• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Glauk Konjufca: Kosova aspiron anëtarësimin në BE dhe NATO

April 12, 2022 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin inaugurues të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, themeluar nga Presidenca e Kosovës. Në takim po ashtu morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra, përfaqësues nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial, Avokati i Popullit, KQZ-ja e institucione të tjera.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova ka dy aspirata, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe atë në NATO.

“Përcaktimi ynë është shumë i qartë. Sot demokracitë më të fuqishme të botës janë të organizuara në dy institucione shumë të rëndësishme që ne i aspirojmë, në Bashkimin Evropian, ku e kemi rrugën e qartë, rrugën e transformimit, si dhe në aleancën më të fuqishme ushtarake, NATO-n, ku synojmë të anëtarësohemi sa më shpejt”, tha kryetari Konjufca.

Sipas tij demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojiten aleanca me demokracitë të tjera.

“Siç po e shohim edhe prej ngjarjeve të fundit në botë dhe invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, se demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojiten aleanca me demokracitë e tjera, për sa kohë edhe në botë po e shohim se autokratët janë më të lidhur se kurrë me njëri-tjetrin”, tha kryetari Konjufca.

Në inaugurimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut të pranishmëve iu adresuan edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa një fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.

Nëpërmjet Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut synohet bashkërendimi institucional për fuqizim të demokracisë përmes tri shtyllave: luftës ndaj korrupsionit, luftës ndaj autoritarizmit, si dhe përmes avancimit të të drejtave të njeriut.​

Filed Under: Rajon Tagged With: Glauk Konjufca

LAMTUMIRA, MADELEINE ALBRIGHT, ARMIKE E TIRANËVE. GRUAJA E PARË NË KRYE TË DIPLOMACISË SË SHBA

April 12, 2022 by s p

Nga MASSIMO GAGGI/

Kur e intervistova në Washington, tre vite më parë, për të folur mbi fashizmët e rilindur, veçanërisht n’Evropë, tema e librit të saj të fundit, ajo i u përgjigj pyetjes sime të parë duke cituar jo vetveten por Primo Levin: “Ai thonte se çdo kohë ka fashizmët e tij, e që mund t’arrihet në tragjeditë e përbindëshme si Holokausti edhe pa kaluar nëpër një terror policer: mjafton të mohohen faktet, të shtrembërohet informacioni, të ndotet Drejtësia, të përhapet malli për një të shkuar prrallore. Fjalë mbi të cilat duhet përsiatur duke parë se ç’po ndodh nën sytë tanë”.

Larg totalitarizmave

Sytë e Madeleine Albright janë mbyllur dje përgjithmonë mbasi kishte parë atë që ajo, e ikur dy herë nga totalitarizmat e mëdha evropiane të Nëntëqindit, me sa duket e kishte përfytyruar e së cilës i ishte frikësuar. Gruaja e parë që kishte marrë detyrën e Sekretarit të Shtetit, Albright, u vra në moshën 84 vjeçe nga një tumor kanceroz. Bijë e një diplomati çekosllovak (në gjëndjen civile të Pragës ishte regjistruar si Maria Jana Korbelová, Albright është mbiemri i bashkëshortit amerikan), Madeleine-s i u desh të ikte nga Vëndi i saj herën e parë më 1938, si vazhdim i përndjekjes së hebrenjve dhe copëtimit të Çekosllovakisë të kryer nga nazistët, e më vonë, përsëri, dhjetë vjet më pas, për t’i ikur shtypjes staliniste.

Thellësisht e lidhur me Evropën lindore të zanafillës së saj, e shënuar nga totalitarizmat dhe Holokausti, ashtu si shumica e t’afërmëve të saj, përfshirë tre gjyshër, të vdekur në kampet e përqëndrimit të Raihut të tretë, vit mbas viti Albright-i ka parë të rilindin fashizmët dhe ka njohur mirë udhëheqës të kthyer në diktatorë nën sytë e saj. Në Fashizmi-n e saj ajo ndalet në analizën e tre figurave, në pushtet edhe sot e me role të rëndësishme në konfliktin ukrainas: Putini, protagonisti i madh, hungarezi Orbán dhe turku Erdogan që armatos ukrainasit dhe dënon Moskën në OKB, por pastaj nuk zbaton sanksionet kundër Rusisë dhe ndërmjetëson me Putinin.

Nga Karteri në Ballkan

Veprimtare demokratike, karriera e Albright-it në Administrim fillon më 1976, me zgjedhjen e Jimmy Karterit. Këshilltari i presidentit për politikën e jashtëme, Zbigniew Brzezinski, e thërret në Shtëpinë e Bardhë si asistente. Më pas do të bëhet këshilltare e Geraldine Ferraro gjatë garës (së dështuar) për nënpresidente e të guvernatorit të Massachussets, Michael Dukakis. Kur Bill Clinton arriti në Shtëpinë e Bardhë, e emëron ambasadoren e parë të SHBA në OKB dhe, më pas Sekretare të Shtetit. 

Aspak izolacioniste, Albright-i ndërpreton rolet e saj si zbatuese e një politike ndërhyrjeje në konfliktet ndërkombëtare të një Amerike që për të është “Kombi i domosdoshëm”. Lëviz duke kërkuar të vlerësojë atë që quan epërsi morale të Shteteve të Bashkuara, por edhe duke angazhuar Vëndet e tjera  ‘atë që përcakton “një multilateralizëm të fuqishëm”.

Bën edhe gabime, të rrëfyera më pas në kujtimet e saj, si mos ndërhyrja e e vendosur në Ruanda, ku më 1994, një mision i vogël ruajtës i paqes i OKB-nuk mund të ndalonte një gjenocid: së paku një milion të vdekur.

Imponoi parimin e ndërhyrjes njerëzore në luftën e Ballkanit: mbas plojës së Srebrenicës të kryer nga sërbët pavarësisht nga prania e një kontigjenti të vogël të “helmetave të kaltërta”, vendosur ndërmjet luftuesve, mposhti qëndresën e Pentagonit dhe i hapi rrugën bombardimeve amerikane. Dy muaj më vonë, në Dayton, i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrooke, mori firmat e një marrëveshjeje që, me gjithë se linte çështje të ndryshme të pazgjidhura, i dha fund një lufte që kishte kushtuar së paku njëqindmijë të vdekur.

“Corriere della Sera”, 24 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Fejton

SAMUEL HUNTINGTON DHE “PËRPLASJA E QYTETËRIMEVE” 

April 12, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) është studiues i shkencave politike, këshilltar dhe akademik amerikan. Lindi në Nju-Jork më 18 prill 1927. Vdiq në Martha’s Vineyard, Massachusetts, më 24 dhjetor 2008. I afërt me Partinë Demokratike. Në vitin 1946 studioi në Universitetin Jejll (Yale University), në vitin 1948 në Universitetin e Çikagos, ndërsa në vitin 1951 në Universitetin e Harvardit. 58 vjet profesor në Harvrad University ku ishte edhe drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Profesor edhe në Universitetin Albert J. Weatherhead III. I martuar me Nancy Arkelyan (1927-). Kishin dy fëmijë: Timothy Mayo Huntington dhe Nicholas Phillips Huntington. Hantingtonin e kanë quajtur Osvald Shpengleri (Oswald Spengler) i Amerikës.     

*   *   *

Përplasja e qytetërimeve është teori sipas së cilës identiteti qytetërues do të jetë shkaku kryesor i ndarjeve në botë, pas luftës së ftoftë. Këtë teori e popullarizoi politologu amerikan Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) në artikullin e tij “Përplasja e qytetërimeve?” Ky artikull ishte një kritikë tipike e tezës së popullarizuar të politologut, ekonomistit politik dhe shkrimtarit amerikan me prejardhje japoneze Frensis Fukujama (Yoshihiro Francis Fukuyama, Chikago, Illinois, 1952-) mbi fundin e historisë. 

Në vitin 1996, këtë artikull Hantingtoni e zgjeroi në libër me titullin “Përplasja e qytetërimeve dhe rirregullimi i rendit botëror” (The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order). Libri u shndërrua në vepër kundërthënëse.  

*   *   *

Fukujama është dijetar i shkencave politike. Autor i librit “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” (The End of History and the Last Man) të publikuar në vitin 1992. Është libër i filozofisë politike. Fukujama argumenton se me ngritjen e demokracisë liberale perëndimore – që ndodhi pas Luftës së Ftohtë (1945-1991) dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (1991) – njerëzimi arriti “jo vetëm … kalimin e një periudhe të caktuar të historisë së pasluftës, por edhe fundin e fistorisë si të tillë, përkatësisht pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizmin e demokracisë liberale perëndimore si formë përfundimtare e qeverisjes njerëzore”. Ky libër është zgjerim i esesë së tij “Fundi i historisë?” të botuar në verë të viti 1989, një muaj para rënies së Murit të Berlinit. Për këtë libër, Fukujama është bazuar në filozofinë dhe në ideologjinë e Hegelit dhe të Marksit, të cilët, historinë njrëzore e përkufizojnë si një progresion linear, prej një epoke socio-ekonomike, në tjetrën.

*   *   *

Sipas Hatingtonit, bota është e ndarë në disa qytetërime kryesore: bota perëndimore; Amerika Latine; bota ortodokse; bota lindore e cila si tërësi të veçanta i përmban: vendet budiste të Azisë Lindore dhe Juglindore; sfera kineze (konosfera), përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor kinez; sfera indiane (indosfera), përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor të Indisë; Japonia si qytetërim specifik; bota islamike; qytetërimet e Afrikës nënsahariane. 

Në ndarjen e vet, Hatingtoni i ka përfshirë edhe të ashtuquajturat vende “të vetmuara” të cilat me specifika të ndryshme kulturore dhe specifika të tjera shquhen në rrethinën e vet. Të tilla janë Izraeli në Lindje të Afërt dhe Etiopia krishtere në Afrikë. Këtu bëjnë pjesë edhe “vendet e ndara”, pjesë të të cilave u përkasin qytetërimeve të ndryshme. E tillë është Ukraina një pjesë e së cilës i takon botës perëndimore, ndërsa një pjesë tjetër – botës ortodokse. 

Si vatër kryesore e përplasjes, Hantingtoni i ka konsideruar të ashtuquajturat “vende ndarëse”, përkatësisht rajonet në të cilat qytetërime të veçanta janë në kontakt me njëri-tjetrin. Me këtë rast, Hantingtoni thekson në veçanti se konfliktet e tilla me qytetërimet e tjera janë më të ashpra në skajet e botës islamike. Konsideronte se me kalimin e kohës, konfliktet e tilla do të shkallëzohen në konflikte ndërmjet “vendeve kyçe” të atyre botëve apo qytetërimeve. 

Në vitet ‘90 e këndej të shekullit XX, teza mbi përplasjen e qytetërimeve kishte një numër të caktuar ithtarësh. Në publikun e gjerë, të paktën në botën perëndimore, u bë aktuale vetëm pas sulmit të 11 shatorit dhe luftërave të mëdha që pasuan pas kësaj. 

Tezën e Hantingtonit e kritikojnë ashpër kryesisht nga radhët e entuziastëve multikulturorë, të cilët e konsiderojnë të papërputhshëm me idealet e multikulturalizmit. 

“Përplasja e qytetërimeve” – ishte teza me të cilën Semjuel Hantington (Huntington) para 15 vjetëve gjoja ka pasur çelësin e sqarimit të gjendjes në botë. Në fillim, pas titullit në origjinalin në gjuhën angleze ndodhej pikëpyetja “The Clash of Civilizations?”. Bëhej fjalë për artikullin që e botoi ky politolog amerikan në verë të vitit 1993 në revistën Foreign Affairs. Me këtë, sa çel e mbyll sytë, u bë i njohur për mbarë publikun botëror. Dukej sikur ky profesor i Universitetit të Harvardit vërtet e kishte gjetur çelësin e sqarimit të rendit botëror. 

Hantingtoni pohon se në shekullin XXI, “përplasja e qytetërimeve” do t’i evitojë konfliktet e vjetra ndërmjet shteteve. Derisa kolegu i tij Frensis Fukujama (Francis Fukuyama) mbron tezën “e fundit të historisë” dhe fitoren e ekonomisë së tregut dhe të liberalizmit pa gjakderdhje, në anën tjetër Hantingtoni (Huntington) ngjarjet në botë i sheh në konflikte, në beteja dhe në luftëra. 

Sipas Hantingtonit, në të ardhmen, në arenën globale do të përplasen shtatë apo tetë qytetërime – qytetërimi perëndimor, konfuçianist, japonez, islamik, hinduist, sllavo-ortodoks, latino-amerikan dhe mbase një qytetërim afrikan. 

Me tezën e vet, Hantingtoni e ndan botën në “qytetërime kryesore”. Vendet me shumicë joortodokse, zakonisht përjashtohen. Për shembull Azerbajxhani mysliman dhe Shqipëria myslimane dhe pjesa më e madhe e Azisë Qendrore, si dhe rajonet me shumicë myslimane në Ballkan, në Kaukaz dhe rajonet qendrore të Rusisë si Tataristani dhe Bashkortostani.     

Rreziku për konflikte është më i madh atje ku ndërthuren dallimet në forcë dhe në kulturë – pohonte Hantingtoni. Argument i tij është: Qytetërimet e sipërthëna në mënyrë radikale janë të ndarë nja njëri-tjetri për nga gjuha, historia dhe religjioni. Ata assesi s’e durojnë dot njëri-tjetrin dhe përveç kësaj janë armiq të Amerikës, sipas motos “të tjerët, kundër Perëndimit” (the rest against the West).   

Jehona e tezës së Hantingtonit ishte e madhe, por e ndarë. Kishte shumë që e ngrënin lartë si një vizionarë, si një Osvald Shpengler* (Oswald Spengler, 1880-1936) i Amerikës. Të tjerët ndërkaq, shohin te Hantingtoni nxitësin ideologjik i cili me teorinë e vet kulturore të pabazuar, gdhend në gur kërkesën amerikane për të sunduar botën. Nga kritikat, Hantingtoni nuk u shqetësua fare. Prej disa tezave krijoi një libër prej 600 faqesh, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja apo në dhjetëra gjuhë të botës. “Përplasja e qytetërimeve” në gjermanisht është përkthyer me titullin “Kampf der Kulturen”‘ (Lufta e kulturave).

Vepra nuk mbeti pa efekt. Pas çdo sulmi islamik, posaçërisht pas sulmeve në Nju-Jork, publiku gjithmonë nga e para shtronte pyetjen: A nuk kishte të drejtë Hantingtoni dhe a nuk fillon vërtet tani “përplasja e qytetërimeve”. Ishte e pazakonshme sesi vetë autori, pas sulmeve në Nju-Jork, nuk dëshironte të flasë më për dilemat fillestare të veta. Te sulmet terroriste mbi Qendrën Tregtare Botërore (World Trade Center), Hantington nuk sheh përplasje qytetërimesh, por “sulm barbarësh  primitivë ndaj shoqërisë së qytetëruar të tërë botës”. 

Hantingtoni paralajmëronte për rrezikun e luftës në Irak, për arsye se – siç thoshte – ai i thërriste shpirtrat prej të cilëve Perëndimi nuk do të lirohet aq shpejt. “Një sulm i tillë shpie në një luftë, të një lloji krejt tjetër. Ai do të zgjojë pjesë të mëdha popujsh dhe qeverish të botës islame, të cilat tani e mbështesin koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit”, kishte deklaruar Hantingtoni.  

Në ditët e pleqërisë, Hantingtoni u tregua i kujdesshëm. Përse kjo përmbajtje e përnjëhershme dhe frikë e autorit nga formula “mrekullibërëse”? Është e mundur që Hantingtoni, në ditët e pleqërisë të jetë bërë më i mençur se ata që i referoheshin atij. Si duket e kishte kuptuar se shpeshherë religjioni nuk është veçse maskë me të cilën mbulohen konfliktet brutale për njohjen dhe për ndarjen e të mirave. Ndoshta Hantingtoni e kishte vërejtur se fundamentalizmi është një fenomen krejt modern që kishte lindur me kolonizimin. Prandaj vrasësit në emër të islamit nuk vijnë nga mesjeta apo nga një kulturë plotësisht e pakuptueshme, por vijnë nga një mjedis i shoqërisë globale moderne – fakt ky që na rrëqeth të gjithëve.

Sot analistët konsiderojnë se të flasësh për “përplasjen e qytetërimeve”, paraqet njëfarë kurthi. Sipas tyre, po qe se veprimi politik orientohet sipas “përplasjes së qytetërimeve” të Hantingtonit, në të vërtetë nxit pikërisht gjendjen kundër të cilës lufton. Me këtë, formula e “përplasjes së qytetërimeve” bëhet profeci apo orakull që e plotëson vetveten. Në dy vitet e fundit të jetës, vetë Hantingtoni paralajmëronte se nuk duhet bërë luftë kundër terrorizmit në fushën e minuar të kulturës, për shembull në luftën e së mirës kundër të keqes, të dritës kundër errësirës. Teoricienët konsiderojnë se Hantingtoni ka të drejtë, ngase nuk duhet luftuar kundër islamit por vetëm kundër krimit që kryhet në emër të tij. Çdo veprim tjetër, akoma më shumë do ta përhap urrejtjen, do t’i konfirmojë imazhet e armikut dhe do ta shtojë arrogancën, do të vazhdojë me spiralen e dhunës në të gjitha anët. 

Nëpërmjet kulturizimit, konflikti e merr kthesën më të keqe të mundshme, madje edhe për vetë Hantingtonit i cili thotë: “Qëllimi i Osama bin Ladenit është që nga lufta e një organizate terroriste kundër shoqërisë së qytetëruar të shkaktojë përplasjen e kulturave ndërmjet islamit dhe Perëndimit. Po qe se do t’ia delte, kjo do të kishte qenë një katastrofë e vërtetë”.  

Karrierën akademike, Hantingtoni e filloi pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në një periudhë të caktuar kishte të shkruar 19 libra dhe 90 punime shkencore. Në Harvard punoi 58 vjet. U largua në vitin 2007. Gjatë punës në Harvard pikësynim e kishte sistemin e qeverisjes dhe të strategjisë politike-ushtarake të ShBA-së.   

  Libri i fundit kundërthënës i Hantingtonit – “Kush jemi ne?” (Who Are We?) – Sipas pohimeve të gruas së tij, Hantingtoni gjithmonë ka qenë demokrat, ndërsa kolegu shumëvjeçar i tij, profesori i ekonomisë Henri Rosovski* (Henry Rosovsky, Gdanjsk, Poloni 1927-) thotë se “Në 50 vitete e fundit, Hantingtoni ka qenë një nga politologët më me ndikim në botë, për tezat e të cilit kanë debatuar njerëz të mbarë botës”. (Henri Rosovski ishte historian i ekonomisë, i specializuar për Azinë Lindore; u shkollua në Harvard; ishte dekan nderi (Dean Emeritus) i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencave të Universitetit të Harvardit).

Qarqet konservatore dhe nacionaliste të vendeve të caktuara, librin e Hantingtonit e mirëpritën dhe e quajtën bazë ideologjike të politikave të tyre, ndërsa intelektualët liberalë të atyre vendeve, librin e tij e kanë kritikuar ashpër.

Me librin “Kush jemi ne?” (Who Are We?) në vitin 2004 Hantingtoni përsëri shkaktoi polemika. Në këtë libër, Hantingtoni pohon se ardhja e pakufizuar në ShBA, e emigrantëve latino-amerikanë, do të mundë të paraqiste rrezik për unitetin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

*   *   *

Me fatin e qytetërimeve u mor edhe filozofi gjerman dhe historian i kulturës Osvald Shpengler (Oswald Spengler, Blankenburg, Gjermani,  29 maj 1880 – Munih, 8 maj 1936). Ishe edhe filozof i historisë. Tregoi interesim për matematikë, shkenca dhe art si dhe për lidhjen e tyre me teorinë organike të tij të historisë. Është autor i veprës së njohur “Rënia e Perëndimit” (Untergang des Abendlandes; 540 faqe). Vepra përbëhet prej dy vëllimeve. Vëllimi i parë u botua në verë të vitit 1918 me nëntitullin “Forma dhe aktualiteti”, ndërsa vëllimi i dytë u botua në vitin 1922, me nëntitullin “Perspektiva e historisë botërore”. Kur u botua për herë të parë, vepra e Shpenglerit “Rënia e Perëndimit” shkaktoi tronditje dhe tërmet të vërtetë intelektual që nuk do të qetësohet për një kohë të gjatë.        

*   *   *

Shënim: Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) – filozof gjerman, i mbiquajtur Aristoteli i kohës së re; 

 Karl Marks (Karl Marx, 1818-1883) filozof, ekonomist dhe sociolog gjerman, me prejardhje hebraike; studioi drejtësinë, por u mor edhe me filozofi, ekonomi, histori dhe art.

Fukujama është i martuar me Laura Holmgren; kanë tre fëmijë.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente Tagged With: Xhelal Zejneli

A ËSHTË DUKE EKSPERIMENTUAR RUSIA NË UKRAINË LUFTËN E TRETË BOTËRORE?

April 12, 2022 by s p

Akademik Prof Dr Hakif Bajrami/

Luftërat fillojnë dhe mbarojnë, zakonisht për të okupuar territore të reja. Në rastin konkret, Rusia në shiqim të parë dihet se ka jo mjaftë, por ka tepër territore. E ndonjë tiranë i saj, siç është V. Putini edhe pse ishte agjent i sigurimit, nuk  e dinë sa territore i ka, por po provon të okupojë edhe më shumë, sidomos synimet e ka në jug, ku ka humbur shumë treva të begatëshme që i pati okupuar me luftëra të padrejta, sikurse bërët kjo tani në Ukrainë.

Botën e civilizuar e ka pasë përfshi një lloj eksperimenti labaratorik i covid19, sa që virusi “marionetë” nuk respektoi as viza, as asnjë fuqi ushtrake dhe policore. E vetmja fuqi që luftoi këto dy vite me “luftën misterioze-infektimin me virus19”, ishte mantëlbardhësia dhe farmacia që shënoi rekorde përfitimi. Pra, a do të shënoi Rusia me luftën ndaj Ukarinës, rekorde fitime, apo do të mbetet humbëse morale dhe politike e materiale, sepse po e zhvillon një luftë jo të drejtë, po e zhvillon një luftë neokolomniale, me rrezik që t` i tejkaloi  caqet i izolimit vetëm në këtë pjesë të globit.

Faktet po tregojnë se në mes Perendimit të pasur dhe të fuqishëm me një anë dhe Rusisë së egër dhe agresore në anën tjetër është kah zhvillohet një luftë speciale e fromatit që në çdo kohë mund të metastazojë në viset tjera, kuptohet në rend të parë nëse soldati rus e sulmon cilindo shtet aty në kufi e që është antare e NATO-s. Edhe më kuptueshëm, nga informatorët Perendimor po vijnë lajme se Ushtria ruse po vret civilë dhe rrënon lokalitete që nuk kanë lidhje me pozicionet strategjike ushtarake”. Kjo tregon se strategjia ruse është me qëllime skpanzioniste kah eksperimenton. Këtij rreziku i shtohet fakti se lufta e quajtur “EMBARGO” ndaj Rusisë me një kujdes të matur, Rusia dëshmoi se sulmin nuk e ka aq të kontrolluar, aq më parë kur Putini po i ndryshon komandantët e luftës, e që tregon se humbje ka, por synimet i ka aq iluzore sa që zyrtarët e lartë të Kremnilint po kërcnohen se: “Rusa do ta kontrollojë hapësirën jetësore nga Vlladivostoli e deri në Lisabonë”. A nuk është kjo fjali hitleriane e ngajshme me atë të S. Millosheviqit kur huliganët e tij klithin: “Nga Tokio deri Adriatik”; Vetem urdhëro Sllobodan do të shkojmë deri në Tiranë”. Dhe bota e civilizuar jo moti (para 30 vitesh), edhe pse kishte embargo akonomike dhe ushtarke, bile me Rrezoluta të KS OKB, Jugosllavia Federative ia patë marrë 2 miliardë dollarë para kesh nga Bota arabe; një miliardë dollarë nga Gjermania; tetëqindë e pesdhejtë milionë nga Franca dhe shtatëqindë e pesdhejtë milionë dollarë nga Italia etj. Ato para patën shkuar në kontot e Jellcinit: Serbia  blente armatim, Rusia blente mallëra për tregun e saj të brendshëm, sepse ishte buzë greminës nga uria. Dhe a do vejnë në gjujë me këso “Embargosh” Putinin, unë mendoi se JO. Janë kohë e rrethana tjera, sepse malli rus, kudo nepër Evropë dhe Glob nuk po bojkotohet sa e si duhet.

“Dokumenti i mbrapsht” dhe Mollotovi në Krime 1945

Çdo luftë përfundon me një paqe. Edhe Lufta e Dytë Botërore i mbaroi me pazaret e

TRESHES të filluara në Teheran në tetor 1944: Villson, Stalin dhe Ceherchill. Më vonë në një proces të Konferencës Krimes (2-12 mars 1945) Cherchilli në një pako të cigarës do të shkruaj se si duhet ndarë sferat e interesit në

Ballkan.Cerchilli në pakon e cigares që donte ta hudhë, por që Stalini e vlerëson si “të arsyeshme”, e nënshkruan dhe propozon që dokumenti të ruhet dhe është ruajtur. Aty Tri shtete ballkanike propozohen t` i takonë sferës totalitare, dy shtete t` i takojnë sferës së demokracië. Jugosllavia mbetët nën ndikimin 50% ,me 50%. Shqipëria mungon në dokumentin fillestare në tërësi. E kur e pyeti Mollotovi që ishte Ukrainas Cherchilin pse mungon Shqipëria?, Cherchill përgjigjet me ekovoke diplomatike: “Sepse e dini se çka më kanë bërë shqiptarët më 1916 në Luftën e Daradanelës. Më kanë detyruar të japi dorëheqje, sepse e humba luftën. Tash e kam shansën, unë t` ua japi dorëhejen atyre, sepse: “kanë bashkpunuar me fashizmin”. E kush ka bashkpunuar me fashizmin, sipas treshës së madhe dhe vendimit tyre në Teheran (tetor `44), fituesit e luftës kishin siguraur të drejtën për  likvidim të popullsive të tëra. Me këtë “parim” neofashist, Tito i likuidoi 520 000 gjermanë nga Vojvidina, kurse Stalini i likuidoi nja 12 000 000 banorë nga ato vise që i “çliroi”, sidomos treva e Kaliningradit sotshëm u rusizua plotësisht. Po edhe në viset tjera. Në Krime (mars 1945) me insistimin  kambëngulës të Mollotovit, Shqipëria u pranua si “duhet të pranohet si shtet dhe ndarja e saj në sistem të jetë 50% me 50%. Gjërat i ndrroi koha dhe sistemi që shqipëria të mbetet sferë e interesit Lindor!.  

E për shqiptarët në Jugosllavinë titiste, dihet çfar planifikoi Vasa Çubrilloviq më 3 nëntor 1944. Propozoi që të akuzohen për “popull kuislling” dhe si të tillë të likidohen. Dhe më lakuriq: Tito, nuk është e rastësishme pse më 9 prill 1945 i tha Delgeacionit shqiptar në Beograd se: “Ju 90% keni qenë me fashizmin”. Kjo do të thot se Diktaturën ushtarke nuk do t` ua heki kurrë dhe e mbajti fjalën! Deri më 1966 i largoi 415 000 shqiptarë nga Kosova dhe Maqdonia në Turqi me pazare meskine.

           E vërteta Vlladimir Putini do ta humbë luftën

Gati të gjithë popujtë e Lindjës janë skllavçr të fantazisë dhe zmundjës imperialiste që i shpje në pozitë inferiore. Në gjysmën e dyë të shekullit XIX, Rusët e quanin Ukranbinën “Rusia e RE”, krejt hapur për ta okupuar dhe nga deti për t` iu afruar Stambollit, që ta “forcojnë pozitën rreligjioze, si një Vatikan i Dytë. Dhe kur të forcohën me të gjitha mjetet duhet sulmuari  Vatikanin e Parë (Romën). E mendonin një perandori ashtu si e pikturon këto ditë Medvedevi (mik i Putinit): Rusia nga Vlladivostoku e deri në Lisabon”. Po, këta (Putin etj) e duan një Rusi më të madhe se ajo që ua pati lërë Stalini. E tërë këtë propogandë e pati dhe po e kopjon Serbia si një satelit i saj, që tani në te po gërmon edhe Kina komuniste, se: “Kosova është Serbi e vjetër” (nga viti 1853 lindi kjo teori konspirative-hb), dhe me asnjë shenjë nuk dëshmon se do ta evitojë nga Preambula e Kushtetutës. Po këtu një krahasim historik në mes Kosovës dhe Ukraninës (Krimes), është sa anakronik aq edhe naiv. Kjo për faktin se në Kosovë popullsia është  autoktone shqiptare, dhe me shumicë apsolute. Ndërsa në viset që i aspiron Rusia në Ukrainë, popullsia është e KOLONIZUAR me dhunë , me gjenocid të tipit hitlerian.

Prandaj, për mos më e zgjatë, Rusia nuk ka shansë që ta nsië luftën bërtahmore, sepse i kthehet bumerang. Në këtë drejtim, Putini duhet të jetë i kontrolluar sepse qysh tani ka shenja se ai do të përgjigjet penalisht, jo nga ndonjë gjyq nderkombëtar, por nga erupcioni i kundershtimeve brenda Rusisë, sepse po e dërgon vendin në luftë vetëvrasëse. Dhe këtë aksiomë Putini e dinë shumë mirë. E dijnë edhe gjeneralët e tij, që do të përgjigjen penalisht. Por, “loja” e filluar ka filluar të ndihet në çdo cep të Globit dhe indinjata është në rritje antiruse. Por, arbitri që i jep penallti njerës palë, asaj agresore, një herë si duket po KALKULON, që çështja e krimve dhe padrejtësieve ruse, të shkojë sa më largë në rrafshin e krimeve me moton: “po luftojnë slllavët në mes evti”, panterej.

Ukraina në luftën që është zhvilluar në ish Jugosllavi ishte në anën e agresorit serbian

Jo vetëm mercanrët ukrainas, por edhe ushtria e rregullt Ukrainase me helikopterë ka bërë luftë sidomos ndaj shqiptarëve në katër raste. Qarqet e NATO-s këtë faktë e dijnë dhe i kanë edhe fotoset nga satelitet dhe disa korrespodentë gjerman të luftës, rastet i kanë të shënuara. Por, gjermanët, sa luftë lokale që zhvillohet  pas Nyrenbergut, i lutën zotit që tragjeditë e reja të jenë edhe në permasa edhe në lartësi më të egra se ato të nazifashistëve. Këtu pushon djalli ndër “tepih”, dhe popujt e vegjel e psojnë. Bota duhet ta dinë se në Kosovë nuk ka parti fashiste e Serbia është me shtatë të tilla. Në Kosovë nuk ka parti komuniste e as socialiste, e Serbia i ka tri parti të tilla agresive. Madje nuk ka as politikanë si individ që kultivojnë politikë raziste. Po, ka mjekrrosha sa të duash, por këta nuk janë në pozicion që të dominojnë në asnjë lëmi të jetës. Mund të destabilizojnë diçka, por kontrolli është shumë vigjilent. E në Ukrainë ka parti te të gjitha niveleve, ashtu si është e mbushur Rusia apo Franca me shumë vende tjera të globit.

Demonstrata antirusi në Tiranë (8 prill 2022) vijimësi e asj në Prishtinë (mars 2022)

Demonstratën në Prishtinë dhe Tiranë me moton “Jemi përkrah Ukrainës, dhe strehojmë ukrainas” janë shenja se shqiptarët janë bujar dhe njeriun në vuajtje nuk e injorojnë, sikurse vepruan me Hebrenjët. Por, diplomacisë Ukranisë duhet bërë me die se edhe ambasadori i saj në Beograd është piesë e tyre, por po deklaron se: “Nuk do ta pranojmë Kosovës, sepse Kosova është pjesë e Serbisë”. Askush publikisht nuk i reagoi nga politika e Kievit. E ne i dijmë hallet e Zeleninit, por i kuptojmë më thellë se kushdo tjetër ambicjet e Kremlinit, sepse ato i keme me thika e topa para hundës qe dy shekuj gjencid mbi ne dhe në ne shqiptarët, në trojet tona. 

E unë në vogëlsinë time ia them edhe ambasadorit ukrainas në Beogrda, po edhe kushdo që ka kësi qëndrimi se Kosova e ka shpallë PAVARËSINË më 17 shkurt 2008, dhe të cilën e ka vulosë edhe Gkykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, më 2010. Këtu jemi, por lufta tash e tutje, nëse sulmohemi, nuk do të zhvillohet vetëm në Kosovë, por duhet llogaritur edhe Sanxhakun e Nishit,i cili deri më 1878, besa me ndihmën e shteteve Evropiane, gjithnjë me moton kryqzatë: “Po e luftojmë osmanlinë dhe po luftojmë kundër islamit në Evropë”. Kështu maskohej gjenocidi më i egër që ka ndodhë në Evropë ndaj një populli, siç janë shqiptarët në tojet e veta. E tërë Vilajeti i Kosovës, pra edhe Sanxhaku i Nishit me kazatë: Nish, Leskofc, Vrajë, Trrn, Prekupe e Kushumli lindej, jetohej dhe vidisej shqip 84%, ishte me tapi tokë shqiptare.

Po, ne bërëm luftë të drejtë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e Adem JASHARIT, bartëte armë me gomarë, dhe në krah. Kudo i blente me paratë e popullit (sidomos diasporës). Ukraina sot, është shtet, ka fabrika, banka, dhe spitale dhe plus po dërgohen dihma nga mbarë bota. Madje ka lajme se po dërgohen edhe armë moderne, e neve na i ndalonin ose konfiskonin edhe ato që i blenim me parat tona. Jo,JO, po t` i kishim ne në Kosovë më 1998/99, vetëm llojin e armëve që i ka sot Ukraina, ne nuk do të kishim nevojë për një luftë HUMANITARE që e bëri NATO, e të cilën luftë nuk do ta fitonte kurrë pa këmbësori, mësa a e fitoi Hitleri në Angli, për faktin se e kishte qiellin, por nuk kishte mundësi dot ta okupojë tokën e anglosaksonit. Po ashtu, edhe më rëndë ishte gjendja në Kosovë më 1998/99, sepse Serbia me ndihmën e Rusisë, Kinës dhe Ukrainës, patën siellë 160 000 trupa ushtrarë, policë e mercenarë për me pre e diegë, dhunuar dhe rrënuar, çdo gjë në Kosovë. E vërteta, NATO e gjeti Kosovën në germadha. Por falë SHBA-ve, Perendimit dhe miqëve të shumtë nga tërë Globi,  Kosova u ngritë nga hiri dhe sot është kandidat për KE, NATO DHE OKB, gjithnjë në saje të diersës sonë të dlirë dhe këshillave e ndihmave të miqëve të shumtë, sidomos Amerikanë. Respekt për jetë e mot, derisa të ketë jetë e shqiptarë në këtë tokë të plagëve dhe kreanrisë. Respekt për mirëkuptim.         

 Më 11 prill 2022 Prishtinë

Filed Under: Analiza Tagged With: HAKIF BAJRAMI

Kryeministri Kurti mori pjesë në manifestimin me rastin e 150-vjetorit të lindjes së atdhetarit e poetit Asdrenit

April 12, 2022 by s p

Prishtinë, 11 prill 2022/

Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia “Himni i Flamurit” për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Një poezi që sublimoi idetë e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e hapjes së manifestimit kulturor me rastin e 150-vjetorit të lindjes së atdhetarit e poetit Aleksandër Stavre Drenova, Asdrenit.

Kryeministri Kurti tha se vargjet e himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri, nëpër mbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Ai theksoi se në Kosovë sidomos i këndojmë thuajse për çdo ditë gjatë stinës së pranverës, kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun. I kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë, tha ai.

Fjalët e Asdrenit ishin motivi i manifestimit “Na flet Asdreni” organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Nën drejtimin artistik të Mjeshtrit të madh, Josif Minga, artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova, nderuan kujtimin e poetit me interpretimet e tyre në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Me pjesëmarrjen e korit kameral “Dardanica”, nën drejtimin e Edon Ramadanit, të formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik i Burrave Drenovë, si dhe me intervista të personaliteteve dhe imazhe të shumta dokumentare, u kujtua dhe rrëfye jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z.Qemal Minxhozi,
I nderuari Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Hajrulla Çeku,
I nderuari Ministër i Shëndetësisë, z.Rifat Latifi, 
I nderuari profesor e akademik, z. Rexhep Qosja,
Të nderuar artistë,
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj veprimtarie artistike me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Asdrenit,

Ju falënderoj për nismën tuaj për të nderuar kujtimin e atdhetarit të madh Aleksandër Stavre Drenova, i cili na ka dhuruar Himnin e Flamurit tonë!

Si sot, vargjet e himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri, nëpër mbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Këtu në Kosovë sidomos i këndojmë thuajse për çdo ditë gjatë stinës së pranverës, kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun. I kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë. Dhe, patjetër që Shqipëria do të rrojë, sepse siç e thotë himni, e e këndojmë ne “për të, për të luftojmë ne!”.

Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia “Himni i Flamurit” për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Një poezi që sublimoi idetë e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi, si më parë kur ato ishin parashtruar në manifestin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Vargjet e himnit na flasin për dëshirën e qëllimin e shqiptarëve, për betimin e tyre për shpëtimin e atdheut. Na flasin për guximin që duhet të tregojmë në përballje me luftën e rrezikun, por edhe për çdo çast teksa përpiqemi të kapërcejmë vështirësitë, gjatë rrugës sonë për zhvillim dhe përparim kolektiv.

Të nderuar artistë, të nderuar pjesëmarrës,


Sigurisht që “Himni i Flamurit” është poezia më e njohur e Asdrenit, por ai do ta kishte vendin e tij në plejadën e shkrimtarëve shqiptarë edhe nëse nuk do të ishte autor i himnit. Vepra e tij e parë poetike erdhi në letrat shqiptare kur sapo ishte shuar poeti ynë kombëtar, prandaj, për nga tematika dhe stili Asdreni u mirëprit si “Naimi i ri”. Me veprat e tij të shkruara përgjatë katër dekadave ai e pasuroi dhe e modernizoi letërsinë shqipe, krahas poetëve tanë më të shquar, si Fishta, Migjeni, Poradeci e të tjerë. Fjalët e Asdrenit janë motivi i këtij spektakli të cilin ju, artistë të shquar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, do të shfaqni sonte për të nderuar kujtimin e poetit. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Asdreni jetoi larg atdheut dhe mallin e dëshirën që i buronte nga shpirti i shndërroi në fjalë. 


Pas pak Asdreni do të na flasë sërish, përmes talentit të artistëve tanë.


Ju falemnderit dhe suksese.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT