• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

MISIONI I SHKRIMTARIT

July 12, 2022 by s p

(Duke lexuar librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumbit)

Nga EUGJEN MERLIKA

“ Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

Këto fjalë profetike të meshtarit të vjetër At Marin Sirdanit, drejtuar autorit, atëhere ende djalë i ri e i pashuguruar si prift, përbëjnë lejt-motivin e veprës së At Zef Pllumbit. Ishte një porosi me vlerë, një nga ata amanete “që nuk i tret dheu”, që ve në lëvizje gjithë energjitë, përkushtimin, motivimin shpirtëror, moral e mendësor të një njeriu të letrave, që synon t’i shërbejë tërësisht një qëllimi të shenjtë, shpalosjes të së vërtetës. Në vetëdijen e autorit ai amanet bëhet besim, ideal, ëndërr, kuptim jete; e shoqëron çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, dhjetëvjeçarë me rradhë, në një rrugë të gjatë, të vështirë, gjithmonë në të përpjetë, që është jeta e shkrimtarit. Ai amanet i jep forcë, vullnet, qëndueshmëri, për të sfiduar sfinksin, për të mbijetuar në një xhungël ku sundojnë egërsirat, ku çdo ditë rrezikohet të gjymtohet, të humbë, të asgjësohet. Ai amanet kthehet në një dritë të fuqishme që ndriçon çdo qelizë të kujtesës së pazakontë, për të hedhur në letër gjithë bagazhin jetësor të një përvoje vetiake e të përgjithëshme, që përbën shtyllën kurrizore të veprës që sendërtohet e merr formën e librit të kujtimeve, duke hyrë, mendoj un, me dinjitet në fondin e letrave shqipe.

”28 nandor 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë,ndoshta me zymta që prej shpalljes së pavarësisë” është një fjali në fillim të veprës, është penelata e parë që paralajmëron koloritin e saj. Zymtia përshkon gjithë faqet e librit, duke pasqyruar atmosferën në të cilën hynte një komb i tërë, pas një tragjedije që nuk kurseu askënd në kontinentin e vjetër. Por në Vendin e autorit tragjedia do të kishte përmasa makabre, para të cilave dhe bota shekspiriane do të dukej e zbehtë. Autori është një misionar e misioni i tij është shumëplanesh. Si shkrimtar duhet të paraqesë me art   epokën e trazuar së cilës i përket, si famullitar, pjestar i  bashkësisë së klerit katolik duhet të marrë në mbrojtje arsyet e tij, si i përndjekur politik i regjimit duhet të dëshmojë dramën e asaj pjese të popullsisë që “koha e re” i vuri në qafë një zgjedhë. Si i tillë, por edhe si njeri, si qytetar, ai rrjeshtohet në anën e të mundurve, të viktimave, të atyre që e pësojnë historinë, por me vetëdijen e plotë se duhet të pasqyrojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Eshtë kjo një nga meritat kryesore të kujtimeve të At Zef Pllumbit, të qëndruarit besnik ngjarjeve në pasqyrimin e tyre, ashtu siç kanë ndodhur, me dritat e me hijet.

Merr tepër rëndësi ky fakt, po të kemi parasysh se bën fjalë për pasqyrimin e një epoke në të cilën e vërteta është dhunuar katërcipërisht, në të gjitha shfaqjet e saj, për një gjysëm qindvjete, duke ju servirur për së prapthi një populli të tërë. Dita e çlirimit u hymnizua në të gjitha format, u bë motiv zotëronjës kudo, në artet, letërsinë, shkencat historike e shoqërore. U paraqit gjithmonë në simbiozë  me fitoren e Evropës kundër diktaturave, u quajt prej shumicës si pika kulmore në historinë tonë të shekullit të kaluar. Në fakt ajo ditë solli në fron një regjim që u mbështet mbi mashtrimin e dhunën e që, për fat të keq, në sajë të jetëgjatësisë, mundi të futë tentakulat e tij në indet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë duke krijuar tabu të rreme në mendësitë e vetëdijen e një pjese të dy brezave shqiptarësh.

Ndërsa për At Zefin “ Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerzit e dijtun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerzit e paditun kishin në dorë gjithshka; ate që nuk dihej” Nëpërmjet episodeve të ndryshme përshkruhen bëmat e partizanëve, në të cilat ai merr pjesë në vetë të parë. Objektiviteti në vlerësimin dhe paraqitjen e personave dhe ngjarjeve është i dukshëm: për tregues mund të përmenden bisedat me Shefqet Peçin apo me Mehmet Shehun, episodi i rojeve të burgut Dhimitër e Tomorr, gjyqi kundër klerit katolik, bisedimet për Statutin e Kishës etj. Autori i ka vënë detyrë vetes të dëshmojë gjithë përvojën e tij. Ai mbetet në qendër e rreth tij vërtiten ngjarje e persona të cilët, për mirë apo për keq, lidhen me të. Vështrimi i shkrimtarit është shumë i gjërë, kap një kënd prej 360°, gjithshka që rrezaton jeta materiale, shpirtërore, intelektuale e mjedisit në të cilin ndodhet, doket, zakonet, filozofinë, historinë, politikën, kulturën e popullit të tij.

Kujtimet e autorit rrokin një shtrirje kohore të gjatë, i ngjajnë një Sage të gjithë periudhës së komunizmit, që nga lindja deri në shëmbjen e tij. Pjesa më e madhe e tyre i përket burgjeve e kampeve të punës. Kjo, jo vetëm për faktin se jeta e autorit, për forcë madhore, kaloi më shumë në to, por dhe për një farë nënteksti filozofik të një realiteti të zotëruar nga një diktaturë, që gjente shprehjen e saj ideale pikërisht në ata kampe e burgje. Nëpërmjet personazheve të vërteta, të hasur në këto mjedise, personazhe që drejt për së drejti apo tërthorazi kanë bërë historinë e kohës së tyre, nëpërmjet historive të jetëve të tyre ravijëzohet një Vend i cili është shndrruar në një burg të madh. Në të secili e sheh me dyshim lindjen e ditës, mbasi nuk e di se ç’do të ndodhë me të deri në mbrëmje, kufiri mes “tanëve” e “armiqve” pothuajse është zhdukur mbasi, sa hap e mbyll sytë, ish luftëtarët, drejtuesit e Partisë, gjeneralët, shkrimtarët përfundojnë në qeli nga ku vazhdojnë t’i besojnë përrallës së komunizmit.

Përshkrimi i atyre burgjeve, në të gjithë vërtetësinë rrënqethëse të tyre, është ndihmesa më e madhe që autori i ep shqiptarëve e historisë së tyre. Ato copëza jete të mnerëshme të ngulura në vepër dëshmojnë se deri ku arriti krimi i organizuar në formën e Shtetit e do të vlejnë për të ardhmen, kur Shqipëria të jetë bërë një Vend normal e kur Historia do të shkruhet në termat e saj të vërteta. Ato dëshmi do të hedhin dritë mbi një realitet për të cilin, fatkeqësisht, në Shqipëri e më shumë në Evropë, shfaqet prirja për t’a zvogëluar, për t’a harruar, për t’a fshirë nga kujtesa. Autori është i vetëdijshëm për këtë, duke patur parasysh se kjo mundësi bie ndesh me amanetin që ka marrë në të rit e vet: me tregue. Ai nuk ndalet, vazhdon të kujtojë e të tregojë, i bindur se jo gjithmonë tregimi i tij do të bjerë në vesh të shurdhër.

Por një qëllim ka për zemër autori e që lidhet me misionin e tij si shërbyes i Krishtit. Ai don të paraqesë në dritën e së vërtetës Kishën e tij, këtë institucion që ishte nga më të luftuarit, mbi të cilin ranë “rrufetë e Zeusit” në mënyrë të posaçme, të pandara, me ashpërsinë më të madhe, deri në paradokse. Përse komunizmi shqiptar u tregua kaqë gjaksor me fenë në përgjithësi e me atë katoliken në veçanti? Sepse, siç e thashë më sipër, ishte një sistem që themelin e kishte mbi mashtrimin e dhunën, dukuri që çdo besim, në veçanti ai i krishteri, i quajnë të papranueshme e i luftojnë me të gjitha mjetet. Që të ngrihej godina duhej pastruar themeli nga morali, duhej vënë atje imoraliteti, duhej asgjësuar kushdo që i kundërvihej këtij të fundit. Kisha katolike shqiptare nuk pranoi të bëhej krah i regjimit, nuk pranoi të ligjësonte krimin, nuk pranoi të shkëpuste lidhjet e saj shekullore me Vatikanin. Ja pra arsyeja e barbarizmit të pashembullt që u martirizua më shumë se çdo simotër e saj, që u kërcënua me shuarjen e plotë si asnjë tjetër.

Ç’përfaqësonte Kisha katolike për Shqipërinë e popullin shqiptar? Pa dyshim ka qenë një nga pjesët më cilësore të superstrukturës së këtij Vendi. Tradicionalisht një nga tempujt më të fuqishëm të kulturës sonë, dha një ndihmesë themelore në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, pati merita të jashzakonshme në kultivimin në popull të dashurisë për Atdheun, gjuhën e historinë e tij, pati rol përcaktues gjatë pushtimit otoman në ruajtjen e identitetit kombëtar, i dha Shqipërisë një thesar të paçmuar në fushat e ndryshme të kulturës. Përfaqësuesit më në zë të saj, në qindvjetorin që lamë pas, si Dom Nikoll Kaçorri, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, At Anton Harapi etj. ishin korifej shqiptarizmi e Baballarë Kombi.

Këto të vërteta, të mohuara për një kohë të gjatë nga regjimi e veglat e tij në të gjitha nivelet, autori i shpalos me mjeshtëri nëpërmjet portretizimit të figurave, ndërhyrjeve filozofike, bisedave politike, kujtesës historike, episodeve që trajtojnë arkivin apo bibliotekën. Në sytë e lexuesit prakalojnë, në dritën e së vërtetës, eprorët apo kolegët, martirë të fesë  e të kombit, secili me personalitetin e tij. Ato hyjnë lehtë në mëndjen e tij e mbeten gjatë. Aftësia  e autorit në portretizimin e personazheve më duket se është me të vërtetë spikatëse. Më duket me vënd të sjell këtu një pjesëz nga gjyqi i madh në redaksinë e Hyllit të Dritës. Flet At Mati Prendushi që, në krahasim me gjykatësit e tij, më duket si Guliveri me Liliputët:

“ Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër huj e na kanë varë në konop ata që nuk deshtën as fenë, as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë shqiptarë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë e si në paqe: në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jena da kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë ate kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjervet. Na kemi hapë shkolla shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli shqiptar të ecin në rrugën e Zotit…”

Fjalë lapidare, të gdhendura në mermerin e ndërgjegjes së kombit, që pohojnë një të vërtetë të mohuar, të njollosur, të kthyer përmbys nga një bandë kriminelësh të institucionalizuar në krye të Shtetit, për fatin e keq të Shqipërisë. Këtë të vërtetë rivendos në mendjet e lexuesve me mjeshtri At Zef Pllumbi, duke ja arritur plotësisht qëllimit të tij. Figurat e At Anton Harapit, At Gjon Shllakut, Dom Alfons Trackit, At Pal Dodajt, At Ciril Camit, At Mati Prendushit, At Donat Kurtit e sa e sa meshtarëve të tjerë mbeten në kujtesën e lexuesit, në thjeshtësinë e njëherësh në shkëlqimin e tyre si shërbyes të kishës së Krishtit, si njerëz, si shqiptarë.

Portretizimi është i efektshëm dhe në vizatimin e figurave të tjera, të atyre që në këtë sagë kujtimesh gjysëm shekullore, bëjnë pjesë në viktimat apo në fitimtarët. Është mjaft goditës portretizimi i veglave të diktaturës, të atyre “heronjve të heshtur” ose jo, që penda të tjera të fuqishme të letrave shqipe, për dhjetëvjeçarë të tërë i hymnizuan, i veshën me lavdi edhe se përfaqësonin krimin, dhunën, imoralitetin.

“ Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të randsishme për historinë e Shqipnisë, prandej tregoni kujdes të veçantë për ta!

-Mos u ban marak P. Marin, se këto paçavure ne nuk na vlejnë fare: historinë e shkruejmë neve!”

Thuhet se një përgjigje të përafërt dha dhe Hitleri kur dikush pati guximin t’i kujtojë krimet e ushtrive të tij dhe historinë. Dul Rrjolli ishte një partizan i thjeshtë i paditur, por mendësia që shprehin fjalët e tij është ajo e arrogancës së pjesës më ekstremiste të komunistëve shqiptarë që arritën të mbizotëronin e të merrnin pushtetin, me të gjitha pasojat që pësoi Shqipëria. 

Ka një tjetër shtysë të fuqishme në misionin e tij shkrimtari e kjo është dashuria për popullin e vet dhe Vendin e të parëve. Është një ndjenjë e fuqishme, e përzjerë me krenarinë e dhimbjen, por që në ndonjë rast shpërthen në një zemëratë që na kujton shprehjen e Çernishevskit  për rusët:   “Komb skllevërish, fund e majë të gjithë skllevër!”

“ Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?” shfryn ai në një çast dëshpërimi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shëmbeshin nga turma të pandërgjegjëshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë çast si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurije. Ai mundohet t’a kalojë këtë provë çdo ditë të ferrit të tij të dhimshëm, në marredhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata që, deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij. Bën pjesë dhe kjo në misionin e shkrimtarit, veç atij të famulltarit, sepse arti në genet e tij ka predikimin e dashurisë ndërmjet njerëzvet, brezave, popujve, dashurisë që ndërton familjen, shoqërinë, Kombin. Sa larg misionit të tyre ishin ata shkrimtarë që, në gjithë veprën e tyre, hymnizuan “luftën e klasave”, “ urrejtjen klasore” mes pjestarëve të një populli, të një kombi, mes folësve të një gjuhe, që evokuan “armët e zbrazura për t’uruarin komunizëm” e bëmat e tij “heroike”…

Nga lartësia e misionit të tij, i vetëdijshëm për peshën e rëndë që ka marrë mbi supe, me modestinë e artistit e të fetarit, autori i drejtohet lexuesit bashkëkohës të tij, por dhe atij të kohëve të mëpastajme, me një kërkesë sa të thjeshtë aqë dhe të ndërlikuar:

“Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon qi të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato…Pse?”

Pyetja e autorit  del nga përmasat e veprës së tij e godet fort ndërgjegjen e një shoqërie që bart në vetvete krimin e pandëshkuar e që është shoqëria shqiptare. Por ajo shkon dhe më tej, i kalon kufijtë e brishtë të truallit të ngjarjeve e i drejtohet botës së madhe, ku një kulturë e tërë e ashtuquajtur “progresiste” mbetet indiferente kundrejt tyre, duke vënë theksin gjithmonë vetëm mbi një lloj tjetër krimi, atë nazifashist. Teoria e dy peshave e  dy masave, që kushtëzoi për gati gjysëm shekulli çdo hap të jetës së shqiptarëve, në Evropën demokratike vazhdon të paragjykojë ndërpretimin dhe analizën e historisë së tyre. Nuk është e rastit dhe heshtja e kësaj të fundit në lidhje me kundërvënien ndërmjet Shtetit shqiptar dhe të përndjekurve politikë të komunizmit që kërkojnë dëmshpërblimin për vitet e punës së papaguar në kampet e punës së detyruar.

Misioni i autorit është tepër fisnik e i lëvdueshëm. Do t’ishte në dobi jo vetëm të së vërtetës, por dhe të ripërtëritjes shpirtërore të shqiptarëve, të përqafohej nga një numur më i madh shërbyesish të artit. Këto lloj shkrimesh do të vlenin shumë, sidomos për të rijtë, që të kenë mundësi të krijojnë përfytyrimin e saktë se në ç’absurditet të llahtarshëm jetuan prindët e gjyshët e tyre, cila qe përgjegjësia, ku u shfaq forca apo dobësia e tyre. 

Meritat letrare e artistike të veprës më duket se janë të bollshme, aftësia përgjithësuese e madhe, gjuha e stili të rrjedhshëm, galeria e personazheve dhe e mjediseve e larmishme, pasqyrimi i së vërtetës jetësore i saktë. U mundova të paraqes përshtypjet mbi vlerat kryesore të mesazhit që buron nga libri “Rrno vetëm për me tregue”. Aspekte të ndryshme mund të analizoheshin shumë më gjërë e besoj se do të jenë objekt i kritikës më cilësore.

Si lexues e quaj të udhës të shpreh vlerësimin, mirënjohjen dhe respektin e thellë për personalitetin e autorit që do t’a quaja pa mëdyshje një Sollzhenicin shqiptar.

                                                                                                                Qershor 2003

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011                                                                                        

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugjen Merlika

MORALI I PROTESTËS DHE THIRRJA E PAPËS: MOS INJORONI HALLET E NJERËZVE

July 12, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

Gjatë lutjeve të Dielën në Vatikan, Papa Françesku shprehu dhimbjen e thellë për popullin e Sri Lankës, i cili për disa muaj tani – si pasojë e korrupsionit dhe një paqëndrueshmërie politike dhe ekonomike — po përjeton një gjendje krizash të thella politike dhe ekonomike, të cilat kulminuan ditët e fundit, në marrjen nën kontroll të rezidencës presidenciale nga protestuesit dhe në premtime për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë.  Papa u bëri thirrje autoriteteve të vendit që të marrin parasysh nevojat ekonomike dhe politike të popullit dhe të dëgjojnë zërin e të varfërve dhe nevojtarëve.  “Së bashku me ipeshkvijtë e vendit, përsëris thirrjen time për paqe dhe u lutem atyre që kanë autoritet, të mos injorojnë hallet e të varfërve dhe nevojat e njerëzve”, tha ndër të tjera Papa Françesku të dielën. Protestuesit në Sri Lanka ngarkojnë me faj udhëheqsit politikë aktualë të vendit, si përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe keq-menaxhimin e burimeve të vendit, që më në fund çuan në shkatërrimin ekonomisë së vendit.  Protestat në Sri Lanka kanë ndodhur edhe më parë, por gjendja e mjeruar ekonomike e kohëve të fundit, e shkaktuar nga kushtet e vështira ekonomike si dhe nga keq-menaxhimi dhe korrupsioni në radhët e autoriteteve politike të Sri Lankës – çuan më në fund, javën që kaloi, në marrjen nën kontroll të Pallatit presidencial dhe të banesës së kryeministrit të vendit – nga turma të zemëruara protestuesish.  Rritja e çmimeve për artikujt e konsumit dhe gjendja e përgjithëshme e mjerueshme ekonomike dhe politike, por edhe kriza ekonomike botërore, nxitën protestat e një popullate të pakënaqur dhe të pa shpresë, në Sri Lanka.  Disa analistë po krahasojnë gjendjen e krijuar në Sri Lanka me situatën dhe protestën e fundit në Shqipëri, duke thenë se çfarë po ndodhë në Sri Lanka nuk është aq e ndryshme nga gjendja në Shqipëri, ku javën që kaloi edhe atje u zhvillua një prej protestave më të mëdha në vend kundër  gjendjes së mjerueshme ekonomike dhe kundër qeverisjes autoritare dhe arrogante të kryeministrit të vendit.         

Media ndërkombëtare raporton nga Sri Lanka se qeveria e atij vendi është kontrolluar nga familja e njohur Rajapaksa, e cila ka dominuar jetën politike në atë vend për pothuaj një çerek shekulli.  Në Sri Lanka mund të jetë një familje e njohur që ka ushtruar influencën kryesore politike dhe ekonomike në atë vend për dekada, ndërsa në Shqipëri është Partia, familja më e gjerë ideologjike, ajo që, si pasardhëse e Partisë së Punës (Komuniste), kontrollon pothuaj çdo gjë në vend. Në Sri Lanka protestat detyruan Presidentin dhe Kryeministrin e vendit të jepnin dorëheqjen dhe të premtojnë se së shpejti do formohet një qeveri e re e përkohëshme.

Edhe autoritetet qeveritare shqiptare duhet të dëgjojnë zërin e protetsuesve dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për problemet me të cilat përballet vendi sot – ashtu siç benë autoritetet e Sri Lankës, duke dhenë dorëheqjen – si kërkesa kryesore e protestuesve.  Në protestën më të madhe që mbahet mend në Shqipëri, protestuesit shqiptarë dolën në shesh dhe në bulevard për të drejtat e tyre – përball një situate të rëndë ekonomike, drogës dhe korrupsionit të lartë që, sipas disa enteve ndërkombëtare, ka prekur të gjitha nivelet e qeverisë dhe mbarë shoqërinë shqiptare.  Shqetësuese për protestuesit është edhe mungesa e drejtësisë së barabartë (të gjithë nuk janë të barabartë para ligjit), largimi në masë i shqiptarëve nga vendlindja si rezultat i gjendjes së rendë socio-ekonomike të krijuar.  Sulmet e kryeministrit Rama ndaj të drejtave të njeriut, përfshirë kufizimet e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së fjalës, në përgjithësi, kanë shqetësuar shumë opinionin vendas dhe ndërkombëtar– ndër një mijë halle të tjera me të cilat përballen shqiptarët çdo ditë, si përfundim i keq-qeverisjes dhe korrupsionit masiv në vend.

Prandaj është e natyrshme dhe e moralshme që kur populli nuk gjenë zgjidhje të problemeve të veta në zyrat dhe institucionet e qeverisë dhe të shtetit, atëherë njerëzit do kërkojnë dhe do të protestojnë për të drejtat e tyre në sheshet dhe rrugët e vendit.  Kështu ndodhi në Sri Lankë, kështu ndodhi edhe në Tiranë javën që kaloi.

Shembuj të tillë protestash – shpesh paqësore e herë të tjera jo aq paqësore — që bejnë ndryshimin, ka pasur plot historia dhe ka gjithnjë anë e mbanë botës. Frank Shkreli: Fuqia e të Pafuqishmëve | Gazeta Telegraf.

Morali i Protestave dhe mos bindjes civile, sipas Martin Luther King — Për ne në Amerikë, është e njohur lëvizja e Martin Luther King-ut, priftit protestant i sektit Baptist, njëkohësisht edhe ish-aktivist i të drejtave civile, i njohur në Amerikë dhe në botë si zëdhënësi dhe udhëheqësi më i njohur i lëvizjes për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile.  Ai i bazonte taktikat e tij të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishterë, ndërkohë që gjente frymëzim edhe nga aktivizmi paqësor i Mahatma Gandhi-t.

Ajo periudhë cilësohet nga historianët si një periudhë shprese biblike e Martin Luther Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte ndoshta as vetë Martin Luther Kingu – se një ditë shpresat e tija do bëheshin realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther Kingut në mbrojtje të demokracisë, drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës.  Fjalët e tija mbajnë gjallë shpresën, se më në fund e mira do ta mundë të keqen.

Deklararat e Martin Luther Kingut – si një trashëgimi e tij, megjithëse janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh — tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë. Ai fliste për vlera dhe moral njerëzor, për të drejta universale për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike ose bindjet politike. Por koha, as demokracia nuk presin pafund, për zgjidhjen e problemeve të cilës do shoqërie qoftë, është shprehur Dr. Martin Luther Kingu në fjalimin e famshëm që ka mbajtur në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, në mars të vitit 1968.

Ai ka folur me atë rast për argumentet e disa personave të asaj kohe, të cilët ankoheshin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vërtetë, do të shëronte të gjitha plagët, sipas tyre. “Koha”, ka thënë Martin Luther Kingu, “Është një mit, e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.” Justifikimin, se koha do i shërojë të gjitha problemet — forcat e errëta, sipas tij e kanë përdorur më efektivisht se forcat e vullnetit të mirë. Koha do ta tregojë, ka thënë Martin Luther King se, “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta – dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre – por edhe për heshtjen e tmerrshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrinë duarkryq”, përballë problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria. “Ç’më duhet mua”!  Por, “Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve nga njerëzit e vullnetit të mirë, koha në vetvete, bëhet aleate e ngushtë e forcave të errëta e primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik, është shprehur Martin Luther Kingu. Duke shtuar se koha për të vepruar është tani. “Duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës duke qenë të vetëdijshëm se koha është, gjithmonë, e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët, është shprehur ai. “Në qoftë se njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nuk ka as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i lumtur”, ka thënë ai.  Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit, në atë kohë, në Amerikë, ai kishte deklaruar se, “Kemi ardhur në Uashington” — është shprehur Martin Luther Kingu, në fjalimin e tij në Katedralen Kombëtare të kryeqytetit amerikan, në vitin 1968, “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mosrealizimit të premtimeve të dhëna. Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të arrihet drejt zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, në qoftë se njerëzit vullnet mirë, rrinë duarkryq, duke shpresuar se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë problemet.” Deklaratat dhe fjalimet e tij, megjithëse i përkasin një periudhe tjetër historike, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo në botë. Martin Luther Kingu fliste për vlera dhe moral, për të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike. Amerika sot është një vend më i mirë për të gjithë, falë angazhimit të Dr. Martin Luther Kingut dhe protestave të tija për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile, këtu në Shtetet e Bashkuara.  “Është përgjegjësi morale që njeriu të mos u bindet ligjeve të padrejta”, ka thenë Martin Luther King, duke shtuar se “Padrejtësia kudo qoftë, është kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.”

Edhe në Amerikë vazhdojmë të përballemi me probleme politike e shoqërore. Por jemi të vetëdijshëm se, ajo që e dallon Amerikën — nga shumica e vendeve të tjera, siç është shprehur në një fjalim edhe ish-Presidenti i parë afrikano-amerikan, Z. Barak Obama — “Është angazhimi dhe mbështetja që ky vend u akordon vlerave universal e që bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona dhe padrejtësitë duke u përmirësuar progresivisht si shoqëri dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femrat dhe pakicat të demonstrojnë në favor të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur atyre iu ishin mohuar këto të drejta.”  Presidenti  Obama ka theksuar me atë rast se protestat paqësore për, “Zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit. Ndërkohë, që media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe entet qeveritare.”

Prandaj, larg duart nga liria e fjalës dhe media e lirë – si njërës prej vlerave më të shenjta për një demokraci të vërtetë dhe si e tillë e paprekshme nga autoritetet e korruptuara, kudo qofshin ato!  “Protesta paqësore është arma më efektive kundër një shoqërie raciste dhe të padrejtë”, ka thenë Martin Luther King.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

PRESIDENTI META:  INCENERATORËT, AFERA E SHEKULLIT

July 12, 2022 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta ka reaguar i tronditur mbi skandalin që ka përfshirë institucionet e shtetit shqiptar duke e quajtur aferën e inceneratorëve si aferën e shekullit. Në një prononcim për mediat ndër të tjera Presidenti Meta ka deklaruar: “Shohim një aferë që është poshtëruese për çdo qytetar të këtij vendi në këtë kohë krize kur duhet rritur mbështetja për qytetarët në nevojë. Shohim që askush nuk mban përgjegjësi. Prej vitesh bëhen veprime të tilla nga bankat. Çfarë është ky sistem bankar që pranon firma të tilla të njerëzve që nuk jetojnë apo jetojnë në azile. Ku është krimi ekonomik dhe institucioni i pastrimit të parave. Kush mban përgjegjësi për këto skandale. Si mund të vazhdojë afera e inceneratorëve. Të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit. Janë para të qytetarëve, Ftoj dhe Kuvendin të merret më seriozisht me këtë çështje. Ende nuk ka dalë as maja e ajsbergut në aferën që po thellohet. Ka edhe afera të tjera që po zbulohen si ajo e aferës së Butrintit. Vetëm një aferë mund të bëjë një qeveri të vërë dorë mbi trashëgiminë kulturore dhe të nxjerë përjashta shoqërinë civile. Ndërsa lajmet e fundit që dolën edhe dje, ku përveç pensionistëve që janë në azile që figurojnë në mënyrë të paditur me veprime që kapërcejnë mbi 30 milionë euro, çobani me rrogë 300 eur në Greqi, rezulton gjithashtu me veprime të pakryera nga ai me miliona euro këtu. Për fat të keq për të kuptuar dramacitetin e kësaj babëzie që është babëzia e shekullit, dje u zbuluan dhe fakte për një qytetarë të ndjerë, e cila ndërroi jetë 5 vite më parë, në emër të së cilës janë kryer transaksione me vlerë 5- 6 milionë euro. Kjo është ulëritëse dhe tronditëse. Një shtet që thotë se nuk kemi çfarë t’i bëjmë zjarrit se s’kemi lekë për helicopter” tha ndër të tjera Presidenti i Republikës z.Ilir Meta.

Filed Under: Politike

RIINFEKTIMET JANË TË ZAKONSHME, VARIANTET E REJA TË COVID GJITHNJË E MË TË BUTA, KJO ËSHTË AJO QË PRISTE SHKENCA

July 12, 2022 by s p

Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Nënvarianti i fundit i Koronavirusit që u bë dominues në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera është gjithashtu, në shumë mënyra, më i transmetueshmi deri tani. Nënvarianti BA.5 i variantit bazë Omicron duket të jetë më ngjitës se çdo formë e mëparshme e virusit. Me sa duket është më mirë në shmangien e antitrupave tanë, që do të thotë se mund të ketë më shumë gjasa të shkaktojë infeksione të reja dhe përsëritje të infeksioneve. Vaksinat vazhdojnë të jenë mbrojtja jonë më e mirë. Madje, ka edhe injeksione përforcuese specifike të Omicron në zhvillim që, në muajt e ardhshëm, mund t’i bëjnë vaksinat më të mira, më efektive kundër BA.5 dhe varianteve të tij gjenetikë. Megjithatë, rrëmuja e vazhdueshme e BA.5 në gjysmën e planetit është një kujtesë e fortë se pandemia COVID nuk ka mbaruar. Të dhënat e fundit sugjerojnë se nënvariantet e reja të Omicron ka të ngjarë të jenë në gjendje të çojnë në rritje të infeksioneve në popullatat me nivele të larta të imunitetit të vaksinës, si dhe me imunitet natyral ndaj BA1 dhe BA2. Viruset BA.4 dhe BA.5 duket se kanë më shumë gjasa t’u fshehur antitrupave në të rriturit plotësisht të vaksinuar dhe të përforcuar krahasuar me nënvariantet e tjera të Omicron, duke rritur rrezikun e infeksioneve të përhapjes së vaksinës Covid-19. Këto rezultate tregojnë për një rrezik më të lartë për riinfeksione, madje edhe te njerëzit që kanë njëfarë imuniteti paraprak kundër virusit. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  (CDC) vlerësonë se 95% e popullsisë së SHBA-ve të moshës 16 vjeç e lart kanë disa nivele të antitrupave kundër Koronavirusit që shkakton Covid-19 përmes vaksinimit, infeksionit ose të dyjave.

ÇFARË JANË NËNVARIANTET E REJA?

Edhe pse nënvariantet që po shfaqen pritet të jenë më të transmetueshme, në fund të fundit është se ndikimi i një rritjeje BA.5 ose çfarëdo nënvarianti që vjen më pas nuk do të jetë në shkallën që e pamë gjatë dimrit të kaluar. Jemi në një pozicion më të mirë për të menaxhuar më mirë. Kombinimi i infeksioneve të mëparshme dhe vaksinimeve vazhdon të jetë mbrojtës. Ndërsa numri i infeksioneve ka vazhduar të rritet në muajt e fundit, shtrimet në spital kanë mbetur të qëndrueshme ose me rritje të lehta, ka më shumë mjete për të trajtuar njerëzit që sëmuren. Pra, si me llojet dhe variantet e mëparshme, nënvariantet e reja nuk kanë qenë aq vdekjeprurëse sa llojet e mëparshme, por këto përhapen më shpejt. Shqetësimi është se me më shumë njerëz të infektuar, shanset për shfaqjen e mutacioneve dhe varianteve të reja vetëm rriten. Më shumë infeksione mund të nënkuptojnë gjithashtu një shans më të lartë që njerëzit të zhvillojnë COVID-19 afatgjatë te shtresa e më të rrezikuarve.

A PO RIINFEKTOHEN NJERËZIT?

Në fazat e mëparshme të pandemisë, riinfeksionet e dokumentuara ishin të rralla. Ishte e pritur se një infeksion me variantin origjinal, ose (për një periudhë të shkurtër) të vaksinuarit plotësisht mund të të linte mjaft të sigurt se ishe imun ndaj COVID. Në verën e vitit 2021, varianti Delta dhe masat paraprake lehtësuese sollën infeksione rutinë. Dhe më pas, në fund të vitit 2021, vala e parë e Omicron infektoi miliona amerikanë, duke përfshirë shumë që tashmë ishin përballur me variantet e mëparshme. Nuk është e qartë se sa shpejt dhe sa shpesh ndodhin riinfeksionet. Disa studime të kohëve të fundit kanë treguar se është e mundur të riinfektohesh me një variant tjetër ose edhe një nënvariant tjetër omikron. Por këto riinfeksione duket se janë ende të rralla dhe me simptome shume më të lehta se ato që kemi pare në fillim të pandemisë. 

A DO TË JETË COVID ME NE EDHE SHUMË MË GJATË?

Sa më gjatë të zgjasë virusi SARS-CoV-2, ai mund të bëhet një tjetër Koronavirus i zakonshëm që shkakton një ftohje të rendomtë, nuk ka më shumë gjasa t’i dëmtojë më shumë pritësit e tij herën e pestë që i infekton se sa herën e parë. Një e ardhme e mundshme për SARS-CoV-2 është se ai do të bëhet si katër Koronaviruset e tjerë sezonalë, nivelet e të cilëve zbehen me stinët, zakonisht arrijnë kulmin në dimër dhe zakonisht riinfektojnë njerëzit çdo tre vjet ose më shumë. Pyetja kryesore është nëse simptomat do të bëhen gjithnjë e më të buta dhe nëse problemet me COVID-in e gjatë do të zhduken ngadalë, apo do të vazhdojë të qëndrojë si tani dhe të vazhdojë të jetë një problem serioz për shëndetin publik.

Në përgjithësi, ne po përmirësohemi në luftën kundër COVID. Duke qenë se të gjitha të tjerat janë të barabarta, sistemi imunitar mbron më me shkathtësi të njëjtin patogjen – ose variante të tij – me çdo ekspozim. Por mbrojtja e sistemit tonë imunitar nuk është gjithçka ose asgjë. Edhe antitrupat e gjeneruar nga variante të tjera kanë ruajtur njëfarë fuqie për të neutralizuar Omikronin shumë të ndryshuar. Dhe sistemi imunitar është shumë më tepër se vetëm antitrupat. Qelizat T ndihmojnë në nënshtrimin e virusit pas infektimit, duke zvogëluar ashpërsinë e sëmundjes dhe duke parandaluar vdekjen. Lajmi i mirë është se pjesët e Koronavirusit që qelizat T njohin kanë mbetur kryesisht të pandryshuara që kur virusi shpërtheu në skenë në vitin 2019 – gjë që shpjegon pse vaksinat kundër atij lloji origjinal kanë mbetur kaq efektive në parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjes. Të pretendosh, pasi që çdo infeksion do të dëmtojë sistemin tuaj imunitar, pavarësisht se sa të buta janë simptomat, është një fyerje për sistemin tonë imunitar.

COVID është një krizë e jashtëzakonshme e shëndetit publik me efekte të panjohura afatshkurtra dhe afatgjata në shëndetin e njeriut dhe faktet e pasakta të përdorura për nxitjen e frikës nuk janë të dobishme. Serioziteti i pandemisë flet vetë, por manipulimi i një publiku të lodhur nga pandemia me gënjeshtra që shkaktojnë dëshpërim nuk është mënyra për t’i bërë ata të dëgjojnë. Megjithatë, është keq që kemi valë të vazhdueshme riinfeksionesh edhe nëse ato janë çdo disa muaj dhe jo çdo disa javë. Edhe infeksionet e lehta mund të çojnë në COVID të gjatë; megjithëse sa shpesh ndodh kjo është ende për debat, përpjekja për të shmangur infeksionin është ende një pozicion shumë i arsyeshëm që dikush mund të zgjedhë të marrë, edhe pse ndihet si një pozicion gjithnjë e më i pazakontë. Një gjë që mbetet e qëndrueshme: nëse ekspozohemi dhe infektohemi me COVID, për herë të parë ose herën e dytë, trupi jonë do të përgjigjet shumë më mirë nëse paraprakisht ne vaksinohemi kundër Koronavirusit. 

Filed Under: Sociale Tagged With: Pashko camaj

Shqiptarët kërkojnë ndryshim…

July 12, 2022 by s p

Bujar Leskaj

Protesta e datës 7 korrik 2022, ishte një protestë e veçantë në llojin e vet, politike e qytetare, paqësore e me vrull, pasi jo vetëm që dëshmoi se sa shumë e duan lirinë dhe demokracinë aq shumë të rrezikuar shqiptarët, por edhe u tregoi të gjithëve, brenda e jashtë Shqipërisë, ridimensionimin aktual të politikës shqiptare, sipas vullnetit të sovranit, të papërfillur kaq vite.

Ata mijëra njerëz që përmbytën bulevardin, sfiduan regjimin, vranë indiferentizmin dhe dëshmuan revoltën e një populli që kërkon e dëshiron ndryshimin.

Secili në atë bulevard kishte nga një arsye për të protestuar e të gjitha arsyet së bashku, përbënin etjen e një populli që nuk pajtohet me keqqeverisjen, mashtrimin, mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies nga sekti Rama në pushtet.

Secili prej nesh protestoi kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes galopante të çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; protestuan kundër korrupsionit në çdo qelizë të pushtetit, kundër krimit e drogës në apoteozë, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…

Dhe ajo llavë opozitare që kërkonte drejtësi duhet të bëjë të reflektojë edhe më skeptiku, në radhët e PD ose jo.

Njerëzit përmbytën sheshin në protestën e thirrur nga Fronti i Shpëtimit Kombëtar, PD dhe Shoqëria Civile dëshmuan atë që kemi thënë këtu e muaj të tërë tashmë: kundërshtarë nuk kemi ata që deri dje i kishim në krah, por Ramën dhe sektin e tij! Protesta e 7 korrikut dëshmoi se ato që na bashkojnë si shqiptarë, që na bashkojnë si opozitarë, janë jashtëzakonisht më shumë se ato që mund të na kenë ndarë këta muaj.

Dhe bashkimin e kemi dashur gjithmonë realisht, për të qenë më të fortë, për të sfiduar këtë sekt që shqiptarëve u ka vrarë shpresën dhe për t’u ringritur si Feniksi për Shqipërinë, shqiptarët; për demokratët.

Shumë mësime mund të nxirren nga protesta e 7 korrikut:

🔴 Së pari, Partisë Demokratike nuk duhet t’i mjaftojë vetëm lufta në parlament dhe faktorizimi i saj përpara ndërkombëtarëve, por edhe protestat në rrugë e sheshe, në mënyrë që zëri dhe vullneti i sovranit të dëgjohen realisht. Dhe, në këtë kontekst, protestat duhet të jenë të vazhdueshme, të larmishme, në kohë dhe në qytete e krahina të ndryshme.

🔴 Së dyti, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Frontin për Shpëtimin Kombëtar në një front të gjerë opozitar, jo vetëm me forcat e tjera opozitare, por edhe me Shoqërinë Civile dhe mobilizimin real qytetar dhe të reflektohen mendimet e saj.

🔴 Së treti, dëshmoi, përtej mirënjohjes për organizatorët në bazë edhe kërkesën imediate për një lidhje të ngushtë me strukturat e partisë në bazë, riorganizimin e tyre real, përzgjedhjen e njerëzve dhe aktivistëve, të cilët kanë dëshirë të vërtetë të punojnë dhe jo të bëjnë zgjedhje fiktive. Sot më shumë se kurrë PD ka nevojë për analiza të thella, të vërteta dhe përmirësim organizativ e funksional të strukturave në bazë.

🔴 Së katërti, pa hequr dorë nga demaskimi i sektit RAMA Partia Demokratike duhet zgjerohet, të shpallë alternativa, të kanalizojë të gjithë energjinë popullore kundër regjimit të sektit Rama, nëpërmjet kauzave dhe çuarjes së tyre deri në fund. Është përgjegjësia historike e Partisë Demokratike për t’u bërë interprete e gjithë energjisë popullore si në vitet 1991, 1992.

🔴 Së pesti, Partia Demokratike duhet jo vetëm të jetë në krah të popullit e me popullin, por edhe të jetë zëri i tij me alternativa të qarta politike e qeverisëse.

(PD duhet të deklarohet qartë për shpalljen e minimumit jetik dhe të jetë çdo çast kundër këtij sekti në pushtet, që vetëm varfëri, shpopullim, shpresë të vrarë ka mbjellë!)

Vetëm vazhdimi i protestave paqësore të PD dhe Shoqërisë Cilive të inkuadruara në Frontin për Shpëtimin Kombëtar do ta bëjnë Ramën dhe sektin e tij të reflektojë, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në botë.

Protesta vërtetoi se shqiptarët kërkojnë NDRYSHIMIN në çdo qelizë të jetës së tyre dhe më të bashkuar, më të fortë, më të hapur e pa paragjykime do t’ia arrijnë!

Dhe pa paragjykime brenda e jashtë partiake do t’ia arrijnë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Bujar Leskaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT