm me meritë në lëmin ndërkombëtar. Kundërshtimi i paligjësisë, kusht i domosdoshëm i këtij procesi mbetet detyrë e pazgjidhur, sepse paligjësia i ka rrenjët te pajtimi mendor i elitës akademike me rendin e kaluar, të konsideruar “çlirim” edhe zyrtarisht , ajo bezdiset kur preket sadopak ky term i pavërtetë.Pasojë indirekte, psikopatologjike, e kësaj mbeturine janë dhe krimet mes nesh ende sot, që e ndalojnë shoqërinë të gjejë rrugën e ligjëshmërisë dhe të rimëkëmbjes. Për të shëruar poshtërimin historik që pësuam, është e domosdoshme ndershmëria mendore me faktet dhe dhimbshuria njerzore për ata që u torturuan shnjerzisht dhe u mbaruan me sadizëm sistematik në ato kampe e burgje skëterre. Lufta me dhëmbë shtrënguar që bën autori i këtij libri për ta ndryshuar gjendjen, vjen nga forca e qëndresës të cilën shumë të tjerë e kanë zbutur; dhe nuk ësht vetëm nga dhimbja për familjarët e shokët bashkëvuajtës që ai i shkruan këto kujtime, ajo del jashtë kësaj sfere, dhe bëhet e vetmja politikë, e aftë dhe e denjë të ndërtojë një rend të ri, që t‘i shërbejë vërtet ligjit dhe dinjitetit shtetëror. Pa rivendosje të drejtësisë edhe për të kaluarat, nuk mund të ketë shoqëri dhe shtet të shëndetshëm sot e në të ardhmen.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bedri Blloshmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT