• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

KOMUNIZMI SI FASHIZMI – PUSHTIMI I UKRAINËS REZULTAT I MOSNDËSHKIMIT TË KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

March 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në një deklaratë të entit të Bashkimit Evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane”, (PKNE) me qendër në Pragë, dënohet ashpër agresioni barbar i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Agresioni rus, “Është një krim kundër paqës”, thuhet në atë deklaratë. Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Europiane që merret me krimet e regjimeve totalitare, ka shprehur solidaritetin e saj me popullin ukrainas, në mbrojtje të vendit të tyre. “Ne dënojmë krimet dhe barbarizmat e luftës për të cilat përgjegjësia e vetme bie mbi Kremlinin dhe mbi Vladimir Putinin, personalisht. Ne besojmë dhe jemi të bindur se është i nevojshëm themelimi i një tribunali për t’u marrë me këto krime”, thuhet ndër të tjera, në deklaratën e entit të Bashkimit Evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane”, e cila merret, ndër të tjera edhe me dokumentimin e krimeve të regjimeve totalitare, komunizmit e nazizmit. Sipas PKNE-së, agresionit rus kundër Ukrainës i parapriu një fushatë disa vjeçare disinformacioni ndaj historisë dhe kundër Ukrainës si dhe disa vendeve të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore, si Polonia, Çekia dhe shhtetet baltike, Lituania, Estonia dhe Letonia. “Na vjen shumë keq”, thuhet në deklaratën e “Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane”, se “shoqëritë demokratike nuk i përfillën me kohë këto shënja alarmuese paralajmëruese”, të Rusisë sës Putinit, të cilat i paraprinë agresionit barbar të Rusisë kundër Ukrainës, dy javë më parë. Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Evropiane thekson se, “Natyra kriminale e regjimit të Putinit nuk mund të kuptohet pa analizuar rrënjët e (karrierës së) tij sovjetike komuniste dhe të KGB-së”, policisë sekrete të regjimit komunist sovjetik, e cila nën regjimin e Putinit ka ndryshuar vetëm emrin por jo metodat barbare e kriminale të veprimit.Prandaj, jo vetëm Putini duhet të mbahet përgjegjës për pushtimin e Ukrainës dhe për krimet e Rusisë kundër njerëzimit që po bëhen në atë vend nga forcat ushtarake ruse, por edhe vet komunizmi, pjellë e të cilit është Putini, sipas entit evropian të Kujtesës. Ndërsa, Instituti i Kujtesës Kombëtare të Ukrainës, në një letër dërguar organizatave si motra, anë e mbanë Evropës, për t’i informuar ato, fillimisht, mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, thuhej: “Ne duam të theksojmë edhe njëherë se lufta e sotëme midis Federatës Ruse dhe Ukrainës është bërë e mundur, kryesisht, sepse krimet e regjimit totalitar komunist sovjetik nuk janë dënuar ashtu siç duhej nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo shihet qartë nga fjalët dhe veprat e presidentit të Federatës Ruse.” Ndërkaq, në retrospektivë, disa analistë evropianë dhe amerikanë po flasin dhe shkruajnë tani se mos ndëshkimi i krimeve të komunizmit në Evropë dhe në botë, pas shembjes së Murit të berlinit, ka bërë që të injoroheshin shënjat paralajamëruese të një tragjedie njerëzore që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, siç po shohim tani në ekranet televizive anë e mbanë botës. Tepër vonë, tani! Megjithë thirrjet e organizatave ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe personaliteteve të njohura botërore — mbrojtës të të drejtave dhe lirive bazë të njeriut, gjatë këtyre 30-viteve ç’rej shembjes së Murit të Berlinit — për një gjyq të llojit Nurenberg që gjykoi dhe dënoi krimet e nazizmit në Evropë pas Luftës së II Botërore – pothuaj asgjë nuk u bë në Evropën post-komuniste për të gjykuar dhe për të dënuar krimet e komunizmit barbar gjysëm shekullor, anë e mbanë Evropës dhe botës.Shumica e vendeve ish-komuniste evropiane, individualisht, kanë dënuar krimet e komunizmit dhe janë përballur deri diku me të kaluarën kriminale të regjimeve të tyre komuniste. Fatkeqësisht, Rusia dhe Shqipëria janë dy nga ish-vendet komuniste që edhe sot vazhdojnë të refuzojnë që të dënojnë zyrtarisht krimet e regjimit komunist dhe të përballen ligjërisht dhe në mënyrë transparente me të kaluarën e tyre komuniste. Një ballafaqim i tillë me të kaluarën e tmershme të komunizmit nevojit një bashkpunim serioz të elitave politike dhe shoqërisë në përgjithësi — me përgjegjësi morale, politike dhe shoqërore, por dhe kombëtare ndaj historisë dhe viktimave të komunizmit. Disa vite më parë, Këshilli për Zhvillimin e Shoqërisë civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi (nuk jam i sigurt nëse ekziston ende duke marrë parasysh gjpndjen e krijuar në atë vend), në një dokument të përgatitur disa vite më parë në lidhje me të vërtetën e krimeve komuniste, shkruante: “Një udhëheqje me përgjegjësi për të mirën e vendit, nuk mund të rilind duke fshehur – jo vetëm nga bota e jashtme – por edhe nga vetvetja, të vërtetën mbi atë që kombi ynë i ka bërë vetes në shekullin 20. Të fshehurit e të vërtetës mbi të kaluarën komuniste na bën që të mos respektojmë kombin tonë. Pa këtë respekt për kombin tonë, ne nuk mundemi të krijojmë një patriotizëm të vërtetë, gjë që nga ana tjetër, do të thotë se zhvillimi i një demokracie të vërtetë mbetet një dëshirë e pa realizuar”, thuhej në deklaratën e Këshillit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi.Ndërkaq, sa i përket mospërballimit të Shqipërisë (në një ligë me Rusinë sa i përketë mos-dënimit të krimeve të komunizmit) me krimet komuniste dhe me të kaluarën e saj të errët nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës, shkrimtari Ismail Kadare, në një shkrim të ribotuar ditët e fundit në gazetën Telegraf të Tiranës, për aktualitetin që përmban me ditët e sotëme nepër të cilat po kalon bota dhe Shqipëria ka komentuar mbi mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit — Ismail Kadare: Krimet e pandëshkuara të komunizmit | Gazeta Telegraf – shkruan: “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë”.Kadare ka të drejtë! Shqipëria duhet të dënojë krimet e komunizmit dhe të përballet me të kaluarën komuniste. “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës”, shkruan Kadare. Kjo thënje, aktualisht, i përshtatet Rusisë dhe Shqipërisë, të cilat ende nuk janë përballur seriozisht me krimet e komunizmit dhe me të kaluarën e regjimeve komuniste. Ndoshta një hapje e tillë, një transparencë në lidhje me të “vërtetën mbi atë që kombi ynë i ka bërë vetes në shekullin 20”, nën regjimin komunist, sipas Këshillit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi — do të kishte mundësuar themelimin e një shoqërie bazuar vërtetë, në vlerat demokratike dhe mund të mënjanonte nji pushtim barbar të Ukrainës — siç po shohim sot — nga një diktator, ish-punonjës i policisë sekrete komuniste sovjetike. Ndërsa në rastin e Shqipërisë – ende e kategorizuar si “pjesërisht e lirë”, nga orgnaizatat ndërkombëatre të të drejtave të njeriut — ndoshta një shoqëri bazuar në vlerat, vertetë demokratike, do të kishte dënuar me kohë krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe të përballohej seriozisht me të kaluarën e saj komuniste, diçka që ende nuk e ka bërë. Dënimi i gënjeshtrave dhe i krimeve të diktaturës komuniste, si dhe përballimi serioz me të keqen që ishte e kaluara komuniste në Shqipëri, por edhe “promovimi i historisë së hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës”, siç është shprehur Kadare, do të bënte të mundur themelimin e një shteti ligjor, bazuar në të drejtën dhe në të vërtetën historike, që do të çonte, më në fund, edhe në “rifitimin e Shqipërisë”, sipas shkrimtarit të madh shqiptar.76-vjet më parë (4 mars, 1946) Winston Çurçilli ka dhënë alarmin ndaj kërcënimit që paraqiste komunizmi në atë kohë për Evropën dhe për botën: “Nga Stettin në Baltik e deri në Trieste pranë Adriatikut, një perde e hekurt ka zbritur mbi kontinentin (evropian). 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, kërcënimi për të cilin ka parlajmëruar Çurçilli mbetet real dhe aktual. Fotografia që po qarkullon në mediat sociale botërore e një tanku rus i dekoruar me flamurin komunist me drapër e çekan të ish- Bashkimit Sovjetik, që po shkonte drejt qytetit ukrainas Kherson për ta pushtuar, është bërë me të vërtetë një simbol i pashlyeshëm dhe i frikshëm për ata që e kanë parë – por në të njëjtën kohë edhe një simbol i pandëshkueshmërisë së vonuar të krimeve të komunizimit në Evropë, një pandëshkueshmëri që ka bërë të mundur ardhjen në pushtet të ish-oficerit të KGB-së, Vladimir Putin, këtij krimineli që pushtoi Ukrainën paqësore dhe po kërcënon fillim e një Lufte të III Botërore. Si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë, Presidenti i Institutit Kombëtar të Kujtesës i Polonisë, Karol Nawrocki u drejtoi këtë apel ish-vendeve komuniste në lidhje me simbolet komuniste në hapësirat e tyre publike: “Autoritetet ruse po përpiqen të justifikojnë agresionin e tyre në Ukrainë duke përdorur argumente pseudohistorike dhe propagandën e njohur ç’prej periudhës së komunizmit duke glorifikuar traditën imperialiste të Rusisë dhe duke anashkaluar krimet e komunizmit sovjetik. Si rrjedhim, u bëjë thirrje autoriteteve të gjitha vendeve, sidomos atyre vendeve të ish-bllokut komunist që të shlyejnë nga hapësirat publike të gjithë emërat dhe simbolet që u referohen individëve, organizatave, ngjarjeve ose datave të periudhës komuniste.”Sikur bota të dëgjojonte këto thirrje! Vendet ish-komuniste të Evropës, përfshir edhe Shqipërinë, por pa përjashtuar edhe botën perëndimore, po të kishin dënuar gjenocidin dhe krimet e komunizmit kundër njerëzimit me një Nurenberg II, ashtu siç janë dënuar krimet e nazizmit nga Nurenberg I, jam i sigurt se tjera fjalë do fliteshin sot dhe nuk besoj se bota do të gjëndej në prak të një Lufte të III Botërore sepse një ish-komunist dhe oficer i sigurimit famëkeq sovjetik, KGB-së dëshiron të realizojë aspiratat e tija agresive bolshevike kundër një shteti fqinj demokratik e të pavarur. Kështu e filloi edhe Hitleri me pushtimin e Polonisë me 1 Shtator, 1939! A po përsëritet historia!? “Ata që nuk duan të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar që ta përsëritin”, ka thënë filozofi spanjoll, George Santaya. Frank Shkreli

Filed Under: Komente

Për një platformë bashkimi të vërtetë…

March 10, 2022 by s p

Agron Gjekmarkaj/

Lulzim Basha është nën një presion të gjithëanshëm. Moda kerkon që ai të fajësohet për çdo gjë, të anatemohet, të shahet, të fyhet por ky është jakobinizem. Natyrisht humbjet, lodhin, humbjet frustojnë, humbjet prodhojnë urrejtje. Por jemi njerez dhe duhet të mbetemi të tillë, jemi qënie humane e nuk duhet të behemi bisha.PD po paguan para historisë faturen e saj 30 vjeçare.Ajo ka prekur fundin!Sigurisht Lulzim Basha ka përgjegjësi të medha, ne të tjeret pas tij po aq. Une e ndjeva atë pergjegjësi dhe u largova.Basha është sulmuar në besueshmeri në menyrë asgjesuese, gati të pakthim. Basha nuk ka ditur të sulmojë e as të mbrohet. Bashes i janë ngritur kurthe dhe ai ka rënë në to. Politika qënka me kurthe,po re ferkojnë duart s’ta qan kush hallin. Basha ka zgjedhur gjuhen dhe qendrimet e gabuara për të komunikuar me demokratet dhe shoqerinë! Basha nuk është djalli dhe ne engjëjt. Basha nuk është humbësi i vetëm. Por meqënëse ai është lideri ai duhet të marrë përgjegjësi dhe të prese nyjen gordiane!Ai duhet të dorhiqet pa kthim dhe të marrë empatinë e opinionit publik dhe të demokratëve.Sali Berisha pas 30 vitesh që ka dominuar PD dhe skenen publike thotë kam fituar! Asgjë s’ka fituar. Një mjerim i madh rezultati i tij dhe i yni bashkë!Sali Berisha duhet të tregojë se, PD nuk e sheh si pronë përshtypje, kjo e krijuar në 30 vjet! Duhet tu tregojë demokratëve që nuk e do atë për fëmijët e tij dhe tarafin nga pas po për Shqipërinë dhe demokratët.Ai duhet të premtoje terheqjen nga aventura që premton!Një burrë në moshë të thyer i cili e ka konsumuar historinë e tij me një “non gratta” nga aleati kryesor i kombit shqiptar SHBA nuk mund të jetë e ardhmja e PD dhe as e vendit. Nëse do të kënaqë krenarinë e tij mazokiste mund të thuhet që pjesërisht e ka realizuar atë.PD duhet të bashkohet.Një komision nga dy anët duhet të ndertojë një platformë bashkimi e rithemelimi të vertete e jo pupulist stadiumesh. Ky komision mund të bëhet drejtimi i përkohshëm i PD për ta çuar atë drejt garës. Gara e vertetë e nxjerr liderin dhe e bashkon partinë!Personalisht çdo vendim që marr se bëj për t’i hyrë në qejf njeriu apo për të merzitur njeri.E bëj për vete dhe njerëzit, aq sa janë që mund të përfaqësoj.Aty që na thonë “ejani po edhe po nuk erdhet bëjmë edhe pa ju”, ju them që detyrimin e kam vetëm për demokratet kudo që ndodhen, në veçanti për banorët e Qarkut të Lezhes që më kanë votuar.Nuk do me shihni kurrë duke i lepirë këpucët njeriu!Nuk do më shihni duke u zvarritur apo duke u servilosur! Nuk do më shihni duke i bërë m… marshallah. Për mua politika vlen për aq ditë sa përfaqësoj diçka! Ajo e humbet kuptimin kur kjo lidhje bie.PD sot ka nevojë për arsye, për humanizëm , ide dhe vendime të vështira por të fisme! Kjo pritet nga Basha dhe Berisha.

Filed Under: Fejton

Protestat paralajmerojne “Pranveren shqiptare”

March 10, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

Sot ndoshta filloi pranvera shqiptare, stina e protestave, e cila do t’u dëshmojë të gjithëve se Rama dhe sekti i tij nuk janë të pathyeshëm, e të pacënueshëm.Ata mijëra njerëz sot në shesh, që do të mblidhen ditë për ditë do t’u tregojnë të gjithëve që e kanë gabim po menduan me arrogancë se mund të tallen me popullin.Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur!Shqiptarët nuk janë pa dinjitet; e dëshmuan sot. Do ta dëshmojnë edhe nesër.Shqiptarët nuk janë të varfër, por kanë një kryeministër harbut që ka mbi dy dekada në majë të pushtetit dhe përpiqet të intimidojë shqiptarët, duke u thënë se kaq meritojnë dhe të mos pretendojnë shumë.Shqiptarët janë të vjedhur nga një sekt, që ndërkohë që çmimet prekin stratosferën, duke varfëruar gjithnjë e më shumë shqiptarët, ata festojnë në Dubai me udhëtime luksoze private.Shqiptarët dëshmuan sot në protestë se janë të kthjellët, se kanë guxim, mendim, energji; dinë të organizohen e të reagojnë. Çfarë do t’i ngelej sektit armiqësor në qeveri përballë një modeli të tillë politik e reagimi të tillë qytetar?Do të vazhdonin të ishin kaq arrogantë, hajdutë e armiqësorë me popullin?Jo!Përballë reagimit masiv të shqiptarëve, sektit Rama do t’i ngeleshin veçse disfata, frika, zmbrapsja, arratisja. Ata mijëra qytetarë sot përpara kryeministrisë dëshmuan se protestat e vazhdueshme do ta rrëzojnë këtë qeveri; dëshmuan se shqiptarët e ndërgjegjshëm vështirë se do ta shesin për miell votën e tyre; dëshmuan se nuk do të lejojnë më keqqeverisjen.A ka rrugë për daljen nga kjo krizë e stimuluar nga qeveria dhe oligarkët? Po, ka!Rama të heqë urgjentisht taksën e qarkullimit dhe TVSH nga nafta dhe energjia elektrike, si dhe të përgatisë menjëherë një paketë solidariteti për familjet në nevojë që të përballohet kriza.Sot, mijëra qytetarë dolën spontanisht në shesh!Nesër, të organizuar dhe me mbështetjen e sinqertë dhe reale të opozitës, këtë regjim ata e hedhin në Lanë!

Filed Under: Ekonomi

“Fëmija i Bulevardit “Stalin”, apo të kujtosh fëmijërinë në Tiranën që nuk është më

March 10, 2022 by s p

Luan Rama/

Të kujtosh fëmijërinë, kohën e largët që herë-herë të farfurit nëpër ëndërr e që papritur të bëhet aq e afërt, menjëherë ngazëllehesh si fëmijë. Shumë shkrimtarë, në libra apo shkrime të tyre i janë kthyer fëmijërisë. Koleta gjeti aty burimin dhe frymëzimin e romaneve të parë ku veten e quajti Klodinë. Balzak thoshte: “A nuk e keni vënë re që, në fëmijëri apo në fillimet e jetës sociale, padashur, ne krijojmë një model me duart tona?”. Çaplini shtonte se “Të gjithë fëmijët kanë diçka nga gjenialiteti, por do të duhet që ajo të shfaqet.” Nga ana e tij, shkrimtari italian për fëmijê shkruante: ““Sa peshon loti i një fëmije? Varet: loti i një fëmije tekanjoz është më i lehtë se era, ndërsa ajo e një fëmije të uritur është më i rëndë se gjithë toka.”Ç’ndodh vallë ne sytë e një fëmije kur sheh botën dhe fillon të kuptojë fenomenin njerëzor, ngjyrën e kaltër qellore, hënën që shkon? Ç’ndodh vallë me të kur fëmijëria e tij bredh në një atmosferë ku pikëtakohen ngjarjet kryesore të vendit të tij, mitingjet, kortezhet e udhëheqësve të huaj, turmat entusiazte, brohorrimat, fishekzjarret, të cilat padyshim i kupton më vonë? “Fëmija i bulevardit Stalin” jam unë, me botën time të kujtimeve që s’janë shuar, kujtime të ngjizura që në imazhet e para që mund të mbahen mend, fytyrat e prindërve që s’janë më, gëzimet e trishtet fëminore. Shumë imazhe padyshim janë shuar në mjegullën e kohës por disa kanë mbetur, kokëforta, me dritën e një kohe që nuk është më, me rrugicat, shokët, ikjet e para për të zbuluar një botë tjetër përtej atij bulevardi dhe sheshi të qytetit ku vërtitej fati i atij vendi. E megjithatë ishte diçka e veçantë të rriteshe në sheshin e kryeqytetit, në bulevardin që fillonte me monumentin e stërmadh të Stalinit të vendosur mbi një bazament të lartë. Bulevardi përfundonte tutje në cep te qytetit, në atë pjerrinë ku ishin një grumbull shtëpish të ulta tiranase, mbuluar me tjegullat e kuqe, gjithnjë në heshtjen dhe paqen e tyre. Pikërisht në atë bulevard ngrihej simboli i një ideologjie që do të përcaktohente jetën dhe ardhmërinë e Shqipërisë, fatin e vet, ku për 40 vjet, ai fat nuk do të ndryshonte dhe imazhi i Stalinit do të ishte gjithnjë i pranishëm.Personazhet e ndryshme të asaj lagjeje ku jetova fëmijërinë ishin të jashtëzakonshëm, po edhe shumë interesantë. Ishin njerëz të ardhur nga të gjitha krahinat, me fate nga më të ndryshmet dhe me profesione çfarëdolloj, çka përbënin një Shqipëri në miniaturë: përkrahës të pushtetit dhe kundërshtarë të tij. Ishte një mikrokozmos njerëzor ku gjeje nga të gjitha llojet e tipat, po edhe histori e ngjarje që, si të thuash, përmblidhnin një histori kombëtare me heronj dhe armiq, shqiptarë dhe të huaj të mbetur nga lufta, me fitimtarë dhe të mundur, me njerëz të moralshëm dhe me vese, pra, gjithçka përmban jeta dhe drama njerëzore.Një bashkëpunim i këndshëm për çka dua të falenderoj në veçanti botuesen Enxhi Hudhri. Po kështu dhe dy miqtë e mi, Artur Muharremin për ballinën e këtij libri si dhe Sejdin Cekani për redaktimin. Një udhëtin në botën e një fëmije udhëve të asaj Tirane që nuk ekziston më.

Filed Under: Kulture

SE BETEJAT O FITOHEN O HUMBEN…

March 10, 2022 by s p

Frano Kulli/

Pas zgjedhjeve të pjesëshme në gjashtë bashki të Shqipërisë, ku partia demokratike, në krye të së cilës, ju zoti Basha jeni prej tetë vjetësh nëpër nëntë, deklaruat, se “unë nuk kam humbur asnjë betejë”. Ti nuk ke humbë asnjë betejë ?!…Nuk e di se ç’betejës suaj mund t’i shkonte kjo deklaratë, se edhe nuk dihet se ç’betejë tjetër, përveç pjesëmarrjes në fushata elektorale ju ka rastisur të merrni pjesë, po sa për betejat elektorale, ju i keni humbur të gjitha. Po të gjitha, të gjitha. Kjo s’don mend as kalem e është e dukshme në dritë të diellit, zoti Basha.Fundja numëro një që ke fituar. Se betejat o fitohen o humben.

            -M’i kanë vjedhur-thatë ju, duke dashur të përforconi deklaratën tuaj me themele në akull dhe pohuat se do të vijoni të qëndroni përsëri në krye. (Në krye të humbjes, sigurisht). Dhe thatë se këtë do ta bëni për Shqipërinë…Po për cilën Shqipëri ? Gjasme po doni me thanë se jeni kaq i dobishëm për Shqipërinë se Shqipëria s’ban pa ju ? Me të vërtetë e besoni ju këtë që thoni ?…

            Më vjen me e përmendë jo rrallëherë një rrëfim të at Anton Harapit, i botuar in memoriam, në “Gjergj Fishta-botim përkujtimuer 1941”. Tregon padër Antoni: “Kam ndodhë vetë aty kur nji shqiptar i vjetër, tue u ankue një ditë me At Fishtën për shpërdorime të disa nënpunsave të shtetit, gadi si i dishpruem i thotë: “Pater Gjergj, shporru Shqipniet, persé (sepse) Shqipni nuk ka!” Fishta, i prekun prej shfrimit të plakut edhe i zemruem, por jo i trazuam, po don t’ia spjegojë bashkëfolësit se njerzit e shtetit s’janë Shqipnia… E atëherë plaku, për me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë Fishtës: “Po na s’e kemi ditë mor Zotni, veç prej jush e kemi mësue se shka asht Shqipnia… “

            Biseda e kahershme është bërë në vitin 1923, pra është e 99 viteve më parë, periudhë në të cilën kjo Shqipëria jonë ka kaluar nëpër tri forma të shtetit të vet të pavarur, sistemi demokratik i atyre viteve qyshkur prej vitit 1921 është mbledhë Parlamenti i parë (Asamble Kushtetuese), mbas 1924 kur vendoset regjimi monarkik, pas 1944 e deri në vitin 1990 regjimi despotik e obskurantist komunist, më i egri i regjimeve të përbotshme dhe prej andej e deri këtu, jemi në sistemin pluripartiak demokratik. Së paku, në formë kështu. Se në thelb, si mendësi e si veprim demokratik, jemi atje ku ishim atëherë. Në 1923-shin pra!

            Prijësat këtu, njerëzit e politikës e të shtetit, prapë e quajnë veten se janë Shqipëria. Dhe thonë se pa ata Shqipëria s’bën. Ani pse, ata na kanë bërë me dije prej kohësh, se janë ndër më fort faqezinjtë sesa zbardhafaqësit e Shqipërisë. Ashtu si dikur edhe sot, “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, shakllabanat, rriqnat e ndyet, mikrobt e kqi, që të mjerës moj Shqipni, kthelltë hi i kanë n’mushkni, pa dhimbë gjakun tuj ia pi”. E ju, zoti Basha po na thokeni se për Shqipërinë do të jeni prap në rradhën e parë të prijësave?! Edhe pse ndër prijësat ju jeni shfaqë si udhëheqësia më e dobët  e politikës krejt pak të dobishme shqiptare. Ju jeni njëri ndër dëmtorët e mëdhenj të Shqipërisë, Zoti Basha. Dhe dëmi juaj i madh, më i madhi dëm që i është bërë demokracisë në Shqipëri në këtë dekadën e fundit dhe që ia keni bërë ju është shpartallimi i opozicionit politik. Ju, me veprimin e mosveprimin tuaj si prijësi politik e keni gjymtuar demokracinë premature shqiptare. Dhe sot, prej kësaj ajo është më e dobët se kurrë. Shpresa e shqiptarëve sot është më e rrënuar se kurrë, shpresa për të ardhmen gati e paqenë, siguria për të e frikëshme.Mungesa e opozicionit është asfiksia e sistemit demokratik,kjo është e ditur e herëshme. Dhe ju jeni kontribues shembullor për gjithsa më sipër po themi, zotëri.Kurrë ne nuk mund të gjendeshim në këtë autokraci qeverisëse, nën dhunën e papërgjegjësisë së njëshit sot pa mbështetjen sistematike që ju, në krye të opozicionit politik, i keni dhënë asaj.

            Ndaj sot, më tepër se kurrë duhet t’ia kujtojnë e rikujtojnë zotit Basha se në politikë ka hyrë me katapultë, i reklamuar si një yll, gati dy dekada më parë. Por i ndriçuar prej një tjetër planeti dritërues… Trajektorja e përvojës së tij politike ka qenë gjithnjë nën aureolën e “engjëllit të tij mbrojtës”. Fati i ka buzëqeshur si kërkujt tjetër në demokracinë tonë, e cila po plaket e brishtë, ku hierarkinë e vlerave e bën njëshi dhe jo demos-i (populli). E gjithë karriera e tij ka kaluar, gjithherë nëpër maje; deputet dhe fill ministër, ministër, kryetar, kryetar… Gjithmonë me bekimin e engjëllit mbrojtës… Dhe kur i erdhi radha e vendimeve të mëdha gaboi. Gaboi në 2017,gaboi në 2019, gaboi në 2020-tën, gaboi në 2021. Së fundi, gaboi se deshi të këpusë fillin që e mbante lidhë me “engjëllin mbrojtës”.

            I duhet kujtuar, sot më shumë se kurrë se betejat e tij kanë qenë lojcake, kanë qenë të faluna e  nuk kanë qenë kurrë beteja. Ndaj ai nuk e dallon mirë as humbjen prej fitores në betejë…

            Gjithësesi kjo është punë për të e ta bëjë si të dojë. Ai dhe ata që e mbajnë. Po sa për Shqipërinë,…mos rri, po ik me vrap, zoti Basha. Ti, duhet të kishe ikë para se të vije, për të mirën e Shqipërisë. Unë për vedi e kam menduar e thënë këtë, me gojë e me shkrim, qysh kur ti ke ardhë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT