• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Në përvjetorin e 37-të të shuarjes të rapsodit Dervish Shaqa

April 21, 2022 by s p

       HOMAZH PËR BACË DERVISH SHAQA

Rapsodi brilant Dervish ShaqaIDRIZ ZEQIRAJ             “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimër!”
     Bacë Dervishin e njoha në nëntorin e vitit 1969, në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Bëhej përgaditja për mbremjen festive të 25-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Artistët ishin të vendosur në konviktët tona studetore. Në mes tyre edhe rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, Fatime Sokoli…     Një vit më vonë u cikërruam, me fjalë, me bacën Dervish, për reportuarin laraman të këngëve të tij, të dhëna nga Radio-Tirana dhe, më shumë, nga Radio-Kukësi. Më vonë mësova se ishte politikë redaktuese e partisë. Në vitet `70-a po bëhej pajtimi dhe afrimi i Tiranës me Beogradin. 
     “Me vëllezërit jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëtat beteja”,- tha Enver Hoxha, në vizitën e parë, të bërë në Tropojë. Prandaj, këngët historike, u zëvendësuan me këngë lirike dhe erotike të bacës Dervish dhe Demush. Beogradi kushtëzoi edhe burgosjen e burrave dhe djemëve të përndjekur nga UDB-a jugosllave, të ikur në Shqipëri. Dhe, PPSH-ja porosinë e zbatoi vullnetshëm.

      Rapsodi Dervish Shaqa historinë e përjetësoi në këngë          Në vitin 1970, një bisedë në Ministrinë e Brendshme. Të pranishëm drejtori i Kundërzbulimit të Shqipërisë, Drejtori i Emigracionit dhe shefi i Kriminalistikës. Prania e këtij të fundit, më ngjalli dyshime.
     Në mes tjerash, u thashë se në Shqipëri jetojnë 300 mijë kosovarë. Janë disa Shoqata Foklorike. Dhe, rapsodët Devish Shaqa e Demush Neziri, po i shtojnë radhët e këngëtarëve dhe të valltarëve rinorë. Po hapin shoqëri të tjera artistike, kryesisht, folklorike. Do të ishte mirë që Dervish Shaqa të vazhdojë studimet e specializuara muzikore, në Institutin e Arteve, sepse, do t`i perfeksionojë dhe lartësojë këngët dhe muzikën, në kushte dhe rrethana tjera në Shqipëri.
     Pasi e panë njëri-tjetrin, foli drejtori i Emigracionit: “Është i moshuar për studime!”-Muzika nuk ka moshë- u gjegja unë.
Tre vjet më vonë humba lirinë, u arrestova. Në gjyq u lexua një akuzë shkrimore e Ministrisë të Brendshme:-“I pandehuri Idriz Zeqiraj ka kërkuar të pranohet student, në pleqëri, rapsodi Dervish Shaqa. Kjo tregon se ai është i pakënaqur, me trajtimin e kosovarëve në Shqipëri. I pakënaqur edhe me politikën e shokut Enver”.
 Gjykata e pranoi si dëshmi dhe masë rënduese!
     Burgu i gjatë na ndau. Baca Dervish ishte shuar kësaj jete, kur unë vuajta burgun. Edhe pse në kushte të rënda, specifike, i përgjuar nga Sigurimi kriminal monist, doja të bëja diçka për Dervish Shaqën. Sepse ai bëri shumë për Kosovën, Shqipërinë, Shqiptarinë, kur frymëzoi brezat shqiptarë, duke e vënë lavdinë historike, në telat e sharkisë. Doja ta shquaja, nga të tjerët, edhe në varreza, ta përjetësoja në bronz. Por, kjo ishte e kushtueshme, madje, skajmërisht e rrezikshme, që mund të më kushtonte me jetë.
     Një tufë fotografish, i sigurova nga Familja e bacës Dervish. Skulptori më i zëshëm në Shqiptari, akademik Muntaz Dhrami, pranoi skalitjen e portretit të rapsodit Shaqa. Kishte vetëm një shkritore të “Realizimit të Veprave të Artit”, edhe ajo shtetërore.
     Kërkesa ime u refuzua prerazi: “Dervishi është artist i merituar, por, jo “Artist i Popullit” dhe nuk pranohet derdhja në bronz e skulpturës së tij”.
     Unë nuk doja të largohesha nga Shqipëria, pa e realizuar portretin-skulpturë të bacës Dervish. Dhe, gjeta një nuse-inxhiniere, origjinë kosovare, lindake tiranase, fort e guximsshme, e cila do të ndërlidhej me dy miq të saj, në fshehtësinë më të madhe, punonjës profesional të uzinës-shkritore dhe brenda një nate, realizuan veprën në fjalë, kundrejt një çmimi, shumëfish më të lartë, se sa një shërbim legal, ligjor i këtij lloji.
     Derdhja ilegale në bronz të skulpturës të bacës Dervish, ishte shumë e rrezikshme. Në rast zbulimi, ligji akuzonte për shpërdorim dhe sabotim të pasurisë socialiste. Dhe, parashikonte dënim nga 15 vjet burg, deri në pushkatim, për të gjithë të implikuarit, porositësit dhe zbatuesit, në këtë vepër penale, të cilësuar si armiqësore.

     (Për montimin e skulpturës, ke varri i Dervish Shaqës; kërkesën e mikut të tij, bacë Demush Nezirit, që të varrosën pranë njëri-tjetrit, në varrezat e fshatit Shenavlash dhe jo në Rrashbullë, ku jetonte baca Dervish, do të flasim një herë tjeter.)
     Rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, kanë qenë dy burra të ndershëm e krenarë të Kosovës, me drejtëpeshimin e duhur. Dinjitozë dhe të ndergjegjshëm, se çfarë përfaqësonin ata në Shqipëri. Të përgjegjshëm për peshën e tyre, ishin të kujdesshëm, madje, në çdo hap të hedhur, në kushtet e diktaturës më të egër, në Evropë dhe më gjerë! Ndjesinë e tyre, të shprehur, artistikisht e politikisht, në këngën lapidare, “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimën”, është rrëfim i trishtëm, në vetën e parë, mbresëlënës e domëthënës, që prekë zemrat dhe këndellë mendjet e shqiptarëve.
     Reportazhi-dokumentar, me skenar e tekst të poetit, me frymëzim të veçantë, kujtoni librin “Net kosovare”; të shkrimtarit mjeshtëror, me romanin “Ma lësho hisën e diellit”, emigrant në Shqipëri, Adem Istrefaj, lindak në Strellc të Deçanit, i cili u shua një vit më parë, në Tiranë, është realizuar suksesshëm dhe ndjeshëm. Përkundër disa emisioneve, të cilat kanë zënë shumë hapësirë në media vizive, pamore, me pretendime të mëdha, për ta shpalosur jetën e dy rapsodëve të zëshëm, kanë dështuar. Bilëz, edhe shtrembëruar, me porosi, të vërtetën pëmbajtësore. Realisht, vazhdojnë ta cënojnë peronalitetin e rapsodëve brilantë, Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, pas amëshimit të tyre! E dhimbshme!

Filed Under: Kronike Tagged With: dervish shaqa

25 vjet pas vitit të zi 1997

April 21, 2022 by s p

Gezim Zilja/


Po mbushen gati 23 vjet nga ngjarjet e vitit 1997, që nuk u zbardhën kurrë megjithëse dihet se vrasësit e ”shpëtimtarët” e Shqipërisë ishin të njëjtit njerëz. Pjesa më e madhe e shkaktarëve të trazirave vitit 1997 janë sërish në majat e pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik e vazhdojnë po atë gjuhë urrejtjeje dhe shkatërruese. “Ju, ju e bëtë! Ju vodhët paratë e popullit. Ju jeni kriminelët dhe shkaktarët e atyre ngjarjeve. Ju i kthyet pushkën popullit. Ju veshët nënat me të zeza,” ulërin njëra palë, duke sjellë shëmbuj, fakte, e veprime të vërteta e të pavërteta të qeverisë dhe institucioneve të asaj kohe. “ Ju hapët depot e armëve dhe organizuat revolucionin e armatosur evgjito-fshatar sipas formulës komuniste të marrjes së pushtetit me dhunë. Ju dogjët bashkitë, shkollat e bibliotekat, sulmuat komisariatet, vratë policët dhe bashkëpunuat me bandat e kriminelët…” gjëmon pala tjetër duke sjellë më shumë fakte e shëmbuj të veprimeve të opozitës së atëherëshme të vërteta dhe të pavërteta.
Të analizosh pas kaq shumë vitesh bardhezi, pa ndjerë pendesë e keqardhje, kur një shtet i gjithë u gjunjëzua, u shpartallua me gjithësej dhe u kthye në tokë të djegur nga bijtë e vet, kjo të ngjall jo vetëm trishtim por edhe një pesimizëm gati të pashërueshëm. Çaste çmendurie ka pasur në kohë dhe periudha të ndryshme edhe në popuj të tjerë, por pas stuhisë vijnë ditë të bukura e shndrit sërish dielli. Pas ngjarjeve të vitit ’97 populli shqiptar priste nga bijtë e vet drejtues, dënimin e dhunës dhe të njerëzve që e shkaktuan, sipas ligjeve dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dënimi i nja dy-tre caushëve dhe xhepexhinjëve ishte i pamjaftueshëm dhe nuk e vendosi në vend drejtësinë. Qeveritë shqiptare, me klanin e miqtë në njërin krah dhe në tjetrin servilët e intrigantët iu vërsulën Shqipërisë, duke e vjedhur e plaçkitur e dalëngadalë u shkrinë duke u bënë njësh me trafikantët, hajdutët, vrasësit e antishqiptarët. Kjo ndodhi e do të ndodhë në një shoqëri të molepsur e të sëmurë, që nuk analizon kurrë veten e vet, rrugën nga vjen e ku shkon, që shkruan, rishkruan e falsifikon historinë sipas interesave klanore e partiake, duke e zhytur thellë e më thellë në varfëri e padrejtësi vendin e shqiponjave. Sipas statistikave zyrtare të nxjerra nga Ministria e Rendit për periudhën 01.01.1997 – 15.07.1997 në shkallë vendi janë këto pasoja:
Të vrarë me dashje 875
Të plagosur me dashje 825
Të vrarë aksidentalisht 101
Të plagosur aksidentalisht 278
Policë të vrarë 43
Policë të plagosur 201
Kush do t’i mbajë në ndërgjegje këta njerëz të vrarë si shkak i shpërbërjes së shtetit, në harkun kohor të gjashtë muajve? Si reaguan qeveritë e post ’97-ës për të vendosur drejtësinë? A kemi ne sot vrasës, zjarrvënës ose bashkëpunëtorë të tyre, në institucionet e larta shtetërore? Për djegien e Bashkisë së Vlorës dhe arkivit u arrestuan mbi 20 persona dhe u shpallën në kërkim shumë të tjerë, të filmuar e dokumentuar gjatë aktit. Të gjithë u liruan dhe disa prej tyre arritën të bëhen shefa policie, prefektë e ndonjëri ministër. Nuk dihet se ç’bëri me atë dosje voluminoze prokurori vlonjat Enrik Haxhiraj që lëshoi fletë arrestet atë kohë.
Që një grup banditësh të quajtur heronjë asokohe ( Zan Caushi, Albert Shyti, Albert Gjahtari etj.) nga disa gazetarë, zunë faqet e para të revistave e gazetave shqiptare, grabitën bankat e morën njerëz peng në shkëmbim të parave e kuptoj. Po “nuk kuptoj” pse ata iu vërsulën, dogjën e shkatërruan arkivat e shtetit, muzeumet, bibliotekat, shkollat, universitetet, teatrot, vendet ku ruhej trashëgimia kulturore, duke futur duarte tyre të ndyra deri te Memoriali i Skënderbeut, kur dihet që në ato vende nuk ka para? Atëherë kush i drejtoi andej dhe i pagoi ata?
Në librin “Skaner 1997”, janë dy foto të pikturave me ngjyra në vaj-kanavacë, 120cmx80cm, të Ismail Qemalit, njëra e grisur me thikë në formën e kryqit dhe tjetra gjithë vrima plumbash. Shkatërrimi i bibliotekës së qytetit të Vlorës, grisja dhe vënia e zjarrit qindra e qindra volumeve, ia kalonte dhe skenave të inkuzicionit mesjetar. Vërtet nuk u hodh në turrën e zjarrit ndonjë Xhordano Bruno, por u dogjën e grisën veprat e qindra shkencëtarëve, shkrimtarëve e poetëve përfaqësues të kulturës botërore dhe shqiptare. Ishte sikur të digjje ata vetë. Ironia dhe poshtërsia shprehej po ato ditë, me gojën e buzët gjithë yndyrë arapashi, të një (jo i vetmi) prej përfaqësuesve të letërsisë shqiptare dhe analist i përditshëm në ekranet e sotme që shprehej më 06.04.1997: “… Kjo që po them ka vlerë për ata që nuk janë informuar së fundmi e nuk kuptojnë gjërësinë e raporteve tona me Vlorën, me këtë Bastijë të Shqipërisë, që na i bëri të prekshme idealet e lirisë, drejtësisë, barazisë e vëllazërimit…” Po të kemi parasysh se ndërkohë në Vlorë i kishin vënë zjarrin bashkisë, komisariatit, prokurorisë, bankës së shtetit, ishin hapur depot e reparteve ushtarake, armët e kriminelëve vrisnin çdo ditë njerëz të pafajshëm e varrmihësit atje në varreza punonin me orar të zgjatur, komenti është i tepërt.
A ishin gjithë këto rastësira? Turmat e përfaqësura nga segmente të gangsterëve të dalë nga burgjet dhe të tjerë të hurit e të litarit, të nxitura nga intelektualë të paguar, i vunë zjarrin Shqipërisë dhe u përpoqën të godisnin për vdekje kulturën e historinë shqiptare. Ishte e njëjta dorë ( e shfaqur dhe në vitet ’90-’91) që vepronte në të dy anët e kufirit, që nuk u analizua asnjëherë nga organet e specializuara. Politikanët, gazetarët, filozofët, historianët, shkrimtarët e poetët që i hodhën benzinë zjarrit, u shërbyen lloj-lloj larove të huaj, dhe vunë partinë para Shqipërisë, mirë do të ishte të ulnin daullet e trumpetat e luftës (ata kurrë nuk kërkojnë falje) e të mos shkruajnë e flasin me gjuhën e urrejtjes midis shqiptarëve, duke bërë patriotin e nacionalistin e thekur. Kjo gjuhë mund të jetë në favorin e tyre partiak, personal apo korrenteve të huaja ekstremiste, por kurrsesi në favor të drejtësisë, të përparimit e të ardhmes së popullit shqiptar. Ata duhet të ngjallin shpresën, besimin se ky vend meriton të shkojë përpara, duke i dhënë përparësi rilindjes shpirtërore e të mos shndërrohen si deri sot në vajtojca, (gra që paguhen për të vajtuar të vdekurit) duke bërë, që në shumë emisione televizive, të këndojnë kukuvajkat e korbat, që mbjellin pesimizmin, urrejtjen, kaosin, pasigurinë, duke përjetësuar sundimin e korruptuar të qeverive, për hir të një page mujore disamilionëshe.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gezim Zilja

BESOJ DHE SHKOJ NË KISHË, T’ I FALEM ZOTIT MË SHUMË SE DIKUR

April 21, 2022 by s p

Thanas L. Gjika(Dëshmi besimi)/


Në fëmijëri, nëna ime më mësoi t’i drejtoja Zotit lutjen “Ati Ynë” dhe lutje më të thjeshta për ta falenderuar për të mirat që gëzoja dhe t’i kërkoja ndihmë për të realizuar dëshira e synime të tjerë. Kur mësova të lexoj ajo më nxiti të lexoja pjesët e Biblës që ishin përkthyer shqip prej Shoqërisë Biblike të Londrës. Babai, nga ana e tij më merrte herë pas here për ta ndihmuar në punët e tij private për të fituar ca lekë më shumë se rroga. Këto mësime më ndihmuan të behesha djalë punëtor dhe i ndershëm. Me të tilla vetira, plus zgjuarësisë personale, arrita të kryeja studimet e larta në Universitetin e Tiranës me rezultate të larta dhe si pasojë të më emëroin redaktor në “Radio Tirana”. Pastaj kalova me punë në Institutin e “Historisë dhe të Gjuhësisë”, i cili më 1972 u përfshi në Akademinë e Shkencave. Puna në atë institut dhe jeta e përditshme e asaj kohe, kur luftohej besimi fetar, më bënë të largohesha nga besimi te Zoti dhe të mendoja si shokët se njerëzit ateistë ishin superiorë në krahasim me prindërit që vijonin të besonin te Zoti. Ashtu si kolegët e mij edhe unë e ndjeja veten për intelektual. Kështu që leximin e “Biblës” e lashë mënjanë. Shumë rrallë, kur ndodhesha ngushtë, i drejtoja Zotit ndonjë lutje si gjysmë i penduar për të më ndihmuar pët të dalë nga situata e vështirë…Erdhën vitet e përmbysjes së madhe, 1990-1992, kur regjimi komunist pranoi kapitullimin dhe ndërroi regjimi. Rezervat e mia ndaj atij regjimi filluan të kthehen në bindje. Sa më shumë njihja krimet e sistemit, aq më shumë e urreja diktaturën dhe diktatorin. U hapën kishat e xhamitë. Njerëzit filluan të shkonin në to për të kryer rritet fetare. Fillova të shkoja dhe unë në kishë, jo si besimtar i devotshëm, por më shumë për të shprehur protestën time ndaj dhunimit që më kishte bërë regjimi komunist në mentalitetin tim dhe sidomos për të shprehur dënimin e masakrimeve që u kishte bërë ai regjim të përndjekurve të ndërgjegjes.
Në këtë kohë të re mjaftohesha me faktin se isha bashkëshort, baba dhe koleg i ndershëm që nuk i bija askujt më qafë, që nuk më pëlqente të merresha me thashetheme, me gënjeshtra e lakmira të ndryshme.
Kaluan vite, erdha në Amerikë me lotarinë Green Card. Gjatë takimeve e bisedave me një shokun tim të shkollës, i cili kishte ardhur pas meje po në qytetin ku jetoja unë, mësova disa gjëra që më bënë t’i thërres ndërgjegjes dhe të bëhem fetar më i ndërgjeshëm se në fëmijërinë time. Një herë ky shok klase më kishte ardhur në shtëpi për të këmbyer detyrat e shkollës dhe kur pa nënën time që lexonte “Biblën” greqisht, tha: “Sa libër i trashë qenka! Po ti nënë Meropi je shqiptare, ku e paske mësuar greqishten?”
Nëna ime e sqaroi se kishte mbaruar shkollën fillore greke me pesë klasë, ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në greqisht. Kur u ndamë jashtë, shoku im më tha si me të qeshur:
– “Ne kemi më shumë se shtatë vjet që bëjmë rusisht dy herë në javë, po nuk po e mësojmë dot këtë gjuhë.”
Gjatë viteve të para të tranzicionit djali i këtij mikut tim të vjetër kishte kryer një gabim të rëndë korruptiv. Miku im me bashkëshorten, të tronditur, të shtyrë nga frika se djali i tyre do të dënohej shumë vjet burg, dhe se familja e tyre do të humbiste opinionin e mirë, vendosën ta ndihmonin djalin duke e fshehur e dërguar jashtë shtetit. Prindërit më vonë erdhën dhe ata me lotari në Amerikë. Rastisi që u vendosën në qytetin ku jetoja unë. Ai nuk më tregoi gjë për fatkeqësinë e djalit dhe zgjidhjen që i kishte dhënë asaj ngjarjeje. Mirëpo një shok tjetër ma tregoi dhe miqësia jonë sikur u ftoh. Miku im kur e vuri re këtë, më kërkoi takim dhe gjatë bisedës më tha:
“E kuptova që e paske mësuar krimin tim. Tani, unë dhe ime shoqe, e kemi kuptuar se djalin do ta kishim ndihmuar më shumë po ta kishim detyruar të dorëzohej në polici e të kishte kryer dëmimin. U nxituam dhe e nxitëm të fshihej e të largohej nga Shqipëria për t’i shpëtuar dënimit. Mirëpo me këtë zgjidhje e humbën djalin për jetë, nuk e dijmë ku ka shkuar, rron apo jo. As nderin e famijes nuk e shpëtuam, as tranzicionit nuk i dhamë një mësim të vlefshëm si kërkonte koha. Erdhëm në Amerikë, por asgjë nuk na hyn në sy. Rrojmë si të përhumbur e po plakemi para kohe.”
“Më vjen shumë keq që të paska ndodhur kjo tragjedi, i thashë dhe vijova: Nuk e kuptoj si e bëre ti këtë. Ti shquheshe për zgjuarësi e ndershmëri më shumë se unë”.
“Kjo ngjarje dhe pasojat e saj, vijoi ai, më dhanë të kuptoj se nuk mjaftoka që njeriu të jetë i ndershëm e i zgjuar. Ndershmëria dhe zgjuarësia nuk mjaftokan për të qenë njeri plotësisht human, njeri i vërtetë. Po të kishim qenë të krishterë të devotshëm unë me gruan do ta kishim edukuar djalin ndryshe dhe ndoshta ai nuk do të ishte dhënë pas fitimeve. Kur gaboi, do ta kishim nxitur e ai besoj do të kishte pranuar të dorëzohej në polici, për të kryer dënimin që do t’i jepte gjykata. Tani do ta kishim djalin mes nesh. Unë me time shoqe po presim vdekjen si gjynahqarë. Në kishë nuk shkojmë dot, sepse vijojmë të jemi më tepër ateistë. Ndoshta do të jetë më mirë të kthehemi në atdhe.
Nga kjo goditje kuptova një gjë të rëndësishme: nuk mjaftoka të jesh i ndershëm dhe i zgjuar, prandaj ti vijo të shkosh në kishë. Lexo “Biblën” dhe vijo lutjet ndaj Zotit, si të kishte mësuar nëna jote. E ndjej se midis nesh paka pasur dhe ka një ndryshim të madh. Jeto me besimin fetar dhe gëzoje jetën!”
Këto fjalë të mikut tim, që u nda nga jeta disa vjet më parë, më lanë një mbresë të madhe. Më përforcuan mësimin e Jezusit: “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush”, pra mbi të gjitha u dashka siguruar qetësia e shpirtit. Propaganda komuniste me idenë e sakrifikimit të së sotmes për hir të së ardhmes komuniste, parajsës mbi tokë, që do të vinte përmes ndëshikeve të pafund të atyre që i dukeshin udhëheqjes së partisë si armiq, na e paskej shpëlarë trurin. Pra nuk ishte feja që na kishte shpëlarë trutë me idenë për ta jetuar të sotmen duke u lutur për shlyerjen e fajeve për të siguruar paqen shpirtërore. Ndaj kam filluar të shkoj më regullisht në kishë. Zoti i dëgjon lutjet tona kudo, por atje te salla e shenjtë më duket se më dëgjon më mirë.
M’u kujtua kjo ngjarje në këto ditë pashke. E shkrojta duke shpresuar se mund të ndihmoj dikë t’i afrohet besimit fetar si unë, jo për t’u bërë besimtar fanatik, por fetar i ndërgjegjshëm e i logjikshëm, për t’u bërë më human, njeri më i vërtetë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Thanas Gjika

Ç’KA TË BËJË DOSTOIEVSKI ME PUTININ?

April 21, 2022 by s p

Nga NUCCIO ORDINE/

Ç’ka të bëjë kultura ruse me mësyemjen e Ukrainës? Përse leximi i Dostojevskit, të dëgjuarit e Prokofjevit apo admirimi i ikonave të Andrej Rubljovit do të na bënte “bashkëpuntorë” të shkatërrimeve e vdekjeve të shkaktuara nga Vladimir Putin? Bëhet fjalë për pyetje të ligjëshme në një klimë “rusofobie” që tani qarkullon n’Evropë e në Perëndim. Nuk numërohen ngjarjet kulturore të asgjësuara, në të cilat protagonistët janë artistë, muzikantë, shkrimtarë, e shkencëtarë rusë (të vdekur apo të gjallë ka pak rëndësi): po avitet rreziku, shumë i dëmshëm, i “të veçuarit” (për të mos përdorur “fshirë”, një fjalë e tmerrshme, tashmë gjithënjë e më tepër e përhapur!) të çfarëdo forme të shprehjes që çon tek Rusia.

Kemi harruar lidhjet e mëdha që  bashkojnë këtë Vënd me Evropën. Mjafton të lexohet një syzim i  Viktor Sklovskijt mbi “Dostojevski dhe kultura evropiane”, për të kapur fluturimthi se si shkrimtari “më rus e më kombëtar” është “më perëndimori”: “një evropian që kundërshton me ankth ecjen dhe qënien e Vëndit të tij”. Pa llogaritur që Lufta dhe Paqja përmban shumë faqe në gjuhën frënge. Dhe André  Markoviç, përkthyesi  në Francë i autorëve më të rëndësishëm të letërsisë ruse, ka  vërejtur se që nga Gjashtëqindi e mbrapa artistët e shkrimtarët rusë kanë luftuar me Shtetin për të kërkuar lirinë e tyre. Klasikët na mësojnë  veçanërisht të copëtojmë  zinxhirët e identitarizmave e të nacionalizmave, për të përqafuar përmasën universale të njerëzimit.

“Krim e ndëshkim” është  pasuri e lexuesve të tij, në çdo anë të planetit po e lexojnë. Ashtu siç janë veprat e Çaikovskit, të Shekspirit, Dantes, Homerit, Mozartit. Pikërisht kur barbarizmi shpërthen nuk mund të këputen lidhjet që mbi të gjitha kultura dhe shkenca mund të mbajnë. Të priten këto fije do të nënkuptonte t’i lihet rrugë e lirë urrejtjes dhe imperializmave. 

“Corriere della Sera”, 9 prill 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

NJI NDERPREMJE E PLOTE E IMPORTIMIT TE NAFTES NGA RUSIA MUND TE NDALOJE LUFTEN NE UKRAINE

April 21, 2022 by s p

Nga Jonathan Joseph/
Perktheu: Gjon Kadeli/



Ish kryekeshilltari i Putinit Dr. Andrei Illarianov thote se lufta ne Ukraine mund te ndalet ne qofte se vendet Prendimore nderpresin blemjen e naftes e te gazit naturor nga Rusia. Dr. Illarianov thote se Rusia “nuk i muer seriozisht kercnimet nga vendet e ndryshme se do te paksoshin perdorimin e landeve djegese. Megjithe perpjekjet per te paksue mvarsine nga importimi i landeve djegese nga Rusia Europa ende vazhdon te importoje nafte e gaz natyror nga Rusia, qe perban 36 perqind te shpenzimeve qeveritare te Rusise. Shumica e ketyne te ardhunave vijne nga Bashkimi Europian i cili
importon 40 perqind te gazit natyror dhe 27 per qind te naftes nga Rusia. Dr.Illarianov thote se nese vendet Perendimore do te perpiqeshin per te ba nji nderpremje te plote te importimit te gazit dhe te naftes nga Rusia, sigurisht, mbrenda dy muejve lufta ne Ukraine do te perfundonte. Ai shtoi se kjo asht nji nga mjetet ma efektive qe ende kane ne dore vendet Perendimore. Megjithse tregtimi i naftes dhe i gazit ka vazhdue gjate luftes, sanksionet e shumta kunder Rusise kane shkaktue pezullimin e veprimtarive ekonomke me Rusine, sepse shume ndermarrje tregetare te hueja kane nderpre veprimtarine e tyne ne Rusi. Ne nji analize qew asht ba nga Banka Qendrore Ruse, parashikohet se ekonomia e atij vendi do te zvoglohet 8 perqind, kurse Instituti
Nderkombetar i Financave ka njoftue se ekonomia ruse mund te bjeri 15 perqind.
Dr. Illarianov tha se Presidenti Putin ishte pergaditun te perballonte nji dobsim te ekonomise, gja qe tregon se cilat ishin qellimet e tij kryesore,”Ato ishin per pushtim vendesh te tjera, si edhe ajo  e deshires se tij per Madheshti personale Perandorake, te cilat jane shume te randsishme per te, se cdo gja tjeter, tuej perfshi edhe
mireqenjen ekonomike te popullit rus… si edhe gjendjen financiare te shtetit qe ai sundon”. Simbas te dhanave te Bankes Botnore, gati 20 milione ruse jetojne ne vorfni. Gjate vjeteve te fundit Putini premtoi se do te pergjymosnte numrin e
njerezve te vorfen  Tashti  Dr.Illarianov thote “Sigurisht do te shofim, se numri  i
njerezve qe jetojne ne vorfni do te trefishohet, nderkohe qe ekonomia dobsohet.”Organizata qe mererret me Studime Strategjike me qender ne
Moske parashikon se dy milione vende pune mund te humben kete vit si
rrjedhim i rritjes se papunesise, qe tashti asht ne nji nivel shume te nalte.
Shume njerez jane te shqetsue rreth mundsise se humjes se punes. Une
mendoi, thote ai se”shumica e njerezve, nuk e kuptojne plotsisht,rrezikun perball te cilit gjindet ekonomia e vendit”. ” Me duhet me thane, se gjendja e krijueme do te kete rrjedhime tejet te randa, prandej une preferoi te mos i shikoi gjanat qe po ngjajne
tashti.” Dr. Illarionov thote se “Asht absolutisht e pamundshme te kete ndonji
gja pozitive per te ardhshmen e Rusise me rregjimin e tashem politik te Rusise”. Ai mendon se nen sundimin e Presidentit Putin “Asht e pamundshme qe
Rusia mund te integfrohet perseri ne marredhanjet nderkombetare, as ne
ekonomine botnore.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT